• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përpjekjet e Gjin Gazullit (Johannes Gazoli), për t’i vënë themelet e një biblioteke publike në Raguzë në vitin 1465!

November 22, 2023 by s p

Jahja Drancolli/

Gjin Gazulli, më 31 janar 1430 do të gradohet për doktor të arteve të lira në njërin ndër universitetet më të njohura të kohës, Universitetin e Padovës (Gymnasium Patavinum). Të dhënat relevante të kohës dëshmojnë se Gazulli kishte një bibliotekë të pasur me fonde të llojllojshme. Dorëshkrimet dhe librat ai i kishte sjellë në Raguzë nga Italia. Së këtejmi dihet se Gazulli kishte lënë një arkë librash në bazilikën e Shën Gjystës (Basilica di S. Giustina) në Padova. Sa ishte interesuar Gazulli për bibliotekën e vet, njoftime mbrelënëse ofron testamenti i tij (Testamentum venerabilis magistri Johannis Gazoli artium doctoris et astronomi preclarissimi), që mban datën e 19 shkurtit 1465, ku përveç tjerash bëhet fjalë edhe për bibliotekën e tij, të cilën ia lë “Katedralës së Raguzës […] i dhuroj të gjithë librat që kanë të bëjnë me të drejtën ligjore dhe Librin e Shenjtë, me detyrimin dhe kushtin që t’i vendosin në një vend, ku do të qëndrojnë gjithnjë […].” Me këtë legatë Gazulli ka bërë përpjekje që t’i vë themelet e një biblioteke publike në Raguzë, e cila konsiderohet si e para në qytetet!

Burimi: Gjin Gazulli, astronom dhe diplomat i shekullit XV, Prishtinë, Rilindja, 1984, 48-56, 101-102.

Filed Under: LETERSI

Hulumtime mbi krijmtarinë e Fan S. Nolit

November 21, 2023 by s p

Processed with VSCO with g7 preset

Sevdai Kastrati/

Fan S. Noli është një nga shkrimtarët e rrallë në historinë letërsisë shqipe që vjershat i shkruan thjesht për dëshirën e tij e jo për t’i botuar ato. Kështu për shembull: Vjershën “Kënga e Qirenarit” e shkroi në Vjenë më 1926 dhe e botoi për herë të parë pas 19 vjetësh, kurse në “Album” (1948) me titull të ndryshuar “Kirenari”.

Vjershën e njohur “Krishti me kamçikun” e shkroi po ashtu gjatë qëndrimit në Vjenë më 1927 dhe e botoi për herë të parë pas 18 vjetësh.

Vjershën “Plak, topall dhe ashik” (kurse në dorëshkrim autograf me titull “Dale, moj…”) Noli e shkroi në Vjenë me 6 tetor 1927 dhe e botoi për herë të parë pas 18 vjetësh

Vjershën “Kanga e Dervish Begut” Noli e shkroi në dialektin gegë më 1914 dhe e botoi për herë të parë pas 47 vjetësh, tekstin e së cilës në dorëshkrimin autograf e gjeti të ruajtur tek miku i tij i vjetër Milto Sotir Gurra (1884-1972).

Vjershën antologjike “Rent, or Marathonomak” për herë të parë e boton më 1930 me dhjetë strofa gjashtëvargëshe; herën e dytë e boton më 1946 me njëmbëdhjetë strofa gjashtëvargëshe, kurse herën e tretë më 1948. Në botimin e dytë janë shtuar këto vargje:

Gryka si gjyryk të çfryn

Prej Vullkani flag’ e tym

Seç vëngon e seç gulçon,

Zëmra brinjët t’i çkallmon

Me tokmak,

Mbahu, or Marathonomak!

Vargu i parë te strofa e tretë në botimin e parë:

Ke ca plagë, po s’e the

kurse në botimin e dytë dhe të tretë është:

Ke një plagë, po s’e the

vargu i parë i strofës së katërt në botimin e dytë:

T’ u-tha goja po s’të pihet

kurse në botimin e parë dhe të tretë:

T’ u-tha gryka po s’të pihet

në strofën e pestë, vargu i katërt në botimin e parë:

Rrëzë lisit flladët kroj

në botimin e dytë dhe të tretë del:

Hij’ e lisit edhe kroj.

Vjershën e tij të njohur “Krishti me kamçikun” Fan Noli e shkroi gjatë qëndrimit në Vjenë më 1927 dhe e botoi për herë të parë në gazetën “Dielli” më 26 dhjetor 1945 me pseudonimin tashmë të njohur Robo Rogozhina.

Vjersha “Krishti me kamçikun” njohu dy botime dhe kemi një dorëshkrim autograf. Në të dy variantet e botuara numri i vargjeve dhe i strofave është i njëjtë. Vargu i dytë i strofës së katërt te botimi i parë del:

Kish arrirë në kulm e u-bë kryetar

kurse tek “Albumi” është strofa e tretë: Na u-ngrit gjer në kulm, dhe u-bë kryetar

Në vargun e katërt të strofës së pestë në botimin e parë del:

Dhe nga korbat q’ e hanin atdhen’ e shpëtoj

në variantin e dorëshkrimit autograf është:

Dhe nga krimbat që hanin atdhen’ e shpëtoj

kurse tek “Albumi” që është varianti përfundimtar del:

Dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj

Në vargun e katërt të strofës së gjashtë në botimin e parë:

Dhe me shkelmë dhe grusht na çliro, na shpëto

kurse në variantin e fundit del:

Dhe me forc’ e pahir na çliro, na shpëto.

Foljet lëngonin, kujtonin në strofën e katërt të botimit të parë janë në kohën e pakryer të mënyrës dëftore, kurse tek “Albumi” që është strofa e tretë dalin në kohën e tashme të mënyrës dëftore lëngojnë, kujtojnë.

Përpos ndryshimeve në vargje nga dy botimet, kemi edhe renditjen e strofave ndryshe: strofa e tretë e botimit të parë tek “Albumi” del si strofa e katërt; strofa 7 bëhet 8; strofa 8 bëhet 9 dhe strofa 9 bëhet 7.

Siç mund të shihet, vjersha “Krishti me kamçikun” përpos ndryshime në vargje, renditjen e strofave ndryshe kemi mjaft korigjime fjalësh: vrushkull te vargu i tretë i strofës së pestë është zëvendësuar me fjalën fshikull; këllëç te vargu i tretë i strofës së gjashtë është zëvendësuar me fjalën shpatë etj.

Ndërsa në vargun e katërt të strofës së nëntë (strofa e 7 tek “Albumi”) bëhet zëvendësimi i një

fjale tjetër me përmbajtje të ngjashme: s’lirohet për s’çlirohet.

Vjershën “Plak, topall dhe ashik” njohu dy botime dhe kemi një dorëshkrim autograf. Vjersha u botua për herë të parë në gazetën “Dielli” më 10 tetor 1945 me pseudonimin Robo Rogozhina, kurse botimi i dytë te “Albumi” (1948) është botuar me pseudonimin Bajram Domodova (1880-1930). Vargu i dytë i strofës së parë:

Mos më shkaj ashtu si ngjalë

në botimin e dytë del:

Se më rrjedhin djersët valë

Kështu, për shembull, vargu i dytë i strofës së parafundit në dorëshkrimin autograf figuron:

Vajzë tjatër më tregova

ndërsa në variantet e botuara:

Pas një tjatre më lëshove.

I frymëzuar nga psalmi 137, një nga vajtimet më të dhembshme të syrgjynit, Noli e shkroi vjershën “Anës lumenjve të Babillonës” në Hamburg, jo rastësisht mban datën 28 nëntor 1928, pra me rastin e gjashtëmbëdhjetë vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe e botoi për herë të parë në gazetën “Dielli” të datës 1 gusht 1945 me pseudonimin Robo Rogozhina.

Vjersha “Anës lumenjve të Babillonës” njohu dy botime, dhe kemi një dorëshkrim autograf që është më i hershëm se botimi i parë. Në “Albumin” e botuar më 1948 vjersha del me titull të

shkurtuar “Anës lumenjve” dhe se është shkruar në maj të 1930-ës në Hamburg.

Në të dy botimet vjersha ka 59 vargje dhe është në tetërrokësh. Në botimin e parë vjersha “Anës lumenjve të Babillonës” ka dy strofa katërvargëshe, një trembëdhjetëvargëshe, një gjashtëmbëdhjetëvargëshe dhe një njëzet e dyvargëshe; kurse në botimin e dytë vjersha ka tetë strofa: tri katërvargëshe, tri tetëvargëshe, një me nëntë dhe një me katërmbëdhjetëvargëshe.

Të dy variantet e botura nuk përmbajnë ndryshime të rëndësishme në krahasim me variantin në dorëshkrim. Kështu, për shembull:

Vargu i 15-të në botimin e parë:

Seç’ e shtrythnë fajdexhinjtë

kurse te “Albumi” që është varianti përfundimtar del si vargu 16, ndërsa vargu i 16 në botimin e parë:

Seç’ e shtrythnë fajdexhinjtë

bëhet te “Albumi” i 15.

Vargu 22 në botimin e parë del:

Çarmatosur e plagosur

kurse te “Albumi” del:

Sakatosur, çarmatosur

Vargu 31 në botimin e parë është:

Përpëlisur e zalisur

kurse te “Albumi” që është varianti përfundimtar lidhëza “e” te vargjet 2, 11, 22, 31 zëvendësohet me lidhëzën “dhe”, kurse te vargu 36 lidhëza “dhe” zëvendësohet me lidhëzën “se”:

Përpëlitur dhe zalisur

Ashtu siç kishte ndërrim vendesh në vargjet 15-16 kemi edhe ndërrim vendesh në vargjet 41-42. Në botimin e parë figuron:

Fryhet Vjosa, derdhet Buna,

Dridhet Beu dhe zengjini,

Skuqet Semani dhe Drini,

kurse te “Albumi” del:

Fryhet Vjosa, derdhet Buna,

Skuqet Semani dhe Drini,

Dridhet Beu dhe zengjini.

Vargu 57, pra në vargun e parafundit kemi zëvendësim fjalësh: Ligjëronj për brohorit.

Deri më sot është thënë që vargu 47: Që nga Shkodra gjer në Vlorë! në dorëshkrimin autograf është: Që nga Moska gjer në Vlorë! Një supozim i tillë nuk e di ku e ka mbështetjen, qoftë në variantin e botuar më 1 gusht 1945, qoftë në variantin përfundimtar te “Albumi” më 1948 dhe qoftë në dorëshkrimin që ruhet në AQSH (F. 14, D. 35) nuk ndodhet. Të habit fakti që Sabri Hamiti e interpreton këtë varg, por ai as një herë nuk mori mundimin që ta shqyrtojë citimin që ka shfrytëzuar dhe gabimisht e përhap edhe në një libër shkollor.

Po kështu deri më sot është thënë se vjersha “Hymni i flamurit” në variantin e parë kishte tri strofa, kurse në variantin përfundimtar del me gjashtë strofa. Në të vërtetë vjersha është botuar për herë të parë në gazetën “Liria Kombëtare” më 28 nëntor 1926 dhe ka vetëm një ndryshim në vargun e parë të strofës së katërt: Me Gjerq Skënder’ u-lavdërove, kurse te “Albumi” del: Me Skënderben’ u-lavdërove. Ky është një shembull se si marrin të dhënat nga fjalët e të tjerëve,

pa i parë shkrimet origjinale.

Poemën “Sulltani dhe kabineti” ai e botoi në dy variante, po ashtu ruhet në dorëshkrimin autograf. Varianti i parë u botua për herë të parë në gazetën “Dielli” më 15 shkurt 1961 me 38 strofa katërvargëshe, kurse variantin e dytë e boton si zakonisht tek “Dielli” më 5 korrik 1961 me 48 strofa katërvargëshe, duke e mistifikuar me shënimin “E përktheu nga Persishtja Namik Namazi më 17 të Jenarit, 1961, dhe e plotësoj sipas një dorëshkrimi që u-zbulua në bibliotekën e Gollomboçit”.

Vjersha “Jetimi” të Pol Verlenit (Paul Verlaine 1844-1896) Noli e shqipëroi nga frëngjishtja me pseudonimin Bajram Domosdova dhe u botua për herë të parë në gazetën “Dielli” të datës 15 maj 1946. Vargu i katërt i strofës së parë në botimin e parë figuron:

S’ ma varrnë, se s’ isha qesqin

kurse te “Albumi”:

S’ma varrnë, s’ më gjetnë qesqin

Po ashtu te vargu i katërt i strofës së dytë kemi ndryshim fjalësh:

S’ më deshnë dhe mbeta beqar

në varianitin e botuar te “Albumi” del:

S’ më deshnë, më lanë beqar.

Në strofën e fundit në vargun e parë “lindur” është zëvendësuar me “ardhur”.

Fan S. Noli për të kënaqur dëshirën e zonjës Myrvet Sula-Yero përktheu vjershën “If” të Rudyard Kiplingut nga anglishtja me titull “Në Munç” dhe e botoi në gazetën “Dielli” më 1 nëntor 1961 me pseudonimin tashmë të njohur Namik Namazi. Ai e shqipëron për së dyti vjershën “If” do me thënë pesëmbëdhjetë ditë nga botimi i variantit të parë. Vjersha “If” me titullin “Sikur” botohet në gazetën “Dielli” më 3 janar 1962. Në fund është vënë pseudonimi i tij i fundit Gur’ i Shkabës dhe data 16 nëntor 1961 kur është shqipëruar vjersha. (Shih: Një shqipërim i panjohur i Fan S. Nolit, “Zëri i Çamërisë”, nr. 5, 2015).

Ashtu siç kemi dy variante të poemës “Korbi” të Poesë, dy variante të rubairave të Khajamit, po ashtu kemi edhe dy variante të kryeveprës së tij në prozë “Historia e Skënderbeut”. Në botimin e parë me titull “Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit) – Mbretit të Shqipërisë” u botua në Boston më 1921, kurse botimi i dytë me titull “Historia e Skënderbeut – Kryezotit të Arbërisë (1405-1468)” u botua me përmirësime të dukshme në krahasim me botimin e parë, po ashtu n ë Boston më 1950. Në të vërtetë Noli filloi ta botojë “Historia e Skënderbeut – Kryezotit të Arbërisë (1405-1468)” në vazhdime në gazetën “Dielli” nga 10 gushti 1949 deri në 5 korrik 1950.

Fan S. Noli është një nga shkrimtarët e rrallë në historinë e letërsisë shqipe që i ripërpunon vazhdimisht poezitë e tij për t’i bërë krijime sa më të arrira poetike. E, në këtë rreth shkrimtarësh bëjnë pjesë Jeronim De Rada, Zef Skiroi dhe Lasgush Poradeci. Jeronim De Rada Këngët e Millosas do ta shkruajë në gjashtë variante dhe do të botohen vetëm tri (1836, 1847 dhe 1873); Këngët e Sarafina Thopias do të botohen tri herë (1839, 1843, 1897-98) saqë në botimin e fundit me titull të ndryshuar Une specchio di umano transito [Një pasqyrë e jetës njerzore]; Skanderbeku i pa-fan do të botohet dy herë (1872-1884, 1885-1886) saqë në botimin e dytë me titull të ndryshuar La caduta della Reggia d’Albania [Rënia e mbretërisë së Shqipërisë] dhe kishte ndërmend ta ripunonte edhe një herë. Zef Skiroi poemën Milo e Haidhi do ta shkruajnë në katër variante dhe do të botohen vetëm tri (1890, 1900, 1907); poema Te dheu i huaj në botimin e parë (1900) kishte 1328 vargje, kurse në botimin e dytë postume (1940) kishte 6260 vargje. Lasgush Poradeci vjershat Kënga e bilbilit, Poradeci, Vdekja e Nositit, Syt’ e varfëruar, Marshi i dashurisë, Valmi i dashurisë, Durimi etj. janë të shkruar në dy, tre dhe katër variante.

Karakteristikat me të cilat përkon De Rada me Nolin janë zgjidhja dhe shkurtimet e titujve, ndryshimet, plotësimet e veprave te tyre. Kështu, fjala vjen, në poemat Këngët e Milosas, Këngët e Sarafina Thopias De Rada, përmend rangun e lartë shoqërore që ka Millosau si bir i sundimtarit të Shkodrës dhe Sarafina Topia si princeshë e Zadrinës, ashtu sikurse edhe Noli në Historinë e Skënderbeut përmend pozitën e lartë shoqërore që ka Skënderbeu si mbret i Shqipërisë, e në botim të dytë si kryezot i Arbërisë. Ashtu sikurse De Rada në botimin e parë të Këngëve të Milosas me titullin e plotë në italishte Poesie Albanesi del Secolo XV. Canti di Milosao, figlio del Despota di Scutari në botim të dytë del me titull të shkurtuar Canti di Milosao, figlio del Despota di Scutari edhe Noli në botimin e dytë do t’i shkurtojë titujt e vjershave: Anës së lumenjve të Babilonisë për Anës së lumenjve; Sofokliu dhe Ferid Asllani për Sofokliu. Poemën Këngët e Sarafina Thopias De Rada në botimin e tretë do t’i ndryshojë titullin Një pasqyrë e jetës njerzore, ashtu sikurse edhe Noli vjershën në dorëshkrim Dale moj… do ta botojë pas 18 vjetësh me titullin Plak, topall dhe ashik. Është thënë për De Radën se ndryshimet i bënte edhe në shtypshkronjë, ashtu mund të thuhet se Noli vjershën Saga e Sermajesë, kinse e përkthyer nga persishtja prej Namik Namazit dhe e shkruar më 11 shkurt 1963 në Ispakhan, do ta ndryshojë në shtypshkronjë.

Siç është thënë për Zef Skiroin se variantin e katërt të poemës Milo e Haidhe e ndryshon, e plotëson në faqet e një kopje të librit të botimit të tretë, ashtu sikurse edhe Noli që do t’i bëjë korigjime, përmirësime të dukshme në faqet e një kopje të librit Historisë së Skënderbeut (1921) dhe do ta botojë më 1950.

Në qoftë se me De Radën shëmbëllen në zgjedhjen, shkurtimin dhe ndryshimin e titujve, me Zef Skiroin në ndryshimet, plotësimet në kopjen e librit, ndërsa me Lasgushin përkon me shtimin dhe heqjen e strofave. Në vjershën Lamtumirë në variantin e fundit Lasgush Poradeci i shton një strofë të katërt, derisa në variantet e mëparshme kishte tri strofa, ashtu sikurse edhe Noli vjershën antologjike “Rent, or Marathonomak” në botimin e dytë i shton strofën e njëmbëdhjetë. Vjershën Durimi në variantin e tretë i heq një strofë, ashtu sikurse edhe Noli vjershës Sofokliu në variantin e dytë i heq një strofë.

Në fund, Fan S. Noli gati të gjitha vjershat e tij, nuk i ka lënë pa i ndryshuar e i ripunuar edhe pas 21 vjetësh nga botimi i parë. Kështu, për shembull, thuhet se poema Prelud të William Wordsworth-it kishte tri versione (1799, 1805, 1850) dhe versioni përfundimtar u botua tre muaj pas vdekjes së autorit; poeti gjerman Heinriche Heine vjershën Lorelaj (1824) i është kthyer dhe e ka ripunuar më tepër se pesëdhjetë herë; shkrimtari francez Gustave Flaubert për 7 vjet ka shkruar romanin Edukimi sentimental (1869) e ripunon pas 24 vjetësh; shkrimtari zvicerian Gottfried Keller romanin e tij Henri i gjelbër (1855) e rishkruan gjërsisht pas 25 vjetësh; shkrimtari i madh rus Tolstoi për 6 vjet ka shkruar 6 variante të veprës së tij Ringjallja dhe shkrimtari italian Alessandro Manzoni, i cili romanin e tij Të fejuarit (1827) e ripunon plotësisht më 1842.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: LETERSI

DITA E KADRI CAKRANIT NË SHTETIN ILLINOIS NË SHBA

November 15, 2023 by s p

Në Shtetin e Illinois-it në SHBA, guvernori i tij JB Pritzker me anë të një proklamate shpalli për komandantin shqiptar në Luftën e Dytë Botërore “Ditën e Kadri Cakranit”, ku renditen bëmat e tij sa heroike dhe humane si shpëtimi i qendra hebrenjve në Shqipëri nga përndjekja e pushtuesve nazistë, shpëtimi i infermiereve të ushtrisë amerikane, etj, emri i të cilit është tani që nga muzeumi “Solomon” i qytetit të Beratit, ne muzeume në botë të holokaustit në Aushvic, në memoriale të mëdha në SHBA, Izrael, etj.

Dita e Kadri Cakranit, 11 nëntori, do të shoqërohej me veprimtari universitare, duke kujtuar se 35 pasardhës të tij punojnë, jetojnë apo shkollohen në Shtetin e Illinosit.

Në Tiranë është avokati I njohur Kujtim Cakrani.

Komandand i Ballit Kombëtar, Kadri Cakrani, mbi të gjitha komandant shqiptar, ushtarak karriere, patriot dhe humanist në kohë të vështira, diti të vështrojë edhe në kaosin e luftës nga ana e duhur e historisë, nga Perëndimi, ai erdhi emigrand politik në SHBA jo vetëm për t’i shpëtuar përndjekjes së diktaturës komuniste, por dhe për ta vazhduar misionin atdhetar. Ndërkaq ai la memoriet e tij, një libër të shkëlqyer, “Të vërtetat e jetës time”, dëshmi dhe shkoqitje të historisë, një monument, akademi dhe katedër, me rëndësi për të njohur dhe kuptuar konfliktin e të vërtetave, kohën si të shkuar, pasuri e të ardhmes.

Libri është botim i “Onufrit”, doli në 2020 nën kujdesin e avokat Kujtim Cakranit, ndërsa një nga parathëniet është e shkrimtarit Visar Zhiti, që po e sjellim të plotë.

KUR HISTORIA SHKRUHET

NGA ATA QË KANË BËRË HISTORI

– Të vërteta të “luftës së jetës” të Kadri Cakranit –

Nga Visar ZHITI

Besojmë dhe themi që Atdheu është si një familje e madhe, po kështu ka dhe familje të mëdha që janë si atdheu. Që mbartin fatin e tij, nga drama e përjetësisë së tij, që marrin dhe japin nga identiteti i përbashkët nëpër kohëra, nga himni dhe ajo hijeshi ideale, e patjetërsueshme. Familja dhe Atdheu bëhen njësh me jetët e tyre dhe punën, me përjekjet dhe paqen dhe më shumë me luftën dhe vdekjet, me fitoret e vështira dhe ato humbje që farkëtuan bashkë me qëndresën dhe ndërgjegjen kolektive, gjithë antropologjinë, ngjarjet, karakteret, vetë lavdinë e kombit duke paraprirë ardhmërinë, e cila bëhet e tashme, duke shtuar përvojën dhe pasi ikën e shumta si çdo e shkuar, lë dhe histori dhe mbetet si truall. Por dhe si frymë. Si legjendë. Antike dhe moderne.

Familja e madhe Cakrani është një histori e gjallë e Shqipërisë së pavarur, tashmë dhe e shkruar mrekullisht, që përfshin dy shekujt e fundit, kapërcimin e shekullit XIX bashkë me robërinë e gjatë dhe të rëndë otomane dhe zë të gjithë shekullin XX, me pavarësinë dhe konfliktet ballkanike me armë, Luftën e Parë Botërore, Kongresin e Lushnjës si pavarësi e dytë e Shqipërisë, pushtimin fashist dhe Luftën e Dytë Botërore, fitimtarët dhe vendosjen e diktaturës së tyre, më të egrën në vendin më të vogël në të gjithë perandorinë komuniste dhe ikjet prej saj.

Familja Cakrani është kështu dhe një rrënjë e futur thellë, që përshkon nëpër Perandorinë Otomane dhe përhumb në atë Bizantine. Si e tillë, kjo familje e njohur feudale ka patur dhe fatin e rrënjës, e mbetur nëntokë, ushqimdhënëse, por dhe me trungje të prera përsipër, në harresën e re vrastare. Por siç arriti ta parashikonte dhe njëri nga personazhet e shumtë të këtij libri memoaristik, politikani dhe shkrimtari i ikur Ernest Koliqi në dramën e tij “Rrajët lëvizin”, do të vinte dhe koha e një kujtese tjetër, e një ringjalljeje shpirtërore, ku bashkë me vlerat dhe virtytet do të çrroposeshin dhe emrat e atyre që punuan “për Shqipëri”, duke shkrirë jo vetëm pasuritë, por edhe jetët, duke vënë në shërbim nderin dhe fatin.

LIBRI I KUJTESËS

Pas librit befasues dhe i një rëndësie të shumfishtë, “Kujtimet e një firmëtari”, nga Hajredin Bej Cakrani, ndërkaq dhe dokumet historik, që mungonte për kohën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, madje dhe i vlerave gjuhësore në rrëfimin shqip në toskërisht dhe pa mbaruar habia mbi këtë zbulim, ja, tani del dhe libri i të birit, Kadri Cakrani, “Të vërtetat e luftës sime”, që përfshin vazhdimin, jetën e tij e të familjes dhe të Atdheut, të ndërthurura bashkë si një e tërë. Ashtu siç i mori detyrat dhe përgjegjësitë atje ku e la i ati, me ndjesitë e një misioni të lartë, me përkushtimin e birit, pasi bëri luftëtarin e atdheut, me karakterin dhe mendësitë tipike ballkanike, por sidomos ato shqiptare, ku përzihen virtyti dhe veset, pasi iku në mërgimin e detyruar, në Perëndimin e kulturuar, në fund bëri dhe një akt, nga ato prej europiani, perëndimori, la kujtimet, që i quan të vërtetat e tij, por që po aq, janë të vërtetat e shqiptarëve dhe të vetë Shqipërisë. “Shqiptarët bëjnë shumë, por shkruajnë pak”, – thoshte Dora D”Istria, shkimtarja me origjinë shqiptare, ndër gratë më të kulturura në Europë në kohën e saj. Por ja, që pas saj Cakranët e paskëshin thyer këtë çkujdesje atavike, konservatorizëm i padobishëm, jo një, por dy herë, nga ati dhe biri.

Edhe dalja e kujtimeve të Kadri Cakranit i ngjan një arkeologjie, që nuk zbulon, si të thuash veç vende, – ngjarjet nisin në vendlindjen e autorit, në Mallakastër, ku kishin domenin, “Republikën Cakrani”, vazhdojnë në Berat, ku kishin dhe aty shtëpi të madhe dhe autori shërbeu si Kryekomandant i Ballit Kombëtar, por dhe në Austri më parë, ku ai u shkollua në Akademinë Ushtarake Tereziane, vazhdimet, lufta dhe ikja e detyruar më në fund, në Itali, ende më larg, në Siri, dhe përtej oqeanit në SHBA, sikur i largohej një të keqeje, por jo kacafytjes me të. Por në këto kujtime zbulohet më e rëndëshimja, zbulohet kohë, sa vetanake, po aq dhe e përbashkët, kohë familjare dhe mbretërore, kohë për të bërë kohën, dhe vjen koha e pushtimit nazi-fashist, e luftës civile, siç e quan autori atë midis partizanëve nën udhëheqjen e Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar nën udhëheqjen e pinjollëve të familjeve të mëdha, ku ai bën pjesë si themelues dhe prijëtar, mundja e atyre që duhej të fitonin dhe fitorja e atyre që duhej të humbnin, etj, por duhej kohë tjetër që të përmbysej përmbysja, qoftë dhe si një realitet tjetër, dhe autori i këtij libri e shpalos si një realitet moral. Libri është i të vërtetave të Kadri Cakranit, rrëfim dhe qortime, për të tjerët dhe i asaj që i përkiste, por dhe ndaj vetes, që duhej të kishin bërë më shumë, por dhe ndryshe, i bindur në rrugën e tij dhe në drejtësinë e saj, me një sinqeritet të ashpër, ushtarak siç dhe ishte, që ndërsa zbatonte parimet e Organizatës së tij për një luftë kundër pushtuesit me sa më pak gjakderdhje, vetë shpërthente si hero, me moton dhe dalldinë që vrasësit duhen vrarë dhe s’e lëshoi armën kurrë nga dora, që natyrisht e përdori me pasion. E rëndesishme është që të vërtetat e Kadri Cakranit, më themeloret, shtyjnë disa të vërteta të tjera, që kishin zënë vend me dhunë dhe ishin zyrtarizuar, sipas atij ligjit që historinë e shkruajnë fitimtarët. Diktatura me historianët e saj ribëri një të kaluar ashtu siç do të donte ajo të kishte qenë, mbivendosi një realitet tjetër, por krimi gjithsesi mbeti në thelb… Nga Kadri Cakrani tani na vjen një tjetër realitet i po asaj kohe, i besueshëm mes pabesive, por dhe i natyrshëm, në natyrën e tij, kur po denatyroheshin koha dhe shqiptarët. “Të vërtetat e jetës time” kthehet në të vërtetat e jetës së atdheut. Libri të tërheq dhe si një “roman”, ku çdo ngjashmëri me ngjarje dhe njerëz realë nuk është e rastësishme, por qëllim. Nis me fëmininë në atë familje të madhe, sarajet, lojrat, futbolli, pastaj lojrat e mëdha të njerëzimit, lufta, Ballkani, Europa, bota, kthehet prapë në atdhe, ndarjet, konfliktet, takimet politike në oda burrash dhe sheshet me njerëz, jeta aristokratike, hipodromi, fushat e tenisit që ata kishin dhe ku, në Mallakstrën e atëhershme, shëtitjet me kuaj, me djem dhe vajza, të ardhur dhe nga jashtë vendit, shokët dhe miqtë e tyre. Hajredin Bej Cakrani me të vëllanë, Bekash bej Cakrani, ishin bashkëpunëtorë të Ismail Qemalit, shpallësit të Pavarësisë, e kishin mbajtur në sarajet e tyre në ato ditë dhe kishin ikur bashkë me qerre nëpër baltën e kohës të themelonin shtetin e ri shqiptar në Vlorë, kur njëri vëlla do të ishte firmëtar dhe tjetri ministër, i cili jo vetëm nuk merrte pagë për punën, por paguante administratën nga arka e shtëpisë së tij.

Në vitet e Kongresit historik të Lushnjës, ku ishin pjesëmarrës, krahas halleve, ra nëpër Europë dhe ajo që u quajt “Gripi Spanjoll” dhe “Vëllezërit Cakrani” krijuan fondacionin e parë shqiptar, duke iu gjendur popullit me ndihma dhe mbështetje, veshmbathje dhe barna, duke e kthyer konakun e tyre në spital. Bijtë e familjes Cakrani i ishin përkushtuar dhe dijes, duhet të bëheshin për atdheun ashtu siç ai priste: mbrojtës të tij, ekonomistë, agronomë, mjekë, juristë, diplomatë, politikanë, etj, dhe ishin shpërndarë nëpër universitete të famshme, në Vjenë e Paris, Romë, e Berlin, por dhe në Rumani e Poloni e Hungari, etj. dhe, nëse do të duhej, të merrnin armët në dorë sërisht, ishin dhe luftëtarë.

Motra e autorit të këtij libri, Suhade Cakrani, vajza e vetme e Hajredin Beut, që na përshfaqet paksa si një përndritje vetëtime. studionte në Firencen mahnitëse të Dantes, të Mikelanxhelos e Makiavelit, etj, të atyre që udhëhoqën Rilindjes Europiane. Po për çfarë studionte ajo? Për mjekësi, financë, shkencë? Jo, për Artet e Bukura, ashtu siç ishte dhe vetë. Se atdheut do t’i duhej dhe art, kulturë, që të bëhej sa më i bukur. Por dhe rebelimi. Kadriu do të burgosej si kundërshtar i Mbretit Zog, por dhe në burg ai do të ishte aq i hijshëm, me shokët, me borsalina e kravata e këpucët që i shkëlqenin.

Duke ndjekur rrjedhën e kujtimeve të “Princit”, siç i pëlqente ta quanin Kadri Cakranin, zbulojmë më shumë Ballkan, absurd, ku fitorja është dhe humbje dhe i munduri mund te jete firimtari, dhe, “kur monarkitë ktheheshin në republikë, Republika e Shqipërisë bëhet monarki, – thotë autori me një buzagaz të hidhur dhe përshkruan një Shqipëri kaotike, “ku atentatet u bënë si moda sot”. Mes saj është dhe ai. Protagonist. Jeta bashkohet me historinë. Konfliktet botërore mbërrijnë dhe në Mallakastër. Njësitet partizane, – tregon autori,- shpesh bënin punën e bandave dhe merrnin po përgjigje të tilla. Me armë. I biri i Shehut – partizan, i biri i Hajredin beut – ballist. Ndarje që u thellua gjithnjë e më tepër në fshat, në krahinë, në qytete, në Shqipëri. Dhe në botë. Berlini ishte ndarë më dysh, me mur në mes. Marrëveshja e shqiptarëve në Mukje u tradhtua nga komunistët. Nacionalistët nuk donin vëllavrasjen, siç e quanin hapur autori. Po ajo erdhi dhe e deshi udhëheqja e komunistëve, me saktë Enveri që ishte nën tutelën e jugosllavëve, dy misionarë të së cilës ishin në shtabin e lartë si mbështetës a këshilltarë, por në fakt ata drejtonin dhe qëllim ishte marrja e pushtetit nga ana e tyre në një Shqipëri pa Kosovën, të cilat pushtuesi i kishte bashkuar. Pas lufte plani ishte që dhe Shqipëria e gjithë të bëhej një nga republikat e Federatës Jugosllave, ndërsa nacionalistët, Balli Kombëtar, në organizatën plulariste të cilëve lider ishin bijtë e Frashërllinjve dhe të familjeve të tjera të mëdha, pra dhe të Cakrajve, dhe profesorë – patriotë të sprovuar, qëllim ishte Shqipëria, mëvetësia e saj e humbur, prosperiteti demokratik si në botën Perëndimore, duke u shtuar kështu dhe çështja tjetër, aq shumë kritike dhe shqetësuese, jo Shqipëri komuniste. Lufta midis dy të vërtetave ashtu si mes dy të drejtave bëhet gjithnjë e më e ashpër ashtu siç dhe janë luftrat civile.

PATJETËR DHE LETËRSI

“Të vërtetat e luftës sime” në arritjet më të mira është shkruar dhe si letërsi dhe patjetër nëpër faqet e tij do të gjenim dhe biseda tërheqëse për letërsinë dhe artet. Duke qenë kohë lufte, ato ndjehen dhe janë pjesë e qëndresës dhe e mbrojtjes. Në fillim ndeshim se ç’thonë mes tyre etërit Cakrani, kur njëri vëlla mbështeste filozofinë e Samiut dhe tjetri poezinë e Naimit, por nuk bëhet shteti me poezi, ia kthente njëri, po bëhet ndërgjegjia, ngulmonte tjetri. Pra duket sikur po kërkohet një strategji veprimi si strategjitë në luftë. Ndërsa bijtë, Kadri Cakrani, ushtarak profesionist, do të debatonte për letërsinë europiane me profesor Abaz Ermenjin, i pari fliste për superioritetin e letërsisë gjermane e i dyti për atë franceze, jo pa tension. etj, etj. Edhe tek biseda e tyre duket sikur po kërkohet aleati më i fortë dhe kjo nis nga kultura. Por atë që s’e prishi dot lufta, do ta shkatërronte diktatura e fitimtarëve pas luftës. Dhe në mërgimin e autorit në SHBA, ka përsëri përsiatje për letërsinë, aty nga faqet e fundit të librit, kujton Borhertin, Heminguejin, Remarkun dhe Bël-in që e ai i pëlqen, por letërsia shqipe sot nuk lexohet dot, thotë, e ka fjalën për Realizmin Socialist, por çuditërisht ka pikasur një libër ndryshe, që jep shpresë, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Si ushtarak e ka tërhequr dhe tema dhe fundi, i ngjashëm me veprën e tyre. Si ideolog ai te letërsia sheh gjendjen shpirtërore të një populli dhe shpresën për të ardhmen, nëse do të ketë…

Kadri Cakrani

VAZHDIME ME VEPRA

Por le t’u kthehemi çështjeve të luftës, që zotërojnë librin. Me Kadri Cakranin bindemi gjithnjë e më shumë se komunistët kërkonin të arrinin qëllimin me çdo çmim, idealin e tyre, qoftë dhe me terror, me vrasje, pabesi dhe ndaj të vetëve, deri dhe bashkëpunim me pushtuesin, gjë që dihej fare pak ose aspak dhe fshihej nga historiografia zyrtare, kur trumbetohej e kundërta. Ndërsa Ballit Kombëtar, na tregon Kadri Cakrani, duket se i interesonte njeriu, jeta dhe fati i çdo njeriu, qoftë dhe i huaj ky, të cilët së bashku përbëjnë Atdheun. Janë të shkëlqyera aktet e humanizmit dhe të guximit të madh që na tregon Kadri Cakrani. Hebrenjtë e Beratit, rreth 450 familje, te vjetra dhe të reja, të sapo ardhura nga përndjekja në shtetet përreth, do të shpëtoheshin nën kujdesin e tij, duke u dhënë të gjithëve pasaporta shqiptare, nëpër Mallkastër, në tokat e tyre, tani nën kujdesin e xhaxhait, Bektashit. Letërkëmbimi midis tyre tashmë është në muzeumet e Holokaustit në Izrael. Akti human më i madh në Ballkan. Frika ishte se partizanët mund ta dekonspironin këtë aksion tek gjermanët, për të krijuar terror e panik e ta shfrytëzonin për fitoren e tyre. Me qeverinë e Mustafa Krujës u bë ajo që nuk ishte bërë dot në vende më të mëdha, më të fuqishme e më të kulturuar, mbrojtja e hebrenjve, duke mos dorëzuar asnjërin te nazi-fashistët dhe në fund të luftës në Shqipëri, “në atdheun e dytë të hebrenjve” kishte dyfishin e tyre. Kadri Cakranit, por sidomos të birit të Bektash beut, Kujtim Cakranit, ashtu si gjithë popullit iu hap dhe një punë tjetër e vështirë, shpëtimi i mijra ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë Fashiste, se ata kërcënoheshin nga pushtuesi gjerman si dezertorë dhe nga partizanët si pushtues, pavarësisht se një pjesë e tyre më pas, me urdhër nga aleatët, u hodh të luftonte bashkë me partizanët. Shqipëria bëri atë që s’e kishte bërë kush në botë, ushtrisë që kishte ardhur si pushtuese, pasi u mund, ushtarëve të braktisur të saj u dha bukë dhe strehë, mbi 25 mijë bij dhe i përcolli si vëllezër. Është biblike që armiqtë t’i kthesh në vëllezër.

Përsëri Kadri Cakrani, nga Kryekomandant i Ballit Kombëtar, do ta gjejmë në aksione humanitare, në shpëtimin e infermiereve amerikane, aeroplani me të cilin fluturonin, gabimisht ra në Shqipëri në zonat e luftës, ku partizanët, duke mos pyetur për jetët e tyre, donin t’i përdornin si propagandë, si zbarkim të aletarëve, na thotë Kadri Cakrani. Tjetër, lirimi i disa ushtarëve gjermanë, të kapur rob nga partizanët në Berat, kur ata, ushtarët gjermanë, nuk e dinin se partizanët do ta shkelnin marrëveshjen që kishin bërë me ta. Komanda gjermane menjëherë mori 140 pengje, shqiptarë të pafajshëm, që do t’i pushkatonte, nëse nuk ktheheshin në repart dy robërit gjermanë. Partizanët e donin masakrën, se kështu shtohej urrejtja kundër gjermanëve, por Kadri Cakrani shkoi në zonat e tyre dhe i liroi robërit gjermanë, që të shpëtonte jetët e 140 njerëzve, bashkëqytetarë të tij. Bashkë me tensionin rritet dhe mrekullia e librit. Fshehja e Kodikëve të Beratit, mijëvjeçarë, bizantinë, sidomos atë të purpurtin, që e kërkonin gjermanët dhe, po të mos ua dorëzonin, do të pushkatoheshin priftërinjtë tanë ortodoksë, sa të ishin aty. Përsëri Kadri Cakrani është në vorbull, për të gjetur zgjidhjen, teksa përkthen gjermanët e ardhur nga Tirana për këte çështje. Duheshin ruajtur priftërinjtë nga pushkatimi, por dhe kodikët patjetër dhe kush kallzonte, “do ta pushkatoj unë” – kërcënonte Kadri Cakrani si përherë. Dhe ai propozoi benë e rreme te gjermanët, pasi priftërinjtë i ishin lutur ikonës së Shën Mërisë që t’i falte për atë që do të bënin.

Libri është plot me ngjarje e kundërngjarje, zbulime dhe kundërzbulime, aleanca të fshehta e kritike, rreziqe dhe humnera, natë dhe luftë, vrasje dhe sherre kombëtare që do të zgjidheshin si do të mund të zgjidhej bota e të vendoste për Shqipërinë, etj, etj, teksa dhe çështje befas hapte të tjera e më të mëdha si rrathët e ujit, kur hidhet një gur mbi një pellg. Ato rrathë shkonin dhe më përtej vendit, në Beograd e Athinë, Londër e Moskë, e Uashington dhe s’ishin prej uji, por shpesh rrathë gjaku. Akuzat e kudërakuzat tashmë nuk kishin të sosur, krahu i partizanëve kishte mjeshtra të propagandës, gjithmonë në rritje, akuzohej Balli Kombëtar për bashkëpunim me pushtuesin, si organizatë tradhtarësh, teksa gjermanët po arrestonin dhe internonin nga radhët e Ballit, sipas Kadri Cakranit, psh, internohet poeti Kudret Kokoshi, më pas i burgosur i komunistëve etj.

Gjithsesi Balli Kombëtar, kur po dukej absurde në atë realitet të çmendur, po arrinte fitore humane e morale, duke pranuar që t’i binin mbi shpinë dhe akuzat. Ndërkaq terrori po u jepte sukses partizanëve. Që ata po e përdornin më së miri, nuk e thotë vetëm Kadri Cakrani me dëshmitë e tij, por dhe të tjerë, madje dhe nga radhët e partizanëve, p.sh, i ikuri i tyre, Xhelal Staraveska, ushtarak i lartë, por dhe teoricieni po i tyre, që kishte studiuar në Moskë, poeti Sejfulla Malëshova, ua tha në një nga konferencat që Partia Komuniste, po shndërrohej në një bandë me terroristë. Kadri Cakrani i mëshon ngulmimit që vrasësit e Shqipërisë duheshin vrarë, qofshin këta dhe shqiptarë. Lufta ka ligjet e saj, ajo nuk fitohet me falje atyre që nuk të falin. Gjermanët po mundeshin si kundërshtarë dhe po fitonin kundërshtarët e tjerë, komunistët, sipas Kadri Cakranit, dhe ajo që po humbte vërtet, ishte Shqipëria. Kadri Cakrani me gjithë krerët e Ballit Kombëtar, Legalistëve, kolaboracionistëve, etj, ikin. Humbën betejën, por jo luftën, sipas Mit’hat Frashërit. Dhe do ta vazhdonin nga jashtë “Për Shqipërinë”.

Terrori i fitimtarëve do të ishte më i keq dhe më i madh se i pushtuesve. Xhaxhain e Kadri Cakranit, Bektash bej Cakrani, ai që e kishte rritur, ministri i parë i financave në shtetin e ri shqiptar, do ta pushkatonin. Skena është heroike nga ana e të pushkatuarve, kurse nga ana e atyre që pushkatonin, kishte grotesk. Ata bënin provat e pushkatimit se pritej një i madh që do të asistonte, do të vinte ai, tashmë i lartë në pozitë, që Kadri Cakrani donte ta vriste, por nuk e kishte lënë xhaxhai, që po pushkatohej tani prej tij.

Në Shqipëri, në mes të qytetit të Fierit, varin një vëlla të Kadri Cakranit, dy të tjerë i burgosin, ndërsa e motra e tyre, ajo e Arteve të Bukura, Suhadja e bukur, vdes në moshë të re, e tmerruar në çmendinë. Si një metaforë e rinisë së asaj kohe. Një metaforë tjetër e rëndë në libër është dhe ajo me kafkën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, që mendohej se ishte në një varr të fshehtë në një Kishë të vogël në Lezhë, por duke mos treguar përkujdesjen e duhur shteti i ri, duke bërë të kundërtën, dukej se kështu do të humbte dhe ajo traditë e lashtë, zakonet, lavdia historike e shqiptarëve, etj, etj.

Edhe në SHBA, në një mledhje të OKB, ku vinte të merrte pjesë nga Tirana dhe ai, armiku i tyre, Kadri Cakrani po e priste në një rrugë të Nju Jorkut, përballë hotelit t’i bënte atentat me sanjper. Prandaj dhe në libër, në fund, gjejmë dhe skena si të filmave hollivudianë, kur Kadri Cakrani ndjek me çifte veturën e atyre që kishin qendruar dyshueshëm para restorantit së tij, që duhej të ishin vënë nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar. Libri mbyllet ashtu siç fillon, si me një ironi, me ndeshje fotbolli. A thua ashtu janë përpjekjet e gjithë kësaj jete, një lojë?

E rëndësishme në Kujtimet e Kadri Cakranit nuk janë ngjarjet, por lënda, koha që sjell dhe të vërtetat e tij përballë të vërtetave të të tjerëve, të vetë historisë zyrtare. Kjo përballje e re, dikur me armë dhe tani me libra, ndihmon kujtesën kombëtare, krijimin e një të vërtete të përbashkët, se asnjëra më vete nuk mund të jetë absolute, por nga këndvështrimet arrijmë në përfundimin se të gjithë u përpoqën për Shqipërinë, sipas asaj që besonin dhe interesave vetiake, me strategjinë dhe taktikat që njihnin apo iu imponuan. Cilët ishin në anën e duhur të historisë? Po ne ende nuk kemi një histori të përbashkët, me ngjarje dhe heronj të pranuar nga të gjithë. U dukën se ishin fitimtarët, por kur morën pushtet, ata u bënë antihistorikë të tmerrshëm. Të mundurit? Koha duket se u dha të drejtë tani që s’janë. Që nuk do të dihej si do të ishin po të kishin marrë pushtet. Por mjaftojnë idetë, vizioni, madje dhe humbja. Më mirë të humbësh në kohën që duhet, se sa të fitosh, kur nuk duhet. Janë më të rënda për një popull fitoret e dëmshme. E cilët ishin kolaboracionistë më të rrezikshëm për vendit, ata të kohës së luftës nën pushtim perëndimor apo ata të kohës së paqes me Bllokun e Lindjes? Cakrani, vetëkuptohet, është kundër të dytëve dhe i luftoi. Po jo vetëm ai. Ndërkaq po shtohen ata që mendojnë ashtu. Nëse nuk është arritur të përcaktohet se cila ishte më mira që do të duhej për atëhere, të jemi në gjendje të gjejmë se ç’ishte më e keqja, që nuk do të duhej. Të paktën të na bashkonte kjo.

Ndihmesa e librit të Kadri Cakranit në këtë çështje është e jashtazakonshme. Dhe e dashurisë pa kushte për atdheun.

NJË EPILOG I VOGËL (jashtë këtij libri)

…tashmë, që nga viti 2000, është ringritur Fondacioni “Vëllezërit Cakrani” dhe dy librat me memoaristikë, “Kujtimet e një firmëtari” dhe “Të vërtetat e luftës time” të shkruara nga ati, Hajredin Cakrani dhe biri, Kadri Cakrani, të një rëndie të veçantë, thesar mes veprave të Kujtesës Kombëtare, na vijnë për herë të parë si zbulime falë pasardhësit të tyre, avokat Kujtim Cakranit. Puna e tij, pasioni, këmbëngulja, guximi i trashëguar janë si një ringjallje, jo vetëm e Familjes së tij të Madhe.

Ai është i angazhuar edhe profesionalisht në zbulimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit, qoftë dhe moralisht, edhe pse ka munguar një Gjyq shqiptar i Nurenbergut. Së fundmi ai ka marrë një nismë të vaçantë, do të thosha të mrekullueshme, ka hedhur në gjyq institucione shtetërore, pra shtetin, që pse nuk është dhe nuk gjendet ku është Dokumenti autentik i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, ku një nga firmëtarët ësht:e dhe stërgjyshi i tij. Shqetësimi i tij e tejkalon atë familjar, është shqetësim për gjithë Familjen e Atdheut. Sipas avokat Kujtim Cakranit ai dokumet është si dokumenti i pronësisë së shtëpisë, ne e kemi shtëpinë e përbashkët, Shqipërinë, por nuk kemi dokumentin. Ku është? Pse fshihet? Pse nuk gjendet? Ai ka zbuluar se deri në 1944 ai dokument themeltar ka qenë, i ruajtur në Kasafortën e Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe kur çelsat i morën fitimtarët, ai dokument u zhduk dhe përdorej një i falsifikuar, ku qenë fshirë mjaft firma, hedhësit e së cilës ishin vrarë apo burgosur nga regjimi dhe ishin shtuar firma të atyre që nuk kanë qenë në shpalljen e Pavarësisë, si p.sh, xhaxhai i diktatorit Enver Hoxha.

Avokati Kujtim Cakrani kërkon në emrin e gjithë shqiptarëve, për Shqipërinë, edhe pse e pa shpallur kështu, Dokumentin e Pavarësisë tonë. Akt i lartë, madhështor, vazhdim i udhës së të parëve të tij. Megjithëse ai dokument është në gjakun e shqiptarëve, në ajrin e atdheut, madje është dhe monument prej bronzi në kryeqytet me firmat si shtigje të ndërprera, por që i bashkon bëma e madhe, historike. Ne dhe shteti jemi të lirë dhe të të pavaruar aq sa është ky dokument vërtet brenda nesh.

Këtë kërkon të çertifikojë avokati ynë.

Filed Under: LETERSI

HALELUJA! NJĒ DHĒNIE DORE DHE NJĒ BUZẼQESHJE…

November 10, 2023 by s p

– dhe dy poezi nga Palestina dhe Izraeli –

Nga Visar Zhiti

Mē mrekullon kjo qē po shoh: njē grua me uniformēn e mbrojtjes izraelite IDF (Izrael Defense Forces), po takon njē vogēlushe… palestineze? Lutem tē jetē kēshtu!

Sa dhimbje ka, madje shoh buzēqeshjen, ndērsa te fēmijēt ende jo, shpresē patjetēr, por te gruaja tjetēr nē kēmbē, me tē zeza, palestineze sigurisht, me aq shumē dramē e dinjitet, ka vērtet fillim buzēqeshjeje.

Te tē dyja gratē ndjehet amē dashurie.

Vēshtroj duart e palestinezes, si me dhè mē duken, ka njē çantē jo lufte dhe njē celular, mbase do tē japē lajmin e mirē…

Sipas Biblēs, – lexoj nē status, – duajini armiqtē tuaj, por mos iu nēnshtroni veprave tē tyre tē kẽqia. Bekoni ata që ju mallkojnë dhe u bēni mirē atyre që ju urrejne, lutuni për ata që ju mbrojnē, thotē Mateu 5:44…

Mes shumē komenteve gjej dhe kētē: …ata janē fēmijē, nuk janē armiq…

Po!

Do tē doja qē nē duart e atyre zonjave, nē vend tē luleve, tē vija nga njē poezi, asaj izraelites t’i jepja atē tē poetit tē shkēlqyer palestinez Mahmoud Derwish, kurse palestinezes atē tē poetit tē shkēlqyer izraelit Yehuda Amichai, kanē qenē miq, kur jetonin tē dy nē Jeruzalem.

Nē poezitē e tyre ka qendrueshmēri qē e tejkalon dẽshpērimin dhe vdekjen, e njohin sherrnajēn e madhe, mē duket sikur secili ecēn me nga njẽ kufomē mbi kurriz dhe e duan jetēn ende mē shumē, s’ka rrugēdalje tjetēr, atdhe dhe mēshirē, si e Zotit dhe tek njeriu.

Dhe tē dy poetēt thonē fjalē tẽ tempullta. Besoni nẽ paqen, edhe tē detyruar, ēshtē mē e mira…

Amen!

MAHMOUD DERWISH

UNĒ PO VIJ PREJ ANDEJ

Unë vij prej andej dhe kam kujtime,

I lindur si të vdekshmit, kam një nënë

Dhe një shtëpi me shumë dritare,

Unë kam vëllezër, miq,

Dhe një qeli burgu me një dritare

të ftohtë.

E imja është dallga,

e rrëmbyer nga pulëbardha,

Unë kam pikëpamjen time,

Dhe një fije bari shtesë.

E imja është hëna në skajin

më të largët të fjalëve,

Dhe mirësia e zogjve,

Dhe ulliri i pavdekshëm.

Unë eca kësaj toke para shpatave

Trupin tē gjallē e kthyen

në një tryezë të ngarkuar.

Unë vij prej andej. Ia jap qiellin një nëne

Kur qielli qan për atë nënë.

Dhe unë qaj për t’u bërë i njohur

Tek një re që kthehet.

Mësova të gjitha fjalët e denja

për oborrin e gjakut

Kështu që unë mund të thyej rregullin.

Mësova të gjitha fjalët dhe i ndava

Për të bërë një fjalë të vetme: Atdhe…

YEHUDA AMICHAI

ZOT PLOT MËSHIRË

Zot-i-plot-mëshirshëm, lutja

për të vdekurit.

Nëse Zoti

nuk do të ishte plot mëshirë,

Mëshira duhej të ishte në këtë botë,

Jo vetëm tek Ai.

Unë që këputa lule në kodra

Dhe shikova poshtë në të gjitha luginat,

Unë zbrita kufomat nga kodrat,

Dhe mund t’ju them se bota

është e zbrazët nga mëshira.

Unë, që isha mbreti i kripës

në breg të detit,

Kush qëndroi pa një vendim

në dritaren time,

Kush numëroi hapat e engjëjve,

Me zemrēn qē iu ngrit lart prej ankthit

Në zemērimet e tmerrshme.

Unë, që përdor vetëm një pjesë të vogël

Nga fjalët në fjalor.

Unë, që duhet të deshifroj gjëegjëza

Nuk dua të deshifroj,

Dije se pa Zotin-e-plot-mëshirshëm

Duhej të kishte mëshirë në këtë botë,

Jo vetëm në Atë.

Pērktheu nga anglishtja V. Zh.

Filed Under: LETERSI

Përmasat e vërteta të Fan Nolit vijnë përmes librit “Apostulli” të gazetarit dhe studiuesit, Ilir Ikonomi

November 9, 2023 by s p

Albert Vataj/

Fan Noli politikan, klerik, përkthyes, veprimtar i shquar i çështjes shqiptare, nuk është i panjohur, por diapazoni i gjerë i asaj që rrëmbeu praninë dhe kontributin e tij, është e atyre përmasave që gjithnjë kemi për të zbuluar, për të njohur, për të udhëprirë te një trajtim shterues të kësaj figure shumëdimensionale. Për të përmbushur njohjen tonë për Fan Nolin, kryesisht atë të Nolit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ardhur gazetari dhe studiues, Ilir Ikonomi, ambicia e të cilit ka dhënë prova se shquhet për një qasje shumë origjinale për të rikthyer në vëmendje figurat historike dhe për t’i trajtuar me një prizëm tjetër personazhe dhe ngjarje, zhvillime dhe kapërcyell në rrugëtimin tonë në si identitet kombëtar. Ai është i njohur për lexuesin përmes librave; “Faik Konica, jeta në Uashington”, Esat Pashë Toptani- Njeriu, lufta , pushteti’’ , ‘’ Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit ‘’, ‘’ Pushtimi ‘’. Secili prej këtyre botimeve përfshi edhe “Apostulli” është një punë cilësisht e vlerësuar dhe e mirëpritur, sepse është mënyra se si Ikonomi rreket t’i risjellë figurat që njihnim dhe ngjarjet që na janë bërë prezent, në një ngulmim më të themeltë.

Libri “Apostulli” jep një përshkrim me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon nga arritja e tij në Amerikë më 1906 e deri në vitin 1920, kur ai largohet për në Shqipëri.

Gjatë kësaj kohe të rëndësishme, Noli themeloi Kishën Shqipe, Shoqërinë “Besa-Besën”, gazetën “Dielli” dhe, bashkë me Faik Konicën e të tjerë, krijoi Federatën “Vatra”, e cila do të shërbente si një qeveri shqiptare në mërgim.

Në libër do të gjeni fakte të reja për Nolin, njërin prej shqiptarëve më të ditur dhe më interesantë që kanë ekzistuar ndonjëherë. Çdo e dhënë është rreptësishtë e dokumentuar.

“Për të shkruar librin kam bërë kërkime në shumë arkiva e biblioteka dhe jam këshilluar me historianë e specialistë të tjerë.

Koha që pasqyron ky vëllim nuk ishte aspak një fushë e gjelbër pikniku, por një shesh beteje, ku Noli jo domosdo gëzonte mbështetjen e të gjithëve. Jam përpjekur që lexuesi të mos e shijojë librin si një fotografi, por si një film, ku personazhet debatojnë, përplasen, rrëzohen e ringrihen.

Libri ka një parathënie të shkruar nga historiani i mirënjohur amerikan Bernd Fischer, është i pajisur me shënime në fund të faqeve, me fotografi dhe me një tregues emrash. Ballina është punuar nga Besnik Frashni, UET Press, shkruan Ikonomi në profilin e tij në Facebook.

UET Press në prezantimin promovues të librit kumton përmes një prezencë telegrafisht kumton se “Apostulli” është libri i parë i një biografie të re për Fan Nolin me autor studiuesin Ilir Ikonomi, ish-gazetar i Zërit të Amerikës, i cili premton për një seri me tre vëllime, të cilat sjellin dritë mbi dimensionet e një prej figurave më të mëdha të kombit shqiptar.

Vëllimi i parë me 430 faqe, botim i UET Press, jep një përshkrim realist dhe me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon me arritjen e tij në Amerikë në vitin 1906 dhe mbaron në vitin 1920, kur ai u largua për në Shqipëri.

Libri mban në koperinë një foto tepër shprehëse të personalitetit të Nolit, shkrepur dy ditë pas meshës së parë të tij në Boston, SHBA, stilizuar nga dizajneri Besnik Frashni.

Biografia dallon nga detaji dhe elementët konkretë me të cilët Ikonomi ka ndërtuar figurën e Fan Nolit. Ai ka përdorur një fond të gjerë të dhënash historike, që përfshin Arkivin Qendror të Shqipërisë, Arkivin Kombëtar Amerikan, Arkivin e Ministrisë së Jashtme Austriake, dhe disa burime të tjera dokumentare.

“Apostulli” i Ilir Ikonomit do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të njohur Fan Nolin në një dimension tjetër, ndoshta për ta shpërfaqur këtë figurë dhe veprimtarinë e tij me përmasat reale dhe përmes disa të vërtetave që autori i ka të ballafaquara me fakte dhe dëshmi, me dokumente dhe referenca. Noli ka gjithnjë diçka për të na thënë, diçka për të na kumtuar, dhe Ikonomi, me përgjegjësinë e një studiuesi, me elokuencën dhe skrupuloziteti e një gazetari, ka mirësinë që duke na risjellë Fan Noli, të dëshmojë edhe ato të vërteta me të cilat ai u përball për të përmbushur ambicien e tij si një zë dhe zemër shqiptarie. Atje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku lindën vatra të mendimit, ku triumfoi fjala shqipe, ku çështja kombëtare kishte mbledhur zemrat dhe tubuar krejt shqiptarinë. Atje ku atëditë e sot, shqiptarët punojnë e luftojnë, përpiqen dhe sfidojnë, kontribuojnë dhe ngadhënjejnë për flamur e për komb.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT