Nga Prof. as. dr. Evalda Paci/
Përmbledhja me titull “Studime mbi autorë e vepra të patrajtuara në letërsinë shqipe” përmban disa punime që kanë objekt të vëmendjes autorë a vepra që prej vitesh janë pjesë e kërkimeve dhe e interesave studimore të kolegëve të Departamentit të Studimeve Letrare të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Kontributet që paraqiten si pjesë e kësaj përmbledhjeje studimore orientohen ndaj trajtimit të veprave dhe autorëve që duhet të kthehen në vëmendjen e studimeve kryesisht letrare, duke vënë në dukje për disa prej tyre arritje të deritanishme nga gjurmimet paraardhëse, por dhe shtysa për kërkime të mëtejme të thelluara. Në perspektivë të parashtrimit të trajtesave të mëtejme, që marrin parasysh dhe të tilla arritje në fushë të studimeve letrare, klasifikimet mbi çështje të modelit gjinor, apo saktësime mbi interpretime të së njëjtës natyrë të veprave që përfshihen në këtë vëllim studimor, mund të përbëjnë burime të vyera referimi për gjurmimet e thelluara mbi historinë e letërsisë së shkruar shqipe.
Në studimet e Laura Smaqit vijnë në vëmendje trajtimi autorë që nuk kanë gëzuar vëmendjen e duhur në trajtesat mbi letërsinë shqipe të viteve ’20-40 të shekullit të kaluar, duke u introduktuar dhe me argumentime të njohjes objektive të brendisë dhe të linjave tematike të veprave të tyre. Në një vështrim analitik e të përqendruar në elemente që e konkretizojnë këtë vëmendje të studiueses Smaqi, vepra në prozë të kësaj periudhe përafrohen me kujdesin e tërheqjes së interesit ndaj momentesh përmbajtësore që dëshmojnë dhe objektivat e shkrimtarisë së autorëve të marrë në shqyrtim. Dhe pse me dallime në pikëpamje këndvështrimesh a tematikash që shtjellojnë në veprat në prozë e që mund të klasifikohen në modele gjinore të afërta, trajtesat mbi këto vepra e profilet përkatëse autoriale përbëjnë një kontribut me vlerë të studiueses Smaqi. Motivet historike, por dhe ato të analizave karakteriale që lindin si të tilla dhe falë rrethanash me shtysë a motivim nga konteksti kohor, paraqiten si tipare qenësore në ndërtimin e veprave të marra në shqyrtim. Përbëjnë një element me vlerë dhe qasjet krahasuese mes autorësh të së njëjtës periudhë, për të kaluar më tej dhe në nënvizimin e dallimeve apo tipareve individuale në krijimtarinë e tyre.
Do të jenë në fokus të trajtesave të studiueses Smaqi autorë si Mehdi Frashëri, Llambi Dardha, Luigj Thaçi, Andon Frashëri, Ndoc Nikaj, Foqion Postoli, veprat e të cilëve janë marrë në analizë në një pjesë të veçantë të kontributit të saj, duke u parë dhe në një optikë të nënvizimit të kthimit të vëmendjes ndaj njohjes së krijimeve të tyre në prozën e shkurtër.
Pjesë qenësore e kontributit të studiueses Smaqi përbën dhe trajtesa mbi tipologjinë e veprave në prozë që shkruheshin në periudhën që merret në shqyrtim. Informacione të hollësishme sillen prej saj dhe në pikëpamje të botimeve të kohës dhe të indiceve gjegjëse bibliografike, të domosdoshme për të pasuruar panoramën shtjelluese përkatëse. Duke e pasur të qartë nevojën e informimit me elemente të brendisë e të organizimit përmbajtësor, por dhe me të dhëna nga kritika e kohës mbi krijimet në fjalë, shtjellimet mbi veprat e trajtuara paraprijnë analiza të mëtejme, që ofrojnë një kuadër më të plotë dhe mbi autorët e tyre. Vështrimet në fjalë dallojnë nga kujdesja për një trajtesë sa analitike e të kujdesshme, aq dhe objektive nën qëllimin për ta dhënë të qartë kontekstin e veprimit të autorëve të sipërpërmendur.
Me një analizë të hollësishme, por të nevojshme mbi kontekstin e përvijimit dhe tipare personazhesh që janë profilizuar me kujdes e objektiv të qartë prej autorit Josip Rela (1895-1966), vijnë sërish në vëmendjen e studiueses Smaqi çështje të studimit të romanit “Nita”, i veçantë jo vetëm për subjektin që përmban, por dhe për çështje faktorësh historikë që bëhen premisë për shtjellimin e këtij të fundit. Përforcon domosdoshmërisht trajtesën e mësipërme të koleges Smaqi dhe kreu me titull “Realizimi skenik i “Nitës””, që pasuron spektrin e njohjes kulturore ndaj vënies në skenë të një subjekti kompleks dhe unik, në të cilin figura e Nitës shfaqet me tipare brishtësie, por dhe qëndrese karakteriale, duke u kthyer në një simbol veçanësie femërore.
Në motivim të zgjedhjes për trajtim të një vepre të tillë, autorja e studimit ka sjellë në vëmendje të lexuesit analiza momentesh, rrethanash, por dhe karakteresh të cilat përbëjnë dhe linjën kryesore tematike të saj.
Në lidhje me çështje të historisë së shtypshkrimit dhe më tej, me trajtimin në këtë optikë të historikut të një ekzemplari të rrallë për studimet albanologjike e për historinë e letërsisë së shkruar shqipe, vijnë në këtë vëllim trajtesat e Evalda Pacit, studiuese e letërsisë së vjetër shqipe pranë Departamentit të Studimeve Letrare të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Shtypshkrimi si dukuri që ndikoi qartësisht në zhvillimet e kulturës së librit në Evropë në shekullin XV e më tej, i reflektuar në areale që për shumë arsye kishin lidhje dhe me viset ballkanike, pikërisht ku mendohet se lëvrohej dhe një kulturë e librit dhe e gjuhës së liturgjisë, përbën një prej tematikave të trajtuara nga E. Paci, e cila ka marrë në konsideratë dhe evidentimin e arritjeve më të fundit në lidhje me këto procese të natyrës kulturore e me ndikim në studimet letrare.
Konsiderimi i ndikimeve të dekreteve të Koncilit të Trentit (1545-1563), por dhe i rolit të figurave të veçanta që përfaqësonin autoritete të mbikëqyrjes së prodhimtarisë librore dhe në shekujt XVI-XVII është reflektuar në sythe të veçanta të këtij kontributi të E. Pacit, duke u konkretizuar dhe me tekste shembujsh nga burime përkatëse. Argumenti i përzgjedhur prej saj ofron hapësirë për hulumtime e më tej për interpretime mbi bazë tekstesh që në vitet e fundit u janë ofruar studiuesve për të pasur një orientim më të qartë mbi historinë e librit e të shtypshkrimit në shekujt XVI-XVII në Evropë e vise më të veçanta e në disa pikëpamje, ndikuese në zhvillimet e kulturës librore në gjuhën shqipe.
Një autor i lënë jashtë vëmendjes në veçanti në vitet e regjimit shtetëror totalitar në Shqipëri (E.Haxhiademi:1902-1965) vjen i analizuar hollësisht në mjaft aspekte, përfshirë elemente të rrugëtimit jetësor, por dhe çështje të shkrimtarisë e të përvijimit të modeleve gjinore të veprave të tij, që për arsye të tematikës, ndërlidhjes me forma të zhvillimeve evropiane në gjini të dramës a teatrit grishin ndjeshëm interesat studimore të kolegëve Arian Leka, Tomorr Plangarica. I trajtuar gjerësisht dhe në pikëpamje të brendisë së vepërzave të tij, të ribotuara në seri dhe në vitet e fundit nga kolana e botimeve Poeteka (përgatitur për botim dhe shpjegime nga A. Leka, S. Leka, H. Haxhiademi), i evokuar për formimin e veçantë që sërish reflektohet në shkrimtarinë e në profilizimin që rezulton nga analizat mbi këto të fundit, Etëhem Haxhiademi gëzon një vëmendje të spikatur në përbërje të këtij vëllimi studimor. Individualiteti i tij vjen në një optikë analizimi të vëmendshëm, që merr parasysh dhe gradualitetin përkatës në ecuri e formim, por dhe rrethana të veçanta që duheshin vënë në dukje dhe në kuadër të këtyre trajtesave.
Një reflektim i përpiktë, por mjaft i nevojshëm dhe i vyer i kritikës së kohës në lidhje me krijimtarinë e këtij autori përforcon më së miri dhe pikëpamjet e shprehura mbi këtë të fundit dhe tipare të përveçme që evidentohen në vepra konkrete. Në të vërtetë, dhe nënvizimi i një fakti qenësor mbi diferencimin kohor mes realizimit të veprave dhe më tej, daljes në dritë të shtypit, përbën një argument për t’u shtjelluar në vazhdë të saktësimeve mbi rrugëtimin si autor dhe individualitet krijues të Haxhiademit. Në kontributin e plotë të kolegut Arian Leka do të mund të vërehet dhe një kujdesim i qartë ndaj qasjes filologjike në vështrimet studimore mbi veprat e Haxhiademit, bashkë me dallime koncize në momente të caktuara të krijimtarisë së këtij të fundit.
Kontributi i kolegut T. Plangarica përforcon ndjeshëm përmasat e vështrimeve mbi shkrimtarinë e E. Haxhiademit, i orientuar dhe nga njohja e thellë e nocioneve mbi shkencat e ligjërimit dhe i nxitur mbi të gjitha të nënvizojë çështje të rileximit të veprave të këtij autori. Njohës i mirë i rrethanave jetësore në të cilat ky i fundit përvijoi profilin prej krijuesi dhe individualiteti të pajisur me një kulturë të rrallë për kohën, kolegu Plangarica shtjellon hollësisht momente domethënëse të biografisë, por dhe të domethënies së zgjedhjeve të tij personale, ndikuese dhe në rrjedhën e ngjarjeve të mëvona që lidhen me të dhe me kohën në të cilën jetoi. Gjithë trajtesa me titull Rileximi i dramatikës së E. Haxhiademit si tekst dhe diskurs (Prurjet në shkencat e ligjërimit, një mundësi më shumë për interpretime), e studiuesit Plangarica, përçon ndjeshëm ftesën për integrimin e duhur të krijimtarisë së E. Haxhiademit në studimet letrare shqiptare si dhe dallon për një terminologji të pasur në përveçime e elemente të një shprehësie të zgjedhur.
Në vështrimin e kolegut Virion Graçi vjen një autor i disidencës në kohën e regjimit totalitar në Shqipëri, pikërisht Trifon Xhagjika (1932-1963). Trajtesa në fjalë, e titulluar Koha e poezisë dhe e totalitarizmit: Trifon Xhagjika, përbën një kontribut origjinal, që synon dhe të jetë objektive në konsiderimin e literalitetit dhe të figuracionit në krijimtarinë e Xhagjikës, duke mos lënë pa vënë në dukje dhe rrethanat e largimit nga jeta të tij.
Kontributet e kolegëve që u përfshinë në realizimin e kësaj përmbledhjeje studimore përbëjnë një punë serioze dhe fryt të disa viteve kërkime dhe sprova në individualizimin e dukurive qenësore në lidhje me vepra për të cilat nuk ishte folur sa duhet, apo dhe për autorë që për arsye të ndryshme, nuk ishin vënë mjaftueshëm në optikën e studimeve letrare e në veçanti të atyre studimeve që lidheshin drejtpërdrejt me historinë e letërsisë së shkruar shqipe.
Në vëmendjen e recensentëve të punimeve të kësaj përmbledhjeje kanë ardhur çështje më specifike që përmbahen në secilin prej kontributeve të sipërcituara. Në përmasat e dy trajtesave që i përmbahen formatit të recensave që mbështeten mbi konsiderimin e përmbajtjes së punimeve të paraqitura, dhe këto të fundit përbëjnë dy ndihmesa me vlerë për secilin prej autorëve, aq më tepër kur recensentët kanë qenë pjesë e rëndësishme e historikut të Departamentit të Studimeve Letrare të IGJL. Janë vënë në dukje prej tyre çështje të veçanësisë së objektit të trajtesave të sjella nga secili prej autorëve, bashkë me vetë kontekstualizimin përkatës që u bëhet veprave apo autorëve që janë të përzgjedhur për t’u analizuar.
Prof. dr. Klara Kodrës dhe prof. dr. Shaban Sinanit u takojnë falënderime të përzemërta për vlerësimet dhe leximin e vëmendshëm që u kanë bërë punimeve të sipërpërmendura, që janë në vetvete shtysa për arritje të mëtejme mbi të njëjtët autorë, por dhe mbi periudhat përkatëse në të cilat këta të fundit përvijuan krijimtarinë e tyre.
Falënderime të ndjera u shpreh me këtë rast dhe kolegëve të nderuar që u bënë pjesë e kësaj përmbledhjeje dhe që konfirmuan në këtë mënyrë një bashkëpunim serioz dhe një frymë të ngrohtë
kolegjiale.