• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PERCJELLJE PER SHKRIMTARIN MOIKOM ZEQO

June 21, 2020 by dgreca

In Memoriam/

Nga Thanas L. Gjika/

Akademiku Mojkom Zeqo u nda nga jeta pas një lufte disavjecare me semundjen e keqe. Ai ka qenë një njeri me energji të mëdha krijuese. Ishte poet i talentuar, dinte shumë mirë italishten dhe kishte lexuar shumë autorë të huaj të përkthyer në këtë gjuhë. Në shkrimet e tij poetikë të para vitit 1973 ra në sy guximi i tij krijues, përdorimi i një figuracioni jo konformist. Pas qarkullimit në Rogozhinë si mësues Mojkomi pësoi në ndrydhje, partia shtet e ktheu në një krijues të nënshtruar ndaj propagandës së saj. Megjithatë ai u përpoq që këtë nënshtrim ta shfaqte me një farë dinjiteti përmes kulturës së tij dhe energjive të brendshme. Vijoi të krijonte figura origjinale, të sillte prej mendimit përparimtar botëror vlera universale, për aq sa mundëte dhe i lejohej.

Aktivizimi i tij si njeri i politikës socialiste në vitet 1991-1996 e dëmtoi ecurinë e tij shoqërore dhe letrare. Mojkomi nuk kishte nevojë të vijonte anëtarësinë partiake dhe të lidhej me Partinë Socialiste. Shoqëria shqiptare do të kishte përfituar shumë prej tij dhe prej Dritëro Agollit po të mos ishin bërë deputetë të kësaj partie, por të ishin bërë deputetë të pavarur. Ky hap do t’i kishte ndihmuar këta krijues të shpëtonin prej pëlhurës së merimagës, me të cilën PS-ja, si dikur PPSh-ja, pengonte evoluimin e mendësisë së anëtarëve të saj.

Një dobësi tjetër e Mojkomit ka qenë shpërndarja e tij në disa fusha si arkeologjia, sociologjia, etj, gjë që pengoi arritjen maksimale në krijimtarinë e tij letrare, publicistike dhe kritikën letrare.

Nuk ka dyshim se pjesa më e mirë e veprës së tij do të ribotohet, studiohet dhe vlerësohet prej specialistësh të kualifikuar, gjë që do të ndikojë në procesin e ngritjes së kulturës, letësisë dhe shkencës shqiptare në nivele të rinj.

Filed Under: LETERSI Tagged With: In Memoriam, Moikom Zeqo, Thanas L.Gjika

Më pëlqejnë…

June 19, 2020 by dgreca

Ernest Hemingway*/

(shqipërim nga Astrit Lulushi)/

Më pëlqejnë Kanadezët./
Janë aq ndryshe nga Amerikanët./
Shkojnë në shtëpi natën./
Cigaret nuk u bien erë të keqe./
Kapelet e tyre mirë-përshtaten.
Ata vërtet besojnë se e fituan luftën.
Por nuk besojnë në letërsi.
Mendojnë se Arti është ekzagjeruar.
Disa prej tyre janë shumë të pasur.
Por kur janë të pasur blejnë më shumë kuaj
Se sa vetura.
Çikago e quan Toronton qytet puritan.
Por, boksi dhe garat me kuaj janë ilegale
Në Çikago.
Askush nuk punon të dielën.
Askush.
Kjo nuk më bën të çmendem.
Ekziston vetëm një Woodbine.
Por a keni qenë ndonjëherë në Blue Bonnets?
Nëse vret dikë me makinë në Ontario
Ju keni përgjegjësi të shkoni në burg.
Kështu që nuk ndodh.
Ka pasur mbi 500 të vrarë nga veturat
Në Çikago
Deri më tani këtë vit.
Është vështirë të pasurohesh në Kanada.
Por është e lehtë për të fituar para.
Ka shumë dhoma çaji.
Por, atëherë, s’ka vend për kabare.
Nëse ‘tip’ një kamerier një çerek dollari
Ai të thotë ‘Falemnderit’
Në vend që të thërrasë policin.
Edhe gratë lejohen t’u nxjerrin dorën makinave
Edhe nëse ato janë të bukura.
Kanadezët janë të gjithë në nxitim për të shkuar në shtëpi për darkë
Dhe të mblidhen pranë radios.
Janë popull i mirë.
Më pëlqejnë.
——
*Ernest Miller Hemingway (1899 – 1961) ish gazetar amerikan, shkrimtar dhe sportist. Ekzistojnë vetëm tre sporte, thoshte ai, përleshje me dema, gara me motor dhe alpinizëm; të tjerat janë thjesht lojëra.
Stili i tij i të shkruarit me nënkuptime – të cilin Hemingaw e quajti teori e ajsbergut – pati një ndikim të fortë në krijimtarinë artistike të shekullit të 20-të, ndërsa stili aventuresk i jetesës dhe imazhi i tij publik fituan admirim e brezave të mëvonshëm. Hemingway prodhoi pjesën më të madhe të shkrimeve midis viteve 1920 – 1950, dhe fitoi çmimin Pulitzer më 1953 dhe Nobelin në Letërsi më 1954. Shumë prej veprave të tij konsiderohen klasike të letërsisë amerikane.
“Nëse një shkrimtar e njeh mjaftueshëm atë që shkruan, ai mund të braktisë gjëra që di dhe lexuesin, nëse shkrimtari shkruan vërtet mjaftueshëm, do të ketë një ndjenjë të atyre gjërave aq fort sa i kishte deklaruar. Dinjiteti i lëvizjes së një akulli është për shkak se vetëm një e teta është mbi ujë. Një shkrimtar që heq gjërat sepse nuk i njeh ato vetëm i lë vendin gjërave të urryera në shkrimin e tij.” (Death in the Afternoon, Ernest Hemingway)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Astrit Lulushi, Hemingwey, Më pëlqejnë

Muzeu i Shkronjëzimit Letrar Shqip në Amerikë

June 13, 2020 by dgreca

(Meditime duke lexuar librin më të ri të Adnan Memetit “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë–Autorë dhe vepra”)/

Një promovim i këtij libri  fare mirë mund të bëhej edhe objekt i punës dhe planifikimit të dy Ministrive të Diasporës në Tiranë e në Prishtinë/

Nga Namik Selmani/

Nëse do të bënim një test të kulturës së një kombi, mund të thonim një shprehje që ka sa vlerë emocionale, aq edhe mesazhiere “Më jep një muzeum, të të tregoj kulturën e një kombi”. Për Adnan Mehmeti që aktualisht është dhe President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë” libri që na vë në duar këto ditë është një libër-suprizë “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë – Autorë dhe vepra”.
Besoj se kjo është më se e provuar nga ata që do ta marrin në duar. Tashmë nuk është një sekret i jetës së tij, i karakterit të tij, i personalitetit të tij krijues që është një kronikan artistik i rrallë, mbase edhe me një “Guines” shqiptar në Amerikë për udhëtimet që ai ka bërë dhe bën në shtetet e Amerikës. Një udhëtim disavjeçar që ai e ka gdhendur artistikisht edhe në librin e tij “Simfonia e udhëtimeve nëpër kontinent” dhe po përgatit vëllimin e tij të dytë me këtë temë. E le të vijmë te shprehja. Ai ka parë mjaft muzeume në Amerikë që mund ta quash veç mjaft emërtimeve edhe “Shteti i Muzeumeve”. “Më jepni një libër të tillë, të shoh shpirtin letrar të shkrimtarëve shqiptarë që e kanë lidhur jetën dhe shpirtin e tyre krijues me këtë vend”- do të thoja unë me plot zë dhe emocion.
…. Që nga viti 2001 pak nga pak po bëhen 20 vite nga kjo Shoqatë. Në këtë rrugë ai po realizon një mision mjaft të bukur, të rëndësishëm, të dobishëm. Libri i tij mund të quhet thjeshtë një “Enciklopedi artistike” apo dhe një “Muzeum Shkronjor Shqip” me njohjen që ai i bën mjaft profesionalisht gjithë letërsisë së shkruar në këtë shtet në 20 vitet e fundit.  E vlerat e një Muzeumi apo të këtij libri duken jo në atë të përditshme që jeton autori dhe libri, po edhe për të ardhmen. Jo në atë të vizitorëve që hyjnë e dalin në të, po shumë më tepër. Le t’i marrim një nga një vlerat e këtij libri mjaft të rëndësishëm që në këtë kohë është një risi edhe emocion për kulturën shqiptare të Diasporës, po edhe për Shqiptarinë.
1.Secili shkrimtar është paraqitur me një bibliografi të deritanishme të krijimtarisë letrare që njihet nga të gjithë autorët e lexuesit e shumtë në Amerikë. Bashkë me këtë bibliografi e shoqëruar edhe me një foto të secilit ka dhe një krijim përfaqësues.
Adnani i njeh kolegët e tij: Mjaft libra të tyre i ka dhe në bibliotekën personale. Në këtë listë më vjen mirë që është vlerësuar edhe krijimtaria ime sidomos e viteve të fundit. Botimi i disa librave të mia për Amerikën dhe botimi në anglisht “Biri i shquar i Çamërisë Adem Zer Teme” i cili u promovua edhe në Filadelfia, më ka shkrirë natyrshëm me këtë letërsi që lëvrohet këtu.

2.Vlera e dytë e librit është dhe paraqitja e veprave dhe kontributi edhe i atyre shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë të moshave të ndryshme që sot nuk jetojnë më. Të tillë janë: Rozi Theohari, Betim Muço, Dedë Elezaj, Marash Mali, Selaudin Velaj, Sotir Andoni, Valtër Lazari duke e mbyllur me jetën dhe aktivitetin letrar, gjuhësor e studimor të studiuesit të njohur Profesorit Agron Fico që u nda para disa ditëve nga jeta.
3.Gjeografia e autorëve të paraqitur këtu është e dyfishtë. Nëse do ta shihnim vendin ku zhvillohet ajo, Amerikën, gjeografia e tyre përmbledh gati të gjithë shtetet, duke nisur nga Nju Jorku, Masaçuset, Ohajo, Miçigan, Florida, Pensivalnia, Nju Xhërsi, Minesota, Konetika, Teksas, Virxhinia, etj. Pak nga pak ata janë bërë “ambasadorë” të kulturës së shkruar shqiptare në Amerikë. Kjo gjeografi gërshetohet edhe me larminë gjeografike prej nga vijnë shkrimtarët shqiptaro-amerikanë. Ata janë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi ose edhe ta ardhur këtu jo direct

nga këto troje, por nga vende të tjera. E këto hollësi janë mjaft të rëndësishme dhe mjaft orientuese për begatinë e tyre letrare. Aty gjen anëtarë nga të gjitha krahinat: nga Shkodra, Elbasani e Gjakova, Saranda, Tropoja  e  Prishtina, Vlora, Mati e Klina, Peja, Lezha e Struga, Presheva, Bujanoci e Korça, Përmeti, Tepelena e Kërçova, Gjirokastra, Prizreni e Tirana, Fieri e Malësia e Madhe, Himara, Tepelena e Dibra, Plava  e Çamëria.
5. Shumë herë në analiza apo informacione që japim për librat e rinj harrojmë me ose pa dashje edhe pjesën e tij teknike. Të gjithë autorët e kanë mjaft të natyrshme bisedën mes njëri-tjetrit për mënyrën e botimit, për faqosjen ose dezainjit, si do ta quanim teknkisht.
Le ta japim që në fillim informacionin se ai është botuar në Amerikë, në Nju Jork.  Duke parë cilësinë e krijimeve, lind edhe ideja që këta shkrimtarë apo dhe ata të Kanadasë  fare mirë me këtë mënyrë me këtë Shtëpi Botuese “Adriatic Press” mund të mënjanojmë atë traditë mjaft të hidhur e të vështirë të botimit të librave të këtyre autorëve në trojet shqiptare dhe të ardhjes së tyre me trasta e valixhe në Amerikë.
6. Duke i parë 103 shkrimtarët aktualë shqiptarë të Amerikës, mbase mund të ishte i hapur mendimi që kjo Shoqatë mund të zgjerohej edhe me Kanadanë si ndodh edhe me sportin. Kujtoj një fakt që në Boston bëhet një Ligë Futbolli me mjaft skuadra futbolli kanadaze. Edhe në Kanada ka prej shumë vitesh një numër mjaft të madh shkrimtarësh të brezave të ndryshëm që e lëvrojnë shqipen letrare me sa e sa vepra që shtohen nga viti në vit. Kjo mund të nxiste edhe hapjen e konkurseve letrarë të shumtë tematikë në Amerikë apo dhe në Kanada.
7.Shoqata ka edhe organin e saj letrar PENA që botohet një herë në vit, por që për numrin mjaft të madh të krijuesve dhe të veprave në rritje mbase duhen gjetur mundësitë organizative, financiare që periodiciteti i botimit të saj të ishte më i shpeshtë.
8. Libri në tërësinë e vet që nga përmbajtje ndërtimit dhe na atë teknike është një model mjaft i mirë dhe i artistëve të tingullit, të penelit, të daltës, të ekranit. Në Amerikë edhe këta artistë nuk janë të pakët dhe që nga dita në ditë shtohen. Me këtë libër ata mësojnë që të organizohen më mirë të krijojnë më zyrtarisht komunitetin e tyre artistik. Se është vërtet bukur që shkrimtarët kanë gati 20 vite me këtë komunitet e ata ende nuk e kanë zyrtarizuar ende. Mbase mund të kishte edhe një Shoqatë Krijuesësh të Shkrimtarëve dhe Artistëve. Këtë gjë do ta zgjidhe koha, po nuk mungojnë modelet e mira. Artet që zhvillohen në Amerikë nga shqiptarët e të gjithë trojeve duhet të shfaqen jo vetëm në të mirë të kombit tonë, por edhe për vetë shtetin amerikan që mund të quhet edhe bashkësi komunitetesh nga e gjithë bota.

. Përvoja mjaft e mirë që na jep ky libër na shtron një tjetër pyetje: “A ka patur letërsi të zhvilluar të shqiptarëve të ardhur në Amerikë që para mëse një shekulli? Padyshim po.  Kontributi i Fan Nolit, Faik Konicës, Kristo Floqit, Mihal Gramenos, etj është i njohur, po edhe i fragmentarizuar. Kjo Shoqatë mbase do të kishte në planin e vet të afërt e të largët të botimeve traditën letrare të këtyre autorëve. Kujtojmë se në Çikago për 20 vite me radhë kontriboi shkrimtari me origjinë çame Bilal Xhaferi që pati mjaft aktivitet letrar dhe botues.
9. Në një shtet si Amerika ku shërbimi postar është në një nivel përsosmërie  nuk është vështirë që libri mund të shpërndahet për secilin autor në një kohë të caktuar, por mendoj se duhet menduar që të bëhet një promovim të këtij libri në disa zona ku ka një numër të madh shkrimtarësh. Kjo mund të bëhet fare mirë në Nju Jork, në Boston, Çikago, Dallas, etj.
Ceremoni të tilla promovuese do ta forconin edhe më shumë Shoqatën dhe do të rrisnin bashkëpunimim konkret mes anëtarëve të saj.
Natyrisht një nga vlerat e librit është dhe përmbajtja e tij. Autori nuk është ndalur vetëm te aktiviteti i secilit anëtar në trojet e tij amtare dhe në SHBA me një bibliografi të pasur veprash të tyre. Si njohës mjaft i mirë i krijimtarisë së secilit dhe mik i tyre Adnan Mehmeti ka përzgjedhur vetëm nga një krijim përfaqësues të krijimtarisë së secilit. E për autorë të tillë që kanë në krijimtarinë tyre edhe tregimin, edhe romanin, edhe skenarin, edhe poezinë, ai ka zgjedhur më përfaqësuesin, duke krijuar kështu edhe një ansambël harmonie për tërë librin.
10. Një nga vlerat e mëdha të librit është gjuha letrare që ëshë përdorur në të. Një përdorim i përsosur i normës letrare të gjuhës shqipe është vlerë e madhe e librit. Mbase dikush mund ta quante këtë fakt të panevojshm, po ajo merr vlera të mëdha. Libri po botohet në Amerikë, në një farë mënyre larg Shqipërisë ku mund dhe duhet të ndëshkohesh për përdorimin jo të mirë të shqipes letrare. Po ndodh gati e kundërta. Nëse kjo vlera do i përkiste të gjithë librave të botuara në Shqipëri, Kosovë, do ishte e zakonshme. Përvoja e fituar në këto vite na ka bërë që themi me plot gojë, edhe pse me dhimbje se me dhjetra libra atje botohen me mjaft gabime. E kur e sheh këtë model të mirë të shrimit të shqipes në Nju Jork, në Amerikë, edhe falenderimi është më i madh.
11. Një risi për këtë libër është dhe botimi i tij teknik. Në faqen e parë të tij shohim se ai është botuar në Shtëpinë Botuese “Adriatik Press” me qendër në Nju Jork. Sa mirë! Ai është pasuri kulturore e dy kombeve. Është pasuria letrare që lëvrohet në Disporën amerikane, por edhe vlerë që jep Amerika për komunitetet e kombeve të tjerë. Tashmë dihet se Amerika është “Shtet i Komuniteteve”.
Mbase ka ardhur koha që botimet e mëvonshme të librave të shqiptarëve në Amerikë të botohen në këtë vend e të mos kërrusemi në peshën e valixheve me libra të botuara në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Preshevë, etj.
Zhvillimi konkurseve të ndryshëm tematikë ose të përvjetorëve të shkrimtarëve do t’i jepte edhe më shumë frymëmarrje jetës letrare shqipe në Amerikë. Libri është dhe një vlerë që duhet njohur edhe në truallin mëmë si një pasuri e Diasporës shqiptare dhe si një vazhdim i bukur i shkronjëzimit shqip në Botë. Një promovim i këtij libri tillë fare mirë mund të bëhej edhe objekt i punës dhe planifikimit të dy Ministrive të Diasporës në Tiranë e në Prishtinë
*****
Të gjithë librat e botuara në botë janë dekor i festave shkronjore të atyre që i kanë shkruar, që i kanë botuar, që i kanë redaktuar, që ia kanë promovuar. Po një libër i tillë që bashkon dy kontinente, është me dhjetra herë më festiv se librat individuale. Është enciklopedia më e madhe e botuar deri tani në trojet amtare. Më vjen mirë që jam pjesë e këtij libri. Dhe kjo nuk është vetëm emocion po dhe obligim për të bërë më shumë se duhet dhe me cilësi të lartë artistike. Është bashkëpunimi i krijuesve në drejtimin e vetë Adnan Mehmetit që kanë krijuar një sofër të madhe letrare duke përfshirë këtu edhe mjaft zonja shkrimtare e poete. Bibliografia e numrit prej 300 faqesh i jep librit dinjitet jo vetëm për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, po mbarë letërsisë sonë kombëtare për dhjetra vite njëherësh. Në ditë korone ku lajmet e trishta dhe një mungesë objektive optimizmi, duket se na ngroh ky lajm i bukur. Është një festë që ka jehonën e vet të gëzuar edhe në Nju Jork, edhe në Uashington, edhe në Stamfordin e Adnanit, po edhe në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin, Tivar. Pa dyshim edhe atje ku ka shqiptarë në botë. Urime e udhë të mbarë këtij libri me vlere monumentale. Le ta promovojmë në mënyrat që na jep edhe koha sa më shumë këtë libër në vatrat shqipfolëse e shqipshkruese. Nuk ka rëndësi vetëm emri Adnan Mehmetit që ka bërë një sistemim (vetëm ata që bëjnë libra të tillë qoftë edhe me më pak faqe e besojnë këtë materjalisht). Vetë Adnani në parathënien e këtij libri shkruan: “Si stolisin qiellin yjet, ashtu dhe secili anëtar, dikush me më pak libra dikush edhe me më shumë libra, secili ka shkëlqimin dhe rëndësinë e vet”.
Që në ditët e para të publikimit të tij, libri ka patur e vazhdon të ketë jehonë të madhe te lexuesët e të gjithë trojeve, ndaj dhe një vlerësim më i thelluar i tij është më se i domosdoshëm për të gjithë. Një lexuesi të vëmendshëm të këtij libri do i ketë bërë përshtypje emri i Carrie Hooper.

Është një vajzë amerikane që ka mbaruar për kanto, por që ka mësuar shqipen e është sot ndër përkthyeset më të mira të Amerikës për shqipen. Është e adhuruar pas kulturës shqiptare dhe në një farë mënyre është: “Robert Elsie” në këtë vend. Është shpallur Anëtare Nderi e kësaj Shoqate. Emocioni i saj për shqipen tonë shprehet bukur në fjalën e saj: “O gjuha shqipe, muzika e fjalëve të tua e kënaq shpirtin tim! T’i flas fjalët e tua shprehëse gëzoj zemrën time. Përmes teje jam njohur me një popull trim, guximtar, i cili i ka mbijetuar shtypjen e sunduesve të huaj dhe djallëzinë e diktaturës. Tingëllofsh, o gjuhë e dashur në popullin tënd kudo që të ndodhet. Rrofsh përgjithmonë, o gjuhë shqipe!”
Është mbase mbyllja më e mirë uruese emocionuese e këtij libri
E së fundi, për këtë Muze të shkronjëzimit shqip na vjen Mirënjohja. E të gjithë jemi në këtë libër në të njëjtën kohë cicëronë, relike, frymë, e ardhme. Boston, qershor 2020/

Filed Under: LETERSI Tagged With: Adan Mehmeti, namik Selmani, Shoqata e shkrimtareve

LETËRSI- SHARL BODËLERI (Charles Pierre Baudelaire)

June 12, 2020 by dgreca

Pergatiti per Diellin: Xhelal Zejneli/

Sharl Bodëleri (Charles Pierre Baudelaire, 1821-1867) është poet, përkthyes, eseist dhe kritik letrar francez. Është një nga poetët më të mirë francez të shekullit XIX. Me veprën e vet ndikoi në zhvillimin e simbolizmit në poezi. Konsiderohet themelues i modernizmit. Është i pari poet i lirikës moderne evropiane.

Babai Fransua Bodler (Joseph-François Baudelaire, 1759-1827) ishte nëpunës i lartë shtetëror. Ishte edhe kustos në muze. Ndonjëherë edhe pikturonte. Nëna Karolinë Bodler (Caroline Archimbault-Dufays Baudelaire, Londër, 1793 – Honfleur, 1871) ishte 34 vjet më e re se i shoqi. Në moshën 7-vjeçare Bodleri mbeti pa baba. Një vit pas vdekjes së burrit të saj, nëna u rimartua me nënkolonelin Zhak Opik (Jaques Aupick, 1789-1857), i cili pas disa viteve u bë ambasador në gjykatat fisnike. Qenë të martuar në vitet 1828-1857. Me t’u martuar me një burrë të ri dhe tërheqës, Bodlerin 6-vjeçar nëna nuk e afronte gjithaq.

Në Lion ndoqi shkollën ushtarake. Njerku nuk dëshironte që t’i vinte në shtëpi as gjatë festave. Më vonë, kur i kujtohej kjo periudhë e jetës së tij, rrëqethej. Në fëmijëri është ndjerë i vetmuar, ndaj atë e përshkruan si të trishtueshme. Në moshën madhore  ka manifestuar krenari dhe sjellje mistike, amorale dhe cinike. Ka biografë që thonë se Bodleri ishte sadist, mizantrop, adhurues i prostitutave. Gjendjet dëlire i përgjigjeshin më shumë. Jepet pas alkoolit, narkotikëve dhe femrave me moral të dyshimtë. Infektohet nga sifilisi dhe gonorea. I ballafaquar me vështirësi financiare, një kohë jeton tek i vëllai. Paratë që ia dërgonin e ëma dhe njerku, i harxhonte sakaq.Shpenzonte për veshje por edhe për libra. Jetonte me borxhe, si Balzaku dikur. E ëma vuante për sjelljet e pahijshme të të birit. 

Duke parë njerku se Bodleri i ka marrë rrugët e këqija, në vitin 1841 e dërgon në Indi. U kthye në shtëpi me mbresa të shumta. Përvojat nga India i shfrytëzoi edhe në poezi. Sipas disa biografëve, ai ka qëndruar në Indi vetëm tre muaj, ndërsa sipas të tjerëve – një vit. Pas kthimit në shtëpi iu përkushtua letërsisë. Një përcaktim të tillë prindërit nuk e deshën. Në një rast e ëma thotë: “Po t’i kishte dëgjuar këshillat e njerkut, Bodleri do të kishte bërë një jetë të lumtur. Emrin e tij s’do ta kishte përmendur kush, por të gjithë do të kishim qenë shumë më të lumtur”.

Në fillim të krijimtarisë letrare Bodleri gëzonte popullaritet në mesin e artistëve moshatarë. Kur i mbushi 21 vjet,nga pasuria e të atit trashëgoi mbi njëqind mijë franga dhe katër parcela toke. Brenda pak viteve paratë e trashëguara i harxhoi. I ngelur pa para, zhytej në borxhe, kështu që familja detyrohej që pasurinë ta vinte nën hipotekë. I zhytur në borxhe, Bodlerit e ardhmja i dukej e zymtë, kurse gjendja psikike – e rëndë. Në  një rast lëndoi veten me thikë. Gjatë mjekimit e ëma, mbase e penguar nga njerku, nuk shkoi ta vizitonte. Për nga përcaktimi politik ishte për republikë dhe mbështeti revolucionine vitit 1848.

Ishte në lidhje intimeme mulatenZhanë Dyval (Jeanne Duval, Jacmel, Haiti, 1820 – Paris, 1862), e lindur nga martesa e përzier midis një të bardhi dhe një zezakeje. Lidhja e tyre ka zgjatur rreth njëzet vjet.Ka qenë muza e poetit, Venera e tij. Ka qenë artiste dhe valltare, femër me moral të dyshimtë, ka pirë shumë.Thuhet se ka ndikuar negativisht mbi poetin. E ka pikturuar piktori francez i modernizmit Eduard Mane (Édouard Manet, 1832-1883).

Njihej me fotografin, karikaturistin, zhurnalistin, prozatorin francez Feliks Nadar (Gaspard-Félix Tournachon, i njohur me pseudonimin Nadar, 1820-1910). Nëpërmjet tij njohu personalitete të tjera. Për shkak borxheve dhe jetës së parregullt, shpesh i ndërronte banesat. Raportet e çrregulluara me të ëmën, të cilës i kërkonte ndihmë financiare, nuk e lenin të qetë.

Adhuronte muzikën e kompozitorit gjerman Rihard Vagnerit (Wilhelm Rihard Wagner, 1813-1883).Çmonte lart krijimet letraretëEdgar Alan Po-së. Tregimet e tij i përktheu në frëngjisht. Duke qenë se anglishten e kishte mësuar që në fëmijëri,  përkthimete tij u vlerësuan lart. Dy poetëtkishin shumë gjëra të përbashkëta.Ishin të ndjeshëm, ishin ballafaquar me sëmundje dhe kishin pasur vështirësi financiare. Autori i “Himnittë bukurisë” e quajti Ponë paraardhës të vet. 

*   *   *

Shënim: Edgar Alan Pou (Edgar Allan Poe, 1809-1849) është tregimtar dhe poet amerikan, paraardhës i simbolizmit francez. Ishte fëmijë artistësh shëtitës. Kur ishte dy vjeç mbeti pa prindër. U birësua nga familja e tregtarit të pasur Johan Alan. Për sjellje të keqe u përjashtua nga universiteti. La shtëpinë dhe më 1831 u vendos në Baltimor. Në moshën 27-vjeçare u martua me të mbesën 13-vjeçare (vajzën e motrës) Virxhinia (Virginia Eliza Clemm Poe; Baltimor, 1822 – Nju-Jork, 1847). U shpërngul në Filadelfi, pastaj në Nju-Jork. Për të mbijetuar, gati 20 vjet punoi si kritik, fejtonist dhe kryeredaktor i gazetave dhe i revistave të ndryshme. Duke qenë i çekuilibruar, mitoman dhe i dhënë pas alkoolit shpesh e ndërronte punën dhe jetonte buzë mjerimit. Vdekja e tij është misterioze. U gjet i shtrirë në rrugë në Baltimor, në gjendje gjysmë të vetëdijshme, pranë vendvotimit, ditën e zgjedhjeve vendore. Ka që thonë se ka qenë viktimë e gjuetarëve të votuesve. Historia e jetës së tij u shndërrua në legjendë dhe u ndërthur me veprën e tij. Duke qenë se u rrit në jug të ShBA-së, Po, krahas prozatorit Uilliam Fokner (William Faulkner, 1897-1962; laureat i çmimit “Nobel” më 1949) është përfaqësues më i madh i letërsisë së jugut amerikan. Sipas burimeve zyrtare, vdiq nga delirium tremens(çmendje nga alkooli).

*   *   *

Në lëmin e krijimtarisë letrare Bodleri vazhdimisht ngjitej përpjetë, por gjendja shëndetësore i rëndohej çdo ditë e më tepër. Përdorimi i  opiumit e merrte haraçin e vet, ndërsa vështirësitë ekonomike dhe stresi e ndiqnin hap pas hapi. Meqë njerku kishte vdekur,  e ëma u pajtua të jetë pranë të birit. U vendosën në qytetin bregdetar Honfleur. Jeta afër detit i bëri mirë poetit, kështu që në këtë periudhë kishte kushte të volitshme për të vazhduar me shkrimet. Për ta përmirësuar gjendjen financiare, në vitin 1864 vajti në Belgjikë. Planifikonte të mbajë ligjërata dhe t’i shesë të drejtat për veprat e veta. Shkruan pamflete kundër borgjezisë franceze. Mban lidhje me Viktor Hygon i cili për arsye politike ishte larguar nga Franca.

Krahas përdorimit të shpeshtë të opiumit, nisi ta teprojë edhe me alkoolin. Në vitin 1866 pësoi sulm në tru. Gjysmë i paralizuar, mbreti i poetëve u kthye në Paris. Vdiq aty më 31 gusht   1867, në moshën 47-vjeçare. U varros në varrezat e Monparnasit. Katër vjet pas të birit vdiq edhe nëna.

*   *   *

            VEPRA –Bodleri ka shkruar vetëm një përmbledhje me poezi – “Lulet e së keqes”.  U bë i njohur në qarqet artistike para se t’i botonte veprat. Në ato rrethe njihej si shkapërderdhës dhe si poet skandaloz. Për krijimin e veprës së vet frymëzohej nga jeta e përditshme. Krijoi poezi me vlerë universale. Shumë vepra iu botuan pas vdekjes. Poezitë e para i botoi në përmbledhjen poetike “Lulet e së keqes”. Në vitin 1845 e botoi të parën vepër, kritikën “Saloni”. Kritikat i bazonte në zhvillimet letrare për të cilat ishte mjaft i informuar. E konsideronin kritik të pasionuar. Duke qenë i tillë, tërhoqi me të madhe vëmendjen e publikut.  Gjatë takimeve me romancierin e famshëm francez Honore dë Balzak (Honoré de Balzac, 1799-1850)  shkëmbente ide të ndryshme mbi letërsinë dhe artin.

Në opusin letrar të vet përdori një diapazon të gjerë temash. “Salonin” e dytë e shkroi në vitin 1846. Pas kësaj, renomeja e tij si kritik i romantizmit u rrit tej mase.  Pas një viti botoi novelën autobiografike“La Fanfarlo”.

E çmonte lart poetin dhe romancierin francez, kundërshtar i klasicizmit, Teofil Gotje (Théophile Gautier, 1811-1872). E çmonte sidomos për përdorimin maestral të gjuhës dhe për formën e përkryer. Punimet e tij ndikuan në disa nga temat e shkrimeve të Bodlerit. Në shenjë falënderimi për miqësinë dhe bashkëpunimin letrar, vëllimin “Lulet e së keqes”, Bodleri ia përkushtoi Gotjesë.

“LULET E SË KEQES”(Les Fleurs du mal, 1857) është vepra kryesore e Bodlerit. Po këtë vit u botua edhe romani “Zonja Bovari”(Madam Bovary) i tregimtarit dhe romancierit francez Gystav Flober (Gustav Flaubert, 1821-1880). Përmbledhja tërhoqi vëmendjen e publikut. Ndikimi i tij mbi artistët e tjerë rritej dita-ditës. Shumë prej tyre nisën të krenohen me të. Sapo doli nga shtypi ajo ngjalli reagimin e ashpër të bashkëkohësve, të po atyre që e dënuan “Zonjën Bovari” të Floberit. Vepra u konsiderua skandaloze. Me arsyetimin se cenon moralin publik, poeti u dënua me gjobë. Vargjet flisnin për marrëdhënie lezbejkash, për korrupsionin, për pikëllimin, për jetën e rëndë, për virgjërinë e pakthyeshme, për verën. Temë e përmbledhjes është intimiteti, pasionidhe vdekja. Pasqyrohet nostalgjia për të kaluarën dhe intimen. Gjashtë poezi “të pamoralshme” u flakën nga shtypi. Pas katër vjetësh, vepra doli në dritë por pa poezitë që “cenonin” moralin publik. Në vitin 1866 që të gjashtat panë dritën. 

Për nga struktura poezitë janë radhitur në nëntituj. Secili prej tyre flet për ndonjë dukuri negative. Pjesa e parë me nëntitullin“Splin dhe Ideal” flet për pakënaqësinë, agoninë dhe mërzinë. Pjesa e dytë pasqyron Parisin dhe njerëzit e mjerë që e udhëheqin atë, ndaj është titulluar “Pamje nga Parisi”. Pjesa e tretë flet për kënaqësitë trupore, për alkoolin e për drogat dhe mban titullin “Vera”. Pjesa e fundit mban titullin “Vdekja”. Dy poezitë më të njohura të   vëllimit janë “Albatrosi” dhe “Lidhjet”.

Shumë poezi kritikët i kanë vlerësuar si kryevepra artistike, poetike dhe plot pasion. Adhurues i vëllimit ishte edhe poeti, romancieri dhe dramaturgu i famshëm francez Viktor Hygo (Victor Hugo, 1802-1885).     

Ka pasur edhe të tillë të cilët për veprën kishin dhënë kritikë negative ngase e kishin konsideruar skandaloze dhe të pakuptueshme. Kritikave negative Bodleri u është përgjigjur duke thënë se letërsia dhe arti duhet të krijohen pa qenë të varura nga morali. Morali e zvogëlon forcën poetike të vargut. 

Në vëllim vërehet rrënimi i njeriut i mbërthyer midis Splinit dhe Idealit. Për Bodlerin  mjaftonte e bukura dhe koncepti i stilizuar. Titulli i përmbledhjes flet për karakterin e bukurisë. Ajo është e ftohtë dhe e zymtë. Gjatë krijimit të poezive Bodleri mendonte për lemerinë dhe turbullirën që e frymëzonte, kështu që në çastet e vetanalizës ndjehej i lemerisur. Emocione negative, e sidomos zemërim ndjejnë edhe njerëzit që e lexojnë këtë lloj poezie. Bodleri ishte i vetëdijshëm se libri do të çelë shteg të ri në art dhe do të shndërrohet në monument.

“Lulet e së keqes” u shkruan për 15 vjet. Ka burime që thonë se vëllimi është shkruar për 10 vjet. Vetë titulli i përmbledhjes flet për konceptin estetik të Bodlerit: “Arti është e keqe e bukur dhe nuk ka pika të përbashkëta  me moralin”.Në atë kohë vëllimi vështirë mund të kuptohej. U njoh dhe u pranua nga publiku vetëm pas shumë viteve. Bodleri donte që me poezitë e veta t’i shokojë dhe t’i mundojë lexuesit të cilët ishin mësuar të lexonin vetëm vargje të bukura të cilat akoma më shumë e zbukuronin jetën e tyre plot hipokrizi. Zgjidhte tema të shëmtuaradhengjyra të errëta. Në poezitë e veta afirmon poetin i cili nuk e zbukuron dhe nuk e lustron jetën, i cili nuk shkruan vetëm për bukurinë dhe shpirtin e madhërishëm.

Duke qenë se përmbledhja u krijua brenda një periudhe të gjatë, në të gjallë të autorit dolën dy versione. Botimin e versionit të tretë autori nuk e mbërriti. Pas vdekjes së autorit shumëçka në përmbledhje u ndryshua, por ndarja në cikle dhe struktura nuk kanë ndryshuar.

Bodleri dëshironte që vëllimi poetik i tij të mos jetëgrumbull vargjesh të shkapërderdhura, por të ketë një plan të caktuar kompozicioni. Bodleri thotë: “Gjithmonë ji poet, madje edhe në prozë”. Stili i tij i të shkruarit solli risi në poezi. Me poezinë “Lidhjet” e ka dhënë përkufizimin fascinues të poezisë: “Në art, e keqja, e lemerishmja dhe e shëmtuara bëhen të bukura. Ky është privilegji i artit”.

Përkundër faktit se shumë kritikë Bodlerin e kanë konsideruar zanafillës tëmodernizmit, vëllimi “Lulet e së keqes”, për shkak të përdorimit të shpeshtë të simboleve që janë të zakonshme për poezitë, siç janë lulja, errësira, makthi ngërthen në vete shumë elemente tëromantizmit.

Edhe pse kohë e romantizmit, te “Lulet e së keqes” vërehet qartë prania e elementeve të poezisë botërore, ndaj Bodleri është një prej poetëve të parë që i paraqiti të gjitha ndyrësitë, por edhe bukuritë e fshehta të jetës në një qytet të madh si Parisi. Për këtë arsye, Bodleri konsiderohet i pari poet që e ka trajtuar temën e jetës në qytet të madh. Ai është një ndër poetët që u mor me përshkrimin e hollësishëm të krizës që e kishte kapluar shoqërinë e atëhershme, shoqëri që kishte humbur çdo kontakt me vlerat krishtere. Poezitë e “Luleve” flasin për udhëtimin e njeriut nëpër jetë e vdekje.

Kjo përmbledhje poetike pasqyron pikëpamjet e poetit për gjendjen aktuale në shoqëri, por edhe rëniet, ngritjet dhe entuziazmin e tij. Ai ngre zërin e protestës kundër gënjeshtrës dhe mashtrimit. Dëshiron të gjejë forcën e parë lëvizëse dhe të njëmendët të ekzistencës njerëzore. Forca të tilla lëvizëse assesi nuk mund të jenë konvencionet e imponuara të sjelljes, të rrejshme dhe të kota.

Çdo gjë në këtë botë është simbol subjektiv i ideve dhe i ndjenjave të njeriut. Në konceptimin e thelluar të simboleve vërejmë se gjërat janë ndërlidhura. Në konceptimin sintetik ato përzihen ndër vete. Kësisoj krijohet një koncept i ri estetik mbi botën. Për paraqitjen autentike përdoren figurat stilistike të sinestezive (me fjalët që i përkasin një shqise emërtohen shqisat e tjera; p. sh. zëri ka ngjyrë) dhe të onomatopeve. Në poezinë ekstatike të tij ngjyra flet, ndërsa fjalën poetike e udhëheqin sensacionet kaotike. Për ta pasqyruar me sukses idenë e re në poezi, vargu duhet të jetë muzikal. Simbolistët thonë: “Ideja është e pakapshme për arsyen, por kur mbërthehet nga shqisat që si shenja i përdorin simbolet, ajo bëhet e kapshme”. Detyrë e poetit simbolist është: “Të pasqyrojë thellësinë e shpirtit me simbolet si udhërrëfyes. Kjo do t’i mundësojë lexuesit që ta ndjejë lidhjen e përjetimit poetik duke e përvetësuar atë si të veten, si një pasuri të vet të re, për botën e cila, sa është e largët, po aq është edhe e afërt”. Në këtë mes, Bodleri është i pakapërcyeshëm. Forca e poezive të tij kridhet te njeriu, duke e shpënë atje ku bëhet edhe më njeri, atje ku kthimi konsiderohet transformim.

Në poezitë e veta e flak bukurinë dhe sentimentalizmin dhe sjell një lloj të ri emocioni, duke krijuar vargje plot dëshpërim, urrejtje, hidhërim, kryeneçësi dhe entuziazëm. Ato flasin për zbrazësinë, epshet, smirën dhe instinktet. Tema janë vdekja, kotësia, pikëllimi, ana e hirtë e qytetit të madh, mjerimi dhe lufta për mbijetesë.“Ateisti amoral”– Bodleri i beson bukurisë si absolut i vetëm, e vetmja pas së cilës rend dhe tek e cila kurrë s’arrin dot. Për “Lulet e së keqes” Bodleri thotë: “Në këtë libër të lemerishëm e kam lënë krejt zemrën time, tërë ndjeshmërinë time, tërë religjionin tim, krejt urrejtjen time. E vërteta është se unë e kam shkruar të kundërtën, ndaj u betohem të gjithë perëndive se ky është libër i artit të kulluar”. 

*   *   *

“Lulet e së keqes” përmbajnë mbi 160 poezi që ndahen në 5 tërësi. Vëllimi përmban 6 cikle. Vepra bazohet në poezinë hyrëse që i dedikohet lexuesit e që mban titullin “Për lexuesin”. 28 krijime me titull “Poezi  shtesë” nuk janë të sistemuara. Ato janë përfshirë në 6 ciklet hyrëse të sipërthëna.

Cikli i parë është më vëllimori dhe paraqet shtyllën kryesore të vëllimit. Mban titullin “Spleen dhe Ideal” dhe përmban 88 tekste. Të gjitha motivet thelbësore janë paraqitur në poezinë hyrëse “Për lexuesin”. Në të poeti përshkruan shkatërrimin e njeriut modern në një shoqëri dyfytyrëshe. Krejt këtë e përshkruan me estetikën e së shëmtuarës. Çdonjëra nga pesë tërësitë ka një rëndësi të caktuar për tërë vëllimin, ndërsa çdo poezi ka rëndësi për tërësinë.

“Spleen dhe Ideal” fillon me vargun e poezive të cilave u ekspozohet një program i riestetik si dhe pikëpamjet e rejambiartin dhe të bukurën. Vërehet pozita e artistëve në shoqëri  dhe forca e tyre që buron nga përditshmëria. Në poezitë që pasojnë mund të shihet ana tjetër e jetës së artistit, e përshkruar si lypës, martir dhe i marrë. 

Në pjesën e dytë të ciklit mund të shihet forcae dashurisë ideale dhe ndjenjat, ekstaza dhe entuziazmi që sjell ajo, por edhe ndjenjat e melankolisë dhe të dëshpërimit që mund t’i sjellë ajo. Në këto poezi thuhet se gjendja materiale nuk është veçse gjendje kalimtare e jetës së njeriut. Poeti e paraqet femrën si burim të bukurisë dhe të lumturisë, por edhe si burim të ftohtësisë dhe të zvetënimit moral. Cikli i parë mbaron me përfundimin se njeriu nuk mund të plotësohet me dashuri, ndaj i rikthehet gjendjes shpirtërore të vet, të përshkruar si vuajtje.

“Pamje nga Parisi” është cikli i dytë i cili në çdo aspekt është më i plotë. Përbëhet prej 18 poezive. Që të gjitha merren me jetën në qytet të madh. Poeti, në mesnatë, shëtit nëpër qytet. Duke ecur nëpër rrugët e tij sheh fatkeqësinë dhe mjerimin e njerëzve, që të përkujton vuajtjet e vetë poetit. Pas kësaj pason cikli i shkurtër “Vera” që merret me tematikën e dehjes, ndërsa në ciklin “Lulet e së keqes” poeti merret me perversionet seksuale. Ky cikël ka qenë më provokuesi.

Cikli “Revolta” ka vetëm tre tekste. Në të përshkruhet heroi që ndodhet në kufirin midis ferrit dhe qiellit. Përfundimi i librit është logjik. Cikli i fundit mban titullin “Vdekja”. Ky cikël është përplot me tematika për vdekjen. Në të poeti sjell zgjidhjen e nyjës. Shihet për së afërmi rruga e njeriut dhe fati i tij.

*   *   *

Bodleri ishte tejet aktiv në jetën artistike të kohës së vet. Në kritikat dhe në esetë e veta shkruante për shumë tema që kishin të bënin me kulturën franceze. Me krijimtarinë e vet ushtroi ndikim të madh në letërsinë franceze dhe angleze. U vlerësua lart nga shumë shkrimtarë që u paraqitën pas tij. Poeti francez Artyr Rembo (Arthur Rimbaud, 1854-1891) në një letër të botuar e quajti Bodlerin “mbreti i poetëve”. Simbolisti francez, autori i shprehjes “poésie pure” (poezi e pastër), Stefan Malarme (Stéphane Mallarmé, 1842-1898), në vitin 1895, për nder të Bodlerit botoi një tingëllimë(sonet). Kishte të tillë e quanin “gjeniu i madh”.

Romancieri dhe dramaturgu francez Andre Zhid (Andre Gide, 1869-1951) është i njohur si një intelektual i guximshëm dhe i pafrenueshëm, me mendime të lira dhe dilema për të cilat shkruante pa ngurrim dhe pa rezerva. Midis dy luftërave botërore ndikoi fuqimisht për krijimin e asaj që u quajt “atmosferë Zhidi”. Luhatjet intelektuale të Zhidit lëvizin në një diapazon të gjerë: nga protestantizmi dhe katolicizmi nëpër liberalizëm dhe komunizëm deri në humanizëm antifetar. Zhidi thotë: “Të gjithë janë kalimtarë, Bodleri mbetet”.

*   *   *

Shënim: “POÉSIE PURE” (Poezi e pastër) është poezia pa kurrfarë elementi jopoetik (narrativ, didaktik, politik). Poezia e pastër nuk shpreh ndonjë ide të caktuar, por vepron si muzikë. Pol Verleni thoshte: “Pikësëpari muzikë”. Konceptin “poezi e pastër” e zhvilluan simbolistët francezë – Bodleri, Malarmeja si dhe poeti dhe eseisti Pol Valeri (Paul Valery, 1871-1945) i cili ishte një ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të hermetizmit në poezinë evropiane. Konceptin e sipërthënë e morën nga Edgar Alan Po. Termin “poezi e pastër” e vuri në përdorim Stefan Malarme. Teoria e “poezisë së pastër” është e para shprehje, historikisht e rëndësishme e autonomisë së artit poetik, ide kjo e cila më vonë u tejkalua, por jo edhe u harrua. Në “poezinë e pastë” gjejnë shprehje edhe përpjekjet me “poezinë absolute”.

*   *   *

Përpos poezisë, Bodleri shkroi edhe tekste nga arti figurativ, vështrime letrare, ese, si: “Kuriozitete estetike” (Curiosités esthétiques, 1868), “Arti romantik” (L’Art romantique, 1868). Në konceptet e tij bëjnë pjesë dy përbërës, që në shumë aspekte janë të kundërt.

I pari është revolta e romantizmit kundër pozitës metafizike dhe sociale të njeriut, si dhe “sëmundja e shekullit” e romantizmit (mal du siècle). Përbërësi i dytë është luciditeti i klasicizmit dhe ndjenja e fajit tragjik. Në katolicizëm, Bodlerin më tepër e tërheq mëkati se mëshira. Sataniken e ka më afër se engjëlloren. Me një përshkrim të përpiktë sikur larpurlartistët dhe parnasistët, në aspektin e stilit  i shmanget entuziazmittë romantikëve. Për këtë arsye, i flak të gjithë prosedetë që i ka trashëguar poezia franceze apo që janë zhvilluar në romantizëm, siç janë: ilustrimi i historisë, të shprehurit dekorativ dhe moralizimi. Poezia për të është krijim i kulluar i gjuhës, e cila nuk ka të bëjë me asgjë tjetër jashtë kreacionit të vet. Për ta realizuar këtë qëllim, ai kërkon që poezia ta flakë “ndjeshmërinë e zemrës” në dobi “të ndjeshmërisë së fantazisë”. Kësisoj, përfundimisht e mënjanon personalen: emocionet në poezinë e tij nuk janë më emocione personale të tij, por emocione të vetë poezisë. Përkundër kësaj, ekzistenca personale e papërsëritshme është burimi nga ku poezia e Bodlerit e merr lëndën e frymëzimit.

“Lulet e së keqes” bazohet në kundërshtinë e spleen-it dhe idealit. Në qendër të dukurisë poetike Bodleri vë, jo personin por imagjinatën. “Imagjinata është e vetmja që përmban poezi”.

Vargu bodlerian na mundëson t’i shmangemi përditshmërisë apatike dhe të dehemi  me fjalën poetike. Poeti thotë se e përditshmja është e mërzitshme, e rrejshme, e kalbur. Kur ballafaqohemi me realitetin, sakaq e vërejmë të keqen dhe shëmtinë që rinë fshehur. Poeti i nxjerr në sipërfaqe dhe i fut në art, ngase e keqja dhe shëmtia vetëm aty mund të jenë të bukura.

*   *   *

Shënim: “MAL DU SIÈCLE” (sëmundje e shekullit) – Në pararomantizmin dhe në romantizmin anglez, francez dhe gjerman përjetimi pesimist i botës dhe melankolia tejet e shprehur që i përshkon shumë vepra të fundit të shekullit XVIII dhe të fillimit të shekullit XIX. Kjo vërehet në disa nga veprat më të njohura të asaj kohe: Përmbledhja poetike “Osiani” i poetit skocez XhejmzMakferson (James Macpherson, 1736-1796),  i botuar më1762, romani “Vuajtjet e djaloshit Verter” i Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832) i botuar më 1774 dhe romani “Eloiza e re” i Zhan-Zhak Rusoit (Jean-Jacques Rousseau, 1712-1778), i botuar më 1762. Në fillim të shekullit XIX vulë të fortë një ndjenje të tillë i dha tregimtari francez Shatobrian (François-René de Chateaubriand, 1768-1848) me veprat: “Fryma e krishterimit” (Le Génie du christianisme, 1802) dhe “Reneu”(René, 1802). Në poezi, ndjenja të tilla shfaqin poeti dhe eseisti francez Andre-Mari Shenie (André-Marie Chénier, 1762-1794), poeti francez, që kishte letërkëmbim me Jeronim De Radën,Lamartin (AlphonseMarie Prat de Lamartine, 1790-1869) dheromantikë të tjerë francezë, me temat elegjiake për rininë dhe dashurinë e humbur, për gërmadhat e kështjellave të dikurshme të mbuluara nga mjegulla apo për rrënojat në shpirtin e poetit. Në fillim të shekullit XIX shprehja “mal du siècle” filloi të shfaqet gjithnjë më tepër në shkrimet programore dhe kritike të romantikëve. Në letërsinë gjermane përdoret me të njëjtin kuptim termi Weltschemerz.

*   *   *

Në tingëllimën “Pajtueshmëritë” (Correspondances) Bodleri flet për natyrën si një tekst i shifruar që e lexon poeti. Sipas Bodlerit, detyrë e poetit është të shprehë “çfarësinë thelbësore të së tashmes” që e ofron pamja e Parisit. Midis aspekteve të modernes vend të rëndësishëm zë e shëmtuara. Një përjetim të tillë poeti hulumton te “Pamje nga Parisi” (Tableaux parisiens) si dhe në poezitë në prozë “Splini i Parisit” (Spleen de Paris) të botuara me titullin “Poezi të vogla në prozë” (Petits poèmes en prose) dy vjet pas vdekjes së tij.

Programi i “Splini i Parisit” ndikoi me të madhe në zhvillimin e poezisë franceze, posaçërisht tek Artyr Rembo (Artur Rimbaud) në përmbledhjen “Iluminacione” (Les Illuminations, 1874). Me një fjalë, ndikoi edhe në lindjen e vargut të lirë.

Ndikimi i Bodlerit u përhap shpejt. Në fillim Stefan Malarme endjek pikë për pike. Artyr Rembo sheh tek ai të vetmin poet të ngritur në forcë vizionari. Liriku francez i cili qiti me revole mbi shokun e vet Artyr Rembon, Pol Verleni (Paul Verlaine, 1844-1896), nga grupi  i “poetëve të nëmur” (poètes maudits), Bodlerin e shpalli të parin. Për program të tyre simbolistët e morën tingëllimën Correspondances të Bodlerit dhe teorinë e sinestezisë që përmban ajo.

Bodleri është dukuri vendimtare në gjenezën e poezisë evropiane moderne, e cila nëpërmjet simbolistëve ndikoi në lirikën e shumë popujve të Evropës. Poezia e Bodlerit, sikur albatrosët e tij, tenton të ikë prej atyre që e përbuzin atë që ngjitet në lartësitë qiellore ku me stuhitë përplaset, me vetëtimë i mpin sytë. “Ik sa më larg prej moçaleve të kalbura”. Jeta është e zymtë, vdekja na tërheq për mënge. Këtë të vërtetë albatrosi i poezisë e adhuron. Akoma më shumë erë kalbësire, dekompozimi, edhe më afër fundit. Nuk ka mënyrë për t’i ikur kohës.

*   *   *

Shënim: “POÈTES MAUDITD”(poetë të nëmur) – është eseja kritike e Pol Verlenit e botuar më 1884, kushtuar tre poetëve, në atë kohë mezi të njohur: Tristan Korbier (Tristan Corbière, 1845-1875), Rembo dhe Malarme. Më 1888 eseja u plotësua me emra të rinj: poetja Marselinë Debord-Valmor (Marceline Desbordes-Valmore, 1786-1859), shkrimtari francez me prejardhje bretone Lil-Adam (Auguste de Villiers de L’Isle-Adam, 1838-1889) dhe Povrë Lelian (Pauvre Lélian, anagram i Pol Verlenit). Qëllimi i Verlenit ishte të tërheqë vëmendjen te vlerat poetike të reja dhe te brezi i ri i poetëve që u afirmua me Bodlerin. Te Korbier thekson drithërimën e re poetike dhe shqetësimin shpirtëror të ri. Te Remboja – gjallërinë dhe forcën e figurave poetike dhe “mbretërinë e pavdekshme të shpirtit”. Te Malarmeja – mjeshtërinë e përkryer të vargut dhe pasionin që nëpërmjet gjuhës së re poetike të arrijë dhe të shprehë thelbin e gjërave. Në anën tjetër, “poetët e nëmur” janë simbol i ndarjes së thellë dhe të përjetshme midis poezisë dhe publikut, midis pikëpamjeve utilitare mbi shoqërinë dhe vlerave letrare të mirëfillta, midis “rasës përjetësisht të nëmur dhe atyre që e kanë në dorë forcën e kësaj bote”. Kjo ide romantike “e greminës” që botën e imagjinatës poetike e ndan nga bota e marrëdhënieve shoqërore reale (shkrimtari francez Alfred dë Vinji – Alfred Victor de Vigny[X1] , 1797-1863dhe Bodleri) haset edhe në letërsitë e popujve të tjerë.

*   *   *

Shënim: LARPURLARTIZMI (l’art pour l’art – arti për art) – koncept teorik i formuluar më 1836 nga filozofi francez Viktor Kuzen (Victor Cousin, 1792-1867) me kërkesat:

– arti duhet të jetë i liruar nga çfarëdo qëllimi;

– në art nuk duhet të ndikojnë as morali, as politika, as religjioni;

– për ta kuptuar artin mjafton qëllimi i tij që buron nga ligjet e tij;

– arti mund dhe duhet të njihet vetëm nga ideja e së bukurës, d.m.th. nga ato premisa që ndodhen brenda krijimit poetik dhe në ligjet e tij.

Tezën e artit për art do ta përpunojnë: simbolizmi,parnasistët dhe impresionizmi. Në debatet teorike do ta mbrojnë Teofil Gotje, Bodleri, Gystav Floberi, Vëllezërit Gonkur (Edmond Huot de Goncourt, 1822-1896 dhe Jules Goncourt, 1830-1870), dramaturgu, poeti dhe prozatori irlandez Oskar Vaild (Oscar Wilde, 1854-1900) etj. Por, me tezat e veta Viktor Kuzen ia çeli dyert edhe lajthitjevembi pavarësinë dhe mëvetësinë e plotë të artit nga shoqëria dhe njeriu.

Shënim: PARNASISTËT– qerthull poetësh francezë të tubuar rreth Teofil Gotjesë dhe Sharl Lëkont dë Lil (Charles Leconte de Lisle, 1818-1872) në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Termi lindi sipas emrit të pyllit Parnasnë Greqinë antike që konsiderohej seli e Apolonit dhe e muzave. Sipas besimit tradicional të lashtë në Greqinë antike, qëndrimi në pyllin Parnas, e sidomos në burimin Kastalia, e frymëzon poetin për të krijuar vepra artistike. Qysh në Greqinë e vjetër emërtimi Parnas lidhej ngushtësisht me poezinë. Me kalimin e kohës do të bëhet edhe simbol i poezisë, përkatësisht i pikëpamjes së caktuar mbi poezinë. Më 1866 doli në Paris përmbledhja “Le Parnasse contemporain” si manifest i një grupi letrarësh të cilët në poezi – dhe në letërsi – sollën pikëpamje të reja. Sipas parnasistëve,ideal i artit është kulti i bukurisë së pastër dhe absolute. Nga artisti pikësëpari kërkonin përsosmërinë e formës, përkryerjen e vargut, virtuozitetin e shprehjes. Poeti nuk duhet t’u jepet ndjenjave të veta, por duhet të jetë i matur, i përmbajtur, sidomos inpersonal dhe objektiv. Parnasistët në radhë të parë i kundërvihenromantizmit, sentimentalizmit, inspirimit të shfrenuar dhe artit të kapshëm nga masat e gjera.Krijimi artistiki destinohet vetëm një rrethi të zgjedhur dhe elitar të njohësve, ndërkaq arti nuk mund t’i shërbejë kurrfarë qëllimi politik, shoqëror apo moral.

Kësisoj, parnasistët akoma më shumë iu kundërvënë letërsisë së angazhuar apo utilitarizmit letrar. Këtij qerthulli i takonin poetët Teofil Gotije, Lëkont dë Lil, Bodleri, Pol Verleni, Stefan Malarme etj. Ky koncept përputhet me larpurlartizmin.    

*   *    *

Krijimet letrare të Bodlerit – “Sallonet” (1845), “Lulet e së keqes”(Les Fleurs du mal, 1857), “Zemra ime e zhveshur” (1859), soneti “Pajtueshmëritë” (Correspondances), “Parajsa e rrejshme” (1860), “Copat” (1866),“Luzmat artificiale” (pas vdekjes), kritikat dhe esetë “Kuriozitete estetike” (Curiosités esthétiques, 1868) dhe “Arti romantik” (L’Art romantique, 1868), “Pamje nga Parisi” (Tableaux parisiens), “Splini i Parisit” (Spleen de Paris) të botuara më 1869 me titullin “Poezi të vogla në prozë” (Petits poèmes en prose).

Pergatiti per Diellin: Xhelal Zejneli


 [X1]

Filed Under: LETERSI Tagged With: Charles Pierre Baudelaire, Xhelal Zejneli

“Esencat e mendimit letrar” i Dr. Besim Muhadri botohet në Nju Jork

June 7, 2020 by dgreca

Shkruan: Adnan Mehmeti, Nju Jork/

Këto ditë në Nju Jork, shtëpia botuese “Adriatic Press” ka botuar librin me kumtesa dhe studime letrare “Esencat e mendimit letrar” të anëtarit të Shoqatëse së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe profesorit të Universitetit të Gjakovës “F. Agani”, Prof.asoc.dr. Besim Muhadri. Libri i autorit në fjalë, i cili tash e 13 vjet zhvillon jetën në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, është i shtati me radhë në fushën e studimit letrar dhe i 22-ti në tërë opusin e tij krijues.

Siç e tregon edhe vet autori që në titull, libri “Esencat e mendimit letrar” është një libër me kumtesa dhe studime, shumica të lexuara nëpër konferenca dhe seminare ndërkombëtare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Belgjikë, dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por disa të botuara edhe nëpër revista shkencore ndërkombëtare.

Librit i paraprin studimi “Pal Hasi dhe Andrea Bogdani autorë të cituar të një letërsie dhe trashëgimie të tretur”, për të vazhduar me studimet “Komisia Letrare e Shkodrës, reflektimi dhe vlerësimi i saj në Kosovë”, “Proza e Ernest Koliqit në kontekstin e letërsisë shqipe të shekullit XX”, “Rexhep Qosja dhe rikthimi i Gjergj Fishtës dhe i Faik Konicës në letërsinë shqipe”, “Kosova në veprën letrare dhe publicistike të Ismail Kadaresë’, ”Tipologjia e veprës “Njerëzit” i Hivzi Sulejmanit dhe rëndësia historike – letrare e saj”, “Aspekte tematike në poezinë dhe prozën e  Murat Isakut”, “Anton Pashku dhe simbolika e prozës të tij”, “Poezia e Din Mehmetit dhe kritika letrare”, “Vrasja e poetëve nga regjimi komunist dhe (mos)reagimi i shtresave intelektuale të kohës”, “Pasqyrimi i figurës së Skënderbeut në veprën letrare  të  Bilal Xhaferit e të Fatos Arapit”, “Kultivimi dhe zhvillimi i letërsisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, “Gjekë Marinaj – poet i shquar i diasporës shqiptare në Amerikë”, “Ramiz Gjini, tregimtar e romansier”, “Studimi i veprës së Lasgush Poradecit në Kosovë”, “Interneti dhe deformimet gjuhësore dhe konceptuale të artit të mirëfilltë letrar”,  “Kontributi i studiuesit japonez Kazuhiko Yamamoto në studimin e strukturës etike të Kanunit shqiptar” dhe përmbyllet me vështrimin “Përmendore letrare për poetin e harruar”.

Te “Pal Hasi dhe Andrea Bogdani autorë të cituar të një letërsie dhe trashëgimie të tretur”, studiuesi merret me fatin e shkrimitarit dhe veprës së humbur, që ne lëtersinë tonë nuk janë raste të rralla. Prandaj, këtë fat kishin edhe Pal Hasi dhe Andrea Bogdani, të dy priftërinjë të spikatur por edhe autorë të rëndësishëm të kulturës sonë. Njëri poet, të cilin e përmend Pjetër Budi, ndërsa tjetri gjuhëtar, të cilin e përmend Pjetër Bogdani për gramatikën e gjuhës shqipe, e cila, siç thotë P. Bogdani, u tret si kripa në ujë, pasiqë ajo i kishte humbur gjatë kohës kur ai po fshihej për t’i shpëtuar ekzekutimit të Perandorisë Otomane. “Megjithatë, veprat e Pal Hasit dhe të Andrea Bogdanit, qoftë edhe në këtë formë, arrijnë të komunikojnë në formën dhe mënyrën e tyre, duke përçuar tërë kompleksitetin e veçantisë dhe të rëndësisë së  tyre kulturore letrare, gjuhësore të një kohe të caktuar, gjithsesi të rëndësishme, në shkallë kombëtare. Ata, padyshim, janë dhe do të mbeten emra që nderojnë kulturën tonë të lashtë dhe dëshmojnë për një traditë tonën letrare dhe shkencore shumë më të hershme se sa ajo që na vijnë dëshmitë”, thotë në mes tjerash Muhadri në studimin e tij.

Ndërkaq, në studimin “Komisia Letrare e Shkodrës, reflektimi dhe vlerësimi i saj në Kosovë”, autori merret me trajtimin e rolit të kësaj Komisie, të themeluar nga austro-hungarezët në dhjetëvjetëshin e dytë të shekullit XX, ndërkaq, në këtë studim Muhadri përqëndrohet në rolin e saj në fushën e gjuhës e të lëtërsisë shqipe, por edhe për jehonën e saj edhe në Kosovë. Më konkretisht ai merret me rolin e saj në fushën e arsimit, kurse në fokus të punimit të tij ka vënë veprat e Fadil Rakës dhe të Sheremet Krasniqit në lidhje me Komisinë Letrare të Shkodrës.

Në studimin “Proza e Ernest Koliqit në kontekstin e letërsisë shqipe të shekullit XX”, Muhadri flet për zhvillimin e prozës shqipe në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, duke vënë në fokus të saj prozën e Koliqit, përkatësisht shqyrtimin  e disa aspekteve  të  tregimit të shkurtër në letërsinë tonë në përgjithësi, dhe të atij të Koliqit si themelues i kësaj lloj proze, në veçanti. Ai ka marrë në shqyrtim librin “Hija e maleve”, por edhe në libra të tjerë të këtij shkrimtari të rëndësishëm të letësrisë sonë.“Proza tregimtare e Koliqit mban vulën e një kohe që paralajmëronte se në prozën dhe në letërsinë tonë, në tërësi, po shfaqej një brez, i cili, për shumëçka, do të ishte i rëndësishëm dhe do të tejkalonte brezat e tjerë. Ajo paraqet një aspekt të veçantë, jo vetëm për stadin e zhvillimit të letërsisë sonë në një kohë dhe periudhë të caktuar të historisë së letërsisë sonë”, thotë studiuesi Muhadri.

Te studimi “Rexhep Qosja dhe rikthimi i Gjergj Fishtës dhe i Faik Konicës në letërsinë shqipe”, Muhadri ka vënë në spikamë pikëpamjet e akademik Qosjes në lidhje me dy kolosët e letërsisë sonë, Gjergj Fishta e Faik Konica, me rastin e rikthimit të tyre në letërsinë shqipe, pas një ekzili të padrejtë gjysmëshekullor, të dhënë nga regjimi komunist, që rezultoi me një ekskomunikim të veprës së tyre me lexuesit në atdhe. Sipas Muhadrit “Shkaqet e qëndrimeve të politikës zyrtare të kohës që çoi në eleminimin apo përjashtimin e shkrimtarëve të mëdhenj, Qosja i klasifikon jo vetëm politike dhe jo vetëm ideologjike, por edhe kundërkulturore, të rrezikshme për artin, shkencën, kulturën dhe për lirinë e njeriut dhe të popullit, ndërkaq, rikthimin e tyre, përkatësisht të veprës së tyre pas 45 vitesh të përjashtimit, e cilëson si një rikthim të një thesari tejet të rëndësishëm artistik, shpirtëror dhe moral”.

Në “Kosova në veprën letrare dhe publicistike të Ismail Kadaresë”, autori spikat kontributin e Ismail Kadaresë në trajtimin e temës së Kosovës, si në poezi, ashtu edhe në roman dhe publicistië. Muhadri thotë se “te Kadareja, trajtimi i temës së Kosovës kap një periudhë të gjatë kohore të shtrirjes si problem”, ndërsa kontributin e Kadaresë në trajtimin e temës së Kosovës e cilëson si të patjetërsueshëm që, “jo rrallëherë atij i ka shkaktuar telashe të llojit të vet”. Megjithatë, siç thotë Muhadri “karshi kësaj çështje, Kadare  e ka kryer dhe vazhdon ta kryejë detyrën e vet si intelektual dhe shkrimtar i shquar i letërsisë së kombit të tij”.

Te “Tipologjia e veprës “Njerëzit” të Hivzi Sulejmanit dhe rëndësia historike – letrare e saj”, ka trajtuar aspektin tipologjik të veprës “Njerëzit” të Hivzi Sulejmanit, një vepër e cila qëndron në mes romanit dhe të prozës dokumentare. Autori veprën në fjalë e cilëson edhe si një kronikë e një revolucioni dhe një dëshmi relevante e një jete dhe e një shoqërie, e cila trajton dramën e njeriut tonë në përpjekje të vazhdueshme për t’i ruajtur e mbrojtur virtytet, qenien e botës së vet, përpjekjen e njeriut për të mbetur njeri, për ta ndryshuar vetveten dhe realitetin e kohës”.

Në “Aspekte tematike në poezinë dhe prozën e Murat Isakut”, Muhadri në laboratorin e analizës së tij ka vënë veprën letrare të Murat Isakut, duke e cilësuar Isakun si një shkrimtar erudit dhe kreativ, por edhë një zë tepër origjinal dhe interesant, duke kërkuar që veprës së tij t’i kushtohet vëmendje e veçantë studimi dhe vlerësimi, në mënyrë që asaj dhe autorit t’i jepet vendi i merituar në historinë e letërsisë së gjithëmbarshme kombëtare”.

Studime mjaft të rëndësishme në librin “Esencat e mendimit letrar” janë edhe “Anton Pashku dhe simbolika e prozës të tij” dhe “Poezia e Din Mehmetit dhe kritika letrare”, ku studiuesi merret me prozën e Pashkut në përgjithësi dhe me atë të romanit “Oh”, në veçanti si dhe me relevancat e studimit të poezisë së Din Mehmetit dhe të vlerësimeve të kritkës letrare për këtë poet të shquar në letërisë sonë.

“Vrasja e poetëve nga regjimi komunist dhe (mos)reagimi i shtresave intelektuale të kohës”, është një trajtesë interesante, ku Muhadri i bën temës së tragjikës së vrasjes së poetëve gjatë regjimit komunist në Shqipëri, si dhe të reagimit apo të mosreagimit të intelektualëve shqiptarë të kohës në lidhje me këto përmasa tragjike të ekzekutimit të krijuesve letrarë. Ai me këtë rast në shqyrtim të punimit të tij ka poetët e vrarë e të varur në litar, Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Havzi Nela.

“Ajo që është më e dhimbshme dhe më trishtuese në këtë katrahurë vrasjesh poetësh, thotë autori, është skenari i likuidimit të tyre, që sipas studiuesit i ngjan një tragjedie në tri akte, para së cilës nuk vjen në pyetje indeferenca e lexuesit, i cili gjatë zhvillimit të akteve të saj do të ndiejë tërë peshën e bagazhit të një sistemi kriminal dhe tërë peshën e injorancës, fodullëkut dhe serviletit të “njeriut” të shndërruar në hiqnjeri, në sadist, i cili kënaqej me të keqen e tjetrit, të cilën ia përgatiste vetë”.

Te studimi “Pasqyrimi i figurës së Skënderbeut në veprën letrare të Bilal Xhaferrit e të Fatos Arapit”, autori ka marrë në shqyrtim pjesën e veprës së e dy shkrimtarëve tanë që ndërlidhet me trajtimin e figurës dhe epokës së Skendërbeut, ndërkaq, te studimi “Kultivimi dhe zhvillimi i letërsisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, Muhadri jep kontributin e tij në pasqyrimin e aktivitetit të mërgatës shqiptare në SHBA në fushën e letërsisë, si në gjininë e poezisë, ashtu edhe të prozës dhe të publicistikës, që i bëhen krijimtarisë letrare të mërgatës shqiptare në SHBA.

Te studimet “Gjekë Marinaj – poet i shquar i diasporës shqiptare në Amerikë”, “Ramiz Gini, tregimtar e romansier”, Dr. Besim Muhadri ka analizuar veprat e dy shkrimtarëve shqiptaro-emerikanë, Gjekë Marinaj si poet dhe Ramiz Gjini si prozator, duke vënë në spikamë disa nga vlerat ideo-estetike dhe tematike e zhanrore të këtyre dy shkrimtarëve të diasporës sonë në Amerikë.

 Të një rëndësie të veçantë janë dhe kumtesat “Studimi i veprës së Lasgush Poradecit në Kosovë”, “Interneti dhe deformimet gjuhësore dhe konceptuale të artit të mirëfilltë letrar”,  “Kontributi i studiuesit japonez Kazuhiko Yamamoto në studimin e strukturës etike të Kanunit shqiptar” dhe përmbyllet me vështrimin “Përmendore letrare për poetin e harruar”.

Te punimi për studimin e veprës së Lasgush Poradacit, është fokosuar te leximi dhe studimi i poezisë së Lasgushit në Kosovë, por edhe te vlerësimet që studiuestë nga Kosova i japin veprës së poetit tonë të shqurar. Në këtë rast ai ka veçuar mendimet e Rexhep Qosjes, Sabri Hamitit, Emin Kabashit, Mensur Raifit, Kujtim Shalës e të ndonjë studiuesi tjetër. Ndërkaq te “Kontributi i studiuesit japonez Kazuhiko Yamamoto në studimin e strukturës etike të Kanunit shqiptar”, shohim kontributin e profesorit Japonez në lidhje me pasqyrimin e vlerave dhe të strukturës etike të Kanunit, në krahasimin me  konceptet etike të veprave homerike por edhe me ata të  kulturës dhe traditës së japonezëve antikë.

Te “Interneti dhe deformimet gjuhësore dhe konceptuale të artit të mirëfilltë letrar” autori shpërfaq shqetësimet e tij në lidhje pasojat e deformimeve letrare e gjuhësore në kontekstin e zhvillimeve të reja teknologjike.  Ndërkaq libri përmbyllet me vështrimin “Përmendore letrare për poetin e harruar”, që është një analizë interesante e librit “Rreshpja që nuk e kuptuam kurrë” të Petrit Palushit. Në këtë analizë të Muhadrit, shohim portretin fizik dhe krijues të një poeti interesant dhe tragjik, siç ishte Frederik Rreshpja. Po aty shohim edhe pikëpamjet e Rreshpjes në lidhje me poezinë, jo vetëm të tij, por edhe atë shqipe dhe botërore në përgjithësi.

Prandaj, duke parë gjithë këtë material studimor të Dr. Besim Muhadrit të ofruar në librin e tij “Esencat e mendimit letrar”, duhet të themi se libri në fjalë është një libër i strukturuar, me një thellësi analitike dhe shkenore, që shoqërohet edhe nga citate dhe referenca të shumta, të cilat librit i japin edhe karakterin e mirëfilltë shkencor. Libri i Dr. Besim Muhadri është rezultat i një pune disavjeçare të tij në fushën e studimit dhe trajtimit te temave të rëndësishme letrare, por edhte  të veprave të autorëve të shquar të periudhave të ndryshme të letërsisë sonë. Prandaj, si i tillë, me plot të drejtë thotë edhe autori në parfathënien e tij, se ai mund t’u hyjë në punë jo vetëm lexuesve, por edhe studiuesve dhe studentëve të letërsisë.

Prandaj, më duhet të them për fund se “Esencat e mendimit letrar”, i botuar këtu në Nju Jork, paraqet një ngjarje të rëndësishme për komunitetin letrar, veçanërisht të fushës së studimit, jo vetëm këtu në Nju Jork, pjesë e të cilit tash e sa vite është autori, por edhe në Kosovë, Shqipëri dhe kudo ku janë shqiptarët.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Adnan Mehmeti, BEsim Muhadri, Esenca e mendimit Letrar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 187
  • 188
  • 189
  • 190
  • 191
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT