• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

March 20, 2026 by s p

Një gur themeli për kulturën shqiptare në diasporë.

Nga Frank Shkreli

Ditët e fundit, këtu në Shtetet e Bashkuara, pronari i Shtëpisë Botuese në Tiranë Z. Bujar Hudhri dhe shqiptaro-amerikani, Dr Pashko Camaj hapën librarinë online ‘Alblibris’, me libra fizikë, për të gjithë shqiptarët e Amerikës, por jo vetëm. AlbLibris – Libri shqip në SHBA –Themelimi i “Alblibris” në Shtetet e Bashkuara përfaqëson një nga nismat më domethënëse kulturore të shqiptarëve në diasporë dhe — në shumë kuptime — të parën e këtij lloji në Amerikë.

Në një realitet shpesh të vështirë të jetës në Shtetet e Bashkuara, ku komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë historikisht i fokusuar në mbijetesë ekonomike dhe integrim social, krijimi i një strukture kushtuar librit shqip — qoftë si platformë botuese, shpërndarëse apo promovuese – plotëson një nevojë të kahershme dhe përbën një akt vizionar nga ana e nismëtarve të këtij projekti. “Alblibris” nuk është thjeshtë një ndërmarrje kulturore, se në të vërtetë, ai mund të shndërrohet në një institucion identiteti për komunitetin shqiptaro-amerikan, në rritje e sipër.

Për dekada, libri shqip në Amerikë ka qenë i fragmentuar. Është e vërtetë se ka pasur dhe ka botime sporadike, por me promovim dhe shpërndarje të kufizuar, pikërisht, për arsye të një mungese infrastrukture profesionale siç është struktura e posa themeluar për librin shqip, “Alblibris”, këtu në Shtetet e Bashkuara.

Edhe figura historike të shqiptarëve të Amerikës, si Faik Konica apo Fan Noli e kuptonin se pa një bazë të qëndrueshme kulturore në diasporë, si organizata, gazeta e libra, eventualisht, rrezikohej – ashtu siç ka ndodhur edhe me shumë grupe etnike në këtë vend, të zbehej, gradualisht, identitetit kombëtar, Besoj që themelimi i “Alblibris” të mbush boshllëkun e deritanishëm kulturor të komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe më gjërë. Në këtë kuptim, “Alblibris” vjen si përgjigje konkrete ndaj një boshllëku të gjatë – me themelimin e saj si një qendër ku libri shqip jo vetëm botohet, por edhe qarkullon, promovohet dhe diskutohet.

Prandaj themelimi i kësaj qendre kulturore është i rëndësishëm në disa nivele, që në shumë pikëpamje, kanë rëndësi strategjike me disa dimensione. Siç iç theksova më lartë, institucionalizimi i librit shqip në diasporë – për herë të parë — krijohet një platformë e strukturuar në SHBA. Kjo qëndër siguron edhe një ndërlidhje me autorët shqiptarë – një urë e drejtpërdrejtë mes krijuesve, shkrimtarëve dhe poetëve në Shqipëri, Kosovë dhe lexuesve në Amerikë. Mbi të gjitha, kjo qëndëër me misionin e saj të përhapjes së librit shqip, synon ruajtjen e gjuhës shqipe – veçanërisht për brezat e rinj shqiptaro-amerikanë që rriten larg atdheut. Mund ë shërbejë gjithashtu edhe si një shërbim pozitiv në fushën e “diplomacisë kulturore”, libri si ambasador i identitetit shqiptar në shoqërinë amerikane

Më kujtohet kur punoja për seksionin shqip të Zërit të Amerikës gjatë 1970-ave, kur me qëllim të ishim në kontakt me gjuhën e përdorur në mediat e kohtë propagandës së atëhershme të Shqipërisë komuniste – porosisnim, gazeta, revista e libra, nepërmjet një kontakti në Itali e që na vinin në thasë një herë në gjashtë muaj ose njëherë në vjet. Për fat të mirë, ajo kohë nuk është më dhe me të drejtë tani konsiderohet si periudha e territ kulturor. Prandaj themelimi i “Alblibrit” këto ditë në Shtetet e Bashkuara duhet të vlerësohet edhe si një nismë me peshë historike, në këtë kohë, për komunitetin tonë këtu në Shtetet e Bashkuara.

Ndonëse shekulli i kaluar për shqiptarët e Amerikës është shënuar, kryesisht, nga gazeta si Dielli dhe të tjera, më pak të njohura dhe organizata si Vatra — shekulli XXI kërkon institucione të reja që i përgjigjen kohës digjitale dhe nevojave të reja gjuhësore e kulturore. Në këtë prizëm, “Alblibris” mund të konsiderohet vazhdim i natyrshëm i kësaj tradite — por në një nivel të digjitalizmit, natyrisht, shumë më të specializuar dhe professional se në të kaluarën.

Natyrisht se çdo nismë në fillim, nuk është e lehtë, sidomos një projekt i kësaj natyre. Sfidat janë reale! Ndoshta treg i kufizuar, konkurrencë me botimet anglisht, kostoja logjistike dhe për ne shqiotarët, ashtu siç është zakoni, mungesë e politikave mbështetëse. Por pikërisht këto e bëjnë nismën edhe më të vlefshme. Megjithë këto sfida me të cilat mund të përballet “Alblibris”, perspektiva e suksesit është gjithashtu e mirë, nëse ky projekt mbështetet nga brezi i tanishëm i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe nëse gjënden mënyra për të bashkëpunuar edhe me institucione të ndryshme arsimore e kulturore. Në atë mënyrë, “Alblibris”, ka mundësi të kthehet në një pikë referimi për librin shqip në mbarë diasporën shqiptare

Themelimi i “Alblibris” nuk është thjesht një lajm kulturor – por është një zhvillim me peshë historike, nëse i prihet për së mbari në këtë rrugëtim historik. Ky projekt është dëshmi e gjallë se diaspora shqiptare në Amerikë po hyn në një fazë të re kulturore në fillim të shekullit XXI, ashtu si edhe në fusha të tjera të jetës në Amekë: drejt vetëdijes kulturore dhe një kontributi të qëndrueshëm, gjuhësor, kulturor dhe shpirtëror për komunitetin shqiptaro-amerikan.

I urojmë suksese “Alblibris” – në këtë mision që i shëren diasporës dhe Kombit. Me rastin e themelimit të “Alblibris” në Shtetet e Bashkuara nga botuesi Bujar Hudhri dhe Dr Pashko Camaj, ju urojmë vetëm sukseset më të përzemërta në këtë rrugëtim fisnik dhe me peshë kombëtare. Kjo nismë nuk është vetëm një ndërmarrje kulturore, por një shërbim i vyer ndaj gjuhës shqipe, librit shqip dhe identitetit shqiptar në diasporë. Urojmë që në gjurmët e traditës së ndritur të themeluesve të Federatës Vatra dhe të mendimit të thellë të figurave të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan të të gjitha kohërave — Faik Konica e Fan Noli, “Alblibris” ka potencialin të bëhet një vatër e re e dijes dhe e kulturës shqiptare në Amerikë. Me këmbë të mbarë!

Filed Under: LETERSI

SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES

March 20, 2026 by s p

Prof. Dr. Shefkije Islamaj

ExLibris, nr. 376, 7.3.2026/

Ditari “Dëshmitar në kohë historike” I-IX (1966-2008)

Rexhep Qosja përgjatë dhjetë vjetëve (2014-2023) ka botuar nëntë vëllime të Ditarit të vet, të shkruar në një rreth kohor prej dyzetë vjetësh dhe me rreth 5 500 faqe. Me Ditarin me titull “Dëshmitar në kohë historike”[1], krijimtaria e tij u pasurua edhe me një lloj tjetër shkrimor, me prozë autobiografike, dhe kështu u përplotësua vepra e tij shumë e gjerë me karakter historiko-letrar, historiko-dokumentar, kritik, eseistik, publicistik dhe polemik.

Krijues me prirje të mosqëndrimit asnjëherë në jetë indiferent ndaj atyre që kanë ndodhur e që ndodhin afër e larg tij e që nuk lidhen vetëm me të po, sidomos, që lidhen drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt me shqiptarët, me jetën e vendin e tyre, me fatin e vështirësitë e tyre, me të gjitha aspektet e qenies së tyre, ka qenë e pritshme që ai të shkruajë edhe ditar – zhanër i letërsisë autobiografike ky, i lëvruar pak në letërsinë tonë, po i lëvruar shumë në letërsitë e popujve të mëdhenj evropianë dhe në letërsinë amerikane e më gjerë, në të cilat janë të shumtë ditarët, po edhe autobiografitë, biografitë, kujtimet, udhëpërshkrimet, esetë, letrat e të tjera lloje shkrimesh.

Në përthyerjet historike, shoqërore e politike të dhjetëvjetëshave të fundit, Rexhep Qosja shquhet si personalitet me identitet e ndikim të fuqishëm intelektual, moral, shoqëror e politik, si protagonist i pashmangshëm në ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në gjithë hapësirën shqiptare në çerekun e fundshekullit 20 e në fillimshekullin 21. Shikuar edhe nga ky këndvështrim, ditari i tij “Dëshmitar në kohë historike” paraqet jo vetëm pasurim të letërsisë dokumentare shqipe, po edhe dëshmi pakrahasueshëm të vlefshme për historinë e më tepër se gjysmë shekulli të shqiptarëve e të hapësirës shqiptare. Autori ka arritur që prej një rrëfimi jetëshkrimor në formë ditari të zhvillojë një biografi shumëdrejtimshe të Kosovës e, pjesërisht, edhe të Shqipërisë.

Mund të thuhet, prandaj, se jo vetëm vepra e tij shkencore e letrare, ajo historiko-publicistike, por edhe ajo letrare-dokumentare shpreh ndërgjegjen intelektuale, shoqërore e morale të autorit dhe të kohës së tij. Së këndejmi, del edhe rëndësia e madhe historike, kulturore dhe politike e këtij Ditari.

Ditari i Rexhep Qosjes, megjithatë, nuk është vetëm dëshmi dokumentare, historike letrare, kulturore, shoqërore, politike, por është edhe dëshmi gjuhësore, që tregon se si është përvijuar gjuha dhe stili i shkrimtarit përgjatë afër gjysmë shekulli, si është përvijuar edhe gjuha e stili i tij në krijimtarinë letrare, shkencore e publicistike në përgjithësi gjatë kësaj periudhe.

Rexhep Qosja është studiuesi, kritiku, shkrimtari dhe publicisti më prodhimtar në gjithë hapësirën shqiptare, me mbi 45 vepra tematikash të ndryshme, prandaj edhe në këtë ditar do të gjejmë llojshmëri të madhe temash të trajtuara, si: tema politike, tema kombëtare-historike, tema letrare, tema filozofike, tema shoqërore-kulturore e të tjera, domethënë gjejmë tema të atyre katër çështjeve të mëdha të cilave ai ua ka kushtuar jetën: çështjes kombëtare, me çështjen e Kosovës si kryesorja e saj, çështjes demokratike në hapësirën shqiptare, dhe sidomos shkencës së letërsisë dhe prozës letrare. Ditari i tij mund të konsiderohet gjedhe e prozës së sotme autobiografike, ku shpërfaqen ditari privat, ditari shoqëror, ditari historik, ditari politik, ditari letrar, ditari filozofik, por edhe ditari shumëtekstor. Si i tillë, ky ditar s’ka sot pararendës e as bashkëkohës as me përmbajtjen, as me vëllimin e as me rëndësinë në letërsinë tonë dokumentare.

Interesimi i shtuar për studimin e ditarëve, të kujtimeve, të letrave të krijuesve, të autobiografive e të shkrimeve eseistike po bëhet një ndër çështjet më aktuale teorike-letrare sot në Evropë dhe në Botë. Në studimet e reja teorike synohet të ndriçohen sidomos karakteri referencial i ditarëve dhe raporti midis tekstit dhe subjektit, të ndriçohet raporti midis faktit dhe fiksionit dhe të ndriçohet përmasa kulturore e ditarit në të cilin ndërtohet i ashtuquajturi “modeli i identitetit”.

Ditari i Rexhep Qosjes është një lloj i tekstit me strukturë të veçantë, që qëndron midis tekstit letrar artistik dhe tekstit historiografik, që do të thotë se nuk është vetëm rrëfim në vetën e parë për ngjarje të vërteta nga jeta e vet, por është shumë më tepër se kaq. Nëpërmjet tekstit autobiografik nuk rrëfehet vetëm tregimi, jetësorja, por krijohet pamja e gjendjes dhe e ndodhive të çdoditshme, të çdojavshme, të çdomuajshme e të çdovitshme shoqërore, politike dhe kulturore shqiptare. Ky ditar është një kronikë e gjatë dhe e përbërë e Kosovës dhe e botës shqiptare në shumë pamje.

Veçori të përgjithshme përmbajtjesore dhe formale

Në ditarin “Dëshmitar në kohë historike” përcaktohet qartë identiteti i subjektit të tij, kufijtë e tij kohorë, arsyeja dhe qëllimi pse shkruhet ai, tematizimi, përkatësisht orientimi i subjektit të tij sipas temës së përzgjedhur, raporti i qartë midis përmasës intime, private dhe shoqërore dhe shkalla e besueshmërisë, përkatësisht e autenticitetit.

Si ditar privat, autori në të paraqet subjektin dhe përvojën e vet me familjarët dhe me miqtë, interesat dhe interesimet vetjake, hollësi nga jeta e përditshme, gjendjen intime, ndjesitë, shqetësimet, dëshirat e të tjera.

Si ditar shoqëror shpërfaq mendimet e subjektit për ato që kanë ndodhur dhe që ndodhin jashtë tij dhe përtej jetës së tij private, duke shquar karakterin mospajtues a kundërshtues ndaj realitetit shoqëror e politik, gjendjet që kanë ndikuar e nxitur nëpër kohë vetëreflektimet e tij ditarore të konkretizuara me data dhe me mbajtje të rregullt të ditarit.

Si ditar filozofik shquan përpjekjen për njohjen e qenies shpirtërore të subjektit të tij, të nxitur nga përvoja e tij në njëmendësi. Si ditar historik tematizon dhe problematizon ngjarje, ndodhi, dukuri, figura të rëndësishme historike dhe të përtashme për mjedisin dhe më gjerë duke u pozicionuar qartë dhe fuqishëm.

Si ditar i letrarizuar identifikon dhe njëjtëson rrëfimtarin me subjektin, metaforizon realitetin, në të vërtetë e paraqet më së shpeshti nëpërmjet një figurshmërie të thellëkuptimshme e të ngjeshur.

Brenda nëntë vëllimeve sa janë botuar deri më tash (shpresojmë të botohet edhe vëllimi i dhjetë jo larg), autori, Rexhep Qosja, na dëshmohet si mendimtar, intelektual, studiues, kritik, shkrimtar, publicist, filolog, shpesh edhe gjuhëtar, i cili mëton t’u japë përgjigje shumë pyetjeve për çështje të ndryshme nga shumë fusha të jetës e të dijes. Mund të thuhet, pa e tepruar, se fjala është për ditar të vetëdijes, të ndërgjegjes së një intelektuali të rendit të parë, më parë se për një ditar për botën ndjenjore a të brendshme të autorit, siç pritet në një ditar të një personaliteti shumë të njohur, ndonëse në këtë ditar nënkuptohen, ndihen e përvijohen edhe përbërës gati të “heshtur” intimorë.

Në shënimet e veta intelektuale brenda këtij ditari, ai me vetëreferim të theksuar, të vetëkuptueshëm, “refuzon” qëllimshëm të shkruajë autobiografi personale, për më tepër duket se ditari i tij sikur na thotë se njerëzit si ai, njerëzit e brezit të tij, nuk kanë tregim jetësor sepse rrethanat politike, shoqërore e kulturore e kanë skajuar jetën personale të individit. Ç’është e vërteta, nuk mungojnë përshkrimet që lidhen me jetën e tij të përditshme, me punën e tij e me procesin krijues, që janë në të shumtën e rasteve përshkrime a shënime me karakter pune shpesh të plotësuara me aspekte intimore, ku nuk mungojnë as ato me karakter kritik ndaj krijimtarisë vetjake, as ato në të cilat komentohet shumëçka nga kjo krijimtari, madje edhe synimet që ka dëshiruar t’i arrijë. Me hollësi, autori përshkruan, gjithashtu, atmosferën që ka shoqëruar krijimin e shumë veprave të tij, tematikën e tyre, strukturën e tyre, vështirësitë, kushtet e punës, procesin e botimit e të shtypit, mendimet e të tjerëve për to e të tjera. Në shumësinë e shënimeve që përmbajnë elemente të jetës së tij private si dhe të zhvillimit të tij si krijues, gjejmë të ndërthuren pazgjidhshëm ligjërimi intim me ligjërimin e përgjithshëm intelektual.

Në këtë ditar Rexhep Qosja nuk na paraqitet vetëm si studiues e kritik, aq më pak vetëm si shkrimtar ose si bartës i shumë veprimtarive kulturore e shkencore të kohës, por ai paraqitet, para së gjithash, si pjesëmarrës aktiv i kohës së vet, që synon ta japë kontributin në kujtesën e në ndërgjegjen kolektive. Autori merr pjesë, më së shpeshti me shkrime, intervista, reagime e polemika, por një kohë edhe me veprimtari të organizuar politike, në ngjarjet që shënojnë gjendjen politike, shoqërore e kulturore të Kosovës, duke ofruar njëkohësisht edhe të dhëna për ndodhitë vetjake e private brenda këtij konteksti.

Të gjitha shënimet joimagjinare të autorit bartin vulën e kohës, tregojnë gjendje e protagonistë, ndodhi e ngjarje që zbulojnë shumanshëm shoqërinë e kohës, politikën që bëhet, rrjedhat dhe ndikimet kulturore, mendësinë e kohës e të mjedisit. Tërësinë apo, më mirë të thuhet, përplotësinë tematiko-stilistike, për të cilën kjo vepër e madhe merr formën e një të ashtuquajturi laboratori krijues të shkrimtarit, e sugjeron edhe vetë titulli i këtij ditari – “Dëshmitar në kohë historike”, kurse gjendjen e përgjithshme shoqërore, politike, kulturore si dhe shqetësimet e autorit nëpër kohë i tregojnë shkurtimisht edhe motot që u paraprijnë të nëntë vëllimeve të ditarit të tij: Koha e shpresës dhe e mendimit parathënës; Koha e rilindjes së papritur; Koha e idealistëve dhe e kameleonëve; Qëllimi i madh dhe përndjekja e madhe; Oligarkia udhëhumbur dhe shërbëtorët e saj intelektualë; Duke mbajtur mend mbushemi mend; Koha e mospajtimeve mes politikës nënshtruese dhe politikës çlirimtare; Koha e protektoratit dhe Kosova. Shtet i lirë, i pavarur dhe më vete.

Autori në të vërtetë shfaq njohje dhe ndjenjë të zhvilluar e të drejtë për realitetin e Kosovës dhe realitetin shqiptar në përgjithësi dhe më gjerë, në Jugosllavi e në Ballkan, të shtrirë nëpër kohë. Kjo vlen posaçërisht për ditarin që përfshin periudhën para vitit 1981 e deri në fund të viteve ’90. Qëndrimet e tij, sidomos rreth asaj që ka ndodhur ndër vite në historinë e re të Kosovës në të gjitha fushat e jetës së saj, posaçërisht qëndrimi i tij ndaj veprimeve të intelektualëve të kohës brenda atij konteksti politik, shoqëror e kulturor, sikur përputhen me moton e Çesare Pavezes “Unë kërkoj moralitet brenda jomoralitetit” e që, në të vërtetë, përmban mendimin e tij të njohur, të shprehur në Ditarin e tij “Arti i të jetuarit” (1935-1950), botuar më 1952: “Jeta morale e individit është e përjetshme, ekzistenca e pandryshuar e unit, kurse veprimet janë gurgullimë e atij deti, humnerat e vërteta të të cilit shihen vetëm në stuhitë, shpesh as atëherë”.

Në nëntë vëllimet e ditarit të botuar deri tash, në të cilët shënohen, pak a shumë, të gjitha shqetësimet e tij intelektuale qenësore, në një kohëzgjatje 42 vjeçare zbulojmë pa vështirësi shndërrimin ideor ose dhe përparimin e tij ideor nëpër kohë, ndryshimin e qëndrimeve të tij për ide, dukuri, ngjarje që lidhen jo vetëm me fushat e krijimtarisë, po edhe me gjithçka që ndodh në jetën e tij dhe në jetën shqiptare në përgjithësi. Nga ky këndvështrim ditari i Rexhep Qosjes, “Dëshmitar në kohë historike”,është një kronikë panoramike e mendimit të tij nëpër kohë. E kuptueshme, sepse ditari për nga natyra nënkupton tekst në zhvillim.

Një shndërrim ose, ta quajmë, një si zhvillim në qëndrimet, në idetë dhe në veprimet e tij e hetojmë nga vitet ’80 e këtej, sidomos në vitet ’90, si vite kthese në jetën politike, shoqërore e kulturore të Kosovës. Duket se autori me ditarin ka gjetur një formë shumë të përshtatshme për t’i vënë në provë pikëpamjet dhe qëndrimet e veta politike, shoqërore e kulturore.

Në ditar, edhe pse i strukturuar si paraqitje, nëse jo e çdoditshme, e ditëpasditshme, me largesa kohore herë më të vogla e herë më të mëdha, gjejmë numër jo të vogël vëzhgimesh, komentimesh, meditimesh, kritikash për qëndrimet e të tjerëve dhe për qëndrimet e veta lidhur me ngjarje e ndodhi të rëndësishme, për ndodhi të zakonshme dhe përshtypjebërëse, siç ka dëshirë t’i quajë ato autori i këtij ditari. Në përgjithësi mbizotërojnë parashtrimet analitike për ato që autori i ka konsideruar se vlejnë të shënohen. Herë pas here shënimet lidhen me detyrimet e përditshme të tij, kurse shumë më shpesh ato janë vrojtime të përgjithshme të gjendjes së tij të brendshme të nxitur nga ajo që ndodhte në jetën jashtë tij.

Përmbajtjet emocionale intime kryesisht janë dhënë pa hyrë në thellësitë e tyre. Hetohet një si shmangie e qëllimshme e tij në këtë sferë të ndjeshme e të rëndësishme të jetës njerëzore. Nga jeta private, qëllimshëm duke i ikur shpesh paraqitjes së rutinës së zakonshme ditore ose përshkrimit të ndodhive të përditshmërisë, autori ka përzgjedhur të përshkruajë çaste mbresëlënëse që lidhen me vizitat e njerëzve të njohur e të panjohur në shtëpi, në rrugë e, më shpesh, në zyrë, pra nga bisedat me ta, me lajmet që i vinin nga miqtë e kolegët ose nga shtypi a televizioni, por më së shpeshti nga ato që lexonte çdo ditë. Autori tregon kujdes në paraqitjen e saktë të rrjedhës së ngjarjeve dhe përputhshmërinë e tyre me datat kur ai mban ditar. Në përgjithësi shkrimi i tij ditaror mbështetet në kujtesën e tij të jashtëzakonshme jo vetëm kur shkruan a shqyrton tema nga e kaluara, po sidomos kur i riprodhon bisedat e shumta me njerëz, diskutimet nga takime e mbledhje të ndryshme, sidomos kur sjell mendime e ide nga librat e lexuar gjatë jetës.

Nëse pranojmë se ditari paraqet vend ku mblidhen, rivështrohen e analizohen, t’i quajmë kushtimisht, “llogaritë e papërfunduara”, ku bëhet përpjekje të tregohen, të arsyetohen, të zgjidhen a të sqarohen qëndrime, tema, ndodhi, probleme, mëdyshje, shqetësime, pra shesh ku zbulohen e shprehen mendimet e pashqiptuara, për t’i bashkuar ato që nuk është e mundur të thuhen diku tjetër, ky riprodhim i përjetimeve vetjake përfaqëson kundërvënien e atyre që vështirë bashkohen, në të vërtetë përfaqëson kufirin ndarës: midis të bërës dhe të pabërës, midis të thënës dhe të pathënës, midis të dëshiruarës dhe të paarritshmes, midis të pritshmes dhe zhgënjyeses, midis mendimit dhe pendimit – të gjitha këto të shtruara e të trajtuara përmes analizës, kritikës dhe vetëkritikës, përmes qortimit dhe vetëqortimit, përmes të besueshmes dhe imagjinares. Ky ditar ka përmbushur mrekullisht këtë kërkesë – që ditari të quhet gjithëpërfshirës.

Ndër tipat kryesorë të diskursittë ditarit “Dëshmitar në kohë historike”, vend të posaçëm zënë shënimet ditarore që regjistrojnë ndodhitë e rëndësishme a të parëndësishme në publik në të cilat merr pjesë autori ose merr informacione për to si takime zyrtare e jozyrtare, sidomos takime me politikanë e diplomatë të huaj që vinin në Kosovë për t’u informuar për gjendjen e shqiptarëve nën regjimin e terrorit të Millosheviqit, mbledhje e konferenca, debate e intervista e të tjera, përkatësisht shënimet që dalin të kushtëzuara e të ndikuara nga realiteti i jashtëm, drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt. Shkurt, fjala është për shënimet që dalin më shumë si rezultat i ndikimeve dhe i përpjekjeve qendërikëse, të cilat të çojnë kah hapësira e gjerë e interesave, pra jashtë rrathëve të jetës vetjake a individuale, sesa si rezultat i ndikimeve dhe i përpjekjeve qendërsynuese që i takojnë jetës së brendshme të autorit, për ç’arsye zakonisht edhe shkruhen ditarët. Nga kjo anë autori i rrënon “kufijtë” e përcaktuar të ditarit si zhanër.

Ndryshe nga trajtimi, ta quajmë intimor, në të cilin autori jo rrallë gjurmon për të vërtetën “emotive”, duke e vënë si njërën ndër çështjet kryesore të identitetit vetjak, këto shënime bëhen shprehje, në të vërtetë një si “procesverbal” i debateve shoqërore e kulturore, shpesh edhe një si tribunë imagjinare shumë e rëndësishme diskutimi për çështje me interes jetik për njeriun e Kosovës, një tribunë që synon të lëvizë vetëdijen dhe vlerat qytetare. Për arsye të pranisë së mjaft treguesve të përafërt me stilin gazetar-publicistik, pos funksionit shoqëror, funksionit përndritës, funksionit njohës dhe funksionit estetik, këto shënime a tekste brenda ditarit përmbajnë edhe rol ideologjik. Karakteri dhe përmbajtja e këtij ditari parakupton njohje të gjerë e të thellë të kontekstit kohor e hapësinor. Një njohje të tillë e dëshmon qartësisht ky ditar, përfshirë këtu edhe lëndën dokumentuese si burim i besueshëm për të trajtuar ngjarje e ndodhi të rëndësishme e të veçanta të kohës.

Duke qenë se me argumentimin kritik shquan njohjen vetjake dhe rolin e literaturës në këtë argumentim, autori shpërfaq edhe përpjekjen për të ndikuar në ndryshimin e vetëdijes qytetare, në ndryshimin e realitetit politik, shoqëror e kulturor. Kjo përpjekje del si mision i tij intelektual. Ky ditar, nga kjo anë, provon se autori vetëdijshëm e ka ndryshuar ndër vite jo vetëm veten, po edhe karakterin e këtij ditari – prej një ditari me karakter pak a shumë të ngushtë privat, e ka kthyer në një ditar me karakter publik, në një ditar me interes të përgjithshëm publik dhe historik.

Ky ditar përfshin edhe elemente paratekstore në formën e komentimeve për libra të ndryshëm, për mendime e shkrime të ndryshme të të tjerëve, për informacione që merr nga shtypi e nga radio-televizionet, por edhe nga bisedat me bashkëmendimtarë a me mospajtues deri edhe me kundërshtarë etj., për çka autori me e pa qëllim “zbulon” kështu nga i kanë ardhur ndikimet që kanë ndërtuar personalitetin e tij, qëndrimin e tij, për më tepër edhe karakterin e veprës së tij shumëpërmasore. Këtë e dëshmon edhe stili i këtij ditari që formësohet edhe nga kapërcimet a, t’i quajmë, digresionet e shumta nga fusha të ndryshme diturore, jashtë atyre që konsiderohen fusha të tij.

Si bashkim a ndërlidhje e reales me idealen, e të mundshmes me të dëshiruarën, këto shënime ditarore dëshmojnë formësimin nëpër kohë të identitetit individual, privat, profesional dhe artistik të ditarshkruesit, por dëshmojnë edhe përpjekjen e tij për të arritur harmoni e pajtimësi të shkallës më të lartë midis tyre, që nuk paraqet detyrë të lehtë për vlerësim parimor nga ana e tij, sepse të mbash ditar nuk është punë aspak e lehtë.

Duke qenë se kemi të bëjmë me rrëfim personal dhe rrëfim dokumentar, ky ditar aktualizon tekst dhe kontekst autobiografik dhe tekst dhe kontekst të përtashëm e historik, përmes rrëfimit personal të autorit, përvijohen edhe llojet ligjërimore: ligjërimi privat dhe ligjërimi publik, ligjërimi bisedor dhe ligjërimi i thjeshtë, ligjërimi libror dhe ligjërimi shkencor, ligjërimi politik, ligjërimi publicistik dhe ligjërimi letrar artistik, duke u karakterizuar, në njërën anë, si ligjërim autobiografik e, në anën tjetër, si ligjërim historiografik.

Në përmbyllje të këtij shkrimi po e rithem se Ditari “Dëshmitar në kohë historike” i Rexhep Qosjes, me nëntë vëllimet e deritashme, me përmbajtjen, me tematikën, me idetë, me mendimet, me strukturën, me gjuhën e me stilin nuk ka vetëm rëndësi kulturore, politike e historike, po ka edhe rëndësi artistike, gjuhësore dhe shkencore. Ai është ditar gjithëpërfshirës, tërësor, sistematik si nga përmbajtja, po ashtu edhe nga ana gjuhësore-tekstore. Mund të quhet edhe ditar-mozaik me karakter enciklopedik. Vëzhgimi ynë vërteton se autori në asnjë periudhë të shkrimit të ditarit të vet nuk është nisur nga gjedhe paraprakisht të përcaktuara të shkrimit ditaror, porse ka qenë kurdoherë i prirë të bashkojë tipa të ndryshëm shkrimorë ndonjëherë edhe me ballafaqim dhe kundërvënie jo të zakonshme, por interesante të ligjërimeve dhe të stileve funksionale. Dhe, pikërisht kjo mënyrë shkrimi i jep këtij ditari vulë të veçantë origjinaliteti. Së këndejmi, mund të thuhet se nga ana ligjërimore ditari paraqet gjedhen më të plotë për ta hetuar tipologjinë e ligjërimeve të shqipes dhe stilet funksionale.

Autori, Rexhep Qosja, ka arritur me mjeshtëri e aftësi të rrallë të bëjë bashkime a “kolazhe” ligjërimore e ndërstilore, duke ndërtuar një tekst të “gjallë” dhe tërheqës jo vetëm për lexuesin e vëmendshëm.

I parë edhe nga anëvështrimi gjuhësor dhe stilistik, ky ditar sjell pasurim cilësor e sasior në letërsinë dokumentare shqipe, por edhe pasurim cilësor e sasior për gjuhën shqipe dhe stilistikën e saj në përgjithësi.

________________________________________

[1] Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike”, Ditar I (1966-1974), “Toena”, Tiranë, 2014; Ditar II (1975-1978), 2014; Ditar III (1979-1981), 2014; Ditar IV (1982-1983), 2014; Ditar V (1984-1985), 2014; Ditar VI (1986-1989), 2015; Ditar VII (1990-1998), 2016; Ditari VIII (1999-2001), 2019; Ditari IX (2002-2008), 2023.

Filed Under: LETERSI

O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

March 18, 2026 by s p

– Një monument i rikthyer në dritë –

Historia e kombeve të vjetra është shpesh një pëlhurë e endur me fije gjaku, harrese dhe, fatmirësisht, ringjalljeje. Shtëpia Botuese “Fiorentia” ka nderin dhe përgjegjësinë e lartë të sjellë para lexuesit shqiptar një vepër monumentale, një dëshmi të pashlyeshme të atdhedashurisë dhe të sakrificës sublime. Kur rrugëtimi ynë filloi si një vizion i qartë kulturor në vitin 2001, për t’u ngjizur më pas me plotni si shtëpi botuese në vitin 2012, misioni ishte pikërisht ky: t’i japim zë të vërtetave të mëdha të kombit, të nxjerrim nga pluhuri i harresës ata burra që bënë historinë, por që historia i la nën hijen e mosmirënjohjes.

Kjo vepër e përmbush plotësisht këtë mision të shenjtë. Libri “O sot, o kurrë! O flamur, o dekë!” i autorit dhe studiuesit të palodhur Pjetër Logoreci, është një akt i mirëfilltë drejtësie historike, një monument i ngritur me fjalë dhe dokumente aty ku mermeri dhe bronzi kanë munguar. Në qendër të këtij vëllimi qëndron figura e Imzot Nikollë Kaçorrit, klerikut dhe atdhetarit të pashoq, arkitektit të heshtur, por thelbësor, të Pavarësisë së Shqipërisë. I lindur në ashpërsinë fisnike të maleve të Lurës dhe i brumosur me dije në djepin kulturor të Shkodrës, Dom Nikollë Kaçorri përfaqëson atë sintezë të përsosur ku kryqi dhe flamuri bëhen një. Feja për të nuk ishte një izolim nga bota, por një thirrje hyjnore për t’i shërbyer me devotshmëri atdheut të robëruar.

Autori Logoreci na e zbulon Kaçorrin jo thjesht si një prelat të devotshëm, por si një strateg të çështjes kombëtare. Përballë Perandorisë Osmane dhe synimeve gllabëruese të fqinjëve ballkanikë, ai nuk reagoi verbërisht si një viktimë e fatit. Përkundrazi, ai i llogariti lëvizjet e tij diplomatike dhe kryengritëse me saktësinë e një mjeshtri në një lojë të ndërlikuar shahu, ku çdo lëvizje e gabuar mund të kushtonte ekzistencën e vetë kombit. Si nënkryetar i qeverisë së parë të Vlorës, duke qëndruar në krah i djathtë të Ismail Qemalit, ai ishte organizatori i vërtetë i rezistencës, njeriu që shndërroi famullinë e tij në Durrës në një epiqendër të atdhetarizmit, të shpërndarjes së librit shqip dhe të përgatitjes së lëvizjeve të armatosura të Kurbinit.

Në këtë libër, autori nuk synon të shkruajë një biografi klasike të kësaj figure historike, por të sjellë në dritë dokumente, dëshmi dhe materiale të panjohura që hedhin dritë mbi rolin e Kaçorrit në ngjarjet kyçe të Rilindjes Kombëtare dhe të shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e madhe e këtyre dokumenteve janë zbuluar nga vetë autori në arkivat e Vjenës dhe janë botuar për herë të parë në këtë libër.

Puna hulumtuese e Logorecit në arkivat e Vjenës është e një rëndësie të jashtëzakonshme për historiografinë tonë. Me një përkushtim vullnetar që kapërcen thjesht pasionin e historianit, ai ka gërmuar nëpër fondet e pluhurosura dhe shpesh të paeksploruara të diplomacisë austro-hungareze për të sjellë në dritë dokumente thelbësore të panjohura më parë. Letrat dërguar personalisht Perandorit Franz Josef ku kërkohej mbrojtja e trojeve shqiptare, telegramet konfidenciale të konsujve austriakë, apo raportet e detajuara mbi arrestimin, burgosjen dhe keqtrajtimin brutal të Kaçorrit nga xhandarmëria turke – të gjitha këto vijnë të zbardhura me një saktësi shkencore.

Imzot Nikollë Kaçorri: klerik, patriot dhe arkitekt i pavarësisë

Në qendër të kësaj vepre qëndron figura e Imzot Nikollë Kaçorrit (1862–1917), një personalitet që mishëron një ndërthurje të rrallë mes përkushtimit fetar dhe idealit kombëtar. I lindur në trevën e Lurës dhe i formuar në traditën kulturore të seminarit jezuit të Shkodrës, ai përfaqësonte një brez klerikësh shqiptarë të cilët e panë shërbimin fetar të pandarë nga detyrimi moral ndaj atdheut.

Studimet e tij teologjike në Itali dhe shërbimi si meshtar në dioqezën e Durrësit e vendosën atë në një pozicion ku ai mund të ndikonte jo vetëm në jetën shpirtërore të komunitetit, por edhe në zhvillimet kulturore dhe politike të vendit. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, Shqipëria gjendej në një moment kritik historik: perandoria osmane po dobësohej, ndërsa aspiratat për autonomi dhe pavarësi po merrnin formë gjithnjë e më të qartë.

Në këtë kontekst, Kaçorri u shndërrua në një nga figurat më aktive të lëvizjes kombëtare shqiptare. Ai mori pjesë në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të kohës, si Kongresi i Manastirit, ku u vendos alfabeti i gjuhës shqipe, si dhe në kongreset e tjera kombëtare që synonin zhvillimin e arsimit dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar.

Veprimtaria e tij nuk ishte vetëm kulturore. Kaçorri ishte një nga organizatorët e kryengritjeve kundër pushtetit osman në zonën e Shqipërisë së Mesme dhe një figurë me ndikim në organizimin politik të shqiptarëve në prag të pavarësisë. Kulmi i kësaj veprimtarie ishte pjesëmarrja e tij në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912, ku u shpall pavarësia e Shqipërisë. Në këtë kuvend historik ai mori pjesë si delegat i Durrësit dhe u zgjodh nënkryetar i qeverisë së parë shqiptare në krah të Ismail Qemalit, duke u bërë një nga figurat kryesore të shtetit të ri shqiptar.

Një figurë në hijen e harresës historike

Një nga temat që përshkon librin është edhe reflektimi mbi mënyrën se si historia shqiptare ka trajtuar figurën e Nikollë Kaçorrit. Pavarësisht rolit të tij të rëndësishëm në shpalljen e pavarësisë dhe në qeverinë e parë shqiptare, emri i tij nuk ka zënë gjithmonë vendin që meriton në historiografinë dhe në kujtesën publike. Sipas autorit, kjo harresë lidhet pjesërisht me faktorë ideologjikë që ndikuan në interpretimin e historisë gjatë periudhës së regjimit komunist. Si klerik katolik dhe si figurë e lidhur me elitën politike të kohës së pavarësisë, Kaçorri nuk u trajtua gjithmonë me objektivitet në historiografinë zyrtare.

Pikërisht për këtë arsye, një nga synimet kryesore të këtij libri është rehabilitimi historik i kësaj figure dhe rikthimi i saj në vendin që i takon në panteonin e figurave të mëdha të kombit shqiptar.

Riatdhesimi i eshtrave të Kaçorrit

Një nga kapitujt më prekës të kësaj vepre lidhet me përpjekjet e autorit për të rikthyer në atdhe eshtrat e Imzot Nikollë Kaçorrit. Pas vdekjes së tij në Vjenë në vitin 1917 dhe varrosjes në varrezat qendrore të qytetit, për gati një shekull figura e tij mbeti në një farë harrese historike. Vetëm në vitin 2011 eshtrat e tij u riatdhesuan dhe u rivarrosën në Durrës.

Fati i këtij kolosi mund të përshkruhet denjësisht vetëm përmes një metafore të fuqishme danteske, një rrugëtim shpirtëror i ndarë në tre epoka: jeta e tij e mbushur me persekutime, dhunë fizike dhe burgje osmane përkthehet në një ferr të vërtetë tokësor; vdekja e tij larg atdheut në një sanatorium të Vjenës në maj të vitit 1917 dhe harresa institucionale 94-vjeçare në një varr të huaj, përfaqësojnë një purgator të gjatë e të dhimbshëm për shpirtin e tij dhe për vetë ndërgjegjen tonë kombëtare; ndërsa exhumimi dhe riatdhesimi i eshtrave të tij në shkurt të vitit 2011, falë përpjekjeve titanike dhe krejtësisht vetmitare të Pjetër Logorecit, shënon ngjitjen e merituar të këtij heroi në parajsën e përjetshme të lavdisë së kombit tonë.

Lexuesi do të prekë në këto faqe me dridhje zemre kalvarin burokratik, administrativ dhe sfidat e pafundme që autori kaloi në Austri për të realizuar këtë projekt sublim. Dhe kjo bëhet edhe më tronditëse kur vendoset përballë një indiference të ftohtë e shpesh të turpshme të institucioneve shtetërore e politike shqiptare, të cilat e lanë në heshtje këtë ngjarje madhore. Zoti Logoreci luftoi me burokracinë e huaj, me kostot financiare dhe me heshtjen zhurmuese të zyrtarëve të Tiranës, duke dëshmuar me vepra se dashuria e vërtetë për atdheun nuk pret dekrete nga lart, por kërkon veprim e sakrificë të menjëhershme. Kthimi i sargut të mbuluar me flamurin kuqezi në kishën e Shën Luçisë në Durrës, i rrethuar vetëm nga dashuria e qytetarëve të thjeshtë, është fitorja përfundimtare e dritës mbi errësirën e harresës.

Në këtë paraqitje, e cila i paraprin kësaj vepre monumentale, ftojmë lexuesit, historianët, studiuesit dhe çdo qytetar të zhytet në këto faqe me një ndjenjë nderimi e përulësie të thellë. Ky libër i jep botimit tonë një peshë jashtëzakonisht prestigjioze, pasi nuk është thjesht letër dhe bojë. Është një testament kombëtar, një akt-akuzë e drejtpërdrejtë ndaj mosmirënjohjes dhe një homazh sublim për ata që sakrifikuan gjithçka që ne sot të quhemi e të jemi shqiptarë.

Një vepër për kujtesën historike

Libri “O sot, o kurrë! O flamur, o dekë!” është një kontribut i rëndësishëm në pasurimin e historiografisë shqiptare dhe në rivlerësimin e figurave të rëndësishme të së kaluarës sonë. Përmes një pune kërkimore të gjatë dhe të përkushtuar, autori arrin të ndërtojë një tablo të pasur historike që ndriçon jo vetëm jetën dhe veprën e Imzot Nikollë Kaçorrit, por edhe kontekstin politik dhe kulturor të një periudhe vendimtare për kombin shqiptar.

Në këtë kuptim, libri është një dëshmi e rëndësishme për kujtesën historike dhe një ftesë për të reflektuar mbi rolin që figurat e mëdha të historisë kanë në formimin e identitetit dhe ndërgjegjes kombëtare.

Puna kërkimore e Pjetër Logorecit dëshmon se historia nuk është vetëm një rrëfim i së kaluarës, por edhe një detyrim ndaj së vërtetës dhe ndaj kujtesës së atyre që kontribuan në ndërtimin e shtetit dhe të kombit shqiptar.

“O sot, o kurrë! O flamur, o dekë!” Ky ishte kushtrimi i Imzot Nikollë Kaçorrit në orët më të errëta të Shqipërisë. Dhe ky mbetet edhe sot detyrimi ynë suprem moral: të mbrojmë, të ndriçojmë dhe të nderojmë historinë tonë të vërtetë.

Redaksional

i Shtëpisë Botuese “Fiorentia”

Filed Under: LETERSI

Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…

March 18, 2026 by s p

Ndriçim Kulla/

Zavalani mbetet një kujtesë e fortë se liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten. Tajar Zavalani mbetet një nga ato figura të mendimit shqiptar që nuk mund të kuptohet thjesht si një emër në histori, por si një ndërgjegje që refuzoi të pajtohej me kohën e vet. Ai i përkiste atij brezi intelektualësh që e shihnin Shqipërinë jo si një realitet të përfunduar, por si një projekt të papërmbushur, si një ide që kërkonte vazhdimisht sakrificë dhe qartësi morale. Në këtë kuptim, jeta e tij ishte më shumë një përballje sesa një rrëfim: përballje me pushtetin, me iluzionet dhe me vetë kufijtë e njeriut shqiptar.

Në thelb, Zavalani ishte një njeri i mendimit kritik. Ai nuk u kënaq kurrë me të vërtetat e gatshme dhe as me kompromiset e lehta që shpesh i joshin shpirtrat e lodhur. Në një kohë kur ideologjitë kërkonin besnikëri të verbër, ai zgjodhi rrugën më të vështirë: të mbetej besnik ndaj arsyes. Kjo e bëri të papërshtatshëm për çdo regjim që kërkonte uniformitet, sepse ai nuk ishte thjesht kundërshtar i një sistemi, por një dëshmi e gjallë se mendimi i lirë nuk mund të nënshtrohet.

Por ajo që e bën Zavalanin të rëndësishëm nuk është vetëm qëndrimi i tij kundër tiranisë, por mënyra se si ai e kuptonte lirinë. Për të, liria nuk ishte një slogan, as një premtim i largët politik; ishte një gjendje e brendshme, një përgjegjësi që kërkonte guxim të përditshëm. Në këtë kuptim, ai i përkiste një tradite të rrallë mendimi, ku intelektuali nuk është vetëm vëzhgues, por edhe dëshmitar i së vërtetës, edhe kur kjo e vërtetë e dënon me vetmi.

Historia e tij personale, e shënuar nga përndjekja dhe mërgimi, e bën edhe më të qartë këtë dimension tragjik. Ai nuk ishte viktimë e rastësishme e rrethanave, por një njeri që pagoi çmimin e bindjeve të veta. Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e tij: në refuzimin për të hequr dorë nga vetja, edhe kur bota përreth i kërkonte të bëhej dikush tjetër.

Sot, kur e shohim në distancë, figura e Tajar Zavalanit na vë përpara një pyetje të thjeshtë, por të pakëndshme: a kemi ende guximin për të menduar si ai? Sepse problemi nuk është më mungesa e lirisë në formën e saj brutale, por shpesh mungesa e vullnetit për ta përdorur atë. Në një botë ku konformizmi vishet me maska të reja, Zavalani mbetet një kujtesë e fortë se liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten. Në fund, ai nuk na lë një trashëgimi të lehtë. Ai nuk na ofron ngushëllim, por një sfidë. Dhe ndoshta kjo është forma më e ndershme e një jete intelektuale: të mos të lërë të qetë, por të të detyrojë të mendosh.

Filed Under: LETERSI

“TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO

March 14, 2026 by s p

 TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI

Unё dhe ti kemi me mijёra vite qё largohemi prej vetes

dhe sot qё i ngjajmё vetvetes mё pak se kushdo tjetёr,

tashmё jemi shumё tё vjetёr pёr t’u kthyer nё shtёpi,

nuk do tё guxonim tё hidhnim njё hap drejt saj

se jemi mёsuar nё tё qёnit larg.

Ne kemi me mijёra vite qё kalojmё pranё shtёpisё

dhe çdo herё mbetemi nё prag.

Gjithmonё ёshtё diçka qё na mban larg,

njё zё, njё perёndim a njё gjysmёfjalё.

A ndoshta jemi vetё ne qё e pyesim njёri-tjetrin:

“Kur ёshtё hera e fundit

qё e ke parё nё ёndёrr shtёpinё?”

Tё tillё janё njerёzit edhe nё parajsё

do t’i marrё malli pёr tё ashtuquajturёn shtёpi.

Vetёm se shtёpia e njerёzve si unё,

shtёpia e njerёzve si ti

ёshtё njё dikur, njё nesёr, njё letёr, njё kurrё.

E jona ёshtё njё shtёpi qё nuk ekziston

askund tjetёr pёrveçse nё fёmijёrinё tonё.

Jemi ne ata qё pasi nuk pёrkasim nё atё qё duam,

thjesht nuk mund tё pёrkasim mё askund.

Jemi ne njerёzit qё shkojnё

me tё gjitha stinёt e mbyllura brenda vetes.

A thua sikur zogjtё,

vetёm zogjtё mund t’i shpёtojnё stinёt brenda nesh?!

FËMIJA ME KOKËN MBI RE

Si njё fёmijё me kokёn mbi re,

im at nuk kishte kohё pёr dhè,

as pёr ne. 

Kur tё tjerёt nxitonin të hidhnin hapat e tyre mbi tokё, 

ai nxitoi të hidhte hapat e tij për në qiell, 

e gjitha bota pёr tё ishte atje lart mbi re

dhe diku aty mes reve endeshin

e djeshmja, e nesërmja dhe e përjetshmja. 

I tillё mbeti gjithmonё ai

njё fёmijё me kokёn mbi re

edhe kur i humbёm ato pak metra katrorë

që ne i quanim strehë 

na tha: tё paktёn tani e shohim qiellin mё shpesh.

Bijë, nuk janё zogjtё, janё njerёzit 

ata qё sot kanё mё shumё nevojё pёr qiellin. 

Kur vdiq, të gjithë njerёzit erdhёn nji më nji 

(të gjithë ata që e gjykuan se 

kurrë nuk rreshti së qëni fëmijë)

dhe mbi varr i hodhёn një grusht dhé.

O njerёz, – mё vinte tё thёrrisja,

pёrse e pritё aq larg prej asaj qё donte mё sё shumti?

Pёrse vazhdoni t’i hidhni dhè

kur gjithё jetёs ai kёrkoi veçse pak qiell?

Dhe pikërisht sot ai ёshtё mё larg qiellit se kurrё!

Por ishte tepёr vonё, gjithё dheun e kёsaj bote

tim eti tashmё ia kishim hedhur mbi shpirt.

***

Dhe e lamё tim at tё vetëm atje

tё vetёm me mijëra tё ikur tё tjerё

tё vetёm pёr pak qiell.  

NJË DITE PRILLI

Kujt i përket vallë kjo ditë 

që më erdhi sot në duar?

Nga cila strehë kujtimesh,  

nga cila strehë qiejsh e kohësh të pajetuara 

do të jetë mërguar? 

Se aroma e saj shumë e njohur m’u duk

si aroma e asaj dite që nuk e jetova kurrë.

Dhe më erdhi pak çudi se kam dëgjuar 

se çastin e pajetuar, as përjetësia ta shlyej nuk di.

                       ***

Dikur, fëmijë, bindur se vetëm ditë kisha shumë,

ndieja se si shkriheshin krahët e tyre në pëllëmbët e mia, 

hapja duart e i lija të lira. 

E ç’do të thoshte për një fëmijë një ditë më pak,

një ditë më shumë,

kur ndër duar kisha të shkruar lamtumirën e çdo stine,

lamtumirën e çdo dite, lamtumirën e çdo ikjeje

dhe kurrë nuk pyeta drejt kujt niseshin,

drejt kujt perëndonin krahët e ditëve të mia

se mendoja se kujt i fal fluturimin, 

me vete merr dhe pak nga ti

dhe unë pak prej meje i dhashë çdo dite,

pak prej meje çdo stine, pak prej meje në çdo ikje,

me sy drejt qiellit thoja atje ku më perëndojnë ditët,

atje do të jetë dhe vendi im.

                    ***

Kush do mendonte vallë se duart e një fëmije

do të ktheheshin në kafaz ditësh, në kafaz stinësh,

në kafaz dashurie…

                   ***

se kush nuk ka fluturuar kurrë, as të dhurojë flatra më nuk di.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 300
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT