• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Poetesha  bashkëkohore arbëreshe Giuseppina  Demetra Schirò  

November 8, 2023 by s p

Ornela Radovicka 

Qëndra albanologjike mbi kërkimet e studimet e gjuhës dhe kulturës arbëreshe themeluar nga A. Bellusci 1980\ Frascineto\Cs. Itali

Giuseppina Schirò, lindi në Piana degli Albanesi\Hora shqiptare themeluar në 30 gusht 1488 nga shqiptarët e Ballkanit shqipfolës rreth shekujve XIV. U lind dhe u rrit në një familje arbëreshe dhe si e tillë u ushqye me ndjenjën e krenarisë që i përket këtij komuniteti të lavdishme si për historikun e tij, ashtu edhe në ruajtjen e gjuhës amëtare më tepër se 550 vjetësh karakteristika bazë për ruajtjen e identitetit. 

Arbëreshët e Horës, për më tepër se 300  vjet nuk lejuan që asnjë etni apo popullsi tjetër të hynte në territorin e tyre, me përjashtim të ditëve të para të shtatorit kur bëhej kremtimi për nder të festave të Virgjëreshës së shën Mërisëk këtë fakt na e konfirmon akti notaril i 30 gusht 1488 ku rradhiten 16 kapituj\marrëveshje. Në akt thuhej  edhe që Zyrat publike sipas marrëveshjeve të firmosur duhej të zinin vetëm qytetarët shqiptarë të ritit grek bizantin. Ky privilegj, i njohur vetëm për arbëreshët e Piana degli Albanesi, mbeti në fuqi deri në vitin 1819. 

Në Piana degli albanesi\ Hora arbëreshe u hap edhe shkolla e parë arbëreshe nga Lekë Matrënga më 1587.  Marrveshjet e vitit 1488 lejuan mërgimtarët të mbronin traditat e tyre etno-gjuhësore dhe mbi të gjitha fetare. Hora Arbërshe njihet për figura të shquara që dhanë dhe japin një kontributë të madh botës arbëreshe si: Lekë Matrënga, Giorgio Guzzetta, Marco La Piana, Nilo Borgia Tommaso Manzone, Papas Sepa Petta ,Lorenzo Petta, Antonio Brancato, Giuseppe Musacchia, Paolo Schirò, Nikola Barbato,Giorgio Costantini,Papas Demetrio Camarda, Zef Kamarda, Gaetano Petrotta, Sotir Ferrara, Giuseppe Bennici, Carlo Dolce, Rosolino Petrotta, Zef Skiroi, Gjergj Nikollë Brankati, Giuseppe Schirò Di Maggio, Prof Matteo Mandalà  etje 

Midis këtyre figurave spikasin edhe poeteshat arbëreshe Cristin Gentile(Mandalà) 1856-1919, e parë poeteshë arbëreshe në Sicili,  argherita Scilippa, Paola Guzzetta, Giuseppina Schirò  etje.   

Giuseppina\ Giusi Schirò.Studimet e para i mori  në Sicili, gjimnazin e kreu në Palermo, ndërsa studimet universitare i përfundoi në degën gjuhë letërsi pranë Universitetit të Palermos. 

Giusi është pjesë e komunitetit arbëreshë të ritit bizantin. Ajo është njohëse shumë e mirë e kostumit arbëresh,frekuentuese e seminareve në gjuhën shqipe në Kosovë,autore e shumë artikujve shkruar në revistën “ Biblos”, aktiviste e botës arbëreshe në Hora.

Giuseppina Schirò, sot është punonjëse e bibliotekës, përgjegjëse e asaj pjese e departamentit  të autorëve të gjuhës arbëreshe-shqipe në Piana degli Albanesi\ Hora arbëreshe .

Libri i saj me poezi titullohet “Te dejti i Zemrës”, botuar në 2019.  

Shumë autor botëror shkruan për detin; Ernest Hemingway –  në valët e tij do të na çonte në Karaibe “Plaku dhe deti”, Melville, do të na dhuronte  emocionet e Moby Dick,

Alessandro Baricco në Oceano, në kërkim të shpëtimit të vetvetes,ndërsa poetja Giuseppina Demetra Schirò do të na përcjellë te Dejti i Zemrës, me valë sa antike aq edhe moderne,  gërshetat e së cilës na përcjellin në Peleponez, lundrojmë me  Odesenë drejt Itakës, biem në kthetrat magjepse të Ligheas, ndalojmë në Sicili, mbathim mantelin nobël të Gatobardit, e me fije të arta në Hora arbëreshe qendis kostumin e Afërditës. 

I interiorizon këto valë, krijon me ta  një amplitudë sa mitologjike  aq edhe aktuale, e na përcjellë  terthorazi tek Dea e Boticelljane, e cila nuk është  thjesht një Afroditë e bukur që krijohet nga shkuma e detit me degët korali që si diademë i qëndrojnë mbi kokë si perëndi e Olimpit. Ajo është  disi më tepër, është simbol  paqe e prosperitet e umanitetit, është pjesë illuminizmi ku harmonia e natyrës, mbërthehet me dridhjet shpirtit  në kërkim të shpëtimit të vetvetes, ku “dejti” bëhet një metaforë ekzistenciale në sintoni me bukurinë universale.  

Ky det në zemrën e saj janë valë dhe herë herë dallgë pa zhurmë. E magjepsur nga “Lighea”,  lokalzon Ade-n e lundron jo si një Karonte por një “Sirenë- arbëreshë” veshur me kostumin plot. Herë herë na mbështjellë në tingullin e Symendronit  me mantelin e të premtes së zezë. 

Nuk ndalon në pllajën  e Pezzutës, nuk kufizohet në tokën e Portellës, po  na çon te “Kafeja e rrugës “Po”, ku djelli zhurit e martirë josh.     

Në poezinë e Giusit stuhitë kanë festë, Posejdoni me tredhëmbëshin pulson pasion, ndërsa “Gatopardi” elegant e fatal, njeri i botës së vjetër, i detyruar të jetojë në të renë, fiton vedijen në detin e paepur. 

Sicilia, në vargjet e Giusit paraqitet një grua qerpikë me onde, e mërthyer në meridjanët e tre kontinenteve,  spërkat dritë e profum, por sa sublime aq edhe poetike.  

Për Giusin kufijët tejkalojnë atë pjesë ujdhesë joniane mbushur me amfora e  psherëtima elegji, besnik i hijes së Argos, dizenjon mozaik e forma gjeometrike, copëza që bashkojnë në shkuarën, themele që kërkojnë rrënjët,  meteorë që lidhin të ardhmen, kafshojnë kontraste dhe disonante, por gjithmonë e gjen veten në ekuilibër midis qenies së saj njerëzore dhe dëshirës për të evokuar hyjnoren.

Introspektive, evokon me ëndërrat vertikal, zhytet horizontal “te dejti i zemrës së saj” dhe nën buzët perpendikolare të qiellit kërkon të ndjej deri ku arrijnë ëndërrat. 

Vargu i saj, i butë “alkimi shkume”,  tretur në“erën e algave”,metamorfozuar “në kollona shpirti të rralla” ngyer në kaltërsinë e valve brënda vetës, pa gurgullima klithmash, pa psherëtima ngjirjesh, pa dritë të ngopura galvanizohet në stilin e saj “labor limae” ku ndihen studimet e saj të klasikëve Catulo,Orazio etje

Giusi në poezinë e saj përdor një pend rrëshqitëse nën puhizën e Zefirit. Nuk  vendos sistemin e pikësimit në vargjet e sa, “serfon” si delfin, dhe herë përpëlitet si një  mbytur, por mjaftohet të mbahet tek “shkronja e madhe”  sa herë  kapërcen njërën  valë tek  tjetëra, për ti dhënë jetë vargut të saj në det të hapur.

Elementet mitologjik në poezitë e saj janë vetëm një pikënisje, harmonike, dhe kanë vetëm vlerën e një kornize. Ata nuk janë një seri inerte legjendash konvencionale, por një trashëgimi modelesh  shembujsh pas të cilave mund të zbulohet e vërteta e poezisë, forca e esencës së saj mbi qënien njerëzor.

​ 

Poezitë janë në dy gjuhë, italisht dhe arbërisht, në të njëjtën kohë spjegimet janë në gjuhën standarte. Tokfjalëshat arbërshe si ; “Kënetave të murrta, “stërpikën dejtin”,” Narënxat harlisjen”, menatë\ Agimi, Rrashti\ Kafka, Lurin\Ulurin,  kriptë\flokët, etje  japin bukuri stilistike e hijeshimnë vargut në gjuhën arbëreshe.  

Bukurinë tingëlluese e shtojnë  edhe forma karakteristike në të folmen e arbëreshëve të Sicilisë që i gjejmë si në trajtat më antike: klarash\të qarash, apo në mungesa e zanores Y si tek fjala  zhitje\zhytje etje

Kultura bizantine, liturgjia kanë lënë gjurmë  në poezinë e Giust, gjë të cilin e shohim në përdorimin e alfabetit grek antik, në tituj  greqisht, apo në ndonjë shprehje  të cilën e përdor si sintezë. Kultura bizantine arbëreshe e shohim në simbolin e kopertinës; një rozario, pesull, në  thhellësinë e heshtje mes dallgëve blu, si një sperancë për humanitetin ku shpirti profan e besimtar, arbitër të lirë, por ordinar të një ekuilibri kozmik sa i kuq dhe i art. 

Giusi përfundon vëllimin me fjalët: 

Unë thesh time, tani thoni ju tuajën 

Kush më bukur se Baudelair te Njeriu dhe Deti do të thoshte të tijën:  

Ti, njeriu i lirë, do ta duash gjithmonë detin!

Deti është pasqyra juaj: ju sodisni shpirtin tuaj

në lëvizjen e pafundme të valës

Dhe shpirti juaj nuk është më pak humnerë e hidhur.

Sukusese të mëtejshme poetesha Giuseppina Demetra Schirò në krijimtarinë tuaj!

Filed Under: LETERSI

STUDIME MBI AUTORË E VEPRA TË PATRAJTUARA NË LETËRSINË SHQIPE, Botim i Akademisë së Studimeve Albanologjike, 2023

November 7, 2023 by s p

Nga Prof. as. dr. Evalda Paci/

Përmbledhja me titull “Studime mbi autorë e vepra të patrajtuara në letërsinë shqipe” përmban disa punime që kanë objekt të vëmendjes autorë a vepra që prej vitesh janë pjesë e kërkimeve dhe e interesave studimore të kolegëve të Departamentit të Studimeve Letrare të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Kontributet që paraqiten si pjesë e kësaj përmbledhjeje studimore orientohen ndaj trajtimit të veprave dhe autorëve që duhet të kthehen në vëmendjen e studimeve kryesisht letrare, duke vënë në dukje për disa prej tyre arritje të deritanishme nga gjurmimet paraardhëse, por dhe shtysa për kërkime të mëtejme të thelluara. Në perspektivë të parashtrimit të trajtesave të mëtejme, që marrin parasysh dhe të tilla arritje në fushë të studimeve letrare, klasifikimet mbi çështje të modelit gjinor, apo saktësime mbi interpretime të së njëjtës natyrë të veprave që përfshihen në këtë vëllim studimor, mund të përbëjnë burime të vyera referimi për gjurmimet e thelluara mbi historinë e letërsisë së shkruar shqipe.

Në studimet e Laura Smaqit vijnë në vëmendje trajtimi autorë që nuk kanë gëzuar vëmendjen e duhur në trajtesat mbi letërsinë shqipe të viteve ’20-40 të shekullit të kaluar, duke u introduktuar dhe me argumentime të njohjes objektive të brendisë dhe të linjave tematike të veprave të tyre. Në një vështrim analitik e të përqendruar në elemente që e konkretizojnë këtë vëmendje të studiueses Smaqi, vepra në prozë të kësaj periudhe përafrohen me kujdesin e tërheqjes së interesit ndaj momentesh përmbajtësore që dëshmojnë dhe objektivat e shkrimtarisë së autorëve të marrë në shqyrtim. Dhe pse me dallime në pikëpamje këndvështrimesh a tematikash që shtjellojnë në veprat në prozë e që mund të klasifikohen në modele gjinore të afërta, trajtesat mbi këto vepra e profilet përkatëse autoriale përbëjnë një kontribut me vlerë të studiueses Smaqi. Motivet historike, por dhe ato të analizave karakteriale që lindin si të tilla dhe falë rrethanash me shtysë a motivim nga konteksti kohor, paraqiten si tipare qenësore në ndërtimin e veprave të marra në shqyrtim. Përbëjnë një element me vlerë dhe qasjet krahasuese mes autorësh të së njëjtës periudhë, për të kaluar më tej dhe në nënvizimin e dallimeve apo tipareve individuale në krijimtarinë e tyre.

Do të jenë në fokus të trajtesave të studiueses Smaqi autorë si Mehdi Frashëri, Llambi Dardha, Luigj Thaçi, Andon Frashëri, Ndoc Nikaj, Foqion Postoli, veprat e të cilëve janë marrë në analizë në një pjesë të veçantë të kontributit të saj, duke u parë dhe në një optikë të nënvizimit të kthimit të vëmendjes ndaj njohjes së krijimeve të tyre në prozën e shkurtër.

Pjesë qenësore e kontributit të studiueses Smaqi përbën dhe trajtesa mbi tipologjinë e veprave në prozë që shkruheshin në periudhën që merret në shqyrtim. Informacione të hollësishme sillen prej saj dhe në pikëpamje të botimeve të kohës dhe të indiceve gjegjëse bibliografike, të domosdoshme për të pasuruar panoramën shtjelluese përkatëse. Duke e pasur të qartë nevojën e informimit me elemente të brendisë e të organizimit përmbajtësor, por dhe me të dhëna nga kritika e kohës mbi krijimet në fjalë, shtjellimet mbi veprat e trajtuara paraprijnë analiza të mëtejme, që ofrojnë një kuadër më të plotë dhe mbi autorët e tyre. Vështrimet në fjalë dallojnë nga kujdesja për një trajtesë sa analitike e të kujdesshme, aq dhe objektive nën qëllimin për ta dhënë të qartë kontekstin e veprimit të autorëve të sipërpërmendur.

Me një analizë të hollësishme, por të nevojshme mbi kontekstin e përvijimit dhe tipare personazhesh që janë profilizuar me kujdes e objektiv të qartë prej autorit Josip Rela (1895-1966), vijnë sërish në vëmendjen e studiueses Smaqi çështje të studimit të romanit “Nita”, i veçantë jo vetëm për subjektin që përmban, por dhe për çështje faktorësh historikë që bëhen premisë për shtjellimin e këtij të fundit. Përforcon domosdoshmërisht trajtesën e mësipërme të koleges Smaqi dhe kreu me titull “Realizimi skenik i “Nitës””, që pasuron spektrin e njohjes kulturore ndaj vënies në skenë të një subjekti kompleks dhe unik, në të cilin figura e Nitës shfaqet me tipare brishtësie, por dhe qëndrese karakteriale, duke u kthyer në një simbol veçanësie femërore.

Në motivim të zgjedhjes për trajtim të një vepre të tillë, autorja e studimit ka sjellë në vëmendje të lexuesit analiza momentesh, rrethanash, por dhe karakteresh të cilat përbëjnë dhe linjën kryesore tematike të saj.

Në lidhje me çështje të historisë së shtypshkrimit dhe më tej, me trajtimin në këtë optikë të historikut të një ekzemplari të rrallë për studimet albanologjike e për historinë e letërsisë së shkruar shqipe, vijnë në këtë vëllim trajtesat e Evalda Pacit, studiuese e letërsisë së vjetër shqipe pranë Departamentit të Studimeve Letrare të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Shtypshkrimi si dukuri që ndikoi qartësisht në zhvillimet e kulturës së librit në Evropë në shekullin XV e më tej, i reflektuar në areale që për shumë arsye kishin lidhje dhe me viset ballkanike, pikërisht ku mendohet se lëvrohej dhe një kulturë e librit dhe e gjuhës së liturgjisë, përbën një prej tematikave të trajtuara nga E. Paci, e cila ka marrë në konsideratë dhe evidentimin e arritjeve më të fundit në lidhje me këto procese të natyrës kulturore e me ndikim në studimet letrare.

Konsiderimi i ndikimeve të dekreteve të Koncilit të Trentit (1545-1563), por dhe i rolit të figurave të veçanta që përfaqësonin autoritete të mbikëqyrjes së prodhimtarisë librore dhe në shekujt XVI-XVII është reflektuar në sythe të veçanta të këtij kontributi të E. Pacit, duke u konkretizuar dhe me tekste shembujsh nga burime përkatëse. Argumenti i përzgjedhur prej saj ofron hapësirë për hulumtime e më tej për interpretime mbi bazë tekstesh që në vitet e fundit u janë ofruar studiuesve për të pasur një orientim më të qartë mbi historinë e librit e të shtypshkrimit në shekujt XVI-XVII në Evropë e vise më të veçanta e në disa pikëpamje, ndikuese në zhvillimet e kulturës librore në gjuhën shqipe.

Një autor i lënë jashtë vëmendjes në veçanti në vitet e regjimit shtetëror totalitar në Shqipëri (E.Haxhiademi:1902-1965) vjen i analizuar hollësisht në mjaft aspekte, përfshirë elemente të rrugëtimit jetësor, por dhe çështje të shkrimtarisë e të përvijimit të modeleve gjinore të veprave të tij, që për arsye të tematikës, ndërlidhjes me forma të zhvillimeve evropiane në gjini të dramës a teatrit grishin ndjeshëm interesat studimore të kolegëve Arian Leka, Tomorr Plangarica. I trajtuar gjerësisht dhe në pikëpamje të brendisë së vepërzave të tij, të ribotuara në seri dhe në vitet e fundit nga kolana e botimeve Poeteka (përgatitur për botim dhe shpjegime nga A. Leka, S. Leka, H. Haxhiademi), i evokuar për formimin e veçantë që sërish reflektohet në shkrimtarinë e në profilizimin që rezulton nga analizat mbi këto të fundit, Etëhem Haxhiademi gëzon një vëmendje të spikatur në përbërje të këtij vëllimi studimor. Individualiteti i tij vjen në një optikë analizimi të vëmendshëm, që merr parasysh dhe gradualitetin përkatës në ecuri e formim, por dhe rrethana të veçanta që duheshin vënë në dukje dhe në kuadër të këtyre trajtesave.

Një reflektim i përpiktë, por mjaft i nevojshëm dhe i vyer i kritikës së kohës në lidhje me krijimtarinë e këtij autori përforcon më së miri dhe pikëpamjet e shprehura mbi këtë të fundit dhe tipare të përveçme që evidentohen në vepra konkrete. Në të vërtetë, dhe nënvizimi i një fakti qenësor mbi diferencimin kohor mes realizimit të veprave dhe më tej, daljes në dritë të shtypit, përbën një argument për t’u shtjelluar në vazhdë të saktësimeve mbi rrugëtimin si autor dhe individualitet krijues të Haxhiademit. Në kontributin e plotë të kolegut Arian Leka do të mund të vërehet dhe një kujdesim i qartë ndaj qasjes filologjike në vështrimet studimore mbi veprat e Haxhiademit, bashkë me dallime koncize në momente të caktuara të krijimtarisë së këtij të fundit.

Kontributi i kolegut T. Plangarica përforcon ndjeshëm përmasat e vështrimeve mbi shkrimtarinë e E. Haxhiademit, i orientuar dhe nga njohja e thellë e nocioneve mbi shkencat e ligjërimit dhe i nxitur mbi të gjitha të nënvizojë çështje të rileximit të veprave të këtij autori. Njohës i mirë i rrethanave jetësore në të cilat ky i fundit përvijoi profilin prej krijuesi dhe individualiteti të pajisur me një kulturë të rrallë për kohën, kolegu Plangarica shtjellon hollësisht momente domethënëse të biografisë, por dhe të domethënies së zgjedhjeve të tij personale, ndikuese dhe në rrjedhën e ngjarjeve të mëvona që lidhen me të dhe me kohën në të cilën jetoi. Gjithë trajtesa me titull Rileximi i dramatikës së E. Haxhiademit si tekst dhe diskurs (Prurjet në shkencat e ligjërimit, një mundësi më shumë për interpretime), e studiuesit Plangarica, përçon ndjeshëm ftesën për integrimin e duhur të krijimtarisë së E. Haxhiademit në studimet letrare shqiptare si dhe dallon për një terminologji të pasur në përveçime e elemente të një shprehësie të zgjedhur.

Në vështrimin e kolegut Virion Graçi vjen një autor i disidencës në kohën e regjimit totalitar në Shqipëri, pikërisht Trifon Xhagjika (1932-1963). Trajtesa në fjalë, e titulluar Koha e poezisë dhe e totalitarizmit: Trifon Xhagjika, përbën një kontribut origjinal, që synon dhe të jetë objektive në konsiderimin e literalitetit dhe të figuracionit në krijimtarinë e Xhagjikës, duke mos lënë pa vënë në dukje dhe rrethanat e largimit nga jeta të tij.

Kontributet e kolegëve që u përfshinë në realizimin e kësaj përmbledhjeje studimore përbëjnë një punë serioze dhe fryt të disa viteve kërkime dhe sprova në individualizimin e dukurive qenësore në lidhje me vepra për të cilat nuk ishte folur sa duhet, apo dhe për autorë që për arsye të ndryshme, nuk ishin vënë mjaftueshëm në optikën e studimeve letrare e në veçanti të atyre studimeve që lidheshin drejtpërdrejt me historinë e letërsisë së shkruar shqipe.

Në vëmendjen e recensentëve të punimeve të kësaj përmbledhjeje kanë ardhur çështje më specifike që përmbahen në secilin prej kontributeve të sipërcituara. Në përmasat e dy trajtesave që i përmbahen formatit të recensave që mbështeten mbi konsiderimin e përmbajtjes së punimeve të paraqitura, dhe këto të fundit përbëjnë dy ndihmesa me vlerë për secilin prej autorëve, aq më tepër kur recensentët kanë qenë pjesë e rëndësishme e historikut të Departamentit të Studimeve Letrare të IGJL. Janë vënë në dukje prej tyre çështje të veçanësisë së objektit të trajtesave të sjella nga secili prej autorëve, bashkë me vetë kontekstualizimin përkatës që u bëhet veprave apo autorëve që janë të përzgjedhur për t’u analizuar.

Prof. dr. Klara Kodrës dhe prof. dr. Shaban Sinanit u takojnë falënderime të përzemërta për vlerësimet dhe leximin e vëmendshëm që u kanë bërë punimeve të sipërpërmendura, që janë në vetvete shtysa për arritje të mëtejme mbi të njëjtët autorë, por dhe mbi periudhat përkatëse në të cilat këta të fundit përvijuan krijimtarinë e tyre.

Falënderime të ndjera u shpreh me këtë rast dhe kolegëve të nderuar që u bënë pjesë e kësaj përmbledhjeje dhe që konfirmuan në këtë mënyrë një bashkëpunim serioz dhe një frymë të ngrohtë

kolegjiale.

Filed Under: LETERSI

Ditë e keqe

November 7, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Të gjithë kemi pasur ditë të keqe që nga momenti që zgjohemi. Ndoshta kemi frikë nga diçka më vonë gjatë ditës ose ende po mendojmë për natën e mëparshme. Ndonjëherë, ka vetëm errësirë ​​që në mënyrë të pashpjegueshme zbret mbi ne. Në ditë të tilla, mund të jetë e vështirë të gjesh një pikë të ndritshme për t’u mbajtur, por hapi i parë është të kujtosh se një ditë e keqe është pikërisht ajo: ditë e keqe.

Dita e mirë në fakt fillon me shqetësimin se do të jetë pikërisht e kundërta, diçka pa paralajmërim. Në shumë raste, kemi fuqinë të ndryshojmë pikëpamjen tonë me një hap të vogël në drejtimin e duhur, qoftë kjo do të thotë të rrethohemi me njerëzit që duam, të bëjmë shaka ose thjesht të pranojmë që trishtimi është pjesë e jetës dhe ta lejojmë të kalojë në kohën e duhur. Një ditë e keqe është normale – dhe e përkohëshme.

“Humori është gjë e madhe, gjëja shpëtimtare, në fund të fundit. Në momentin që shfaqet, të gjitha ngurtësitë lëshojnë, të gjitha irritimet dhe pakënaqësitë largohen dhe një shpirt me diell zë vendin e tyre”, kështu thoshte

Mark Twain, i cili shquhej për humorin, shpesh të hidhur. Kështu mundte trishtimin.

Charles Bukowski, një tjetër poet, jepte zemër kur thoshte: “Ndonjëherë ngrihesh nga krevati në mëngjes dhe mendon se nuk do t’ia dal, por qesh përbrenda duke kujtuar të gjitha rastet që je ndjerë kështu”.

Kur retë më të errëta në qiell duken të përkulura, ndërsa të gjithë me të cilët bie në kontakt ndiejnë një gëlltitje të keqe, gjen njëfarë ngushëllimi në mendimin e një të nesërme të freskët. E keqja është një mundësi për të provuar përsëri.

Disa ditë janë vetëm ditë të këqija, kjo është e gjitha. Duhet të përjetosh trishtimin për të njohur lumturinë dhe jo çdo ditë do të jetë një ditë e mirë.

Optimizmi nuk është besim se gjërat automatikisht do të përmirësohen; është bindje se mund t’i bëjmë gjërat më mirë.

Mënyra më e mirë për të mos u ndjerë pashpresë është të ngrihesh dhe të bësh diçka. Mos prit që gjëra të mira t’ju ndodhin.

Trishtimi rëndon shpatullat. Dhe telashet përndjekin mendjen.

Por e di që e tashmja nuk do të zgjasë. Një ditë më e ndritshme po vjen. Nesër do të jetë më e mirë.

Filed Under: LETERSI

Vështrim për romanin “Këpuca e aktorit të shkrimtarit Visar Zhiti

November 6, 2023 by s p

Nga dr. Sadik Elshani/

Visar Zhiti, visar i kombit

Visar Zhiti padyshim është njëri ndër shkrimtarët e intelektualët më të rëndësishëm të letërsisë së sotme shqipe, publicistikës e kulturës sonë, një zë i fuqishëm i ndërgjegjes kombëtare. Së bashku me Petro Markon, Visar Zhiti është një rast i rrallë në letërsinë tonë, ku njeriu dhe shkrimtari janë shkrirë, janë bërë një. Përvoja e tij jetësore pasqyrohet qartë në tërë krijimtarinë e tij në poezi e prozë. Shpesh koj përvojë është një përvojë e hidhur nëpër dallgët e jetës nëpër të cilat kaloi populli ynë. Por, autori me mjeshtërinë e tij artistike ka arritur ta ngre në art t’ia sjellë lexuesit, ta ruajë kujtesën e kombit. Është pjesë e jetës së tij, është pjesë e historisë sonë. Siç është shprehur edhe studiusi i njohur i letërsisë shqipe, Robert Elsie: “Jeta e tij më së miri e reflekton jetën, fatet e kombit të vet”. Solli motive të reja në letërsinë shqipe, jetën vuajtjet nëpër kampet e punës, burgjet komuniste. Ferri i Dantes shkonte rrathe – rrathe në thellësi të tokës, ferri i Visar Zhitit shtrihej horizontalisht në sipërfaqen e tokës shqiptare dhe në thellësitë e galerive të minierave-burg të Spaçit e Qafë – Barit. Gati tërë veprat e tij i përshkon elementi autobiografik, gjithmonë projektohet diku në sfond. Ai në një periudhë kohore të rinisë së tij i ndau, i përjetoi fatet, vajtjet e popullit tonë. Regjisorja jete i kishte caktuar një rol sfidues në skenën e teatrit të saj absurd.

Këpuca e aktorit

I tillë është edhe romani “Këpuca e aktorit, një rrëfim me plot elemente jëtëshkrimore. Është një roman me tre akte dhe tre epilogje, është saga e një familjeje në tri perudha historike nëpër të cilat ka kaluar kjo familje dhe Shqipëria: periudha e kohës së Zogut dhe Luftës së Dytë Botërorë, periudhës komuniste dhe asja pas rënjeë së komunizmit e deri në ditët e sotme. Romani pasqyron një mozaik ngjarjesh që shtrihen në një periudhë 111 vjeçare dhe ku defilojnë një galeri e tërë e personazheve, kryesisht të vërtetë, por që autori ua ka ndryshuar pak emrat, me pak ndryshime emrat ua ka bërë mbiemra e mbiemrat, emra. Por, hasim edhe në personazhe interesante, si: Nofulla e madhe, Jorgji Gërshëra, Mërkoshi, Çacçoja, kukulla “Barbi”, etj. Në roman ka një lojë me numrat 1, duke formuar formuar numrat 11 e 111. Më 1911 ka lindur Hekuran Zhiti, në roman, Moisi Tomorri, ndërsa romani është shkruar më 2022 e që bëjnë 111 vite. Janë këto 100 vjet pa vetmi, lojë fjalësh, duke perifrazuar titullin e një romani të Gabriel Garcia Markezit, 100 vjet mbushur me plot trazira e drama njerëzore. Ndërsa autori për të birin ka zgjedhur emrin Hektor. Po, në këtë emër ka hek-ur, por Hektori është edhe një personazh i “Iliadës” së Homerit. Sikurse Akili qe e tërheq trupin e vdekur të Hektorit nëpër rrugët e Trojes, ashtu edhe jeta e Hektor Tomorrit tërhiqet zvarrë nga diktatura komuniste. Nganjëherë personazhet përzihen, herë Moisi e herë Hektor, I tillë është fati i tyre i përbashkët. Ky është një roman i simbolikave metaforave, antitezave e kuptimeve alegorike, është metaforë e fatit, jetës së Shqipërisë të atyre periudhave historike.Autori ka zgjedhur një formë mjaft kreative për ta paraqitur rrëfimin e tij: është skena, teatri dhe akti i aktërimit në skenë e në jetë. Vetë bota, jeta është një skenë ku çdo ditë luhen drama jetësore, tragjedi e komedi, pjesë tragjiko – komike. Teatri, skena ku arti e pasqyron, imiton jeten. Përfaqësuesit e tre breznive të kësaj familje, Moisiu, Hektori, i biri dhe Irisi, vajza e Hektorit. Emri Moisi nuk është i rastësishëm, është në nderim të aktorit tonë të madh, Aleksandër Moisiu. Diçka edhe për titullin e këtij romani: këpuca është pjesë e identitetit të njeriut, simbolizon rrugëtimin e njeriut apo siç shprehet autori, është maska e këmbës.

Drama e një teatri

Siç e cek edhe autori ky rrëfim ëhtë konceptuar si një momodramë, por është zgjeruar dhe ka përfunduar në një roman poetik. Monologjet e herëpashershme, persiatjet, reflektimet për ngjarjet dhe dukuritë shoqërore, janë pjesët më poetike, më të spikatura që ia shtojnë fuqinq shprerhëse thellësinë e mendimit të këtij romani. Është një rrëfim retrospektivë, kthim mbrapa (angl. flashback), ku Hektori i rrëfen ngjarjet vajzës dhe të fejuarit të saj. Këto biseda gjatë tërë romanit ndërlidhen bukur dhe e plotësojnë këtë rrëfim, duke e freskuar me perspektivën e sotme. Romani fillon me prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar në orët e hershme të mëngjesit: “…kishte kaluar mesnata, por pa zbardhëllyer ende Teatrin e shemben. Nën rrënoja kishte mbetur njëri nga aktorët. Në atë orë bëheshin edhe pushkatimet, se kush kishte thënë. Apo ai vetë… pikërisht në orën kur bëheshin pushkatimet, thashë unë. Dhe do të trgoj si u vrava. Por, meqenëse jam aktor, më të rëndësishme kam lojën, të jetës dhe të vdekjes bashkë. E kam porosi. Kam premtuar.” Dhe aktori këtu bën një parodi për vdekjen e tij. Aktori vdes kur ia ndalojnë të dalë në skenë, kur ia shembin teatrin. Është kjo një metaforë e historisë sonë të shkatërrimeve, zhdukjes së kujtesës, sindromit të vitit zero, se bota e re, çdo gjë fillon me ne. Në këto rrethana e ndeshim edhe Maksin, skenografin e teatrit, arkitektin, piktorin e skulptorin, që është një personazh i vërtetë, Maks Velo, i cili për artin e tij avangard u dënua me disa vjet burg. E dërgojnë Maksin edhe ne psikiatri, por ai nuk ishte i çmendur: “Çmendurinë ishte i gjithë atdheu”. Vetë godina e teatrit ka qenë një vepër futuristike për kohën. Në atë ndërtesë nuk janë shfaqur vetëm filma e shfaqje teatrore, por janë zhvilluar edhe drama njerëzore, gjykime arbitrare të njerëzve, kryesisht, të pafajshëm, elitës së kombit tonë, janë marrë vendime për burgosje e pushkatime. Ndërtesë e vjetër, por ka mundur të restaurohet, të shërbejë për diçka tjetër. Që të ndërtosh të renë, nuk do të thotë ta shkatërrosh të vjetrën. Tirana ka nevojë për një teatër modern, por teatri i vjetër nuk e ka pengur fare ndërtimin e një teatri të ri. Pse, vetëm një teatër duhet të ketë Tirana?! Zagrebi, qyteti ku kam studiuar në fund të viteve të 70-ta dhe në fillim të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar i ka patur 3 – 4 teatro profesioniste vetëm për komedi e satirë. Edhe vetë e kam bërë një shkrim në mbrojtje të Teatrit, me titull: “Drama e një teatri: te jeshë apo të mos jeshë”. Kam sjell si shembull mbrojtjen nga shembja të Carnegie Hall në Nju Jork. Por, kam marrë si shembull edhe shoqatën tonë që ka blerë një godinë 220 vjecare dhe është duke e meremetuar, restauruar atë, për t’ia kthyer shkëlqimin e dikurshëm.

Këpucët e kohës gjysh

Kjo është vetëm një pikënisje për ndërtimin e fabulës së këtij romani, të vazhdojmë tutje. Në aktin e parë, “Këpucët e kohës gjysh”, pasqyrohet jeta në fshat, mënyra e jetesës, mikpritja, vizta e profesorit, Safet Butka. Përshkruhen vitet shkollore të Moisiut në Normalen e Elbasanit, përgatitja e pjesëve teatrore. Dikush Moisiut ia vjedh njërën këpucë, sikur t’ia kishin vjedhur ecjen. Është kjo një simbolikë e të ecurit calë, pamundësia për ta vazhduar rrugëtimin e dëshiruar, ashtu siç ishte edhe rrugëtimi historik i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sepse edhe vetë populli duhej të aktëronte që të mbijetonte, i kishte punët piskë, dikush ia kishte vënë të dyja këmbët në një këpucë. “Më thuaj si ecën, të të them cili je”. Një rrëfim i këndshëm, që i jep një freski romanit është përshkrimi i ekskurzionit të Normalistëve nëpër Shqipër: “Që ta duash atdheun, duhet ta njohësh atë”. Përshkruhen edhe takimet me At Gjergj Fishtën në Bibliotekën Franceskane. “Aromën e dijes nuk e kisha provuar ndonjëherë kështu” – shprehet Moisiu. “Shkollat janë si oazat në shkretirë” ;”Shqypnia ash kryqi em” janë disa copëza nga bisedat me Fishtën. Është interesant edhe takimi me nentogerin grekme nënë arvanitase, Odisea Elitis gjatë Luftës Italo – Greke. Odisea merrej edhe me shkrime, kishte shkruar edhe një poemë, “Albaniada”. Odisea Elitis është fitues i Çmimit Nobel për letërsi në vitin 1979. Në të njejtin vit edhe Nënë Tereza e Ka fituar Çmimin Nobel Për paqe. Këto Hektori do t’i mësonte më vonë duke dëgjuar radion e huaj. Janë vitet e luftës, luftohet armiku, por luftohet edhe me njëri – tjetrin, prishet marrëveshja e Mukjes me këmbënguljen e jugosllavëve. “Duke vrarë njëri – tjetrin, keni vrarë copëza Shqipërie…”. Portretizohet edhe figura e Mit’hat Frashërit, Lumo Skendos dhe libraria e tij e pasur. Flet këtu edhe për edhe për përcarjen e partizanëve dhe nacionalistëve: “Ne s’jemi kundër tyre, por kundër komunizmës që duan të sjellin, komunizma është më keq se murtaja”. “Punë e ngatërruar, mund të humbim betejat, por luftën jo”. Si metaforë e kësaj vëllavrasjeje vritet edhe Moisiu në një duel me një baskëfshatarin e tij partizan. Rast tipik i familjes shqiptare të asaj kohe: Moisiu nuk është me partizanët, por as nuk është kundër tyre, vëllau i tij, Agroni është me partizanët dhe vëllau tjetër, Guriu është i arratisur.

Kreu i dytë: Perdja e skenes në kohën baba, zvarritjet e Hektorit (1943 – 1990)

Kjo pjesë e romanit,përfshinë periudhën e viteve 1943 – 1990 dhe është rrëfimi i Hektorit për jetën e tij dhe fatin e Shqipërisë së atyre viteve. Me babain e vrarë, rolin e babait e zëvendëson xhaxhai, Agroni që në çastin e gjyqeve në sallën e teatrit duhet ta marrë edhe Hektorin 3 vjecarë se në atë moment nuk kishte kush të kujdeset për të. Ky fëmijë i mitur i përjeton ato gjyqe si në një skenë teatri absurd. Përshkruhet ajo gjendje plot tension e tmerr. Këtu gjykohet edhe Musine Kokalari e shumë intelektualë të tjerë. Atmosferën e këtyre gjyqeve makabre, groteske e përshkruan bukur me një fjali: “Nuk po rrotullohej skena, por…Shqipëria”. Hektori mbaron shkollën për aktor dhe e caktojnë në estradën e një qytet të vogël, L. (L për Lushnjën) apo siç shprehet autori: një qytet – pa qytet). Jeta në një qytet të tillë ishtë mjaft depresive, plot ankth, ashtu siç ishte në tërë Shqipërinë. Shpata e mprehtë e diktatorit dhe diktaturës u rrinte popullit te koka si shpata e Demakleut. Me një trokitje në derë nga Sigurimi në orët e vona të natës, jeta merrte një kahje tjetër drejt një rrugëtimi të pakthim. Paraqiten skena në mes të ëndrrës e ralitetit, si në një vegim. Në teatrin e estradës atmosfera me mjaft intriga, kufizim të shprehjes artistike, një zdrukthtar emërohet aktor profesionist – simbolikë e injorancës, servilizmit, mediokritetit. Hektori ballafaqohet me mjaft provokime, jeta është e pasigurt. Skenë e frikshme është kur Hektorin kryetari i Degës së Mbrendshme e detyron të shkruaj skeçe e pjesë teatrore në një qeli, sikur për ta testuar se çka do ta nëse devijon pak nga qëndrimet zyrtare dogmatike të asaj kohe. “Po unë c’të tregoja, ku isha? Në qeli, në burg…Në teatrin e Realizmit Socialist…Edhe në ëndërr qelia është e tmerrshme”. Po, Visar Zhiti në jetën e vërtetë ka shkruar, ka krijuar edhe në burg, duke i mbajtur në mend mbi 100 poezi. Nuk mungojnë as provokimet me femra, skena të degjenerimit moral të familjes, metodat e spiunimt, etj. “Teatri i absurdit ishte jashtë teatrit” – e tillë ishte atmosfera përreth Hektorit, i cili madje ka një paranojë se atij mund t’i ndodhë diçka e tmerrshme dhe në këtë rast do ta pësonte edhe familja, prandaj vendos që të ndahet nga bashkëshortja,në fillim ndoshta sa për sy e faqe – luanin lojën e ndarjes, por më vonë kjo përfundon në një ndarje përfundimtare. Aludim për një paradoks të çmendur të shkatërrimit të shumë familjeve shqiptare: për ta mbrojtur familjen, duhej shkatërruar atë. Përshkrim shumë i zymtë, e trishtues nga ndarja pas një takimi me gruan dhe vajzën: “Kur rrapëllima e trenit mbaroi dhe pashë shinat e zbrazëta që treteshin në largësi, unë mora rrugën e kthimit për në asgjëkundi. Më i lirë, por më i mjerë. Isha çliruar nga më e rëndësishmja e jetës, nga familja”. Kuptohet, Hektorin e dërgojnë edhe për riedukim (kupto heqje lirie, burgosje) në teatrin e sapozbuluar antik të Durrësit: “E ngula kazmën në kujtesën e tokës, zbulova dramën time”. Është ky një kontrast i fortë: e zbulojnë një teatër antik nga dheu për ta ruajtur, ndërsa sot e bëjnë rrafsh me dhe një teatër që qëndron mbi tokë. Herëpashere Hektori shkon në Tiranë për ta viziuar familjen dhe në një nga këto vizita shoku i tij, regjisori Shpëtim Gina, të cilin më vonë do ta zhdukin, e njofton Hektorin për dënimine personaliteteve të artit e kulturës, poetë, regjisorë, piktorë. Emrat janë pak të deformuar, mbiemrat janë këmbyer me emra dhe anasjelltas, por nuk është e vështirë të deshifrohet se bëhët fjalë për “Njollat e Murrme të Minush Jeros, Viktor Gjikën, Kadri Roshin, Miho Gjinin, Mihallaq Luarasin e shumë të tjerë.

“Shqipëria ishte çliruar, por jo edhe shqiptarët” – shprehet autori. Vendi kishte rënë nën sundimin e një diktature të egër, nga më të egrat në gjithë botën komuniste. Për xhaxhain e tij dhe të tjerët që mundohen ta mbrojnë diktaturën se gjoja ka bërë “përparime” në të gjitha lëmitë e jetës së Shqipërisë, Hektori i ka disa fjalë: “Dakord, s’isha kundër, doja t’u gëzohesha edhe unë, por mjaftonte të shikoja sytë e trishtuar të nënës time, atë buzëqeshje të venitur që të rrënoheshin të gjithaa…”.

Por, edhe diktaturës i erdhi fundi. Në faqet e fundit të këtij kapitulli përshkruhen edhe ditët e fundit të diktaturës, fillimi i protestave, rrëzimi i përmendores së diktatorit, ardhja e Nënë Terezes në Shqipëri, etj.

Kreu ose akti i tretë: E tanishme me kohën bijë – Irisi në syrin tim

Në këtë kapitull kryesisht bëhët për vitet pas rënjes së diktaturës komuniste. Vërtet diktatura u shemb, por edhe demokracia nuk solli ato që priteshin nga ajo: “Po as demokracia nuk ka ardhur dhe as diktatura nuk ka ikur. Që jemi më mirë jemi. Enveri ishte ujk, Ramizi dhelpër, atdheu kopsht zoologjik”. Ata që i kishin shërbyer diktaturës ende ishin në pozita udhëheqëse, brenda natës ishin shndërruar në demokratë. Hektori më në fund kthehet në Tiranë, ish-bashkëshortja, Erika dhe vajza, Irisi kanë emigruar në Amerikë. Skena kaotike gjithandej, rrëmbime vajzash, vjedhje, vrasje në rrugë. Të gjithë shikojnë dhe askush nuk vepron: “Ky është vendi që vetëm shikon…E kanë braktisur teatrin se dramat janë nëpër rrugë”…parlamenti teatër absurd”. Nënë Tereza vjen përsëri në Shqipëri, hapen qendrat e saj nëpër qytetet e Shqipërisë. Përshkruhen grevat e urisë, ngjarjet e vitit 1997. Irisi është duke studuiuar për aktore dhe kthehen për një kohë në Shqipëri me të fejuarin e saj, Marin Pashkun, kushëririn e shkrimtarit nga Kosova, Anton Pashku. Është ky një homazh për Anton Pashkun, shkrimtar i veçantë dhe njëri ndër më të talentuarit në letërsinë shqipe, ai që me dramat e tij solli teatrin absurd. Edhe romanin “Këpuca e aktorit” herëpashere e përshkon një frymë e romanit “Oh” të Anton Pashkut. Irisi nga Shqipëria dhe Marini nga Kosova, që të dy me banim në Amerikë, sikur japin atë porosinë e bashkimit kombëtar. ‘Teatri? Aktore dhe ajo? Doja dhe s’doja. im atë s’u bë dot aktor, kishte pasionin dhe talenntin, besoj, por nuk pati as skenën dhe as jetën. Unë u bëra aktor për të mos qenë i tillë, skena ishte e mbyllur, them për atdheun, ky ishte fati ynë dhe ne ishim qenie midis maskave të gjalla dhe këpucëve, na lëvizën siç deshën të tjerët dhe na hidhnin si te donin, tani sikur s’dinim të vetëvepronim”. Këto fjalë të Hektorit janë një epilog për jetën e tij dhe të babait, Moisiut. Shtjellohet pastaj në mënyrë më të zgjeruar atmosfera, përgatitjet për shembjen e teatrit; “Çdo vend ka teatrin që meriton”. Ka edhe mjaft faqe për këpucët e maskat: këpucët Van Gogh e këpucët Çaplin; maskat simbole të hipokrizisë, fshehjes së fytyrave të vërteta, tjetërsimit të njeriut. Me mjeshtëri është inkorporuar në roman edhe Atjoni, një figurë engjëllore në tokë e në qiell, mik i Irisit dhe Marinit. Figura e Nënë Terezes, kundrejt regjimit të egër komunist, shtetit ateist, mishëron më se miri virtytet e popullit tonë. Një murgeshë shqiptare diku larg po bëntëe me uratë atë që dikur e kishte bërë Skenderbeu me shpatë. Irisi dhe Marini japin shfaqje nëpër skenat e Europës, por tani janë duke u bërë gati për të shkuar në Ukrainë për të dhënë shfaqje atje. Tragjeditë, vuajtjet njerëzore sikur nuk kanë mbarim. Dhe ne krye të Ukrainës është një aktor, komedian, Volodimir Zelinsky.

Stili dhe gjuha e romanit

Romani “Këpuca e aktorit është një roman me një tematikë interesante e qasje moderne të të rrëfyerit me një gjuhë të pasur e të pastërt, shprehje të zgjedhura e me nënkuptime filozofike. Shkruar me një stilt ë lartëe, figuracion të pasur, ku mbizotërojnë simbolet, metaforat, antitezat. Është një lexim i këndshëm, një kronikë poetike për fatet e tre brezave të një familljeje dhe fatet e historitë e një vendi. Bota, jeta është një skenë e madhe teatri. “Jeta është lojë, – luaje – thënie e Shenjtores Nënë Tereza dhe njëherësh motoja e këtij romani.

Philadelphia, më 4 nëntor 2023

Sadik Elshani është ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Filed Under: LETERSI

“Kuçi, fshati i Kuvendeve”

November 4, 2023 by s p

Është interesante se vetitë thelbësore të qenieve të gjalla, që lindin, zhvillohen, ndryshojnë dhe vdesin, me dukuri fiziologjike pak a shumë të njejta, pavarësisht nga veçoritë e gjinisë a të llojit, janë në lëvizje dhe ndryshim të pandërprerë.
Por kur jeta të shtyn fort dhe të përplasë në valët e rrëmbyeshme të saj, edhe kur ti mendon se nuk ke forcë të ngrihesh dhe as të lëvizësh duart dhe këmbët, duhet të ngreshë kokën lart, të shtërngosh dhëmbët nga sikleti dhe të këqiat që merr nga lloji, tregoju të gjithëve ,se ende je i fortë, se ende mund të luftosh me shumë guxim.
Mos trego se ke frikë, mos prano që barra të ta thyejë kurrizin, që vuajtja dhe trishtimi të ta coptojnë shpirtin dhe trupin.
Mos u dorëzo kurrë, as kur të rrëzojnë, as kur të shkelin, as kur të thonë fjalë boshe nga më të pistat dhe këqiat. Bëj sikur nuk kupton. Le të mendojnë se janë ata më të fortë. Ti shikoi ata me krenari, edhe pse i rrëzuar dhe i dhe shkelur.
Pra ditë për ditë sfidoje jetën, tregoju të gjithëve vetëm atë mirësinë tënde që ke në shpirt. Do të vijë dita kur ti në shpirtin tënd do të ndjeshë vetëm kënaqesi dhe mirësi.
Do të vijë ajo kohë kur lotët e tu nuk do të jenë më të rëndësishëm për ty, as ditët e dhimbshme, as ajo barra famëkeqe e jetës, as ajo trysnia dhe nënçmimi, por vetëm ajo mirëqenia e brendshme do të jetë e rëndësishme dhe do të ketë rëndësi në jetën dhe shpirtin tuaj.
Do të vijë ajo kohë kur do të harroni vetminë, do të harroni trishimin që u kanë sjellë në jetën tuaj. Të gjitha këto do të jenë të parëndësishme dhe shumë të vegla për ju!
Kjo është pashtenja e librit me të ri të Sokol Demaku, “Kuçi, fshati i Kuvendeve”, një libër me eese, tregime nga historia shekullore e Fisit Kuç dhe lëvizja e tij historike nëpër trojet Arbënore dhe të bëmet historike të këtij Fisi me vecori fisnike dhe burrërore arbënore.
Një histori me plotë të dhëna historike mbi zhvillimin dhe përpaimin e Fisit Kuç dhe ndihmës dhënë për lirimin dhe clirimin nga zullumi dhe sundimi shekullor nga zaptuesit turk, sllav dhe ndjekja dhe keqtrajtimi edhe pse cdo here ky Fis ishte fisnik dhe human ndaj fqinjëve të cilët cdo here ia kthyen humanizmin dhe të mirën me dhunë dhe ndjkje dhe perndjekje nga trojet e tija jetike.
Autori për mrekulli benë përshkrimin e ngjarjeve dhe rrugëtimin historik të këtij Fisi nëpër trojet arbënore.
Besoj se nuk është në rregull të zbulloj tutje përmbajtjen por që vet elxuesi të hyj dhe zhytet në këtë histori mjaft të pasur të Fisiku Kuç.
Kuçi ka qënë simbol i qëndresës dhe mbijetesës së fisve shqiptare nga barbaritë e të tjerëve, qysh nga kohët më të vjetra, në bazë të të dhënave dhe shënimeve që ekzistojnë sot. Që në kohën e Kanunit të Labërisë, Kuçi do të dalë me qendresën heroike ndaj pushtuesve osman dhe do të jetë ky fshat me qendresen heroike dhe stoike për të kundershtuar barabarizmat osmane ndaj asaj popullate të pafajshme. Një qëndresë heroike, atje ne jug të atdheut, në Labërin trime.
Ja pra, gjatë gjithë historisë …
Gjatë gjithë shekullit të 18-të, Kuçi përballoi rezistencën dhe luftoi së bashku me fiset e tjera, me Hotin shqiptar dhe kelmendasit, kundër Perandorisë Osmane. Në këtë rezistencë është edhe Kuçi në malësinë e Tuzit, në Mal të Zi, i cili është një zonë gjeografike ku banojnë edhe sot fisi i malësisë të Kuçit, në pjesën lindore të Malit Zi. Ky rajon është i vendosur në veri-lindje të Podgoricës, dhe shtrihet përgjatë kufirit me Shqipërinë. Shumica e popullsisë së fisit është shqipfolëse.
Rajoni gjeografik e mori emrin e fisit, duke u quajtur historikisht Kuç.
Çdo herë kontributi i fiseve shqiptare, në luftë kundër turqve,u shpërblye nga pabesia e fqinjëve me gjenocid.
Kuçi së bashku me fisin Hot dhe fisin Kelmend, sipas të gjitha burimeve të shkruara ekzistuese, janë dokumentuar qysh gjatë shekujve XIV-XV, çfarë do të thotë se janë ndër fiset më të vjetra shqiptare në kohëra.
Në krahinën e Drenicës, të këtij fisi janë edhe banorët e fshatrave: Prekaz, Abri, Tërnac, Murgë, një pjesë e fshatit Tërdec dhe lagja Ferizaj në Mikushnicë. Edhe sot mbajnë lidhje farefisnore dhe nuk lidhin martesa. Janë së bashku në drekë e vdekë, ashtu siç thamë edhe për banorët e fshtarave Prekaz, Abri dhe Lutogllavë.
Dergoi: S.D

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT