Mirela Kanini/
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, dega Chicago dhuroi libra për dy shkollat shqipe që zhvillojnë mësimin shqip në Chicago. Synimi i Vatrës Chicago ka qenë, është dhe do jetë të qenurit sa më afër komunitetit shqiptar dhe të mbështesim me çdo mjet e me çdo kusht veprimtaritë patriotike e komunitare në dobi të komunitetit shqiptar e çështjes sonë kombëtare. Mbështetja e shkollave shqipe është kryefjala e angazhimit tonë patriotik. Kryesia e degës së Vatrës Chicago në mbledhjen e përmuajshme vendosi që të sigurojë dhe dhurojë librat për nxënësit si një investim për gjeneratat tona pasardhëse në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Vendtakimi i degës sonë ku planifikojmë eventet dhe organizohemi është në “Mirage Cafe” ku mikja dhe mbështetësja jonë pronarja e të cilës është shqiptare ka fisnikëri dhe ngrohtësi të spikatur patriotike. Në mbledhjen e fundit diskutuam mbi shkollat shqipe në Chicago që janë ajo e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe shkolla “Kongresi i Manastirit” në xhaminë shqiptare. Mësueset e këtyre shkollave herë pas here kanë ngritur shqetësimin e tyre për mungesën e teksteve në shqip për ciklet përkatëse. Shpesh herë i printojnë nga kompjuteri, por kjo nuk na u duk dhe aq e arësyeshme, përveç kohës që merr. Donim që shkolla shqipe të mos ketë ndryshim nga të tjerat që ata ndjekin rregullisht gjatë javës me libra të vërtetë. Zgjidhja më e shpejtë do të ishte që vetë kryesia të siguronte disa libra dhe ashtu bëmë. Emanuela Cako ishte kordinuesja jonë në lidhje me kërkesat e shkollave duke marrë parasysh që dhe profesioni i saj është mësuese. Aurora Ajdini gjithashtu është (mësuese matematike) që për fat të mirë do kalonte pushimet në Shqipëri. Në Shqipëri do të shkonte edhe Shkëlzen Cakeri dhe në kthim sollën me vete disa nga librat që i nevojiteshin shkollave. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme, ndaj ne që ishim në Chicago vendosëm që ti dërgonim ambasadës shqiptare një e-mail në emër të Vatrës Chicago ku të parashtrohej dëshira e mirë për të ndihmuar fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën e tyre. Njëkohësisht duke i paraqitur dhe situatën ku ndodhemi. Përgjigja na erdhi pozitive me premtimin që librat do të postoheshin të nesërmen. Jemi në pritje të tyre sepse akoma nuk kanë mbërritur. Po interesohemi intensivisht që të bien sa më shpejt në duart e nxënësve. Viti i ri shkollor për të dy shkollat filloi më 10 Shtator me sukses dhe kryesia e Vatrës mori pjesë në të dyja ato për të kontribuar sado pak momentalisht dhe shumë më tepër në të ardhmen. Në shkollën “Kongresi i Manastirit” u pritëm mirë dhe u falenderuam ngrohtë nga nënkryetari i xhamisë z. Naser Hodza. Në shkollën shqipe pranë Kishës shqiptare morëm falenderime të përzemërta nga mësuesit dhe prindërit. Kisha ortodokse shqiptare ka një dhomë muze dhe në disa foto si për shembull ajo me titullin “Albanian children’s club” që janë që nga viti 1934 bie në sy kjo traditë e hershme për të mbajtur gjallë shqiptarizmin dhe patriotizmin. Ky është komuniteti, i bashkuar, njerëz të dashur e të ngrohtë që duan të përcjellin gjuhën, zakonet dhe traditat ndër gjeneratat e ardhshme. Vlen për tu përmendur dedikimi i prindërve që i shpien fëmijët e tyre në shkollat shqipe të dielave. Ata sakrifikojnë ndoshta të vetmen ditë pushimi që kanë. Është për tu vlerësuar puna e mire dhe e palodhur e mësueseve që japin kontributin e tyre me devotshmëri. Edukimi dhe shkollimi i brezit të ri është misioni më i rëndësishëm i një kombi. Dashuria e instaluar për gjuhën, kombin, vendin e origjinës për këta fëmijë shqiptarë të lindur në Amerikë, është gjëja më e vlefshme për ti bërë ballë asimilimit. Një prind që kishte sjellë djalin e tij në shkollë tha “unë jam gjenerata e dytë dhe nuk flas shqip por dua që djali im ta mësojë se është gjuha e të parëve. Pastaj ai do të ma mësojë mua. Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët kudo që janë, veçanërisht fëmijët tanë. Ata janë e ardhmja dhe ne i detyrohemi shumë edukimit të tyre.
Falenderim i veçantë për personelin drejtues të shkollave. Në Kishën Ortodokse shqiptare:
Mimoza Hoxha (drejtoreshë)
Blerina Musaraj (nëndrejtoreshë)
Elona Shkira (mësuese)
Albana Romacka (mësuese)
Reana Peshtani (mësuese)
Në shkollën Kongresi i Manastirit (tek xhamia)
Qëndresa Brahimi (drejtoreshë)
Shqipe Ahmeti (nëndrejtoreshë)
Shega Bekteshi (sekretare)
Mësueset:
Ganimete Lecaj (klasa e parë)
Blerina Bushati (klasa e dytë)
Eligerta Cuka (klasa e tretë)
Enkela Bajraktari (klasa e katërt). Mirënjohje për punën dhe përkushtimin. Mësuesit shqiptarë në diasporë janë engjëjt mbrojtës të shqiptarizmës.