• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Muharrem Blakçori, personalitet fetar dhe kombëtar

June 11, 2024 by s p

Prof. dr. Hysen Matoshi 

Këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës/

Muharrem Blakçori ende është ndër emrat deri tani pak të njohur të kulturës dhe të historisë sonë. Për të është ditur fare pak dhe madje në qarqe të caktuara shoqërore. Ndërkohë vitet e fundit kanë dalë në shesh të dhëna që e shquajnë kontributin e tij në fushën fetare dhe arsimore. Muharrem Blakçori ishte i lindur në Pejë më 1894. Pasi kryen dy klasë të medrese në Pejë, për shkak të dhunës serbe, me familjen e tij detyrohet të shpërngulet në Kavajë. Pjesën më të madhe të jetës ishte pedagog, duke dhënë ndihmesë edhe për hapjen e shkollës shqipe në Kosovë më 1941, ndërsa vitet e fundit të jetës iu përkushtua përkthimit dhe hartimit të literaturës fetare në gjuhën shqipe. Vdiq më 1968 në Kavajë.

Përkthyes i Kuranit në gjuhën shqipe

Përkthimi i librave të shenjtë në akëcilën gjuhë përbën një akt të rëndësishëm kulturor dhe përgjithësisht shoqëror. Rëndësia e tyre shkon përtej dimensionit fetar, ngaqë, sikundër dihet, librat e shpallur kanë luajtur rol të rëndësishëm në emancipimin e gjithmbarshëm kombëtar, kanë formësuar bazat etike të shoqërisë, kanë hapur horizonte të reja të zhvillimit mendor, edukativ e kulturor të pjesëtarëve të një kombi të caktuar. Vetë përkthimi i tyre shënon dëshminë më bindëse të shkallës së përparuar të zhvillimit të një gjuhe, ndërsa koha e përkthimit përbën kthesë me rëndësi për procese të mëtejme të zhvillimit dhe të emancipimit. Po kjo gjë mund të thuhet sidomos për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe, marrë parasysh edhe strukturën fetare dominuese të folësve të saj. Pavarësisht se botimi i përkthimit të parë të plotë të Kuranit është i një date të vonshme, përkatësisht i vitit 1985, përpjekjet në këtë drejtim janë të periudhave më të hershme, qoftë si botim i pjesshëm i përkthimit, qoftë si përkthime të Kuranit të lëna, për arsye të kuptueshme, në dorëshkrim. Viteve të fundit janë identifikuar dy përkthime që u bënë në një kontekst shoqëror atipik për jetën normale fetare në një shoqëri njerëzore. Fjala është për përkthimet e periudhës së komunizmit në Shqipëri. Pas botimit të përkthimit të Salih Ferhat Hoxhës, i cili e pa dritën e botimit më 2016, kohët e fundit është identifikuar edhe përkthimi i Kuranit nga Muharrem Blakçori. Ky personalitet islam, krahas përkthimit të Kuranit, të lënë në një dorëshkrim prej 3019 faqesh të fletores, është edhe autor i një trashëgimie të pasur shkrimore në fushën e dijeve islame, po ashtu të lënë në dorëshkrim, ku veçojmë veprat “Akaidi dhe fiku”, “Ilmihali”, “Fjalor arabisht-shqip”(rreth 2000 fjalë) etj.

Pavarësisht se kemi një numër të konsiderueshëm përkthimesh të Kuranit në gjuhën shqipe, konsideroj se përkthimi i Muharrem Blakçorit është me interes të madh për një varg arsyesh. Së pari, është ndër përkthimet e para të plota, në mos edhe i pari në këtë vazhdë, marrë parasysh faktin se përkthyesi u nda nga kjo jetë që më 1968, ndaj edhe rëndësia e tij është e karakterit historik; së dyti, është fjala për një përkthim të bërë në një kontekst tepër të veçantë, sikundër ishte periudha e sundimit komunist – ateist në Shqipëri, kohë kur feja u ndalua me ligj; dhe së treti janë tiparet gjuhësore ato që e bëjnë një përkthim të lehtëlexueshëm për shtresat e gjera që shqipen e kanë gjuhë të komunikimit me Kuranin. 

Pikërisht te kjo çështje, pra te veçantitë gjuhësore të këtij përkthimi do të fokusohemi në këtë shkrim, me shpresë që të nxisim si vëmendjen e botuesit të tij të mundshëm, ashtu edhe të lexuesit shqiptar, gjithnjë duke pasur parasysh rëndësinë e madhe fetare, kulturore e të përgjithshme që e ka një përkthim i tillë.

Një specifikë e rëndësishme e këtij përkthimi ka të bëjë me aspektin e profesionit të autorit, përkatësisht me dimensionin e theksuar profesional pedagogjik të tekstit që konsiston në një qartësi logjike të strukturës së fjalive, në përpjekjen që të përçohet në mënyrë sa më të kuptueshme domethënia e ajeteve kuranore. Pa asnjë dyshim, me një gjuhë të nivelit të këtillë komunikues, ky përkthim do të kishte ndikim të madh në formimin e lexuesve shqiptarë, të cilët nuk e lexojnë dhe nuk e kuptojnë dot gjuhën e shpalljes së Kuranit. Për të argumentuar këtë qartësi e lehtësi ligjërimi po sjellim një shembull nga përkthimi i tij, i cili në formatin e shqipes tingëllon kështu: “I dashur! Ky kur-ani qerim është ndihma e mëshirës e të Madhit Zot për të gjithë besimtarët që mburren e gëzohen me dinin islam. Siharigjoi ata se kur-ani qerimi e feja islame janë më të hajrit se të gjithë pasunia e dynjasë.” Një logjikë e tillë mendimore, e kthyer në një shprehje të asokohshme gjuhësore, e përçon mesazhin kuranor te marrësi i tij pa pasur nevojë për sqarime e komentime të tjera shtesë. Përgjithësisht fjalësi i përkthimit të Muharrem Blakçorit është i lehtë i zbërthyeshëm ngase është i zakonshëm, i ideuar për të lehtësuar të kuptuarit e materies nga secili lexues. Mbase në përcaktimin për një format të këtillë përkthimi, përveç nevojës së një auditori më të gjerë, do të ketë ndikuar fuqishëm edhe vetë praktika profesionale mësimdhënëse e tij. Duke qenë pedagog pjesën më të madhe të jetës, ai ka zbatuar parime frytdhënëse didaktike në hartimin e teksteve që ka lënë në dorëshkrim dhe këtu, krahas përkthimit – komentimit të Kuranit, kam parasysh edhe tekstin e “Ilmihalit” të lënë po ashtu në dorëshkrim. Tipar i ligjërimit, përveç fjalësit të kuptueshëm për një shtresë të gjerë folësish të shqipes, janë edhe fjalitë koncize e kuptimplote, shmangia e qëllimshme e frazave të lodhshme e të stërgjata, përjashtimi deri në parim i përsëritjeve të panevojshme e jofunksionale, sikundër që Muharrem Blakçori e ka ngritur në parim lidhjen logjike e fjalive në një strukturë unike frazash dhe më tej edhe në kontekste më të gjera tekstore. Sigurisht, sa herë bëhet fjalë për gjuhën e një autori a një vepre, në këtë rast një përkthimi, shembujt ilustrues janë më bindës se çfarëdo përfundimi e argumentimi përgjithësues. 

Nisur nga ky fakt, mund të konstatojmë se kundruall përkthimit të Sherif Ahmetit, i cili përpiqet që tekstit arab t’i përgjigjet kuantitativisht me një leksik ekuivalent të shqipes, kuptohet edhe duke ruajtur me sa është e mundur edhe aspektet poetike të ligjërimit kuranor, Muharrem Blakçori ndjek një logjikë tjetër, ngase i përgjigjet leksikut të arabishtes me një numër më të madh fjalësh shqipe. I pari duket se ka synim të jetë sa më afër origjinalit, duke e pasuar skematikisht edhe strukturën leksikore të tekstit origjinal, të cilit mëton t’i përgjigjet me një tekst të përkthyer në format të ngjashëm strukturor, ndërsa i dyti përcaktohet për një përkthim shumë më të çlirët, për një tekst shpjegues e komentues, i cili qëndron më larg karakterit të gjuhës poetike të origjinalit dhe më afër gjuhës narrative e eksplikuese të tregimit, mbase duke u nisur nga vetëdija e përkthyesit se ky lloj ligjërimi akceptohet më lehtë nga lexuesi i zakonshëm.

Pa pretenduar të ndalem te vlerësimi lidhur me korrektësinë e përkthimit të tekstit të Kuranit nga arabishtja në shqipe, konsideroj se Muharrem Blakçori e ka shqipëzuar ndjeshëm përmbajtjen e Kuranit dhe e ka bërë tekst mjaft lehtë të lexueshëm dhe edhe të kuptueshëm prej folësve të shqipes, sidomos për ata që nuk kanë një formim të duhur filologjik e intelektual. 

Është një fatkeqësi e madhe që ky përkthim nuk ka bërë jetë normale. Një jetë normale e tij do të parakuptonte botimin në kohën e përkthimit dhe leximin e vazhdueshëm të tij. Jam i sigurt se po të botohej këtu e gjashtë dekada më herët ndikimi i këtij përkthimi në jetën fetare dhe në mendimin e përgjithshëm islam ndër shqiptarët do të ishte shumë më i madh se sa mund ta jetë tani kur numri i përkthimeve të Kuranit në shqip është dyshifror. Pavarësisht kësaj, një botim i këtij përkthimi nuk do të ishte vetëm njohje e një vlere të hershme kulturore, nuk do të ishte thjesht sjellje e një dëshmie historike të publicistikës islame në gjuhën shqipe, ose provë e zhvillimit të terminologjisë dhe mendimit shkencor të asokohshëm në fushën përkatëse, ngase ky përkthim edhe në ditët e sotme do të kishte funksion praktik dhe do ta gjente lexuesin e tij për arsyet e përmendura më lart e që kanë të bëjnë me vlerat e tij si tekst, me tingëllimin e tij të natyrshëm në gjuhën shqipe dhe sidomos me dedikimin për një shtresë të gjerë të lexuesve. Një botim i këtij dorëshkrimi do të ishte shpagim i duhur moral e intelektual edhe për autorin e kësaj pune të madhe, përkthyesin e komentuesin Muharrem Blakçori, i cili në një kohë të vështirë, mbase më të vështirën në historinë tonë fetare, ia doli ta shqipëronte si të plotë Kuranin, librin e shenjtë, madje atëherë kur qoftë edhe përmendja e tij publike shkaktonte telashe të mëdha. Këtë punë madhore atëbotë mund ta bënte vetëm një njeri shpresëplotë në caktimin e mirë të Krijuesit tonë. Një botim, qoftë në versionin origjinal, qoftë në atë të redaktuar në planin e shqipes standarde, do të ishte mirënjohje dhe vlerësim edhe për familjarët e përkthyesit, të cilët në rrugëtimin e vështirë jetësor, që për dekada e imponoi diktatura komuniste, arritën ta ruanin një trashëgimi pa të cilën kultura jonë, kombëtare e fetare, gjuhësore e shpirtërore, diturore e artistike, do të ishte shumë më e varfër. Botimi i këtij përkthimi të Kuranit do të ishte edhe një dëshmi e pamohueshme se besimin në Krijuesin Fuqiplotë nuk e çrrënjosën as masat më drastike dhunuese të një ideologjie që mosbesimin e ngriti në nivelin e kodifikimit ligjor. 

Ndër themeltarët e shkollës shqipe në Kosovë

Krahas kontributit të çmuar në fushën përkthimit dhe të sjelljes së dijeve islame në gjuhën shqipe, duhet thënë se Muharrem Blakçori ishte intelektual i shquar, i cili, pas ndryshimeve të mëdha të vitit 1941, kur Kosova dhe vise të tjera shqiptare u bashkuan me Shqipërinë (e cila atëbotë ishte nën pushtimin italian), dha kontribut të çmueshëm për themelimin e shkollës shqipe në viset shqiptare. Kosovarët, të cilët kishin migruar në Shqipëri, shumica prej tyre për shkaqe politike dhe të përndjekjes së vazhdueshme nga pushteti i Mbretërisë Jugosllave, pas dhënies fund të sundimit sllav (prill 1941), u kthyen të kontribuonin në ngritjen e përgjithshme të trojeve të tyre të origjinës. Shumë prej tyre, gjatë qëndrimit në Shqipëri, ndoqën shkollën në gjuhën shqipe dhe ishin të përgatitur profesionalisht e vullnetplotë që të ndihmonin vëllezërit e mbetur nën robërinë e pushtuesit dhe nën robërinë e padijes e të prapambetjes arsimore, që e kishte imponuar shtypja më e egër në krejt Evropën e asokohshme. Muharrem Blakçori, sipas dokumentacionit pedagogjik të Ministrisë së Arsimit, që asokohe drejtohej nga Ernest Koliqi, ishte ndër të parët që u angazhua për të përhapur shkollën kombëtare dhe dijen e arsimin në gjuhën amtare. Kështu, ende pa filluar viti shkollor, Muharrem Blakçorin e gjejmë të angazhuar në kurset verore që kishin synim përgatitjen e kuadrit për hapjen e shkollave amtare në vitin e ri mësimor. Bazuar në listën e datës 27 korrik 1941, Muharrem Blakçori ishte mësuesi i vetëm që kishte marrë përsipër hapjen e kursit veror në Istog, krahas një numri të mësuesve të tjerë që ishin dërguar si pararendës të njërit prej projekteve më të mëdha për kombëtarizimin e shkollës në Kosovë e në vise të tjera shqiptare të mbetura jashtë shtetit amë deri atëherë. Gjithnjë lidhur me kurset verore, më 1942, e gjejmë të jetë angazhuar në qytetin e Pejës. Më duhet të theksoj se të dhënat për këtë aspekt të rëndësishëm të historikt të arsimit kombëtar u morën nga vëllimi me dokumente të kohës, që e ka botuar vite më parë studiuesi i spikatur Qerim Lita, e që titullohet “Tokat e liruara 1941 – 1944” – përmbledhje dokumentesh, Logos A, Shkup, 2016.

Emri i Muharrem Blakçorit shfaqet edhe në një listë tjetër të kohës, që po kështu kishte të bënte me përgatitjen e kuadrit arsimor që do të dërgohej në Kosovë. Është fjala për listën e mësuesve që u dërguan për kurset verore në Kosovë, ku përveç emrit dhe mbiemrit të mësuesit përfshihej edhe e dhëna lidhur me vendin e angazhimit të tyre ekzistues në Shqipëri. Kështu, ndër 63 mësuesit e dërguar figuron emri i Muharrem Blakçorit që atëherë shërbente në fshatin Vorrozen të Kavajës.

Krahas punës në kursin veror, Muharrem Blakçorin e gjejmë të emëruar si mësues në shkollën nr. 1 të Pejës në vitin e rregullt shkollor 1941/1942, ku bënte pjesë krahas mësuesve, si: Nuredin Kopliku, Persa Gjonbalaj, Bajram Gashi dhe Rrok Jakova. Gjithsesi kalimi i një numri të mësuesve në tokat e liruara ishte bërë edhe me vendimin nr. 1431, të datës 5 nëntor 1941, të Këshillit të Ministrave të Mbretërisë Shqiptare, nënshkruar nga kryeministri Shefqet Vërlaci, në listën shoqëruese të të cilit ishte përfshirë edhe transferimi i Muharrem Blakçorit, sikurse u tha më lart, nga Vorrozeni i Kavajës në Pejë.

Përgjithësisht mund të thuhet se ngritja e kapaciteteve arsimore të kohës ishte fryt i angazhimit të drejtuesve të Qeverisë Shqiptare, e cila, ndonëse nën një sundim të huaj, mori një varg masash për të përmirësuar jetën e përgjithshme të shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera që atëbotë u bashkuan me Shqipërinë. Është evidente se gjatë atyre viteve (1941-1944) u jetësuan një varg të drejtash kombëtare, sociale, arsimore, fetare e identitare, të cilat, nën sundimin jugosllav, as që mund t’i paramendonte popullata shqiptare. Hapja e shkollave dha rezultate larghedhëse në zhvillimin e përgjithshëm dhe ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, për çka dhanë një kontribut madh mësuesit e ardhur nga Shqipëria, e ndër ta pa dyshim edhe Muharrem Blakçori me bashkëvendësit e tij me origjinë nga Kosova, të cilët kishin një motiv më shumë për ta ndihmuar vendlindjen dhe bashkëkombësit e tyre. Është koha e fundit që emrat e këtyre mësuesve pishtarë të shkollës kombëtare të nderohen në të gjitha qytetet (a fshatrat) në të cilat ata dhanë ndihmesën e tyre të çmueshme. Emërtimi i ndonjë rruge të qytetit (në këtë rast emërtimi ndonjë rruge në Pejë me emrin e Muharrem Blakçorit), ose edhe i ndonjë shkolle, do të ishte një gjetje e duhur dhe nderim për kontributin historik të mësuesve pishtarë, të cilët me punën e tyre vetëmohuese e shënuan kthesën më të madhe për ndërgjegjësim kombëtar të shqiptarëve.

Filed Under: Mergata

NGA NJË ËNDËRR E BUKUR, TEK NJË REALITET I MADH

June 10, 2024 by s p

Prend Ndoja/

Duke ndjekur dokumentarin “The Bajraktari Journej”

Në një ambient të zgjedhur në Yonkesrs të New York-ut, ishin bashkuar shumë personalitete të larta të sferës politike, si dhe të artit e të kulturës shqiptare në Amerikë, gazetarë, fotoreporterë, kineastë etj. Ishim të bashkuar jo si dikur në të kaluarën tonë në tubime dhe organizime për lirinë e atdheut, por për të shikuar nëpërmjet dokumentarit “The Bajraktari Journej” jetën e të kaluarën e një familjeje me famë të madhe, familjes së Hajdar Bajraktarit. Dokumentari, që është prodhim i shtëpisë kinematografike “Dyrrachium Produktion” na sjell të realizuar ëndrrën amerikane të familjes Bajraktari. Kjo familje, brez pas brezi, me pushkë dhe penë ka dalë në mbrojtje të Atdheut. Të njëjtën gjë vazhdoi edhe Hajdari në SHBA. Por, për të siguruar një ndihmë sa më të efektshme ndaj Kosovës, ai veproi jo vetëm si biznesmen i suksesshëm, por edhe si një diplomat i mençur e aktiv, duke sensibilizuar jo vetëm shtypin e mediet në Amerikë, por edhe personalitetet më me influencë në jetën politike amerikane, që nga kongresmenët e senatorët e deri tek Presidentët e Shtëpisë së Bardhë. Në kontakte të përhershme me ta, duke i ftuar edhe në shtëpinë e tij, ai e vuri çështjen e lirisë së Kosovës në tavolinat më me shumë influencë, për çuarjen e kësaj çështjeje drejt zgjidhjes.

Tek shikoja filmimet, fotot, dokumentet e dëshmitë e shumta që na sjellin në ekran skenaristi e regjisori Dhimitër Ismailaj-Valona e drejtori i fotografisë Ben Wolf, në mendje më erdhi novela “Rrugët e fatit” e autorit të mirënjohur O’Henry. Në këtë novelë, në një moment të zhvillimit të subjektit të saj, autori e vë protagonistin në një kryqëzim prej tri rrugësh. Në dilemën se cilin drejtim të merrte, heroi i novelës zgjedh njërën prej tyre, e cila e çonte në një zgjidhje të jetës së tij. Por autori me mjeshtëri kthehet e na jap variantet se ç’drejtim do kishte marrë jeta e personazhit nëse do të kishte zgjedhur rrugët e tjera. Vetvetiu më lindi pyetja: “Ç’drejtim do të kishte marrë jeta e familjes Bajraktari, pas arratisjes nga Shqipëria, nëse nuk do kishte zgjedhur rrugën nga Italia në Amerikë me ndihmën e priftit Prek Ndrevashaj? Përsëri, përgjigjen do ma jepte dokumentari me dëshmitë e faktet e sjella përpara shikuesit, se familja Bajraktari kishte bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme, atë të realizimit të ëndrrës amerikane.

Hajdari, me kontributin e tij ndaj Atdheut, për disa dekada ishte shndërruar në një armë të fuqishme kundër Serbisë. Burimet e tij, si valë Drini në mullirin e kombit, nuk shterruan kurrë.

Të bashkuar, shokë e miq, të gjithë sëbashku, me një nostalgji e shikonim dokumentarin kushtuar familjes Bajraktari. Nëpërmjet sekuencave e filmimeve që shpaloseshin në ekran, silleshin fakte e pamje që për shumë vetë nga diaspora ishin kujtime nga jeta reale e së kalurarës sonë. Dihet që Noli, Konica, Bajraktari dhe Joseph DioGuardi, janë ata që mbollën farën e lirisë në tokat shqiptare

Në dokumentarin “The Bajraktari Journey”, krahas qëndresës së një gjeneze prej shumë brezave ndaj pushtuasve, sillen edhe skena të rënda vuajtjesh. Krijonin mbresa e emocione të forta dëshmitë për largimin nga vendlindja të babait të tij me 6 anëtarë të familje përmes shteteve të Europës e deri në arritjen në Amerikë. Jeta e tyre ishte plot vuajtje në fillimet e para. Por për një kohë të shkurtër, sëbashku me dajën e ti, Rrustem Geci, arritën nivele shumë të larta të prosperitetit ekonomik. E kjo, falë vullnetit, inteligjencies e aftësive të Hajdarit, që u bë një biznesmen i suksesshëm e me ndikim të madh jo vetëm tek bashkëkombasit e tij në mërgatë, por edhe në jetën politike e ekonomike amerikane.

Kur populli i Kosovës luftonte për jetë a vdekje kundër pushtuesit serb, Hajdari e bëri të pamundurën të mundur, duke ndihmuar për lirinë e atdheut. Dokumentari sillte përmes pamjesh e dokumentesh një varg ngjarjesh, vuajtjesh, shqetësimesh, shpenzimesh e sakrificash të mëdha. Ndër to ishin edhe ato ndihma të pakursyeshme, të cilat e forcuan qëndresën e Dukagjinit, duke bërë që ai të mos dorëzohej kurrë.

Një fakt i bukur dhe i rëndësishëm, i cili flet shumë për këtë familje, ishte ai kur, në vitet ’80-90, nëpër tubime mblidheshin të holla për t’i dërguar si ndihma në vendlindje. Atëherë tregohej se si Hajdar Bajraktari,e kishte shitur pasurinë e tij me vlera qindra miliona dollarësh, duke i vënë ato në shërbim të atdheut. Ky fakt e nxiste edhe më shumë sedrën e krenarinë kombëtare bashkë me ndienjën e partiotizmit tek secili mërgimtar shqiptar. Dhe ata kërkonin të jepnin deri në dollarin e fundit për të ndihmuar çështjen e lirisë në Kosovë. Për rolin e kontributin e Hajdarit, flasin në dokumentar edhe kongresmenë amerikanë si Eliot Engel, mik i shqiptarëve e i dekoruar me çmime nderi në Shqipëri e në Kosovë.

Përjetimin e kronikës së jetës së kësaj familjeje në dokumentar e bëjnë më të këndshëm e mbresëlënës edhe zërat e folësve Jul Nënshati e Samantha Light dhe kolona zanore e kompozitorit Klodian Qafoku. Vlerë të veçantë dokumentare marrin edhe fragmentet nga librat e Muhamet Mjekut kushtuar familjes Bajraktari dhe fotot e fotoreporterit Dritan Haxhia. Të gjithë këta komponentë e bëjnë dokumentarin një realizim kinematografik me cilësi të lartë, që përçon mesazhe të bukura e njerëzore tek të gjithë shikuesit.

Pas shikimit të dokumentarit ishte organizuar një koktej për të pranishmit. Në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore pjesëmarrësit në këtë aktivitet dhanë mendimet e tyre për vlerat e këtij dokumentari, nëpërmjet intervistave për disa televizione që ishin prezentë.

Filed Under: Mergata

Tre ambasadorët shqiptarë në Zvicër në mbështetje të projektit për Aleksandër Moisiu

June 8, 2024 by s p

Dashnim Hebibi/

Fotoreportazh nga Berni në lidhje me jetësimin e projektit të sheshit, bustit dhe shtëpisë muze të legjendarit, Aleksandër Moisiu.

“Po shkon drejt jetësimit në Zvicrën mike, projekti i nisur më 24.03.24 nga Morcote kanton Tessin, ku pushon përjetësish, Aleksandër Moisiu, aktori më i madh i skenës evropiane në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, pra sheshi, busti dhe shtëpia muze e Aleksandër Moisiut. Ky projekt ka marrë mbështetje të disa bashkatdhetarëve që jetojnë në Zvicër dhe dita ditës po merr, por kur merr mbështetje edhe nga ambasadat tona do të ishte edhe më mire”

Bern, 07 qershor

Se bashkatdhetarët tanë kanë kontribuar për të mirën e atdheut me vite e vite, këtë e dijmë, por edhe sot e kësaj dite ata nuk po ndalen për të jehuar zëri i bashkëkombasve tanë që kanë kontribuar edhe për botën në fusha të ndryshme në të mirë të përgjithshme. Pas kryeheroit kombëtar, Skënderbeu që e kemi nëpër shumë qendra të evropës, pastaj të nobelistes, Nënë Tereza, edhe Aleksandër Moisiu siç duket do të jehoj brez pas brezi me një shesh dhe bust edhe ate në shtetin ku pushon edhe trupi i tij së bashku me bashkëshorten në shtetin mik të kombit tonë në Zvicër në këtë shtet ku jetojnë dhe veprojnë mbi 400.000 bashkatdhetarë të të gjitha trevave shqiptare. Aktori me famë botërore, por me gjakë shqiptari, Aleksandër Moisiu është kujtuar në Zvicër nga Adem Kicaj, aktori, skenaristi, regjisori, presidenti i shkollës së aktrimit IFTP me studentë dhe miq të tij, së bashku me veprimtarin e çështjes kombëtare, z. Sylë Mujaj i shoqëruar me veprimtarë të tjerë që jetojnë në pjesën e Luganos e Tiçinos i cili është edhe njohës i mirë i jetës dhe veprës së Moisiut për shumë vite me radhë, ku vazhdon edhe sot e kësaj dite. E tani, po shkon drejt jetësimit në Zvicrën mike, projekti i nisur më 24.03.24 nga Morcote kanton Tessin, ku pushon përjetësish, Aleksandër Moisiu, aktori më i madh i skenës evropiane në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, pra sheshi, busti dhe shtëpia muze e Aleksandër Moisiut. Ky projekt ka marrë mbështetje të disa bashkatdhetarëve që jetojnë në Zvicër dhe dita ditës po merr, por kur merr mbështetje edhe nga ambasadat tona do të ishte edhe më mirë. Prandaj, ky grup inicues të dalur nga data 24 mars e vitit 2024, menjëherë u angazhuan që të takohen drejtpërdrejt me tre ambasadorët shqiptarë që veprojnë në Zvicër për të marrur mbështetje, nga ambsadori i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ai Republikës së Kosovës. Takimi i parë në lidhje me projektin ishte i datës 8 prill të vitit 2024 në ambasadën e Republikës së Kosovës në Bern me Shkëlqesinë e tij, Ambasador, z.Sami Ukelli. Në ate takim ishte z.Adem Kicaj, z.Rafet Ademi dhe PhD.Dashnim Hebibi. Takimi ishte shumë miqësorë dhe ambasadori Ukelli i dha mbështetje stafit të projektit. Ndërsa dje, pra e premte e datës 07 qershor në ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bern, në orën 13.00, Shkëlqesia e Tij, z.Rexhep Demiri, priti z.Adem Kicaj, z.Rafet Ademi, z.Përparim Sabriu dhe PhD. Dashnim Hebibi për të bashkëbiseduar dhe për tu njoftuar për së afërmi me projektin. Takimi ishte i përzemërt dhe musafrët morën fjalët më të mira të mundshme për projektin në fjalë, duke e ditur edhe siç tha ambasadori, se në këtë shtet jetojnë e veprojnë rreth 100.000 bashkëkombas shqiptarë që janë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe projektet e tilla padyshim se na gëzojnë se mbi të gjitha është fjala për Moisiun që e njeh e gjithë bota. Në fund të takimit, ambsadorit iu dhurua edhe një mirënjohje nga z.Adem Kicaj president i shkollës së aktrimit IFTP për kontributin dhe mbështetjen që i ka dhënë ambasadori Demiri. Edhe PhD. Dashnim Hebibi, që njihet me punën e tij në diasporë e më gjerë, i dhuroi disa nga librat e tij që janë kryesisht për diasporën tonë. Ndërsa në orën 15.00, ky grup inicues u takuan në ambasadë edhe me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z.Mustafa Nano si dhe me sekretarin e parë të ambasadës z.Valon Gashi. Edhe ky takim ishte i përzemërt dhe u bashkëbisedua hollësisht për projektin e lartë përmendur dhe ambasadori i përgëzoi dhe ofroi mbështetje. Ambasadori z.Nano, përmendi kontributin e madh që ka dhënë diaspora shqiptare për të mirën e kombit edhe ate pa u ndalur. Edhe ky projekt tregon qartë, se diaspora jonë nuk do të ndalet kurrë dhe ne e shteti shqiptarë do të jetë afër bashkatdhetarëve. Pas takimit miqësorë me dy ambasadorët, inicuesit e projektit falënderuan për mbështetje edhe nga tre ambasadorët shqiptarë në Zvicër nga ai i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z.Mustafa Nano, i Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij, z.Rexhep Demiri ( nga takimi i sotëm, datë 07.06.2024) dhe të Kosovës, Shkëlqesia e Tij, z.Sami Ukelli ( takimi i datës 8.04.24, tashmë ish ambasador). Z. Adem Kicaj, z.Rafet Ademi, z.Perparim Sabriu, falënderuan ambasadorët edhe në emër të disa veprimtarëve të tjerë, si të z.Musa Sylejmani, z.Sylë Mujaj, z.Remzi Durmishi, etj, për mbështetje të këij projekti. Gjatë ditëve në vazhdim pritet që të vazhdohet me punë të tjera dhe shpresojmë shumë se edhe komuna e Ticinos do ta miratoje kërkesën dhe projektin e dëshirën e madhe të bashkatdhetarëve tanë, por edhe të artistëve e dashamirësve të artit në përgjithësi, sepse Moisiu ishte me gjakë shqiptari, por i dha shumë artit në përgjithësi. Ky staf inicues i projektit I drejtuar nga z.Kicaj është i hapur për bashkëpunim nga të gjithë ata bashkatdhetarë që duan të kontribuojnë dhe bëjnë thirrje për t`iu bashkuar që ta jetësojmë Aleksandër Moisiun për jetë të jetëve në shtetin mik të kombit tonë siç është Zvicra, gjeneratë pas gjenerate.

Filed Under: Mergata

“Noli Film Festival” mbylli perden e edicionit të parë në Boston, çmimet për 13 fituesit

June 4, 2024 by s p

Flamur VEZAJ/

Noli Film Festival mbylli perden e edicionit të parë në Boston, në një mbrëmje gala të mirëorganizuar për ndarjen e 13 çmimeve fituese në ambientet e restorantit “Alba” në Hanover!

Mbrëmja filloi me ritmet e muzikës së një talenteje të re shqiptaro-amerikane, Edlina Laho, dhe grupit muzikor “Dea Band” që kishin ardhur nga Nju Jorku, të cilët u prezantuan nga ideatori i këtij festivali, Erand Sojli.

Aktori Sojli tha se ky event ishte një nga ëndrrat e tij për ta organizuar këtu në Boston, në vendin ku Fan Noli, përveç aktiviteteve patriotike, kishtare dhe letrare, studioi dhe ushqeu shpirtin me art! “Edicioni i parë i Noli Film Festival është nisja e një rrugëtimi të gjatë në Boston për të promovuar kineastët e rinj shqiptarë dhe prezantimin e shqiptarëve ndryshe nga çfarë jemi mësuar ndër vite! Uroj që ky rrugëtim të vazhdojë me më shumë filma, mbështetje dhe organizim edhe më të bukur se ky që tashmë përfundoi,” tha Sojli. Ky i fundit falënderoi ata që e mbështetën këtë event si “Bibliotekën e Fan Nolit dhe qendrën kulturore” pranë saj, “Katedralen e Shën Gjergjit”, “Albanian Fighting Cancer” si dhe producentët e koordinatorët Elissabeta e Nikolin Gaçe!

Gjithashtu, Sojli përshëndeti dhe falënderoi të gjithë producentët e filmave dhe dokumentarëve që morën pjesë në edicionin e parë të Noli Film Festival, si dhe regjisorët dhe aktorët që ishin prezent!

Më pas, ideatori Sojli ftoi në skenë kryetarin e jurisë, aktorin Astrit Çermja, të cilin ai e konsideron si idhullin e tij personal nga aktorët shqiptarë!

Aktori veteran Çermja, ndër të tjera tha se nuk ishte e lehtë përzgjedhja e fituesve. “Ne nuk zgjodhëm më të mirin nga të këqijtë, por më të mirin nga të mirët. Pasi filmat konkurrues ishin të një niveli të lartë dhe kjo tregon një shenjë të mirë për të vazhduar me cilësi këtë projekt edhe vitet e tjera,” tha aktori Çermja duke theksuar se jurisë iu deshën më shumë se 7 orë debate për të vlerësuar filmat.

Ndërkohë, fitues i çmimit të madh të filmit më të mirë të edicionit të parë të Noli Film Festival u shpall regjisori Bujar Alimani me filmin “Virgjireshat Shqiptare” (The Albanian Virgin)! Çmim ky që iu nda z. Alimani nga një prej organizatorëve të këtij eventi të rëndësishëm, ish-gjyqtari shqiptaro-amerikan Robert Tochka që përfaqësonte bibliotekën e Fan Nolit dhe qendrën kulturore pranë saj! Regjisori Alimani falënderoi jurinë për vlerësimin dhe theksoi se në edicionin e dytë duhet t’i jepet më shumë hapësirë kineastëve të rinj që të vazhdojnë këtë traditë këtu në Boston! Regjisori Alimani mori gjithashtu një vlerësim për filmin më të mirë edhe nga organizata shqiptare këtu në Boston, “Albanian’s Fighting Cancer”, që iu dha nga Roberta Nashi/Panariti.

Po ashtu nga filmi i Alimanit, u shpall fituese edhe aktorja më e mirë, çmim të cilin e rrëmbeu Rina Krasniqi, po nga filmi “Virgjireshat Shqiptare”. Këtë çmim ia dhuroi kryetari i VATRES në Boston, z. Mentor Maksutaj, ku në emër të aktores e pranoi vlerësimin kineastja znj. Tefta Bejko Alimani. Gruaja e regjisorit Bujar Alimani, e cila ritheksoi shprehjen e Klaudia Hiles ne hapjen e ketij festivali. “Ky festival është një fëmijë i vogël dhe duhet të rritet çdo vit për të vazhduar legatin e Nolit në promovimin e artit pasi është një festival unik”!

Fitues i çmimit “Skenaristi më i mirë” i Noli Film Festival u shpall skenaristi Eduard Grishaj me filmin “Sofia”, çmim të cilin e ndau ideatori i këtij festivali, Erand Sojli.

Çmimin e “Dokumentarit më të mirë”, të fituar nga Suela Bako dhe Yllka Gjoleka për dokumentarin “Drita” të Gjon Milit, e dha nga peshkopi i katedrales së Shën Gjergjit, hirësia e tij Nikodhim Preston!

Producenti i Noli Film Festival, z. Nikolin Gaçe, në emër të jurisë, i dha çmimin e parë për “Kolonën zanore më të mirë” Valentin Veizit me filmin “I Love Tropoja”.

Sa i përket çmimit të aktorit më të mirë të këtij festivali, juria kishte përzgjedhur aktorin Neritan Liçaj, çmim të cilin e dhuroi përfaqësuesi i kompanisë “Pirro Dentist”!

Po në emër të jurisë, për çmimin e filmit më të mirë animuar, e dhuroi përfaqësuesja e “Albanian’s Fighting Cancer”, Roberta Nashi, për regjisorin Vlash Droboniku.

Çmimi “Albanian Excellency” i shkoi aktores Marjana Kondi, të cilës ia dhuroi në emër të jurisë së Noli Film Festival, Andis Gjoni. Aktorja Kondi, përveç batutave të rastit, e vlerësoi shumë këtë festival duke thënë se edhe nga emisioni “Ferma VIP” në Shqipëri kishte dalë vetem se I kishte dhene fjalen z. Sojli që do ishte pjese e Edicionit te pare te NFF. Që të vinte në Boston!

Nuk i mungoi skenës së ndarjes së çmimeve edhe aktori i humorit, Arben Dervishi, që kishte udhëtuar nga Miçigani për të qenë mes komunitetit shqiptar të Bostonit për këtë festival!

Nata vazhdoi me ndarjen e çmimeve të tjera, ku po në emër të jurisë, çmimin për “filmin më të mirë të shkurtër” e ndau avokati Pavli Përmeti për Erion Mustafarajn me filmin “The Shot”.

Sipas jurisë, çmimin e “Regjisores më të mirë” e ndau për fituesen Blerta Basholli me filmin “Zgjoi” peshkopi i Filomilise dhe i peshkopatës ortodokse shqiptare të Amerikës, hirësia e tij Theofan Koja.

Çmimi për “Yjet e së ardhmes” nga juria i shkoi aktorit të njohur Reshat Arbana, çmimin të cilin e ndau zv/kryetarja e MaasBesa, znj. Jorida Qirollari. Për çmimin e filmit inkurajues të këtij festivali, juria vendosi të nderojë regjisorin Erald Kraja, çmim të cilin ia dhuroi në emër të jurisë, Jona Brari!

Dhe çmimi i fundit për aktorin mbështetës më të mirë të festivalit, në emër të jurisë, e ndau Arjan Simaku për aktoren Jonida Vokshi.

Pak para mbylljes së natës finale të ndarjes së çmimeve, producentët dhe koordinatorët e “Noli Film Festival” Elisabeta dhe Nikolin Gaçe falënderuan të gjithë donatorët që mundësuan këtë event të bukur treditor në Boston!

Në mbyllje, arkitektja Nensi Karanxha, një nga anëtarët e jurisë së këtij festivali, i dhuroi Bibliotekës së Nolit dhe qendrës kulturore pranë saj një portret të Fan S. Nolit në shenjë vlerësimi për gjithë këtë kontribut të dhënë për shqiptarët jo vetëm në Boston! Këtë portret e pranoi në emër të bibliotekës ish-gjyqtari i Masaçusetsit, shqiptaro-amerikani Robert Tochka, i cili përveç falënderimeve, ndër të tjera tha se sot është një ditë e veçantë pasi ky event përkon pikërisht në datën kur Noli shkroi poezinë “Jepni për Nënën”, duke mbyllur fjalën e tij me vargjet “Mbahu Nënë, mos ke frikë, se ke djemtë në Amerikë”!

Vargje me të cilat ideatori dhe moderatori i kësaj nate, Erand Sojli, mbylli eventin e suksessh të ndarjes së çmimeve të “Noli Film Festival” edicion i parë në Boston!

Filed Under: Mergata

Teatri arbëresh në Frasnitë, një shpirt i gjallë e shëmbullor për ruajtjen e gjuhës arbërore

May 13, 2024 by s p

Është mbrëmje dhe gjendemi në Frasnitë, një ngulim arbëresh në Kalabri. Në këtë qytezë Lidhja e  Krijuesve në Mërgatë zhvilloi aktivitetin e tij vjetor e quajtur “Pranvera Arbëreshe” pranë Bibliotekës internacionale A. Bellusci.. 

Bëhem gati shpejt e shpejt dhe nisem tek auditoriumi. Ndërsa ecën ë këtë qytezë zhytesh në një dialektikë ku frymarrja dhe mendimet dialogojnë, e lënë  hieroglifet e tyre në këto rrugica, arkitektura 400 vjeçare. Rrugicat e gjitonisë janë të ngushta. Hedh sytë. Shikon stema shtëpish eleganca e një epoke, të shoqëruar nga një heshtje  e zhurmshme shekullore. Mbartin  pat’hos, janë solemne e të trishtueshme. Një skenografi  dramatike, në pragjet e tyre  copëza- jete. 

Heshtje e këtyre shtëpive “ të boshatisura”, Boshlleqe që lihen të zbuluara 

“..il dolore non sta sulla carne, ma sul tempo”…

Tek një  parvazë  ka mbirë  lulkuqja dhe bari i egër, 

e si nëpër mugëtirë ndien atë profumin e një malinkonie të një jete të shkuar.  

Mure që pëshpërijnë, zgavra që ulurijnë, përpjekje e mundi të  atyre shpirtërave arbëror që kurrë nuk u pikturuan. Të trëmbin luftrat, por të friksojnë edhe këto heshtje shtëpishë ku shumë prej tyre nuk pipëtinë jetë njeriu.  Është e egër qënia njerëzore. Ajo  nuk vret vetëm me armë, ajo  shuan kombe, popuj edhe me asimilimi. 

Si mentesha  të mbërthejnë këto psherëtima të heshtura, e pergamena mendimesh rrjedhin në hapsirë sikur të isha në brendësi të atyre  pikturat sterile të E. Hooper, ku heshtje dhe qënia humane shkrihen në një  fasade inerte.  

Vazhdoj të eci. 

Jam disi me vonesë, por hapat e mia ndjekin  ritmin e kësaj qyteze. Këtu askush nuk vrapon,  edhe hapi im i ngadalshëm duket shumë i shpejt. Dikush i ulur tek stoli pranë kroit të kishës. Bastonin e ka ndër duar dhe kokën varur mbi të. Ndoshta ndjeu hapat e mi. Ngre disi kokën, jap një buzëqeshje, i flas shqip, nuk më kupton, dhe vazhdoj destinacionin.  Mendimet nuk më lënë të shihja përqark. 

Është zëri i Emanueles, një  djalosh arbëresh, avokat nga San Cosmo i cili më therret: 

“Eja, shpjet se po të presim!” 

 Ulem. Salla ishte mbushur plot. Një kontrast me atë çka kisha përjetuar jasht. Nuk vonon, dhe spektali fillon. Aktorët hyjnë në skenë. Gëzimi i spektatorëve shqiptar është shumë i madh.

Nisin debutimin me fjalët arbërisht. Për herë të parë shohin një teatër arbëresh, dhe  me sa duket nuk janë të interesuar për debutimin e tij ,se sa të interesuar për të veçantën e këtij teatri, në gjuhën arbëreshe. Të gjithë sytë nga palkoshenikun. Mjafton fraza e parë dhe sytë e mëndja e spektatorve të ardhur nga diaspora përqëndrohen tek ta. Flasin një gjuhë 600 vjeçare të ruajtur në një atdhe të dytë. Nuk e kanë të lehtë ti kuptojnë frazat, ndikimi i shekujve mbi gjuhë ka bërë punën e saj, por mallëngjehen, se vëllezërit e tyre  vazhdojnë të flasin gjuhën e mëmës dhe tatës të epokës së Sjkënderbeut.   Një emocion shikon në sytë e miqëve të diasporës. Skeçet vijnë njëri pas tjetrit dhe entuziazmi, sentimenti, i të gjithë këtyre artistëve e poetëve si një sinergji e fuqishme shkrihen me njeri tjetri dhe krijojnë atë magji që vetëm gjaku i diasporës me gjakun e shprishur dinë ta krijojnë.

Sot  “ Pitoni-asimilim” i pa mëshirshëm i mbështjellë çdo ditë e më shumë duke i tkurrur  gjuhën deklaruar nga Unesco si gjuhë në rrezik zhdukjeje. Ligji 482\ 99 një ligj i çalët,  që nuk mbulon mësimin e gjuhës së detyrueshme nëpër shkolla, sforcon në maksimum si individin edhe shoqatat për të mbijetuar pa ndihmën e istitucioneve, por në këto qyteza shpirti i arbit rron dhe të destinuar për të qenë të përjetshëm.  

I afrohemi zonjës Lucia Martino, e cila është edhe themeluesja e këtij teatri dhe i kërkojmë të na informojë diçka mbi këtë teatër.

“Unë nuk vij nga një shkollim artistik- na thotë Lucia- Unë jam një profesoresh në  pension dhe kam punuar në Institutin Comprensiv Ernesto Koliqi. Kur ligji 482\99 dha mundësi fakoltative që ne tiu mësonim gjuhën dhe kulturën  fëmijëve, kështu  mendova të hapja laboratorin e guzhinës, ku të flitej arbërisht dhe të bëheshin recetat e guzhinës arbëreshe, dhe në të njëjtën kohë edhe  një laorator të teatrit. Me pak fjalë mësonin gjuhën e të parëve duke u zbavitur. Gramatika iu duhet gjuhëtarëve dhe jo fëmijëve. Kur unë isha e vogël( sot jam 73 vjeç) në shtëpi flisnim vetëm italisht, në shkollë unë nuk dija italisht atë e mësova dalëngadalë në shkollë. Dua t’iu them se në familje dhe në shkollë mësohet gjuha.” 

Kur dola në pension mendova të krijoja një teatër dhe kjo u bë pjesë e shoqatës “Vorea” e cila u krijua në 14 shtator 2014. Këtë vit kemi 10-vjetorin e krijimit të saj. Qëllimi ishte ruajtja, dhe përhapja e gjuhës arbëreshe. Aktiviteti ynë mbahet jo vetëm në auditorium, por e sjellim edhe ne sheshet e katundit tonë. Teatrin nga viti në vit kërkojmë ta pasurojmë, me skeç, me parodi, e komedi. Por puna jonë e pa ndalur ka bërë që të paraqisim edhe dy vepra kulturale; Legjenda e Kostantinit dhe Jurendinës, dhe të fabulës “Ish një herë Pinoqi”, të cilat i kemi paraqitur edhe në Tiranë dhe Ulqin” – përfundon mësuese Lucia.

Spektali që pamë në mbrëmjen e datës 5 Maji  ishte i mberkullueshëm. 

Serioziteti dhe angazhimi i këtyre aktorëve amator që debutojnë në një gjuhë, të cilën nuk e e shkruajnë, dhe  as nuk frekuentohet në shkollë e detyrueshme, por vetëm trasmetohet brez pas brezi, në shekuj në familje, i bënë të gjithë këta aktor të mbrekullueshëm më tepër se sa profesionistët e vërtetë. 

Mbyllen perdet dhe një nga një dalin këta aktorët në moshë të rritur. Amato Elena, Marietta di Cunto, Pace Salvadore, Stabile Maria Pia, Cecarini Gemma, Basile Salvadore, Ferrari Margarita.  Këta aktor kanë edhe një rregjisore,  quhet Ima Guarisci e cila nuk është arbëreshe, por duke parë përpjekjet  që  bëjnë këta arbëresh për të ruajtur gjuhën dhe kulturën e tyre, edhe ajo vendos jo vetëm profesonalizmin e saj por edhe shpirtin .

Komeditë shkruhen nga i madhi Vicenzo Bruno.  

Sot,në auditorium  ka spektatorë të veçantë, mbledhur nga e gjithë  Diapora: Franca, Gjermani, Austri, Slloveni, Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë. Marrin pjesé kryetari i Lidhje sé Krijuesve né Diasporé Z. Musa Jopulli,  Sekretari Z. Mentor Thaqi, Miku i madh i arbéreshéve  Gazetari Rexhep Rifati, Hulmtuesi, studiuesi dhe autor i dhjetrave librave z.Hazir  Mehmeti me banin në Austri, Mbështetësi i gjuhës dhe kulturës arbëreshe Z. Heset Ahmeti, Studiuesi  slloven Petro Stoka, Arkitektja dhe kryetarja e shoqatës Gjenocidi në Kosovë Z. Shqipe Bytyqi,  Koordinatori i hapjes së 105 shkollave të  gjuhës shqipe në zvicër  Z. Vaxhid Sejdiu dhe dhe Bashkshortja e tij mësuesja  Qefsere Sejdiu, Atelier Sokol Hametaj nga Franca,  pIktori Milazim Ukëhaxhaj, e  me dhjtra e dhjetra mësues, mjek,  intelektualë të diasporës,  dashamirës dhe miq të botës arbëreshe. Merrnin pjesë edhe shumë arbëresh si  mësuesja Antonieta Rimoli, Francesco Frega, Emanuele Rossanuova, Michele Greco etje.. 

Lucies, i kanë ardhur vëllezërit dhe motrat anë e mbanë Europës dhe ajo si gjithmonë nuk kursehet. Ajo kishte përgatitur për ta një bufe tipike arbëreshe. 

Ishte një mbrëmje shumë e bukur dhe emocionuese. Atë mbrëmje ishte edhe Këngëtari Francesco Frega i cili i dha mbrëmjes atë ton gazmor duke improvizuar një program spontan, me  repertor të këngëve  arbëreshe. U ndiemë kaq mirë, sa dikush edhe u përlot. 

U kthyem në dhomat tona më të pasur, dhe më përgjegjës për atë ç’ka ndodh e po ndodh  mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe e cila po asimilohet nga dita në ditë, dhe që mbahet gjallë falë këtyre arbëresheve.  

Arbërisë  së arbëreshëve duhet t’iu jemi mirënjohës që me forcat e tyre kërkojnë sado pak të mbajnë gjallë gjuhën. Lucia është edhe themeluese e shoqatës “Vorea”, fru edhe të një vepre letrare; La donna Arbereshe, Ieri, Oggi, e Domani.(tra sacro e profano). Me autorë Emilia Blaiotta, Lucia Martino, Flavia D’Agostino e Lucrezia Lindia. Prefazione di Adela Kolea

Design: Francesco Di Benedetto.  Libri është një himn i gruas arbëreshe, e cila ishte edukuatore,  sepse iu jepte kulturën arbëreshe, ishte mësuese sepse iu trasmetonin gjuhën fëmijëve, ishte një artiste sepse qepnin kostumin arbëresh me duart e tyre, ishte një patriote,  dhe amvisë shumë e mirë. Gratë, dje, sot dhe nesër, një vazhdimësi në epopene e tyre, si krijuese,  sa nobile, por edhe aq  trime,e të zonjat që mbanin mbi shpatull  shtëpinë, miqësinë e shoqërinë.   

Lucia, ka dhënë dhe jep një kontribut të madh dhe për këtë është vlerësuar  dhe nderuar me shumë tituj e çmime, por Lucia  ngelet në zemrën e cilit do që e  takon si një  grua fisnike  

Siç e shohim, Arbëria nuk është thjesht  e gajdexhinjëve, që iu bien lëkurave  e i fryjnë pipzave.  Arbëria, është artë, mbajnë polifoninë e hershme, është vazhdimësi e një folklori të mbijetuar, e shenjtë dhe e përcjellë  me dashuri e fisnikëri.  

Arbëri, shkroi gjuhën e vet, në dejet e tij. Arbëri edhe  pse sot i tkurrur vazhdon ta përfaqësojë atë identitetin e tij  në një mënyrë mahnitëse.  Kjo Arbëri nuk është e padukshme, ajo po ulurinë me të gjithë format e saj.  Kjo Arbëri, është e lënë në indiferencën e atyre  të cilët  nuk duan ta shohin, nuk  ta prekin,  nuk duan ta mbështesin, me dinjitet ashtu siç e meriton.  Gjuha mëmë është e drejta e tyre. 

Mos harroni këtë Arbëri. Ne ikim e vijmë, brohorasim për ato pak orë që qëndrojmë  duke thënë: sa e bukur, sa mirë që e kanë ruajtur gjuhën,  dhe shpesh kur ikin nuk kthehet koka më prapa tek këta njerëz me gjak Arbëri, ku shpirti  i të cilit rron! 

Arbëria, nuk është atavizëm. Është qytetërim. Arbëria është dinjitose, nuk kërkon mëshirë,  as vuan nga deliri i madhështisë. Arbëria kërkon vendin e saj në hapsirën e saj që meriton.

Në këto qyeza falë këtyre arbëreshëve, rron ajo vlerë e qytetërimit  dhe e kulturës e mbi të gjitha të kësaj gjuhe e cila u ka mbijetuar dhunimeve të kohës, natyrës, njerëzve, globalizimit.

Etnia Arbëreshe prej 600 vjetësh

Është në sytë e mbarë botës si  pistili luleve të bajames, 

të  përsosur dhe në të njëjtën kohë të pa përsosur, 

por që  bletët këto lule i tërheqin shumë se kush lule tjetër…     

…Të ringjallësh identitetin, 

fillo  nga ajo pakëz që ka ngelur, 

e këtë  humus, spërkate me frymën e dashurisë…!

….Arbëreshët,i ngjajnë feniksit

Ringjallen, edhe atëherë kur duken të djegur!

Arbëria është e destinuar për të qenë e përjetshme !

Mos harroni aty ku është një arbëresh është një Arbëri! 

Në vijim disa sekuenca nga teatri, Fotografi i tyre është Pierfrancesco Ferrari . Një fotgraf gjithmonë i pranishëm në çdo detajë të botës arbëresh. Askush si ai nuk qëndron çdo ditë pa fotografuar çdo pjesë që rrethon këtë qytezë të botës arbërshe. 

Ornela Radovicka 

Qëndra albaologjike A. Bellusci themeluar 1980  

C:\Users\iljas\Downloads\IMG-20240506-WA0007.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1715359377099_7194738696807688783.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1715359311917_7194738423412976734 (1).jpg
C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1715359299171_7194738369954160498.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\FB_IMG_1715008266913 (1).jpg
C:\Users\iljas\Downloads\FB_IMG_1714975850218.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1715359127784_7194737651103869505.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\FB_IMG_1714975567432.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\FB_IMG_1714975869926.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\FB_IMG_1714975858824.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\FB_IMG_1715008266913.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\FB_IMG_1715408032358 (1).jpg

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT