• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vokacioni atdhetar dhe kontradiktat e Nolit (1)

August 3, 2013 by dgreca

Nga Anton Çefa/

            Eshtë folur shumë për kontradiktat e Nolit, aq sa është thënë që “që ekzistojnë shumë Nolër, në kundërshtim me njëri-tjetrin”1). Janë quajtur ato kundërthënie, inkoerenca, kontradikta dhe paradokse.

            Eshtë më se e vërtetë që Noli të jep mundësi e argumente që ta trajtosh atë kontradiktor në disa hulli. Në vorbullën e kontradiktave noliane, ato më ngacmueset janë dy: a ka qenë Peshkopi ynë i shquar besimtar a jobesimtar, për të mos thënë kundërshtar i besimit dhe, në zgjidhjen e problemeve të mëdha shoqërore e politike, a ka qenë për përdorimin e dhunës a kundra saj, a ka qene revolucionar a kundërrevolucionar.

Po jap mendimin tim, duke i peshuar kontradiktat në vokacionet e tij, të cilat gjithashtu kanë qenë të shumta, por duke u përpjekur të nxjerr në dukje ato më rëndësorët prej tyre. 

            Para së gjithash, duhet thënë se në pikëpamje psikologjike dhe filozofike, duhet pranuar që kontradikta subjektive është në shpirtin e njeriut, në mendjen, në zemrën, në jetën dhe në veprimtarinë e tij. Të lindura fillimisht nga dyshimi, me zgjerimin e përvojës jetësore dhe të kulturës, tek mendimtari a veprimtari, në përpjekjet e tij për t’ju afruar sa më shumë së vërtetës, në çdo plan teorik a praktik që kërkohet ajo, shfaqen kontradiktat.  Qenësia e kësaj dukurie është në përputhje me personalitetin e njeriut. Eshtë i njohur fenomeni që kontradiktat e personaliteteve të shquara marrin ngjyra paradoksale, siç është bërë zakon të thuhet, por edhe siç është shpesh e vërtetë. 

            Personalitetet e larta që tejkalojnë kufijt kombëtarë, siç qe Noli ynë, mishërojnë jo vetëm kontradiktat individuale apo ato të një bashkësie, qoftë kjo edhe një komb, por edhe kontradiktat e njerëzimit, sepse të tilla personalitete janë shprehje e ndërgjegjes së njerëzimit, pra edhe e kontradiktave që e ngërthejnë atë, ndërgjegje që përpiqet e lufton për t’i hedhë dritë së ardhmes.

            Njeriu gjatë gjithë jetës së tij, me rritjen e përvojës praktike jetësore dhe me zgjerimin e dimensioneve të kulturës, e përsos dhe e ndryshon mendimin e tij për probleme të rëndësishme, duke shkuar edhe tek kundërshtimi i mendimit të tij të mëparshëm. Gjë krejt normale. Në këtë rast nuk mund të bëjmë fjalë për kontradikta në kuptimin e vërtetë të fjalës, pa rënë në mohimin e zhvillimit të pandërprerë mendor e shpirtëror të njeriut. A nuk kemi sa e sa personalitete evropiane e botërore që në dekadat e para të shekullit të kaluar u lajthitën nga marksizmi e leninizmi dhe, më vonë, u bënë kundërshtarë të tij? Vetë Noli e ka shprehur një dukuri të tillë në introduktën e tij për Khajamin: “Eshtë e pabesueshme që Omar Khajami, armik i të gjitha despotizmave, të mos ketë ndryshuar aspak pikëpamjet e tij filosofike brenda në 55 vjet” 2).

            Si qëndron Noli mes fesë e ateizmit, a beson apo nuk beson, a është përkrahës i fesë apo kundërshtar i saj – kjo është kontradikta më tunduese për ato që përpiqen ta trajtojnë atë si ateist dhe kundërshtar të fesë.

            Megjithësë nuk është për t’u marrë në konsideratë trajtimi i njëanshëm, në një farë mënyrë tendencioz, që iu bë këtij problemi në periudhën e diktaturës, sepse aty mund të ketë indoktrinim, mungesë çiltërsie, më tepër se objektivitet e bindje shkencore; gjithsesi duhet thënë diçka. Namik Resuli në studimin e tij “Fan Noli sot” 3) ka polemizuar për këtë çështje me Koço Bihikun dhe Dhimitër Shuteriqin, lidhur me “antifetarizmin” e Nolit (në ndonjë poezi e shprehje të tijen), duke pranuar këtë dukuri–sado lëkundshëm – si inkoerencë të Nolit (mbështetur në një shprehje të nxjerrë nga një letër që Noli i ka dërguar Tashkos, më 1906: “Perëndisë që nuk i besoj, i ardhtë keq!” dhe e ka mbyllur këtë çështje, duke e lënë në kapërcyell, me citimin e Qerim Panaritit, biografit të parë të Nolit: “Si person, Noli gëzonte të gjitha të metat e njeriut plus të metat e tij si individual”, (d. m. th. si individ, shënimi im, A. Ç.). Mendoj se kjo shprehje dhe ndonjë tjetër që bie Qerim Panariti në librin e tij 4) mund të jenë rezultat i një momenti shpirtëror a rrethanash të veçanta dhe nuk duhen marrë për bazë për të nxjerrë përfundime rëndësore kategorike, që bien në kundërshtim me krejt jetën dhe veprimtarinë e Nolit.

Aleks Buda ka shkruar: “Me vullnet të lirë e me ndërgjegje, Noli zgjodhi rrugën e priftërisë. Nuk ishte as një thirrje e brendshme, as nevoja për të siguruar jetesën që e çoi në këtë rrugë. Ajo që në kushte normale do të ishte një maskeradë – veshja prift – për një njeri që në thelb…ishte një skeptik në pikëpamje fetare, qe në të vërtetë një akt vetëflijimi i një njeriu që pranoi të flijojë një jetë normale njerëzore dhe lirinë e vet personale e mendore për nevojat politike kombëtare, të luftës kundër veprimtarisë kombëtare të feve e kishave; qe ky një akt vetëmohimi tragjik sepse e detyroi të rrojë një jetë në dy rrafshe” 5). (Eshtë fjala, për rrafshin politik dhe atë fetar).

            Me pak fjalë kështu është trajtuar vendimi i Nolit për t’u bërë prift dhe misioni i tij fetar nga mendimi i shkencës shqiptare nën trysninë e diktaturës. Pra, Noli u bë prift pa pasë një thirrje të brendshme, sepse përkundrazi ai ishte “skeptik” në qëndrimin ndaj fesë; por u vetëflijua tragjikisht për “nevojat e politikës kombëtare”.

            Së pari, na duket një gjykim tepër i sipërfaqshëm mohimi i thirrjes së mbrendshme, vokacionit fetar, që e drejtoi Nolin në rrugën e priftërisë.

            Nga të gjitha vokacionet e Nolit, dy janë më të fuqishmet dhe më ndikueset në veprimtaritë e tij: ai fetar dhe ai atdhetar, vokacioni qiellor dhe një nga “tokësorët”.

            Shfaqja dhe jetëgjatësia e vokacioneve kanë kronologjinë e tyre në jetën e njeriut, gjë që del më në pah tek njerëzit e mëdhenj.  Pa u zgjatur në këtë çështje duhet të pranojmë se është vokacioni fetar, ndoshta për vetë natyrën e tij ekskluzivisht shpirtërore, që u shfaq tek Noli shumë heret, që në moshë të njomë, dhe që e shoqëroi atë, siç do ta themi më poshtë, tërë jetën. (Eshtë për t’u shënuar se në hullinë e religjionit, vokacioni është një thirrje e brendshme që Hyu i bën një shpirti për t’ju kushtuar i tëri Atij; ndërsa në vokacionet e tjera, “tokësoret”, motivacioni është krejtësisht në hullitë njerëzore dhe shfaqet tek aftësitë dhe talenti i njeriut.).

            Vetë Noli na tregon në “Autobiografinë” e tij se ai ishte i vetmi prej pjesëtarëve të familjes që e shoqëronte gjyshe Sumbën në agjërimet e saj; bile edhe ndër ato më të vështirat, siç ishte të qëndruarit, dy herë në vit, tri ditë rresht, pa ngrënë e pa pirë; megjithëse gjyshja, “përherë rropatej ta bindte që të mos agjëronte, sepse ishte shëndetlig” 6). Si mund të spjegohet ndryshe ky veprim fëminor, përveçse me një impuls të brendshëm shpirtëror?  Ky predispozicion shpirtëror i fuqishëm e shoqëroi Nolin tërë jetën. Dhe më vonë në një moshë të pjekur, duke iu nënshtruar këtij vokacioni hyjnor dhe duke synuar në sendërtimin e idealeve të tij të larta qiellore e tokësore, fetare e atdhetare, Noli nuk flijoi kurrëfarë lirie të vetëvetes; nuk bëri ndonjë vetëflijim, përkundrazi ai krijoi mundësinë që të pajtonte dy vokacionet e tij më të fuqishme, duke u vënë plotësisht në shërbim të tyre dhe për hir të këtyre vokacioneve ai solidarësoi bashkësinë shqiptare ortodokse të Amerikës, duke e shkëputur atë nga ndikimi, intrigat dhe politika antishqiptare e Patrikanës dhe themeloi Kishën Shqiptare, u mor me politikë, duke u bërë një luftëtar i fkaktë për ndërtimin e një shoqërie shqiptare sa më të çliruar shpirtërisht dhe lavëroi në tërë ato fusha të kulturës, artit, shkencës, aftësitë e tij të rralla.

            Eshtë tepër e çuditshme, flagrante të pranojmë se personaliteti i Nolit në tërë madhështinë e gjenialitetit të tij t’ia kishte nevojën maskave dhe maskaradave.

            Jeta dhe veprimtaria e Nolit nuk lënë në dyshim vokacionin dhe bindjen fetare të tijen. Noli e hapi dhe e mbylli jetën si besimtar i zellshëm. Në frymëzimin e tij shpirtëror, në prirjen dhe misionin jetësor dhe, jo e parëndësishme, në trashëgiminë instinktive dhe edukatën që mori që heret në familje, ai na dëshmohet katërcipërisht fetar. Fetar në ideal, fetar në bindje, fetar në veprim. Fetar në fëmijëri, fetar në rini, fetar në moshë të pjekur dhe në pleqëri; fetar në jetë, fetar në vdekje.

            Më shumë se çdo gjë dëshmon vepritaria e tij jetësore. Nën ndikimin e edukatës familjare, që në fëmijëri, ai mendonte të bëhej “kalorës i Skendërbeut” dhe “misionar i Krishtit”, dhe përpara marrjes së çdo vendimi ai pyeste veten: “Si do të kishte vepruar Krishti, në një rast të tillë?” Dhe përgjigjej: “Krishti do t’i besonte Zotit dhe do të shkonte përpara”. 7)

Gjatë gjithë jetës, ai jo vetëm ushtroi detyrën si prift, por kohën më të madhe ia kushtoi propagandës fetare. Që më 22 mars 1908, në moshën 26-vjeçare, vetëm 14 ditë mbasi u dorëzua prift, celebroi Liturgjinë e Parë Hyjnore në gjuhën shqipe dhe po këtë vit botoi “Shërbesat e Javës së Madhe”, duke filluar me botimet e materialeve fetare, që vazhduan gjatë gjithë jetës. Me që lista e tyre është shumë e gjatë, po shënojmë këtu vetëm vitet e botimeve: 1908, 1909, 1913, 1914, 1916, 1936, 1941, 1948, 1949, 1950, 1952, 1954, 1955, 1956, 1957, 1961, 1962 dhe vetëm një vit para se të vdiste botoi Psalmet e përkthyera nga hebraishtja. Sqarojmë që në disa prej viteve të përmendura më lart, ai realizoi dy e më tepër botime. A mund të bëhëj e gjithë kjo punë e vëllimshme dhe e shtrirë në krejt hapësirën jetësore pa një predispozicion të fuqishëm shpirtëror dhe vetëm e diktuar nga nevojat e politikës kombëtare?

Noli ka shkruar: “Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha” 8); ndërsa përkthimin dhe kompilimin e Kremtores (Menoion) – një libër shërbese që përmban psalmet, odet dhe troparia të vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur “sodisfaksionin e tij më të madh” 9) dhe “veprën, në të cilën janë përqëndruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale” 10).

            Në tryezën e punës, ditën që vdiq, iu gjetën: një vëllim i vogël poezish franceze, disa fletë me përkthime nga ky vëllim, (dëshmi e gjallë e hapësirës kohore dhe fuqisë së vokacionit për artin poetik), si dhe një dorëshkrim, në të cilin qe shkruar kjo lutje drejtuar Zotit: “Kur ju të vini në tokë, Mbret i Qiejve, me pushtet dhe shkëlqim, e gjithë bota do të dridhet nga frika, lumenjtë e zjarrit do të rrjedhin para fronit të gjyqit tënd të tmerrshëm, librat do të hapen dy kapakësh, do të zbulohem mëkatet më të fshehta. Më kurse mua prej zjarrit të pashuar e të amshuar dhe më vendos në krahun e djathtë në Parajsë, Gjykatës i drejtë dhe mëshirëplotë!” 11). Sa larg skepticizmit fetar dhe sa kuptimplote për vokacionin fetar të Nolit është kjo lutje !

            I qenësishëm për t’u theksuar, lidhur me çështjen që po trajtojmë, është fakti që vokacioni fetar dhe ai atdhetar tek Noli ishin shumë të fuqishëm dhe kjo përmasë dyfishohej, kur ato viheshin në shërbim të njëri-tjetrit. Dhe ai i vuri mjeshtërisht jo vetëm në pajtim, por edhe në funksion të njëri-tjetrit. Dukuri e padiskutueshme e veprimtarisë së tij.

            Vokacioni i brendshëm fetar dhe ai atdhetar janë dy binarët kryesorë nga kalon lokomotiva që tërheq trenin me vagona të shumtë të veprimtarisë së tij: vagonin e përkthimeve letrare, poezisë, publicistikës, oratorisë, studimeve në fushën e historisë e të muzikës, krijimeve origjinale në fushën e muzikës, diplomacisë, politikës. Vokacioni fetar, fillimisht, dhe ai atdhetar janë më të hershmit në jetën dhe veprimtarinë e Nolit dhe e kanë shoqëruar atë tërë jetën; prandaj mund të na shërbejnë si çelës për të shpjeguar kontradiktat e tij. 12)

            Cili është më i fuqishmi nga këto dy impulse të shpirtit nolian? Duket se gjaku iliro-shqiptar i trashëguar prej të parëve është ai që përcakton çdo gjë më së miri në personalitetin e këtij shqiptari të madh me përmasa evropiane e botërore. Vokacioni atdhetar është pa dyshim në tharmin e psikologjisë së popullit tonë. Deri vonë i zhytur në elemente paganizmi – pavarësisht përqafimit të dy besimeve monoteiste – shqiptari e ka pasë më se të theksuar vetëdijen e përkatësisë së tij etnike, këtë vlagë të ngrohtë atdhetarizmi, si dhe ndjenjën dhe gjithë botën shpirtërore që lidhet me të. Nuk është i rastit, përkundrazi është shumë kuptimplotë konstatimi i Hobhaus-it, shokut e shoqëruesit të Byron-it në udhëtimet nëpër trevat evropiane të Perandorisë Turke, në dekadat e para të shek. XIX: “Kur banorët e provincave të tjera të Turqisë pyetën se çfarë janë, ata përgjigjen: ‘jemi muhamedanë’ ose ‘jemi të krishtërë’; ndërsa banori i këtij vendi (është fjala për trojet shqiptare, shënimi im, A. Ç.), përgjigjet: ‘unë jam shqiptar.”13). Dhe kjo ndodh në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të XIX, kur vetëdija kombëtare e popullit tonë ishte errësuar mjaft nga shkaku i zgjatjes së pushtimit osman dhe politikës së tij antishqiptare dhe kur vetëdija kombëtare e popujve fqinjë kishte kristalizuar platformën e tyre kombëtare. 14)

            Kështu, në vokacionet e tij më rëndësorë, Noli dëshmohet gjithsesi një shqiptar i vërtetë, me gjak, me mish, me kockë; ashtu siç e ka cilësuar Hasan Dosti: “Ky burrë simbolizon sinthezën e virtyteve të racës arbërore.” 15)

            Historia, kultura, etnopsikologjia dëshmojnë dashurinë e popullit tonë për atdheun. Që në fillimet e saj-duke mos lënë jashtë humanistët e mëdhenj, që shkruan në gjuhën latine, kultura shqiptare u frymëzua nga ndjenja e atdhetarizmit. Më së miri këtë e dëshmojnë më të vjetrit: Barleti, Beçikemi, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani; dhe mbas tyre rreshtohen të gjithë, pa dallime besimi a krahine. Dhe asnjërin prej tyre nuk e ka penguar rroba fetare të merret me politikë, shkencë, art, bile edhe të marrë pushkën për të luftuar për atdheun.

            Kleri katolik i Veriut krijoi si moto të veprimtarisë së tij binomin “Fe e Atdhe”. (Duhet theksuar këtu se nëse vokacioni dhe veprimtaria fetare e tij lidhej vetëm më një pjesë të vogël të popullit, siç është elementi katolik, veprimtaria atdhetare e tij kishte karakter mbarëkombëtar.)

            Një nga argumentet për ta paditur Nolin si antifetar ka shërbyer përkthimi prej tij i “Rubairave” të Omar Khajamit. Nëse kontradikta është më se e mprehtë, flagrante, në predikimin e fjalës së Krishtit, nga njëra anë, dhe të bolshevizmit, anti-Krishtit, nga ana tjetër, siç mund të thuhet për disa poezi dhe introdukta të tij; ndryshon puna në përkthimin e Rubairave, një fenomen në dukje kontradiktor dhe, më përtej, paradoksal.

            Në përkthimin e “Rubairave”, duhet të kemi parasysh disa fakte:

Së pari, vetë Khajami është thellësisht kontradiktor. Aq sa mund të trajtohet si afetar, po aq mund të trajtohet si fetar dhe si kundërshtar i fesë.

Së dyti, nëse për hir të lirisë së mendimit, kritikon dogmatizmin fetar, Khajami nuk është ateist. Ai beson në një Zot, pavarësisht se herë-herë kritikon edhe perenditë e feve semitike.

Së treti, mungesa e konsekuencës në idetë e Rubairave, nuk na lejon të përcaktojmë një vijë demarkacioni për një sistem të prerë filozofik të Khajamit. Vetë Noli e pohon këtë në introduktën e tij: “Çdo sistematizatë strikte e iderave që na çfaq Khajami është e kotë sa edhe e lajthitur”. Dhe më poshtë: “Khajami nuk është dishepull i një shkollë, po i të gjitha Shkollave gjer në një pikë” 16).

Së katërit, për hir të realizimit të një perle letrare, Khajami i ka lejuar vetes të predikojë edhe ide krejt kontradiktore. Ja si është shprehur Noli për këtë: “Të gjitha pikëpamjet makar kontradiktore janë të mira për Omar Khajamin në qoftë se i japin lëndën e nevojshme për një rubai artistike” 17). Kjo na dëshmon se vokacioni letrar tek Khajami ka qenë më i fuqishëm se ai filozofik; gjë që shihet, në ndonjë rast, edhe tek disa përkthime të Nolit, në kundërpeshimin mes vokacionit letrar dhe atij filozofik. Me të drejtë, studiuesi Vehbi Bala ka vërejtur një “afinitet shpirtëror të Nolit me krijimtarinë e Khajamit” 18).

Kështu, mund të rreshtohen edhe argumente të tjera për ta kundërshtuar – si bindje – antifetarizmin e Khajamit. Noli e përktheu Khajamin në vitin 1926, si një nga militantët më të mëdhenj botërorë të “Lirisë së Mejtimit”. Mendoj se përkthimet madhore të Nolit janë nisur jo vetëm nga vlerësimi letrar-artistik, por më tepër e më nga vokacioni i tij atdhetar. Ndryshon puna me përkthimin e disa poezive.

            Si mendimtar i madh, Noli kishte nevojë për hapësirë të gjerë e horizont të kthjelltë mendimi. Këtë e ndjente, e quente të nevojshme dhe e dëshironte edhe për popullin e tij, për atdheun e tij; prandaj ai përkthen krahas Ungjijve edhe Rubairat. E gjithë veprimtaria e Nolit buron nga militantizmi për lirinë e mendimit, ushqehet nga kultura e tij shumë e gjerë dhe ndizet e merr flakë nga pathosi qytetar, për t’i dhënë forcë e energji veprimi idealit të tij atdhetar. Noli kërkon t’i japë dritë një populli që porsa ka dalë nga errësira e thellë otomane e që sorollatet në një qorrsokak vështirësish për të krijuar shtetin e vet dhe çdo gjë tjetër, duke filluar qoftë edhe nga ripërtitja e identitetit. Dhe këtë dritë ai e sheh në vazhdën e rilindasve, tek përqafimi i kulturës, nëpërmjet lirisë së mendimit – një çlirim shpirtëror deri në skajet më periferikë të ndërgjegjes kombëtare.

            Të lexosh Khajamin është sikur të përballesh me një enciklopedi të tërë filozofike humaniste, të realizuar në një nga veprat më kulmore artistike të letërsisë botërore, sendërtuar gjithsesi me një thjeshtësi të skajshme. Thënë në mënyrë më se të thjeshtësuar, në morinë e motiveve, dy janë kolonat vertebrale, kryemotivet e Rubairave: gëzimi epikurean, hedonist i jetës –  “carpe diem” e romakëve – dhe qëndrimi stoik përballë vështirësive të saj. Polemika me fetë, kryesisht me dogmat e saj sillet rreth këtyre dy poleve, dy filozofive. Nuk ka këtu ndonjë kontradiktë, aq më pak alarmante, siç është interpretuar aty-këtu. As për Khajamin që i krijon rubaitë e as për Nolin që i përkthen. Sepse jeta i ka brenda saj të gjitha: edhe gëzimet edhe vështirësitë. Të parat duhen jetuar, të dytat duhen përballuar. Eshtë vetë jeta që i jep përparësi njerës ose tjetrës doktrinë filozofike, në rastet emergjente të saj, pa krijuar ndonjë kontradiktë, në kuptimin e plotë të fjalës. Në këtë hulli duhet interpretuar edhe militantizmi Khajam dhe Nolian për lirinë e mendimit.

            I rreshtuar me Khajamin, si një shqiptar i vërtetë që has shumë vështirësi në jetë dhe fare pak, gëzime dhe i ushqyer nga vokacionet e tij atdhetare e fetare, Noli i jep përparësi qëndrimit stoik në jetë. Kjo shihet në gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij. Del qartë tek përkthimi i Rubairave dhe sidomos në komentin që i bën atyre. Noli bashkë me Khajamin, së bashku me stoikët, mendojnë që njeriu duhet të jetojë i mbështetur tek arsyeja, në harmoni të plotë me natyrën, me ligjët universale të saj. Dhe në këtë rrugë, virtyti është e vetmja gjë e mirë, e vetmja vlerë, vlera më pozitive e njerëzimit. Për të realizuar detyrën e tij, njeriu duhet ta gëzojë jetën, kënaqësitë që jep ajo, t’i përballojë vështirësitë, vuajtjet, duke u ngritur mbi pasojat e fatit dhe duke arritur lirinë shpirtërore në pajtim me logjikën hyjnore, që drejton gjithësinë, natyrën dhe njerëzimin gjithnjë nga e mira.(Dielli-Arkiv.Vijon)

Referencat dhe shënimet:

 

1).  “Flamurtar i kombit”, përmbledhje e një seminari studimesh, i organizuar nga “Vatra”, në vitin 1982, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nolit, dhe botuar nën editimin e Eduard Liços, në Boston, Mass.; artikulli “Kontradiktat e Nolit”(f. 63), artikull pa autor, por i shoqëruar me shënimin: “Përmbledhur nga një shkrim që pat dalë në revistën ‘Mbrojtja Kombëtare’, botuar në N. Y., në v. 1966.

2). “Rubairat e Omar Khajamit” I shqipëroj Rushit Bilbil Gramshi. Edicja e dytë e ndrequr dhe e plotësuar, Bruxelles, 1927, f. 13-14.

3). Namik Resuli “Fan Noli sot”, në “Flamurtari i Kombit”, f. 10-11.

4). “Albumi II i Hirësisë Tij Peshkop Fan S. Noli dhe biografi kronollogjike prej Qerim Panaritit”, Boston, Massachusetts, 1966.

5). Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Noli Vepra 1”, Tiranë 1987, f. 10-11.

 6). Fan S. Noli “Autobiografia”, Prishtinë, 1968, f. 27.

7) Po aty, f. 31.

8). Rev. Arthur Liolin “Reflektions on Metropolitan Theophan S. Noli”, në “Flamurtari i Kombit”, f.111.

9). Po aty, f. 111: “We know also that he considered his translation and compilation of the Kremtore Menaion…as his most rewarding achievement”.

10). “Dielli”, June 1, 1982, p. 12.

11). Rev. Arthur Liolin, artikulli i cituar, f.111.

12). Edhe vokacioni letrar i Nolit është i hershëm: ai botoi skicat e para letrare në revistën demokratike greke “Numas”, në vitin 1903. (“Noli Vepra 1”, f. 381).

13). Hobhouse, J. C. a Jorney through Albania and other Provinces of Turkey in Europe and Asia, to Constantinople during the years 1809 and 1810, London 1813, p.148.

14). Kështu, kur diskutohet për “homo balcanicus” duhet saktësuar mirë vija e brendshme e demarkacionit të “njeriut ballkanas”, gjë që vijëzohet në faktin se si e identifikon veten ai. Fatmirësisht, shqiptari, i dalluar për qartësi të plotë të vetëdijes etnike, nuk e ka identifikuar veten me besimin, siç kanë bërë dhe bëjnë edhe sot e kësaj dite grekët e serbët

15). “Flamurtari i Kombit”, f. 28.

16). “Rubairat e Omar Khajamit”, f.14.

17). Po aty, f. 14.

18). “Noli Vepra 1”, f. 51.

 

 

Filed Under: Analiza, Kulture Tagged With: 1, Anton Cefa, dhe kontradiktat, e Nolit, Vokacioni atdhetar

LIBRI I DËSHMISË SONË TË SHUMANSHME MBI FUNKSIONIMIN E SHKOLLËS SHQIPE NË MËRGATË

August 3, 2013 by dgreca

 Fetah Bahtiri: “DRITË, NGROHTËSI, OPTIMIZËM, LIBËR DOKUMENTAR – PËR SHKOLLËN SHQIPE NË STREHIMOREN SVENSHÖGEN, SUEDI, 1991 –  1994″/

Shkruan Sokol Demaku/

Libri “DRITË, NGROHTËSI, OPTIMIZËM, Libër dokumentar për shkollën shqipe në Strehimoren Svenshögen, Suedi, 1991 – 1994″, është një vepër me shkrime autoriale dhe dokumentare nga përvoja e vetë autorit Fetah Bahtiri, siç e thotë edhe titulli, në të cilin përfshen shkrime, studime dhe dokumente që u kushtohen punës dhe arsimit në mërgatë, si dhe punës dhe angazhimit e sakrificës së mësuesve, prindërve dhe nxënësve shqiptarë. Libri është botuar në nderim të 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, me botues Shoqatën e Shkrimatrëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Suedi, Papa Klementi i XI Albani. 

          Libri është vlera më e madhe e njeriut. Pa libër, si pa sy, e të jesh pa sy në ditët e sotme nuk është edhe aq lehtë, pra si pa miqësi në mes njerëzve, sikur pa krah mes zogjëve, kjo shprehje është dëgjuar dhe ka qenë e përhershme në popullin tonëtë shtypur me shekuj. Kur, njeriu ka librin, atëherë ai është më i pasur me dije. Nuk ka pasuri më të madhe për njeriun se libri, kjo është një e thënë e kahmotshme e cila dhe sot është aktuale por, athua e kuptojmë të gjithë ashtu si duhet. E në bazë të kësaj na del se libri nuk e urren  njeriun, por ka njerëz që e urrejnë librin. Libri dokumentar është një histori në vete. E thotë të vërteta e jetës.

          Ky libër dokumentar është më i rëndësishëm se sa një vepër artistike. Aty flasin faktet, ngjarjet, momentet, kohët, fotot, raportet, shënimet, ditarët, por flasin edhe dokumentet tjera, të cilat e bëjnë librin të fortë dhe të qëndrueshëm. Këto janë dokumente te cilat janë ruajtur nga vetë autori gjatë kohës së punës së tij si mësues së pari në vendstrehimet e shqipatrëve në Suedi e pasatj edhe gjatë kohës kur ai punon si mësues i rregullut i gjuhës amtare në mërgatë.

          E duke u nisur nga një e dhënë preznete në kohën e mërgimit të shqiptarëve në mënyrë masovike nga dhuna sistematike, edhe shkolla ka rëndësinë dhe vendin e vet, prandaj,çdo klasë apo shkollë shqipe e hapur në mërgim ishte dhe edhe sot është në shërbim të atdheut. Shkolla shqipe nëpër shekuj është ngritur mbi një sakrificë sublime, por edhe mbi një krenari kombëtare, e kjo ka qenë prezente që nga dita e marrjes së rrugës së mërgimit të mijëra e mijëra shqiptarëve. Në të vërtetë, mezazhi kryesor i këtij libri është: në kohën kur pushtuesi barbar serb në Kosovë i mbyllte shkollat në gjuhën shqipe, në mërgatë hapeshin dhe lulëzonin këto shkolla, falë largpamësve dhe intelektualëve tanë të kalibrit të një Fetah Bahtiri, e që frymonin këtu. Qëllimi kryesor ishte që fëmijëve tanë në mërgim  t`u jepet dritë, t`u ofrohet ngrohtësi dhe ata të ushqehen me optimizmin për jetë, opër të ardhmen, për lirinë dhe çlirimin nga zgjedha serbosllave.

          Kur jemi te libri dokumentar i Fetah Bahtirit, në të cilin në çdo shkronjë gjejmë dhe hasim të flitet për shkollën shqipe në mërgim, duhet të kemi parasyshë mësuesin Fetah, autorin e dokumentarit, i cili në mërgim nuk është vetëm mësues, është edhe prind, ndihmon nxënësin të mos i mungojë drita e dijes jo vetëm në vendin e strehuar, por edhe më tej edhe sot e kësaj dite. Sipas autorit misioni i mësuesit në mërgim është i shenjtë, ndërsa dijedhënia është fisnikëri.

          Mësuesi që është në lartësinë e detyrës së tij ruan me fanatizëm gjithë atë çka ai vetë ka servuar për nxënësït e tij së pari, pasatj për bashkëkombësit, të cilëve u vjen në ndihmë në çdo moment dhe në çdo aspekt e këtu do vërejmë se mësues Fetahu secilin pohim e përshkruan me modesti dhe fakte konkrete, me dokumente të skanuara dhe fotografi orgjinale nga secila kohë kur bëhet përshkrimi i ngjarjeve dhe veprimeve e angazhimeve.

          Dua të them se njerëzit që lexojnë, komunikojnë dhe shkruajnë, që kanë në memoriet e tyre një kapital të fortë dhe të shëndoshë janë një antologji në vete, kur kemi të bëjmë me çështjen kombëtare.  Në ditët e sotme  kemi  plot artikujt dhe libra të botuara, e që janë një thesar me vlerë në këtë drejtim, ku edhe dokumentari i Fetah Bahtirt sa vjen dhe e pasuron këtë thesar të mërgatës sonë.

         Veprat e tilla do jenë një  frymëzim për gjenerata të tëra pasardhësish. Ky Dokumentar është një shembull për gjeneratat e reja, për ta vazhduar imazhin tonë pozitiv në botë, që të mos ndërpriten asnjëherë urat e miqësisë kulturore ndërmjet popujve si vlera të vjetra me vlerë të kombit tonë.

          Çdo shkrim, dokumentim, fotografi, skicë, ditar pune, listë emrash të nxënësve të botuar janë vlera mbi vlera, janë dokumente të cilat flasin dhe do mbesin në kujtesën e atyre që përjetuan mërgimin, por do të jenë edhe një udhërrëfyes për ata të cilët do ta vazhdojnë jetën në vendet të cilat përshkruhen në dokumentar.  Ato thesare të shkollës shqipe në mërgatë, janë krenari e nxënësve, mësuesve të cilët me vullnetin dhe sakrificëne  e tyre e bënë të gjallë mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë. Kështu krijohet respekti, kështu shprehet krenaria dhe fitohet respekti dhe mbështetja.

          Fetah Bahtiri me këtë vepër argumenton se është zëdhenës i shkollës shqipe në diasporë, është prezentuesi i kulturës dhe traditës shqiptare në mërgatë. Ështe ai i cili vuri bashkëpunimi kulturor midis dy vendeve, është ai i cili së bashku me nxënësit e tij rrëmbeu zemrat e mikëpritësve suedezë dhe realizoi idelain e tij që edhe fëmijët shqiptarë t`i mësojnë shkronjat në gjuhën e tyre, të këndojnë në gjuhën e  tyre.

          Autori në mënyrë kronologjike na paraqet ngjarjet që  nga koha e ikjes masive të shqiptarëve nga Kosova në vitin 1990 dhe vendosjen e etyre në strehimoret në Suedi. Konkretisht ai ndalet në strehimoren e Svenshögen në krahinën perëndimore të Suedisë, ku edhe ai do jetë me familjen e tij. Këtu, pra, është zanafilla e gjithë asaj që na paraqitet në këtë libër dokumentar të Fetah Bahtirit. Është viti 1991 kur për herë të parë fillon edhe mësimin në shqip në këtë strehimore me mësues Fetahun. Përshkrime bindëse, përshkrime të cilat me argumente na rrëfejnë jetën e ardhacakëve të rinj përmes fotografive në klasë, në aktivitete kulturore, takimet me prindër. Autori nuk le pa përmendur këtu edhe ndihmën e shtetit suedez në këtë drejtim. Autori do na pasqyrojë ditarët e punës, listat e nxënësve, ftesat për mbledhje prindësh, po edhe lajmërimet e ndryshme dhe ftesat për festat e komunitetit shqiptar në strehimore. Por, autori do të vazhdojë me prezentimin e punës së këtij komuniteti dhe lidhjet e krijuara me vendësit suedezë si dhe autoritet e arsimit për ndihmë shkollës shqipe këtu.

          Sa mund të kuptojë lexuesi nga përmbajtja e librit dokumentar të Fetah Bahtirit, ”Dritë, ngrohtësi, optimizëm”, njeriu vjen deri te një konkludim me siguri shumë të arsyeshëm dhe bindës, se autori është një ndër ata të pakët që posedon një ”Arkiv”, i cili do të jetë një burim frymëzimi dhe një argument i qëndresës së populit tonë dhe realizimit të aspiratave shekullore për liri e pavarësi. Ky libër do jetë një udhërrëfyes për gjeneratat e ardhme se si duhet ruajtur gjuha, kultura dhe tradita në mërgatë. Duhet të jetë një dritare për një vazhdimësi edhe në të ardhmen në mënyrë që tradita, gjuha dhe kultura të jenë prioritare për të gjitha gjeneratat edhe në të ardhmen.

          Për kompletimin e këtij shkrimi për këtë vepër të rëndësishme dhe për portretin e mësuesit, pedagogut, poetit Fetah Bahtiri, po e japim edhe një fragment nga Pasthënia e librit ku autori thotë:

          “Posaçërisht jam i lumtur që gjatë viteve 1991 – 1994 nuk ka pasur asnjë, po përsëris, asnjë fëmijë shqiptar në strehimoren Svenshögen që nuk e ka ditur përmendësh Himnin e Flamurit Shqiptar.   Jam i gëzuar që kam pasur mundësi t`u ndihmojë e t`u shërbej fëmijëve të popullit tim, e në këtë mënyrë edhe atdheut tim.

  Kësi shërbimi popullit dhe atdheut tim në Suedi i kanë bërë me qindra bashkatdhetarë të tjerë, mësues vullnetarë dhe Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë ”Naim Frashëri”, Dega në Suedi në krye me Bedri Pacin.Prandaj, ky dokumentar i dedikohet pikërisht atij batalioni të mësuesve shqiptarë të cilët vullnetarisht punuan me vite të tëra me fëmijët tanë anembanë Suedisë, ruajtën gjuhën, histoirinë e kulturën tonë dhe shpërndanë dritë, ngrohtësi e optimizëm për atdheun, për jetën dhe për të ardhmen.”

Filed Under: Kulture Tagged With: e shkolles shqipe, Fetah batri, libri i deshmise, ne emrgate, per funksionimin, Sokol Demaku

Heminguei rikthehet përsëri

August 3, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Nuk është ndonjë lajm sensacional për ndonjë klonim të shkrimtarit të madh, nëse do të ndodhte, do të ishte një mrekulli, por është vepra e tij që vazhdon të flasë për të. Në ditët e sotme ndoshta do të kishim më shumë dëshirë të kishim mes nesh njerëz të tillë, sesa hipokritë politikanë që vazhdojnë ende pas kaq kohësh të qëndrojnë të kapur pas krizës që t’i japin kështu një shpjegim situatës ku ndodhet bota. Që të flasin për ristratim të republikave të reja, degjoni, degjoni, pasi republika e vjetër që vetë ata e ngritën, e zhytën në kaos, e nëprkëmbën sikur të ishin padronë dhe më pas nxorën nofkën për një republikë tjetër, më të drejtë dhe më të mirë. Vitet kalojnë dhe politika mbetet në të njëjtat pozicione, me të njëjtat parulla. Dhe sa kohë duhet të presin njerëzit që të shohin atë që është shkruar në kushtetuta? Dhe sa kohë do të dëgjojnë të njëjtat broçkulla? Por le t’i kthehemi letërsisë dhe autorit Heminguei.

Ndodhi ajo që mund t’i ndodhte secilit shkrimtar në faqet e para të shkrimeve, të historisë së vet në letërsi. Dikush, ndoshta edhe duke e vlerësuar pak si tepër intuitën e vet, a nuk jetojmë në të njëtën botë qysh kur ajo u ndërtua, nuk e mori parasysh, apo e përbuzi një të ri 25 vjeçar, duke ia prerë kështu krahët me një vendim të prerë që nuk do e bonte veprën e një të panjohuri. Por historia nuk u ndal aty për shkrimtarin e ri, pasi rrugën e hapi me guximin dhe penën e vet, derisa arriti majat në panteonin e emrave më të shquar botërorë. Kush kishte të drejtë, Heminguei apo revista? Këtë vështirë se mund ta thonim qysh në fillim, pasi është fakt se revista e kishte një emër të madh në jetë, ndërsa shkrimtari ishte ende i panjohur. Deri këtu asgjë nuk i shmanget pragmatizmit dhe dialektikës: do të vlerësohet emri i njohur dhe jo i panjohuri. Por revista gaboi me sensing e saj të gjashtë, pasi nuk arriti ta kuptonte se një ditë, ai djalosh do të bëhej një mjeshtër i fjalës dhe me famë. Prandaj nëse ka mes jush, e kam fjalën për lexuesin, prej tyre që diku nëpër sirtarë ka ruajtur ndonjë fletore me shënime apo krijime, të mos bëhet pre e gabimit të revistës amerikane. Nuk i dihet sesi vjen rrotull bota. Aty ku të refuzojnë, mund të pendohen një ditë. A do të jetë vonë? Vonë nuk është kurrë për të riparuar gabimin, por a do të ketë dëshirë vetë autori t’I besojë organit që deri dje e mbajti larg? Nuk është rasti i parë, por as i fundit. Sa të tjerë kanë patur të njëjtinfat dhe më vonë bënë histori me veprat e tyre? Gabimi fatal me Heminguein u bë 90 vjet më pare, bile janë gati ta riparojnë, por  janë trashëgimtarët e autorit që nuk ibnen më. Ndoshta i ati ua ka lënë amanet ngjarjen, apo ndoshta u shmangemi vendeve ku dikur na refuzuan, me idenë se është e kotë të trokasësh në derën e mbyllur.

Jeta ime në aerë me Donald Ogden Steëart, është titulli i historisë që u shkrua prej tij kur ishte 25 vjec. Janë 5 faqe, me ton humori, ndërsa po përfundonte Festa dhe Rrëketë e pranverës. Heminguei e dinte se ishte humorist – thotë i biri Patrik. U frymëzua prej Mart Tuenit. Në fakt historia nuk ka asnjë vlerë letrare. Nuk jam një fans i madh i revistës, pasi është e destinuar për mendimtarë luksi, për atë që kënaqet që ka një makinë Jaguar, sesa një Mini.

Manaxheri i revistës që merret me te drejtat e Hemingueit thotë se i kushtojnë shumë vëmendje veprave të papublikuara. Nëse do të ishte gjallë do ta kishte nder të botonte tek Vanity Fair ose do t’ia destinonte punët një lloji analize erudite që ta tregojë sesi evoluon një shkrimtar. Por tashmë për revistën duket se është diçka e pariparueshme ngjarja e 90-t viteve më parë. Na ndodh shpesh në jetë të nxitohemi për të bërë gjëra që nuk do na e marrë mendja kurrë se po gabojmë që në hapin e parë. Për më tepër me emra të mëdhenj si Heminguei që vazhdojnë edhe sot të na magjepsin me historitë e tyre të derdhura në art. Plaku dhe deti, a nuk është kryevepra që gjithëkush do të donte ta shkruante? A nuk është historia filozofike më e fuqishme që e kanë kërkuar edhe shumë filozofë të tjerë: lufto deri në pikën e fundit dhe kurrë mos u dorëzo para vështirësive të jetës, para të panjohurave. Revista Vanity u nxitua, duke e humbur betejën e saj të drejtpërdrejtë, por edhe më të rëndësihmen me gjigandin Heminguei. Besoj se edhe në ëndërr revista e sheh dhe risheh atë vendim përbuzës të gati një shekulli më parë dhe nuk gjen më qetësi. Ëndrrat herë janë të bukura, herë të pakëndshme, por vërtetohen vetëm kur bëhen realitet. Dhje realiteti flet sot me një gjuhë refuzuese në krah të kundërt. Shpërblim mëse i merituar, me të njëjtën monedhë.

Vendimii i trashëgimtarëve është se duan ta botojnë, por jo tek revista amerikane. Do të dalë me volumin e dytë, Letra të Ernest Hemingueit 1923-1925, që do të botohet vitin e ardhshëm.

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, Letrat e Ernes Hemingway

Kongresi Amerikan nderon Ermira Babamustën “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare”

August 3, 2013 by dgreca

Ne Foto: Ermira-Babamusta-me-dekorimet-nga-Kongresi-Amerikan-dhe-Senatori-Harry-Reid-Washington-DC/

Nga: Nora Kalaja/

Washington DC- Kongresi Amerikan ka nderuar atë e bijë, Neki dhe Ermira Babamusta për herë të dytë për veprimatarinë e tyre demokratike dhe diplomatike midis dy kombeve shqiptaro-amerikane (2004 & 2013). Me rastin e pavarësisë të Amerikës, dhe kontributin e dhënë nga familja Babamusta në ndërtesën e Kongresit Amerikan (U.S. Capitol Hill)  janë ngritur dy flamurë me datë 4 korrik 2013. Në ceremoninë solemne “Mirësevini në Washington” të organizuar nga Senatori Harry Reid, Udhëheqës i Shumicës në Senat (Senate Majority Leader) në dhomën e senatit “Lyndon Baines Johnson Room” në Kongresin Amerikan, me 1 Gusht 2013, e ftuara Ermira Babamusta ka pranuar njohjen nga senatori dhe dy dekorimet: Ermira Babamusta – Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013 dhe Neki Babamusta –  Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë 2013. Ermira gjithashtu pranoi dekoratën në emër të babait dhe familjes.

Gjatë takimit Ermira i dhuroi senatorit Harry Reid një punim tradicional me simbolin shqiptar, shqiponjën me dy krena, si shenjë respekti të forcimit të lidhjeve kulturore-diplomatike Sh.B.A.-Shqipëri-Kosovë. Pas ceremonisë stafi i senatorit Harry Reid e shoqëri Ermirën, si të ftuar nderi për një vizitë të Kongresit Amerikan, duke përfshirë dhe vizitat në Galerinë e Senatit Amerikan dhe Dhomën e Përfaqësuesve, pamjen e replikës të dokumentit historik me principe të kushtetutës amerikane “Magna Carta” brenda ndërtesës së Kongresit Amerikan si dhe Dhomën e vjetër të Gjykatës të Lartë (1810-1860) dhe dhomën e vjetër të Senatit Amerikan (1810-1959)

Dr. Ermira Babamusta u vlerësua nga Kongresi Amerikan me nderimin e lartë “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013” (International Humanitarian Efforts) për punën e saj të jashtëzakonshme humanitare – diplomatike, si një zë i fuqishëm dhe inspirues për Amerikën dhe Kosovën në promovimin dhe mirkuptimin e dy kulturave shqiptaro-amerikane, dhe fuqizimin e rolit të gruas në Kosovë dhe botë. Çertifikata e njohjes dhuruar Ermira Babamustës me këtë rast nga senatori Harry Reid vlerëson kurajon, udhëheqjen dhe kontributin e saj në zhvillimin dhe përhapjen e kulturës dhe historisë midis dy kombeve. Ermira Babamusta është gjithashtu edhe fituesja e çmimit “Gruaja Ndërkombëtare e Kurajos” nga Instituti i Paqes Kessel, Sh.B.A.

“Falenderoj Kongresin Amerikan dhe senatorin Harry Reid për vlerësimin që më dhanë si “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013”, për punën time humanitare diplomatike në Kosovë. E vlerësoj këtë takim me Senatorin Harry Reid si moment historik për marrëdhëniet tre palëshe – Sh.B.A. –Shqipëri-Kosovë dhe përkrah përpjektet amerikane në këtë drejtim. Gjatë takimit me senatorin Harry Reid në Kongres theksova rëndësinë e marrëdhënieve Sh.B.A.-Shqipëri-Kosovë dhe potencialin e bashkëpunimit midis këtyre vendeve, si dhe falenderova qeverinë amerikane për kontributin e jashtëzakonshëm për interesin e përbashkët të paqes dhe demokracisë. Senatori Reid foli për vizitën e tij në Shqipëri dhe përshtypjet e mira që kishte. Po në Kongresin Amerikan në 2004 jam takuar me ish-sekretarin e shtetit Colin Powell dhe kam folur para Senatit Amerikan ku kam falenderuar qeverinë amerikane për mbështjetjen e fortë ndaj Shqipërisë dhe kam ngritur çështjen e Pavarësisë të Kosovës. Do vazhdoj më tej përpjekjet e mia për të fuqizuar lidhjet midis vendeve tona, për çështjen shqiptare, mbrojtjen e lirisë, demokracisë, drejtësisë si dhe mbrojten e drejtave të grave, dhe vlerave  kulturore-artistike-historike të shqiptarëve në vend dhe diasporë,” theksoi Ermira Babamusta.

 “Jam krenare që Kosova ka patur sukses në platformën ndërkombëtare në rrugën e njohjes së shtetit. Përgëzoj udhëheqejen e Kosovës dhe Sh.B.A-së, për punën e tyre të jashtëzakonshme në këtë drejtim, në veçanti: Presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi, zv. Kryeministrin Bexhet Pacolli, zv. Kryeministren Edita Tahiri, ministrin Enver Hoxha, Ambasadorin Akan Ismaili, Ambasadoren Tracey Jacobson, Presidentin Obama dhe Clinton, zv. Presidentin Joe Biden dhe senatoren Hillary Clinton, Konsullin Dritan Mishto, etj. I uroj shtetit kosovar një progres të mëtejshëm ekonomik, politik dhe social. Kosova dhe Shqipëria kanë mundësinë të bëhen perlat e Europës nëse forcohen akoma më shumë standartet vendore,” shtoi Dr. Ermira Babamusta, eksperte e punëve të jashtme.

isioni diplomatik-kulturor i Ermira Babamustës në Kosovë dhe mbrojta për paqe e drejtësi

Në 2007 dhe 2012-13 Ermira Babamusta kreu dy misione diplomatike-kulturore në Kosovë për njohjen e pavarësisë në Kosovë, mbrojten e paqes, demokracisë dhe drejtësisë në vend, dhe lobimin e integrimit europian të Kosovës. Ermira Babamusta është angazhuar që në fillim të viteve 90-të për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, nëpërmjet organizatës patritoke themeluar nga babai i saj, Neki Babamusta. Në vitin 1999 Ermira vazhdon lobimin për çështjen Shqiptare në Miçigan, Sh.B.A. Me angazhimin dhe punësim në Kongresin Amerikan, Ermira e ngren çështjen e pavarësisë së Kosovës para senatit amerikan në 2004 me ish-sekretarin e shtetit, Colin Powel.

Në takimin me Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Kofi Anan gjatë punës së saj në Departamentin e Paqes, Ermira Babamusta shprehu qëndrimin për përcaktimin e statusit final të Kosovës. Në takimet zhvilluar në 2010 me Komitetin Europian në Strasburg, Gjermani, Luxemburg, Hollandë dhe Francë Ermira Babamusta shton përpjeket për të siguruar bisedimet dhe njohjen e pavarësisë të Kosovës. Në korrespondencën me Presidentin Obama dhe zv. Presidentin Joe Biden dhe sekretarin e shtetit John Kerry Ermira ka falenderuar përkrahjen e Amerikës dhe ka kërkuar mbështetje nga Sh.B.A.-ja si dhe ka theksuar rëndësinë e një punimi të afërt me Kosovën në rrugën e saj drejt demokracisë dhe integrimit rajonal.

Puna e Ermirës në administratën e Presidentit Obama dhe promovimi i vlerave demokratike në botë

Në 2008 dhe 2012 Ermira Babamusta punoi për administratën e Presidentit Obama, si drejtoreshë gjatë zgjedhjeve presidenciale në amerikë në shtete të ndryshme, duke patur përsipër shtete kyçe gjatë fushatës si Florida, Ohio, Pennsylvania, Colorado, etj. Gjithashtu Ermira Babamusta ishte një nga drejtueset që organizoi për 75,000 amerikanë Kuvendin Nacional të Partisë Demokratike në Colorado, në 2008 ku senator Barack Obama pranoi nominim e partisë demokratike për president dhe dha fjalimin. Ermira mori ftesë nga Shtëpia e Bardhë në janar 2009 dhe 2013 në Washington DC për të qenë pranishëm në inagurimin e President Obamës me rastin e fitores. Në korrik 2013 Ermira Babamusta shërben si drejtoreshë rajonale e organizatës bamirëse “Projekti Borgen” që e pati nismën nga një aktivist amerikan pas misionit të tij me refugjatët e Kosovës në 1999. Kjo punë humanitare e Ermirës është pjesë e programit “Shërbimi Vullnetar i Presidentit” (President’s Volunteer Service Program), themeluar në 2003 në bashkëpunim me zyrën e Presidentit të Amerikës.

“Dua të ndjek në hapat e zonjës së parë, Michelle Obama, e cila ka dhënë kontribut të veçantë për komunitetin amerikan, sidomos për të rinjtë dhe familjet e veteranëve. Misioni im humanitar dhe për paqe për Kosovën, Shqipërinë dhe botën është një pasion i imi për të dhënë kontributin tim humanizmit, në mbrojten e të drejtave të njeriut, përhapjen e vlerave kulturore, demokratike dhe të paqes si dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturave të ndryshme të botës,” tha Ermira Babamusta, Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013 dhe Gruaja Ndërkombëtare e Kurajos.

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Gruaja Humanitare Nderkombetare, Kongresi Amerikan, nderon Ermira babamusten

KUJTIM PEÇI, INXHINIERI NENDETSEVE

August 2, 2013 by dgreca

Nga Albert HABAZAJ*/ drejtor I Bibliotekes te Universitetit Pavaresia, Vlore/

Rasti fatlum e pruri që të merresha me mbledhjen e kujtimeve për Kujtim Peçin, me grumbullimin, sistemimin dhe përzgjedhjen e materialeve, dokumenteve e gjërave të tjera me vlerë që plotësonin sadopak portretin e tij me dritë. Ishte pikërisht besimi dhe dëshira e zonjës Lavdie Peçi (Nuraj), bashkëshorte fisnike e të paharruarit tonë Kujtim, që më vlerësoi dhe më dha mundësinë të realizoj me përkushtimin tim një borxh, ndoshta pengun e nderit për Kujtim Peçin mikun tim të vjetër, intelektualin e shquar erudit, veprimtarin e spikatur të Labërisë dhe njeriun e dashur e të kërkuar të shoqërisë. I shpreh mirënjohjen time të thellë e të pastër zonjës Lavdie dhe dy fëmijëve të saj e të Kujtimit: Matildës dhe Armandit për vlerësimin, që, në përgatitjen e kësaj monografie për njeriun e tyre më të shtrenjtë, jam përpjekur ta përdor si visar dhe të mos e shpërdoroj. Ndërsa shoku im i halleve dhe gëzimeve, qysh në vitet ’80 të shekullit të kaluar Bardhosh Nuraj, i cili është njëkohësisht edhe nip i Lados, meriton fjalët më të mira nga unë për përkushtimin e papërtuar që pati për ndërtimin e këtij libri. E gjej mundësinë që bashkë me Bardhon, Ladon e të afërmit e familjes së Kujtimit të falënderojmë të gjithë ata miq, shokë, kolegë e adhurues të Kujtim Peçit, që patën mirësinë e shkruan mbresat, mendimet e kujtimet e tyre, pa të cilët libri nuk do quhej libër. Nga pasuria e tij shpirtërore Lutfi Gjika më dhuroi me mirësi këshillimin e domosdoshëm, që ky libër të ndërtohet me shëndetin e vërtetë e të pastër për një nga miqtë e tij më të mirë, heroin e kësaj monografie, Kujtim Peçin tonë të paharruar, që jetoi në këtë planet 70 vjet, i lirë, si zogu në tramundanë…

Kujtim Peçi sa jetoi, jetoi i vërtetë, me dinjitet vetjak, familjar e shoqëror, me vlera morale të larta, që e zbukurojnë hijshëm personalitetin e tij, si rruaza të arta virtyti. Ai ishte i ditur dhe i guximshëm, saqë me lirinë e tij intelektuale ai u shndërrua në një model shkëlqyer për njerëzit e fjalës dhe të veprimit, i bindur në realizimin e lajtmotivit të tij: të përmirësohemi duke përparuar. Ka një shprehje Umberto Eko: “Të jesh i lirë do të thotë para së gjithash ta thuash të vërtetën. Vetëm e vërteta na bën të lirë”. Ndërsa shkrimtari dhe filozofi i njohur frëng Albert Kamy shkruante: “Të jesh i lirë nuk do të thotë të flasësh çka do, as të shtosh numrin e gazetave për plot skandale, as të vendosësh diktaturën e re në emër të një lirie të ardhshme, ku shumëzohet rrena, vazhdohet tirania, sepse ajo i shkatërron në mënyrë të pamëshirshme të gjitha vlerat”. Jo pa qëllim evidentova dy sentenca të dy mendimtarëve të njohur, sepse, të paktën që nga viti 1998 , kur bisedova për herë të parë me Kujtimin deri në vitin 2008, kur ai ishte mirë e pa shfaqje shqetësimesh shëndetësore, Kamy e Eko u bënë për ne shëruesit tanë të vlefshëm, që na furnizonin me ushqim shpirtëror “mendim Blo” thoshnim ne.

Kujtim Peçi është njeri i vërtetë, i lirë, dinjitoz, i pabujshëm për vlerat burimore dhe të fituara përgjatë 70 viteve, të cilat u bënë pjesë organike e qenies së tij. Na ka ikur një thesar. Shpirti i veprimit, mprehtësia dhe krenaria që ai mbartte e bënë të njohur në shoqëritë përkatëse ku punoi, sepse gëzonte respektin e të gjithëve për guximin, për ndershmërinë dhe për aftësitë profesionale. Vlerat e tij intelektuale rrezatojnë në arkivin e MEMORIES SË QYTETIT TË VLORËS DHE LABËRISË.

Ideali i tij i pastër, fisnikërisht qytetar çeli udhë për progresin dhe demokracinë, sepse Kujtimi e donte me gjithë forcën e shpirtit përparimin. Edhe ky libër është një homazh për të evokuar sadopak jetën dhe veprën e tij të mirë. Kujtim Peçi ka patur një veti që e ka karakterizuar tërë qenien e tij: Dashuria për atdheun, vendlindjen dhe profesionin. Ai nuk lindi profesor e shkencëtar, kjo e bëri të tillë. Fatlumsisht ndihem i nderuar që njoha dhe pata mik një njeri të mbushur me frymë dashamirësie, siç ishte dhe ngelet për mua Kujtim Peçi, i njohur dhe i vlerësuar nga shoqëria për pasurinë e Shpirtit të Bukur, të Mendimit të Kthjellët dhe të veprimit të Drejtë. Poeti Kits ka thënë: “Bukuria është e vërteta, e vërteta është bukuria”. Edhe bukuria e shpirtit të Kujtimit ndolli vetëm mirësi, harmoni, dituri dhe dashuri njerëzore. Sa i mirë qe! Sa shpejt që iku! Ah, more Kujtim! Le gjithë ato projekte të çmuara në mes. Ike…Na le…vetëm…U nxitove Kujtim, u nxitove…Na prishe punë, o mik i mirë! Po të paktën, na e le të drejtën për pemën e jetës dhe për të hyrë në Portat e Qytetit. Dhe kjo s’është pak. Është shumë. Të faleminderit!

Ishte pranvera e vitit 1998. Me një grup veprimtarësh idealistë, intelektualë të Labërisë mblidheshim shpesh herë e diskutonim me dëshirë, zjarr e shqetësim se çfarë duhej bërë për mbarëvajtjen e shoqërisë labe në kushtet e reja, në rezonancë me proceset demokratike, që na mbushnin me dritë besimi edhe për zhvillimin e trevës së Labërisë. Duhej riorganizuar Shoqata Atdhetare “Labëria” si kudo në Shqipëri, ku ka labër, edhe në Vlorë, aq më tepër që Vlora është zemra e kësaj treve me histori lavdi mbuluar për vete dhe për kombin.

Ishim një bërthamë entuziaste me burra me peshë, djem të mirë Labërie, si të paharruarit Kujtim Peçi, Njazi Hamzaraj, prof. Zeko Braho, Brahim Haxhiu, i biri i Osmën Haxhiut të epopesë së Njëzetës, Pelivan Bajrami, Idajet Jahaj, Serri Xhaferi, veterani Haki Gjondeda, Sejmen Gjokoli, muzikologu i paharruar Haxhi Dalipi, Mëno Gjoleka si nur, që i ndrittë kujtimi, Pirro Adem Xhaka, Tomor Lelo, prof. Bardhosh Gaçe, Hiqmet Mehmetaj, unë e plot e plot të tjerë që e donin dhe e duan Labërinë aq shumë sa s’e këmbejnë t’u falësh botën!

Diskutonim shpesh, sidomos te çerdhja ku na mblidhte arkeologu i përkushtuar Novruz Bajrami, për ruajtjen e zhvillimin e mëtejshëm të traditave e zakoneve të nderuara të trevës labe si pjesë e pandarë e thesarit të madh të traditave mbarëkombëtare.

Mbaj mend që Kujtimi me atë qetësinë e tij gati olimpike na jepte mendime të vlefshme, me argumente për kontributet që intelektualët labër kanë e mund të japin në fushën e arsimit e kulturës, të dritës naimiane që ata ndezin në mbarë vendin e nëpër botë.

Më kujtohet që vinin shpesh në Vlorë Ibrahim Gani, Halil Qendro, Daut Gumeni, Lavdie Nanaj, Skënder Hasko, Lirim Deda, Pëllumb Tare, i paharruari Halo Abazi etj., nga Tirana, sepse donin Labërinë si mëmën e tyre, sikurse dhe ne të tjerët. Shpesh recitonim vargjet e bukura e të mahnitshme që Çajupi ka thurur për Labërinë. Kujtimi i kishte shumë për zemër. Atëherë dolën edhe disa shqetësime e probleme që mund të shkaktonin dhe tensione, sidomos lart, në qendër, në Tiranë për shoqatën. “Nuk duhet ta lëmë të degjenerojë shoqata “Labëria” në levën e partive që hipin e zbresin nga pushteti, – na thoshte Kujtimi me fjalën e tij të ndershme e me mend. -Partia jonë është Labëria, ç’duhet të bëjmë ta nderojmë Labërinë – dhe na kujtonte thënien e madhe të Xhon Kenedit para bashkatdhetarëve amerikanë, ditën e betimit si president më 1960: “Mos kërkoni nga atdheu juaj, por shikoni ç’mund të bëni ju për të”. Me këshillat e tij të matura, Kujtim Peçi më dukej si Nestori në legjendën homerike. Krijuam një respekt të vërtetë, të çiltër, aq më tepër kur miku i babait tim dhe miku im i vjetër Hiqmet Mehmetaj më prezantoi hollësisht me këtë shpuzë atdhetarie e diturie  nga Kuçi i Vlorës dhe lidhjet miqësore që kishin…

Rrodhën zhvillimet dhe më 13 maj 1998 në pallatin e Kulturës “Labëria” në ora 1100 u zhvillua mbledhja e përgjithshme për krijimin e degës së shoqatës “Labëria” për Vlorën me nismën e komisionit organizator, që përbëhej nga emrat e respektuar që përmenda më parë.

Mbas një takimi e diskutimi vërtet vëllazëror Vlora e Ismail Qemalit në kuvendin e saj zgjodhi kryesinë e re të degës së shoqatës “Labëria” për qytetin e Vlorës si dhe delegatët që do ta përfaqësonin në Kuvendin e Parë që u zhvillua në Tiranë më 5 qershor 1998.

Kryetari i degës së shoqatës “Labëria” për Vlorën më zgjodhën mua, nën/kryetar Kujtim Peçin dhe sekretar Hiqmet Mehmetin. Ruaj mbresa të pashlyeshme me këta dy miq, se u ingranuan me shpirt për Labërinë, për të përçuar mesazhe humane labëve tanë, qytetari e vullnet, për t’i kthjelluar njerëzit se Labëria prodhon dashuri, jo urrejtje.

…Unë ika në Itali dhe u shkëputa nga njerëzit e mi e miqtë këtu, sepse duhet të punoja, të kërkoja ndryshim më të mirë të jetës. Familja kishte kërkesa…Megjithatë s’është e nevojshme të zgjatem për këto probleme këtu, por përveç të tjerave nga Italia ruaj si flori në shpirtin tim takimet me të ndriturit Nermin Vlora e Renzo Falaschi disa herë në Romë dhe në vilën e tyre. Mora bekimin e fisnikërisë së tyre dhe më 2002 kthehem përfundimisht në Vlorë dhe filloi punë në Bibliotekën e Universitetit “Ismail Qemali”. Ritakova Kujtimin, rifilloi Biseda e Urtë me atë uragan mendimi që çlironte mirësi, mirësi, mirësi, si një burim i pashteruar asnjëherë. Kur kishte kohë të lirë vinte tek unë, te biblioteka e vogël (ish-mjekësorja), se aty afër kishte dhe shtëpinë, pinim nga një kafe e raki e bisedonim me kënaqësi e koha fluturonte pa e kuptuar. Më la dhe një libër në dorëshkrim për gjendjen e jashtme, parë me syrin e një vëzhguesi të hollë, me analiza deduktive, logjike gërshetuar dhe me mënyrën e arsyetimit të induksionit shkencor. M’i binte kapitull pas kapitulli materialet. Do t’i botojmë dhe ato se janë amaneti i tij.

Për herë të fundit, e kam takuar me prof. Spiro Caushin, te shtëpia e tij, kur qe sëmurë, para se të ikte. Tani Kujtim Peçi është përherë me ne.

 

 

KUJTIM PEÇI NË MEMORIEN TIME, nga Halil Bregasi

 

 

Rastësia, shpesh herë, çon në përmbushje detyrimi dhe, në ndonjë rast, është në madhështinë e mrekullisë.

E them këtë, sepse ishte rastësia në rastin konkret, që po çon në këtë shkrim, duke bërë që të kthehem deri 50 vjet prapa.

Ndodhesha në Bibliotekën e Universitetit “I.Qemali” Vlorë duke biseduar me njerin nga miqtë e mi më të mirë, (besoj se i tillë është edhe për shumë të tjerë, pasi karakterizohet nga virtyte të larta deri në lartësinë e fisnikërisë) zotin Albert Habazaj. Kishim disa probleme lidhur me promovimin e një libri (romani) që kisha botuar kohë më parë. Fjalë pas fjale, rrjedha e bisedës na degëndisi te shokët që nuk janë. Duke e përmendur edhe të ndierin Kujtim Peçi; Alberti nuk e dinte që unë e njihja apo kisha punuar me Kujtimin dhe më tregoi se ishte ngarkuar, si të them, në formën edhe të një amaneti, a si, por të përfundonte një libër me kujtime të të ndierit Kujtim.

Në çast fillova të tregoja duke e përshkruar Kujtimin ashtu si e njihja unë, gjë që Albertit i tërhoqi vëmendjen, andaj pyeti:

Ti e njihje Kujtimin?

Po, -i them, kemi punuar bashkë.

Dëshiron të japësh disa mbresa?

Në moment thashë po. M’u duk e lehtë, sikur thjeshtë do tregoja si e qysh ishim njohur, paçka se nga ana letrare mund të kishin edhe mangësi, gjë që, në ndonjë rast janë më të mira ashtu, thjesht.

Gati çdo ditë merrja lapsin dhe një fletore që e pata filluar me emrin e tij për të shkruar, dhe shkruaja e nuk i bashkoja dot dhe në ndonjë rast edhe e grisja fletën. Kështu, m’u kujtua ajo që kisha shkruar në romanin “Tre dasma në një”: “Të tregosh, duhet të kesh parë e dëgjuar; të shkruash atë që ke treguar, është e vështirë…”

Kjo po përsëritej për së dyti me mua tani që duhej të shkruaj ato që tregova me gojë para z. Albert Abazit në atë takim.

Rrjedha e jetës së një njeriu është gati e njëjtë  me rrjedhën e ujit. Buron diku (lind), formon rrëketë vogla (pra edhe në fëmini lë gjurmë), formohen përrenjtë (jeta merr drejtim e zhvillim), ata formojnë lumin që derdhet në det (pra njeriu aftësohet për ta drejtuar jetën); Por deti është i madh, ka dallgë të vogla por edhe të mëdha (pra jeta futet në dallgët e saj).

Në se këto burime, këto rrëke, përrenj lumenj, nuk vërehen, nuk shënohen diku e nuk emërtohen, atëherë ky proces (pra jeta e njeriut) ngelet e panjohur nga askush ashtu si burimi i tharë.

Nisur nga ky këndvështrim, shkruarja e një monografie, një memoriali apo lënia  e një libri kujtimesh, është domosdoshmëri, në mënyrë që ai burim të mos thahet se është burim jete, të mos harrohet asnjëherë se ka lënë prapa një tragë, rrëkeje, përroi a lumi.

Është arsyeja më bindëse për mua, për të përshëndetur iniciativën por edhe për të vlerësuar në maksimum punën e shkrimtarit që do e përgatisë këtë monografi.

Më bëhet shumë qejfi që do të shkruhet një e tillë edhe për një nga miqtë e shokët e mi të punës, për z. Kujtim Peçi.

Ishte viti 1960. Në një grup studentësh të Shkollës së Lartë të Nëndetëseve, shkuam për ti vizituar e takuar studentët ushtarakë të inxhinierisë. Grupi jonë i vogël nga tre vitet studimi. Na pritën 3-4 veta  në hollin e katit të parë. Ndërtesa e shkollës së inxhinierisë ishte me arkitekturë të veçantë. Vetëm si ndërtesë ia vlente ta shikoje, e jo më të takoje edhe bashkatdhetar. Duke biseduar e duke parë stendat e reliket që ishin varur nëpër muret, të tërhiqte vëmendjen stenda e të dalluarve. Disi në mes e pak sipër, në mos gaboj, në rreshtin e parë, ishte fotografia e Kujtim Peçit. Unë në atë kohë isha i dalluar vet dhe e kisha fotografinë time ashtu si po shikoja atë të Kujtimit, dhe kjo për arsye se unë isha i dalluar vetëm brenda grupit shqiptar të asaj shkolle, ndërsa Kujtimi ishte i dalluar i gjithë Shkollës së Lartë të Inxhinierisë, ku kishte studentë nga shumë shtete. Ndjeva bashkë me shokët një krenari që një shqiptar dallohej mes gjithë atyre shtetasve të tjerë. Vonë, kur isha në Pashaliman e kam mësuar faktin që ai kishte mbaruar me Medalje të Artë.

Në vitin 1961 filluam mësimet në Shkollën e Lartë të Flotës në Pashaliman. Ndjenim ndryshimin drastik të jetës studentore. I vetmi ngushëllim ngelej takimi, bisedimi e lojërat me oficerët e rinj të brigadës së nëndetëseve, të cilët kishin studiuar po në Bashkimin Sovjetik.  Në kohë e pushimit shkonim në territorin e Br.ND, dhe luanim e bisedonim me kuadrot atje. Vetëm Kujtimi nuk vinte për të luajtur. Jo atë do e shikoje me dosje nënsqetull, nga ndërtesa në nëndetëse e kthim. Të gjithë thoshin: Ai është shumë i ngarkuar. Duhej të kontrolloheshin e të korrigjoheshin instruksionet e aparaturave deri në imtësi duke iu përshtatur kushteve e nivelit të marinarëve shqiptarë. Nëndetësja funksionin nëse elektriciteti është në parametrat e duhura, ndryshe??? Për këtë Kujtimi përgjigjej direkt, ndaj dhe punonte pa pushim dhe orar. Jo vetëm që pa elektricitet nëndetësja është e vdekur, por sovjetikët kishin lënë dhe disa defekte që duheshin riparuar, dhe Kujtimi në gojën e shokëve të tij e kishte realizuar plotësisht qëllimin e detyrën.

Në vitin 1965 do ritakohesha me Kujtimin. Kisha shkuar në Pashaliman me Katerin Silurues që komandoja, vajta në Uzinën e riparimit të anijeve për të bërë riparimin e atij mjeti. Aty ishte dhe një ND, që riparohej nga specialistë kinezë. Kujtimi vinte shpesh, takohej me ne (ishte dhe anije Dragamine e vogël për riparim) dhe merrej me problemet që u kishin dalë atyre të ND. Të gjithë e njihnin  për më të aftin në njohjen e teknikës së ND . Por koha kur do e njihja direkt, jo më me të thënat e të tjerëve, ishte koha kur shërbyem të dy në shtabin e BUD-it Vlorë. Fillimisht na lidhi problemi i sigurimit të kuadrove nënoficer dhe të specialistëve punëtorë për ofiçinën e bazës. Kam njohur një Kujtim fjalëpak. Fliste kur duhej dhe aq sa duhej. Nuk merrej me llafe e përgojime për askënd. Shumë i përkushtuar për punën e në këtë kontekst, për atë nuk kishte mik e miqësi në marrjen në punë të dikujt. Më lehtësohej shumë puna pasi e bisedoja me Kujtimin. Ai ishte i prerë dhe shumë herë më mbronte në mbledhjet e emërtesës sidomos kur bëhej fjalë për specialistët, punëtor apo nënoficer. Fjala e tij ishte vendim, sepse ai para se të fliste e kishte analizuar në të gjitha drejtimet, pra ai fliste pasi ishte përgatitur dhe nuk vinte kurrë në diskutime pa u përgatitur. Kur e kujtoj sot, habitem që ai nuk më erdhi asnjëherë për të siguruar ndonjë vend për miq, gjë që ishte normale për mua. Me atë bisedoje qetësisht, sepse ai të dëgjonte duke të parë drejt e në sy, nuk të ndërpriste dhe nuk të kundërshtonte prerë, por, mendohej dhe të jepte një përgjigje më tepër në formë sqarimi për të kuptuar pse ai nuk ishte dakord, apo pse ishte dakord. Kujtimi nuk të falte kur vinte puna tek përgatitja nga ana speciale. Një herë në vit merrnim në provim për të ngritur shkallën e kualifikimit të punëtorëve, sepse kjo lidhej me shtesën e rrogës së punëtorit. Nuk kaloje dot te Kujtimi në se nuk ishe i aftë për atë nivel kategorie që do ta mbroje.

Kujtimi, shokët i kishte të gjithë njëlloj, nuk mbështetej në grupime. Normalisht, kur venim bashkë diku për kontroll, pinim dhe ndonjë kafe. Ai dorën e kishte tek xhepi i tij, nuk pranonte qerasje të pamerituar. Më kujtohet kur merrnim në provim punëtorët e ofiçinës, venim për kafe dhe unë në formë shakaje i thosha: Aaa sot e kam unë radhën. Ti e pate dje. Kështu shpesh herë nuk i linim të tjerët, që në rastin konkret ishin vartësit tanë, të paguanin.

Ndoshta, memoria ngec në ndonjë rast dhe mund të kalojnë momente të pa evidentuara, se jeta e gjatë dhe nuk di të zgjedhësh çfarë të shkruash e çfarë të lësh, si p.sh. unë lashë takimet në Shkollën e Specialiteteve, kur ata vinin për punë praktike në laboratorët tanë. Ka shumë për të shkruar, por të mos bëhem përsëritës i mërzitshëm e kam vlerësuar personin si njeri me cilësitë më të mira e virtyte të larta.

Kujtoj me shumë mall e respekt. Ishte ky mall e respekt që më uli të hedh sado pak radhë në kujtim të Kujtim Peçit.

 

 

FLOTA SHQIPTARE HUMBI KËSHILLTARIN E DUHUR, nga Hamdi Miftar Selimaj

 

 

Kujtim Peçi ishte një person me kulturë shoqërore të mirë dhe me një kulturë profesionale të saktë.

Kujtimin e kam njohur kur isha detar në marinën luftarake detare; një person mjaft autoritar dhe po kështu dhe shoqëror.

Në atë kohë të viteve 1965 unë isha në marinë, ku shërbeva mjaft kohë në brigadën e N/Detseve të flotës luftarake detare si elektricist në N/Detsen e parë me komandant Aleko Pojanin dhe komisar Mejdi Gaçen. Në shkollën e instruksionit në marinë, dolëm në provim me komision nga flota. Në komisionin e zgjedhjes së marinarëve për N/Detset ish dhe Ing. Flamurtar i Brigadës, Kujtim Peçi.

Sigurisht ne si dhe me arsimin përkatës elektrik na morën duke u arsyetuar në bazë të leksioneve të dhëna dhe të shkruara nga Kujtimi dhe shokë të tjerë të Brigadës. Kujtimi ish për degën elektrike të kanalizimit të N/Detseve në bazë të teksteve të shkruar dhe aprovuar nga ministria dhe komanda e flotës. Në leksionet e Kujtimit shquhej shumë inteligjenca dhe saktësia e leksioneve në mënyrën e të kuptuarit dhe më tepër adaptimi  i tyre në gjuhën shqipe dhe mënyra e interpretimit dhe konceptimit të shumë fakteve që determinonin në kontekstin e terminologjisë teknike, me shumë profesionalizëm dhe ide praktike në realizime praktike (flasim në realizimin faktik në kanalizimin e N/Detseve).

Në aspektin shoqëror, kulturor, popullor apo atë inteligjent në ambiente shoqërore, ai ish një person interesant në mënyrën e ndërhyrjes dhe interpretimit të çështjeve dhe zgjidhjes që u jepte problemeve. Gjithmonë i vëmendshëm dhe i depërtueshëm në probleme të ndryshme dhe që i zgjidhte çdo problem me një devocion të rrallë dhe në format krahasuese.

Kam parasysh sidomos në problemet teknike dhe ato të lundrimeve ku ai jepte një kontribut të jashtëzakonshëm në drejtim teknik dhe me një eksperiencë të saktë dhe zbatim korrekt të detyrave të ngarkuara nga organet e Ministrisë së Mbrojtjes. Vdekja e Kujtimit specialistët dhe inxhinierët kanë humbur atë njeri të talentuar, sidomos për flotën, po kështu një këshilltar shoqëror që me veprimet e tij në ambiente dhe shoqëri do të mbahet mënd nga shumë njerëz që kanë qënë afër dhe që kanë punuar me të.

Unë sidomos që e kam njohur nga afër më bën jashtëzakonisht përshtypje personi i tij dhe di të ruaj një kujtim të pazëvendësuar për një person si Kujtim Peçi.

Ngushëlloj familjen dhe të afërmit e Kujtimit, gjithë shokët e shoqet që kanë punuar dhe jetuar me të.

I paharruar kujtimi i tij!

 

 

INTERMEXO SHKENCORE NË UNIVERSITETIN “Ismail Qemali” TË VLORËS

 

 

ING. Naval Kujtim Peçi

Universiteti Teknologjik

“Ismail Qemal Vlora”

 

Lënda: Kërkesë për gradën shkencore “Doktor i shkencave”

Komisionit të kualifikimit shkencor

Ministrit të Arsimit dhe Shkencës

Tiranë

 

 

Kujtim Hariz Peçi datëlindjes 8.03.1939, vendlindja Kuç rrethi Vlorë.

Kam mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë Navale në Universitetin “F.E.Xherxhinski” St. Petërburg të Rusisë në vitet 1955-1960, me medalje ari dhe diplomë të shkëlqyeshëm (Nr i diplomës  040018).

1960-1983 K/inxhinier i bazës Luftarake të Nëndetëseve Pashaliman dhe pedagog i jashtëm në Akademinë e Detarisë Vlorë.

1983-1988 K/inxhinier i Marinës (Sazan, Vlorë, Pashaliman, Palermo) dhe pedagog i jashtëm në Akademinë e Detarisë Vlorë.

1988-1992 Shef i katedrës së lëndëve  në Akademinë e Detarisë Vlorë.

1992-1994 i liruar nga ushtria me reformën e vitit 1992.

1994-1996 Pedagog i jashtëm në Universitetin Teknologjik “Ismail Qemali” Vlorë.

1996-1998 Pedagog efektiv dhe dekan i Fakultetit të Marinës në U.T.V ‘Ismail Qemali”.

 

Studime dhe botime shkencore

 

Studimi: “Ndikimi i teknologjive të materialeve të reja në dimensionet e mekanizmave të anijeve” realizuar në vitin 1959 dhe botuar në Buletinin tekniko-Shkencor të Universitetit të St. Petërburg (Leningrad).

Studimi: “Të dhënat e anijes amerikane Cineerman dhe përdorimi i frekuencave të larta në pajisjet energjetike të anijeve”. Botuar në vitin 1960 në buletinin shkencor të universiteteve të St. Petërburg.

Studimi teorik, realizimi në laborator dhe realizimi në praktikë “Balancimi statik dhe dinamik i silurave të nëndetëseve”-1961.

Përpilimi i kushteve teknologjike të riparimit të nëndetëseve (1974-1975), miratimi i tyre dhe përdorimi në praktikë nga kantieri i riparimit të anijeve Pashaliman.

Hartimi i tekstit me tre volume “Teoria, Konstruksionet dhe Drejtimi i nëndetëseve”:

Pjesa e parë –Bazat e Teorisë së nëndetëses.

Pjesa e dytë- Konstruksioni i nëndetëses.

Pjesa e tretë- Teoria e drejtimit të nëndetëses.

Teksti është shtypur në formë dispense në tre volume dhe me targën”Për përdorim të brendshëm”.

Studimi: “Projektimi, prodhimi dhe eksperimentimi i baterive akumulatore të nëndetëseve” i realizuar në bashkëpunim me Uzinën Elektromekanike në Tiranë dhe në uzinën e prodhimit të baterive Berat (1977-1982).

Studimi teorik dhe realizimi në praktikë “Përcaktimi i vendndodhjes dhe nxjerrja në sipërfaqe e nëndetëses që ka avari” (1981). Ky studim është i filmuar dhe i fotografuar sepse në realizimin e tij mori pjesë ish K/Ministri Adi Çarçani, ish-ministri i mbrojtjes Kadri Hazbiu dhe shumë të tjerë që e shoqëronin.

1981 –Regjistrimi në Ministrinë e Mbrojtjes për gradën “Kandidat i Shkencave”.

Tema: “Metodika e llogaritjes të thellësisë aktuale të nëndetëseve dhe disa probleme të perspektivës”.

Provime të dhëna:

Gjuha Ruse -10 (dhjetë)

Filozofia M.L -8 (tetë)

Specialiteti -10 (dhjetë)

Në vitin 1983 tema ishte e përfunduar, por për arsye se Universiteti i Tiranës nuk kishte mundësi për të krijuar komision, ndërsa Ministria e Mbrojtjes nuk kishte të drejtë ligjore, mbrojtja u realizua në komisionin shkencor të komandës së FLD, me qëllim që të dhënat dhe konkluzionet e saj të përdoreshin (Kryetar i komisionit  Ing Viktor Pashko).

Në vitin 1988 në Ministrinë e Mbrojtjes u shtrua problemi i nxjerrjes nga thellësia (66 m) e antenës akustike “Vollkov” dhe kabllit të saj me stacionin bregdetar në ishullin e Sazanit. Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes u caktua grupi i studimit me përbërje:

Kryetar Kujtim Peçi (K/inxhinier i BUD-it Vlorë)

Ing. Petrit Hekurani (zv/K/ing i BUD –it Vlorë)

Ing. Ilir Mati (i institutit të projt. Usht. N.6)

K/Inxhinieri i Telekomit Shqiptar (pa emër)

Dy pedagogë të Fak, Elektrik (Rryma të dobëta) të U.T (pa emër)

 

U krye studimi dhe u realizua në praktikë.

Teksti i botuar “Bazat e drejtimit të anijes” 1994.

Duke qenë shef i katedrës së lëndëve teknike në Akademinë e Detarisë Vlorë jepja lëndët “Teoria e Anijes” dhe  “Bazat e Drejtimit të Anijes”.

Në këto kushte shkrova (në bashkëpunim me Lutfi Gjikën tekstin “Bazat e Drejtimit të Anijes”.

1994-1997 kam shkruar tekstin “Teknologjia e konstruksioneve navale”. Këtë lëndë për herë të parë në UTV e dhashë unë, dhe një vit më pas mbi bazën e tekstit tim që akoma është në dorëshkrim, këtë lëndë e jep pedagogu Xhemil Qorduka.

1997-1999 teksti i shkruar “Projektimi i Anijeve” i pabotuar në dorëshkrim” Këtë lëndë vazhdoj ta jap unë.

Studimi shkencor “Teoria e probabilitetit dhe teknologjia navale”.

 

Për vlerësimin e veprimtarisë time paraqes:

Tekstin e botuar “Bazat e Drejtimit të Anijes”.

Teoria e propabiliteteve në teknologjinë navale.

 

 

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

UNIVERSITETI TEKNOLOGJIK

“ISMAIL QEMAL VLORA”

Vlorë 24. 06. 1999

 

LËNDA: Vlerësim për veprimtarinë pedagogjike e shkencore të z. Kujtim Peçi

 

Z. Kujtim Peçi është emëruar pedagog i jashtëm i degës së Inxhinierisë navale qysh në krijimin e Universitetit tonë (1994) dhe më vonë efektiv e dekan i fakultetit të marinës deri në daljen në pension (tani pedagog i jashtëm).

Përfundimi me rezultate të shkëlqyera i studimeve në Fakultetin e Inxhinierisë Navale “Xherxhinski” në Peterburg të Rusisë, përvoja e madhe 25-vjeçare në Kantierin Detar si dhe ajo pedagogjike në Akademinë e Detarisë në Vlorë bën të mundur që z. Kujtim, si intelektual i formuar, të japë një kontribut shumë të rëndësishëm për hapjen e konsolidimin e degës së Inxhinierisë Navale e vetme e këtij lloji në vendin tonë.

Nëpërmjet teksteve të botuara e atyre në dorëshkrim, cilësisë së lartë të përgatitjes së leksioneve si dhe mbajtja me nivel e tyre në auditor z. Kujtim është bërë shembull për një brez të tërë inxhinierësh të rinj, pedagogë të Departamentit përkatës, si dhe udhëheqës për veprimtarinë shkencore të tyre.

Nisur nga kontributi i tij shkencor e pedagogjik nga vlera e botimeve dhe dorëshkrimeve, si dhe roli frymëzues në forcimin e stafit të ri pedagogjik të U.T.V mendojmë se Z. Kujtim e meriton plotësisht ti akordohet grada shkencore “Doktor i Shkencave”.

 

Rektor

Dr. Bilal Shkurtaj [sot Prof. Dr.]

 

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

AKADEMIA U. “SKËNDERBEJ”

FAKULTETI I DETARISË

Vlorë, 24. 06. 1999

 

LËNDA: Vlerësim i veprimtarisë pedagogjike e shkencore të z. Kujtim Peçi

 

Z. Kujtim Peçi ka mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë Navale në Universitetin “F.E. Xherxhinski” St. Peterburg të Rusisë në vitet 1955-1960 me medalje ari dhe diplomë shkëlqyeshëm.

Hapja e Akademisë së Detarisë (sot Fakulteti i Detarisë) në vitin 1961 është vepër e atyre kuadrove të shquar me nivel të lartë intelektual e të përkushtuar. Një nga ata është edhe Z. Kujtim i cili edhe pse ka mbajtur detyra të larta në Flotën Ushtarake detare, nuk ka ndërprerë asnjëherë lidhjet me Akademinë e Detarisë e cila ishte e vetmja Qendër Shkencore e Flotës.

Kontributi i saj ka qenë i gjithanshëm, por më tepër ka spikatur puna sistematike krijuese shkencore për ngritjen në një nivel gjithnjë e më të lartë programet mësimore. Duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me bazën, studimet e tij kanë qenë të kuptueshme e të zbatueshme në jetë. Me punën e tij sistematike, niveli shkencor i së cilës ka qenë gjithnjë në rritje, z. Kujtim ka imponuar respekt tek kolegët e tij intelektual.

Përvoja shumëvjeçare ka treguar se ai ka qenë protagonist kryesor i zgjidhjes së shumë problemeve të vështira me të cilat është përballur Flota jonë Luftarake Detare.

Përpilimi i leksioneve, dispensave dhe botimi i teksteve ishte kontribut i drejtpërdrejtë për F.Detarisë. Teksti i botuar “Bazat e Drejtimit të Anijes” ishte për mendimin tonë kryevepër e krijimtarisë së z. Kujtim Peçi.

Në vitet 1988-1992 ka ushtruar detyrën e lartë të Shefit të Katedrës së Lëndëve Teknike. Edhe pas shkëputjes nga A. Detare bashkëpunimi i tij ka qenë i vazhdueshëm.

Për nivelin e tij shkencor, e pedagogjik, për punën e tij krijuese dhe botimet, Komisioni i Punës Shkencave të Fakultetit të detarisë jep mendimin e tij unanim se z. Kujtim Peçi i plotëson të gjitha kushtet për t’ju dhënë grada shkencore “Doktor i Shkencave”.

 

Komandanti i Fakultetit të Detarisë

Kapiten i Rangut të II

Kristaq Gerveni

 

 

Oponencë e studimit shkencor

“Teoria e Probabilitetit dhe Teknologjia Navale”

e autorit Kujtim Peçi

 

 

Pas një pune sistematike e këmbëngulëse, autori na paraqitet me një studim serioz në një prej fushave më interesante të shkencës në atë të zbatimit të metodës matematikore, por kësaj radhe në Teknologjinë e Konstruksioneve Navale, e cila përbën një vijimësi në fushën e studimeve në vendin tonë.

Përvoja e gjatë mbi 30-vjeçare në njohjen e teknologjisë navale, pasioni për studim të vazhdueshëm, zotërimi i gjuhëve të huaja e shfrytëzimi i një literature të bollshme kanë bërë të mundur që autori të flasë me kompetencë të plotë për zbatimin e teorisë së probabiliteteve në teknologjinë e konstruksioneve navale.

Lehtësia me të cilën ai operon në të 14 paragrafet, saktësia e interpretimit të formulave dhe zbatimit të tyre në shembuj konkret flet për një njohje të plotë nga ana e autorit të bazave të teorisë së probabiliteteve.

Nëpërmjet një pune këmbëngulëse është arritur që studimi të ketë një strukturë mjaft kompakte e me një vijë të qartë metodike e cila lejon që vlerat e këtij studimi të shfrytëzohen edhe si një material mësimor për fakultetin përkatës.

Kështu tema të tilla si:

Kuptimi për cilësinë dhe gabimet

Burimet e gabimeve në konstruksionet navale

Përdorimi i hallkave dimensionale gjatë prodhimit të elementeve konstruktiv naval

Vendosja e shmangieve rezultante të lejuar dhe të mundshme në përmasat e konstruksioneve navale dhe mundësia e korrigjimeve të tyre, etj…

i krijojnë mundësinë lexuesit që ka kulturën e nevojshme matematike, të hyj me lehtësi dhe qartësi në shtrimin e problemit, të njihet me zbatime konkrete të elementeve teorike si dhe të përgatitet për gjetjen e shembujve analoge.

Në një lidhje të brendshme logjike dhe nëpërmjet shembujve sinjifikativ autori ka arritur që nëpërmjet paragrafëve të tillë si:

Teknologjia e konstruksioneve navale dhe matematika statistikore.

Kushtet e zbatimit të statistikës matematikore në teknologjinë navale.

Karakteristikat kryesore numerike të ligjeve të shpërndarjes së madhësive të vrojtuara etj…

ta përgatisin lexuesin që nga moria e problemeve që ndeshen në praktikën e ndërtimit të anijeve, të mund të fokusohet në disa drejtime kryesore të cilat mund të gjejnë zgjidhje nëpërmjet trajtimeve matematikore.

Dihet s’rritja e cilësisë në procesin e ndërtimit të anijes, ka qenë dhe mbetet nja nga problemet kryesore të teknologjisë së konstruksioneve navale. Kryerja me cilësi të lartë e të gjitha punimeve është burimi i parë për uljen kostos së ndërtimit të anijeve dhe të jetëgjatësisë së shfrytëzimit të tyre. Kërkesat për cilësinë e punimeve janë të formuluara në formë standardesh edhe në regjistrat detare që ka çdo vend. Këtë përvojë autori e ka shfrytëzuar me pjekuri duke treguar se shkalla e përputhjes së detaleve dhe nyjeve reale të prodhuar me parametrat e tyre të përcaktuar në vizatimet e punës, vlerësohet me madhësinë e gabimeve, të cilat ai duke u mbështetur në teorinë e probabiliteteve është përpjekur ti klasifikojë si dhe të trajtojë rrugën e llogaritjes së tyre.

Na duket shumë me vend klasifikimi i gabimeve i dhënë nga autori ku ai rreshton:

Gabimet gjeometrike, d.m.th gabimet në formën dhe dimensionet e konstruksioneve të ndryshme të anijes

Gabime të vijueshmërisë konstruktive, d.m.th gabime në ndërtimin e brendshëm të elementeve të ndryshëm konstruktiv.

Gabime fiziko-metalurgjike që lidhen me strukturën e materialeve

Gabime në pajisjet elektrike dhe të navigimit të anijes

Në këtë punim ai është përqendruar në shfrytëzimin e gabimeve në dimensionet e konstruksioneve të ndryshme për të cilat ka sistemuar edhe burimet nga shkaktohen këto gabime duke bërë një klasifikim shkencor të tyre.

Mendoj se një nga vlerat e këtij punimi qëndron pikërisht në përpjekjet e suksesshme të autorit që duke u mbështetur në njohjen e një numri të madh dukurish nga praktika të arrijë të krijojë një renditje sistematike të atyre që në teknikë quhen gabime.

Teknologjia e konstruksioneve navale, si fushë që studion metodat dhe mjetet për ndërtimin e anijeve të reja, duhet të përfshijë dhe të studiojë dhe ligjësitë dhe fenomenet përgjithësuese në të gjitha proceset teknologjike. Ligjësitë e njohura sidomos ato që argumentohen me aparatin e nevojshëm matematik, që pasqyron lidhjen sasiore të fenomeneve, krijon mundësi të shumta dhe të bazuara, për të gjykuar dhe vlerësuar objektivisht karakterin e proceseve të veçanta teknologjike. Ja pse autori e ndjen si përgjegjësi profesionale të lerë një trashëgimi brezave që do vijnë në vendin tonë pikërisht në këtë fushë të rëndësishme e të pashkelura në literaturën tonë të teknologjisë navale.

Duke patur parasysh faktin që statistika matematike krijon mundësinë për të gjykuar për ligjësitë e çdo procesi teknologjik mbi bazën e përpunimit të një sasie të caktuar të vrojtimeve dhe të dhënave eksperimentale, autori është kujdesur të evidentojë kushtet në të cilat është e mundshme të zbatohet kjo metodë në fushën e teknologjisë navale.

Kështu  për “metodën me zgjedhje” kushti i parë është sasia e mjaftueshme e vrojtimeve, kushti i dytë është rastësia dhe pavarësia e matjeve, kushti i tretë është zgjedhja e dukurive që duhet vrojtuar dhe gabimi i tyre jo sipas karakteristikave të jashtëm, por mbi bazën e përmbajtjes ë dukurisë, kushti i katërt është stabiliteti i procesit teknologjik në të cilin realizohet e njëjta radhë e operacioneve të punës përdor të njëjtat pajisje dhe realizohet e njëjta metodë e matjeve.

Evidentimi i tyre dhe sqarimi nëpërmjet një numri të konsiderueshëm shembujsh nga fusha e teknologjisë navale e bënë këtë metodë mjaft të kapshme e të kuptueshme për specialistët navalë. Pikërisht metoda e përdorur nga autori gjatë gjithë punimit nëpërmjet konkretizimit të ideve me një masë mjaft të madhe shembujsh e bën atë të kapshëm  me vlerë aplikative gjë që përbën një nga anët më pozitive të tij.

Njohja e thellë e literaturës si dhe përvoja e gjatë në fushën e riparimit të anijeve në vendin tonë kanë lejuar autorin të qëmtojë disa nga problemet më të përdorshme në teknologjinë navale në vendin tonë. Kështu autori ka trajtuar në mënyrë të plotë me shembuj argumentues probleme të tilla si:

Metodika e përpunimit të rezultateve të vrojtimeve për gjetjen e ligjit të shpërndarjes të madhësive të vrojtuara

Metodika e gjetjes së vartësisë në teknologjinë e konstruksioneve navale

Saktësia e realizimit të punimeve në pllaz dhe të matjeve në elementet konstruktiv navale

Saktësia e drejtimit, prerjen dhe përkuljen së elementeve prej pjastre të anijes

Të gjitha këto probleme janë analizuar dhe argumentuar nëpërmjet një numri të konsiderueshëm shembujsh nga praktika e zbatimeve të teknologjisë navale në vendin tonë duke përdorur për zgjidhjen e tyre një burim formash e metodash të teorisë së probabilitetit.

Është për tu theksuar se një ndër tiparet më të qenësishme të të gjithë studimit është qartësia e formulimit të problemeve, paraqitja e të dhënave, përpunimi i tyre mbi bazën e formulave të statistikës matematikore dhe interpretimi i përfundimeve të gjetura. I parë në këtë këndvështrim studimi shërben si një material orientues për përllogaritjet e gabimeve e të gjitha rasteve që përmenden në shembujt e shqyrtuar si dhe në rastet analoge.

Një punë lavdëruese është bërë për pasurimin e studimit nëpërmjet ilustrimit të grafikëve, tabelave, figurave, etj…

Të 19 shembujt si dhe pjesa tjetër e materialit teorik janë argumentuar me mbi 43 tabela me vlera të matura, janë interpretuar mbi 23 grafike dhe 29 figura të ilustruar.

E gjitha kjo punë voluminoze e koncentruar në rreth 125 faqe daktilografike përbën një vlerë të madhe jo vetëm për literaturën teorike e kësaj lënde në U.T.V si dhe shembuj demonstrues në lëndën e matematikës së aplikuar në degën e Inxhinierisë Navale e Navigacionit.

Mendoj se në një përpunim të mundshëm të studimit në të ardhmen, autori do të ketë si pikësynim që krahas freskimit me shembuj e zbatime të literaturës bashkëkohore, do të strukturoj edhe më mirë materialin në kapituj që do të përmbledh lëndë përkatëse mbasi kjo e fokuson dhe e orienton me mirë lexuesin. Jam i bindur se gjatë ribotimit do të korrigjohen edhe fjalë apo shprehje që ka karakter didaktik si dhe, ndonjë lapsus që mund të ketë shpëtuar.

Si përfundim nisur nga tematika bashkëkohore që është kapur nga autori, puna e madhe vrojtuese e shkencore që është bërë për zgjedhjen dhe përpunimin e materialit faktik, metodika e përdorur për të krijuar një linjë në vazhdimësi gjatë gjithë studimit, gjuha e thjeshtë dhe e qartë e përshkrimit të dukurive si dhe vlera që përbën vetë studimi për plotësimin e literaturës si specialist dhe asaj mësimore, mendoj se përbën një vlerë të konsiderueshme të denjë për ti dhënë autorit të saj gradën shkencore Doktor i Shkencave.

 

Prof. Dr. Spiro CAUSHI

 

Vlorë, më, 12. 05. 2000

 

 

Diskutim mbi temën

“Teoria e probabiliteteve dhe teknologjia navale”

 

Paraqitur nga Ing. Kujtim Peçi

 

Zoti Kujtim Peçi ka mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë Navale
“F. E. Xherxhinski” St. Petrburg të Rusisë në vitet 1955-1960 me medalje ari dhe diplomë shkëlqyeshëm. Ai është një studiues që e ka nisur punën e tij qysh në vitin 1959, kur ende ishte student me studimin “Ndikimi i Teknologjive të materialeve të reja në dimensionet e mekanizmave të anijeve” të botuar në Buletinin Tekniko-Shkencor të Universitetit të Peterburgut. Pas një viti në 1960 ka botuar studimin “Të dhënat e anijes Amerikane Cineerman dhe përdorimi i frekuencave të larta në pajisjet energjetike të Anijeve” botuar në buletinin shkencor të Universitetit të Peterburgut. Pas përfundimit të studimeve të larta dhe sa fillon punë si inxhinier naval kryen studimin teorik “Ballancimi statik dhe dinamik i silurave të nëndetëseve (1961)” realizuar në laborator dhe të zbatuar në praktikë. Ing. Kujtim Peçi gjatë viteve 1974-1975 është përpilues i kushteve teknologjike të riparimit të nëndetëseve të përdoruar nga kantieri i riparimit të anijeve në Pashaliman. Krahas punës studimore projektuese dhe zbatuese z. Kujtim Peçi harton tekstin me tre volume “Teoria, konstruksionet dhe riparimi i nëndetëseve”.

Në bashkëpunim me Uzinën Elektromekanike në Tiranë dhe uzinën e prodhimit të baterive në Berat gjatë viteve 1977-1982 përfundon studimin “Projektimi, prodhimi  dhe eksperimentimi i baterive akumulatore”, ndërsa në vitin 1981 realizon në praktikë studimin teorik “Përcaktimi i vendndodhjes dhe nxjerrja në sipërfaqe e nëndetëses që ka avari”. Vlen të theksoj që ky studim i karakterit të detarisë gjatë atyre viteve pati një vlerësim të veçantë jo vetëm në instancat shtetërore, por edhe në ato shkencore.

Si një studiues pasionant në fushën e Ing. Navale në kërkim të gradës “Kandidat i Shkencave” ai në vitin 1981 është paraqitur dhe ka prezantuar në Ministrinë e Mbrojtjes temën “Metodika  e llogaritjes së thellësive aktuale të nëndetëses dhe disa probleme të perspektivës” me udhëheqës Prof. Dr. Fehmi Shehu.

Gjithashtu në vitin 1988 është po ai që kryeson grupin e punës me pjesëmarrje nga F.D (Vlorë), Instituti i Projektimit Ushtarak NRG, Telekomit shqiptar dhe Fakultetit Elektrik të Universitetit të Tiranës të formuar nga Ministria e Mbrojtjes për të kryer studimin mbi nxjerrjen nga thellësia 66 m e antenës akustike “Vollkov” dhe kabllit të saj me stacion bregdetar në ishullin e Sazanit.

Gjatë gjithë kohës në punën e tij studimore, projektuese, zbatuese e organizatave një kontribut të madh ka dhënë edhe si pedagog në Akademinë e Marinës të hapur qysh në vitin 1961. Në stafin e pedagogëve të këtij fakulteti ai dalloi për përgatitjen e tij me nivel të lartë dh përfshihet si mësimdhënës i një numri të konsiderueshëm lëndësh.

Me gjithë funksionet e larta që ka mbajtur në Flotën Ushtarake Detare ai nuk ka ndërprerë asnjëherë lidhjet me Akademinë e Marinës si e vetmja qendër shkencore e flotës. Si inxhinier me vizion të gjerë z. Kujtim Peçi ka spikatur me punën e tij sistematike, krijuese dhe shkencore për ngritjen dhe përmirësimin me nivel të lartë të programeve mësimore. Merita kryesore e punës shkencore të z. Kujtim Peçi qëndron në lidhjen e vazhdueshme me bazën për zbatimin në praktikë të veprave shkencore. Përvoja shumë vjeçare e tij ka treguar se ai ka qenë protagonist kryesor i zgjidhjes së mjaft problemeve të vështira me të cilat është ballafaquar Flota Ushtarake Detare. Në fakultetin e detarisë z. Kujtim Peçi ka përgatitur leksione, dispensa dhe ka hartuar tekste me cilësi të lartë dhe bashkëkohore si për shembull “Bazat e Drejtimit të Anijes” që është një nga botimet më të arrira të krijimtarisë së tij.

Për katër vjet rresht (1988-1992) ai ka ushtruar detyrën e shefit të katedrës së lëndëve teknike. Më pas edhe pse u shkëput nga Akademia e Detarisë bashkëpunimin me të nuk e ndërpreu asnjëherë. Me hapjen e degës së Inxhinierisë Navale në Universitetin teknologjik “Ismail Qemal Vlora” në vitin1994 z. Kujtim Peçi emërohet pedagog i jashtëm dhe nuk zgjat shumë dhe bëhet efektiv e më pas dekan i këtij fakulteti deri kur del në pension. Me përvojën e madhe shkencore e pedagogjike me formimin e lartë intelektual është dalluar në mbajtjen e leksioneve. Për komunikimin me pedagogët e rinj ai mbetet shembull jo vetëm për brezat me të cilët ai punoi e drejtoi por do të mbetet si model frymëzimi për brezat që e pasojnë.

Studimi i Ing. Kujtim Peçi mbi aplikimin e metodave  matematikore në teknologjinë e konstruksioneve navale ka të bëjë me saktësimin e proceseve teknologjike navale, të cilat arrihen nëpërmjet përdorimit të metodave të statistikës matematikore. Për këtë autori i studimit ka punuar për një kohë relativisht të gjatë dhe ka shfrytëzuar mjaft mirë rezultatet e matjeve dhe të vrojtimeve të kryera në kantierin e riparimit të anijeve në Pashaliman.

Në këtë studim të përbërë nga tre kapituj së pari jepen qartë konsideracione të përgjithshme mbi saktësinë dhe cilësinë e punimeve në konstruksionet navale, së dyti shprehet lidhja midis matematikës stle dhe statistikore dhe teknologjisë së konstruksioneve navale dhe së treti pasqyrohet aplikimi i metodave të matematikës statistikore në analizën e saktësisë së punimeve teknologjike navale.

Autori i studimit z. Kujtim Peçi i ka kushtuar një vëmendje të veçantë rritjes së cilësisë në procesin e ndërtimit të anijes, i cili ka qenë dhe mbetet një nga problemet kryesore të teknologjisë navale.  Në saj të aftësive të tij profesionale ai është përpjekur gjatë punës së tij të kryej matje dhe vrojtime të shumta ti përpunoj ato nga pikëpamja e matematikës statistikore me synim uljen e kostos së ndërtimit të anijes dhe të arrijë siguri të lartë në jetëgjatësinë e shfrytëzimit të anijes, pra kërkesa për cilësinë e punimeve është shprehur në formë standardesh dhe krijohet një dokumentacion i saktë me zgjedhjet teknike më optimale të detarisë.

Në procesin e prodhimit të konstruksioneve navale është e kuptueshme se lindin gabime të formave më të ndryshme, të cilat autori i ndan dhe në veçanti ai analizon gabimin në formën dhe dimensionet e konstruksionve të ndryshme të anijes (gabimet gjeometrike) sikurse trajton gabimin në ndërtimin e brendshëm konstruktiv të elementeve të ndryshëm (gabimin e vijueshmërisë konstruktive) dhe gabimin fiziko-metalurgjik që shfaqet në strukturën e proceseve të lidhjes midis elementeve konstruktiv etj. Dhe ai që ndodh në pajisjet elektrike dhe të navigimit të anijes.

Autori i studimit është njohës shumë i mirë në shqyrtimin e gabimeve në dimensionet konstruktive dhe përcakton me kompetencë burimet e këtyre gabimeve të cilat nisin që në procesin e prodhimit, pas procesit të montimit nga deformacionet dhe ato metrollogjike. Autori ka meritë të veçantë në paraqitjen e detyruar të këtyre gabimeve dhe spjegon e duke kryer një numër të mjaftueshëm matjesh realizon përpunimin e tyre duke ndërtuar histograma për të parë se cila nga të dhënat është dominonte. Është për tu përmendur e autori i studimit z. Kujtim Peçi duke e njohur me hollësi statistikën matematikore ai përdor si kriter shpërndarjen normale të Gausit kur gabimet e matjeve të ndryshme janë të rastit.

Një punë të thelluar shkencërisht ai ka bërë për përcaktimin e gabimeve të rastit gjatë matjeve dhe mbi këtë bazë ka ndërtuar kurbën e shpërndarjes normale dhe krahas saj ka ndërtuar edhe kurbën e shpërndarjes së vlerave të matura.

Me hollësi është përcaktuar gjithashtu origjina e gabimeve të matjeve duke i veçuar të përgjithshmet nga ato specifiket që hasen gjatë prodhimit dhe montimit të konstruksioneve navale. Për këtë janë marrë shembuj të shpërndarjes së gabim absolut dhe relativ.

Në këtë studim autori ka sjellë një numër të konsiderueshëm shembujsh që kanë vlerë jo vetëm nga metodika e përpunimit statistikor të tyre por edhe nga larmia e problemeve që hasen në konstruksionet navale.

Studimi i z. Kujtim Peçi që përfshin një periudhë disa vjeçare është gjithashtu një këmbëngulje e fortë e tepër serioze për përgatitjen e një materiali bazë dhe të plotë me të dhëna të zgjidhura nga ana matematikore.

Ai me përvojën e madhe të punës në fushën e konstruksioneve navale me kryerjen e këtij studimi të plotë dhe të saktë tregon e është një studiues serioz, kompetent me vlera të mëdha për shkencën shqiptare në përgjithësi dhe për atë të detarisë në veçanti.

Duke përfunduar shprehem edhe njëherë se studimi i z. Kujtim Peçi për nga vlerat e tij si nga Ana teorike dhe praktike është plotësisht i vlefshëm.

Jam i bindur se juria e ngritur për të mbrojtur disertacionin e paraqitur nga Ing. Kujtim Peçi me temë:

“Teoria e Probabiliteteve dhe Teknologjia e Konstruksioneve Navale” do ta vlerësojë atë maksimalisht.

 

Ju faleminderit

Dr. Kajtaz ALIKAJ [sot Prof. As. Dr.]

ELEGJI PËR MEDALJEN E ARTË

Nga Albert R. HABAZAJ

 në nderim të kujtimit të Kujtim H. Peçit –

 

Me mendje të prishur, dora më dridhet,

më prishet shkrimi, shikimi më erret,

për kujtim të Kujtimit energjia më mblidhet,

pika e nxehtë e lotit në letër më derdhet.

 

Nga më vjen kjo energji e më bëhet flakë,

për zjarrin e respektit që bëhet uragan,

në këto vargje për Kujtim Peçin e madh,

vetja si një Kujtim Peç i vogël më ngjan.

 

Sa një vogëlan si ai të jem unë,

do të ndihem mirë për të lënë një gjurmë,

nga që ai shpirt drite na fali aq shumë,

me vullnet hyjnor, Kujtimi, pa zhurmë.

 

Po si na iku Kujtim Peçi nëpër duar?

Pyesin dhe Zotin, as ai nuk beson.

Tempullin e Dijes e ka turbulluar

dhe Engjëjt e Mirë tmerrësisht pikëllon.

 

Trupi i Kujtimit ka shkuar me peshë

në Parajsën e Diturisë dhe Adhurimit,

Dhe atje, si gurrë, për Atdhe e Shkencë

çuditërisht do të burojë kultura e Kujtimit

 

 

*) autor i monografisë “Intelekual i shquar erudit Kujtim Peçi”

Dhe Matilda*) dhe Armandi**) me Lavdien,***)

me Lavdien stoike, si shkrepse e pishtarit,

bashkë me ne të tjerët do të ndihen

se veç Kujtimi s’ka të bëjë me varrin.

 

Më fal, Kujtim, o vëllai im i ditur!

Për ç’ka kemi folur e ç’po shkruaj, më fal,

Me librat e mençur që ke përgatitur

ne do t’i themi vdekjes tënde: Ndal!

 

Ndal e zmbrapsu, këtu s’ke punë

ti, mostër e zezë nuk na e merr dot,

Kujtim Peçi la për brezat gjurmë,

për zemrat tona – përmallim e lot.

 

*) **) ***) – vajza, djali dhe bashkëshortja e Kujtim Peçit

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, inxhinieri i nendetseve, Kujtim Peci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 436
  • 437
  • 438
  • 439
  • 440
  • …
  • 559
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT