• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KORRIDORET E SOTME, PËRCAKTOJNË DREJTIMIN E DEKADAVE QË VIJNË

August 11, 2025 by s p

Historia e Ballkanit është plot me skenarë ku gjeografia është përdorur për të ndryshuar orientime: dje me gjuhë dhe fe, sot me infrastrukturë dhe varësi ekonomike. Asimilimi i dikurshëm vinte me flamuj të rinj; asimilimi i ri ecën mbi shina hekurudhash dhe kontrata koncesionesh. Në këtë panoramë, afrimi mes Shkupit dhe Athinës po merr një dimension të ngushtë dypalësh; dialogu me Sofjen mbetet i ngrirë; dhe me Tiranën mungon ende një bosht strategjik i përbashkët.

Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Në Ballkan, historia nuk ecën përpara ajo rrotullohet. Rrugët e reja nuk janë kurrë të reja; ato janë gjurmët e vjetra të mbuluara me asfalt të freskët. Çdo korridor i shtruar mbi këtë tokë nuk është vetëm një projekt inxhinierik, por një fije e padukshme që lidh kalkulimet e sotme me planet e kahershme të fuqive të mëdha. Këtu, ku kufijtë janë vizatuar më shpesh se hartat e shkollës, asgjë nuk ndërtohet pa një motiv më të thellë se ai që shkruhet në kontrata.

“Korridori 10” i Maqedonisë së Veriut, i paraqitur si arterie zhvillimore, po shndërrohet në një zinxhir strategjik që ndjek trajektoren e njohur nga shekujt e kaluar: një shteg që dikur lidhte portet e Mesdheut me zemrën e Evropës Qendrore, e sot përshkon Selanikun, Maqedoninë, Serbinë dhe Hungarinë, duke krijuar një arkitekturë lidhjesh që shtrihet deri tek sponsorizimet e Pekinit e Moskës si kundërpeshë ndaj “Korridorit 8” Euro-Atlantik.

Pas vitit 2022, kur lufta në Ukrainë përshpejtoi rrotën e historisë, u ndërtua një unazë shtetesh të NATO-s rreth Beogradit, me synimin për ta larguar nga orbita e Lindjes. Por Serbia, si në shekujt XIX dhe XX, e ktheu presionin në trampolinë: fillimisht duke konsoliduar pozitat në Mal të Zi dhe më pas në Shkup, ku zgjedhjet e vitit të kaluar sollën një konfigurim politik që më shumë se të hapte dyer, zgjodhi të hapte korridore. Kështu u hap një korridor i ri që nis nga porti me dominim kinez në Selanik, ngjitet përmes Maqedonisë dhe Serbisë, e përfundon në Hungari një rrugë që në hartat publike shënohet si ekonomi, por në hartat diplomatike lexohet si pozicionim strategjik.

Por ndërkohë që Korridori 10 avancon me ritme të përshpejtuara, Korridori 8 projekti më i rëndësishëm për lidhjen lindje–perëndim dhe për integrimin e Maqedonisë së Veriut në boshtin euroatlantik ka pësuar një sabotim të hapur. Për 15 vite, në relacionin Kërçovë–Strugë u lëshuan në përdorim vetëm 15 kilometra, të përfunduar vetëm muajin e fundit. Ky ritëm i ngadaltë nuk është thjesht paaftësi teknike; ai reflekton një strategji të qëllimshme që favorizon boshtin veri–jug dhe dobëson lidhjet me Bullgarinë dhe Shqipërinë.

Në vend që të përshpejtojë zhvillimin e Korridorit 8, qeveria e drejtuar nga kryeministri Hristijan Mickoski ka përqafuar një kurs politik që lidhet ngushtë me interesat e “botës serbe”, duke lejuar depërtimin e saj në ekonominë dhe infrastrukturën strategjike të vendit. Marrja e një borxhi miliardësh nga Hungaria, hapja e bankave serbe, investimet e dyshimta në Telekomin shtetëror, si dhe shtyrja e punimeve në Korridorin 8 përballë përparimeve të dukshme në Korridorin 10 dhe në hekurudhën veri–jug, tregojnë qartë një orientim politik të koordinuar.

Këto zhvillime nuk janë të izoluara, por pjesë e një trinomi të rrezikshëm nën ndikimin ruso–kinez, ku Vuçiç, Mickoski dhe Orbán po krijojnë një bosht të ri ndikimi në Ballkan. Nën pretekstin e zhvillimit, vendi po zhvendoset nga standardet dhe aleancat perëndimore drejt një zone gri gjeopolitike, ku interesat strategjike të Moskës dhe Pekinit kanë hapësirë të lirë për të vepruar.

Historia e Ballkanit është plot me skenarë ku gjeografia është përdorur për të ndryshuar orientime: dje me gjuhë dhe fe, sot me infrastrukturë dhe varësi ekonomike. Asimilimi i dikurshëm vinte me flamuj të rinj; asimilimi i ri ecën mbi shina hekurudhash dhe kontrata koncesionesh. Në këtë panoramë, afrimi mes Shkupit dhe Athinës po merr një dimension të ngushtë dypalësh; dialogu me Sofjen mbetet i ngrirë; dhe me Tiranën mungon ende një bosht strategjik i përbashkët. Këto boshllëqe, siç ka treguar historia, shfrytëzohen gjithmonë nga ata që lexojnë hartën më shpejt se të tjerët.

Në këtë kuadër, sinjalet që po qarkullojnë për një sponsorizim të Greqisë si shtytëse e procesit debllokues eurointegrues të Maqedonisë gjykohen si një përpjekje për të futur BRICS-in në Evropë nga “dera e vogël”, duke dobësuar pozitën shqiptare dhe bullgare në Ballkan dhe duke favorizuar koridorin ruso–kinez të linjës strategjike të Korridorit 10. Për Shqipërinë dhe Kosovën, kjo nuk është një çështje që mund të ndiqet nga distanca. Korridoret që vizatohen sot do të përcaktojnë nesër orientimin gjeopolitik të hapësirës shqiptare. Nëse nuk ndërtohet një qasje e përbashkët strategjike, rreziku nuk është vetëm izolimi nga boshtet euroatlantike, por edhe integrimi në rrjete ndikimi që shohin Ballkanin si një urë për interesa të tjera, jo gjithmonë miqësore ndaj nesh.

Publiku sheh asfaltin; diplomati sheh drejtimin. Publiku sheh zhvillim; diplomati sheh orientim. Dhe kur kapitulli i ardhshëm të shkruhet, nuk do të përmenden vetëm kilometrat e shtruar, por edhe kujt i shërbyen ato kilometra. Nëse Ballkani nuk e zgjedh vetë itinerarin e tij, atë do ta vizatojnë të tjerët dhe rrallëherë ato rrugë e çojnë popullin atje ku ai dëshiron të shkojë.

Lobistët e angazhuar nga Serbia për të promovuar konceptin e “botës serbe” janë të njëjtit që Hristijan Mickoski po i përdor në mënyrë të heshtur, por të qëllimshme, për të ushqyer narrativën e tij parazgjedhore dhe tashmë qeverisëse mbi “rikthimin e shtetit” një formulë politike që, në dukje e brendshme, në thelb lidhet me prirje të qarta rajonale.

Në peizazhin e ndërlikuar të lëvizjeve diplomatike, rikthimi në skenë i Kristofer Hill nuk është thjesht rotacion në kalendarin e posteve, por një lëvizje e menduar mirë në tavolinat ku ndikimi ndërtohet me vite. Hill, i cili në fund të viteve ’90 shërbeu si ambasador në Shkup dhe deri para disa muajsh mbante postin e ambasadorit në Beograd, u caktua para pak ditësh nga lobi serb si lobues i interesave të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në faqen e internetit të organizatës jofitimprurëse Pupin’s Initiative nga Uashingtoni, u njoftua se ish-ambasadori amerikan në Serbi Christopher R. Hill i është bashkuar kësaj organizate si këshilltar. Kjo organizatë përfaqëson vetëm një nga disa forume lobimi për krijimin e politikave afirmative të SHBA-së ndaj Serbisë përmes sferave politike, ekonomike, të sigurisë dhe kulturore.

Në këtë tabllo, lidhjet mes Beogradit dhe Shkupit nuk shfaqen nëpërmjet deklaratave, por përmes sinkronizimit të mekanizmave të ndikimit që operojnë nën sipërfaqe. Për ata që e lexojnë politikën si art të menaxhimit të balancave të padukshme, ky është një sinjal për vigjilencë të shtuar dhe mobilizim të zgjuar të diasporës shqiptare në SHBA, duke mos u mjaftuar me reagime të vonuara, por duke ndërtuar rrjete të qëndrueshme lobimi që mund të balancojnë një aleancë të re, e cila po projektohet nën hijen e “korridorit dhjetë” dhe synimeve që kapërcejnë kufijtë formalë të shteteve.

Orientimi strategjik i rajonit po formësohet sot nga mënyra se si zhvillohen dhe rangohen projektet infrastrukturore sipas prioriteteve. Korridori 10 po avancon me ritme të shpejta, duke forcuar një bosht veri–jug nën ndikim të shtuar ruso–kinez, ndërsa Korridori 8, lidhja natyrore lindje–perëndim dhe ura më e fortë me boshtin euroatlantik, po mbetet në hije.

Për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kjo situatë kërkon një vizion të unifikuar që të kombinojë diplomacinë aktive me veprime të koordinuara ekonomike e infrastrukturore. Përfundimi i Korridorit 8, thellimi i bashkëpunimit me vendet fqinje euroatlantike dhe shmangia e varësive nga projekte me prirje gjeopolitike alternative janë hapa thelbësorë për të ruajtur stabilitetin dhe orientimin perëndimor të hapësirës shqiptare. Zgjidhjet e marra sot do të përcaktojnë drejtimin e dekadave që vijnë.

Filed Under: Mergata

“Fuqizimi i mësimdhënies së gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë përmes platformave digjitale interaktive”

August 4, 2025 by s p

Mësimdhënia e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha për shkak të ndikimit të gjuhëve të huaja, të teknologjisë dhe largimit fizik nga rrënjët kulturore. Për të përballuar këto sfida, është e domosdoshme një qasje moderne, që ndërthur metodat tradicionale me mjetet teknologjike që flasin “gjuhën” e brezit të ri.

Në seminarin e XVIII mbarëkombëtar në Shkodër, Sadiona Abazaj paraqiti mënyra konkrete dhe praktike për të përdorur platformat dixhitale interaktive si mjete që fuqizojnë mësimdhënien dhe e bëjnë atë më tërheqëse, bashkëkohore dhe të lidhur me identitetin.

Sadiona Abazaj sygjeron se platforma si Kahoot, Blooket, Wordwall, Quizizz, Padlet, Book Creator dhe Mentimeter janë ndër më të përdorshmet për të zhvilluar kuize, lojëra edukative, reflektime kulturore dhe krijime të personalizuara nga nxënësit.

Për shembull:

-Me Kahoot fëmijët mund të konkurrojnë në një lojë me pyetje rreth filmave të vjetër shqiptar si filmi “Beni ecën vet”.

-Me Wordwall krijojmë fjalëkryqe me simbole kombëtare.

-Me Padlet, nxënësit ndajnë kujtimet e tyre për Shqipërinë ose trajtojnë tema dhe tekste në rubrikën Di, Dua të Di, Mësova

-Me Book Creator, fëmijët krijojnë libra dixhitalë për gjyshen në Shqipëri apo pushimet e tyre.

-Me Mentimeter, përmbyllim mësimin me reflektime dhe përgjigje të drejtpërdrejta live.

Sadiona Abazaj shprehet se qëllimi kryesor është të kalojmë nga dëgjimi pasiv në pjesëmarrje aktive, nga të mësuarit përmendësh në krijim e bashkëpunim, nga mësimi që rrotullohet vetëm rreth mësuesit në një mësim të përqendruar te nxënësi.

Kjo qasje synon jo vetëm ruajtjen e gjuhës shqipe, por edhe forcimin e identitetit kulturor dhe ndjenjës së përkatësisë te fëmijët shqiptarë të rritur jashtë vendit.

Rreth autores – Sadiona Abazaj:

Sadiona Abazaj është një mësuese, lektore dhe lidere arsimore me mbi 14 vite përvojë në fushën e arsimit ndërkombëtar në Shqipëri dhe Finlandë. Ajo është drejtoresh pranë një shkolle ndërkombëtare në Helsinki, Finlandë, ku gjithashtu jep mësim gjuhën angleze dhe shqipe.

Ka përfunduar studimet universitare në Studime Britanike dhe Amerikane pranë Universitetit të Tiranës me rezultate të shkëlqyera dhe mban tre diploma masteri në:

Mësimdhënien e Gjuhës Angleze,

Gjuhë dhe Komunikim Ndërkulturor dhe Turistik,

Menaxhim dhe Supervizim të Institucioneve Arsimore.

Gjithashtu, ka përfunduar një program të specializuar 1-vjeçar në Studime Pedagogjike në Universitetin e Helsinkit në Finlandë, të njohur nga Autoriteti Kombëtar i Arsimit Finlandez.

Sadiona Abazaj është e përkushtuar ndaj zhvillimit profesional të mësuesve, përdorimit të teknologjisë në mësimdhënie, dhe ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Paraqitur nga Sadiona Abazaj.

Filed Under: Mergata

KLINA PO BËHET ME SHTATOREN E PRESIDENTIT HISTORIK, DR. IBRAHIM RUGOVA

August 3, 2025 by s p

Prof. Dr. Zenun Elezaj/

Kisha kënaqësinë që, bashkë me kryesuesin e Kuvendit të Komunës, Fadil Gashi, të mirëpresim në takim bashkëvendasin tonë Marjan Cubi, i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë këtij takimi, me Marjanin nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin dhe vendosjen e shtatores së ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Kjo shtatore do të vendoset në sheshin që tashmë mban emrin e tij në qytetin tonë.

Presidenti Rugova mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Ai ishte një lider që me politikën e tij paqësore e ndërkombëtarizoi çështjen tonë dhe siguroi mbështetjen e fuqishme të shteteve perëndimore për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Shtatorja e tij, që pritet të ngrihet shumë shpejt, do të jetë jo vetëm një simbol krenarie, por edhe një shtesë e hijeshisë dhe identitetit të qytetit tonë.

Filed Under: Mergata

Gjuha shqipe, shtyllë themelore e identitetit tonë kombëtar

August 2, 2025 by s p

Prof. Dr. Tonin Gjuraj

Rektori

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”/

Është një kënaqësi dhe nder i veçantë për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” që të jetë pjesë e këtij seminari të rëndësishëm, që, jo vetëm vlerëson punën e palodhur të mësuesve tanë në diasporë, por gjithashtu forcon urat që lidhin brezat shqiptarë në mbarë botën me gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë të përbashkët.

Gjuha shqipe është shumë më tepër se një mjet komunikimi. Ajo është një shtyllë themelore e identitetit tonë kombëtar, një komponent i pazëvendësueshëm në ndërtimin e lidhjeve familjare, komunitare dhe profesionale – brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Mësimi dhe ruajtja e saj përfaqësojnë një mision të përbashkët kulturor dhe kombëtar, që synon ruajtjen e vazhdimësisë ndërbrezore dhe fuqizimin e vetëdijes identitare.

Në këtë kuadër, certifikimi dhe mësimi i gjuhës shqipe në diasporë nuk duhet të shihet vetëm si një përpjekje arsimore, por dhe si një komponent i domosdoshëm i zhvillimit kombëtar. Kjo përputhet plotësisht me objektivat e Strategjisë Kombëtare për Diasporën 2021–2025 (që besoj do të rishikohet për 2025 – 2030), e cila konsideron diasporën shqiptare një partner strategjik për zhvillimin e vendit në fusha kyçe, si: arsimi, kultura, ekonomia dhe diplomacia.

Strategjia synon të forcojë pjesëmarrjen qytetare, të përmirësojë shërbimet për qytetarët tanë jashtë vendit dhe, mbi të gjitha, të ruajë identitetin kombëtar përmes gjuhës. Si lider rajonal, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” është i angazhuar të kontribuojë aktivisht në bashkëpunim me autoritetet vendore, në keto procese zhvillimi, sa mbarëkombëtar, aq dhe lokal dhe rajonal.

Sot, më shumë se kurrë, është thelbësore të mendojmë diasporën si pjesë të pandarë të politikëbërjes dhe zhvillimit të Shqipërisë. Ajo nuk është më vetëm një burim ekonomik, por një urë lidhëse me botën, një vlerë e shtuar në të gjitha proceset e transformimit – nga arsimi dhe kultura, te teknologjia dhe reformat institucionale.

Në këtë rrugëtim të përbashkët për ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka ndërtuar dhe konsoliduar bashkëpunime të rëndësishme me aktorë kyç të diasporës akademike.

Së fundi, kemi nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me organizatën GERMIN, në kuadër të projektit Diaspora4Innovation, me mbështetjen e GIZ Albania dhe Bashkimit Evropian. Ky bashkëpunim synon të kanalizojë njohuritë dhe përvojën e diasporës në projekte konkrete kërkimore dhe akademike, duke përfshirë studiues shqiptarë nga jashtë në jetën akademike të Universitetit.

Gjithashtu, nëpërmjet bashkëpunimit me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), po fuqizojmë lidhjet me diasporën akademike dhe po promovojmë cilësinë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Në të njëjtën frymë, Qendra e Studimeve Albanologjike në Universitetin tonë ka ndërtuar ura të qëndrueshme me departamente të mësimdhënies së gjuhës shqipe në Europë dhe më gjerë, duke kontribuar në përgatitjen e materialeve didaktike, trajnimin e mësuesve dhe promovimin e kulturës sonë kombëtare në mjediset ndërkombëtare.

Shkodra, me traditën e saj, me studiuesit dhe eruditët e mrekullueshëm që kanë jetuar dhe punuar këtu, që kanë përshkuar rrugët e saj, është vendi më i volitshëm për t’u themeluar studimet albanologjike, edhe në nivelin Bachelor, me vlerë në Shqipëri e botë. Kjo është idea më e vlertë e këtij universiteti, sipas meje, është një nga sukseset me vlerë në kohë, me kushtin për t’u themeluar dhe vijuar me vizion. Ky është momenti të mendoni si grup intelektualësh nga diaspora, që mund të jeni pjesë e kontribuesve, qoftë si këshillues a mbështetës, për ndërtimin e një rrjeti me universitete, qendrat kërkimore albanologjike në botë e më gjerë (jo vetëm qendra albanologjike, por edhe të tjera që albanologjia mund të lidhet e të bëhet pjesë).

Ne kemi shpallur tashmë iniciativën “Diasora për Universitetin”, por që lipset të shoqërohet me ndryshime ligjore nga MAS.

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka një ambicie të qartë: të shndërrohet në një qendër kombëtare të ekselencës për formimin e mësuesve të diasporës dhe për edukimin e vazhduar në gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ky është një mision që ndërtohet mbi një trashëgimi të shkëlqyer pedagogjike, që ka përgatitur breza të tërë mësuesish – shumë prej të cilëve sot kontribuojnë me përkushtim në komunitetet shqiptare anembanë botës.

Të dashur pjesëmarrës,

Është një pasuri e jashtëzakonshme që Shqipëria ka një diasporë të arsimuar, të angazhuar dhe të përkushtuar, e cila përfaqëson një potencial të madh për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mbetet i vendosur për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin me ju – mësuesit, profesionistët dhe institucionet e diasporës – për të ndërtuar ura të qëndrueshme dhe për të forcuar rolin e gjuhës shqipe, si një themel i përbashkët identiteti, dinjiteti dhe zhvillimi.

Ju faleminderit për misionin tuaj fisnik, për përkushtimin e përditshëm dhe për dashurinë që mbillni për gjuhën shqipe në zemrat e brezave të rinj në mbarë botën.

Filed Under: Mergata

Koha për shtet, jo për spektakël

June 30, 2025 by s p

Ramiz Tafilaj/

Kosova gjendet në një situatë kritike. Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë Kryetarin e tij për 39 herë radhazi. Kjo nuk është më thjesht një krizë procedurale- është një bllokadë serioze që po paralizon shtetin, institucionet dhe jetën demokratike.

A mundet një vend të vazhdojë të funksionojë pa një Kuvend aktiv, pa një qeveri të re dhe pa një vizion të përbashkët politik?

Përgjigjja është e qartë:

Jo.

Në këtë kontekst, është e domosdoshme të ngrihet zëri qytetar dhe institucional kundër një situate që po i bën dëm Kosovës në të gjitha nivelet: politik, kushtetues, ekonomik dhe ndërkombëtar.

Asnjë parti nuk është mbi shtetin.

Partia që ka dalë më e madhe në zgjedhje- në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje – gëzon legjitimitetin për të pretenduar drejtimin e institucioneve. Por asnjë parti, pavarësisht rezultatit zgjedhor, nuk ka të drejtë të mbajë peng institucionet kur nuk ka shumicën e nevojshme për të funksionalizuar Kuvendin.

Sistemi parlamentar nuk është sistem i sundimit të fituesit absolut, por i ndërtimit të shumicës, i kompromisit dhe i bashkëqeverisjes. Nëse nuk ka marrëveshje me partitë e tjera, nuk ka qeverisje të qëndrueshme.

Ky ngërç nuk është më çështje e partive – është çështje e shtetit. Pasojat janë të rënda dhe ndihen çdo ditë.

Kuvendi që nuk funksionon do të thotë:

* Nuk miratohen ligje të reja;

* Nuk ndahen buxhete për sektorët jetikë si arsimi, shëndetësia dhe siguria;

* Nuk përfaqësohen qytetarët që e kanë dhënë votën për ndryshim;

* Nuk ka kontroll mbi ekzekutivin aktual, që po mbetet me mandat të tejzgjatur.

Qytetarët po jetojnë me pasoja reale të kësaj bllokade: papunësia rritet, investimet ndalojnë, besimi në shtet bie, dhe e ardhmja bëhet e pasigurt. Ndërkohë, Komuniteti Ndërkombëtar po vëzhgon me shqetësim. Kosova që synon njohje dhe integrim nuk mund të dërgojë mesazhe pasigurie dhe mosfunksionimi.

Kompromisi është thelbi i demokracisë.

Është momenti për të kuptuar se kompromisi nuk është tradhti politike- por akt i përgjegjësisë shtetformuese. Demokracia nuk është art i imponimit, por i negociimit.

Partia më e madhe duhet të hapë rrugë dhe të tregojë gatishmëri për marrëveshje. Partitë e tjera duhet të ofrojnë mbështetje për zgjidhje të qëndrueshme. Presidentja dhe institucionet kushtetuese duhet të luajnë rolin aktiv për të ndihmuar në tejkalimin e krizës.

E gjithë klasa politike duhet të ngrihet në nivelin që kërkon momenti. Sepse shteti është mbi çdo interes partiak. Kosova është mbi çdo strategji elektorale.

Zgjidhja kërkon vullnet.

Çfarë duhet të ndodhë?

1.- Të krijohet një marrëveshje politike e përkohshme, që garanton funksionimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve.

2.- Nëse kjo dështoi- të shqyrtohet aktivizimi i Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar hapat kushtetues të zhbllokimit.

3.- Në skenarin më të fundit- të shkohet në zgjedhje të reja, por me kushte që sigurojnë që kriza të mos përsëritet.

Zgjedhjet janë zgjidhje demokratike, por nëse bëhen pa reflektim, do të çojnë në të njëjtin bllokim.

Mbyllje: Shteti nuk është terren për eksperiment politik.

Kjo që po ndodh nuk është thjesht ngërç parlamentar- është eksperiment me stabilitetin e shtetit. Në emër të një fitoreje relative, po rrezikohet legjitimiteti i institucioneve, besimi qytetar dhe rruga euroatlantike e vendit.

Kosova nuk mund të mbetet peng i asnjë partie politike.

Ajo i përket qytetarëve të saj, dhe Kuvendi duhet të punojë për ta, jo kundër tyre.

Është koha për zgjidhje, jo për hakmarrje politike. Koha për shtet, jo për spektakël.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 105
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT