• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKOLLA SHQIPE “ADEM E HAMËZ JASHARI” NË PERUGIA, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË ITALI

September 8, 2023 by s p

Emrie Skuka mësuese e shkollës shqipe “Adem e Hamëz Jashari”, në Perugia, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Perugia, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore e komunitare.

Me mësuesen Emrie Skuka bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “ADEM E HAMËZ JASHARI”

Shkolla shqipe “Adem e Hamëz Jashari”, filloi mësimin më 10 prill 2019. Pas një përpjekje me të njohur, ish-nxënës të mitë e bashkëshortit, ku u treguan të gatshëm për të sjellë fëmijët e tyre në shkollë. Laureta Stajka nga Shkodra dhe Kimete Osmanaj Bufi nga Peja,15 vite më parë kanë hapur shkollën shqipe këtu në Perugia, por për arsye objektive, shkolla është mbyllur pas një viti. Shkolla organizohet njëherë në javë, çdo të shtunë, nga dy orë mësimi. Fëmijët janë të ndarë në dy grupe: në nxënës që dinë të flasin gjuhën shqipe dhe në nxënës që nuk dinë. Jemi katër mësuese: Emrie Skuka, Viola Gola, Ferizate Ibrahimi, Kimete Osmanaj. Një ndihmë e madhe për shkollën tonë kanë qenë Laureta Stajka, përveç se prind, ajo është edhe mediatore kulturore, ku na njeh me përvojën dhe rregullat e shtetit, si edhe Brikena Daja. Edhe ajo është prind dhe avokate, ku bën prezent pranë shkollës ligjet, të drejtat dhe detyrimet që kemi. Vitin që kaloi, ka ofruar ndihmën e saj edhe shoqata “Onufri “, me president Z.Abdulla Bufi. Kjo shoqatë ka një përvojë mbi 20-vjeçare në ndihmë të komunitetit shqiptar dhe të luftës në Kosovë. Në Perugia, që nga viti 2012, nga djem të talentuar e dashamirës të sportit, është ngritur ekipi i futbollit “Taulantët”, vetëm me lojtarë shqiptarë. Përveç pasionit, ata dhe tifozeria, prezantojnë një komunitet dinjitoz në sport, arsim, kulturë, për të mbajtur lart emrin e vendit nga vijnë. Këtë sezon ata janë regjistruar në FGCI (rruga që të çon në serinë A). Ekipi është prezente në të gjitha festat e shkollës sonë. Në fillimet e shkollës sonë, ishte ndihma e Esmeralda Biçi, Bevi,nusja e djalit të poetit të njohur Gjokë Beci. Ajo jepte gjuhën italiane për të huajt. Institucioni ku ajo punonte, e donin dhe e respektonin dhe falë saj na liruan ambientin ku ne mësojmë shqip.

METODOLOGJIA E MËSIMDHËNIES, PUNA KRIJUESE

Në mësimdhënie, për arsye të kohës së shkurtër, të diferencave në moshë të fëmijëve dhe aftësive në të shprehur e të folur të gjuhës shqipe, janë përdorur metoda të ndryshme, për të realizuar: të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit. Diferencat në moshë dhe në zotërim të gjuhës, e vështirëson punën tonë dhe na vendos para një përgjegjësie e pune krijuese më të madhe. Brenda një ore duhet të alternohen si kurset gojore për të folur, ashtu edhe praktikat e aftësimi në të shkruar e lexuar. Shpesh na duhet të punojmë me tekste të thjeshta të punuara vetë, për t’a bërë më tërheqëse orën e mësimit. Puna në grupe, konkurset, pjesëmarrja e përfshirja aktive e prindërve për të folur e treguar, për të recituar, tërheq vëmendjen e fëmijëve dhe e bën më interesante orën e mësimit.

PËRKUSHTIMI I PRINDËRVE, DOMOSDOSHMËRI

Marrëdhënia me prindërit është bazë e punës në shkollën tonë. Një fëmijë në diasporë, vjen në shkollë shqipe kur prindi e sjell. Vjen pasi prindi i flet shqip në shtëpi, i këndon dhe i mëson këngën shqipe, përrallat, histori të ndryshme. I tregon prejardhjen dhe përse duhet t’a mësojë gjuhën e nënës e të babait. Pa prindin e ndihmën e tij, shkolla në diasporë nuk mund të funksionojë. Prandaj duhet që shkollat, shoqatat, ekipet e sporteve, bizneset në diasporë, sado të vogla të jenë, të arrijnë të bashkëpunojnë. Mbi të gjitha, të dihet se është një shkollë, mësues dhe individë që ndihmojnë. Qendra e Botimeve të teksteve shkollore për diasporën, na ka ndihmuar me libra, të cilat janë të përshtatëshme për mosha të ndryshme. Këto tekste e kanë lehtësuar punën tonë për të realizuar kurikulat e nevojshme brenda një ore mësimi. Janë Fjalorët, Abetaret, Fletët e punës, Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare për nxënës të ciklit më të lartë. Shkolla ka patur edhe përkrahjen e Lidhjes së mësuesve në Itali nga kryetarja Ariana Kosova, sekretari Nehat Marku, e Dritan Mashi.

MËSIMI SHQIP SI IDENTITET KOMBËTAR

Do t’a nisja me vargjet e një poezie të interpretuar nga nxënësja e shkollës sonë Tea Rrapi:

Kur e morëm rrugën tonë

larg prej vendit në kurbet

Gjuhën shqipe dhe Flamurin

na e dhanë amanet

Amanet të flasim shqip

sikur gjyshërit edhe ne

se larg vendit kur jeton

Gjuha të bëhet Atdhe.

Gjuha të kthen identitetin, ajo të të bën të ndihesh kush je. Natyrisht që gjuha është kështjella më e fortë dhe më e madhe që një komb ndërton për veten e tij. Kështjellë që as e shembën, as e mirë dot armiqtë tanë. E vërtetuar kjo më së miri tek arbëreshët e Italisë, Çamët e Çamërisë dhe viset e tjera nën pushtim. Në Perugia jeton e punon komuniteti shqiptar ndër më të shumtët. Për arsye të punës jo të gjithë e dinë për shkollën shqipe. Prania e shkollës, shoqatës, ekipeve sportive, festave e takimeve të ndryshme, rrit besimin tek komuniteti, ngjall interes tek vendasit e komuniteteve të tjera, rrit ndjeshmërinë nacionale kombëtare, ndihmon në kapërcimin e vështirësive. Duke bashkëpunuar, mëson më shumë për emigrimin, rregullat e punësimin. Ne kemi arritur shumë në këtë drejtim, dhe shpresojmë më shumë, duke bërë prezent fëmijë të suksesshëm në shkollë, sportistë të dalluar, studentë, piktorë, poetë, botën e biznesit me shqiptarë, etj. Në Perugia ndodhet një pllakë e shkruar në gjuhën shqipe dhe ndodhet në muzeun arkeologjik të Perugias. Është gjetur tre kilometra larg qytetit. Në Gubia, pak larg qytetit është varri i mbretit të shqiptarëve Genti.

INKURAJIMI PREJ AUTORITETEVE SHTETËRORE ITALIANE

Me të njohur italianë, kur ua prezantojmë shkollën shqipe, e presin shumë mirë. Më besoni se të trajtojnë e respektojnë ndryshe. Kur prindërit shqiptarë i kanë treguar mësuesve të fëmijëve për kurset e gjuhës shqipe që ndjekin, ata janë interesuar se si veprojnë në këto kurse dhe i kanë inkurajuar. Mësimi e përvetësimi i një gjuhe, aq më tepër i vendorigjinës tënde, është një mundësi më e madhe, është një plus mbi bashkëmoshatarët, sepse zotërimi i saj të bën më të sigurtë. Bashkëpunimin me organet shtetërore, do t’a mundësojmë nëpërmjet shoqatës dhe shpresojmë të ndihemi prej tyre. E shpreha se fëmijët me dygjuhësh dallohen në përgatitje, fjalor, përgjigje, siguri në të shprehur. Aq më tepër fëmijët tanë, kur janë të porsaardhur, vetëm muajt e parë kanë vështirësi. Pastaj dallohen jo vetëm në përvetësimin e gjuhës, po në të gjitha lëndët. Ajo që dua të vë në dukje, është se të gjithë prindërit këtu, vetë mund të punojnë në sektorë të ndryshëm, fëmijët i drejtojnë në dyert e universiteteve. Për sa i takon përdorimit të teknologjisë, në shkollën tonë tani nuk e kemi mundësinë me këtë ngarkesë brenda dy orëve.

KUSH ËSHTË MËSUESE EMRIE SKUKA?

Kam mbaruar studimet e larta në degën e gjuhë-letërsisë në Shkodër më 1979. Kam punuar mësuese në Luzni tre vjet. Pastaj në shkollën 9-vjeçare “Demir Gashi” Peshkopi, gjersa dola në pension. Letërsia ka qenë pasioni im. Si mësuese, jam përpjekur që këtë pasion t’a transmetoj edhe tek nxënësit. Mendoj se i’a kam arritur. Libri ka qenë gjithçka për mua, e ushqyer kjo dashuri nga babain Rustan Mera dhe daja im Lutfi Manjani. Prania e bibliotekave në të dyja shtëpitë, ishin vërtet thesare për ne fëmijët. Kam botuar që studente tek “Ushtima e maleve”, më vonë tek “Rilindja demokratike”, “Rimëkëmbja kombëtare”, “Drita islame, “Rruga e Arbrit”. Kam botuar dy libra monografikë “100 vjet në 36 shkronja” dhe “Sinoret Luznisë”. Dy drama për fëmijë “Ne nuk jemi për mur në”, “Ti duhet të vish baba!”si dhe montazhin letrar kushtuar Flora Brovinës, si poete, veprimtare, humaniste, luftëtare e qytetare! Që nga viti 2019 jetoj në Perugia me familjen time.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Presidentja Osmani në takim me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg: Lidhja e Kosovës me NATO-n, është e përjetshme

September 7, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në selinë qendrore të NATO-s. Takimi trajtoi zhvillimet e sigurisë ne vend dhe çështje të ndryshme të interesit të përbashkët, si dhe nevojën për vazhdim dhe thellim të bashkëpunimit.

Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të NATO-s, për lirinë dhe sigurinë e popullit të Kosovës, si dhe ruajtjes së paqes në rajon. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e palëkundur të institucioneve të Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin me aleatët tanë në NATO dhe misionin e KFOR-it në përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe siguri afatgjate.

Në takim u diskutua edhe për sfidat e sigurisë me të cilat po përballet rajoni dhe kontinenti ynë si rezultat i agresionit së Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit të saj, përfshirë këtu edhe përpjekjet destabilizuese përmes satelitëve të saj në rajonin tonë. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi se Kosova vazhdon të qëndrojë në anën e drejtë të historisë, duke bashkërenduar politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me aleatët e saj, dhe duke mbështetur popullin e Ukrainës.

Në lidhje me zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon, përfshirë edhe sulmet e dhunshme në veri të vendit nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi kundër forcave të NATO-s, Policisë së Kosovës, qytetarëve e gazetarëve, Presidentja theksoi nevojën për përgjegjësi për këto sulme për ta parandaluar përsëritjen e tyre, ndërsa theksoi se Serbia përmes përpjekjeve të saj destabilizuese vazhdon edhe frikësimin dhe kërcënimin kundër qytetarëve serb të Kosovës, përfshirë edhe zyrtarët policor serbë të Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera.

Për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe përfshirjen në Programin e Partneritetit për Paqen, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë strategjike në këtë drejtim. Ajo bëri thirrje për kreativitet dhe fleksibilitet për ta lehtësuar integrimin e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqen, si vlerë e shtuar drejt anëtarësimit të plotë në NATO.

Në përfundim, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit me NATO-n dhe aleatët e saj. Ajo theksoi nevojën për përpjekjet e përbashkëta për t’i adresuar sfidat e sigurisë në rajon dhe për ta siguruar një të ardhme të sigurtë për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi.

Filed Under: Opinion

Presidentja Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik

September 7, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në 33 vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik.

“Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik. Kjo Kushtetutë, mishëron parimet e barazisë, lirisë dhe demokracisë dhe mbetet guri themeltar i plotësimit të idealit të brezave për Kosovën Republikë, duke ngërthyer në vete vlerat perëndimore, aspiratë e përhershme e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë.

“Delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë, sepse me guximin e tyre, aktin më të lartë juridik e shndërruan në njërin nga hapat më të rëndësishëm të konsolidimit të identitetit të shtetit të ardhshëm të Kosovës”, ka theksuar Presidentja.

Sipas Presidentes Osmani Dita e Kushtetutës së Kaçanikut , duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t`i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë.

“Dita e Kushtetutës së Kaçanikut , duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t`i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë, sikurse edhe mbrojtjes e afirmimit të vlerave për të cilat është përcaktuar shoqëria kosovare”, ka thënë Presidentja Osmani.

Filed Under: Opinion

Intervista e fundit e Ferid Murad-it, “Nga nitroglicerina drejt viagra-s”

September 6, 2023 by s p

Përgatiti dhe përktheu: Rafael Floqi/

Kjo është një nga intervistat e fundit të shqiptarit fituesi i çmimit Nobel Ferid Murad flet për kërkimin, motivimin, larjen e enëve, ndërtimin e pishinave dhe objektivat e reja terapeutike. Raporton Mark Nicholls. Laureati i Çmimit Nobel në Mjekësi, shqiptaro-amerikani Ferid Murad i cili më 14 shtator do t’i mbushte 87 vjeç, vdiq dje.

Mjeku dhe farmakologu arriti kulmin në karrierën e tij në vitin 1998, kur e fitoi Çmimin Nobel në Fiziologji dhe Mjekësi. Për të është thënë disa herë se “e ka zbuluar viagran”, medikamentin që përdoret për ta kuruar çrregullimin erektiv mashkullor dhe hipertensionin arterial pulmonal.

Por s’është ashtu. Më 1977, Murad kishte zbuluar se nitroglicerina dhe disa ilaçe të lidhura me zemrën nxisin formimin e oksidit nitrik dhe se gazi pa ngjyrë dhe pa erë vepron për ta rritur diametrin e enëve të gjakut në trup. Ky zbulim përfaqësonte një parim të ri në transferimin e sinjaleve ndërmjet qelizave. Ky dhe disa zbulime tjera, thuhet se çuan në zhvillimin e ilaçit kundër impotencës (Viagra), por Murad nuk mund të cilësohet si “zbuluesi i Viagras”. Siç shkruante CNN, është Dr. Nicholas Terrett që në vitin 1991 mori “patentën” për sildenafil citrate, ose Viagra, si një ilaç për zemrën.

Murad lindi më 14 shtator 1936 në Whiting në Indiana të SHBA-së. Prindërit e tij ishin Henrietta Josephine Bowman nga Alton, Illinois dhe Xhabir Murat Ejupi, një emigrant shqiptar nga Gostivari.

Nga Mark Nicholls

Qysh para se të ishte adoleshent, Ferid Muradi e dinte se çfarë donte të bënte. Në moshën 11-vjeçare, ai u tha mësuesve të tij se do të ishte mjek, mësues dhe shkencëtar kërkimor.

Rreth shtatë dekada më vonë, ai reflektoi: ‘Unë u stërvita në mjekësi, po bëj shumë mësimdhënie dhe punoj në farmakologji duke zbuluar dhe zhvilluar barna të reja’.

Ajo që ai ndoshta nuk mori parasysh, ishte se gjatë rrugës do të merrte një çmim Nobel për punën e tij së bashku me shumë çmime të tjera të lakmuara dhe grada nderi.

Duke larë enët

I lindur në shtator 1936 dhe i rritur në Whiting, një qytet i vogël me rreth 10 000 banorë në cepin veriperëndimor të Indianës në liqenin Miçigan dhe rreth 15 milje nga qendra e Çikagos, ai shkoi në shkollat publike lokale dhe ishte një “student shumë i mirë i nderuar”.

Duke u diplomuar i katërti në klasën e tij prej 100 nxënësish, ai kujtoi: “Shumica e mësuesve të mi ishin të shkëlqyer dhe klasat e mia të preferuara ishin matematika dhe shkenca. E dija që në moshën 11-vjeçare se çfarë doja të bëhesha.

Në atë kohë prindërit e tij drejtonin një restorant të vogël dhe atij dhe dy vëllezërve të tij më të vegjël iu kërkua të punonin atje për të larë enët, për t’u shërbyer klientëve dhe për të menaxhuar arkën.

Babai i tij lindi në Shqipëri dhe u rrit në Maqedoni dhe emigroi në SHBA në vitin 1917 në moshën 17-vjeçare, ndërsa familja e nënës së tij kaloi nga Anglia në vitet 1700 dhe përfundimisht u vendos në Illinois. Ai ruan lidhje të forta në vendet e Ballkanit me vizita të shumta, leksione dhe grada nderi. Në Maqedoni, një spital quhet ‘Spitali Ferid Murad’, është bulevardi Ferid Murad në kryeqytetin e Shkupit dhe një nga vajzat e tij adoptoi një foshnjë shqiptare nga Maqedonia.

Programi shtatëvjeçar

Prof. Murad (Figura 1) mori bursa për të ndjekur kolegjin, shkollën e mjekësisë dhe shkollën pasuniversitare, por vazhdoi të shërbente në tavolina, të jepte mësim në laboratorë shkencorë dhe zakonisht kishte dy punë çdo verë. Kjo do të thoshte se pas stërvitjes për 12 vjet pas shkollës së mesme, ai nuk kishte asnjë kredi apo borxh.

Pas katër vitesh në Universitetin DePauw në Greencastle, Indiana, me një diplomë të shkencave dhe kimisë para mjekësisë, ai ishte një nga studentët e parë që iu bashkua programit të ri 7-vjeçar të diplomës së kombinuar në Universitetin Case Western Reserve në Cleveland për të marrë një doktoraturë dhe Diplomë PhD në Farmakologji dhe Biokimi.

“Unë isha studenti më i mirë në klasën time për shumicën e shtatë viteve në program”, tha ai. “Ky program i ri shtatëvjeçar i diplomës së kombinuar më vonë u bë mjaft i popullarizuar në shumë prej shkollave mjekësore amerikane të mbështetur nga grantet e trajnimit nga NIH si Programet e Trajnimit të Shkencave Mjekësore (programet MSTP)”.

Që atëherë ai ka punuar në disa universitete amerikane, duke përfshirë Universitetin e Virxhinias (1970–81), Stanford (1981–88), Abbott Laboratories (1988–93), Shkollën Mjekësore të Universitetit të Teksasit në Hjuston (1997–2011) dhe George Universiteti i Uashingtonit (2011–16) dhe tani është profesor (adjunct) në Mjekësi në Universitetin Stanford.

Molekulat e lajmëtare

Pas programit 7-vjeçar MD–PhD, ai ishte praktikant dhe rezident në mjekësinë e brendshme në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts në Boston, i cili u pasua marrja e një burse trevjeçare kërkimore në Institutin Kombëtar të Zemrës (NIH). Ai kujton se kishte shumë mësues të shquar në shkollën e mjekësisë, shkollën pasuniversitare dhe gjatë shoqërimit të tij në NIH.

“Kërkimet e mia janë fokusuar gjithmonë në molekulat e dërguara jashtëqelizore dhe ndërqelizore”, shpjegoi Prof. Murad. “Të dërguarit jashtëqelizor ishin hormonet, neurotransmetuesit dhe faktorët e rritjes. Lajmëtarët brendaqelizorë ishin AMP ciklike, GMP ciklike, kalciumi dhe prostaglandinat. Ndërsa pjesa më e madhe e kërkimit tim ishte farmakologji, biokimi dhe fiziologji bazike, unë gjithashtu bëra kërkime klinike në lidhje me efektet e këtyre molekulave të lajmëtarëve në sëmundje të ndryshme.

Hulumtimi i tij me guanozinë monofosfatin ciklik (cGMP) çoi në zbulimin e oksidit nitrik (NO) në 1976, kur ai dhe kolegët zbuluan se nitroglicerina dhe ilaçet e lidhura me to, ishin pararendës, ose prodroga, për të gjeneruar NO në inde.

“Kjo ishte një seri eksperimentesh emocionuese për të gjetur një gaz dhe radikal të lirë të aftë për të aktivizuar një enzimë (guanilate ciklazë) dhe për të shpjeguar mekanizmin e efekteve të nitroglicerinës, e cila ishte përdorur klinikisht për më shumë se 100 vjet, duke mos ditur se si funksiononte te pacientët. ’, vazhdoi ai. ‘Shumë shkencëtarë nuk donin të besonin se një gaz dhe radikal i lirë reaktiv mund të aktivizonte një enzimë dhe të ishte një lajmëtar brendaqelizor dhe jashtëqelizor.

Nitrovasodilatorët

Ai ishte i magjepsur nga koncepti se një gaz mund të rregullonte funksione të rëndësishme qelizore dhe spekuloi se faktorët endogjenë si hormonet mund të vepronin gjithashtu nëpërmjet NO. Megjithatë, nuk kishte asnjë provë eksperimentale për të mbështetur këtë ide në atë kohë. Por ky ishte një zbulim që përfaqësonte një parim të ri për transferimin e sinjaleve midis qelizave, një gaz si një molekulë që transferon sinjalin, nuk ishte vërejtur kurrë më parë.

Në vitin 1978, Prof. Murad kishte shpikur termin ‘nitrovazodilator’ për këto prodroga NO.

Katër vjet pasi zbuloi mekanizmin e shndërrimit të nitroglicerinës në NO për të shkaktuar relaksim vaskular, Robert F. Furchgott zbuloi (në vitin 1980) se qelizat endoteliale që mbulojnë të gjitha enët e gjakut prodhonin një substancë që ai e quajti Faktori Relaksues i Derivuar nga Endoteli (EDRF).

Në një bisedë në vitin 1981, pas seminarit të tij në Universitetin e Virxhinias ku Prof. Murad ishte profesor, ai i tha Furchgott se EDRF mund të jetë JO. Në 1986, ai dhe Louis Ignarro propozuan që EDRF është JO dhe konfirmuan propozimin për Furchgott.

Mungojnë hapat e duhur

Pavarësisht një shkalle rezistence në fushën shkencore, me Prof. Murad duke kujtuar se për disa vite shumë shkencëtarë nuk do të besonin se NO mund të kishte efekte kaq të rëndësishme biologjike, linja e kërkimit u ndoq.

Me hapat e munguar në procesin e sinjalizimit të plotësuar siç duhet nga Furchgott dhe Ignarro, të tre ndanë Çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi të vitit 1998 “për zbulimet e tyre në lidhje me oksidin nitrik si një molekulë sinjalizuese në sistemin kardiovaskular”.

Gjetjet kanë revolucionarizuar kujdesin mjekësor – veçanërisht në mjekësinë kardiovaskulare – duke hapur rrugë të reja të terapive dhe trajtimeve të mundshme.

Në vitet që kur zbulimi i tyre u nderua nga komiteti i Nobelit, është bërë më e qartë se si NO mbron zemrën, stimulon trurin dhe vret bakteret, me kërkime të mëtejshme që konfirmojnë se NO – një lajmëtar qelizor i radikalit të lirë lipofilik të gaztë – luan një rol të rëndësishëm. në mbrojtjen kundër shfaqjes dhe përparimit të sëmundjeve kardiovaskulare.

Në vitin 1988, Furchgott dhe Murad kishin marrë çmimin Ciba nga Shoqata Amerikane e Zemrës (AHA), me AHA që më pas deklaroi se zbulimi i NO për të shpjeguar veprimin e nitroglicerinës ishte një nga zbulimet më të rëndësishme kërkimore në mjekësinë kardiovaskulare.

Më vonë, revista Science e quajti NO “molekula magjike e mrekullueshme”. Në vitin 1996, Furchgott dhe Murad ndanë çmimin Albert Lasker, përpara se të tre të merrnin çmimin Nobel në 1998.

Nga një familje e madhe, duke përfshirë pesë fëmijë, Prof. Murad kujton festimin e çmimit Nobel, duke marrë një festë prej 51 vetësh nga familja për ceremoninë në Stokholm.

“Kaluam shumë mirë, ishte një udhëtim i mrekullueshëm”, kujtoi ai.

Qelizat burimore

Në vitet që pasuan, Prof. Murad ka marrë 21 diploma nderi nga universitete të shumta dhe gjithashtu konsulton dhe këshillon shumë kompani bioteknologjike dhe ka themeluar ose bashkëthemeluar të paktën tetë kompani bioteknike. Ai vazhdon të jetë aktiv në mjekësinë akademike (2021) dhe industrinë dhe mbetet i pasionuar pas kërkimit të tij për të dhënë një kuptim më të mirë se si informacioni transmetohet midis qelizave.

“Për 20 vitet e fundit shumica e kërkimeve të mia me oksid nitrik dhe GMP ciklike janë fokusuar në qelizat staminale dhe kancerin”, tha ai. “Shpresa është të dalim me terapi të reja të reja për kancerin, por nuk është një problem i lehtë”.

Ai tha se duke trajtuar qelizat staminale me NO dhe cGMP ju mund të ndikoni në përhapjen dhe diferencimin e tyre – gjë që ka aplikime në kancer – dhe ai sugjeron që NO mund të ketë efekte në angiogjenezë.

“Unë mendoj se kjo do të jetë një fushë tjetër e terapisë në rrugë, por ne nuk jemi ende atje dhe duhet të kuptojmë se cili është objektivi molekular për GMP ciklike dhe transkriptimin”, shtoi ai.

Megjithatë, megjithëse mund të jetë joshëse të ëndërrosh për një çmim të dytë Nobel, ai e zbut atë me realitetin: “Tre shkencëtarë kanë marrë dy çmime Nobel. Do të ishte e mrekullueshme të merrje një tjetër çmim Nobel, por kjo mund të marrë 20 deri në 30 vjet punë të tjera, siç ndodhi herën e parë që e mora. ( Dhe fatkesisht ai nuk mundi R.F)

Fusha mbetet sfiduese dhe ka fusha komplekse, por ai gjithashtu vë në dukje se “pak kompleksitet ofron shumë përparësi në aspektin e terapisë”.

“Nëse i kuptoni detajet, tani mund të vini së bashku me agjentë selektivë për të ndikuar në biologji dhe ky ishte qëllimi im”, shtoi ai.

Ndërsa shumë degë kërkimi kanë rrjedhur nga zbulimet e tij, ai beson se më të dukshmet kanë qenë në fushën e aplikimeve kardiovaskulare.

Pat ndërtuar një pishinë

Prof. Murad rrëfen se ai ka qenë gjithmonë një punëtor, duke punuar 70-80 orë në javë, por gjithashtu ka gjetur kohë për projekte jashtë mjekësisë dhe kërkimit, veçanërisht me një temë ndërtimi.

“Më pëlqejnë projektet e ndërtimit dhe kam ndërtuar një pishinë, një garazh me tre makina, shtesa dhomash dhe punëtori”, tha ai. ‘Më pëlqen të jem i zënë, jam gjithmonë i zënë’.

Me kalimin e viteve, ai ka takuar bashkëpunëtorë të shumtë të talentuar në kërkimin e tij.

“Unë kam qenë në sinjalizimin e qelizave që nga viti 1958 dhe ka qenë argëtuese”, tha ai. “Më ka çuar në shumë shtigje – të gjitha llojet e biologjisë, biokimisë dhe indeve dhe shumë probleme mjekësore – dhe shumë marrëdhënie mjekësore kanë ardhur prej saj. Kjo është ajo që më pëlqen – të shndërroj kërkimin bazë në aplikime klinike për të trajtuar sëmundje të ndryshme dhe ato marrëdhënie më kanë lejuar ta bëj këtë.

Unë kam qenë shumë me fat që kam punuar me shumë klinicistë të talentuar, biokimistë, farmakologë dhe jam me fat që jam ndikuar nga të gjithë ata njerëz që kam takuar.’

Por ai gjithashtu ka disa këshilla të përmbledhura për kërkuesit e rinj, ndërsa ata nisin një rrugë drejt suksesit brenda fushës: “Ata qw trajnohen të punojnë me shkencëtarët dhe këshilltarët më të mirë në vendet më të mira”.

Prof. Murad ishte një profesor (adjunct) në Mjekësi në Universitetin e Stanfordit dhe një këshilltar i lartë kërkimor në Institutin e Kërkimeve Palo Alto VA të Stanfordit duke qenë qysh në vitet 1980 Shef i Mjekësisë në Spitalin Palo Alto VA, kryetar i asociuar i mjekësisë dhe përkohësisht Kryetar i Mjekësisë në Stanford.

Shënim : Botuar në emër të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë. Oxford University Press European Heart Journal, Volume 43, Issue 14, 7 Prill 2022, Faqe 1372–1374, https://doi.org/10.1093/eurheartj/ehab591

May be an image of 1 person

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

88

Filed Under: Opinion

Festivali i Kishës Zoja Pajtore në Michigan një emblemë e vlerave kombëtare

September 5, 2023 by s p

Rafael Floqi/

Një traditë gati 30 vjeçare e krijuar në kushte të tjera e në rrethana të tëjera, përsëritet e përsëritet tashmë në Southfield të Miçiganit, në periferi të qytetit Detroit, që nga koha kur i ndjeri Dom Prenk Ndrevashaj dhe një grup besimtarësh katolikë themeluan Kishën Zonja Pajtore e Shqiptarëve, e cila u shndërrua në vite jo thjesht në një objekt kulti, por në një institucion të rëndësishëm të ruajtjes së kulturës dhe traditave shqiptare.

Gjatë tre ditevë në prag të Ditës së Punes ne datat 2, 3 dhe 4 Shtator, Këshilli i Kishës mban festivalin tradicional tre ditor, i cili çdo vit lartëson si vlerat fetare dhe ato kombëtare. Në një mjedis të zbukuruar këndshëm, i përtëritur në mjediset e jashtme të Kishës i përshëndet në mënyrë mjaft serioze të gjithë të pranishmit. Duken ndryshimet janë shtuar tendat është zgjedhuar mjedisi, lodrat me fryrje për luajtur fëmijët, i përshëndesin vogëlushët e kudo në këtë mjedis që frymon kuq e zi. Krahas guzhinës me aroma shijesh gatimesh e pijesh kombëtare tendat e shitësve ambulantë të që gjejnë gjithnjë kohën dhe objektet për të na kujtuar atdheun, flamurin tonë kombëtar vendlindjen tonë.

A mjafton një shqiponjë apo një bluzë T-shirt a pëlqehet ajo nga ta rinjtë. Po janë mjaft të pëlqyeshme dhe blihen thotë një djalosh që ka krijuar një biznes të tillë në New York, dhe ka ardhur për të shitur këtu. Dy vajza të reja që kanë filluar një prodhim shtëpijak ëmbëlsirash, po e lançojmë punën e tyre pikërisht këtu. Ka dhe bisneze të tjera shqiptare që nga paketa TV over IP AlbTV apo piktori pasionant invalid Ndue Gjelaj u sjell blerësve piktura dhe riprodhime të tablove me heroin tonë kombëtar. Tabloja origjinale “frymëzimi” , paraqet Fishtën dhe Marash Ucin, frymëzimin dhe lajtmotivin e poemës Lahuta e Malcisë. Sa domethënie sa atmosferë ka në atë tablo. Ndoshta mund të pranohet një sugjerim se do të ishe më mirë që dhe bizneset sponsorizues të ishin të pranishëm më shumë në njerën nga këto ditë të festivalit që t’i kushtohej vetëm atyre atyre, dita e parë e vestivalit do të ishte domethënëse.

Kulmi i festivalit ishte ditën e dielë, kjo është dita e hapjes zyrtare të festivalit, të gjithë sidomos prindërit e fëmijeve të grupeve artistike mirëpresin parakalimin e grupeve artistike të fëmijëve. Një atmosferë pritje ndjehet në ajër tek organizatorët, të cilët si Ndrec Mirdita janë të kudondodhur në përgatitjet e fundit e sigurojnë që çdo gjë të jetë në vendin e dukur.

Kisha e Zonjës Pajtore të Shqiptarëve, me meshtar Dom Ndue Gjergji, i cili kohët e fundit plotësoi 50 vjetorin e Meshtarisë, është rritur së bashku me komunitetin dhe ka përjetuar ndryshimet që i ka kaluar ky komunitet. Ajo është e themeluar fillimisht me besimtarë kryesisht nga Mali i Zi dhe nga Kosova, sot, rreth 70 për qind e komunitetit të saj janë nga Shqipëria, të cilët tek kisha kanë gjetur një mbështetje të madhe për t’i ndihmuar në ambjentimin në Shtetet e Bashkuara.

Festa është kthyer tashmë dhe një banderolë gëzimi dhe të ruajtjes të vlerave kombëtare edhe nga grupet e ndryshme të fëmijëve që marring pjesë. Procesioni fillon që nga Qendra kulturore e kishës drejt tek Sheshi i Festivalit, duke shpalosur flamujt kombëtare shqiptarë dhe amerikanë.

Kjo traditë lindi me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ku u shoqërua me 100 flamuj, dhe qysh aso kohe vazhdon edhe sot. Turma shoqërohet nga kamerat e televizioneve dhe disa dhjetëra prindër “kamaramanë amatorë “ që shaqërojnë gjithë adhurim femijet e tyre të veshur, me rroba kombëtare. Një mjedis i mbushur me ngjyrat më të bukura të kostumeve kombëtare, një lutje dhe nderim e për shpirtje tek shtatorja e Shenjtes “Nëna Terezë” është gjithmonë fillimi.

Po ditën e diel famulia nderoi me një meshë figurën e shquar të kombit shqiptar shenjten e katolike nënën e botës e bijën e shtëpisë Nënë Terezën. Lavdia e saj i kalon kufitë e një meshe. Do të lypset që në vitet në vazhdim për t’i dhënë larmi kësaj feste të organizohej ndonjë një simpozium i veçantë për Nënë Terezën, figura e së cilës sa më shumë kalon koha aq më e madhe po dhe aq më e mistershme në pasionin e saj për Krishtin mbetet. Dhe me bamirësinë e saj ajo mbëthen në vetvete një nga cilësitë thelbësore të kombit shqiptar.

Ne valvitjen e atyre flamujve ne ndiejme se shpirti i shqiptarit vlon. Duket pak se amaneti i themeluesit te kishës “Pajtorja e Shqiptarëve” Dom Prenk Ndrevashaj, prift dhe poet, duket sikur flasin dhe për virtytet dhe shërbesat e tij dhe të dishepullit të tij të denjë, Dom Ndue Gjergjit nga Kosova, një njeri përkushtuar dhe zemërmadh, i buzëqeshur si vëlla i Shenjtes Nënë Tereza.

Mes të tjerash Kisha “Pajtorja e shqiptarëve” në Detroit, përmbledh në vetevete dhe kalvarin e kishës shqiptare, martirizimin e saj deri në mrekullinë e kësaj dite feste sot. Festivalet dhe grupet folklorike që organizon, etj, dhe portretizuan si ikona të gjalla në fytyrat e këtyre femijëve që gezojnë. Pastaj si një festival fëmijësh duket se një dorë e çuditshme i bashkon bashkë dhe ato buzeqeshje prindësh që me celularët e tyre marrin mbresat nga interpretimi i femijëve.

Programi Artistik Folklorik filloi me intonimin e hymneve kombëtare e vazhdoi me programmin me pjesëmarrjen e grupeve të valleve “Illyrianet” i Kishës Zoja Pajtore ,-Grupi “Gjergj Kastrioti” i Kishes Shen Palit, -Grupi i valles “Shqiponjat e Vogla” nga Toronto -Grupi i valles “Rapsha në Mërgim”me tre valle të reja si valltarja profesioniste Elvana Dedvukaj dhe grupi i saj.

Grypi i Valleve Ilyrianet soli motive me valle të veriut është një grup relativisht pranë kësaj kishte fëmijë të të gjithë moshave, por qe mjaft mbresëlënës për profesionizmin e treguar ishte Grupi Shqiponjat e vogla” që solli para shikuesve dhe fansve të tyre ( Prindërve të ardhur nga Toronto), motive arbëreshe sikur të ishin në Jugun e Italisë. Vajza si Yje dhe djem mjaft të shkathët krijuan nja tablo mjaft interesante me veshjet e tyre. Qysh në fillim më ranë në sy veshjet e tyre dhe veçova një vajzë me veshje tiranase me dimiq. A ky është “fuston Tirone” i thashë Ramazanit , i cili ma pohoi gabimin duke e quajtur fustan.

Ta dini se nuk ka grupe artistike të fëmijëve pa përkushtimin entusiazmin e pasionin e nënave të tyre. Ka në sytë e nënave të tyre shumë gëzim, ka dhe një si farë shpagim pendese që vjen pikërisht nga interpretimi i shpenguar dhe i arrirë i atyre vogëlushëve, një si farë pendese të prindërve që janë larguar nga Atdheu që vallet e fëmijëve e shpagojnë atdhedashurinë e tyre. Ishte interesant fakti se nënat e Grupit Shqiponjat e vogla, që kish ardhur tok me bijtë e bijat e tyre nga Toronto ishin fanset me të zjarrta të festivalit jo vetëm për fëmijët e tyre, por për të gjithë grupet e fëmijët që vallëzonin.

Eshtë e vështirë të gjurmosh brenda gëzimit të këtyre fëmijëve dhe shqetësimin e përkushtimit të koreografëve si Joli Paparisto, Anton Juncaj dhe Ramazan Këllezin i cili si mik përshëndeti të pranishmit për mundësinë e krijuar në këtë aktivitet, gjë që nuk e kanë arrirur në këtë formë në Kanada.

Pastaj qershia mbi tortë në fund zërat piskame të femijëve malësore -Albana Gojçaj 8 vjeç , -Valon Gjolaj 10 vjec , -Misi Gojçaj 6- vjeçare deshmon se tradita nuk vdes. Nëna e Misit, nënë si nënat, më kërkoi një video profesionale të këngës së vajzës së saj të veshur me xhubletën e bukur e të lashtë. “Kush i ka bërë rricat kështu i thashë , dhe ajo më përmendi emrin e një gruaje malësore.” Nuk ka kostum kombtar “pa lukun” përkatës jo jo nuk ka.

Duhet ta kuptojmë se nuk është anakronizëm interpretimi folklorik, por ashtu si Gjuha Shqipe është hallkë lidhje me trojet shqiptare dhe për fëmijët të lindur në mërgim. Raporti me dëshirës dhe mundësive që krijojen në një vend të huaj ndihen ne aksenti apo në mungesat e intonacionit të moderatorëve Viktoria Dedivanaj, dhe Steve Lucaj, ku herë shqipja ja kalonte anglishtes dhe herë anglishtja ja kalonte shqipes por duhen vleresuar për punën plot dëshirë e pasion. Të mos harrojmë që jemi në Amerikë dhe këta të rinj kanë lindur këtu, Muzikanti Albert Abedini bëri një shoqërim dinjitoz të të gjithë koncertit natyrisht dhe daullexhiu.

Festivali Shqiptar pranë Kishës Katolike Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Michigan organizohet prej 30 vitesh. “Mirënjohje fëmijëve, prindërve, organizatorëve për punën e palodhur, mbështetësve tanë e falënderime të madhit Zot që bënë të kishim një Festival spektakolar këtë vit. Çdo vit e më mirë, çdo vit e më bukur. Lavdi Zotit për njerëzit e shkëlqyer të komunitetit tonë në Michigan” tha në fjalën e tij përshëndëtëse Dom Ndue Gjergji.

Ky festival tre ditor është kthyer tashmë në një traditë të padiskutueshme promovimi vlerash kombëtare e komunitare, qysh nga koncerti i fëmijëve, tek ushqimet karakteristike shqiptare, tek muzika e grupeve shqiptare bashkoi me qindra shqiptarë në Michigan në tre ditë të shpalosjes të vlerave kombtare. Natyrisht në këtë mes një përshëndetje e ngrohtë është edhe për të gjithë ata që mundësuan një aktivitet të tillë drejtuesit e festivalit dhe të Këshillit të Kishës.

E ndësa gëzimi vazhdon me këngetarët i mbledhin gjithë të rinjtë shqiptarë në valle. Duket si “një valle e madhe pa nuse” më thoshte një mik, megjithatë nga kjo valle na vijnë nuset, se të rinjtë njihet e takohen me njeri- tjetrin, dhe kështui mund të ruhet identiteti i ynë në këtë dhe të bekuar. në fakt dashuria shqiptare s’ka si është digjitale.

Diku një një fushë pas festivalit një grup fëmijësh 12 -13 vjecarë luajnë futboll amerikan. Festa e Punës është dhe fillimi i kambpionatit të Futbollit, kjo tregon se këta fëmijë për jetëojnë një realitet të dyzuar shqiptar dhe amerikan. Na duhet t’i kenë të dyja por kurrë të mos harrojnë të parin.

Fotot: Rafael Floqi

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 134
  • 135
  • 136
  • 137
  • 138
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade
  • Zgjidhje urgjente për kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
  • STILISTIKA DHE BOTA E PERSONAZHEVE
  • Nga kërcënimi te kompromisi: Realpolitika e armëpushimit Trump–Iran
  • KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911 DHE RËNDËSIA E SAJ HISTORIKE
  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT