• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PIKTORI GJAKOVAR HALIL AHMETI ME EKSPOZITË TË RE

September 9, 2024 by s p

Shpendi Topollaj/

Po t`i besojmë asaj thënies së murgut budist Kenko Hoshi të shek. XIV – të, se pas një emri fshihet një pamje, kemi të drejtë të mendojmë, se jo vetëm në kuptimin etimologjik, por edhe se ashtu është në të vërtetë, emri me origjinë arabe Halil Ahmeti që veç të tjerave na kujton me krenari eposin e kreshnikëve, me Halilin e ri dhe Halil Garrinë, mbetet edhe vetë një mik besnik që meriton lavdërime. Dhe jo vetëm një mik i vyer, por edhe një artist i shquar që si një shqiptar i madh, di të pasqyrojë bukuritë e natyrës së atdheut të tij, ku sikurse vërente Vincent van Gogh – u edhe te pemët sheh një shpirt. Dhe shpirti i Kosovës, kosovarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi, është i lartë si ato Alpet tona, ku shquhet Shkëlzeni me madhështinë e tij, që Halili me tablotë e tij na i ka paraqitur në disa variante, i trazuar, si ajo natyra e qetë me nëntitull “Gjurmë lufte”, i revoltuar ndaj padrejtësive shekullore, si ai “Vullkani” në vaj i vitit 2009, i pavdekshëm, si ato rrënjët që i kanë rezistuar valëve të tërbuara të detit (viti 2019), që në çdo stuhi ka rilindur si Feniksi mitologjik, si te pikturat “Mbijetesa”, varianti I dhe II, dhe me dashurinë e palëkundur për atdheun amë dhe dëshirën e përherëshme për të qenë të bashkuar, si ata shkëmbinjtë në tre variante, në tablontë “Gurët binjakë”. Por mbi të gjitha, këtë shpirt të pastër dhe të paepur, ai na e ka dhënë të gjallë në portretet e realizuara kryesish aty nga gjysma e dytë e viteve shtatëdhjetë, ku grafikat e tij edhe pse të thjeshta në dukje dhe me mjete shprehëse disi të kursyera, përsëri thonë shumë, duke evidentuar në shikimet e tyre dhe në karakter, paqen dhe mirësinë që u buron nga zemra. Veç piktori, duke ditur misionin e tij edhe si intelektual edhe si qytetar, pse jo edhe si politikan i përgjegjshëm, nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj asaj që historikisht ka ngjarë në vendin e tij, çka ka sjellë zemërimin dhe mospajtimin me padrejtësitë e imponuara nga orekset e Fuqive të Mëdha apo barbaria e fqinjëve. Për këtë flasin linogdhendjet “Thirrja” që të sjell ndërmend litografinë “Britma” të norvegjezit Edvard Munch, apo “Bashkimi” i dy duarve të fuqishme, të vitit 1980. Në pikturë shpesh flitet me simbole, se fundja është ashtu sikurse thosh Paul Klee: “Arti s`duhet të prodhojë të dukshmen, por ta bëjë të dukshme”. Këtë ka pasur parasysh edhe Halili, i cili nuk na e jep natyrën si fotografi, pra nuk pikturon atë që sheh, siç mësonte Picasso, por atë që është. Ai edhe te “Bjeshkët e Junikut” apo “Velipoja natën”, respektivisht të viteve 2008 dhe 2019, sheh dritë, pasi e di konstatimin e piktorit të Arlit francez se “Shpesh mendoj se nata është më e gjallë dhe më e mbushur me ngjyra se dita”. Natyrisht, edhe pse na mungojnë ato 100 pikturat e djegura nga ushtarët dhe paramilitarët e hitlerianëve të rinj, personaliteti i Halilit është formësuar edhe nga vlerat e tij njerëzore dhe detyrat që me nder ka kryer, por ai gjithmonë u mbetet mirënjohës mësuesve të shquar Tahir Emrës dhe Rexhep Ferrit. Ju të nderura miq do t`i shihni vetë pikturat e kësaj ekspozite, por personalisht, dhe në emër të miqve që kanë ardhur enkas nga Durrësi, ku Halil Ahmeti qëndroi për disa vjet dhe punoi deri sa populli i Kosovës me UÇK – në e tij nisi luftën legjendare për liri, në shkollën “Jan Kukuzeli” dhe ku manifestoi gjithë cilësitë dhe virtytet e kosovarëve, i uroj atij suksese të tjera dhe i them se do të jemi të nderuar që këtë ekspozitë ta çelim edhe në qytetin tonë bregdetar, sikurse kemi bërë herë pas here me piktorë të Kosovës apo gjakovarë si Xhevdet Spahija etj. Duke përfunduar, nuk mund të mos theksoj faktin se këto krijime artistike, ashtu si çdo krijimtari kulturore, nxjerrin në dritën diellit, atë të vërtetën e madhe që shpesh të tjerët bëjnë sikur nuk e dinë; se ne shqiptarët jemi një popull i qytetëruar shumë kohë më përpara se ata të zbrisnin nga pemët.

Filed Under: Kulture

23 vite pa Lukë Kaçajn e Malësisë së Madhe, kengëtarin lirik të nivelit botëror

September 8, 2024 by s p

Musa Kurtulaj/

Sot, 7 shtator 2024, u bënë 23 vite që ndërroi jetë Lukë Kaçaj, nder kengëtarët lirikë më të shquar të Shqiptarisë dhe, pa dyshim, i nivelit botëror ! I vlerësuar në këte mënyrë nga personalitete të muzikes botërore ! Lindi në Bajzë të Malesisë së Madhe me 19 korrik 1920 dhe ndërroi jetë me 7 shtator 2001 në moshen 81 vjeç! Pasi kishte mbaruar shkollen françeskane në Shkoder, në vitin 1947 – 1950 është pjestar i Korit të Pergjithshem të Shtetit në Tiranë dhe i Asamblit të Ushtrisë. Në vitin 1953 interpreton rolin e “kengëtarit të verber” në filmin famshem ” Skenderbeu”. Me pas kalon në Teatrin e Operas dhe Baletit ku interpreton në opëra të autorëve botëror, dhe tërheqë vemendjen si kengëtar lirik (bas) i përmasave të nivelit botëror ! Per këte arsye, e dërgojnë ato vite per studime në Moske, e konkretisht në konservatorin ” P.I.Çajkovski” per kanto. Konkuron dhe në teatrin “Balshoj” dhe, mes 170 konkuruesve nga e gjithë bota, rënditet nder 4 fituesit e parë. Në këte teater ai interpretoi Don Bazilion e ” Berberit i Seviljes”, nder kryeveprat operistike Botërore ! Cilësohet në Moskë si Chaljapini Shqiptar ( titull i lartë që jepej në Moskë per kengëtarët e permasave botërore). Këthehet në Tiranë dhe vlerësohet me titullin ” Artist i Merituar” si dhe emërohet pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Por kjo karriere, shumë e suksesëshme artistike, do ti nderpritej me 21 gusht të vitit 1973 pasi denohet me 5 vite burgim per “agjitacion e propagandë kunder pushtetit popullor “! Kështu ky artist i nivelit botëror, dermohet politikisht nga ajo kohë apsurde dhe, pasi bëri dënimin, perfundoi në punë të rëndomta që nuk kishin asnjë lidhje me muziken, nderkohë që fotografia e tij si talent edhe sot vazhdon të jetë e ekspozuar në teatrin ” Balshoj” të Moskes, si respekt per talentet e shquar që kanë luajtur në këte teater ! Në vitin 2009 , pas vdekjes, Presidenti i Republikes, Bamir Topi, e ka dekoruar Lukë Kaçajn me titullin e lartë “Nderi i Kombit” ! Lukë Kaçaj ka qënë dhe mbetet kryevlerë artistike e krenari jo vetëm e Malësisë së Madhe dhe Shkodres por e mbarë Shqiptarisë kulturore – artistike !

Filed Under: Kulture

“Fjalë pa nota”…

September 7, 2024 by s p

Libër i ri me artikuj e studime nga Vasil S. Tole. Krijime të larmishme në lloje e tipologji; të lidhura me historinë e muzikës shqiptare dhe protagonistët e saj (themeluesit e operas, simfonisë, baletit, koncertit orkestral, këngës dhe gjinive të tjera); me brezin e dytë të shkollës shqiptare të muzikës (kompozimit, ekzekutimit, interpretimit); me zhvillimet bashkëkohore në muzikën e sotme. Libri përmban pesë kapituj: “Muzikë, art dhe kulturë”; “Muzikë, art, kulturë dhe

shkencë”, “Trashëgimi”; “Nderim artistëve dhe studiuesve”; “Për botimet muzikore, libra dhe CD”. Autori nderimin e parë ua kushton profesorëve dhe mjeshtrave që kanë lënë gjurmë në formimin e tij, para së gjithash atyre të shkollës shkodrane (Çesk Zadeja, Tish Daija, Prenk Jakova, Pjetër Gaci); figurave të rëndësishme të krijimtarisë muzikore gjatë viteve 1930 e më pas; kompozitorëve e instrumentistëve të formuar në shkollën shqiptare; si dhe studiuesve të mëhershëm e të sotëm të kësaj trashëgimie, kolegë të tij, formues të brezave të rinj të artistëve dhe studiuesve. Një libër ku tek autori njeriu i kërkimit dhe

njeriu i krijimit nuk mund të ndahen. Vend më vete zënë studimet që lidhen me nismat e autorit për promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë shqiptare përmes programeve e listave të UNESCO-s

(eposi heroik dhe lahuta, isopolifonia, përvojat e mira si FFK). Në një kapitull tjetër janë përfshirë recensionet, oponencat, hyrjet e parathëniet për

libra të kolegëve, fjalë të mbajtura në përurime dhe në ceremoni, përshëndetje, diskutime. Ndërthuren e alternohen paraqitja e rezultateve të kërkimit shkencor, të krijuesit në muzikë, me publicistikën shkencore dhe ligjërimin për një lexues të gjerë. Libri paraqet interesat e shumanshëm të autorit po aq sa dhe kontributet në detyrat që ka kryer e kryen, si drejtues, anëtar komisionesh e bordesh krijimtarie, anëtar jurish,

pjesëmarrës në skuadra shkencore, me rol vetjak në nisma kulturore, me pozicionime zyrtare për çështje të ligjshmërisë në fusha të muzikologjisë, folklorit, trashëgimisë kulturore. Kjo shpjegon faktin e ndërlidhjes së një pjese të artikujve me kalendarët

kulturorë, me përvjetorë e jubilenj, me jetën skenike bashkëkohëse, me dukuritë e reja në muzikë, me botimet dhe diskutimet, me kronikën e kohës.

Libri është i dobishëm për të gjithë ata që janë të interesuar për historinë e muzikës shqiptare, periodizimin dhe protagonistët, infrastrukturën e veprimtarisë së individëve dhe institucioneve që veprojnë në këtë fushë, njerëzit që kanë dominuar skenat, jehonën e artit të tyre në shtyp; duke marrë vlerat e një arkivi selektiv të kujtesës muzikore.

Vasil Tole është kompozitor, muzikolog dhe etnomuzikolog me njohje kombëtare, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare. Me veprimtari krijuese dhe kërkimore në të gjitha fushat dhe llojet e krijimtarisë muzikore: vokale, instrumentale, simfonike e skenike.

“vasiltole.com“

Filed Under: Kulture

Mesha shqip e Fan Nolit në Odesa të Ukrainës 4 shtator 1911

September 4, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Fan Noli kishte muaj që po përgatitej për udhëtimin që do të bënte në Evropë. Supas gazetës së Sofjes “Liri e Shqipërisë”, e cila pasqyronte saktë itinerarin e Nolit, ai arriti në Odesa të Ukraniës me 30 gusht 1911, ku u prit me nderime të mëdha. Lajmin e mbërritjes së tij e mësuan edhee korrespodentët e gazetave të vendit, të cilat e pyesnin për gjendjen në Shqipëri dhe të Kishës shqiptare. Noli u përgjigje në ç’gjuhë që të dëshironin dhe me hollësiraa të mëdha. Të nesërmen gazetat botuan kronika për mbërritjen e tij, madje me fotografi.

Pasi i bëri vizitë kryepeshkopit të Odesësë, Noli mbajti meshën e parë shqip në Kishën Episkopale, që ndodhej në Ekaterskaya 67, midis pazarit dhe rrugës Arnauti i Madh. Mesha u mbajt të hënën me 4 shtator. Atë ditë kisha ishte mbushur plot e përplot me besimtarë ortodoksë e sidomos nga katër fshatra kishin ardhur për të dëgjuar meshën. Shqiptarët e Odesës ishin më të gëzuarit sepse për herë të parë po dëgjonin një meshë shqip nga një prif shqiptar.

“Vëllezër dhe motra, besnikë të shumtë që merrni pjesë në këtë meshë sot. Për mua qe një kënaqësi dhe njëkohësisht një lumturi e madhe që të parit m’u dha rasti që ta nxjerr këtë meshë përpara anëtarëve të kollonisë shqiptare në gjuhën shqipe, në gjuhën tonë amtare, në atë gjuhë që kanë folur baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë, gjuhë me të cilën jemi mëkatuar, që me të na ka rënë koka në dhetë. Grekërit thonë se sa janë të krishterë janë grekë, sepse janë orthodoskë. Por orthodoksia ëshë një gjë, kurse kombësia është diçka tjetër. Ne nuk jemi as grekë, as bullgarë, por jemi thjesht shqiptarë. Këtë vëllezër dhe motra të dashura, na e vërtetoi më së miri dhe mesha jonë sot, të cilën e dëgjuat me aq vëmendje, sepse e kuptuat se ajo u mbajt në gjuhën tuaj, që është e ëmbël për ne si qumështi i nënës! Të bekuar qofshi të gjithë!”, tha Noli në lutjen e tij.

Zëri melodioz i uratës la pershtypje te shqiptarët e Odesës. Njerezve u ngrineshin mornica nga gëzi që ia arritën kësaj dite, shkruante gazeta. Noli tha se Shqipërisë i duheshin priftërij të tillë, tè cilët do të mund ta drejtonin kombin në udhë të drejtë dhe të shëronin plagët e tij. Tè nesèrmen, urata foli nè njè mbledhje ku kishin ardhur të gjithë. Ai tha se shkaku i prapambetjes sè shqiptarëve ishte se ata nuk ndihmonin sa duhet dhe se nuk dallonin çështjet që ishin me rendësi nga ato me mè pak rêndèsi.

Noli u largua nga Odesa pas nèntë ditèsh dhe vizitoi shqiptarèt e Kishinjevit, që nè atè kohè ishte gjithashtu pjesë e Rusisë.

Filed Under: Kulture

KOMISIA LETRARE SHQIPE NË SHKODËR

September 2, 2024 by s p

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë/

Këshilli i parë që hartoi rregulla mbi ortografinë e gjuhës shqipe

🗓Më datë 1 shtator 1916, në Shkodër u themelua dhe filloi veprimtarinë e saj Komisia Letrare Shqipe.

I konsideruar si institucioni i parë në rrafshin albanologjik, Komisia Letrare Shqipe, u krijua me nismën e Akademisë së Shkencave të Vjenës, 8 vjet pas njësimit të alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe, më 1908, në Manastir, dhe ishte një tjetër hap i rëndësishëm për standardizimin e gjuhës, si dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme për kulturën shqiptare, në përgjithësi, e të gjuhësisë, në veçanti.

Komisia ishte një këshill i formuar nga intelektualët më në zë të kohës mbi çështjen e gjuhës shqipe dhe nga albanologë të huaj. Pjesëmarrës të saj ishin intelektualë të njohur brenda dhe jashtë vendit, personalitete të kulturës kombëtare, ekspertë të të gjitha fushave, njohës të të gjitha gjuhëve klasike dhe moderne të kontinentit europian, si dhe të zhvillimit arsimor e kulturor të vendeve të përparuara. Me një përfaqësi të tillë synohej bashkimi i një elite intelektuale të fuqishme dhe gjetja e zgjidhjes së problemeve më të mprehta dhe të ngutshme të gjuhës,të letërsisë, të arsimit dhe të kulturës kombëtare. Ndër ta përmendim: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, At Ambroz Marlaskaj, Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Aleksandër Xhuvani, Maksimilian Lamberci, Rajko Nahtigal, Imzot Vinçens Prenushi etj.

📚Pas vitit të parë të themelimit, rezultat i veprimtarisë së Komisisë Letrare ishte botimi “Rregulla mbi orthografín e gjuhës shqipe të shkrueme : të vendosuna prej Komisís Letrare”, botuar në Shkodër, më 1917, nga Shtypshkronja “Françeskane”, sot pasuri e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT