• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ROMAN I VEZHGIMIT HISTORIK DHE I KLITHJES TRUMBETUESE PËR HUMBJEN E MADHE PËR ETNINË SHQIPTARE

October 29, 2022 by s p

Mhill Velaj/

Jo rrallë kujtesa e individit merr dimension kolektiv për ta shperndarë atë sublimim ndjenjash si Manën në shkretëtirë që na kujton kurthin e lirisë dhe roberisë së një kombi.

Ketë formë e dimension frymëzimi e ka edhe romani ,, Humbja ‘’ e autorit Mark Pashku, i cili të fascionon me ndërthurjet e gjëmave të medha të historisë dhe fatit të individit në kërkim të lirisë personale dhe integruese. Marku në rrëfimin e tij romanor është substrakti e memories metafizike të Malësorëve të Malësisë së madhe andaj shpesh përgjatë lëximit vertikal të këtij romani të krijohet përshtypja se po lexon një pjesë të jetës kolektive të malësorëve që jetojnë në Malin e Zi. Romani në dukje dhe në fakt roman modern në vete ka tharmin historik, kujtesën kolektive, gjakimin për njohjen e rrënjëve dhe trumbetimin se si trupi i ri historik duhet të rritet e frymëzohet nga rrënja e lashtë etnike e cila është t’kurrur e stërkequr në vazhdën e shekujve. Romani që në fillimet e tij jep kumtin ,, ah …sa kemi humbur përgjatë historisë ‘’. Autorin nuk e josh bota moderne e rrokaqiejtë e katedralet e Lucernit as Evropës por klith e kthehet në kohë ku jemi ne tani, populli që dikur, kur kishim nam e emer në histori. Pena e tij vajton të shkuaren gjakon të ardhmen e dritur, dhe jep mesazhin e mirë se : Vetëm tradita, etnokultura,e verteta dhe integrimi me bazë kombetare do të na bëj të lirë në hapësirat mbarëshqiptare e jo ikja e pa adresë në rrugët e botës.

Ky roman në strukturen e tij ideore e artistike ngërthen klasiken me modernen, përplas kohërat në një hapesirë ideo – artistike, gjakon ëndrrën për t’iu rikthyes së vertetës historike, duke e kërkuar shqiptarin e integruar dhe të denjë për historinë botës. Dimensioni filozofik e psikologjik në këtë roman gjakon etniken e përsosur, ushqimin e idealeve kombetare gershetuar me rrjedhat e kohës moderne. Autori Marku nuk kërkon në këtë rrëfim romanor ( rrëfimet e Mateos ) kultin e postmodernes por as mitin e së kaluarës. Ai është realist dhe empirist në shqyrtimet e tij letrare. Ky është një roman real veshur me substraktin e etno kultures shqiptare që shtyrë nga rrethanat historike e ideologjike, dhuna, dëbimi e imponimi, kërkon rrënjët e vjetra në truall të huaj. Autorit i pelqen të jetë notues në jetë por jo dorë e dytë në sytë e botës qofte ajo edhe politike e ideologjike sepse atë e grish uni individual e kombetar për të qënë botë e thirrur në meshën e se dielës së gjallimit historik e kombetar. Ndërthurja e personazheve historike dhe subjekteve të veçanta në rrëfimin romanor si Augustini e Jeronimi nuk janë të rastësishme sepse lavdija e humbur për autorin Marku është akth i përhershëm për autorin me ndjenja kombetare e historike. Protgonisti Alberti nuk e kërkon prestigjin historik përmes armës e forcës por përmes dijes, arsyes e besës historike. Vendosja e Atë Valentinit në qëndër të rrëfimit romanor nuk është e pa shkas , sepse ajo figurë është fija e zgjatur e dimensionit historik dhe etnik , kulturor e fetar në rrjedhen e shekujve shqiptar.

Mateo Labeati poashtu është reminishenca romanore në rrëfimet e Pashk Markut apo tablloja e dytë e kujtesës historike, që mbanë gjallë frymen e kujtesës dhe rrënjëve të të parëve.

Thënë me shkurt në këtë roman është i përshkruar drama dhe fati i individit në këtë rast Albertit i cili gjakon frymën e mbijetesës përmes rrugëve jo ligjore dhe jojshjeve inskiktive, jo si vullnet i tij por si imponim i rrëthanave të egzodit dhe krizës ekonomike.

Me quaj Natalia i thotë vajza bjondinë njeriut të bjerrur në kohë e hapësirë, por edhe të dashuruar në kështjellën e dijës. Është kujtesa e atdheut e bartur me vete rrugëve të evropës duke gjakuar integrimin por edhe klithjen e madhe ,, perse jemi të tillë’’ perse kemi humbur aq shumë në histori. Ndërfutja e përsonazhëve të Rozmarines, Marijes , Moisiut dhe Frankos, Samiut, Benjaminit, Johanes, Alinës, Sarës, familjes Labeati, Anës, në këtë roman e bënë aq sa inderesant poaq edhe dramatik këtë rrëfim romanor.

Pra është sfida integruese, kujtesa historike, intriga, krimi e dënimi, harta e atdheut që përplasën në botën kosmopolitane. Janë ëndrrat e individit për tu afirmuar hera heres në menyrë të pa natyrshme, janë cenet e cektësitë shpirterore që të joshin nga ujerat e bjerrjes e humbjes kur individi vuan nga vakumet ekzistenciale dhe sistemet shteterore.

Ky roman modern, në fakt është një kumt për njeriun e sotshëm që mos të lajthitet nga bjerrja e humbja por të këtë etjen e gjakimin pozitiv për ta jetuar jetën në menyrë të natyrshme e jo atë hipokrite pa marrë parasyshë sfidat që ti imponon jeta. Është romani i njeriut shqiptar por pa atdhe që bredh rrugëve të botës në meshirën e fatit jo se do ta përçafoj të ligen porse e liga i troket në derë pa vullnetin e tij.

Nga leximi im ndoshta edhe i përshpejtuar për shkak të kohës së limituar kam ardhur në përfundim se : ,, Ky roman modern dhe plot vlera i Mark Pashkut është një zë i thirrjes kolektive për rigjallërim e emancipim kombetar, jashta sferës së iluzioneve që ti ofron bota. Është lufta e individit për identitet personal kulturor e emancipues përballë ligjeve të xhungles dhe afshit për të mbijetuar ndershmerisht ‘’

Ky roman në vete ngërthen nuanca të zhanrit kriminalistik, etnik, dhe të sfidës në së unit në rrafshin e tij të rrëfimit e mbarështrimit letrar. Në planin ideo – artistik është një vlerë e shtuar për letërsinë tonë në përgjithësi duke ruajtum brumin e një letërsie krejtësisht origjinale në mikro kosmosin individual.

Romancieri Pashk Marku ka afinitetin që përjetimin ta shndërrojë në simbol, e simbolin në mesazh romanor, dhe ketë mesazh artistik aq bukur të artikuluar ta transformojë në model e kod letrar krejtësisht unik në substancën e tij.

Ky autor na vjen si dëshmi e ekzistimit të parajsës së tij të brendshme, ajo lloj parajse por e trazuar që di të përjetojë, por jo të mallkojë botën as rrjedhat e sfidat e jetës. Pra, është një lloj urtie artistike që e kalit dhe frymëzon subjektin e tij letrar ngërthyer në vete mesazhe sa humane, poaq edhe të përvojës empirike.

Dhe krejt ne fund te kesaj kumtese mund te them se: pas një plejade të romanciereve të shquar shqiptar si Franë Camaj, Anton Gojcaj, Anton Gjuravcaj, Vilson Culaj – Kosovë etj qe subjekt letrar e kane identitetin kombetar romancieri Pashk Marku me këtë roman i bënë nderë Malesisë së Madhe dhe letërsisë shqiptare në përgjithësi dhe hynë në radhën e romancierëve më të shquar të letërsisë sonë.

Ketë fakt e konstatim timin besoj se e forcon edhe fitimi i çmimit Rexhaj Surroj mu me këtë roman ,, Humbja ‘’ në vazhdën e një vlerësimi të një varg të kolosëve të letërsisë shqiptare si : Kim Mehmeti, Ismail Kadare, Agron Tufa, Fatos Kongoli, Ridvan Dibra, Ag Apolloni, Binak Kelmendi, Mira Meksi,Ibrahim Kadriu, Zija Çela, Gëzim Aliu, Bashkim Hoxha Shkumbin I. Gashi duke perfshirë këtu edhe poetin Pal Ndrecaj, e Ramiz Gjini nga SHBA etj.

Pra romani ,, Humbja ‘’ është një lloj kambane letrare e cila ngre kumtin se vetëm vlera e përkushtimi japin frytet e saj dhe se drita e njohjes, kulturës e integrimit do të na bëjë të lirë por pa harruar kurrë rrënjët e të parëve.

Urime per Autorin Mark Pashku, dhe uroj që letërsia jonë falë këtyre modeleve letrare ta arrij shkelqimin e saj edhe në arenën ndërkombetare.

May be an image of 2 people and people standing

Get more messages for Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare

You can add a Messenger button to your post to get more messages for Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare.

See Insights and Ads

Boost post

1515

3 shares

Like

Comment

Share

Filed Under: LETERSI Tagged With: Mhill velaj

Shpirti artistik i Majlinda Pajajt nuk do të mbetet vetëm në poezi, së shpejti do të vijë me një roman

October 27, 2022 by s p

Poetja Majlinda Pajaj, autore e katër vëllimeve me poezi, vargje magjike për dashurinë dhe të bukurën, i dhuron librat e saj bibliotekës së “Bijve të Shqipes”, në Filadelfia

Intervistoi: Eneida Jaçaj Lamçe

Fjala artistike e goditur, e stolisur bukur me gjerdanin e dashurisë, shpresës, pasionit, diellit që të ngroh, qiellit të kaltërt në pafundësinë e universit, mbretëreshës natyrë buzagaz, zgjon shpirtin në përpëlitje drejt gjallërimit. Poezia lirike i ka rezistuar të gjitha kohërave, që nga emrat më të mëdhenj të letërsisë botërore, si Esenin, Pushkini, Shekspir, Neruda, Nabokov, Gjergj Fishta, Pjetër Budi, De Rada, Ndre Mjeda, Çajupi, Asdreni, e deri te letërsia e sotme moderne, pasi përcjell te lexuesit ndjenjën më sublime, dashurinë, dhimbjen, mallin, pikëllimin; në të njëjtën kohë e vendos botën nëpërmjet syve të shpirtit, mbi poltronin e paqes, forcës, gëzimit dhe i këndon bukurive të natyrës. Poezia është magjike në të gjithë përmbajtjen e saj, pasi derdh vullkanin e shpirtit, në pak fjalë të vetme, duke të mbajtur të hipnotizuar në disa minuta të arta. Magjia e poezisë apo arma me të cilën ajo godet është pikërisht fjala artistike; ajo del si një plumb zemre, i cili dorovitet në hapësirën e mendimeve, duke të bërë të ndjesh magjinë e saj dhe të reflektosh. Ajo të ndihmon të njohësh veten dhe të çlirohesh nga çdo brengë që të ka kapluar shpirtin. Poezinë e bëjnë njerëzit me shpirt magjik, të ndjeshëm, të brishtë, por, njëkohësisht të fortë dhe luftarak, pasi është forca magjike e saj që i bën të patundur. E tillë është poetja Majlinda Pajaj, e cila është autore e katër vëllimeve me poezi, si “Melodia e natës”, “Pentagrami i shpirtit”, “Dallgët në stuhi” dhe “Muzgjet fluturojnë në muzg”. Majlinda është një grua me shpirt të bukur dhe të fortë, e cila, përpos familjes, gjithë jetën e saj ia ka kushtuar poezisë. Ajo ka emigruar në Filadelfia në vitin 2008, edhe pse emigrimi është i vështirë, nuk e ka penguar të krijojë vargje të bukura për shpirtin. Së shpejti, atë do ta njohim edhe në zhanrin e romanit. Majlinda katër vëllimet e saj me poezi ia dhuroi bibliotekës “Anastas Dodi”, e cila ndodhet në ambientet e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, në mënyrë që fëmijët të lexojnë në gjuhën shqipe dhe të mos harrojnë asnjëherë rrënjët e tyre. Komuniteti shqiptar në Filadelfia i jep më shumë yt Komuniteti shqiptar në Filadelfia i jep më shumë forcë për të forcë për të mos rreshtur kurrë së krijuari për lexuesin.

-Përgëzime për veprimtarinë tuaj krijuese, për kënaqësinë shpirtërore që i dhuroni lexuesit, në ato minuta të arta, pas një dite të ngarkuar pune. Ju jeni autore e katër vëllimeve me poezi, Si lindi brenda jush dëshira për krijimtari? Ku e gjeni motivin dhe shkëndijën magjike për të krijuar vargje kaq të bukura shpirtërore?

Vëllimi i parë, “Melodia e natës”, ka dalë në tetor të vitit 2019; vëllimi i dytë, “Pentagrami i shpirtit”, në 2020; vëllimi i tretë, “Dallgët në stuhi”, në 2021 dhe vëllimi i katërt sapo është botuar dhe titullohet “Muzgjet fluturojnë në muzg”. Do të doja shumë të thoja që motivohem nga poetët tanë të shquar, si Naim Frashëri, Lazgush Poradeci, Dritëro Agolli, Gjergj Fishta etj, poetë të huaj, si shkrimtari njohur anglez, Uilliam Shekspir , shkrimtari i famshëm rus, Vladimir Nabokov, etj. Kam dashur shumë të hyj në botën magjike të këtyre shkrimtarëve me famë botërore, por koha ka qenë kyç për mua. Motivohem me natyrën, me detin dhe qiellin, me diellin dhe hënën, me borën dhe shiun, sepse janë joshëse dhe ledhatues për vargun e poetit.

-Në cilin zhanër do ta vendosnit poezinë tuaj, dhe çfarë ju bën të veçantë për ata që ju lexojnë?

Do e vendosja në zhanrin lirik, ku autori duhet të shprehë ndjenja, ndjesi dhe emocione. Prandaj, ajo ka tendencë të jetë më poetike.

-Cila është ajo tematikë apo ngjarje, që ju bën të shpërtheni më së shumti pasionin tuaj për krijimtari?

Jam e sigurt se çdo poet do shpërthente të shkruante për dashurinë, sepse dashuria është ndjenjë që e pushton secilin prej nesh, në faza të ndryshme të jetës. Tematika ku unë jam më e fokusuar është dashuria.

-A keni një kohë të përshtatshme për të krijuar, apo frymëzimi është i pakohë për ju?

Frymëzimi im është natyror, më rrëmben si kupa e verës një pijedashës. Kohën nuk arrij ta kap dot të ulem e të shkruaj; sa herë më vijnë mendimet i hedh direkt në telefon dhe atëherë kur jam duke punuar, koha këtu për mua është shumë e çmuar dhe unë e shfytëzoj në maksimum.

-Çfarë merrni mbrapsht ju si poete që ju shtyn të mos ndaleni në veprimtarinë tuaj krijuese?

Jam e sigurt që shumë nga lexuesit gjejnë diçka nga vetja. Lirikat kanë simbol dashurinë dhe me gjithçka përfaqësoj tek ata. Kjo më jep kënaqësi dhe ma bën më të lehtë dhe më të fortë shprehjen dhe ndjenjat nën penën e shkrimit.

-Sa të lidhur janë me librin sot të rinjtë, konkretisht me poezinë?

Letërsia në Shqipëri nuk e ka më peshën që ka pasur, sepse lexuesi hutohet pas ofertave shumëngjyrëshe të tregut dhe vetë modeli i qarkullimit letrar ka ndryshuar. Shumë lexues të librave, konkretisht të poezisë, janë bërë miq të rrjeteve sociale në faqe të poetëve të ndryshëm për t’i qëndruar sa më pranë botës së librave. 

-Çfarë ka ndryshuar në poezinë e ditëve të sotme, krahasuar me atë të një shekulli më parë?

Në fillim të shekullit XX shfaqen fuqishëm në letërsinë shqipe shkrimtarët Andon Zako Çajupi, Faik Konica, Asdreni dhe Gjergj Fishta. Konica nxori revistën “Albania” në vitet 1897-1909 dhe në faqen e saj botoi dhe komentoi autorët e brezit të tij. Fishta dhe Noli u shquan në paliedrizmin e tyre, që nga dramaturgjia, poezia, publicistika dhe përkthimet. Sot ka ndryshuar materiali ku ne shkruajmë, (nga papiri te pergamena, te letra e deri tek teknologjia), kanë ndryshuar shijet mbi zhanret letrare.

-Ju keni emigruar në ShBA, në Filadelfia, ku dihet që fillimi dhe vazhdimi do të thotë punë dhe sakrificë, por si ka ndikuar në krijimtarinë tuaj kjo lëvizje?

Kam emigruar në vitin 2008 këtu në Amerikë. Ashtu si gjithë emigrantët e tjerë, emigrimi ka qënë i mbushur me vështirësi, pengesa, debate, pabesi, intriga, por edhe sukses. Jo më kot e kam quajtur vëllimin tim të tretë, “Dallgë në stuhi”, ku si gjithmonë kam ëndërruar për një jetë më të bukur dhe me shumë punë mendoj se e kam arritur qëllimin tim. Ëndrrat e mia nuk kanë qënë thjesht fantazi, unë kam udhëtuar me to t’i mbaj zgjuar me qëllim një ditë ta shoh veten të realizuar në ëndrrat e mia. Unë jam një grua, nënë, dhe bijë ku qëllimi im i gjithanshëm ka qënë gjithmonë familja. Kam arritur të ruajtur kornizën e familjes me shumë kujdes, aq sa mos të gërvishet dhe portreti të duket me më shumë ngjyra. Familja ime ka qënë krah dhe mbështetje për arritjet që kam dashur gjithmonë dhe këtu ku jam sot, të buzëqesh në ëndrrat dhe sukseset e mia. 

-A keni menduar të shkruani një roman apo do të mbeteni te shpirti juaj i brishtë dhe luftarak në të njëjtën kohë, te ndjenja hyjnore e të parit të botës me ngjyra dhe me pozitivitet?

Jo vetëm e kam menduar por dhe e kam filluar, pasi të shkruarit e një romani është një detyrë që përfshin një përpjekje të jashtëzakonshme me shumë këmbëngulje dhe mbi të gjitha një seri njohurish teknike. Poezia në katër strofa përmbledh një histori, ndërsa romanit i duhet një libër ta përshkruajë jetën e dikujt, një ngjarje, apo dhe një histori. Çdo gjë merr kohën e vet, shpresoj ta kemi së shpejti.

-Cila është marrëdhënia juaj si poete, me komunitetin shqiptar në Filadelfia? A janë të interesuar prindërit të kenë në bibliotekën e tyre libra me poezi, në mënyrë që fëmijët të lexojnë dhe të mos e harrojnë shqipen?

Të jesh poete në vend të huaj është shumë e vështirë. Falë komunitetit shqiptar që me mbështetjen në shkrimet e mia të publikuara në rrjetet sociale, unë nuk kam rreshtur së shkruari. Shoqata Atdhetare – Kulturore Shqiptaro – Amerikane “Bijtë e Shqipes” është mbështetje shumë e madhe për komunitetin shqiptar këtu në Filadelfia. Në vatrën e kësaj shoqate mësohet gjuha jonë. Emigracioni është një fenomen social me karakter ndërkombëtar. Është interesant fakti se gjuha jonë ka zhdërvjelltësi në të folur, është shumë burrërore dhe mjaft e bukur. Falë kësaj shoqate fëmijët marrin në mënyrë të organizuar mësime plotësuese në gjuhën amtare nga mësues patriotë e pasionantë të cilët, në të shumtën e rasteve e japin ndihmën e tyre vullnetarisht. Jo vetëm prindrit por dhe në sytë e fëmijëve lexova kënaqësin dhe dëshirën për të lexuar shqip, prandaj librat e mi janë bërë pjesë e librarisë në komunitetin shqiptar këtu në Filadelfia.

-Cili është mesazhi juaj për lexuesit shqiptarë?

Lexuesit shqiptarë duhet të dinë që ka shumë arsye pse të lexosh një libër, sepse libri është diçka tjetër, diçka më shumë. Leximi na ndihmon për të kuptuar më mirë vetveten dhe kohët – të djeshmen, të sotmen, edhe të ardhmen!

Filed Under: LETERSI

NË TETOVË DHE PRIZREN U MBAJT EDICIONI I XXVI I FNP “DITËT E NAIMIT”

October 25, 2022 by s p

Prej 20–23 tetor 2022, në Tetovë dhe në Prizren u mbajt Edicioni i 26-të Jubilar i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Përgjatë tri ditëve u mbajtën aktivitetete të shumta letrare, artistike, shkencore dhe kulturore. Në te morrën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si: Kristoffer Leandoer (Suedi), Remedeos Alverez Diaz (SPAIN), Waqas Khawaja (Pakistan/SHBA), Dalila Hiaoui (Marok/Itali), Anton Gojcaj (Mali i Zi), Lali Michaeli (Izrael), Lucila Trapazo (Zvicër), Daniela Andonovska Trajkovska (Maqedoni e Veriut), Aleksy Wrobel (Poloni/BM), Shqiptar Oseku (Kosovë), Entela Tabaku (Shqipëri), Dimitris P. Kraniotis (Greqi), Mara Venuto (Itali), Remzi Salihu (Maqedoni e Veriut), Sema Gyler (Turqi), Ndue Ukaj (Kosovë), Malak Mustafa (Siri/Spanjë), Sofija Mileva (Bullgari). Ekrem Ajruli (Maqedoni e Veriut), Arjan Kallço (Shqipëri) etj. Hapja festive e Edicionit të 26-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë me anë të ndezjes së fishekzjarreve dhe flakadanëve që bartnin të rinjtë me veshje kombëtare shqiptare, para Qendrës së Kulturës, në Tetovë. Ndërkaq, Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu dhe laureati suedez, Kristoffer Leandoe,r vendosën buqete lulesh para shtatores dhe i dhanë një minute heshtje poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri. Edicionin e 26-të të FNP “Ditët e Naimit” e hapi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash, theksoi se, “Ky vit pas atij të pandemisë, na shfaqet mjaft i errët për njerëzimin. Kemi një përmbysje të sistemit dhe kodit të jetuarit. Është rritur paqartësia e të tashmes dhe e së ardhmes. Jeta është privuar në masë të madhe nga bukuria e saj. Gjithnjë e më të ashpra shfaqen kërcënimet në verilindje të kontinentit tone, që kanë tendencë të ndezin konfliktin e kaosit apokaliptik. 

Një fotografi e tillë është mjaft frikësuese dhe shqetësuese. Ajo ka nevojë për vepra kundërshtuese nga të githë shtresat. Pra, edhe prej neve të races së letrave. Në të kundërt, dërgjegjja e gjithkujt, por edhe e jona do të ngarkohet me përgjegjësi. Të dashur poetë, Ju sot ndodheni në Tetovën e Poezisë, ku FNP “Ditët e Naimit” si një operator letrar dhe kulturor, për një çerekshekulli ka promovuar dhe afirmuar letërsinë, kulturën, gjuhën, poetin tone kombëtar, Naim Frashëri, ka afirmuar qytetin dhe shtetin tone, por edhe gjuhën, letërsinë dhe vendin e tjetrit. Kjo ka bërë që duket më mire dhe të kuptohet diversiteti, si një vlerë, një vlerë, që na garanton të ardhme të ëndrruar. Ditët e Naimit është një shenjues i urave që janë ngritur dhe që do të ngriten në vazhdimësi…Pra, komunikimet e ngritura mes poetëve, mes letërsive, por edhe ato të poetëve me artdashësit vendës në festën e poezisë kanë kthyer Tetovën në emblemën e një ure gjithnjë e më domethënëse. 

Të qenurit arkitekt i këtyre urave të bën të ndjehesh i plotësuar.

Ju falenderoj të gjithë ju që bëtë hapsirë për këtë rrugëtim…

Aty, në atë skenë të bukur, të mbushur me public artdashës, laureatit Kristoffer Leandoer, iu nda çmimi i madh “Naim Frashëri”, dhe iu akordua titulli i lartë Anëtar Nderi, nga ana e drejtorit të Festivalit, Shaip Emërllahu. Laureati me këtë rast falenderoj për ketë nder që iu bë poezisë, veprës së tij duke thënë se, ndjehet i nderuar dhe i vlerësuar, si dhe falenderoi Drejtorinë e Festivalit. Jurinë e Festivalit e përbënin Prof. Dr. Ymer Çiraku, Mr. Ndue Ukaj dhe Prof. Xhelal Zejneli.

Në ditën e dytë të Programit, në Qendrën për Kulturë dhe Art “Shift Center” u mbajtë ora letrare “Poetë dhe vargje” ku poetët pjesëmarrës dhe shqiptarë (në mesin e tyre edhe dy poetet e reja, Valdeta Dulahi dhe Saranda Osmani) lexuan poezitë e tyre. Në këtë mbrëmje u nda edhe çmimi letrar “Silke/Liria Blumbach. Ky çmim, sipas Jurisë i takoi poetes zvicerane, Lucilla Trapazzo.

Në ditën e tretë të Festivalit, sipas Programit, poetët shkuan në Prizren, ku vizituan monumentet historike dhe kulturore, (në mesin e të cilëve edhe Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit). Në mbrëmje, në sallën e bukur të librarisë, “Altera”, u mbajt ora e madhe letrare “Meridiane Poetike”, e cila u zhvillua nën patronatin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj. Kryetari i Prizrenit, në fjalën e hapjes, pasi i përshëndeti dhe iu uroi mirëseardhje poetëve në qytetin e Prizrenit, në mes tjerash nënvizoi se, ishte kënaqësi dhe privilegj, që ta mbështesë këtë Festival të rëndësishëm Ndërkombëtar të Poezisë për shkak të peshës specifike dhe rolit të madh që ka ky Festival, në afirmimit e gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Më pas poetët pjesëmarrës nga shtete të ndryshme të botës dhe poetë shqiptarë, lexuan poezi dhe u ndanë çmimet e tjera letrare të Festivalit. Kështu, çmimi letrar “Ditët e Naimit”, i cili jepet për karierë letrare iu dha poetit amerikan, Whaqas Khwaja (çmimin ia dorëzoi kryetari i Komunës së Prizrenit), çmimi ‘Menada’, që jepet për vlera të veçanta poetike iu dha poetit polak Aleksy Wrobel (çmimin e dorëzoi drejtori i Festivait), çmimi letrar ‘Oaeneumi’, që jepet për ciklin më të mirë poetik iu dha poetit nga Mali i Zi, Anton Gojçajn (çmimin e dorëzoi Laureati i këtij Edicioni) dhe çmimi letrar ‘Qiriu i Naimit’, që jepet për poezi më të mirë e mori poetja shqiptare, Entela Tabaku (çmimin e dorëzoi anëtari i Jurisë). Festivalin e udhëhoqi moderatorja Narta Emërllahu, ndërsa poezitë i lexoi në gjuhën shqipe aktori i njohur, Arsim Kaleci. Nga një pikë muzikore ekzekutuan violinistja, Hana Abdullahu dhe virtuozët e muzikës klasike nga Prizreni. Ndëkaq, leximin e poezive në shqipe të poetëve pjesëmarrës  i përcolli me kitarë, profesori Naser Dula. Drejtoria e Festivalit, si çdo herë, edhe në këtë edicion botoi Antologjinë e Festivalit, të poezive të poetëve pjesëmarrës me titull “Mali e ka strehën në qiell”, të përgatitur dhe redaktuar nga Shaip Emërllahu. I ftuar nderi në këtë hapje të këtij ediciomi ishte edhe drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Mbrëmjet Strugane”, z. Todorçe Tasevski. Festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, Komuna e Prizrenit, ndërsa e sponzorizuan libraria “Altera”, restorantet “Kurtishi” dhe “Parajsa e Sharrit”.

D. Hadri

Filed Under: LETERSI

LUTJE PËR DUART E VËLLAIT

October 24, 2022 by s p

– Ilirjanit, in memoriam –

Nga Visar Zhiti

C:\Users\User\Downloads\IMG_0333 (1).jpg

Duart vëllazërore flasin… ato janë përherë në marrëdhënie me ne… krijojnë botë…  

Thënë thjeshtë si në një bisedë përkujtimore, ato janë të dashura dhe kështu duhet të jenë, kanë një siguri dhe besë dhe janë mbështetetje, së pari shpirtërore dhe kështu duhet të jetë, ato si flatra tani kanë dalë nga i njëjti bark i shenjtë, prandaj janë dhe si të tuat, shtesë në relitetet e tua…

Teksa kujtoj tim vëlla, Ilirjanin, shoku i parë i fëminisë, mbrojtësi dhe këshilluesi, pedant si vëlla më i madh, dy vjet e pak më shumë se unë, që më dha librin e parë, etj, pastaj dhe shokët e tij në gjimnaz u bënë dhe shokë të mi, por jeta e goditi ashpër duke mos i dhënë atë që meritonte, ndër gjimnazistët më të mirë, jo vetëm në Lushnjë, ku jetonim, por në Shqipëri, e thoshin pedagogët e tij dhe nuk e lejuan të shkonte në universitet, shkak biografia politike e familjes, pas ushtrisë nisi studimet e larta me korrespondencë për ekonomi-financë, edhe ajo iu ndërpre me forcimin e luftës së klasave, edhe vëllait tjetër të madh, i çuan të punojnë në fermë me kazmë e në ndërtim, të bëjnë mure,  mure të jetës së tyre, ndërsa mua, mësues në një fshat të Kukësit, do t’më burgosnin për poezitë e mia, i quajtën të trishta dhe hermetike, kundër Realizmit Socialist dhe realitetit socialist, por dua të them se as në burg nuk m’u ndanë duart vëllazërore, më sillnin ç’mundnin, ndonjë ushqim për të mbijetuar në ferr dhe libra, libra, të kisha botën e tyre që të lidhnin aq sa mundej me botën, të kisha emocion dhe ëndërr…

Ishin duart vëllazërore që i morën fshehurazi nga burgu poezitë e mia dhe i bashkuan me të tjerat që kisha lënë, i ruanin me fanatizëm dhe më prisnin…  

Dhe para sysh më del vegimi i vizatimit “Duar që luten” i piktorit të madh gjerman të Rilindjes – Albrecht Durer (1471-1528) dhe rrëfimi që bënte për të Prof. Klodi Stralla, që lexova këto ditë. 

“Familja Dürer, e përbërë nga 18 fëmijë, jetonte në një fshat të vogël afër Nurembergut. Dy nga fëmijët, Alberti dhe Albrechti, kishin treguar talent të madh artistik për vizatim që kur ishin të vegjël. Kur arritën në moshë shkolle iu lutën të atit t’i dërgonte në Akademinë e Arteve të Bukura, por ai me punën që bënte për të mbajtur familjen e madhe, nuk ishte në gjendje ekonomike të përballonte shkollimin e tyre.

Por vëllezërit nuk u dorëzuan, Dëshira për të ndjekur Akademinë ishte aq e fortë sa bënë pakt mes tyre. Njëri nga të dy do të shkonte të punonte në minierë për të paguar studimet e tjetrit dhe kur të mbaronte periudha e studimit, këtë do ta bënte edhe tjetri. Po cili nga të dy? Fatin ia lanë ta vendosë rrotullimi i një monedhe – kokë apo pil? Fati e dënoi Albertin në ferrin e minierës në favor të vëllait të tij më të madh që mund të shkonte në Nuremberg dhe të realizonte ëndrrën…”

Dhe mua fati si vëlla më i vogël më dërgoi në minierën e Spaçit me pranga në duar, kam punuar si skllav nën tokë në terr dhe kam shkruar fshehurazi poezi, edhe për duart, pa ditur gjë atëhere për Duar mahnitëse të Albrecht Dürer-it, që u bë i famshëm dhe me të ardhura nga  puna si piktor dhe i tha vëllait të vogël, që i erdhi radha ta linte minierën dhe të shkonte ai tani në Akademinë e Pikturës. 

“Ishte tepër vonë për të, – shkruan Profesor Klodi Stralla, – vitet e kaluara në minierë kishin dëmtuar në mënyrë të pariparueshme duart që nuk ishin më në gjendje… Albrecht Dürer, për t’i bërë homazh vëllait të tij, kompozoi duart e vëllait… 

Dhe unë po sjell këtu një nga poezitë e mia të burgut, është për duart, jo vetëm të miat, por për çdo dorë vëllai në vuajtje:  

GISHTËRINJTË SI GJARPËRINJ?

Janë lodhur duart e mia, 

një jetë të tërë m’i kanë gënjyer duart.

Shpejt e shpejt m’i rritën 

dhe mundësitë m’i zvogëluan 

                                   si dorashka të grisura 

                                   që s’të nxënë më.

M’i shkelën duart 

me çizmet e injorancës 

(skuqin plagët si unaza gishtave).

M’i trembën duart.

Asgjëkund nuk zgjaten duart e mia, 

s’përqafojnë asgjë.

Kanë harruar të ledhatojnë, 

të këndojnë, të shpikin.

                              Duart e mia u marrosën!

Kam frikë se gishtat do më bëhen 

                                          koka gjarpërinjsh, 

do t’vërsulen mbi të tjerët si të tjerët.

Do helmojnë trupin e jetës, duart, 

        që t’i shpëtoj duart, 

            vë kokën time mbi to dhe mendohem.

Unë dua që dhe gjarpërinjtë 

t’i shgjarpërizojmë, 

t’i bëjmë gishta të blertë të natyrës.

Ta shkulim rrezikun, 

        t’ia heqim dhëmbin e helmët!

Fati të bëhet 

dorë dashurie 

e bardhë, lakuriqe, e ngrohtë, 

të zgjatet drejt teje, 

të kërkojë dorën tënde, 

ta marrë dhe ta puthë

(thonjtë të jenë veçse petale jete, 

që s’shkunden.)

Çdo njeri t’i ketë të tijat 

duart e gjithë botës.

22. III. ’85

Ja, dhe një strofë tjetër nga një poezi tjetër:

Dikush ble dorashka 

në këtë mbrëmje të ftohtë 

në qytetin me drita indiferente 

që dinë të digjen, 

por dhimbje s’dinë të ndiejnë.

Dikush ble dorashka, 

të bëra prej lëkurës sime.

Dhe këto poezi të rrezikshme për atëhere, i ruanin në familjen time, kujdeseshin prindërit, por për më shumë siguri, se në apartament nuk i dihej,  Ilirijani i çoi në shtëpinë e motrës, kishte një kopësht, i futën në një arkë dhe hapën një gropë dhe i mbuluan duke pritur kohë tjetër…

Shumëçka e kam treguar në burgologjinë time, në dy librat “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, ku Ilirjani do të ishte dhe personazh. Ja disa copëza::

TË NDIHMOSH NJË MËSUES, QË ËSHTË DHE POET:

– Ty po ta tregoj të parit, sapo e shkrova, – më tha Faslli Haliti, me të cilin jo vetëm na qe forcuar miqësia, por na ishte bërë dhe       e domosdoshme deri në mërzi. Më zgjati fletët e një poeme, “Dielli dhe rrëkerat”, – lexoje, – tha. Fillim pasditeje dhe ai dukej sikur sapo kishte dalë gjallë nga një makth ose do të shkonte drejt tij. 

E mbarova rrugës, duke ecur. Fletët më dridheshin.

– E guximshme dhe goditëse. Të shtang, – thashë.

– E kam shkruar nga pozitat e së mirës, – u ngazëllye Faslliu mësuesmërisht.

– E fortë, – thashë unë.  

Dhe vërtet, për shkak të kësaj poeme filluan mbledhjet e zymta të Partisë me letrarët e Lushnjës, unë isha i ikur, student në Shkodër, kritika për nxirje të realitetit, por poema nuk është kundër socializmit dhe udhëheqësit të saj, drejton klasa punëtore te ne, ç’është ai shi që bie ashtu si në kapitalizëm?! Mos u ul, rri në këmbë, i tha sekretari i parë Faslliut në mbledhjen që zgjati nja 9 orë, deri pas mesnate. 

Im vëlla, Ilirjani, e kishte marrë vesh më parë komplotin që po i kurdisej atij, ia tregoi Bujari, gjoja disa shokë të tij gjimnazistë ishin shqetësuar për atë poemë revizioniste dhe kishin shkruar një letër, të cilën, thoshin, e kishte përgatitur më parë ai kritiku i njohur… Shkojnë e lajmërojnë Faslliun, që u alarmua dhe u nis vrik për në Tiranë, në Komitetin Qendror, kështu tregoi më pas, takoi Ramiz Alinë, i cili, për çudi, e priti mirë dhe e qetësoi, ndërkaq, me t’u kthyer, prapë mbledhje, poeti u dëbua në fshat, që të njohë jetën, të mësojë nga kooperativistët, të mblidhte dhe ai bar bashkë me ta, pleh kimik, organik, të prashiste. 

Kur të merr malli të shkruash, ç’bën? E pyeti im atë, që e njihte këtë dhembje, të qenët i ndaluar, madje përgjithmonë.

  Asgjë, lyej derën, iu përgjigj pikëllueshëm ai. 

DOSJA E DIKURSHME…

Po shfletoja. Gjyqi, dialogët e rëndë. I dija, nuk i harroja dot. GJYKATA E LARTË, hë, ç’thanë kur bëra apelimin… atëherë në shekullin e shkuar, jo se besoja në drejtësi a në zbutje të tyre, por doja t’i shihja deri në fund sa të këqij ishin dhe si i shkelnin edhe ligjet e tyre. Ethja për t’i njohur e… 

Vajti im vëlla, Iliriani, madje i kundërshtoi dhe e kërcënuan se mund ta dënonin edhe atë. Pa ta shoh ç’kanë shkruar, qenka e gjatë:

TAKIMI I PARË NË BURG: 

Në një nga ditët e mëpastajme më morën nga qelia dhe më lanë vetëm në ajrosje. Aty te muri i madh. Do të më pushkatonin kështu, apo do të më nxirrnin në fotografi prapë për dosjen e dënimit? Dhe atëherë, kur më vunë pas murit, dyshova se mos aparati fotografik ishte ndonjë lloj arme. Prisja plumbin me atë “trak” të thatë e të shterpët që do të fiksonte fytyrën time të dënuar, një herë përballë e pastaj në profil.

Këtu ose më tej në mur, u hap një sportel dhe përtej pashë… tim vëlla. Ah, portreti i tij si në një kornizë të rëndë, gropë e ngritur lart. Edhe ai ashtu si unë, me një polic anash.

– O-o-o-o-o! – u mahnita. – Ti, Ilirjan?

– Bo-bo, sa qenke fryrë, si të kanë bërë… shëndoshur, – e ktheu fjalën me dëshpërim im vëlla. – Si je?

– Ja, më ka fryrë asgjëja, dergjja. Pushim këtu. Më dënuan 10 vjet. Po ju si jeni?

– Na ka forcuar të gjithëve halli yt. Sëmundjet e mamasë, zemra e saj, tensioni i babait kaluan në dorë të dytë. Çdo e keqe ka të mirën e vet, – buzëqeshi për mua hidhur. – Si e kalove këtë kohë?

– Flisni për gjëra të tjera, – ndërhyri polici i tij.

– Kaloi, – thashë shpejt e shpejt, – gjallë.

– Jo biseda të tilla, ju thamë, – tani ndërhyri polici im. – Do ta ndërpresim takimin. Na vjen keq.

Im vëlla po çapëlente sytë për të më parë sa më tepër e të mbushej me mua, ashtu si unë me të. Atyre u mungoja veç unë, mua më mungonin të gjithë. Përveçse vëllezër, ishim edhe shokë dhe gjithmonë flisnim kundër regjimit, shumë më tepër se me miqtë e ngushtë, të përbashkët. Por tani goditja ishte humnerore. 

– Të kam sjellë dhe libra, por… Gjakftohtësia…

– Takimi mbaroi, – thanë policët, që përsëriteshin një andej dhe tjetri në këtë anë të murit si në një pasqyrë barbare. S’mundëm të shtrëngonim duart vëlla me vëlla para se të mbyllej ajo zgavër magjike në mur. Tragjedia ime ishte e vërtetë. Unë e kisha humbur botën dhe njerëzit e mi do të më shfaqeshin pas vrimave dhe hekurave gjithnjë e më pak, gjithnjë e më rrallë…

DASMA LARG E ILIRJANIT, NJË KËNGË:

Rende për në depon e ushqimeve, nxore pakon e madhe të llokumeve nga thesi yt, e ruaje për këtë ditë, e diel dasme, e shqeve me duart e harbuara, i dhe një rojës së burgosur të depos, pa i thënë asgjë, dhe e mbajte frymën te Valeri. “Dua një këngë, – i the i ngashëryer, (Sot po martohet im vëlla…) – merre dhe një llokume tjetër.” “Shkojmë te Sherifi?” I dhe llokumen e urimit. Po këto të tjerat? T’i hamë të gjitha. Ashtu kokë më kokë të tre, pas murit para shkallëve të korridorit të zyrave të riedukimit. 

– Ejani, – tha këngëtari, – futemi në atë që gjoja është dhoma e kulturës. M’i kanë lënë mua çelësat, ngaqë di t’i bie fizarmonikës, – dhe, me të mbyllur derën, i hodhi rripat e atij instrumenti krahëve. Sikur dyfishoi krahërorin e vet. Zbrazi frymë. Se si t’u duk, si në një torturë. Fluturoi lehtë gishtat nëpër tastierë, tinguj, një melodi, kaq e ëmbël… muaj mjalti… kështu kishe lexuar nëpër libra, të porsamartuarit shkojnë e mbyllen në një dhomë hoteli, shohin shiun nga xhamat, pyllin, veturat, çifte kuajsh e s’dalin fare, bëjnë dashuri natë e ditë. Në diktatura s’lejohet. Zëri i këngëtarit të rrëqethi. Ajrin e shndërroi në cicërima gjithë flatrime zogjsh, që s’dihet se si ikën. Po i këndonte dashurisë, zëri forcohej, malli bashkë me të, por jo me tone të larta, jo, jo, nuk duhej të dëgjohej jashtë, një ngjirje mahnitëse sikur zëri të qe fërkuar në kurrize dritash në botën e tejme, me qytete të gjallësh. Kënga ecte e lumtur nëpër këmbësore, anash vitrinave llamburitëse, po, po, kishte prapë të tilla, ku rrotulloheshin veshje grash me shkëndijime të befta, fustane të ujvarta, çizme me majë të hollë sa takat – me t’i veshur duhej të vallëzoje vetvetiu – magnetofonë që përsëritnin këtë këngë, krehra, lëviznin vetë mbi floknaja muzgjesh, të kuq buzësh, mund të shkruaje xhamave me të: “Të dua”, por papritur fjala e kuqe shndërrohej në vazhdë gjaku. Këngëtari kishte anuar kokën e rëndë mbi fizarmonikë, e ngriti dhe buzëqeshi. Nisi të këndonte anglisht këngën e vet, atë që kishte kompozuar me mend në qelitë e Buu-uh- rrr-bbrrr-e-e-l-i-i-t-t, “When I am dead, my dear!”. “Është poezi e Kristina Rosetit”, – tha shpejt dhe zëri i tij nisi të ndizte qirinj, flakët e të cilëve, nga shkaku i lotëve, ngjanin si brerore të rubinta. Pastaj solli bregun e detit, dallgët që kërkonin të shuanin një emër të shkruar mbi rërën e lagur, emër vajze, i së fejuarës së këngëtarit – detin, detin të kesh rival në dashuri. – Dhe “Këngën e nënës, – iu lutët ju, – do ta këndosh?” “Patjetër!” Të ecësh krah për krah me nënën, nën borërimën e dhembshme të moshës, njeriu plaket, e ka dramën e vet, të bukur e madhështore. Pse shpiken dënime të tjera? Ah, zëri shtrihej, donte të mbulonte gjithësinë, pastaj hovte, hidhej nga njëri yll në tjetrin dhe vishej me argjend, po, po, e gjete, këngëtari ynë ka zë të argjendtë me gdhendje pikëllimi dhe t’u nëpërmendën servise fisnikësh, korniza, shandanë, pasqyra, bastunë dhe pena pranë një telefoni të zi, të mbledhur kutullaç si një kotele. Ti je supersticioz, macet e zeza s’ke qejf të të dalin përpara. Po është mace shtëpie! U ngrit dhe iku te pragu i dasmës, ku dëgjohej kënga. Si ta ruajmë këtë zë? Është yni!

Shfryu fizarmonika ose ai, a të dy bashkë një brengë, aq të madhe tani, teksa Sherifi e la mbi tryezën e pluhurosur. Buzëqeshi dhembshëm. “S’mund të bëja dot më shumë, kaq mundesha”, – dukej sikur thoshte. “Po ti bëre shumë, falemnderit, më dhe këngën, atë që s’duhej të mungonte tek unë sot. Të jam mirënjohës përgjithmonë.”

    DUART VËLLAZËRORE. 

Kam mall t’i shtrëngoj sërish, po ku t’i gjej?

Kur ra perandoria komuniste, Ilirjani bashkë me Shpëtimin dhanë provimet e ndërprera dhe u diplomuan. 

Ilirijani iu përkushtua demokracisë, u bë veprimtar i saj dhe punoi në një Bankë dhe në vitin e rëndë ’97 e ruajtën nga vjedhjet e banadave me maska.

Erdhën në Tiranë. Ilirjani punoi dhe në Ministrinë e Financave… Dashamirës i librit si përherë, lexues profesionist, do të thosha, shkonte përurimeve të botimeve të reja, tani shokët e mi ishin bërë dhe të tij dhe iu rikthye dëshira e poezisë, siç duket për të mposhtuar sado pak vrazhdësinë që i kishte dhënë jeta,  vonë, duke qenë dhe gjysh, e kapi trilli të botonte, nxori përmbledhjen “Zili do ta kisha dhe një murg”, vazhdonte të shkruante sentenca, tregime, etj, Obsesioni i tij mbeteshin Kosova dhe Çamëria, shkoi nëpër Dardani, Prizren dhe Prishtinë e merrte pjesë në manifestimet në kufirin e Jugut.

Duart e tij tani kishin dëshirë të kapnin Flamurin dhe ta valëvisnin. Duar vëllazërore… dhe unë ruaj vegimin e largët të duarve që luten…

C:\Users\User\Downloads\IMG_0266 (6).jpg

Ilirjan Zhiti

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

Sot një nga bijtë më të ndritur të rracës shqiptare ka përvjetorin e lindjes

October 23, 2022 by s p

Prof. Agron Gjekmarkaj/

Zoti ja fali Shqipërisë më 23 Tetor 1871, At Gjergj Fishta emri i Tij.

Si askush tjetër e desh dheun e Tij, si askush i desh shqiptarët!

Si pak kush kontribuoi që ajo nga ide të bëhej shtet, nga poezi të shnderrohej në kufi!

U pëpoq në menyrë titanike, gjithë jetës që rraca të shnderrohej në komb,që individi në shqiptar e ky binom të ndihej europian mbi rrënjet e veta që nuk i merr më era.

Fishta, nëse Nolit i marrim hua do vargje e “donte Shqiperinë kur nuk e deshnin, e qante kur e qeshnin, e vishte kur e zhveshnin” pa i hy në hak “viganit liberator” Luigj Gurakuqit, por ndryshe nga të gjithë evidentoi kush janë rriqnat e ndyta që e pinë gjakun shtetit, shakllabanat, kryemataret, dylmet, levantinët! Fishta këta i qeshte e nuk i deshte, i zhveshte e nuk i veshte. Nuk qe vetëm poeti i virtytit të genit dhe epikes së tij por edhe antropologu i vesëve,përkufizuesi i zhganit i asaj mishele që e pengon progresin dhe përparimin e shqiptarve.

Pagoi çmim, mbet pa varr si Gjergji tjetër!

Por kujtimi i tyre u kthye në mistike kombëtare, në ideologji e identitet.

Sot e kujtojnë Fishten edhe ata që mund të ishin objekt të satirës e prozes së Tij ndëshkuese! Ata që vjedhin e rrëjnë shqiptaret,ata që e bën i duan ata gjithmonë në të kaluaren orientale, ata që i duan të paditur e të varfër për ti sunduar turren me yxhym tu citue poezitë e Tij.

Me heshtje sot mbase nuk do të binin në sy por kur flasin po.

Kësisoj po i pershendesim të gjithë, këtë frotë e skotë me nji shpërthim satirik fishtian.

SE SHQYPNIA U RRUDH E VOGEL

Kishin Hyp Nji Rreze Dilli

Ai Shen Pjetri e Ai Shen Mhilli

E Po Flisnin Per i Hall Te Vjeter

Ai Shen Mhill Me Njat Shen Pjeter

Se Shqypnia U Rrudh e Vogel

Per Shqyptart Sa Nji Gogel

Lene T`shejt e Mos Ta Zgjasim

Zbresin N`toke Shqypnin e Masin

Moren T`shejt Nji Lamsh T`mashit

Nisen Matjen N`Preveze T`tashin

Mirpo Lamshi u Ka Mej

Porsa Mbrin T`shejtnit Ne Qafe Peje

Edhe Nejse Mos Me u Zgjat

Si Me Mat Shqypnin e Ngrat

Peni i Mashit Asht Mbaru

Vrik Kalon Dreqi Mallku

I kane Pre Kryet Lekuren i Kan Rru

E Me Ate Lesh Kan Ba Nji Dredhe T`Djallit

Qys Se u Mat Me Dredhe T`Djallit

Asnji PUn S`na Shkon Per S`marit

Sesa Nisim Nji Pune T`re

T`paret Qe e Prishim Jemi Ne

Troç Dy Fjale Kombit Mbare

Sy Me Sy Me Ja Than Deshta

Ma Zor Mblidhen Dy Shqiptar

Sesa Mblidhet Nji Thes Me Pleshta

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 125
  • 126
  • 127
  • 128
  • 129
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT