• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Festivali “Këndo Shqip” – New York, Qershor 2026

February 26, 2026 by s p

Shoqata “Bijtë e Shqipes” dhe Shkolla “Gjuha Jonë” në Philadelphia ftojnë të gjithë talentet e rinj të komunitetit shqiptar në Philadelphia me rrethinë të marrin pjesë në vlerësimin e zërit të tyre për pjesëmarrje në Festivalin “Këndo Shqip”, që do të mbahet në New York më 06 Qershor 2026.

Vlerësimi do të bëhet nga artistë profesionistë dhe, sipas përzgjedhjes, një numër i kualifikuar i fëmijëve do të përzgjidhen për të përfaqësuar Shoqatën “Bijtë e Shqipes” në Festivalin “Këndo Shqip” në New York.

Kriteret që duhet të përmbushen janë këto:

Fëmijët të jenë të moshës 9–16 vjeç.

Fëmijët të zgjedhin një këngë në gjuhën shqipe, të cilën do ta këndojnë.

Vlerësimi i fëmijëve do të mbahet te Shoqata “Bijtë e Shqipes” të dielën, më 01 Mars 2026, prej orës 1:00 PM deri në 2:00 PM.

Adresa: 3322 Willits Road, Philadelphia, PA 19136

Këshilli Drejtues i Shoqatës

Filed Under: Mergata

PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!

February 20, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli  

17 Shkurti, 2026 shënoi 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në një shkrim të ditëve të fundit  Frank Shkreli: 17 shkurti – Pavarësia e Kosovës dhe shqiptarët e Amerikës | Gazeta Telegraf  jam shprehur se 17 Shkurti, si Dita e Pavarësisë së Kosovës, është gjithashtu edhe dita kur, të gjithë si shqiptarë pa dallim dhe kudo që jemi, kujtojmë në këtë ditë. Se liria dhe pavarësia kanë emër, sakrificë, por edhe përgjegjësi politike historike dhe kombëtare, sidomos, për klasën aktuale politike shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri, pasi të gjithë shqiptarët kudo e ndjejnë Kosovën si atdhe shpirtëror dhe histori të përbashkët. Argumentova se kjo është një datë që festohet si simbol i krenarisë dhe shpresës për të gjithë shqiptarët, ashtu siç është edhe 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. E kam thënë shpesh në të kaluarën se normaliteti dhe stabiliteti i marrëdhënieve në tërësi midis Shqipërisë dhe Kosovës është jetik për të ardhmen kombëtare dhe për integrimin euro-atlantik të shqiptarëve, para se të jetë vonë. Në dyzina artikuj gjatë viteve jam munduar të theksoj – që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më sot –nevojën urgjente për një normalitet të marrëdhënieve Tiranë-Prishtinë që duhet të bazohet, ndër të tjera, në disa shtylla kryesore.  

Jam shprehur se elita politike në Tiranë dhe Prishtinë shpesh e përdor retorikën e të ashtuquajturit “partneritet strategjik”, midis dy shteteve shqiptare si një instrument mashtrimi politik për konsum të brendshëm, ndërkohë që në realitet këto marrëdhënie kanë pësuar gjatë viteve mungesa serioze, për të mos thenë fatale, siç është mungesa e një bashkrendimi të mirëfilltë të politikave të brendëshme dhe të jashtme midis Shqipërisë dhe Kosovës. Modestësisht, kam bërë thirrje nga hera në herë, për kundërshtimin nga të dy palët e nismave përçarëse, Frank Shkreli: Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe Ballkani i Hapur | Gazeta Telegraf,  ndërkohë që kam vlerësuar qëndrimin e udhëheqësve të Kosovës kundër nismave si “Ballkani i Hapur”, duke i cilësuar ato nisma përçarëse si projekte që mund të dëmtojnë pavarësinë dhe interesat e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithsi, në favor të ndikimeve rajonale jo-shqiptare, serbo-ruse, e të tjera.   Kam nënvijuar gjatë viteve nevojën për basshkrendim — midis Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare — të politikës së jashtme. Kam bërë thirrje për një normalitet në marrëdhënie, që kërkon nga dy shtetet shqiptare të kenë një zë të unifikuar në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në raport me miqtë strategjikë si SHBA-ja, për të shmangur dështimet diplomatike dhe “turizmin politik”, historikisht, pa rezultate konkrete për asnjërën palë.

Kam folur shpesh mbi nevojën për politika të përbashkëta për tu mbrojtur nga ndikimet e huaja, historikisht, të dëmshme për interesat dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. Në mënyrë të veçant kam paralajmëruar se “flirtimi” i udhëheqësve shqiptarë, në dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, me influencë të jashtme politike, ekonomike dhe fetare turko-ruse, paraqet një rrezik serioz për stabilitetin e të dy shteteve shqiptare dhe për vetë procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, por edhe me shtetet mike perëndimore, siç ka provuar historia e viteve të fundit. 

Shkak për këtë shkrim modest u bënë vizitat e Presidentit të Shqipërisë, Z. Bajram Begaj dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe takimet e tyre në Prishtinë — me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës – dhe takimet e tyre me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e Kosovës, Z. Albin Kurti. Mediat vendase njoftuan se në takimet e tyre liderët më të lartë të Shqipërisë dhe të Kosovës, “riafirmuan edhe njëherë partneritetin strategjik dhe vëllazëror”.  Fjalë që, fatkeqsisht, nuk është hera e parë që i dëgjojmë nga liderë shqiptarë në takime të tilla të përbashkëta në Tiranë ose në Prishtinë. Fjalimet e zjarrta, mbledhjet e përbashkëta ceremoniale midis dy qeverive dhe deklaratat e përvitshme për “vëllazëri të përjetshme”, nuk prodhojnë politika publike funksionale në asnjë fushë të marrëdhënieve të ndërsjellta. Sipas ekspertëve, shembëll i këtij dështimi janë marrveshjet e shumta të arrijtura gjatë viteve, por që shumica e tyre ende nuk zbatohen.

Duke marrë para sysh marrëdhëniet midis dy shteteve shqiptare gjatë viteve të fundit, të gjithë kemi qenë dëshmitarë se këto shprehje “vëllazërimi” kanë qenë dhe mbeten fjalë boshe të rastit dhe se realiteti i marrëdhënieve midis Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare, ka qenë dhe mbetet diçka krejt tjetër.  Këto takime në Prishtinë, ditët e fundit, dhe fjalët që u shkëmbyen midis liderve më të lartë të dy shteteve shqiptare më bindën edhe njëherë se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë vazhdojnë të vuajnë nga mungesat e vjetra në marrëdhëniet dy-palëshe dhe se ato nevojitin një ndryshim rrënjësor, seriozitet kombëtar me vizion afatgjatë dhe jo fjalë simbolike boshe diplomatike, sa për sy-e faqe. 

Gatishmëria për “Riafirmimin edhe njëherë të partneritetit strategjik dhe vëllazëror”, siç u shprehen këto ditë udhëheqsit e të dy palëve në Prishtinë, nuk mjafton. Fjalët nuk mjaftojnë më. Rëndësi kanë veprat!  Prej vitesh, raportet midis Shqipërisë dhe Kosovës shpesh janë shoqëruar me retorikë të zjarrtë patriotike, me mbledhje të përbashkëta qeverish, deklarata “vëllazërore” dhe fotografi ceremoniale. Por përtej simbolikës, realiteti kërkon diçka më shumë. Kërkon seriozitet kombëtar, vizion strategjik politik dhe ekonomik si dhe përgjegjsi institucionale. Nuk mjafton të flitet për ri-afirmim të “partneritetit vëllazëror”, në mënyrë emocionale, ndërsa në praktikë pengesat burokratike politike dhe ekonomike midis dy shteteve shqiptare vazhdojnë edhe kur bashkëpunimi ekonomik mbetet dukshëm nën potencialin e duhur dhe të nevojshëm për të dy palët.  Ndërkaq, politikat e jashtme nuk janë të harmonizuara dhe jo në shërbim të interesave madhore kombëtare të gjithë shqiptarëve, falë politikave dështuese të klasës aktuale politike që vepron më shumë në shërbim të interesave personale dhe partiake, se sa në interesin madhor kombëtar.  

Shqipëria dhe Kosova ndodhen në një rajon ende të brishtë politikisht dhe ekonomikisht, të rrethuar nga armiq historikë të shqiptarëve, ku çdo mungesë bashkrendimi politik, ekonomik dhe në politikën e jashtme midis Tiranës dhe Prishtinës, është shfrytëzuar dhe po shfrytëzohet me mjaft mjeshtri politike e diplomatike nga Beogradi e Moska dhe nga nga faktorë të tjerë në Evropë dhe në Ballkan që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, as nuk duan stabilitetin shqiptar as paqë të rajonit. Në këtë kontekst, përgjegjsia për këto mungesa të dëmshme bie këmbëkryq mbi klasën politike në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Që Shqipëria dhe Kosova të kalojnë, më në fund, nga folklori politik i të ashtuajturit, “partneritet vëllazëror” dhe përtej fjalëve që dëgjuam në Prishtinë, ditët e fundit, me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, atyre u duhet një bashkpunim dhe bashkrendim më i ngusht, për të çuar përpara zbatimin e politikave serioze mbarë-kombëtare, bashkrenduese dhe shtet-formuese, Tiranë-Prishtinë, për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.

Koha e fjalëve të mëdha boshe që nuk pasohen me vepra konkrete në marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë, ka kaluar. Qytetarët shqiptarë presin rezultate të prekshme e të dukshme. Ata kërkojnë treg të përbashkët ekonomik funksional, projekte infrastrukturore të realizuara, bashkëpunim arsimor e kulturor të institucionalizuar (abetarja e përbashkët nuk mjafton) dhe sidomos, shqiptarët kërkojnë një zë të forte dhe të unifikuar në çështjet politiko-strategjike në fushën e politikës së jashtme. Tirana dhe Prishtina duhet të sillen si dy shtete sovrane që e kuptojnë se forca e tyre rritet vetëm përmes bashkërendimit, jo përmes retorikës e përçarjeve.  Një marrëdhënie normale shtet me shtet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk e dobëson aspak idenë kombëtare — përkundrazi, e forcon atë mbi baza moderne, euroatlantike dhe institucionale.

Normaliteti në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë nuk është retorikë, por nevojitë seriozitet kombëtar!  Është detyrim historik kombëtar e moral i liderve aktualë të dy shteteve shqiptare. Një mundësi që historia dhe miqët historikë të Kombit shqiptar ua ka dhënë shqiptarëve në shekullin XXI, nuk duhet të abuzohet as të mos përfillet, por të përdoret në maksimum për të mirën e të gjithë shqiptarëve pa dallim, në Ballkanin Perëndimor. Kjo mundësi e shqiptarëve nuk mund të mbetet kurrsesi një eksperiment politik i pa realizuar. Koha e simbolikës boshe ka mbaruar. Serioziteti kombëtar dhe normaliteti i marrëdhënieve Tiranë-Prishtinë nuk është dhe nuk mund të jetë një slogan por është një përgjegjësi historike, kombëtare dhe morale, për këtë brez të politikanëve shqiptarë sot. Trajtojeni si të tillë!

Frank Shkreli 

                                    Gjergj Kastrioti – Skenderbe në Prishtinë

Filed Under: Mergata

ZEMRAT TONA RRAHIN PËR KOSOVËN…

February 16, 2026 by s p

Prend Ndoja/

Festë e bukur në shkollën shqipe “Gjergj Fishta” dhe degën e Vatrës në Long Island.

Me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në ambientet e shkollës shqipe, që mban emrin e patriotit dhe shkrimtarit të madh Gjergj Fishta, nga dega e Vatrës në Long Island, u organizua një aktivitet i bukur kushtuar këtij përvjetori të rëndësishëm. Merrnin pjesë nxënës e mësues të shkollës, prindër, si dhe aktivistë të Vatrës e qytetarë të tjerë shqiptarë që banojnë në këtë zonë dhe më gjerë.

Kjo ditë është për të gjithë shqiptarët një festë e rëndësishme dhe e lumtur, është një ditë gëzimi mbarëkombëtar. Ndaj edhe atmosfera në shkollë ishte aq e bukur e festive. E morën fjalën e përshëndetën sekretari i Vatrës së degës në Long Island, Klaudio Turkaj, themeluesi i shkollës “Gjergj Fishta”, Dr. Paulin Marku, sekretari i Federatës Vatra Dr. Pashko Camaj, Prend Ndoja, si dhe në fund të programit i falënderoi të gjithë të pranishmit mësuesja e gjuhës shqipe, zonja Fabiola Gjinaj. Në këtë takim të rëndësishëm pata kënaqësinë të përshëndesja edhe unë, si shkrimtar dhe aktivist i Vatrës. U ndala në vështrimin historik dhe në rëndësinë e madhe që kishte liria e Kosovës jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për Ballkanin, Bashkësinë Evropiane e më gjerë, shpallja e pavarësisë, fitorja e lirisë së Kosovës dhe krijimi i shtetit më të ri në Evropë.

Tokat tona që shtrihen në gadishullin ilirik gjithmonë patën sulme nga armiqtë që vunë shumë kufij në tokat tona, por në zemrat e në mendjen e popullit shqiptar, në dashurinë për atdhe, kurrë nuk kanë arritur të vënë kufij. Vetvetiu lind pyetja: Pse ky popull kaq fisnik, kaq bujar, u sulmua pa reshtur nga armiqtë, nga fqinjët? Ne jemi të parët e këtyre trojeve dhe jemi të vetmit që nuk kemi afërsi farefisnore gjenetike me fqinjët, ashtu siç kanë ata në mes veti. Sepse ne jemi autoktonë, kurse ata janë të ardhur e kanë zaptuar trojet tona. Historia dhe gjuha jonë janë më të vjetrat e kjo i ka munduar armiqtë tanë.

Ne e dimë se asgjë nuk vjen falas, ashtu as pavarësia e liria e Kosovës nuk erdhën falas. Historikisht kemi vuajtur për liri, jemi detyruar të shtrëngojmë armët për të mbrojtur tokat tona aq të lakmuara prej tyre, të përballemi me qëllimet e errëta të tyre dhe të triumfojmë mbi ta. Në këtë kuptim lufta për lirinë e Kosovës ka filluar shekuj më parë.

Gjatë viteve ’90 unifikimi i popullit tonë ishte një shembull i mirë që nuk do të harrohet kurrë. Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, i paharruari presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, lidhi aleanca me shtetet më të fuqishme të botës, formoi forcat e armatosura të Kosovës dhe me një diplomaci të jashtëzakonshme demaskoi politikën e gjenocidin serb para botës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, edhe pse me armatime e në numër luftëtarësh e oficerësh ishte shumë larg me atë të armikut, doli triumfuese, sepse mbronte familjen, shtëpinë dhe tokën e tyre stërgjyshore, mbronte të drejtën e popullit për të jetuar i lirë në trojet e veta. Ajo e projektoi dhe e ndërtoi fitoren betejë pas beteje, që nga beteja e Loxhës e deri tek ajo e fundit, në Koshare, që kurorëzoi lirinë e Kosovës. Në këtë luftë u bashkua një popull i tërë liridashës, shumë familje u shuan, shumë shtëpi e fshatra u dogjën e u shkatërruan, heroizëm të pashoq shkruan familje si ajo e Adem Jasharit e të tjera. Vepra dhe gjaku i tyre nuk shkuan kot, por qëndisën fitoren e madhe historike.

Në vitin 1999 Ushtria Çlirimtare, së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë, sidomos me aleatin tonë më të fuqishëm, superfuqinë botërore, SHBA, e dëbuan armikun nga vendi ynë. Dhe fryma e flamuri i lirisë u valëvitën vatër më vatër në trojet tona dardane.

Më 17 shkurt të vitit 2008, me shpalljen e Pavarësisë, u vunë themelet e shtetit tonë të pavarur, i cili sot njihet nga 121 shtete të botës. Sot Kosova është një shtet i ri, një shtet që po tregon qytetërim autokton, kulturë demokratike, vështrim euroatlantik dhe po e projekton veten për në Bashkësinë Evropiane. Po punohet me projekte të qarta e konkrete për zhvillimin e gjithanshëm të vendit, për të drejtat dhe mirëqenien e popullit, për forcimin e rendit e të mbrojtjes kombëtare. Sot policia e Kosovës është ndër më të mirat e rajonit. Kemi ushtrinë tonë, për fuqizimin e së cilës qeveria po bën investimet e duhura, kemi djem e vajza që sot e mbrojnë vendin me atdhedashuri, ashtu siç natyra e vendit tonë i ka krijuar, me vendosmërinë për të mbrojtur atdheun tonë.

Të gjithë ne e dimë që ka mjaft vend edhe për më mirë. Ngaqë në syrin tonë, atdheu është si fëmija në syrin e nënës. Asnjëherë nuk është mjaft i mirë, mjaft i suksesshëm. Ndaj të gjithë e duam Kosovën tonë akoma më të fuqizuar, më të lulëzuar e më të begatë, shembull përparimi në rajon dhe në gjithë Evropën.

Në vitin 1999 ushtria serbe e humbi betejën përballë popullit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe forcave të miqve ndërkombëtarë. Por ata që dje bënin gjenocid në vendin tonë, sot e kanë ndërruar strategjinë politike. Organizojnë metoda të tjera kundër shtetit dhe popullit. Një ndër to janë aleancat ruso-serbe me mbeturinat e tyre, që, me gjyqe politike të manipuluara nga prokurorë keqdashës të çështjes shqiptare, po bëjnë çmos të dënojnë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne e dimë që lufta për çlirimin e Kosovës ka qenë një ndër luftërat më të shenjta që nga koha e Skënderbeut, luftë për liri, për të mbrojtur familjen, tokën, shtëpinë, historinë, kulturën e gjuhën kombëtare. Ndaj manovrat e armiqve tanë e të mbështetësve të tyre do të dështojnë me turp e emri i Kosovës dhe i shqiptarizmit do të ngrihen gjithnjë e më lart.

Gëzimin e kësaj dite feste e bënë edhe më të bukur e më të prekshëm nxënësit e shkollës, të cilët recituan vjersha e kënduan këngë, në zemër të të cilave ishin gjithnjë Kosova, liria, flamuri kombëtar, gjuha shqipe.

Filed Under: Mergata

Vatra, dëshmi se atdheu nuk është vetëm tokë — është kujtesë, është gjuhë, është sakrificë, është përkushtim

February 15, 2026 by s p

Prof. Dr. Vullnet Ameti/

Të nderuar veprimtarë të VATRËS, vëllezër dhe motra që e keni mbajtur gjallë çdo proces historik tonin me frymën tuaj atdhetare,

Është gati sfiduese të gjesh fjalët e duhura për të transmetuar atë se çfarë ndjej, çdo fjalë duket e varfër karshi punës dhe kontributit të tuaj ndër vite. Ju keni hise historike për arritjet e rëndësishme të vendit tonë, nga organizimi, dija, avokimi e lufta për çlirim, tek ekonomia, mirëqenia, demokracia e zhvillimi në paqe.

Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të shënuar një datë. Jemi mbledhur për të dëshmuar fitore të historisë të cilat do të ishin të pamundura pa mbështetjen e VATRËS.

18 vjet më parë, më 17 Shkurt 2008, Kosova u shpall e pavarur. Por ajo ditë nuk ishte vetëm akt politik. Ishte kulmi i një rrugëtimi të gjatë sakrificash, dhimbjesh, qëndrese dhe besimi. Ishte dita kur një popull i vogël, por me shpirt të madh, i tha botës se FREEDOM IS NOT FREE, Liria nuk është e lirë.

Rrjedha jonë kombëtare ka pasur shumë dhembje, por pak triumfe. Pavarësia e Kosovës është një nga ato momente “sui generis” – e papërsëritshme, atipike, e lindur nga sakrifica dhe e vulosur nga drejtësia historike.

Në dimrat e viteve 1994 dhe 2008, shqiptarët rendën masivisht pas idealit: njëherë për Dije kërkesa për një Universitet shqiptar dhe më pas për liri dhe çlirim.

Në vitin 1994 lindi Universiteti i Tetovës – i ndaluar për ata që donin ta mohonin, por legjitim për ata që kërkonin të drejtën natyrore atë për të mësuar në gjuhën e tyre amtare.

Universiteti i Tetovës në mikro-histori ishte paralajmërimi i Kosovës në makro-histori.

I pari ishte rezistencë për Dije. E dyta ishte rezistencë për Liri.

Dhe të dyja u kurorëzuan në të njëjtën datë – 17 Shkurt. Një datë që bashkon Dritën dhe Lirinë.

Në këtë rrugëtim, historia na dhuroi dy ikona me aureolë përjetësie: Prof. Dr. Fadil Sulejmani – prijës i luftës për dije dhe Adem Jashari – prijës i luftës për liri.

Ata takohen simbolikisht në çdo 17 Shkurt. E ky 17 Shkurt më gjeti mua mu aty ku lindën të dyja në VATRËN TONË sepse pa Ju të gjitha këto arritje do të ishin të mangta, pa bosht moral, pa mbështetje ndërkombëtare sepse as lufta për liri dhe as lufta për dije nuk do të kishin arritur pa mbështetjen e paepur tuajën.

Në analet e historisë sonë VATRA do ngelet pik referimi e saherë humbasim rrugën tonë sytë janë kah ju si komardare shpëtimi nga të gjitha agjenturat që me shekuj kanë punuar për ta njollosur indin tonë kombëtar, ju keni qenë digë e fortë dhe mbrojtëse e kauzës dhe orientimit strategjik.

Para pak ditësh isha në Boston. Dëgjova liturgjinë në gjuhën shqipe në kishën e Nolit. Ishte një moment thellësisht prekës. Aty ku fjala e Zotit u shqiptua në shqip për herë të parë në Amerikë, kuptova se identiteti ynë ka mbijetuar sepse është ushqyer me ideal, me kulturë dhe me vizion nga Ju. Pa Fan Noli, pa Faik Konica, pa diasporën që e mbajti gjallë çështjen shqiptare në zemër të Amerikës, rrugëtimi ynë do të ishte më i vështirë thuajse i pamundur.

Por që ta kuptojmë thellësinë e triumfeve tona historike duhet të kthehemi këtu — në këtë vatër ku u konceptua ideja e Shqipërisë moderne. Këtu ku dy figura madhore, Fan Noli dhe Faik Konica, e ngritën kombin nga një nocion etnik në një projekt civilizues.

Sepse Noli nuk ishte vetëm klerik, ishte metafizika e kombit shqiptar. Ai e kuptoi se liria politike është e pamundur pa emancipim shpirtëror. Duke përkthyer Ungjillin në shqip, ai bëri më shumë se një akt fetar — ai i dha kombit tonë të drejtën për të komunikuar me Zotin në gjuhën e vet. Ai e shndërroi gjuhën në sakrament dhe kombin në ndërgjegje.

Konica, me penën e tij të pamëshirshme, e zhveshi shqiptarin nga iluzionet dhe e vuri përballë pasqyrës së qytetërimit. Ai e dinte se një komb që nuk mendon, mbetet turmë; dhe një turmë që nuk kultivohet, mbetet pre e historisë.

Këtu, në Amerikë, ata themeluan Vatra. Jo si strehë emigrantësh, por si laborator të mendimit kombëtar. Këtu u farkëtua ideja se shqiptaria është më shumë se gjak — është ideal dhe idealet nuk vdesin.

Kosova është biri i atij ideali.

Ajo është dëshmi se mendimi paraprin realitetin. Se fjala paraprin aktin.

Se ideja është më e fortë se dhuna. Historia nuk është kalendar datash.

Ajo është përballje mes idealit dhe frikës.

Mes dritës dhe errësirës. Mes atyre që guxojnë dhe atyre që dorëzohen.

Kosova është një akt metafizik i qëndresës.

Ajo është prova se një popull mund të mbijetojë jo sepse është i fortë fizikisht, por sepse është i fortë shpirtërisht.

Më 17 Shkurt 2008, Kosova nuk shpalli vetëm pavarësinë por dinjitetin.

Nëse Noli do të ishte sot mes nesh, ai do të na pyeste: A është Kosova një shtet me shpirt?

Nëse Konica do të fliste sot, ai do të na pyeste: A është Kosova një shtet me mendje?

Këtu, në këtë vend që simbolizon lirinë si parim universal, ne e dimë se miqësia me Amerikën nuk është aksident gjeopolitik. Është bashkim vlerash.

Vatra ishte dhe mbetet rregullatori ynë moral në diasporë. Veprimtaria dhe angazhimi juaj i pareshtur duke ndikuar edhe në Kongresin Amerikan është dëshmi se zëri i shqiptarëve u dëgjua atje ku merreshin vendime historike.

Sepse një komb që fiton luftën për dije dhe luftën për liri, nuk mund të mposhtet kurrë.

Sot nuk dua vetëm t’ju falënderoj. Dua të përulem para jush sepse ju nuk jeni thjesht anëtarë të një organizate historike por vazhdimësia e një ideali që ka refuzuar të vdesë.

Në filozofi thuhet se koha është prova më e madhe e vlerës.

Shumë gjëra lindin me bujë dhe shuhen në heshtje. Por vetëm ato që mbështeten mbi ideal i mbijetojnë kohës.

Vatra i mbijetoi kohës.

Ju jeni dëshmia se atdheu nuk është vetëm tokë — është kujtesë, është gjuhë, është sakrificë, është përkushtim.

Zoti e bekoftë Universitetin e Tetovës!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Zoti e bekoftë Amerikën!

Zoti e bekoftë kombin shqiptar!

Zoti e bekoftë VATRËN!

Filed Under: Mergata

Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi në një moment historik për t’i dalë zot Kosovës

February 13, 2026 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Duke marr shkas nga ajo që po ndodh në Hagë me luftëtaret e UÇK-së, po sjell disa fakte historike. Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi në një moment historik për t’i dalë zot Kosovës, për çlirimin e saj nga pushtuesit serbë dhe për të siguruar jetën e popullit të saj në trojet e veta shekullore. Aksionet e para të UÇK-së të organizuara në pikëpamje ushtarake i kanë fillimet në fundin e vitit 1992 dhe fillimin e vitit 1993, duke marrë përsipër përgjegjësinë e aksioneve luftarake kundër instalimeve serbe në Kosovë. Njësitë e para të  armatosura u shfaqen në 1990. Në maj të vitit 1993 UÇK-ja u pagëzua për herë të parë me emrin që e njohim edhe sot. Aksioni i parë ku u shfaq UÇK-ja ishte në nëntor 1994 në Gllogovc, aksion pas të cilit u shpërnda një  komunikatë ku UÇK-ja merrte përsipër të gjitha goditjet kundër policisë e ushtrisë serbe të bëra deri në atë  kohë. Menjëherë Beogradi nxitoi ti quaj “forcë terroriste” si dhe një “grupim separatistesh”. Pas daljes hapur në opinion të pjesëtarëve të UÇK-së më 28 Nëntor 1997 në fshatin Llaush të Skënderajt, gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halit Geci, vrarë nga milicia serbe, ajo doli hapur me uniformen e saj, çfar tregon se nuk ishte një forcë terroriste, por një ushtri që lindi për t’i dalë zot Kosovës. Ajo kishte Misionin e saj kombëtar: Shporrja me luftë të armatosur dhe pa kompromis i të gjitha forcave ushtarako-policore serbe nga trojet e Kosovës, rikthimi i lirisë dhe i krenarisë së humbur të çdo qytetari dhe ndërtimi i një shteti demokratik  e ligjor të standarteve Europiane në të ardhmen. Në mars 1998, vrasja e Komandantit legjendar Adem Jasharit shënoi pikën kulmore të rritjes së shpejtë e të menjëhershme të UÇK-së e cila tashmë nga njësitë e formacionet e vogla kaloi në formacione të mëdha luftarake. Duke qënë nën presion shumë të madh nga propoganda serbe e eila e quante atë, herë “organizatë terroriste”, herë “marksiste” dhe herë “fondamentaliste”, në maj të vitit 1998 u mor vendimi për krijimin   e Drejtorisë Politike të UÇK-së, e cila do të ishte edhe busulla e kësaj ushtrie. Duke parë me vëmendje kronologjinë e ngjarjeve të mëvonëshme do të vëmë  re se udhëheqja politike e UÇK-së kreu me sukses katër detyra mjaftë të rëndësishme, të cilat do t’i jepnin një shtytje jo vetëm opinionit brënda vendit, por do të sensibilizonin dhe faktorin ndërkombtar, si: Paraqitjen e misionit të saj si ushtri e rregullt. Bindjen e faktorit ndëkombëtar, se UÇK nuk ishte ashtu, siç e paraqisnin qarqet serbe. Sigurimin e mbështetjes së mundeshme nga Shqipëria duke shmangur përfshirjen e Shqipërisë në luftë. Sigurimin e  mbështetjes Europiane, dhe NATO-s, me SHBA-në në krye.

Në qershor 1999 në Junik, Ricard Hollbruk u takua me përfaqësues të UÇK-së, ky ishte edhe një moment historik për vetë UÇK-në që shënon edhe njohjen e saj nga SHBA. Më tej pas takimit të 6 nëntorit të 1998 me Kristofer Hill (në atë kohë Ambasadori i SHBA në Maqedoni), Amerika dhe faktori ndëkombëtar e vlerësonin UÇK-në si një partner serioz në bisedimet për zgjidhjen e çështjes  Kosovare. Veprimtaria rezultative në terren, veprimtaria diplomatike e politike, si dhe mbështetja e panderprerë e SHBA, sollën Rambujenë. Në këtë proces të vështirë e intensiv një rol të padiskutueshëm në njohjen e UÇK-së kanë luajtur SHBA me diplomatet e tyre. Aq i fuqishëm ka qënë roli i SHBA dhe në mënyrë të veçantë i zonjës Ollbrajt në këtë luftë saqë operacioni i NATO-s në Kosovë shpesh u quajt nga shtypi i kohës edhe “Operacioni Ollbrajt”.

Në të njëjtën linjë me strategjinë politike ka qënë edhe strategjia ushtarake e UÇK-së. Fillimisht ajo u shfaq si një luftë guerile deri në kalimin në luftë të përgjithëshme por pa vijë fronti. Në këto kushte UÇK-ja organizoi edhe operacione si ai “shigjeta”, beteja e Llapushnikut, apo ndonjë tjetër. “Shigjeta” është një operacion historik për vetë faktin se ai zhduku njëherë e mirë kufirin midis shqiptarëve. Në fjalët e Gjeneralit Amerikan Uesli Klark dallohet lehte se si po ecte UÇK-ja,  kur ai theksonte: “në kohën kur përpjekjet diplomatike po lëviznin përpara, unë me komandantët po përcillnim se si javët e fundit Ushtria Çlirimtare e Kosovës ngadalë po ringjallej”. Presidenti Klinton ka shprehur hapur simpatinë dhe vlerësimin e tij për UÇK-në, kur thotë “Megjithëse Milosheviçi, ka dëbuar me qindra mijëra shqiptarë kosovare nga shtëpitë e tyre, ai nuk ka mundur të eleminojë UÇK-në. Madje radhët e saj po shtohen dita ditës, ajo ka filluar të ndërmarrë ofensiva kundër forcave serbe, të cilat fshihen skutave për t’u shpëtuar goditjeve”. Ja si e përkufizon Mira Milosheviç, një gazetare serbe që jeton në Spanjë rolin e UÇK-së: “ Gandi i Bailkanit” (kështu e quan ajo Rugovën) ka njëzet vjet që  denoncon gjëndjen e shqiptarëve të Kosovës, porse këtij problemi ju kushtua vëmendje vetëm kur u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. 

Deri në mesin e viteve 1998, UÇK-ja kontrollonte gati 80% të territorit të Kosovës. Ne luftë e sipër ajo bashkoi vullnetarizmin popullor me përpjekje të suksesshme për përgatitjen dhe veprimet luftarake, jo vetëm në shkallë taktike e operative, por edhe në shkallë strategjike. Tashmë e parë në këndvështrimin  strategjiko-politik, UÇK-ja ishte përcaktuar për “lufte të armatosur dhe pa asnjë kompromis në çlirimin e Kosovës”. Ajo vijoi të organizohej në shumë njësi të reja, brigada dhe zona operative, dhe, në të gjitha nivelet, u krijuan komandat eprore. Gjatë kësaj periudhe u afirmuan aftësitë komanduese të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe hap pas hapi u krijuan shërbimet e specializuara. Nga shumë studjues pranohet se gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër Millosheviçit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës jo vetëm që ishte aleate e NATO-s, por edhe realizoi misionin e saj si forcë tokësore e Aleancës. Në radhë të parë ajo ndihmoi NATO-n në sigurimin e të dhënave për objektivat që do të goditeshin si dhe të dhëna të tjera zbulimi mbi lëvizjet dhe dislokimin e forcave serbe.Bashkëpunimi i UÇK-së me NATO-n u vu re në mënyrë të veçantë me fillimin e mësymjes së UÇK-së në malin e Pashtrikut, ku NATO siguroi asistencën e saj nëpërmjet sulmeve ajrore kundër forcave serbe që vepronin në këtë rajon. Aviacioni i NATO-s ishte mbështetja ajrore e Brigadës që sulmoi në këtë rajon. Drejtuesit e lartë ushtarakë të NATO-s e quajtën të rëndësishëm këtë sulm dhe e mbështetën atë. Duke folur për këtë sulm, gjenerali Klark, Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Europe, thotë se “unë e kuptova plotësisht se çfarë do të thoshte për ne sulmi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse ajo do të ishte e suksesshme, ajo do të tërhiqte disa batalione serbe në fushë të hapur, ku ne mund ti sulmonim”. 

Paralajmërimin amerikan dhe komunitetin ndërkombëtar Millosheviçi, asnjëherë nuk i mori seriozisht, përkundrazi intensifikoi dhunën dhe represionin në Kosovë, duke çuar kështu në rritjen e revoltës së shqiptarëve, fillimin e konfliktit të armatosur dhe së fundi në ndërhyrjen e NATO-s me operacionin Forca Aleate.  Më 22 mars, në përgjigje të paralajmërimit, Millosheviçi vazhdoi represionin duke i bërë një sfidë të hapur përpjekjeve diplomatike amerikane e ndërkombëtare. Brutaliteti i veprimeve të policisë, ushtrisë dhe forcave paramilitare është i paimagjinueshem. Operacionini “Patkoi”, të parapërgatitur që më parë për zbrasjen masive dhe të menjëhershme të Kosovës e tregon qartë këtë. Situata humanitare ishte dramatike. Kishte një shpërngulje masive të popullsisë  nga Kosova për në Shqipëri  e  Maqedoni. Shumica e popullsisë, rrethë 1.6 milion shqiptarë, ishin shpërngulur nga shtëpitë e tyre. Qytete e fshatra të tëra zbrazen. Në  fundin e muajt Mars të shpërngulurit drejt Shqipërisë arrijnë në rreth 1 miljon banorë. Gjatë dëbimit me forcë të tyre, bëhet ndarje e detyruar e meshkujve të moshës së ushtrisë, dhe ata  ekzekutohen në vend, kjo në të paktën 20 qytete e fshatra. Më 30 Mars forcat serbe grumbullojne me forcë në kompleksin  sportiv të Prishtinës 10.000 shqiptarë etnikë për t’i mbajtur në izolim, kurse mbi 20.000 banorë të tjerë vihen në marshim të detyruar  nga  fshati Çirëz   drejt Skënderajt,  ku izolohen në një fabrikë. Të dëbuarit me forcë për herë të parë tregojnë  për ekzistencën e varreve masive në Drenicë, Malishevë e Pagarushë. Në Drenicë ishin zbuluar rreth 150 kufoma, kurse në Malishevë 34 të tillë. Në një fshat të Drenicës, forcat serbe kishin  djegur  të gjallë një familje. Po në  brendësi të  Kosovës, por të shpërngulur nga shtëpitë e tyre ndodhen  rreth 700.000 veta. Mbi 3.200 shqiptarë u ekzekutuan. Këto dhe shumë të tjera janë dëshmi e gjallë e asaj çfar ka ndodhur në  Kosovë.

Mbas këtij evolimi të situatës, Këshilli i Atlantikut Veriut (NAC) i dha Sekretarit të Përgjithshëm Solana autoritetin të urdhërojë një operacion të Aleancës me faza. Më 23 mars Hollbruku iku nga Beogradi pa marrë ndonjë konsesus nga Millosheviçi. Solana urdhëroi Gjeneralin Klark të fillonte operacionin “Forca Aleate” mbi ish- Jugosllavi.  Fushata ajërore nuk kishte si objektiv as shkëputjen e Kosovës nga Serbia me forcë, as mbështetjen e UÇK-së dhe  rrëzimin e Milosheviçit nga pushteti. Duke folur per nevojën e kryerjes së këtij operacioni dhe duke argumentuar se pse duhej që NATO të ndërhynte në Kosovë Lordi Robertson, në atë kohë Sekretari i Pergjithshëm i NATO-s thekson: “For ajo (Lufta në Kosovë kundër forcave serbe) gjithashtu ka implikime për vlerat tona. Në qoftë  se do të lejonim këtë pastrim etnik të shkonte më tej, ne do të kishim një grryerje fatale të komunitetit modern euroatlantik të cilin ne po mundohemi ta ngremë, pikërisht tani që po hyjmë në shek.e XXI me të vërtetë ne duhet që kurrë më të mos lejojme rikthimin e Holokaustit.” 

Sot të përpiqesh të barazosh xhelatin me viktimën është jo vetem e turpshme por edhe mizore. Prandaj  kam bindjen se gjykata do i jap fund akuzave të turpshme të prokurorëve dhe do ketë liri për çlirimtaret.

New York Shkurt 2026

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT