Libër i ri me artikuj e studime nga Vasil S. Tole. Krijime të larmishme në lloje e tipologji; të lidhura me historinë e muzikës shqiptare dhe protagonistët e saj (themeluesit e operas, simfonisë, baletit, koncertit orkestral, këngës dhe gjinive të tjera); me brezin e dytë të shkollës shqiptare të muzikës (kompozimit, ekzekutimit, interpretimit); me zhvillimet bashkëkohore në muzikën e sotme. Libri përmban pesë kapituj: “Muzikë, art dhe kulturë”; “Muzikë, art, kulturë dhe
shkencë”, “Trashëgimi”; “Nderim artistëve dhe studiuesve”; “Për botimet muzikore, libra dhe CD”. Autori nderimin e parë ua kushton profesorëve dhe mjeshtrave që kanë lënë gjurmë në formimin e tij, para së gjithash atyre të shkollës shkodrane (Çesk Zadeja, Tish Daija, Prenk Jakova, Pjetër Gaci); figurave të rëndësishme të krijimtarisë muzikore gjatë viteve 1930 e më pas; kompozitorëve e instrumentistëve të formuar në shkollën shqiptare; si dhe studiuesve të mëhershëm e të sotëm të kësaj trashëgimie, kolegë të tij, formues të brezave të rinj të artistëve dhe studiuesve. Një libër ku tek autori njeriu i kërkimit dhe
njeriu i krijimit nuk mund të ndahen. Vend më vete zënë studimet që lidhen me nismat e autorit për promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë shqiptare përmes programeve e listave të UNESCO-s
(eposi heroik dhe lahuta, isopolifonia, përvojat e mira si FFK). Në një kapitull tjetër janë përfshirë recensionet, oponencat, hyrjet e parathëniet për
libra të kolegëve, fjalë të mbajtura në përurime dhe në ceremoni, përshëndetje, diskutime. Ndërthuren e alternohen paraqitja e rezultateve të kërkimit shkencor, të krijuesit në muzikë, me publicistikën shkencore dhe ligjërimin për një lexues të gjerë. Libri paraqet interesat e shumanshëm të autorit po aq sa dhe kontributet në detyrat që ka kryer e kryen, si drejtues, anëtar komisionesh e bordesh krijimtarie, anëtar jurish,
pjesëmarrës në skuadra shkencore, me rol vetjak në nisma kulturore, me pozicionime zyrtare për çështje të ligjshmërisë në fusha të muzikologjisë, folklorit, trashëgimisë kulturore. Kjo shpjegon faktin e ndërlidhjes së një pjese të artikujve me kalendarët
kulturorë, me përvjetorë e jubilenj, me jetën skenike bashkëkohëse, me dukuritë e reja në muzikë, me botimet dhe diskutimet, me kronikën e kohës.
Libri është i dobishëm për të gjithë ata që janë të interesuar për historinë e muzikës shqiptare, periodizimin dhe protagonistët, infrastrukturën e veprimtarisë së individëve dhe institucioneve që veprojnë në këtë fushë, njerëzit që kanë dominuar skenat, jehonën e artit të tyre në shtyp; duke marrë vlerat e një arkivi selektiv të kujtesës muzikore.
Vasil Tole është kompozitor, muzikolog dhe etnomuzikolog me njohje kombëtare, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare. Me veprimtari krijuese dhe kërkimore në të gjitha fushat dhe llojet e krijimtarisë muzikore: vokale, instrumentale, simfonike e skenike.