• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IGOR  STRAVINSKI NË VEPRËN FOTOGRAFIKE TË GJON MILIT

August 14, 2026 by s p

Kristaq Balli/

“Kërko muzikën në çdo gjë dhe jeta do të jetë një simfoni gëzimi” –  Stravinsky.

Nuk ështe rastësi  që Gjon Mili ka përfshirë në aktivitetin e tij të gjatë e të suksesshëm shumë personalitete botërorë, në të gjitha fushat e jetës, sidomos në ato të arteve. Talenti artistik, përkushtimi dhe puna e tij këmbëngulëse, aftësitë e tij humane si modestia, guximi, afrimiteti dhe lehtësia  për të qenë miqësor, me humor, shpirthapur  e zemërbardhë,  por edhe duke zbatuar   në jetë  disa prej parimeve e traditave të familjes shqiptare dhe, sidomos, falë prestigjit të  tij  si artist i përmasave ndërkombëtare, e vendosën atë në qendër  miqësive   të ngushta profesionale e personale, si ato me Jean Paul Sartre, Pablo Picasso, Alfred Hitchcock, Sean O’Casey, Arthur Miller, Pablo Casals, Edward Weston, Salvador Dali, Eugene Ionesko, George Balanchine, etj.  Në këtë rrugëtim miqësor, ka edhe një gur tjetër kilometrik,  ai me Igor Stravinskin.

Igor Fyodorovich Stravinsky (1882-1971) ishte  një kompozitor, pianist dhe dirigjent rus, i lindur në Oranienbaum, Rusi – një qytet rreth 50 kilometra larg  Shën Petersburgut – më 17 qershor 1882 në një familje muzikantësh,  krijimtaria novatore e të cilit e bëri atë një nga figurat më të famshme në muzikën e shek. XX. Kariera kompozicionale e tij shquhet  nga diversiteti stilistk.  Duke u bërë fillimisht i njohur me baletet me tematikë ruse “Firebird” (Zogu i Zjarrtë) – 1910 “Petrushka”, – 1911 dhe “The Rite of Spring” (Rituali i Pranverës) -1913, ai krijoi i frymëzuar nga folku rus (1913-1919). Krijimtaria e kësaj kohe u quajt “Periudha Ruse”, më  tej ai iu përvesh  rrymës së   neoklasicizmit të moderuar (1920-1951)  dhe, më vonë,  serializmit (dodecaphony) (1954-1968), duke lënë një trashëgimi që riformësoi në disa dimensione muzikën klasike. Me fillimin e Luftës I Botërore, deri në vitin 1920, së bashku me familjen, qëndroi në Zvicër, ku ai shkroi “Rrëfenja e ushtarit” dhe dha koncerte të shumta. Rruga e jetës dhe artit do ta çonin më tej në Francë. Më 1934 u bë nënshtetas francez. Aty i ndodhën një sërë fatkeqësish në familje si vdekja e gruas, nënës e vajzës, sidoqoftë ai krijoi marrëdhënie, veç të tjerësh,  me personalitete të rëndësishëm amerikanë dhe u tregua i gatshëm për të shkuar e kontribuar aty. 

Kështu, kapitulli i fundit i jetës së Stravinskit i takon Amerikës, Universitetit Harward e më tej West Hollywood-it në Los Anxheles, ku dhe mori nënshtetësinë amerikane në vitin 1945. Jeta artisike aty ishte një aventurë komplekse, pasi shoqëria kozmopolitane e ShBA ishte injektuar nga shumë rryma e stile muzikore kontemporane e avanguarde. Ai ndërroi jetë në Nju Jork më 1971. Për kontributet e tij madhore ai është vlerësuar me Medaljen e Artë të Shoqërisë Filarmonike Mbretërore (1954), Çmimin Muzikor “Léone Sonning”, 1959, Çmimin “Sibelius”, 1963 si dhe me 3 Çmime “Grammy” (1962) dhe, pas vdekjes, me 1987 me Medaljen e Artë të Shoqërisë Filarmonike Mbretërore; ai ka një Yll në Shëtitoren e Famës në Hollivud dhe, po ashtu, më 2004 u vendos në Hollin e Famës të Muzeut Kombëtar të Vallëzimit. Në vitin 1998, revista Time e renditi Stravinskin si një nga 100 njerëzit më me ndikim të shekullit.1)

Stravinsky është konsideruar si “një nga novatorët epokalë të muzikës”.

Gjon Mili është njohur me Stravinskin  gjatë periudhës amerikane (pas vitit 1945) nëpërmjet  fotografimit të shfaqjeve të veprave të tij  muzikore në sallat kryesore amerikane operistike, e më pas në Los Angelos, Boston, New York, Washington. 

Gjon Mili ishte  22 vjet më i ri se Stravinski dhe njohja me të ka  kaluar nëpërmjet revistës LIFE, për të cilën Mili punonte.

Ata e kthyen njohjen në një miqësi të qëndrueshme e të gjatë  deri sa Stravinski ndërroi jetë, më 1971,  madje Mili ka fotografuar e shkruar për të edhe më pas. Sigurisht arsyeja kryesore ishte arti që krijonte valenca të forta shoqërore e profesionale. Mili e ka fotografuar me elementë tejet artisikë e kompozicionalë shumë herë jo vetëm figurën e Stravinskit, por edhe të familjes dhe të veprave të tij gjatë interpretimit, mbasi dihet tërheqja e veçantë artistike e fotografit për muzikën, baletin, operën, teatrin 

Gjatë  një udhëtimi për revistën “LIFE” në Itali, në vitin 1957, Gjon Mili ka takuar Stravinskin në Venecia. Takimi ka ndodhur në një sallë vallzimi (kabare)  të lënë pas dore, ku, çdo ditë që herët në mëngjes,  ai  punonte i vetmuar mbi piano. Duke e gjetur në një gjendje e pozicion mjaft të përshtatshëm, Mili e ka fotografuar Stravinskin disa herë, të harruar nga bota e jashtme.  I ka bërë një seri fotosh në një ambient të mugët, ku ka krijuar një sërë improvizimesh e detajesh skenografike, kryesisht me anë të ndriçimit,  që i përshtaten karakterit të Stravinskit, të përqëndruar mbi tastierë  dhe të shpërfillur nga mjedisi fotografik përreth.  Stravinski ka dhjetra e dhjetra portrete nga fotografë të tjerë të njohur.  Por, nga fotot e Gjon Milit, disa   prej tyre përbëjnë vepra të spikatura artistike, për të cilat do të shprehim disa mendime: 

Fotoja e parë (1),  me disa detaje e objekte shumë të thjeshta pune, si lapsi i vendosur horizontalisht  midis buzëve, syzet  e ngritura mbi ballë, (madje, dendur Stravinski mbante gjatë punës dy palë syze për të kompensuar dioptrinë), drita dhe siluetat e  abazhurit, partitura, por edhe profili   i veçantë  në formë elipsoidi i kokës së kompozitorit, gjendja emocionale krijuese që shpërfillte çdo lloj  manovrash nga jashtë, këndi i fotografimit dhe ndriçimi me  vurrata të çrregullta dritë-hijesh, si  dhe gjendja emocionale e kompozitorit në frymëzim e sipër, pa përdorur  blicin gjatë shkrepjes së diafragmës, krijojnë një kompozim  artistik  shumë  karakterial, individual e intim gjatë procesit të krijimit muzikor të kompozitorit. Mendoj se profili është  zgjedhje e qëllimshme. Në vend të një portreti frontal, Mili zgjedh siluetën, duke i dhënë më shumë rëndësi vijës së mendimit sesa shprehjes emocionale. Lapsi në buzë është ndoshta elementi më domethënës. Nuk është një gjest i rastësishëm. Ai shpreh ndërprerjen e mendimit, atë sekondë kur ideja muzikore ende nuk është shkruar. Është një “heshtje krijuese”. Duart e shtrira mbi piano krijojnë një urë midis mendimit dhe tingullit. Ato nuk po luajnë; po presin urdhrin e nënvetëdijës krijuese.

Në fotografinë e dytë (2), ai është kthyer në profil dhe silueta e tij dominon përpara projeksionit. Tani nuk kemi më një portret psikologjik, por pothuajse një kompozim grafik.

Figura e tij duket sikur del nga errësira, ndërsa ngjyrat e sfondit krijojnë një kontrast shumë të fuqishëm.

Llamba është një simbol shumë domethënës. Praktikisht është burimi i vetëm i dritës dhe ndriçon fytyrën e kompozitorit dhe partiturën. Më duket sikur Mili e përdor dritën si metaforë të frymëzimit. Nuk është rastësi që gjithçka tjetër mbetet në errësirë.

Ndërkaq, foton 2, të realizuar  në të njëjtën seancë në Venecia dhe të botuar në revistën LIFE  menjëherë pas vdekjes, më 19712),  mund ta  vlerësojmë në  një kontekst më  abstragues dhe  figurativ: Në të  nuk i jepet shumë vëmendje portretit (fytyrës në hije), por  mendimit muzikor. Personazhi kryesor “mund të mos jetë Stravinski”, por  muzika.

Ai përpiqet të fotografojë procesin krijues.

Stravinski nuk duket se po pozon. Në pamje të parë syri të shkon te trekëndëshi i madh i zi i kapakut të pianos. Vetëm pas pak çastesh zbulojmë Stravinskin në një cep të fotografisë. Kjo përmbys rregullin klasik të portretit. Mili duket sikur na thotë: “Mos shikoni njeriun; shikoni universin që ai ka krijuar”. Është një mënyrë jashtëzakonisht moderne të menduari. Kjo foto është një portret filozofik;

Një nga tiparet që e dallojnë Gjon Milin është përdorimi i asaj që në art quhet hapësira negative. Pjesa më e madhe e fotografisë është pothuajse bosh, e nderur. Por ajo, në nënvetëdijë, nuk është bosh. Kjo figurë abstrakte gjeometrike krijon ndjesinë e stabilitetit dhe monumentalitetit. Ndërsa Stravinski, i vendosur në cep, duket i vogël fizikisht, por gjigant shpirtërisht. Është një kondrapunkt shumë i qëlluar.  Mili e përkthen këtë në gjuhën e fotografisë. Ajo është heshtje muzikore. Në muzikën e Stravinskit, po aq të rëndësishme sa tingujt janë edhe pushimet, intervalet, tensioni dhe pritja. Shumë portrete të kompozitorëve na tregojnë fytyrën e tyre; Gjon Mili përpiqet të tregojë mendimin muzikor. Kjo është shumë më domethënëse. “Kërko muzikën në çdo gjë dhe jeta do të jetë një simfoni gëzimi” (Stravinski)

Nga një pikëpamje tjetër, Mili nuk përdor një ndriçim spektakolar. Drita është e përmbajtur. Ajo modelon fytyrën pa teatralitet. Është një dritë intelektuale.

Në shumë portrete fotografët  përpiqen të “kapin karakterin”. Këtu Mili shkon më tej. Ai përpiqet të fotografojë procesin krijues. Stravinsky nuk duket sikur po pozon. Ai duket sikur sapo ka ndërprerë mendimin për disa sekonda. Ky është një ndryshim shumë i madh. Është një portret filozofik. Pianoja bëhet arkitekturë muzikore. Ndërsa Mili ka ndërtuar një monument fotografik.

Këto foto, në botim, Gjon Mili i ka shoqëruar me një postulat të Stravinskit: “Arti është energji e rregulluar: kaligrafi e shpirtit. Arti mund të kontrollohet, kufizohet, përpunohet, akoma ai është i lirë. Arti në kuptimin e vërtetë është një mënyrë e modelimit të punëve (veprave) sipas metodave të caktuara, dikush me amatorizëm e dikush me zbulimi krijues” 3) 

Këto foto mbeten nga veprat më të bukura e  simbolike  fotografike të bëra ndonjëherë këtij artisti brilant.

Po ato ditë Mili realizon për Stravinskin një tjetër foto emblematike me ngjyra të arta, spirituale e inspiruese, ku muzikanti qëndron para një galerie të Shën Markut në Venecia, sipër  rreshtit të artë të apostujve; …Vepra e tij ”Canticum Sacrum” u këndua për herë të parë me rastin e 1.000 Vjetorit të katedrales, vitin e kaluar.4) Fotografia nuk është më thjesht një portret. Ajo është një “portret mjedisi”(environmental portrait), ku figura e Stravinskit është bërë pjesë e një hapësire me domethënie  kulturore dhe historike. Stravinsky është vendosur shumë larg objektivit, pothuajse i “humbur” në madhështinë e bazilikës. Ky është një vendim kompozicional i vetëdijshëm midis raportit të njeriut dhe madhështirë mistike.

Ai duket aq i vogël përballë hapësirës monumentale, sa në shikim të parë mezi dallohet. Megjithatë, sapo e gjen me sy, ai bëhet qendra e kompozimit. Ky është një paradoks vizual karakteristik i Gjon Milit: ai e përdorte shkallën jo për ta zvogëluar njeriun, por për ta bërë praninë e tij edhe më domethënëse. 

Kjo foto ka edhe një kontekst tjetër: Duke refuzuar vazhdimisht të shkruajë  vepra të reja të modeluara  sipas triumfeve të tij të  vjetra teatrale, Stravinski i jep muzikës së tij një tingull të hollë dhe të ashpër dhe kohët e fundit ka kompozuar shumicën e saj me nuanca hyjnore. Në zemër të kësaj është një devotshmëri shumë personale. Sipas tij ‘…idetë e para janë shumë të rëndësishme; ato vijnë nga Zoti,’, ka thënë  ai,  pastaj shpjegon   se si ai vetë e provoi frymëzimin hyjnor. ‘Nëse, pasi të kem punuar, të kem punuar, të kem punuar…, kthehem tek ato ide, atëhere e di që ato janë të mira”5) 

Të tjera foto të Gjon Milit për  bëra rreth këtij viti janë ato me bashkëshorten e tij, Vera Stravinsky, në shtëpinë e tyre në Hollywood. (foto), si edhe disa portrete duke dirigjuar, apo në punë krijuese mbi partiturë,  të panjohura deri sot. 

Në vitin 1971, me rastin e ndarjes nga jeta të Igor Stravinskit, revista LIFE boton një rubrikë të posaçme mbi jetën dhe veprën e tij të bujshme, të diskutuar, por edhe  shumë  të vlerësuar. Fotografitë e Gjon Milit që shoqërojnë shkrimin rrezatojnë personalitetin e virtuozitetin e muzikantit nën titullin “The Last Rite of Spring”, ku midis të tjerash thuhet: “…Ai la pas vetes një korpus prej më shumë se 100 veprash – partitura të shkëlqyera baleti, vepra vokale neoklasike, pjesë të rrepta  atonale, aranzhime xhazi…, të cilat  kanë ndikuar në trendet artistike të këtij shekulli po aq me siguri sa edhe veprat e Xheims Xhois-it, ose Pikassos..:Unë kam jetuar tashmë përmes disa prej pasardhësve të mi”.  Indiferenca e tij  nuk përfshinte kurrë modesti të rreme. Pasi u pyet se cilët nga kompozitorët e shekullit të 20-të mendonte se kishte më shumë gjasa të mbijetonin, Stravinski, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të arsyeshme, e vendosi veten në krye të listës.6) Fotografi surprizuese Gjon Mili u ka bërë edhe  disa veprave skenike muzikore, baleteve e koncerteve të tjera të Stravinskit me metoda, konceptime, teknika e teknologji novatore, të cilat ai i aplikoi  nga fundi i jetës së tij, Ato janë kryesisht foto me ngjyra dhe quhen “imazhe (ose foto) pa formë”, një lloj inversi i fotove të shumëfishta stroboskopike,  që kombinojnë përvojën stroboskopike me lëvizjen e kamerës në mënyrë të ngadalshme në drejtim të kundërt të lëvizjes dhe që rezultojnë në një realitet të transformuar nga imagjinata, kujtesa dhe asociacionet e lira,  imazhe të çuditshme, shpesh enigmatike, atmosferë misterioze, shkrirje e reales me fantastiken, nostalgjike ose metafizike, një mister i ngjashëm me atë të ëndrrave. Gjon Mili ka shfrytëzur në mënyrë të përkryer novatore përmbajtjen dhe stilin krijues të kompozitorit me  interpretimin e trupës së baletit (të inskenuar nga koreografi  i famshëm botëror George Ballanchine,  edhe ky mik i Gjon Milit)

Rreth këtyre fotove të Milit  në revistën “LIFE” na udhëheq artikulli “An Artistic Explosion” (Një Shpërthim  Artistik), në të vërtetë një festival botëror i 21 baleteve të  reja të bazuara në  muzikën e Igor Stravinskit  ku, midis të tjerash, thuhet me konsiderata të merituara: “…Ky homazh për Stravinskin, i cili  ndërroi jetë një vit më parë, ishte gjithashtu një triumf për Balanchine-n, mjshtëria e të cilit në vallëzim nuk rresht edhe në moshën 68 vjeç. ‘Gjëja e rëndësishme në balet, thotë Balanchine, “është vetë lëvizja”, një mendim që fotografi Gjon Mili e shpreh gjallërisht në fotografitë e tij tek “Simfonia në Tre lëvizje” dhe “Dumbarton Oaks”…” 7) 8)

Çdo urë që lidh brigjet  artistike dhe humane midis Igor Stravinskit dhe  Gjon Milit mbetet një dëshmi e personalitetit të tyre rrezatues, që ndriçon edhe më shumë kujtimin ndaj  veprës që ata i lanë njerëzimit.

Referenca:

________________________

  1. Wikipedia Encycopledia
  2. Last Rite of the Spring, LIFE April 15, 1971
  3.  Gjon Mili, Photographs & Recollections, Boston, 1980, p. 163
  4.  A Life Time in His Art: LIFE November 25, 1957, p. 102   
  5.  Po aty, p.101
  6.  The Last Rite of Spring, LIFE, April 16, 1971,  pp, 50-51 
  7.  An Artistic Explosion, LIFE, June 30, 1972, pp. 6-9 
  8. Qemal Agaj: Igor Stravinsky, Gjon Mili,-Photographs & Recollection,  koment, f. 169

Filed Under: Kulture

Musine Kokalari, in memoriam…

August 13, 2026 by s p

Bujar Leskaj/

Si sot, 43 vite më parë, 13 gusht 1983, një intelektuale e shquar dhe një politikane e kalibrit të lartë, pasardhëse e një familjeje të shquar gjirokastrite, themeluesja e partisë së parë Socialdemokrate, Musine Kokalari mbylli sytë, e vetme, e sëmurë, e dërrmuar, por stoike në bindjet e saj antikomuniste.

Në dorëshkrimin: “Mbi jetën time”, Musine Kokalari shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s’jam fajtore…”

Në një seancë gjyqi, dikush nga salla thirri që ajo duhej të dënohej me vdekje në litar. Kryetari i gjyqit, Frederik Nosi e pyeti nëse e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju”.

Musine Kokalari nuk pranoi asnjëherë avokat mbrojtës. Ajo bëri një apologji të shkëlqyer që dëshmon jo vetëm qëndrimin e saj si intelektuale, por edhe si politikane, demokrate konsekuente dhe e papërlyer. Gjyqi komunist e dënoi me 20 vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave civile dhe me konfiskim të pasurisë.

Pasi kreu 16 vjet nga dënimi i saj, Musinenë e internuan në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi dhe ndërtim si punëtore llaçi e përgjuar ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit. Pas punës ajo shëtiste vetëm, por dhe shkonte në vendin e saj të preferuar, në bibliotekën e qytetit, ku gjente miqtë e saj të vërtetë, librat.

E dërrmuar nga vuajtjet, e rraskapitur nga punët e rënda, e tronditur nga fati i Shqipërisë që ishte i ngjashëm me të sajin, Musineja u sëmur nga kanceri.

“Ç’fat tragjik”, shkruan ajo.- “Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime.”

Në spital i refuzohet kurimi për muaj e muaj të tërë.

Ajo shkruan në dorëshkrimin e saj tronditës: “Këtu, spital, në repartin onkologjik, kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’kanë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç’do të ngjasë?

Këtu njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej.

Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’do me thënë familje.

Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë.”,- përmbyll dhimbshëm, por gjithë dinjitet dorëshkrimin e saj.

Në vitin 1993 iu dha titulli “Martir i demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha.

Filed Under: Kulture

Në Logun e Bjeshkëve, në tokën e zanave, e Bukura e Dheut, nga qielli zbret, stolisur me hir e veshur me xhubletë

August 12, 2026 by s p

Albert Vataj/

Leontina Elezi, është vajza që prek ëndrrën. Ajo kurorëzohet në mbretërinë e egër të natyrës, sovrane e kremtes dhe sfidës. Logun e Bjeshkëve e bekon me bukurinë e më të bukurave, duke mëtuar se bukuria nuk është thjesht një dhunti e natyrës, por një mënyrë e të jetuarit, është vetë e etershmja, që stolisur me hirin e xhubletës dhe nurin e dritës, dëshmon vazhdimsinë. Ajo zbret si një re e bardhë, veshur me diell e mëkuar me vezullim, ngjitet në kreshtën e thirrjes së traditës, për t’u kurorëzuar si e bukurën e dheut. Atje mes maleve që prekun qiellin dhe kërcimit që dridh logun, ajo del nga legjenda dhe kumton të sotmes mrekullinë.

Bëhet kuptim i festës dhe shëmbëllëm i hirit. Sjell vajzën nga moderniteti dhe u ul në këndimin e lahutës, dhe gjallërinë e kërcimit. I tregon rrënjët qiellit dhe bukurinë i’a fal kremtes, jo për të fituar një kuror, por për të vazhduar një traditë.

Në Kelmend, një herë në vit, kur gushti ngjitet lart në bjeshkë dhe ajri mbushet me aromën e barit, me jehonën e këngës e me ngjyrat e veshjeve të lashta, duket sikur malet hapin portat e tyre dhe e shkuara zbret për të takuar të tashmen.

Aty, në Qafën e Predelecit, “Logu i Bjeshkëve” nuk është vetëm një festë.

Është rikthim.

Është kujtesë.

Është një mënyrë e lashtë për t’i thënë kohës, ne ende jemi këtu.

Më 9 gusht 2026, Lëpusha dhe Kelmendi u bënë edhe një herë skena e këtij rituali të rrallë, ku bukuria e vajzës malësore, madhështia e xhubletës, kënga, vallja, mikpritja dhe natyra u bashkuan në një tablo të vetme.

Në këtë altar natyror, mes maleve që duket sikur kanë mësuar prej shekujsh të heshtin me dinjitet, u kurorëzua Leontina Elezi, si e “Bukura e Dheut.

Kurora iu vendos nga kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, por ajo që iu dha Leontinës nuk ishte vetëm një kurorë bukurie.

Ishte një simbol.

Një përgjegjësi e ëmbël.

Një amanet.

Sepse në Malësi bukuria nuk ka qenë kurrë vetëm çështje fytyre, shtati apo hijeshie. Ajo është lidhur gjithmonë me nderin, fisnikërinë, qëndrimin, veshjen, fjalën dhe mënyrën se si një vajzë e bart emrin dhe kujtesën e vendit të saj.

Prandaj e “Bukura e Dheut” është shumë më tepër se fituesja e një konkursi.

Ajo është, për një çast, fytyra e një toke.

Leontina Elezi u shfaq kështu mes bjeshkëve si një figurë ku u takuan bukuria e vajzërisë dhe hijeshia e traditës. Ajo mrekulloi Lëpushën, Kelmendin dhe gjithë atë hapësirë magjike të bjeshkës, ku natyra vetë duket sikur ka ruajtur diçka nga mitologjia e lashtë.

Dhe nëse ka një vend ku shprehja “tokë e zanave” nuk tingëllon si metaforë e tepërt, është pikërisht këtu.

Sepse Kelmendi ka diçka që nuk shpjegohet vetëm me peizazhin.

Ka një shpirt.

Një frymë.

Një kujtesë që të vështron nga gurët, nga kullat, nga këngët, nga fytyrat e njerëzve dhe, mbi të gjitha, nga veshjet e grave.

Xhubleta, kur historia vesh një trup të gjallë

Në “Logun e Bjeshkëve”, xhubleta nuk shfaqet si një objekt muzeal.

Ajo ecën.

Ajo vallëzon.

Ajo merr frymë.

Ajo vesh vajzat e sotme dhe, përmes tyre, na sjell një jehonë të largët të grave që e kanë mbajtur mbi trupin e tyre ndër breza.

Me historinë e saj shumë të lashtë dhe me statusin e saj të jashtëzakonshëm si trashëgimi kulturore, xhubleta është një nga shenjat më të fuqishme të identitetit të Malësisë shqiptare.

Ajo nuk është thjesht një veshje.

Është një gjuhë e gjallë.

Palat, ngjyrat, ornamentet dhe format e saj flasin për një botë që nuk ka shkruar gjithçka në libra, por ka ditur ta shkruajë historinë në pëlhurë.

Nënat ia kanë kaluar bijave.

Bijat ua kanë përcjellë bijave të tyre.

Dhe kështu, përmes duarve të grave, një pjesë e kujtesës ka mbijetuar.

Prandaj, kur vajzat e “Logut” shfaqen të veshura me xhubletë, nuk shohim thjesht një paradë bukurie.

Shikojmë historinë që ecën përpara nesh.

Të prira nga Miss Bjeshka 2025, Aurora Lulaj, vajzat ecën e vallëzuan dorë për dore mbi livadhet e Predelecit.

Dhe ajo pamje kishte diçka solemne.

Diçka që tejkalonte spektaklin.

Sepse dukej sikur me çdo hap të tyre lëvizte një varg i gjatë brezash.

Sikur në atë valle të ishin mbledhur nënat dhe gjyshet.

Sikur gratë e dikurshme, ato që e kishin ruajtur xhubletën në arkë, ta shikonin sot atë veshje të dilte sërish në dritën e diellit.

E shkuara nuk kishte ardhur si kujtim. Kishte ardhur si prani.

Dhe kjo është ndoshta mrekullia më e madhe e “Logut”.

Një traditë vdes kur kthehet në dekor.

Kur bëhet vetëm një fotografi.

Kur ekspozohet pas xhamit dhe askush nuk e jeton më.

Por tradita e vërtetë nuk është ajo që ruhet vetëm.

Është ajo që përcillet.

Ajo ndryshon duar, ndryshon kohë, ndryshon breza, por nuk e humbet shpirtin.

Kjo është arsyeja pse xhubleta vazhdon të ketë një fuqi të jashtëzakonshme.

Sepse ajo nuk ka mbetur peng i së shkuarës.

Ajo është veshur nga vajzat e së tashmes.

Dhe përmes tyre, ajo kërkon të hyjë në të ardhmen.

Nga nëna te bija.

Nga kujtesa te krenaria.

Nga e shkuara te e ardhmja.

Xhubleta vazhdon të flasë shqip.

Dhe ndoshta ky është një nga mesazhet më të bukura që “Logu i Bjeshkëve” i përcjell një bote që gjithnjë e më shumë po humbet lidhjen me rrënjët.

Një log ku mblidhet kujtesa

Që prej vitit 1998, “Logu i Bjeshkëve”, i zhvilluar në Lëpushë, të shtunën e dytë të muajit gusht, është kthyer në një pikëtakim të veçantë të malësorëve dhe të dashamirësve të kulturës shqiptare.

Por “Logu” ka një veçori që e bën të ndryshëm.

Ai nuk i bashkon njerëzit vetëm rreth një skene.

I bashkon rreth kujtesës.

Këtu kthehet kurbetçari me mallin e viteve.

Këtu vjen biri i larguar për të parë edhe një herë malet e fëmijërisë.

Këtu ngjitet udhëtari që kërkon jo vetëm një pamje të bukur, por një përvojë.

Këtu vjen fotografi që kërkon të ndalë në një kornizë diçka që koha e merr shpejt.

Dhe mbi të gjitha, këtu vijnë njerëzit për të qenë pjesë e një bote ku mikpritja nuk është protokoll, por karakter.

Të jesh në “Log” nuk do të thotë thjesht të shohësh.

Do të thotë të përjetosh.

Të dëgjosh këngën.

Të shohësh xhubletën.

Të ndjesh erën e bjeshkës.

Të dëgjosh fjalën e malësorit.

Të shohësh buzëqeshjen e vajzës.

Dhe të kuptosh se një popull mund ta ruajë identitetin jo vetëm në libra, por edhe në një këngë, në një valle, në një veshje, në një mënyrë mikpritjeje.

Malësia që i flet botës, nën tingujt e instrumenteve shekullore, me zërin e mrekullueshëm të artistëve të mirënjohur, me valle tradicionale dhe me paraqitjen dinjitoze të vajzave konkurrente, ju ftoj të bëheni pjesë e këtij manifestimi të madh tradicional-kulturor”.

Dhe kjo ftesë është më shumë se një ftesë për një festë.

Është një ftesë për të hyrë në një botë.

Një botë ku malet janë dëshmitarë.

Ku xhubleta është arkiv.

Ku kënga është kujtesë.

Ku vallja është komunikim.

Ku bukuria bëhet identitet.

Përmes “Logut të Bjeshkëve”, Malësia e Madhe i kujton Shqipërisë dhe botës se identiteti nuk është muze. Është frymë.

Ai nuk ekziston vetëm në atë që ruajmë.

Ekziston në atë që vazhdojmë të jetojmë.

Kurora që bëhet amanet

Leontina Elezi mori kurorën.

Por në atë çast, dukej sikur kurora ishte më e madhe se vetë ajo.

Sepse mbi të nuk qëndronte vetëm bukuria e një vajze.

Qëndronte bukuria e një treve.

Bukuria e Malësisë.

Bukuria e xhubletës.

Bukuria e një tradite që ka ditur t’i mbijetojë kohës.

Kjo është arsyeja pse e “Bukura e Dheut” është një simbolika që ka peshë.

Ai nuk të vendos vetëm një kurorë mbi kokë.

Të vendos një amanet mbi supe.

Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron madhështia e kësaj feste.

Në fund të ditës, kur tingujt e lahutës, fyellit dhe veglave tradicionale treten mbi majat e Kelmendit dhe mbi bjeshkë zbret ngadalë heshtja e muzgut, festa përfundon, por kuptimi i saj mbetet.

Sepse “Logu” nuk mbyllet kur njerëzit largohen.

Ai vazhdon në kujtesë.

Vazhdon në fotografi.

Vazhdon në këngë.

Vazhdon në vajzat që një ditë do t’ua tregojnë bijave të tyre se dikur, në një gusht të bukur, veshën xhubletën dhe vallëzuan në Qafën e Predelecit.

Dhe atëherë kuptohet se çfarë është në të vërtetë “Logu i Bjeshkëve”:

Nuk është vetëm një festë e bukurisë.

Është një festë e kujtesës.

Nuk është vetëm një kurorëzim.

Është një vazhdimësi.

Nuk është vetëm një ditë gushti.

Është një urë mes shekujsh.

Dhe Leontina Elezi, “Miss Bjeshka” e vitit 2026, mbetet në këtë histori si një nga ato fytyra të bukura që, për një çast, marrin mbi vete dritën e një vendi të tërë.

Në tokën e zanave, ku bjeshkët ruajnë legjenda dhe ku gratë ruajnë kujtesën, bukuria nuk është thjesht ajo që syri sheh.

Bukuria është ajo që një popull di të mos e humbasë.

Dhe në Kelmend, mes maleve, xhubleta ende vallëzon.

Xhubleta ende flet shqip.

Malësia ende e ruan amanetin, bukuria e saj ende çel, si një lule e lashtë, në tokën e zanave.

Filed Under: Kulture

Polifoni apo iso-polifoni?

August 10, 2026 by s p

Ndriçim Kulla/

Një sqarim i vogël për një debat që nuk ka nevojë për zemërim.

Pas shkrimit tim mbi kolonën zanore të The Odyssey, më kanë ardhur disa komente, veçanërisht nga Vlora, ku me njëfarë zemërimi më është vënë në dukje se duhej të kisha përdorur fjalën “polifoni” dhe jo “iso-polifoni”. E mirëkuptoj shqetësimin. Kur bëhet fjalë për trashëgiminë kulturore, fjalët ndonjëherë peshojnë më shumë se sa duket. Por pikërisht për këtë arsye, ndoshta ia vlen të matim pak më mirë edhe fjalët që përdorim për të kundërshtuar fjalët e tjetrit.

Së pari, polifonia është termi i përgjithshëm muzikologjik, ndërsa iso-polifonia përcakton një traditë të veçantë shumëzërëshe, ku isoja përbën një nga elementet e saj karakteristike. Prandaj përdorimi i njërit apo tjetrit duhet gjykuar sipas kontekstit dhe jo me logjikën e “të drejtës së pronësisë” mbi një fjalë.

Së dyti, dhe kjo është ndoshta më e rëndësishmja: iso-polifonia shqiptare nuk është një dukuri që fillon dhe mbaron në Vlorë.

Ajo është një pasuri e një hapësire shumë më të gjerë të traditës sonë jugore, me veçori, stile, mënyra interpretimi dhe repertore të ndryshme nga një trevë në tjetrën. Vlora ka kontributin dhe traditën e saj të jashtëzakonshme, ashtu si Mallakastra, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Saranda, Himara ,Delvina e treva të tjera ku kjo trashëgimi ka jetuar dhe vazhdon të jetojë.

Dhe, nuk kemi medoemos të bëjmë me dy terma që përjashtojnë njëri-tjetrin. Njëri është më i përgjithshëm; tjetri më përcaktues.

Dhe këtu vjen edhe një hollësi që, për hir të së vërtetës, nuk duhet anashkaluar: “iso-polifonia shqiptare” nuk është një emërtim i shpikur nga unë në atë shkrim dhe as një lajthitje terminologjike e çastit. Është pikërisht emërtimi me të cilin kjo trashëgimi është paraqitur edhe në nivel ndërkombëtar dhe është regjistruar nga UNESCO.

Unë në studimin tim të mundshëm të cilin po e shkruaj , ndoshta mund të mbaj edhe një qëndrim të ri mbi këtë përcaktim.Paraprakisht mendoj, se Akademia e Shkencave ka përgjegjësinë e veçant dhe sidomos specialisti i fushës, i cili nuk e ka sqaruar në mënyrë shteruese, por e ka lënë të gjallë konfuzionin.

Por përsëri përtej përsosmërisë, nëse dikush preferon termin “polifoni”, mund ta përdorë. Nuk kam asnjë kundërshtim. Nëse dikush përdor “iso-polifoni”, gjithashtu nuk shoh arsye për t’u zemëruar.Por përsëri kjo meriton të sqarohet edhe njëherë. Do të ishte pak e çuditshme që një pasuri kaq e madhe muzikore të bëhej shkas për një luftë kaq të vogël fjalësh.

Unë do të preferoja të merreshim me atë që këndohet, sesa të zemërohemi për emrin me të cilin e quajmë.

Sepse, në fund të fundit, isoja nuk ka nevojë për mbrojtjen tonë me zë të lartë. Ajo ka mbijetuar për shekuj duke bërë diçka shumë më të mençur: duke vazhduar të këndojë.

Dhe ndoshta këtu qëndron edhe një mësim i vogël për ne: kur kemi përpara një trashëgimi të madhe, duhet të dimë të matim jo vetëm zërat, por edhe fjalët.

Fjala e matur, siç e dinin mirë edhe jezuitët, shpesh thotë më shumë se fjala e ngritur. Në përfundim, duke u mbështetur në vëzhgimin dhe ballafaqimin e shpejtë të materialeve, prirem të mendoj se Ramadan Sokoli e kishte përcaktuar më qartë se kushdo tjetër karakterin dhe veçantinë e polifonisë labe. Kjo nuk e përjashton nevojën për rishikim apo plotësim të këtij përfundimi, por kërkon që çdo ndryshim të mbështetet në argumente të verifikueshme dhe në një ballafaqim sa më të gjerë. Prandaj, këtë qëndrim e paraqes jo si një të vërtetë të mbyllur, por si një përfundim të hapur ndaj diskutimit dhe provave të reja.

Foto: ata.gov.al

Filed Under: Kulture

Sali Shijaku, “Diego Rivera” shqiptar i artit tonë kombëtar

August 7, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Historia e artit shqiptar ka lindur emra të shquar, por vetëm pak prej tyre arritën ta shndërrojnë penelin në një gjuhë të identitetit kombëtar. Njëri prej tyre ishte pa dyshim Sali Shijaku (1933–2022) – piktori që e deshi Shqipërinë jo vetëm si vendlindje, por si burim të pashtershëm frymëzimi.

Ndoshta nuk është e tepërt të thuhet se ai ishte një Diego Rivera shqiptar. Ashtu si mjeshtri meksikan, edhe Shijaku e pa artin si një dëshmi të historisë, të njeriut dhe të shpirtit të popullit. Ai nuk pikturonte vetëm figura; ai pikturonte kujtesën. Nuk vizatonte vetëm peizazhe; ai vizatonte frymën e një kombi.

Në telajot e tij jetojnë malet shqiptare, qytetet e lashta, portretet plot karakter, njerëzit e zakonshëm, puna, dinjiteti dhe krenaria. Ngjyrat e tij kanë një intensitet që nuk të lë indiferent. Herë janë të fuqishme si dielli i Mesdheut, herë të buta si drita që bie mbi gurët e Beratit apo Gjirokastrës. Çdo vepër e tij mbart ritmin e jetës shqiptare dhe një ndjenjë të thellë përkatësie.

Sali Shijaku i përkiste atij brezi artistësh që besonin se arti nuk është zbukurim, por ndërgjegje. Edhe kur pikturonte një portret të vetëm, ai arrinte të fliste për një kohë të tërë. Edhe kur ndalej te një peizazh, ai e bënte natyrën të rrëfente historinë e njerëzve që e kishin banuar.

Krahasimi me Diego Riverën nuk qëndron vetëm te monumentaliteti i figurës artistike. Ai qëndron mbi të gjitha te përkushtimi për ta bërë artin pasqyrë të identitetit kombëtar. Rivera i dha fytyrë Meksikës me muralet e tij; Shijaku i dha ngjyrë Shqipërisë me penelin e tij. Të dy besonin se arti duhet të flasë për popullin, për historinë dhe për dinjitetin njerëzor.

Sot, kur shohim veprat e Sali Shijakut, nuk admirojmë vetëm mjeshtërinë teknike të një piktori të madh. Ne lexojmë një kapitull të historisë sonë kulturore. Çdo tablo është një dokument estetik, një rrëfim pa fjalë, një kujtesë se identiteti i një kombi nuk ruhet vetëm në libra, por edhe në ngjyra, dritë dhe kompozim.

Artistët e mëdhenj nuk largohen kurrë. Ata vazhdojnë të jetojnë në veprat që lënë pas, në emocionet që zgjojnë dhe në frymëzimin që u japin brezave të rinj. Kështu jeton edhe Sali Shijaku – si një nga mjeshtrit më të mëdhenj të artit shqiptar, një emër që i dha penelit dinjitetin e historisë dhe ngjyrës shpirtin e Shqipërisë.

Arti shqiptar do ta kujtojë gjithmonë si një nga kolonat e tij më të forta, një mjeshtër që e shndërroi telajon në atdhe dhe pikturën në një himn të heshtur për kombin.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 577
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FILATELIA SHQIPTARE NË EKSPOZITËN GJERMANE-SUEDEZE : BEPHILA-2026
  • JUSTICE FOR THE BYTYQI BROTHERS — KOSOVA AND AMERICA MUST DO MORE TO ENSURE ACCOUNTABILITY FOR SERBIAN CRIMES
  • Iliria në hartografinë Ptolemeike: Një analizë historiko – hartografike e hartës së Petrus Bertius
  • VATRA DHE DIELLI NGUSHËLLOJNË FAMILJEN HOXHA
  • Sovraniteti i Kosovës në arkitekturën e re ndërkombëtare
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU NË HOLLIVUD
  • Në përvjetorin e dhjetë të Shenjtërimit të Nënë Terezës në Michigan!
  • BALLKANI, PËRTEJ FUÇISË SË BARUTIT
  • Kuvendi i Kosovës kundërshton aktgjykimin e Gjykatës Speciale që dënoi luftëtarët e lirisë
  • SHKOLLA SHQIPE “VATRA” TE VATRA TAMPA BAY FLORIDA
  • AFC, Mirela Nurce and Lushnja Hospital – Where Fashion Meets Compassion
  • Shpëtim Tim Qorraj kandidat për në Parlamentin e Nju Jorkut
  • “Children of the Eagle” tani edhe në Queens!
  • Sukses i madh për vitin akademik 2026–2027 në Staten Island, Brooklyn dhe Bronx
  • DÜSSELDORFI NË ZË TË PROTESTËS: “JO NË EMRIN TIM”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT