• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përkujtojmë sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta, rilindësin Jeronim de Rada

February 28, 2026 by s p

Rilindësi, studiuesi i trashëgimisë kulturore të arbëreshëve, gazetari, poeti, publicisti, filologu e mësuesi, themeluesi i letërsisë arbëreshe Jeronim de Rada ndërroi jetë më 28 shkurt të vitit 1903.

Jeronim de Rada lindi më 19 nëntor 1814 në fshatin e vogël dhe piktoresk Maki në Kalabri. Në Napolin e vitit 1834, De Rada, një i ri rreth të 20-tave që studionte drejtësi, e ndiente nga larg Shqipërinë. Në mësimet e para që mori në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës apo leximet e para shqip, ai e ndiente veten më shumë të lidhur me të shkuarën kombëtare shqiptare.

De Rada ishte nismëtari i letërsisë moderne shqiptare. “Botimi i Këngëve të Milosaos” në vitin 1836, jo vetëm që shënoi fillimin e një faze të re në letërsinë shqipe, por i hapi shtegun europianizmit që do të karakterizojë veprat e autorëve të mëvonshëm.

Në vitet 1847-1848, De Rada botoi “Rrëfimet e arbrit”, që përmblidhte katër novela në vargje, ku ideja patriotike shprehej me lirizëm të theksuar. Në drejtimin e kësaj figure qendrore të periudhës së Rilindjes u botua në Napoli gazeta e parë në historinë e shtypit shqiptar, “L’albanese d’Italia”. Ai ngriti përmes penës së tij çështjen shqiptare.

Nga viti 1861, De Rada nisi një fazë e re, ku shfaqet si një nga figurat më në zë të Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve. Pas traktatit “Parimet e estetikës” (Principii di estetica, 1861) ai botoi veprat “Lashtësia e kombit shqiptar” (“Antichità della nazione albanase”, 1864) dhe “Rapsodi të një poeme arbëreshe” (“Rapsodie d’un poema albanese”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare.

Në vitet 1890, De Rada përfundoi poemat “Skënderbeu i pafan” (që konsiderohet një nga veprat më të mira) dhe “Gjon Huniadi”.

Më 1878-n De Rada përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Ai i dha një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare me revistën “Flamuri Arbrit”, që e botoi në vitet 1883-1885.

De Rada është nga të parët studiues të strukturës gramatikore të shqipes. Në të dyja veprat gramatikore që hartoi (1870, 1894) vuri në dukje aspekte të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore të pastudiuara ose të panjohura. Në veprat e tij gjuhësore jepen të dhëna me interes për të folmet arbëreshe. Bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes që të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm për shqipen me karaktere latine.

Në veprimtarinë gjuhësore të De Radës duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro të Provincës së Kozencës, i dyti (1897) në Lungro, provincë e Kalabrisë.

De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare. Në Itali janë botuar tashmë mbi 10 vëllime të veprës së De Radës që përfshijnë jo vetëm krijimtarinë poetike, por edhe atë gjuhësore, politiko-filozofike, letërkëmbimin etj.

Studiuesi i veprës së tij akad. Matteo Mandalà shkruan se “De Rada ishte një idhull për të rinjtë e kohës. Nismëtar dhe organizues tubimesh shkencore dhe kulturore, nxitës botimesh që përndryshe do t’i kishim humbur, mbledhës i palodhur dhe studiues i këngëve popullore, De Rada ishte një vizionar i madh që arriti të parashikonte historinë e aspiratat e Shqipërisë si askush tjetër”.

www.akad.gov.al

Filed Under: Kulture

FILARMONIA E KOSOVËS  KONCERT FESTIV NË VJENË

February 27, 2026 by s p

Nga Hazir Mehmeti, Vjenë/

  

Glauk Konjufca: “Nuk do e harrojmë mbështetjen e Austrisë në ditët më të vështira për popullin e Kosovës”.

“Miku i mirë, në ditë të vështira”- populli. 

Vjenë, 24 shkurt 2026.  Organizuar nga   Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri, drejtuar nga Albinot Bimbashi dhe stafi i ambasadës  shënon Ditën e Pavarësisë në Vjenë.
I pranishëm ishte Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës,  Glauk Konjufca, 

   Mbrëmjen festive e hapi i ngarkuari me punë ambasadori në Austri Z. Albinot Bimbashi i cili përshëndeti dhe i uroi të pranishmit. Ai në fjalën e tij falënderoi qeverinë e qytetarët e Austrisë për mbështetjen e gjithanshme dhënë Kosovës në situatat më të vështira të saj.
    Kësaj radhe ishte Filarmonia e Kosovës drejtuar nga dirigjenti Edon Ramadani, e cila entuziazmoi publikun.
  Në ambient të mrekullueshëm në qendër të Vjenë u mblodhën të ftuar për festë diplomat, mike e miq nga shtete të veçanta dhe zyrtarë të shumtë nga vendi nikoqir. Ishin të pranishëm mërgimtarë nga të gjitha rrethet e Austrisë.  Vizioni i pavarësisë i  Dr. Ibrahim Rugovës hapi rrugët gjithandej globit, se Kosova e robëruar kërkon lirinë e mohuar shekujve.  Pas sakrificave gjeneratave, liria u kurorëzua me luftën çlirimtare të UÇK-së drejtuar nga  Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe aleatët tanë rreth NATO-së.  17 Shkurti 2008 do mbetet i shkruar me shkronja të arta gjeneratave.    

 Pjesë nga fjala e Glauk Konjufca:  “Falënderojmë organet shtetërore të Austrisë për mbështetjen e gjithanshme që i dha e i jep Kosovës.  “Është nder për mua që këtu në Vjenë të ju dëshiroj mirëseardhje në festimin e tetëmbëdhjetë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, shtet i lirë dhe i pavarur. Kam kënaqësi të falënderoj autoritet shtetërore austriake dhe qytetarët austriak. Sot dua të përkujtoj, se pikërisht në këtë ndërtesë, në vitin 1992, me nderime të larta shtetërore, së pari herë në botë,  u prit Dr. Ibrahim Rugova, Kryetari i parë i  Kosovës nga Zëvendës Kryeministër dhe Ministri i  Jashtëm i Austrisë,  Alois Mock. Këtu u tha qartë,  se Kosova është çështje kyç e problemit në Ballkan. Ky ishte moment i fillimit të internacionalizimit të Kosovës që nisi pikërisht nga Vjena. Alois Mock ishte Zëvendëskryeministër që mbështeti çështjen e të drejtave të shqiptarëve dhe ne nuk ko harrojmë këtë.  Në vitet e rënda 1998/99, kur Universiteti i Prishtinë u mbyll nga pushtuesi, Austria ishte e para që pranoi studentet e dëbuar dhe njohu diplomat e tyre. Austria i mbështeti fuqishëm në regjistrim dhe studime në universitet e Austrisë.”
Ai përmendi disa nga politikanet/ër austiriak si,  Alois Mock, Franz Vranitzky, Erhard Busek, Andreas Kohl, Heinz Fischer, Wolfgang Schüssel, Wolfgang Petritsch, nga Dinastia e Habsburgve ( shtojmë: Otto Habsburg..), Albert Rohan, Ulrike Lunacek, Lukas Mandl e shumë tjerë. 
“Ne nuk do e harrojmë mbështetjen e Austrisë në ditët më të vështira të popullit të Kosovës dhe ndërmarrjen nga  “Nachbar in Not”, kur Austria ndihmoi popullsinë e dëbuar duke i strehuar në Shqipëri dhe në Austri. ( sh. dhjetë mijë refugjatë).  Austria ishte qendër e bisedimeve për statusin e Kosovës që u mbajtën në Vjenë dhe njëra nga vendet që e mbështeti fuqishëm lirinë e Kosovës.” Miku i mirë dihet në nevojë”, ishte i vërtetuar shekujve, e tillë ishte dhe mbetet Austria. “Marrëdhëniet tona me Austrinë janë shumë të mira në planin politik dhe ekonomik, këto do vazhdojnë edhe në të ardhmen. Mbështetjen që Austria i jep Kosovës në integrimin e saj në Bashkimin Evropian dhe institucionet tjera ndërkombëtare janë me rëndësi  dhe ne e falënderojmë sot në këtë ditë feste. Në planin e marrëdhënieve me vendet tjera, ne si popull dhe si shtet qëndrojmë fuqishëm në anën e Ukrainës, luftën e saj kundër agresorit  rus”, – tha mes tjerash Konjufca. Ishte kjo paraqitja e tij e parë si diplomat jashtë Kosovës. Ai u takua me Ministren Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Beate Meinl-Reisinge, të cilën e falënderoj në emër të Qeverisë së Kosovës, për kontributin e vazhdueshëm që i jep Austria Kosovës në hapat e saj  drejtë pavarësisë dhe shtet- ndërtimit.
Ai vlerësoi rëndësinë e mbështetjes së Austrisë për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhënien e statusit të vendit kandidat, dhe hapjen sa më të shpejtë të negociatave për anëtarësim duke vlerësuar, se Austria mbetet një nga partnerët më të afërt dhe më të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës në rrugën e saj evropiane.

 Të pranishmit përjetuan kënaqësinë e ekzekutimeve mjeshtërore nga orkestra harkore e Filarmonisë së Kosovës, drejtuar me mjeshtëri nga dirigjenti Edon Ramadani.  Sopranot Arta Jashari dhe Zana Abazi-Ramadani entuziazmuan publikun i cili nuk kurse duartrokitjen. Me mjeshtri u luajtën: Simfonia për harqe Nr.10 në h-mol; Drinor Zymberi, Simfonata. Kënga tradicionale shqiptare; Asaman, pastaj Kristo Kono (Ar. Nga Edon Ramadani;  Arta Jashari, Kroi i fshatit tonë; Valton Beqiri, suita për orkestër harkore. Rashid Krasniqi (Ar. Valton Beqiri), mallëngjimi; Avni Mula (Ar.Valton Beqiri) nga soprano Zana Abazi-Ramadani, Agimet shqiptare. Valton Beqiri, Shpirti i traditës etj.   
   Ishte kënaqësi takimi i përzemërt me anëtarët e orkestrës. Komunikimi vëllazëror nisi që në hyrje të pallatit,  mes tyre dalluam violinisten Liridina Kukaj me të cilën pak minuta biseduam rreth Vjenës, Filarmonisë e jetës mërgimtare.  Në fytyra e secilit dukej shkëlqimi i lirisë në marshimin e  Kosovës  sigurt drejtë progresit, drejt Bashkimit Evropian, aty ku e ka vendin me trup e shpirt.  

Urime stafit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri dhe veçanërisht ndaj Albinot Bimbashit, Ushtrues Detyre i Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Austri, për punën e tyre të mirë organizative.

Rikujtim rasti…
Marrëdhëniet shqiptaro-austriake janë të vjetra shekullore.  Austro-Hungaria i dha mbështetje të fuqishme pavarësisë së Shqipërisë dhe mbrojti tokat shqiptare nga gllabërimi i mëtejmë i tyre nga shtet fqinjë.
Në Austri ishte disa herë edhe gjeniu i letrave shqipe,  Fan Stilian Noli. Ai dy vjet para vendosjes së tij përfundimtare në  Amerikë e vlerëson objektivisht politikën e suksesshme të Austro-Hungarisë ndaj shqiptarëve e mbështetur tek shqiptarët patriot:
“ I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qenë Austria merhume e Habsburgëve. Austria e bazonte politikën e saj mi shqiptarët nacionalistë. Ja arsyeja e parë dhe ja arsyeja e dytë: Austria ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen më mirë se çdo arnaut.” (Fan Stilian Noli)

Filed Under: Kulture

THE AUCKLAND STAR (1938) / “NE BESOJMË NË TË QENIT VAJZA MODERNE…” — INTERVISTA ME MYZEJEN, RUHIJE DHE MAXHIDE ZOGU NË LONDËR

February 26, 2026 by s p


Tri amazonat (Myzejen, Ruhije dhe Maxhide Zogu) në Southampton, Angli — Burimi : Paris-soir, 30 mars 1938, e mërkurë, ballinë.
Tri amazonat (Myzejen, Ruhije dhe Maxhide Zogu) në Southampton, Angli — Burimi : Paris-soir, 30 mars 1938, e mërkurë, ballinë.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 shkurt 2026

Gazeta neozelandeze “The Auckland Star” ka botuar, të mërkurën e 11 majit 1938, në faqen n°7, intervistën ekskluzive asokohe të Myzejen, Ruhije dhe Maxhide Zogut në Londër, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Vajza moderne. Princesha elegante. Motrat e Mbretit Zog. Diskutojnë planet e dasmës.

Burimi : The Auckland Star, e mërkurë, 11 maj 1938, faqe n°7.
Burimi : The Auckland Star, e mërkurë, 11 maj 1938, faqe n°7.

“Ne besojmë në të qenit vajza moderne — dhe po bëjmë më të mirën për ta modernizuar Shqipërinë.”

Tri motrat e vogla brune dhe elegante të Mbretit Zog — Princeshat Myzejen (28), Maxhide (26) dhe Ruhije (24) — e thanë këtë kur së fundmi pritën një gazetare në suitën e tyre në stilin Louis XVI në Hotel Ritz, Londër.

“Megjithëse vendi ynë është gjysmë oriental,” thanë ato, “ne nuk kemi pasur ndrojtje në prezantimin e risive të tilla si të shkuarit rregullisht në kinema, veshja e kostumeve të shkurtuara të banjës dhe pizhamave të plazhit, përdorimi i makijazhit dhe heqja dorë nga ferexhja.”

Princesha Myzejen kishte veshur një fustan georgette ngjyrë blu Oxford, të stolisur me një dantellë të bardhë të hollë rreth qafës, të mbërthyer me një yll diamanti.

Princesha Ruhije kishte veshur një kostum të zi korb, me spirale më të trasha zbukurimi që shtriheshin nga kyçet e duarve deri te shpatullat e saj elegante.

Princesha Maxhide ishte gjithashtu e veshur në të zeza, me zbukurime bizantine të arta mbi shpatulla.

Të tria kishin veshur këpucë të zeza me taka të vogla rreth 5 cm, me përmasa aq të vogla sa nuk mund të ishin më shumë se numri 35. Të gjitha ishin të kuruara në mënyrë të shkëlqyer, deri edhe te thonjtë e lyer me një nuancë të lehtë.

Princesha Myzejen, e cila nuk e kishte vizituar më parë Anglinë, zbuloi se nuk do të ketë rite fetare kur Mbreti Zog të martohet me të fejuarën e tij të bukur dhe bjonde 22-vjeçare, Konteshën Geraldinë Apponyi, më 27 prill.

Ajo tha: “Martesa do të zhvillohet në pallatin e vjetër në Tiranë dhe do të jetë tërësisht civile—po sikurse një martesë civile në çdo vend tjetër. Edhe pse feja e Shqipërisë është myslimane dhe Kontesha Apponyi do të mbetet katolike romake, kjo procedurë është plotësisht kushtetuese.

“Për më tepër, kjo shmang vështirësinë e marrjes së një leje papale. Nuk bëhet fjalë që vëllai im dhe mbretëresha të vizitojnë Papën gjatë muajit të mjaltit për të marrë bekimin e Tij.”

Princesha Maxhide shtoi: “Kur u nisëm nga Nju Jorku me anijen Queen Mary, nuk kishim ndërmend të vizitonim Londrën.

Vetëm Myzejeni, e cila nuk kishte qenë kurrë këtu më parë, na bindi. Nga një kapriço e çastit dërguam një mesazh te Legata jonë duke u kërkuar të rezervonin akomodim për ne.

Princesha Ruhije dhe unë kishim kaluar më parë dy javë këtu dhe, pasi kishim lexuar historinë e Britanisë së Madhe, menduam se ishte një mundësi që nuk duhej humbur. Duhet të nxitojmë të kthehemi në Shqipëri për të provuar fustanet tona. Duhet gjithashtu të vendosim me vëllanë tonë sa shoqëruese të nuses do të ketë. Ne të tria do të jemi shoqëruese — gjithashtu mbesa jonë, Princesha Danushe, vajza e motrës sonë më të madhe, Princeshës Adile. Fustanet tona do të jenë të gjitha të bardha, por nuk do të mbajmë vello.”

“Shumë moderne.”

“Do të jetë një dasmë shumë moderne.”

Princesha Ruhije shpjegoi se ajo dhe motrat e saj janë ngarkuar nga vëllai i tyre, Mbreti Zog, me detyrën për të udhëhequr modernizimin e grave shqiptare.

Ajo tha: “Ne të tria jemi lejtnante në ushtrinë e grave shqiptare. Unë jam përgjegjëse për udhëheqjen e lëvizjes moderne artistike në Shqipëri. Myzejen është pioniere e sporteve për gratë, ndërsa Maxhide është përgjegjëse për turizmin.”

Filed Under: Kulture

Marrëdhëniet Shqipëri – USA në universin filatelik shqiptar

February 25, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përbëjnë një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë moderne të kombit shqiptar. Kjo miqësi, e ndërtuar mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe vetëvendosjes, nuk ka mbetur vetëm në dokumente diplomatike apo në fjalime historike, por është pasqyruar edhe në universin filatelik shqiptar. Pullat postare dhe Zarfat e Dites Pare (FDC) janë bërë dëshmi të domethenese artistike që ruajnë kujtesën e kësaj miqësie të veçantë.

Fillimi zyrtar i marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së daton në vitin 1922. Por rrënjët e kësaj miqësie janë edhe më të hershme, kur Presidenti amerikan Woodrow Wilson, në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, kundërshtoi planet për copëtimin e Shqipërisë dhe mbrojti të drejtën e saj për të ekzistuar si shtet i pavarur. Për shqiptarët, Wilson mbetet një figurë historike me peshë të jashtëzakonshme, simbol i mbrojtjes së çështjes kombëtare në një moment kritik.

Pas periudhës së izolimit komunist, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991 shënoi një epokë të re bashkëpunimi. SHBA u bë një nga mbështetëset kryesore të Shqipërisë në procesin e demokratizimit dhe integrimit euroatlantik.

Një moment kulmor në marrëdhëniet dypalëshe ishte vizita e Presidentit amerikan George W. Bush në Tiranë, më 10 qershor 2007. Ishte hera e parë që një president amerikan vizitonte Shqipërinë. Pritja entuziaste popullore dhe deklaratat e tij në mbështetje të pavarësisë së Kosovës e kthyen këtë vizitë në një ngjarje historike.

       

                                                                                                 

Fig.1 Vizita me !0 Qershor 2007 e George W. Bush ne Tirane

Filatelia shqiptare e përjetësoi këtë moment me një emetim të veçantë pullash dhe FDC-je me temë miqësinë Shqipëri–SHBA. Në to paraqiten elemente simbolike si flamujt e dy vendeve, portreti i Presidentit Bush dhe motive që theksojnë partneritetin strategjik. Këto emetime nuk janë vetëm objekte koleksionimi, por dokumente historike në miniaturë.

               

                                                         

Fig.2 Zarfi special numer1 ne dedikim te vizites Presidentit G.W.Bush

               

                                     

Fig.3 Zarfi special numer2 

Në vitin 2022, Shqipëria dhe SHBA shënuan 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ky përvjetor u pasqyrua në një emision të posaçëm filatelik, ku dominojnë simbolet e miqësisë, bashkëpunimit dhe aleancës strategjike. Pullat dhe FDC-të e këtij përvjetori theksojnë vijimësinë historike të marrëdhënieve, nga viti 1922 deri në ditët tona, duke përçuar mesazhin e një partneriteti të qëndrueshëm, pasi sintetizon një shekull bashkëpunimi diplomatik dhe politik.

                 

                             

Fig.4 Zarf special ne dedikim te 100 vjetorit te vendosjes mardhenive diplomatike Shqiperi-USA

Përveç emisioneve zyrtare të Postës Shqiptare, edhe koleksionistët shqiptarë, nëpërmjet shoqatës së tyre, kanë realizuar një përkujtim të veçantë me rastin e përvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Një ekspozitë e tillë u organizua në Tiranë nga koleksionisti i shquar Dr. Jovan Basho, ku u paraqitën produkte filatelike interesante dhe të rralla, që përkonin me 101-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri–SHBA (1922-2023) dhe me 80-vjetorin e emetimit të pullës amerikane me flamurin shqiptar (09.11.1943–09.11.2023), e cila përcillte mbështetjen ndaj rezistencës antifashiste të popullit shqiptar.

                     

                                           

Fig.5 Zarf special i krijuar nga filatelisti  Jovan Basho dedikuar pervjetorit te vendosjes mardhenisve diplomatike Shqiperi-USA

Një dimension thelbësor i miqësisë shqiptaro-amerikane është roli vendimtar i SHBA-së në çështjen e Kosovës. Ndërhyrja e NATO në vitin 1999, e udhëhequr kryesisht nga SHBA, i dha fund një periudhe të errët për popullin e Kosovës. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë, e cila u njoh menjëherë nga Shtetet e Bashkuara.

Filatelia shqiptare dhe ajo e Kosovës kanë pasqyruar këtë mbështetje përmes emetimeve që simbolizojnë lirinë, paqen dhe miqësinë me SHBA-në. Flamujt, shqiponja dykrenare dhe elementet e aleancës euroatlantike janë motive të shpeshta në këto seri.

Filatelia nuk është thjesht një pasion koleksionistësh; ajo është një formë arti dhe dokumentimi historik. Çdo pullë apo FDC me temë miqësinë Shqipëri–SHBA përçon mesazhe të qarta, mirënjohje për mbështetjen amerikane në momentet kyçe të historisë sonë. vlerësim për partneritetin strategjik në NATO, theksim të rolit të SHBA-së në pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, besim në një të ardhme të përbashkët në familjen euroatlantike.

Miqësia Shqipëri–SHBA mbështetet në vlera të përbashkëta dhe interesa strategjike. Në të ardhmen, bashkëpunimi pritet të thellohet në fusha si siguria, investimet ekonomike, energjia, teknologjia dhe arsimi. Filatelia shqiptare do të vazhdojë të pasqyrojë këtë marrëdhënie, duke e shndërruar çdo përvjetor, vizitë zyrtare apo arritje të përbashkët në një kujtesë të përhershme në miniaturë.

Nga qëndrimi historik i Woodrow Wilson-it në mbrojtje të Shqipërisë, te vizita e Presidentit George W. Bush në Tiranë dhe mbështetja e vazhdueshme për Kosovën, SHBA ka qenë një aleate strategjike dhe një mike e veçantë e shqiptarëve. Filatelia shqiptare e ka fiksuar këtë miqësi në mënyrë dinjitoze, duke e kthyer në pjesë të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike.

Filed Under: Kulture

Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida

February 23, 2026 by s p

Izabela Krosi/

Albanian Eagles Dance, nën drejtimin e Izabela Krosi, pati nderin të performojë në ArtFest Fort Myers, duke përfaqësuar me krenari Shqipërinë dhe trashëgiminë tonë kulturore në një nga eventet më të rëndësishme artistike në Southwest Florida. Ne u ftuam të marrim pjesë në këtë aktivitet në emër të Cultural Heritage Center of Southwest Florida nga zonja Pearl Cruz, për të ndarë me komunitetin e gjerë bukurinë, historinë dhe traditat shqiptare.

Gjatë këtij eventi, grupi ynë performoi Vallën e Pipzave, të udhëhequr nga Joen Sherifi, me një duet të veçantë nga Teos dhe Wendy Daci, si dhe Vallën e Rrajcës, të udhëhequr nga Elisa Qytyku.

Grupi ynë përbëhet kryesisht nga fëmijë të diasporës shqiptare, shumë prej tyre të brezit të parë në Amerikë. Përmes valleve tradicionale, kostumeve kombëtare dhe muzikës, ata krijojnë një lidhje më të fortë me rrënjët e tyre dhe zhvillojnë krenarinë për identitetin shqiptar. Çdo performancë është një mundësi për të edukuar, për të ndërtuar ura kulturore dhe për të treguar se kultura jonë vazhdon të jetojë edhe larg atdheut.

Albanian Eagles Dance performon në të gjithë Southwest Florida me misionin për të ruajtur dhe promovuar kulturën shqiptare tek brezat e rinj. Evente si ArtFest Fort Myers janë shumë të rëndësishme sepse u japin të rinjve një platformë për të shprehur veten, për të përfaqësuar komunitetin tonë dhe për të kontribuar në diversitetin kulturor të zonës.

Jemi mirënjohës për këtë mundësi dhe krenarë që përfaqësojmë Shqipërinë dhe komunitetin shqiptar në çdo skenë ku performojmë.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 555
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT