Prof.as.dr. Thanas Gjika/
Të gjithë kemi vënë re se bijtë e kombeve të qytetëruar punojnë pa bujë e pa u mburrur për forcimin dhe përparimin e shtetit të vet dhe për mbarëvajtjen dhe pasurimin e shoqatave kulturore e të fondacioneve bamirëse që kanë krijuar. Ne shqiptarët i kemi zili të tillë njerëz të qytetëruar, por shumë pak prej nesh ecin në këtë rrugë.
Atdhetari i shquar Mit’hat Frashëri në vitet e Luftës së Parë Botërore, kur Shqipëria Londineze ishte pushtuar prej ushtrive të shteteve ndërluftuese, shkroi te libri “Hi dhe Shpuzë” më 1915: “Atdheun duhet ta duam, jo se është i madh ose i vogël, jo se është i pasur, ose i varfër. Detyra jonë është të punojmë për ta pasuruar, forcuar e zgjeruar atë!”
Këtë porosi e bënë moto të veprimtarisë së tyre gjithë atdhetarët e vërtetë kudo ku jetonin, brenda e jashtë atdheut. Bënë sakrifica të panumërta dhe ja sot kemi një Shqipëri të bukur, pa moçale, me ndërtesa e rrugë moderne, turizëm në lulëzim, etj. Falë aleatëve të mëdhenj, ShBA-ve dhe BE-së, kemi sot dhe Republikën e Kosovës shtet të pavarur dhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi e në Serbi kanë më shumë të drejta se më parë.
Në situatën që është populli ynë sot, të gjithë duhet të jemi optimistë se puna jonë në shërbim të atdheut e të popullit nuk do të vejë dëm. Shpejt a vonë kur shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e Bashkimit Europian, populli ynë mund ta zgjidhë përfundimisht çeshtjen kombëtare, bashkimin e gjithë trojeve ku mbizotërojnë shqiptarët në një shtet të vetëm kombëtar.
Përpara kësaj prespektive madhore, çdo grindje e sharje për disa shkelje që mund të ketë bërë Kryesia e Fedaratës Vatra, më kujton thënien popullore: “Lër dasmën e shko për shkarpa”. Të gjithë i dijmë dhe i kujtojmë me respekt mundimet dhe sakrificat e anëtarëve të Kryesisë së Fedaratës Vatra që nga Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi e deri tek Agim Karagjozi. Prandaj secili nga anëtarët e sotëm të Vatrës ka detyrë morale e atdhetare të punojë kokulur si shërbëtor i ndërgjegjshëm i atdheut, të përpiqet të shtojë anëtarë të rinj, të shkruajë e botojë tek Dielli artikuj ku të pasqyrojë ecurinë e shqiptarizmit. Të mos mjaftohemi vetëm me pagesën e kuotës vjetore, por të japim dhe ndihma financiare për forcimin e kësaj shoqate dhe të gazetës Dielli.
Forcimi i Vatrës dhe i gazetës Dielli është forcim i çështjes sonë kombëtare. Natyrisht gabime janë bërë që nga vitet e para të ekzistencës së këtyre dy institucioneve dhe do të bëhen e në të ardhmen. Kur gabimet janë luftuar jo në rrugë ligjore, jo sipas kanunores, ka ardhur përcarja, prandaj këshilloj që kritikat e vërejtjet të kryhen në përputhje me kanunoren, në kuvendet e Vatrës dhe të shprehet vullneti përmes mekanizmit të votës.
Askush të mos mendojë se duke punuar për Vatrën e Diellin do të bëhet i famshëm, i përjetshëm. Të gjithë jemi të përkohshëm, kurse Shqiperia, Federata Vatra e gazeta Dielli janë e duhet të jenë të perjetshëm. Kushdo që punon kokulur, i çveshur nga megalomania dhe krenaria boshe, e ngre lart emrin e vet duke shpënë përpara çështjen kombëtare.