• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjashtë libra të shkrimtarit Salih Zogiani nga Kosova,në bibliotekën e Vatrës në New York

July 29, 2013 by dgreca

Të hënën me 29 korrik bëri një vizitë në Shtëpinë e Vatrës, z. Shaban Mehmeti, kryetar i Shoqatës shqiptaro-Amerikanë “Kosova Lindore- Preshevë –Bujanov- Medvegjë”. Pasi vizitoi mjediset e Shtëpisë së Vatrës, arkivin e saj, Ekspozitën”100 vitet e Vatrës”, dhe la shënim ën librin e vizitorëve, ai dorëzoi në bibliotekën e Federatës Vatra edhe gjashtë libra, dhuratë nga Kosova prej vetë autorit, Salih Zogiani, i cili është mjaft i njohur në fushën e mbledhjes së anekdotave shqiptare.

Z. Salih Zogiani lindi në vitin 1942 në fshatin Harilac, të Fushë-Kosovës. Studimet i kreu në Fakultetin Filozofik, Dega e Gjeografisë, në Prishtinë, të cilat i përfundoi në vitin 1968. Ka punuar mësimdhënës në Gjimnazin”Skënderbeu” të Drenasit, në Gjimnazin”Sami Frashëri” të Prsihtinës, në BVI-në dhe në Departamentin për Kulturë të Kosovës. Me mbledhjen e anekdotave merret që nga viti 1965. Ka botuar pesë vëllime në gjuhën shqipe dhe  një vëllim në gjuhën angleze.

Ka marrë pjesë në hartimin e Planit Afatmesëm për zhvillimin e kulturës, në përkthimin e Astronomisë, në hartimin dhe publikimin e shumë materialeve nga lëmi i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

 Studiuesit e tij librave të tij,  kanë vënë re se z. Zogiani është familjarizuar dhe i njësuar me anekdotat. Duke dëgjuar në vazhdimësi rrëfimin lakonik të andekdotës ai ka hyrë thellë në botën e një filozofie aktuale. Prof. Ramiz Kelmendi konstaton se :Anekdotat e Salih Zogianit sjellin mesazhe, porosi me një humor të shëndoshë dhe të këndshëm, përshkruar me nota të mprehta satirike, para të cilave, nuk mund të mbetesh indifferent.Pas Anton Cetës, Salih Zogiani është mbledhësi më i mirë i anekdotave shqiptare.

Federata Vatra e falenderon autorin, që pati mirësinë dhe i dërgoi për bibliotekën e saj librat e tij. Për të interesuarit, librat ndodhen në bibilotekë dhe mund të shfrytëzohen për t’i lexuar.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: anekdotat, ne Vater, Shaban Mehmeti, skender Zoiani

Çabej mbi Shqipërinë dhe shqiptarët

July 29, 2013 by dgreca

Qëndrimi i ndërmjemë midis Perëndimit e Lindjes, i bashkuar me ruajtjen e ngulur të natyrës së vet etnike, i ka gdhendur Shqipërisë gjithmonë fytyrën e saj të veçantë. Këtë nuk ka mundur ta fshijë as sundimi turk. Kjo shprehet në krejt mënyrën e jetesës, në historinë dhe në historinë kishtare, në zakonne dhe në poezi popullore dhe artistike të popullit shqiptar. Duhet shënuar me këtë rast se Shqipëria ka qenë e orientuar më tepër nga Perëndimi sesa fqinjët e saj. Midis gjithë vendeve ballkanike – edhe Rumania, me gjithë idiomin roman të saj, e papërjashtuar – Dalmacia e Shqipëria, pastaj  Ishujt Jonikë janë vendet që kanë qenë të çelura direkt e më tepër ndaj influencës kuturore të Perëndimit. Lëkundja e Shqipërisë ndërmjet Ballkanit  na shfaqet, pothuaj ashtu si në Dalmaci, edhe në pikëpamje politike dhe jo më në fund gjuhësore, në mënyrë që elementet latine kanë pësuar në të dyja këto gjuhë një trajtim të ngjashëm.

*   *   *

Përçarja e vendit në shumë krahina malësore e të ulëta, të ndara shumë herë thellësisht njëra prej tjetrës, ka lindur në Shqipëri fiset dhe i ka mbajtur gjer më sot. Fisi, forma e zgjeruar e familjes së madhe, është shprehja më e thjeshtë e individualizmit kolektiv, i cili i përshtatet ndjenjës që ka shqiptari për jetë.  Shqipëria gjendet tani brenda në një proces shoqëror të padukshëm, në kalimin prej jetës vetjake të fisit në jetën e përbashkët nacionale.

*   *   *

            Trajtat e moçme në mënyrën e jetesës dhe në kulturën materiale e shpirtërore, siç i përfytyrojmë në mënyrë retrospektive për indogjermanët e vjetër, nuk janë ruajtur, them, aq besnikërisht te asnjë nga popujt e sotëm indogjermanë sa ndër shqiptarë. Ky konstatim ka vlerë edhe përkundrejt Ballkanit, i cili është edhe ky mjaft konservativ. Sepse helenët që u civilizuan shpejt i lanë heret doket e lashta, popujt e tjerë u dukën në Ballkan në një shkallë më të zhvilluar të kulturës ose u formuan këtu më vonë. Vetëm te shqiptarët mund të flasim për një traditë sedentare dhe të paprerë që nga koha evjetër.

*   *   *

            Mendimi themelor që vihet për kriter në goditjen e banesave është mundësia e mbrojtjes, Përkundrejt këtij mendimi, komoditeti i ndejtjes dhe pikëpamja ekonomike mbeten në rend të dytë. Këtij  shpirti i përshtatet shtëpia e fortifikuar, kulla, të cilën e ndeshim më shpesh a më rrallë në gjithë Shqipërinë, dhe në Ballkan kudo atje ku ka ose ka pasur shqiptarë. Është krejt karakteristike për natyrën individualiste të shqiptarit që ky, ashtu si stërgjyshët ilirë dhe të tjerë popuj indogjermanë të moçëm si p. sh. gjermanët, banon një shtëpi të vetme mjaft të izoluar. Kjo me rritjen e familjes së madhe zmadhohet me oborre (Gehofte), bëhet lagje fisi dhe së fundi një katund i tërë fisor. Katundi fisor është katundi i vërtetë shqiptar dhe sot e gjithë ditën katundi i zakonshëm i maleve.

*   *   *

            J. Ph. Fallmerayer Shqipërinë e quan vendin e vullnetit të fortë dhe të mendjes së shkurtër. Ky nuk është i vetmi kontrast që përmban karakteri i popullit shqiptar. Po meqë kontrasti përmban në vetvete thelbin e dramaticitetit, shohim se një rremb dramatik e përshkon karakterin shqiptar, i mësuar më shumë të veprojë me rrëmbim sesa të rrijë të mendojë. Karakter dramatik ka dhe historia shqiptare me fytyrat e saj kryesore.

*   *   *

            Thelbi shpirtëror i shqiptarit është rezervimi. Kjo veti e popujve të Veriut duhet të na çuditë disi te një popull i Jugut. Kjo cilësi sidoqoftë e dallon këtë popull mjaft thellë prej popujve të tjerë të Europës Jugore. Spjegimin do ta kërkojmë për këtë si në veti të trashëguara si dhe në natyrën e mbyllur e të ashpër të vendit. Kjo e detyron banorin që jo vetëm kundrejt të huajit, por edhe me të afërmin të sillet në fillim i matur e i rezervuar, edhe i mbyllur. Kështu na spjegohet rezervimi i thellë i shpirtit të popullit shqiptar. . . Kjo është sjellja e njeriut që është i zoti i vetvetes, i cili, për të ruajtur të drejtat e veta, është i matur në fjalë e në punë. Por ky rezervim nuk përjashton karakterin e hapur,  edhe këtë cilësi e gjejmë me të vërtetë te shqiptari. Përbri saj na shfaqet tek ai edhe dhelpëria e lindur e banorit të maleve.

            Është një shenjë e individualistit, siç ka qenë gjithmonë shqiptari, që rezervimi i tij në raste të veçanta të jetës të kthehet në një qëndrim të egër kokëfortë. Kjo veçori që rron në gjithë shqiptarët është pasoja e racës, e na kallëzohet edhe për ilirët e moçëm. Edhe kolonitë shqiptare, sado të shkëputura prej shekujsh nga toka-mëmë dhe tani në mes të të huajve, nuk kanë mundur ta fshehin sjelljen kokëfortë të karakterit shqiptar.

*   *   *

            Në lëmën sociale themelin e qendrën e jetës shqiptare e përbën familja e madhe. Shqiptari është për gjithhë jetën e tij i lidhur përhera me të. Kjo lidhje patriarkale ekziston jo vetëm për katundarin, por edhe për banorët e qytetit. Ç’është për malësorin fisi dhe familja e madhe është për qytetarin familja. Është qëllimi i jetës së gjithkujt të përpiqet për nderin dhe mbrothësinë e njerëzve të vet. Me këtë lidhet malli i tokës që e shquan këtë popull si gjithë popujt malësorë. Dëshira për shtegtim dhe malli i tokës bashkohen te karakteri shqiptar në mënyrë të çuditshme. Lidhja shpirtërore me tokën u është e përbashkët gjithë shqiptarëve. Kështu ne shohim te i ikuri në dhe të huaj se si, i shtyrë nga malli, dëshiron gjithmonë të kthehet ndonjëherë në atdhe.

*   *   *

Tenaciteti në jetë dhe ngjitja pas zakoneve është një veti tjetër e përbashkët e karakterit shqiptar, “Forca e ekzistencës së gjuhës shqipe dëshmon tenacitetin e kombit” (A. Meillet). Edhe në qoftë se doket dhe zakonet e sotshme të Shqipërisë nuk paraqesin një fytyrë të njënjëjtë, ruajtja e ngulur e tyre është një fenomen i përbashkët për ta. Përgjithësisht analogjive që shkojnë midis zakoneve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë nuk u është dhënë vëmendja e duhur. Në qoftë se qërojmë një nga shtresat e influencave të huaja në zakone, do të ndeshim më së fundi në thelbin indoeuropian. Të nxjerrësh në dritë këtë shtrat themelor do të thotë të zbulosh rishtas atë që ka qenë e përbashkët në zakonet shqiptare. Shumë zakone të lindjes, dasmës e vdekjes, kalendari i së kremteve të vitit, supërsticionet dhe figurat mitologjike, paprekësia e gruas dhe e të voglit, qëndrimi i posaçëm ndaj mikut e armikut janë disa nga gjurmët dhe aspektet e këtyre zakoneve të përbashkëta shqiptare.

 Shënim i editorit. Fragmentet e mësipërme janë nxjerrë nga vepra “Për etnogjenezën e literaturës shqipe”, botuar fillimisht në revistën “Hylli i Dritës”, në vitet 1938-1939, dhe  më vonë, në vitin 1994, nën titullin “Shqiptarët midis Perëndimit e Lindjes”, së bashku me veprën “Romantizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare”, shkruar në vitin 1945.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dhe shqiptaret, Eqrem Cabej, mbi shqiperine

Kompozitori i kenges qytetare vlonjate me prurje të mëdha

July 28, 2013 by dgreca

  Oh moj Vlora me kurore te urojme një 100 vjetor te puthe detin, te puthe malin te takoj Smail Qemalin…./
Shkruan: Gëzim Llojdia/
1.
 Artur Dhamo, kompozitori vlonjate, i lindur në një vit ku shkronjat përbëjnë numra, me kombinim e numrave  mistik 1969, mbanë mend se prej fëmijërisë  pasioni i tij si çdo fëmijë është kënga. Melodia në buzët fëminore e kahershme sa vetë njeriu. Prandaj, shqyrtojmë mundësin tonë kur themi se: Muzika është art, është urë që na lidh përmes tingujve dhe si e tillë, muzika është një kombinim i veçante ritmi dhe notash ndërkaq ëikipedia ka bërë një klasifikim unik të sajën: Muzika është formë e artit, mediumi i së cilës është zëri i organizuar në kohë. Elementet kryesore të muzikës janë toni (ku përfshihen melodia dhe harmonia), ritmi (bashkë me konceptet e afërta që janë tempo, metri dhe artikulimi), dinamika, si dhe kualiteti zënor.
 Kështu Turi(shkurtimi emrit Artur), një emër që vlonjatët ta ngjisin në fëmijëri , ka filluar në moshë të vogël të endet, nëpër festivalet e këngëve ,në moshat më të hershme të fëmijërisë së tij. Ka qenë prezent nëpër festivalet e këngëve, që në aso kohe ishin argëtim  dhe përbënin ngjarje të veçantë muzikore për moshën. Një raport, që ai tregon, në lidhje me pjesëmarrjet në këto festivale janë të këtilla:5 herë në festivalet kombëtare dhe 6 herë në festivalet e qytetit të Vlorës.
 Turi me dëshirën e këngëtarit  të fëmijëve ka udhëtuar disa herë mëngjeseve në një rrugëtim, që fillonte në qytetin  e portokajve  duke përfunduar në Shkodër. Është larguar andej me autobusin që shpinte fëmijë,kompozitorë dhe poet në festivalet e Shkodrës me një hare të veçantë.
 3 herë ndërmjet këtyre largimeve me vete, ka shtrënguar në dorë çmim fituesi të disa vendeve në festivalet e fëmijëve,  që ishin stacionuar prej kohësh në qytetin verior buzë Taraboshit.
 Kush mund ta frymëzonte Turin në këtë investim afatgjatë të përhershëm dhe të pa zhbëshëm, përveç  yllit dhe krijuesit të këngëve qytetare vlonjate,Reshat Osmanit?
 Atij krijuesi, që nëse do të  konvertohej shpirti, nota muzike do të përbënte një lartësi mali të lartësuar ,ndërkaq që këngët si” brezare” do të qarkonin “hapësirat e tij”.
 Trio vlonjate u krijua nga bashkimi i tri zërave meliodioz :Reshat Osmani,Konstandin Thana dhe Meliha Doda. Th. Mone me dimensionet e një artisti, me sytë, me mendjen në skenë, nxori “Dasmën vlonjate”. Ishte kënga e të gjitha zonave si Kanina, Lumi  i Vlorës. Mbas “Dasmës vlonjate” u pikëzua grupi. Treshja ishte Reshat Osmani, Kostandin Thana dhe Meliha Doda.
 Trioja vlonjate u ndërtua e atillë, 2 burra ishin marrësi dhe një lloj hedhësi të këngës, dhe zëri  i gruas. Pra, ishte një formë e këngës popullore me konture të grupit lab. Trioja vlonjate ishte forma e parë në atë kohë. Trioja vlonjate në ditën e saj të formimit përbëhej nga mosha më e re e këngës. Reshati ishte 25 vjeç, Kostandini 26, Meliha 22 vjeçe.
 Në një rrëfim me Turin mësoj:Filloj shkollën e muzikës me S.Rrapi ,që në vitin e parë regjistrohem për kanto.Aty kishte një grup profesionistësh V.Cuni,F.Nasto,K.Koka.
 Si shkova unë tek burimi i këngës?Dua të deshifrojë rrugëtimin tim,më thotë Turi.Diku aty nga shkollimi 8 vjecarë.
 – Erdhi Reshat Osmani. Sapo fillonte procesi për përzgjedhjen e talenteve të reja,pra bëhej llaf për festivalet  e pionierëve të cilët ishin zërat me të pëlqyeshme për kohën  tonë,Reshati dhe kompozitorë të tjerë vlonjate nisnin ecejaket e tyre nëpër shkollat e qytetit të Vlorës për të përzgjedhur talentet. Një ditë në shkollën tonë erdhi pikërisht Reshat Osmani. Reshati  i trios vlonjate dhe kompozitori i saj nuk gaboi kur  tundi kokën në shenjë  vlerësimi për aftësitë e mija në fushën muzikore. Nga ajo përzgjedhja unë,shkova dhe këndova në festivalin kombëtar të fëmijëve në qytetin e Shkodrës . Sapo ka përfunduar studimet e shkollës s mesme shkon në fshatë. Një lloj stazhi quhej ky për gjimnazistët përpara fillimit të studimeve universitare.
 Në zonën lumit të Vlorës, në Mavrovë ku punoi 1.5 vite. Koncertet e para mbajë mend  që i bëra në majë të fshatit Mazhar të Lapardhasë. Ndërsa në shkollën e Kotës ndërtova një grup kori. Edhe në këtë zona muzika, që deri atëherë bëhej thjeshtë në shkollë pa krijuar grupet apo koncertet me muzikë. Ka qenë viti 1983. Rrëfimi i tij të shpie larg.
 Shpatat e malit të Gjerë dhe kalaja e Argjiros prisnin festivalistët , grupe,këngëtarë,melodi,veshje të larmishme nga folklori dhe tradita e bukur shqiptare. Mora pjesë me grupin e Vlorës në Gjirokastër.
 Nga viti 1988-92 vijova studimet në degën histori-gjeografi në Tiranë. Në vitin 1992 fillova të angazhohem si drejtues artistik  i ansambli”Labëria”. Me këtë ansambël të mrekullueshëm arritëm të realizonim albume dhe koncerte deri në TOB. Si ndikim të tij dhe kontribut, ai përmend edhe pjesëmarrjen apo në disa grupe folklorike për gjetjen apo zbulimin e këngëve të reja me grupet e Lapardhasë,Vranishtit,Pilur,Kallarat etj.
 Ka ndjekur nga afër trion vlonjate si dhe këngëtarët e tjerë të Vlorës, që përfaqësonin rrymën e muzikës qytetare vlonjate si Kleopatra Skarco, Milika Meminaj, Mariza Mico,Veneranda Billa,kompozitorin Pirro Cakrani. Një krijesë e bukur ishte kompozimi i Themistokli Mones:”Miq nga Vlora vijnë “ shoqëruar nga F.Haxhiraj, M.Nerenxi, Sh.Shabani. Bashkëpunim të mëtejshëm vijon me  grupin e këngëve qytetare dhe kompozitorin vlonjate, që sot nuk jeton më,mjeshtrin e madh ,Haxhi Dalipi.
 Arturin nga Vlora e mbajnë mend për debutimin e parë në festivale kombëtare të muzikës së lehtë shqiptare. Në vitin 1990, kënga:” Lule e vetmuar”, duet me Redina Tilin,mbeti mjaftë e adhuruar nga brezi i të rinjve të asaj kohe.
 Në vitin 1994 ishte edhe kënga e kënduar nga Ludmilla Baballëku në koncertin e pranverës. Nga viti 1990-deri në vitin 1994 , Arturi ka një pjesëmarrje aktive në festivalet e RTSh në dy sfera;a këngëtar,b-kantautor.
 Në vitin 1993, çmimi i dytë ju dha këngëtares vlonjate Anita Bitri me kompozimin e Artur Dhamos:”Dashuri ke emrin ti”.Edhe kjo këngëtare e talentuar vlonjate  nuk rron më, ndërsa në Vlorë ka një rrugë në qendër të qyteti,t që mbanë emrin e artistes.
 Një rrugëtim tjetër i Turit është ky :1992-1997 drejtues muzike në Qendrën kulturore. Së fundi drejtues artistik në teatrin: “Petro Marko” të Vlorës.
 Ka realizuar në një total nëse shprehmi kështu:60 premiera estrada dhe variete si dhe 50 premiera teatri. Është autori i Himnit të skuadrës vlonjate të Flamurtarit. …..Flamurtar….. Flamurtar……/Dy emra kam në zemër unë/Para më je ti o Vlorë/I dyti është ekipi ynë/Flamurtari madhështor/Me fanellat kuqezi/Jo në botë nuk ka si ty/…..Flamurtar….. Flamurtar……/Kur del në fushë lufton, fiton/Zemrat tona ndizen zjarr/Ne derdhim lot, për ty gëzojmë/Brohorasim Flamurtar……/Me fanellat kuqezi/Jo në botë nuk ka si ty/…..Flamurtar….. Flamurtar……
Artur Dhamo është edhe krijuesi i këngës së 100vjetorit të kënduar nga këngëtari brilant Ylli Baka dhe grupi lab” Cipini”. Madje për këtë këngë një vit më parë  intervistova Ylli Bakën ku  harrova të shënojë emrin e atij, që e nxori nga shpirti dhe e bëri të pavdekshme duke e hedhur në nota muzikore. Ky ishte kompozitori Artur Dhamo.
 Oh moj Vlora me kurore Vlora me kurore Te uroj 100 vjetor   Oh moj Vlora me kurore te urojme një 100 vjetor te puthe detin, te puthe malin te takoj Smail Qemalin.
Vitet ikin, vitet shkojnë gjithë shqiponjat fluturojnë rrugët kombin e bashkojnë te gjitha ne Vlorë fillojnë. I dha besën burri burrit ne kalkonin e flamurit mbylli plaku pavarësisë 500 vjet e historisë. Vitet ikin, vitet shkojnë gjithë shqiponjat fluturojnë rrugët kombin e bashkojnë te gjitha ne Vlorë fillojnë. Zemra e kombit arbëror si sahat punon ne Vlore u kurdis nga ajo dore me 28 nëntor.
hajdeeeeeeeeeeee !!!!!
Oh moj Vlora me kurore te uroj 100 vjetor rrugët e kombit e bashkojnë te gjitha ne Vlore fillojnë. Vitet ikin, vitet shkojnë gjithë shqiponjat fluturojnë rrugët kombin e bashkojnë te gjitha ne Vlorë fillojnë.
 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Lojdia, kenges vlonjate, kompozitori

Dëshmitë, torturat ndaj femrave në burgjet dhe kampet komuniste

July 27, 2013 by dgreca

Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” një botim me dëshmi nga rrëfimet e grave që vuajtën në burgjet dhe kampet komuniste/

Nga Valeria Dedaj/

-“Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” e autores Fatbardha Saraçi (Mulletin), një botim që përfshin rrëfimin e grave që vuajtën në kampet dhe burgjet komuniste. Fatbardha Saraçi vendos kontributin e jetës së saj për 20 vite radhazi duke zbardhur dëshmi në rreth 600 faqe libër. Ngjarje të vërteta që i japin jetë mijëra vajzave dhe grave që mbajtën të fshehura vuajtjet në kampet e diktaturës. Saraçi sjell shifra konkrete rreth këtyre ngjarjeve.  Në një intervistë për “Shekullin”, Fatbardha Saraçi tregon se me apo pa gjyq për motive politike janë pushkatuar 450 gra, janë burgosur 7367, janë internuar 20,000 familje, kanë vdekur në internim 7022 qytetarë, që nga fëmijë deri të moshuar. “Vetëm në qytetin e Shkodrës janë 4000 familje që nuk i kanë gjetur eshtrat e të pushkatarëve kjo domethënë se nënat e tyre nuk e kanë pasur mundësin të vendosnin një lule, në një varrë”, thotë Saraçi.

“Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” një botim që përfshin tre vëllime me dëshmitë dhe rrëfimet e grave që vuajtën në burgjet dhe kampet komuniste. Më çfarë materialesh arkivore keni punuar për realizimin e këtij libri?

Libri ka lindur që nga fëmijëria ime. U rrita me të ndër vite, ashtu sikurse u rrita me dhimbjen në këtë luftë. Fillimisht shkruaja në zemrën time, në trurin dhe shpirtin tim, brenda vetes për çdo moment, ngjarje, dhimbje dhe vuajtje. Këtu e zuri zanafillën libri me ngjarje nga jeta e të presekutuarëve. Jeta jonë përjashtonte çdo logjikë njerëzore, ishte ferri Danteskë me rrathët e tij të tmerrshëm në realitetin komunist. Mbasi fituam të drejtën e fjalës dhe të shprehjes, arrita të shkruaj. Kam 20 vjet që punoj për të. Femrat e shtresës së të presekutuarëve politike kanë vuajtur shumë. Ato vuajtjen e morën me vete në përjetësi, por lanë pas dhimbjen e madhe dhe pa pakufi. Në libër tregoj jetët reale të nënave, grave, vajzave, fëmijëve dhe foshnjave që e përjetuan deri në palcë luftën e klasave, që unë e quaj racizmin komunist shqiptar “sui generis”, se është më i veçanti nga vendet e tjera të kampit socialist. Kur shteti s’mundi t’ia dilte me burrat u kap me familjet e tyre, me gratë dhe fëmijët. Shumë prej tyre i mbajtën në internim deri me rënien e regjimit komunist.

Në libër prezantohen fakte reale të ndërthurura nëpërmjet zhanrit letrar. Përse keni zgjedhur këtë trajtë rrëfimi?

Nëse do të shkruaja një roman të mirëfilltë mbi këtë temë, lexuesit nuk do të më besonin, mund të mendonin se i kam shtuar ngjarjet nga mendja ime. Librin e kam punuar që të jetë i kuptueshëm për brezin e ri, prandaj përdora histori reale të grave që kam njohur në fëmijërinë time. Kam përdorur dialogun si një mënyrë të tërthortë të të shkruarit, ku dhe e vërteta del nga goja e tyre, në vetën e parë. Në këtë mënyrë mendova se bëhet më i besueshëm duke e shoqëruar dhe me fotografi.

Cila ka qenë historia më e rëndë nga materialet që keni botuar?

Çdo ngjarje përbën një histori tronditëse me vete. Vajza të reja të torturuara nëpër hetuesi, ku përdorej dhunë fizike, elektroshok etj, gra që u janë dënuan apo u janë burgosur burrat, vëllezërit, djemtë (që u ndoqën me vite nëpër kampet e punës skllavërore). Për mua historia më e rëndë nga të gjitha ngjarjet që kam përfshirë në libër është një natë e fundit të gushtit1949 ku në kampin shfarosës të Tepelenës vdiqën 33 fëmijë, duke u ndarë nga jeta në mënyrën më të padrejtë. Të shumtët ishin mirditorë. Ç’kishin bërë ata fëmijë, ato foshnje që prisnin të pinin qumësht nga gjiri i nënës?! Ç’pati shteti komunist me ta që nuk i konsideronte shtetas shqiptarë? Por pjesa më e dhimbshme është zemra e atyre nënave që pranuan vdekjen e foshnjave.

A mund të flasim me shifra reale rreth ekzekutimeve, keqtrajtimit, apo dënimeve të llojeve të tjera që ka pësuar femra shqiptare gjatë periudhës së komunizmit ‘44-‘90?

Në një nga faqet e librit kam shkruar bilancin për egërsinë e krimit komunist. Për motive politike me apo pa gjyq janë pushkatuar 450 gra, burgosur 7367, internuar 20,000 familje dhe kanë vdekur në internim 7022 qytetarë, fëmijë e të moshuar. Vetëm në qytetin e Shkodrës 4000 familje nuk i kanë gjetur eshtrat e të pushkatarëve, nënat e tyre nuk e kanë pasur mundësin të vendosnin një lule ne varrë…Shifrat janë të paimagjinueshme për mënyrën sesi lufta e klasës u zhvillua në vendin tonë. Nëse ishte dënuar një nga familjarët, pasojat duhej t’i vuante gjithë fisi. Gratë u kujdesën për burrat e tyre nëpër burgje, duke i ndjekur nëpër kampet e punës, duke u dërguar ushqime dhe mjekime. Ato iu kushtuan vetëm familjes, rritën fëmijët dhe i edukuan, aq sa harruan se ishin të reja dhe të bukura. Kjo është gjëja më e bukur e këtyre nënave që kaluan sakrifica, por dhuruan shumë dashuri aq sa mbetën në zemrën tonë si heroina të pavdekshme.

Nga ishin dhe çfarë shtrese u përkisnin këto vajza dhe gra?

U dënuan femra të shkolluara që përfaqësonin opozitën. Si shembull për tu përmendur mbetet shkrimtarja Musine Kokolari, ajo ishte një ndër ato që ndihmonin rezistencën antikomuniste. Gjithashtu dënoheshin vajza që nuk pranonin idetë komuniste dhe ateizmin, dënoheshin mësuese, gjimnaziste për agjitacion dhe propagandë. Persekutimi ishte për të gjitha shtresat e shoqërisë, vetëm sepse nga partia në pushtet ishin cilësuar familje reaksionarësh. Së fundmi partia shtet dënoi dhe femra të kastës komuniste, familjarët e tyre u cilësuan revizionistë. Vajza që ishin rritur dhe në bllokun e udhëheqësve provuan internime, dënime, ndarje nga burrat dhe rritën foshnjet në internim.

Cilat kanë qenë arsyet pse një femër mund të dënohej asokohe?

Janë vrarë dhe dënuar femra që nuk iu nënshtruan sistemit të ri komunist, janë dënuar pa bërë krime, por vetëm për agjitacion dhe propagandë politike etj. Për shembull biologen Sebika Kasimati e kanë vrarë pa gjyq dhe e kanë varrosur në një gropë, së bashku me burrat në shkurtin e vitit 1951.

Përveçse hulumtuesja e kësaj teme, ju jeni dhe pjesë e “kalvarit të përgjakshëm” që kaloi mbi “shpin” familja juaj…Çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Unë jam pjesë e kësaj shtrese, por librin se kam bërë vetëm për familjen time. Familja ime, Mulleti u etiketua shumë rëndë dhe kjo e ndoqi gjatë gjithë sistemit komunist. Libri përshkruan të gjitha kampet e internimit, në veçanti kampin  e Tepelenës. Në vitin 1992 djali i xhaxhait Reshit Mulleti u kthye nga internimi. Ajo “Zonja Hajrie” që në Shqipëri gajaseshin së qeshuri me të, përjetoi vuajtje pafund në internim, por qëndroi një grua besnike e ndershme, punëtore, e papërkulur dhe në veçanti një nënë e mrekullueshme për djalin e saj të vetëm. Dhimbje të madhe kam përjetuar kur shkova në Savër të Lushnjes, kur ajo ishte e sëmur. E gjeta në një dhomë të vogël me llamarina, dërrasa e kashtë, vuante në mes të llucës së Myzeqesë. I kishte mbetur në kujtesë shtëpia e babait të saj, plot dritë dhe me shumë lule apo dhe jorganët e bardhë të atllasit. Me imagjinatë ishte në Tiranën e saj, mbante mend adresën e shtëpisë në Vjenë, (domethënë atje ku kishte martesën e saj) etj. Por tashmë çdo gjë ishte fashitur, ajo në vitin 1980 u nda nga jeta në moshën 70 vjeçe, në një kasolle. Kjo komedi tek ne në Shqipëri ka fituar çmimin “Nobel”, e quajnë vepër arti dhe është shpërndarë në kaseta në të gjithë rruzullin tokësor, e kanë marrë me vete emigrantët që të qeshin, por djali i xhaxhit që fëmijë, deri sa vdiq u “sha” prej saj, me emër real. Sistemi komunist u hakmor me një fëmijë, i “dhunoi” të drejtat e tij. Këto janë vepra të realizmit socialist që janë trumbetuar. Ndërsa familja ime nuk u lejua të jetojë në shtëpinë tonë në Tiranë, të cilën e kishte ndërtuar babai. Na u grabit çdo gjë, mbetëm pa një të ardhme jetike, na dërguan në Kavajë ku provuam vetëm baraka, kasolle dhe ahure. Kemi provuar luftën e klasës në të gjitha aspektet e jetës… u rritëm, u shkolluam, punuam dhe na dëbuan. Por ne u rrahëm me jetën, u forcuam dhe nuk u dorëzuam asnjëherë, na shoqëroi dashuria për njëri-tjetrin. Mirësia e familjes së mamasë nga Shkodra na dhuroi shumë dashuri dhe na dhe mundësi shkollimi. Më shumë më dhimbset jeta e babait, nënës dhe motrës Donikë që vdiq në maturë të vitit 1951.

Me botimin e këtyre librave a mendoni se keni arritur që të transmetoni tek brezi i ri fakte mbi një të vërtetë, që deri më sot as historianët nuk e kanë bërë?

Ky libër është me vërtetësi të pamohueshme, të pakundërshtueshme për të gjithë shqiptarët kudo nëpër botë. Është befasues për ata njerëz që se kanë provuar apo se kanë besuar se kanë ndodhur këto gjëra në Shqipërinë tonë. Ky libër është një pikë ujë nga gjithë ai oqean vuajtjesh, sepse nëpërmjet tij mund të njihesh me plagët e mëdha që u krijuan në diktaturë. Ky libër është kundra harresës, është mbijetesë, kujtesë, dëshmi dhe shkrimi i saj. Mbijetesa nuk është vetëm akt personal, por dhe detyrë mision për të dëshmuar. Është detyrë shoqërore fisnike, unë plotësova një detyrim kombëtar të domosdoshëm, sepse kujtesa është pavdekësi, por njëherazi dhe histori që të mos harrohen sesi u mohuan të drejtat dhe liritë e njeriut, sepse harresa ka fatkeqësinë e përsëritjes së të keqes, në forma të ndryshme. Është një libër shuplakë për ata që nuk na dhanë drejtësi. Jetët e tyre ishin tmerr dhe torturë që u kishte thurur shteti i tyre. Ishte heshtja e madhe ndaj së keqes, zëri i vuajtjes, i dhimbjes i shëmtimit, ishte periudha e tronditjes e vdekjes. Ishte brenga e madhe, sepse ishte burgosur fjala e zemrave. Egërsia e këtij dënimi kishte verbuar vetë drejtësinë dhe vdekjen. Se sa do të transmetohet tek brezi i ri, atë nuk e di!! Unë e kam botuar librin për kujtesë, por sa do të lexohet nuk e di!! Kjo i përket qytetarëve të mësojnë ose jo të vërtetën.

Çfarë mendoni se duhet bërë ende për këtë shtresë të shoqërisë? Mendoni se kjo periudhë ka nevojë dhe për forma të tjera që të demonstrojë faktet reale të kësaj periudhe? Për shembull sikurse është ndërtuar Muzeu i Krimeve të Komunizmit në Shkodër.

Pas 22 vitesh është shumë vonë të mendohet se ç’mund të bëhet për ata që vuajtën, shumë prej tyre e lanë këtë botë. Te ne nuk është dëshmuar krimi komunist, por është hedhur manteli i heshtjes dhe i harresës. Nuk është kërkuar falje nga ata që i kanë bërë këto krime, sepse ishin krime shtetërore që drejtoheshin nga kreu i aparatit të KPPSH, domethënë nga diktatori dhe shkonte tek të gjithë diktatorët që drejtonin shtetin, Shqipërinë time. Diktatura hoxhiste zgjati 46 vjet, ishte një holokaust i vërtetë. Efektet e këtij holokausti që zgjati prej pesë dekadash janë të paimagjinueshme. Kjo kohëzgjatje e bëri tek ne komunizmin shumë çnjerëzor. Unë thashë të vërtetën me anën e penës sime, domethënë në libër, por format e transmetimit të kësaj të vërtete janë të shumëllojshme me anë të filmit, muzikës, pikturës, skulpturës, etj.  Në veçanti media është ajo që punon për të shëruar shoqërinë shqiptare, kurse muzeumet janë të domosdoshme kur për to punohen nga njerëz dhe njohës të mirë të kësaj shtrese. Mendoj se duhet të përfitojmë nga eksperienca gjermane, hungareze, çeke etj. Unë do doja që shumë piktorë dhe skulptorë të arrinin ta përjetësonin vuajtjen mbijetesën, shpresën që nuk vdes kurrë apo dhe lirinë kur heshtjes ndaj së keqes i thotë ndal.

Sipas jush cili ka qenë fati i gruas në diktaturë?

Në diktaturë femrat kanë studiuar, përparuar, emancipuar dhe kanë dhënë ndihmesën e tyre në shoqëri. Shoqëria jonë ka qenë e indokriminuar. Në çdo aspekt të jetës janë detyruar të përdorin luftën e klasës, se nuk mund të bëhej asgjë nëse nuk do t’i bëhej biografia çdo njeriu që do të punonte apo të studionte. Në përshkrimin biografikë futej dhe gjyshi kur donin të të fundosnin, kurse kur donin të lëshonin pe i mbyllnin sytë, por e përdornin për një kohë tjetër. Në diktaturë femrës i mohohej shkolla e lartë, vendi i punës zgjidhej me vështirësi në distanca të largëta dhe përveçse me pagesë minimale, shikohej dhe me sy të keq. Epitetet për to ishin nga më ofendueset, s’ishin të mirëpritura për të formuar familje, s’kishin të drejtën e lavdërimit, të shpërblimit, dënoheshin për një fjalë goje. Në rastet që u jepej mundësia për të punuar dhe për t’u shkolluar, sapo egërsohej lufta e klasës ato i largonin nga puna në mënyrën më të shëmtuar.

Po sot si e shikoni përdorimin e lirisë prej femrës shqiptare?

Liria?! Kur fillon liria? Liria fillon në një familje, me edukim, shkollë, studim etj. Por sa kjo liri çmohet dhe se si përdoret? Në rinin time e çmoja shumë lirinë, por nuk kishim të drejtën e fjalës së lirë, të shprehjes, besimit për miqësinë, shoqërinë, lirinë për të dashur etj. apo të kishe mundësinë për të gjetur shokun e jetës, të dëgjoje muzikën që pëlqeje, të lexoje libra që nuk lejoheshin etj. Të gjitha këto mundësi vajzat, sot i kanë. Por vajzat që të fitojnë lirinë duhet që të studiojnë, të përparojnë në ngritjen intelektuale duke vlerësuar më shumë mençurinë dhe jo të mbiçmojnë bukurinë se është shumë e përkohshme. Duke studiuar vajzat bëhen më të zonjat e vetes, duke punuar fitojnë pavarësinë e tyre ekonomike që u sjell pavarësinë dhe lirinë.  Liria fitohet, nuk dhurohet. Kjo është madhështia e lirisë, shërbimi ndaj së vërtetës, të mos heshtësh ndaj së keqes dhe të kundërshtosh shtypjen.

Si nënë dhe si femër, cili është mesazhi juaj për gruan shqiptare?

Si nënë u uroj të gjitha nënave të punojnë pa u lodhur, me përkushtim që fëmijët e tyre të marrin edukimin e mirë, me norma të moralit njerëzor, t’i mbajnë sa më afër dhe t’u dhurojnë shumë dashuri, sepse vetëm me dashuri arrihet e mira. Nënave u uroj të shkollojnë fëmijët që të marrin drejtimin e duhur, të mos e ndiejnë veten vetëm dhe të shkojnë në rrugë të gabuar. Për të gjithë femrat uroj suksese në punë, në studime të arrijnë majat më të larta, të bëhen krijuese dhe të suksesshme se janë baza e familjes, e ardhmja e shoqërisë sonë, përparimi ynë.

Gjyzepina Androkio (Çoba,1925 )

Vajzë e familjes Çoba, motër e monsinjor Ernest Çobës. E martuar me italian, kishte dy djem. E futën në burg sepse shkoi në konsullatën italiane të merrte pensionin e burrit të saj (italian). E dënuan 18 vjet burg, me heqje lirie nga viti 1957  deri në vitin 1975. ia dënuan djalin e madh me 7 vjet burg, ndërsa djalin tjetër ia internuan. Mbas vitit 1991 u largua familjarisht për në Itali.

Sadije Kazazi

Vendosja e diktaturës në fund të vitit 1944 e gjeti në vejë, me katër fëmijë (tre vajza dhe një djalë). Për të dhe për të gjithë fisin Kazazi erdhën kohë të vështira, jo vetëm nga ana ekonomike (që iu grabit çdo gjë), por Kazyzët i kishin vu në shënjestër dhe komunistët i ndiqnin, sepse ato ishin atdhetarë…Ajo në shtëpinë e saj për afër dy vjet strehoi nipin e burrit të saj dhe bënte lidhjen e Saitit me të vëllain e Jup Kazazit. Ajo në shtëpinë e saj për afro dy vjet strehoi nipin e burrit të saj dhe bënte lidhjen e SAitit me të vëllain e tij Jup Kazazin. Agjentët e sigurimit arritën me e zbulue ku ndodhej, Sait Kazazi. Shtëpia u rrethua, e torturojnë nanë Sadijen, bashkë me vajzën e sa të madhe Syrihanëm por ato qëndrojnë heroina, nuk tregojnë. Por zgjedhjen tragjike e bëri vetë Saiti, që në pamundësi për rrugëdalje, vrau veten, nuk pranoi t’i dorëzohej kriminelëve të kuq, ishte 6 tetor 1946. për këtë qëndrim Sadijen e dënojnë me 15 vjet burg, por bën 5 vjet, por sa doli nga qelitë e burgut komunist, ndërroi jetë…Fëmijët e saj e vazhduan jetën plot me vuajtje…

Dhurata Sokoli

Shqipëria e rrethuar me tela, ushtarët tabu ruanin kufirin. Ishte viti 1990, trumbetohej me të madhe se nuk do të kishte vrasje e në kufi, e shumta do të dënoheshin me 5 vjet burg ato që kapeshin në kufi. Shumë të rinj dhe të reja e morën parasysh rrezikun dhe tentuan të kalojnë kufirin shtetëror, shumë prej tyre u vranë si në veri dhe në jug të vendit. në muajin prill 1990 u vra një çift, një vajzë e një djalë. Po pse? Ata ishin një çift që duheshin, por mentaliteti primitiv-komunist nuk i lejonin të realizonin ëndrrën e tyre, martesën, kështu që vendosën të kalonin kufirin Bunë-Ulqin…Por rojet i diktuan. Vajza doli me trup përpara djalit që e desh më shumë se veten, por rojet shqiptare gjuajtën mbi ta, i vranë, i zvarritën dhe i groposën të dy. Të mbështjellur në një batanije, i varrosën natën, që të mos i shikonte kush…në vitin 1991 në gazetën “Republika” një inxhinier, që ishte roje nate në nënstacionin e Koplikut, vuri re ushtarë që hapën gropën. Këtë ngjare e publikoi guximtari në gazetë. Me këtë artikull motra e djalit gjeti varrin.

Fetije Fuçiterni

Motër e Sheuqet Mukës, gruaja e Sali Vuçiternit, ministër në kabinetin e Mbretit Zog. Saliu z dënua nga komunistët me burgim të përjetshmen. Nën Fetijes iu konfiskua pasuria, u nxor nga shtëpia, e përzunë nga Tirana. U vendos në Shkodër. Muaj për muaj e ngarkuar nisej drejt Burrelit për të parë burrin dhe vëllain. Provoi shtegtimet e rrugëve. Burri i vdiq në burg. Ja treguan të vdekur mbas murit të burgut. Mbeti e vetme me një të vdekur përpara. E mbështolli dhe e lidhi mirë për ta transportuar në një makinë të  ngarkuar me gëlqere për ta dërguar në Tiranë. për tre ditë nuk e lejuan që ta varroste.  Jetoi me shpresë se mos takohej ndonjë herë me djalin e vetëm të familjes Vuçiterni, 52 vite pa e parë. Mbylli sytë si një halle e teze e nderuar, me nipër e mbesa.

 

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: kalvari i grave, komuniste, ne burgjet, valeria dedaj

“Demoni i Çmuar” nga Albert Lulushi, libri i ri që vjenë së shpejti…..

July 26, 2013 by dgreca

Libri “Demoni i Çmuar – Valuable Fiend” i Lulushit, zbulon faktorët e vërtetë që kontribuan në dështimin përfundimtar të operacionit Kim Fillbi/ Nga BEQIR SINA, New York/

  WASHINGTON : “Demoni i Çmuar – Valuable Fiend”, i autorit Albert Lulushi, është libri i parë, dhe i vetëm deri tani për të ofruar një llogaritje të plotë të operacionit paraushtarak të CIA-s, kundër Shqipërisë komuniste, shtetit më të dobët dhe më i izoluar i ish vendeve satelitë, të Bashkimit Sovjetikë, në periudhën 1949-1953. Ky libër madje shkon përtej pikëpamjes simplisticike marrë shpesh në subjektin që ngarkon me fajin për dështimin e operacionit të Kim Filbit, “spiunin” më të famshm që vdiq në Bashkim Sovjetik, i inflitruar edhe brenda agjenturave britanike të  SIS.

Libri i Lulushit, është unik jo vetëm për përdorimin e tij të gjerë të burimeve që janë primare, por edhe për shkak se ky libër paraqet një pamje të ashtuquajtur “multi-faceted” të tregimit, nderthurje dhe “juxtaposing” pra vë shumë pranë faktet dhe elementet e operacionit të raportuara nga pjesëmarrësit në anën amerikane kundër atyre të rrëfyera deri tani nga kundërshtarët e tyre në anën komuniste.
Libëri “Demoni i Çmuar – Valuable Fiend” i Lulushit, zbulon faktorët e vërtetë që kontribuan në dështimin përfundimtar të operacionit Kim Fillbi, duke përfshirë:  Një atmosferë të konkurrencës dhe xhelozisë, sesa bashkëpunimit, ndërmjet degëve të CIA-s dhe midis CIA-s dhe shërbimeve të tjera mike e inteligjencës.
Të hutuar dhe të papërvojë me këtë rast oficerët e CIA-s, janë futur në operativitet në disa vende ish komuniste, të cilat i përkisnin një regjimi stalinist të pamëshirshm e të papërcaktuar për të konsoliduar pushtetin e vet në atë kohë me asnjë mëshirë për kundërshtarët e tyre.

    Konfliktet dhe rivalitetet mes fraksioneve anti-komuniste të përkeqësuara edhe nga intrigat e Mbretit Zog, aleati i gjallë CIA-s, i cili ishte monarku i vetëm në Europë, si Mbret musliman, i martuar me një konteshë hungareze – amerikane, dhe një anëtar i Vëllazërisë Myslimane të Egjiptit, u bënë së bashku të gjitha dhe në të njëjtën kohë.

    Përveç kësaj, dhe ndoshta më e rëndësishmja, e librit të shekncëtarit dhe studiuesit shqiptar në Amerikë, Albert Lulushi, në librin e tij “Demoni i Çmuar” tregon se si u ngulit operacioni i lënë në planifikimin dhe ekzekutimin e veprimeve të tjera të Luftës së Ftohtë, nga paraushtarakët që pasuan, duke përfshirë edhe ato të grushtit të shtetit “organizuar” perj CIA-s: “D’états në Iran dhe Guatemala, dhe Gjiri i Derrave në Kubë”.
Libri i Lulushit “Demoni i Çmuar” ofron një sasi të madhe të informacionit të freskët dhe të pabotuar më parë për këdo kërkues dhe studiues, ai është një libër i rrallë i kësaj natyre i shkruar me seriozitet nga një autor shqiptar, i cili ka “gërrmuar” thellë në arshivat e Washingtonit, aty ku nuk mund të futet kollaj çdo njeri:
Libri i tij është për të hyrë në historinë e CIA-s, në ditët e saj të hershme, ardhjen e komunizmit në Europë, përpjekjet e CIA-s, për të rrëzuar regjimet Komuniste, megjithse prapa kishin kërcënimet e qeverive komuniste rreth botës. Në librin “Demoni i Çmuar” CIA- dhe SIS-i janë të “shoshitura” – “Marrëdhëniet agjenturore dhe të fshehta anglo-amerikane, gjatë Luftës së Ftohtë, Lufta e Inteligjencës dhe e Spiunazhit, dhe kryespiuni Kim Philby”.
Ky libër është për ata që dëshirojnë për  të kuptuar rrënjët e sfidave aktuale me të cilat përballen edhe sot vendet në Europën Lindore dhe në Ballkan, duke përfshirë Greqinë, Shqipërinë dhe ish Jugosllavinë që nuk egziston më pas shpërbërjes (mbas 1991); dhe janë të bazuara në një kërkim serioz dhe të thellë për të zhvilluar një pamje objektive të historisë së këtyre vendeve pas Luftës së Dytë Botërore, e cila, në një masë të madhe, mbetet ende patreguar si duhet.

Së fundi libri i autorit Albert Lulushi “Demoni i Çmuar – Valuable Fiend”  zgjeron dukshëm të dhënat e burimeve autentike dhe primare rreth informacionit, mbi subjektin nga referenca të qindra dokumenteve të CIA-s që janë deklasifikuar nga viti 2007. Përveç kësaj, Lulushi përdor materiale që kanë ardhur nga Shqipëria që prej rënies së komunizmit, duke përfshirë edhe kujtimet e ish-oficerëve të policisë sekrete të caktuar për t’iu kundërvënë operacioneve të atëhershme të CIA-s. Prezantimi ndër-referenca dhe anë-nga-anë tek perspektivavt e kundërta që ofron një rinumërim i vërtetë dhe i plotë i ngjarjeve nëpërmjet libërit të Albert Lulushit.
Rreth Autorit te librit, Albert Lulushi

Albert Lulushi është një shkencëtar shqiptaro amerikan i teknologjisë së informacionit, sipërmarrës dhe drejtor ekzekutiv i biznesit me një karrierë të suksesshme në menaxhimin e ndërmarrje të gjera në projekte për disa organizata botërore, duke përfshirë agjencitë federale qeveritare dhe kompanitë Fortune 500.
Lulushi është një studiues i pasionuar pas Gjuhës dhe autor i njohur i botimeve të teknologjisë, duke përfshirë disa prej librave mbi hartimin dhe zhvillimin e sistemeve të informacionit në industri e teknologjinë bashkohore, e botuar nga Prentice Hall dhe Pearson Education.
Lulushi i ka dhënë shumë shërbimeve të përkthimit dhe interpretimin e Departamentit të Shtetit për mbi 20 vjet, duke punuar me zyrtarët më të lartë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Në këtë kapacitet, Lulushi ka qenë një dëshmitar okular të ngjarjeve më të rëndësishme historike në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë dhe Kosovës që nga rënia e komunizmit.
Albert Lulushi thotë se :”Burimet kryesore të informacionit për operacionin e CIA-s, në Shqipëri, janë të rrallë. Dy oficerë të CIA-s të cilët kanë marrë pjesë në operacionin e CIA-s, janë James McCargar dhe Michael E. Burke, me kushte dhe referenca të zhdrejta në operacion, i “pastruar” rëndë nga CIA, për shkak të ndjeshmërisë së operacionit. Kujtimet e tyre janë botuar respektivisht në vitin 1963 dhe 1984. Ndërkohë, që Kim Philby e përshkruar rolin e tij në operacionin në 1968, në autobiografi e tij. Bethel një autor tjetër që ka studiuar Luftën e Ftohtë ka intervistuar disa prej oficerëve britanikë të cilët kryen operacionet e SIS dhe një disa agjentëve shqiptarë të cilët mbijetuan dhe kan kujtime të hidhur. Disa dokumentet e deklasifikuar të CIA-s janë vënë në dispozicion nga Biblioteka Presidenciale Truman. Shumica e librave që kanë trajtuar subjektin e kanë përdorur dhe riciklohen nga këto njëjtat burime parësore gjatë viteve.”

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Lulushi, Demoni i cmuar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 437
  • 438
  • 439
  • 440
  • 441
  • …
  • 556
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT