
Shoqëritë e lira demokratike të Perëndimit, ku shqiptarët kanë dëshirë të shkojnë dhe të integrohen, kanë ndërtuar standarde politike dhe ekonomike. Besoj se këtë askush nuk e vë në dyshim.
Realisht, shqiptarët e kanë shfaqur dëshirën dhe vullnetin e tyre që në ditët e para të viteve ’90 për t’iu bashkuar Perëndimit, por janë pikërisht këto standarde politike dhe ekonomike që u janë përplasur në fytyrë shqiptarëve dhe që, fatkeqësisht, vazhdojnë t’u përplasen edhe sot e kësaj dite.
Natyrisht, është e drejtë e këtij grupimi politik dhe ekonomik, që quhet Bashkimi Evropian, t’u imponojë vendeve kandidate standarde të caktuara, ashtu siç është detyrim i klasës politike të vendeve kandidate t’i përmbushë ato.
Paradoksi i gjithë historisë tragjikomike të integrimit të shqiptarëve në Bashkimin Evropian është se BE-ja kërkon standarde reale dhe të prekshme, të cilat, të përkthyera në shqip, do të thotë standarde dhe cilësi jetese për shqiptarët. Ndërsa klasa politike shqiptare vazhdon prej 36 vitesh vetëm t’i mashtrojë shqiptarët se po punon për realizimin dhe përmbushjen e këtyre duke u shndērruar realisht nē pengesēn kryesore te integrimit, pasi Bashkimin Evropian nuk kanē mundur ta mashtrojë.
Mirëpo, çdo gjë ka një fund, duke përfshirë edhe durimin.
Nuk dua të ndalem te arsyet e humbjes së durimit nga ana e shqiptarëve, pasi jo vetëm që është e tepërt, por shqiptarët kanë mbi 80 vjet që mbajnë mbi supe komunizmin e pasojat e tijē e tē trashëgimtarëve të tij gjenetikë e ideologjikë. Fakt është se këtij durimi i erdhi fundi dhe shqiptarët mbushën rrugët dhe sheshet e Shqipërisë, si edhe të vendeve të Perëndimit ku jetojnë, në një protestë madhështore kombëtare dhe paqësore, duke i treguar vetes dhe gjithë botës se populli shqiptar nuk pajtohet më me sundimtarët e tij mashtrues dhe hajdutë.
Protesta kombëtare e shqiptarëve, në atdhe dhe në diasporë, është jo vetëm një fakt, por edhe një zhvillim qytetar, politik dhe shoqëror i një niveli shumë të lartë, krahasuar me standardet më të mira të shoqërive perëndimore, edhe sikur protesta të përfundonte nesër.
Jo vetëm kaq, por shqiptarët i treguan botës se në shpirtin e tyre ekziston një energji e madhe lirie dhe se nuk mund të pajtohen mẽ as me grabitësit e pasurisë së tyre dhe as me shtypësit apo mohuesit e lirive të tyre, duke e shpalosur këtë mospajtim brenda standardeve më të larta demokratike të shoqërive perëndimore, të cilave kanë shfaqur dëshirën dhe vullnetin për t’iu bashkuar qẽ nē 90tēn .
Pra, shqiptarët dhe Shqipëria ndodhen në një paradoks që tashmë ka dalë në pah si drita e diellit, jo vetëm në sytë e çdo shqiptari, por edhe në sytë e botës demokratike, falë edhe mediave perendimore profesionale që raportuan për këto zhvillime nga sheshet e kryeqytetit shqiptar.
Ky paradoks qëndron ndërmjet një populli shqiptar tashmë të ndërgjegjësuar për fuqinë dhe mundësinë që ka shpirti i tij i lirë, me kokën lart, dhe një klase politike fosile, e cila, të paktën në mentalitet, ka mbetur ende në vitet ’90.
Mirëpo, e gjithë kjo histori përplasjeje ndërmjet popullit shqiptar dhe sundimtarëve të deritanishëm ka edhe anën e saj ironike: sundimtarët u tregojnë protestuesve mandatet e fituara, për të cilat shqiptaret tashmē janē ndergjegjesuar se janë marrë në mënyrë të pandershme, në njē pērpjekje tē dēshperuar për të dëshmuar një legjitimitet që e dinē se nuk e kanē e nuk e kanē pasur kurrē si establishment politik nese i referohemi standarteve te perendimit qē nuk i kanē permbushur asnjehere.
Megjithëse sundimtarët, në fundin e tyre politik, mund të humbasin sensin e logjikës dhe të besojnë se demagogjia vazhdon të funksionojë, një gjë është e sigurt: sa më shumë të rezistojnë ndaj hapjes së rrugës për zgjidhje politike, aq më i madh rrezikon të jetë shpërthimi i pakënaqësisë popullore.
Sistemet demokratike e shkarkojnë këtë pakënaqësi përmes dorëheqjeve dhe zgjedhjeve të reja. Nëse vazhdohet të injorohet ky mekanizëm i rëndësishëm i demokracisë, atëherë rreziku është që strukturat e vjetra politike të përfundojnë në koshin e plehrave të historisë.
Uroj dhe shpresoj që sundimtarët të mos i provokojnë shqiptarët pafundësisht, sepse fundin e një përplasjeje të tillë nuk e di askush. Populli është ndërgjegjësuar dhe është ngritur në këmbë për të mbrojtur të drejtat e tij. Histori na mëson se fundi i diktaturave e regjimeve të korruptuara vjen atëherë kur populli zgjohet e ndërgjegjësohet për fuqinë e lirisë së tij.
Ajet Delaj
New York