NGA MAL BERISHA/*
Është një nder i madh të gjëndem sot në Boston, në këtë epiqendër të kulturës dhe trashëgimisë shqiptaro – amerikane. Në këtë strehë të patriotit të shkëlqyer, ne jemi mbledhur për të paraqitur nderimin dhe kënaqësinë e veçantë për trashëgiminë e Nolit. Besoj se çdo shqiptar me një nivel të caktuar arësimor ka diçka për të shprehur kur vjen fjala tek Fan Noli dhe vepra e tij. Jeta e tij aq e pasur dhe e jashtëzakonëshme na ka bërë përherë krenar. Unë vetë kam qenë i bekuar të mësoja që në fëmijëri vjershat e shkruara prej tij, madje dhe të dija me dhjetra vargje përmendesh dhe t’i recitoja sa herë që më jepej rasti. Vargjet e Fan Nolit në shqip janë aq të bukura si të krijuara prej tij, ashtu dhe të përkthyera nga gjuhë të tjera.
Ndërsa i shërbeva vendit tim si diplomat, jam kujdesur shumë për të bërë të njohura ato figura të shquara të kombit tonë të cilat i bëjnë nder emrit shqiptar kudo të jenë. Është kjo arësyeja përse jam ndalur tek varri i Sami Frashërit në Feritkoy në Stamboll, apo portretit të Mehmet Ali Pashës së Egjyptit në Tate Briton Gallery në Londër, apo në vendosjen e busteve të Skënderbeut në Baysëater Londër apo Munxhufuni në Molise Regione në Itali. Midis këtyre emrave që më kanë tërhequr është edhe Fan Noli, heroi ynë për të cilin jemi mbledhur sot.
Në vitin 1996, isha Konsull i Përgjithshëm në Stamboll kur prita në zyrë një profesor amerikan i njohur me emrin John Freely. John Freely është një fizikant amerikan, mësues dhe autor librash për udhëtarët si dhe për historinë e Stabollit, Athinës, Venecias, Turqisë, Greqisë dhe Perandorisë Osmane. Ai erdhi bashkë me një zotëri të quajtur Emin Sahatçi. Një burrë me flokë të thinjura dhe mjekër të bardhë, Dr Freely të jipte pamjen e një njeriu fisnik. Veç të tjerash ai ka shkruar shumë libra për historinë sidomos atë të Perandorisë Osmane ku shquhet ai “Stambolli Qytet Perandorak”. Ai ka nënvizuar kontributin e shqiptarëve në atë Perandori duke u ndalur tek familja e Kuprulive, Shemsedin Samiut, Hoxha Tasim, etj. Ai ka shkruar edhe biografinë e “Messiah së Humbur”, Sabbathai Zevi, udhëheqësi hebraik i cili u shndërrua me forcën e Grand Vezirit, Ahmet Kuprulu, në musliman. Ai i kaloi njëzet vjetët e fundit të jetës i internuar në trojet shqiptare në Ulqin dhe në Berat ku edhe vdiq pasi kishte krijuar atë që quhet në turqisht “Dönme”, ose të konventuarit. Këtë zbulim e sjell Dr. John Freely në librin e tij, duke përmendur edhe faktin që një sekt dervishësh në Berat u krijua prej tij dhe ekziston edhe sot.
Atë ditë ne folëm për Fan Nolin. Më takonte mua të kisha shumë njohuri rreth tij, por Dr Freely më orientoi drejt vendit ku ai kishte lindur: Në Ibrik Tepe, një vend që ishte rreth 25 km afër Ipsallës, pika kufitare Turqi – Greqi.
Shkuam së bashku me Dr. Freelyn dhe Emin Sahatçiun, botuesi i revistës “Cornucopia” në fshatin Ibrik Tepe. Ai ishte një fshat me pluhur, me pak asfalt vetëm në qendër. Dikur ai ishte quajtur Qyteza dhe ishte i populluar prej shqiptarësh ortodoks nga Jugu i Shqipërisë. Por tani ishte një fshat tipik turk. Në fakt nuk kishte ndonjë gjë të veçantë mbresëlënëse. Pyetëm ca fshatarë që gjetëm aty nëse dinin ndonjë gjë për shqiptarët dhe jetën e tyre. Asnjëri nuk dha ndonjë përgjigje të saktë. Ata ishin muslimanë të zhvendosur kohë pas kohe nga Bullgaria dhe të vendsur aty, ndoshta gjatë luftërave të fundit. Vazhduam të ecnim nëpër fshat deri sa dikush na ftoi të vizitonim disa shtëpia të fshatit të cilët kishin dyer shumë të vjetra me dekorime të veçanta. Na lanë të vizitonim tre shtëpi të asaj natyre. Secila kishte dyert e brendshme me disa dekorime të cilat nuk kishin asgjë të bënin me ornamentet muslimane. Ato nuk kishin ikona të pikturuara, por prapëseprapë dyert e drunjta ishin të skalitura me ornamente që të kujtonin jetën e banorëve jo muslimanë të mëparshëm të atyre shtëpive. Dr. Freely dhe Emin Bey bënë fotografi. Pastaj ne u përfshimë në një diskutim se si duhet të ketë qenë jeta në atë vend për shqiptarët e asaj kohe që kishin lënë vendin e tyre dhe vendosur aty. Ishin kohërat e Perandorisë kur jeta për shqiptarët ishte aq e vështirë.
Ne të tre ishim të bindur se këtu ishte ekzaktësisht vendi ku, familja e Fan Nolit ose të afërmit mund të kishin jetuar. U larguam nga ato shtëpia dhe iu drejtuam Bashkisë së fshatit. Ishim shumë të lumtur që pamë një vend aq të rrallë, unik dhe me aq kuptim. Edhe shqiptarë të tjerë e kishin vizituar atë vend. E kishin vizituar me deshirën e mirë për të bërë diçka ndoshta por deri atherë nuk ishte marrë ndonjë veprim.
Pas kësaj ne shkuam tek Bashkia e Ibrik Tepesë. Aty takuam kryetarin e Bashkisë (Beledyie Baskani) Ai ishte shumë i sjellshëm. Një burrë i thjeshtë, por jo me aq dijeni rreth historisë. Na ofroi çaj dhe na pyeti se çfarë mund të bënte për ne që kishim ardhur nga Byuyksehiri (Stambolli). I shpjeguam qëllimin e vizitës tonë. I treguam për një bir të atij fshati, një prift, një poet, shkrimtar dhe përkthyes. Duket se asnjë nga këto nuk i bënë aq përshtypje deri sa i thamë se ai ka qenë edhe politikan dhe se ka qenë edhe Kryeministër i Shqipërisë për një farë kohe në vitin 1924.
Ky fakt i preku atij nervin e politikanit të vogël provincial. Ndoshta mendoi se një Kryeministër nga fshati i tij mund ti jepte edhe atij ndonjë shenjë trashëgimie për të bërë karrierë në nivele më të larta politike në provincën e tij ose më tej.
Ai menjherë kërceu dhe tha:
Allaha allah! Demek ki Bir başbakan bizim köyden çıkmış oldu?
Ai u ndie shumë krenar. Vazhduam bisedën ndërsa unë i dorëzova një set me librat e Fan Nolit të cilat ishin botuar në atë kohë në një kolanë. Ishin pesë volume. Pastaj kryetari na mori në një tur tjetër. Ai vazhdonte të thoshte: O zot, prej këtij fshati paska dalë një Kryeministër dhe ne nuk e paskemi ditur?! Folëm me të për mundësinë e vendosjes së një busti dhe ai ra shumë dakord sado që nuk kishte ndonjë ide se si dhe kush do ta financonte.
U ktheva në Stamboll dhe e raportova këtë çështje tek qeveria shqiptare. Nuk vonoi shumë dhe u largova nga Turqia para se të mund të merresha me vendosjen e ndonjë monnumeti të Fan Nolit. Nuk bëra dot asgjë në atë kohë, por fara e një nisme të tillë tashmë ishte mbjellë.
Vitet kaluan dhe kjo u bë realitet. Busti, vepër e skulptorit Andrea Demce, u vendos nga autoritetet shqiptare dhe diplomatët tanë në Turqi me pjesëmarrjen e Ministrit tonë të Kulturës dhe një jetëshkruesi të Nolit për nder të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe 130 vjetorit të lindjes së Fan Nolit. Merrnin pjesë edhe Prefekti i Edirnesë dhe Kryetari i Bashkisë së Ibrik Tepesë. Ai qëndron krenar në atë qyteze tashmë siç është krenar për veprën që na ka lënë tarshëgimi deri më sot.
Dua të ndaj me ju edhe një moment tjetër që më ka ndodhur në Muzeumin e Shekspirit në Stratford-upon-Avon, vendlindja e gjeniut. Kur u futëm në mjediset e muzeut, zonja ime Donika dhe unë ishim pjesë e një grupi me vizitorë nga kombe të ndryshme. Pjesë e asaj përvoje ishte të ndërveproje dhe të tregoje emrin e vendit nga ishe. Ciceroni i cili merrte vesh nga ishte secili vizitor iu përgjigjej turistëve në gjuhën e tyre.
Kur i thashë se ishim shqiptar ai menjëherë na u adresua me fjalët shqipe: Mirdita! Mirësevini!
I magnetizuar nga dijenitë e tij, e pyeta atë se si kishte mundësi që dinte fjalë në gjuhën shqipe. Ai më tregoi se dinte fjalët bazë të gjitha gjuhëve të botës ku ishte përkthyer Shekspiri dhe shtoi: Di fjalë nga gjuha shqipe pasi di edhe që një përkthyes i famshëm shqiptar i njohur me emrin Fan Noli e ka sjellë Shekspirin në gjuhën e tij në një formë të përkryer.
Fan Noli qëndron në altarin e historisë tonë dhe unë jam mirënjohës që mu dha rasti të marr pjesë në këtë simpozium kaq të rëndësishëm në përkujtim të tij dhe ndarë përvojat e mia të thjeshta jetësore.
*Kumtese e mbajtur me 22 Nentor 2015 ne Simpoziumin per 50 vjetorin e vdekjes se Fan Nolit ne Kishen e Shen Gjergjit ne Boston
Cherishing the Legacy of Noli
BY Dr. GJON BUÇAJ/
Dear Very Rev Arthur Liolin,/
Thank you for honoring me with the invitation to participate at this Symposium, commemorating Fan Noli on the fiftieth anniversary of his repose.
I did not have the privilege of knowing Noli personally, but ever since my early childhood I was intrigued by his name each time I heard it from grownups. In the second grade, I saw his name on the book “Historia e Skenderbeut” when the town’s teacher entrusted me to copy it for him because he “liked my penmanship”. My folks, who pronounced first and last names as one, didn’t know much about Fanoli, except that years earlier, two distinguished local men were hanged because most people of our region “were with him”, meaning they were his supporters in the events of June 1924.
Later in life, I learned much more about Bishop Noli and I still do to this day. But I can say with conviction that he was one of the most prominent national figures of histime, who left a lasting legacy for us to be inspired by, to cherish and to keep for generations to come.
Some people say that he wasn’t a good politician, mainly because his government lasted only six months, but historians comment that a democratic form of government like his, in a young and unstable country amidstthe chaos of the times, surrounded by hostile countries that were ruled by monarchy regimes, was doomed to have a short life. In addition, Fan Noli himself and many of his associates were highly educated intellectuals or noble men of tradition with high moral values, therefore they were not inclined to use violence nor treat political opponents as enemies, and unwilling to ask for outside help and support that could have come only from neighboring foes.
However, it is undisputed that Fan S. Noli, in addition to authoring great original works of literature, history, music, and the skillful translation of some of the world’sgreatest masterpieces, crafted to read like originals or even better, as the Raven’s return “Kurrëmë”, imparted on us an important legacy in his undertakings as a statesman and diplomat with a far reaching vision, a man who was steadfast to unselfishly serve the interests of the nation.
In 1909, he founded the Albanian Orthodox Church in America, where Albanian immigrants could gather to pray in their own language on American soil and work together for the freedom of Albania. He also translated the liturgy from the Greek language, showing Orthodox Albanians that they could speak to God directly in their native tongue and maintain their Albanian identity, contrary to what Greek priests have been propagating. That same year, he founded the newspaper Dielli, an instrumental platformfor Albanians in promoting literacy and keeping in touch with each other while staying abreast of current events.
In 1912, Noli founded “Vatra”, along with Konitza, Floqi, Kirka and others, to unite Albanians in the fight for independence and beyond. Noli contributed significantly in the strengthening of friendly ties with the US and, in July 1918 he obtained a promise from President Wilson, who honored it, to save Albania from further partitioning.
The admission of Albania into the League of Nations (predecessor to the UN), is another historical landmark achieved thanks to Noli’s famous intervention addressedin December of 1920 in Geneva. His appearance at the podium, speaking eloquently in flawless English, convinced the delegates of the Great Powers that a nation with such an erudite scholar can’t possibly be composed of primitive tribes ina perpetual fighting against each other, as our foes had been assertingincluding suggestions that they install their own rule over Albania to “civilize” us, theirkind of “civilized rule” that was marked with massacres committed against the Cham population in 1944/45 and against Kosovars in 1999. The revered Bishop wore the large cross on his chest during the speech, a cross that reflected a sparkling light that blinded our detractors and dispelled their poor attempts atportraying Albanians as a Turkish people, and enlightened the minds of those who were seeking to make decisions on the basis of truth and justice. That act helped bolsterthe country’s independence and position on the international stage.
Making the Orthodox Church of Albania independent from the Greek Church by declaring her Autocephaly, was initiated by Noli and was achieved through a long and arduous process, from the Congress of Berat in 1922, until it was approved and then sanctioned by a Royal Decree in 1937. This was the determining factor in counteracting the efforts of the Greek Church to hellenize the Orthodox people of Albania, with its ultimate goal of claiming Southern Albania, so called VorioEpir, as part of Greece. Unfortunately, that kind of mentality is alive even today.
Neglecting the Autocephaly, or even worse, reversing it, would amount to betraying Noli’s legacy that the Albanian nation cherishes so dearly as anessential part of its existence.
That’s why we are happy to be here today, grateful and proud of Saint George Cathedral and the Fan Noli Library for this remarkable remembrance of The Founding Father.
Thank you and God bless you always!
****
TË MBAJMË GJALLË TRASHIGIMINË E NOLIT
Nga Gjon BUÇAJ*
Peshkop Fan S. Noli ishte një prej figuravet kombëtare ma të spikatuna të kohës së tij, i cili na la një trashigimi jetëgjatë për t’u frymëzue prej saj dhe për t’a mbajtë gjallë për gjeneratat që vijnë. Ai konsiderohet si politikan i pasuksesshëm, kryesisht pse qeverija e tij në vitin 1924 ishte jetëshkurtë, por historianët komentojnë se nji formë qeverisjeje demokrtaike si ajo e Nolit, në kushte të mbrendshme e të jashtme të pafavorshme, nuk mund të kishte jetë të gjatë. Fan Noli vetë dhe bashkëpuntorët e tij, si intelektualë të mëdhaj ose personalitete fisnike të traditës, nuk kishin prirje për përdorimin e dhunës as për trajtimin e kundërshtarëvet politikë si anmiq, nuk kishin vullnet me kërkue ndimë nga jashtë që mund të vinte vetëm prej fqinjëvet anmiqsorë.
Megjithate Noli, përveç vepravet origjinale në letërsi, histori e muzikë, ka lanë edhe disa nga kryeveprat botnore të përkthyeme në një shqipe që lexohet me andje si t’ishin origjinale e që, ndonjë herë, tingllojnë edhe ma mire, si në rastin e refrenit “Kurrë më” te “Korbi”.
Në ndërmarrjet e tij si burrë shteti e diplomat largpamës, si atdhetar i gatshëm të sakrifikojë për interesin e kombit, Noli na la disa vepra me randësi historike. Në vitin 1909 themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe gazetën “Dielli”. Përkëtheu nga greqishtja liturgjinë kishtare. Në vitin 1912,
bashkë me Konicën, Floqin, Kirkën e të tjerë, themeloi Federatën “Vatra”. Kontribuoi për lidhjet miqsore me Amerikën. Në korrikun e vitit 1918 mori premtimin e Presidentit Wilson, që ai e mbajti në
Konferencën e Paqës, për shpëtimin e Shqipnisë.
Nolit i dedikohet pranimi i Shqipnisë në “Lidhjen e Kombevet” në dhetor të vitit 1920. Përmbajta e fjalimit, gjuha e përsosun anglishte e Harvard-it, si dhe kryqi i Peshkopit mbi gjoks, ishin dishmi bindëse
për delegatët e shteteve të mëdha se komb i përfaqsuem nga folësi impresionues, nuk mund të ishte i
përbamë prej fisesh primitive që nuk mund të formojshin shtet dhe se Shqipnia nuk ishte një “Turqi e
vogël” në Ballkan, si propagandojshin delegatët e anmiqvet tanë.
Autoqefalia e Kishës Ortodokse të Shqipnisë ishte ideja e Nolit dhe u shpall në Kongresin e Beratit në
vitin 1922. U deshën përpjekje të gjata deri sa u njoh nga Patrikana dhe mandej u sanksionue me nji
dekret mbretnor në vitin 1937. Ky akt historik u ba për të ndalë procesin e helenizimit të popullsisë
ortodokse shqiptare, që Kisha Greke bante me qellimin final për t’ia anksue Greqisë Jugun e Shqipnisë,
që ata e quejnë Vorio Epir. Fatkeqsisht, ai mentalitet vazhdon të jetë i gjallë edhe sot.
Lanja mbas dore, ose zhdukja e Autoqefalisë, do të ishte trathti e Trashigimisë së Nolit që kombi
shqiptar e mban si thesar të paçmueshëm, si pjesë esenciale të ekzistencës së vet.
Prandej jemi mirënjohës e të lumtun këtu sot dhe krenohemi me Bibliotekën Fan Noli dhe me Kishën e
Shën Gjergjit për këtë përkujtim të mrekullueshëm për Themeluesin e vet të Madh.
* Mbajtur më 22 Nëntor në seminarin përkujtimor organizuar nga Biblioteka Fan S Noli pranë Kishës së Shën Gjergjit në Boston.
FOTO E RRALLE E FAN S. NOLIT E VITIT 1932
Nga Ilir IKONOMI/*
Kjo është një fotografi e rrallë e Fan S. Nolit, udhëheqës i shqiptarëve të Amerikës. Është bërë nga një gazetar më 21 tetor 1932, në bordin e anijes S.S. New York, kur ajo po i afrohej brigjeve amerikane. E kisha parë këtë foto të botuar me dimensione fare të vogla në gazetën Hayward Daily Review, por më në fund gjeta origjinalin dhe tani e kemi me përmasa të plota.
Vini re tiparet karakteristike – vetullat e trasha e të harkuara, fytyrën vrarëlije dhe sidomos buzëqeshjen e zgjuar që ndriçon pamjen e përgjithshme të këtij njeriu të ditur.
Noli, ish-Kryeministër i Shqipërisë, vinte në Amerikë nga Hamburgu i Gjermanisë, por kaloi nëpër disa peripeci, për shkak se autoritetet amerikane dyshonin se ai ishte komunist. Noli u mbajt disa ditë në Ellis Island, ishulli nga ku aso kohe hynin imigrantët, shumë pranë ishullit tjetër Liberty, ku ndodhet Statuja e Lirisë.
Dy personalitete amerikane, miq të tij të dikurshëm të Harvardit, ndërhynë që Noli të lejohej të hynte në SHBA. Njëri prej tyre ishte kongresmeni Richard Wigglesworth, tjetri ishte Hamilton Holt, president i Kolegjit Rollins të Floridës. Holt i shkroi Sekretarit të Shtetit se Noli ishte një klerik i shquar dhe se ardhja e tij do t’i bënte një shërbim me vlerë Amerikës. Në Ellis Island u mblodh një komision i posaçëm për të shpejtuar procedurën e pranimit.
Megjithatë, Nolin e mbajtën në ishull plot pesë ditë. Thuhej se autoritetet kishin probleme me dokumentin e hyrjes, por më pas u mësua se ai ishte në rregull.
Fan Noli erdhi në Amerikë me premtimin se do të merrej vetëm me punët e kishës dhe jo me politikë. Ai mohoi se ishte komunist dhe menjëherë pas arritjes i deklaroi një gazete të Bostonit se dëshironte të bëhej shtetas amerikan. Noli e mori shtetësinë amerikane më 11 mars 1940.
Fan S. Noli kishte patur një jetë të pazakontë mes Evropës dhe Amerikës. Për herë të parë erdhi në SHBA në vitin 1906, u bë prift, themeloi kishën shqiptare dhe u diplomua nga Universiteti Harvard. U largua për në Evropë në fund të vitit 1912 dhe u kthye në Amerikë më 1915. Më 1920 shkoi përsëri në Shqipëri, ku u bë deputet dhe kryeministër. U rrëzua nga Ahmet Zogu në dhjetor 1924, u end nëpër Evropë 10 vjet me radhë, deri sa u vendos përfundimisht në SHBA. Vazhdoi të merrej me përkthime e me shkrime, të cilat i dhanë famë, ndoshta më shumë se sa punët e kishës dhe të politikës. Vdiq më 13 mars 1965.
Çfarë jete!(Marre nga Facebooku)
Vokacioni atdhetar e kontradiktat e Nolit (2)
(vijon nga numri i kaluar)/
Nga Anton Çefa/
Kontradikta më e thellë dhe më flagrante në dukje lidhet me qëndrimin e Nolit lidhur me përdorimin e dhunës në zgjidhjen e problemeve të mprehta shoqërore e politike. Ky ka qenë tundimi demoniak i shpirtit të tij gjithmonë të shqetësuar, ankthi që e ka ndjekur dhe e ka munduar e stërmunduar tërë jetën dhe që ai nuk ka mundur ta mposhtë plotësisht, por nuk i është nënshtruar.
Sa ka qenë i fuqishëm e i kthjellët vokacioni i tij atdhetar, sa ka qenë e gjerë, energjike dhe e vrullshme veprimtaria e tij në shërbim të këtij vokacioni, po aq ka qenë shqetësuese çështja e qëndrimit ndaj dhunës në llogoret e luftës për zhdukjen e mbeturinave të sundimit turk në strukturën shpirtërore, shoqërore, ekonomike e politike të popullit tonë, në vijën e frontit luftarak për ndërtimin e një shteti shqiptar sipas modelit perëndimor.
Ky problem e ka munduar Nolin që heret. Duket se në nënvetëdijen e tij, ai e parandjeu këtë ankth dhe prandej u përpoq të çlirohet prej tij, duke e derdhur në tragjedinë “Izraelitë e filistinë”-vepra e tij e parë, botuar në vitin 1907.
Në periudhën e rinisë, kur bëhej fjalë për çlirimin kombëtar nga sundimi turk, si gjithë rilindasit, Noli, pa asnjë mëdyshje, bënte thirrje për luftë të armatosur. Më vonë, kur shtrohej çështja e shkëputjes së Shqipërisë nga sfera lindore-aziatike dhe kur luftohej kundër tendencave diktatoriale që u vërejtën në jetën politike, në përpjekje për ndërtimin e një shteti demokratik, Noli është treguar i lëkundshëm ndaj përdorimit të dhunës-problem që më përtej, lidhet me qëndrimin ndaj marksizmit dhe bolshevizmit. Afrinë mes dhunës dhe bolshevizmit u përpoqën ta shfrytëzonin armiqtë e tij politikë për ta akuzuar si bolshevik.
Në periudhën e viteve të stuhishme e të lavdishme 1920-1924 dhe në të gjithë veprimtarinë e tij politike të këtyre viteve, Noli luftoi për një Shqipëri moderne, të qytetëruar e demokratike. Sigurisht që ai kishte parasysh modelet e demokracive amerikane e evropiane.
Në parlament Noli e paraqiste veten si përfaqësues i katundarëve e punëtorëve. Në një nga seancat e parlamentit, me iluzionin e demokracisë amerikane në imagjinatë, ai pati shpallur: “Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin”, duke bërë të vetat fjalët e Linkolnit. Besoj se asnjë mendje sado naive dhe e çoroditur qoftë nuk mund ta padisë Linkolnin për bolshevik.
Në synimet e tij për ndërtimin e një shoqërie dhe të një shteti demokratik sipas modelit perëndimor, Noli u ndesh me elementin konservator, që përpiqej ta mbante Shqipërinë të lidhur me format e vjetra të sundimit, të shpirtësuara nga fryma e mykut oriental. Luftën kundër tij, ai shumë shpesh e veshi me terma tejet radikale revolucionare, gjë që i shërbei kundërshtarëve politikë për ta akuzuar si bolshevik. Nuk është se ai e pati harruar se “të mirat dhe të këqiat në atdheun tonë nuk ishin kurrë të ndara në klasa; sepse shqiptarët më të mirë kanë qenë kurdoherë aq nga klasa e pasur, nga klasa e ashtuquajtur bejlerë e agallarë, sa edhe nga klasa e t’ashtuquajturëve harbutë” 1), terma aq të pëlqyeshme në fjalorin nolian.
Në fjalimin e tij të famshëm për “Pesë anarkitë”, mbajtur në parlament, në vitin 1924, qe shprehur: “Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive… Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë borgjezie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu është më bujk se bujku. Kini një shëmbull të bukur në partinë popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhaqet më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.”.
Kuptimplotë është fakti që në veprimtarinë e tij politike, Noli nuk u tregua armik i bejlerëve si “klasë”, por vetëm i bejlerëve konservatorë, ashtu siç luftoi edhe kundër intelektualëve konservatorë; ndërsa ai pati miq e bashkëpunëtorë bejlerë liberalë. Sa për ilustrim, po përmendim këtu se ai qe mik dhe bashkëpunoi me Ali Bej Klisurën, Mehmet Bej Konicën, Hasan Beg Prishtinën, Bajram Beg Currin, etj. Po miqësia e tij me Faik Beun? Sa qe Faiku kundërshtar i Zogut, patën një miqësi të ngushtë me njëri-tjetrin, por kur Faiku i doli në krah Zogut, filluan polemikat e ashpra, akuzat, fyerjet, siç i kanë pasur zakon të dy, dhe megjithatë, miqësinë e mbajtën tërë jetën. Kur shkoi në Shqipëri si deputet i “Vatrës”, në vitin 1920, Noli lidhi miqësi edhe me Ahmet Beg Zogollin, por kjo miqësi u prish shpejt, për shkak të vizionit dhe programit politik të tyre të ndryshëm.
Ndër shumë kërkesa të Nolit, të shtruara në parlament, po veçoj dy nga më rëndësoret: zbatimin e reformës agrare dhe dhënien e të drejtës së votës grave, dy kërkesa më se të nevojshme në funksion të çlirimit shoqëror dhe ekonomik të popullit tonë. Ky qe në vijat më të përgjithshme “yryshi” i tij “bolshevik” kundër “feudalizmit”!
Megjithëse në fjalimin e tij mbi varrin e Avni Rustemit, ai dha “kushtrimin luftarak” për të marshuar drejt Tiranës për realizimin e idealit të tij atdhetar e politik të krijimit të një republike demokratike-duke shkuar edhe në kundërshtim me këshillën e Gurakuqit për mospërdorimin e dhunës-qeverisja e tij në periudhën qershor-dhjetor 1924 dëshmoi se Noli nuk paskësh qenë për dhunën. Siç ka thënë Tajar Zavalani “ai që kishte hudhë parrullën e revolucionit mbi varrin e Avni Rustemit, u tregua më pak revolucionar se të gjithë. 2). Dhe, siç dihet prej të gjithëve, kur forcat e Zogut rrethuan Tiranën, në dhjetor të vitit 1924, dhe ministri i luftës, Kasem Qafëzezi, shkoi ta pyeste Nolin se si duhej të vepronte, këtij iu desh të priste tek dera e zyrës afër dy orë, sepse kryeministri po i binte fyellit!
Edhe po t’i mbledhim së bashku të gjitha gabimet e Nolit lidhur me problemin që po trajtojmë, qoftë fjalimin në Gjenevë, ku demokracinë e quajti një mashtrim hipokrit të popujve, parlamentin një murtajë, zgjedhjet e lira një komedi, etj., qoftë marrëdhëniet me sovjetikët (ardhjen e misionit diplomatik dhe njohjen e B. S.), qoftë disa mendime të tijat të shprehura në ndonjë introduktë lerare a në poezi, nuk na japin argumente për ta paditur atë si bolshevik
Në fushën e organizimit politik, mbas dështimit të të ashtuquajturit Revolucion Demokratiko-Borgjez të Qërshorit 3), Noli vepron në krahun e revolucionarëve. Në vitin 1925, ai është në krye të KONARE-s, organizëm politik i mërgimtarëve demokratë revolucionarë shqiptarë dhe më vonë, më 1927, ai është kryetar i Komitetit të Çlirimit Nacional, ku bënin pjesë edhe komunistët shqiptarë, të cilët nëpërmjet Federatës Komuniste Ballkanike lidheshin me Kominternin.
Më 1927, Noli viziton Moskën, si anëtar i delegacionit të popujve të Ballkanit për të marrë pjesë në Kongresin e Miqve të Bashkimit Sovjetik, me rastin e 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Në dy shkrime të botuara në Pravda ai shfaqi “simpatinë e tij për shtetin socialist”, “për sukseset e tij të mëdha”, “për politikën paqedashëse” dhe “besimin për një të ardhme më të mirë” të popujve sovjetikë. 4). Simpatia dhe besimi për një të ardhme më të mirë nuk mund të etiketohen me bolshevizëm.
Kultivimi në ndërgjegjën noliane i simpatisë për B. S., lindur dhe ushqyer nga shpresa se shteti i parë socialist në botë, “shteti i punëtorëve e i fshatarëve” do të ndihmonte për çlirimin politik e shoqëror, begatinë e paqen e popujve të vegjël, argumentohej edhe me faktin se Rusia Sovjetike pati publikuar Traktatin e Fshehtë të Londrës për copëtimin e atdheut tonë.
Duke folur për afrimin me sovjetikët, në kohën kur Lidhja e Kombeve dhe Shtetet Perëndimore nuk i dhanë ndihmën financiare aq të nevojshme për Shqipërinë, Robert C. Austin thekson: “Ky hap, të cilin Noli e ndërmori në mënyrë të njëanshme, ishte projektuar më shumë si një përpjekje e fundit për të tërhequr vëmendjen e Perëndimit sesa për të lejuar depërtimin e lirë të sovjetikëve në vend.” 5).
Si njeri i dimensioneve evropiane e botërore, Noli u përfshi në lajthitjen e shumë personaliteteve të mëdha të kohës, që e menduan shpëtimin, d. m. th. çlirimin politik e shoqëror të njerëzimit, në rrugën e sovjetëve.
Gjatë gjithë shekullit XX, duke lënë mbanesh gjysën e dytë të shek. XIX, (kujto, p. sh., Federatën Social Demokrate që pati krijuar më 1881 poeti anglez William Morris, simpatizues i zellshëm i marksizmit dhe, më 1884, Shoqërinë Fabiane, ku bënte pjesë ndër personalitete të njohura intelektuale edhe miku e vlerësuesi i Nolit, George Bernard Shaw), në Evropën Perëndimore ekzistonin grupe intelektualësh që jo vetëm simpatizonin komunizmin, por qenë futur në radhët e partive komuniste, parti të cilat, mbas triumfit të Revolucionit të Tetorit, vepronin nën diktatin e Internacionales Komuniste. 6).
I gjithë krahu i majtë i intelektualëve evroperëndimorë, në vitet 20-30 të shekullit të kaluar, u nda mes atyre që përkrahnin socializmin dhe atyre që përkrahnin komunizmin dhe, kuptohet, debatet mes këtyre dy grupeve ndikuan mbi jetën politike të Evropës deri në vitet ’80, vitet që sollën përmbysjen e komunizmit.
Sidomos gjatë viteve ’30, për shumë intelektualë jo vetëm të përmasave kombëtare, por edhe të atyre evropiane e botërore, në radhët e të cilëve futej Noli, komunizmi shihej si rrugë e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave njerëzore.
Shumë intelektualë vizituan gjatë kësaj periudhe Bashkimin Sovjetik dhe vlerësuan arritjet e tij. Një pjesë e tyre nuk dinin gjë për terrorin stalinist; disa-edhe kjo duhet thënë-mbyllën sytë para tragjedisë sovjetike, duke besuar se qëllimet humane, çlirimi i popujve, e ardhmja e njerëzimit mund të arrihen përmes metodave johumane; pa lënë jashtë edhe ata që mbrojtën haptas terrorin stalinist. 7).
A nuk qenë komunistë nobelistët e lëtërsisë Romeo Roland, Pablo Neruda, Gabriel Garcia Marques (babai i realizmit magjik dhe i dashuruari pas Fidel Kastros), a nuk qenë komunistë personalitetet e shquara të letrave: Frederico Garcia Lorca, Henry Barbys, Louis Aragon, Paul Ives Nizan, Andre Malraux, Paul Eduard, Martin Andersen Nekse, e sa e sa të tjerë? Sa mashtruese aq edhe mikluese qe ëndrra e komunizmit për një shoqëri të lirë, ku të mbretëronte barazia e të mos njihej shtypja e shfrytëzimi.
Gjatë viteve 20-30, komunizmi qe bërë për shumë personalitete evropiane si një besim i dytë. Natyrisht, nuk vonoi që ky besim të digjej në flakët e ferrit të kuq. Mbas proceseve gjyqësore të mesit të viteve 30, që nuk patën të mbaruar, mbas Luftës Civile në Spanjë (1936-39), mbas Paktit Sovjeto-Gjerman (1939), mbas invadimit të Hungarisë dhe atij të Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, zhgënjimi qe i plotë.
Jashtëzakonisht qartë është paraqitur ky zhgënjim nga një grup intelektualësh ish-komunistë mbas Luftës së Dytë Botërore, në librin “Zoti që dështoi” (1949), një përmbledhje esesh botuar nga Ed. R. Crossman. Shumë e shumë vepra u bënë pasqyrë e këtij zhgënjimi. Romancieri dhe eseisti hungarez Arthur Koestler e ka pasqyruar atë në disa vepra të tijat, por sidomos në romanin “Errësirë në mesditë” (1941), subjekti i të cilit janë proceset gjyqësore të viteve ’30 të shek. XX në B. S.
Ndoshta më i njohuri nga ata që e diskredituan qe George Orwell, i cili pati qenë simpatizant i flaktë i komunizmit dhe diskreditoi sidomos tendencat totalitariste si kërcënim të vlerave humane, në romanet “Ferma e kafshëve” (1945) dhe“1984”(botuar më 1949).
Edhe filozofit të madh francez Jean-Paul Sartre, babai i ekzistencializmit, i cili për një kohë të gjatë pati besuar tek Bashkimi Sovjetik, “Revolucioni Hungarez” ia pati ftohur zjarrin e besimit e të dashurisë për sovjetët.
Megjithëkëtë, zhgënjimi i madh i intelektualëve evropianë ndaj B. S.dhe Stalinit nuk duhet interpretuar edhe si zhgënjim ndaj marksizmit, sepse personalitete të mëdha të politikës, po edhe të filozofisë dhe të artit, vazhduan të mendojnë për një komunizëm të ndryshëm nga modeli sovjetik. Sa për ilustrim, po përmendim këtu vetëm filozofin amerikan Herbert Marcuse, (1898-1979), i cili nëpërmjet të një gërshetimi të frojdizmit me marksizmin predikoi revolucionin e dhunshëm, si shkallën e parë për të shkuar drejt një shoqërie më të pasur dhe më humane. Në vitet 60 të shek. që kaloi, ai qe bërë figura kryesore e së “Majtës së Re” në SHBA. 8).
Të kthehemi tek Noli. Mbas dështimit të tij politik, humanizmi dhe vokacioni i fortë atdhetar iu bënë më të thekshëm dhe dhimbja për atdheun iu bë edhe më e madhe-duke e menduar veten shkaktar të asaj që pësoi jo vetëm ai por edhe atdheu. Duket sikur iu konsumuan lëkundjet dhe u bind se “dhuna revolucionare e masave është alternativa e vetme e luftës ndaj dhunës kundërrevolucionare”.
Në poezinë autobiografike “Krishti me kamçikun” që mendohet të jetë botuar më 1930, por që mund të jetë shkruar më parë, Noli qan hallin e atdheut që kishte rënë në dorë të batakçinjëve:
“Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë
janë shtruar sarafët pa shpirt e pa besë,
tregëtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrutojnë”
Krishti, që nuk e duron dot këtë gjendje, merr kamxhikun: “Me kamçik e me fshikull sarafet i dboj,/ dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj.”; por shpejt pendohet dhe e hedh kamxhikun, (në kundërshtim me këshillën e Shen Pjetrit), sepse “lirin’ e sjell drita e mendjes, jo druri”. Dhe çfarë ndodhi atëherë? “Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë/ dhe e shempnë çlironjësin, fen’ e atdhenë”. Krishti pendohet që përdori dhunën, ndërgjegjja dhe besimi që predikon nuk ia lejojnë dhunën; megjithëse logjika e ngjarjeve është në favor të saj. I tillë mund të përvijohet qëndrimi i Nolit. Ai rropatej në vorbullën e tallazitur të kësaj kontradikte, por pa iu nënshtruar asaj. Sentenca latine “Thehem, por s’përkulem” është mishërimi i qëndrimit nolian në gjirin e kësaj kontradikte.
Në këtë frymë, në shtratin e kësaj lëkundjeje, Noli, mbas dështimit politik, analizoi qëndrimin e tij ndaj dhunës, çka na bën të arrijmë në përfundimin që teorikisht ai e pranon dhunën, por praktikisht nuk mund ta vërë në jetë.
Në këtë hulli mendore e shpirtërore, megjithëse lëkundjet vazhdojnë, ai arrin ta predikojë përdorimin e dhunës. Kjo është shkalla më e lartë e “bolshevizmit” të Nolit. E kësaj kohe është poezia “Anës së lumenjve”, ku shqiptohet thirrja për kryengritje. Po çfarë është konkretisht qenësia e kësaj thirrjeje kryengritëse në poezinë e mësipërme? Ajo është thjesht një thirrje drejtuar masave popullore për të luftuar kundër gjendjes së krijuar në Shqipëri, kundër republikës autoritare që u vendos menjëherë mbas dështimit të ngjarjeve të qërshorit dhe që në krye të tri viteve, nga një “kuvend” që votoi një zëri, u kthye në mbretëri të trashëguar, e cila solli me vete njëfarë stabilizimi shtetëror të një dore të fortë, por jo çlirimin shpirtëror e shoqëror, për të cilin kishte nevojë Shqipëria. Është pikërisht ajo kohë, kur si shpërblim për shërbimet e larta që i kanë bërë Atdheut, u përshëndetën me plumb tribunët e lavdishën popullorë si Gurakuqi, Bajram Curri, e të tjerë.
Thirrja e poezisë “Anës së lumenjve”, e cila më së shumti e etiketoi Nolin si bolshevik, nuk ka asgjë të përbashkët me revolucionin bolshevik, që synon vendosjen e diktaturës se proletariatit, ndërtimin e pushtetit të sovjetëve dhe të gjitha shndërrimet e tjera të dhunshme që pasojnë këtë diktaturë. Logjika e shëndoshë asesi nuk mund të argumentojë te kjo thirrje bolshevizmin. Noli kategorikisht qe armik i betuar i çdo diktature. Ideali i tij politik ka qenë një regjim republikan, në kuptimin më të saktë të kësaj fjale. Si militant i lirisë së mendimit,-premisa kryesore e çlirimit shpirtëror të një shoqërie,- atij i përshtatet më së forti thënia e Thomas Jefferson-it, presidentit III të Shteteve të Bashkuara, autorit kryesor të Deklaratës së Indipendencës: “Unë jam betuar në altarin e Zotit për armiqësi të përjetshme kundër çdo forme tiranie mbi mendjen e njeriut.”
Armiqtë politikë dhe intelektualët puthadorë të tyre e shfrytëzuan këtë thirrje për qëllimet e tyre. Peshkopit tonë të nderuar iu shtua nofka “I kuq”. Ai u akuzua si bolshevik. (Duhet ditur se të parët që e akuzuan Nolin për bolshevizëm kanë qenë grekët). Kjo kontradiktë ideologjike e Nolit, kontradikta mes vokacionit e misionit të tij fetar kristian dhe thirrjes “bolshevike” për dhunë mori ngjyra paradoksale. I krijuar nga propaganda me synime të caktuara, paradoksi nolian bëri një përshtypje të thellë, sepse së paku atyre kulmeve të ndërgjegjes humane botërore që përmendëm më lart nuk i peshonte kryqi mbi gjoks. Të vjen çudi, kur edhe sot e kësaj dite ndonjë intelektual e ndjen ende shijën e këtij “bolshevizmi” nolian.
Nga më të avancuarat dhe të diskutuarat ndër introduktat e Nolit, për problemin që po trajtojmë, është ajo e “Armikut të popullit” e Ibsenit. Pipa ka shkruar që pasazhe të kësaj introdukte “hedhin dritë edhe në ideologjinë revolucionare të Nolit, që pa frikë mund ta quash bolshevike” 9).
Në këtë introduktë, Noli ngrihet kundër institucioneve të shoqërisë borgjeze: ideologjisë (të cilën ai e quan “faqe me nder demokratike”), lirisë së fjalës, zgjedhjeve, parlamentit, fesë, shkollës, opinionit publik, shtypit.
Edhe sot e kësaj dite, kur demokracia ka ecur mjaft përpara, nuk mund të pranohet që institucionet demokratike janë të përkryera. Aq më tëpër në vitet 20-30 të shekullit që porsa e lëmë, të cilat sollën në sofrën botërore të ideologjisë e të politikës rrymat e fuqishme, të përgjakshme e të stërpërgjakshme të fashizmit, nazizmit e komunizmit.
Panariti lidhur me konceptin që kishte Noli për për lirinë e mendimit ka shkruar: “Pas theorisë Noliane, liria s’është e lirë asgjëkundi. Kudo kufizohet me mënyra të ndryshme. Diktatoritë t’a kufizojnë lirin’ e mejtimit me anë të burgut dhe të litarit, kurse shtetet Perëndimore t’a kufizojnë me anë të propagandës dhe të policisë sekrete, pregaditin dosje fiktive dhe në bazë të tyre, të vënë vulën e kuqe (nënvizimi im, A. Ç.), ose nonjë tjetër vulë që të të çkreditojnë përpara turmës ignorante. Po natyrisht në botën Perëndimore liri e mejtimit është tolerabile, kurse në botën diktatoriale të presin gjuhën” 10).
Të ngrihesh kundër institucioneve borgjeze është një çështje; çështja tjetër-më rëndësorja- është, në emër të kuj e bën këtë “kryengritje”, në emër të ndonjë teorie socialistësh evroperëndimorë, apo në emër të një revolucioni bolshevik, për t’i zëvendësuar ato institucione me diktaturën e proletariatit, d. m. th. për t’i mohuar?
Ja zgjidhja që i bën Noli, duke komentuar figurën e Doktor Stokmanit: “Kjo shoqëri duhet përmbysur me gjithsej se është e pamundur të ndreqet me ato baza që ka. Qysh? Nga njëra anë me luftë (dhe këtu nuk është fjala për luftë të armatosur revolucionare, por kryesisht për përpjekje reformative, qoftë edhe me force; shënimi im, A. Ç), nga ana tjetër me edukatë, duke rritur një brez të ri ploretarësh…”. Dhe këtu të shkon mendja menjëherë tek “Republika e Platonit” dhe jo tek marksizëm-leninizmi.
Nuk mund të mospërfillet ndonjë interpretim i Nolit në këtë introduktë, në të cilën ai “e kapërcen vetë domethënien e kësaj vepre, përtej kritikës që i bën dhe që mund t’i bënte Ibseni shoqërisë borgjeze” 11). Këtu, më shumë se kudo ndihet lajthitja e përbotshme ndaj komunizmit, (Noli e botoi “Armikun e popullit” në vitin 1926, ndërsa Ibseni në vitin 1890), por gjithsesi, edhe në këtë introduktë, “bolshevizmi” i Nolit mbetet ndër thonjëza.
Kritika e realizmit socialist, duke i peshuar dukuritë letrare në kandarin politik të partishmërisë, që ka qenë parim i parë më i rëndësishmi i kësaj metode, ka vënë në dukje “kufizimet” e Nolit në formimin e tij ideologjik, “stepjet ideologjike”, “shkarjet politike”(!), d. m. th. trajtimin e gabuar prej tij të bolshevizmit.
Vërëhen herë-herë në shtypin shqiptar dhe në median elektronike, shkrime të papërgjegjshme, plotësisht të papërgjegjshme, të ndonjë pene të çoroditur, ku figura e Nolit cilësohet në mënyrat më të çuditshme, shpesh poshtëruese. P. sh., në revistën “Klan” (v. 1999, nr. 4.), shkruhet për Nolin që ka qenë “spiun i austriakëve”, “ka vjedhur gjithë florinjtë e arkës së shtetit”, “ka vjedhur librat ‘Historia e Skendërbeut’ dhe ‘Bethoveni dhe Revolucioni Francez’ nga Konica, kur është pushtuar Shqipëria nga Italia, më 1939, ka thënë: “Sikur t’i bjerë zjarri Shqipërisë, unë do të bëj sehir dhe do të fërkoj duart si Neroni kur u dogj Roma” dhe shprehje të tjera që bëjnë me qeshë edhe gomarin. Në internet, gjatë këtij viti është shkruar:“Revolucioni i 1924-ës ka qenë revolucion terroristo-ortodokso-bolshevik” dhe Noli është cilësuar: “diktatori i parë ortodokso-komunist i historisë së Shqipërisë”!
Po ndalem paksa, sado që nuk ia vlen, tek dy cilësimet e fundit, që kanë lidhje më këtë shkrim. Duke lënë mbanesh faktin që këtyre penave u mungon predispozicioni qytetar për të vlerësuar me objektivitet atdhetarët idealistë dhe njerëzit e shquar të kulturës sonë; këto lloj përcaktimesh e të tjera si këto, në kandarin shkencor–duke huajtur një shprehje noliane–janë “flluska e supërflluska sapuni”, ku në vend të vezullimeve logjike e historike, shkëlqejnë padituria, mllefi dhe helmi i qëllimeve të autorëve.
(Ndër kllapa: janë po ato pena që përpiqen të përmbysin atë çka më të shenjtë e më të vyer ka krijuar populli ynë dhe të nxjerrin në pah atë çka ai ka pasur më të ndyrë e më të neveritshme, ato pena që hedhin baltë mbi Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, për të na ngritur në vend të tij shëmtira pashallarësh, që i shërbyen me devotshmëri fanatike pushtuesit turk dhe iu kundërvunë egërsisht, me zjarr e me hekur, luftës çlirimtare të popullit tonë; janë po ato pena që ngrejnë piedestale për Haxhi Qamilat e Esat Toptanat. Cilido që të jetë qëllimi i tyre, ai është para së gjithash e mbi të gjitha antishqiptar.)
Pa pasur ndërmend t’u shpjegoj këtyre zotërinjve konceptet e revolucionit, terrorizmit, ortodoksizmit, diktaturës, etj., u kujtoj vetëm që hapësira e konceptit “bolshevizëm” është një hapësirë e përgjakshme dhune e krimi shumëdimensional. Ajo përfshin revolucionin e dhunshëm, vrasjen pas shpine dhe çdo mjet tjetër makiavelik, grabitjen e pasurive private, shtetizimin e ekonomisë, mohimin më të skajshëm të identitetit të njeriut, nëpërkëmbjen dhe poshtërimin deri në fund të dinjitetit të tij, mungesën e të gjitha lirive e të drejtave njerëzore, duke përdorur kontrollin më të egër dhe censurën më të reptë të mendimit të lirë, që ushtrohen nga e vetmja parti në pushtet dhe nga organizmat më brutale e më represive të policive sekrete dhe sa e sa përbërës të tjerë, nga më antinjerëzorët, që ka sajuar ndonjëherë mëndja satanike e njeriut.
Noli ka pasur gabimet e tij në politikë, gabime që dëmtuan vokacionin e fuqishëm atdhetar e qëllimet e tij të fisme dhe i bënë dëm ndonjëherë atdheut dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Ashtu siç simbolizoi “sinthezin e virtyteve të racës arbërore”, ashtu mishëroi edhe disa nga të metat e tharmit etnik iliro-shqiptar. Ai nuk doli dot nga ajo hise e shpirtit shqiptar, që përvijohet nga hakmarrja, urrejtja, inati, fyerja ndaj kundërshtarit, vështirësia në pranimin e gabimeve; por kjo hise shpirti është fare e zbehtë përballë shkëlqimit të madhështisë së personalitetit të tij.
Njohës i thellë dhe vlerësues i paanshëm i kulturave e qytetërimmeve botërore, të lashta e bashkëkohore, perëndimore e lindore, të cilat ai ia shtroi popullit tonë aq mjeshtërisht në sofrën e dijes; i ushqyer nga një dhimbje e thekshme atdhetari idealist, ithtar i flaktë i “mejtimit të lirë”, i pashëmbullt në energjinë e tij; ai u bë një gjenerator i fuqishëm i lëvizjes mendore të kohës së tij, që vazhdon e do të vazhdojë të ndikojë gjithnjë mbi inteligjencien shqiptare, një kultivator i mendimit demokratik, duke e futur popullin tonë në rrugën e gjerë e të vështirë të çlirimit shpirtëror e shoqëror, rrugë në të cilën, ai qe njëri nga prijësit më të shkëlqyeshëm.
Noli qe një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kulturës sonë në kulturën evropiane e botërore. Në fushën e kulturës, ai qe i madh si shqiptar dhe po aq i madh si evropian.
Noli qe një Mojsi që u përpoq me të gjitha forcat për ta çuar popullin tonë në tokën e premtuar të demokracisë, por nuk ia arriti; por ai ia arrit ta drejtojë atë në tokën e premtuar të kulturës e të qytetërimit.
Referenca dhe shënime:
1). “Flamurtari i kombit”, NY. 1982, f. 66.
2). Tajar Zavalani, “Histori e Shqipnis”, 1998, f. 280.
3). Për ato që e kanë të qartë konceptin e revolucionit, nuk paraqitet nevoja të argumentohet që ngjarjet e qërshorit 1924 nuk mund të cilësohen si revolucion. Vetë “Luigj Gurakuqi, në një intervistë që dha në gazetën ‘Popolo d’Italia’ deklaroi se ngjarjet e qërshorit 1924 nuk ishin një revolucion i vërtetë, por një grusht shteti.” (Cituar nga Robert C. Austin: “Shtegu i pashkelur i Fan Nolit-Demokracia në Shqipëri në vitet 1920-1924”, f.84).
4). Akademia e Shkencave e PS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i lëtërsisë, “Noli Vepra 1”, Tiranë 1987, f .392.
5). Robert C. Austin, vepër e cituar, f. 197.
6). Donald Kagan, Steven Ozment, Frank M. Turner, “The Western Heritage”, Fourth Edition, Volume II, p. 868.
7). Po aty, f. 1135.
8). “The New Webster’s International Encyclopedia”, Naples, Fl., 1998, p. 676.
9). Revista “Fryma e Re”, Tiranë, 1993, nr. 1, f. 5.
10). Qerim Panariti, “Fan S. Noli, Albumi II”, Boston Mass. 1996, f. 112.
11). Akademia e Shkencave…, vepër e cituar, f. 39.
Vokacioni atdhetar dhe kontradiktat e Nolit (1)
Nga Anton Çefa/
Eshtë folur shumë për kontradiktat e Nolit, aq sa është thënë që “që ekzistojnë shumë Nolër, në kundërshtim me njëri-tjetrin”1). Janë quajtur ato kundërthënie, inkoerenca, kontradikta dhe paradokse.
Eshtë më se e vërtetë që Noli të jep mundësi e argumente që ta trajtosh atë kontradiktor në disa hulli. Në vorbullën e kontradiktave noliane, ato më ngacmueset janë dy: a ka qenë Peshkopi ynë i shquar besimtar a jobesimtar, për të mos thënë kundërshtar i besimit dhe, në zgjidhjen e problemeve të mëdha shoqërore e politike, a ka qenë për përdorimin e dhunës a kundra saj, a ka qene revolucionar a kundërrevolucionar.
Po jap mendimin tim, duke i peshuar kontradiktat në vokacionet e tij, të cilat gjithashtu kanë qenë të shumta, por duke u përpjekur të nxjerr në dukje ato më rëndësorët prej tyre.
Para së gjithash, duhet thënë se në pikëpamje psikologjike dhe filozofike, duhet pranuar që kontradikta subjektive është në shpirtin e njeriut, në mendjen, në zemrën, në jetën dhe në veprimtarinë e tij. Të lindura fillimisht nga dyshimi, me zgjerimin e përvojës jetësore dhe të kulturës, tek mendimtari a veprimtari, në përpjekjet e tij për t’ju afruar sa më shumë së vërtetës, në çdo plan teorik a praktik që kërkohet ajo, shfaqen kontradiktat. Qenësia e kësaj dukurie është në përputhje me personalitetin e njeriut. Eshtë i njohur fenomeni që kontradiktat e personaliteteve të shquara marrin ngjyra paradoksale, siç është bërë zakon të thuhet, por edhe siç është shpesh e vërtetë.
Personalitetet e larta që tejkalojnë kufijt kombëtarë, siç qe Noli ynë, mishërojnë jo vetëm kontradiktat individuale apo ato të një bashkësie, qoftë kjo edhe një komb, por edhe kontradiktat e njerëzimit, sepse të tilla personalitete janë shprehje e ndërgjegjes së njerëzimit, pra edhe e kontradiktave që e ngërthejnë atë, ndërgjegje që përpiqet e lufton për t’i hedhë dritë së ardhmes.
Njeriu gjatë gjithë jetës së tij, me rritjen e përvojës praktike jetësore dhe me zgjerimin e dimensioneve të kulturës, e përsos dhe e ndryshon mendimin e tij për probleme të rëndësishme, duke shkuar edhe tek kundërshtimi i mendimit të tij të mëparshëm. Gjë krejt normale. Në këtë rast nuk mund të bëjmë fjalë për kontradikta në kuptimin e vërtetë të fjalës, pa rënë në mohimin e zhvillimit të pandërprerë mendor e shpirtëror të njeriut. A nuk kemi sa e sa personalitete evropiane e botërore që në dekadat e para të shekullit të kaluar u lajthitën nga marksizmi e leninizmi dhe, më vonë, u bënë kundërshtarë të tij? Vetë Noli e ka shprehur një dukuri të tillë në introduktën e tij për Khajamin: “Eshtë e pabesueshme që Omar Khajami, armik i të gjitha despotizmave, të mos ketë ndryshuar aspak pikëpamjet e tij filosofike brenda në 55 vjet” 2).
Si qëndron Noli mes fesë e ateizmit, a beson apo nuk beson, a është përkrahës i fesë apo kundërshtar i saj – kjo është kontradikta më tunduese për ato që përpiqen ta trajtojnë atë si ateist dhe kundërshtar të fesë.
Megjithësë nuk është për t’u marrë në konsideratë trajtimi i njëanshëm, në një farë mënyrë tendencioz, që iu bë këtij problemi në periudhën e diktaturës, sepse aty mund të ketë indoktrinim, mungesë çiltërsie, më tepër se objektivitet e bindje shkencore; gjithsesi duhet thënë diçka. Namik Resuli në studimin e tij “Fan Noli sot” 3) ka polemizuar për këtë çështje me Koço Bihikun dhe Dhimitër Shuteriqin, lidhur me “antifetarizmin” e Nolit (në ndonjë poezi e shprehje të tijen), duke pranuar këtë dukuri–sado lëkundshëm – si inkoerencë të Nolit (mbështetur në një shprehje të nxjerrë nga një letër që Noli i ka dërguar Tashkos, më 1906: “Perëndisë që nuk i besoj, i ardhtë keq!” dhe e ka mbyllur këtë çështje, duke e lënë në kapërcyell, me citimin e Qerim Panaritit, biografit të parë të Nolit: “Si person, Noli gëzonte të gjitha të metat e njeriut plus të metat e tij si individual”, (d. m. th. si individ, shënimi im, A. Ç.). Mendoj se kjo shprehje dhe ndonjë tjetër që bie Qerim Panariti në librin e tij 4) mund të jenë rezultat i një momenti shpirtëror a rrethanash të veçanta dhe nuk duhen marrë për bazë për të nxjerrë përfundime rëndësore kategorike, që bien në kundërshtim me krejt jetën dhe veprimtarinë e Nolit.
Aleks Buda ka shkruar: “Me vullnet të lirë e me ndërgjegje, Noli zgjodhi rrugën e priftërisë. Nuk ishte as një thirrje e brendshme, as nevoja për të siguruar jetesën që e çoi në këtë rrugë. Ajo që në kushte normale do të ishte një maskeradë – veshja prift – për një njeri që në thelb…ishte një skeptik në pikëpamje fetare, qe në të vërtetë një akt vetëflijimi i një njeriu që pranoi të flijojë një jetë normale njerëzore dhe lirinë e vet personale e mendore për nevojat politike kombëtare, të luftës kundër veprimtarisë kombëtare të feve e kishave; qe ky një akt vetëmohimi tragjik sepse e detyroi të rrojë një jetë në dy rrafshe” 5). (Eshtë fjala, për rrafshin politik dhe atë fetar).
Me pak fjalë kështu është trajtuar vendimi i Nolit për t’u bërë prift dhe misioni i tij fetar nga mendimi i shkencës shqiptare nën trysninë e diktaturës. Pra, Noli u bë prift pa pasë një thirrje të brendshme, sepse përkundrazi ai ishte “skeptik” në qëndrimin ndaj fesë; por u vetëflijua tragjikisht për “nevojat e politikës kombëtare”.
Së pari, na duket një gjykim tepër i sipërfaqshëm mohimi i thirrjes së mbrendshme, vokacionit fetar, që e drejtoi Nolin në rrugën e priftërisë.
Nga të gjitha vokacionet e Nolit, dy janë më të fuqishmet dhe më ndikueset në veprimtaritë e tij: ai fetar dhe ai atdhetar, vokacioni qiellor dhe një nga “tokësorët”.
Shfaqja dhe jetëgjatësia e vokacioneve kanë kronologjinë e tyre në jetën e njeriut, gjë që del më në pah tek njerëzit e mëdhenj. Pa u zgjatur në këtë çështje duhet të pranojmë se është vokacioni fetar, ndoshta për vetë natyrën e tij ekskluzivisht shpirtërore, që u shfaq tek Noli shumë heret, që në moshë të njomë, dhe që e shoqëroi atë, siç do ta themi më poshtë, tërë jetën. (Eshtë për t’u shënuar se në hullinë e religjionit, vokacioni është një thirrje e brendshme që Hyu i bën një shpirti për t’ju kushtuar i tëri Atij; ndërsa në vokacionet e tjera, “tokësoret”, motivacioni është krejtësisht në hullitë njerëzore dhe shfaqet tek aftësitë dhe talenti i njeriut.).
Vetë Noli na tregon në “Autobiografinë” e tij se ai ishte i vetmi prej pjesëtarëve të familjes që e shoqëronte gjyshe Sumbën në agjërimet e saj; bile edhe ndër ato më të vështirat, siç ishte të qëndruarit, dy herë në vit, tri ditë rresht, pa ngrënë e pa pirë; megjithëse gjyshja, “përherë rropatej ta bindte që të mos agjëronte, sepse ishte shëndetlig” 6). Si mund të spjegohet ndryshe ky veprim fëminor, përveçse me një impuls të brendshëm shpirtëror? Ky predispozicion shpirtëror i fuqishëm e shoqëroi Nolin tërë jetën. Dhe më vonë në një moshë të pjekur, duke iu nënshtruar këtij vokacioni hyjnor dhe duke synuar në sendërtimin e idealeve të tij të larta qiellore e tokësore, fetare e atdhetare, Noli nuk flijoi kurrëfarë lirie të vetëvetes; nuk bëri ndonjë vetëflijim, përkundrazi ai krijoi mundësinë që të pajtonte dy vokacionet e tij më të fuqishme, duke u vënë plotësisht në shërbim të tyre dhe për hir të këtyre vokacioneve ai solidarësoi bashkësinë shqiptare ortodokse të Amerikës, duke e shkëputur atë nga ndikimi, intrigat dhe politika antishqiptare e Patrikanës dhe themeloi Kishën Shqiptare, u mor me politikë, duke u bërë një luftëtar i fkaktë për ndërtimin e një shoqërie shqiptare sa më të çliruar shpirtërisht dhe lavëroi në tërë ato fusha të kulturës, artit, shkencës, aftësitë e tij të rralla.
Eshtë tepër e çuditshme, flagrante të pranojmë se personaliteti i Nolit në tërë madhështinë e gjenialitetit të tij t’ia kishte nevojën maskave dhe maskaradave.
Jeta dhe veprimtaria e Nolit nuk lënë në dyshim vokacionin dhe bindjen fetare të tijen. Noli e hapi dhe e mbylli jetën si besimtar i zellshëm. Në frymëzimin e tij shpirtëror, në prirjen dhe misionin jetësor dhe, jo e parëndësishme, në trashëgiminë instinktive dhe edukatën që mori që heret në familje, ai na dëshmohet katërcipërisht fetar. Fetar në ideal, fetar në bindje, fetar në veprim. Fetar në fëmijëri, fetar në rini, fetar në moshë të pjekur dhe në pleqëri; fetar në jetë, fetar në vdekje.
Më shumë se çdo gjë dëshmon vepritaria e tij jetësore. Nën ndikimin e edukatës familjare, që në fëmijëri, ai mendonte të bëhej “kalorës i Skendërbeut” dhe “misionar i Krishtit”, dhe përpara marrjes së çdo vendimi ai pyeste veten: “Si do të kishte vepruar Krishti, në një rast të tillë?” Dhe përgjigjej: “Krishti do t’i besonte Zotit dhe do të shkonte përpara”. 7)
Gjatë gjithë jetës, ai jo vetëm ushtroi detyrën si prift, por kohën më të madhe ia kushtoi propagandës fetare. Që më 22 mars 1908, në moshën 26-vjeçare, vetëm 14 ditë mbasi u dorëzua prift, celebroi Liturgjinë e Parë Hyjnore në gjuhën shqipe dhe po këtë vit botoi “Shërbesat e Javës së Madhe”, duke filluar me botimet e materialeve fetare, që vazhduan gjatë gjithë jetës. Me që lista e tyre është shumë e gjatë, po shënojmë këtu vetëm vitet e botimeve: 1908, 1909, 1913, 1914, 1916, 1936, 1941, 1948, 1949, 1950, 1952, 1954, 1955, 1956, 1957, 1961, 1962 dhe vetëm një vit para se të vdiste botoi Psalmet e përkthyera nga hebraishtja. Sqarojmë që në disa prej viteve të përmendura më lart, ai realizoi dy e më tepër botime. A mund të bëhëj e gjithë kjo punë e vëllimshme dhe e shtrirë në krejt hapësirën jetësore pa një predispozicion të fuqishëm shpirtëror dhe vetëm e diktuar nga nevojat e politikës kombëtare?
Noli ka shkruar: “Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha” 8); ndërsa përkthimin dhe kompilimin e Kremtores (Menoion) – një libër shërbese që përmban psalmet, odet dhe troparia të vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur “sodisfaksionin e tij më të madh” 9) dhe “veprën, në të cilën janë përqëndruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale” 10).
Në tryezën e punës, ditën që vdiq, iu gjetën: një vëllim i vogël poezish franceze, disa fletë me përkthime nga ky vëllim, (dëshmi e gjallë e hapësirës kohore dhe fuqisë së vokacionit për artin poetik), si dhe një dorëshkrim, në të cilin qe shkruar kjo lutje drejtuar Zotit: “Kur ju të vini në tokë, Mbret i Qiejve, me pushtet dhe shkëlqim, e gjithë bota do të dridhet nga frika, lumenjtë e zjarrit do të rrjedhin para fronit të gjyqit tënd të tmerrshëm, librat do të hapen dy kapakësh, do të zbulohem mëkatet më të fshehta. Më kurse mua prej zjarrit të pashuar e të amshuar dhe më vendos në krahun e djathtë në Parajsë, Gjykatës i drejtë dhe mëshirëplotë!” 11). Sa larg skepticizmit fetar dhe sa kuptimplote për vokacionin fetar të Nolit është kjo lutje !
I qenësishëm për t’u theksuar, lidhur me çështjen që po trajtojmë, është fakti që vokacioni fetar dhe ai atdhetar tek Noli ishin shumë të fuqishëm dhe kjo përmasë dyfishohej, kur ato viheshin në shërbim të njëri-tjetrit. Dhe ai i vuri mjeshtërisht jo vetëm në pajtim, por edhe në funksion të njëri-tjetrit. Dukuri e padiskutueshme e veprimtarisë së tij.
Vokacioni i brendshëm fetar dhe ai atdhetar janë dy binarët kryesorë nga kalon lokomotiva që tërheq trenin me vagona të shumtë të veprimtarisë së tij: vagonin e përkthimeve letrare, poezisë, publicistikës, oratorisë, studimeve në fushën e historisë e të muzikës, krijimeve origjinale në fushën e muzikës, diplomacisë, politikës. Vokacioni fetar, fillimisht, dhe ai atdhetar janë më të hershmit në jetën dhe veprimtarinë e Nolit dhe e kanë shoqëruar atë tërë jetën; prandaj mund të na shërbejnë si çelës për të shpjeguar kontradiktat e tij. 12)
Cili është më i fuqishmi nga këto dy impulse të shpirtit nolian? Duket se gjaku iliro-shqiptar i trashëguar prej të parëve është ai që përcakton çdo gjë më së miri në personalitetin e këtij shqiptari të madh me përmasa evropiane e botërore. Vokacioni atdhetar është pa dyshim në tharmin e psikologjisë së popullit tonë. Deri vonë i zhytur në elemente paganizmi – pavarësisht përqafimit të dy besimeve monoteiste – shqiptari e ka pasë më se të theksuar vetëdijen e përkatësisë së tij etnike, këtë vlagë të ngrohtë atdhetarizmi, si dhe ndjenjën dhe gjithë botën shpirtërore që lidhet me të. Nuk është i rastit, përkundrazi është shumë kuptimplotë konstatimi i Hobhaus-it, shokut e shoqëruesit të Byron-it në udhëtimet nëpër trevat evropiane të Perandorisë Turke, në dekadat e para të shek. XIX: “Kur banorët e provincave të tjera të Turqisë pyetën se çfarë janë, ata përgjigjen: ‘jemi muhamedanë’ ose ‘jemi të krishtërë’; ndërsa banori i këtij vendi (është fjala për trojet shqiptare, shënimi im, A. Ç.), përgjigjet: ‘unë jam shqiptar.”13). Dhe kjo ndodh në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të XIX, kur vetëdija kombëtare e popullit tonë ishte errësuar mjaft nga shkaku i zgjatjes së pushtimit osman dhe politikës së tij antishqiptare dhe kur vetëdija kombëtare e popujve fqinjë kishte kristalizuar platformën e tyre kombëtare. 14)
Kështu, në vokacionet e tij më rëndësorë, Noli dëshmohet gjithsesi një shqiptar i vërtetë, me gjak, me mish, me kockë; ashtu siç e ka cilësuar Hasan Dosti: “Ky burrë simbolizon sinthezën e virtyteve të racës arbërore.” 15)
Historia, kultura, etnopsikologjia dëshmojnë dashurinë e popullit tonë për atdheun. Që në fillimet e saj-duke mos lënë jashtë humanistët e mëdhenj, që shkruan në gjuhën latine, kultura shqiptare u frymëzua nga ndjenja e atdhetarizmit. Më së miri këtë e dëshmojnë më të vjetrit: Barleti, Beçikemi, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani; dhe mbas tyre rreshtohen të gjithë, pa dallime besimi a krahine. Dhe asnjërin prej tyre nuk e ka penguar rroba fetare të merret me politikë, shkencë, art, bile edhe të marrë pushkën për të luftuar për atdheun.
Kleri katolik i Veriut krijoi si moto të veprimtarisë së tij binomin “Fe e Atdhe”. (Duhet theksuar këtu se nëse vokacioni dhe veprimtaria fetare e tij lidhej vetëm më një pjesë të vogël të popullit, siç është elementi katolik, veprimtaria atdhetare e tij kishte karakter mbarëkombëtar.)
Një nga argumentet për ta paditur Nolin si antifetar ka shërbyer përkthimi prej tij i “Rubairave” të Omar Khajamit. Nëse kontradikta është më se e mprehtë, flagrante, në predikimin e fjalës së Krishtit, nga njëra anë, dhe të bolshevizmit, anti-Krishtit, nga ana tjetër, siç mund të thuhet për disa poezi dhe introdukta të tij; ndryshon puna në përkthimin e Rubairave, një fenomen në dukje kontradiktor dhe, më përtej, paradoksal.
Në përkthimin e “Rubairave”, duhet të kemi parasysh disa fakte:
Së pari, vetë Khajami është thellësisht kontradiktor. Aq sa mund të trajtohet si afetar, po aq mund të trajtohet si fetar dhe si kundërshtar i fesë.
Së dyti, nëse për hir të lirisë së mendimit, kritikon dogmatizmin fetar, Khajami nuk është ateist. Ai beson në një Zot, pavarësisht se herë-herë kritikon edhe perenditë e feve semitike.
Së treti, mungesa e konsekuencës në idetë e Rubairave, nuk na lejon të përcaktojmë një vijë demarkacioni për një sistem të prerë filozofik të Khajamit. Vetë Noli e pohon këtë në introduktën e tij: “Çdo sistematizatë strikte e iderave që na çfaq Khajami është e kotë sa edhe e lajthitur”. Dhe më poshtë: “Khajami nuk është dishepull i një shkollë, po i të gjitha Shkollave gjer në një pikë” 16).
Së katërit, për hir të realizimit të një perle letrare, Khajami i ka lejuar vetes të predikojë edhe ide krejt kontradiktore. Ja si është shprehur Noli për këtë: “Të gjitha pikëpamjet makar kontradiktore janë të mira për Omar Khajamin në qoftë se i japin lëndën e nevojshme për një rubai artistike” 17). Kjo na dëshmon se vokacioni letrar tek Khajami ka qenë më i fuqishëm se ai filozofik; gjë që shihet, në ndonjë rast, edhe tek disa përkthime të Nolit, në kundërpeshimin mes vokacionit letrar dhe atij filozofik. Me të drejtë, studiuesi Vehbi Bala ka vërejtur një “afinitet shpirtëror të Nolit me krijimtarinë e Khajamit” 18).
Kështu, mund të rreshtohen edhe argumente të tjera për ta kundërshtuar – si bindje – antifetarizmin e Khajamit. Noli e përktheu Khajamin në vitin 1926, si një nga militantët më të mëdhenj botërorë të “Lirisë së Mejtimit”. Mendoj se përkthimet madhore të Nolit janë nisur jo vetëm nga vlerësimi letrar-artistik, por më tepër e më nga vokacioni i tij atdhetar. Ndryshon puna me përkthimin e disa poezive.
Si mendimtar i madh, Noli kishte nevojë për hapësirë të gjerë e horizont të kthjelltë mendimi. Këtë e ndjente, e quente të nevojshme dhe e dëshironte edhe për popullin e tij, për atdheun e tij; prandaj ai përkthen krahas Ungjijve edhe Rubairat. E gjithë veprimtaria e Nolit buron nga militantizmi për lirinë e mendimit, ushqehet nga kultura e tij shumë e gjerë dhe ndizet e merr flakë nga pathosi qytetar, për t’i dhënë forcë e energji veprimi idealit të tij atdhetar. Noli kërkon t’i japë dritë një populli që porsa ka dalë nga errësira e thellë otomane e që sorollatet në një qorrsokak vështirësish për të krijuar shtetin e vet dhe çdo gjë tjetër, duke filluar qoftë edhe nga ripërtitja e identitetit. Dhe këtë dritë ai e sheh në vazhdën e rilindasve, tek përqafimi i kulturës, nëpërmjet lirisë së mendimit – një çlirim shpirtëror deri në skajet më periferikë të ndërgjegjes kombëtare.
Të lexosh Khajamin është sikur të përballesh me një enciklopedi të tërë filozofike humaniste, të realizuar në një nga veprat më kulmore artistike të letërsisë botërore, sendërtuar gjithsesi me një thjeshtësi të skajshme. Thënë në mënyrë më se të thjeshtësuar, në morinë e motiveve, dy janë kolonat vertebrale, kryemotivet e Rubairave: gëzimi epikurean, hedonist i jetës – “carpe diem” e romakëve – dhe qëndrimi stoik përballë vështirësive të saj. Polemika me fetë, kryesisht me dogmat e saj sillet rreth këtyre dy poleve, dy filozofive. Nuk ka këtu ndonjë kontradiktë, aq më pak alarmante, siç është interpretuar aty-këtu. As për Khajamin që i krijon rubaitë e as për Nolin që i përkthen. Sepse jeta i ka brenda saj të gjitha: edhe gëzimet edhe vështirësitë. Të parat duhen jetuar, të dytat duhen përballuar. Eshtë vetë jeta që i jep përparësi njerës ose tjetrës doktrinë filozofike, në rastet emergjente të saj, pa krijuar ndonjë kontradiktë, në kuptimin e plotë të fjalës. Në këtë hulli duhet interpretuar edhe militantizmi Khajam dhe Nolian për lirinë e mendimit.
I rreshtuar me Khajamin, si një shqiptar i vërtetë që has shumë vështirësi në jetë dhe fare pak, gëzime dhe i ushqyer nga vokacionet e tij atdhetare e fetare, Noli i jep përparësi qëndrimit stoik në jetë. Kjo shihet në gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij. Del qartë tek përkthimi i Rubairave dhe sidomos në komentin që i bën atyre. Noli bashkë me Khajamin, së bashku me stoikët, mendojnë që njeriu duhet të jetojë i mbështetur tek arsyeja, në harmoni të plotë me natyrën, me ligjët universale të saj. Dhe në këtë rrugë, virtyti është e vetmja gjë e mirë, e vetmja vlerë, vlera më pozitive e njerëzimit. Për të realizuar detyrën e tij, njeriu duhet ta gëzojë jetën, kënaqësitë që jep ajo, t’i përballojë vështirësitë, vuajtjet, duke u ngritur mbi pasojat e fatit dhe duke arritur lirinë shpirtërore në pajtim me logjikën hyjnore, që drejton gjithësinë, natyrën dhe njerëzimin gjithnjë nga e mira.(Dielli-Arkiv.Vijon)
Referencat dhe shënimet:
1). “Flamurtar i kombit”, përmbledhje e një seminari studimesh, i organizuar nga “Vatra”, në vitin 1982, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nolit, dhe botuar nën editimin e Eduard Liços, në Boston, Mass.; artikulli “Kontradiktat e Nolit”(f. 63), artikull pa autor, por i shoqëruar me shënimin: “Përmbledhur nga një shkrim që pat dalë në revistën ‘Mbrojtja Kombëtare’, botuar në N. Y., në v. 1966.
2). “Rubairat e Omar Khajamit” I shqipëroj Rushit Bilbil Gramshi. Edicja e dytë e ndrequr dhe e plotësuar, Bruxelles, 1927, f. 13-14.
3). Namik Resuli “Fan Noli sot”, në “Flamurtari i Kombit”, f. 10-11.
4). “Albumi II i Hirësisë Tij Peshkop Fan S. Noli dhe biografi kronollogjike prej Qerim Panaritit”, Boston, Massachusetts, 1966.
5). Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Noli Vepra 1”, Tiranë 1987, f. 10-11.
6). Fan S. Noli “Autobiografia”, Prishtinë, 1968, f. 27.
7) Po aty, f. 31.
8). Rev. Arthur Liolin “Reflektions on Metropolitan Theophan S. Noli”, në “Flamurtari i Kombit”, f.111.
9). Po aty, f. 111: “We know also that he considered his translation and compilation of the Kremtore Menaion…as his most rewarding achievement”.
10). “Dielli”, June 1, 1982, p. 12.
11). Rev. Arthur Liolin, artikulli i cituar, f.111.
12). Edhe vokacioni letrar i Nolit është i hershëm: ai botoi skicat e para letrare në revistën demokratike greke “Numas”, në vitin 1903. (“Noli Vepra 1”, f. 381).
13). Hobhouse, J. C. a Jorney through Albania and other Provinces of Turkey in Europe and Asia, to Constantinople during the years 1809 and 1810, London 1813, p.148.
14). Kështu, kur diskutohet për “homo balcanicus” duhet saktësuar mirë vija e brendshme e demarkacionit të “njeriut ballkanas”, gjë që vijëzohet në faktin se si e identifikon veten ai. Fatmirësisht, shqiptari, i dalluar për qartësi të plotë të vetëdijes etnike, nuk e ka identifikuar veten me besimin, siç kanë bërë dhe bëjnë edhe sot e kësaj dite grekët e serbët
15). “Flamurtari i Kombit”, f. 28.
16). “Rubairat e Omar Khajamit”, f.14.
17). Po aty, f. 14.
18). “Noli Vepra 1”, f. 51.