• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Faik KONICA, Portreti i një Aristokrati

January 4, 2014 by dgreca

 Shkroi: Mabille Gennings/

Kur Faik Konica, Ministri i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, të thotë se ka qenë edhe vetë gazetar, të shfaq vetëm një pjesë të vogël të shërbimeve të tij në fushën e gazetarisë.

Aty më parë shkruante kryeartikuj në Boston, në Diellin, më e vjetra gazetë shqiptare që botohet edhe tani në Shtetet e Bashkuara – një fletore (atëherë e përditshme po që më vonë është bërë e përjavshme), që nuk merret me reklama dhe kur kish më shumë se 10 mijë pajtimtarë, qe mjaft e afërt, sa me anën e fushatës, (Vatrës), mundi të mbledhë për guvernën provizore t’athershme një çerek milionë dollarësh.

Lindur në Malësin’ e jugës, në kufirin e Greqisë, i biri i një të pasuri, nga një der’ e cila në kohën e paqes shikonte punën e shtëpisë, dhe në kohën e luftës mblidhte vullnetarë, Zoti Konica, që kur ish djalosh, e dij mirë se për çfarë soj shërbimi ish destinuar, dhe studimet e tija në shkollën e jezuitëve në Shkodër dhe në Licenë Perandorike të Stambollit, i bëri duke pasur po atë qëllim parasysh. Vizita e tij e parë në SHBA, më 1909, qe për të filluar një shoqëri të përbërë prej refugjatësh: për t’i stërvitur këta me vetijat dhe qëllimin që lypte lëvizja kombëtare – një qëllim si themelonjës dhe botonjës i revistës Albania, që e kish bërë të njohur me tërë fuqinë e tij. Më 1912, ay u dërgua si delegat në konferencën ambasadoriale në London, dhe më 1926, kur u njoh independenca e kombit të tij të dashur, ku ay me zotësin e tij mundi të lerë rekorde historie në ngjarjet e zhvillimit kombëtar, u emërua Ministër në Shtetet e Bashkuara.

Në qoftë e vërtetë se ndodhja e tij këtu është një shenjë miqësie, dhe ay të siguron se ashtu është, atëherë gjithashtu është e vërtetë që trupi diplomatik i Washingtonit bëhet më i pasur n’urtësi bujare, sjellje të dëshirueshme dhe në dituri të hollë me ndodhjen e tij këtu. Kjo na çon ndoshta te një problem i rëndë, që të dallosh si munt të shquhet njeriu si njeri nga ministri. Ndoshta qëndrimi më tipik i zotit Faik Konitza është urtësia e hijshme, siç dëshmohet qartazi prej sjelljes së tij simpatike, prej dashurisë së tij për të bukurën e vërtetë dhe prej zemërgjerësisë natyrale të tij.

Me fjalë të buta dhe plot gjallësi, më sjellje krejt natyrale në qarke shoqërore, ay është pritës i mirë si zot shtëpie dhe mysafir gazmor. Sapo ka kaluar nga mosha 55, i veshur mirë e i pamartuar, ay është kurdoherë i mirëseardhur si vizitor në sallonet shoqërore të qytetit tonë.

Gjithashtu mund të ketë në raste të këtilla edhe muzikë, muzikë hutonjëse që del nga një gramafon i rrallë, me një megafon të madh që të zë syri sapo hyn në odën e mirë të tij, q’është në katin e dytë të hotelit Mayflower. Çpikja e një shkencëtari ingliz, orët e shumta e të rënda që i kushtonte në nj’odë shkence, nuk pajtoheshin me dashurinë e tij përmuzikën, ku istrumenti i bërë me dorë ka mundur të çdukij zëra të çjerra, duke lënë vetëm muzikë të kulluar. Nuk do të gjesh radio te ministri i Shqipërisë, ndonëse nga koha në kohë i kanë prurë tri, për arsye që nuk varen vetëm nga zëri i kulluar i muzikës. Ay rrëfen se sa mërzitet kur dëgjon lloj lloj reklamash me anën e radios. Kënaqësinë më të madhe, përveç kur ka pranë miqt’ e tij, ministri e ndjen kur këndon libra me biografira dhe shënime kronologjike, që zgjeth nga biblioteka e tij, e cila ka më shumë se 1200 libra dhe është nga më të plotat. Sa për stërvitjen e trupit për të mbajtur shëndetin e tij, i pëlqen që të ecë më këmbë. Në kohën që harxhon duke luajtur golf, rreth e rrotull luadhit, siç thotë vetë, njeriu mund të këndojë një libër ose mund të fjaloset me miq, dhe kështu që ay ecën me këmbë dy ose tri mila në ditë. Gjellët ia servirin nga restauranti i hotelit, ndonëse ka një kuzhinë më vete ku rri, se e urren afshin e gjellëve, si dhe erën e mirë të kafesë. Është një nga mendimet e tija, që gjella ka shije të vërtetë kur nuk të nget as “qiellëzën, as hundën”. Ënda e tij është sqimatare. Ay nuk pranon të ngrëna që kanë mbetur shumë kohë në akull, pula që janë therur më shumë se disa orë më parë se të shtrohen për të ngrënë, ushqime deti që nuk janë peshkuar atë çast nga ujët. Atij i pëlqen të hajë pas bukës drethëza të goditura me ajkë, dhe të vëna në pjatë mi kulaç të grynjë. Për sa u përket të pirave dhe mëzeve ay nuk munt të quhet njohës i vogël. Përveç gjërave të tjera, ato q’urren më shumë janë pijet e përziera e të forta (kokteils) dhe shampanja e lehtë. Ay do më shumë verat që quhen Sherry, Burgundy dhe Rihne. Kjo e fundit i mbarohet më shumë se të tjerat, sepse shumë nga miqt e tij kanë po atë shije që ka dhe vetë. Një zotni që më parë pëlqente skoç, më shumë se çdo lloj uiski, tani zgjedhe si më të mirin rye, se kjo pije mban nj’erë t’ëndëshme, veçanërisht rye-i që bëhet në shtetin Kentucky dhe është i shtënë në botile që në kohën e Luftës madhe. Rrobat e tij janë gjithmonë të kaltërta (kaltërsi e thellë që duket pakës si e zezë), të murme ose të zeza, dhe me çdo palë ka porositur dhe një pallto të madhe të bërë gjithë nga ajo plaçk’ e rrobave që shkon me to. Të porositura nga Londoni, plaçkat e tija dallohen për hollësira origjinale. Palltot e vogla nuk kanë vrimë volutash në çipin e jakës poshtme, mi gjoksin, të bëra me qëllim që të mos u japë rast grave që mund t’u teket ti ngulin ndonjë lule. Palltot janë pa xhepa të jashtme për shami, sepse ay e quan zbukurimin si një send jashtë rregullave të shëndetit. Pantallonat e tija nuk janë të kthyera mi qafën e këmbëve, po për këtë arsye. Këmishët, të cilat ia bën sipas porosisë një këmishëbërës i Londonit, nuk kanë volte të dytë në qafën e mëngëve, se ay ngul këmbë që nuk janë të nevojshme. Çuditërisht për një burrë që ndjen të këtillë dashje ose mosdashje të mprehtë, adhurimi i ministrit të Shqipërisë për bukurin’ e grave është kryesisht konservativ. Pamja e një gruaje, siç thotë, duhet kurdoherë të jet’ në shkallë të dytë ose pas personalitetit të saj tërheqës. Në mes një numri të madh mikeshash q’e adhurojnë, ay çmon më tepër ato me mençuri të jashtëzakonshme, dhe ato nga të cilat qëndron lark – ne mund të përdorim një frazë kaq t’ashpër kur flasim për një zotni t’urtë – ka të ngjarë të jenë nga tipi i çqetësuar me gjallësi si të lozonjares. Mbi veshjen e grave amerikane ministri Konitza nuk thotë gjë sendi tjetër – pothuaj se asgjë – përveç fjalëve lëvdonjëse. Ato kanë përdorur fuqin’ e mendjes dhe i kanë bërë modat e botës më të hijshme dhe më artistike, duke ngulur këmbë për moda pa salltanete. Tani do të qe më mirë sikur të mos mbanin këpucë me thembra të larta, duke pëlqyer në vent të tyre opinga të qëndisura e të bukura! “Gjer me një pikë, ashtu po bëjnë”, i thashë dhe ay m’u duk sikur mbeti i kënaqur. Tani në dëshironi të mësoni se ç’kuptim ka emri i parë i tij, i cili, meqë bie fjala, për miqt’ amerikanë të tij është vetëm “Frano”, mund t’ju them që zë vendin e emrit “Augustus”. Se ç’kuptim ka emri Augustus, jam i sigurt q’as unë nuk e di.( Arkiv  “Dielli” qershori, 1934. Perktheu nga anglishtja: Nelo Drizari, editor i Diellit per vitet 1935-1939)-Foto- Faik Konica, i treti nga e majta-ulur,  ne mes te delegateve te Kuvendit te Vatres te vitit 1926

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Faik Konica, MABILLE GENNINGS, PORTRET I NJE ARISTOKRATI

Qiejt e panumëruar të fjalës së Riza Lahit..

January 4, 2014 by dgreca

Nga Namik Selmani/ Shkrimtar/
Joo. Nuk e besoj vërtet se u nga nga jeta miku ynë, shkrimtari, studiuesi, gazetari, skenaristi Riza Lahi. Thuajeni sa të doni! Si të doooooni! Vendosni çdo fjalë të shqipes, të anglishtes, të frëngjishtes diku në nekrologjitë internetike, diku në shtyllat e bulevardeve, në ndonjë kronikë televizive aty nga fundi i lajmeve! Ai është mes nesh Mjafton që të hapim një libër, një kronikë takimi e do ta kemi atë sa të menduar, sa të mençur, sa gojëtar, sa hokatar. Ishte vetvetja jonë më e mkrë Sa keq që televizionet shqiptare nuk e dhanë një njoftim për të Ato, televizionet merren me sa e sa kronika kriminelësh e nuk kujtohen që të flasin shumë më tepër për këtë Fisnik të Fjalës Shqipe që për dekada ka punuar për ta bërë atë sa më të bukur të brezi i tij i krijuesve, por edhe tek më të rinjtë. Dhe jo vetëm në Shqipëri, po edhe në Kosovë, në trojet amtare në diasporë Madje në të gjithë botën. Se kudo kishte miq të mirë Riza Lahi. Për ta bërë sa më të njohur në botë bash si rilindas i kohëve moderne. Njeriu nuk ka bërë deri tani një peshë të saktë për dhimbjen njerëzore. Ka krijuar Peshore për të peshuar qoftë edhe miligramët e një trupi apo ato të shkëmbinjve të mëdhenj, të makinerive, të raketave kozmike me tonelata të tëra peshë, po jo atë të dhimbjes. E ndarja me Rizain fort na dhembi! Iku pa pyetur miqtë që e donin aq shumë dhe ia vlerësonin fjalën e tij. Vite me radhë fluturoi në Qiejt e kaltër si pilot i patrembur. Gati si pilot i lindur. Me sy të fortë shqiponje. Shumë herë thoshte se ishte pilot. Madje na thoshte edhe gradën e merituar nënkolonel. Kur e pyetën në një emisin televiziv se cila ishte poezia e tij më e dashur ai tha se ishte një poezi për një pilot veteran që kishte lënë qiellin e ishte në tokë. Në poezinë e tij flitej për një pilot që të gjitha sekretet , dashuritë emocionet e vërteta njerëzore ai ia kishte truguar mikut më të mirë .. qiellit. Mos kishte ndodhur edhe me të kështu në të gjallë a në vdekjen e tij.
Kur e la qiellin me avionë e u ul në tokë mes luleve, zhurmave, dyfytyrëshve, baltovinave bulevardeve me zhurma shumë e me semaforë të panumërt, para ferrave që na janë futur në këmbë, u bë shumë herë nostalgjik për qiejt. Atëherë dhe deri në ditën e ndarjes. Qoftë me mjegullnajë, me shi, me flutura bore, me dritë kaltërore qiejt ishin dadhira e madhe e jeëtsb së tij . Ishte Kurora që ai ia vinte çdo fjale çdo mendimi.. Veçse pa autostrada me sinjale Rizai kishte brenda vetes me dhjetra qiej, ylberë, satelitë të veçantë hapësinorë që ndriçonin dhe e zbukuronin aq shumë shpirtin e tij madhështor dhe atë mirësi zemre që rrallëkush e kishte. Që në atë kohë ai krijoi Simbolikën e Qiellit. Të Qiellit të Fjalës E ku ai mbeti më fitimtar se fitimtarët. Mos vallë copëzat e qiejve, të mjegullave apo çarçafët e borëruar që ai i kishte dashur aq shumë, po edhe i kishte sfiduar si fitimtar në ditënetët e jetës së tij, ia kishte dhënë këtë si Medaljon të Shpirtit të tij shkodran, të atij shkodrani hokatar dhe aq të mencur? Pas avionit mori biçikletën. Një poet romancier, përkthyes i talentuar një studiues, gazetar i spikatur që ia përpinin gazetat shkrimet e tij, po ecte në Tiranë me biçikletën. Ndoshta i qëndronte besnik Shkodrës së tij aq të njohur për këtë mjet udhëtimi. Ndoshta se ishte mësuar me fllad qiejsh në gjoksin e tij që po i thinjej ashtu si dhe flokët. Tani Shkodrës ai donte t’i jepte çdo gjë të bukur, fjalën. Kudo e përqafoi denjësisht këtë qytet të bukur. Para pak vitesh do të botonte librin poetik “Hanibales ande portas”. Kur e pa Shkodrën e tij të përmbytur aq sa edhe loti i burrit nuk ishte turp, i erdhi më mendje ky varg. Po bënte mjeshtërisht elegjinë për Shkodrën të mbytur që donte ndihmë
E , kur iku , në një ditë fundviti vetëm pak ditë para ditës së lindjes (16. janar 1950) besoj se me plot gojë ai e kishte fituar garën me Qiellin e Fjalës, me Qiellin e poezisë, me Qiellin e Shpirtit Njerëzor, duke u futur në radhën e atyre njerëzve të mirë që nuk i gjen sot as me kandilin diogjenian. Nuk mundem të gjykoj dot se sa i aftë ishte ai që të pilotonte, po entuziazmohesha aq shumë si fëmijë i burrëruar kur e shihja se si fliste për to, se sa dashamirës që ishte për shokët pilotë. Më gëzonte se sa bukur e fliste ai për pilot e për familjarët e tyre., Po, po, fjala e tij i ngjante një Sofre të madhe ku mund të gjeje mrekullisht një miqësi të sinqertë, një poezi tejet të vecantë sociale, atdhetare, filozofike ndjesore, erotike lirika natyre . Ai pikturonte si një Lasgush shkodran Bunën, Kalanë Taraboshin. Pikturonte brigjet ulqinake, ku ishte nip se nëna e tij ishte nga Ulqini. Para pak kohësh u bashkuam në një aktivitet që dibranët bënin për artistin e tyre Haziz Ndreu. Më solli një antologji të botuar në Mitrovicë. E kishte botuar Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës që është një nga më prodhimtaret dhe më të fuqishmet në Kosovë, krahas asaj të Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Gjilanit etj. Titullohej “Poetët për Mitrovicën”. Poeti Sabit Idrizi, kryetar i kësaj Shoqate dhe kryeredaktor i revistës “Fjalë e valë“ kishte zgjedhur Riza Lahin që të përkthente në gjuhën angleze të gjithë poezitë e librit. Dhe fort mirë kishte bërë aid he vetë Komuna e Mitrovicës.,. Një botim luksoz dhe me dinjiitet me një botim si në vendet më të zhvilluara perëndimore. Pas këtij përkthimi të Riza Lahit në fund të librit prej rreth 300 faqesh ishte dhe një përshëndetje e tij. Në këtë libër antologji kisha edhe unë një poezi me titull “Po ti na qenke, o Urë e Ibrit?” Nuk ishte vetëm nderi i pjesëmarrjes në të, por edhe se këtë po ma sillte në anglisht pena e Rizait tim të dashur që do ta kem kujtim për shumë vite. Kur erdhi një ditë nga Mitrovica rasti na solli që të bënim udhëtimin nga Prishtina në Tiranë së bashku për 6 orë e që na u duk kaq i shkurtër. Aty ishte edhe proza poetike e Rizait “Buna në muzg”. Kërkonte që Antologjia të promovohej në Mitrovicë ku të kishte edhe përfaqësues nga Evropa nga Tirana, Çamëria. Që ata evropianët ta kuptonin edhe artistikisht shpirtin e madh të shqiptarit liridashës. Një ditë edhe mbase mund të bëhet një aktivitet i tillë, por do të mungojë ai që i përktheu germë më germë të gjithë poezitë, miku ynë Riza Lahi. Karrikja e Rizait do të mbesë bosh. Nuk do harrojmë të vëmë luet më të mira në të. Në dy gjuhët ajo sot lexohet nga ushtarët që ruajnë Urën e Ibrit, nga shefat e tyre, nga diplomatët, nga serbët, anglezët amerikanët, nga shqiptarët e Tiranës e të Vlorës. Atë ditë më thoshte se do të ishte mirë që të bëhej ky promovim madhështor i atij libri ku të merrnin pjesë sa më shumë evropianë e amerikanë që të shihnin poetët e këtij kombi se sa e duan lirinë bashkëjetesën mes kombeve. Si poet e kishte bërë detyrën, tani ishte zëri i patriotit Riza që fliste e që uroj të dëgjohet një ditë.
Vargu dhe fjala e tij e shkruar është njohur në Greqi, SHBA, Rumani, Maqedoni, Kosovë madje deri në Indi dhe në Iran. Ishte kënaqësi që ta dëgjoje atë duke folur në tribunat e poetëve. Ashtu si dhe ta dëgjoje duke recituar fort bukur sa që e ngrinte sallën në këmbë..Ai ishte i natyrshëm në atë që thoshte. Përherë e shoqëronte me fabul të veçantë, shenjë e kulturës së gjuhës për një njeri. Me gjeste të bukura. Me një dallgëzim emocionesh. Aq më tepër se përvoja e tij jetësore, leximet në disa gjuhë kisht bërë që ajo të ishte e larmishme e gjithanshme. Aq sa duhet të zgjasje veshin dhe kokën për të mos të të ikur asnjë fjalë e thënë, asnjë gjest, asnjë muskul fytyre në plastikën e tij. Shumë herë duhet ta dëgjoje edhe për t’ia “vjedhur“ pak stilin e tij aq të spikatur të gojëtarisë.
Shumë herë shqetësohej për antivlerat që shfaqeshin kudo . Trishohej kur fliste se paratë nuk shkonin në botimet e poetëve që mbanin sa e sa vlera të paqarkulluara se iu mungonin të hollat për t’i botuar. Prej disa vitesh shkonte shumë herë në Korçë. Kishte mik të ngushtë Mihallaq Andrenë. Mjeshtri Mihallaq shumë tekste i kishte edhe nga Rizai. Ishte ndoshta shkodrani më i mençur që kishte ngritur një Urë nga më të fortë mes Shkodrës dhe Korçës. Kishte bërë dhe një skenar të mrekullueshëm për këngën e tij. Kishte disa vite që bashkëpunonte edhe me Gurali Mejdanin që drejton komunitetin e romëve. Fliste me aq entuziazëm, dashamirësi dhe emocion për kulturën e romëve, O zot edhe këtu Simbolika e Qiellit nuk i ndahej Riza Lahit. Një shkrimtar dhe poet që i donte të gjithë pjesët e kulturës së kombit të tij, aq sa edhe Shkodrën e tij dashurore trëndafilore me jaret e papërsëritshme. Shkonte edhe në turnetë që bënin shoqata kulturore jasht vendit si gazetar, si poet, si organizator. Përherë mbeti një shkodran hokatar. Dikur në një dialog poetik me “Motrën Tone” të Kolë Idromenos (me origjinë nga Çamëria, shprehte keqardhjen se Shkodra duket se po harronte disa vlera kulturore të krijuara në vite e shekuj. Po, Riza Lahi ishte edhe ulqinak i mirë. Një nga librat e parë që kam lexuar nga Rizai para 8 vitesh ishte “Nën hënën e Ulqinit”. Ishte nip nga Ulqini dhe thoshte se nëna e tij ishte vajzë ulqinake. Para 8 viteve hapa një ekspozitë fotografike në Ulqin në Ulqin shumë miq të tij më flisnin me kaq dashuri për të. Në vitet e fundit po bëhej më shumë mbretëror. Mbretëror me poezinë e tij të përkryer. Ai ishte kaq risitar edhe në vargun e tij, po dhe në atë varg që përkthente nga shqipja në anglisht. Që kur kishte nisur punë për përkthimin e poezive të sulltanëve dhe vezirëve të Turqisë diku në një lokal bashkë me mikun tonë të përbashkët Ahmet Dorsun, një shqiptar i lindur në Turqi dhe tash romancier e poet, banor i Tiranës, më fliste me aq pasion për të. I recitonte si të ishin poezi të dala nga shpirti i tij i behartë. Poezitë dashurore që kishin bërë sulltanët në jetën tyre ishin po kaq befasi sa edhe përkthimi i tij. Bujkur! Dhe u botua edhe pse ne jemi në goditjen e madhe të një informacioni të pakët për librat që botohen dhe për një mungesë të shpërndarjes së vlerave që krijohen. tek ne Në ditët e fundit po “matej” me Xheladin Rumiun. Një Vexhi Buhara tjetër, do të thoja unë. Kishte marrë me meritë edhe një titull të lartë të “Përkthyesit më të mirë të anglishtes në Shqipëri.” E kishte vënë si sqarim në një libër, po ai ishte shumë modest. Ai ishte bërë vetë një Rumi me atë filozofi që po përcillte çdo ditë në atë që shkruante që fliste. Kishte disa muaj që e shqetësonte një këmbë e sëmurë. Ishte enjtur . Ende nuk ia gjente arsyen. Veç të dhimbej Rizai. Natën, thoshte, këmba qetësohej e ditën rëndohej. Dhe kur? Kur?!!!! Kur atë e prisnin një nga një miqtë e tij të panumërt miket që e dëgjonin me kaq vemendje elegancën e të folurit të tij. E pritnin gazetat me reportazhet më të mira të viteve të fundit. Të jashtëzakonshëm. Botonte në “Tirana Observer” te “Republika“.dhe shkrimet e tij ishin më të lexueshmet Që në titujt shumë intrigues. Ai kishte kurajon e njeriut të ditur. E përkëdhelte fjaën e bënte si brumin e amvisave në ditë feste. Vazhdonte të protestonte me veten për këmbën. E sërish mbi biçikletën e tij gati proverbiale migjeniane ecte në qytet më këmbën e sëmurë të enjtur. Madje të shkonte edhe në Bullgari në Turqi.
Qënka pak e vështrirë që të përfshish të gjithë qiejt e panumërt të Fjalës Lahiane në një ese kujtese. Ani. Duhet bërë, edhe se me pengje të mëdha se nuk e tregojmë sa duhet atë hapësirë që kishte ai si njeri si intelektual. Si njeri. Si mim që rrallë të vjen në jetë . Shihnim vetveten në këto ditë të jetuara me të me kaq vrull, me kaq patriotizëm. E çka duhet më shumë për të vënë Kurorën më të ndritshme të patriotit, të këtij njeriu kaq të ditur e kaq të mirë???? I mençur në poezi, në roman ( Kujtoj këtu romanet e tij “Vorri i ashikut” dhe “Një serenatë korçare në Njy Jork”), Përkthyesi, miku i ngushtë i të mençurve e ka fituar plotësisht betejën me HARRESËN. Ai, flokëkërleshuri i veçantë do të mbetet përjetësisht mes kujetsës. Shpesh herë ia merrte era e qiellit ato flokë që po i thinjeshin me shpejtësi. Ishte kënaqësi që e kishim mes nesh. Është obligim për ta kujtuar. Ishte Lumturia jonë dikur dhe sot po e themi me plot gojë dhimbja jonë. Prej shumë kohësh ai do të mbetet Princi i Kujtesës qiellore të Fjalës Shqipe, Zgalemi fitimar i qiejve të panumërt të fjalës Shqipe.
Tiranë, 1 janar 2014

Filed Under: Kulture Tagged With: namik Selmani, qiejt e panumeruar, se Riza Lahit, te fjales

TE PRISHESH NJE MONUMENT KULTURE

January 4, 2014 by dgreca

Nga Agim Xh. Dëshnica/ Boston/

Ne Foto: Hakamrrja e pushtetit popullor kundë Sarajeve të Pashallarëve rreth vitit 1947 në qendër të Beratit Muze./

Çdo shtëpi ka historinë e saj. Qindra shtëpi krijojnë një qytet me tërë historinë e tij, Si gjithmonë trashgimtarët, pas rrënimesh për shkaqe nga më të ndryshmet, përpiqen të ruajnë vjetërinë e bukur, krahas ndërtimeve moderne në zona të veçanta si vazhdim i jetës në kohë të re. Historia për qytetet e vdekur është e mjegullt, shpesh e sajuar sipas hamendjeve. Për mrekulli Berati i lashtë, pas dëmtimesh të qëllimshme në vitet e një sistemi të huaj siç qe socialimi, mundi të mbërrinte në kohët tona, si një dëshmitar i gjallë i ndodhive parake e tragjike, mjerisht vetem me tre lagje edhe këto të prekuara nga ndertime të gabuara. Asnjë popull dhe as një shtet në botë nuk prish monumtet e veta të kultures, sipas manisë perverse të një njeriu, e thënë ndryshe “prish shtëpi e bëj kasolle.” Nga një revistë italiane mësohet se pasi armët e Luftës së Dytë Botërore heshtën, shumë qytete të rrënuar u ringritën siç qenë më parë. Turistët amerikanë me origjinë nga këto vende, befasoheshin. kur gjenin pallatet, kafet, parqet, rrugët e kohëve të  bukura të rinisë.

Në Shqipëri në mbarim të luftës pas largimit të trupave pushtuese gjermane, kudo u ndie fryma e pesha e një jete të re; për disa e lumtur, ndërsa për shumë vetë e panjohur, joshëse, e dhunshme dhe e frikëshme. Të moshuarit ishin më të matur në biseda. Të rinjtë shfletonin libra dhe ëndërronin. Vetëm fëmijët si përherë vraponin pas fluturave në botën e tyre të pastër e të lirë.

Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, me nje vendim të paqartë të qeverisë, Berati u shpall qytet muze. Muze? -pyesnin shumë vetë të hutuar. Pra, shteti i ri tash e tutje do të kujdesej për mirëmbajtjen e shtëpive të tyre dhe të qytetit në tërësi, të njohur për lashtësinë dhe bukuritë e rralla; për Kalanë me dramat tragjike, shtëpitë e bardha e dritaret si mijëra yje mbi lum e urë; për ullishtat e fiqtë, xhamitë e kishat, legjendat, këngët dhe bejtexhinjtë. Por ç’ndodhi në të vërtetë?. Siç dihet qysh në vitet e para, si një akt hakmarrës i pakuptimtë, ishte rrënimi i Sarajeve të Pashallarëve në qendër të qytetit dhe hedhja në lum e shumë elementëve arkitektonikë. Sot, edhe ashtu të shkallmuara, ato dëshmojnë për bukurinë e hershme dhe për marrëzinë e diktaturës. Pas vendimit për Muze, qendra e qytetit me sheshe, pazare e një varg dyqanesh u shemb dhe u tjetërsua. Xhamitë, medreseja, teqetë e kishat u mbyllën disa u shëmbën. Po atë fat patën gjithë lagjet e tjera. Emrat e vjetër me vlerë historike u ndryshuan.

Njëra nga lagjet edhe sot mban emrin Murat Çelepi. Ky emër i shqiptarit Kara Murat-Çelepi, mytesarif i Sanxhakut të Vlorës me qender në Berat, mbeti i pashlyer nga kujtesa, edhe pas vendimit zyrtar “Çlirimi” edhe shpalljes Muze. Flitej nga të gjithë, përdorej nga postierët e policët. Karrocierët e pajtoneve, deri sa u ndaluan,  thërrisnin “Hajt! Për Çelepi”. Dikur kjo lagje e mbuluar nga një gjelbërim i dendur, shtrihej nga hyrja e qytetit deri në urën e Goricës, me shtëpi në shpatin e Kalasë dhe në zonën fushore buzë Osumit. Ajo kujtohet për shkollat, për Kullën e Sahatit e xhamitë e teqetë, për parkun plot me lule, me Përmendoren e Dëshmorëve të Kombit, për ndertesat dhe bahçetë monumetale që kufizoheshin me fushat e fshatrave në rrethinën e qytetit. Njëra nga mëhallat e saj, afër lumit e përballë Shpiragut, njihej me emrin Sarajet. S’dihet as sot, sesi ato saraje madhështore të Omer Pashës me rojtarë e shërbyes të shumtë, u përfshinë nga flakët e një zjarri të madh dhe u kthyen në gërmadhë, brenda mureve të lartë. Në atë vend të braktisur me një portë të zymtë, nuk u ndërtua asnjë shtëpi. Askush nuk guxonte ta blinte atë tokë të mbuluar nga hithra e ferra, ku lëvrinin gjarpërinj e hardhuca. Gjyshet shamibardha pëshpërisnin, se atje, kur binte nata, shfaqeshin xhindet e bukura që endeshin si hije poshtë e lartë me veshje të bardha dhe hidhnin valle. Çdo njeri, që besonte rrëfimet me xhinde të gjysheve, nëse kalonte natën nëpër sokak përbri mureve gjysëm të rënuar, s’kthente sytë anash, por shpejtonte hapat. Edhe emri Sarajet, seç kishte diçka të frikëshme. Në atë mëhallë të pastër me sokakët e gjerë, shtruar me gurë të sheshtë kalonin lehtë e lehtë, kuaj e karroca, biçikleta, vetura dhe kamiona. Një nga sokakët fillonte nga porta e bejlerëve Vokopolas, vijonte përmes shtëpive të mësuesve, tregtarëve dhe zejtarëve të njohur beratas. Pak më thellë, djathtas, ndodhej shtëpia e Ibrahim Buharasë, më vonë e Vexhi Buharasë. Në fund të një rrugice të vetmuar majtas, lartohej një portë e rëndë me dy kanata druri nën harkun e gurtë. Në çastet kur qe e hapur, dukej një pjesë e shtëpisë së bardhë e të madhe e gjysh Sulejmanit, me prejardhje  nga Roshniku. Sipas kujtimeve, ai qe një burrë i pashëm, shtatlartë, me sy e flokë gështenj, i respektuar nga të gjithë, herë herë i rreptë, por i matur e bujar. Thuhej, se shtëpia qe themeluar aty nga viti 1750, fare afër Osumit. Shtëpia ngrihej ngjitur me muret e Sarajeve. Rreth motit 1880, Sulejmani aso kohe oficer me gradën kapiten, e bleu dhe shtoi një pjesë të dytë sa e para. Në përfundim të punimeve u ruajt pamja e bardhë beratase me shumë dyer e dritare, në katër anët me dy pjesët bashkë në harmoni të plotë. Në anën lindore gjyshi u kish falur shërbyesve, që merreshin me punë të ndryshme në shtëpinë e madhe dhe në bahçe, një shtëpi përdhese, me disa kthina, oborr, pus e kopësht. Nga oborri kryesor nëpër dy dyert e gjerë, shkohej në mjediset e brendëshme të ndërtesës së bardhë që shihte diellin tërë ditën. E freskët në verë, e ngrohtë në dimër. Pjesa e dytë megjithëse u ndërtua me mjeshtëri, e vjetra në krahun e djathtë. qe vepër e shkëlqyer arti. Atje, miqtë kalonin nëpërmjet katoit, ku lidhnin kuajt. Pastaj nëpër shkallët e brendëshme, ngjiteshin në dhomëne pritjes. Njerëzit e shtëpisë e quanin “dhoma me bojë”. Aty binin në sy tavanet me rombe ngjyra-ngjyra; figura zoqsh, zambakësh e trandafilash, gdhendur në kanatat e derës, kamareve dhe musandrës. Në dhomë shkëlqente gjithçka, nga muret, vatra me rasa guri gri dhe daullja e saj e bardhë tek dyshemeja e mbuluar me qylym persian. Llampadarët në tavanë dhe disa shandanë shumëdegësh në dysheme, plotësonin ndriçimin natën, kurse ditën gjashtë dritare me perdet hapur kapnin rrezet e diellit nga lindja e perëndimi. Në katin dyte ndodheshin, edhe dy hamame, dhoma e zjarrit, (akçillëku apo guzhina), e ndriçuar nga një baxha konike nën çatinë me katër gërshanëza e strehë të gjera. Në një kënd të saj shihej hambari i drunjtë dhe mokra e gurtë për bluarjen e drithit. Më tej pas nje dere kalohej në një mjedis, ku renditeshin furra për të pjekur bukët e tavat, larësja e enëve, robelarësja me një koridor të zgjatur që kthehej në anën jugore për tharjen e teshave. Hapësira mbi tavan shërbente si depo. Në pjesën e dytë të shtëpisë brenda një dere të gjerë me dy kanata, ngjyrë kafe shtrihej hajati, një koridor i gjatë e i gjerë, i mbuluar me pllaka guri të gdhëndura imët. Në të djathtë ndodhej kthina e kafesë me nime për miqtë, ku shërbehej nëpërmjet një dollapi rrotullues të vendosur në murin e hajatit. Kafetë zbrisnin me tabaka nga dhoma e zjarrit nëpër një shkallë të fshehtë me kapak sa nje derë. Në fund të hajatit hapej një derë tjetër për në odën e freskët gjatë muajve të verës. Majtas përsëri pas një dere, ndodhej qilari i errët e i ftohtë pa asnjë dritare, me  voza druri, shtëmba e qypat e mëdhej për zahiretë e dimrit. Një shkallë rrethore e brendëshme me  parmak, të hipte lart në sallonin e gjerë me piktura e katër dyer. E para, për dhomën ku flinte gjyshi, e dyta për dhomën me bojë të miqëve, e treta tek e zjarrit, e katërta për dhomën e bibliotekës me nime në krahun jugor plot dritë që përçonte rrezet e diellit përmes tri dritareve të brendëshme për në odën e zjarrit. Një zgjidhje e mençur e ustallarëve të panjohur. Nga oborret dukej kalaja, mali i Goricës dhe më tej shpesh, kur shkrepte dielli i mëngjezi shfaqej në lartësi madhështor mbi re mali i Tomorit. Në fund të pusit herë pas here shiheshin ngjala që ndaheshin nga tufa në lum, pas shtegtimit të gjatë nga deti i Sargaseve dhe mbërrinin në puset e mëhallës së Sarajeve. Në orë të caktuara dëgjoheshin kambana nga Kulla e Sahatit pranë xhamisë e çesmës dhe zeri i myezinit nga minareja. Në oborr hera herë kryheshin rite fetare. Në raste festash e dasmash dëgjoheshin këngët qytetare beratase të shoqëruara me def e saze. Në ato çaste hareje, kur hëna qe e plotë, dukej sikur zbriste mbi kullat e muret e Kalasë dhe dëgjonte e kënaqur ato këngë të paharruara.

Bahçeja u ngjante oazeve të përrallave arabe, me palma, kopshte, lulishte e zoq. Anës bahçesë nxitonte rrjedha e remës, që kthehej më sipër nga lumi me anën e një sfrati me trungje e degë drurësh, më vonë digë betoni. Deri në kohët e vona ai pellg i pastër, ku laheshin të rinjtë, quhej “te trarët.” Dy ledhet e remës i lidhte një urë druri. Pranë saj sillej rrotull me kërkëllima çikriku me kova teneqeje, që hidhte  me gurgullimë ujë në vijën për të vaditur perimet. U bënte mirë, edhe pemëve. Kalimtarët tek kalonin përtej remës deri në kohët e shqetësuara te pasluftës, ndalonin e sodisnin pamjet e pemëve me fryta gjthfarësh, si fiq, kumbulla e rrush i bardhë e i zi në hardhitë, që kacavireshin në kavakët e lartë; mes tyre arra,lajthi, bajame, mana, ftonjë, shegë, kajsi e zerdeli. Në një kënd të ngrohtë afër murit dukeshin zgjonjtë e bletëve. Në kohë pranvere e gjatë verës nëpër breg tej remës, vraponin fëmijtë e mëhallës me pipëzat e gajdat prej druri të njomë.Disa hidheshin  “topçe” në remë dhe ndiqnin rosat. Ato zhyteshin në nujë dhe shfaqeshun  larg mbi sipërfaqe. Në freskinë e blerimit, tok me cicërimat e zoqëve, ndiheshin edhe xhi-xhi-të e gjinkallave në trungjet pemëve. Bletët, fluturat e pilivesat fluturonin lule më lule. Ndërkohë ndihej mërmërima e uturima nanuritëse e Osumit me ajrin e pastër nga kodrat përtej nën lartesitë e malit Shpirag, që shtrihej si i fjetur nën diell e re.

Gjysh Sulejmani, priste në ditë të kremte, në atë shtëpi, madje edhe në bahçe nën një qoshk apo verandë të mbuluar, për kafe, drekë a darkë, miq nga qyteti e fshati, zyrtarë, ushtarakë, doktorë, mësues, sherbestarë të feve, si Bab Dud Karbunara, Xhelal Koprencka, Sulo Resuli, Baki Gjebreja, Ibrahim Buharaja dhe shumë të tjerë nga mëhalla, të njohur në gjithë qytetin. Aty, bisedohej edhe për çështje të mëdha, siç qenë hapja e shkollave shqipe dhe ngritja e flamurit në qytet e në Vlorë.

Ç’farë ndodhish ndoqën njera tjetrën, në rrjedhën e kohës në atë shtëpi të rallë për nga bukuria, vlerat artistike dhe historia e saj? Mund të tregohen shkurt kështu:

U ndërtua nën pushtimin osman.

U gëzua kur lindi djali që do të shquhej më vonë si patriot.

Kremtoi në kohën e pavarësisë. U dhunua nga rebelët më 1914, me kërcënime, zënka, sharje e qortime ndaj gjyshit për gjuhën e flamurin shqiptar nga myftiu i Tiranës Musa Qazimi, por nuk u prek.

U vlerësua në kohën e Austro-Hungarisë.

Festoi në vitin e Kongresit të Lushnjës.

U gëzua më kot në ngjarjet qershorit dhe u braktis nga djali i vetëm i arratisur mal më mal në dhjetorin e shqetësuar dhe mbeti në duart e motrës me të shoqin, telegrafist, i njohur në gjithë prefekturën. Në ato ditë ndodhi diçka e papritur. Një mëngjes trokitën në portën e madhe. Një tog xhandarësh me teneqe vajguri në duar u duk në oborr. Dilni jashtë, thirri kapteri, se kësaj shtëpie do t’i vëmë zjarrin! Për një çast u step, kur pa atë shtëpi aq të bukur. Halla mbylli dyert nga brenda, doli në dritare dhe thirri: po të jeni burra digjeni! Asnjë njeri nuk del nga kjo shtëpi. Kapteri u hutua, edhe më teksa po mbërrin burra e gra nga mëhalla. Me urdhërin e tij xhandarët ngritën teneqetë me vajguri dhe u larguan për të mos u kthyer më.

Në kohën e Luftës italo-greke, në shtëpi me urdhër të Bashkisë u vendosën në katin e parë zyrat e komandës së një reparti ushtarak italianë që kishte fshehur kamionët e luftës me topa e mitroloza në sokakët e lagjes Murat Çelepi. Shpesh herë oficerët dilnin në oborr për të soditur në qiell dyluftimin e ajrorëve anglezë e italianë mbi fushën e Otllakut. Halla e shqetësuar për shtëpinë u fliste oficerëve të hynin brenda. Pasi ikën italianët në qytet erdhën trupat gjermane. Një ditë në oborr u pa një ushtar gjerman pa pushkë e pa helmetë. me kapelen me strehë  në duar. Halla doli e trembur në dritare. Gjermani me duar e kapele bënte shenjë drejt bahçesë. U kuptua se lutej për pak kumbulla të një peme rritur vetiu buzë remës, kokrat e tharta e të cilës njerëzit e shtëpisë nuk i mblidhnin kurrë. Ato piqeshin e binin në remë dhe i merrte me vete rryma e ujit. Merrni, merrni  bëri me shenjë halla. Pas pak ushtari u kthye e tregoi kapelen me pak kumbulla, falenderoi e u largua drejt urës me dërrasa, ku e priste shoku i tij. Një ditë tjetër halla pa një ballist që kishte mundur të ngjitej në një nga kavakët e po shijonte rrushin e verdhë të pjekur për bukuri. O djalë, i bërtiti halla, kjo bahçe ka zot! Hë moj hallo. ia ktheu ballisti, s’u bë kiameti, më shumë se një vesh rrush nuk ha dot. Ja mbarova! Zbriti poshtë dhe duke qeshur kaloi urën e u zhduk.

Kur Shqipëria u çlirua prej “armiqëve e tradhtarëve”, siç shkruhet edhe sot nga akademikët e thinjur dhe gazetarët e rinj, erdhën ditë të papara ndonjëherë. Në kohën e hapjes së tokave të reja, aty nga orët e para të mëngjezit, një civil me dhjetë punëtorë me sharra e sëpata u futën në bahçe. Ai që printe me letër në dorë njoftoi se me vendim të Komitetit të PP dhe Komitetit Ekzekutiv, bahçeja qe shtetëzuar për të mbjellë grurë e misër. Halla aktiviste guximtare e luftës u përpoq t’i bindëte që pemët të mos priteshin dhe në atë gjendje le t’i mbante ferma e shtetit. Pra, pas pushkatimit e burgosjes së të gjallëve, do të priteshin pa mëshirë edhe pemët e ëmbëla të gjyshit. Përfytyroni për disa çaste rrëzimin e kavakëve të lartë, ku pat hipur ballisti për dy tri vesh rrush, këputjen e dhimbëshme dhe harlisjen mbi parcelat e perimeve të hardhive me rrush të verdhë e të zinj; shembjen e zhurmëshme të arrës vigane me degë si direkët anijesh me fletët e blerta; plandosjen e manit të lartë; përmbysjen e pemëve me kumbulla e fiq e trungjet e  pemëve të frytave gjithfarësh; hedhjen në remë të kumbullës së thartë që kurseu gjermani.  Merreni me mend dhimbjen e hallës dhe fyerjen e rëndë të vëllait nën dhe. Më pas e kishte radhën tragjedia e shtëpisë së regjistruar nga etnografët si monument kulture. Në oborr u panë disa ustallarë me përgjegjësin e tyre. Mos vallë kishin ardhur për mirëmbajtjen e saj? Përgjegjësi mbante në duar një letër nga Komiteti Ekekutiv, ku lexohej fjala urdhër, si vendim gjyqi politik nga Komiteti i Partisë së dashur. Punëtorët të ngjashëm me xhelatë kohësh barbare, mbanin në duar kazma, lopata, sharra, sëpata, sqeparë, ganxha e qysqi. Sipas vendimit ata rrafshuan shtëpinë më të bukur të lagjes Murat Çelepi tok me historinë saj dhe artin e mjeshtrave të panjohur. Kazma e qysqia shkallmuan muret e gurtë të rrethimit, përmbysën portën me qemer guri; sharra shembi tavanet e çatinë e gjerë tok me oxhakët e llampadarët, nimet e shkallët, furrën e qilarin me qypa, hajatin e dhomën e kafesë. Gjithçka me vrull revolucionar. Halla nuk jetonte më dhe s’mund ta mbronte shtëpinë deri në vetmohim. Dhimbjen me lot e provoi i nipi, shkruesi i këtyre radhëve, i pafuqishëm si të gjithë. Përse e prishën atë mrekulli bujare? Shkaku nuk u mor vesh kurrë. Mister!

Ndoshta në arkivin e Kino-studios “Shqipëria e Re” ruhet edhe sot një film dokumentar, ku shfaqet ajo shtëpi e bardhë, në të cilën u strehua e sigurtë disa ditë e netë, shëndosh e mirë Margarita Tutulani, më vonë rreth tridhjetë hebre dhe ushtarë të sfilitur italianë të arratisur nga kampi gjerman i robërve të luftës. Disa foto të asaj shtëpie në prag të rrënimit rrëfejnë për hijeshinë e saj edhe në ditët e fundit të jetës. Një etnografe e vonuar në kërkim të veprave monumentale për studime shkencore, ashtu si policët që mbërrijnë disa orë pas krimit, gjeti nje rrafsh të pastruar nga mbeturinat e një ndërtese të shkatërruar nga një bombardim në kohë paqeje, edhe heshtje varri. Tashmë trualli i rrafshuar ka mbetur shkret. Nuk dëgjohen më zërat e një brezi të tërë njerëzish me kulturë që lindën, u rritën, banuan aty e shërbyen në arsim, shëndetësi dhe ekonomi. Pipëzat e gajdat prej druri të njomë të pranverës heshtin. Nuk ndihen  as cicërimat e zogjëve, as krisma e kaposhit mbi degët e fikut në oborr, as kakarisja e pulave, as xhi-xhi-të e gjinkallave në trungje pemësh, as kërkëllima e çikrikut e llapashitja e krahëve të rosave në remë. Rema është diku nën themelet e shtëpive pa vlerë. Nuk fluturojnë më bletët e fluturat lule më lule, as pilivesat mbi ujë. Askush s’e merr me mend, se ku ndodhej ajo shtëpi zemër gjerë si vetë madhësia e bardhësia e saj. Në atë mëhallë të ngrohtë u rrafshuan, edhe shtëpitë e dijetarit e poetit Vexhi Buharaja, e mësuesve, tregtarëve dhe e zejtarëve të njohur në gjithë qytetin. Edhe shtëpia e vogël me oborr, por e këndëshme e pep Avdylit, që mblidhte gjarpërinj në Saraje edhe në remë, për barnatoret, shkollat dhe spitalet. Nuk dëgjohet më, as kambana nga Kulla e Sahatit e rrafshuar tok me çesmën, pranë xhamisë në lagjen Murat Çelepi, sipas vendimit zytar “Çlirimi”, në qytetin e shpallur MUZE.

Eshtë për të ardhur keq, kur ndonjë nga ish-banorët e asaj mëhalle, që merret me punë arti dhe me studime të monumenteve të kulturës, i qan hallin Shkodrës e Tiranës për zonat historike, që tashmë pak nga pak po marrin frymë, në një kohë, kur qyteti i vet i lindjes, ka një një gjendje të dhimbëshme për shkak të shkujdesjes së ish-bashkëpunëtorëve, atij vetë dhe zyrtarëve përgjegjës sot, që mburren me librushkat për turistët.

Tashmë në truallin e harruar, shihen vetëm disa shtëpi përdhese. Kalldrëmet e sheshta dhe shtëpitë e mëhallës janë zhdukur. Pamjet e dikurshme përtej mureve e mbi pemët e bahçesë së dhunuar, kanë humbur trishtueshëm. Janë shlyer edhe nga kujtesa. Diku pranë tyrbes së Baba Aliut të shenjtë, prehet gjyshi i urtë. Ai nuk e di seç bëhet me shtëpinë e vet të bukur, ku gëzoi dhe u hidhërua gjatë një pjese të jetës. Edhe hëna, teksa ulet mbi muret e Kalasë, ashtu e zbehtë mallkon e qan. Vetëm mrekullia e Zotit ka shpëtuar nga shfarosja, shegën, mjaltë të ëmbël e plot lëng të fshehur në një kënd, pranë murit, që dikur rretonte  shtëpinë dhe bahçenë. Shega qysh nga koha e gjyshit, rrit kokrat e shëndosha duke dëshmuar, ashtu siç ndodh shpesh pas një masakre barbare, se jeta në atë vend të shenjtë vazhdon.

Filed Under: Kulture Tagged With: Agim Xh Deshnica, ne berat, nje monument Kulture, sarajet e pashallareve, te prishesh

Kurrë më s’do të ketë një Bob Shuman tjetër!

January 3, 2014 by dgreca

Studiues i Shquar dhe Mik i Madh i Shqiptarëve…/

Sa për njëzet veta!/

Shkruan: Pirro DOLLANI/

Ne Foto: Prof. Dr. R. Baird Shuman(i dyti nga e djathta) me poetin Avni Mulaj, te shoqen gazetaren Teuta Mulaj e Pirro Dollani/

Prof. Dr. R. Baird Shuman, i cili ndërroi jetë para pak kohësh, ishte një studiues jashtëzakonisht pjellor. Shkrimtari i shquar amerikan, Richard Powers, autori i romanit “Jehona e Kujtesës” që ka qenë njëkohësisht edhe student i tij, shkruan kështu: “R. Baird Shuman botonte sa për dhjetë a njëzet veta të marrë së bashku.” Ai ka botuar mbi 60 vepra: libra studimorë, enciklopedi të letërsisë, pa përmendur mijëra artikuj studimorë. Shumë nga librat e tij janë ribotuar shpesh herë. P. sh. libri i tij studimor “William Inge” kushtuar dramaturgut W. Inge, fitues i Çmimit Pulitzer, është ribotuar 23 herë. Po kështu libri me të njëjtin titull mbi dramaturgun tjetër Robert E. Sherwood, katër herë fitues i Çmimit Pulitzer, është ribotuar 10 herë. E lista do të zgjatej e zgjatej me librin mbi një tjetër dramaturg “Cliford Odets”, 14 ribotime, me vëllimin “Nëntë Poetë Zezakë” 3 ribotime, me “Georgia O’Keeffe” e deri te botimet e viteve të fundit, si enciklopedia në 13 volume “Shkrimtarët e mëdhenj Amerikanë” botuar në 2002 e ribotuar 14 herë; R. Baird Shuman ishte jo vetëm kryeredaktor i enciklopedisë, por shkroi vetë me dhjetëra zëra të kësaj vepre. Po kështu, “Enciklopedia e Viseve Letrare”, në tre vëllime, botuar në 2003 është ribotuar 3 herë. Këtu nuk po përmendim se ndërkohë që shkruante e botonte kaq shumë, ai punonte me normë të plotë si profesor në universitetet e famshme Duke University dhe Chicago University dhe ishte njëkohësisht edhe kryeredaktor i revistës “Clearing House”.

Ishte gati e pabesueshme shpejtësia me të cilën ai lexonte. Më kujtohet një episod kur sapo isha njohur me Bobin, siç i “detyronte” të gjithë ta thërrisnin. Bie telefoni dhe dëgjoj zërin e tij. “Pirro, dua t’më bësh një nder. Nesër në mëngjes do të çoj makinën për ta riparuar. A ka mundësi që të vish t’më marrësh te ofiçina, të shkojmë te zyra jote, pastaj ta mbaj unë makinën dhe të vij të marr mbas pune?” Të nesërmen, u drejtova për te ofiçina. Ishin një numër makinash që prisnin radhën. Parkova dhe u drejtova te makina e Bobit. I ulur pranë timonit po lexonte një libër të trashë. Në dorë mbante lapsin. U ula në ndenjësen dhe e pyeta: Interesant? Ai ktheu kokën e u përgjigj: “Më duhet që brenda orës pesë ta kem nisur me faks artikullin për librin.” Zgurdullova sytë drejt librit afro 500 faqesh dhe shikimi më mbeti te faqja që Bobi po lexonte. Ishte pothuajse në fillim të librit. E dija që njeriu mesatarisht lexon 30-40 faqe në orë dhe, si rezultat, atij do t’i duheshin të paktën 12-14 orë që ta lexonte. Shto këtu edhe 2-3 orë për të shkruar artikullin. Jo vetëm i mendova, por edhe e shpreha mendimin tim, madje me atë tonin shqiptar, sikur i thosha: mos kujton se jam injorant?  Bobi me qetësi më tha: duhet patjetër t’ia nis redaksisë para orës 5PM. Erdhi radha të dorëzonte makinën e u nisëm në drejtim të universitetit. Ndërkohë që po zbrisja, më tha se do të vinte në orën pesë për të më marrë. Kur erdhi ora, mbylla zyrën, hyra në ashensor e kur dola jashtë ndërtesës, ai po priste aty. Hapa derën e pasagjerit dhe, para se të ulem, më zyri syri disa faqe të daktilografuara në ndenjësen. I mora në dorë që të mos ulesha mbi to, dhe kur po i vendosja në ndenjësen mbrapa, dëgjova që tha: “Mos i largo, janë për ty.” Ishte artikulli që kishte shkruar për librin. Sapo ia kishte faksuar botuesit.

Kur doli në pension, Bob Shumani çdo vit botonte mesatarisht rreth 200 artikuj në revista e botime shkencore e bibliografike.

Rrëfimtar si pak kush

“Një nga mjeshtërit e rrallë të rrëfimit që kam ndeshur ndonjëherë në jetë. Kujtimet dhe rrëfimet e tij shpesh më bënin të qaja duke qeshur për marrëzitë e njerëzimit që Bobi ishte kaq i dhënë pas tyre. Rrëfimet e tij gjenden në të gjitha romanet e mia dhe mendoj se ai ishte i gëzuar që vodha kaq shumë prej tij,” – shkruan për të Richard Powers.

Unë e familja ime kemi pasur fatin që Bob Shumani të ishte jo thjesht një miku ynë, por pothuajse anëtar i familjes për afro dy dekada. E jo vetëm yni, por edhe i disa familjeve të tjera shqiptare, si në familjen e ish-gazetarit të radios Vladimir e Shanka Cicanit, në atë të poetit Avni e Teuta Mulaj, veterinerin Aleksandër Gogo, etj. E thënë shkurt, ai ishte një mik i madh i shqiptarëve. Gjatë drekave dhe darkave çasti më i bukur ishte kur Bobi fillonte nga historitë e tij. Ishte një interpretues i shkëlqyer dhe fundet e rrëfimeve ishin befasuese. Mbas një viti që ishim njohur së bashku, ai shkon në Londër për të dhënë një leksion. Hyn në një dyqan që shiste kaseta e CD dhe pyet nëse kanë ndonjë kasetë me këngë shqiptare. Kur shitësi i zgjati një CD me muzikën e kërkuar, (Ishte një CD me këngë të vjetra të quajtura majëkrahu, të mbledhura nga muzikologë për arsye studimore) pagoi dhe u drejtua nxitimthi për në hotel. “Hyra në dhomë dhe as pallton nuk e hoqa, por drejt e te magnetofoni. Vura pllakën e pas një pauze, u dëgjua një klithmë çjerrëse Oh hej dhe pas saj një klithmë tjetër. Nuk po kuptoja ç’po ndodhte. Dëgjova për disa çaste dhe pastaj e mbylla. Ishte e pamundur ta dëgjoja. Nuk po kuptoja ç’po ndodhte,” – më shkruante në një email që më dërgoi nga Londra. Kur u kthye në Las Vegas, na ftoi për darkë së bashku me dy familje të tjera shqiptare dhe gjatë mbrëmjes e ritregoi historinë e CD-së me atë muzikë të çuditshme dhe e mbylli bisedën me një ton të prerë e seriozitet që e bëri shakanë më të kripur: “Hëëë, thashë me vete, ndërsa dëgjoja ato klithma; ky duhet të jetë shkaku që Pirro është larguar nga Shqipëria!”

Kishte pothuajse neveri për titujt e gradat.

Muajin e fundit përpara se të shuhej përfundimisht, shkoja çdo ditë në spital  për t’i qëndruar pranë. Ishte mjaft i heshtur. Nuk nxirrte asnjë ofshamë ankimi ose dhëmbjeje. Kishte vetëm një dëshirë, të largohej sa më shpejt nga kjo botë. Gjëja e vetme që e bënte të humbte durimin ishte shprehja “Do të bëhesh më mirë.” Kur në nja dy raste pashë që infermieret ngaqë e shihnin ashtu të sfilitur, me atë uniformë depersonalizuese të spitalit, i folën sikur të ishte askushi, i revoltuar u thashë. “Do të ishte më mirë që t’i drejtoheni me më respekt, pasi nuk keni të bëni me ndonjë njeri dosido. Ai s’është thjesht Bob, por është Profesor Nderi (Professor Emeritus) i Universitetit të Çikagos. Dr. Shumani ka botuar aq libra sa s’kini vite ju të dyja së bashku.” Ndërsa të dyja infermieret zgurdulluan sytë të habitura, ai ktheu kokën nga unë dhe me një zë të mekur tha: “Jo, emri im është Bob. . . Do të kishte qenë më mirë që disa nga librat të mos ishin botuar fare.”

Kur vazhdoja studimet për letërsi angleze në universitetin e Las Vegasit, shpesh diskutoja me mikeshën tonë të përbashkët (të Bobit dhe timen) Dr. Casey Diana, një tjetër ish-studente e tij, rreth leksioneve, pedagogëve dhe autorëve të ndryshme që studionim në universitet. Dhe kur lëvdoja ndonjë profesor, ajo menjëherë ndërhynte: “Ti nuk e di se si është në të vërtetë një profesor anglishte, derisa nuk ke pasur fatin të ketë dhënë mësim Bob Shumani.” Në korpusin e veprave të tij, një vend të konsiderueshme zënë edhe botimet që kanë të bëjnë me pedagogjinë e dhënies së leksioneve. Dr. Joseph Trahern tregon se “arritja kryesore në ato vite që isha Shef i Katedrës së Anglishtes në Universitetin e Illinoit, ishte fakti që munda të bindja Bobin që të vinte në universitetin tonë si Drejtor i Programit të Anglishtes.” Ai ishte jo vetëm një studiues i shkëlqyer i letërsisë, por edhe një pedagog si pak kush. Dhe, paçka se ç’lartësi arriti në jetë, ai ishte i thjeshtë si edhe një sfidues i çdo lloj hierarkie njerëzore. Ja pse nuk pranonte njeri t’i drejtohej Dr. apo Prof. Shuman.

Atje ku mëngjesi dhe mbrëmja nuk do t’më shqetësojnë më

Shtëpia e tij ishte e mbushur me vepra arti, veçanërisht piktura. Por mua më tërhiqte vëmendjen një kornizë e vockël që kishte një poezi pesë vargjesh, e pabotuar ndonjëherë, me titull “Kërkesë” të Langston Hughes. Në krye të titullit, me një kaligrafi të shkëlqyer, autori kishte shkruar “Për Robert E. Shuman, me sinqeritet”. (Paçka se Langston Hughes ishte afro 30 vjeç më i madh, miqësia e tyre kishte filluar qysh kur Bob Shumani ishte gjimnazist. Në letërkëmbimin e tyre, Langston Hughes disa herë i ka kushtuar atij poezi e Bob Shumani i ka ruajtur me fanatizëm dhe, deri më sot, ato janë të “panjohura”.) Çdo herë që hyja në shtëpinë tij, ndalesha para poezisë dhe përpiqesha të përfytyroja raportet miqësore e krijuese ndërmjet tyre. Ja poezia në një përkthim të lirë:

Kërkesë

Më dërgo 20 dollarë

E disa qindarka.

Do të shkoj atje ku

Mëngjesi dhe mbrëmja

Nuk do t’më shqetësojnë.

Ditët, javët, muajt që R. Baird Shumani ishte i sëmurë, këto vargje nuk më shqiteshin nga mendja. Në mënyrë të pavetëdijshme, dëshira e tij për t’u larguar nga kjo botë, ndoshta lidhej me semantikën e këtyre vargjeve. Më 12 gusht 2013, ai u nis përfundimisht atje ku mëngjeset dhe mbrëmjet nuk do ta shqetësonin më. Iku! U shua! Kurrë s’do të kishte më një Bob Shuman tjetër! Ishte kaq njerëzor e i përkryer saqë të dukej sikur kishte dalë jo nga barku i nënës, por nga fletët e librave. . . dhe atje u kthye përsëri. Pikërisht nga librat e tij, ai do të vazhdojë të shërbejë si model për gjeneratat e reja. Prof. Dr. Donald E. Hall, ish-student i tij dhe tani Dekani i Fakultetit të Arteve dhe të Shkencës në Universitetin e Lehigh-it, shkruan: “Ai më mësoi të mos lodhem së punuari, të shkruaj çdo ditë e të botoj si të jem një gjenerator.” Dhe nuk është për t’u habitur që Dr. Donald E. Hall është vetë një autor shumë pjellor. Dhe jo vetëm ai. Këtë fat kanë pasur shumë e shumë studentë të Prof. Shumanit. Mesiguri, pa Bob Shumanin vështirë se do të ishin ngjitur kaq lart.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bob Suman tjeter, Kurre me, Pirro Dollani, s'do te kete

Per poetin Agim Shehu në prag të 80 vjetorit të lindjes

January 3, 2014 by dgreca

Ti gjak virgjin i racës sonë/ në duel me çdo mbretëri/ sa vriteshe në Fushë-Kosovë/ Ringjalleshe në Çamëri. Nga libri “Mëngjez Kosove”  A.Shehu/

Nga Keze Kozeta Zylo/

          Në portën e një poeti kombëtar mund të shkohet dhe pa trokitur siç ndodh rëndom, ta vizitosh, të bësh foto me poetin, t’i publikosh, të marrësh vetëm energji pozitive prej tij, se kjo racë poeti veç këtë lloj energjie njeh, por të shkosh realisht në portën e Labërisë, apo në Zvicër ku jeton azilanti politik poeti tepelenas Agim Shehu ka ca kode të shenjta, që jo kushdo mund t’i zbërthejë. 

          Perëndia i dha bekimin e parë në Progonat të Tepelenës, në zemër të Labërisë, ai erdhi si një kalorës magjik, si Pegasi i Poezisë me flatra mbi malet kryelartë që bisdojnë vetëm me Zotat.  U rrit me ninullat e nënës labe, me këngën e burrave trima, nën Hënën që i varej si llambë e florinjtë, ku shkrepëtinin vetëtimthi poezitë e përkryera të djaloshit që merrte natyrshëm udhën e dritës.  E në këtë udhë shterëzonin metaforat që kishin fole të argjendtë vetëm në shpirtin e një poeti si Agim Shehu dhe lindnin Zotat e rinj.  Rritej poeti, ecte labirintheve të kohës, herë vraponte si kalë i hazdisur, herë heshtëte si një Sokrat i urtë, herë takohej me Bajronin në ëndrra, e herë ngjitej në kala me Ali Pashanë.  Nga kalaja kundronte pamjen madhështore të Tepelenës me ujërat e mëndafshta të Vjoses, dhe si vegim i vinte përshkrimi mahnitës i Bajronit, poetit botëror i cili u magjeps nga pamja tepelenase kur e vizitoi.   

          Lirika e hollë dhe fine e poetit ka rrëmbyer zemrat e mijëra lexuesve të vërtetë, por jo të pushtetarëve çmimdhënës, dhe kjo është meritë e krijimtarisë së tij që s’ka tërhequr vëmendjen e pushtetarëve, pasi çmimet e tyre janë kthyer në tinguj funebre për atë lloj art që ata publikojnë me së shumti.  Por çuditërisht apo diçka hyjnore është se poetët e gjejnë ngushëllimin tek poezia dhe ja si shkruan:

“Shpërblim për këngët s’mora, as nuk prita/ kolegët në pushtet i kisha prita/ Një vjershë e dashur m’u bë kupëz vere/ ku piva një gëzim që s’e arrita.  Nga poema: (Bisedë me rubairat). 

          Librat e tij janë bashkimi i trevave shqiptare paçka se Europa plakë dhe fuqitë e mëdha famëkeqe e ndanë dhe e copëtuan si zemrën e poetit që e hodhën në moshën e bardhë të pleqërisë tutje dhe larg Atdheut.  Arti i poetit Shehu është një shkollë e nivelit të lartë, është një Harvard shpirtëror aty ku Baladat e Lirisë së Kosoves dhe Shqipërisë trondisin kontinentet me aktet e tragjedive që janë luajtur mbi popullin shqiptar.  Foshnjat e Kosovës të lidhura në djep mbahen mbi shpinë të poetit ndaj dhe ai përvajshem ligjëron me kuje labi:  Dhe sot i vranë në prag shtëpie/ nga tym i predhës u thinj Zoti/ Te syr’ i nxjerrë i një fëmije/ përmbys po rrotullohet globi.  Kushdo që e lexon Baladën për Kosovën, me siguri Zoti i shfaqet thinjur, meket përballë kanibalëve serbë që hanë sy fëmijësh.  Metaforat e poetit janë gjerdanë në gushën e bukur të Atdheut, janë hymn për trojet tona ndaj dhe i këndon: Ti gjak virgjin i racës sonë/ në duel me çdo mbretëri/ sa vriteshe në Fushë-Kosovë/ Ringjalleshe në Çamëri.

Poeti është një patriot i madh, e do demokracinë nuk e kupton atë pa Kombin dhe ja si thotë në librin me 1000 proverba që ka krijuar në mërgim:  “Demokracia pa kombin është si lule në kostumin e të vdekurit; nëse kombi është treni, demokracia janë shinat mbi të cilat ecën treni; i pari është mjet i udhës; i dyti, ‘kombi’ është qëllimi”. 

          Hapat e poetit prekja e tokës së Kosovës i bëhet drithërimë, ka hyrë në gjirin e saj dhe aty mbeti përgjithmonë.  është poeti që i ra pashë më pashë Atdheut me penë për më shumë se gjysmë shekulli dhe për këtë ndihemi me fat që të jetojmë brenda kësaj kohe së bashku me Poetin.  Shkëlqimi i penës së poetit bën që  edhe gurit t’i jap jete, edhe guri të rrahe si zemër fëmije.  E ndjejmë këtë në librin “Argjendi i Gurit”, nje libër që i kushtohet Gjirokastrës, ngase poeti erdhi aty për studime qysh në moshën 13 vjeçar.  Sot poeti i ngre përmendore të artë qytetit të bukur të Gjirokastrës ashtu sic di vetëm një kryepoet.      Poeti Shehu ka vuajtur rëndë në kohën e diktaturës, jo vetëm si dhëndër në derën e njohur të Kokoshajve të Vlorës nga ka origjinën Zana e tij fisnike si bijë në këtë derë të madhe të persekutuar, por njëkohësisht dhe për qëndrimet e tij aq të vendosura dhe të prera karshi diktaturës, ndaj ai dhimbshem kujton dhe proteston në mërgimin e tij duke ikur larg, larg, por është aq brenda në bërthamë të Atdheut:  Mirupafshim Shqipëri/ Ika se të dua shumë/ se desha të jem gjallë/ dhe ca kohe për ty/… Natën e mirë tokë shqipërie/ Sot jam një meteor i djegur/ që këputet e s’di ku bie/… Aty lashë lopatën time të punëtorit/ në vitet me dënim të zi/ Lashë pa bërë vizitën e fundit/ në varret e prindërve të mi/…Poeti Shehu është një intelektual erudit, që duhet të vihet atje ku e kanë vendin Elita dhe Burrat e Kombit. 

          Ai është një publicist i jashtëzakonshëm që nëpërmjet opinioneve dhe qëndrimeve të tij karshi bishës serbe dhe fashistëve grekë, lexuesit kanë njohur më nga afër problemet, kalvarin e vuajtjeve, dredhitë e politikanëve të huaj dhe dallkaukeve ballkanas që duan si e si ta rënojnë kulturën e Kombit shqiptar dhe ta shkatërrojnë Shqipërinë.  Pena e tij në këto raste kthehet shpatë e Skënderbeut dhe bëhet mburojë, kala e patundur për Shqipërinë, bëhet nagant i Isa Buletinit dhe shark legjende i Selam Musait, sy shqiponjë e akademikut ushtarak Asim Zenelit që vëzhgon nga mali lirik i Trebeshinës së Mezhgoranit dhe flamur kuq e zi i Ismail Vlorës:

Bënë udhë të gjatë/ te ingilizi vinin/ Ismail Qemali Isa Buletini/ Hynin dy shqiptarë/ brenda në pallat/ njeri luftëtar/ tjetri diplomat.  “Marre nga Naganti i Isa Boletinit”.

Qëndrimet e shkrimtarit karshi realitetit të hidhur janë të një kryepoeti patriot që zgjon dhe civilizon lexuesin, ndërkohë të sjellë aq pranë mendimin e shkrimtarit disident botëror Salman Rushdie i cili thotë: “Puna e nje poeti është të përmendë të papërmendurit, të verë gishtin mbi mashtrimet, të qendrojë në anë të përparimit, të fillojë argumente, të ndryshojë botën dhe ta ndalojë atë nga gjumi letargjik”.

Ndonëse është e pamundur të permblidhen në një esse të vetme krijitmaria, librat poetik, publicistika, reflektimet tona karshi veprës së autorit përsëri mbi flokët e argjendta të një 80 vjeçari reflekton mahnitshëm dritëza e hënës së Progonatit, edhe pse ajo është larg, larg Zvicrës ku jeton Poeti vitet e Tij.  Poezitë e tij sjellin të gjallë heroizmin e popullit, luftën e Tij që s’iu nda kurrë.  Selam Musai ngeli Lugjesh në ato vite si Veri, furtune ndaj dhe e fryemëzon poetin në çdo qelizë poetike të shpirtit të tij aq të pasur: 

Buzët ti te kënga/ ballin te liria/ Lule Selam Labi, Selam Salaria/ Çdo tufan zbërthyer/ gjoksin ty ta gjeti/ sharku si legjendë/ telave të mbeti.  I lexoj dhe i them përmendsh dhe prapë emocionohem, se jane vargje që të japin Atdheun, historinë në pëllëmbë të dorës, janë vargje që i bëjnë sfidë historisë së deformuar të zhvirgjëruar nga pseudot e ndryshëm, çka më kujton Platonin i cili thotë se poezia është më afër të vërtetës vitale se historia. 

          Në nderimin që organizoi Bashkia e qytetit të Tepelenës dhe populli i saj duke i dhënë titullin “Qyetar Nderi i Tepelenës”, shkrimtari Shehu nëpërmjet një letre falënderimi ndërmjet të tjerash iu kujton bashkatdhetarëve historinë e famshme të këtij qyteti nga e ka dhe origjinën:   “Nuk është e rastit që Tepelena “e vogël” me densitet aq të madh trimërish e atdhedashurie nxori një vigan të tillë si Ali Pashë Tepelena.

Burri që si askush tjetër nga fqinjët guxoi e brenda Perandorisë së madhe e të frikshme osmane krijoi shtetin e vet me qendër kryeqytetin shqiptar të kohës, Janinën. Me veprën e tij të madhe Rilindësve u dha në duar idenë e fjetur se: “ne jemi Shqipëri më vete” e u vlerësua aq lart në botë sa Hygoi e quajti “Bonaparti Muhamedan”.

          Agim Shehu është një krye lirik që me vargjet e tij herë të përkëdhel si fijëza Hëne Progonati e herë të qeras si një amvisë e bukur me mjaltë taze nga hojëzat e nje shpirti poetik.  Qysh në rininë e hershme të befason me figuracionin e dendur metaforik apo dhe paralelizmin figurativ që përdor midis dy lëndëve ekstreme letërsi dhe matematikë, por dhe aq të lidhura pazgjidhmërisht me njera tjetrën.  Le ta ndjekim në poezinë: “Të dashurohesh nga nje matematikan” poezi që ndihet dhe duket sikur skuq honet dhe lëshon bisqe nën trungje të vjetra:  “Ty po të drejtohem, vajze moj syzesë/ më do a po s’më do kjo është hipotezë/ Pamja jote e ëmbël, posi teoremë/ kur të shoh përpara sikur zgjidh problem/ Ti je elegante si ekuacion/ mesi yt i hollë posi ypsilon…

Poeti tretet dhe shkrihet si nje copë akulli përballë dashurisë hyjnore:  Më trete formulë më shkrive të gjallë/ si një copez akull në plus njëqind gradë/ Folëm shpirti im, shpirt me maksimum/ se pa ty s’kam gjum as në minimum… 

Kontrastet dhe antitezat e përdorura e bëjnë dhe më të bukur dhe dashuria fshihet si yjet nën gjirin e poetit. 

          Krijimtaria e tij eshte nje Diell që ndriçon botën e errët, shkrin akullnajat cinike që varren si degë të plakura gati në pëgërje, dhe me majën e penës së artë ngjyer në qerpik të syrit shkruan historinë.  Librat e Shehut jane si malet hijerendë të Shqipërise që s’tronditen kurrë nga tërmetet, por ato vetëm dëshmojnë dhe mbrojnë çka të kujton shkrimtarin e famshëm amerikan Walt Whitman i cili thotë: Unë veproj si gjuha që është e lidhur në gojën tuaj, nje minierë që fillon të jetë e lirë…

          Ja pse Agim Shehu është një kryepoet dhe duhet t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”.     

Në intervistën që kemi pasur në New York me poetin dhe bashkëshorten e tij fisnike Zana, ende në memorje më rri zëri i tij, si zëri i një Perëndie, apo i nje mësuesi të urtë dhe të mençur që fjala i rrjedh ende si ujëvarë mahnitëse edhe në këtë 80 vjetor të bukur Kryepoeti.

 Janar, 2014

Staten Island, New York

 

 

 

 

 

 

 

 

 

  

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: agim shehu, ne prag te 80 vjetorit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 358
  • 359
  • 360
  • 361
  • 362
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT