• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ANILA JOLE, GAZETARJA, MËSUESJA… VLERË E MËRGATËS SHQIPTARE NË GREQI

April 12, 2014 by dgreca

  Nga Abdurahim Ashiku/Athinë/

Ajo, Anila Jole, mësuesja, gazetarja me një zë të veçantë në emigracion, do të udhëtojë drejt Shqipërisë. …
“Nga Selaniku, për herë të fundit…” u shkruan Anila të gjithë miqëve në facebook…
          “Me mall për Shqipërinë, për njerëzit e saj, të afërm e miq, për punën dhe kolegët në News24, kthehem në vendin tim, pas 5 vitesh të bukura në Greqi.
Do më mungojë Selaniku ku lë shumë kujtime, miqtë e këtushëm, njerëzit e mirë që njoha, nxenësit e kolegët e mi të shkollës shqipe, por do të jem sërish në vendin ku kam ngulur rrënjët e nga i cili nuk u shkëputa kurrë mendërisht dhe shpirtërisht.
Jeta ka ciklet e veta dhe për mua u mbyll njëri prej tyre, me kaq vlerë, që më dha shumë dashuri dhe një përvojë të veçantë jetësore e profesionale…”
          Po kush është Anila Jole, kjo intelektuale me vlerë të jashtzakonshme për zërin shqip në mërgimin grek, kjo mësuese e pasionuar e gjuhës shqipe, kjo veprimtare në ballë të protestave për të drejtat e shqiptarëve në Greqi?
Unë i shkruajta në facebook se dëshiroj  që në Selanik ta takoj më 11 maj, në përvjetorin e 10-të të Shoqatës “Nënë Tereza e Greqisë”, në prezantimin e punës së saj përmbledhur në librin “SHKOLLA SHQIPE E SELANIKUT”, për t’i kërkuar që mos shkruaj “Nga Selaniku, për herë të fundit…”, të jetë zë i mërgimtarëve atje ku do të jetë, të mos e mbyllë ciklin e jetës që i dha “shumë dashuri dhe një pervojë të veçantë jetësore e profesionale…”.
          Shpresoj ta takoj dhe t’ia dëgjoj përditë zërin në efir tash ZË VENDLINDJEJE…
Më poshtë po përcjell Anila Jolen në meditimin e saj jetësor, meditim që do ta gjeni në faqet 98-102 të “SHKOLLA SHQIPE E SELANIKUT”  që sapo ka dalë nga shtypshkronja…

                   *                 *                 *

Kam lindur në vitin 1970 në Korçë, në një familje, ku babai im piktor, më nxiti dëshirën për artet, ndërsa nëna edukatore në kopësht, dashurinë për profesionin e edukatorit dhe mësuesit të të vegjëlve dhe ndoshta edhe për këtë arsye që në shkollën 8 vjeçare isha e prirur drejt lëndëve shoqërore e arteve si dhe dalloja në to.
Përveç mësimeve me të cilat shkoja shumë mirë dhe aktiviteteve jashtëshkollore, që aso kohe lidheshin me muzikën, vallen, apo recitimin, më pëlqente të shkruaja dhe jam dalluar për krijimtarinë letrare. Në klasën e tetë mora çmimin e parë në konkursin e shkollave të rrethit të Korçës, për dy poezi me titull, ”Qytetit tim” dhe “Fëmijërisë”.
Edhe në shkollën e mesme isha shumë e prirur në lëndët e gjuhës shqipe dhe të letërsisë dhe dëshira ishte që të studioja në këtë drejtim. Dëshira m’u plotësua, falë rezultateve të mira dhe në vitin 1994 mbarova fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë Letërsi në Tiranë, duke realizuar njërën nga ëndrrat e mia.
Menjëherë pas përfundimit të studimeve, u punësova si mësuese e gjuhës në shkollat 8 vjeçare të disa komunave në rrethin e Korçës, nga ku megjithë vështirësitë e rrugëve të gjata në këmbë, në dëborën e dimrit të asaj zone, ruaj kujtime shumë të ëmbla.
Puna me fëmijët për mua është diçka shumë e veçantë, e cila përveç përgatitjes profesionale, kërkon shumë përkushtim, durim dhe mbi të gjitha dashuri për ta. Jam përpjekur t’i reflektoj këto në punën me nxënësit e mi, prej të cilëve gjithashtu kam marrë shumë dashuri.
Ata fëmijë, të cilët në vitet ’94-’95 ishin nxënësit e mi, sot janë rritur, janë bërë prindër dhe mbajnë kontakte të vazhdueshme me mua, duke ruajtur kujtime dhe konsiderata për kohën e shkollës.
Por siç thashë, mësuesia ishte një nga ëndrrat e mia, tjetra ishte gazetaria.
Që në vitet e Universitetit, u punësova si bashkëpunëtore e jashtme në Radio-Korça, dhe 2 vjet pas përfundimit të fakultetit u emërova gazetare me kohë të plotë, në këtë institucion, i cili më pas u bë Radio Televizioni-Korça.
Duket sikur ka një shkëputje nga profesioni im i parë, por nuk duhet harruar se baza e të dyjave, mësuesisë dhe gazetarisë, janë publiku dhe komunikimi, përcjellja e mesazheve si dhe gjuha zyrtare shqipe.
Pas një viti pune në Radio-Korça u zhvendosa në Tiranë ku punova si gazetare në media të ndryshme, duke nisur nga Radio dhe televizioni Koha, News 24 dhe Top Channel. Qëndrova atje deri në vitin 2010.
Por dashuria për mësuesinë dhe fëmijët, flinte tek unë, për t’u zgjuar aty, ku kurrë nuk më kishte shkuar mendja; jashtë Shqipërisë. Në vitin 2010 zhvendosem në Selanik për të jetuar me bashkëshortin tim. Një vit më vonë, mësoj se në këtë qytet funksionon një shkollë vullnetare shqipe, nën kujdesin e Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza”. Ishte rastësi takimi me kryetaren e shoqatës Valbona Hystuna, e cila e mirëpriti kërkesën time për t’u bërë pjesë e stafit të shkollës. Kështu, që prej janarit 2012 jap edhe unë kontributin tim.
Çdo të diele, në orën 11:00, me shumë kënaqësi, ndodhem në mjediset e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “Aristoteli” në Selanik dhe së bashku me kolegët e mi, jap mësim për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Eshtë një nga ngjarjet më të bukura të javës mësimdhënia në shkollën e Selanikut. Fëmijët janë aq të mirë, të sjellshëm e të dashur dhe kanë shumë dëshirë për të mësuar mbi gjuhën shqipe dhe Shqipërinë. Fëmijët i kam dashur dhe i dua shumë, por puna me fëmijët shqiptarë në Selanik më sjell një emocion të veçantë, që nuk e kisha provuar më parë.  Emocionet dhe përjetimet nga aktiviteti në këtë shkollë i ndaj shpesh me lexuesit e agjencisë Balkanweb dhe shikuesit e televizionit News 24 në Shqipëri, për të cilat punoj si gazetare-korrespondente nga Greqia. Nëpërmjet shkrimeve dhe raportimeve të mia, publiku në Shqipëri mëson më shumë për punën tonë në Selanik dhe të kolegëve në të gjithë Greqinë, që prej vitesh në mënyrë vullnetare japin mësimin e shqipes, me dëshirën e mirë, që fëmijët të mos harrojnë gjuhën e të parëve, të njohin vendin e origjinës, pavarësisht se në cilën anë të Botës do t’i çojë jeta e gjatë …

Maj 2013

Filed Under: Mergata Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Anila Jole, ne Athine, vlera e mergates shqiptare

PAK FJALË PËR MËSUESIN E MERITUAR, SEJDI N. GASHI

April 5, 2014 by dgreca

Hallet e vogla dhe të mëdha kanë prekur gjithë Kosovën. Mërgimi, kjo plagë e lashtë e njerëzimit, s´ka lënë vend pa e prekur edhe popullin tonë të shtypur e të copëtuar. Njeriu lind i mërguar, shkruan në librat e shenjtë. Mërgimi i parë, ndodhë, kur fëmija shkëputet nga barku mëmësor i mamasë. E krejt mëpastaj, fillojnë hallet dhe mërgimet e pareshtura. Luftërat, humbjet dhe pushtimet, janë ( prodhuesit ) më të mëdhenj të mërgimit. /
 Nga Rrustem Geci – Dortmund/Mërgata shqiptare në Evropë, Amerikë, dhe Australi, numerikisht është tragjike. Hemorragjia e popullit tonë përmes mërgimit, vazhdon të jetë shqetësuese. I mërguari kudo që ndodhet, shprehet mësuesi, shkrimtari dhe patrioti, Sejdi N Gashi, e merr kujtimin e tij për atdheun dhe betimin e tij për lirinë. Janë hallet e vogla dhe të mëdhatë, që unë mora vendim ti bashkohem vëllëzërve të mi, mërgimtarë, shprehet mësuesi, Sejdi N Gashi.
Jeta e mësuesit në mërgim rrëfen Sejdi N Gashi, është përplotë akte dramash të rënda. Humbja e gjuhës, zvogëlimi i shprehjeve të fjalës shqipe nëpër familjet e mërgimtarëve, e veçmas tek fëmijët e tyre, vazhdon të jetë e dhimbshme. Mërgimin kurrë s´e kam dashur më thotë Sejdi N Gashi. Por, mërgimi më ndoqi gjithë jetën. Kontributi im, dhënë arsimimit të fëmijëve tanë në mëgim kujtoj se është i vlerësuar. Janë shumë mirënjohje për punën time. Por, ajo ma kryesorja është mirënjohja e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosvës, dhe e prindërve të nxënësve me mësim plotësues në gjuhën shqipe.
Biografia e punës dhe veprimtarisë të mësuesit Sejdi N Gashit është e gjerë. Ai për 44 vjet mësues nuk reshti kurrë të mbjellë dritë e dituri tek ma të vegjëlit, tek ma të ndjeshmit, tek shpresat e Kosovës.
Sejdi Gashi u lind më 12 shkurt 1947 në Peran të Besianës-Kosovë.
Familja e tij vjen nga fshati Buzëllap ( Doberdol ) i Besianës të cilët ishin shpërngulur në Turqi në vitin 1925. Pas dy vitesh qëndrimi në Turqi, kthehen në Kosovë dhe vendosen në Prishtinë, ku jetojnë edhe tani.
Sejdi N Gashi, shkollën fillore, të mesmen, dhe Shkollën e Lartë Normale i kreu në Prishtinë. Ndërsa, gjermanishten, në Institutin Gëte në Frankfurt. Për 20 vjet të plota, Sejdi N Gashi, punoi mësues në Keçekollë dhe Prapashticë të Gallapit dhe në Magurë të Lipjanit. Gjatë kësaj periudhe u dallua në punën edukativo arsimore me nxënës, dhe në aktivitetet të lira.

Sejdi N Gashi, në vitin 1989 emërohet mësues në Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Gjermani, në qytetet Gelsenkirchen, Münster, Bocholt, Dorsten, Herten ,Varendorf e Recklinghausen të Landit Vestfalia. I edukuar me frymën atdhetare e patriotike të familjes, dhe kyqjen e tij në Lëvizjen për liri të Kosovës, Sejdi N Gashi, nuk i ndahet librit dhe edukimit të nxënësve.

Jeta e mësuesit shqiptar në mërgim ndiqej vazhdimisht nga hafijet e UDB-së. Por, Sejdi N Gashi nuk jepet, vargjet e Naim Frashërit, “Dritë e diturisë, përpara do na shpjerë.. për mësuesin Gashi, ishin himn për punë dhe në jetën e tij. Vlimet e mëdha në Kosovë, mësuesin Sejdi Gashi, do ta bëjnë edhe më të fortë.

Në Gjermani, mësuesi Sejdi N Gashi, për 24 vjet nuk reshti kurrë së punuari. Për 24 vjet Sejdiu nxjorri 24 gjenerata nxënësish shqiptarë, në Gelsenkirchen, Münster, Bocholt, Dorsten, Herten dhe Varendorf e Recklinghausen.

Për punën e bërë mirë dhe si duhet, Sejdiu ishte i adhuruar nga nxënësit dhe i vlerësua nga prindërit e tyre. Vlen të theksohet se me dhjetëra nxënës e nxënëse të mësuesit Sejdi, janë në Universitete dhe kanë mbaruar Universitetet. Me punënë e bërë dhe angazhimin e tij, nxënësit e Sejdi Gashit, u shpërblyen disa herë në konkurset e diturisë, dhe konkurset letrare, si në Këln, dhe në Berlin.

Roli i mësuesit shqiptar në mërgim është shumë i madh. Shkolla ishte dhe mbetet vatra e të gjitha aktiviteteve, kulturore, arsimore, humanitare dhe patriotike.

Duhet theksuar se mësuesi Sejdi Gashi, është njëri nga themeluesit e parë të Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Gjermani. Ky institicion profesional i mësuesve shqiptarë në Gjermani që nga viti 1990 organizon mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe është i pranuar nga organet arsimore gjermane.

E thamë më lart se Sejdi N Gashi, është shkrimtar, mësues dhe patrot.

Sejdi Gashi është autor i Monografisë; 1. Shkolla shqipe në Gjermani, 2. Qëndresa, 3. Fletore pune – leximi im 3 / 4. 4. Leximi im 3 / 4, 5. Plotësori i Abetares, 6. Abetare për fillestarët në mëgrim. Mirëpo, aktiviteti krijues i Sejdi N Gashit nuk mbaron me kaq. Mësuesi Sejdi, shokun më të mirë e ka librin. Sejdi N Gashi bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat në mërgim. Sporti për mësuesin e zellshëm Sejdi Gashi, është një dhunti e tij prej moshës së vogël e deri më sot. Mësuesi 67 vjeçar, Sejdi N Gashi, është një figurë e mësuesit të respektuar. Sukses Sejdiut, dhe gjithë të mirat!

Filed Under: Mergata Tagged With: PAK FJALË PËR MËSUESIN E MERITUAR, Rrustem Geci, SEJDI N. GASHI

S H Y T A

April 2, 2014 by dgreca

 Ngjarje të treguara në një familje devollinjsh në qytetin Everest, Mass…./

Nga ROZI THEOHARI, Boston/                   

Dimri i ashpër northistian, i dëgjuar për të ftohtit, dëborën e shumtë dhe tufanet paniksjellëse, shpesh i mbledh shqiptarët e Bostonit me rrethinat, tek shtëpitë e njëri-tjetrit, duke sjellë gjithsecili ngrohtësinë e zemrës e të shpirtit e duke qenë së bashku, sikur i përvidhen stinës së egër. Shumë prej tyre tani kanë shtëpitë e veta me verandë e vatra zjarri; ulen rreth vatrës burra e gra, me ndonjë gotë raki (të ardhur nga Shqipëria) e biseda tirret e merr zjarr…

U ndodha në një nga këto vizita në një familje devollinjsh në qytetin Everest, Mass. Ndrioja, i zoti i shtëpisë, dhe burrat e moshuar, duke rrufitur raki në gota të vogla ia kishin shtruar bisedës rreth kujtimeve nga koha e vegjëlisë, kur vrisnin zogj me llastika buzë lumit e kur shkelnin jonxhat e perimet e gradinave të fshatit, duke ndjekur hap pas hapi fluturimin e rabeckave. Ato gradina, bahçe e jonxhishte… të cilat sot nuk i mbjellin më duart e tyre e kushedi se kush i ka gëzuar! Në vargun e fotografive të varura në mur dallohej, e zmadhuar,fotografia e një burri thinjosh, që tërhiqte për litari një dash të bëshëm brirëpërpjetë. I drejtova Ndrios një buzëqeshje pyetëse rreth asaj fotoje dhe ai, pasi e ktheu me fund gotën e rakisë, filloi të na tregonte: “Eshtë im vëlla, Peroja, me dashin e tij të vetëm; them të vetëm, se vëllaçkoja, më i madh nga unë, as u shkollua, as u martua, as hapi familje. Jetonte i vetëm aty në fshat, në shoqëri të një tufe dhensh. S’mund të them se ishte i gëzuar, por edhe i dëshpëruar s’ishte.Me të ardhur “tufëzimi”, dhentë filluan t’i firaksnin e i mbeti vetëm dashi. Donin t’ia merrnin edhe dashin. Ai sa s’plasi.Atëherë isha oficer në Tiranë, më dërguan ultimatum të paraqitesha menjëherë në mbledhjen e kooperativës. Vajta. Iu luta vëllait ta shporrte atë dash të shkretë. Por Peroja ngulte këmbë si mushka: “Nuk e jap e nuk e dorëzoj dashin”. Fjalët e mia i merrte era. Nuk bindej.

“Nuk të vjen turp!, – iu hakërrua Peros kryetari i kooperativës, të ka ardhur goxha vëlla që nga Tirana, kryeqyteti.” “E po mirë, – ektheu pllakën Peroja, unë dashin e doja ta bëja pastërma, meqë u dashka t’ia fal kooperativës, le të zotohet im vëlla, që ka ardhur nga Tirana se do të më dërgojë mish një vit të tërë dhe e jap dashin!

“Hajde, mirë se na keni urdhëruar, ju ardhshim edhe në shtëpitë tuaja, – uroi Ndrioja, – le ta kthejmë një gotë për tim vëlla dhe tufën e tij, që i vjen nga pas dashit, siç e shihni në fotografi që sapo ma ka dërguar.”

Tema “bagëti e bujqësi” solli atë natë tregime e kujtime hokatare e të trishtueshme, me të cilat, sidomos fshatarët, kanë një përvojë të gjatë pune e jete.

Edhe mua, kur po kthehesha në shtëpi, “drama” e Peros me dashin e tij më kishte bërë përshtypje. Hamendja se dikur e kisha dëgjuar këtë ngjarje, më solli në gjasë se unë vetë e kisha shkruar më parë një histori pak a shumë të ngjashme. Hapa e kontrollova sirtarët e, së fundi,

e gjeta tregimin për dhitë e Maros, të cilin nuk e mbaja mend në e kisha botuar apo jo.

 

* * *

 

Mbrëmja e asaj dite e gjeti Maron si gjithnjë, ulur te guri i latuar më të djathtë të pragut të shtëpisë, duke pritur t’i ktheheshin nga mali “bijat”, siç i quante dhitë e saj, ndërsa bluante e përbluante mendime, bënte hesape herë me gishtat e duarve, herë me hamendje, ashtu siç e ka

huq, dert e zakon pleqëria.

Një hënë e paformë sapo doli mbi pyllin me ah, si për t’i bërë dritë një djali të ri që qëndroi dy hapa para plakës. Ai u bë gati të shkruante në një bllok me fletë të shpërveshura dhe u përkul para:

-Sa dhi ke ti Maro?

-Asnjë… pse… nuk ia dhashë dy dhitë dimrin që shkoi,kooperativës? – iu përvesh Maroja.

Ajo u ngrit vërtik me atë trupin e bëshëm që akoma nuk i ishte dorëzuar pleqërisë, duke i dhënë të kuptonte atij tjetrit se muhabeti kishte mbaruar.

Qëkur i iku djali i vetëm, Sotiri e filloi punë në qytet, teto Maroja banonte fillikat në një shtëpi të madhe dykatëshe në të hyrë të fshatit, shtëpia e prindërve, gjyshërve, ndoshta e stërgjyshërve, e cila, sapo vinte maj-qershori, buçiste nga këngët, thirrjet e piskamat e nipërve e mbesave që vinin nga qyteti. Kur iknin në vjeshtë, merrnin edhe Maron me vete, por një zot e di se si qëndronte plaka ata muaj mërguar në apartamentin e qytetit, larg shtëpisë, kumbullave e dhive. I flisnin dhe e qortonin të gjithë, të afërm e të largët, se mjaft kishte punuar tërë jetën,tani le të rrinte rehat e të çlodhte kockat, por ajo s’dëgjonte nga ai vesh.

Pa ardhur mirë pranvera, plaka kthehej në fshat bashkë me dallëndyshet e para, merrte në dorëzim nga Lisa, fqinja e saj me besë, katër dhitë, tri pulat e maçokun  qimezi, hapte dykanatësh derën e shtëpisë, lante e pastronte, priste e përcillte, çmallej me frymorë e jofrymorë, deri edhe

me ibrikun e vogël që shfrynte gëzueshëm majë sobës.

Të nesërmen, në pikë të agimit, teto Maron erdhën e lajmëruan se e kërkonin lart, në zyrat.

Plaka mbërtheu buzët, hodhi shallin kokës e sakaq u gjend para tavolinës ku shoku Koçi po lexonte gazetën me nge. Ai ngriti kokën e filloi të fliste duke u nxehur pak nga pak, por edhe tallakeqas.

-Që t’i kemi sahanët pa kapak, plakë, boll të kemi duruar deri sot. Dhitë do t’i dorëzosh në tufën e kooperativës. Ky është urdhër.Pikë.Ajo ndjeu cermën t’i përshkojë pulpat. Një avull në formë alivani iu ngjit deri në fyt, pastaj mori përpjetë deri në flokë. Hoqi me vërtik shallin e zi nga koka.

-More… more… po na flet me kordhë, ky! Dhitë s’i jap.

Edhe mua më urdhëron kjo, zemra këtu, që po më kullon gjak!…

-Kaluan gjashtë muajt që të kemi paralajmëruar! – iu hakërrua ai.

-Poo! Më thirrët në palcë të dimrit. Erdha nga qyteti copë e gojë.

Ju dhashë dy. Për tufën. Flokët m’u ngritën tufë kur pashë dy beronjat

e mia bashkë me dhitë e zgjebosura të Milisë së Thanit. Hajde, de!

Duro të durojmë. Makar të ishin edhe sot, të zgjebosura. Po ato

ngordhë!

 

 

-Ngordhën nga dimri! – nuk u përmbajt ai. – Megjithëse i mbuluam

mirë!

-Mbuluar zeza! – uluriu ajo. – E bëtë vënçe. Ngarkuat gratë me

dërrasa. U ngul Lisa e gjorë me gjithë dërrasa në dëborë. U tartaros

nga të ftohtit. Desh i ra tastëngu… Turp! Se s’prisnit dot! Ç’vallë vinte

behari… Kurrë…

Disa çaste më vonë plaka ishte kthyer nga kishte ardhur, e tek

rrinte ulur te guri i latuar i pragut të derës, priste ndër ethe “vendimin

kolegjial”, siç i patën thënë. Shyqyr, trutë i kishte akoma në vend. Dërgoi

e thirri xha Todin: “Bëhet pastërma në gusht?” E bëri me mend shpejt e

shpejt që njërën dhi ta therte, Shytën ta ruante. “S’bëhet, moj Maro,

s’bëhet pastërmaja në gusht, se mishi zë krimba!” “Ikni atëherë jepni

haberë se njërën dhi do t’ua jap. Shytën e kam për vete. Në ju hëngshin

brirët, le të ma kërkojnë!”

 

Shytën… Lëmshi i kujtimeve në trurin e saj filloi të shpështillej me

furi. Diku ajo e ndali. Aty ku donte. Jetën bashkëshortore e nisi me një

udhëtim në SHBA, Uster. I shoqi kishte fituar ca pare kurbeteve dhe

dëshironte që vitet e para të martesës t’i kalonin së bashku. Me gjithë

kundërshtimin e këmbënguljen e burrit, Maroja, e mori një pjesë të

pajës andej, “prapa diellit”, siç e pat quajtur Amerikën, ditën e parë të

nisjes. Me shtresat e qëndismat zbukuroi dy kthinat e ulëta të një shtëpie

përdhese marrë me qira, madje sajoi për merak edhe një vatër me

oxhak, kamare e buhar. Mërgimtarët mblidheshin shpesh rreth asaj vatre,

uleshin këmbëkryq mbi shiltetë e Maros, çmalleshin me vatanin, kujtonin

e rrëfenin me zemër të cërritur histori, bëma e ndodhi, përloteshin nga

malli për gratë e fëmijët. Përlotej edhe Maroja e ngrihej si pa u vënë re

nga kuvendi i burrave, hynte në kthinën tjetër që shërbente si kuzhinë,

dridhej e përpëlitej nga ofshamat e dënesat që i rëndoheshin në shpirt,

pa vinte në vete shpejt kur ndiente lëvizjet e trembura të fëmijës në

bark. Mblodhi e mblodhi sa diti zemra e saj e një ditë i tha të shoqit:

“Do të kthehem në Shqipëri. Më ka zënë malli për Shytën!”

 

Burri, që ia dinte kokën Maros, nuk bëri as përçapjen më të vogël

për ta mbajtur: i dha navllon dhe e nisi në shoqërinë e disa

bashkëfshatarëve.

 

 

 

Kur u kthye në fshat, para se të përshëndoshej me të gjallë e të

vdekur, Maroja e mbajti frymën te kroi i bilbilit, e pllaquriti fytyrën në

shurupuqin gurkalitur e piu me etje, ëndje e dëshirë, si të pinte në zemrën

e saj gjithë atë kohë abrashe që ia kishte ndarë jetën më dysh e që nuk

donte t’ia shihte sytë më. Pastaj, me po atë kënaqësi mori përpjetë

dushkajën ku e priste qimekuqja beronjë, Shyta e saj.

 

Shtëpia e Maros ishte e njohur në krahinë për tufën me nam të

dhive që rriste. Denbabaden u shkonte mbarë kjo kafshë e sertë, por

që gjyshërstërgjyshët “ia dinin” gjuhën e tarbetet.

Ku gjeje qumësht si qumështi i dhive të Maros, lesh si kozinë e

dhive të Maros, pastërma për nishan si mishi i ftujave të Maros!

Veç të shihje tufën kur dilte të kulloste në korijëzën e dushkut,

duke prirë i pari cjapi sykaproll që çapitej rëndë-rëndë me një zile

katër okare në qafë. Pas tij kapërdihej Shyta – zonjë –beronjë (zgjidhej

midis dhive në çdo 4-5 vjet e ruhej si kanakare) më pas bridhnin “të

disiplinuar” ca ftujakë e ca mjekroshë, ca dhi bripërdredhura e keca të

cilëve u lodronin si gogla vëthët në qafë, pa më t’u skuqte e ndriste

qimja që atje tutje, si t’i kishe larë me këna e t’i kishe fërkuar me vaj të

mirë.

 

Këmbora e cjapit i bënte iso për bukuri këngës së mëllenjave e

ku-ku-ve të qyqes së dukur e të zhdukur, gurgullimës së përrenjve

qumështorë, fëshfërimës tantellore të gjethit të sapoçelur në pyllin e

pafund të ahut, e të gjitha këto zëra, zhurma, ngjyra, vakësira, aroma,

bashkoheshin e shkriheshin në një himn të magjishëm që ia rrëmbente

shpirtin Maros e ia ngrinte aty ku fluturonin zogjtë e retë. Ajo rrinte

shtrirë çaste të tëra mbi lëndinën luleshtrydheqëndisur apo mbështetej

pas trungut të një ahu të moçëm, mendonte, kujtonte e “ripërtypte”

kujtime…

 

Portreti e gjithë shtati i saj, s’kishte si të ndodhte ndryshe, kishte

marrë diçka nga format, ngjyrat e nuancat e mjedisit baritor. Sytë bojë

vaji të errët ishin ngjyer ndër lëndinat e bredhishtat ku kulloste dhitë,

harku i kërleshur i vetullave ishte “vepër” e stinëve, cipa e bardhë e

lëkurës – pasqyrë e bulmetit, ndryshku i flokëve – shkëlqim i praruar i

 

 

 

tufës, balli pak i shtypur në tëmtha kujdesi i nënës që në djep për t’i

qëndruar mirë shamia e mëndafshtë blu me hoja e kostumit të krahinës.

Gjinjtë, vithet e pulpat e rrumbullakëta të kujtonin gombolet e djathit të

saponxjerrë taze nga napat e kozinta.

 

E kishin lakmuar mjaft djem të fshatit, por i ra shorti të martohej

me një kurbetli, që mesa tregonin bathët, andej, matanë diellit, kishte

për ta puthur kopaçen. Jo më kot ajo ia vuri emrin të birit Sotir, për ta

kujtuar të shoqin në të gjallë e në të vdekur, në të mirë e në të ligë…

 

Plasi lufta. Drurët, ca i prenë, ca u thanë. Prindërit e Maros, ca të

lodhur, ca të plakur, s’ishin as për punë, as për zanat. E bija mori frenat

e shtëpisë, u bë burrë e shkuar burrit. Rri Maroberonja pranë pasqyrës,

lyen fytyrën me hi, hedh shaminë e zezë deri mbi vetull, përkul kurrizin

përpara. Kush hyri e kush s’doli nga konakët e saj, miq e armiq. Pulave

u mbetën vetëm puplat në mangall, kecat u shkuan në hell në mes të

oborrit, secili sipas qejfit, gustos e midesë. Gjermanët përdridhnin buzët

nga mishi i dhisë, begenisnin vetëm dy kofshët e pasme, pjesët e tjera i

groposnin. Të tjerëve u vinte më përdoresh “ti bënin ysmetin” mishit e

kockave. “Ju çaftë ujku!” – mallkon Maroja me një zë sokëllitës. Shytën

-beronjë ajo e kishte fshehur mirë në ahurin më të thellë të plevicës.

Ajo lutej e falej përditë: “Duro të durojmë, nga kjo luftë në më

shpëtoftë gjallë djali dhe Shyta – beronjë, s’ka si unë në dynja!”

Dhe … siç dëshiroi, gjalpi mbeti në lakror. Djali gjallë e shëndoshë,

Shyta – beronjë u mbajt me cjapin më të mirë të fshatit e polli dy keca

pullalesha…

 

… Plaka ndjeu ta tundnin lehtë për supi. Atëherë e mblodhi mendjen

për se ai djali i ri me bllokun në dorë kishte minuta të tëra që rrinte në

këmbë dhe e vështronte.

 

-Do të ta marrin edhe Shytën! – belbëzoi ai.

-S’i keni bërë ditët! – thirri ajo.

… Kaluan dy ndajnatëherë që Maros nuk iu kthye Shyta në shtëpi.

Kaluan dyzet e tetë orë pa ritin e përditshëm, pa kënduar këngë gjatë

mjeljes së Shytës, pa fërkuar dhe larë kozinën e Shytës, pa ndier në

 

 

 

pëllëmbë gjuhën e hollë të Shytës, pa dëgjuar blegërimën ëndjesjellëse

të beronjës së saj.

 

Plaka vuri kujën. Ditën e tretë erdhi nga qyteti Sotiri, por në vend

që ta ngushëllonte, nënës iu rëndua më tepër hidhërimi.

I biri u ngjit lart, në zyrat e kooperativës, e u takua ballë për ballë

me shokun Koci.

 

-E keni përkëdhelur atë plakën më tepër nga ç’duhet, – i tha ai.

-Shoku Koci! Në ka mundësi, të blejmë një dhi me të cilën do të

zëvendësojmë Shytën. Ju lutem, kthejani nënës. Atë e ka më tepër se

fëmijë! T’i marrësh Shytën, është njëlloj si t’i marrësh jetën!

-Jeni borgjezuar ca ju andej, nga qyteti. Duket sheshit. Më vjen i

biri i botës, po më shet mend e më detyron të shtrembëroj ligjin! – iu

ndërsul Koçi.

– Në radhë të parë, unë jam bir i këtij fshati, tok jemi rritur, tok kemi

mësuar e bredhur, e, vendin e kam akoma këtu!- s’u dorëzua Sotiri.

– Dëngla! Atëherë si bën vaki që mbani një shtëpi në fshat dhe një

në qytet? Detyroni një copë plakë njeri të rrojë si miza në qyp këtu në

fshat, që t’ju ruajë shtëpinë dhe qumështin të ngrohtë kur të vini për

verim. Po … keni për të parë. Pas Shytës do t’ju marrim edhe shtëpinë…

Pushteti jam unë këtu! –kërcënoi ai.

Në ditët që pasuan, Maroja u mbyll brenda e nuk pranonte të

bisedonte me askënd, e pushtuar me një ndjenjë zbrazëtie dhe

braktisjeje. Më kot lodheshin fqinjët tek hekurat e dritares, i luteshin e

mundoheshin ta bindnin e ta ngushëllonin, se, kushedi ç’sjell sahati, s’e

sjell moti, ndoshta do të kishte fatin të shihte përsëri Shytën…

 

Dhe me të vërtetë, Shyta u nda një ditë nga tufa në mal dhe u kthye

në shtëpi me një trokth të shpejtë e të zhurmshëm, qimepërpjetë e

syegërsuar, duke shfryrë e rënkuar, aq sa të mos i shkonte ndërmend

njeriu t’i dilte përpara e t’i priste rrugën.

 

Me të dëgjuar blegërimën e saj në të qarë (që mund ta dallonte në

një mijë të tilla) Maroja u gjend në rrugë e iu ul mëgjunjazi kafshës së

gjorë. “Më erdhe, moj bijë! T’u bëftë nëna!

Gëzove zemrën e plakës, moj ftujëza ime, kurban!”

Sapo preku trupin e saj me duart e dridhura, plaka i dalloi vendet

 

 

 

 

ku e kishin rrahur e shembur, rënkoi kur vërejti se qe dobësuar e se i

ishte ashpërsuar qimja.

 

Shyta futi turirin në xhepin e përparëses së Maros e filloi të bluante

me nofulla, ndërsa plaka vështronte e mrekulluar herë fërgëllimin e trupit

të saj, herë sehirxhinjtë që tashmë po rrethoheshin. Ato të dyja, kafsha

e njeriu, po rrinin të strukura e të mbështetura tek njëra-tjetra, ndiqnin

frymëmarrjet, vështroheshin dhe kuptoheshin aq mirë me sy,

përdëlleheshin për njëra-tjetrën dhe, në të njëjtën kohë, prisnin me ankth

çastin e hidhur të ndarjes.

 

Çasti erdhi, ndoshta më parë nga ç’e kishin parandier. Çdo gjë u

krye aq shpejt! Mbërritën dy çobanë të rinj me nga një shkop të thantë.

Në fillim përdorën duart për të shkëputur kafshën nga plaka. Por, kur

nuk ia arritën kësaj (njërit i mbeti në dorë mjekra e Shytës), shkopinjtë

bënë punën e tyre mbi gëzofin e kuqërremtë.

 

Ulërimat e Maros u përzien me blegërimën therëse të kafshës. Më

pas në rrugicën e shkretuar dhe të errët u dëgjuan vetëm rënkimet e

plakës, e cila u ngrit me lebeti e u drejtua çalë-çalë në oborr. Njerëzit

ishin mbledhur përsëri. Njëri syresh ndali krahun e çobanit. Shyta kishte

ngordhur.

 

Plakës nuk i thanë, por ajo e kuptoi nga mërmërima revoltuese që

doli prej buzëve të tyre. Mblodhi të gjitha forcat e i dha trupit përpara.

Gjaku i pulsonte në tëmtha. U çapit deri te gardhi, u mbështet tek një

vastangar, e, me moskokëçarjen e një të dëshpëruare, tha: “Do të vdes

edhe unë”.

Zuri shtratin e s’ngriti kokë më. Erdhi i biri e mori me taksi.Vdiq tre muaj më vonë, kur filluan ngricat e para. Gjatë gjithë kohës kthente kokën nga mali dhe me mundim të madh ngrinte gishtin tregues.

Nga dy zgavrat e thelluara, sytë që shihnin në boshllëk, dukej sikur e

shponin malin tej për tej. Ditën që vdiq, në dritare trokëllitën disa kristale

të vogla bore.

 

Boston, 2004

 

Filed Under: Mergata Tagged With: ne Mass, ngjarje te treguara, Rozi Theohari, Shyta

DIASPORE-Sa bukur tingëllon gjuha shqipe në dhe të huaj

March 31, 2014 by dgreca

Kjo për mua është një eksperiencë e madhe dhe një shembull i mirë se si duhet të punoj edhe komuniteti shqiptar në Greqi, tha Bardha Mance, udhëheqëse i programit në gjuhën shqipe në Radio International në Athinë.- U promovuan shtatë libra të krijuesve shqiptar në Suedi dhe u ndanë shpërblime për poezitë më të mira për vitin 2013/

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Geteborg, 31 mars- Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi i XI Albani” dhe QKSH “ Migjeni” organizuan në Boros të Suedisë manifestimin kulturor “ Sofra poetike”,në të cilën morën pjesë intelektualë, krijues, publicistë, gazetarë, mysafirë të ftuar dhe bashkatdhetarë të shumtë. Këtë manifestim e nisi mbarë moderatorja Saranda Iseni duke krijuar një atmosferë të gjallë e të këndshme, me një të folur të pastër të gjuhës shqipe, me një renditje të mrekullueshme të të gjitha pikave të përgatitura me këtë rast, me batuat e saja, befasitë dhe me recitimin e bukur të poezisë të Hysen Ibrahimit “ Engjulli i dashurisë”.

Puna konkrete dëshmon për rezultatet e arritura

-Këtë manifestim e shoh dhe e çmoj lart si një veprimtari e cila ka për qëllim që ta kultivojë e ruaj gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgim në këtë pjesë të botës. Njëkohësisht ky manifestim, kjo sofër, paraqet një inspirim, nxitje e shtytje për të gjithë ata që janë të prirur të merren me shkrime që ta gjejnë vetën këtu, të veprojnë kështu në formë të organizuar dhe nesër të krijojnë vlera e vepra më të mira letrare, artistike dhe kombëtare. Sofra poetike ka edhe karakter garues. Konsideroj se Shoqata e Shkrimtarëve dhe Qendra Kulturore “ Migjeni” meritojnë lëvdata për një punë të mrekullueshme që janë duke bërë këtu në mërgim me synimin e vetëm që në këtë mënyrë t’i shërbejnë rinisë sonë, popullit tonë dhe atdheut të cilin e duan aq shumë të gjithë këta poetë, shkrimtarë e veprimtarë, tha Fetah Bahtiri, anëtarë i Kryesisë së SHSHASH” Papa Klementi i XI Albani”, të Suedisë dhe Kryetar i Jurisë për ndarjen  e shpërblimeve për krijimet më të mira poetike.

 

Edhe Hysen Ibrahimi, kryetar, foli me krenari për rezultatet e arritura të SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” duke përmendur me këtë rast dhjetra tituj të veprave e librave të botuara nga krijuesit shqiptar në zhanre të ndryshme e sidomos puna e madhe që është bërë në botimin e librave “ Thesari Kombëtar 1 dhe 2” që flasin në mënyrë të dokumentuar për gjithë atë aktivitet të madh që është zhvilluar nga komuniteti shqiptar në Suedi në dobi të çështjes kombëtare. Permendi edhe një bashkëpunim të mirëfilltë që ka filluar ndërmjet Ministrisë së Diasporës dhe këtij asosacioni në drejtim të avancimit dhe të ndihmës që do të afrohet në organizimin e shumë aktiviteteve në dobi të komunitetit shqiptar këtu në Suedi. Ndërkaq, Sokol Demaku foli për sukese të mëdha që janë shënuar në QKSH” Migjeni” për të kulmuar me botimin e revistës së përmuajshme “ Dituria” të kanalit të radios e TV-së në gjuhën shqipe, në të cilat po bëhet i mundur një informim dhe një prezentim i shkëlqyer e kulturës, traditës, historisë e sidomos të ruajtjes e kultivimit të gjuhës shqipe.

Poezi që qonin peshë mallin për atdhe

Në vazhdim të programit të pasur të Sofrës poetike Hamit Gurguri, Bajram Muharremi, Remzi Basha, Saranda Iseni, Fetah Bahtiri, Nulla Zullufi,Lebibe Zogjani dhe Shaban Osmani recituan bukur krijimet e tyre, por edhe të të tjerëve, ku më së më shumti dominonin poezitë që shprehnin mallin që e ndien çdo mërgimtarë në vazhdimësi për vendlindjen. I këndohej aq bukur, me aq ndjenja, me aq mallëngjim natyrës, fshatit, kroit, lumit, livadhit, bregores,ditëve më të bukura të rinisë… Në këtë atmosferë të dhimbshme dhe mallëngjyese që u krijua me këtë rast,kishte edhe të tillë që derdhnin lotë se nëna Kosovë i thërriste përmes atyre vargjeve të kthehen, të qëndrojnë atje ku kanë lindë apo të paktën të vizitojnë me shpesh tokën arbërore që vuan për bijtë e bijat e saj që tashmë janë larguar në vende të ndryshme të botës. Vuajtja e madhe për atdheun Nulla Zullufin e bëri poet. “ Kurrë nuk me ka shkuar mendja të merrem me krijimtari letrare, por ja sot në praninë tuaj bashkatdhetarë të nderuar po e promovoj librin “ Malli për atdhe”. Shkas, pra, siç po e shihni edhe nga titulli i librit është malli i madh që ndiej për atdheun, malli që me merr ta shoh ,ta ndiej, ta puthi tokën shqiptare”, tha ai. Fjalë miradije për një aktivitet përmbajtësor që po zhvillon mërgata shqiptare në Suedi i tha edhe Valon Bajrami, gazetar i RTV21, i cili kishte ardhë për një vizitë në këtë vend skandinav.

U shfaq edhe një dokumentar i Karl Nordstrym që kishte të bënte me përzënien me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre nga soldateska serbe gjatë luftës në Kosovë. Karl Nordstrym kishte një sipërfaqe të madhe pyjesh, dhe siç thotë, ato skena të tmerrshme nuk e linin të qetë të prente drunjtë në pyllin e tij. “ Sa herë që merrja sharrën motorike për të prerë një dru, me dilnin para sysh ata turma të mëdha njerëzish  që ishin të detyruar të braktisnin vendin e tyre. I ndieja në shpirt vuajtjet e tyre, nuk me lënin të qetë ato klithmat e fëmijëve, lodhjet në rrugëtimin e gjatë këmbë në kodra e male… “ shkruante në vargjet e tij Nordstrym.

Paragjykimet për asimilimin e shqiptarëve nuk qëndrojnë

-Jam e entuziazmuar , e kënaqur, e emocionuar e mbi të gjitha më lënë përshtypje jashtëzakonisht të madhe ky mjedis i mbushur me këtë potencial të vlerave të mirëfillta krijuese. Ka pasur paragjykime se gradualisht mund të ndodh asimilimi i fëmijëve shqiptar, por me bindje të thellë mund t’iu them se kjo nuk qëndron dhe nuk do të ndodh kurrë me këtë potencial intelektual, me organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, me organizimin e manifestimeve të shumta e të ndryshme, kulturore, letrare, sportive dhe me komunikim të përditshëm e vizita të shpeshta që i bëjmë vendlindjes, tha Bardha Mance, udhëheqëse e programit shqip në Radio International në Athinë të Greqisë. Ky manifestim i sotëm dhe këto vlera kaq të mëdha që po prezantohen sot janë një eksperiencë për mua dhe një shembull se si duhet të punoj edhe komuniteti shqiptar në Greqi, tha ndër të tjera ajo. Në vazhdim të këtij evenimenti u promovua libri i Fetah Bahtirit “ Kur i mbusha 70 vjet”, i Nuha Zullufit “ Malli për atdhe” Avdyl Ukës “ Loti mbeti në gjirmë të zemrës”, Hamit Gurgurit “ Vrragë pështerri” , i Remzi Bashës “ Zëri i Kosovës”, Bahtir Latifit “ Edhe ne jemi Bota” dhe libri “ Djali dhe tigri” nga Sokol Demaku, që është i dedikuar për nxënësit e klasës së katërt të shkollës fillore. Referuesit Bajram Muharremi, Fetah Bahtiri, Hysen Ibrahimi, Ismet Hasani, Rexhep Jashari, Saranda Iseni dhe Qibrije Hoxha vlerësuan lartë këta libra të këtyre krijuesve shqiptarë që janë edhe anëtarë të SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” në Suedi. Ndërkaq,  QKSH “ Migjeni” atyre ua ndau nga një libër të kristalt sikurse edhe Saranda Isenit, Hysen Ibrahimit me motivacion: ruajtja dhe kultivimi i gjuhës shqipe.

Ky manifestim letrar kishte edhe karakter garues dhe në të konkurruan 23 poetë me 90 poezi. SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” çmimin e parë ia ndau  poetit Brahim ( Ibish) Avdylit “ Zogu i nemur prej qiellit”, të dytin Lebibe Zogianit “ Këtë nuk ma the asnjëherë” dhe të tretin Milazim Kajtazit “ Dhimbje e mall”. Po ashtu, edhe QKSH “ Migjeni” ndau tri shpërblime. Poezia më e mirë u vlerësua se ishte ajo e Rizah Sheqirit “ Poet është vetëm Zemra”, e dyta e Vilheme Vranarit “ Rrënjet” që kishte konkurruar me shifrën WH44VL96, dhe e treta Yllka Sheqirit “ Vetmi”. U ndanë edhe shpërblime për poezinë më të mirë të vlerësuar nga publiku, të dashurisë, patriotike…

Legjenda: Pjesëmarrës të Sofrës poetike

 

Filed Under: Mergata Tagged With: në dhe të huaj, Sa bukur tingëllon gjuha shqipe, Xhavit Citaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 102
  • 103
  • 104

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT