• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Karl Gurakuqi, mjeshtër i shqipes

August 31, 2026 by s p

QBD/

Profesori, leksikografi, historiani dhe gjuhëtari i madh, Karl Gurakuqi, lindi më 24 mars 1895, në Shkodër. Bashkëpunëtor i Koliqit në “Shejzat”, Karl Gurakuqi e kishte përftuar vokacionin e tij të gjuhëtarit dhe leksikografit si sekretar i të famshmes Komisis Letrare Shqipe, themeluar mbi 100 vjet më parë nga një plejadë intelektualësh, si: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Sotir Peçi, Mati Logoreci, Aleksandër Xhuvani, Hafiz Ali Korça, Vinçenc Prennushi etj., me mbështetjen e albanologëve austriakë Maksimilian Lamberc dhe Rajko Nahtingal.

Sa kohë ishte në Shqipëri, ai drejtoi të përkohshmet: “Agimi” (1920-1922), “Revista Pedagogjike” (1925-1927), “Mësuesi”, (1928), “Shkolla kombëtare” (1938) dhe redaktoi revistat“Atdheu”, e “Illyria” (në periudhën e dytë,1935-1936), ku botoi në 36 numra rresht një fjalorth fjalësh të rralla me shpjegimet përkatëse.

Më 1944 u zhvendos në Itali (Palermo) ku shërbeu si profesor në Universitetin e Palermos. Bashkë me R. Petrotten e G. Valentinin themeloi Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare, e cila, me konferencat e botimet e saj e bëri Palermon qendrën më të rëndësishme albanologjike të kohës. Gurakuqi ka qenë ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm dhe produktivë të revistës “Shejzat”, e përkohshme kulturore, shoqërore që qarkulloi jashtë atdheut, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e, që vazhdoi pa ndërprerje nga viti 1958 deri në vitin 1974. Gurakuqi botoi në këtë organ rreth 100 shkrime dhe drejtoi rubrikat “Hulumtime gjuhësore dhe botimet albanologjike”. Vdiq në mërgim, në Palermo të Italisë, më 6 dhjetor 1971.

Filed Under: Kulture

KUJTIM BUZA – NJERIU QË MA RRËFENTE SHKUPIN

August 31, 2026 by s p

Me ikjen e Kujtim Buzës, kultura shqiptare humbi një artist. Familja humbi njeriun e saj të dashur. Miqtë humbën mikun e tyre. Por Shkupi humbi një nga rojtarët e kujtesës së vet. Një njeri që e bartte këtë qytet në rrëfimet e familjes së tij, në kujtimet e trashëguara nga i ati dhe në pamjet e fëmijërisë së vet. Sa herë kthehej në Shkup, nuk dukej sikur vinte në një qytet të huaj; dukej sikur kthehej te një pjesë e vetvetes.

Nga Prof.dr. Skender ASANI

Ka njerëz që, kur largohen nga kjo botë, nuk marrin me vete vetëm jetën e tyre. Marrin një zë, një kujtim, një rrëfim, një copëz të një kohe që nuk kthehet më. I tillë ishte për mua Kujtim Buza. Me ikjen e tij, nuk po humbim vetëm një piktor të shquar dhe një personalitet të rëndësishëm të artit e të kulturës shqiptare; po humbim edhe një nga ata njerëz të rrallë që e bartnin Shkupin brenda vetes dhe dinin ta rrëfenin me dashuri e përkushtim. Njohja ime me Kujtim Buzën nisi përmes mikut tim Fatmir Toçi. Ende më tingëllojnë në kujtesë fjalët me të cilat ai ma prezantoi:

“Ja ku e ke një njeri që është vetë rrëfimi i gjallë për Shkupin.”

Në atë çast mund të më jetë dukur si një fjali e thënë natyrshëm mes miqsh. Por, me kalimin e viteve dhe me shtimin e bisedave të mia me Kujtimin, kuptova se Fatmiri e kishte përshkruar me pak fjalë dhe me një saktësi të jashtëzakonshme. Kujtim Buza ishte vërtet një rrëfim i gjallë për Shkupin. Sa herë takohesha me Kujtimin, herët a vonë biseda jonë kthehej te Shkupi. Ai ma rrëfente qytetin me një ngrohtësi që nuk vinte nga librat, por nga kujtesa. Më fliste për rrënjët familjare, për kujtimet që kishte trashëguar nga i ati, piktori i madh Abdurrahim Buza, dhe për një Shkup që sot gjithnjë e më shumë mbijeton në fotografi, në dokumente dhe në kujtesën e atyre që ende e bartin brenda vetes.

Ndër rrëfimet që ndante me mua, njëri më ka mbetur veçanërisht në kujtesë. Kujtimi më tregonte se si, kur ishte fëmijë, shkonte te magazat e Hasan Prishtinës në Shkup. Nuk e rrëfente këtë si një episod të largët historik, por përmes syve të fëmijës që kishte qenë dikur. Pikërisht në çaste të tilla e kuptoja vlerën e jashtëzakonshme të kujtesës së tij: nga një kujtim në dukje i thjeshtë i fëmijërisë, ai mund të hapte papritur një dritare drejt një bote të tërë që tashmë nuk ekziston.

Për mua, si historian, rrëfime të tilla kishin një vlerë të veçantë. Hasan Prishtina i përket historisë së madhe politike të kombit shqiptar, por në kujtimet e fëmijërisë së Kujtim Buzës emri i tij hynte edhe në gjeografinë intime të Shkupit në rrugët, ndërtesat, jetën e përditshme dhe kujtesën e familjeve të këtij qyteti. Në rrëfimin e Kujtimit, historia për një çast pushonte së qeni vetëm renditje datash dhe ngjarjesh. Ajo bëhej njerëzore. Merrte rrugë, hapa, fytyra dhe kureshtjen e një fëmije që ecte nëpër Shkupin e dikurshëm.

Ky ishte një nga dhuntitë e Kujtimit. Ai mund të të çonte nga ngjarjet e mëdha të historisë te një hollësi e vogël e jetës së përditshme dhe, pikërisht nga ajo hollësi, të të kthente sërish te historia.

Bit-Pazari, Çarshia e Vjetër, Ura e Gurit, Sahat-Kulla, Gazibaba, rrugët e vjetra dhe njerëzit që dikur u jepnin jetë atyre nuk ishin për të thjesht emra vendesh. Ishin copëza të një bote familjare, fragmente kujtese të bartura nga një brez në tjetrin. Teksa e dëgjoja, shpesh kisha ndjesinë se nuk po bisedoja vetëm me një piktor, por me një njeri që po më dorëzonte një pjesë të kujtesës së qytetit tim. Dhe sa më shumë e dëgjoja, aq më shpesh më riktheheshin fjalët e Fatmir Toçit:

“Ja ku e ke një njeri që është vetë rrëfimi i gjallë për Shkupin.”

Pikërisht për këtë arsye, në një nga bisedat tona e pata nxitur Kujtim Buzën që një pjesë të atyre kujtimeve, njohurive dhe reflektimeve të tij ta kthente në një dëshmi të shkruar me karakter shkencor. E ftova të përgatiste një punim për revistën shkencore “Studime Albanologjike”, revistë e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Për mua ishte e rëndësishme që ajo që Kujtimi e bartte në kujtesë dhe e rrëfente me aq pasion të mos mbetej vetëm brenda bisedave tona, por të hynte edhe në fondin e shkruar të dijes dhe të kujtesës sonë kulturore.

Kujtimi iu përgjigj kësaj nxitjeje. Shkrimi i tij u bë pjesë e “Studimeve Albanologjike”, duke lënë kështu në Shkup edhe një gjurmë të shkruar që do të jetojë përtej bisedave dhe kujtimeve tona personale. Sot kjo më duket edhe më e çmuar. Fjala e thënë jeton në kujtesën e atyre që patën fatin ta dëgjonin; fjala e shkruar mbetet për brezat që vijnë. Ndoshta atëherë asnjëri prej nesh nuk e mendonte se një ditë ai shkrim do të merrte edhe peshën e një kujtimi. Sot, kur Kujtimi nuk është më mes nesh, ai tekst mbetet edhe si dëshmi se lidhja e tij me Shkupin nuk ishte vetëm emocionale. Ajo u bë pjesë e kujtesës sonë institucionale dhe shkencore.

Kjo është arsyeja pse ikja e tij më dhemb edhe si një humbje për Shkupin. Sepse qytetet nuk përbëhen vetëm nga ndërtesat, sheshet, urat dhe rrugët. Qytetet jetojnë përmes njerëzve që i kujtojnë. Jetojnë përmes atyre që dinë t’ua rrëfejnë historinë brezave që nuk patën mundësinë ta shihnin atë botë të zhdukur. Dhe sa herë largohet një njeri që di të rrëfejë, bashkë me të mbyllet edhe një dritare nga e cila mund ta shihnim të kaluarën.

Kujtim Buza ishte një nga ato dritare.

Sot, takimet tona në koloninë artistike “Shkupi në Telajo” më rikthehen me një domethënie krejt tjetër. Sa simbolike më duket tani: Shkupi në telajo dhe Kujtim Buza mes piktorëve që përpiqeshin ta kapnin qytetin me ngjyra. Sikur vetë jeta kishte bashkuar aty dy botë që ai i kishte aq pranë artin dhe kujtesën për Shkupin.

Por Kujtimi nuk e pikturonte Shkupin vetëm me penel.

Ai e pikturonte edhe me fjalë.

Në rrëfimet e tij kishte ngjyra. Kishte mall. Kishte emra njerëzish, vende, rrugica dhe histori familjare. Kishte edhe ato ecje të fëmijërisë drejt magazave të Hasan Prishtinës kujtime në dukje të vogla, por që sot marrin peshën e dëshmisë. Ishte aty Shkupi që brezat e rinj nuk patën mundësi ta njihnin, por që mund ta përfytyrojnë ende përmes kujtimeve të njerëzve si ai.

Sot më vjen keq për çdo pyetje që nuk ia bëra.

Për çdo rrëfim që mund ta kisha dëgjuar edhe një herë.

Për çdo hollësi të Shkupit që mund të kishte mbetur ende diku në kujtesën e tij.

Njeriu gjithmonë mendon se do të ketë një takim tjetër. Një kafe tjetër. Një bisedë tjetër. Se do të ketë kohë ta pyesë përsëri: Kujtim, si ishte atëherë Shkupi? Çfarë të tregonte babai? Çfarë kujtoje nga fëmijëria? Si ishin magazat e Hasan Prishtinës? Kush jetonte aty? Si dukej ajo rrugë? Por vjen një ditë kur pyetjet mbeten, ndërsa njeriu që mund t’u përgjigjej nuk është më.

Prandaj sot, përpara se ta kujtoj vetëm si piktor, dua ta kujtoj si njeriun që më rrëfente. Si mikun që, sa herë fliste për Shkupin, ma sillte më pranë një qytet që koha e kishte ndryshuar.

Me ikjen e Kujtim Buzës, kultura shqiptare humbi një artist. Familja humbi njeriun e saj të dashur. Miqtë humbën mikun e tyre. Por Shkupi humbi një nga rojtarët e kujtesës së vet. Një njeri që e bartte këtë qytet në rrëfimet e familjes së tij, në kujtimet e trashëguara nga i ati dhe në pamjet e fëmijërisë së vet. Sa herë kthehej në Shkup, nuk dukej sikur vinte në një qytet të huaj; dukej sikur kthehej te një pjesë e vetvetes.

Dhe ndoshta kjo është forma më e bukur e përkatësisë ndaj një qyteti: jo vetëm të kesh jetuar në të, por ta bartësh me vete. Ta ruash. Ta rrëfesh. Ta shkruash. T’ua lësh të tjerëve si kujtim. Kujtim Buza e bëri pikërisht këtë. Tani është përgjegjësia jonë t’i ruajmë rrëfimet dhe gjurmët që ai la pas. Sot, ndërsa shkruaj këto rreshta, më rikthehet edhe një herë çasti i njohjes sonë dhe fjalia e Fatmir Toçit. Atëherë ishte thjesht një prezantim. Sot tingëllon pothuajse si një porosi që na është lënë:

“Ja ku e ke një njeri që është vetë rrëfimi i gjallë për Shkupin.” Ai zë sot ka heshtur. Por kujtesa që na la nuk duhet të heshtë. Lamtumirë, Kujtim. Do të më mungojnë bisedat tona. Do të më mungojë mënyra se si ma rrëfeje Shkupin – Shkupin e kujtimeve të babait tënd, Shkupin e fëmijërisë sate, Shkupin e Çarshisë e të Urës së Gurit dhe Shkupin ku, si fëmijë, shkoje te magazat e Hasan Prishtinës. Por më ngushëllon mendimi se një pjesë e zërit tënd mbeti e shkruar këtu, në Shkup, në faqet e “Studimeve Albanologjike”. Dhe sa herë të kërkoj gjurmët e këtij qyteti, do të kujtoj se ishte një piktor që Shkupin nuk e mbante vetëm në telajo e mbante në zemër, në kujtesë dhe në fjalën e shkruar.

Filed Under: Kulture

“Historia e operas Rozafa”

August 30, 2026 by s p

Andis Gjoni/

Ndoc Pistulli – Gjenialiteti i një muzikanti në ekstazën e një krijimi gjëmimtar, me tinguj që burojnë mbi tastierën që nuk ekziston, ajo është prej letre pasi pianon ja kanë marrë, por gishtat e tij lëvizin papushim, lëvizin mbi tastet e zeza dhe të bardha të vizatuara mbi letër dhe aty mollëzat shtypin pa nxjerrë asnjë tingull. Fluturojnë në imagjnatën e tij dhe bëzajnë vetëm në mendjen e tij në një pështjellje melodie hyjnore që formësohet në kudhrën e një fantazie të jashtëzakonshme. Notat e hedhura në pentagram vallëzojnë në ritmin e lashtë të një muzike plot ndjenjë, nga çdo fjalë ai frymëzohet për një kombinim të ri melodioz duke farkëtuar emocionin. Me shpresë ai imagjinon efektin që do kenë tek publiku, por ndoshta për një çast ka ndaluar. Po sikur vepra mos të arrijë kurrë tek publiku?

Çfarë force e ka bërë të vazhdojë në aventurën e tij të çmendur pa asnjë pishtar në dorë, në terrin që e rrethon ai vetëm ka parë dritën e një muzike të cilën asnjë nuk e shikonte e as e dëgjonte, dhe në shurdhërinë e mureve ai vazhdon të qendisë thurrnajën e një pëlhure që do zbukurojë ballin e Rozafës së tij. Kompozitori largpamës është në një gjendje transi, tingujt i burojnë dhe përzihen në akorde të pikturuara me ngjyrat e një larushie të çuditshme si motive të një qilimi të mbrujtur me traditën dhe ujin a pastër të gurrës shumë shekullore prej të cilës rrjedh nektari i jetës së vendit të tij. Emocioni të mbërthen dhe nuk të lëshon deri në fund. E përsëri mendja nuk ta rrok dot se ku e ka gjetur energjinë të shkruajë pa asnjë shpresë se vepra e tij do shihte dritën e skenës.

Ai kishte një mision, ndoshta e ndjente se nuk kishte shumë kohë, diçka donte të linte, të hidhte diçka në atë pentagram që përpëlitej si zemra e tij. Në fund e ka shikuar partiturën me sytë e tij të ndritshëm dhe e ka mbyllur, ndoshta ka menduar se është shumë moderne, ndoshta do i vijë koha, prandaj amanetin e tij ja le brezave. Por do kalonte mbi gjysëm shekulli që tingujt të ringjalleshin përsëri, të heshtur aty mes fletëve, me durim dhe besim se një ditë do ktheheshin më me forcë se kurrë në një orkestrim po aq madhështor të një mjeshtri tjetër që i dha jetë e frymë. Muzika madhështore e Ndoc Pistullit do shpërfaqej me forcën e një uragani të papërmbajtshëm artistik që mrekulloi ata që patën fatin të asistonin në rilindjen e Rozafës së tij.

(Pjesë nga libri “Historia e operas Rozafa”)

Filed Under: Kulture

“SOUNDS OF ALBANIA”, NGA PREZANTIMI DINJITOZ I KULTURËS SHQIPTARE TE NDËRTIMI I URAVE ME PUBLIKUN AMERIKAN

August 29, 2026 by s p

Ilir Rizaj, ideatori dhe producenti i “Sounds of Albania”: “Muzika shqiptare meriton të prezantohet me seriozitet, elegancë dhe në nivelin më të lartë artistik, në skenat e New York-ut”

Intervistoi: Sokol Paja

1. I nderuar Ilir, si lindi ideja për koncertin “Sounds of Albania” në New York dhe çfarë pritshmërie keni këtë vit?

Ideja për “Sounds of Albania” lindi para së gjithash nga dashuria ime për muzikën dhe nga dëshira për ta prezantuar pasurinë e jashtëzakonshme të muzikës shqiptare para publikut amerikan. Vitin e kaluar isha në një koncert ku kompozimet e Ennio Morricone-s interpretoheshin nga një kuartet harqesh. Teksa i dëgjoja, më lindi pyetja: Pse të mos bëjmë edhe ne diçka të tillë me muzikën tonë tradicionale? Angazhova Edmond Xhanin për të bërë aranzhimet dhe, përmes lidhjeve të mia në botën e muzikës, arrita të gjej dhe të bashkoj muzikantët që do t’i jepnin jetë këtij projekti.

Një frymëzim i rëndësishëm për mua ka qenë edhe veprimtaria e Shqipe Malushit, e cila, në atë kohë kryetare e “Motrat Qiriazi”, organizoi në New York, në vitin 1998, një koncert të një niveli të lartë artistik — nga çiftelia deri te Mozart-i — me artistë shqiptarë nga diaspora këtu në Amerikë, nga atdheu dhe nga Evropa, përfshirë edhe kitaristin Ehat Musa, i cili erdhi nga Parisi posaçërisht për koncertin.

Fadil Berisha, ky kolos i kulturës sonë në diasporë, është gjithashtu një frymëzim i përhershëm për mua. Që në vitin 2007, Fadili organizoi një koncert të veçantë bamirës me Aurela Gaçen dhe Edmond Xhanin, ku të gjitha të ardhurat iu dhuruan dy prej ikonave më të mëdha të muzikës shqiptare, Vaçe Zelës dhe Nexhmije Pagarushës.
Kur e konceptova Sounds of Albania, nuk doja thjesht të organizoja një koncert me muzikë shqiptare. Ideja ishte të sillnim së bashku muzikantë të jashtëzakonshëm shqiptarë dhe amerikanë dhe ta paraqisnim këtë muzikë në një formë të re kamertale, duke ruajtur shpirtin dhe autenticitetin e saj.

Pas debutimit tonë të suksesshëm vitin e kaluar në Kaufman Music Center, këtë vit vijmë në Tribeca Performing Arts Center me një program më të përmbledhur dhe më dinamik, me aranzhime edhe më të rafinuara dhe me një identitet artistik gjithnjë e më të konsoliduar. Shpresa ime është që Sounds of Albania të vazhdojë të rritet dhe, mbi të gjitha, që këtë muzikë ta dëgjojnë gjithnjë e më shumë njerëz që ndoshta nuk kanë pasur kurrë më parë mundësi të njihen me kulturën tonë.

2. Çfarë e bën të veçantë koncertin e sivjetshëm dhe çfarë dëshironi t’i përcillni publikut shqiptar dhe amerikan?

Koncerti i këtij viti është në shumë mënyra një vazhdim dhe një evoluim i programit që në bashkpunim me Petrit Pulën, e prezantuam në Kaufman Music Center vjet në Dhjetor. Kemi dashur ta bëjmë më të përmbledhur, më dinamik dhe artistikisht edhe më të rafinuar. Edmond Xhani ka punuar përsëri mbi të gjitha aranzhimet, duke i pasuruar dhe përsosur më tej, por gjithmonë duke ruajtur karakterin dhe shpirtin e muzikës origjinale.
Programit i kemi shtuar Valsin e Lumturisë të Avni Mulës, ndërsa Kaçurrelat e Tua këtë herë merr një dimension të ri: violinistja jonë e parë, Margret Radovani, përveçse luan në kuartet, do t’i japë edhe zërin e saj kësaj kënge kaq të bukur. Ne klarinet e kemi tani virtuozin Ismail Lumanovskin, qe ka master nga Juilliard School. Por për mua ndryshimi më i rëndësishëm nuk është domosdoshmërisht te repertoari. Është fakti se ky projekt po piqet. Pas koncertit të parë, kemi pasur mundësinë ta dëgjojmë muzikën, ta analizojmë dhe të kuptojmë se ku mund ta çojmë edhe më tej. Koncerti në Tribeca është, në njëfarë mënyre, versioni më i rafinuar i asaj që nisëm në Kaufman.

Publikut shqiptar dhe shqiptaro-amerikan dëshiroj t’i përcjell para së gjithash një ndjenjë krenarie — jo thjesht sepse kjo është muzika jonë, por sepse kjo muzikë meriton të prezantohet me seriozitet, elegancë dhe në nivelin më të lartë artistik, në skenat e New York-ut.

3. Sounds of Albania sjell në skenë nga serenatat e Korçës, meloditë nga veriu, këngët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Sa e rëndësishme është për ju që kjo mbrëmje të paraqesë larminë dhe pasurinë e të gjithë hapësirës shqiptare?

Për mua kjo është thelbësore. Një nga mrekullitë e kulturës sonë muzikore është pikërisht larmia e saj. Brenda një hapësire relativisht të vogël gjeografike kemi tradita, ritme, mënyra këndimi dhe ngjyra muzikore jashtëzakonisht të ndryshme.
Programi udhëton nga serenatat e Korçës te muzika e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, nga Kosova te tradita e Arbëreshëve të Italisë, të cilët e kanë ruajtur gjuhën, zakonet dhe muzikën shqiptare për më shumë se pesë shekuj. Për këtë arsye, për mua “Sounds of Albania” nuk duhet të përfaqësojë vetëm një krahinë apo një traditë. Dua që publiku të ndiejë se po bën një udhëtim nëpër hapësirën tonë kulturore dhe të kuptojë se sa e pasur dhe shumëdimensionale është ajo.

4. Queen Teuta Quartet – çfarë përfaqëson për ju figura e Mbretëreshës Teuta dhe si lidhet simbolika e saj me identitetin, qëndresën dhe kulturën shqiptare?

Kur kërkoja një emër për kuartetin, dëshiroja diçka që të mos ishte thjesht një emër, por një simbol. Figura e Mbretëreshës Teuta më tërhoqi pikërisht për këtë arsye. Ajo përfaqëson forcë, qëndresë, dinjitet dhe një lidhje me një histori shumë të lashtë të këtyre trojeve. Emri Queen Teuta Quartet krijon gjithashtu një urë mes së kaluarës dhe asaj që po përpiqemi të bëjmë sot: të marrim një trashëgimi të vjetër dhe ta sjellim atë në një kontekst bashkëkohor, pa humbur identitetin e saj. Dhe më pëlqen shumë fakti që një ansambël ku gratë kanë një prani kaq të rëndësishme artistike mban emrin e një figure historike femërore kaq të fuqishme.

5. Çfarë roli mund të ketë muzika për ta mbajtur rininë shqiptare në mërgim të lidhur me gjuhën, historinë dhe identitetin kombëtar?

Mendoj se muzika mund të arrijë aty ku ndonjëherë fjala nuk arrin. Brezi i dytë apo i tretë në diasporë mund të mos e flasë shqipen në mënyrë perfekte, mund të mos njohë çdo episodë të historisë sonë, por një melodi mund të krijojë menjëherë një lidhje emocionale. Mund të zgjojë kureshtjen: “Çfarë është kjo këngë? Nga vjen? Çfarë historie ka pas saj?” Pikërisht aty mund të filloj lidhja. Por mendoj gjithashtu se, nëse duam që të rinjtë të interesohën për trashëgiminë tonë, nuk mjafton t’u themi se duhet ta duan sepse është shqiptare. Duhet t’ua prezantojmë me cilësi, me kreativitet dhe në një gjuhë artistike që komunikon edhe me botën në të cilën ata janë rritur.

6. A është projekti Sounds of Albania një formë e diplomacisë kulturore shqiptare?

Po, unë e shoh edhe në këtë mënyrë, megjithëse projekti nuk lindi si një iniciativë institucionale apo politike. Diplomacia kulturore, në kuptimin më të bukur të fjalës, ndodh kur njerëzit njihen me njëri-tjetrin përmes kulturës. Një person që ndoshta di shumë pak për Shqipërinë, Kosovën apo historinë tonë, mund të vijë në një koncert, të dëgjojë një serenatë korçare, një melodi nga Kosova apo një këngë arbëreshe dhe të largohet me një perceptim krejt tjetër për kulturën shqiptare. Për mua, kjo është diplomaci kulturore. Dhe fakti që këtë muzikë e interpretojnë së bashku artistë shqiptarë dhe amerikanë e bën mesazhin edhe më të fuqishëm. Nuk po ndërtojmë një mur rreth kulturës sonë për ta ruajtur atë. Po ndërtojmë një urë që të tjerët të mund ta njohin dhe ta përjetojnë atë.

7. Të ardhurat e koncertit do t’i dhurohen organizatës “Motrat Qiriazi” dhe organizatave të tjera bamirëse. Sa domethënëse është për ju që një aktivitet artistik që promovon kulturën shqiptare të shërbejë njëkohësisht edhe për fuqizimin e grave shqiptaro-amerikane dhe komunitetit shqiptar në SHBA?

Kjo ka një domethënie të veçantë për mua, sepse besoj se kultura dhe komuniteti nuk duhet të ekzistojnë të ndara nga njëra-tjetra. “Motrat Qiriazi” kanë bërë një punë të çmuar në komunitetin shqiptaro-amerikan, veçanërisht në mbështetjen dhe fuqizimin e grave, në edukim dhe në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. Në rastin e Sounds of Albania, ato na kanë dhënë një përkrahje të jashtëzakonshme. Prandaj më duket shumë e natyrshme që një projekt që feston kulturën shqiptare të kontribuojë konkretisht edhe në komunitetin që e mban gjallë këtë kulturë. Për mua, suksesi i “Sounds of Albania” nuk matet vetëm me numrin e biletave të shitura apo me duartrokitjet në fund të koncertit. Nëse përmes muzikës mund të krijojmë diçka artistikisht të bukur, ta prezantojmë kulturën tonë me dinjitet, të ndërtojmë ura me publikun amerikan dhe, njëkohësisht, të ndihmojmë komunitetin tonë, atëherë projekti ka arritur diçka shumë më të madhe se një koncert.
@followers @top fans

Filed Under: Kulture Tagged With: Ilir Rizaj, Sokol Paja

Skënderbeu midis humanizmit barletian dhe iluminizmit evropian: analiza intertekstuale e veprës së Stefan Zanoviq

August 27, 2026 by s p

Prof. Dr. Begzad Baliu/

Çdo lexim i veprës Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia duhet të nisë nga një premisë metodologjike themelore: ky tekst nuk përfaqëson një burim historik autonom, por një konstrukt sekondar të ndërtuar mbi matricën historiografike të Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis të Marin Barleti. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një proces tipik intertekstual, i cili realizohet përmes tri mekanizmave themelorë: transmetimit të bërthamës narrative, transformimit stilistik dhe ideologjik të materialit të trashëguar, si dhe ri-semantizimit të figurës së Skënderbeut në një horizont të ri kulturor. Figura e heroit, për rrjedhojë, nuk riprodhohet thjesht si një kopje e modelit barletian, por rikodohet dhe riartikulohet në funksion të kërkesave të diskursit evropian të shekullit XVIII, ku historia fillon të shërbejë si mjet për artikulimin e ideve dhe vlerave universale.

Në nivelin e parë të analizës, Zanoviq ruan pothuajse të pandryshuar arkitekturën kronikale të modelit barletian, duke riprodhuar skeletin themelor të rrëfimit historik: origjinën fisnike të Kastriotëve, marrjen peng të Skënderbeut në oborrin osman, procesin e edukimit dhe formimit të tij, rikthimin në atdhe dhe marrjen e Krujës, si dhe ciklin e vazhdueshëm të luftërave kundër osmanëve. Një ilustrim i qartë i kësaj vazhdimësie strukturore gjendet në formulime të tilla si: “Gjergj Kastrioti ishte djali i Gjon Kastriotit dhe i Vojsavës… Gjergji nuk ishte më shumë se gjashtë vjeç… u bë synet… Murati… i kishte dhënë një edukim mjaft të mirë…” . Ky fragment riprodhon një nga skemat themelore të Barletit, sipas së cilës heroi formohet në mjedisin e armikut për ta mposhtur atë më pas. Megjithatë, nëse te Barleti kjo paraqitet si një paradoks providencial, i lidhur me një logjikë teologjike të historisë, te Zanoviq ajo interpretohet si një fazë e domosdoshme e formimit të karakterit heroik, duke i dhënë procesit një dimension më të racionalizuar dhe pedagogjik.

Një nga devijimet më të dukshme nga modeli barletian shfaqet në transformimin e hyrjes së veprës, ku prologu historik dhe retorik i traditës humaniste zëvendësohet me një prolog alegorik dhe filozofik. Episodi i Menandrit dhe CLEARC-ut – “Menander… bëri flijime… orakulli tha: CLEARC… më i dashuri për Perënditë… ai dorëzonte vetëm fruta… jetonte sipas ligjeve të natyrës…” – nuk ka analogji në strukturën e Barletit dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me historinë e Skënderbeut. Funksioni i tij është të vendosë një horizont etik, duke artikuluar një model të virtytit natyror, i cili do të mishërohet më pas në figurën e heroit. Në këtë mënyrë, Zanoviq realizon një zhvendosje të qartë nga historiografia humaniste drejt një filozofie morale të tipit iluminist, ku rrëfimi historik bëhet mjet për artikulimin e parimeve të përgjithshme etike.

Në karakterin e tij, transformimi bëhet edhe më i theksuar përmes rikonfigurimit të figurës së Skënderbeut, e cila kalon nga një hero historik në një model etik dhe antropologjik. Përshkrime të tilla si: “Ai ishte i kujdesshëm, fisnik, i sjellshëm… zotëronte dhunti shoqërore dhe njerëzore…” e zhvendosin fokusin nga aktet ushtarake drejt cilësive morale dhe shoqërore. Nëse te Barleti Skënderbeu paraqitet kryesisht si strateg dhe mbrojtës i fesë, te Zanoviq ai shndërrohet në një figurë që mishëron një sistem të tërë virtytesh: etikë personale, moral publik dhe virtyt politik. Ky zgjerim i dimensioneve karakterologjike prodhon një zhvendosje thelbësore nga heroi i historisë drejt një figure normative, e cila funksionon si model për shoqërinë dhe për individin.

Në të njëjtën kohë, transformimi i narrativës së luftës përbën një element kyç të rikonfigurimit estetik të tekstit. Ndryshe nga struktura relativisht e balancuar historiko-retorike e Barletit, Zanoviq e amplifikon përshkrimin e betejave përmes hiperbolizimit dhe dramatizimit, siç dëshmohet në formulime të tilla: “Ata lanë 20 000 ushtarë… Kastrioti humbi jo më shumë se 26 burra…” . Ky disproporcion ekstrem prodhon një efekt të fortë estetik dhe mitizues, duke e shndërruar luftën në një spektakël narrativ të madhështisë heroike. Më e rëndësishmja, vetë autori reflekton mbi këtë proces, duke pranuar se “kronikanët janë si poetë… zbukurojnë tiparet e heronjve…” . Kjo vetëdije për natyrën e mitizimit e dallon qartë Zanoviq-in nga Barleti, i cili, ndonëse përdor mjete retorike dhe hiperbolike, nuk e problematizon në mënyrë eksplicite raportin midis historisë dhe fabulës. Në këtë mënyrë, lufta nuk mbetet më thjesht një fakt historik, por bëhet një hapësirë ku ndërtohet dhe artikulohet miti i heroit në mënyrë të vetëdijshme dhe estetike.

Në vijim të rikonfigurimit të figurës së Skënderbeut, një nga shtesat më të rëndësishme që realizon Stefan Zanoviq është universalizimi i saj në hapësirën evropiane, përmes të cilit ajo shkëputet nga kufijtë e ngushtë etno-historikë dhe integrohet në një sistem më të gjerë simbolik dhe kulturor. Kjo vihet re në formulime të tilla si: “Ai u urua si Aleksandri i Dytë… nga princër dhe mbretër të Evropës…” , ku figura e Skënderbeut vendoset në një marrëdhënie analogjike me figura universale të historisë botërore. Në këtë mënyrë, ai nuk përfaqëson më vetëm një hero shqiptar apo ballkanik, siç ndodh në thelb te Marin Barleti, por shndërrohet në një figurë paradigmatike të kujtesës evropiane, e cila përvetësohet dhe riartikulohet nga një horizont më i gjerë kulturor. Ky proces i universalizimit nuk është një zgjerim i thjeshtë gjeografik, por një transformim i funksionit të figurës, e cila kalon nga një identitet historik lokal në një ikonë transkulturore me vlefshmëri universale.

Njëkohësisht, teksti i Zanoviq-it artikulon një diskurs politik të tipit iluminist, në të cilin figura e Skënderbeut funksionon si model i sovranitetit dhe i refuzimit të nënshtrimit. Në fragmente të tilla si: “Ai nuk do t’i paguajë askujt taksa… shpata e tij nuk ka paguar tjetër…” , shprehet një konceptim i qartë i pushtetit të pavarur, i bazuar në autonomi dhe në legjitimitet moral. Këtu kemi të bëjmë me një zhvendosje të rëndësishme nga logjika e mbijetesës dhe e mbrojtjes së fesë, që karakterizon diskursin e Barletit, drejt një konceptimi të luftës si afirmim i një parimi politik universal: sovranitetit. Në këtë kontekst, figura e Skënderbeut nuk interpretohet më vetëm si luftëtar kundër një armiku të jashtëm, por si përfaqësues i një etike të pushtetit që refuzon çdo formë varësie dhe që afirmon autonominë si vlerë themelore.

Paralelisht me këto zhvillime ideologjike, Zanoviq realizon edhe një estetizim të theksuar të jetës dhe të rrëfimit, duke futur elemente që mungojnë ose janë shumë më pak të zhvilluara te Barleti. Përshkrimet e martesës me Donikën, festimet, ceremonitë dhe episodet e jetës shoqërore nuk shërbejnë vetëm si zbukurim narrativ, por si mjete për të humanizuar figurën e heroit dhe për ta afruar atë me ndjeshmëritë e lexuesit. Këto elemente shoqërohen me një ndjeshmëri të shtuar narrative dhe me një tendencë drejt dramatizimit emocional, që e afrojnë tekstin me format e romanit historik dhe me letërsinë e ndjeshmërisë (sensibility literature) të shekullit XVIII. Në këtë mënyrë, rrëfimi largohet nga një kronikë e thatë historike dhe shndërrohet në një tekst me dimension të theksuar estetik dhe emocional.

Në përfundim të këtij kapitulli, analiza krahasimtare dëshmon qartë se Zanoviq ndërton figurën e Skënderbeut përmes një procesi të trefishtë: ai merr strukturën dhe bërthamën historike nga modeli i Marin Barleti, transformon diskursin humanist në një narrativë morale dhe estetike, dhe shton një dimension të ri, të karakterizuar nga universalizimi evropian, artikulimi filozofik dhe konceptimi politik i figurës. Si rezultat i këtij procesi, Skënderbeu kalon nga statusi i një heroi të kronikës historike në atë të një simboli universal të virtytit, sovranitetit dhe rezistencës, duke u bërë një figurë që tejkalon kontekstin e saj origjinal dhe që funksionon si model interpretativ në horizontin kulturor të Evropës së shekullit XVIII.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 580
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • EDI RAMA, SHQIPËRIA NUK MUND TË MBAHET PENG PËR PUSHTETIN TËND!
  • “Ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues është absolut”
  • A PRIME MINISTER WHO IS BOTHERED BY THE VERY CONCEPT OF THE RULE OF LAW
  • Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë, nuk janë armiq të Shqipërisë
  • Shqipëria nuk do të jetë më e njëjtë!
  • KUSH PO E GJYKON SHKOLLËN, KUR SHOQËRIA KA HARRUAR TË DËGJOJË MËSUESIN?
  • TOM SHKRELI: FJALA E FUNDIT NË CILËSINË E KRYETARIT TË FONDACIONIT “DOM SIMON FILIPAJ”
  • Zgjidhja?
  • EDI RAMA, DIL PËRBALLË POPULLIT QË QEVERIS!
  • ALBANIAN CARDINAL ERNEST SIMONI-TROSHANI AT 98: A LIFE OF FAITH, RESISTANCE, AND HUMAN DIGNITY
  • Një shtet e një shoqëri pa rini është mallkim…
  • Grushti institucional
  • Dhuna ndaj studentëve, plagë mbi lirinë dhe dinjitetin e një kombi
  • KUR DURIMI I NJË POPULLI MBARON
  • Eminenca e Tij Ernest Simoni Troshani u nderua në New York në 98-vjetorin e lindjes dhe 10-vjetorin e emërimit si Kardinal

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT