Shpendi Topollaj/
Po t`i besojmë asaj thënies së murgut budist Kenko Hoshi të shek. XIV – të, se pas një emri fshihet një pamje, kemi të drejtë të mendojmë, se jo vetëm në kuptimin etimologjik, por edhe se ashtu është në të vërtetë, emri me origjinë arabe Halil Ahmeti që veç të tjerave na kujton me krenari eposin e kreshnikëve, me Halilin e ri dhe Halil Garrinë, mbetet edhe vetë një mik besnik që meriton lavdërime. Dhe jo vetëm një mik i vyer, por edhe një artist i shquar që si një shqiptar i madh, di të pasqyrojë bukuritë e natyrës së atdheut të tij, ku sikurse vërente Vincent van Gogh – u edhe te pemët sheh një shpirt. Dhe shpirti i Kosovës, kosovarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi, është i lartë si ato Alpet tona, ku shquhet Shkëlzeni me madhështinë e tij, që Halili me tablotë e tij na i ka paraqitur në disa variante, i trazuar, si ajo natyra e qetë me nëntitull “Gjurmë lufte”, i revoltuar ndaj padrejtësive shekullore, si ai “Vullkani” në vaj i vitit 2009, i pavdekshëm, si ato rrënjët që i kanë rezistuar valëve të tërbuara të detit (viti 2019), që në çdo stuhi ka rilindur si Feniksi mitologjik, si te pikturat “Mbijetesa”, varianti I dhe II, dhe me dashurinë e palëkundur për atdheun amë dhe dëshirën e përherëshme për të qenë të bashkuar, si ata shkëmbinjtë në tre variante, në tablontë “Gurët binjakë”. Por mbi të gjitha, këtë shpirt të pastër dhe të paepur, ai na e ka dhënë të gjallë në portretet e realizuara kryesish aty nga gjysma e dytë e viteve shtatëdhjetë, ku grafikat e tij edhe pse të thjeshta në dukje dhe me mjete shprehëse disi të kursyera, përsëri thonë shumë, duke evidentuar në shikimet e tyre dhe në karakter, paqen dhe mirësinë që u buron nga zemra. Veç piktori, duke ditur misionin e tij edhe si intelektual edhe si qytetar, pse jo edhe si politikan i përgjegjshëm, nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj asaj që historikisht ka ngjarë në vendin e tij, çka ka sjellë zemërimin dhe mospajtimin me padrejtësitë e imponuara nga orekset e Fuqive të Mëdha apo barbaria e fqinjëve. Për këtë flasin linogdhendjet “Thirrja” që të sjell ndërmend litografinë “Britma” të norvegjezit Edvard Munch, apo “Bashkimi” i dy duarve të fuqishme, të vitit 1980. Në pikturë shpesh flitet me simbole, se fundja është ashtu sikurse thosh Paul Klee: “Arti s`duhet të prodhojë të dukshmen, por ta bëjë të dukshme”. Këtë ka pasur parasysh edhe Halili, i cili nuk na e jep natyrën si fotografi, pra nuk pikturon atë që sheh, siç mësonte Picasso, por atë që është. Ai edhe te “Bjeshkët e Junikut” apo “Velipoja natën”, respektivisht të viteve 2008 dhe 2019, sheh dritë, pasi e di konstatimin e piktorit të Arlit francez se “Shpesh mendoj se nata është më e gjallë dhe më e mbushur me ngjyra se dita”. Natyrisht, edhe pse na mungojnë ato 100 pikturat e djegura nga ushtarët dhe paramilitarët e hitlerianëve të rinj, personaliteti i Halilit është formësuar edhe nga vlerat e tij njerëzore dhe detyrat që me nder ka kryer, por ai gjithmonë u mbetet mirënjohës mësuesve të shquar Tahir Emrës dhe Rexhep Ferrit. Ju të nderura miq do t`i shihni vetë pikturat e kësaj ekspozite, por personalisht, dhe në emër të miqve që kanë ardhur enkas nga Durrësi, ku Halil Ahmeti qëndroi për disa vjet dhe punoi deri sa populli i Kosovës me UÇK – në e tij nisi luftën legjendare për liri, në shkollën “Jan Kukuzeli” dhe ku manifestoi gjithë cilësitë dhe virtytet e kosovarëve, i uroj atij suksese të tjera dhe i them se do të jemi të nderuar që këtë ekspozitë ta çelim edhe në qytetin tonë bregdetar, sikurse kemi bërë herë pas here me piktorë të Kosovës apo gjakovarë si Xhevdet Spahija etj. Duke përfunduar, nuk mund të mos theksoj faktin se këto krijime artistike, ashtu si çdo krijimtari kulturore, nxjerrin në dritën diellit, atë të vërtetën e madhe që shpesh të tjerët bëjnë sikur nuk e dinë; se ne shqiptarët jemi një popull i qytetëruar shumë kohë më përpara se ata të zbrisnin nga pemët.