• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dje At Zef Pllumi pat njëren prej ditëlindjeve të tij

August 29, 2022 by s p

Prof. Agron Gjekmarkaj/

Atë të pagëzimit si Prekë Gjekmarkaj, 28 Gusht 1924. Ai ka dhe dy të tjera, një të pazakonte ideologjike, që i shenuan në deshminë e arrestimit të parë 14 dhjetor 1946 pa pritur pergjigjen e tij se kur pat lindur, 7 Prill , ja vunë meqenëse ishte dita e pushtimit fashist dhe ai si xhakon françeskan duhej me patjeter të ishte kemishezi ideologjikisht për sundimtaret e rinj !!

Një tjeter e ka në një nga muajt e vitit 1958 ku shugurohet meshtar me emrin e ri Zef Pllumi si dedikim ndaj jetes së re klerikale (si më parë Zef Ndoka në At Gjergj Fishta, në respekt të tradites para konçilit të dytë që filloi në vitin 1962 për ti permbyllur punimet në 1965)!

La gjurmë unike për shkrimim dhe etiken e tij per epersinë morale që dekadat i vunë mbi supe.

Ismail Kadare kur një shekull po permbyllej e kah fundi i tij shfaqej ” Rrno vetem per me tregue” pat thënë se “gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër,komunistët.

Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë”!

“Frati i lirisë kunder tiranisë” apo “Frati i kujtimeve” e pat perkufizuar Aurel Plasari profesori që ju bashkangjit menjeherë në vitin 1990 për të riformatuar sistemin kulturor, “Misionari i rebeluar” e thirri miku e akademiku Sabri Hamiti e shumë e shumë analiza e percaktime nga personalitete boterore e të vendit, per të dhe vepren e tij e të gjitha keto sipas profesor Mark Markut e kanë një shpjegim “Ndoshta një nga arsyet pse At Zef Pllumi ishte aq mbresëlënës për ata që e takonin kishte të bënte pikërisht me faktin se ai ishte mishërim i gjallë i etërve të mëdhenj të Kishës shqiptare. Jo vetëm pse i kishte njohur të gjithë me radhë, që nga Fishta e deri te Harapi, jo vetëm pse kishte qenë nxënës i tyre, jo vetëm pse ishte i mbushur plot me kujtime nga afria me ta.

Kishe përshtypjen se Padër Zefi ishte një shumatore e cilësive më të spikatura të tyre. Ishte një ekstrat i çuditshëm i një shqiptari ku ngërtheheshin tradicionalja me modernen, inteligjenca natyrore me kulturën, aftësia abstraguese me shprehitë praktike, vizionarja me pragmatikën, vokacioni fetar me shpirtin qytetar, karakteri kryengritës etj. Kjo e bënte atë njëfarë guruje të çuditshëm të të gjithëve”!!!

Ndryshe nga gjuha e kohes në liri ! Ai nuk u viktimizua kurrë, nuk u ankua per vuajtjet e veta,nuk kerkoi revansh por ndryshimin e trurit, të mentalitetit, kerkoi dekomunistizim të shoqerisë, shkolla europiane per të rinjtë tek të cilet shihte shpresen e vetme për ndryshim kur pushteti në demokraci po merrte formë tribale dhe korrupsioni pozicionohej si shtyllë korrizore e tij.

I vetëdijshem për historinë, rrolin, misionin si intelektual shqiptar, si frat katolik, si shkrimtar, si ish i burgosur politik nuk u bë asnjeherë garniturë e politikes por në menyrë antropologjike , shkroi per shqiptaret dhe veten, për atë që pa e nuk duhej të ndodhte, për atë që mesoi e duhej ta percilltë , për atë që perjetoi e e perballoi, ashtu siç ai e rrefente “dhe unë gjatë gjithë kësaj jete, edhe në sistemin komunist jam përpjekur t’u tregoj që ata nuk ja kanë arritur qëllimit, nuk e kanë zhdukur njeriun tek unë. Këtë ia tregoj vetes. Ka qenë një provë shumë e rëndë, ju s’mund ta kuptoni se jeni të rinj, por njeriu në kushte të jashtëzakonshme, mund të humbte aftësinë e të qenurit njeri” !

Në dukje i thjeshtë një pohim kesodore por universial, gordian në çdo ditë të jetes së një individi, së një shoqerie së një kombi në perpjekje për të mos bjerrur humanizmin atë që bën dallimin mes lirisë dhe barbarisë, së drejtes dhe dhunës, së bukures dhe banales , së vertetes dhe propagandes! Ky është thelbi i veprës së At Zefit që në çdo ditëlindje të tijen na vjen për të na kujtuar se nëse duam mund të jemi të eperm mbi rrethanat, shqiptarë modern që i dinë rrënjet , shqiptarë europianë që duan njëri tjetrin në diversitet” ! “

Rrno vetem per me tregue” është libri themelor i shekullit të shqiptarve, Pllumi demiurgu i tij asketik.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agron Gjekmarkaj

Disa vlerësime për veprën “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” të prof.dr.Gjovalin Shkurtaj

August 27, 2022 by s p

Gjekë Gjonaj 

Të nderuar miq, vëllezër dhe motra,

Ju përshëndes  nga zemra me shprehjen e bukur tradicionale të malësorëve “ Mirëmrama dhe  mirë se u ka pru Zoti” në këtë ngjarje madhore kulturore, e cila organizohet sot në Tuz,  në komunën tonë të shumëpritur, e cila edhe pse e re në moshë, po arsyeton themelimin e saj në fushën   e kulturës që është shpirti  që i jep fizionomi trupit tonë të gjymtuar kombëtar, karshi botës së përparuar dhe karshi proceseve të rënda që na sfidojnë si komb, pa marrë parasysh hapësirën gjeografike ku jetojmë.

 Punë e vështirë për mua si  gazetar,  publicist  e studiues të flas në këtë tubim për një vepër gjuhësore e aq më shumë për një vepër madhore të gjuhësisë shqiptare, sikundër është “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”  i akademikut Gjovalin Shkurtaj, por, ai është malësor, e kam njohur prej shumë vitesh, e kam intervistuar në raste të ndryshme, krahas kolegëve të tij të nderuar, si akademik Shaban Demiraj, akademik Jorgo Bulo etj. dhe, duke qenë se ai është jo vetëm i lindur në Malësi (në Bajzë të Kastatit), po edhe është nga ata që e ka për krenari se është “bir i xhubletës”, qysh kur jemi takuar për herë të parë në Ulqin, në vitin 2001,  dhe kemi lidhur edhe një miqësi të sinqertë. Profesor Gjovalini ka shkruar artikuj për disa prej librave të mi si “Prek Cali piramidë e kufijve të Shqipërisë”, “Shqipet e maleve” etj. dhe, bashkë me prof.Hamit Boriçin e studiues të tjerë nga Tirana e Shkodra, më ka nderuar duke marrë pjesë e duke referuar në përurime të librave të mi në Ulqin. Dashamirësia dhe modestia e tij, sigurisht, më trimëron e po marr guximin që, edhe pa qenë gjuhëtar, t’i them disa fjalë e vlerësime për këtë vepër të madhe, duke përfaqësuar, në këtë rast, atë pjesë të malësorëve  që, edhe pse nuk merren me gjuhësi  e me studime shkencore, duhet të jemi krenarë e ta themi me gojën plot edhe këtu në Tuz, ashtu si është thënë tashmë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në përurimin e bërë në Panairin e Parë të Librit Akademik, më 23 prill, apo në Alabanian University në përurimin e organizuar më 5 maj. Si gazetar që jam, po shtoj se Fjalori i Shkurtajt është vlerësuar  menjëherë sapo është botuar nga disa prej gjuhëtarëve të njohur nga Shqipëria (prof.dr.Valter Memishaj, prof.dr.Tefë Topalli, prof.dr.Artur Lamaj, drejtor i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike, prof.dr.Nexhip Mërkuri, dr.Tonin Ҫobani etj.). Kanë shkruar për këtë vepër edhe nga studiues të njohur si prof.dr.Bardhosh Gaçe nga Universiteti i Vlorës “I.Qemali”, prof.dr.Qemal Murati nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, prof.dr.Bahtiar Kryeziu nga Universteti i Gjilanit, si dhe nga albanologë të huaj, prof.dr.Basil Schader nga Zvicra, i cili, ndër të tjera, duke e përgëzuar autorin, akademikun tonë të Malësisë e ka quajtur Fjalorin e Shkurtajt “një kryevepër”  e një libër me vlerë të jashtëzakonshme për dialektologjinë dhe etnografinë e të folurit të shqipes. Një recension të gjerë e me analiza të  hollësishme ka botuar edhe gazetari Vasel Gilaj në “Zani i Malësisë” (maj 2012), i cili  e fillon shkrimin me këto fjalë vlerësuese e të merituara: “Biri i Kastratit, Gjovalin Shkurtaj, me Fjalorin e botuar, i ngre një monument pavdekësie Malësisë së Madhe”. Për veprën “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”gjatë gjithë pranverës së sivjetme ka pasur edhe njoftime e intervistime në televizionet shqiptare, prej të cilave meritojnë të përmenden intervista e Shkurtajt për gazetarin Mustafa Nano në emisionin e tij të ndjekur “Arnautistan”, si dhe në Neus-24, A1-Report  TV etj. si dhe në blogjet e faqet on-line.        

Na gëzon  shumë fakti që profesor Gjovalinin e kemi nga Malësia jonë, po edhe që e nderojnë shumë jo vetëm ata që e kanë mik, po edhe kolegët e drejtuesit e Akademisë së Shkencave. Mjafton të kujtojmë vlerësime e larta që i ka shprehur akademik Shaban Sinani në përurimin e bërë në Tiranë më 23 prill 2022.  

 Kam pasur edhe privilegjijn që prof.Shkurtaj më ka ardhur si mik në shtëpinë time, po edhe unë kam qenë mysafir te ai në Tiranë e në Durrës, prandaj, ashtu si e shpreha në fillim, do të flas për Fjalorin, po më shumë për autorin.

Deri vonë nga Malësia jonë e Madhe kemi pasur pak emra intelektualësh të shquar, po edhe ata që  kanë qenë, jo gjithmonë janë njohur e vlerësuar sa duhet. Prej trojeve tona kanë qenë burra të shuar të dijes e shkencës si Nikollë Ivanaj  (1879-1951), publicist nga Trieshi, që botonte në Raguzë (Dubrovnik) gazetën “Shpnesa e Shqypnisë” dhe dy vëllime me shkrime dokumentare për jetën e  veprimtarinë atdhetare e për ndihmesat e tij në lëvizjet përparimtare dhe si përfaqësues i Shqiparëve të Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920); dr.Athanas Gegaj (1904-1988), Mirash Ivanaj (1891-1953), nga Bekajt e Trieshit, veprimtar, drejtues dhe organizator reformator i arsimit kombëtar.  Prej  fshatit Stanaj   (Grudë) ishte edhe Prenk Gruda (1912-1999), veprimtar dhe publicist i njohur shqiptaro-amerikan, autor i librit “Ditari i nji zemrës së lëndueme”; Luk Kaçaj (1924-2001), këngëtari i famshëm  bas, që studioi dhe këndoi me sukses të madh në Rusi, ku dhe  do të mbiquhej ”Shaljapini shqiptar”. Prej nesh, po i shkolluar në akademitë e arteve me emër në Jugosllavi e Itali është edhe akademiku Gjelosh Gjokaj (1933-2016) nga Mileshi i Grudës, piktor me famë evropiane; Angjelin Preljocaj, balerin i famshëm që jeton e kontribuon në Francë, Frank Shkreli, gazetar i njohur, ish-drejtor i Zërit të Amerikës për Euro-Azinë; Gjekë Marinaj, poet, shkrimtar, studiues, filozof i suksesshëm, i nominuar për Ҫmimin Nobel në Letërsi (nga më se 12  shtete, universitete, organizata të akredituara letrare e akademikenë botë). Dhe plot të tjerë, të cilët nuk është as rasti, as mundësia për t’i përmendur të gjithë. Në emrat e mëdhenj të shkencës së sotme albanologjike, me sa kam lexuar e dëgjuar të thuhet për  të nga mjediset shkencore, është pa dyshim edhe profesor Gjovalin Shkurtaj, i cili ka ardhur sot midis nesh për të përuruar veprën e tij më të vëllimshme “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”  për të cilin, sikundër e thotë vetë në Hyrjen e librit ka filluar të punojë qysh në vitet 1962-1966, kur ishte student në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Po shtoj me këtë rast, se në vitin 1966, kur ka kryer studimet e larta për gjuhë e letërsi, ka diplomuar me studimin “E folmja e Kastratit” dhe përveç vlerësimit më notën më të lartë (dhjetë) ka pasur edhe përgëzimet e komisionit të Provimeve dhe të akademikut të shquar Eqrem Cabejt, të cilin Shkurtaj e ka pasur dhe koleg zyre për dhjetë vjet (nga 1967 deri në 1977) dhe e ka përmendur gjithnjë si idhullin e modelin e shkencëtarit të përkushtuar e modest, po edhe me adhurimin e madh për të. 

Vepra “Fjalor leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe” e prof.dr.Gjovalin Shkurtajt, është fryt i një pune mbledhëse shumëvjeçare, që është, sikundër na e thotë në Fjalën paraprijëse “një fjalor leksikor  e frazeologjik  i Malësisë  së Madhe, të cilin ka filluar ta punojë qysh në vitin 1969”, pikërisht kur, i sapo emëruar si punonjës shkencor i ri në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, dhe u  caktua të merrej me studimet monografike për të folmet e Malësisë së Madhe, punë të cilën, ai, në fakt, e kishte nisur me sukses qysh me temën e diplomës kushtuar së folmes së Kastratit, me udhëheqës shkencor të mirënjohurin prof.Jorgji Gjinari, punim që do të botohej, në dy numra të revistës “Studime filologjike,1967/ 2 e 3.

Malësia jonë e Madhe “Nderi i Kombit” (2012) është njëra nga krahinat e njohura për të folmen e saj të veçantë dhe për pasurinë mjaft të madhe leksikore, frazeologjike, etnofolklorike dhe sociolinguistike, që kanë tërhequr prej kohësh interesimin e studiuesve të ndryshëm e sidomos të dialektologëve dhe të historianëve të gjuhës shqipe e të etimologjisë së shqipes.  Fjalët, frazeologjizmat dhe etnikët e zonës së Malësisë  së Madhe, për aq sa kanë qenë të njohura nga fjalorët dhe botimet etnofolklorike të mëparshme, janë përdorur e cituar me përparësi nga Eqrem Çabej në shumë nga studimet e tij dhe veçmas te vepra e tij “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Në atë udhë e sipas  shembullit të E.Çabejt ka vepruar edhe akademiku Kolec Topalli në veprën  e tij “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” (2017), si dhe, pikërisht për vlerat e mëdha leksikore të të folmeve të Malësisë së Madhe  ai është shprehur edhe në kumtesën e tij, Thesaret gjuhësore të së  folmes së Hotit (“Hoti në rrjedhat e historisë”, Michigan, USA 23-24 nëntor 2013, f.367-375). Të lartpërmendurit, si dhe studiues të tjerë, leksikologë dhe dialektologë, qysh se kanë filluar të botohen monografitë e Gj.Shkurtajt për të folmet e Kastratit (në Studime filologjike, 1967, nr. 2 e 3)  të Hotit, Kelmendit,  Rranxave të Mbishkodrës etj. (në “Dialektologjia shqiptare, II, III, IV), përpos vlerësimeve e kundrimeve nga dialektologët, lënda leksikore e botuar në ato monografi është  shqyrtuar e shfrytëzuar me përparësi, sidomos në studimet rreth etimologjisë së shqipes.

Fjalori ka në bazë pjesën e leksikut të botuar në monografitë e vetë autorit, po edhe krahasime e shtjellime përqasëse  me  ato të botimeve  të mëparshme, qysh nga Fjalori i Bashkimit, Fjalori Nikollë Gazullit, Fjalori i Benedikt Demës etj., si dhe në një lëndë të gjerë etnofolklorike të Malësisë sonë të Madhe, një numër i madh fjalësh, kuptimesh dhe togfjalëshash të qëndrueshëm e frazeologjikë, shoqëruar edhe me fjalë të urta e mënyra të thëni të kësaj treve gjuhësore, duke synuar të  bëjë  një paraqitje sa më tërësore të asaj pasurie të madhe leksikore e frazeologjike të krahinës së Malësisë së Madhe. Në shpjegimin e fjalëve dhe në shembullzimet e tij, shpesh, autori u është referuar edhe fjalëve që i kishte përdorur Gjergj Fishta në poemën madhore “Lahuta e Malcis”, gjë sikundër e ka shprehur prof.dr.Tefë Topalli, njëri nga recensuesit zyrtar të veprës,  përbën ”një vlerë të shtuar” të këtij Fjalori.

Recensuesit, specialistë të leksikologjisë e të dialektologjisë shqiptare dhe albanologët të njohur, kanë theksuar se “para së gjithash Fjalori nxjerr në pah pasurinë shumë të madhe që kanë këto të folme, si dhe afrinë e tyre njëra me tjetrën. Kjo afri është e tillë që rrëfen se në Malësi të Madhe, me gjithë shtrirjen e saj të gjerë tokësore, më fort se për një grup të folmesh, mund të flitet për një të folme të vetme, me disa dallime e luhatje brendapërbrenda.

Qysh në vitin 1916, Maksimilian Lamberci, duke theksuar afrinë e të folmeve të pjesëve të ndryshme të Malësisë, shprehej në këtë mënyrë: “Kështu p.sh. dialektet lokale të Kosovës dhe të Gjakovës, në bazë të vetive të tyre tingullore dhe flektive, formojnë një grup; prej këtij grupi dialektet lokale të Malësisë që janë shumë afër njëri-tjetrit  na përçojnë ke dialekti i qytetit të Shkodrës, i cili qëndron autonom për sa u përket vetive të tij.”

Dhe, për ta mbyllur, po edhe për arsye kompetence shkencore, po e përfundoj fjalën time me vlerësimin e prof.dr.Tefë Topallit, i cili, ndër të tjera, ka theksuar:

 “Vepra “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” synon të jetë dëshmi  e pasurisë së madhe leksikore e frazeologjike dhe etnolinguistike  të një krahine kaq tipike të Shqipërisë veriperëndimore, po edhe të jetë  si mbështetje për studime të ndryshme që mund të bëhen në të ardhshmen për krejt të folmet e shqipes ose edhe veçmas për sa nden kjo krahinë me hapësirat e fjalëve, kuptimeve dhe shprehjeve të qëndrueshme frazeologjike, si dhe me një numër të madh fjalësh dhe emërtimesh kushtuar veglave muzikore, dokeve dhe praktikave të ndryshme etnofolklorike e etnolinguistike, të cilat, në fakt, e bëjnë këtë vepër edhe mjaft të veçantë në grupin e fjalorëve të shqipes.  Kjo veçanti, duket si në  vëllimin e fjalësit, ashtu në trajtimin leksikografik të lemave  që përmban, në hapësirën e strukturave kuptimore e të shpjegimeve, përfshirë zgjerimin e ngushtimin e kuptimeve të tyre etj.  

  “Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe” sjell gjithashtu, një begati leksemash, kuptimesh, thëniesh e shprehjesh frazeologjike, shoqëruar edhe me shumë fjalë të urta e shprehje urtake tipike malësore, që i shërbejnë njohjes së pasurisë gjuhësore shpirtërore të gjuhës shqipe, në njërën nga krahinat më të dallueshme  të Shqipërisë. Ka aty, veç tjerash, emra kafshësh e bimësh, mënyra të thëni e përshëndetje tipike malësore, betime, urime e mallkime, si dhe një numër jashtëzakonisht të madh togfjalëshash e etnikësh që e dallojnë Malësinë e Madhe si gurrë e pashtershme shqiptarie. Autori ka mbledhur e përfshirë në të, gati gjithçka, nga leksiku dhe mënyrat e kumtit nga vendësit e Malësisë, duke bërë ekonomi me mënyrën e dhënies së tyre, për të vënë në dorë të përdoruesve të tij një lëndë sa më të madhe të mjeteve të shprehjes gjuhësore. Autori ia del  që shpjegimet e kuptimeve të jenë sa më të thjeshta e të përshtatshme për përdoruesit e tij.”

Bashkohemi plotësisht me vlerësimin e prof.Topallit, që shprehet se “Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe” , si për nga vlerat mirëfilli studimore, ashtu edhe nga prurjet konkrete nga hulumtime të bëra në vendbanime të ndryshme të Malësisë, dhe në vendet e tjera ku janë shpërngulur malësorë, si Bregun e Matës, në Ishull të  Lezhës e të Shëngjinit, në vetë qytetin e Lezhës dhe në pjesën e Malësisë që ka mbetur jashtë kufijve shtetërorë në Mal të Zi, meriton të botohet në kolanën e botimeve të Akademisë së Shkencave dhe përbën një ndihmesë me vlerë për kërkimet në lëmin e dialektologjisë dhe të sociolinguistikës shqiptare edhe në planin bashkëkohor, aq më tepër, duke marrë parasysh se autori i kësaj vepre gjuhësore, është folës i lindur i kësaj treve të pasur edhe në planin e gjuhës sonë.” (Prof.dr. Tefë Topalli, Tiranë,13 dhjetor 2020).

Fjala e recensuesve është bërë realitet dhe ne sot kemi mundësinë ta marrim në dorë Fjalorin dhe, sigurisht, t’i urojmë autorit, malësorit tonë, profesorit të nderuar që, pavarësisht se po shkon nga të tetëdhjetat, të ketë shëndet të mirë e jetë të gjatë dhe, ashtu si deri sot, të na gëzojë edhe me studime e libra të tjerë. Jam në dijeni se, së afërmi, del nga shtypi edhe një libër tjetër i prof.Shkurtajt, në kolonën e Akademisë së Shkencave,  në të cilin ka trajtuar rëndësinë e këngëve popullore e sidomos të Eposit të Kreshni\këve si përmendore madhështore e kulturës së të folurit.

Jetë të gjatë e shëndet, Profesor!

Tuz, 25 gusht 2022- me rastin e përurimit të  Fjalorit, në kuadër të Panairit të Librit .

Filed Under: LETERSI

Andrra e pambarueme / Poezi nga Argjira Ukimeri

August 22, 2022 by s p

Andrra e pambarueme

Ti je andrra e pambarueme

Që ec nëpër kokën time

Edhe n’kohën ma t’lumnueme

I jep ngrohtësi jetës sime

Ti që ndjenë edhe idhnimin

N”mue lëshon veç trishtim

Askujt ti mos ja fal gzimin

Se për mu asht veç drithërim

Njajtë si dielli që rreze lshon

Ashtu je ti n’ndjenjat e mia

Sikur dashnia që rënkon

Kurrë n’mue nuk vdes uria

Ti je andrra e dashnisë

Që asnjeherë nuk e braktis veten

Ti je ndjenja e paudhnisë

Pa e treguar të vërtetën

Ti qè s’kuptove sytë e mia

As ma pak përvujtninë time

Qysh atëherë kur fillon mërzia

Nëpër shekuj e përjetime

Qysh n’gjithësi kur yjet dalin

Fytyrën tande unë e andrroi

Edhe mendimet tua ndalin

Çdo herë andrra ktu mbaroi

Ti që s’din çka asht mallkimi

Kur n’mua qëndron ti

Qysh atëherë kur m’zë trishtimi

Fluturoi në Agoni

Nëpër tundimet e kësaj bote

Edhe n’dhimbjet e mia të gjata

Nuk gjejë qetësi nga heshtja jote

Ku mes nesh jeton shtrëngata

PA TY

Unë pa ty jam çdo herë e humbur

Sa herë largohesh nga mendja ime

Mua asgjë nuk më ban të lumtur

Përveç jetës plotë pikëllime

Të mendoi çdo ditë e natë

Nuk më thotë mendja që të mallkoi

Edhe atëherë kur është shtrëngatë

Kur jam me ty çdo gjë harroi

Mos vono në pritjet e mia

Të pres unë me padurim

Kur çdo herë troket mërzia

Ti je ndjenja e shpirtit tim

Ty të kam unë rreze dielli

Që ngrohë çdo herë qenien time

Sikur kaltërsia e këtij qielli

Ndriçon çdo herë zemrën time

Yjet neve na bëjnë dritë

Në ujëdhesën tonë të dashurisë

Edhe hëna po shëndritë

Përmes udhëve të dashurisë

Argjira (Ari) Ukimeri

Prizren, Korrik 2022

DASHURISË

Unë çdo herë kam me t’kujtue

Nëpër andrrat e mia t’gjata

Asnjëherë s’skam me t’harrue

Derisa të mbaroi dhe nata

Lundro ti n’kujtime t’mia

Sikur anijet nëpër dete

Kur në mue hyn mërzia

Nëpër brigjet e kësaj jete

Ti nuk e din çka asht idhnimi

Përveç n’kohën kur unë t’kujtoi

Qysh atëherë m’kap trishtimi

Gjithmonë nga jeta s’të largoi

Ti je buzëqeshje ledhatuese

Ndjenja ma e mirë e lumturisë

Në çdo moment je drithëruese

N’kohërat e arta t’dashurisë

Ti që nuk e di çka asht trishtimi

Në errësirën e kësaj jete

Qysh atëherë m’shfaqet gëzimi

N’mendjen time çdo herë ti mbete

Sikur dhimbja që s’e vret veten

As oqeanet që nuk fundosen

Je diell që e ngrohë vetë jetën

Mbi jetën tonë hirësitë vendosen.

Argjira (Ari) Ukimeri

MR.SC. Pedagoge

Qershor 2022, Prizren

Filed Under: LETERSI

DRAMA PERPARA TREGIMIT

August 22, 2022 by s p

Naum Prifti/

Unë kam debutuar në gjininë e dramaturgjisë në moshën 13 vjeçare, shumë vite përpara se të shkruaja tregimin e parë.

Vendlindja ime është një krahinë e largët rrëzë malit të Gramozit. Aty zanatet kryesore ishin ndërtimtaria dhe punët bujqësore e blegtorale. Mirëpo nga viti 1945 teatri erdhi në Rehove nëpërmjet grupeve amatore të reparteve ushtrarake. Ata vinin nga Erseka për të dhënë shfaqje, kryesisht skeçe humoristike e ndonjë komedi të shkurtër ose të shkurtuar prej tyre. Ne nuk ishim në gjendje të gjykonim për nivelin e shfaqeve, por na pëlqenin këto forma të artit që na bënin të qeshnim dhe na argëtonin. Pas largimit të trupës, ne si fëmijë e zgjatnim kënaqësinë duke përsëritur episode ose replika nga dialogjet e shfaqes.

Deri atëherë unë kisha shkruar gjithë–gjithë një vjershë, të cilën ua kisha recituar shokëve të mi. Ata qenë habitur paksa që atë e kisha “hapur” unë. Më shumë se krijimi origjinal mua më tërhoqi interpretimi para grupit dhe recitimi, ngritja e ulja e zërit, shpejtësia apo ngadalësimi e më në fund duartrokitjet. I nxitur nga shfaqjet e teatrit që vinin në fshat më hipi dëshira të shkruaja një skeç humoristik për ngrindjen midis një fshatari e një mullixhiu. Mullirin e njihja mire se ne kishim pronësi njërin prej tyre dhe aty mund të gjeja me lehtësi material jetësor apo të sajuar. Por vënien në skenë të skeçit tim të parë nuk e kam harruar jo se ishte shkruar mjeshtërisht, por për incidentin që ndodhi në premierën e tij. Shtëpia jonë kishte oborrë nga tri anë të saj që e lehtësonte, për mua dhe moshatarët, ndërtimin e një “skene” pa penguar punët e të rriturve. Skena ndahej nga publiku me një çarçafë të nderur mbi litarë. Dhe kuptohet se ngritja e çarçafit sinjalizonte fillimin e shfaqjes.

Konflikti i pjesës shpërthente për një qeskë misri të pabluar dhe tonet e sharjeve vinin duke u ngritur derisa personazhet kacafyteshin në lojë skenike. Mirëpo Llambi i Andresë, në rolin e grindavecit, mori zjarr gjatë shfaqjes. Ai doli nga teksti dhe filloi ta shante partnerin me fjalët më të ndyra, ashtu siç shaheshim me njëri tjetrin kur ziheshim. Nga ato sharje të rënda, “mullixhiu” u egërsua aq sa e përfshiu Llambin për mesi dhe e shtriu për tokë. Kacafytja qe reale e në fillim u pëlqye shumë nga “spektatorët” veçse shpejt u kuptua që goditjet e grushtat ishin të vërteta dhe prandaj u desh të ndërhyhej për t’i ndarë. Nuk qe nevoja të mbylleshin çarçafët që shërbenin si perde sepse në anën e “sallës” nuk mbeti askush. Të gjithë spektatorët u bënë pjesëtarë të asaj skene boksi pa improvizim. Skeçi u harrua, po finalja e tij kurrë.

Episodi i ardhshëm ishte në fund të vitit shkollor 1947 kur dhamë komedinë e Çehovit “Ariu”. Unë kisha një rol shumë të vogël. Regjisori ynë, mësues Mistoja, kishte vërë re se unë shtoja fjalë te miat gjatë provave, prandaj me porositi disa herë të mos e përsërisa gabimin në shfaqen para publikut. Me gjithë respektin për mësuesin, nuk munda t’i rezistoja tundimit tim të brendshëm prandaj e thashë para publikut replikën time të zgjedhur. Kur partneri sipas tekstit më pyeti  “Vdiq? Po si ngjau?, unë iu përgjigja: “Më duket se harroi të merrte frymë.” Për fat të mirë në sallë shpërthyen të qeshura dhe suksesi e zbuti zemërimin e mësuesit. 

Në librat e pakta që kishim në shtëpi asokohe, ndikim të veçantë për edukimin e shijeve letrare të mia në moshë të hershme, pati antologjia “Shkrimtarë Shqiptarë” – Pjesa I. Aty lexova pjesë të zgjedhura nga letërsia shqipe. Antologjia e hartuar nga Ernest Koliqi, Filip Fishta e Namik Resuli është një nga tekstet më të mira për shkollat e mesme sepse autorët kishin njohuri të gjera dhe si intelektualë të shkolluar në universitetet më të mira kishin ditur çfarë të zgjidhnin. Më kujtohet se unë lexoja vetëm fragmentet letrare, pjesët në prozë e poezi, kurse jetëshkrimin e autorëve e kaloja sikur të ishte në gjuhë të huaj dhe sikur të gjitha ishin shkruar nga e njëjta dorë. Vetëm pas një viti, kur fillova të lexoja romane, nisa t’i kushtoja vëmendje çdo libri si krijim i veçantë i autorit. Nga antologjia mbaj mend se më ka pëlqyer poema e V. Prenushit për një vajzë që qendiste një flamur me shqiponjë dhe kur e ëma e pyeste pse po qante, vajza përgjigjej: “Nanë, dashnia më ka molisë, prandaj kjaj o tue qëndisë,” më magjepste Kënga e Tretë e Lahutës së Malësisë “Preja” nga Gjergj Fishta, ku Oso Kuka pas dëgjon kujen e motrës vajtore për Vraninasin Avdi Hisa, “i u ba vlla” atij “me i a këthye nderën Shqipnis” “kundra gjaksorëve malazez”, mrekullohesha nga Kënga e 11 “Marash Uçi” dhe një copë letrare “Te kroni” të cilës ia kam harruar poetin.

Më ishte ngulitur një shprehje “prefli bisha!” të cilën e kisha shënuar me bojë mbi kapak që ta gjeja lehtë numrin e faqes ku ndodhej. Tingellimi i mallkimit gegërisht (të preftë bisha) më dukej mahnitës ende pa ia ditur kuptimin. Dhe nga ajo kohë kam mbledhur dhe qëmtuar shprehje popullore dhe fjalë të vjetra si në gjuhën e folur ashtu edhe nga folklori shqiptar. Në antologji ishte edhe një fragment i komedisë  “14 vjeç dhëndër” i Çajupit, pjesa e dialogut mes bashkëshortëve për të martuar djalin e tyre e për t’i zgjedhur nusen. Ndërsa bisedonim me shokët se çfarë mund të vinim në skenë, unë u rekomandova komedinë e Çajupit se ajo të shkrinte në gaz. Mitraqi dhe Kristoja që e lexuan njëri pas tjetrit, e pëlqyen mendimin tim, por me të drejtë vërejtën se komedisë i mungonte një pjesë dhe nuk merrej vesh si përfundonte. Atëherë unë mora përsipër ta ‘plotësoja’ boshllëkun duke shkruar vazhdimin e ngjarjes dhe përfundimin e saj. Shokët e pritën me kënaqësi të madhe propozimin tim. Nuk di çfarë shkruajta në vargje, se shkrimi kaloi dorë më dorë dhe dorëshkrimi nuk dihet ku përfundoi. Sot jam shumë kureshtar të di se çfarë shkrova në atë moshë  të njomë. Nuk e di sa afër apo sa larg isha nga subjekti i komedisë së Çajupit por e di se si shkrimtar profesionist kurrë nuk do ta kisha atë guxim që pata si adoleshent. Gjatë viteve të krjimtarisë sime letrare kam vërejtur se si amatorët dhe injorantët bëjnë tentativa të paimagjinueshme ngaqë nuk e kanë konceptin e vlerës së artit. Komedia jonë nuk e vu në skenë mbasi atë vjeshtë filluam shkollën unike në Ersekë. Nga njëra anë mësimet u shtuan ndërsa koha u kufizua dhe nga ana tjetër shkolla kishte programin e saj artistik.

Ne një vëllim me tregime nga Aleksei Tolstoit, që atehere sapo ishte përkthyer në shqip, u mahnita nga tregimi “Karakteri rus”. Besnikëria e vajzes ruse pas të fejuarit përkonte me psikologjinë tonë, prandaj mendova se duhej dramatizuar. Sot, që kam një përvojë të gjatë dramaturgjike, nuk do të guxoja kurrë t’i futesha një ndërmarrjeje të tillë. Kurse atëherë m’u duk shumë i lehtë konvertimi. Duhet të them se guximi i amatorëve meriton vendin e vet në art pavarësisht nga arritjet artistike. E planifikuam ta vinim në skenë me klasën tonë të shkollës unike. Drejtori e pëlqeu por rekomandoi që dorëshkrimin ta dorëzonim në zyrat e Frontit Demokratik, që ta shihnin edhe ata. Kërkesa më ra si një dush i ftohtë. Pse duhet ta shihnin njerëz jashtë shkollës? Nuk besonin ata në ndeshmërinë time? E ndjeva veten të fyer që dikush donte të mbikëqyrte nëse u kisha qëndruar besnik ideve të shkrimtarit sovjetik. Isha i ri për të kuptuar se partia kishte vendosur censurë mbi shfaqjet dhe e kundërshtova sugjerimin e tij. Drejtori e mbylli bisedën me fjalinë: “Kështu janë rregullat!” E dorëzuam dorëshkrimin në zyrat e Frontit dhe miratimi na erdhi shpejt, po mbëkqyrja më la një shije të hidhur që nuk e harrova kurrë.

Gjatë viteve të studimit në Politeknikumin Mjekësor, mbaj mend se erdhi aktorja Esma Agolli për ngritjen e grupit teatral të shkollës. Për herë të parë shihja një aktore të gjallë, prandaj dëgjoja i mahnitur mendimet e saj për teatrin. Fillova të ëndërroj se më kishte ardhur radha të ngjitem në një skenë të kryeqytetit mbase me ndonjë rol të denjë për talentin tim të pareklamuar si aktor në pjesët skenike në Rehovë apo Ersekë. Mirëpo pas mbledhjes së parë, grupi u shkri pa ardhur vera dhe aktorja e vërtetë nuk u duk më.

Aty më duket se u tehasën edhe ëndërrimet e mia për karrierë skenike por pasioni për artin teatral dhe filmik mbeti i pashuar.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Naum Prifti

NJË LIBËR KORAL I DHIMBJES DHE VUAJTJES, NDËRKAQ DHE UNIVERSAL…

August 21, 2022 by s p

C:\Users\User\Downloads\IMG_7600 (1).jpg

Botohet në Itali romani “Rugët e ferrit” i shkrimtarit Visar Zhiti. 

“Kjo është dëshmia e tragjedisë së jetuar në heshtje nga mijëra njerëz, opozitarë, disidentë dhe martirë të diktaturës së përgjakshme komuniste. Një përvojë e jetuar në vetën e parë dhe e shndërruar në një rrëfim që, për shkak të karakterit të saj universal, interpreton emocionet, kujtimet, vuajtjet dhe mizoritë e padëgjuara të atyre që patën fatin e keq të përplaseshin me uniformat e policisë politike të Enver Hoxhës.  Visar Zhiti u burgos pikërisht për veprën e tij poetike, e shmangur nga dogmat mbizotruese të realizmit socialist.  

Ndodhitë e tij, që janë të njeriut, na japin një thyerje të pamëshirshme, si të papërpunuar dhe të vërtetë mbi gjendjen çnjerëzore të të burgosurve politikë të burgjeve enveriste në sistemin mizor.”

Kështu shkruhet në kopertinë të librit “Rrugët e Ferrit”, me nëntitull “Jeta ime në burgun e Spaçit”, botuar këtë vit në Itali nga Editori “Besa”, me përkthimin plot forcë të Profesor Matteo Mandalá, shef i katedrës së Albanalogjisë në Universitetin e Palermos, autori i shumë botimeve dhe studimeve dhe artikujve kritikë, të nohur në botën Universitare në Europë dhe me gjerë.

“Sulle strade dell’inferno” (“Rrugët e ferrit”) është shpërndarë tashmë në të gjitha libraritë e Italisë dhe ka tërhequr vëmendjen e lexuesit, por dhe të shkrimtarëve dhe kritikëve italianë. Të 576 faqet e librit “Sulle strade dell’inferno” (Rrugët e ferrit) vlerësohen për dëshminë artistike dhe gjuhën e tyre tronditëse, aq sa të zhveshur, po aq aq dhe metaforike, plot dhëmbje si e tragjedive, por dhe me finesat lirike,

Në ballinë të librit është vendosur një pikturë e Atjon Zhitit, birit të autorit, me plot natë e dritare të shtrembëta dhe një masiv i zbardhëllyer, që më shumë se sa një hënë e madhe, duket si ortek bore a shkëmb fatal.

Dhe në përthyerjen e parë është vendosur një pjesëz nga libri, pikërisht kjo: 

Burgu i vërtetë, më i rëndë, i padurueshëm fillon kur gjithçka përsëritet. Njëshmëria. Asgjë e re nga fronti i skëterrës. E tmerrshme. Po ajo bukë e zezë e po ata policë të zinj. Ajo lopatë dhe guvë dhe po ai Vit i Ri, aspak i ri. Uria po ajo, si bora që mbulon gjithçka. Vdekja s’është më vdekje, por përsëritje e vetvetes. Puna nuk është më punë. Familja s’është familje. Njeriu nuk është më njeri. Asgjë s’është më ndryshe. Ditët janë ulëritshëm njëlloj. Si prangat, si ulërima. Si uji që rrjedh kot në çezmat e burgut. Po ai qiell e gumëzhima nën të. Telat me gjemba po ata. Tjetri po ai. Si vetvetja. S’ka më emocione. Dhe asnjë grua në ëndërr. Truall i tredhur. I harruar. I humbur. Si lëkurë kafshe të ngordhur. Diktaturë. 

Ndërsa në përthyerjen e kopertinës së pasme është një shënim i shkurtër për autorin:

VISAR ZHITI, poet dhe shkrimtar shqiptar, në vitin 1979 u dënua me dhjetë vjet burg për poezitë e tij “dekadente dhe intimiste”, në kundërdhtim.me ç’detyronte realizmi socialist.  Permbledhjet e tij me poezi nga “Kujtesa e ajrit” (“Memoria del vento”, 1993) te “Dyert e gjalla” (“Le porte vive” 1995) dëshmojnë jetën në burg dhe agun demokracisë, 

Ka botuar tregime e romane, të përkthyer në gjuhë të ndryshme, mes të cilëve dhe “Funerali i pafundmë” 2017. 

Është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitin 1996, minister i kulturës në 2013. Ka marrë shumë çmime për veprimtarinë e tij letrare, mes të cilëve “Ada Negri” në 1997 dhe Çmimin Ndërkombëtar “Mario Luzi” për poezi të pabotuara. 

Vepra nis me shënimin ashtu si dhe në shqip, edhe në italisht:

“Roman me personazhe reale e ngjarje që s’do të doja të ishin të vërteta, ndërkaq nuk shpika asgjë, vetëm përzgjodha nga përjetimet. Por të shkruarit e tyre ngjante me një tjetër burg”.    

  *   *   *

Me daljen e romanit “Sulle strade del’inferno”, gazetaria dhe njohësja e letërsisë shqipe, të përkthyer në Itali, Anna Latanzi i mori një intervistë autorit për median e vendit të saj. Visar Zhiti është i njohur në Itali me poezinë e tij dhe romanet dhe është vlerësuar me shumë çmime letrare. Ky korpus është përkthyer mjeshtërisht nga Profesor Elio Miracco dhe ka marrë shumë çmime letrare në Itali Ndër të tjera gazetarja shkruan: …e rijetova emocionalisht atë kohë… Është një libër koral, i përbërë nga dhimbje dhe vuajtje. – A ishin vërtet ato poezi kundër? – pyet gazetarja italiane. – Në çfarë fryme i keni shkruar ato? Dhe Visari përgjigjet: – Kam dashur të shkruaj me shpirtin tim… Siç thoshte i madhi Umberto Eco, madje duke cituar Visar Zhitin, që regjimet totalitare donin në shërbim të tyre poezinë dhe poetët. “Nëse kompozimet e tyre nuk ishin në favor të diktaturës, ato konsideroheshin kundër dhe asnjëherë thjesht krijime të atyre që shkruanin poezi. Ashtu siç ndodhi me Visar Zhitin, i cili dërgoi një libër me poezi dhe kur regjimi lexonte vargjet kushtuar trëndafilave, (është fjala për përmbledhjen e Zhiti “Rapsodia e jetës së trëndafilave”, shën. bot.) dhe jo pushtetit, ato gjykoheshin si kundërshtare të diktaturës”.   Në atë kohë, dëshmon Visar Zhiti, kur shkruaj fshehurazi në burg, mendoja të shkruaja për të lënë një dëshmi;  më vonë, kuptova se motivimet ishin shumë më të thella, më magjike dhe pothuajse të frymëzimit hyjnor… Ne donim të krijonim lirinë tonë, sepse kur shkruan, shpik lirinë tënde dhe je njësoj si të gjithë shkrimtarët e tjerë jashtë burgut, me ata që janë në Romë, Paris, Moskë, Uashington etj.  Për këtë arsye regjimi e ndalonte poezinë, sepse në atë moment je i lire… – Do të ishte e drejtë që ata njerëz që bënë keq të kërkonin falje? – pyet gazetarja italiane.  – Në Shqipëri munguan dy çështje të rëndësishme, përgjigjet Visari, – të kërkuarit falje nga ata që bënë mëkate kriminale dhe dënimin moral e ligjor të diktaturës… Unë mund t’i fal ata që më kanë dënuar mua, por nuk mund të fal për të tjerët që janë vrarë e s’janë më, ata që kanë lënduar Shqipërinë. Kanë të drejtë të falin të pushkatuarit, – përfundon Zhiti – Poezitë e mia janë hakmarrje ime dhe falja ime… Ky ishte dhe mesazhi që gazetarja gazetarja italiane, Anna Latanzi vuri në krye të intervist:es. Është për t’u përshëndetur, por dhe për të mësuar nga kritika italiane, që ndryshe nga kritika e komplesuar shqipare, e sheh dhe e vlerëson kumtin njerëzor dhe tekstin e veprës duke e ngritur në lartësinë e universales, ku kritika jonë vetëm ngurron. Për çdo botim të Visar Zhitit në Itali ka patur jehonë në gazetat e mëdha italiane, kur për librat e tij kanë shkruar dhe Mario Luzi, poet i madh i poezisë së shekullit XX, Sebastiano Grasso, Presidneti i PEN Clubit Italian, poeti dhe gazetari i njohur, etj, deri dhe Umberto Eco, një nga mendjet më të ditura, semiolog, dijetar dhe shkrimtar me njohje botërore.

Nga Lajmëtari i së Mirës.        

Sulle strade dell'inferno. La mia vita nel carcere di Spaç
Rruget e ferrit, Visar Zhiti

Ballina e librit në italisht dhe shqip

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 132
  • 133
  • 134
  • 135
  • 136
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT