• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

YMER ELSHANI DHE LIBRI “NJOHJA E TRIMAVE”

November 14, 2021 by s p

Bedri TAHIRI

C:\Users\ttahiri\Desktop\OIP.jpg
C:\Users\ttahiri\Desktop\244989014_4814591561992015_1413063736919766115_n.jpg

Shkrimtarin për fëmijë, Ymer Elshanin, e kisha njohur përmes shkrimeve para se ta takoja. Mirëpo, takimi me të, edhe më shumë ma shtoi dashurinë për penën e tij të mrekullueshme. Ishte 24 dhjetor 1996. U takuam në hyrje të Pallati të shtypit. Ter buzagaz e me gazetën “Bujku” në dorë, më përqafoi e si më humor më tha: Më zure…! Nuk dija gjë. Ai e shpalosi gazetën dhe ma vuri përpara tregimin NJOHJA E TRIMAVE!

-E sheh, të kam marrë diçka nga libri “Azem Bejtë Galica”, të cilin e lexova para disa ditësh dhe më pëlqeu shumë! 

Unë e përqafova për së dyti dhe e përgëzova. Sa modest që ishte! Sikur u skuq pse i kishte pëlqyer dhe e kishte frymëzuar një fragment nga libri im, botuar ditë më parë! U ndamë, se i ngutej për në mësim. Mezi prisja ta merrja gazetën e ta lexoja atë tregim të mrekullueshëm!

Edhe një detaj tjetër. Tek e intervistoja poetin e madh Xhevahir Spahiu, në Durrës, në gusht 2008, ai më tha: Shpirtërisht kam qenë jetë e mot me Drenicën heroike. Kur isha për herë të parë në Kosovë, më 1979, isha i fundit nga poetët e Shqipërisë që shkoja në atë pjesë të truallit tonë. Pas luftës së fundit, fati e deshi që të jem ndoshta poeti i parë që vizitova Kosovën. Isha me miqtë e mi të respektuar: Moikom Zeqon, Bardhyl London e Pano Taçin. Kur hymë, Drenica mbante erë shkrumbi e erë baruti. Ndalojmë në Drenas. Doja ta shihja vendin ku ishte vrarë poeti i njohur Ymer Elshani me gjithë familje. Në oborrin e shtëpisë së tij na pret një plak mbi të 70-tat, me qeleshe të bardhë në kokë e me një shall malësori. Ishte babai i poetit. Pasi përshëndetemi vëllazërisht, ulemi në tokë. Lotët na pushtuan. Të gjithë qanim. Ai qante pa zë, unë isha gati të vija kujën, por u përmbajta. Aty erdhi edhe i vëllai i Ymerit, i cili shpjegoi: Policët serbë gjetën dorëshkrimin e një vepre të Ymerit, kushtuar Azem Galicës, të cilën e asgjësuan…

Kush ishte Ymer Elshani?

Ishte  shkrimtari më i frytshëm e më të përkushtuari për fëmijë dhe, njëherësh edhe studiuesi më i mirë i asaj letërsie. Pena e tij e artë skaliti:  poezi, poema,  tregime, pjesë teatrale, romane e kritikë letrare.

Në shpirtin e tij letrar, siç duket, reflektuan tre emra të mëdhenj: Fazli Greiçefci (daja i tij), Nebil Duraku (tek i cili kishte banuar një kohë) dhe Rexhep Hoxha (mësimdhënësi i tij). Për të gjallë arriti të botoi njëmbëdhjetë vepra letrare; poezi, tregime, romane.

Ymer Elshani u lind në Korroticë e Poshtme, më 14 qershor 1948. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në fshat. Katër klasë të fillores i mori në vendlindje, e katër të tjera  në Komaran, në shkollën ”Jeta e re”. Talentin e tij letrar e shfaqi që në moshën 10 vjeçare. Si nxënës i klasës së shtatë botoi poezinë e parë në revistën ”Pionieri” nr. 6 te vitit 1962 me titull ”Për gjah”.


          Mësimet për mësues i mori në Normalen e  Prishtinës. Me të kryer klasën e parë të shkollës normale, një ngjarje tronditëse që e pikëlloi shumë:, burgosja dhe mbytja e dajës Fazli. Në klasën e katërt të normales iu botua vepra e parë me poezi ”Anija e miqësisë”.
        Si student i vitit të parë, më 27 nëntor 1968, mori pjesë në demonstrata në Prishtinë dhe për pak e pësoi me largim nga puna, se edhe studionte, edhe punonte (e mbrojti drejtori Halil Bogaj). Në mësime Ymeri ishte përherë i shkëlqyeshëm dhe punonte pandërprerë. Nga të ftohtit dhe udhëtimi me biçikletë sëmuret bukur rëndë saqë një kohë e kalon në spital. Por ai kurrë s’u dorëzua. Posa doli mësues s’u kënaq me kaq dhe në afat rekord i kreu studimet. Në tetor te vitit 1972 diplomoi në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Me 1978 Ymeri magjistroi me temën ”Poezia për fëmijë 1946-1976 në Jugosllavi”.  

Pas katër vitesh që punoi në shkollën fillore ”Jeta e re” të Komoranit, kalon në gjimnazin ”Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” në Drenas…Që nga shtatori 1977 u bë drejtor i gjimnazit, që tashmë ishte shndërruar në QAMO dhe quhej “Mareshali Tito”. Organizator i suksesshëm, punëtor i palodhshëm, ai me profesorët e tjerë vinin rend dhe disiplinë të jashtëzakonshme në shkollë. Ishin këto vitet e lulëzimit të arsimit në Drenas. Dolën disa breza nxënësish të dalluar, të cilët më vonë u benë mjekë, profesorë, ekonomistë etj. 

 Por, pa mbushur katër vjet të punës si drejtor, më 2 prill 1981, në Drenas shpërthyen demonstratat. Ai me profesorët dolën  për t’i përcjellë nxënësit dhe pas disa ditësh fillojnë diferencimet ideo-politike e Ymerin e përjashtojnë nga puna. Aq më keq, atij iu ndalua publikimi i shkrimeve dhe ndiqej këmba-këmbës nga shërbëtorët e sigurimit.

Pesë vjet Ymeri mbeti në shtëpi. Ishte bërë bujk i mirë, por letërsinë dhe krijimtarinë letrare nuk e la. Shkruante poezi, poema, tregime dhe me një qëndresë të pashoqe u bënte ballë furtunave që ia imponuan forcat reaksionare dhe njerëzit shpirtzinj.
      Pas një kohe të gjatë punësohet në fabrikën e ,,Ferronikelit” si përkthyes, ku punoi nga viti 1985 deri më 1992. Prapë e largojnë nga puna si ”tepricë teknologjike”.
        Më 1994 kthehet në arsim. Këtë herë prapë në gjimnaz si zëvendësdrejtor. Në rrethana të rënda për arsimin tonë, Ymeri prej vitit 1996 emërohet këshilltar për lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku dha kontribut të madh në mirëvajtjen dhe përparimin e arsimit.  

Kur lufta filloi, më 1998, Ymeri kishte vendosur të mos largohej nga vendlindja. Pas intervenimit të NATO-s, pikërisht më 15 prill 1999, u dëbua nga fshati bashkë me tërë familjen dhe u vendos në Poklek i Vjetër.

Më 17 prill 1999, herët në mëngjes tenton të depërtojë në Drenas me familjen e tij, por policia serbe i kthen prapa. Ymeri, me gruan, me 4 djemtë dhe me kunatën Shukrijen strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit, ku barbarët serbë i vrasin pamëshirshëm 52 veta.  Këtu, përveç Ymerit, vritet e shoqja Nafia, 4 djemtë e Ymerit: Ardiani, Mirani, Kujtimi, Nderimi dhe kunata Shukria. Të nesërmen në një shtëpi afër vritet nëna e Ymerit, Nailja, e cila ishte motra e Fazli Greicevcit.

Mirëpo, poeti nuk vdes. Ai dhe vepra e tij jeton për jetë të jetëve. Kujtimi për dëshmorin Ymer Elshani është i përjetshëm. Ai na ka lënë një mal veprash monumentale:


  1. Anija e miqësisë (vjersha)-1972
  2. Çka ëndërrojnë lulet (vjersha)-1971
  3. Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman)-1971
  4. Loti udhëtar (tregime)- 1977
  5. Ishulli i lumturisë (tregime)-1973
  6. Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman)-1975
  7. Guri i çmueshëm (tregime)-1977
  8. Unaza magjike (vjersha)-1980
  9. Plaku me violinë (tregime)-1984
10. Kalorësi i bardhë (poemë)-1987
11. Përjetimet e bardhoshit (tregime)-1989
12. Ylli ëndërrimtar (vjersha)- 2000
13. Vajza e diellit (tregime)-2000
14. Njohja e trimave (tregime e përralla)-2000
15. Përralla për ylberin (poemë) -2000
16. Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura)-2000
17. Zogu i lirisë (vjersha)-2001
18. Le të vijë në Sharr pranvera (poema)-2002
19. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha)-2001
20. Flokargjendta (tregime të zgjedhura)- 2004 dhe
21. Udhëtimet e Xhuxhmaxhuxhit (roman)-2008.

Vepra jetësore për Azem Galicën u tretë në luftë

Ymer Elshani, krahas poezisë me mjaft sukses e lëvroi edhe prozën e shkurtër- tregimin. Prej që iu ndalua publikimi, ai punonte në heshtje dhe dorëshkrimet i ruante në fshehtësi. Kështu shumë prej tyre patën ditën e botimit tek pas vrasjes së tij. Madje, këtu radhitet edhe vepra e tij jetësore, tregimet për Azem Galicën, të cilat në fakt përbënin një roman historik për kryetrimin e Drenicës.  Këtë e dëshmon vetë i vëllai, Zymeri, të cilit autori i paskësh thënë diku në maj të vitit 1998: “Dorëshkrimin e përfundova dhe besoj se do të dalë një libër mjaft i mirë, i cili do të mirëpritet nga lexuesit. Janë tregime që në njëfarë mënyre e formojnë një roman”. Dhe, dorëshkrimi për Azem Galicën siç duket qe dorëshkrimi i fundit dhe më me vlerë, në të cilin autori punoi tri-katër vitet e fundit, e i cili u asgjësua nga dora e barbarisë.

Kështu, nga kjo vepër madhore kanë shpëtuar vetëm tri tregime, dy të botuara në gazetën Bujku (“Shpata e argjendtë” dhe “Njohja  e trimave”) e tjetri (Rrëfimi për trimin e Galicës) dorëshkrim i gjetur në disa shkrime që mbijetuan…Libri “Njohja  e trimave” (128 faqe), vepër postum e autorit, është përgatitur nga i vëllai, Zymer Elshani dhe për herë të parë është botuar nga Rozafa më 2000, kurse herën e dytë në vëllimin e 5-të të kompletit, botuar nga Meshari (2019)..

Duke lexuar tregimin Shpata e argjendtë lexuesi i vëmendshëm heton prirjen e autorit për pasqyrimin e jetës dhe veprës atdhetare të Azem Galicës në frymën historike, por me mjete stilistike letrare. Ngjarja e zhvilluar në vitin 1916, kur trimi drenicas ftohet nga gjenerali francez për një mirënjohje, ngase i kishte zënë peng mbi dymijë ushtarë austro hungarezë dhe për këtë do t’i dhuroi një shpatë të argjendtë, si trofe lufte. Mirëpo, ai nuk e pranon dhe kjo tregon qartë se shqiptarët nuk po luftonin për grada e dhurata, por për liri e çlirim kombëtar.

Ndërkaq në tregimin tjetër me temë historike Njohja  e trimave, autori përqendrohet në dy personazh luftëtarë të shquar të historisë sonë: Isa Boletini e Azem Galica. Njohja e tyre bëhet në rrethana lufte, në vitin 1912, kur trimat me shumë bashkëluftëtarë ishin vënë në ndjekje të ushtrisë pushtues otomane që po ikte në theqafje. Njohja e tyre është madhështore, ajo ndodh në fushëbetejë, në rrethana lufte. Trimat, sipas autorit kanë ngjashmëri me kreshnikët, me Mujin e Halilin, me Pirron e me Skënderbeun. Pra, motivi themelor është heroizmi ynë nëpër shekuj.

Tregimi Rrëfimi për trimin e Galicës, i cili u gjet në mesin e dorëshkrimeve që i shpëtuan barbarisë serbe, e që është shkruar para dy të tjerëve, ka një diskurs tjetër të të shtjelluarit. Autori me përvojë ka zgjedhur bashkëbisedimin nip-gjysh për trajtimin e historisë së të bëmave dhe trimërive të Azem Galicës. Sipas rrëfimeve të Gjyshit, Trimi i Galicës kishte shikimin e diellit, goditjen e vetëtimës dhe jehona e zërit të tij ishte rrufe që kërcet!

Armiqtë i menduan të gjitha: ia vranë vëllain, ia dogjën shtëpinë, e sulmuan dy herë që ta kapnin të gjallë, por kot. Të gjithë ata që e donin lirinë iu bënë vëllezër, të gjitha shtëpitë u bënë të tijat dhe lufta vazhdoi pa ndërprerë…Madje edhe pas vrasjes Ai jetonte në flakën e pushkëve të shokëve të tij. 

Epilogu i tregimit ka simbolikë të shumëfishtë:

-Është vrarë dhe nuk ka vdekur!… thanë armiqtë e habitur.

-Jeton me ne,- ishte zëri i shokëve të tij.

-Kujtimi i tij na prin ne…-thanë ata dhe luftuan deri në fitore.

Edhe tregimet tjera, të përfshira në librin “Njohja e trimave”, përkundër tematikës së larmishme, reflektojnë veç atdhetarizëm, dashuri, mirësi, edukatë e mirësjellje, gjë që ndikon në botën e njomëzakëve. Gjuha e pastër dhe e pasur me figura stilistike, me frazeologji popullore e me elemente fantastike i bëjnë ato të kapshme për moshën rinore, andaj lexon me një frymë. Imagjinata e tij e bujshme, gjetjet interesante, përshkrimi i ngjarjeve dhe ambienteve ku zhvillohen ato, madje edhe vetë emërtimi i personazheve, toponimia e pastër shqipe, ofrojnë një atmosferë miqësore, harmonike e kënaqësi të jashtëzakonshme se i bëjnë fëmijët të fluturojnë me krahët e suferinës gjithandej ku ka veç mrekulli.

         Kështu, në tregimet “Filipi e dallëndyshet”,“Kreshniku”,“Fasulja magjike nga Pollogu”,“Thesari”,“Tregimi për korbin që pëlciti”,“Përralla për zogun e artë”,“Shtëpia e Kurt Zogut”,“Loja”,“Legjenda për lulëkuqet”,”Djaloshi i kuçlinës”,“Legjenda për liqenin  e pulëbardhave” etj., shkrimtari Ymer Elshani ka trajtuar një mori temash e motivesh, ku natyrshëm gërshetohet historia, legjenda, mitologja, tradita, imagjinata, duke na dhënë tablo të gjalla ngjarjesh e ndodhish, që pahetueshëm lënë mbresa të pashlyera në kujtesën e lexuesve të etshëm për dije.

Në të përfunduar, lirisht mund të themi se Ymer Elshani mbetet poeti më tragjik i letërsisë shqipe dhe, njëherësh shkrimtari më i popullarizuar i letërsisë sonë për fëmijë.

Lavdi jetës dhe veprës së të pavdekshmit Ymer Elshani!

Galicë, tetor 2021

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bedri Tahiri

Tahsin Jonuzi dhe libri “Topografia dhe rrjeta e rrugëve të Shqipnisë në kohët e vjetra”

November 13, 2021 by s p

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

 Kjo ese botohet sot, më 11.11.2021 në Ditën e Lirisë de nderimit të të rënëve dhe viktimave të Luftës së Klasave

  Homazh nderimi për të parin studiues shqiptar në fushën e topografisë në antikitet, Dr. në filozofi, Tahsin Jonuzi, një vlerë kombëtare e mohuar…

       Përurimin e këtij disertacioni shkencor, punuar dhe paraqitur pranë katedrës akademike të Univ. “Leopoldina Franciske”, në Innsbruck të Austrisë, 85 vite më parë, nga filozofi vlonjat Tahsin Musa Jonuzi, do ta quaja një homazh jo vetëm mirënjohjeje dhe vlerësimi për autorin, por kujtesë nderimi për gjithë ata shqiptarë që përfunduan në kampet nazizte të shfarosjes, Mathauzen apo Aushvic. Sot libri “Topografia dhe rrjeti rrugor i Shqipnis në kohët e vjetra” shërben si rilindje e një familjeje fisnike, e cila rrugën e vështirë të biznesit me Venecian e ka filluar me tregtarin e mirënjohur Musa Jonuzi, tejet i njohur pasi lexohej nga qytetarët sa herë shijonin kafenë, si në gëzime dhe në hidhërime. Gojarti popull thotë: “Bëmë o baba, të të ngjaj!”,ose“Fisniku, nëse nuk bën djalën, do të thotë fjalën!” Gjenealogjikisht në këtë rast është e vërtetë. I biri Musait, Tahsini, jo vetëm la dy trashëgimtarë djem, Mentori dhe Nestori, por ka lënë edhe fjalën, ku ka shprehur mendimin e tij filozofik. Tahsini ishte martuar me të bijën e Ibrahim Avdullaut, drejtues i klubit ‘Labëria’ dhe kryetar i Bashkisë Vlorë, pas shpalljes së Pavarësisë.

       Në gjurmët e babait ecën edhe djemtë, veçanërisht Nestori, një piktor tejet i talentuar, i cili në 50 vitet e fundit, është përfaqësuesi më i denjë i fisnikërisë në artet figurative, sot “Piktor i Popullit”. 

       E nderuar familja Jonuzi, miq e të ftuar, pse vallë është mohuar dhe anashkaluar ky shqiptar i vlerave intelektuale, ky studiues që çeli rrugën e topografisë shqiptare?! 

       Bota nuk i ka heronjtë, por i krijon, kurse ne i kemi dhe i varrosim duke i mbuluar me pluhurin e harresës. Si shembull mohimi po sjell në këtë podium vlerash Dr. e shkencave filozofike, Tahsin Jonuzi, një intelektual i shquar, lauruar në Innsburck të Austrisë, ku ka mbrojtur doktoraturën në filozofi, i harruar me paramendim nga tre regjime (Zogu, diktatura komuniste dhe nga qeveritë e 30 viteve tranzicioni të tejzgjatur). Akademikët tanë të diplomuar në Austri, nuk kishin dëgjuar për këtë shqiptar mendjendritur, pasi ishte i pari shqiptar që hulumtoi për truallin arbëror? I vetmi që ka ngjallur interes për botimin e një pjese të dorëshkrimit shkencor ka qenë Prof.Çabej por diktatura e ndaloi botimin e tij, se Tahsini ishte “armik” i klasës në fuqi. Po kështu edhe i biri, Nestori, mjaft i talentuar, pas diplomimit, e emëruan si bojaxhi në NTAN. 

      Shpikja e madhe e komunizmit, Lufta e Klasave, më e egra që ka njohur bota që i trajtoi si tradhëtar dhe antikombëtar gjithë fisnikët dhe intelektualët me kulturë perëndimore. Diktatura komuniste pasi vrau, burgosoi dhe internoi ajkën e shqiptarëve, e varfëroi kombin duke zhdukur palcën dhe trurin e kombit (fisnikërinë me inteligjencën).  

       Tahsini me 1265 shqiptarë, u intrenuan në kampet e përqëndrimit në Gjermani. Pas mbytjes me gaz në krematoiume, 800 nga këta shqiptarë pa një varr, partia -shtet solli në atdhe vetëm kutitë me baltë gjermane, i varrosi dhe i quajti dëshmorë të atdheut. Kurse 465 fisnikë shqiptarë, të arsimuar në perëndim, në një moshë me Tahsin Jonuzin, si, Skënder Vrana, Gani Beqir Bejkosala, Musa Qemali me të birin Sezaiun etj, të arsimuar në Universitetet Perëndimore u quajtën viktima të luftës.  Pse? A nuk patën të njëjtin fund tragjik?! Lufta brenda llojit është më e keqe.  Edhe pushtuesit, në kohë paqeje, erdhën dhe i morën eshtrat e ushtarëve të rënë dhe i rivarrosën me nderimet e duhura, kurse pushteti komunist shmë atdhetarëve u mohoi të drejtën e një varri në tokën mëmë, si pa atdhe.

     Le të ndalemi te risitë e librit të Tahsin Jonuzit. Studimi i autorit bën fjalë për shpërndarjen e rrjetit rrugor, qendrave të banuara, rrjetit ujor tejet të pasur të këtij kombi të lashtë. Tahsini ishte 25 vjeç, kur mbrojti doktoraturën, solli një risi në fushën e hartografi-topografisë. Ai njihet si studiuesi i parë shkencor që u mor me topografi. Ndoshta nën ndikimin e kulturës gjermane dhe vendimeve të Kongresit të Berlinit që Shqipëri të ngelej vetëm bregdeti perëndimor, autori është përqëndruar në hartën e Shqipërisë londineze.

     Lind pyetaja: Pse kjo temë u trajtua si temë filozofike dhe u aprovua nga katedra e filozofisë?       

      1-Rrugët ose rrjetin urbanistik të vendit tonë në antikitetit që paraqet autori janë rrugët e jetës që lidhin epokat e mëdha historike që fillojnë me epokën e hershme të gurit (paleolitin), vazhdojnë me neolitin, mesjetën deri në kohën e re. 

   2- Pozicionimi, shpërndarja, emërtimet e vendbanimeve të lashta, që sot kanë vlerën e faktve toponimike vlejnë si dëshmi e vazhdimësisë së jetës. 

    3-Sipas pozitës gjeografike të maleve, kodrave, fushave, lumenjve, liqeneve apo kënetave, epokave të njohjes për herë të parë nga albanologët, si, (arkeologë, mbishkrime, paleontologë), autori ka bërë jo vetëm lidhjen mes epokave, por dhe krahinave gjeografike si dhe fiseve pellazgo-iliro-arbëre. 

   4- Ka hulumtuar mjaft autorë të huaj që nga antikiteti deri në ditët që ai jetoi.  Përmes perifrazimeve të studiuesve si, Pauzania, Ptolemeu, Skylaksi, Polibi, Çezari, Hahni, Karl Patch, Straboni, Ciceroni, Plini Plaku, Apiani, Jireçek, Thallozi, Stefan Bizantini, Ana Komnena, Livius, Ipen, Prashniker, Leake (Leik) etj, sjellë për lexuesin një pamje panoramike të Shqipërisë antike.  

    5-Ka shumë për të folur rreth librit, por vlera kryesore e tij qëndron se është i pari studiues topografik në vendin tonë që paraqitet me një punim shkencor serioz.

   6- I një rëndësie të veçantë, është qëndrimi pozitiv ndaj autoktonisë së shqiptarëve në Gad.Ilirik.  Dr. i shkencave, Tahsini Jonuzi pohon se ndërtuesit e parë që hodhën themelet e qendrave urbane në lashtësi ishin ilirët. Ai hedh poshtë gënjeshtrat dhe mashtrimet e shumë pseudohistorianëve se kolonitë greke apo korinthase, si Butrinti, Oriku, Apollonia dhe Dyrrahu, gjasma bazën fillestare të arkitekturës ndërtimore e paskan kulturë helene. Mbi kulturën ilire që gjetën në gad. Ilirik, fiset Semite (pushtuesit afro-aziatikë) që pa asnjë bazë gjeneze morën emrin helenë apo grekë ngritën kulturën e tyre. Madhështinë e grekëve e ngriti Roma me mashtime dhe farsitet. Për supremacinë e ilirëve në portet e Mesdheut, Paul Emili dogji 71 qytete ilire, mori 150 000 robër dhe miliona iktheu nlë skllevër. Këto isjhin raprezaljet e para të shkombëtarizimit të pellazgo ilirëve, paraardhësve të shqiptarëve autoktonë…   

 Dy fjalë për bashkëpunëtorët e botimit: Librit do t’i rritej më shumë vlera:

   *Nëse bashkë me përkthimin do të ishte dorëshkrimi origjinal në gjermanisht.  

   *Fjalët e autorit në fletëpalosjen e ballinës së parë kanë më shumë vlerë, ndaj duhet të vendoseshin si hyrje në studim, pasi aty është cekur pozita gjeografike, periudhat historike, pushtimet e njëpasnjëshme.

   *Duhet të përfshiheshin trojet etnike dhe qytetet antike me vazhdimësi jete, si Kanina. Autori e zë në gojë Thronionin, por pa e sqaruar se cila qendër urbane ishte, kur Pauzania flet gjerësisht për Thronionin, emri i lashtë i Kaninës që merret nga historiografia, si model i vazhdimësisë së jetës qysh nga mijëvjeçari II pr.Kr. Në rrugën e vjetër nën Kaninë që nuk përmendet aty, sot është ndërtuar Baypassi.

   *Autori sipas Carlo Bo, shpreson të zhvillohet një shkencë ambicioze dhe e ndërgjegjshme shqiptare, misioni i denjë e tërheqës i së cilës të jetë qartësimi i situatës së vendbanimeve, kur vendi hyri për herë të parë në rrugën e historisë.

Pikërisht këto kritere kanë shumë vlerë në një studim ndaj duhet redaktori teknik, si njohës i fushës së topografi-hartografisë. 

Filed Under: LETERSI

FEMIJA në rol SIZIFI

November 13, 2021 by s p

Prof. Dr. Ylli Pango/

Fëmija merr lodrat dhe i fut ne nje qese te madhe nje e nga një. Me kujdes. Kur qesja nuk i nxe te gjitha i risistemon. Disa i ve vertikal.Disa horizontal. I kqyr duke u anuar pak mbraps jo më shume se 10 sekonda. Pastaj fillon e i heq nje e nga nje. Zbraz qesen, Pastaj i fut perseri. I risistemon. Pastaj i nxjerr. Vijon keshtu pa rreshtur disa here. …Ne dhomen e vogel te hotelit zbulon çelesat e llampave. Jane shume. Eksperimenton si fillim. Kush eshte per kete e kush per ate llampe. Pastaj i ndez te gjitha me rradhe. I fik. I ndez. Çdo dite e ben kete pune disa here. Po kjo eshte ndryshe. Pune qejfi. Ndrićon llampa. Fiket llampa. E komandon ai. Zot i drites dhe i erresires. Jetes dhe territ. Komandant. Gjithsesi Sizif. I duhet te perserise.Sizifi shfaqet më “i munduar” në tualet. Jane me dhjetra shishka te vogla plastike me shampo, gel, conditioner. I merr nje e nga nje. I sjell( transporton) ne dhome. I çon prape atje ne lavaman. Pastaj perseri ne dhome. Anasjelltas. Shkon, vjen, shkon. …Femija ben, zhben…ben. Hap, mbyll, hap…Ngjit, zbrit, ngjit, zbrit, zbrit, ngjit. Luan, do thoni ju. Sigurisht. Dhe njeh boten. Eksploron. Mosha. Dhe pa e ditur perserit jeten e ardhme. Pergatitet per rolin e Sizifit. Do te vije dita te ngjise ate gur ne mal çdo dite. T’i rrokulliset poshte ne darke. Që ta ngjise te nesermen perseri.E t’i zbrese serish ne darke. E keshtu me rradhe. Pune-Shtepi-pune-…Ne mos ndryshofte bota qe ka qysh ne kohe te Sizifit qe nuk ndryshon. A që ndryshon veç ne dukje.P.S Mos u beni pesimiste. Megjithe variacionet e shumta dhe emocionet e fuqishme iluzore, kete kane bere e bejne te gjithe Sizifet: presidente, artiste, shkencetare te medhenj e deri te medioker qe mbushin kafet me llafe çdo dite duke marre neper goje tere dynjane.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ylli Pango

NJE GRUA MIDIS DY BURRAVE

November 9, 2021 by s p

Nga Kerri Huper dhe Skifter Këlliçi/

Po botojmë fragmentin e fundit të romanit të mësipërm me temë amerikano-shqiptare, shkruar nga poetesha amerikane Kerri  Huper, dhe shkrimtari Skiftër Këllici, dhe botuar kohët e fundit nga enti  botues ‘Lulu’ në Amerikë:

Përse përvijimet, tashmë të një trishtimi sfilitës dhe gërryes, përsijaste ato çaste Ralf Kallagani  kishin nisur të shfaqeshin me aq këmbëngulje ditët e fundit në fytyrën e Merit? Përse edhe Vilma, kur ai i kujtonte se Çarli dhe Meri ishin vërtet një çift për t’u pasur zili, përpëliste qepallat, sajonte shkarazi një buzëqeshje që i fikej shpejt në fytyrë dhe vetëm sa  tundte kokën në shenjë pohimi? Mos ndoshta se diçka kishte nisur të ndodhte midis atyre të dyve?…    Në ato çaste atij iu bë se hullitë e trurit të tij ishin ndezur flakë dhe ishin shndërruar në një masë të shformuar, të shkapërderdhur, ku këto pyetje, si meteoritë përshkënditës, binin më rrapëllimë teposhtë, fundoseshin në të, duke ngritur një mjegullnajë vrundulluese që po e marramendte dhe po i birrte shikimin.

    Dhe ja, Ralf Kallagani ndodhej  tani përballë Kreshnikut. Për të tretën herë kaq pranë. Herën e parë, kur e kishte parë të dehur në një klub, kishte vënë re se sytë e tij, si të ishin të veshur nga avujt e alkoolit, kishin përftuar pamjen e qelqeve opake, ku kaltërsia  e thellë, në blu, e këtyre syve, përpihej nga një ngjyrë të gjelbër, disi kënetore. Herën e dytë, pasi policët e tij e kishin rrahur para restorantit “Panera”, (tani ai ndiente një cimbisje therëse në zemër, për këtë veprim që i dukej shumë i rrëmbyeshëm), ata sy te tij  sikur ishin bishëruar, duke shkreptirë me xixëmime kuqëluese, aq sa atij i ishte dukur se dritësimi i tyre po i përzhiste fytyrën.Kurse tani ato sy  kishin marrë ngjyrim të paqmë, ashtu si qielli trazuar pas stuhisë; tani ata ishin kredhur në një kthjelltësi të yjëzuar, sikur ai të kishte shkarkuar nga vetja tërë atë barrë të rëndë e të stërmundimshme që e kishte  kërrusur e sfilitur mundimshëm për vite.

      Ndaj, Kreshniku, krejtësisht i shpenguar, zgjati duart e tij të mëdha dhe të ashpra, të bashkuara në kyçe, drejt duarve të Ralfit  duke pritur që ai t’u vinte prangat.

      Në jetën e tij si shef policie, Ralfi kishte  qenë i pranishëm në arrestimin  e  shumë  keqbërës, kriminelë, që kishin grabitur banka, që kishin vrarë njerëz, që ishin  orvatur t’ua mbathnin, të fshiheshin si të mundin e ku të mundin, edhe  në ato raste, duke përdorur armët kundër ruajtësve të rendit. Kishte  qenë i pranishëm kur ishin  arrestuar  edhe  financierë, falsifikatorë, politikanë të korruptuar, duart e të cilëve dridheshin, sytë u përpiheshin nga tmerri, duke marrë me mend se do të përfundonin në qelitë e burgjeve, se pastaj do të nisnin proceset hetimore dhe  pastaj procesi gjyqësor, ku ata do të  dënoheshin që të kalonin vite e vite pas hekurave, ose, më keq, të përfundonin edhe në karrigen elektrike, a për t’u ndarë nga jeta, pas një gjilpëre të mprehtë në krah…

      – Kurrë nuk kam ndier keqardhje, për keqbërësit , – i tha  Ralfi Skotit që kishte pranë, –  sepse gjithnjë jam  prirë nga parimi se: “I ashpër është ligji, por është ligj”. Por krejt ndryshe po ndodh tani që po arrestoj këtë djalosh që kam përballë… Kreshnik Germenin.

        Kreshniku  u përmend, kur Ralfi i shtrëngoi në kyçet e duarve prangat e ftohta.

        – Zoti Ralf, – i tha i ngashëryer. – Nuk më vjen keq që bie në burg, se këtë e meritoj. Por më vjen keq që bota do të marrë vesh se kështu përfundoi  biri i një shqiptari që u vra pas një akti të guximshëm dhe mbetet edhe sot i nderuar nga ju, amerikanët.

    Befas midis Kreshnikut, Ralfit dhe policëve  u vu një burrë plak i rrëgjuar, i kërrusur, flokëzbardhëllyer, pamje të drobitur.

      – Më quajnë Xhejms Klemens, – i tha Ralf Kallaganit duke e përbiruar me sytë e tij të përqarë. –  Mos e merrni atë me vete, zotërinj të nderuar të policisë, sepse , siç e tha edhe vetë, u rrit si çdo ferishte, i pastër si ujët e burimeve, i kthjellët, si qielli pa re, i dritësuar, si dielli tërë botësor.

      Pas këtyre fjalëve që e lanë Ralfin dhe të tjerët të topitur, Xhejmsi shpërtheu  në lot, që zunë të çurgonin faqeve të tij të rreshkura.

      – Isha unë, sarhoshi i neveritshëm, – vazhdoi ai, – që nuk mbajta amanetin e babait të tij, Loni Germenit, atij shqiptarit vërtet trim dhe të fismë. Por ishit edhe ju, zoti Ralf, që ato çaste kur Loni po  jepte shpirt, pas plumbave të atij banditit, premtuat se do ta shpinit Nikun  jetim në një shtëpi fëmijësh, premtim që  e harruat që aty, se ndryshe nuk do të ndodhnin këto që ndodhën. Nuk  ju kujtohet  zoti Kallagan?

    Ralfi vuri re se pas këtyre fjalëve, sytë e këtij plaku të rëgjuar  që mezi mbahej më këmbë, u mugëtuan tërë mllef, se dora e tij i preku llërën, se pastaj gjishtërinjtë iu shtrënguan rreth saj  me një forcë të habitshme për këtë gjysmënjeri, se nga ai shtrëngim ndjeu dhëmbje cimbitëse. Por, gjithsesi, u përmbajt, nga buzët nuk i shpërtheu asnjë britmë se, mbi të gjitha, nuk e shkundi, as e tërhoqi krahun me mëri, siç do të bënte  po t’ia kishte mbërthyer kushdo tjetër.

    Për më tepër, Ralfit  në ato grimca sekondash iu përtëri në kujtesë Niku i vogël, ashtu siç i  ishte përtërirë duke i rrëfyer Vilmës, Merit dhe Çarlit çastet e vrasjes së babait të tij, ai  Nik që vajtonte, që vinte doçkat në sy që të fshinte lotët, ato doçka që ai ia kishte mbështjellë me duart e tij të mëdha, që e kishte  vënë në parzëm, që ia kishte puthur, për t’i fashitur sadopak  dhëmbjet pas kësaj gjëme. Kurse tani ato duar po i a prangoste  me duart e tij. Iu kujtua edhe ai burrë, tashmë plak i rrëgjuar, që po e qortonte ashpër. Dhe kishte hak.

        – Kështu ndodhi që  Niku më mbeti mua, – vazhdoi Xhejmsi, pa ia ndarë Ralfit  sytë, gjithnjë të mugëtuar. – Dhe unë, në vend që t’i mësoja atij t’i ngjante babait, i  mësova  të zezat, të pinte, të dehej dhe ajo më e tmerrshmja, e  futa në hullitë e pështira të drogës. Por jo se desha, por sepse më vuri litarin në fyt Maks Kuperi, një bos i ndyrë, të cilin, në qoftë se nuk e keni kapur si miu në çark, do ta kapni dhe do të mësoni të vërtetën lakuriq, do të mësoni se si më shtrëngoi që një detyrim në para që kisha ndaj tij, ta shlyeja duke përdorur Nikun si trafikues të këtij pluhuri  të bardhë vrastar. Në mos ai, lavirja e tij, Doloresi, do të dëshmojë për këtë të vërtetë rrëqethëse. Ja përse unë duhet të kallem në qeli dhe jo ai…

      Xhejmsi  u hodh në krahët e Kreshnikut që kishte mbetur i murosur. Deshi  të qëndronte disi më gjatë ashtu, por pastaj  dy policë e tërhoqën  mënjanë.

      Duke dëgjuar këto fjalë, që dolën  nga goja e Xhejmsit,  plot dhembje  e ngërç, që sikur e kishin kërrusur edhe më shumë në ato çaste, Ralfi, për herë të parë, kundër dëshirës së tij, u përshi i tëri nga një ndjenjë e çuditshme kundërtie. Kurrsesi nuk e ndiente veten të  pushtuar nga krenaria e  ligjshme se po arrestonte këtë fajtor.

    Atëbotë, Ralfi zuri të kuptonte gjithçka që nuk e kishte marrë kurrë me mend më parë, aq më tepër, kur vuri re se Meri qëndronte disi pas Kreshnikut  dhe jo pranë, por pas saj shihte Çarlin, të fejuarin, gjithnjë si i  kllapitur.

    Pastaj shikimi i tij u kryqëzua me atë të Merit, por vetëm një çast, sepse ai ktheu vrulltas kokën mënjanë. Por  ndjeu se midis tij dhe saj po ngrihej papritur një rrafshnaltë që po i ndante. Ndoshta edhe sepse shumë gjëra do t’i mësonte më pas…

>      Pastaj, dera e makinës, ku u fut Kreshniku, i ndjekur nga policët, u mbyll. Ai  ktheu kokën dhe nga dritarja e vogël  e saj përmes dritëhijeve  mbrëmësore, shqoi sërishmi Merin që nuk ia ndante sytë pikëllimtarë, mbetur si shtatore, ajo Meri që do të ruhej në përfytyrimin e tij me qiellësinë e syve të saj, si të një deti të paqmë, nga ku deri tek ai, si shushurima valësh, do të arrinte refreni i atyre pak  fjalëve që  kishin shoqëruar të dashuruarit prej mijëra e mijëra vitesh  më parë: “Të dua dhe kurrë nuk do të të harroj!”

>  Kurse Meri solli ndërmend disa nga vargjet e Kadaresë, atij poetit shqiptar, aq të njohur dhe në botë,  që Kreshniku ia  kishte  shushuritur  atë mesnatë,kur vetëmonin  në kafenenë ndanë rrugës së mbështjellë me dritësime të mekura :”Do të kujtoj,/ Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,/ Dënesën e mbytur,rrëzuar mbi supin tim,/ Si  dëborë të padukshme…”.

    E ndoqi edhe ajo dhe për një cast iu duk vetja si të ishte Helena e lashtësisë. Ashtu si Paridi që e kishte rrëmbyer atë nga Sparta dhe e kishte shpënë në Trojë, ashtu dhe Kreshniku e kishte rrëmbyer, por jo për ta shpënë brenda mureve të një qyteti, por, thjesht, brenda mureve të shtëpisë së vet.

    Midis tij dhe Çarlit-Menella nuk ishte bërë asnjë dyluftim, a luftë e  përgjakshme, si midis grekëve dhe trojanëve. Nuk kishte pasur as edhe një të vdekur. Çarli – Menella, nuk kishte rrëmbyer Merin – Helenë duke përdorur ndonjë kalë dhuratë çartabesë, që kishte depërtuar në Trojë, si blatim i grekëve dinakë, por ishte futur  në atë  shtëpi i vetëm, pa asnjë armë dhe kishte marrë gruan që i përkiste atij.

    Kreshniku i ishte dorëzuar  ligjit, ashtu siç i kishte përsëritur disa herë. Dhe Meri në vetvete, ndonëse ishte rrekur sa e sa herë të dëbonte këtë mendim ogurzi, e kuptonte se ai kishte zgjedhur atë rrugë që ishte më e arsyeshmja, më e pashmangshmja. Ndryshe, tërë jetën e jetës do të jetonte nën hijen e një faji që kishte mbetur pa u ndëshkuar, por që një ditë mund të zbulohej e ndëshkohej edhe më rëndë.

    Dhe ja, ndëshkimi kishte ardhur. Mund të ishte i shkurtër, sepse Kreshniku kishte shkuar  vetë drejt ligjit dhe jo ligji drejt tij.

    Kur makinat e policisë u larguan, Çarli mbeti i shkundulluar. Ndërmendi bisedat me Merin, takimet me të, harrimet e tij nëpër studimet në laborator… Ndërmendi që jo rrallë kishte qenë me shpirt e zemër jo afër saj. Por së shpejti  do të bëhej burri  i kësaj gruaje, të cilën, kur e kundronte tani me vëmendje nga pas, kur shihte gjysmëprofilin e saj, nën floknajën  që fekste në shtjellat e dritësimeve të mugëta, mandej shpatullat, krahët, tërë kurmin, zbulonte se nuk e kishte njohur dhe çmuar siç duhej.

    Kësisoj, tani po tërhiqej nga dëshira që këtë ta bënte sa më parë, të ishte kudo dhe kurdo pranë saj, në biseda pambarimisht të këndshme, për gjithçka dhe jo vetëm për të fshehtat këndellëse  të punëve të tij, aq më tepër në shtrat me të, në ato kredhje jermitëse e shkrumbuese, në një kohë që ai tjetri, ai, që edhe mund t’ia kishte rrëmbyer atij, do të dergjej për shumë kohë  prapa mureve të një qelie dhe do të mbetej i harruar për të.

      Ndaj Çarli, si t’i kërkonte ndjesë për gjithçka, edhe për rrebeshin zjarrmues të sharjeve të mërishme që kishte nxjerrë nga goja, kur e kishte parë Merin në dhomën e Kreshnikut, ndonëse ajo vazhdonte prore të mos i  hidhte sytë, guxoi e  bëri disa hapa drejt saj, zgjati njërën dorën dhe gishtërinjtë e tij prekën flokët e saj. Por ajo nuk lëvizi, nuk u kthye nga ai, mbeti vërtet si shtatore, ashtu siç kishte mbetur edhe në përfytyrimin e Kreshnikut dhe fjongoja e gjelbër, me të cilën ajo kishte lidhur flokët lirshëm, ndeshi  në një nga gishtërinjtë e tij, u zgjidh, rrëshqiti nga koka e saj, në supe dhe, për të mos rënë në tokë, ai zgjat dorën e kapi dhe, pa e kuptuar as ai vetë, i mbërtheu sytë.

    Habitërisht, atij iu bë se ngjyra e kësaj fjongoje, në përthyerjet e dritave të larushitura, nga e blertë, po përftonte ngjyrime të verdhëreme, si të ishte një gjethe  vjeshte.

      Atëbotë, kuptoi se, tashmë, e tillë ishte edhe dashuria e tyre…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kerri Huper dhe Skifter Këlliçi

Robert Frost, një Dritëro i poezisë amerikane

November 8, 2021 by s p

Himne për vjeshtën

Përktheu Rafael Floqi

“Dy rrugë degëzoheshin në pyll,

Unë zgjodha rrugën më të pashkelur

Dhe kjo e bëri gjithë ndryshimin”.

Robert Lee Frost (26 mars 1874 – 29 janar 1963) ishte një poet i shquar amerikan. Vepra e tij fillimisht u botua në Angli përpara se të botohej në Shtetet e Bashkuara. 

I njohur për përshkrimet e tij realiste të jetës rurale dhe zotërimin e të folurit bisedor amerikan,  Frost shpesh shkruante për mjedise nga jeta rurale në New England në fillim të shekullit të 20-të, duke i përdorur ato për të shqyrtuar tema komplekse sociale dhe filozofike. Mund ta quajmë atë me plot gojën një Dritëro i poezisë bashkëkohore amerikane. Shijojeni një tufë nga poezitë e tij, shkëputur nga vëllimi i përgatitur nga unë për botim me përkthime nga poezitë e tij titulluar “ Udha e pashkelur “  ….

Frost u nderua shpesh gjatë jetës së tij dhe është i vetmi poet që ka marrë katër çmime Pulitzer për poezi. Ai u bë një nga “figurat e rralla letrare publike, pothuajse një institucion artistik” të Amerikës. Ai u nderua  me Medaljen e Artë të Kongresit në vitin 1960 për veprat e tij poetike. 

Tetori

O mëngjes i butë, i këtij tetori të heshtur,

Gjethet e pemëve të vyshkura po bien;

Era e egër që vjen shpejt nesër papritur,

Do t’i shqelmojë e të gjitha do përzien.

Sorrat mbi pyll po krrokasin aq fort;

Sa nesër mund të tubohen e çalltisin.

O mëngjes i qetë tetori, a mundesh dot

T’ia bësh ditës pak më e shkurtër tisin?

Nisi orët e kësaj dite avash -avash,

Mashtrona Tetor dhe ne, ashtu siç ti di 

Se zemrat s’i ikin dot yshtjes sate me pash.

Rrëzoje vetëm një gjethe teke në agim,

E në mesditë, një tjetër sa për merak;

Një nga pemët tona, një nga të fqinjit.

Me mjegullën tinëzare vonoje diellin,

Magjepsna tokën me ngjyrën e ametistit, 

Avash -avash, zhvishi pemët ngadalë!

Heshturazi, o Tetor, më me përkëdheli 

Për hir të rrushit, që u zhvesh pa mend,

E i bori të tëra sapo e para ngricë i zuri,

Të lutem për hir të kokrrave plot lëng,

Të pjergullës që zvarritet majë atij muri.

Ngurrimi

Jashtë dola nëpër fusha dhe pyjet mora

Eca mbi muret ku qeshë rrëkëllyer,  

E pasi u ngjita mbi kodrat e kundrimit,

Pashë botën nga lart e zbrita teposhtë.  

Dhe kur nga xhadeja në shtëpi u ktheva

Pashë se gjithçka kishte marrë fund 

Gjethet përdhe të gjitha të vyshkura.

Shpëtojini pra, ato çka i ruan ende lisi,

Përshkojini në një varg një e nga një,

Dhe lërini të gërvishten, duke u zvarris

Jashtë mbi koren e dëborës së re.

E kur njerëzit natën të jenë duke fjetur,

Kur gjethet të grumbullohen qetësisht,

Duke mos fluturuar më andej e këtej,

Dhe kur lulja e fundit e Asterit të bjerrë 

Kur kokrrat e lajthisë të jenë me myshk,

Zemra do të dhëmb së kërkuari si përherë  

Dhe këmbët do më pyesin “Për ku je nis?”

Do mendoja  me vete,  ah në zemrën e njeriut

Sikur të kish jo më pak se një herë tradhti 

Për të shkuar sipas rrjedhës së gjërave,

Duke iu përulur atyre paksa për urti,

Duke u përkulur për t’i dhënë fund

E ngurrimit të dashurisë për këtë stinë.

Tufa e luleve

Shkova ta ktheja përmbys barin në mëngjes 

Që pse me vesë,  ai të gjithë e kish prerë, 

Dhe kur vesa u terr, e tehu qe më prerës   

E kur sa mbërrita e pashë fushën djerrë.

Pas një ishulli pemësh e kërkova me sy 

Dëgjoja grihën që mprehte flladin e erës.

Më duhet të rrija fillikat i vetëm aty,  

“Si gjithë të tjerët,” i dhashë forcë zemrës, 

Ai pasi kositi pat ik, e unë thashë me vete :

“Pavarësisht nëse punojmë bashkë apo veç”…

E m’u duk se më kaloi pranë fshehtas ai,

Si krahu i një fluture të hutuar aq keq,

Që kërkon në kujtimet e zbehta të natës

Lulen e pushimit të mbramë, për dreq

Dhe pashë fluturimin e saj,  përqarkës

Si një lule e shtrirë dhe e vyshkur krejt,

Që kërcente larg sa syri s’ ma cekte

E rikthehej si purtek duke u drithëruar.

Mendoja pyetjet që s’më gjenin dot gjegje, 

A do të kthehej ai barin për ta kthyer?  

Dhe syri e kuptoi që ai qenkësh kthyer

Kur anës përroit pa një tufë lulesh bishtgjata 

Një proskë lulëzimi që kosa e pat kursyer,

Në udhën mes kallamishteve të thata. 

Siç duket kositësi i vesës fort e kish dashur 

Sa e pat lënë të lulëzonte, maj atij zhuri. 

Mendoj se s’e bëri këtë për t’u duk   

As për të tërhequr vëmendjen tek ai,

Por nga gëzimi i gazplotë i mëngjesit

Që flutura dhe unë i ndezëm me sy,

E i përcolli ashtu një selam të mefshtë agimit,

Që i bënte zogjtë të zgjoheshin përreth.  

Dëgjoja kosën, t’i pëshpëriste dheut

Dhe diç një shpirt, zu të më rrëqethet,

E  kuptova, që s’ kisha punuar vetëm

U kënaqa që, punoja me ndihmën e tij.

I lodhur e kërkoja atë në drekë si hijen

E duke ëndërruar, një bisedim si vëllezër

Të flisnim për shprehjen që s’shpresoja ta cekja,

“Pasi burrat punojnë gjithmonë tok, 

I thashë atij thellësisht  nga zemra,

Pavarësisht në punojnë vetëm a me shok”.

Një rresht nga një këngë stuhie

    Retë e furtunës fluturojnë shpejt me shkulma,

        Rruga qe e shkretë gjatë gjithë ditës,

    Aty ku tani ca gurë kuarci me borë shndrisin,

        E ku gjurmët e thundrave zhdukeshin krejt.

    Lulet buzë rrugës, qenë të qullta për bletët,

        Dhe po e shpenzonin kot lulëzimin e vet.

    Eja tani ndër kodra larg me mua,

        Dhe bëhu dashuria ime në shi, vërtet.

    Zogjtë kanë më pak për të thënë për vete 

        Nga dëshpërimi rumpallë i kësaj bote drunjsh

    Se gjatë këtyre viteve panumërt kukudhët,

        Edhe pse s’ janë të paktë atje ku janë fshehur

    Ku kënga e pyllit shkërmoqet si ca

        Trëndafila të egër, lehtësisht të shprishur.

    Eja, pra,. bëhu dashuria ime në pyllin e lagësht, 

        Aty ku bien pika shiu,  kur degët era i fryn.

    Ç’ është kjo stuhi që po na ndjek nga pas

        E po na e prish atë këngën tonë,

    Kur mbi pellgjet e cekët era vërshon 

        Duke shtjellë rrotull fustanit tënd.

    Ç’ rëndësi ka se shkojmë drejt Perëndimit,

        Nuk do të vijë veshur me rroba të thata,

    Por qullur nga karfica që mbi pikon  

        Me currila të freskët shiu të arta.

    E era dërrmuese e Lindjes kurrë më s’ do fryjë

        Por do të rikthehet si shkuma e valës së detit

    Në tokat e lashta ku ajo i pat lënë guaskat

        Para moshës së lashtë mijëra vjeçare të fierit;

    Dhe si në kohërat më pasme, po pa dyshim,

        Dashuria jonë do të kthehej sërish më me forcë.

    Ndaj, eja në mes stuhisë dhe shpartalloi ndrojtjet 

        Dhe bëhu kështu pra ti dashuria ime e përzier në shi.

Pas vjeljes së mollëve

Shkalla, dy dërrasa të gjata pas peme ngjitur

Që synojnë drejt qiellit lart e më lart, tani

Them paskam një fuçi ende të pa mbushur

Pas saj mund të ketë edhe nja dy ose tri.  

Nga mollët që s’i vola dot nga degët.

Por, boll me mbledhje mollësh tani!

Gjumi i dimrit, gjatë natës duhet bërë, 

Aromën e mollëve s’e ndiej më. Jam ngi,

Por çudinë s’po mund ta fshij dot nga sytë 

Pamjen përtej një pllake të xhamtë prej akulli,

Që shkëputa nga korita e ujit në mëngjes, 

Ajo u shkri e u thye, ndërsa e lashë të binte.

Duke e mbajtur kundrejt barit që qe përndez.

E m’u duk sikur u ndjeva disi i çliruar 

Prej nanurisjes së gjumit, që po më zinte,

E dija se ç’ formë do kish ëndrra e trazuar, 

Ku mollët e mëdha dukeshin e zhdukeshin pa pri,

E bishtat ngjanin si gonxhe në të lulëzuar,

Kur çdo lëvozhgë e çjerrë shquhej qartas,

Ndërsa tabani i këmbës s’po duronte dot më, 

Dhembjen e ënjtjes nga pesha e shkallës,

Që lëkundej, kur degët përkuleshin avash,

Dhe nga qilari prej koshave vinin rënkime, 

Tingujt të dhimbshëm të barrës së mollëve.

Dhe kuptova që paskam punuar kaq shumë,

Për t’i mbledhur të gjitha. Po ndjehesha i lodhur

Nga këto të vjela të bollshme që vetë i lypa.

Dhjetë mijë fruta preka sot me këto duar. 

Kujdesesha që t’i mbaja që të mos më binin.

Pasi të gjitha ato që përdhe do ishin rrëzuar,

Dhe sikur duke rënë në kashtë mos vriteshin,

Prapë se prapë do shkonin të gjitha për musht  

Si për gjëra të rëndomta krejt pa asnjë vlerë. 

Dikush pyet se çfarë po më shqetëson kështu  

Ç’ është kjo që ngjet, ç’ dreq, gjumi është ky?

Apo s’është gjumë fare, dhe ka marrë arrati,

Kur mundohesh më kot e s’ mbyll dot sy 

Pyet urithin e drurit ta shpjegoj këtë letargji  

Këtë kotje të cektë që mbaron sapo nis   

Që është dremitja e lodhjes tek një njeri.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 155
  • 156
  • 157
  • 158
  • 159
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT