• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRBALLË PROTESTAVE NË TIRANË DHE KRIZËS SË DEMOKRACISË, KUJTOJMË PROFESOR ARSHI PIPËN

July 21, 2026 by s p

Intelektualin që komunizm nuk arriti ta thyejë, në 29-vjetorin e ndarjes së tij nga kjo jetë.

Nga Frank Shkreli

Më 20 korrik 1997, në Washington, u shua fizikisht një nga personalitetet më të mëdha të mendimit shqiptar të shekullit XX. Por vdekja nuk mund ta heshtte Arshi Pipën. Përkundrazi, me kalimin e viteve, zëri i tij është bërë edhe më aktual, ndërsa veprat dhe paralajmërimet e tij marrin një peshë të re në një Shqipëri që ende nuk ka bërë paqe me të kaluarën e saj komuniste, e rrjedhimisht, as me vet-veten. Frank Shkreli/ Arshi Pipa: Mendime të hedhura me rastin e 100-vjetorit të lindjes | Gazeta Telegraf

Arshi Pipa nuk ishte vetëm poet, filozof, kritik letrar dhe profesor universiteti në Amerikë. Ai ishte ndërgjegjja e lirë e një kombi të robëruar. Ishte një intelektual që e pagoi me dhjetë vjet burg besnikërinë ndaj së vërtetës dhe refuzimin për t’iu nënshtruar diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Në burgjet e regjimit të Enver Hoxhës, ai provoi gjithçka që mund të prodhojë një sistem totalitar terrorist: urinë, punën skllavëruese, poshtërimin dhe terrorin psikologjik. Regjimi synonte ta thyente, ta detyronte të mohonte veten dhe bindjet e tij. Dështoi. Nga ato qeli të errëta dolën poezi, meditime dhe një forcë morale që vetëm njerëzit me karakter të jashtëzakonshëm mund ta ruajnë në kushte çnjerëzore. Nga Frank Shkreli – Imzot Vinçens Prenushi: Dëshmi drite në errësirën e dhunës komunisto-bolshevike shqiptare | Gazeta Telegraf. Kur arriti në botën e lirë, Arshi Pipa nuk zgjodhi qetësinë e mërgimit. Ai zgjodhi betejën. Nga universitetet amerikane, ku fitoi respektin e kolegëve dhe studentëve si studiues i letërsisë dhe filozofisë, ai e përdori autoritetin e tij akademik për t’i treguar Amerikës dhe botës fytyrën e vërtetë të komunizmit shqiptar. Në një kohë kur propaganda e Tiranës përpiqej të paraqiste Shqipërinë si një “parajsë socialiste”, Arshi Pipa u bë një nga zërat më të besueshëm që e rrëzoi dhe diskreditoi atë mashtrim. Ai nuk fliste nga teoritë. Fliste si njeri që kishte mbijetuar ferrin komunist në burgjet e Enver Hoxhës. Lufta e tij nuk kufizohej vetëm kundër diktaturës shqiptare. Arshi Pipa e shihte komunizmin si një kërcënim universal ndaj qytetërimit perëndimor, ndaj lirisë individuale dhe dinjitetit njerëzor. Ai ishte pjesë e asaj plejade intelektualësh shqiptarë dhe të Evropës Lindore dhe të diasporës antikomuniste në Amerikë që paralajmëronin Perëndimin të mos binte pre, e iluzioneve ideologjike. Për Profesor Pipën, komunizmi nuk kishte “fytyrë njerëzore”. Ai ishte një sistem që mbijetonte vetëm përmes dhunës, frikës dhe shkatërrimit të elitave kombëtare.

Njëkohësisht, ai mbrojti me vendosmëri identitetin kulturor shqiptar. Debatet e tij mbi gjuhën standarde, historinë e letërsisë dhe trashëgiminë kombëtare nuk ishin, thjesht, ushtrime akademike. Ato ishin pjesë e përpjekjes për ta çliruar kulturën shqiptare nga prangat ideologjike të diktaturës komuniste në çdo fushë të jetës dhe veprimtarisë shoqërore. Ai besonte se edhe gjuha mund të burgosej, po aq sa njeriu, kur vihej në shërbim të pushtetit politik.

Sot, paradoksi është i hidhur. Ndërsa emra mediokër të nomenklaturës komuniste vazhdojnë në krye të institucioneve akadaemike, vazhdojnë të promovohen e madje të rehabilitohen në jetën publike shqiptare — figura si Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Martin Camaj, e shumë të tjerë patriotë, të dënuar, anashkaluar dhe të harruar, ende nuk kanë marrë vendin që meritojnë në shoqërinë shqiptare, në tekstet shkollore, në institucionet shtetërore, universitare e akademike dhe as në kujtesën kombëtare, në përgjithsi. Kjo nuk është vetëm një harresë historike por është një padrejtësi morale përmasash kombëtare.

Një komb që nuk nderon ata që sakrifikuan për lirinë, rrezikon të humbasë vetë kuptimin e lirisë. Arshi Pipa nuk kërkoi privilegje, as lavdi personale. Ai kërkoi vetëm që e vërteta të mos nënshtrohej dhe që krimet e komunizmit të mos relativizoheshin, kurrë. Në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga jeta, kujtimi i Arshi Pipës është më shumë se një homazh. Është një thirrje për ndërgjegje. Është një kujtesë se demokracia nuk mbrohet me harresë, por me të Vërtetën; se pajtimi nuk ndërtohet mbi heshtjen ndaj së kaluarës komuniste dhe krimeve të regjimit, por mbi drejtësinë; dhe se liria nuk është dhuratë, por trashëgimi që çdo brez duhet ta mbrojë. Profesor Arshi Pipa mbetet një nga monumentet morale të antikomunizmit shqiptar. Zëri i tij vazhdon të na kujtojë se diktaturat mund të burgosin trupin e njeriut, por kurrë mendimin e lirë.

Nëse Profesor Arshi Pipa do të mund të na fliste sot, ai nuk do të hiqte dorë nga parimet që e udhëhoqën gjithë jetën e tij: mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë, të drejtës së qytetarëve për të kundërshtuar pushtetin dhe domosdoshmërinë që qeveritë të japin llogari para popullit. Ai, si shumë të tjerë të brezit të tij, e konsideronte heshtjen përballë padrejtësisë si bashkëfajësi morale dhe besonte se demokracia nuk mund të mbijetojë pa një qytetari aktive dhe pa institucione që respektojnë ligjin. Në këtë kuptim, protestat e vazhdueshme qytetare në Tiranë, pavarësisht bindjeve politike të pjesëmarrësve dhe debateve që ato kanë ngjallur, janë shprehje e një të drejte themelore demokratike që duhet të garantohet dhe të dëgjohet, jo të shpërfillet.

Po aq e sigurt është se Arshi Pipa do të këmbëngulte që opozita, shoqëria civile dhe çdo lëvizje qytetare të udhëhiqeshin nga parime morale, respekti për shtetin e së drejtës dhe refuzimi i çdo forme dhune. Për të, demokracia nuk ishte vetëm e drejta për të protestuar, por edhe përgjegjësia për të ndërtuar një kulturë politike ku pushteti kontrollohet, ku korrupsioni ndëshkohet dhe liria dhe interesi kombëtar nuk sakrifikohen kurrë në emër të interesave politike e partiake. Ky është mesazhi që e bën Profesor Arshi Pipën një figurë të përhershme të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Është detyrë morale dhe kombëtare që shteti dhe shoqëria shqiptare t’i japin Arshi Pipës vendin që i takon në panteonin e kulturës dhe të rezistencës shqiptare. Veprat e tij duhet të jenë pjesë e programeve universitare dhe shkollore; kontributi i tij duhet të njihet e të promovohet; ndërsa sakrifica e tij duhet të shërbejë si frymëzim edhe për brezat e rinj sot dhe në të ardhmen.

Siç e kam theksuar shpeshëherë në të kaluarën edhe për raste të tjera, një komb që nuk nderon mendjet e tij më të ndritura, rrezikon të humbasë kujtesën historike. Arshi Pipa nuk ka nevojë për lavdi të vonuar — është Shqipëria ajo që ka nevojë të pajtohet me të Vërtetën për figura si ai.

Filed Under: Mergata

TURPI I NJË DEKLARATE QË SFIDON TË VËRTETËN HISTORIKE

July 16, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Ka deklarata politike që duhen kundërshtuar. Ka edhe të tjera që duhen dënuar pa asnjë dyshim as vonesë. Fjala është për deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Kur zyrtarë të Beogradit flasin për “spastrim etnik”, në Kosovë, ata nuk mund t’i ikin hijes së së kaluarës. Pikërisht regjimi i Slobodan Millosheviçit zhvilloi në Kosovë një fushatë dhune terrori shtetëror që detyroi qindra mijëra shqiptarë të largoheshin nga shtëpitë e tyre, shkatërroi qindra fshatra dhe la pas mijëra të vrarë e të zhdukur. Këto nuk janë pretendime politike. Janë fakte të dokumentuara nga organizatat ndërkombëtare, nga dëshmitë e panumërta dhe nga proceset gjyqësore ndërkombëtare.

Prandaj, kur sot një ministre serbe përdor të njëjtin term kundër Kosovës, ajo nuk po mbron të drejtat e askujt. Ajo po përpiqet të relativizojë krimet e së kaluarës, të zëvendësojë viktimën me agresorin dhe të ndërtojë një narrativë që nuk i reziston as historisë, as fakteve. Edhe më shqetsues do të ishte normalizimi i përdorimit të kësaj gjuhe nga Beogradi zyrtar. Historikisht, Ballkani e ka paguar shtrenjt çmimin e urrejtjes së institucionalizuar në atë rajon. Shqetësuese është edhe heshtja ose reagimi i vakët i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare. Ballkani ka paguar një çmim të tmerrshëm për gjuhën e urrejtjes dhe për propagandën nacionaliste gjatë dekadave. Në një Evropë që ka ndërtuar paqen mbi mësimet e tragjedive të shekullit XX, përdorimi i terminologjisë së spastrimit etnik për qëllime propagandistike është i papranueshëm. Kjo nuk është retorikë politike e zakonshme; është një përpjekje për të shtrembëruar historinë, për të viktimizuar agresorin dhe për të nxitur tensione të reja në një rajon që ende mban plagët e luftës së fund shekullit të kaluar.

Pikërisht për këtë arsye, çdo deklaratë që ringjall fantazmat e viteve ’90 duhet të marrë përgjigjen e merituar. Jo me fjalë të një diplomacie të zbehtë, por me qartësi morale dhe politike. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë nuk duhet ta relativizojnë një gjuhë të tillë nga një ministre e qeverisë së Beogradit.

Heshtja përballë deklaratave që aludojnë ose paralajmërojnë spastrim etnik rrezikon të normalizojë një diskurs që Evropa është betuar të mos e tolerojë më kurrë. Paqja ndërtohet mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe respektin për dinjitetin njerëzor. Kush përdor gjuhën e spastrimit etnik si armë propagandistike nuk i shërben as popullit të vet, as stabilitetit të rajonit. Përkundrazi, ai i hap rrugë mosbesimit, urrejtjes dhe izolimit ndërkombëtar. Historia e Ballkanit na ka mësuar një mësim të hidhur se fjalët e papërgjegjshme shpesh u paraprijnë veprave tragjike. Prandaj, ato duhet të dënohen me vendosmëri, pa vonesë dhe pa standarde të dyfishta.

Reagimi i Tiranës zyrtare: Prandaj, përballë një deklarate kaq të rëndë dhe provokuese nga një ministre e qeverisë socialiste serbe, heshtja e Tiranës zyrtare nuk do të ishte as e justifikueshme dhe as në përputhje me përgjegjësinë e saj politike e kombëtare në rajon. Shqipëria duhej të reagonte menjëherë, duke dënuar pa vonesë dhe pa dyshim retorikën serbe si një përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën historike, për të diskredituar shtetin e Kosovës dhe për të minuar dialogun në rajon. Njëkohësisht, Tirana duhej t’u bënte thirrje Bashkimit Evropian dhe partnerëve euroatlantikë që të mos tolerojnë gjuhën e provokimit dhe të kërkojnë nga Beogradi zyrtar përgjegjësi politike, sepse paqja nuk mund të ndërtohet mbi propagandën, as pajtimi mbi falsifikimin e historisë.

Serbia nuk mund të pretendojë se synon integrimin evropian, ndërsa njëkohësisht lejon përfaqësuesit e saj të përdorin një retorikë që bie ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e pasluftës. Serbia nuk mund të kërkojë besim ndërkombëtar duke ushqyer mosbesim rajonal dhe konflikte. Nuk mund të ndërtosh paqe duke ricikluar propagandën dhe duke hedhur në veprim industrinë e mohimit të krimeve në Kosovë. Ka ardhur koha që Beogradi zyrtar të heqë dorë nga politika e viktimizimit artificial dhe të përballet, ndershmërisht, me të kaluarën e vet kriminale ndaj shqiptarëve të Kosovës. Vetëm atëherë, dialogu do të ketë kuptim dhe e ardhmja do të ndërtohej mbi besimin e ndërsjellt.

Kosova nuk ka nevojë t’i përgjigjet kësaj gjuhe provokuese me të njëjtën monedhë. Përgjigjja më e fortë që Kosova mund t’i japë është shteti ligjor, mbrojtja e të drejtave të çdo qytetari dhe besimi te faktet. Por kjo nuk do të thotë heshtje përballë shpifjeve. Historia nuk mund të fshihet me një konferencë shtypi. As nuk mund të rishkruhet me deklarata ministrore. Kush përdor termin “spastrim etnik” si armë propagandistike, jo vetëm që fyen kujtesën e viktimave, por rrezikon paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit.

Ballkani nuk ka nevojë për më shumë gënjeshtra historike. Ka nevojë për përgjegjësi, për të vërtetën dhe për guximin për t’u përballur me të kaluarën. Deri atëherë, çdo deklaratë e tillë do të mbetet ajo që është: një akt i papërgjegjshëm politik, një provokim i qëllimshëm dhe një përpjekje e dëshpëruar për ta kthyer propagandën në zëvendësuese të së vërtetës.

Filed Under: Mergata

Lufta e autoriteteve osmane kundër shkollimit shqip (shek. XIX – fillimi i shek. XX)

July 7, 2026 by s p

Nikollë Loka/

Gjatë periudhës së reformave të Tanzimatit dhe në dekadat pasuese të shekullit XIX, çështja e arsimit në gjuhën shqipe u shndërrua në një nga fushat më të ndjeshme të konfliktit midis autoriteteve osmane dhe elitave shqiptare. Në thelb, ky konflikt nuk ishte thjesht pedagogjik apo kulturor, por lidhej drejtpërdrejt me procesin e formimit të identiteteve kombëtare në një perandori shumëetnike që po përballej me fragmentim të brendshëm.

Reformat e Tanzimatit (1839-1876) synonin modernizimin e shtetit dhe forcimin e kontrollit qendror. Në praktikë, ato nënkuptuan zëvendësimin e autonomisë lokale me administrim të centralizuar, gjë që shkaktoi pakënaqësi në Shqipëri, ku strukturat tradicionale lokale kishin një rol të rëndësishëm. Shkollat osmane, edhe kur u hapën në territoret shqiptare, ishin të orientuara drejt osmanizimit kulturor dhe administrativ, duke përdorur kryesisht gjuhën turke osmane dhe duke përjashtuar gjuhën shqipe nga procesi mësimor.

Frika nga nacionalizmi shqiptar

Një nga arsyet qendrore të kundërshtimit osman ndaj shkollimit shqip ishte frika nga formimi i një identiteti kombëtar shqiptar të pavarur. Në mendimin politik osman të shekullit XIX, sidomos pas krizave territoriale dhe humbjeve në Ballkan, çdo konsolidim gjuhësor shihej si hap drejt separatizmit. Për këtë arsye, gjuha shqipe konsiderohej jo vetëm një mjet komunikimi, por një instrument potencial politik që mund të prodhonte vetëdije kombëtare dhe, rrjedhimisht, të rrezikonte unitetin perandorak. Fillimisht kjo frikë u artikulua në kuadër të osmanizmit, ndërsa më vonë u forcua edhe nën ndikimin e tendencave më konservatore të kontrollit fetar dhe politik.

Pas Kongresit të Berlinit (1878), kjo qasje u bë edhe më e ashpër, duke çuar në mbyllje dhe ndalime të shkollave shqipe, pasi shteti osman e shihte përhapjen e arsimit shqip si pjesë të ndërhyrjeve të fuqive evropiane në Ballkan. Një element tjetër i rëndësishëm ishte ndikimi i fuqive të jashtme, veçanërisht Austro-Hungarisë dhe Italisë, të cilat mbështesnin zhvillimin kulturor dhe arsimor shqiptar. Kjo ndërhyrje e shtonte dyshimin osman se çështja e gjuhës shqipe nuk ishte vetëm kulturore, por edhe politike dhe strategjike. Incidenti i vitit 1912 në Filat, ku ambasadori austriak kërkoi hapjen e shkollave shqipe, tregon qartë se arsimi shqiptar ishte bërë pjesë e diplomacisë ndërkombëtare.

Përveç shtetit osman, edhe institucionet fetare ortodokse greke kundërshtonin zhvillimin e arsimit shqip. Tradicionalisht, shqiptarët ortodoksë ishin integruar në sistemin arsimor greqishtfolës, dhe përhapja e shqipes shihej si kërcënim për autoritetin kishtar dhe mundësinë e krijimit të një kishe të pavarur shqiptare. Në këtë mënyrë, arsimi në gjuhën shqipe u gjend nën presion të dyfishtë: nga njëra anë shteti osman dhe nga ana tjetër hierarkitë fetare rajonale.

Rezistenca shqiptare dhe zhvillimi i vetëdijes kombëtare

Pavarësisht shtypjes, gjatë kësaj periudhe u zhvillua një lëvizje e rëndësishme intelektuale shqiptare. Botimi i “Abetares” (1879) nën ndikimin e Lidhjes së Prizrenit shënoi një moment themelor në institucionalizimin e gjuhës shqipe. Intelektualë si Sami Frashëri, Ismail Kemal Beu, dhe të tjerë, luajtën rol kyç në debatin mbi alfabetin dhe standardizimin e shqipes, duke e lidhur gjuhën me projektin e formimit kombëtar. Megjithatë, këto përpjekje u përballën me ndalime të vazhdueshme, përfshirë ndalimin e shkollave shqipe dhe kufizimin e përdorimit të gjuhës në hapësirat publike dhe fetare.

Gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XIX, arsimi u shndërrua në një arenë kryesore konflikti politik. Për shqiptarët, shkollat në gjuhën amtare përfaqësonin mjet emancipimi kulturor dhe kombëtar. Për osmanët, ato përfaqësonin rrezik për fragmentim politik.

Në këtë kontekst, shteti osman ndërmori masa të shumta kufizuese: kontroll të kurrikulave, ndalime të shkollave private shqiptare, dhe kufizim të përdorimit të gjuhës shqipe në institucione publike. Lufta osmane kundër shkollimit shqip nuk mund të kuptohet thjesht si politikë arsimore, por si pjesë e një strategjie më të gjerë për ruajtjen e unitetit perandorak në një kontekst të rritjes së nacionalizmit shqiptar. Megjithatë, këto politika shtypëse patën edhe efekt të kundërt: ato kontribuuan në forcimin e vetëdijes kombëtare shqiptare, duke e bërë gjuhën dhe arsimin një nga shtyllat kryesore të lëvizjes kombëtare shqiptare në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.

Filed Under: Mergata

Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

July 4, 2026 by s p

Happy 250th Anniversary of the Independence of the United States of America!

Sot eshte festa e pavaresise e vendit tone qe na mirepritu, na dha shtetesine dhe çdo te mire qe gezojme sot si shtetas te saj te barabarte me çdo shtetas tjeter amerikan.

Amerika eshte vendi më demokratik në botë dhe vendi më miqesor ndaj Shqiptareve, Kombi qe na ka ndihmuar me shume se asnje vend tjeter ne bote pergjate gjithe historise sone 114 vjeçare.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidentet e saj ndër vite dhe populli amerikan kanë bërë shumë për vendin tonë, për lirinë tonë, për sigurinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar dhe për çdo qytetar shqiptar.

Por mbi te gjitha qendron padyshim çlirimi i Kosoves nga okupatori, ushtria dhe çetniket e Serbise duke krijuar dy shtete te pavarura Shqiptare në Ballkan.

Në datën 4 Korrik, si shtetas krenar Shqiptaro-Amerikan festojmë krahas popullit amerikan dhe kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara.

Në këtë ditë, kujtojmë edhe të gjithë ata që pergjate dekadave kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e miqësisë sonë të përjetshme.

Personalisht jam shume krenar per kontributin, pjesmarrjen dhe drejtimin e operacioneve luftarake me te suksesshme te historise te Forcave te Armatosura ne bashkepunim me ushtrine me te forte te globit ushtrine Amerikane ne terrenet me te veshtira operacionale, gje e cila po te kerkohet edhe neser do ta ishte privilegji me i madh per mua.

Në mënyrë të veçante dëshiroj të kujtoj dhe vlerësoj të gjithë ata kolegë te Forcave te Operacioneve Speciale BOS që kanë sakrifikuar drejtëpërdrejtë në frontet më të vështira në luftën kundër terrorizmit global dhe heroin tonë Feti Foglin që dha jetën në krye të detyrës.

Se fundi, te gjithe politikanet hajdute te Rilindjes te cilet perpiqen te justifikojne planet e tyre te erreta antishqiptare duke i cilesuar protestat me demokratike dhe paqesore te rinise Shqiptare keto 34 dite si protesta kunder Amerikes, genjejne, mashtrojne dhe nuk do ja dalin pasi askush me mire se Amerika jua kupton qellimin.

May God Bless United States of America and United States of Albania.

Dr. Dritan Demiraj.

Nderi i Kombit, 2014.

Filed Under: Mergata

Kujtojmë sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin, politikanin dhe patriotin e shquar Vaso Pasha

June 29, 2026 by s p

Vaso Pasha (Pashko Vasa) është një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Ai lindi më 17 shtator të vitit 1825 në Shkodër. I ati quhej Hilë Gjokë Vasa, e ëma Drande Gjegja. Të parët e fisit të tij, nga i ati, ishin shpërngulur nga Mirdita dhe ishin zhvendosur në Shkodër, n’atë shtëpi ku sot është shtëpia-muze e Pashko Vasës.

Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga viti 1842 gjer në vitin 1847, ku pati mundësinë të përmirësonte dijet e tij në gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht.

Karriera e tij u zhvillua kryesisht në administratën osmane, ku mbajti detyra të larta si vali i Libanit dhe më pas i Egjiptit, duke u dalluar për aftësitë e tij diplomatike e organizative. Megjithatë, Vaso Pasha mbetet i paharruar për kontributin e tij në çështjen kombëtare shqiptare. Ai ishte një nga themeluesit e Lidhjes së Prizrenit dhe autor i shkrimeve të rëndësishme që mbrojtën gjuhën dhe identitetin shqiptar.

Në vitin 1864, në Stamboll, u bashkua me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin për sigurimin e fondeve financiare, lidhur me formimin e shkollave shqipe, si dhe me caktimin e një alfabeti të vetëm.

Më 1867-n ai qëndron në krye të përpjekjeve për themelimin e një shoqërie kulturore dhe të një alfabeti të përbashkët mbi bazën e alfabetit latin.

Më 1869-n merr pjesë në grupin nismëtar për krijimin e një shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor.

Më 1871-shin, në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nis orvatjen për krijimin e një organizate atdhetare shqiptare.

Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë.

Më 1879-n ishte ndër veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”.

Vaso Pasha ishte autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të jetuar i lirë dhe i pavarur. Botoi “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë” (Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie), Konstandinopojë, 1872, ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatasit, “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» (La vérité sur l’Albanie et les Albanais), Paris 1879, në të cilën, krahas të dhënave historike, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ai hartoi veprën “Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut” (Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi), Kostandinopojë 1865.

Vaso Pasha shkroi një varg veprash të tjera, të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise), Konstandinopojë 1878; “Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi” (Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître), London 1887).

Si shkrimtar, ai la gjurmë si autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni!” (1880), e cila u botua si fletë fluturuese, dhe me romanin “Bardha e Temalit”, një nga veprat e para të letërsisë shqiptare, por edhe me poezinë e tij patriotike. Thirrja e tij e famshme “Feja e shqiptarit është shqiptaria” u bë moto e Rilindjes Kombëtare dhe mbetet deri sot një nga shprehjet më të fuqishme të unitetit kombëtar.

Vaso Pasha u nda nga jeta më 29 qershor 1892 në Bejrut, duke lënë pas një trashëgimi të pasur letrare, politike dhe patriotike që e vendos ndër figurat më të ndritura të historisë sonë kombëtare.

www.akad.gov.al

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT