Anton Cefa/
Ndërgjegjja koniciane – baltë shqiptare e shpirtësuar në Evropë – aq e pasur në përmbajtjen e saj, duket se një ndër dimensionet kryesore pati demokracinë: demokracinë në ideal, demokracinë në formim, demokracinë në veprim. Prandaj, atdhedashës në zemër, liberal në shpirt dhe demokrat në bindje, siç qe, Konica e quajti veten të përgjegjshëm për të mëkuar e mbrujtur parimësinë dhe edukatën demokratike në shpirtin vatran dhe në atë shqiptar, në përgjithësi.
Përgjegjshmërinë për ta njëmendësuar shpirtin demokratik në ndërgjegjet shqiptare, ai e realizoi në dy rrugë: në punën e drejtpërdrejt në gjirin e “Vatrës”, dhe duke ndikuar në gjendjen në Shqipëri. Konstatimi i parë që bëjmë në këtë rrafsh është ky: “Vatra” u konceptua dhe funksionoi si organizatë thellësisht demokratike; ajo u formësua si shkollë e mësimit dhe e stërvitjes demokratike. Qe shpirti demokratik i udhëheqësve të saj, sidomos i Nolit dhe i Konicës, që frymëzoi jetën, tharmoi bëmat, jetësoi sukseset dhe skaliti historinë e saj aq të frytshme e pozitive për historinë tonë kombëtare.
Dy janë kushtet e karakterit demokratik të një organizme shoqërore: ligjëshmëria e miratuar demokratikisht dhe rigoroziteti i plotë i zbatimit të saj. Rregullorja dhe zbatimi i saj me përpikmëri kategorike në kohët e arta të jetës së “Vatrës” dhe, në njëfarë mase, edhe më vonë, përbëjnë dëshminë më të qartë e më të plotë të strukturës ndërtimore dhe të veprimtarisë demokratike të kësaj organizate. Në nyjën 73 të Kanunores dhe Rregullores së saj, thuhet: “Çdo njeri që pranon të jetë anëtar i Vatrës zotohet t’i bindet Kanunores dhe Rregullores pa nonjë bisedim”.
Për konkretizim të jetës demokratike të “Vatrës” mund të sjellim këtu ndonjë shembull nga organizimi i kuvendeve. Kuvendi ishte organi më i lartë vendim-marrës i Federatës. Në kuvend zgjidhesh komisioni qëndror që drejtonte veprimtarinë e “Vatrës” në hapësirën kohore mes dy kuvendeve. Kuvendet bëheshin çdo vit, zakonisht në muajin e korrikut, dhe zgjasnin disa ditë. Në kuvend mblidheshin delegatët e zgjedhur nga degët, simbas udhëzimeve strikte të kanunores. Mbledhja hapej nga kryetari i “Vatrës” dhe më pas zgjidhej drejtuesi i kuvendit (chairman-i), sekretari, kontrollorët dhe reporteri. Drejtuesi i kuvendit ishte i plotfuqishëm. Me interes për karakterin e funksionimit demokratik të kuvendit është fakti që në të merrte pjesë komisioni qëndror i “Vatrës”, por pa të drejtë vote, e cila i takonte vetëm delegatëve. Komisioni “munt të marrë pjesë në bisedimet vetëm për të dhënë shpjegime”, thuhet në nyjën 36, f. 8. Drejtues i kuvendit të vitit 1916 u zgjodh Kosta Isak dhe sekretar Ndreko Stavrua. Siç na e tregon Gurrazezi në “Historinë e Federatës”: “Në sesionin e katërt u ashpërsuan bisedimet dhe delegatët kërkuan daljen e zyrtarëve të Vatrës (d.m.th., të komisionit qëndror; sqarimi im, A.Ç.) dhe të Kristo Dakos jashtë nga kuvendi, q’ashtu të bisedojin në qetësi.” Kështu u nxorën jashtë kryetari dhe themeluesi i “Vatrës”, Fan Noli, bashkë me anëtarët e tjerë të komisionit qëndror dhe Kristo Dako, delegat i degës nr. 10, Southbridge, Mass. Në këtë kohë Noli dhe Dako kishin mosmarrëveshje me njëri-tjetrin për probleme të ndryshme, sidomos të orienntimit dhe veprimtarisë politike të “Vatrës” dhe Dako kishte ambicie për t’i zënë vendin Nolit. Ata u thirrën të bënin pjesë në mbledhje vetëm mbasi u krijua atmosfera e nevojshme për vazhdimin normal të punimeve. Në fund, kuvendi zgjodhi si kryetar Vatre Kolë Tromarën. Duke folë me admirim për funksionimin demokratik të kuvendeve, Gurrazezi ka shkruar në “Dielli” në v. 1974: “Ahere kish vërtet rregulla parlamentare në Vatrë”.
(E themi këtu, ndër thonjëza që në jetën e “Vatrës” herë pas here i kushtohej rëndësi edhe anës ceremoniale të veprimtarive. Mbas përfundimit të Kuvendit të v. 1917, i cili zgjati 12 ditë dhe u zhvillua në 19 sesione; “Komisioni i vjetër – siç na e tregon Gurrazezi, – i dorëzoi zyrat e Vatrës Komisionit të ri . . . Kur u bë cermonia e dorëzimit të zyrave kryetari i vjetër i dorëzoi Flamurin e Vatrës kryetarit të ri, dhe mbajti një Fjalë të shkurtër. Kryetari i ri u përgjigj kështu: ‘Z. Kryetar: Flamurin që më jipni sot në dorë përpara këtyre zotërinjve dhe shokëve të nderuar është i vetëmi që valon kryelartër dhe i patundur nga fortunat armike dhe nga rebeshi i Luftës Evropiane, i vetëmi dhe m’i shtrenjti Flamur i lirë mi të vetëmen fortesë kombëtare të çelniktë t’ Amerikës. Flamurët dhe fortesat e tjera kombëtare brenda dhe jashtë Shqipërisë kanë rënë dhe i kemi qarë njërën pas tjatrës pa ngushëllim. Po ky s’ka rënë dhe as që do të unjet kurrë sa kohë që rron një Shqipëtar në këtë Republikë të madhe, edhe Ky Flamur do t’i përmbledhë, do t’i organizojë dhe do t’i udhëheqë forcat kombëtare të arratisura në luftën e shenjtë për të çliruar dhen’ e stërgjyshërve. Lufta e këti Flamuri, e kësaj fortese dhe e ushtarëve trima të saj do të mos pushojnë gjer sa të ngulet shigurisht dhe të rrënjoset i paçkulur në Shqipëri Flamuri i Skendërbeut . . . ”. Shënojmë këtu që kryetari i vjetër qe Kolë Tromara, kryetari i ri që u zgjodh në këtë kuvend qe Fan Noli.).
* * *
Nënshtrimi ndaj ligjit të vendosur demokratikisht përjashton qëndrimet revolucionare. Në rregullore i është mëshuar një çështjeje të tillë. Aty thuhet, në nyjën 7: “Një njeri që beson në përmbysien e Guvernës Amerikane me mjete revolucionare, ose kriminale, ose të pakanunëshme në çdo mënyrë që qoftë, nuk pranohet si anëtar i Vatrës; dhe në qoftë se ka qenë pranuar nga lajthimi ose nga mosdija e një zyrtari, emëri i tij do të shuhet nga lista e anëtarëve.” Dhe në nyjën 8: “Një njeri që ka marrëdhënie me revolucionarë, që i përkrah këta me para ose me artikuj ose me konferenca ose me çdo mënyrë tjatër, nuk pranohet si anëtar i Vatrës edhe sikur vetë të jetë njeri i ndershëm e i urtë dhe faji i tij të jetë vetëm një faj moskuptimi. Në qoftë se një njeri i këtillë u-pranua më parë si anëtar i Vatrës, do të shuhet nga lista e anëtarëve.” Po kështu, në lidhje me gazetën “Dielli”, në nyjën 45 thuhet: “Fryma e gazetës do të jetë përparimtare, po antirevolucionare.”
Konsekuenca në parimet demokratike të organizimit shtetëror dhe shoqëror e ka karakterizuar jetën dhe veprimtarin e Konicës. Nëse Namik Resuli e pati quajtur atë “i pari toskë që trashëgoi mendësinë e një populli evropian”- siç e kemi përmendur më parë, Qerim Panariti, botuesi i veprës postume të Konicës: “Albania: The Rock Garden of Southeastern Europe and other Essays”, në Fjalën hyrëse: “Faik Konitza: One Man Crusader”, ka shkruar: “Konica qëndroi në Shqipëri gjatë gjashtë muajve të mbretërimit të Wilhelm Wiedi-it, … por refuzoi çdo pozitë qeveritare; megjithëse ai ishte udhëheqësi i parë i Shqipërisë dhe eksponenti më agresiv për një Shqipëri demokratike.” Më poshtë, Panariti na tregon se si Konica “duke diskutuar ndër kafene – në këto mjedise të përhershme politike ballkanase – u fliste shqiptarëve mbi të ardhmen e Shqipërisë, sipas metodës së bisedimit sokratik. . . . Kështu në një rast, ai shpenzoi dy orë duke shpjeguar formën angleze të qeverisjes parlamentare.” Megjithëse larg Shqipërisë, Konica dha një ndihmë vërtet të vlertë në vrullin më të fuqishëm të lëvizjes demokratike të vendit tonë, në vitet 1921-1924, duke mbështëtur me penë luftën e opozitës demokratike, të drejtuar nga Noli, Gurakuqi e Vinjau, kundër qarqeve çifligare-konservatore të kryesuar nga Zogu.
Gjatë këtyre viteve, “Dielli” qe ndaluar të hynte në Shqipëri, pikërisht për shkrimet e Konicës. Përmendim këtu diçiturën e një kartuni të Konicës, botuar në “Dielli”, më 2 qershor 1923, lidhur me zgjedhjet parlamentare – (thirrje që tingëllon aq aktuale edhe sot e kësaj dite, kur Shqipëria është bërë lojë e deputetëve ish-komunistë): “Popull! E ke në dorë shpëtimin t’ënt. Në të pëlqen të vuash nga uria, nga sëmundjet dhe të gjitha të ligat, dërgo në Parlament hajdutët dhe larot. Në dëshëron bukë, shëndet dhe prehje, dërgo në parlament njerës të mirë dhe të pastër”.
Për vrasjen flagrante të tribunit demokrat Avni Rustemi, Konica botoi disa artikuj, në njërin prej të cilëve shkroi: “Vdekja e Avni Rustemit, deputet i vrarë në kryeqytet brenda, nënë syt’ e gjykatores ushtëriake dhe të përfaqonjësve të huaj, shtie një dritë të shëmtuar mbi ndodhjen e punëve në Shqipëri.”
Por kur lëvizja demokratike hyri në rrugë të gabuar, mbas vrasjes së Avniut, ai i kritikoi dhe i denoncoi ashpër miqtë e shokët e tij. “Vatra – shkruan Gurrazezi – i dha përkrahjen asaj guverne (është fjala për qeverinë e dalë nga Lëvizja e Qershorit, shënimi im, A. Ç.) gjer në pikën e fundit, jo se e deshi aqë shumë, po vetëm për hatërin e Fan Nolit që e kryesonte, i cili kish qenë udhëheqësi i dashur i Vatrës. Vatra e këshilloj guvernën të bënte zgjedhje të përgjithëshme q’ashtu të quhesh ‘guvernë legale’ e zgjedhur nga populli, dhe jo revolucionare që hipi në fuqi me forcë . . . Këshilla e Vatrës ra në vesh të shurdhër . . .” Dhe më poshtë: “Vërtet Vatra i dha përkrahjen asaj guverne, po dhe organi i saj nuk ia kurseu kritikat kur e desh nevoja. Për shembull, kur u-muar vesh se në Tiranë po bëheshin lëvizje partish politike të ra nga njerëzit që shkaktuan gjakderdhjen e Qershorit, Dielli botoi një artikull të gjatë dhe të fortë kundra atyre njerësve, të shkruar nga kryetari i Vatrës Faik Konitza me titullin: “Komedia e partive, dhe reziku që qëllon në derë të theaters. Heqim për ribotim nga ay artikull këto radhë: ‘Nuk është nevojë të shikojmë shemblla në histori të shkruar, arrin të hedhim një sy në historin’ e sotme, për të kuptuar se Shtetet, si njeriu, lindin, riten dhe vdesin, – ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet. Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri, vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s’ka vend dhe trembem se diç do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vetë-qojturve ‘udhëheqës’ do t’u vijnë menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varit të saj: ‘U-ngjall nga idealistët, U-ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët”. (Ky artikull, fragmente të të cilit janë bërë proverbiale në kujtesën shqiptare, u botua në “Dielli” më 6 dhjetor 1924).
Luftën kundër krahut konservator e reaksionar të politikës shqiptare në këtë periudhë, ai e zhvilloi edhe në atdhe, kur Vatra nën drejtimin e tij, botoi gazetën “Shqipëtari i Amerikës” (1922-1924), e cila u përpoq të edukonte shqiptarët me principet dhe respektin e dashurinë për demokracinë amerikane dhe institucionet e saj.
Por edhe në qëndrimet e tij ndaj Lëvizjes Revolucionare të Qershorit, tek Konica u vërejtën lajthitje. Kur në ditët e para të fillimit të kësaj Lëvizjeje, Noli i dërgoi “Vatrës” telegramin: “Ushtëria Kombëtare merr masa për çarmatosjen e bashibuzukëve të Tiranës.”, botuar në “Dielli, më 3 qershor 1924, Konica si kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”, i përgjigjet: “Lutemi bëni të njohur ushtërisë kombëtare simpathitë t’ona prej zemre për veprimin patriotik të saj”. Dhe po ashtu, kur nolistët u futën në Tiranë, Konica dërgoi telegramin: “Boston, 12 Qërshor 1924 – Vatra uron ushtërinë kombëtare dhe udhëheqësit civilë e ushtarakë të revolucijes shpëtimtare për suksesin e çkëlqyer…”
Gjithsesi, aq i ashpër dhe arrogant kur shfrynte kundër politikanëve konservatorë, aq tolerant qe në mbrojtjen e parimeve demokratike. Më 11 mars 1924, me rastin e atentatit kundër Zogut, ai i dërgoi këtij të fundit këtë telegram: “Mora vesh lajmin e të shtimunit për vrasjen tuaj. Ndonëse kundërshtar politik, gëzohem për së tepërmi që shpëtuat.”
Marrëdhëniet e Konicës me Zogun më vonë karakterizohen, gjithashtu, nga parimësia demokratike dhe interesat e atdheut. Kur erdhi për herë të dytë në Amerikë për të marrë drejtimin e “Vatrës”, në v. 1921, ai filloi një fushatë të egër kundër Zogut dhe klikës së tij, që mbas 1920-s kontrollonin plotësisht Shqipërinë. Por Konica, që u kishte sugjeruar atdhetarëve shqiptarë që ngritën flamunrin dhe shpallën pavarësinë “të mos krijojnë një shtet oriental”, “të mos ngrenë një Turqi të vogël në Shqipëri”, “të mos ngrenë një bina të re me qereste të vjetër”, e shihte me dhimbje të thellë në shpirt se “mbeturinat e Turqisë u kthyen në Shqipëri, u shtruan këmbëkryq në kolltuqe dhe filluan të çqeverisin Shqipërinë sikurse kishin qeverisur Turqinë më parë.”
Kur Zogu në vitin 1925 u bë president, Konica u vu në shërbim të tij. Motivacioni: Zogu na mundi ne dhe luftën tonë dhe, si rrjedhim, të vazhdojmë luftën kundër tij nuk ka kuptim dhe, ajo që është më e rëndësishme, nuk është për të mirën e vendit. Për këtë qëndrim, shumë atdhetarë demokratë, antizogistë e antimonarkistë e denoncuan. Panariti, duke iu qasur këtij problemi, ka shkruar: “Në mbrojtje të tij, njeriu mund të shtojë që ai kishte iluzionin se mund të ishte një faktor frenues i regjimit tiranik të Zogut. Fatkeqësisht, influenca e tij mbi Zogun qe relativisht asgjë. Por, kur u shpall Zogu mbret, ai edhe pse ishte në shërbin të tij dhe vazhdonte të përfaqësonte Shqipërinë në Amerikë, e shprehu haptas pakënaqësinë e tij.
Marrëdhëniet e tij me Zogun dhe vlerësimin e tij për monarkun, Konica i ka treguar në esenë: “Farewell to Zog’s Albania”, botuar nga Panariti në librin: “Albania: The Rock Garden of Southeastern Europe and Other Essays”. Me interes për problemin që po trajtojmë është biseda mes Konicës dhe Abdyrrahman Krosit, që shoqëroi motrat e Zogut gjatë vizitës në Amerikë, në v. 1938. Ndër të tjera, Konica i thotë: “I thuej mbretit që sido qofshin kritikat e mia për regjimin e tij, ato do të mbetën brenda për brenda rretheve shqiptare; jashtë tyre, unë do të mbroj regjimin me gjithë aftësitë e mia. Unë do të vazhdoj t’i shërbej mbretit me besnikëri dhe me vullnet, sepse unë e përfaqësoj atë dhe sepse ai është kryetari i shtetit shqiptar. Por personalisht, unë kam përbuzjen më të thellë për karakterin e tij.” Dhe më poshtë Konica i tregon bashkëbiseduesit arsyet e opinionit të tij ndaj Mbretit, duke e karakterizuar atë me epitetet më të ulëta; për të cilat nuk po zgjatemi; por po shtojmë këtu se për Konicën: “I gjithë mbretërimi i Zogut nuk qe asgjë tjetër përveç një karnival i gjatë me një fund tragjik”.
Dimensioni demokratik i ndërgjegjes së tij e çoi Konicën natyrshëm drejt antikomunizmit. Ai qe kundërshtar kategorik i komunistëve dhe e kuptoi që heret dëmin që do t’i sillnin ata vendit tonë, prandaj ai i denoncoi me forcë. Ai e pati të qartë gjithashtu që mbas kësaj doktrine mashtruese e antidemokratike fshiheshin ambiciet politike pansllaviste. Dhe një nga shkaqet që u prish për disa kohë me shokun e bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Fan S. Nolin, qenë edhe simpatitë e këtij të fundit për komunistët rusë dhe Rusinë e sovjetëve.
* * *
Ne e përkujtojmë sot, me rastin e 130-vjetorit të lindjes, me ndjenjë të thellë mirënjohjeje, jo vetëm për të mos e harruar, por më së tepërmi për t’u ndriçuar nga mendimi i tij, për t’u ngrohur në zjarrin e dashurisë së tij për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe për t’u kalitur në vullnetin e bëmave të tij. Ai është e do të mbetet për një kohë të gjatë aktual me evropianizmin e tij luftarak. Ndërgjegjja shqiptare ka dhe do të ketë në të ardhmen nevojën e mësimeve të tij deri sa të shuhen nga ajo mbeturina mendësish aziatike dhe, përgjithësisht, lindore; derisa populli shqiptar të evropianizohet plotësisht dhe ta ndjejë veten të denjë e të merituar në gjirin e Evropës, prej së cilës pushtimi osman bëri çfarë i erdhi përdore për ta shkëputur, por nuk ia arriti.
“Shpirita” që ai i blatoi “Vatrës” dhe gjithë Shqipërisë do të jetë e pranishme gjithnjë në ndërgjegjen tonë; ajo do të na dritësojë kur ta lexojmë; do ta vlerësojmë kur të dritësohemi prej saj; dhe kur ta vlerësojmë do ta ndjejmë thellë, do ta vuajmë, ta duam dhe ta bëjmë tonën. Asnjë nuk do të mund të kuptojë vitytet dhe veset e shqiptarit pa e lexuar Konicën, asnjë nuk do të mund të depërtojë thellë në hiset e errëta e të ndiçuara të ndërgjegjes së shqiptarit dhe t’i kuptojë hallet e tij pa e lexuar Konicën, asnjë nuk mund të ketë vizion të qartë evropian për të ardhmen e Shqipërisë pa e lexuar dhe rilexuar Konicën.
Referencat:
Për t’iu shmangur referimeve të shumta, po jap vetëm botimet tek të cilat jam mbështetur për këtë studim:
1.“Kanunore dhe Regullore e Federatës Pan-shqiptare VATRA”. Shtypur në shtypshkronjë të VATRËS në Vjeshtë të Dytë 1926; rishtypur dhjetor 1954; shtator 1995.
2. Refat Xh. Gurrazezi: “Historia e Federatës Vatra”, botuar në “Dielli” nga dt. 29 mars 1972 deri më 28 nëntor 1975. E papërfunduar.
3. “Albania: The Rogk Garden of Southern Europe and Other essays by Faik Konitza”, Edited and Amplified by G. M. Panariti, 1957.
4.Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra: “Faik Konitza 1876 – 1976”. Botuar në New York, 1976.
5. Prof. Dr. Jup Kastrati: “Faik Konica” (Monografi); Gjonlekaj Publishing Company, New York, 1995.
6. “The Albanian Struggle in the Old World and New”, compiled and written by members of The Federal Writers’ Project of The Works Progress Administration of Massachusetts. The Writer Inc. Publishers Boston – 1939.
7. Qerim Panariti: “Albumi II i Hirësisë Tij Peshkop Fan S. Noli dhe biografi kronollogjike”, Boston, Massachusetts, 1966.
8. “Faik Konitza – Selected Correspondence 1896-1942”, edited by Bejtullah Destani, published December 2000 by The Centre for Albanian Studies.
9. Agjencia e Publicitetit “Klik”: “Fletore për Konicën”.