• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ORA ZENITH

July 29, 2021 by s p

Nga Agim  Xh. Dëshnica

Teksa kaloja i hutuar përmes një dyqani të madh me orë të mbyllura brenda xhameve, m’u kujtuan orët e viteve të shkuar. Qysh në fëmijëri dhe më vonë, në shkollë, kisha dëgjuar tregime nga më tërheqësit për matjen e kohës. Mjetin për këtë qëllim, njëri e quante orë me rërë, apo orë dielli, tjetri – orë dore, sahat xhepi, apo qostek me kurdisje. Në ditët tona kanë marrë dhenë orët e dorës me zë njeriu për ata, që nuk shikojnë mirë, orët që ushqehen me rreze drite, orët e murit me zogj e dollapët e drunjtë me xhama të sahatit me laviers. Pra, për kohën tingëllojnë miliona zile e kambana në tërë skajet e rruzullit tokësor. Thonë se ka pasur edhe orë mjeshtrash të mëdhenj, ku dëgjoheshin hymne korale për mbretër e princa me figura grash e burrash në skena, që hapeshin e mbylleshin. Edhe mjaft qytete hijeshohen nga kullat e larta të sahatëve, si Big-Bengu i Londrës, 96 metra i lartë, Kulla vigane shumëkatëshe e Bostonit, që shërben si sahat dhe hotel. Në sheshin San Marko të Venecies, mbi një kullë, në orë të caktuara, dy shtatore burrash të fuqishëm godasin me çekanë një kambanë bronzi. Kurse, edhe sot, nëpër fshatrat tona kohën e gjejnë me afërsi me hijen e pipës mbi shuplakën e dorës, apo me një shufër druri a hekuri mbi tokë. Dëgjohen edhe zëra, se dielli është ngjitur dy pashë apo një hosten mbi Sopot! Ndërsa ora e gjallë, këndesi, zgjon gjumashët, ashtu si në rubairat e Khajamit:

“A e di përse këndesi po këndon 

 Menatë dhe nga gjumi po të zgjon? 

 Që shkoi një ditë po të lajmëron 

 Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron! 

 Zgjohu! Mëngjesi me shigjetë e grisi 

 Perden e Natës, Yjt’ i arratisi, 

 Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi 

 Çdo majë mali e pallati e lisi! ” 

Në kohët e reja, orët elektronike janë vendosur në kompjutera e në celularë, disa me vlerë janë ndrydhur në muzeume, shumë të tjera presin të shiten, ose janë harruar nëpër sirtare, ose janë hedhur në kosha plehrash. Çmimet e tyre janë nga më të larmishmet. Orët e shtrenjta hyjnë në sferën e stolive. Kur i sheh çmimet e tyre, të dhembin sytë dhe koka. Të lirat u shërbejnë qytetarëve për të vajtur në punë pa vonesë, për takime në kafe, ndërsa orët e shtrenjta – për të udhëtuar në vende të largët. Orët e lira i quajnë edhe roskop. Ora të gëzon, por edhe të tmerron. Orët në botë kanë emra sipas gjuhëve: shqip atyre u thonë – orë, anglisht – clock, frëngjisht – horologe, italisht – oro’logio, turqisht – sahat, rusisht ças, etj, etj. Shpikësit e panjohur të orëve u bënë shkak për ndërtime punishtesh e fabrikash dhe për një varg dyqanesh me fitime për tregtarët, sidomos për sahatçinjtë.

Bota e orëve apo e sahatëve Omega, pas luftës te ne qe harruar. Në pazar na mjaftonte Kulla e Sahatit. Veçse, herë pas here akrepat, ndalonin. Kambana pushonte. Flitej se njerëz të caktuar me detyrat e sigurisë qytetare ndaj rreziqeve, sidomos natën, merreshin me çrregullimin e kohës së ndonjë kryengritjeje të mundshme nga armiqtë e popullit, që flinte. Mbase edhe mungesa e orëve në dyqane dhe e telefonave në shtëpitë e qytetarëve, lidhej me parandalimin e ndonjë plani kundër pushtetit popullor. Akrepët frenonin në pikat e zeza të fushës së bardhë te Sahati, posi një tren i prishur në shinat e hekurudhës. Kur ata nisnin të lëviznin, do të thoshte se rreziku qe larguar. Gjithsesi, kambana nuk ndihej me tingëllimin e fortë “dang!” në orën e plotë, “trang!” në gjysmën e orës dhe “tring!” në çdo pesëmbëdhjetë minuta.

Ishte ditë e diel. Për të vrarë kohën, hapa e mbylla disa dosje të pluhurosura. Në njërën prej tyre gjeta një tregim të harruar. Në atë letër të zverdhur nga koha munda të lexoja këto rreshta për orën Zenith të babait:

 “Kur punoja me shifra në një ndërmarrje ndërtimi në rrethinat e qytetit, isha fare i qetë për kohën. Për t’u nisur në punë, më zgjonte babai pensionist, pasi hapte kapakun e sahatit të xhepit të markës Zenith, nga vitet e marmalatës, të makaronave dhe vino Chiantit. Ora me fosfor e tryezës e po asaj kohe, e markës Veglia, nuk punonte më. Dikur zilja e saj binte fort tri herë në mëngjes. E treta binte pa pushim, deri sa zgjonte edhe fqinjët. Tashmë në atë orë relike ndrijnë vetëm numrat e akrepat me fosfor, ndërsa zilja e çtingëlluar bie kot më kot. E mbajmë si stoli mbi komodinë.

Kur punoja deri pas mesnate, harrohesha midis letrave dhe s’më shkonte ndër mend të pyesja se sa ishte ora, sepse si shumë të tjerë duhej të mbushja formularët e pafund për zyrtarët e lartë, të cilët në ato orë flinin rehat në vilat e partisë. As në sheshin e ndërmarrjes, apo në zyrat e drejtorisë, nuk shihej e as dëgjohej ndonjë orë. Ato dukeshin në çastin e përurimit, por pasi prisheshin, “mbeteshin në tako” e s’merrej më njeri me to. Ai mjet aq i nevojshëm ishte mall jashtë liste dhe i rastit nga importi. Orët e markave Gub e Zenith madje edhe Pabjeda ishin me çmime më të lartë se paga mujore e një nëpunësi, palé e punëtorit. Për çdo rast në shtëpi na ndihmonte ora Zenith e babait. Befas një nipçe, duke luajtur na e prishi Zenithin. Qysh atë ditë për të vajtur në punë më zgjonte babai, kur shkonte në radhën e kosit, sipas marrëveshjes me një komshi, i cili trokiste në portën tonë herët në mëngjes. 

Për fat të mirë, teksa kalova bregut të Himarës te një dyqan i harruar në Dhërmi, gjeta disa orë gjermane të markës Umf – Ruhla, të tipit roskop, të trashë sa një kokërr qepe, me çmime pothuaj falas. Pa e zgjatur, bleva një prej tyre. Kështu, me orën në dorë, u ktheva në shtëpi plot gëzim. Pra, shqetësimi, për t’u nisur në punë mori fund. Shpëtova dhe nga trokitja e komshiut në portë, nganjëherë. edhe në mes të natës. Por, një ditë, kur asfaltohej rruga pranë drejtorisë, u afrova të shihja ziftin në kazan. Për dreq, ora ime gjermane m’u shkëput nga rripi e ra brenda në llumin e zi. Një punëtor nxitoi me lopatën në dorë, e futi në fuçi, e gjeti dhe e nxori jashtë. Një mekanik i moshuar, mjeshtër për gjithcka, e mori orën dhe e zhyti në një enë me benzinë. Umf – Ruhla u pastrua për bukuri dhe nisi rrahjet: tik- tak, tik-tak, tik-tak! Qysh nga ai çast, ata që mburreshin me orët Zenith e Gub, kur më ndeshnin udhës, më thoshnin me buzën në gaz: “Të lutem, sa është ora ekzakt?…” 

Tregimi vazhdonte më tej, por qe e pamundur të lexohej. E pashë me vend ta plotësoja sipas kujtimeve dhe t’ua tregoja miqve të mi.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Deshnica, Letersi, Ora zenith

Lamtumirë poeti kombëtar Agim Shehu

July 28, 2021 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Poeti, shkrimtari, eseisti, publicisti i jashtëzakonshëm Agim Shehu iku në parajse atje ku e ka vendin ky soj poeti.  Në këtë ditë të mbrame më shfaqesh me penën në dorë duke shkruajtur dhe nderuar mësuesit e parë, ashtu siç dinte të nderonte një poet si ju.  Ju i nderoni me përulësi si në këto vargje:  “A” e madhe e shtypit, e thjeshtë fare/ dy vija që puqen, dhe një vizë brënda…! Zogjtë hapnin sqepin si “A” e madhe/dhe në folé prisnin bukë nga nëna/ Dorën e vogël, mësuesi në klasë/folé zogu ma mbante në dorën e vet…/Ngjita këmbët e vogla te këmba e “A”-së/ dhe u nisa në jetë…

Ti ece në udhën e ndritur vetë dhe pse donin atë udhë të shenjtë ta errësonin të pagdhendurit.  Sa dhimbshëm e mora këtë lajm poet!  Dhimbje po aq e madhe që emigruat nëmoshën e tretë dhe ndërtuat një folezë tjetër në Zvicër.  Ike larg, shumë larg, shkrepave të akullta si në poezinë me metaforën “Retë refugjate”.   Lart në qiellin e ftohtë/ tufa reje refugjatë/ ecin varg drejt perëndimit/ Dinë nga nisen…/s’dinë ku venë! Të pasigurt në tokë,/udhën e bëjnë në qiell/ Të çdo moshe, të çdo ngjyre –era i largon nga vatra/ i shtyn tutje – “prapa diellit”/ Rezet u lëmojnë leckat, se arnat s’ua qepin dot.

Eci poeti labirintheve të kohës, herë vraponte si kalë i hazdisur, herë heshtëte si një Sokrat i urtë, herë takohej me Bajronin në ëndrra, e herë ngjitej në kala me Ali Pashanë.  Nga kalaja kundronte pamjen madhështore të Tepelenës me ujërat e mëndafshta të Vjoses, dhe si vegim i vinte përshkrimi mahnitës i Bajronit, poetit botëror i cili u magjeps nga pamja tepelenase kur e vizitoi.Por çuditërisht apo diçka hyjnore është se poetët e gjejnë ngushëllimin tek poezia dhe ja si shkruan: “Shpërblim për këngët s’mora, as nuk prita/ kolegët në pushtet i kisha prita/ Një vjershë e dashur m’u bë kupëz vere/ ku piva një gëzim që s’e arrita.  Nga poema: (Bisedë me rubairat).

Agim Shehu vdiq larg Atdheut i sëmurë.  Asnjë qeveritar, apo “topmodel” parlamentar nuk shkruajtën asnjë fjalë ngushëllimi, packa se në vesh të të dashurave të tyre mund t’ju kenë kënduar ndonjë këngë ose tekst të tij poetik si psh: Më trete formulë, më shkrive të gjalle/ si një copez akull në plus njëqind shkallë/ Folmë shpirti im, shpirt në maksimum/ se pa ty s’kam gjumë as në minimum!

Sonte kjo natë e mbrame ka përzgjedhur ngjyrën e ëmbël të Hënës si tek poezia “Qylymi i nënës sime”.  Ju ditët mjeshtërisht sikur të kishit shpikur Abetaren e poezisë të krijonit poezi, poezi klasi, poezi prej një poeti lirik nga më të shquarët dhe të magjepsit lexuesit e shumtë anë e mbanë botës ku frymojnë shqiptarë.  Sonte lexuesit tuaj kanë shtruar qylymin e nënës suaj duarartë në respekt të dhuratës së cmuar që ju ke lënë si: Gjalmin zgjedhur prej çdo ngjyre, nëpër gishta – shpjer e bjer…/Mbi tezgjah, krahët mes tyre/i formonin një ylber. Ngjyrën e ëmbël të Hënës/tek e verdha që shikoni/ -biri kur sëmurë ka qënë/nëna e derdhi ngjyr’ limoni.

Ju sot u ngjitët si Elena Gjika në qiell që ju e cmonit aq shumë dhe ashtu sic ajo vazhdon të bisedojë me perënditë pellazge jam e sigurte si lexuesja juaj e çdo poezie dhe rreshti se do të vazhdoni në rrugën e saj për Kombin pellazg.  Ju keni qenë në oponencë me qeveritë ndaj dhe asnjë president shqiptar nuk mori guximin t’ju dekoronte… E kush më shumë se ju o biri idenjëiProgronatit shkruajti kundër genocidit grek, kunder andarteve grekë që me ura zjarri dhe thika therrnin e vrisnin patriotët në Jugun e Shqipërisë!  E kush më shumë se ju shkruajti kundër genocidit serb që vrisnin dhe therrnin popullin martir të Kosovës!  Agim Shehu është njëpublicist i jashtëzakonshëm që ka ndikuar fort në opinionet e lexuesve dhe njëkohësisht ka kritikuar ashpër politikanët dallkaukë që e lanë vendin në një mjerim të tejskajshëm…dhe ja si shkruan në poezinë: “Karrikja me tri këmbë para OKB-së në gjenevë” 

Karrikja e Madhe – Statujë me tri këmbë/ rri te hyrja si mbi erë…/Kombi im prerë nga diplomatët,/është këmba e saj e prerë/ Ajo sheh zyrtarët asnjanës/ të vjetër e të rinj/ e u thotë: – gjersa unë jam e prerë/ ju çaloni, Zotërinj!

Në veprat e shkruara me plot enigma të shpirtit, të diskursit kritik, filozofik, të ethshëm, historik pasurooi mendjet tona dhe hoqi llumin e moçalit ku dëshirojnë ta drejtojnë disa antishqiptarë. 
Ju ikët krenar, në heshtje, pa zë, ia shalove Pegasit të artë të letërsisë për nëqiell.  Ju jeni dishepulli i Rilindasve, i humanizmit, erudit atdhetar zemërzjarr.  Ju jeni me kryet gjer tek maja malesh dhe mbeshtet gjoksin në Progonat qëi këndove me aq dashuri dhe përkushtim.  Ju ishit gati si një profet që parashikonit vdekjen e ngadaltë të llahtarshme e shoqërisë që politika kobzezë e ka future në moçalishte.  Poezitë tuaja jane një spektakël i vërtetë. 

Arti i poetit Shehu është një shkollë e nivelit të lartë, është një Harvard shpirtëror aty ku Baladat e Lirisë së Kosoves dhe Shqipërisë trondisin kontinentet me aktet e tragjedive që janë luajtur mbi popullin shqiptar.  Foshnjat e Kosovës të lidhura në djep mbahen mbi shpinë të poetit ndaj dhe ai përvajshem ligjëron me kuje labi:  Dhe sot i vranë në prag shtëpie/ nga tym i predhës u thinj Zoti/ Te syr’ i nxjerrë i një fëmije/ përmbys po rrotullohet globi.  Kushdo që e lexon Baladën për Kosovën, me siguri Zoti i shfaqet thinjur, meket përballë kanibalëve serbë që hanë sy fëmijësh.  Metaforat e poetit janë gjerdanë në gushën e bukur të Atdheut, janë hymn për trojet tona ndaj dhe i këndon: Ti gjak virgjin i racës sonë/ në duel me çdo mbretëri/ sa vriteshe në Fushë-Kosovë/ Ringjalleshe në Çamëri.

Agim Shehu është një krye lirik që me vargjet e tij herë të përkëdhel si fijëza Hëne Progonati e herë të qeras si një amvisë e bukur me mjaltë taze nga hojëzat e nje shpirti poetik.  Qysh në rininë e hershme të befason me figuracionin e dendur metaforik apo dhe paralelizmin figurativ që përdor midis dy lëndëve ekstreme letërsi dhe matematikë, por dhe aq të lidhura pazgjidhmërisht me njera tjetrën.  E kush nga studentet nuk i dinte përmendësh këto vargje!  Le ta ndjekim në poezinë: “Të dashurohesh nga nje matematikan” poezi që ndihet dhe duket sikur skuq honet dhe lëshon bisqe nën trungje të vjetra:

 “Ty po të drejtohem, vajze moj syzezë/ më do a po s’më do kjo është hipotezë/ Pamja jote e ëmbël, posi teoremë/ kur të shoh përpara sikur zgjidh problem/ Ti je elegante si ekuacion/ mesi yt i hollë posi ypsilon…

Ai iu bashkua bashkëshortes së tij fisnike, Zanës së Ali Asllanit i cili e pagëzoi me emrin e bukur shqiptar dhe kjo është një histori më vehte që fatmirësisht poeti e ka lenë të shkruar.  Ai jetoi me ikonën e mirësisë, ata jetuan si dyaristokrat të Arsimit shqiptar.  Dashuria e çiftit bashkëshortor ngeli e pastër si velloja e bardhë e Zanës e cila ecën si në balada dhe i lexojmë në këto vargje brilante si: “Vellua e bardhë e nuses/ kujtimet na erdhën pranë/ nga lëndina e bregdete/ një mjegull, mbi Vjosë matanë/ vellon e kish marrë me vete.

Në intervistën që kemi pasur në New York me poetin dhe bashkëshorten e tij fisnike Zana, ende në memorje më rri zëri i tij, si zëri i një Perëndie, apo i nje mësuesi të urtë dhe të mençur që fjala i rrjedh si ujëvarë e Peshtures, ujevare progonatase. 

Agim Shehu është një kryepoet dhe duhet t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”.

Lamtumire Agim Shehu!

Drite sjellshi nga Parajsa!

27 Korrik, 2021

Staten Island, New York

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kozeta Zylo, Letersia shqipe, Poeti Agim Shehu

LUIGJ ÇEKAJ-POETI I PËRNDJEKUR I SHKRELIT TË MALËSISË SË MADHE

July 26, 2021 by dgreca

                    “Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua”-Ismail Kadare/

Nga Frank Shkreli/Gazeta DIELLI

Luigj Çekaj ndërroi jetë në fillim të këtij viti në moshën 70-vjeçare. Ai vinte nga Çek-Dedajt e Shkrelit të Malësisë së Madhe — fshati Bzhetë — nga e ka origjinën edhe familja ime. “Në Shkrel te shtëpia e prindërve të mij”, është një ndër poezitë e Luigjit, dedikuar vendlindjes. Atje, ku “Te muri në vend të lahutës, bimë vjerrëse varen.  Atje ku piqej buka, tani zogu ndjen uri.” 

Kur ishte në moshën 2-vjeçare, babai i Luigjit, Kolë Gjoka Çekaj, për t’i shpëtuar përndjekjes nga diktatura komuniste dhe dënimit me vdekje, arratiset në ish-Jugosllavi, në rrethin e Ulqinit, të cilin si bashkvendas që ishte, familja ime e strehoi për një kohë të gjatë dhe u kujdes për te derisa ai vendosi të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si biri i një të arratisuri, i mituri Luigj Çekaj jetoi ashtu me dhimbje, me njollën absurde të të prekurit dhe të përndjekurit, politikisht.  Merrni me mendë, prej 2 vjeç, poeti i ardhëshëm do të jetonte nën tmerrin e persekutimit të diktaturës komuniste e që, eventualisht, shkoi edhe deri në arrestimin e tij.  Në moshën 2-vjeçare kishte humbur babain, i cili u arratis për pikëpamjet e tija anti-komuniste. Pastaj, siç ka shkruar poeti Gjekë Marinaj në parathënjen e librit me poezi,të autorit Luigj Çekaj, “Vjeshta në Aeroporte”, se ndërkaq, Luigji i vogël kishte humbur edhe duart e së ëmës në pranga sepse kishte refuzuar të padiste të shoqin tek policia.

“Për herë të parë e të fundit në moshën dy vjeç më arrestuan.

Si natën e pushkatimit të Lorkës adoleshenca e hënës

Stoli të papërsëritshme në kujtesën time ngeli,

shkëlqimi i prangave në duart e nenës! (Kujtim nga Fëminia, 1964)

Luigji i vogël, si 2-vjeçar dhe më vonë, po humbte gjithçka.  Poeti i ardhëshëm me trupin e tij të njomë, humbi edhe vendlindjen më në fund, duke përfunduar në kampet e Tepelenës, si përfundim i vendimeve të autoriteteve komuniste.  Kryeredaktori i gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Z. Dalip Greca në parathënien e librit të Luigjit, “Unë vij nga Shkodra”, ka shkruar, “Babai i Luigjit, për t’i shpëtuar kurthvdekjes kishte kapërcyer kufirin, ndërsa familja shkonte për t’u kryqzuar. Hakmarrja u zbraz mbi gruan e pambrojtur të Kolë Çekaj, e cila do të plasej në birucat e ftohta. Ç’mund të mbetej në kujtesën e një fëmije 2-vjeçar, që provonte burgun në moshën e lodrave? …”. 

Ndërsa pyetja ime drejtuar nostalgjikëve të sotëm të regjimit të Enver Hoxhës — të cilët na thonë se, “komunizmi ka qenë në anën e duhur të historisë”, ose “komunizmi ka berë më shumë të mira se të këqia” – është se çfarë kërcënimi paraqiste për regjimin enverist 2-vjeçari Luigj Çekaj në vitin 1952, poeti i ardhëshëm i Malësisë? Si mund të mbrohet dhe të justifikohet një regjim i tillë edhe sot në Shqipëri 30-vjet gjoja post-komunizëm, në një vend anëtar të NATO-s, i cili pretendon gjithashtu edhe antarësimin në Bashkimin Evropian?  Pse, ende 30-vjet pas ndryshimit të sistemit, nuk ka një distancim zyrtar nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, i cili i hidhte fëmijt 2-vjeçar, si Luigj Çekaj dhe të moshave të tjera të mitura, në kampe përqendrimi, shumë prej të cilëve kanë gjetur vdekjen atje? Pse kjo heshtje zyrtare! Deri kur?

Për hir të Madhit Zot, ashtu i njollosur për jetë, si bir i një të arrartisuri nga “parajsa” komuniste e Enver Hoxhës, Luigj Çekaj mbijetoi disi kampet, burgjet dhe diskriminimet komuniste gjatë gjithë jetës së tij – mbijetoi edhe “Stinën e dhimbjes”: 

“Në prill të ’75-sës — Përjashtim nga Universiteti

Në Maj vjen urdhëri — Të pushohet nga puna

Dhe në Qershor –Të dëbohet nga qyteti…”

Luigj Çekaj, gjithmonë e kishte pasion letërsinë por mundësia për të botuar iu dha vetëm pas ndryshimit të sistemeve në Shqipëri.  Kështuqë, menjëherë pas ndryshimit të atmosferës politike, në vitet 1991-1993, ai filloi të kontribonte si redaktor i poezisë në gazetën e pavaruar, “Besa” në Shkodër.  Pas kësaj, ai vendosë të largohej, përfundimisht, nga vendlindja dhe shkon në Amerikë si emigrant politik, për tu bashkuar me babain e tij, Kolë Gjokën.  Luigj Çekaj vendoset në Bronx të Nju Jorkut, ku jetonte dhe babai i tij. Me të ardhur në Amerikë, gjatë viteve 1994-1998, ai angazhohet me revistën “Trojet tona”, ndërsa më vonë iu bashkua kolegjiumit të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, organ i Kishës Katolike Shqiptare, “Zonja e Shkodrës” në Hartsdale të shtetit Nju Jork. Në vazhdim të veprimtarisë së tij letrare në Në Nju Jork, ku jetoi familjarisht sa ishte gjallë, Luigj Çekaj ka botuar librat: “Vjeshta në aeroporte”, poezi, 1998 dhe “Unë vij nga Shkodra” në vitin 2004 — “Libri që renkon nga dhimbja” — ku ka përmbledhur mbresat e kujtimet e tija nga jeta në Shqipërinë komuniste dhe në Amerikën e lirë e demokratike.  “S’na kontrolluan si të dyshimtë rojet,

                        Bile as pasaportën s’na e nxuri kush me gojë!

                        Ne që sa herë shpirtin na e pruri në fyt

                        Sigurimi i dreqit në Velipojë  — (Ditën e Hyrjes sime në Washington, 2 Prill, 1993)

Më kujtohet se kur ishte i angazhuar pranë revistës, “Jeta Katolike Shqiptare”, unë banojsha në Washington, por me anë të një letre më kërkonte mendimin tim — si një ish anëtar i redaksisë së kësaj reviste që isha në fillim të 1970-ave — për ndryshimet që kishte bërë në formatin dhe përmbajtjen e revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, në përgjithësi.  Me letrën në fjalë, Luigji më kishte dërguar edhe dy tre numra të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, të redaktuar prej tij dhe më kërkonte mendimin tim për formatin e ri të saj. Në pamje të parë, revista kishte ndryshuar për më mire, falë angazhimit të Luigjit dhe ketë e kisha pasqyruar në përgjigjen time, ku ndër të tjera i kam shkruar: “Të them të vërtetën, duke u bazuar në shikimin e vetëm disa numrave të revistës që kam lexuar deri tani, më vjen shumë mirë që rifilloi botimi i saj. Për më tepër, u kënaqa se revista e re, “Jeta Katolike Shqiptare”, nën drejtimin tëndë është shumë e rindërtuar, më e mirë, më e këndshme dhe e lezetëshme për syrin, në krahasim me formatin e vjetër të revistës – një përmirësim i dukshëm, pra, si nga formati ashtu edhe nga përmbajtja. Ju dëshiroj suksese të mëtejshme.”  

Për ringjalljen e revistës “Jeta Katolike Shqiptare” aty nga mesi i 1990-ave, një meritë e madhe i shkon Luigj Çekajt dhe bashkpuntorëve me të cilët punoi në atë kohë në redaktimin dhe botimin e kësaj reviste, duke ia rritur vlerën si një organ serioz që pasqyron jo vetëm veprimtarinë e Kishës Zoja e Shkodrës por edhe të komunitetit më të gjërë shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe rrethe.  Më vonë, poeti dhe shkrimtari i Shkrelit të Malësisë së Madhe, Luigj Çekaj është angazhuar edhe pranë Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Amerikë, ndërsa për një kohë ka shërbyer edhe si sekretar i kësaj shoqate intelektualësh shqiptaro-amerikanë. Luigj Çekaj është shquar dhe vlerësuar nga komuniteti i intelektualëve shqiptaro-amerikanë si një kontribues i vyer ndaj kulturës shqiptare në Amerikë dhe më gjërë. Por jo vetëm nga shqiptaro-amerikanët. 

Veprat e Luigj Çekajt kishin renë në dorë të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili ka vlerësuar librin e parë të Luigjit me poezi, “Vjeshta në Aeroporte”. Në një letër dërguar poetit malësor nga Parisi, Z. Kadare ka vlerësuar me këto fjalë poezinë e tij: “Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua. Së pari për nivelin e tij poetik dinjitoz, e pastaj për rezinjatën me të cilën ju dëshmoni për kalvarin tuaj… Ju flisni për dhembjen me fisnikëri, sepse dhembja njerëzore nuk e përjashton kurrë fisnikërinë. Kumti juaj në këtë rast, qoftë artistik, qoftë ai moral, ka një peshë të dyfishtë”, thuhet në letrën e Kadaresë, dërguar poetit Luigj Çekaj, me datën 28 nëntor, 1998. 

Në veprat e tija Luigji shpreh, njëkohësisht, dhimbjet dhe dashurinë, së pari për nenën e vet të shumë vuajtur, për Shkodrën e tij të dashur, “Në qytetin e Nju Jorkut, unë vij nga Shkodra, i pezmatuar” dhe dashurinë e tij për Shqipërinë:

“Shqipëri, asgjë në botë veç nënës,

Nuk kam dashur më shumë se ty.

Ti me frymën tënde më ke kthyer në qenie ajri,

Ti me duart e tua më ke bërë njeri,

Gjërat unë i ndjej thellë në shpirt.” (Motivi për Shqipërinë)

Por në veprat e tija shfaqen edhe ndjenjat për Amerikën, ku më në fund gjeti strehimin, por edhe liri e pak paqë të merituar, më në fund.  “Mes Shqiptarëve të Nju Jorkut, sigurisht”, shkruan Luigji, përfshir ne që na konsideronte si kushërinjtë e tij nga Bzheta e Shkrelit të Malësisë së Madhe që ishim vendosur në Amerikë dekada më parë e të cilëve poeti e shkrimtari u kushton atyre një artikull të gjatë, “Dy fjalë të mira edhe për kushërinjtë e mi të mirë”.  Në librin, “Unë vij nga Shkodra”, ai përmendë pothuaj të gjithë ne emër për emër, ndërsa ka kujtuar takimin e parë me secilin prej nesh në Amerikë duke shënuar mbresat që i kishim lenë atij në takimin e parë me të.  “Me kushëririn Fran Shkrelin u pash me hënë të mirë, sy për sy dhe shpirt për shpirt”, shkruan Luigji në librin e tij, “Unë vij nga Shkodra”.  “Biseda me Franin atë mbrëmje shkoi vërtetë shumë mirë. Pothuajse gjithmonë ramë në një hulli të këthjelltë mendimesh të përafërta! Nuk patëm në asnjë rast mosmarrëveshje të çastit, apo kundërshtime të mirëfillta arsyetimesh të kundërta, madje aty rreth orëve të mesnatës kur darka mbaroi dhe erdhi koha të ndaheshim me Fran Shkrelin, unë më shumë se me një kushëri, u ndava si me një mik timin të kahershëm”, ka kujtuar Luigj Çekaj takimin tonë të parë në Amerikë.

Gjatë gjithë asaj bisede në takimin e parë me të, më kujtohet se me qëllim – duke mos dashur të trazoja plagët e vjetëra të vuajtjeve të tija e të familjes — nuk e pyeta asgjë për të kaluarën e tij dhe, sidomos, për vuajtjet e nënes së tij dhe familjes në Shqipëri, pasi pak a shumë e dinim situatën e përgjithshme nepër të cilën kishin kaluar ata dhe të tjerë si ata, që kishin ndonjë të afërm të familjes të arratisur në Amerikë.  Por gjatë atij takimi të parë me mua, as ai vet nuk deshi të fliste për vuajtjet e tija dhe të familjes së tij në Shqipërinë komuniste.  Por, duke u ndarë me Luigjin atë natë, ashtu siç shënon ai në librin e tij, unë nuk u durova pa i thenë: “Ju sonte nuk më folët asgjë të përveçme për të kaluarën tuaj personale në Shqipëri, deshta me thënë për kalvarin e gjatë të dhimbjeve tuaja të pambarimta. Ma merr mendja se bëre mirë që nuk fole, i thashë, se i di të gjitha dhe se intelektualët e një vendi nuk janë nëna fëmijsh jetimë që kujtojnë e zgjidhin hallet e veta me të qara…”.

Vërtetë,  i tillë ishte poeti e shkrimtari Luigj Çekaj, kurrë nuk ankohej për vuajtjet dhe kalvarin e gjatë nepër të cilin kishte kaluar ai dhe familja e tij nën regjimin diktatorial i Enver Hoxhës, as nuk ankohej për gjëndjen jo aq të mirë shëndetësore, as për sëmundjen e rëndë që më në fund i mori jetën, në moshën 70-vjeçare, në fillim të këtij viti, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara.  Profesori i ndjerë, Agron Fico, në një shkrim vlerësues kushtuar poetit Luigj Çekaj — botuar vite më parë — pasi ka vlerësuar meritat letrare të veprës së tij, është shprehur më së miri për ndjenjat njerëzore të shprehura në veprat Luigj Çekajt: “Luigj Çekaj është poet i fuqishëm lirik, është kryepoet që edhe pse trajton kalvarin dhe dramën e vuajtjeve dhe persekutimeve të familjes dhe të brezit të vet, në thelb dëshmon për ndjenja të thella humane të dashurisë njerëzore dhe shoqërore.  Lirika e poetit Luigj Çekaj është meditative, përsiatjet janë jo thjesht nocione publicistike – politike, por darë dhe çekanë ndaj regjimit të pashpirt, të egër, regjimit totalitar-komunist: “Statujat e diktatorëve nuk qëndrojnë mbi piedestale. Ato janë ngulur si shpata në gjokset e njerëzve të pafaj”, “Statujat e diktatorëve.”

Luigj Çekaj simpatizohej nga të gjithë, pa dallim, me të cilët ai vinte në kontakt: për sjelljet e tija prej një zotërije të vërtetë, për fisnikërinë e natyrës së tij prej malësori, si dhe për njerëzinë dhe çiltërinë e përzemërt, duke berë shumë miq këtu në Shtetet e Bashkuara, shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trojet shqiptare.  Me jetën plot vuatje të rënda dhe me veprat e tija të vlerësuara nga intelektualët e dalluar shqiptaro-amerikanë me të cilët bashkpunoi ngusht pas arritjes së tij në Amerikë — por edhe nga shkrimtarë të mëdhej të Kombit si Ismail Kadare — Luigj Çekaj si njeri, si poet e shkrimtar — nderoi gjithashtu veten dhe familjen e tij të ngushtë dhe më të gjerë.  Shkreli dhe Malësia e Madhe janë krenarë me ‘të, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan është përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij të vyer që ka dhënë për aq pak vite sa jetoi dhe punoi në gjirin e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara para se, fatkeqësisht, sëmundja t’ia shkurtonte jetën, parakohësisht, në fillim të këtij viti.

                        Luigj Çekaj –1950-2021

                                      Lugina e Shkrelit, Malësi e Madhe

Filed Under: LETERSI Tagged With: Frank shkreli, I SHKRELIT, LUIGJ ÇEKAJ-POETI I PËRNDJEKUR

HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE NË RUMANI – KRYEPUNË E DR. LUAN TOPÇIUT…

July 25, 2021 by dgreca

Nga Visar ZHITI/ “…. ka dalë nga shtypshkronja libri im më i ri: “Istoria Literaturii Albaneze, de la origini până în prezent” (Historia e letërsisë shqipe nga zanafilla deri më sot). Është realizimi i një pune shumëvjeçare. Vëllimi ka 868 faqe. Me këtë rast falenderoj të gjitha ata që bënë të mundur botimin e tij.” Kaq shkruan në FB e tij Autori i Veprës me modesti heroike si ata studiuesit e manastireve dhe kuvendeve… 868 faqe… punë shumëvjeçare… falenderim botuesve…Por flet Vepra e madhe, është e para Histori e Letrave Shqipe që del në Rumani, kur në përmasa të tilla gjithëpërfshirëse mungon dhe në Shqipëri.Kjo histori, që është shumë më me rëndësi se ajo e luftërave, se është histori e shpirtit dhe e krijimit, pra dhe e identitetit, nis që nga hershmëria e gjuhës shqipe, kalon te letërsia e saj e vjetër, mesjeta, rilindja, e cila nën pushtimin otoman i shtypte veprat e veta në Rumani, te arbëreshët magjepsës, pavarësia, letërsia pas Luftës II Botërore, e reja, ajo e burgjeve dhe internimeve, e diasporës, deri në SHBA, etj, e deri më tani në shekullin XXI, shoqëruar me dokumente, imazhe, pasazhe librash, etj. E gjitha mahnitëse, do të thosha. Ngjarje kulturore – e kanë quajtur menjëherë në Rumani.Duhet ta kishim në gjuhën shqipe së pari, por ishte Rumania ajo, tashmë vend i Bashkimit Europian, e cila kaloi nëpër kalvarin e diktaturës komuniste, jo aq rëndë si vendi ynë dhe nuk pati ndonje realizem socialist aq vrastar sa letërsia jonë, pra s’do të ishte Atdheu, por Rumania, që do ta mbante Dr. Luan Topçiun që të shpaloste punë dhe vlera, sa kombëtare, shqiptare dhe rumune, po aq dhe europiane e universale, duke arritur i vetëm të bënte atë që duhej tē bënin akademitë, universitetet, duke forcuar ndërkaq miqësinë dhe lidhjet me Rumaninë e dashur, më shumë se sa ambasadat e pergjumura, më shumë se sa Ministria e Punëve të Jashtme. Na nëpërmenden ndërkaq arritjet e shumta të albanalogut kanadezo-gjerman Dr. Robert Elsie në kulturen shqiptare. Dhe pritej vazhdimi…Luani shqiptar, me afërisht 1.000 faqet e Historisë së Letërsisë Shqipe, duket sikur permbushi një punë mijëvjeçare, duke ngritur këtë Katedrale hijerëndë, ku Shqipëria është më e bukur, por dhe e përjetëshme

Filed Under: LETERSI Tagged With: Luan Topçiu, Visar Zhiti

Naimiada

July 16, 2021 by s p

Nga Namik Selmani – Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë, Boston.

E di që mbase mund të shihni kalimthi këtë si këshillë, lutje, përgjërim, kërkesë. Një zgjm nostalgjie, një lëçitje për patriotizëm që, për shumë njerëz, edhe nuk përmendet më në fjalorin e përditshmërisë. Ose më saktë, vështirë se testohet në njerëz të ndryshëm, të veçantë. Të gjitha mund t’i ketë ky shkrim. Mbase asnjë. Po mund të mbetej vetëm te radhitja e disa argumentavë, thënë me gjuhën e metaforës, të digresionit letrar, apo edhe të mbushur me një frymë optimizmi, mbase më shumë se duhet për kohën që jetojmë e që mjaft njerëz shqiptarë, me apo pa statusin e emigrantit modern, nuk do ta pranonin krejtësisht si frymë sociale, kombëtare, pak romantike, pak didaktike, pak realiste. Do të ishte më se i mbrothësishëm një lloj bashkëpunimi me ju, apo me ata që do ta vijnë në këtë tokë apo do ta hapin një ditë në dyert e rëndë të kurbetit me disa motive jetësore për të ekzistuar sot e kah mot kjo NAIMIADË, nëse do ta formoja një fjalë z të re me atë që na dha që na frymoi në breza i madhi dhe i thjeshti Naim Frashëri. Jemi pak të qetë se emrin e tij tashmë e kemi vënë në mure shkollash, në dëftesa nxënësish, në çmimet letrare të përvitshme në zona të caktuara duke u nisur që nga Përmeti, nga Frashëri me emrin e tij, në këngë popullore e të muzikës popullore, të lehtë e modern, në piktura e skulptura, në teqet e xhamitë, në medaljonë ..Në kartmonedhat ku vihet ajka e një kombi. Mos harroni se kartmonedha njëdollarëshe në Amerikë ka fytyrën e Xhorxh Uashingtonit që amerikanët e quajnë “Babai i kombit amerikan” pa harruar që edhe kryeqyteti i këtij shteti-kontinent, është pikërisht ai me emrin e tij Në Muzeume lokalë e kombëtare ia kemi caktuar vetrina të veçanta bashkë me Abdylin e Samiun. Ia kemi vënë jo rrallë emrin e tij djemve, po jo më pak dhe vajzave në Shqipëri e në Kosovë. Ka shumë Naimë e Naime në trevat tona. E me të ka dhe një ringjallje të veçantë emri i tij. Kemi medituar para shpatës së Skënderbeur ardhur nga Vjena e valseve duke mërmëritur vargjet e poemës “Histori e Skënderbeut” E kemi njësuar në heshtje pak veten me Kamanin e kohëve moderne që nuk i duhet më një shpatë, po një penë, një libër, një punë më të mirë mbrothësie. Mbase historinanëve të letërsisë botërore do iu kujtohet një detaj që dua ta ndaj me një lexues mbarëshqiptar. Biografët e Balzakut romancier e novelist, një filozof në kufirin e fundit të gjenialitetit kujtojnë se në tavolinën e punës së tij, ai kishte vënë një portret të Napoelon Bonopartit me një mbishkrim të tijin. Vetëm të tijin. Askush nuk mund që ta bënte këtë veç Balzakut. Ose më saktë, askush nuk mund ta realizonte atë në jetë. “Atë që arriti Napoeloni ne pushkë e beteja, unë do ta arrij me penë”-pat shkruar Balzaku fjalëoqean. Edhe pse i këndojmë sa e sa këngë malli, ai është më shumë se një bri modern për kohët që jetojmë e që vijnë. Jo nga ato që ftojnë të luftosh qoftë dhe me topat grykëgjatë. Në një botë kaq të madhe e kaq të vogël, këshillat janë pak të tepërta për njerëz që, duke patur lirinë e shprehjes, mendojnë se liria dhe e vërteta është me ta, dhe vetëm me ta. Po nuk bëj mëkat që t’u them se kur është një përvjetor i ndarjes nga jeta i poetit tonë kombëtar Naim Frashëri apo i lindjes së tij pranverore, të jetë porta e një kujtese të re. 120 vite pa të. 120 vite me të e kurdoherë me të do të jemi. Me frymën e palcën e shqiptarizmit që ai e kishte ditënetëve. Mund të mburremi se kemi parë dhe kemi bërë sa e sa fotografi e video duke patur pas krahëve Luvrin, Milanon, Spanjën e toreaodorëve, Akropolin e Athinës, Koloseun e Romës, Bostonin e muzeumeve, Manhatanin e Njy jorkut, Niagarën e Kanadasë, zonjat japoneze, Murin e Madh Kinez, e pasataj nxitojmë t’i hedhim në instragam, në facebook. Ose të bëjmë albumin tënd vetjak. Po ama, si shqiptar duhet që njëherë në jetë ta shohim, ta prekim të frymojmë në Frashër mes atyre maleve me pisha, ahe, në Frashër. Ku arrat dhe ftonjtë erëmirë janë më të rrallët në Shqipëri. Bash si detyrimet që kanë besimtarët e feve respektive.

Aty do të shohin atë djep të shqiptarizmit të rilindjes e, nëse bëjmë një pyetje retorike. “Si do të ishte bota shqiptare, mësuesit, shkollarët pa të? Si do ishte pa atë shprehje monumentale të kryepoetit “Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë!” E pata atë rast të lumtur në majin e vitit 1996. 150 vjet kur kisha fituar Çmimin e parë kombëtar në poezi me rastin e këtij përvjetori. Dhe ishte në rastësi e mrekullueshme që vajza poeteshë gjimnaziste ishte mbesë në Leusë dhe kjo më dha mundësinë që të isha brenda kristalimit të ujit të ftohtë të Leusësqë sikur ishte ndërtuar mbi një burim uji si përrallë. Atëherë, por dhe sot nuk dua të kujtoj asnëherë vdekjen e poetit, se ai firmosi vetë pavdekësinë. Metaforikisht ai ka një lindje pranverore më 25 maj dhe një ndarje nga jeta në një stinë vjeshtore 20 tetor. E pra, duhet të jesh cazë më shumë naimjanë nëse e nis nga Frashëri. Atje ku ai mori nga pas emrin Naim Bej. Nuk kishte lidhje me jetën e Stambollit të zhurmshëm që do ta mësonte, po edhe do ta ligështonte nga shëndeti, nga malli. E që një ditë atje në një lagje të Stambollit do t’i merrte dhe eshtrat e tij të drobitura, por jo shpirtin që fluturonte e sërish fluturon në qiellin e shqiptarisë, Naim Frashëri ose Naim Beu do rrinte këtu 15 vite. Derri në moshën 15 vjeç djalë ai Në Teqenë e Frashërit do të mësonte gjuhë të tilla si arabisht, turqisht osmanisht dhe persisht. Vetëm dispilna e rreptë mund të ishte një nga çelsat e fitores së kësaj kulture që po merrte atje mes maleve të Dangëllisë, Më tej te Zosimeja buzë Gjolit të Janinës, ai do mësonte greqishten e Lashtë dhe e Re, frëngjishten dhe italishten.

2.

Më thoni ju që keni qëndruar në vendlindjes tuaj qoftë në një atmosferë urbane, qoftë dhe në majën më të lartë të Shqipërisë, apo në një fshat që nuk njihet shumë në një zone sa mbresa merr njeriu më vete në 15-16 vite jetë! Ditët e fëmijërisë dhe rinisë janë “Akademia” e parë e moshës njerëzore. Të hap portën në pjekurinë e moshës. Ah, biografët e poetit! Të tregojnë për shkollën, po nuk tregon se si bridhte livadheve, si ftohej në kroje, si jetonte me mistikën e Teqes së Frashërllinjve e të atyre që futeshin në të. dhe me çfarë pasioni mësonte shkronjat e para të gjuhës. Edhe kur dëgjonte rrëfimin e shehelerëve, mësuesve të tij të parë atje, në Frashërin mes maleve, ku kryqëzohen rrugë e mbarë Jugut e lartë se maja e Tomorit, të cilit do i kushtonte vargjet e tij si himn i vërtetë, ai e kuptonte se një majë e re po i shfaqej para tij. Mbase aty do të ketë provuar dhe fytyrskuqjen djaloshare. Uji i freskët i gurave do e rriste para kohe. Xha Haliti babai dhe “Mësuesi” i të mëdhenjve” ishte më i lumturi dhe më bekimtari. Djemtë e tij nuk kishin në shtëpi poltronet, pianot, pikturat kopshet me lule ekzotike. muret e zbukuruara të shtëpive të Evropës që shpesh bënin garë salltanetesh. Po kishin kostumet kombëtare, kishin odat ku vinin e shkonin sa e sa burra mëmëdhetarë. Kishin isopolifoninë që do të bë hej shumë kohë më vonë pasuri e UNESCOS.

… Kur vihemi në tribuma në auditorë në klasat e shkollave të mesme e spjegojmë madhështinë e Rilindjes evropiane e sidomos atë italiane, themi shprehjen që i vuri vulën kohës “Rilindja kishte nevojë për titanë dhe lindi titanë: Po me plot gojë e themi këtë dhe për rilindasit tanë Frashërllinj. Ata nuk vinin nga sallat e mëdha me shandanë, me kolltukë të rëndë e me perde të gjata, nuk vinin nga kalatë me labirinte shpesh misteriozë, me telajo e afreske. Nuk vinin nga salla me shandanë apo nga dysheme me mermer të zgjedhur. Dhe Naimi ishte aty. Aty ku dhe ne duhet ta ndjejmë frymën e tij dhe të bëheni cazë më shumë naimjanë. Kur ka zbritur tatëpjetën e maleve duke kaluar han më han për të shkuar në Janinë, nuk e dinte se si do shkonte jeta. Edhe kur kalonte në korridorët e “Zosimeas” një lloj Universiteti për kohën, por edhe për sot. Atë status që do ta merrte disa dekada më vonë Normalja e Elbasanit për djemtë e vajzat e kombit. Mori një diplomë nga “Zosimeja”. Kaq, Nuk shkoi më shumë . Po me dhjetra, me qindra shqiptarë që kanë marrë diploma në Shqipëri e në Botë në këto 120 vite nuk maten dot me madheshtinë që ai na la pas. Ashtu si do ishte dhe Migjeni. Në sytë e djaloshit Naim Beu lodronin valët e liqenit, zgjoheshin kujtimet e Ali Pashë Tepelenës dhe përvijohej pak nga pak Skënderbeu. Ishte një testament poetik që vetëm dy vite para vdekjes do ta hidhte në vargje poeme. Ai do të ecte dhe garonte në jetë vetëm me atë Diplomë shkollore me atë formim kulturor, me të cilën do bënte poezitë, poemat, do të bënte përkthehet në gjuhën greke. Do të bëhej i dobishëm në atë karvan patriotësh, për të cilat kishim kaq shumë nevojë atëherë. Jo më pak dhe sot. A nuk duhet të bëhemi cazë më shumë naimjanë kur mendojmë që pjesën më të madhe të nxënësve duan ta kalojmë me kopje? Dhe karvani që do e dërgonte në Stambollin me zhurmë do e kthente shumë herë pas. Një pjesë të madhe ai mori statusin e mërgimtarit. Ai që e ka provuar bukën e mërgimit e di mirë, fort mirë se sa test është ai për veten për jetën e mbijetesën. Ai gjoskkollituri sfiduesi, ëndërrimtari, mëmëdhetari , gjuhëtari, përkthyesi. Për të shëruar sadopak mushkëritë që po i dëmtoheshin, Naimi mund të zgjidhte ca vende të bukura në Zvicër me veti shëruese. Mund të shkonte edhe në Evropë, se duhet thënë se edhe atje ka vende të bukura e të përshtatshme, po ai zgjodhi sërish malet e Frashërit, zgjodhi Beratin dhe Sarandën. Në atë pak kohë ai u takua këtu me Konstandin Kristoforidhin, “Babain e Gjuhës Shqipe” dhe Hasan Tahsinin që më vonë do të bëhej mësuesi i Sami Frashërit dhe rektori i parë i Universitetit të Stambollit . U njoh edhe me Babë Dudë Karbunarën Mësues i Popullit” dhe punuan për ngritjen e shkolave shqipe. Dhe nuk kishte mbushur as 40 vite jetë, edhe se kolla e tuberkulozi po e shqetësonte. Atje po filozofonin atë që e thonë mësuesit më të nderuar të kombit tonë të dashuruar me gjuhën. Mjafton thirrja e tij që të na skuqë fytyrën e të na shtojë obligimin.

Vëllëzër shqipëtarë,

Të prekim urtësinë!

Të zëmë udhë e mbarë!

Të ndritim Shqipërinë!

A nuk duhet të bëhemik cazë më shumë naimjanë në këtë kohë sherresh, tribunarësh pa vlerë??? Në vitin 1901, shumë kohë para se të bëhej Kongresi i Manastirit, për të vendosur një Alfabet për gjuhën shqipe, kur ende ne si komb as në Shqipëri e as në Kosovë, nuk kishim hapur shkollën tonë të mesme, i mirënjohuri patriot, publicist, filiz i shëndetshëm i shqiptarizmës dhe i Frashërllinjve, Mithat Frashëri, i njohur me pseudonimin Lumo Skendo, shkruante një shkrim homazh për xhaxhain e tij, Naim Frashëri. Edhe pse Shqipëria kishte shumë probleme që lidheshin me lirinë e munguar, me çetat kundër pushtuesit, me mëvehtësinë, Mithat Frashëri merr në analizë një tipar shumë të qënësishëm të Naim Frashërit që edhe sot pas më se 10o vjetësh, nuk po përsëritet masivisht në radhën e intelektualëve shqiptarë, pse jo edhe në radhën e mësuesve që e kanë në “statusin “ e tyre këtë tipar., këtë detyrim. Ky shkrim po të ishte botuar në kohën tonë, do të kishte bërë një të papritur të këndëshme, nga ato që “peshkojnë“ çdo ditë kryeredaktorët e gazetave të shumta metropolitane në Tiranë e Prishtinë dhe ato të televizioneve shqipfolëse. Bëhet fjalë për një “PUSHTIM” të padrejtë që kishte që në atë kohë leksiku i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja . “Në të shkruarë, Naimi bën qilizmë gjuhënë tënë dhe shkruan thjesht shqip, pa përzjerë fjalët e huaja”- shkruan ndër të tjera Mithat Frashëri. Shihni se ku e dërgoi fjalën e gjuhëshqipes i palodhuri Naim Frashëri! Edhe pse kollitej fort, në rrugicat e Beratit e në shkallaret e Sarandës, nuk harronte që të shkruante tregime për këndonjësit e Mësonjtoreve të para shqipe. Më thoni atë që është fare e thjeshtë! Kush ia jepte këtë urdhër poetit? Kush e paguante? Askush. Puna e tij mjaft e zakonshme që bënte nuk i mjaftonte besoj as për ditët që jetonte. Por, ah, nuk mund të themi askush. Ishte një zë i fortë që vinte që nga deti i shqiptarizmës. E tani më kujtohen ato fletore që iu zverdheshin fletët që në ditët e para të hapjes që në ballë të tyre kishin atë fjalë-këshillë “ Punë, punë, natë e ditë që të shohim pakz dritë! Puna e shqiptarit përherë ishte si një lloj dhimbje e pashkruar. Analfabetimi në mes të Evropës, më tej komunizimi që nuk e paguante si duhet atë, 30 vitet e fundit që e kanë “vrarë ” në mënyrën e vet, na duket se ringjallim sërish atë këshillë naimjane të Mësuesit të Brezave. Shihni se si e himinzon ose më saktë çamërishten! Kush mund t’i jepte më parë e më vonë atë vlerësim meritor se sa ai shenjtërim i fjalës çamërishte tek i drejtohet dallandyshes së mallit “Eni vjen pej Çamërie, me atë gluhë perëndie?”. Naimi krijoi një Naimiadë dhe nuk duam që ta krahasojmë me meteorin, një epitet shumë i konsumuar. Madje as me shqiponjën. Se ai ishte biri ynë, biri i tokës sonë që e deshi si mund ta donte aid he vetëm ai. Këtë fjalë ua japim atyre që vijnë shpejt e ikin shpejt. Doemos do e donim më jetëgjatë Naimin. Se një “Naim” tjetër si De Rada në Shën Dhimitër Korone vdiq 93 vjeÇ duke u mësuar shqip djemve arbëreshë. Edhe pse jetonte varfërinë më të madhe pa folur për djemtë e vdekur njëri pas tjetrit. Mbase te Naimi ishte një lloj rizgjimi i vetvetes sonë, në një kohë kur e donim kaq shumë. Titanët e Rilindjes e të mbarë Evropës, i dhanë vrull artit të Shkronjës, të Tingullit, të Penelit, të Daltës, e që më vonë do të kalonte edhe oqeanin për të shkuar në SHBA për të përtërirë forcat e idetë e atij shteti shumëkombësh që do të bëhej fuqi e vërtetë. Naim Frashëri i kishte shumë më tepër se kaq, këtë frymë rilindjeje për kombin e tij. Shumë. Kishte shenjtërimin e shpërndarjen e shkronjëshqipes. Kishte punëdashjen dhe tokëdashjen. Kishte sakrificën e një qiriri që ende digjet para syve tanë që, për fat të keq jo gjithmonë ia shohim dritën e shpirtit të tij. A nuk e përdorim masivisht në botë qiririn si dritë shenjtërie? Ndaj dhe Naimi kërkon ta shenjtërojë dobinë e secilit për atë që duhet të bëjë për tokën e të parëve, pavarësisht se ku banon, ku jeton e ku vdes. Përtej Naimiadës, të gdhendur në dhjetra rrugë të Shqipërisë, Iliridës, Kosovës, përtej emrave të shkollave, të rrugëve, të institucioneve me emrin e tij, përtej këngëve, pikturave, monumenteve, poezive, poemave, spektakleve, recitimeve le të kujtojmë pak vargjet Çajupianë

Vdiq Naimi! Vdekje e shkretë,

pse more të tillë burrë?

I ndritë shpirti për jetë!

Mos i vdektë nami kurrë!

Mendjelarti, zemërtrimi, si do të thoshte Çajupi nuk na la jo thjesht një nam, po një model më vete, nje fenomen të madhërishëm, na la një naimiadë. Përherë do të kemi brenda vetes atë rreznajë të syrit të tij xixëllues dhe aq sqimatar apo edhe atë mjekrrën e bukur me hire duke kujtuar se ai i përkste racës më të bukur të shqiptarizmës. A nuk duhet të bëhemik cazë më shumë naimjanë në këtë kohë sherresh, tribunarësh pa vlerë? Sërish, qoftë edhe duke qenë më shumë pajtimtarë me veten pa droje, pa u lodhur të bëhemi më në fund Plaku i vërtetë i Mollëve për brezat e ardhshëm?

Filed Under: LETERSI Tagged With: Letersi, Naimiada, namik Selmani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 171
  • 172
  • 173
  • 174
  • 175
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT