• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dita e Traditës Shqiptare – New York 2013”

June 10, 2013 by dgreca

Sipas zyrës së Department of Parks of Westchester Cpunty, që është bashkë organizues i kësaj ngjarjeje, me Qendrën “Nëna Tereze” pranë Kishës “Zoja e Shkodrës”, Harsdale, New York, në këtë Piknik kan qenë rreth 3500 – 4000 veta./

Shkruan: BEQIR SINA, New York/

Valhalla Westchester County, New York: Çdo vit, komuniteti shqiptaro-amerikan i zonës “Tri-Shteteve” NY-NJ-CT, në nderime të Ditës së Traditës dhe Trashëgimisë Shqiptare”, mban një Piknik, i cili është më i madhi në Amerikë, dhe i vetmi më i organizuari deri tani. Pikniku “Dita e Traditës Shqiptare – New York”, është kthyer në një festë të gjallë të muzikës shqiptare, valle tradicionale, simboleve tona kombëtare, aktiviteteve sportive, kulturore e artistke dheushqim shqiptar në ditën esaj vjetore të ashtuquajtur Dita e Trashëgimisë Shqiptare.

Si çdo vjet edhe kësaj të diele ajo është mbajtur në një parqet më të mëdha publike në këtë zonë Kensico Plaza Dam,( 98 acre park), në Valhalla Westchester County, New York. Kjo ngjarje është mbajtur nën kujdesin e Departamentit të Parqeve të Argëtimit të Qarkut Westchester, dhe Qendrës Kulturore “Nënë Tereza Center” në Kishën Katolike Shqiptare – Zojës së Shkodrës.
Kjo ngjarje vjetore është një haraç për kulturën shqiptare, duke përfshirë edhe veshje tradicionale shqiptare, instrumente muzikore unike shqiptare dhe një mundësi të rrallë për të dëgjuar dhe të parë një shumëllojshmëri të muzikës shqiptaredhe valleve, si dhetë shijonë ushqim tradicional shqiptar. Kultura ofrohen nga këngëtarët popullor shqiptar dhe kërcimtarët e Grupit të Vajzave dhe Djemëve të Valltarëve të Kishës. Përveç kësaj, ajo është një kënaqësi për të plotësuar një ngjarjefamiljare, duke e kombinuar atë me sportet dhe aktivitetet për fëmijë me një atmosferë pikniku tipike si ato që mbahen në Amerikë.
Sipas zyrës së Department of Parks of Westchester Cpunty, që është bashkë organizues i kësaj ngjarjeje, me Qendrën “Nëna Tereze” pranë Kishës “Zoja e Shkofrës”, Harsdale, New York, në këtë Piknik kan qenë rreth 3500 – 4000 veta.

Pikniku “Dita e Traditës Shqiptare – New York”, u ndoq nga personalitete të shquara të komunitetit dhe zyrtarët e lart të Qarkut Westchester. Përveç famullitarit Dom Pjetër Popaj dhe meshtarit Dom Viktor Dedaj, ishin present edhe dy meshtarë nga Shqipëria, Dom Ernest Troshani dhe Dom Gjergj Meta. Prefekti i Qarkut Westchester, z. Rob Astorino me disa nga zyra e tij, moren pjesë ne piknik. Zoti Astorino, me fjalë të zgjedhura i përshendeti të pranishmit, duke i ftuar edhe ata që nuk janë banorë të Westchester-it sot ta ndiejnë vetën në shtëpinë e vet, t’a ndjenë “veten pakëz shqiptarë” në këtë “sofër” gjigande të krenarisë dhe bujarisë shqiptare.

Ceremoninë e hapi drejtuesi i aktivitetit, z. Fran Çotaj, duke ju dëshiruar mirëseardhjen të gjithëve dhe duke presentuar orkestren “Toska” dhe këngëtarët Gëzim Nika, Kela Deda, Lisa Junçaj dhe Aferdita Hoxha, të cilët vazhduan argëtimin deri në mbyllje, në orën 7 të mbrëmjes.

Piknikun festiv e gjallëruan edhe më shumë grupi artistik “Rozafati” i Qendres “Nëna Tereze”, me drejtoreshë Gina Çotaj dhe koreografe Angjelina Nika. Kurse shumë të rinj e të reja, pa ndonjë lidhje me ndonjë grup artistik, të cilët ishin veshur me kostume popullore iu bashkuan vallëtarëve në vallëzime.

Mark Shkreli Drejtor i Qendrës “Nëna Tereze” pranë Kishës “Zoja e Shkofrës”, Harsdale, New York, rrefet se si ata kan arritur qëllimit që këta të rinjë e të reja, të ruajnë traditën dhe kulturën shqiptare , ashtu edhe për të krijuar lidhje miqësore me fëmijë të tjerë me të cilët i bashkojnë lidhjet me botën shqiptare, në mërgim.

Shkreli, i tha gazetës Bota Sot, vetë fakti që, në të njëjtën ditë dhe të njëjtën kohë, ishtë edhe një aktivitet tjetër i organizuar nga Plavë-Gucia, do ta konsideroja si u arrijt qellimi. Gjithsesi, tha ai kur marrin pjesë më se tri mijë vetë, nuk mund të konsiderohet tjetër përveç arritje e lartë, dhe, gjeja më e rendësishme, duhet të jetë ndërlidhjet mes të rinjve shqiptarë, pa dallim besimi apo krahine. Të gjithë ishin SHQIPTRARË, theksoi ai..

“Në çdo pjesë të parkut të madh, theksojë Shkreli, ndihej vetëm gjuha shqipe, tingëllonte kënga shqipe, kërcehej vallja shqipe. Fushat e gjera të sportit ishin plot e përplot me të rinj që tentonin të fitonin trofeun e ditës. Me siguri që, gjatë kësaj pasditje u shëndrruan shumë numra telefonash, shumë e-maile, apo mjete të tjera të komunikimit.”

Ai vuri në pah edhe disa nga karakteristika kryesore, të këtij pikniku, që sipas tij ai ishte gjithpërfshimsia e shqiptarëve, pa kurrëfarë dallimi. Vihej re, ceku Shkreli se edhe nga rajoni Plavë Guci, edhe pse edhe ata kishin një piknik të ngjajshëm, kishte mjaft të pranishëm në këtë kishës. Pra, sikur e thotë shpesh famullitari, Dom Pjetër Popaj, “këtu dallohej ata që na bashkon e jo që na ndanë”. Kjo është kënaqësi e madhe për çdo shqiptar vullnetmirë, të cilit përkatësia fetare nuk i bëhët pengesë.”

Ky Piknik duket se i shërben asaj ndjenjës së thellë shpirtërore të bashkëjetesës e respektit ndaj njeri tjerit dhe vendit ku jetojmë , Shteteve të Bashkuara nëpërmjet nderimit e mbajtjes gjallë të trashëgimisë sonë kulturore, dhe kulutrës e simboleve Amerikane.

Në gjitha anët e parkut dalloheshin edhe qytetarë të etnive të tjera, si dhe të racave të lloj-llojshme. Interesimi i tyre, natyrisht, ishte të mësonin diçka pë Shqipërinë, për shqiptarët, për gjellnat e ndryshme që nuk i kishin shijuar më parë dhje se ku mund të gjindeshin restorante që shërbejnë këto gjellna. Shumë nga ata, edhe të moshuar, provonin të kërcenin vallet shqiptare.

Ky piknik, tha zoti Mark Shkreli ishte nje konfirmim i seriozitetit të organizatorit tashmë të konsoliduar dhe angazhimit të saj për arritje të shkëlqyera dhe krijimit të lidhjeve të ngrohta mes anëtarëve, organizatorëve, dhe vullentarëve të Kishës, që japin një kontribut në mbarë vajtjen e piknikut.

“Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” tanimë, u shpreh zoti Mark Shkreli, është konfirmuar si bartëse e kulturës dhe artit shqiptarë në ShBA. Mos të harrojmë se manifestimet më të mëdhaja që organizohen në ShBA, përveç Ditës së Traditës Shqiptare sot, janë Festivali Shqiptar, i cili për më se 20 vite (22 pë të qenë i sakët) bashkon rreth tri mijë spektatorë dhe qet në skenë rreth 300 artistë amatorë dhe profesionistë; Karnavali treditorë, në trollin e Kishës, me pjesëmarrje të më se pesë mijë veta; mbrëmje gazmore për të rinjt çdo muaj, shenim i të gjitha datave të rëndësishme nga historia, letersia, etj., gjithmonë duke përfshirë të gjithë komunitetin të “Tre-Shtetëshit” New York-New Jersey-Connecticut, ku, përveç priftit si organizator, dallohet edhe hoxha.” thotë zoti Mark Shkreli Drejtor i Qendrës “Nëna Tereze” pranë Kishës “Zoja e Shkofrës”, Harsdale, New York,

Disa nga pikat më të veçanta në mbyllje të këtij aktiviteti çdo vjetor ishin:

Pikërisht, në ora 07;00 të mbrëmjes kur edhe ra sipari i Piknikut “Dita e Traditës Shqiptare – New York 2013”, u dorëzuan trofetë dhe medaljet fituesve të futbolit, të renditur sipas suksesit: në vend të parë skuadra Albanian Brothers, me lojtarë nga i gjithë komuniteti i New Yorkut,,në vend të dytë Cemi nga Malsia – New York, dhe në vend të tretë skuadra e djemëve të Kelmendit nga New Yorku.

Foto kredit : Facebook Our Lady of Shkodra:

 

Filed Under: Featured, Kulture Tagged With: Dita e tradites, Pikniku i Kishes, qershor 2013, Zpja e Shkodres

NJË STUDIM, QË DEL NË DRITË, NGA “PLUHURI I HARRESËS”…

June 10, 2013 by dgreca

(Prof. Kolë Tahiri, “Pranimi i fëmijëve në shkollë, në moshën 6-vjeçare dhe përshpejtimi i zhvillimit fizik e psikik”, Tiranë, 2013)

Nga: Prof. MURAT GECAJ/publicist e studiues-Tiranë/

1.

Libri, që doli nga shtypi këto ditë, është tema e disertacionit, “Pranimi i fëmijëve në shkollë, në moshën 6-vjeçare dhe përshpejtimi i zhvillimit fizik e psikik”, i hartuar nga studiuesi Kolë Tahiri. Ai ishte miratuar nga Këshilli Shkencor i Institutit te Studimeve Pedagogjike, në Tiranë, në vitin 1984, për gradën “Kandidat i shkencave pedagogjike” (konvertuar, më vonë, në “Doktor i shkencave pedagogjike”. Në hyrje të librit, publikuar nga Shtëpia Botuese “Edlora”-Tiranë, nga autori janë edhe pak radhë sqaruese për lexuesit, pasi përmbajtja e tij është e pandryshuar, pra ashtu siç është paraqitur në fillim.

Disertacioni në fjalë, përbëhet nga dy pjesë kryesore, që ndiqen nga përfundimet përkatese shkencore, psikologjike e pedagogjike. Në formë të përmbledhur, ato jepen në fragmentet e autoreferatit, i cili ndodhet në faqet e fundit të këtij libri, si: objekti e hipoteza, përmbajtja, qëllimi, metodat e përfundimet dhe detyrat e studimit.

Nga këndvështrimi i sotëm, në disertacion bien në sy edhe dy çështje kryesore:

 

E para, në kushtet e shtetit monist, kur në çdo gjë politika qëndronte “në plan të parë”, ai nuk mund t’i shpëtonte ngarkesës me fjalët dhe slloganet politike e ideologjike, të partisë-shtet dhe të udhëheqësit kryesor të saj. Në këtë botim, ato jane ruajtur të paprekura, pra ashtu siç kanë qenë shkruar nga autori i disertacionit, afër 40 vite më parë. Ashtu siç e nënvizon tani prof. Kolë Tahiri, kjo gjë dëshmon edhe për shkallën e nderhyrjes brutale të politikës dhe ideologjisë, në punën kërkimore e studimore shkencore të kohës. Por edhe po të hiqen ose çvishen këto sllogane nga disertacioni, në përgjithësi, ai nuk e humbet përmbajtjen shkencore të tij. Bile, përkundrazi, i rritet vlera e mirëfilltë psikologjike e pedagogjike. E themi këtë gjë se, në tërësinë e tyre, çështjet e trajtuara në këtë punim, në rrafshin psikologjik e pedagogjik, i ruajnë edhe tani vlerat e tyre.

 

2.

Siç është e njohur, problemi madhor në fushën e arsimit, për vitet ’80-të të shekullit të kaluar, pra  i zbritjes së moshës se pranimit të fëmijëve në klasën e parë të arsimit të detyruar, kërkonte argumentime të thella, psikologjike e pedagogjike, të bazuara eksperimentalisht, në praktikën e shkollës sonë. Pa këto, sigurisht, nuk mund të merrej as pergjegjësia e mbështetjes së vendimit të Qeverisë së kohës, për zbritjen e moshës  së pranimit në shkollë dhe autori nuk do të guxonte ta ngrinte studimin e tij, në shkallën e  një disertacioni për gradë shkencore, në fushen e psikologjisë e pedagogjisë.

Në disertacionin e hartuar, i cili paraqitet tani në libër të veçantë, theksohet se, në përshpejtimin e zhvillimit fizik e psikik, ka ndikuar edhe stadi ekonomik i vendit tonë, në kushtet e periudhës, kur u shkrua ai. Dihet se, pas Luftës së Dytë Botërore, si rrjedhojë e pjesëmarrjes së gjerë të njerëzve në punën ndërtimtare, me besimin në të ardhmen më të mirë dhe ndihmave, që u dhanë nga jashtë (kredive sovjetike e kineze), ky nivel zhvillimi, krahasuar me prapambetjen e trashëguar dhe shkatërrimet e luftës, nuk  ishte i padukshëm. Pra, nënvizon autori në hyrjen e librit të tij, argumenti për kohen, kur bëhet fjalë, ka qenë real dhe qëndronte. Këtu, duhet shtuar edhe fakti, se ky përshpejtim, si ligj objektiv,  është shfaqur, sidomos, në shekullin XX edhe në vendë të tjerë të Europës e më gjerë.

Ky disertacion, i kthyer tani në libër, parë edhe me syrin e sotëm, mendojmë se ka disa veçanti. Midis tyre, vihet re se studimi është bazuar tërësisht në eksperimentimin shkencor, i cili ka zgjatur katër vite shkollore. Ai ka shërbyer një ndër argumentet kryesore për marrjen e vendimit, nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor, për zbritjen e moshës së pranimit të femijëve në shkollë, nga 7, në 6 vjeç. Pra, kishte gjetur miratim të plotë dhe shtrirje në shkallë vendi. Ndoshta, për atë periudhë, ka qenë i vetmi studim psiko-pedagogjik, i kryer në shkollën tonë edhe në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet organeve të arsimit dhe atyre të shëndetësisë.

Për herë të parë, sqaron autori i librit, prof. Kolë Tahiri, në studimet tona eksperimentale psiko-pedagogjike, të dhënat e matjeve antropometrike  (peshë, gjatësi, cirkoferencë e toraksit) i janë nënshtruar përpunimit matematik statistikor, nga katedra përkatëse e Fakultetit të Inxhinierisë në Universistetin e Tiranës, e drejtuar nga prof. Kadri Zhulali.

Pa u ndalur me imtësi të përmbajtjes së këtij disertacioni, të publikuar tashmë në një libër, vërehet se ky punim  ruan vlera shkencore, psikologjike e pedagogjike, jo vetem si pikë referimi në historinë e arsimit dhe shkollës sonë, në vitet e fundit të shek.XX,  por përmban  edhe vlera aktuale, si për specialistët dhe mësuesit e shkollës fillore, pse jo, edhe për prindërit. Sigurisht, çështjet e trajtuara duhen vështruar e vlerësuar edhe në përshtatje me kushtet e sotme, kur studimet në fushën e arsimit, të psikologjisë e pedagogjisë, kanë ecur më përpara. Kjo gjë është e lidhur ngusht me hapjen e vendit tonë ndaj botës perëndimore, pas vitit 1990.

Në libër merret informacion se, për kryerjen e këtij eksperimentimi, u përfshinë, me ndërgjegjegje e profesionalizëm, mësuesit e nxënësit e 13 shkollave, në 5 rrethe të vendit tonë, në qytete e fshatra. Autori, që nga Brukseli i Belgjikës, ku është emigrant tash 15 vjet, kujton me vlerësim dhe respekt disa prej tyre,  si: Luçie Gera, Vjollca Raboshta e Pjetër Nika (në rrethin e Shkodrës); Violeta Saliu (Lezhë), Ruzhdie Kola e Bajram Muça (Mat), K.Prifti (Korçë), Minerva Rusi e Nimete Demiraj (Tiranë) etj. Ata janë shquar për punë të kualifikuar, në klasat e tyre, si dhe në veprimtaritë për shkëmbimin e përvojës, me pjesëmarrje në seminare e konferenca shkencore, me  propagandimin e arritjeve në shtypin e kohës etj. Po kështu, autori përmendë metodistët e përkushtuar të kabineteve pedagogjike të asaj kohe, si: Col Dizdari e Faik Luli (Shkodër), Gjon Simoni e Col Dizdari (Lezhë), Adem Kuka (Burrel), si dhe drejtoritë e shkollave, ku janë zhvilluar eksperimentet. Duke i kujtuar e falënderuar ata, shprehet ai, se do te ishte në nderin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që t’i propozonte për dekorime të veçanta, që janë plotësisht të merituara.

Në fund të hyrjes së këtij libri, autori nënvizon se, për nxjerrjen nga “pluhuri i harresës” dhe botimin e këtij disertacioni, u bë shkas edhe një e dhënë e pasaktë, e publikuar pak kohë më parë, në shtypin tonë. Autori i shkrimit, me sa duket i bazuar vetëm në disa terma të nxjerra nga ndonjë manual dhe kështu i painformuar mirë, pa u thelluar në të vërtetën shkencore për këto studime, autorësinë e tërë kësaj pune ia ka dhënë një studiuesi tjetër të nderuar, por që ai nuk është marrë ndonjëherë me studime ose eksperimentime për zbritjen e moshës së pranimit të fëmijëve në shkollë dhe përshpejtimin e zhvillimit fizik e psikik të tyre.

Me këtë rast, e urojmë autorin e këtij disertacioni dhe që tani u jepet lexuesve tanë në një libër, prof. Kolë Tahirin, për punën e bërë dhe përkushtimin e treguar, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në fushën e arsimit tonë kombëtar, të historisë së arsimit dhe te mendimit psikologjik e pedagogjik shqiptar.

Tiranë, 7 qershor 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Kole Tahiri, ne moshen 6 vjecare, ne shkolle, pranimi i femijeve, studim

BOTIMET MË TË HERSHME PËR PAVARËSINË E SHQIPËRISË

June 10, 2013 by dgreca

nga Albert HABAZAJ/* studiues/

               Historia me racionalitetin e saj koherent dhe folklori me emocionin karakteristik e vlerësojnë meritueshëm aktin e madh të Pavarësisë. Me bulëzimin e Demokracisë, sidomos gjatë viteve 1995 – ’97, pati një vërshim botimesh folklorike apo të ashtuquajtura folklorike, por që nuk e morën statusin e korpusit “Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar” për të plotësuar tre vëllimet e serisë së “Epikës historike”. Cikli i këngëve historike, që ka të bëjë me përgatitjen e shpalljes së Pavarësisë, me të cilin përfundon periudha e këngëve të pushtimit osman, është jo shumë  pasur. Ka vlera njohëse, edukative e artistike; por mbi të gjitha, ngjizja e ndjenjës kombëtare, si dukuri e re që  lindi me Lidhjen e Prizrenit e kthjelloi më tej ndërgjegjësimin atdhetar- kombëtar. Njohja e kombit u bë si njohja e vatrës ndër shqiptarë. Shtëpia e vogël  e familjes në Kurvelesh, në Dibër, në Himarë, në Tepelenë, në Gramsh… u barazua me shtëpinë e madhe kombëtare; u bë dëshirë e kërkesë e secilit njohja e kombit – këtë na tregon kënga. Veçse, edhe për këngët epike të Pavarësisë bazë është kriteri kronologjik dhe ato, “duke patur si mision kryesor pasqyrimin emocional të ngjarjeve të ndodhura realisht, kanë përmbajtje të angazhuar historike”(Dibra) 1), duke iu përgjigjur flakë për flakë ngjarjes madhore të Pavarësisë dhe rolit të saj vendimtar për jetën shqiptare. Në këtë kumtesë do të trajtojmë pikërisht ravën folklorike të çelur nga Qemal Haxhihasani e Zihni Sako, qysh më 1956 me  “Këngë popullore historike”.  Mendojmë se ravijëzimi kronologjik na çon në gjurmët e arketipit dhe se krijimet foklorike, parë nga ne në konteks, jetojnë e qarkullojnë vetëm brenda atij komuniteti të caktuar që i pëlqen, që i dëshiron natyrshëm, jo teatrisht, nëpër skena folklorizante.

Pavarësia e kombit shqiptar është tempulli ku shqiptarët i falen Flamurit dhe Plakut të Bardhë, që së bashku me Bacën Isë, me Luigj Gurakuqin, me Rasih Dinon (nga treva e Çamërisë), me tërë ata burra të lartë e me fisnike si Marigo Posio e trimëreshat e tjera shqiptare, i zbardhën faqen Atdheut tonë të lashtë, larë me diell, qëlluar me furtunë. “Luftrat ballkanike do ta përshkonin rajonin si një nëmë biblike”(Salleo) 9) Nga literatura historiografike mësojmë se ai fillimshekull i XX qe i stuhishëm, se në atë kohë lëvizja kombëtare për liri shtrihej anë e kand Shqipërisë, se ishin mbledhur shqiptarët e Rumanisë të kryesuar prej Ismail Qemalit e vendosën “mprojtjen e të drejtavet kombtare e shpëtimin e Atdheut prej lakmimeve sllave e greke, dhe në Vlonë me 28 Nanduer 1912 i u gjegj mbledhja e përgjithëshme e përfaqsivet të të gjitha visevet shqiptare qi shpalli mvehtësín e Kombit. Kronisti i asaj dite historike, kështu shkruen: Më 3 ½ hapet mbledhja… Në krye të sofrës rrin Ismail Qemali…Afër tij âsht Don Kaçorri… Aty pranë gjindet edhe Luigj Gurakuqi, i cili, në ketë çashtje âsht, me të vertetë dora e djathtë e Plakut” (Kamsi) 5)

Pavarësia mbart sakrificat e shumë brezave, duke u kthyer në një vepër popullore, në themelet e së cilës kishte vënë gurë gjithë Shqipëria. Akti historik për shpalljen e Pavarësisë pati qëllim shpëtimin e vendit nga copëtimi i huaj, ruajtjen e tërësisë tokësore dhe fatin e kombit (FESH, 2009:2560) 4), por  shteti i ri shqiptar, në vijimësi, pati një sërë problemesh e vështirësish, “për ngjarje të ndryshme, akte uzurpimi të tokave shqiptare nga fuqitë ndërluftuese të kohës, si austrohungarezët, francezët e italianët, bukur na e sjellin një situatë të tillë edhe vargje popullore të shkëputura nga një tekst kënge i kohës: “Shqipëri, o shkëmb e gur,/ Vrite, prite për Flamur,/ Bota hiq e ti – në vur”. Këngët e kësaj periudhe të re historike për Shqipërinë dhe për shqiptarët bashkëudhëtojnë përgjithësisht me vetë historinë, brenda specifikës së folklorit, që në tërësinë e vet nuk është fotografim i realitetit, por pasqyrim artistik” (Xhagolli) 11) i asaj ngjarjeje reale, me personazhe konkretë, zhvilluar në kohë të caktuar dhe në hapësirë përkatëse.

Në gjurmë të botimeve të para folklorike

Nga botimet më të vjetra folklorike, Qemal Haxhihasani e Zihni Zako, më vitin 1956 na japin tri këngë, që janë nga lulet e para të ciklit të periudhës së Pavarësisë. E para, regjistruar në Kabash-Gramsh, me 9 vargje të ngjeshura, lakonike, të thjeshta por domethënëse, na vjen me këtë variant: “Medet, shokë, na mori malli,/ Ku gjindet Smail Qemali?/ Në Paris, brend te krali,/ hyn e del si zog sorkadhi:/” Shqipërinë dua t’ma ndani,/ Kanë zbritë komitat nga mali,”/ “ Fol, o Smail Be me gojë!/ Merre Flamurin në dorë,/ Ngule në Sazan e Vlorë.” (Këngë popullore historike, 1956:248) 6). Një tjetër këngë simbolike e Pavarësisë, shumë e përhapur dhe në treva të tjera, që qarkullon me variantet e komuniteteve përkatëse, edhe në Himarë, në Vranisht, në Tërbaç, në Dukat, më gjerë në Labërinë e Gjirokastrës, Tepelenës, në Mallakastër e më tutje hapësirave polifonike, herë si këngë, herë si valle, diku duke shtuar një varg apo duke hequr një tjetër, por gjithsesi thotë artistikisht bukur profilin historik të Uratës së Flamurit Kombëtar, e regjistruar në Radhimë-Vlorë: “O Qemal kur të përzunë,/ Kur desh të të zij’ Turqia/ Dhe një çikë prá të zunë;/ Erdh e të mori gjemia,/ Brënda në Paris të shpunë,/ Atje ku ish katimia./ Seç u ngrit krali në gjunjë,/ Mbretëresha dhe e bia./”Cili je ti, more burrë,/ Që kërkon vulat e mia?”/ “Unë jam Smail Qemali,/ Prapa më vjen historia.”/ Të shtatë vulat ja dhanë,/ Po do mos dojë Turqia./ “ Do dojë, se s’është punë,/ Është e jona Shqipëria!/ Sazan e Karaburun/ Janë vatanet e mia,/ Nëpër mes i ndan një lumë,/ Nga juga është Greqia”. (Këngë popullore historike, 1956:248)  6.1) Në 20 vargje memoria sociale e popullit na sjell një epos të tërë, me  hartën e duhur gjeografike, në konteks, me udhëtimin historik, atlasin moral dhe etnopsikologjik të një kombi dhe nga ku kuptojmë sesi një njeri me emër të përveçëm shndërrohet, nga bëmat e tij, në një idhull, në një shenjt, në një Emër të Përgjithshëm, me të cilin kuptohen gjithë shqiptarët, sepse ai bëhet simbol i shqiptarit të lirë, të pavarur e demokrat në ballafaqimet ndërkombëtare, në mejdanet diplomatike për civilitetin e vendit të të parëve të tij.

Me 10 vargje na vjen kënga e regjistruar në Kuç- Kurvelesh: “Më njëzet e tet’ nëntorë/ Më këmbë u ngre Shqipëria;/ Smail Qemali në Vlorë,/ Me gjithë shokët e tia,/ Çi tha popullit me gojë: “Posht’ o shokë, robëria! Evropa le ta dëgjojnë:/ Nuk ka vënt këtu Turqia!/ Ja të vdesim, ja të rrojmë,/ Është e jona Shqipëria! ”. (Këngë popullore historike, 1956:249) 6.2 )  Kënga flet vetë; ajo bëhet zëdhënëse e historisë, kronikë e ngjarjes sipas mendësisë popullore, i cili derdh artin e shpirtit të tij nëpërmjet këngës. Më 28 nëntor Shqipëria u bë shtet i pavarur. Kryengritjet dhe gjaku i derdhur për pesë shekuj me radhë sollën frytin e dëshiruar: Populli shqiptar theu prangat e robërisë dhe fitoi pavarësinë e tij kombëtare duke u njohur si shtet më vehte. “Ku ngrihet Flamuri, ngrihet Kombi! Kur rrëzohet Flamuri, rrëzohet Kombi” (Luarasi) 7)

Krijimet folklorike të Selim Hasanit, nw vijim kronologjik të botimeve, që kanë lënë gjurmë në formimin atdhetar të komunitetit dhe në zbukurimin e botës ndjesore, duke i përmirësuar njerëzit jo vetëm estetikisht, i boton më 1966 Instituti i Folklorit, ku krahas kontributit të prof. Zihni Sakos e Arsen Mustaqit, është e tejdukshme puna e “profesorit të pashpallur”, të bardhit Qemal Haxhihasani, që “në fushën e botimeve të folklorit shqiptar është më i shquari” (Xhagolli) 12). Ja si këndon xha Selimi i Brate, në shtratin e folklorit tradicional të krahinës së tij. Tre këngë të botuara, marrë nga hejbeja me këngë labe e xha Selimit  po i citoj, sipas kërkesave fonetike, edhe për kujtim e mirënjohje ndaj folklorit të tij sinkretik: Kënga e parë- me 16 vargje:” Më dymbëdhiet’ senè/ flamuri në Vlor’ u ngre,/ me zhëgabë Skënderbe./Pesëqint vjetë ku qe?/- I kishnë vënë perdè./(e kishin lënë në errësirë)-Kush e qirti shiqarè?/ – Ai plaku halleve./ patërjoti Smail Be;/ me gazeta nënë dhe,/me shokë nja dy a tre./ Mëretit vajte i the? Dua sha përmi ylqe,/ do të hap një mod’ të re;/ do vë lule një bahçe!- unë të sho’ se ç’mëndje ke,/ po, sa të mund, do të çkre”. Xha Selimi është lindur rreth vitit 1886 në një familje të varfër, kështu që mund të justifikohen turqizmat në vargjet e kënduara apo të hequra valle aty për aty nga ai, si t’i vinte situata, ç’i kërkonin e ç’ pëlqenin njerëzit që e rrethonin në atë kohë në lagje, në mëhallë, në fshat, në miqësi, në luftë.  Kënga e dytë është me 19 vargje: “Smail Beu i varfëri/ s’desh çifliqe, pasuri,/gjezdis me libra në gji,/lufton kundraj me Turqi:/- Ku jam, se dua të di,/shqipëtar a turçelli?/ E dua, se kam të drejtë,/ nga Parizi pse më çkretë?-/ Gjezdisi det e steretë/ me ca libra të mëshetë,/ nga Skënderbeu kish gjetë./ Nëntëqintedymbëdhjetë/ flamurë në Vlor’ e ngretë./ Foli Smail Beu vetë:/-Ka qën’ i bllokuar gjetkë,/ ky është flamuri ynë!/ bëjnë ca sikur s’e njinë/ Esat Pasha me Myftinë,/ Kosovën në bot’ e shinë.-  Më tej, vetëm me 10 vargje, përsëri xha Selimi këndon, duke i mëshuar dëshirës madhore të Plakut të Bardhë: përparimin e shqiptarëve nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, me shkollim e diturim për ta bërë Shqipërinë “ lule mes shoqeve: “Shqipëri, lule burbuqe,/ ke qënë në mes të ujqe,/ në mbëretërinë turke,/ pesëqint e ca vjet mbushe,/ tinë shqip e ata turçe./ Qysh u ndave, u çkëpute?/ Kërkon Qemali hudute./ Libra, propagandë fute,/ nëpër shkolla, nëpër burqe,/ qirte Flamurin në dukje”. (Rapsodë popullorë. Selim Hasani: 1966) 8 )

Ciklin e këngëve të të periudhës së shtetit të pavarur shqiptar e pasuron më tej botimi “Epika Historike, vëllimi 3”, realizuar nga Akademia e Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë. Vepra e Ismail Qemalit për bashkimin një nga një të viseve të ndryshme të vendit regjistrohet dhe jepet në 13 këngë të tjera, të sistemuara sipas kriterit kronologjik. Shpallja e Pavarësisë, figura të veçanta si Ismail Qemali e Isa Boletini kanë prirjen të këndohen në përmasa gjithëkombëtare dhe fillojnë të futen me një perspektivë gjithmonë e më të gjerë në fondet poetike gjithëkombëtare, për shkak të peshës specifike të ngjarjes dhe gjesteve të heronjve, për rolin e veçantë në forcimin e ndërgjegjes kombëtare popullore etj., të cilat natyrshëm rrisin dhe potencialin artistik të këtyre krijimeve folklorike të karakterit epik. Kronika poetike e ngjarjes ja si vjen në një variant të Smokthinës – Vlorë: “Shqipëri, moj, shkëmb e gurë,/ Shqipëri, moj, Shqipëri! (përsëritet pas çdo vargu)/ Vrite, prite për flamur,/ Bota hiq e tinë vur,/ Evropa lësho e zur!” vetëm në 5 vargje shprehet vendosmëria e popullit tonë në luftrat shekullore për çlirimin e tij kombëtar. Ja si i këndohet nga treva e Dukatit Simbolit tonë: “O Flamur i Shqipërisë,/ O Flamuri kuq e zi,/ Rrugës tënde legjendare,/ Seç shkrove një histori./ Pesë shekuj ti qëndrove/ I fshehur brenda në gji,/ Të ngriti Smail Qemali,/ Bashkë me shokët e tij. Me Shpalljen e Pavarësisë mbyllet epoka e sundimit të huaj, epoka e errësirrës mesjetare dhe e robërisë së urryer, me kurorëzimin e luftës heroike të të parëve tanë, me shkëlqimin legjendar të Gjergj Kastriot- Skënderbeut, me “treqind kryengritje në katërqind vjet” për liri e pavarësi. Mozaiku i këngës zbukurohet me një variant nga Bregdeti, pikërisht nga Qeparoi i kapedanëve: U ngre Flamuri në Vlorë,/ Fol, Ismail Vlora, folë!/ Gjithë Evropa ta dëgjojë,/ Se shqiptarët u mbëlodhë,/ Karar dhanë në një gojë,/ Që më vete të qëndrojnë,/ Gjithë ç’janë shqipëtarë,/Jan’ vëllezër të pandarë,/ Siç ishin me Skënderbenë,/ Kur e tundën gjithë dhenë. Me një gdhendje  mjeshtërore na e sjell portetin e Plakut të Flamurit kënga e Tërbaçit: “Ç’të them për Smail Qemalë,/ Trimin me shokët e rrallë,/ si mali me bor’ të bardhë,/ në at’ luftën me Ballkan,/ bashkë me shokët asllan’,/ E ndau Shqipen mënjanë./ O Malo ballëkurorë,/ të mbeti shkaba në dorë,/ Që kur e ngrite në Vlorë./ O Malo, o diplomat,/ Shkrove histori të artë!” Pa shumë  shkollë ishin krijuesit popullorë në atë kohë kur ka lindur e është përhapur kënga, por intuita, zgjuarsia popullore diti  t’i nuhasë zhvillimet e kohës dhe personazhet historikë, t’i përpunonte shpejtësisht në “laborator” dhe ta qepte këngën në vend, e cila ngjitej e qarkullonte, se pëlqehej. Ja një tjetër këngë nga Vërmiku: “Smail Qemali me halle,/ O Smail, o trim,/ Trim, o more trim (v.2-3 përsëriten pas çdo vargu si refren)./ Bëre punën më të madhe,/ Me flamurin kuqe alle,/ Që ngrite male më male,/ Shqipërinë na e ngjalle”. Nga Velça-Vlorë na vjen ky variant që pëlqehet dhe në trevat përqark: “Tundu, tundu, o Flamur,/ Marshalla, ç’lëshoke nur, /Përmbi shkëmb e përmbi gur! /Smaili të vuri vulë! /Aferim, o Smail Be,/ Evropës rrotull i rè,/ Flamurin në Vlor’ ngulè/ Smail Be, o diplomat/ Na e ngrite kokën lart!” Një njësi folklorike shumë interesante na e dhuron treva e Dibrës: “ Nëpër fusha, nëpër male,/ Vrapon poplli tuj kcye valle;/ Nalt e ngritëm njat Flamur,/ Mi çdo shkam e mi çdo gur;/ Njat Flamur me shqipe mali,/ Na e kish çu Smail Qemali./ Kur Flamurin nalt e ngritëm/ Krisën pushkët, të gjith’ britën:/ Rroft’ Flamuri, rroft’ Shqipnia,/ Anekan sod shndrit Liria! Bën aluzion kjo këngë për vendimin e Kuvendit Kombëtar për Shpalljen e Pavarësisë (28 nëntor 1912). I. Qemali si kryetar i Kuvendit Kombëtar, shpalljen  e pavarësisë ua njoftoi gjithë krahinave të atdheut. Kjo këngë shpreh edhe entuziazmin e përgjithshëm me të cilin e priti populli i Dibrës, vendimin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Mund të kumtonin shumë se këngët e popullit për Pavarësinë rrjedhin si lumë, por dëshirojmë ta finalizojmë me një këngë të veçantë nga Vranishti i Vlorës, mbledhur e regjistruar në vitin 1960. Kënga është ngritur nga Qerim Tartari (dhe këtë e kemi verifikuar nga tre burime) më 1913, kur Konferenca e  Ambasadorëve, duke caktuar kufijtë e Atdheut tonë padrejtësisht, la jashtë tyre Kosovën : “Ç’ësht’këjo që na ka ngjarë/ Nënë Shqipëri? (përsëritet pas çdo vargu)/ Dhe malet në hall kan’rarë,/ Se u prem’ e se u vramë,/ Për liri, për trojet tanë./ Të mëdhenjt’ (e ka fjalën për Fuqitë e Mëdha) paçin belanë,/ Që e trazuan dynjanë,/ Mëmëdhen’ më dysh na ndanë,/ Kosovën jasht’ na e lanë./ Po ne jemi shqipëtarë,/ Nga një nënë e nga një babë./ Kemi një Flamur e Shkabë,/ Jemi betuar ta mbamë!” (Epika historike, 3:1990) 2)

PËRFUNDIME

Qëllimi kryesor i këtij punimi ishte të nxirrte në pah botimet serioze nga krijimi folklorik për Pavarësinë e Shqipërisë, që daton më herët, që ka një vendlindje e një datëlindje si fillesë krijuese individuale (apo dhe kur lundron nëpër anonimat), sepse plotëson kriteret e sigurimit të statusit që ka folklori si një lloj i veçantë e specifik artistik; që  shndërrohet në krijimtari folklorike, sepse ka hyrë në qarkullimin folklorik të bashkësive të caktuara, të cilat dhe i cituam.

Njohja me këto fillesa folklorike të botuara mendojmë se përbën një tregues të mirë për të ditur se kush janë vërtetësisht botimet emblematike nga institucioni kompetent për Pavarësinë në peridhën e parë të mundshme kohore, që kemi gjetur nga veprimtaria botuese e institutit tonë.

Edhe pse janë këngë të epikës historike, nga kërkimet dhe vëzhgimet e bëra në terren, kemi vërejtur se ato bëjnë jetë aktive (kuptohet që nuk mund të jenë sot në krye të listimit të këngëve) natyrshëm, se pëlqehen e qarkullojnë, sidomos në Vlorë, ku u realizua dhe vepra e madhe kombëtare, apo në krahinën etnografike të Labërisë, ku kemi bërë ekspedita vetiake e studime.

REKOMANDIME

Stihia e botimeve folklorizante na kushtëzon që të qartësojmë veten së pari, miqtë studiues e komunitetin që këngët e atdheut janë ilaç dhe shërim, siç thotë Mjeshtri i Madh Lefter Çipa për këtë fakt: Këto janë botimet e para të mundshme, që gjetëm deri më sot dhe po i evidentojmë. Janë të besueshme si të tilla, sepse librat e botuar shënojnë vendin e vitin e botimit, folkloristët që janë marrë me përgatitjen për botim dhe botimin e njësive foklorike në libër, sipas kritereve përkatëse shkencore, si dhe institucionin që i ka miratuar këto botime. Ky fakt është i verifikueshëm me paraqitjen konkrete të librave që cituam më lart dhe mbyll shtegun e abuzimeve të botimeve pirateske dhe pamundësisht të verifikueshme, që, si rrjedhojë e “folkorit totalitar” (THIESE) 10), thatësira vargëzuese “kërryer” në vitin 1989, psh., na i paraqesin sikur janë botuar më 1923.

Këngë të tjera shumë të bukura për “Plakun e Pavdekshëm të Pavarësisë Shqipëtare” (Fetiu) 3) janë krijuar në rrjedhat e kohës dhe janë botuar nëpër almanakë folklorikë etj.; po ashu janë botuar më vonë edhe studime e monografi, por objekt i kësaj kumtese ishin  vetëm fillimet e këtyre botimeve folkorike.

Gjithashtu, kjo temë në të ardhmen mund të përfshihet në një studim më të gjerë, më gjithëpërfshirës, me shtrirje gjeografike në  gjithë trevat ndërshqiptare, me më shumë gjetje origjinale, larg sforcimeve e deformimeve folklorizante, të cilat vdesin akoma palindur.

BIBLIOGRAFIA

1-DIBRA, Miaser: Metafora në këngët popullore shqiptare; Tiranë: Akademia e Shencave, 2007, f.266

2- EPIKA HISTORIKE, 3; Përg. nga Qemal Haxhihasani dhe Miranda Dule (Botim i Akademisë së Shkencave të RPSSH, Instituti i Kulturës Popullore), Tiranë, 1990, f. 33-46

3- FETIU, Sadri: Folkloristikë; Prishtinë: Instituti Albanologjik, 2009, f.63

4- FJALOR ENCIKLOPEDIK SHQIPTAR: Tiranë; Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2009, f.2560

5- KAMSI, Gjon (“Ora e Maleve”, vj.1, nr.32, me 10 Nanduer 1923); shih: Shkrimtarët Shqiptarë, pjesa II. Prej Lidhjes së Prizrenit deri më sot. Punue nën kujdesin e Ernest Koliqit nga Karl Gurakuqi: Tiranë: Gurakuqi, 1941-xix, f.261-262

6, 6.1, 6.2- KËNGË POPULLORE HISTORIKE, zgjedhur e pajisur me shënime nga Qemal Haxhihasani nën kujdesin e Zihni Sakos. Tiranë, Instituti i Shkencave, 1956, f.248-249

7- LUARASI, Skënder: Fjala shqipe; Tiranë, Naim Frashëri, 1961, f.55

8- RAPSODË POPULLORË. SELIM HASANI; Tiranë: Instituti i Folklorit, 1966, f.11-12

9- SALLEO, Ferdinando: Shqipëria: gjashtë muaj mbretëri; Përkth. Virgjil Muçi; Tiranë: Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, 2001, f.40

10- THIESSE, Anne- Marie: Krijimi i identiteteve  kombëtare: Europa e shekujve XVIII-XX: Përkth. nga frëngjishja Etleva Shiroka; pejë: Dukagjini, 2004, f.332

11- XHAGOLLI, Agron: Etnologjia dhe folklori shqiptar; Vlorë: Triptik, 2007, f.247

12- XHAGOLLI, Agron: Përkushtimi ndaj botimit të vlerave folklorike; shih: Qemal Haxhihasani folklorist dhe mësues i rrallë (përmbledhje artikujsh të kolegëve) [Tiranë]; [2010], f.141

*) drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali”

Vlorë, ALBANIA

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, folklorike, per pavaresine, studime te hershme

Kanal Televiziv në Gjuhën Shqipe në Skandinavi- ”TV Dituria”

June 10, 2013 by dgreca

Organ i QKSH ”Migjeni” në Borås/

Shkruan: Sokol Demaku/

QKSH ”Migjeni” në Borås është një ndër shoqatat kulturore me aktive ne diasporë për ruajtjen, kultivim e Gjuhës, kulturës dhe traditës shipe.

Përmes këtij Kanali TV ne synojmë të kultivojmë tek fëmijët shqiptarë në Skandinavi dhe më gjerë kulturën, traditën shqipe, synojmë të sjellim të arriturat më të mira në fushën e letërsisë për fëmijë nga të gjitha trojet shqiptare dhe mërgata jonë, te mundësojmë fjalën shqipe në shtëpitë e mergimtarëve tanë, që është shtylla kryesore për krijimin e një identiteti të shëndoshë e modern. Përmes përmbajtjeve të përshtatshme për moshën e fëmijëve dhe për rrethanat e tyre jetësore , Kanali ”TV Dituria”  do të jetë një lidhje e natyrshme e botës fëmijërore me Atdheun dhe me vendin mikpritës.

Do të bëhen marrëveshje për kontakte të përhershme me shtëpit Televizive nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, të cilët do ta ushqejnë këtë kanal me përmbajtje të përshtatshme për botën fëmijërore dhe mërgatës në përgjithësi.

Në programet e këtij kanali një vend i veçantë do t’i kushtohet edhe botës prindërore. Prindërit shqiptarë kanë nevojë imediate për tu informuar mbi shumë çështje që kanë të bëjnë me shkollimin e fëmijëve të tyre, duke filluar me informacionet mbi sistemin shkollor aty ku ata jetojnë e deri tek temat e veçanta mbi vështirësitë konkrete që ata i mundojnë.

Me porogram ne baze te nje plani te periluar do te fillohet me 7 qershor nga ora 18;00 ku cdo javë në kete kohe mund te percilelt program dikrekt ne Gjuhen  shqipe, ndersa per cdo dite do te emitohen dokumentar si dhe filma shqip.

Fushat transmismetimit

TV Kanali i hapur transmeton programin në Transmetuesit analog tërë ditën në paketën bazë Com Hem në kanalin S11 dhe rrjetet dixhitale Telia në kanalin 500. Ne kemi arritë të mbulojmë me program rreth 245 000 familjeve në Göteborg, Molndal, Kungälv dhe Kungsbacka dhe 8. 000 dhoma hotelesh në këtë qytet dhe të gjithë strehimit studentore në Gothenburg, dhe bëjmë tranmetim të hapur Web Channel TV që mund të gjeni në ketë adresë interneti dhe ta përcillni programin tonë në cdo pjesët ë rruzullit tokësor

http://www.dituria.se/

Filed Under: Kulture Tagged With: Kanal Telviziv ne shqip, ne Skandinavi, Sokol Demaku

GAZETA DIELLI, SI ZËDHËNËSE E FUQISHME E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS”VATRA”

June 8, 2013 by dgreca

NGA DALIP GRECA/*

Është kënaqësi që t’ju raportoj sot në Kuvendin e riëprtëritjes dhe rigjallërimit të Vatrës si editor i Diellit. Është e fundmja e gazetave të Rilindjes Kombëtare, që vazhdon të jetë në botim. Ndërsa Vatra jonë nesër (28 prill)  ka ditëlindjen e 101, me 15 shkurt 2013, zëdhënësi dhe avokati i saj,  Dielli festoi 104 vjetorin e lindjes. Një ditëlindje që ia vlen ta festosh, ta kujtosh dhe të krenohesh, edhe pse ne nuk e festuam, thjeshtë e përkujtuam përmes vetë gazetës, ose thënë shkurt-gazeta uroi vetëveten.

Që t’ju raportoj se çfarë ka bërë Dielli, nuk mund ta nis nga sot,sepse Dielli i sotëm nuk ka kuptim pa atë të djeshmin, aq më shumë që ne kemi një masë të madhe vatranësh të rinj, që pak janë të njohur me historinë e Diellit dhe të vetë Vatrës. Pra më duhet të eci ca kohë pas, jo shumë, 104 vite të shkuara, me 15 shkurt 1909, kur Dielli nisi udhëtimin si organ i shoqërisë “Besa-Besën”, një nga shtyllat mbi të cilën u mbajt Vatra, kur u themelua me 28 prill 1912. Nuk dua t’ju shpenzoj kohë duke bërë histori, por publikimi i programit Kombëtar në numrin e parë të gazetës, dëshmon frymën dhe shpirtin rilindas të Diellit dhe kthjelltësinë e atyre që e drejtuan. Gjatë kohës që Dielli ishte gazetë e Besa-Besën kishte për editor burra fort të mençur të Kombit, si Fan Noli, Faik Konica, Efthim Natsi e Kristo Floqi. Imzot Noli editoi 69 numra të Diellit të Besa-Besës, Kristo Floqi, editori I fundit persa kohe ishte I Besa-Besën, editoi 59 numra dhe ustai I letrave shqipe,  Faik Konica 47 numra. Dielli i atyre viteve mbart gjurmët e drejtuesëve të vet dhe mbjelljes së farës kombëtare për bashkimin e shqiptarëve të Amerikës.

Gazeta u bë pronë e Vatrës pasi Besa-Besën u shkri në Federatën Vatra. DIELLI frymëzoi vatranët me frymën Kombëtare, aq sa ishin gati të jepnin edhe rrobat e trupit për çështjen kombëtare. Gazeta u priu fushatave Kombëtare të Vatrës duke kuvenduar  përzemërsisht me shqiptarët e Amerikës.

Ashtu si edhe vetë Vatra, Dielli nuk i shpëtoi mentalitetit dhe psikologjisë shqiptare, polemikave, deri në ekstrem. Kështu psh në kohën e çarjes së parë  të Vatrës, kur u shkëput fraksioni i Kristo Dakos, plasën polemikat e fuqishme mes “Diellit” dhe “Albanisë” të K. Dako, pa kursyer edhe Atin e Pvarësisë Ismail Bej Qemali. Kjo polemikë pati kundër edhe gazeta të tjera siç ishte “Koha” e Mihal Gramenos, I cili edhe ishte sponsorizuar nga Vatar, siç qe sponsorizuar edhe Atë Gjergj Fishta, Midhat Bej Frasheri e te tjerë atdhetarë.

“Dielli” e aso kohe u drejtuanga: Konica, Paskal Aleksi, Dennis Kambury, Kostandin Çekrezi (i takon atij merita e botimit të përditshëm të Diellit), Noli, Bahri Omari, Loni Kristo. Nëse do t’u drejtoheshim statistikave, kemi këtë tablo ; Bahri Omari , kunati i Enver Hoxhës, i pushkatuar nga ai vetë, editoi më shumë numra nga të gjithë,1074, Kostë  Çekrezi 241 dhe Fan Noli 137.

Dielli i është përmbajtur fryëmës Kombëtare, ç’ka ka karakterizuar vetë Vatrën.Në vitet 1920-24, gazeta mbështeti përpjekjet e Fan Nolit për zhvillimet demokratike, madje edhe Lëvizjen e Qeshorit dhe qeverinë e kryesuar nga Peshkop Noli. Dielli e mbështetur edhe nga  “Shqiptari i Amerikës”, që pat nisë botimin në Korçë më 1922, nën drejtimin e Loni Kristos si editor, ishin opozita e shtypit të kohës kundër qeverisë së Ahmet Zogu. Madje Dielli u ndalua që të hynte në Shqipëri, ndërsa Shqiptari i Amerikës u padit në Gjykatë, derisa u ndalua.

Drejtues të Diellit për atë kohë ishin: Andon Frashëri e Faik Konica, i cili krahas drejtimit të “Vatrës”, u zgjodh kryeeditor në Kuvendin e vitit 1923,duke patur si ndihmës /editor Andon Frashërin dhe Aqile Tasi. Kur  Partia Liberale e Nolit humbi zgjedhjet, lufta politike mori flakë. Megjithëse “Vatra” e përkrahu qeverinë e Nolit, “Dielli” i pat të ashpra kritikat ndaj saj. Me atë rast, Konica shkroi një perlë për kohën :“Komedia e partive, dhe rreziku që qëndron në derë të theatrës”, ku ndër të tjera shkruante: “Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri, vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s’ka vënt dhe trembem se diç do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vet-qojturve ‘udhëheqës’ do t’u vijnë menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: “U-ngjall nga idealistët, U- ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët”.

Dielli si zëdhënëse e Vatrës, në vitet 1925-39,ashtu si Vatra vetë, përkrahu  politikën e mbretit Zog, duke lënë mënjanë liberalizmin demokrat të Nolit dhe përqafoi qëndrimin e krahut të djathtë të Konicës. Siç ka analizuar editori para meje, poeti dhe studiuesi Anton Çefa:” Ideologjia dhe politika e gazetës kaloi në anën e qëndrës së djathtë, gjë që u pasqyrua në qëndrimet promonarkiste, profashiste për një kohë të shkurtër, dhe antikomuniste.”

Humbja e Nolit në Shqipëri, ikja  e tij në mërgim, ndërkohë që kundërshtari i tij Ahmet Zogu e dënoi me vdekje në mungesë, krijoi probleme mes vatranëve dhe e ndau federatën në dy kampe. Vatra zyrtare i ktheu kurrizin Nolit dhe çdo gjë u përqëndrua në duart e Konicës nga viti 1926, ku ai u bë Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Amerikë, Dielli ashtu si Vatra kishin një komandant, Faikun. Gazeta filloi ta godiste dhe krijuesin e saj Nolin, madje me artileri të rëndë. Fryma polemike u nxeh.Noli i përgjigjej me armë të të njëjtit kalibër përmes në gazetës“Emigranti”, që drejtohej nga editori i ardhshëm i Diellit, Qerim Panariti dhe botohej në Worchester, Mass., si dhe në “Liria Kombëtare” që botohej në Vjenë, e më pas në “Republika”, në Boston. Polemikat zgjatën deri në vitin 1937. Në ato vite Diellin e editonte “nxënësi i bindur” Konicës, Nelo Drizari, që kishte kryer studimet për gazetari dhe kishte botuar Gramatikën dhe Fjalorin shqip-anglisht. Drizari e bëri fakt të kryer pajtimin e Diellit dhe të Vatrës me Kryepeshkopin përmes artikulli “Ungjillori i shqiptarëve”.

Ashtu si Vatra nuk shpëtoi dot nga përçarjet, edhe zëdhënësi dhe avokati i saj , Dielli, nuk pati imunitet nga sherret. Ashtu siç ishte përça në gusht të vitit 1917, kur ish kryetari dhe editori i Diellit Kristo Dako,që i shkëputi Vatrës nja grup vatranësh të degës Westchester, e njëjta gjë ndodhi 19 vjet më pas, më 1936, kur Vatra u ca keqazi. U krijuan dy Vatra, një Boston, një në Detroit. Po ashtu u krijuan edhe dy gazeta Dielli, ajo e vjetra e Bostonit dhe e reja e Detroitit me kryetar Fazlli Panariti. Dielli i Detroitit u editua nga dishepulli i Konicës, Refat Gurrazezi. Dielli i Detroitit kritikonte rëndë Fan Nolin. Ky dualizëm vazhdoi për tre vjet, derisa vatranët gjetën forca dhe u ribashkuan në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë. Po ashtu edhe Dielli i Detroitit  pushoi së botuari.Editorët të kësaj kohe për Diellin shërbyen: Konica, Andrea D. Elia, Refat Gurrazezi dhe Nelo Drizari. Gjatë pushtimit italo-Gjerman, Dielli kritikoi ashpër pushtuesit dhe nuk i kurseu kritikat për Mbretin Zog, por ndërkohë, në Dielli u pasqyruan edhe përpjekjet e Fan S. Nolit e të Faik Konicës për formimin e një qeverie shqiptare në mërgim në kryesimin e Ahmet Zogu, si një platformë politike e domosdoshme për shpëtimin e atdheut, sigurimin e pavarësisë dhe integritetit tokësor të Shqipërisë.

Në vitin 1941 u shkaktua një çarje tjetër, e treta, ku pasojat ranë kryesisht mbi Vatrën. Kostë Çekrezi formon “Shqipërinë e lirë” dhe nisi botimin e Shemrës së Diellit- gazetën “Liria”. Një pjesë e vatranëve kaluan me Çekrezin, i cili iu kundërvu platformës politike të Nolit e Konicës për krijimin e qeverisë shqiptare në mergim. Ai propozonte një Komitet, përmes të cilit të krijohej një Front i Përbashkët për Shpëtimin e Atdheut.Fryma polemike u ashpërsua shumë.

Editorë të kësaj periudhe kanë qenë Petër Tiko dhe Qerim Panariti për të cilin kishte akuza se anonte nga qeveria e Enver Hoxhës, por në fillim të viteve ’60 Panariti shpërtheu plot inat kur gazeta Bashkimi e etiketoi si imperialist.

Vijmë tani tek periudha 1945-1990. Vatra, e lodhur nga lufta e gjatë politike, shpreson tek demokratizimi i Shqipërisë, nga frika se Greqia vazhdonte të pretendonte Shqipërinë e Jugut,u jep mbështetje udhëheqësve komunist, madje i prêt dhe përcjell emisarët e Enver Hoxhës, duke filluar nga Noli vetë që vjen në Nju Jork dhe takohet me delegacionin e Enver Hoxhës shumë herë. Po ashtu dhe Dielli mbështet Vatrën. Që në faqet e para lexohen me shkronja të mëdha lajme për qeverinë komuniste . Duket se Dielli dhe Liria e Bostonit ishin në garë kush e kush të shkruante më mirë për qeverinë e Enver Hoxhës. Po të marrim hua një shprehje nga Peter Ktona, broshura e tij”Misioni i federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra-dje dhe sot”; ajo periudhë mund të përshkruhet kështu”Pas vendosjes së Qeverisë Komuniste në Tiranë, të dy organizatat, me anë të organeve të tyre, Dielli dhe Liria, duallën hapur duke përkrahur regjimin komunist shqiptar. Editori i gazetës Dielli, Qerim Panariti, tregohesh më i flakët pro Enverit se sa gazeta Liria. Megjithëkëto Tirana nuk kishte besim tek Vatra, siç duket për të kaluarën e saj patriotike dhe e hodhi peshën e përkrahjes ndaj organizatës Shqipëria e Lirë. Një pjesë e vatranëve , shkruan Ktona, dezertuan, shkuan tek Shqipëria e Lirë që kishte përkrahjen e Qeverisë komuniste. Tek VATRA qëndruan nacionalistët dhe atyre iu shtuan në fund të viteve ’50 dhe fillim i viteve ’60 e në vijim antikomunistët nacionalistë. Edhe Dielli i forcoi pozitat nacionaliste. Në Liria botoheshin repotrazhe e intervista që lanin e lyenin Shqipërinë si Kështjellë e Socializmit, që shkruheshin nga  ata që vizitonin shqipërinë sepse kishin bekimin e Qeverisë Komunsite. Në këtë kohë, Dielli nuk i kursente kritikat.

Megjithatë nga mesi i viteve ’50 Panariti, që e drejtoi Diellin për 19 vjet, ndërgjegjësohet dhe nis kritikat.Kritikon qeverinë komuniste për izolimin e vendit nga bota perëndimore dhe për moslejimin e shqiptarëve të Amerikës për të vizituar atdheun,-kritikohet gjendja e rëndë ekonomike, kritikohet refuzimi i ndihmave amerikane dhe falënderohet Presidentin Amerikan Eisenhower për to, etj.Panariti e editoi Diellin nga 1944 – 1963. Ai mbetet editori më jetëgjatë në historinë e gazetës, dhe i vetmi që ka koleksionuar edhe një çmim amerikan të Diellit në një konkurs ku morën pjesë 1000 gazeta që botoheshin në Amerikë. Në vitet 58-60, Panariti pati si ndihmës edhe Petër R. Prifti, që kreu edhe detyrën e sekretarit të “Vatrës”. Pas Panaritit, editor i Diellit vjen Athanas Gegaj, i cili risjell frymën e monarkistëve në gazetën e Vatrës, i mëshon nacionalizmit, ashpërson kritikat ndaj sistemit komunist. Edhe Xhevat Kallajxhiu , solli një frymë të re të gazetës, duke rrahur shpesh temën e bashkimit të shqiptarëve të Amerikës. Editorialet e Kallajxhiut përcjellin frymë rilindasish. Pas tij gazetën e editoi Eduard Liço.

Tashmë vimë tek vitet 1990-2006. Nga viti 1990 – 94, gazeta nuk pati stabilitet dhe kaloi dorë në dorë, ajo u botua tepër rrallë dhe kishte më shumë vlera kronikale .Pas largimit të Eduard Liços në vitin ‘90, një numër e botoi Din Derti. Në vitet 1991 dhe 92, Arshi Pipa, njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës” dhe editor, botoi me ndërprerje 8 numra të gazetës, në këtë periudhë , ’91, një numër u editua nga Gjon Buçaj, Agim Karagjozi, Agim Rexhaj me asistencën e Tahir Deskut e Muhamet Mjekut; në vitin 1992, një numër është edituar nga Agim Karagjozi, kryetar i “Vatrës”, dhe Gj. Buçaj, nënkryetar; në vitin 1993, Agim Karagjozi botoi 3 numra, në vitin ’94, u botua një numër nën editimin e Agim Karagjozit dhe Anton Çefës. Nga tetor-dhjetori i këtij viti deri në vitin 2006 u botuan 45 numra nën editimin e Anton Çefës dhe me Agim Karagjozin si managing editor. Gjatë editimit të Anton Çefës Dielli u ngrit nga ana cilësore dhe kontribuoi në përcjelljen e vlerave studimore, historike dhe letrare.

Tashmë kemi mbërritur tek Dielli i sotëm. Ritheksoj se  është një ditë e shënuar për Vatrën kjo e sotmja sepse me këtë Kuvend ajo kërkon që të hapë një faqe të re në historinë e saj 101 vjeçare. 101 vitet e saj nuk tregojnë shenja pleqërie, përkundrazi, në këtë dekadë të fundit të shekullit të ri, Vatra e ka përmirësuar mjaft profilin e saj kombëtar dhe së fundi po arrin atë që nuk është bërë dot në 20- 30 vitet e fundit.

Ardhja ime në Vatër si editor i Diellit, i takon 100 vjetorit të Gazetës Dielli, ku referova kumtesën: ” Gazeta “Dielli”- shkollë e shtypit të lirë për gazetarinë shqiptare”.  Vatranët më pritën me zemër të ngrohtë. Jam emocionuar nga njoftimi publik që publikoi Vatra me 1 gusht 2009, botuar në numrin e parë të edituar nga unë , shtator  2009, nënshkruar nga kryetari Agim Karagjozi. Në të thuhej:” Në mbledhjen e mbajtur  me  1 gusht 2009, Këshilli i Vatrës miratoi unanimisht dhe me entuziazëm emërimin nga Kryesia të z. Dalip Greca editor i Diellit.” Në njoftim përcillet edhe informacioni për botimin një herë në muaj të Diellit pas një ndërprerje më shumë se dy vjeçare. Për këtë qëllim lajmërohej edhe hapja e fushatës për ndihma financiare që të mos ndërpritej Dielli, fushatë që nuk u kurorëzua plotësisht, për shkak se jo të gjithë i mbajtën premtimet,por  gjithësesi ata që i mbajtën premtimet janë përjetësuar në faqet e Diellit, ku është publikuar çdo dollar që kanë dhënë vatranët.

Jam përpjekur që ta justifikoj besimin që më dha Vatra duke punuar me të gjithë fuqitë e mia. Se sa ia kam arritur vlerësimin duhet ta thonë vatarnët. Mendoj se më e mira ende nuk është bërë. Natyrisht që ka edhe të meta, që duhen korrigjuar. I falenderoj të gjithë ata që  më kanë mbështetur , ndërkohë që  ftoj për bashkëpunim edhe ndonjë që diku i ka mbetur qejfi.

Duke iu drejtuar statistikave, ashtu si paraardhësit e mi, gjatë kohës që e kam edituar Diellin, me numrin e prillit 2013 bëhen 44 numra të edituar nga unë dhe asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim vendimin e Këshillit për ta botuar Diellin një herë në muaj. Madje edhe kur kam pasë problem me shëndetin, Dielli nuk është penguar. Jam përpjekur që Gazeta të ruaj fizionominë e saj, të sjellë në faqet e veta problematikën që ka trajtuar Vatra, frymën e saj Kombëtare, shqetësimin e saj për zhvillimet demokratike në Shqipëri, jo rrallë ka pasë dhe frymë polemike për t’u dhënë përgjigje atyre që hedhin gurë kundër Vatrës, etj. Por duke qenë se gazeta ka qenë edhe para dy ngjarjeve të mëdha, 100 vjetorit të themelimit të Vatrës dhe 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, i ka mëshuar fort edhe historisë Kombëtare dhe historisë së Vatrës. Qëllimi ka qenë që të evokojmë tek brezat e sotëm krenarinë e punëve të mëdha që ka bërë Vatra për Kombin. Krahas temave të rrahura edhe më parë nga editorët paraardhës, jam përpjekur që të gjurmoj edhe figura pak të trajtuara të vetë Vatrës, të sjell histori për të parën herë etj. Falenderoj publikisht edhe median tjetër që na ka mbështetur. Veçoj TV Kultura Shqiptare me Adem Belliun, me të cilin për një vit kemi realizuar shumë emisione për historinë dhe rrugën 100 vjeçare të Vatrës. Edhe Zëri i Amerikës e ka ndjekur nga afër ringritjen e  Diellit dhe na ka mbështetur.Po ashtu edhe TV 21, TV Alb, Bota Sot dhe Illyria etj.

Me krijimin e degëve të reja Dielli u ka dhënë hapësirë edhe informacioneve që vijnë nga aktivitetet e tyre, por kjo kërkon përsosje të mëtejshme dhe degët duhet të tregojnë më shumë kujdes, që kur zhvillojnë takimet të caktojnë reporterin e cdo mbledhje dhe ai ta përcjellë informacionin dhe fotogarfitë në gazetë. Kjo ka qenë traditë e Vatrës gjatë 100 viteve. Ju lutem kryetarëve të kthehen tek tradita dhe të ndihmojnën Dillin jo vetëm nga ana financiare, por edhe me informacione dhe me shkrime. Jo vetëm kaq, por degët duhet të sjellin në gazetën e Vatrës çdo njoftim, që ka të bëjë me anëtarët e vet, i gëzuar apo i hidhëruar, edhe një ditëlindje, fejesë a dasëm, edhe një dalje nga spitali i një vatarni, apo një ditëlindje, nje kremtim,  një dasëm, përbëjnë lajm.Vatranët duhet ta konsiderojnë veten si pjesë e një familje të madhe ku lajmet përjetohen bashkë.

Nëse do të rendisja arritjet e Diellit gjatë këtyre tre viteve dhe 9 muaj që editoj do të përmendja edhe rritjen e numrit të faqe . Siç njoftonte editori i mëparshëm, Anton Çefa: Gjatë jetës së tij të gjatë, “Dielli” është botuar në shqip dhe pjesërisht në anglisht, me 2, 4, 6, 8, 10, 12, 14 dhe 16 faqe, me formate të ndryshme. Ne nisëm rritjen e faqeve të gazetës, me 24, 28, 32, 36 dhe 40.

Një risi tjetër ishte edhe ajo që nisi në vitin 2009 me rastin e Ditës së Flamurit ,ku ne nisëm botimin e edicionit special të gazetës me shumë faqe, ç’ka nuk ishte bërë asnjëherë më parë. Fillimisht edicioni i numrit special të Ditës së Flamurit nisi me 60 Faqe,në  vitin  2010 dhe 2011 me 84 Faqe, në vitin 2012 me 108 faqe. Po ashtu u botua një numër special edhe me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës. Në atë numër Dielli u botua me 104 faqe. Editori i Diellit në bashkëpunim me vatranët përgatiti dhe editoi në 100 vjetorin e Vatrës edhe një botim special të ilustruar me 95 faqe, me histori e urime, në traditën e botimeve të mëparshën në përvjetore të atilla. I falenderoj të gjithë kontribuesit, pa lënë mënjanë dhe z. Ismer Mjeku që dha një kontribut të veçantë në 100 vjetorin e Vatrës.

Në ndryshimet e sjella në gazetën Dielli është edhe kthimi i saj me ngjyra që nga numri i qershorit 2010.

Dua të falenderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur dhe na kanë qëndruar afër. Mendoj që për të ardhmen Dielli ka më shumë nevojë për bashkëpunim dhe natyrisht për një staf të plotësuar, mundësisht edhe një editor për gjuhën angleze.

Kjo i takon udhëheqjes së re që do të dalë nga ky Kuvend. Drejtuesit e rinj duhet që ta mbështesin Diellin edhe me artikuj, ç’ka nuk është bërë mirë nga kryesia e deritanishme, për të mos thënë se ka munguar deri tani.Veç kryetari Buçaj, gazetarit Idriz Lamaj, firmat e tjera nga kryesia apo Këshilli kanë munguar në faqet e Diellit.

Gazeta e Vatrës ka nevojë edhe për ndihmë financiare, ka nevojë për bujarinë e vatranëve, mirëpo shumë pak nga ata që kanë biznese reklamojnë  në gazetën e tyre, Dielli, madje ka nga ata qe kane reklamuar dhe nuk kane paguar. Ndoshta Dielli nuk të shton klientelën, por  ti biznesmen vatran ia shton jetëgjatësinë gazetës dhe me bujarinë tënde nxit të tjerët që të reklamojnë në gazeten e Vatrës. Nuk ua mohojmë ndihmën që i kanë dhënë Diellit shumë nga biznesmenët vatarnë me rastin e Ditës së Flamurit apo me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës, por me kaq nuk mjafton.Prandaj i ftoj publikisht biznesmenët vatranë:Reklamoni në DIELLI se ia rrisni nderin vetes.

Falenderoj z.Sejdi Bitiçin që ka kontribuar në mënyrë të veçantë edhe në përmirësimin grafik të gazetës duke sponsorizuar dizajnimin e saj. Po ashtu falenderoj Danny Blloshmin që kohën e lirë, gjithëmon në orët e vona të natës punon vullnetarisht për dizajnimin e Diellit. Po të mos ishte pasioni i tij, vështirë do ta kishim në stabilizimin e Diellit në botimin e përmujshëm. Tash ka ardhur koha që Dielli të hedhë hapin tjetër, të nisë botimin e përdyjavshëm, duke synuar një botim të përjavshëm shumë shpejt. Por kjo nuk mund të bëhet nëse nuk ka mbështetje dhe nëse nuk niset një fushatë me frymën e vatranëve të vjetër për të siguruar të ardhura dhe nëse biznesmenët vatranë nuk reklamojnë në të.

Jasht këtij raporti nuk mund të lë edhe gazetën në on Line. Mendoj se kjo e ka bërë më publike gazetën dhe vete Vatren, ka shtuar bashkëpunëtorët, madje jo vetëm nga Amerika e Kanadaja, por edhe në Evropë, Australi, Zelanda e Re, edhe nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria. Me lajmet e Vatërs që nga viti 2011, po jetojnë shqiptarët kudo ku banojnë. Po ju them vetëm një shifër nga analiza googl-it: Diellin e vizitojnë më shumë se 25 mijë vizitorë. Dielli në on line po na bashkon virtualisht kudo ku ndodhemi.Ju lutem shtojeni bashkëpunimin me qëllim që ta bëjmë më interesant atë.

Përfundimisht: Unë e fus e veten tek optimistët. Përherë kam besuar tek fryma e vatranëve, tek dëshira e tyre për ringjalljen e gazetës dhe i kam dhënë asaj shpirtin tim. Ndoshta kjo nuk u bie në sy atyre që janë mësuar ta shohin nga larg Diellin. Vatrën dhe gazetën e saj Dielli e kanë sulmuar për shumë kohë, madje kjo ka ndodhë edhe pas 100 vjetorit, i cili qe një manifestim  madhështor, për ata që e shihnin me syze të errëta Vatrën dhe Diellin shanin e mallkonin nëpër kafene dhe gazeta se Vatra po mbaron se Dielli po shuhet, Vatra merret me politikë, Vatra është e izoluar etj.Këtë e thonë edhe tani ku Vatra po ngre degë anë e kënd Amerikës. Po kur nuk i hodhën gurë Vatrës dhe Diellit? Dhe që të dy këto instituticione kombëtare i kanë sfiduar shpifësit dhe ndjellakeqët. Jetëgjatësinë e Diellit 104 vjeçar dhe të Vatrës 101 vjeçare nuk mund ta kuptojë një njeri që e sheh Vatrën nga jashtë, dhe mban ndaj saj pozicionin e policit kur shkelen vijat e bardha.

Mendoj se spjegimi i të ndjerit Peter R Prifti, editor i Dielli  tetor 1958-16 shtator 1959,për jetëgjatësinë e Diellit dhe të Vatrës, është më i argumentuari:  “Jetëgjatësia e Vatrës dhe e Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm.Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtërore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkuarën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.”.

Po e mbyll këtë raport me besimin e patundur se Vatra dhe Dielli, do të jenë të përjetshëm.

* (Raport i editorit të Diellit, DALIP GRECA, përgatitur për në Kuvendin e Vatrës, 27 prill 2013.Për mungesë kohe, raporti nuk u lexua në Kuvend. Editori përshëndeti për 4 minuta)

Filed Under: Kulture Tagged With: dalip greca, dielli, e Federates Vatra, zedhensja e fuqishme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 455
  • 456
  • 457
  • 458
  • 459
  • …
  • 556
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT