• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu

January 24, 2026 by s p

#AShSh

#ViktorEftimiu

Viktor Eftimiu është poet dhe dramaturg rumun me prejardhje shqiptare.

Lindi në Boboshticë të Korçës më 24 janar 1889. Në moshën 9-vjeçare ishte i detyruar ta linte vendlindjen e të merrte rrugën e mërgimit bashkë me familjen. U vendosën në Rumani, ku asokohe kishin vajtur shumë bashkatdhetarë. Kolonia shqiptare e Bukureshtit, u shqua si pishtar i vërtetë i përhapjes kulturore jashtë dhe brenda Shqipërisë.

Shkollën fillore e kishte filluar në vendlindje në gjuhën greke, sepse shkolla shqipe ishte e ndaluar gjatë pushtimit të egër osman. Viktori e vazhdoi shkollimin në Bukuresht, në gjuhën rumune. Atje u ballafaqua me vështirësitë e jetës, kështu që u detyrua të punonte dhe, njëherësh, të shkollohej.

Në moshën 16-vjeçare botoi vjershën e parë në revistën “Shpresa” dhe emri i tij kishte filluar të shfaqej gjithnjë e më shpesh nëpër faqet e gazetave e të revistave rumune të kohës.

Vepra e Viktor Eftimiut është e përmasave të mëdha. Në sajë të talentit të tij të rrallë, ai shkroi në të gjitha gjinitë, poezi, poema, drama e komedi, aforizma, ese, portrete e kujtime, artikuj kritikë, romane të panumërta, madje dhe libra për fëmijë. Është dramaturg me shumë pjesë të vëna në skenë. Eftimiu shkroi në gjuhën rumune, botoi dhe i vuri në skenë veprat e tij në teatrin e Bukureshtit dhe më pas disa u përkthyen në gjuhën shqipe, u botuan dhe u vunë në skenë edhe në Tiranë. Dramat dhe komeditë e tij janë përkthyer dhe ngjitur në skenë edhe në gjuhë të tjera, në kryeqytete të Europës e më gjerë. Nuk ishte më shumë se 30 vjeç, kur u emërua si drejtor i përgjithshëm i teatrove të Rumanisë. Atij i caktuan një lozhë të veçantë e të përhershme në Teatrin Nacional të Bukureshtit.

Veprat e periudhës para Luftës së Dytë Botërore, sikundër edhe ato të mëvonshmet, përshkohen nga fryma atdhetare e humanizmi i thellë shoqëror, si romani “Dy kryqe”, novelat: “Risto Dardha”, “Katelina”, “Smail Dënusha” etj., si dhe vjersha të shumta, të cilat i përshkon malli për vendlindjen dhe për bashkatdhetarët, me të cilët kishte pasur rastin të çmallej gjatë vizitës së tij të fundit që kishte bërë në Shqipëri, në maj të vitit 1972.

Për ndihmesën shumë të madhe e të çmueshme që i ka dhënë letërsisë rumune, Viktor Eftimiu është nderuar me tituj të lartë, si akademik, kryetar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. Ka qenë anëtar nderi i disa akademive europiane dhe ka qenë shkrimtari i vetëm në Rumani, të cilit i është ngritur busti në të gjallë të tij.

Viktor Eftimiu ishte martuar me aktoren e famshme rumune, Anxhepsina Makri.

U nda nga jeta në Bukuresht, më 27 nëntor të vitit 1972.

www.akad.gov.al

Filed Under: Kulture

GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE

January 23, 2026 by s p

Kristaq BALLI/

Veç të tjerash, Gjon Mili është një nga  artistët e fotografisë kontemporane, krijuese e eksperimentuese të shek, XX, që ka ekspozuar krijimtarinë e tij në dhjetra e dhjetra ekspozita vetiake e të përbashkëta të institucioneve kulturore e artistike  më të rëndësishme amerikane e ndërkombëtare.

  Në fund të viteve ’40 dhe gjatë viteve ‘50 të shekullit të kaluar njohja dhe popullariteti i tij  ishte rritur ndjeshëm. Ai kishte promovuar talentin dhe mjeshtërinë e tij, kishte formuar individualitetin dhe portretin e një artisti  unik e elitar,  duke   rrokur kështu vëmendjen e veçantë të audiencës, studiuesve  dhe kritikës artistike, profesionale e shkencore. 

Ngjarjen më të madhe dhe më të rëndësishme botërore të fotografisë në  dekadën e gjashtë të shek. XX do ta përbënte pa dyshim ekspozita botërore e fotografisë “The Family of Man” (Familja e Njeriut) e çelur në vitin 1955 në Muzeun e Artit Modern (MoMA), Nju Jork. 

 Kjo veprimtari konsiderohet si më madhja ekspozitë globale e organizuar në të gjitha kohrat. Në të u ekspozuan 503 foto (nga 2.000.000 të shqyrtuara) nga 68 shtete, veprat e 273 fotografëve, 40 nga të cilët autore femra.1) 

Titulli i ekspozitës është marrë nga një varg i poezisë të Carl August Sandburg, poet i njohur amerikan (878-1967), fitues tre herë i çmimit “Pulitzer”. Ndërkaq, instalimi fizik dhe ekspozimi i saj u projektuan në mënyrë të tillë që t’i bënin të mundur vizitorit ta shijonte atë sikur të shfaqej një foto-esse mbi zhvillimin e njerëzimit  gjatë dhe pas Luftës II Botërore   dhe të afirmonte idenë e një tregimi të përgjithësuar të jetës njerëzore, një identiteit të përbashkët human, ndonëse me histori, tradita e etnokultura diverse dhe, mbi të gjitha,  kundër kërcënimit të Luftës së Ftohtë dhe luftës nukleare.2) Fotot fokusonin tiparet e zakonshme që lidhin njerëzit dhe kulturat përqark botës. Ato ishin grupuar në 37  seksione tematike. Ishin zgjedhur në bazë të vlerës së tyre për të përcjellë një histori, apo ndjenjë që i shërbente harkut të përgjithshëm të narrativës. Çdo grupimi të imazheve i vendosej një tekst, duke krijuar, kështu,  një  histori të të jetës njerëzore.   

Ekspozita qëndroi hapur së pari në Muzeun e Artit Modern (MoMA), Nju Jork  prej 24 Janarit deri 8 Maj 1955, pastaj bëri një turné prej 8 vitesh rresht në 91 qytete të 37 vendeve të gjashtë kontinenteve të botës, duke u paraqitur njëheresh në 5 versione. 10 milion njerëz e vizituan atë. Ky është numuri më i madh i vizitorëve për një ekspozitë fotografike. Ekspozita bashkoi gjithë planetin në fotografi. Kurator i kësaj ekspozite ishte fotografi dhe studiuesi i njohur amerikano – luksemburgas, drejtori Departamentit të Fotografisë në muzeun  MoMA, Edward Steichen (1879 -1973). Sipas tij,  “ekspozita përfaqësonte “kulmin” e karierës së tij”3), një pikë referimi e gjithë kohrave si  projekti më imadh i përzgjedhjejes dhe editimit në historinë e fotografisë botërore. Steichen u thosh njerëzve: ”të shihnin në fotografitë dhe njerëzit e fotografive do t’ua kthenin vështrimet atyre. Ata e njihnin njeri-tjetrin”4). Ariella Azoulay ka argumentuar se ekspozita mund t’i shëmbëllejë një ekuivalenti vizual të Deklaratës së të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.5) 

Koleksioni fizik sipas  origjinalit të  fotografive (version fillestar) është i arkivuar dhe i ekspozuar në Luksemburg, atdheu i Steichen-it, në Kështjellën Clervaux dhe  është prezantuar për  herë të parë aty në vitin 1994 pas  restaurimit të fotove.6)  

Në vitin 2003 koleksioni fotografik “Family of Man” iu shtua Regjistrit Botëror të Memorjes së UNESCO-s në vlerësim të tij.

Në këtë ekspozitë Gjon Mili u paraqit me 5 fotografi të realizuara para vitit 1950, kryesisht të karakterit kulturor e lirik, me teknikën e tij evolucioniste stroboskopike të valltarëve e artistëve interpretues në performancat e tyre. Ishin të rrallë autorët që kishin të ekspozuar kaq foto. Ato ishin të jashtzakonshme për shikuesin nga pikpamja e nivelit të lartë artistik,  e konceptimit dhe realizimit novator në teknikë. Pjesëmarrja e Gjon Milit në këtë ekspozitë ishte, padyshim, një ngjarje kulmore dhe një sukses i merituar i angazhimit dhe kontributit të tij në artin fotografik. Tre prej fotove që duken qartë në sallën kryesore të ekspozitës janë ato të treguara me shigjeta të zeza, pra “Pas de Borrueé” (majtas), 1947. “Kuarteti i Budapestit” (djathtas), 1945 dhe “Duart e Dirigjentit rus Efraim Kurtz” (djathtas në thellësi), 1945.

Sidoqoftë, ashtu si për shumë veprimtari kulturore apo vepra artistike, edhe  për ekspozitën botërore “The family of Man” pati edhe qëndrime skeptike, kritike, madje të ashpra nga studiues të ndryshëm. Ato konsistojnë në  disa çështje konceptuale dhe dominuese që kultura perëndimore kishte mbi pjesën tjetër të botës. “Me gjithë qëllimin e mirë, fotografët perëndimorë (shumica amerikanë) riprodhuan stereotipet më të këqia kulturore të erës koloniale. Ata pasqyruan anën e errët “ekzotike” “surreale” të vendeve afrikane, apo të botës së tretë…Alan Sekula e vlerësoi ekspozitën si arkivë etnografike populiste dhe “epitomë (mishërim) të liberalizmit amerikan të Luftës së Ftohtë” që  “universializon borgjezinë e familjes nukleare” dhe gjithashtu shërben si një  instrument i kolonializmit  kulturor”.7) Ekspozita ofron  një perspektivë uniforme të jashtme (jo nga brenda) të kulturave dhe kombeve. Christopher Phillips kritikon Steichen për nënvlerësimine zërave të fotografëve individualë për  dekontekstualizimin  e fotografive të tyre dhe madhështinë e tyre narrative.8)  Madje një shfaqje violence publike e bëri të pamundur çeljen e ekspozitës në Moskë më 1959.9)  

Si një alternativë e revizionimit dhe rinovimit të platformës së Edward Steichen për ekspozitën “The Family of Man”, në vitin 2018, (2-8 Korrik) në Arle të Francës u çel ekspozita me titullin sarkastik e kontravers “The Family of No Man” (Familja e Asnjë Burri) ku morën pjesë 494 autore femra dhe intergjinore. Deviza e saj ishte: rishikim i botës përmes syve jomashkullorë. Madje edhe reklama e ekspozitës ishte një “plagjaturë” ekscentrike e ekspozitës së vitit 1955.10) 

Megjithatë, “Familja e Njeriut”  ka, pa dyshim,  një vend unik në historinë botërore të fotografisë, ashtu sikundër edhe pjesëmarrja e Gjon Milit në të shënon një nga sukseset e merituara të krijimtarisë së tij artistike. Pas kësaj ngjarjeje, më 1958 Gjon Mili u konsiderua si një nga “10 më të mëdhenjtë” (“The Ten Greatest”). Në numurin e muajit Maj të vitit 1958, redaksia e revistës së njohur amerikane “Popular Photography” botoi rezultatin e një ankete për vlerësimin e 10 fotografëve më të shquar aktivë të kohës në të gjithë botën. Midis tyre radhitej edhe Gjon Mili (1. Ansel Adams; 2. Richard Avedon; 3. Henri Cartier-Bresson; 4. Alfred Eisenstaedt; 5. Ernst Haas; 6. Philippe Halsman; 7. Yousuf Karsh; 8. Gjon Mili; 9. Irving Penn dhe 10. W. Eugene Smith.) Në këtë  anketë vlerësimi, Mili ishte i vetmi që cilësohej si shpikës dhe fotograf midis nëntë emrave të tjerë të mëdhenj në këtë fushë. Në të ai konsiderohej si fotograf shqiptar e amerikan.  Dhjetra ekspozita dhe vlerësime të tilla të shumta Gjon Mili do të ketë gjatë gjithë jetësj, por edhe pas  shuarjes së tij duke vijuar edhe në ditët e sotme.

______________________________

Referenca

1)Jay, Bill (1989) “The Family of Man A Reappraisal of ‘The Greatest Exhibition of All Time’. Insight, Bristol Workshops in Photography, Rhode Island, Number 1, 1989.
2) Turner, Fred (2012) ‘The Family of Man and the Politics of Attention in Cold War America’ in Public Culture 24:1 Duke University Press
3) Dickie, Chris (2009), Photography: the 50 most influential photographers in the world, A & C Black, p. 117
4) Steichen quoted in Kevin Salemme (2005) Chasing shadows: Steichen’s dream of the universal, History of Photography, 29:4, 372-377,DOI)
5) Ariella Azoulay, “The Family of Man: A Visual Universal Declaration of Human Rights” in Thomas Keenan and Tirdad Zolghadr eds The Human Snapshot (Berlin: Sternberg Press, 2013), 19–48.
6) (“Clervaux – cité de l’image -“. Archived from the original on 2015-02-12.
7) Allan Sekula, “The Traffic in Photographs,” Art Journal 41, no. 1 (1981), 15-25.
8)Christopher Phillips, “The Judgment Seat of Photography,” October 22 (1982), 27-63.
9) Alise Tifentale: The Family of Man: The Photography Exhibition that Everybody Loves to Hate, Essay, fkmagazine.lv › 2018/07/02)

10) MO VERLAAN PHOTOGAPHY, Exhbition in Arles, The Family of no Man, 2018

Filed Under: Kulture

FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN

January 22, 2026 by s p

Avni Alcani/

Në trevat e Kandavisë antike (Librazhdi i sotëm), si dhe përgjatë luginës së lumit Genesis (Shkumbini i sotëm) ka kaluar një nga rrugët më të vjetra dhe më të famshme në botë, rruga antike me emrin “Via Egnatia”, e cila bashkonte dy pjesët e Perandorisë Romake, atë Perëndimore dhe pjesën Lindore të saj. Rruga zinte fill në qytetin e Romës dhe, nëpërmjet Via Appia-s, lidhte Romën me pjesët lindore të gadishullit Apenin, duke dalë në Adrikatik, në qytetin antik të Dyrrahut. Emrin “Via Egnatia” ajo e mori për nder të konsullit romak Egnatius. Rruga e përshkonte mes për mes të gjithë gadishullin e Ballkanit, nga Durrësi në Kostandinopojë, dhe u shërbente romakëve për lëvizjen legjioneve ushtarake të Romës, për pushtimin e viseve të tjera lindore, si dhe për shkëmbimin e mallrave nga Roma në vendet e pushtuara dhe anasjelltas.

Pjesa më e madhe e kësaj rruge, nga stacioni i Klodianës (Peqini i sotëm) dhe deri në stacionin romak të Tres Tavernas (Qukësi i sotëm), kalonte nëpër luginën e lumit Genesis. Gjatë rrugës ishin ndërtuar disa ura prej guri. Nuk ka të dhëna historike se kur janë ndërtuar këto ura, por gjurmët e disa prej tyre ruhen ende, siç janë disa fragmente muresh dhe urash, si ura në fshatin Çopanaj të Peqinit, ura e madhe e Topçiasit, fragmente muresh në Mirakë, ura e kullimit të ujrave në Dardhë të Librazhdit (fig. 2), disa fragmente urash në fshatin Qukës etj. Ura e Çopanajt, e cila ndodhet mbi përroin me të njëjtin emër, ruhet ende në gjendje shumë të mirë. Ura ka vetëm një hark, i cili ka një formë (konike) mjaft interesante, ndryshe nga urat e tjera prej guri të lumit Shkumbin (fig. 1). Ajo është i ndërtuar me gurë të skalitur, që janë të lidhur me llaç gëlqereje. Pjesa e sipërme e harkut është e ndërtuar me tulla të lidhura gjithashtu me me llaç gëlqereje. Mendohet se ura është ndërtuar rreth shek. të 2- të pas Kr. Në vitet 30-të të shekullit të kaluar mbi urën egzistuese u ndërtua një urë moderne, përmasat e së cilës janë rreth 3.17 metra, e cila, fatmirësisht, e ka mbrojtur urën nga shkatërrimi.

Rruga Egnatia ka ekzistuar përgjatë gjithë periudhave historike. Gjatë pushtimit otoman, përgjatë luginës së Shkumbinit ishin ndërtuar dhe rindërtuar disa ura prej guri, si ura e Polis-Gostimës, ura e Haxhi Beqarit, ura e Kamares, ura e Qukësit, ura e Prenit në Bushtricë dhe ura e Golikut. Këto ura kishin një arkitekturë dhe bukuri të jashtëzakonshme, të cilat patën tërhequr vemendjen e disa prej udhëtarëve të huaj. Një e tillë, p.sh., ishte ura e Qukësit, e memorizuar në vitin 1848 nga piktori anglez Eduart Lir, si dhe ura tjetër (po në Qukës), që ishte fotografuar nga ushtarë austriakë gjatë Lufës së Parë Botërore. Të dy këto ura sot nuk ekzistojnë. Po në këtë periudhë (otomane) është fotografuar dhe pikturuar ura me harqe e Haxhi Beqarit në Mirakë nga autorë anonimë, e cila, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u shkatërrua plotësisht nga bombardimet e anglezëve (fig. 3). Gazetari dhe shkrimtari britanik, Bernard Newmen, gjatë viteve ’30 te shekullt të 20-të, ndërmori një udhëtim me biçikletë në disa vënde të Ballkanit Perëndimor. Ai ishte mahnituar nga bukuria e urave prej guri mbi lumin Shkumbin, të cilat i përshkroi në librin e tij me kujtime “Derë e pasme e Shqipërisë”. Ai i përshkruante ato si “ura me një bukuri magjepëse, si në ëndërr” (B. Newmen: “Albanian Back-door”, London 1936).

Në drejtim të rrjedhës së lumit Bushtrica, rreth 3 kilometra sipër urës së Bushtricës, ndodhet “i fshehur” një kanion madhështor me një bukuri të jashtëzakonshme, me emrin “Kanioni i Menikut”. Ky kanion është monumenti natyror më i bukur dhe më veçantë që ndodhet në trevat e rrethit të Librazhdit. Veç bukurisë magjepëse ky kanion mbart një monument të jashtëzakonshëm, siç është ura antike, që quhet “Ura e Prenit”. Nuk dihet se si dhe kur është ndërtuar dhe as përse quhet me këtë emër. Ajo është e ndërtuar sipër kanionit, në një lartësi prej 50 metrash. Ura ka qenë pjesë e një degëzimi të rrugës antike “Egnatia”. Sipas arkitekturës së saj dhe mjeshtërisë (teknikës) së ndërtimit, ajo duhet të jetë ndërtuar para shumë vjetësh. Ura ka një mjeshtëri ndërtimi dhe një bukuri të jashtëzakonshme, që e bën atë që të jetë për nga ndërtimi monumenti më i veçantë dhe më original në Shqipëri. Rreth viteve 60-të të shekullit të kaluar mbi urën egzistuese u ndërtua një urë moderne, e cila shërbente për shfrytëzimin e mineralit të hekur-nikelit, e cila e ka mbrojtur urën nga shkatërrimi i saj (fig. 6).

Jo të gjitha urat prej guri të i patën rezistuar kohës dhe shkatërrimit të tyre të plotë. Vetëm shumë pak prej tyre kanë mbijetuar deri në ditët tona. Fati i disa prej urave prej guri të rrugës “Egnatia” në lumin Shkumbin, si djegia dhe shkatërrimi i tyre, i ka përndjekur ato ndër shekuj. Dëshminë më të herëmshme e kemi nga një autor i shekullit të 5-të , siç është historiani bizantin Malhu, i cili ka përshkruar djegien e një ure mbi lumin Shkumbin. Gjatë një beteje që zhvilluan bizantinët kundër gotëve në vitin 459, shkruan ai, mbreti i gotëve, Teodoriku i Madh, u ndesh me Adanadin, të dërguarin e Perantorit bizantin, i cili e sulmoi ushtrinë gote në urën e Mirakës. Për të shpëtuar ushtrinë dhe familjen e tij nga gotët, ai e dogji urën mbi lumin Shkumbin (“Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, 2002, f. 409). “Ndërkohë ushtria bizantine, – shkruan arkeologu Neritan Ceka, – e goditi në befasi praparojën e ushtrisë gote, e cila po zbriste përgjatë rrugës Egnatia, ndërmjet të cilëve gjendej nëna dhe vëllai i Teodorikut. Familja mbretërore shpëtoi duke djegur urën mbi lumin Shkumbin, sigurisht në Mirakë” (N. Ceka: Ilirët, Tiranë 2000, faqe 274).

Në të gjithë gjatësinë e lumit Shkumbin sot ruhen të plota vetëm dy ura me harqe prej guri të periudhës osmane: ura e Golikut (Monument Kulture e kat. I) në Mokër të Pogradecit (fig. 5) dhe ura e Kamares (Monument Kulture e kat. I) në fshatin Mirakë të Librazhdit. Ura e Kamares është ura më e madhe prej guri mbi lumin Shkumbin dhe një nga urat më të bukura në Shqipëri (fig 4). Kurse urat e tjera, si ura e me harqe e Qukësit, e pikturuar nga Eduart Lir, sot nuk egziston. As ura prej guri, e rindërtuar po në atë vënd, nuk ekziston. Ato ruhen vetëm në pikturën e Lirit dhe në një fotografi e bërë nga ushtria austriake. As ura e famshme me harqe, e quajtur Ura e Haxhi Beqarit në Mirakë, sot nuk ekziston (fig. 3). Disa foto të Luftës së Dytë Botërore dëshmojnë se në këtë periudhë ajo ka qenë e shkatërruar pjesërisht. Fati i kësaj ure u vendos gjatë Luftës së Dytë Botërrore, gjatë dimrit të vitit 1943-1944, e cila u bombarduar nga avionët luftaranë të ushtrisë aleate (britanike), të cilët sulmonin ushtrinë gjermane.

Por fati i keq po i ndjek urat prej guri deri në ditët tona. Ura më fundit e shkatërruar është ura me një hark mbi lumin Gostimë, e cila kishte një pamje të mrekullueshme dhe shumë të bukur. Për fat të keq, ura u shkatërrua plotësisht në vitin e afërt 2024 nga vërshimet e lumit Gostimë (fig. 5). I bëj thirrje organeve shtetërore përgjegjëse, pushtetit lokal, si dhe të gjithë komunitetit dhe banorëve të fshatrave të Polisit, që ta ringrejnë përsëri urën ashtu siç ka qenë, pasi ajo është një vepër e mrekullueshme monumentale e trashëgimisë sonë kulturore dhe historike. Të gjitha mundësitë janë, pasi gurët dhe një pjesë e urës janë ende aty (sa pa i rrëmbyer lumi edhe ato). Të njëjtin fat i keq mund ta ndjekë edhe urën e Prenit mbi kanionin e mrekullueshëm të lumit të Bushtricës, i cili, jo vetëm duhet të shpallet menjëherë Munument Kulture i mbrojtur nga Shtetit Shqiptar, por duhet urgjentisht t’i bashkohet në administrim Parkut Kombëtar të Maleve të Kuqe (Shebenikut).

Filed Under: Kulture

Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta

January 21, 2026 by s p

Aleksandër Çipa/

Arti popullor, sidomos dhe ai qytetar, në kohën e kësaj shoqërie, të krijon atë lehtësim ajerngopes që të shkaktojnë lartësitë në malet e natyrës.

Asosacionin dhe perceptimin e mishërimit të identitetit tënd kombëtar, si asgjë tjetër ta dhuron dhe të ben rob jo pengmbajtës por bukurisht pushtues, pikërisht ky art.

Nata premierë e Asamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore “Ku ka si Tirona” shumëkujt që pati rastin ta përcjellë, sidomos të huajve apo turistëve të rastësishëm, u ploteson dicka qe nuk gjendet guide me e mire per tua rrefyer. Kenget dhe vallet e Tiranes te bindin per nje metropol qe ekziston ne kete forme, por nuk ekziston si deshmi urbane apo arkitekturale sikunder jane kryeqytetet e rajonit e me gjetke….

Urime kesaj trupe qe fatmiresisht ka mbetur, pamvaresisht se ndjell frike cilesimi “ shteteror”!…. Kjo eshte trupe e thesareve dhe visareve te etnokultures dhe sidomos etnofolklorit, te cilat i sjell cilesisht dhe me elegancen e profesionisteve te adhurueshem.

Urime drejtuesit te kesaj trupe qe eshte institucion gjallues! Urime kompozitorit dhe drejtuesit artistik, Mjeshter Sokol Marsi!!

Kostumografia, atmosfera melodite dhe eleganca me gjithe artin e selektuar koreografik nga mjeshtri Genci Kastrati, jane shumeçka e kristalte qe kemi ne institucionin aq te dashur popullor. Ky institucion qe na ka mbetur dhe (lusim Zotin te mbetet), si karakoll i fundit i artit dhe muzikes kombetare ne kete Shqiperi qe mpaket e mpaket nga shpirti dhe shtohet nder shume te keqia…!

Filed Under: Kulture

Lekë Matrënga, jo vetëm poeti, por dhe mësuesi i parë i shqipes

January 19, 2026 by s p

Arben Iliazi/

Mё 18 janar 1569 në Horën e Arbëreshëve, Palermo, Sicili, lindi poeti Lekё Matrënga. Pasi përfundon studimet filozofike e teologjike në kolegjin e Shën Atanasit në Romë në vitin 1582, ku i ishte dhënë edhe titulli “ Mësues”, kthehet në Horën Arbëreshe, më 1587, dhe emërohet prift në Piana degli albanesi. Shpejt vë re se lutjet fetare në latinisht nuk kuptoheshin mirë nga popullsia homogjene arbëreshe, dhe nis e përkthen në gjuhën shqipe “Doktrina e Krishterë”, vepёr e teologut jezuit At Ledesma, (teoria e të cilit u përhap në shumë shkolla dhe u përgatitën jezuitë nëpër Europë). Vepra e Matrëngës, e quajtur “Embsuame e krishtertë”, e njohur dhe si Dottrina Christiana, përmban një leksik të përgjithshëm prej 450 fjalësh, kështu që ai rriti numrin e leksikut tek nxënësit. Matrënga sjell me këtë vepër, poezinë e parë në gjuhën shqipe. Ajo përbën dokumentin e parë filologjik të toskërishtes së shkruar dhe të dytin të shqipes, fill pas “Mesharit” të Gjon Buzukut. Kjo vepër, në 28 faqet që ka, me përmbajtje shpirtërore e katekistike, tejet e rëndësishme për kishën arbëreshe, përfshin edhe një vjershë me tetë vargje, me titull ” Këngë e përshpirtshme”, që përbën vargëzimin e parë të shkruar shqip. Vepra “Embsuame e krishtertë” është një doracak fetar për doktrinën e krishterë në formë pyetje-përgjigje. Ideja e Matrëngës ishte gjeniale, sepse ai jo vetëm e përktheu dhe iua shpjegoi shqip përmbajtjen e doktrinës, por edhe iua mësoi këtë gjuhë (shqipen) si ta shkruajnë.

Arbëreshët nuk arrinin të kuptonin manualët e katekizmit në italisht, për këtë motiv Matrënga më 1592 shkruan: “Desha të bija një version të Doktrinës kristjane, sepse manualët e katekizmit në italisht që qarkullonin nuk ishin të kuptueshme për besimtarët e popullsisë shqiptare”. Përkthimi i doktrinës në shqip do t’iu shërbente arbëreshëve jo vetëm si ushqim shpirtëror për vazhdimësinë e besimit të tyre në ritin lindor, por do t’i bënte ata të dalloheshin nga ajo latine. (Jemi në periudhën shekuj larg krijimit të Eparkive të tyre.) Në këtë formë ata ruanin identitetin shqiptar dhe i shpëtonin asimilimit.

Teksti i autorit arbëresh Lekë Matrënga, në tiparet konstuitive i përngjan, në të shumtën e tij, çamërishtes dhe arvanitikishtes, nëndialektet shumë të ngjashme dhe gati të njëjta të shqipes, që ruhen ende sot.

Shumë historianë janë të mendimit se arbëreshët e Italisë kryesisht kanë emigruar nga zonat shqipfolëse të Moresë në Peleponez dhe viset e tjera shqiptare të Epirit e Çamërisë.

Në hyrjen e veprës studimore “Arvanitika : die albanischen Sprachreste in Griechenland, Wiesbaden, O. Harrassoëitz, 1991, v.1”, Hans-Jürgen Sasse vëren se “Luca Matranga, autori i veprës së parë të letërsisë arbëreshe, Dottrina Cristiana, të shtypur në 1592, i përkiste një familjeje siciliane që ish shpërngulur në Itali nga Peloponezi, në mes të shekullit XVI, dhe se vepra vetë “është shkruar në një gjuhë ende shumë të afërt me arvanitikishten”.

Prejardhjen e arbëreshëve të Italisë e ka trajtuar, nga shumë anë, Prof. Arshi Pipa në monografinë “Ethosi dhe ethnosi në traditën letrare arbëreshe”. Prof. Pipa vëren se “shqiptaro-sicilianët janë në shumicë të origjinës Epiro-moreote (shqiptarë nga Moreja). Prof. Pipa, duke iu referuar përfundimeve të studiuesit K. Sathas, thotë: “Një pjesë bukur e madhe e elementit shqiptar që u shkul për Itali e ka vatrën e vendburimin e saj në trevën e përcaktuar të Shqipërisë Jugore. Shumica e emrave familjare të arbëreshëvet t’Italisë (Bala, Basta, Borsci, Borscia, Carnesi, Dara, Dorsa, Lala, Licursi, Loes, Manes, Nasaracchia, Matranga, Petta, Schiada, Sciales, Scura, Suli, Variboba, etj.)… na shfaqen edhe nëpër krahina të ndryshme të Moresë, si emra vendesh që kanë qenë shqiptare dikur ose që janë edhe sot e kësaj dite; emra qytetesh e katundesh të Moresë, si Nauplia, Koron, Mothon, Misistrá, na dalin edhe nëpër këngët popullore të arbëreshëvet t’Italisë…

Ndërsa Prof. Eqrem Çabej, në kumtesën “Çështja e prejardhjes së ngulimevet arbëreshe të Italisë në dritën kryesisht të gjuhës e të emrave vetiake”, mbajtur në Kongresin VIII Ndërkombëtar të Studimeve Onomastike në Amsterdam, më 28 gusht 1963, shkruan: “Ka indicie, historike, gjuhësore e të tjera, të cilat dëshmojnë se elementit arbëresh të Italisë në prag të kohës së re erdhi e iu shtua edhe një komponente ardhësish të ikur prej Greqie, veçanërisht prej Moreje.”

Prof. Pëllumb Xhufit në studiimin Emigracioni shqiptar në Mesjetë – një vështrim tipologjik”, konfirmon, mes të tjerash, një lidhje mes migrimit shqiptar në Greqi dhe në Itali, në mesjetë, dhe institucionit të stratiotëve të Moresë. Ndërsa, sipas shkrimtarit dhe studiuesit të njohur Luan Rama, “Emri i stratiotëve vjen nga greqishtja “stratiotes” që do të thotë luftëtar, e përdorur nga shqiptarët e Moresë. Venecianët ata i quanin ata “stradioti”. Stratiotët u shfaqën në histori pas epokës së lavdishme të Skënderbeut. Ishte koha kur hordhitë osmane filluan të dyndeshin drejt Ballkanit perëndimor për të dalë në Adriatik dhe për të shkuar gjer ne brigjet veriore të Mesdheut”

Vjersha “Këngë e përshpirtshme”, në original:

Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë

Të mirë të krështē, bura e grā

Mbë fjalët të Tinëzot të shihi meshë,

Se s’ishtë njerī nesh çë mkatë s’kā

E lum kush e kujton se kā të vdesë

E mentë bashkë mbë tënëzonë i kā

Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë

E bën për bīr të tij e për vëllā

Vargjet përshtatur në gjuhën e sotme shqipe:

Të gjithëve ju thërres, kush do ndjesë,

Të krishterë të mirë, burra e gra,

me fjalë të Tënzot të shihni Meshë,

se s’është njeri prej nesh që mëkate s’ka.

E lum kush kujton se do të vdesë.

E mendtë bashkë në Tënzonë i ka,

se Krishti në parajsë atij i bën pjesë,

e bën për bir të tij e për vëlla”.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 552
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall
  • Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj
  • Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global
  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT