Romani”NILKON”, një letërsi artistike gjithëpërmbledhëse/
Shkruan: Violeta ALLMUÇA-Shkrimtare*
Romani më i ri i shkrimtarit Fate Velaj `NILKON` erdhi në planetin tonë të përbashkët gjeografik i shkruar diku tjetër, në një planet shpirtëror si një identifikim i botës kulturore. Për herë të parë, lexuesi ka në duar një letërsi tjetër. Një letërsi ku në mënyrën më unikale e të palëvruar më parë, përmblidhen në një të vetme disa elemente të krijimtarisë artistike si piktura, fotografia dhe letërsia. Pra, kemi një krijimtari artistike totale, gjithëpërmbledhëse. Personazhi kryesor që është vetë autori, përveçse shfaqet si figurë qendrore e romanit, si një europian me shpirt shqiptar, është edhe një pararendës i veçantë i një fushe të re në letrat shqipe, duke na sjellë këtë herë një roman të shkëlqyer, me stil unik e me personazhe të vërtetë, ku credo-ja e tij përshkruhet, paralelisht me ndërtimin e urave që lidhin ëndrrat me të vërtetën. Përshkrimet e hijshme të Europës dhe Afrikës, duke i trajtuar personazhet si të dala nga aparati i tij fotografik dhe pejsazhet rreth tyre si tablotë e tij në pikturë, integrimit dhe qytetërimit kulturor të tyre, përcjellin mesazhe artistike, kulturore dhe politike duke e kthyer monologun në dialog. A është Fate Velaj një shkrimtar që i shpall ëndrrat e tij si surrealistët? Ndoshta kjo nuk është rastësi! E vërteta mund të jetë edhe më e bukur se ëndrra. Por kjo i ndodh një shkrimtari shqiptar që shkruan për të gjithë njerëzit e botës. Urat që ai ndërton midis botëve bashkojnë jo vetëm arteriet e komunikimit njerëzor nëpërmjet materies artistike por ato tejkalojnë kufijtë e shkrimit, leximit, dhe kufijtë e librit janë po ashtu edhe kufijtë e lexuesëve.
Romani `NILKON` pjesa e dytë e Trilogjisë `KREUZTANNE` vjen sot në vëmendjen letrare, duke zbuluar misterin e ëndërrimeve të një artisti me përmasa universale. Autori pasqyron realitetin artistik në strukturën e romanit, e cila na përcjell shijen estetike. Edhe në këtë libër befasues, duke ëndërruar një botë me kulturë pa kufij, duke përdorur thelbin artistik të fjalës dhe ngjyrës, duke jetuar me kujtimet e të ardhmes, do të vazhdonte udhëtimi i tij artistik: Midis Danubit dhe Nilit. Lumenjtë lidhin popujt, si vendasit ashtu edhe të ardhurit. Në këtë roman ai shkruan për njerëz të gjithëgjendshëm, dritësuar me gjithëpamje artistike, të cilët njësoj si ai kanë ngjashmëri shpirtërore dhe krijuese, janë qytetarë të botës, qofshin europianë, ballkanas, arabë, kinezë, bashkëatdhetarë apo vlonjatë. Fate Velaj e përdor sistemin e UNIT si një sistem emocional. Struktura dhe kompozicioni i romanit ku spikasin personazhe të ndryshme nga e gjithë bota sjellin një zhvillim pozitiv të personazheve dhe frymëmarrja e tyre shfaqet si një rrëfim duke ndriçuar historinë e secilit, pa rënë në një historizim letrar. Dialogët mes vetevetes e personazheve artistikë, autori i krijon nëpërmjet mjeteve shprehëse artistike me të njejtën gjuhë e gjeste që përdor në realizimin e veprave të artit. Kjo tregon se Fate Velaj zotëron pushtetin artistik. Ai tërheq afër vetes `kujtimet e të ardhmes` si një dukuri të re, e cila duhet çliruar nga e shkuara, duke theksuar se arti dhe kultura kanë një ligj të ngjashëm; të bukurën universale që është e njejtë në mbarë botën dhe diversitetin kulturor.
Ngjarjet e romanit zhvillohen nga janari në dhjetorin e vitit 2002, pas ngjarjeve të 11 shtatorit në New York, por Fate Velaj, në mënyrë mjeshtërore ka ditur që brenda ngjarjeve të sjellë një retrospektivë 1000 vjeçare për të na sjellë në një këndvështrim tjetër të pa ofruar më parë, se pse u goditën `Kullat Binjake` në New York? Edhe pse dialogu drejt së ardhmes u trondit, e ardhmja për të si artist e si ndërtues urash, ekzistonte. Fate Velaj nuk ndjek vetëm një udhë që të çon tek vetja, por shumë udhë të botës i bashkon në një duke hapur trasenë e madhe të një autostradë drejt së ardhmes. Në këtë roman, ai ka arritur që identitetin e tij kombëtar ta shkrijë në një të vetme me identitetin universal, i cili shfaqet si përkushtim i sinqertë, ku lënda gjuhësore dhe konteksti i së ardhmes përbëjnë magjinë e zhvillimit të pandalshëm të artit. Në subjektin e ngjeshur me gati 100 personazhe të romanit shpalosen ngjarje artistike, si dhe jeta e kultura e popujve të ndryshëm nëpërmjet ngjyrave, këndshikimi drejt së bukurës artistike dhe estetike.
Karakteret e personazheve, lëvizin duke hyrë e dalë në roman me identitetin e tyre të vërtetë jetësor dhe artistik, duke na zbuluar kështu dëshirën e shkrimtarit Velaj, se udhëtimi drejt komunikimit i ngjason ndjenjës dhe orientimit indentifikues të kulturave. Personazhet në roman, si nënë Afërdita, gruaja Klara, Dr. Helmy Omran, (Konsull Kulturor i Egjiptit në Austri), Dr. Emil Prix, (Shef i diplomacisë kulturore austriake), Jiri Grusa, (ambasadori çek në Vjenë), Imeri, shoqëruesi shqiptar në Shkup, Dr. Ferdinand Trautmansdorff, (Ambasadori i Austrisë në Kajro), Dr. Magddy Abd El Azis në Kajro, familja dhe djali i tij Mohamed, artistët Robert Kabas e Klaus Joachim Keller e të tjerë, kanë dallimet e tyre, por gjithashtu kanë të përbashkët artin, dëshirën për dialog, mbi vlerat njohëse dhe artistike apo dëshmitë nga historitë mijravjeçare njerëzore. Evoluimi pozitiv i personazheve, frymëmarrja e secilit, mjetet shprehëse artistike, krahasimet, metaforat, ideja e autorit se njeriu duhet të ecë drejt së ardhmes vërteton, atë, që në ditët e sotme, e përbashkëta jo shpesh herë merret për bazë, por e kundërta e tyre, ndasitë e majisura nga dëshira për separatizëm e nëpërmjet saj, lufta midis `civilizimeve`. Hapjen ndaj kulturave, takimet me kulturat e reja, ashtu si edhe dëshira për të përjetuar histori të reja e bëjnë shkrimtarin Fate Velaj të ndjejë afër gjithçka thelbësore në fushën e shkrimit, duke e kthyer tekstin artistik në një tekst letrar dhe anasjelltas. Kjo është risia e këtij romani dhe gati e dy pjesëve të para të triologjisë `Kreuztanne`. Autori flet jo vetëm si kurator i ekspozitave të pikturës me anën e ngjyrave të shumta të artistëve pjesmarrës nga vende të ndryshme të botës, por, ai na zbulon edhe tablo të fuqishme letrare nëpërmjet mesazhit artistik si ambasador i fjalës dhe kulturës së përbotëshme.
Përfytyrimet, udhëtimet dhe fluturimet nga lart, duke medituar njëkohësisht për atdheun e tij të përjetshëm Shqipërinë apo edhe për një dhe disa vende të huaja, të panjohura më parë nga ai, më kujtojnë romanin e Ismail Kadaresë: `Dimri i vetmisë së madhe` ku copëzohej e mbyllej një qiell gri, një udhë e gjatë, një urë që duhej ndërtuar etj. Shkrimtarit Fate Velaj në udhëtimet e tij kur aeroplani ngrihej dhe ulej, i dukej se qielli ngjyrosej blu, udhët e gurta dukeshin ngjyrë gri, sidomos atje ku reflektohej atdheu i tij i ndarë, (Çarshia në Shkup) ose Piramidat, që në nëntorin e verdhë të Kajros i ngjanin të kuqërremta, si vjeshta vjeneze që ishte duke ardhur. Ndoshta kjo ndodh sepse udhëtimet të frymëzojnë, gjatë tyre lindin idetë lindin. Fate Velaj në shkrimin e tij `Matanë kufijve` e ka pohuar këtë kur thotë se: `… ndoshta ngaqë dhe unë pothuajse të gjitha fotografitë, si dhe shumë piktura apo edhe shkrimet e mia i kam realizuar nëpër rrugë, nga një kufi në tjetrin, brenda kufijve, apo edhe jashtë tyre, qofshin ato virtual, me nga një tra kalimi… si dhe atyre që nuk ekzistojnë në mendjen time.`
Romani NILKON është një ndërthurje ku nuk kuptohet se ku mbaron realiteti e ku fillon fiksioni saqë, duke e lexuar, kthehesh vetë në personazh duke e shoqëruar autorin personazh gjatë gjithë rrugëtimit të tij realist dhe imagjinar. Komunikimi me bustet e lulishteve të Vjenës, me faraonët brenda piramidave mijravjeçare apo me personazhin e veçantë Ahmed, në mesin e ballit të të cilit ndodhej një njollë e errët, ku dukeshin mëkatet njerëzore, shfaqet si asociacion në strukturimin e ngjarjes. Fate Velaj ky mjeshtër i fjalës dhe narratives që është edhe vetë heroi i vërtetë shpirtëror i romanit të tij `NILKON` i cili synon të lidhë urat mes popujve, vjen në sytë e lexuesit shqiptar me një kryevepër artistike dhe unë jam mëse e bindur se ky roman, do të jetë edhe risia e një literature të re, jo vetëm në atdheun e autorit, por edhe më larg akoma, në gjuhë të tjera dhe veçanërisht në vendet arabe ku së shpejti pritet që libri të botohet.
- E falenderojme autoren Violeta ALLMUÇA qe e ndau shkrimin e saj me lexuesit e Diellit







Qendra PEN e Shqipërisë, qendër e PEN International në Tiranë, zhvilloi në Bibliotekën e Librit Akademik, ceremoninë e Çmimeve PEN Albania për letërsinë, përkthimin dhe studimet Albanologjike. PEN International, Organizata ndërkombëtare e shkrimtarëve , me seli në Londër e themeluar në vitin 1921 nga autoritetet e letërsisë botërore ushtron veprimtarinë e saj bazuar në parimet dhe Kartën e PEN International. Kjo organizatë e cila promovon letërsinë dhe garanton të drejtën e lirisë së shprehjes ka status bashkëpunimi dhe konsultativ me OKB, UNESCO, Amnesty International, dhe të tjera organizata ndërkombëtare për kulturën. Aktiviteti i përvitshëm I Qendrës PEN të Shqipërisë është pikërisht edhe ceremonia e Çmimeve PEN Albania për letërsinë. Laureatët e PEN Albania 2017 u shpallën : Ylljet Aliçka : Shkrimtari shqiptar i vitit 2017, Ilirian Zhupa – Poeti shqiptar i vitit 2017, Romeo Çollaku – përkthyes i vitit 2017. Prof. Dr. Fatmir Sulejmani nga Universiteti Shtetëror i Tetovës u shpall laureat i çmimit PEN Albania 2017, në fushën e studimeve Albanologjike. Qendra PEN e Shqipërisë si çdo vit shpalli autorin e ri të vitit 2017, poetin dhe eseistin Akri Çipa, I cili është aktualisht me studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. PEN Albania gjithashtu ndau titujt honorifike për kontribute të çmuara në kulturën kombëtare dhe promovimin e urave kulturore pavarësisht kufijve etnikë, politikë, dhe gjuhësorë. Me titullin e lartë të Mirënjohjes për kontribute të çmuara në kulturën kombëtare u vlerësua Z. Zef Mark Zeka, studiues, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për shpëtimin e Kambanës së Kishës së Pogut, e cila sot ndodhet në Muzeun Dioqezan të Shkodrës. Mirënjohja u takon atyre burrave të malësisë së Dukagjinit të cilët mundën ta shpëtojnë këtë dëshmi autentike të kulturës së Shqipërisë mesjetare nga shkatërrimi – u shpreh studiuesi Zef Mark Zeka gjatë ceremonisë së PEN Albania. Me titullin e lartë të Mirenjohjes për kontribute të çmuara në kulturën kombëtare dhe promovimin e gjuhës shqipe në hapësirat mbarëshqiptare dhe diasporë u vlerësua Z. Ali Daci, intelektual, krijues, veprimtar politik dhe aktualisht kryetar i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi. Z. Ali Daci u shpreh se ky është vlerësimi më i lartë që i bëhet nga Shqipëria, vendi me të cilin e lidh identiteti nacional. Titullin e mirënjohjes për promovimin e urave të kulturës në botë përmes letërsisë Qendra PEN e Shqipërisë ia akordoi shkrimtarit Safet Vrbički Hadrović, dhe po ashtu u promovua vepra e tij letrare ‘ Viktima’ për të cilën referuan Dr. Sadik Bejko, si dhe Smajl Smaka përkthyes i autorit në gjuhën shqipe. Shkrimtari Safet Vrbički Hadrović në fjalën e tij të rastit theksoi rëndësinë e komunikimit përmes letërsisë. Ai u shpreh se ky do të mbetet në kujtesën e shkrimtarit si një prej ditëve më të rëndësishme. Qëllimi i PEN është promovimi i letërsisë dhe garantimi i të drejtave gjuhësore por edhe i lirisë së shprehjes. Letërsia është atdheu universal i njerëzimit, është përmasë dhe dimension lirie , u shpreh presidentja e Qendrës PEN Albania znj. Entela Kasi. Në këtë ceremoni u anëtarësuan edhe autorët e rinj, e po ashtu u zgjerua bordi i Qendrës PEN. Aktivitetin e përshëndeti deputetja e Kuvendit të Shqipërisë Znj. Kejdi Mehmetaj e cila theksoi rëndësinë e investimeve për kulturën. Shkrimtarja Flutura Açka, drejtuese e komitetit të shkrimtareve femra në PEN Albania, theksoi faktin se kultura dhe letërsia kanë nevojë për mbështetjen e institucioneve të shtetit. Ceremoninë e çmimeve PEN Albania e drejtuan Dr. Sadik Bejko, I cili bëri një paraqitje të aktiviteteve të PEN në Shqipëri dhe botë, Çerçiz Loloci, Kryetar I Bordit të PEN Albania, i cili theksoi motivacionet për laureatët, dhe Z. Dorian Koçi, Drejtore I Muzeut Historik Kombëtar, njëkohësisht anëtar i Bordit Drejtues të Qendrës PEN të Shqipërisë. Këtë aktivitet e përshëndeti z. Flamur Shala, Dekani i Fakultetit Filologjik, të Universitetit Shtetëror ‘ Ukshin Hoti’ , Prizren. Laureatët e Çmimeve PEN Albania 2017 për letërsinë falenderuan PEN Albania, për vleresimin ndaj veprës letrare dhe theksuan rëndësinë dhe rolin e PEN Qendrës së Shqipërisë dhe PEN International për ndërtimin e urave të komunikimit dhe dialogut brenda vendit dhe promovimin e letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare. Shkrimtari Ismail Kadare është President Nderi i Qendrës PEN të Shqipërisë. PEN International në arenën ndërkombëtare aktualisht drejtohet nga autoritetet e letërsisë botërore midis të cilëve janë shkrimtarët e Çmimit prestigjioz Nobel në fushën e letërsisë dhe Çmimit Nobel për Paqe. Entela Kasi Presidente e Qendrës PEN të Shqipërisë Tiranë , 13. 12. 2017