• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

#SiSot, më 10 gusht 1865, lindi poeti, etnografi dhe publicisti i shquar arbëresh, Zef Skiroi

August 10, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Fare herët, me të mësuar shkrim e këndim, thuri njëvjershë kushtuar heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit, duke brazduar njëherë e mirë hullinë që do të ndiqte më tej. Më 1890, u emërua “docent” i letërsisë antike në “Liceun Garibaldi” të Palermos dhe me pas titullar i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, pranë Institutit Mbretëror Oriental të Napolit. Dha ndihmesë të çmuar në ngritjen e kulturës arbëreshe.

Në vitin 1887, së bashku me Françesk Petën, themeloi në Palermo revistën “Arbëri i ri”.Ky periodik shërbeu si një busull identitare për arbëreshët dhe si një tribunë e krijimtarisë së autorëve të këtij komuniteti. Në këtë mënyrë, në numrat e saj gjeneruan përmbajtje Serembe, Krispi, Variboba etj. Skiroi vijoi veprimtarinë albanologjike me botime, leksione dhe pjesëmarrje në kongrese. Veprat kryesore të tij mbeten “Mili e Hajdhia” dhe“Te dheu i huaj”. Ky personalitet i shquar i letërsisë dhe i kulturës arbëreshe ndërroi jetë në Napoli në vitin 1927.

Bashkëlidhur, telegrami i Djelmunisë së Elbasanit, i datës 23 korrik 1913, ku profesorit Skiroi i urohet mirëseardhja në Shqipërinë e pavarësuar.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#ZefSkiroi

#AQSH

#FototekaAQSH

Filed Under: Opinion

“QENDRA E PASURIMIT TË FAMILJES” SI NJË MUNDËSI ANGAZHIMI DHE ZHVILLIMI PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR TË BRONXIT

August 9, 2023 by s p

Donika Prelvukaj, LMSW, Asistente Ekzekutive e Shërbimeve Rezidenciale dhe Drejtoreshë e Programeve në “Bergen Street Residence” dhe Bardha Fusha, MSW, drejtoreshë e programeve në “Fortitude House” pjesë e “Lutheran Social Services of New York” në një rrëfim ekskluziv dhënë Editorit të “Diellit” të “Vatrës” Sokol Paja, apelojnë për komunitetin shqiptar në Bronx që të angazhohen e të bashkëpunojnë si një komunitet i integruar në përmirësimin e komunitetit, shoqërisë dhe rritjen e cilësisë së jetës.

QENDRA E PASURIMIT TË FAMILJES SI NJË MUNDËSI E HAPUR PËR KOMUNITETIN

Qendra e Pasurimit të Familjes do të jetë një mundësi për anëtarët e komunitetit që të bashkohen dhe të lidhen dhe të kontribuojnë me idetë e tyre për përmirësimin e komunitetit. Përveç kësaj, do t’i lejojë ata të lidhen me ofruesit e shërbimeve të tilla si nevojat e shëndetit mendor, pengesat gjuhësore dhe asistenca për kujdesin ndaj fëmijëve. Ndërsa anëtarët e komunitetit lidhen dhe ndajnë idetë, ata do të jenë në gjendje të ndihmojnë veten dhe të tjerët dhe si rezultat do të bëhen një burim i dobishëm për komunitetin në shoqërinë amerikane.

LUTHERAN SOCIAL SERVICES OF NY (LSSNY), ËSHTË NJË NGA ORGANIZATAT MË TË MËDHA TË SHËRBIMEVE SOCIALE TË NYC

Lutheran Social Services of NY (LSSNY), themeluar ne vitin 1886, është një nga organizatat më të mëdha të shërbimeve sociale të NYC që u shërben më shumë se 7,000 individëve çdo ditë. Misioni i LSSNY’s është të transformojmë komunitetet duke bashkëpunuar me individë, familje dhe drejtues për të çmontuar shkaqet dhe efektet e varfërisë së vazhdueshme dhe padrejtësisë sociale. Thotë Donika, “pjesë e misionit tonë të ri dhe emocionues është çmimi ynë më i fundit i Qendrës së Pasurimit të Familjes/Family Enrichment Center (FEC) që kemi marrë nga Administrata e NYC për Shërbimet e Fëmijëve.” FEC do t’u shërbejë komuniteteve në Belmont, Crotona, Morrisania dhe East Tremont në Bronx. Modeli i FEC’s fokusohet në forcimin e jetës së individëve dhe familjeve, si dhe në ofrimin e një hapësire ku anëtarët e komunitetit mund të lidhen, të mbështesin dhe të fuqizojne së bashku

FEC, PËR TË PËRMIRËSUAR DHE NDËRTUAR NJË KOMUNITET MË TË FORTË

FEC do të ndihmojë në fuqizimin dhe lidhjen e komunitetit shqiptar si dhe në shpërndarjen dhe gjetjen e burimeve që do të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre. Kjo është një mundësi për komunitetin që të ndajë zërat, idetë dhe vizionet e tyre për të përmirësuar dhe ndërtuar një komunitet më të fortë. FEC-të janë një model parandalimi primar i përqendruar te familja, i cili ofron mbështetje të projektuar nga komuniteti në një hapësirë të ngrohtë, tërheqëse si shtëpia, ku njerezit mund të lidhen, dhe të kontribuojnë në komunitetin e tyre, po ashtu të gjejnë burime, dhe të mbështesin tek njëri-tjetrin. Punetoret social do te jen dispozicion per t’u ndihmuar familjeve dhe individet të ndërtojnë strategji dhe zbatimin e ketyre strategjijeve ne komunitetit e Belmont, Bronx.

ANGAZHIMI DHE PËRFSHIRJA PËR TË GJETUR ZGJIDHJE PËR NDRYSHIMET TRANSFORMUESE

Komuniteti i Bronksit, konkretisht komuniteti Belmont është ndikuar ndjeshëm nga faktorë të jashtëm dhe precipitues, të cilët kanë prekur komunitetin në tërësi. Për shembull, pandemia ka hedhur dritë mbi pabarazitë racore, ekonomike dhe sistematike që ka bërë që komunitetet në Bronx të kenë burime të kufizuara. Më specifikisht, pandemia ka hedhur dritë mbi shëndetin pabarazitë ndërmjet grupet minoritare dhe komunitetit Shqipetare. Nevojat bazëtare si qasja në kujdesin shëndetësor dhe burimet ushqimore janë të pakta. Përveç kësaj, cmimi e jetesës është rritur në mënyrë drastike, gjë që nga ana tjetër po ndikon që komuniteti të ketë akses në opsione ushqimore të përballueshme dhe të shëndetshme po ashtu edhe opsione të aktivitetit të përditshëm, si lavanderi, transporti, qiraja, etj. Së fundim, shkalla e krimit dhe e dhunës është rritur në këtë komunitet gjithashtu. Si i tillë, përfshirja e anëtarëve të komunitetit për të gjetur zgjidhje dhe ndryshime që do të jenë të qëndrueshme dhe transformuese, eshte jetike për komunitetin Shqiptar ne Bronx.

SHQIPTARËT DHE INTEGRIMI NË KOMUNITET

Në komunitetin shqiptar ka stigma lidhur me kërkimin e shërbimeve të shëndetit mendor për shkak se ata nuk duan të ndihen se ka diçka që nuk shkon. Qëllimi i këtij integrimi në komunitet është të lejojë anëtarët e komunitetit të ndihen rehat dhe të sigurt në kërkimin e këtyre shërbimeve dhe për këtë arsye minimizimi i stigmës rreth shëndetit mendor. Ai do t’i shërbejë gjithashtu qëllimit për të ndihmuar në mësimin e gjuhës për të qenë në gjendje të komunikojnë nevojat e tyre. Kjo do të bëhej duke ftuar anëtarët e komunitetit të shprehin idetë dhe interesin e tyre për nevojat që janë më të përhapura në komunitet.

KOMUNIKIMI DHE PËRFSHIRJA SI TERAPI PËR SHËNDETIN MENTAL DHE SHPIRTËROR

Komunikimi dhe përfshirja/’angazhimi i komunitetit ka përfitime thelbësore për shëndetin mental dhe shpirtëror të një personi. Luftimi i stigmës ndaj shëndetit mendor dhe shërbimeve sociale është një nevojë urgjente në komunitetin Shqiptar po ashtu te gjith komunitetit te Bronxit. Pandemia ka bërë që njerëzit të izolohen dhe kështu krijimi i një hapësire të sigurt dhe edukative për t’u dëgjuar zëri i tyre është thelbësor për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Partneriteti dhe angazhimi mes njeri-tjeterit rrit cilësinë e jetesës si dhe pasuron komunitetin e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: Donika Prelvukaj, Sokol Paja

E Ç’DO TË THEMI PËR KASEM TREBESHINËN?

August 9, 2023 by s p

Nga VISAR ZHITI/

Kështu kisha pyetur një ditë pas datëlindjes së tij të 85-të, që s’e kishin kujtuar fare, edhe pse shkrimtar me njohje dhe i burgosur që i përflitej disidenca dhe rebelimi zëmërak?

Pse kjo mëri e ndërsjellte me të? Edhe tani që bëhen 6 vjet që s’është më?

Rrallë ndodh të ketë një marrëdhënie të tillë plot heshtje të zymtë të vendit me një shkrimtar të vetin…

…po sjell shkrimin e atëhershëm, të më shumë se një dekade më parë, të botuar në disa media brenda dhe jashtë vendit, me një titull të ri:

DIMË QË DIKTURA DËNOI SHKRIMTARIN, QË KISHTE DËNUAR DIKTATURËN

Gjithmonë dita më pas ka rëndësi tjetër, dita pas fitores, që mund të jetë humbje, pas rënies, që ka brenda hovin e ngritjes, pas kryqëzimit nga ku rrjedh gjaku i ringjalljes. Një ditë pas datëlindjes së 85-të të Kasëm Trebeshinës ç’do të themi për kundërshtarin e pandreqshëm dhe të zemëruarin e gjithmontë, që duket sikur kumton tani vetëm me heshtjen, por folëse, me të shkruarin, por sa më shumë të pabotuar, me të burgosurin e lirë, me të lirin e vetburgosur?

Dimë që diktatura e dënoi shkrimtarin, kur shkrimtari e kishte dënuar diktaturën. Ndëshkimin i ndërsjellë, që, si të thuash, nuk i ngjan thikës me dy presa, se në rastin e parë kemi të bëjmë me një krim shtetëror, kurse në të dytin me një qëndrim dhe credo, atë të lirisë së vërtetë dhe të vërtetave të lirisë në misionin e lartë të shkrimtarit, që pengohet.

Duket sikur njeriun e vënë në provë fuqi të mbinatyrshme, përmbytje, murtaja, perëndi dhe gjysmë perëndi, luftëra dhe shtypje, por dhe gjera më të pakta në dukje, uri e frikëra të ndryshme, por dhe një hetues, gardian, e gjykatës, por edhe dashuria, miqësia, mirënjohja, bëmat e qëndrimet, qofshin dhe fare të vogla për të zbuluar sfidat dhe se sa njeri është. Po në përballje me njeriun cilët jemi?

Duke gjakuar për të qenë sa më i vërtetë dhe më i natyrshëm, vetmitar dhe shoqëror gjithsesi, kam kërshërinë të shpalos në jetën dhe në veprën e Kasëm Trebeshinës, ku më faniten të fshehta të tjera të pazakonshme dhe të zakonshme, prapaskena dhe interesa klanesh, qëllime të mbrapshta, ëndrrën, ku ndeshen të gjallë dhe të vdekur, fantazma dhe të pushtetshëm, mbërrijmë tek tirania dhe sistemi i saj dhunues, por dhe zbresim te vetburgimi i mëpastajmë sokratik, ku njeriu mbyllet si në shpellë. Pra, duket si një kthim në gjenezë.

Tani shkrimtari vërtet është mënjanuar shumë, gjithë mister të zymtë edhe kryeneçësi mospërfillëse, demiurg në mbrëmjen përthellonjëse të moshës, por dhe në atë që quhet horizonti i pritjes. Nuk ka rëndësi në arrin të thinjet fantazia e shkrimtarit, ndërkaq ende nuk janë botuar shumica e dorëshkrimeve të Trebeshinës, na thuhet, të një krijimtarie ethanake, treçerek shekullore.

Jetëshkrimi për Kasëm sjell mjaft bëma, por dhe karakterin e tij të çuditshëm, përplasjet, pabesitë, dashuritë si dhe do të mund të na japë njërin nga çelësat e leximeve të teksteve dhe nënteksteve të librave të tij, për të cilat më shumë flitet se sa janë lexuar, nga që kanë mbetur ende të panjohur, megjithëse herë pas here dalin nga mugëtira e mosbotimit.

2.

I tillë ka qenë fati i shkrimtarit Kasëm Trebeshina dhe i krijimtarisë së tij, fat(kob) që ja bënë të tjerët, por që e zgjodhi dhe vetë me asketizëm dhe që ndryshon ngadalë, fat i mbylljes rrënuese dhe i mureve brenda mureve, teksa ai si natyrë është i kundërt me fatin e tij, i gjallë, i hapur, i çiltër deri në një egocentrizëm, i paqetë, fantazist, kështu më vjen të them, për aq sa di për të. Trebeshina dhe fati i tij që të dy ishin këmbëngulës dhe duronin. Më i fortë doli Trebeshina, me të vërtetë një kalorës hijerëndë i misionit të tij. Kali i tij është Pegasi, që ai gjithë kokëkrisje nuk pranoi ta bëjë kalë ushtrie, për të tërhequr topa apo të ngarkohet me patatet e batalionit dhe as e futi në kooperativat rurale të Realizmit Socialist, edhe pse kishte qene luftëtar i egër dhe bënte pjesë me fitimtarët dhe u përkiste atyre që kishin marrë përsipër të ndërtonin një Botë të Re duke dashur me gjak ta shkatërrojnë të vjetrën me gjithsej.

Edhe kur e rrëzonin poetin dhe e merrnin për ta hedhur pas telave me gjemba të ferrit, ai mbahej pas frerëve të yjeve dhe flatrat e Pegasit si me magji i kalonin pas kurrizit, aty i mbillte nëpër turpin e vet dhe kqyrte botën me mospërfillje krenare dhe mllef të pazakontë. Kështu dhe Kasëm Trebeshina u shndërrua në mit, në një lloj kentauri të habitshëm, gjysmë pegas dhe gjysmë rob, me flatra dhe me patkonj, me bajonetë dhe penë. Pse ta fshehim, vrasës dhe kundërshtar i vrasësve.

U shpreha kështu metaforikisht, në stilin e Kasëm Trebeshinës, si i hazdisur, nga që i çmoj guximet e tij, qendresën dhe shpërfilljet filozofike për gjithçka që është dhunë, përulje, padrejtësi dhe jo virtyt. Aq më tepër që tani Trebeshina nuk është aq kollaj i çkyçshëm, por dhe arkivat për të janë të tilla. Por jo dhe aq. Dosjet e tij, që nga ajo e punës, e hetuesisë, e gjyqit, etj, etj, nëse kanë mbetur, nuk janë lënë t’i shfletojë hulumtuesi i mundshëm. Më shumë se sa mister shkrimtarësh, nëpër to me siguri janë ndrydhur kundërshti dhe krim, përplasje dhe mëkat, denoncime, turp, vrasje të pabesa, të ngadalta, aq sa ke frikë se mos në vend të fletëve do të gjesh pergamena prej lëkure të rrjepura njerëzish.

Kasëm Trebeshina është njeriu që ka kërkuar vazhdimisht të ndeshet, qoftë dhe me të ultën, se për të beteja është e madhe. Kur pa mbaruar mirë adoleshencën, ai rininë e tij qysh në fillim e vuri përballë luftës. U bë partizan dhe luftoi kundër pushtuesit, kuçedrës botërore të nazi-fashizmit. Pastaj kundër komunizmit si me një kuçedër tjetër. Nuk i la kohë vetes të ndihej fitimtar. U fut në burg për të sfiduar dhunën shtetërore dhe mungesën e lirive. Pasi ranë diktaturat komuniste, ai prapë s’u ndje fitimtar, por humbës, ama, asnjëherë. Kurrë. I përkushtuar si një murg ndaj shkrimeve të veta. Kështu pohon. Duke pasur si ikonë rrëfimtarin e shkëlqyer të shqipes, Mitrush Kutelin. Që edhe atë e burgosën. Shkrimtarit do të t’i duhej të ishte i mirë dhe i butë me këdo. Madje edhe me pleqërinë e vet. Por, siç thamë, Trebeshina mbetet egërshan gjithmonë. Me diktatorët, me sistemin e tyre, edhe pse luftoi me ta, me harenë dhe harresën kolektive, me fitoret, me nëpërkëmbjen, me kompromisin, me Realizmin Socialist dhe Lidhjen e Shkrimtarëve, madje dhe me miqtë, kështu më duket, ëndërron demokracinë, nuk kënaqet as me të, i ikën të gjithave dhe urren disidencën, madje edhe të vetën.

Kasëm Trebeshina na përshfaqet partizan, trim i çartur, që lufton me fanatizëm duke mos besuar në drejtimin, komedianët, i quan ata të shtabit, ndërkaq ka drejtuar vetë beteja dhe gjyqe partizane, ka ekzekutuar dhe ai, jo vetëm gjermanë, por edhe partizanë, duke ju bindur ligjit të luftës, vrit se do të vrasin, etj, etj. Po konturohej kështu lufta civile në Shqipëri. E tmerrshme! Megjithëse pati zëra që buçitën që atëhere: “Ah, o bijtë e nënës, pse kështu përçarë./ Qoftë i mallkuar kush s’do t’ju bashkonjë,/…/Pse e bëtë Kombin në greminë të shkonjë. (Hekuran Zhiti, “Dy kundërshtarët”, poemë, marrë nga “Luftëtar’ i lirisë”, “Oshëtima e Korçës”, shkurt 1944.)

Mes asaj ploje, thënë troç, vetëm duke i përfytyruar, unë jam ndjerë keq si në një vorbull infernale dhe më është dukur se isha në zanafillën e krimit dhe të ndëshkimeve të mëpastajme.

Ndërkaq çmoj kurajon për të thënë dhe të vërtetat e rënda.

Se së fundmi, kur shkrimtari gjerman Gynter Grass, vërsnik me Trebeshinën, gati një vit më i vogël se ai, rrëfeu në një libër autobiografik se në rininë e parë kishte qenë me forcat esese, u trondit jo vetëm lexuesi i tij në Gjermani, por i gjithë opinioni letrar botëror dhe gazetat hapën anketa, madje dhe në Shqipëri, për qëndrimin ndaj tij, aq sa u shkua deri atje, që a do t’i hiqej çmimi “Nobel”. Ndërsa një shkrimtar shqiptar shprehej në shtyp për Trebeshinën që pse të mos e marrë dhe ai “Nobel”-in? Natyrisht që letërsia ndahet nga ai që e prodhon atë dhe bën jetë më vete, por për ndërgjegjen e njerëzimit kanë rëndësi në këtë rast dhe realiteti jo letrar. Poeti Ezra Paund si simpatizant i fashizmit u burgos në një kafaz në një shesh të madh të një qyteti të Italisë.

Rebelin Kasëm Trebeshina e burgosën bashkëluftëtarët e tij si kundërshtar dhe, sipas ritualit, dënuan dhe veprën e tij letrare, të akt-ekspertizuar nga kolegët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Fitimtarët ishin bërë më pushtues se pushtuesi që mundën. Lidhja as sot, që gati nuk ekziston, (ashtu siç është bërë nga ana tjetër gërmadhë dhe burgu i Spaçit,) s’di ç’qendrim të mbajë me Trebeshinën, me veten, me shkrimtarët e Realizmit Socialist, me ata që u dënuan me burg, që u pushkatuan, me veprat e tyre, me Kohën, me kohërat, me të tashmen, me risitë letrare, etj. Fjala s’është se ç’mund të thotë, por çfarë mund të bëjë dhe Lidhja e Shkrimtarëve s’ribëhet dot, kurse shkrimtarët si individualitete, si qytetarë edhe shqetësohen dhe ndodh që ta ngrenë zërin, por të kondicionuar nga e kaluara e tyre. Duke mos qenë të lirë, duket sikur nuk prodhojnë dot liri.

Kurse në gjysmën matanë të kombit, në Kosovë, Presidenti Ibrahim Rugova i kishte thënë shkrimtarit Adem Demçi, kur doli gjysmë i verbër nga burgjet e gjata të Jugosllavisë, se “këtu mes nesh ishte një karrike gjithmonë bosh, të priste ty…”.

Intelektualë të shquar të Prishtinës, së bashku, na dëshmon poeti ynë i fuqishëm Ali Podrimja, i ishin kundërvënë uniformitetit në art, servilizmit krijues, tiradave, pra Realizmit Socialist dhe policisë letrare, aq më tepër të huaj, duke guxuar të dalin në mbrojtje të vlerave, lirisë së mendimit e të krijimit dhe botuan si një manifest të tyren tekstin problemor “Vox clamantis in deserto” qysh në tetor të vitit 1971. Tetori siç duket qenka edhe muaji i kundërshtimeve të mëdha, se edhe Kasëm Trebeshina, “Zë i humbur në shkretëtirë”, në tetor, por më 1955, gati dy dekada më parë, guxoi atëhere kur nuk guxohej dhe i shkroi një promemorje diktatorit Enver Hoxha me akuza të rënda, por të vërteta, largpamëse, e paralajmëronte për batakun ku po e çonte vendin dhe kulturën e tij, akt që nderon jo vetëm inteligjencën shqiptare, por të gjithën në perandorinë komuniste dhe racën e atyre që shkruajnë. Thonë që ajo letër nuk gjendet në arkivë, të tjerë thonë që ka qenë dhe është. Për mua ka rëndësi kumti i saj. Kasëm Trebeshina e mbart këtë kumt. Gjithashtu Trebeshina u kacafyt në vendin amë të Realizmit Socialist, në Leningrad dhe në Moskë, kundër kësaj medtode, e përjashtuan, e burgosën në atdhe, nisi greva urie, kur i gjithë populli në një farë mënyre do të ishte në një grevë të tillë, kur intelektuali i njohur Xhevat Korça i kishte dhënë fund jetës me një grevë të tillë urie, i pari fare në burgun ku do të mbyllej Kasëmi, që pasi të dilte do të kërkonte të drejtën ta linin të ikte nga Shqipëria, por e morën për të çmendur ata që ishin më të çmendur dhe pastaj ai vetë e kërcënoi shtetin se nuk do të votonte më. Dhe e burgosën prapë.

Kur Trebeshina hynte së pari në burg si disidenti i parë, bashkëkohës si të tillë kishte dhe Sejfulla Malëshovën, por ndërkohë ai gjente brenda telave me gjemba kundërshtarë të vërtetë, të lartë, të hapur kundër sistemit dhe ideologë antikomunistë, martirë të lirisë, qendrestarë të zymtë, një pjesë e të cilëve tani ishin nëndhè, pa varr, të pushkatuar nga bashkëluftëtarët e Trebeshinës nga po ato gjyqe, vazhdim i gjyqeve mizore partizane, ku dikur dhe ai pati bërë vetë.

Po ndaloheshin libra, po digjeshin bashkë me to dhe diploma të atyre që ishin lauruar në Perëndim, në Francë e Austri, në Itali e Gjermani, etj. Mbase ishte inati gjeneral që diktatori s’kishte kryer dot asnjë universitet asgjëkundi, as në mal, siç kishin qejf të thoshin admiruesit e tij. Do të vazhdonin persekutimet e mëdha. Do të pushkatoheshin dhe poetë, djem të rinj, do të vareshin, dhe atëhere kur s’po ndodhnin më në perandorinë komuniste. Po i afroheshim jo vetëm shekullit të ri, por edhe një mijëvjeçari të ri. Me shpresë të përzishme.

3.

Megjithëse i padëshirueshëm për ne, madje dhe i pakuptimtë, na duket se ka mbetur një konflikt që shfaqet herë pas here dhe në shtyp, me ndërprerje natyrisht, por i pambaruar dhe i pambyllur mes Trebeshinës dhe Kadaresë apo Kadaresë dhe Trebeshinës a i të dyve, i nisur në diktaturë, i heshtur mbase deri sa nxori krye, kur I.K. nëpërmendi inicialet e dënuara dhe të komplotura me heshtje të “K. T”-së, gjë që u gjallërua në postdiktaturë, gjithë pezm, hapur, me akuza dhe kundërakuza jashtletrare. Do të doja të ndalesha pak këtu.

Trebeshina, sipas meje, ka një përkushtim deri në sakrificë për të vërtetën e letërsisë, por kështu dhe Kadareja për letërsinë e vërtetë. I pari i thotë burgut: hapu, në ferr vete si shkrimtar, sepse ruaj brenda vetes luftëtarin, ndërsa i dyti, do të ruajë me çdo kusht shkrimtarin brenda vetes duke pranuar dhe kundërdënimin si mosdënim, luksin që i lejonte ajo kohë dhe më pas për të krijuar si dhe mundësinë e të qenit dëshmitar letrar dhe përballë atyre që sundonin. Ndërsa i pari zbriste humnerave duke u harruar si shkrimtar, i humbbotshëm, i dyti ngjitej lartësive duke u bërë shkrimtar i përbotshëm. Zbritja kishte terr dhe lehtësinë e dhembëshme të asgjësë. Ngjitja ishte e vështirë dhe me vezullime mëkatesh, që të bënin më të dukshëm për t’u goditur. Por dhembja mbetej përreth. Trebeshina, duke hyrë në burg, mbërrinte mjerimin e lirisë, të asaj lirie të mbytur, që s’kishe ç’t’i bëje më, kurse Kadare donte t’ia hiqte kthetrat asaj lirie të mjerë, ta barabiste me liritë që shikonte nëpër Europë. Trebeshinën letërsia nuk e linte të jetonte, Kadarenë nuk e linte të vdiste. Shkruanin të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri, njëri si të thuash në parajsën e rremë të ferrit dhe tjetri në ferrin e parajsës së rremë. Njëri fshehurazi me polic te kryet që i kujtonte abazhurin e fikur, që nazistët i bënim me kafka të burgosurish, tjetri me abazhur të përndezur që i kujtonte policin e kuq dhe që duhej të fshihte mesazhet. Njëri s’kishte kohë të veten dhe shpikte moskohën, absurdin e saj vrastar, tjetri krijonte kohë edhe për të tjerët dhe shpikte të ardhmen duke risjellë të shkuarën si pjesë të përjetësisë. Nëse njëri s’botonte dot dhe i goditej vepra e tjetri botonte radhazi, me zulm dhe godiste me veprën, shteti ndërkaq të dyve u shtonte dosjet. Realisht i donte të dy ashtu, mendoj, dhe nuk i donte ndërkohë. Por përdorte imazhe të tilla dyshe për të trembur dhe torturuar njeri-tjetrin dhe të gjithën. I burgosuri shpresonte lirinë e shpirtit, i paburgosuri çshpresonte shpirtërisht burgun.

Po dikush mund të thotë se edhe Kadare i ka kënduar Partisë dhe shefit të saj, madje bukur, po edhe unë kam të drejtë të them që pse të mos i bërtasim partisë dhe shefit të saj që pse s’ishin ashtu siç u këndoi poeti, në atë lartësi. Nëse nuk i meritonit ato vargje, atëhere nuk u përkasin atyre, por arsenalit të letërsisë shqipe, iluzioneve të saj, harrimeve dhe gabimeve. Shpresoj të jetë kështu.

Trebeshinën s’e la vendi ta botojë veprën dhe tani pritet që ajo të dalë më shumë në dritë dhe të zërë vendin e merituar. Shkundëllimën dhe vetëtimat e shpeshta i ka dhënë. Nga thellësitë erdhën dallgët e saj si të një lumi të nëndheshëm. Në apokalipsin e ngjarjeve mes gomoneve të arratiakëve fanitet dhe skafi biblik i Noes.

Por ne, kur dalim jashtë letërsisë, duam qetësinë e brigjeve, pushimin e stuhisë, paqen, ku lexuesi të shkojë lirisht te njëri breg e te tjetri, te ishujt apo në detin e pamatë dhe t’i gjejë të gjitha, mrekullinë e ëndërruar.

Kur Faik Konica botonte shqip në SHBA përrallat arabe, gati 100 vjet më parë, midis të tjerash shkruante në hyrje të tyre se një kardinal i njohur, por edhe Darvini, sipas një ankete, që të dy i lexonin më ëndje ato përralla dhe i fusnin në dhjetë librat më të mirë të tyre. “…dy njerës të larguar njëri nga tjatëri sa një botë nga tjatëra, bashkoheshin në dashurin’ e këtij libri…”.

Dhe unë shtoj se dashuria përbashkuese për librin duhet të na bëjë më të mirë dhe më të drejtë, jo vetëm ne, që e lexojmë, por edhe ata që e krijojnë. Polemikat dhe mosmarrëveshjet të mos jenë në emër të urrejtjes. Nderim dhe dhembje për vuajtjen dhe për krijimin. E them me siguri që veprat që dalin nga urrejtja kurrë nuk janë aq të bukura sa krijimet që dalin nga dashuria. As dhe aq të rëndësishme. Sa më larg zilive të burgut dhe jashtëburgut, të lavdisë dhunuese, sepse që të dyja, edhe burgu edhe lavdija nuk janë letërsi, por një pjesë e vogël e lëndës për letërsi. Veprat e urrejtjes në jetë vdesin më shpejt dhe shërbejnë për ndërprerjen. Dashuria është krijuese dhe punon hyjnisht për vazhdimësinë e pafundme.

4.

Vlerësimet për veprën e botuar deri më tani në prozë dhe poezi të Kasëm Trebeshinës, për risitë dhe mesazhet që mbart ajo, sa e vazhdon traditën dhe sa e thyen atë, sa thyen heshtjen dhe të tashmen, shqetësimet që sjell dhe pasurimin që u bën letrave shqipe, janë biografia e shkrimtarit dhe ajo që mbetet është letërsia e tij. Aty janë vlera dhe mbivlera. Megjithatë nga ana shoqërore kemi të drejtë të dimë se ç’ishte dhe ç’bëri shkrimtari mes nesh, si qytetar. Po ne ç’bëmë me të? Aq më tepër “në kohën sot dhe në vendin këtu” jemi të detyruar të pyesim për këdo: me kë ishte, me ata që shtypnin apo me ata që shtypeshin? Sepse duam të farkëtojmë guximin qytetar dhe ndërgjegjen e shëndoshë kolektive.

Kasëm Trebeshina është më emblematiku i disidencës shqiptare në diktaturën e letrave, i kundërshtimit të hapur. Ashtu si vepra e tij, na tërheq edhe jeta e tij. Datëlindjet e tij na shtojnë mundësinë e përsiatjes. Rrëfimet, dëshmitë, kujtesa për të dhe për të gjithë ata që vuajtën si heronj për të Drejtën, të Vërtetën dhe liritë e njeriut, për fjalën, që u përleshën me të keqen vrastare, janë të një rëndësie të domosdoshme. Demokracia nis me to, si me një datëlindje e përditëshme.

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti

SIGURIA KOMBËTARE, INTERESI YNË I MBIJETESËS!

August 8, 2023 by s p

Hyzri Salihu/

Nëse duam të bëjmë Historinë e Re të Shqipërisë dhe të Kombit, të ngremë lartë frymën e patriotizmit, kundër praktikave të vjetra në cështjet e sigurisë kombëtare. Ende në mbrojtjen e interesave kombëtare ndihemi të mundur dhe të nëpërkëmbur nga historia jonë tragjike, por jo të pajtuar me humbjen. Kjo na motivon të ringrihemi në këmbë dhe të luftojmë për të drejtën kombëtare të mohuar. Ta fillojmë ndryshimin nga vetëvetja. Është koha e patriotizmit për të ruajtur veten dhe jetën tonë. Ndihemi të rrezikuar nga qëndrimi agresiv i Serbisë, e cila me stratagjemën e saj tenton të na imponojë një luftë dhe gjakderdhje në veri të Kosovës.

Të mos e nënvleftësojmë këtë situatë të rrezikshme për të siguruar integritetin territorial të shtetit tonë. Popullsia shqiptare e shpërndarë në disa shtete po ndodhet nën presionin e asimilimit dhe cpopullimit të heshtur me masa represive, të cilat bien në veshin e shurdhër të BE. Toka dhe pasuritë kombëtare po nënçmohen. Ato janë bërë pre e grabitjes në të gjitha format. Raportet midis forcimit të mbrojtjes dhe përgatitjes për luftë, ndryshimeve në psikologjinë e njerëzve tanë, po sjellin fenomenin e rrezikshëm të përcarjes. Siguria publike mbetet e rrezikuar nga veprimtaria kriminale e grupeve të nxitura dhe mbështetura vertikalisht nga Beogradi. Situata që kemi sot brenda shtetit dhe rrotull kufijve të tij është e mjaftueshme për të kuptuar dhe vlerësuar kërcënimet dhe rreziqet e një luftë të egër hibride që po na imponohet përpara syve tanë.

Po përballemi me rreziqe dhe kërcënime të brendshme, me akte kriminale terroriste, me trafiqe dhe tregëti të pandershme, me pasoja të rrezikshme për të cilat duhet të tërheqim vemendjen tonë dhe të institucioneve shtetërore për rritjen e standardit të sigurisë. Presioni i nacionalizmit agresiv të Serbisë është burim i kërcënimeve dhe rreziqeve, i cili rrezikon bashkëjetesën dhe sigurinë në vend dhe në rajon. Tashmë këmi një listë emrash të njerëzve publikë, të cilët minojnë unitetin dhe janë vënë në shërbim të politikave të Beogradit. Po marrim goditje të njëpasnjëshme ndaj vlerave të identitetit historik, të cilat tentojnë të gërryejnë pavarësinë e fituar me gjak e sakrificë të madhe. Mungesa e unitetit dhe konflikti i brendshëm politik po kthehet në rrezik madhor për sigurinë kombëtare. Mungesa e zhvillimit ekonomik të qëndrueshem, po kthehet në rrezik për sigurinë kombëtare. Dezinformacioni mediatik po godet unitetin dhe po nxit rikthimin e konflikteve të brendshme.

Veprimtaria e shërbimeve inteligjente të huaja nxit urrejtjen, përcarjen, goditjet fetare përmes formave hibride shumë të rrezikshme ndaj sigurisë kombëtare. Konformizmi i drejtësisë me pushtetin politik ka sjellë krizën e besimit, duke u kthyer në kërcënim për rendin kushtetues. Korrupsioni dhe padrejtësia sjellin rreziqeve të mëdha kundër sigurisë. Mungesa e bashkëpunimit ndërkufitar me Republikën e Shqipërisë e ka kthyer vendin në çerdhe për kriminelë dhe fshehje të individëve shqiptarë që kërkohen nga drejtësia. Politikën e jashtme dhe diplomacinë tonë ende nuk po dimë t’i kthejmë në burime të sigurisë kombëtare. Burimi kryesor i sigurisë janë shteti, baza juridike dhe qytetari, uniteti politik që garanton rendin tonë kushtetues. Çështjet kryesore shtrohen hapur dhe konkrete. Ato kanë të bëjnë me Tokën tonë, Sigurinë Njerëzore, organizimin e Mbrojtjes dhe rritjen e Burimeve të Akumulimit.

Të hedhim sytë drejt bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë ushtarakë, me plane konkrete për rritjen e kapaciteteve tona ushtarake të mbrojtjes. Njerëzit, Toka, uji, pasuritë mbitokesore e nëntokësore dhe hapësira ajrore janë elementet jetike të shenjta për sigurinë e kombit. Ato janë thesari i vazhdimësisë së jetës dhe kemi detyrimin t’i ruajmë si sytë e ballit. Sekreti i kohës është nevoja e zhvillimit ekonomik dhe sigurisë kombëtare për grumbullimin e parave në rritjen e buxhetit shtetërore për përballimin e krizave të sigurisë në rajon. Ndihma reciproke Tiranë – Prishtinë dhe anasjelltas është baze e suksesit tonë për të kapëcyer sfidat e kohës. Politika këtë duhet ta bëjë pa i marrë leje askujt.

Filed Under: Opinion

“NOLI SHOW” HAPSIRA TELEVIZIVE E SHQIPTARËVE NË CONNECTICUT

August 7, 2023 by s p

Sokol Paja/

Media shqiptaro-amerikane çdo ditë e më shumë po zë një vend të rëndësishëm në peisazhin mediatik amerikan. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kudo ku ka një komunitet të konsiderueshëm shqiptarë, mediat që shfaqen si pjesë e rëndësishme integrale e trashëgimisë komunitare, bëhen automatikisht pjesë e historisë së komunitetit tonë. Mediat shëndërrohen jo vetëm si promotore e organizatore të komunitetit shqiptar në USA por mbi të gjitha si memorie e qënësishme komunitare, kulturore dhe atdhetare.

Nazim Salihu, producent i emisionit televiziv “Noli Show” në Connecticut, në një rrëfim ekskluziv dhënë editorit të gazetës “Dielli” të Vatrës në New York, Sokol Paja, shpjegon për audiencën e gjërë shqiptaro-amerikane historinë e tij personale dhe angazhimet mediatike, hapsirën mediatike shqiptare “Noli Show” si një mundësi e promovimit të kulturës kombëtare, talenteve shqiptare, ngjarjeve historike të kombit shqiptar, ngjarjet e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesisht në Connecticut, New York e New Jersey. Z.Salihu shprehet se emisionet televizive, puna e mediave në përgjithësi është jo vetëm pasqyra e jetës komunitare shqiptare në mërgatën e Amerikës, por mbi të gjitha media është arkivi, trashëgimia dhe memoria digjitale e komunitetit tonë. Nëse s’ka media s’ka as komunitet. Është jetike për kohezionin e një komuniteti ekzistenca e medias sidomos në ditët e sotme ku teknologjia e shoqëria po zhvillohen në hapa galopantë – citoi producenti Salihu. Karrierën e gazetarisë si shërbim dhe angazhim publik Nazim Salihu e filloi në vitin 1999 në Maqedoni gjatë krizës së refugjatëve dhe bashkëpunoi me gazetarin Frank Pichel nga Colorado si përkthyes. Kontaktet e para mediatike i kishte në vitin 2012 me televizionin News Channel 3 Rocky Hill, Connecticut dhe ideja kryesore e tij ishte hapja e një emisioni televiziv që promovon kulturën dhe komunitetin shqiptar. Në shërbim të komunitetin shqiptar në Connecticut e më gjërë, Nazim Salihu në vitin 2019 nxori në transmetim produksonin personal mediatik “Air Production” ku zhvilloi disa dokumentarë me sukseset e shqiptarëve në USA, emision i cili vazhdon edhe sot rrugëtimin mediatik. Gjatë vitit 2020 “Noli Show” u shfaq në hapsirën televizive të Tv Alba Live një television i dashur dhe i vlerësuar prej shqiptarëve në New York e më gjërë. Te “Noli Show” deri më tani janë realizuar plot 73 emisione me personalitete e figura publike të ftuar që rrëfejnë suksesin personal, kombëtar e kulturor për të gjithë ndjekësit e shumtë.

Emisionet e “Noli Show” sot transmetohen live në Rocky Hill Community TV, Connecticut. Emisioni televiziv kaq i ndjekur dhe kaq i dashur për shqiptarët “Noli Show” ndërthur në vetvete rrëfime ekskluzive, sukseset e artistëve shqiptarë të mërgatës së Amerikës dhe jo vetëm, ngjarjet më të rëndësishme kulturore e sociale të komunitetit dhe mbi të gjitha rrëfimet individuale të shqiptarëve të suskesshëm dhe betejat në rrugën e gjatë të famës e karrierës artistike e mediatike. Emisionet e “Noli Show” transmetohen ekskluzivisht sot edhe tek TV Kultura Shqiptare e cila gjithashtu prej cerek shekulli i shërben komunitteit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me profesionalizëm dhe besnikëri. “Askush më mirë se media nuk arrin ta identifikojë, promovojë, dhe ta memorizojë një talent, një ngjarje apo një histori sesa media e komunitetit. “Noli Show” është konceptuar si një hapsirë televizive komunitare e komunitetit për komunitetin. Një shërbim për komunitetin shqiptar pasi mediat janë oksigjeni i komunitetit, memoria jonë kolektive” përfundon rrëfimin dhënë për “Dielli”-n e Vatrës producenti Nazim Salihu.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 133
  • 134
  • 135
  • 136
  • 137
  • …
  • 858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT