• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fan Noli në një biografi të re

November 6, 2023 by s p

Ilir Ikonomi/

Ju ftoj në promovimin e librit “Apostulli”, vëllimi i parë i një biografie të re për Fan Nolin. Ka 430 faqe dhe është botim i UET Press.

Promovimi bëhet të martën, më 7 nëntor, ora 13:00 në Universitetin Europian të Tiranës (shkohet me autobusin e Porcelanit).

Libri “Apostulli” jep një përshkrim me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon nga arritja e tij në Amerikë më 1906 e deri në vitin 1920, kur ai largohet për në Shqipëri.

Gjatë kësaj kohe të rëndësishme, Noli themeloi Kishën Shqipe, Shoqërinë “Besa-Besën”, gazetën “Dielli” dhe, bashkë me Faik Konicën e të tjerë, krijoi Federatën “Vatra”, e cila do të shërbente si një qeveri shqiptare në mërgim.

Në libër do të gjeni fakte të reja për Nolin, njërin prej shqiptarëve më të ditur dhe më interesantë që kanë ekzistuar ndonjëherë. Çdo e dhënë është rreptësisht e dokumentuar.

Për të shkruar librin kam bërë kërkime në shumë arkiva e biblioteka dhe jam këshilluar me historianë e specialistë të tjerë.

Koha që pasqyron ky vëllim nuk ishte aspak një fushë e gjelbër pikniku, por një shesh beteje, ku Noli jo domosdo gëzonte mbështetjen e të gjithëve. Jam përpjekur që lexuesi të mos e shijojë librin si një fotografi, por si një film, ku personazhet debatojnë, përplasen, rrëzohen e ringrihen.

Libri ka një parathënie të shkruar nga historiani i mirënjohur amerikan Bernd Fischer, është i pajisur me shënime në fund të faqeve, me fotografi dhe me një tregues emrash. Ballina është punuar nga Besnik Frashni, UET Press.

Ju faleminderit.

Filed Under: Opinion

KLASA E GJUHËS SHQIPE NË KISHËN E SHEN PALIT, ROCHESTER HILLS, MICHIGAN, IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

November 4, 2023 by s p

“Të veçantat e vitit mësimor 2023-2024”, Vera Ivanaj, mësuese e gjuhës shqipe në klasën e gjuhës shqipe që zhvillohet në Kishën e Shën Palit, Rochester Hills, Michigan, në një rrëfim për Diellin e Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, shpjegon për lexuesit: përpjekjet për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe në mërgatë, gjuhën shqipe si pasuri kombëtare dhe identitare, rolin e mësimit shqip te rritja e ndjenjës patriotike te fëmijët.

PËRPJEKJET PËR MBAJTJEN GJALLË TË GJUHËS SHQIPE NË MËRGATË

Si çdo vit të ri shkollor, emocionet dhe ndjesitë janë tepër pozitive, si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit, por në të njëjtën kohë është edhe ndjenja e përgjegjësisë për të arritur maksimumin në procesin e mësim dhënies, si nga ana e mësuesit, ashtu dhe të nxënit nga ana e fëmijëve. Synimet janë të mëdha nga të dyja anët, e mësuesve dhe nxënësve, por çelësi për arritjen e tyre, në radhë të parë, është vullneti dhe puna sistematike e nxënësve për të mësuar dhe praktikuar gjuhën shqipe, jo vetëm në klasë por edhe në familjet e tyre. Gjuha larg trojeve amtare është si bima, nëse nuk e ushqen dhe nuk e ujit vazhdimisht, ajo do të thahet. Mbajtja hapur e klasës së gjuhës shqipe pranë kishës së Shën Palit, tregon se është një përpjekje e vazhdueshme për ta mbajtur gjallë gjuhën tonë. Procesi i mësimit është i njëjtë më atë të viteve të kaluara. Teksti bazë për nivelin fillestar është Abetarja dhe libri i ushtrimeve, ndërsa për nivelin e dytë, janë përzgjedhur pjesë nga gjuha shqipe e klasës së dytë.

EKSPERIENCA, ARRITJET KRYESORE, EFEKTI TE FËMIJËT

Pa dyshim që është një eksperiencë shumë e bukur. Ajo që vlerësoj më shumë gjatë këtyre viteve, është dëshira e madhe e një pjese të mirë të fëmijëve, për të mësuar gjuhën e bukur shqipe. Më kanë mbetur në kujtesë shumë fëmijë që mezi prisnin të vinin në klasë. Në sytë e tyre pasqyrohej etja e madhe për të thithur çdo fjalë të re. Ndrojtja e fëmijëve në fillim të vitit, ngadalë dhe pa u kuptuar vjen e tretet dhe ata çlirohen krejtësisht, aq sa mezi presin tu vijë rralla që të flasin e të lexojnë. Arritja kryesore është që fëmijët të përvetësojnë gjuhën shqipe, gjë që nuk është e lehtë të arrihet kur jeton në vend të huaj, por me vullnet e punë çdo gjë arrihet. Gëzohem shumë, kur prindërit më thonë se fëmija i tyre shkruan mesazhe apo flet në gjuhën shqipe me kushërinjtë që ka në Shqipëri, Kosovë, Malësi apo kudo që ata jetojnë.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE RRIT NDJENJËN E KRENARISË KOMBËTARE

Vetë prania e tyre në klasën e mësimit të gjuhës shqipe, tregon se ndjenja e patriotizmit dhe atdhedashurisë është e fortë brenda tyre. Mësimi i gjuhës e rrit edhe më shumë ndjenjën e krenarisë kombëtare dhe dëshirën për të vizituar gjithnjë e më shpesh tokën amtare, për ta njohur historinë e Shqipërisë edhe më mirë.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË TRASHËGIMISË GJUHËSORE E KULTURORE KOMBËTARE

Një popull që nuk ruan gjuhën e tij, është i destinuar të zhduket. Faktori kryesor i ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor të çdo kombi, është gjuha. Një nga vlerat më të mëdha që ne gëzojmë si komb, është ruajtja e gjuhës dhe përcjellja e saj ndër breza. Është pikërisht gjuha ajo, që shpalos vlerat kombëtare si historinë, kulturën dhe traditat e çdo vendi. Vendi ynë ka një pasuri të jashtëzakonshmë të trashëgimisë kulturore jo vetëm materiale por edhe shpirtërore, si folklori, gjuha e pasur, traditat, njohuritë tradicionale, etj. Nëpërmjet gjuhës janë përcjellë ndër breza gojëdhënat, legjendat, këngët, historia e hershme e të parëve tanë dhe vendit tonë.

THIRRJE PRINDËRVE: SILLNI FËMIJËT TE KLASAT E GJUHËS SHQIPE

Në bazë të statistikave që publikohen, thuhet se numri i shqiptarëve në emigrim, është më i madh se i atyre që jetojnë në trojet amtare shqiptare. Rreziku i asimilimit të këtyre familjeve shqiptare është përherë i pranishëm. Janë prindërit, që kanë peshën kryesore për ta shmangur këtë rrezik, t’iu mësojnë fëmijëve gjuhën, duke kumunikuar shqip dhe vetëm shqip në familje. Vizitoni sa më shpesh të jetë e mundur vendlindjen bashkë me fëmijët tuaj, mundësisht që ata ti kalojnë atje pushimet e verës me kushërinjtë dhe të afërmit e tyre, kjo i ndihmon jo vetëm të mësojnë gjuhën, por të duan edhe më shumë vendin dhe të afërmit e tyre. Të gjithë ne që jetojmë jashtë trojeve amtare, e dimë shumë mirë se sa e shpejtë është e përditshmja, vetë jeta, sa e paktë është koha që kalon me familjen, por pavarësisht kësaj, me aq sa të mundeni, mos u dorëzoni duke e lënë pas dore gjuhën tonë shqipe. Në çdo vend të botës ku jetoni, nëse keni afër një shkollë ku mësohet shqip, mos hezitoni t’i dërgoni fëmijët tuaj aty sepse është investim me vlerë për të ardhmen e fëmijës tuaj, i formimit të tij dhe ruajtjes së identitetit tone kombëtar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja, vera ivanaj

3 NËNTORI I VITIT 1443 DITA KUR GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE U RIKTHYE NË ATDHE 

November 4, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli 

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Në çdo vend tjetër, nga çdo komb tjetër, kjo datë – ky përvjetor historik për Kombin shqiptar — do të kujtohej zyrtarisht nga dy shtetet shqiptare dhe nga pikëpamja historike prej akademive të shkencave në Tiranë dhe Prishtinë dhe si rrjedhim nga i mbarë Kombi shqiptar kudo, përfshir diasporën. Kjo duhej të ishte një ditë, në të cilën shqiptarët kudo, por sidomos në Shqipëri e Kosovë dhe anëa e mbanë trojeve shqiptare nën sunidme të huaja në Ballkanin Përendimor – të festonin këtë ditë të madhe për ta—të mbledhur të gjithë së bashku – të pakën në këtë ditë për të përkuajtur Fatosin e Madh dhe të përgjithëmonshim e Kombit – rikthimin e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në Atdhe. 

Për fat të keq, ashtu siç u harrua në heshtje disa vite më parë edhe i  shpalluri “Vit i Gjergj Kastriotit- Skenderbe–   Frank Shkreli/ U mbyll “Viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeu” – Në heshtje | Gazeta Telegraf – ashtu edhe kjo datë (3 nentori 1443) të pakën me sa shoh deri tani – me përjashtim të ndonjë portali aty këtu, nuk u përmend nga asnjë ent me rëndësi qeveritar, shtetëror ose akademik.  Ky qendrim anti-kombëtar sot ndaj Gjergj Kastriotit -Skenderbe, nga shqiptarët, për Heroin e tyre Kombëtar –i cili me luftimet e tija kundër Perandorisë Osmane u solli lirinë për një çerek shekulli. Por kjo date e kthimit të Skednerbeut në Atdheun e tij, duhej të ishte edhe një ditë kujtesë nga Evropa për ndihmesën që luftërat e Gjergj Kastriotit Skenderbe kanë dhënë për shpëtimin e kontinentit të vjetër nga hordhitë osmane.  Do të ishte mirë që dikush t’ua kujtojë këtë datë borrelave dhe lajçakëve

të Evropës moderne se çfarë rëndësie ka kjo datë për lirinë e shqiptarëve sot por

edhe për mbarë Evropën. Dikush duhet t’ua kujtojë evropianëve modernë që vazhdojnë të përçajnë e të ndajnë me pazarllëqe trojet shqiptare se kush ishte Kastrioti i shqiptarëve të shekullit XV që luftoi edhe për të mbrojtur lirinë dhe qyttetërimin e tyre por dhe i shqiptarëve të shekullit XXI – I këtyre shqiptarëve që edhe sot e kësaj dite nuk kanë siguruar lirinë dhe pavarsinë e plotë për veten në trojet e tyre shekullore. 

Ndryshe nga heshtja e klasës së sotëme politike shqiptare në Tiranë dhe në Prishitnë – ishte At Gjergj Fishta –Poeti i Madh i Kombit shqiptar, që në fillim të shekullit të kaluar u ka kujtuar fuqive të atëhershme evropiane, por aktuale edhe për ditët tona për fat të keq të shqiptarëve – se pasardhësit e Gjergj Kastriotit -Skenderbeut end enuk gëzojnë lirinë dhe pavarësinë e plotë:

Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá tokën e Shqypnís

Për me mbajtë klysht e Rusís?
Po ti a kshtû sod na i perligje
Njata burra qi m’ kto brigje
Për tý vehten bâne flije
Kur ti heshtshe prej ligshtije? 

(At Gjergj Fishta – Lahuta e Malsisë)

Mirë – nëqoftse Evropa ka heshtur prej ligështie, siç me të drejtë, At Gjergj Fishta qortonte fuqitë e mëdha evropiane të kohës së tij, pse heshtin sot shqiptarët – prej ligështie thua a po prej ndonjë gjëje tjetër — për At Gjergj Fishtën dhe për data të rëndësishme për Kombin shqiptar, siç është (3 nëntori, 1443) – Dita e rikthimit të Gjergj Kastriotit-Skenderbe në Atdhe. Një përvjetor ky që ka hapur një kapitull të ri në historinë e qendresës së shqiptarëve ndaj së keqës së Perandorisë Osmane dhe që. Njëkohësisht, shënon edhe flijimet e mëdha të shqiptarëve në mbrojtje të qytetërimit evropian!?

Pamje nga Sheshi “Skenderbej” në Tiranë, ku siç duket në këtë ditë të 3 Nëntorit 2023) që shënon rikthimin e Gjergj Kastriotit në Atdhe, (3 Nëntori, 1443) dikush ka vendosur të pengojë pamjen e Monumentit të Heroit Kombëtar duke ngritur këto kioskë – se për çfarë qëllimi, nuk është e qartë.

HENRY WADSWORTH LONGFELLOW –Poeti amerikan që lartësoi Skënderbeun me poemën e tij ku Skënderbeu paraqitet si hero legjendar. Vjersha është përkthyer nga i madhi Fan Noli (1916). 

SKENDERBEU

Shkruar me 4 Shkurt, 1873

Lëfton luftën dhe fiton
Mbreti Ladisllav gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret

Ditën e Rushajevet,
Dhe nga fush’ e kuqe gjak
Ikën, rent përpara tij

E Muratit ushtëri
Që shpëtoj e s’ra në lak.
Kur u-ngrys e kur u-err,

Skënderbeu, nder, lavdi
I asqerit Osmanlli
Tok me Turqit krismën merr,

Si lëfton e si humbet
Ditën e Rushajevet.

Mbet e vdekur prapa tij

E Muratit ushtëri,
Kryerojtja udhën hap,
Praparojtja rent me vrap,

Dhe armiku gjakësor
Si me drapër grin e kor.

Po kujdes ay s’të ka

As për Bej as për Pasha,
Edhe natën tek’ po shkon
Yjt’ e fatit po shikon

Që i ndritnin n’udhëtim;
Edhe kalit tij i ra,
Nënëqeshi edhe tha:

“Është koha për gëzim”.

Mez’ i natës kur afroj,
Ikja e rreptë kur pushoj,

Një Qatip na vjen i Mbretit
Me myhyrin e Dovletit
Edhe tha me zëmërim:

“Njoll’ e parë t’u-vu sot
N’emër, o Gjergj Kastriot!
Pse kështu? Oh, mjerë ne!

Ushtërinë pse e le
Therrur fushës për vajtim?”

U-përgjeq Skënderi, e tha:

“Dergjen mbytur nëpër gjak.
Thembr’ e kalit i ka prak,
Po kështu e shkruar qe

Nga i Madhi Zot atje
Q’urdhëron çdo ushtëri.
Dhe ku kemi ne fuqi

Kur ngre dorën kundër nesh
Dhe na grryen si rrebesh?

“Lidheni, tha, me litar
Shkronjësin me kallamar!”
Dhe Qatipi tha: “Po ç’faj

Paskam bërë që Pashaj
M’a bën mua këtë gjë?”
U-përgjeq Skënderi e tha:

“Faj s’ke bërë asnonjë,
Po që të mos na shpëtosh,
Dhe të fshihesh e të shkosh,

Përandaj t’a bënj këtë.”

Tani shkrua-më një shkrim
-Dhe për fis e paç bekim!

Me myhyrin e Dovletit
Për Mytesarifn e Mbretit
Që mban Krujën, një qytet

Rreth me mur e me hendek,
Të m’a kthenjë gjën’ e atit
N’emrin e Sulltan Muratit;

Se çdo urdhër që të japë
Kurrë nukë merret prapë.

Dhe Qatipi u-krrus prej tmerrit

Dhe kështu i tha Skënderit:
“O Allah i math, i naltë,
Që të jemi hi e baltë!

Qysh t’i shkruanj këto shkrime
Kur e di që kokën time
Po m’a pret ay Dovlet?”

Shpejt ahere si një yll
Që këputet lark nga qjelli
Çpallet nga i arti myll

Një hanxhar me reze djelli
Dhe gjëmon Skënderi: “Shkruaj!”
Dhe Qatipi i tmerruar

Shkroj në dritën e drithmuar
Afër zjarrit, i dërmuar,
Flokë-bardhë, kokë-ngrirë,

Nga e ftohta i mërdhirë,
Zëmër-prerë, vdekje-grirë.

Dhe Skënderi prapë tha:

“Tani eja pas me mua
Se të mbetesh këtu s’dua
Do t’të kem si mik e vlla,

Gjithënjë do t’të nderonj
Me kujdes do t’të rrethonj
Sa të rrosh në këtë botë.”

U përgjeq Qatipi e thotë:
“Udha jonë këtu ndahet,
Shoqëria jonë s’mbahet.”

Pa mbaruar këtë fjalë
Një hanxhar i rëndë ra,
Kur s’ish afër asnjë tjatër

Dhe Qatipi po përmbyset
Si një gur që rrugulliset
Në liqen të zi dhe shket

Tatëpjetë dhe humbet;
Edhe rreth në qetësi
Asnjë pipëtim s’u-ndi

Përveç kalit Skënderbeut
Që përpjet’ u-hodh prej dheut.

Pastaj sulet si shigjeta

Me tre qint pothua veta
Nëpër lum’ e pyll e garth
Përmi malet Argjendar;

Dhe me zemrën plot gëzim
Kapërceu lumin Drin
Dhe u-gdhi e n’agullim

Pa kështjellën Ak-Hissar,
Krujën, ah atë qytet
Rreth me mur e me hendek

Tek u-lint e tek u-rrit,
Yll mëngjezi mi të ndrit.

Dhe ahere trumbetarët

Brirëve t’argjëntë u bien
Edhe togje rreth i mblidhen
Turqit bashkë me Shqiptarët

Që dëgjuan atë thirrje.
Dhe kremtoj me miqt’ e tij
Dhe u-ngrohnë me dolli.

Dhe u thotë: “Miqt’ e mi,
Shihni fati ç’na dërgon,
Perëndia ç’na bekon!

Mbret Murati urdhëron
Mall’ i gjërë i tim-eti,
Vend’ i terë dhe qyteti

Të më jipen nga Dovleti.”

Dhe pastaj me salltanet,
Veshur armët si një mbret,

Shkon kaluar në kështjellë
Edhe hyn nga port’ e gjerë
Dhe pashajt që urdhëron

Përmi Kruj’ i dorëzon
Urdhërin e Murat Mbretit
Me myhyrin e Dovletit.

Dhe Pashaj, si heshti, tha:
“Lavdi pastë Perëndia,
Ja ku hiqem nga fuqia.

Merr-e vendin dhe qytetin;
Kush lëfton dot me kësmetin?”

Nga kështjella shpejt ka rënë

Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vënt të tij valon

Flamur’ i Skënderit n’erë
Shkab’ e zezë me dy krerë.

Dhe një thirrje lart-u-ngrit,

Se çdo zëmër e çdo shpirt
U-mërzit nga Turku i lik,
Q’e kish bërë atë Krujë

Zi, murtajë dhe rrëmujë.
Ay zë me gas me bujë
Q’oshëtin nga brek në brek

Është: “Rrofsh, o Skanderbeg!”

Ja kështu Skënderi trim
Mori Krujën me rrëmbim;

Edhe lajma u-përhap
Si një flagë, si një zjarr
Q’i fryn era në behar

Dhe qytetet afër larg,
Thotë Ben Isa Ben Miri
Në Qitap, të tij fakiri

“Binin m’atë lehtësi
Që zë burri veshn’ e tij”

A person sitting in front of a statue

Description automatically generated

Busti i të përgjithëmonshmit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Sallën Nënë Tereza të Kishës Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

ATYRE QË E FITUAN LIRINË, PO U MOHOHET LIRIA

November 3, 2023 by s p

Shqiponjë Osmanaj/

E verteta e UÇK-së është e patjetërsueshme, një fakt i luftës për mbrojtjen e territorit të Kosovës nga okupimi serb dhe taktikat e spastirmti entik të Kosovës. Kjo ushtri, e dalë nga populli, për popullin, luftoi në mbrojtjen e po këtij populli, jo vetëm shqiptarë, por edhe të nacionaliteteve të tjera që jetonin në Kosovë dhe që aspironin të ishin njerëz të lirë. Nën këtë emblemë nuk kishte dallime të konfeksioneve të ndryshme, e as të nacionaliteteve, po luftohej me një betim e me një himn, për Kosovën e pavarur, sovrane e demokratike. Megjithëse po rendohej situata brenda Kosovës, jashtë saj, veçmas me mbështetjen e madhe të shqiptarëvë në Amerikë në krye me njeriun e çështjes mbarëkombëtare, Jim Xhema, ajo u afirmua e u pranua si realitet. Kosova tashmë kishte krijuar miqtë e saj nga lobi shqiptaro-amerikan, me diplomacinë dhe maturinë e presidentit Rugova kjo rrugë për lirinë e Kosovës të cilën e trasoi ai, i dha epilog UÇK-ja. Në këtë kontekst, kongresmenë, ushtarakë e politikanë, si Eliot Engël, Weslei Clarku, Bill Clintoni, Madelin Ollbrajt e të tjerë në Rambuje e fuqizuan rolin e UÇK-së. Me mbështetjën që i dhanë delegacionit e konkretisht shefit të delegacionit, një djali të ri në atë kohë siç e quante Kadare, ushtarin e UÇK-së, liderin dhe negociuesin e sajë, HashimThaçin, trim, mendjembrehtë, lider dhe i guximshëm, ata e bën fakt të pakthyeshëm rolin hisotrik të UÇK-së. Edhe kur Thaçi nga disa segmente breda Kosovës po kërcenohej që të mos e nënshkruate marrëveshjen e Rambujesë, ai e dinte se Kosova nuk ka rrugë më të drejtë për të ardhur deri te liria përveç rrugës përkrah Amerikës dhe aleatëve të saj. Ai e dinte ç’është fronti me pak armatim, pa ushqim e këmbëzbathur, e dinte ç’do të thotë të kalosh kufirin shqiptaro-shqiptar mbi dyzet herë, e dinte ç’do të thotë ta lësh gruan shtatzënë në mërgim e të flijohesh për vendin, si shef i Drejtorisë Politike, Thaçi po bënte kthesen historike. Nënshkrimi bashkë me delegacionin e Kosovës në Rambuje-Paris, u shndërrua në vulën e kapitulimit të Millosheviçit dhe regjimit ushtarako-politik të tij. Bombardimet e NATO-s i dhanë mbështetje UÇK-së se lufta e saj ishte e drejtë, e pastër dhe e domosdoshme. Kosova, si shtet i ri respektoi të gjitha rregullat që nga një ushtri në vetëmbrojtje të territorit të saj, të transformohej një një organizim paqësor. Fatkeqësisht, për luftën e saj, ushtria jonë po gjykohet nën akuzën për krime lufte. Për ta dëshmuar pastërtinë dhe pafajësinë e UÇK-së, Kuvendi i Kosovës themeloi Gjykatën Speciale, gjykatë që fillimisht u motivua nga raporti i Dick Martyt. Ndërsa jashtë objektivit të drejtësisë ende kanë mbetur 20 mijë gra, vajza e burra të cilët i dhunoi policia e ushtria serbe, siç janë rrëfyer disa nga viktimat e dhunimit serb të cilat i kam intervistuar e që kanë deponuar dosje në gjykata. Pra, krimet sistematike me synim spastrimi etnik dhe gjenocidin i ka kryer shteti serb. Të zhdukurit, Serbia e di se ku i ka djegur, masakruar e dhunuar. Në intervistën time në korrik të 2019-ës, politikani serb Nenad Canak tregon me emra e mbiemra qeveritarët serbë që ishin pjesë e krimeve dhe e strategjisë së tyre kombëtare dhe të sigurisë shtetërore serbe për fshehje e gjurmëve të krimit duke cituar qeveritarë e parlamentarë të asaj kohe të regjimit të Millosheviqit të kenë thënë se duhen zhdukur krimi bashkë me shqiptarët. Pra, krime në Kosovë ka kryer Serbia. Disa nga krerët e shtetit dhe të armatës e policisë serbe si Nikolla Shainoviqi, Nebojsha Pavkoviqi, gjeneralët Sreten Llukiqi e Vlladimir Llazareviq e shumë të tjerë funksionarë serb. Me gjykim të formës së prerë ngaTribunali Penal në Hagë për krimet e kryera në Kosovë është dënuar edhe Stanishiqi, shefi i shërbimit sekret serb. Kryekrimineli Sllobodan Millosheviq, i cili në atë gjykim u emërua si “kreu i grupit” ku ka vdekur në burgun e Sheveningenit.

Por se çfarë po bëjnë institucionet tona, konkretisht Kuvendi si themelues, deputetet, qeveria dhe presidenca per mbështetjen e krerëve të UÇK-së në Hagë, gjithnjë pa ndërhyrë në çështjet e drejtësisë? Një gjë është e qartë: Kosova nuk mund të jetë plotësisht e lirë pa lirinë e ish presidentit Thaçi, të kryeparlamentarëve Krasniqi e Veseli, të shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, të pjestarëve të tjerë të UÇK-së. Pse? Sepse ata janë simbolet kryesore të luftës sonë për liri e pavarësi.

Filed Under: Opinion

IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME ISMAIL BEJ QEMALIN NË QYTETIN TONË : “PO KTHEHEM NË VLORË PËR T’I SHËRBYER ATDHEUT TIM…”

November 2, 2023 by s p


Ismail Bej Qemali (1844 – 1919)
Ismail Bej Qemali (1844 – 1919)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Nëntor 2023

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të hënën e 25 majit 1914, në ballinë, intervistën ekskluzive me Ismail Bej Qemalin në Trieste, qytet nga ku ishte nisur asokohe për tu kthyer në Vlorë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Ismail Qemali kthehet në Shqipëri.

Një intervistë me beun kalimtar në Trieste.

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e hënë, 25 maj 1914, ballinë
Burimi : Il Piccolo di Trieste, e hënë, 25 maj 1914, ballinë

Ismail Bej Qemal rikthehet në skenë. Prej disa muajsh nuk kishim dëgjuar asgjë për të. Pas grushtit të dështuar të Izet Pashës dhe Beqir beut në Vlorë, ish-presidenti i qeverisë së përkohshme shqiptare u nis për në Nisë (Nice). Ai kishte humbur një pjesë të mirë të popullaritetit të tij dhe armiqtë e tij e akuzuan se kishte intriguar për të penguar ardhjen e princit të emëruar nga Evropa. Pak ditë më parë, sapo u përhap lajmi në mbarë botën se Princ Vidi kishte hequr qafe Esad Pashën, Ismail Qemali i dërgoi sovranit një telegram nga Nisa (Nice), ku dëshmonte një akt besnikërie dhe inkurajonte të gjithë shqiptarët të bashkoheshin me mbretin : pas zhdukjes nga skena të armikut të tij më vdekjeprurës, Esadit, ish-presidenti i qeverisë së përkohshme dha sërish shenja jete. Dhe dje në mëngjes, përtej Xhenovas dhe Milanos, Ismail Bej Qemali mbërriti papritur në qytetin tonë, rrugës për në Shqipëri.

Pasi zbriti në hotelin “Excelsior Palace”, ai ishte i lumtur të më jepte një intervistë. E gjetëm shumë të shqetësuar, të tronditur, ende nën përshtypjen e lajmeve të fundit shumë serioze që vinin nga Durrësi, të cilat ai sapo i kishte mësuar nga gazeta jonë pak çaste më parë. Gjatë bisedës së gjatë, Ismail Qemali na tha se është mësuar me surpriza dhe goditje, por se nuk është ndjerë kurrë kaq i tronditur sa në këtë moment. Ai pranon se situata në Shqipëri është bërë befas jashtëzakonisht kritike. Nëse ngjarjet vazhdojnë të përshkallëzohen, është e pamundur të thuhet se me çfarë rreziqesh mund të përballet Shqipëria.

— Shkëlqesia Juaj, a besoni në mundësinë e një ndërhyrjeje ?

— Do ta dëshpërohesha thellësisht, si çdo shqiptar i mirë ! Megjithatë, nisur nga situata e sotme, kjo mundësi nuk mund të përjashtohet. Përsa i përket përshtypjeve të mia për momentin aktual të turbullt, më duhet të shpreh bindjen time më të fortë se shumica dërrmuese e popullit shqiptar është besnike ndaj princit dhe se pikërisht për këtë është mirëpritur me gëzim heqja e elementeve të paqarta dhe rebele, të cilat interesat e huaja përfitojnë nga çdo fakt më i vogël për të ndezur telashe në dëm të vendit të tyre. Pra Esad Pasha. Linjat e kryengritjes që ai lëshoi tani, me sa duket u komplotuan nga ai në marrëveshje me emisarët e Kostandinopojës. Më habit fakti që shtypi, pavarësisht se e njeh të kaluarën e tij të errët, tani po përpiqet ta bëjë atë të duket viktimë e intrigave. Por një fakt tjetër më befason akoma më shumë : tani nuk flitet më për gjyqin që princi kishte nisur kundër tradhtarit; Esad Pasha është i lirë në Itali.

Princi duhej ta çonte deri në fund aktin e tij energjik; për fat të keq ai ishte i keqkëshilluar dhe jo më pak tani se kur u vendos përkrah njeriut që e tradhtoi sot. Në fund të fundit, e prisja këtë kthesë : Esadin e kam njohur për shumë vite dhe me shumë përvoja të ashpra. Në një telegram dërguar Princ Vidit dhe i cili i shpëtoi publicitetit, unë shpreha indinjatën time për tradhtinë e Esadit dhe përmenda gabimin e pafalshëm të kryer nga ata që e kishin këshilluar shumë lehtë sovranin të vinte ujkun të ruante kopenë…

— A është e vërtetë ajo që thuhet se kohët e fundit Esad Pasha ka humbur çdo ndërhyrje në vend ?

— Shumë e vërtetë. Nëse ka arritur të punësojë disa banda me ndihmën e Alifik beut dhe emisarëve të tjerë xhonturq, duhet ditur se këta të ashtuquajtur kryengritës janë të përbërë nga ata shqiptarë fatkeqë tokat e të cilëve kanë kaluar nën sundimin e serbëve apo grekëve, dhe të cilët, pasi humbën gjithçka, panë shpresë tek ai.

Princi donte të ishte shumë i butë me Esad Pashën dhe sot nuk janë të kënaqur as ata që arritën ta çlirojnë vendin nga një njeri i rrezikshëm si Esadi. Shqiptarët sot duhet të bashkohen si një njeri i vetëm rreth mbretit të tyre dhe do ta bëjnë këtë, jo vetëm për atë ndjenjë besnikërie, për të cilën me të drejtë krenohen, por edhe për një kalkulim (llogaritje) të interesit kombëtar : ata kanë nevojë tani më shumë se kurrë për këtë mbrojtës, për këtë baba të adoptuar, shumë i pëlqyer nga Evropa, që vetë Evropa e ka vënë në krah për ta rikthyer shtetin shqiptar të shkëputur prej saj katër shekuj më parë në familjen e madhe evropiane. Por nga ana e tij, princi duhet të tregojë besimin më të plotë te shqiptarët dhe duhet të mbetet mes tyre.

— Pra, Shkëlqesia juaj po kthehet në Shqipëri ?

— Po. Po kthehem në Vlorë ku prej kohësh më thërrasin me këmbëngulje miq dhe përkrahës. Thuhej se më kishin dëbuar prej andej. Kjo është e pavërtetë. Në një moment kuptova se kauza e Shqipërisë kërkon sakrificën e personit tim dhe e braktisa vullnetarisht vendin tim. Për më tepër, pas muajsh e muajsh pune rraskapitëse, kisha dëshpërimisht nevojë për pushim dhe shkova për ta kërkuar në Nisë. Tani kam vendosur të kthehem në atdhe. Do të shkoj të takoj princin dhe në çdo moment jam gati të ofroj krahun dhe mendjen time në shërbim të tokës sime. Megjithatë, do të them përsëri — përfundoi Ismail Bej Qemali — se nëse duam një organ të vërtetë shqiptar të qëndrueshëm, ata që janë në qeveri nuk duhet të kënaqen me gjysmë masa.

Ismail Bej Qemali — i cili shoqërohet nga një nga djemtë e tij — llogarit që brenda javës të jetë në Vlorë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 115
  • 116
  • 117
  • 118
  • 119
  • …
  • 858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT