• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZBRAZJA E TROJEVE SHQIPTARE SOT DHE RREZIKU I BRENDSHËM AKTUAL

July 15, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli/

(Me rastin e promovimit të librit të Z. Rrustem R. Berisha — “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”, mbajtur në sallën “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork).

Përshëndetjet e mia autorit të Rrustem R. Berisha për veprën, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999” dhe Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej” për organizimin e këtij tubimi, pikërisht, këtu në sallën “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork.

Të nderuar pjesëmarrës – Pres me kënaqësi që të lexoj librin – them librin, por në të vërtetë është vepër tre vëllimesh – mbi këtë subjekt jashtzakonisht të rëndësishëm për historinë e Kombit shqiptar – jo vetëm nga përspektiva historike – sado e hidhët që është ajo. Por edhe për nga gjëndja aktuale në trojet shqiptare.

Trajtimi i zbrazjes së trojeve – me forcë ose vullnetarisht, është edhe një subjekt aktual që ka të bëjë me largimin në masë sot nga trojet shqiptare, një gjëndje reale dhe e rrezikshme që kjo zbrazje, aktualisht, përben për të tashmen dhe për të ardhmen e Kombit shqiptar.

Titulli i veprës së Rrustem Berishës është, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”. Një periudhë kjo që për më shumë se një shekull ka sjellur në trojet shqiptare tragjedi dhe gjenocid – me pasoja të tmershme për racën shqiptare — jo vetëm sa i përket dëbimit të shqiptarëve nga trojet e veta, por edhe për efektet që politikat serbo-malazeze kanë patur dhe kanë në zhdukjen eventuale të identitetit kombëtar të shqiptarëve nga ai rajon i Evropës – të cilit sot i referohemi si Ballkani Përendimor.

Në mungesë të leximit të kësaj vepre, paraprakisht, unë do kufizohem vetëm në një diskutim të përgjithshëm të këtij fenomeni fatkeq historik për Kombin shqiptar edhe në ditët e sotëme. Për më shumë se një shekull, kanë vazhduar shpërnguljet me forcë të shqiptarëve nga trojet e veta — që autori me të drejtë e cilëson si gjenocid serbo-malazez, shpesh në bashkpunim dhe marrëveshje edhe me Turqinë e asaj kohe.

Por sot, largimin në masë të shqiptarëve nga Shqipëria dhe nga Kosova e cilësojmë si “zbrazje” të tokave shqiptare. Një term pak më i “butë” ndoshta se fjala “gjenocid” – për kohën e sotëme “moderne” të lëvizjes së lirë të njerëzve, se sa dëbimi me forcë i shqiptarëve nga regjimet serbo-malazeze, gjatë dekadave.

Ta quajmë si të duam: përfundimi, fatkeqsisht, për shqiptarët, është i njëjti: trojet shqiptare, në të kaluarën janë boshatisur, detyrimisht, dhe me forcë e kërcënime, si pjesë e politikave të regjimeve nacionaliste-fashiste-komuniste, gjenocidale serbo-malazeze, por edhe greke.

Mos të harrojmë Çamërinë martire!

Sot, shqiptarët me dy shtete të tyre, nuk kanë qenë kurrë më të lirë dhe nuk kanë gëzuar asnjëherë më shumë të drejta se sa gëzojnë sot, anë e mbanë Ballkanit Perëndimor. Atëherë çka po ndodhë dhe pse po zbrazen sot trojet shqiptare?! Fakti është se gjatë viteve të fundit, Shqipëria prinë me largime masive shqiptarësh drejtë Evropës Përendimore dhe Amerikës, e ndjekur nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e tjera.

Është një fenomen që më ka shqetësuar për një kohë të gjatë. Për pothuaj një dekadë, jam munduar, në mënyrën time, me disa shkrime modeste, të shprehi shqetësimet e mia për largimin masiv të shqiptarëve nga trojet shqiptare, sidomos nga Shqipëria dhe nga Kosova, por jo vetëm. Kam shprehur shqetësim, jo vetëm për numrin e madh të largimeve të shqiptarëve gjatë viteve të fundit, një fakt i provuar edhe nga anketat e botuara vitet e fundit nga agjenci ndërkombëtare, sipas të cilave shqiptarët anë e mbanë trojeve tona — shprehen se po të kishin mundësi do të largoheshin aty për aty, me një përqindje marramendëse nga vendlindja.

Vetëm si një pasqyrim, për të treguar se sa serioz dhe i rrezikshëm është ky fenomen sot – zbrazja, pra e tokave shqiptare në Evropën jug-lindore. Sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare, që botohen nga koha në kohë, Shqipëria zë vendin e tretë në botë për numrin më të madh të qytetarëve të saj që dëshirojnë të emigrojnë duke përmendur një shifër marramendse mbi 56% e popullsisë shqiptare, po të kishte mundësi të largohej. Sot, kjo shifër mund të jetë edhe më e madhe për Shqipërinë, (bazuar në lajmet e fundit në lidhje me këtë subjekt. Mjafton të lexoni kryeartikujt e kohëve të fundit në median shqiptare: “Shifrat e Eurostat për largimin e 700 mijë shqiptarëve në dekadën e fundit…”, “Shqipëria e katërta në botë, rekord për largimin e të arsimuarve…”, “Shqetësim largimi i të rinjve shqiptarë”, e tjera si këto.

Ndërsa, nuk besoj që as Kosova të jetë në një gjëndje më të favorshme sa i përket emigrimit, ndërsa ente të njëjta ndërkombëtare kanë cituar shifra nga 35% e më lartë të shqiptarëve të Republikës së Kosovës që do dëshironin të iknin nga vendi, po tu jepej rasti. Pak a shumë, të njëjtat shifra shqetësuese shënohen edhe sa i përket largimit masiv të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi, Preshëvë, e tjera.

Përball kësaj situate të krijuar sot, mund të thuhet se kemi të bëjmë me një tragjedi kombëtare në rritje, të përmasave të pa para ndonjëherë: zbrazjen e trojeve shqiptare në kohë paqeje – hiç më pak e rrezikshme se ç’ishte gjenocidi serbo-malazez gjatë shekullit të kaluar që përshkruet në veprën e Z. Rrustem Berisha, ndërkohë që, siç duket, askush nga autoritetet e larta në Prishtinë dhe Tiranë, nuk e çajnë kokën për këtë tragjedi kombëtare.

Sot, ne falënderojmë dhe përgëzojmë autorin Rrustem Berishën për veprën historike voluminoze, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”.

Emigrimi masiv i shqiptarëve sot është një pasqyrim i pakënaqsive masive të shqiptarëve me qeveritë e tyre dhe një paralajmërim serioz për klasën politike shqiptare, në të gjitha trojet shqiptare, e cila ka dështuar mizorisht të merret me këtë problem mbarëkombëtar, para se të jetë tepër vonë. Në asnjë rast, me ndonjë përjashtim aty këtu, nuk është diskutuar seriozisht ky fenomen i tmershëm për të ardhmen e shoqërisë shqiptare dhe të Kombit. Jo vetëm politikanët e karrierës, të cilët janë shkaku kryesor i këtij fenomeni dhe i kësaj gjëndjeje tragjike, por as media vizive as ajo e shkruar — pjesëtarë aleancash të ndryshme politike në pushtet — nuk e gjejnë të arsyeshme që, nga koha në kohë, të programojnë debate serioze publik në lidhje me këtë çeshtje.

Historia e emigrimit të detyruar të shqiptarëve gjatë shekullit të kaluar, për të cilën shkruan autori Rrustem Berisha, në veprën e tij, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”. njeh, fatkeqsisht, shumë shpërngulje tragjike të detyruara me forcë të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia në bazë të marrveshjeve midis Serbisë e Turqisë, por edhe nga trojet e tjera, pa harruar, natyrisht, as shpërnguljen me forcë të shqiptarëve nga Çamëria, si pjesë e politikës gjenocidale greke për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Çamëria e zona të tjera.

Për fat të keq, sot duket sikur planet e kaluara gjenocidale anti-shqiptare serbo-malazeze të Çubrilloviqit dhe më vonë të Millosheviçit për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta, me dashje ose pa dashje, po i zbatojnë vetë shqiptarët me politikat e tyre anti-kombëtare. Ndryshimi është se për këtë fenomen tepër shqetsues për Kombin, shqiptarët nuk mund të fajësojnë komunizmin, as serbo-malazezët, as grekun, e as turkun, por vetëm politikat e tyre çkombëtarizuese.

Po t’i detyronte dikush tjetër shqiptarët që të largoheshin sot nga trojet e veta, siç bënin serbo-malazezët më heret, të gjithë shqiptarët e Amerikës do ishim rrugëve të qyteteve amerikane dhe të Evropës, por dhe korridoreve të kancelarive perëndimore për të kërkuar drejtësi për shqiptarët dhe për t’i thënë stop shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre, me forcë ose me detyrim.

Sot, shqiptarët jetojnë në paqë, në dy shtete që e quajnë veten demokratike dhe kontrollojnë fatin e tyre si kurrë më parë. Shqipëria, anëtare e NATO-s me shpresë për tu bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe Republika e Kosovës, gjithashtu me ambicje për t’iu bashkuar një ditë integrimeve euro-atlantike.

Atëherë ku tjetër dhe si të kërkojmë drejtësi dhe zgjidhje për ndalimin e zbrazjes së trojeve shqiptare përveç – në Tiranën e Prishtinën zyrtare. Pikërisht, sot atje duhet të kërkohet drejtësia dhe përgjegjësia për këtë pakënaqsi të theksuar të një numri kaq të madh të shqiptarëve me jetën e tyre në vendlindje – e të cilët si të vetmen zgjidhje për një jetë më të mirë për veten dhe familjen, konsiderojnë marrjen e rrugës për në mërgim.

Trojet shqiptare, sot për sot, nuk përballen me konflikte e trazira si në disa pjesë të botës, ku lufta, uria, tragjeditë natyrore, shpërnguljet e detyruara dhe sëmundjet, e bëjnë jetën e njerzëve tepër të vështirë dhe të pamundur që të vazhdojnë të jetojnë në vendet e tyre.

Ata që sot janë në krye të Kombit shqiptar – nëqoftse ndonjëri prej tyre ndjenë ndonjë përgjegjësi sado pak të vogël politike, morale e kombëtare — duhet të pyesi veten se çka i shtynë shqiptarët që të largohen nga trojet e veta në një numër aqë të madh, në rritje e sipër dhe njëherazi të kërkojnë zgjidhje politike mbarë kombëtare për ngadalësimin e shpërnguljës së shqiptarëve, në përmasa kombëtare që rrallë herë janë parë në të kaluarën.

Zbrazja e trojeve shqiptare është një problem mbarë kombëtar dhe si i tillë, nevojitë zgjidhje mbarëkombëtare. Por, për fat të keq, shqiptarët kudo, janë të zhgënjyer me klasën politike të tre dekadave të tranzicionit “post-komunist” – dhe kjo është një prej arsyeve që shqiptarët, pa dallim, po largohen masivisht nga trojet e veta për një jetë më mirë dhe për një drejtësi dhe për mundësi më të mira jetese për veten e familjet, në botën perëndimore. Shqiptarët janë të qartë me atë që duan për veten dhe për familjet e tyre. Ata duan të jetojnë e të rrisin familjet e tyre në një shoqëri të lirë e demokratike të llojit perëndimor – larg trashëgimisë sllavo-komuniste majtiste gjysëm shekullore, fryma e të cilës dallohet kudo në shoqërinë dhe në zhvillimet politike shqiptare — si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Është e qartë se nëqoftse liderët aktualë shqiptarë nuk do të sigurojnë drejtësi, të drejtat bazë të njeriut — lirinë e demokracinë e vërtetë në trojet shqiptare, shqiptarët e të gjitha trojeve do t’i kërkojnë diku tjetër këto të drejta dhe mundësi për një jetë më të mirë, qoftë edhe me largimin e përhershëm nga trojet stërgjyshore.

Interesat personale dhe partiake të elitës politike shqiptare – “një pjesë e dobët e Kombit që kembëngul në pushtet”, siç e cilësoi atë kolegu i im Astrit Lulushi, në një shkrim të ditëve të fundit, por edhe konfliktet politike sot po shkatërrojnë harmoninë e brendshme shoqërore të botës shqiptare, në përgjithësi, dhe po nxisin armiqtë e Kombit që të peshkojnë në ujërat e turbullta shqiptare kurdoherë që shohin një rast të volitshëm dhe derën e hapur pej vet shqiptarëve, për realizimin e qëllimeve të tyre djallëzore kundër interesave mbarë-shqiptare.

“Rreziku i përmbrendshëm”, do ta quante At Gjergj Fishta. Gjëndja aktuale politike, mosmarrveshjet dhe konfliktet në radhët e politikës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, përbëjnë rrezikun më të madh që i kanoset sot Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, pasojë e të cilit është edhe zbrazja masive e trojeve shqiptare të viteve të fundit. Rrezik më të madh afatgjatë– të brendshëm ose të jashtëm për Kombin, sot për sot — nuk ka se zbrazja e trojeve shqiptare – shkaktuar nga vet politika shqiptare.

Dallimet e theksuara shoqërore në fushën politike dhe ekonomike, ku një segment i vogël i shoqërisë që kontrollon politikën dhe ekonominë, favorizohet mbi të tjerët – sidomos në një shoqëri të varfër siç është bota shqiptare – përbëjnë një rrezik për të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por dhe në marrëdhënie me të tjerët. Ndërsa me një harmoni të brendshme politike dhe ekonomike, kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, sado serioze qofshin ato, do të mund të përballen më lehtë me bashkimin e shqiptarëve rreth një platforme të përbashkët interesash kombëtare, që do duhej të qëndronin mbi të gjitha interesat e tjera politike, partiake dhe ekonomike. Ky është edhe hapi i parë drejtë kufizimit dhe kontrollimit të zbrazjes së trojeve shqiptare në Ballkan.

Problemet e mëdha politike, sidomos grindjet dhe mosmarrveshjet në radhët e klasës politike “post-komuniste” shqiptare, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, korrupsioni në nivelet më të larta qeveritare që po lulëzon anë e mbanë trojeve shqiptare, sfidat e mëdha ekonomike dhe shoqërore – politikat çkombëtarizuese si një trashëgimi e doktrinës kriminale komuniste sllavo-enveriste prej gjysëm shekulli, të gjitha këto së bashku paralajmërojnë një rrezik të brendshëm, me pasoja aq të këqia për të ardhmen e Kombit shqiptar – përfshir zbrazjen masive të shqiptarëve nga trojet stërgjyshore.

“Shqiptarët, të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, deri shpresën e kishin bjerrë shqyptarët, se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme”, do të shkruante At Gjergj Fishta 100-vjetë më parë. Sot, ndonëse të lirë me dy shtete të pavarura, shqiptarët për fat të keq, në përgjithësi, kanë humbur shpresën për një jetë më të mirë, të lirë e demokratike në trojet e veta dhe janë të zhgënjyer, thellësisht, nga klasa aktuale politike shqiptare, anë e mbanë trojeve shqiptare.

Nëse dikush është kureshtar e pyet se ç’do të thonte Fishta me “rrezik të përmbrendshëm”, që i kanoset Shqipërisë, Kosovës e shqiptarëve, shikoni zhvillimet e ditës së enjtë në parlamentet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, një shpërthim grushtat e shtyrjesh njëkohësisht, sikur dikush të jepte urdhër: tani!, si dhe (mos)-komunikimet midis dy kryeministrave shqiptarë më heret. Aty e gjeni përgjigjen. Politika shqiptare dhe marrëdhëniet ndër-shqiptare janë, pikërisht, aty ku i do armiku, ka thënë At Gjergj Fishta: të ndarë e të përçarë. Çoroditjet ndër-shqiptare, si ato të javës së kaluar, midis dy shteteve shqiptare, vetëm kënaqin Beogradin e Moskën. Kjo është edhe një arsye shtesë që shqiptarët po largohen, masivisht, nga trojet e veta. Nevojitet, pra, një reflektim serioz mbarë-kombëtar mbi këtë urgjencë kombëtare, para se të jetë tepër vonë!

Zhvillimet politike deshtake, konfliktet dhe mosmarrveshjet ndërshqiptare të tre-dakadave të ashtuquajturit “tranzicion politik, post-komunist”, në Shqipëri dhe në Kosovë, e kanë tronditur aq thellë ndërgjegjen kombëtare, sa që një shumicë dërmuese e shqiptarëve – të zhgënjyer nga politikat aktuale anti-kombëtare të liderëve të sotëm shqiptarë — me dhëmbje në zemër dhe me lotë në sy — kanë vendosur, më në fund, të marrin rrugët e botës për një jetë më të mirë e më të lirë, për një jetë normale. Duke refuzuar t’i nënshtrohen pushtetit – të një pjesë e dobët e Kombit që këmbëngul në pushtet”, e që po shkatërron trojet shqiptare me korrupcion dhe me politika çkombtarizuese – shqiptarët të lodhur nga politikat shkatërruese kombëtare, sot po braktisin trojet e të parëve, drejtë Evropës dhe Amerikës. Për fat të keq, ky është një problem i vjetër për Kombin shqiptar – siç sugjeron edhe titulli i veprës së Z. Rrustem R. Berishës, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare, 1800-1999” – por është një problem aktual që kërkon dhe që duhet të zgjidhet nga vetë shqiptarët sot në nivel mbarë-kombëtar, me vetdije identiteti kombëtar, për hir të mbijetesës në trojet e veta historike të këtij kombi të lashtë e krenar – iliro-arbëror.

Zoti qoftë me Kombin shqiptar në këto kohë të vështira!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Vuçiç kërkon asociacion të komunave me shumicë serbe, por nuk kërkon falje për krimet

July 15, 2023 by s p

Dialogu Kosovë-Serbi, zgjidhjet e BE-së për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, të papërfillshme

Përgatiti: Eneida Jaçaj

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të gjithë historinë e tyre diplomatike, kryesisht me Presidentët Bill Clinton dhe George W.Bush, kanë patur një rol të pazëvendësueshëm dhe të patjetërsueshëm, në lidhje me sfidat për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt, 2008. Tashmë, dialogu Kosovë-Serbi ka kaluar në një stad tjetër, ku stafeta i është lënë Bashkimit Europian për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve, si garant i paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por duket se zgjidhjet e zyrtarëve të lartë eruopianë janë të papërfillshme, sidomos nga Serbia. Pra, vështirë se Marrëveshja e Ohrit do të zbatohet me përpikmëri nga të dyja palët, dhe kjo është mjaft e dukshme me konfliktin në Veri të Kosovës.

Konflikti në Veri të Kosovës, nisi vitin e kaluar, kur serbët braktisën institucionet e Kosovës, si formë e kundërshtimit të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve nga targat serbe, në ato të Kosovës. Konflikti është shoqëruar me një varg krizash dhe protestash nga ana e serbëve. Tensionet në veri të Kosovës arritën kulmin kur kryetarët shqiptarë hynë në ndërtesat komunale në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës. Duke u gjendur përballë kësaj situate konfliktuale, Gjermania vendosi të ndërpresë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në fusha të ndryshme, ku përfshihet shtyrja e konsultimeve të planifikuara dhe e formateve të bashkëpunimit në fushat e bashkëpunimit të sigurisë dhe bashkëpunimit zhvillimor, por nuk mori asnjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë.

Europa është mjaft e vetëdijshme për masakrat dhe krimet çnjerëzore të Sllobodan Millosheviçit në drejtim të popullatës së pafajshme të Kosovës, dhe duhet ta shohë këtë të fundit me një sy tjetër; nëse do të bëhen shumë përjashtime apo do t’i lihet dorë e lirë Serbisë, kjo e fundit do t’u rikthehet kërkesave të saj të mëparshme, duke bërë 23 vite mbrapa në kohë. Thelbi i konfliktit është se Serbia kërkon asociacion të komunave me shumicë serbe, duke krijuar një Republikë të vogël Serbe, në Veri të Kosovës, ku janë 10 komuna si: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Aleksander Vuçiç kërcënon se Serbia do të veprojë vetë për bashkimin e komunave, përpara “hundës” së BE-së, ndërkohë nuk dënjon të njohë Pavarësinë e Kosovës dhe as nuk kërkon falje për masakrat dhe mbajtjen peng të lirisë së popullit të pafajshëm kosovar. Serbia nuk mund të bëjë asnjë lëvizje të tillë pa dekret të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti dhe pa njohjen reciproke. Gjithashtu, Kosova e sheh me skepticizëm këtë kërkesë, pasi do të kemi një situate të ngjashme me Republikën Serbe të Bosnjes.

Masakrat në Kosovë

Diskutimet për bashkimin e komunave në Veri të Kosovës, duhet t’i lënë hapësirë diskutimeve për masakrat dhe torturat ndaj popullit shqiptar kosovar, nga dora gjakatare serbe. Akademia e Shkencave të Kosovës duhet të bëjë më shumë për këtë çështje, duke lobuar më fortë në sallonet europiane, që Serbia të kërkojë falje dhe të njohë Kosovën. Populli shqiptar duhet të mbajë qendrim dhe duhet të veprojë që zëri i tij të dëgjohet deri te kancelaritë e huaja, në mënyrë që të dënohen të gjithë përgjegjësit e genocidit serbo-malazez, ashtu siç Gjermania dënoi krimet e nazizmit ndaj hebrenjve. Gjatë Luftërave Ballkanike, ushtria serbo-malazeze ka zhvilluar krime nga më të rëndat dhe kanë ndërmarrë politika shoviniste për copëtimin e trojeve dhe robërimin e shqiptarëve. Atë që nuk po e bëjnë institucionet, po përpiqen ta bëjnë disa intelektualë, si publicisti, studiuesi, njëherësh shkrimtari z.Rrustem Berisha, i cili është autor i librit “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999″, me tri vëllime, me të cilin kam bashkëbiseduar para disa muajve, në një intervistë ekskluzive për Gazetën “Dielli”. Rrustem Berisha ka hulumtuar mbi 15 vite për gjenocidin shekullor që është ushtruar mbi popullin shqiptar. Ky libër ka karakter studimor, historik dhe politik, ku qëllimi kryesor i tij është që të rrisë ndërgjegjësimin dhe trysninë e përgjegjësisë së institucioneve shqiptare, për të vepruar në kancelaritë më të larta ndërkombëtare, që të dënohen kriminelët dhe t’u mësohet brezave të rinj historia e nëpërkëmbjes së popullit shqiptar.

Berisha ka studiuar qindra dokumente, ku ka zbuluar se janë mbi 30 000 persona me emra të vrarë që nga viti 1800 deri me 1999, që nga Podgorica, Tivari, Plava, Gucia, Ulqini, Shkodra, Tetova, Dibra, Kumanova, Peja, Gjakova, Prizreni etj. Rruste Berisha vë në dukje se nuk ka serb, malazez, grek as maqedonë, pasi janë shpikje nga disa vende të Evropës për të shfarosur kombin shqiptar. Rrustem Berisha është autor i librave: “Pse vdekja”, “Holokausti shqiptar”, “Trojet tona”, “Triumfi i drejtësisë në tribunalin e Hagës”, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999” 1,2,3. Pra, dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të ketë kuptim pa kërkuar falje për krimet, dhe, gjithashtu, në përpjekjet për të vendosur stabilitet mes dy vendeve, duhet të ketë ndershmëri dhe drejtësi, nga faktori europian.

Filed Under: Opinion

Ekspozitë “In memoriam” akademikut Aleks Buda

July 14, 2023 by s p

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë/

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përmes një ekspozite, përkujton akademikun Aleks Buda, në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta, duke sjellë në vëmendje të publikut trashëgiminë e tij të pasur si një studiues me formim e kulturë të gjithanshme, historike, gjuhësore, arkeologjike, etnografike, të artit mesjetar etj.

Aleks Buda, personalitet i jashtëzakonshëm i historiografisë dhe i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, ka qenë edhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në vitet 1945-1946 dhe kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që në themelimin e saj në vitin 1972 deri në vitin 1993.

Kjo ekspozitë përmbledh vetëm një pjesë modeste të trashëgimisë së tij të pasur në fushën e studimeve albanologjike, historike, gjuhësore përmes botimeve të shumta studimore, konferencave shkencore por sjell edhe kontributin e tij në drejtimin e shtypit periodik shqiptar, si dhe përmes artikujve shkencorë në fusha të ndryshme të kulturës shqiptare.

Aleks Buda dha një kontribut të çmuar në organizimin e punës kërkimore-shkencore sidomos në fushën e albanologjisë, duke orientuar kërkimet shkencore në studimin e historisë së kombit shqiptar, në mënyrë të veçantë të historisë së lashtë, asaj mesjetare dhe të Rilindjes Kombëtare. Aleks Buda i dha shkencës shqiptare punime përgjithësuese themelore, sikurse janë studimet për formimin e etnosit ilir, për urbanizimin në Iliri dhe për formimin e uniteteve etnike-kulturore. Ndihmesë të veçantë ka dhënë edhe në trajtimin e problemeve të historisë së Rilindjes, duke i lënë kulturës kombëtare një trashëgimi të pasur, studime me problematikë të gjerë arkeologjike, historike, gjuhësore etj., të përmbledhura në katër vëllime me titull “Shkrime historike” (I–II, 1986; III, 2002; IV, 2000). Pjesë të zgjedhura prej tyre janë botuar nga AShAK në vëllimin “Studime historike” (Prishtinë, 2006).

Aleks Buda ideoi dhe konceptoi veprën kolektive “Historia e Shqipërisë” (vëll. I–II, 1959, 1965), vepër krejt e re si nga përmbajtja e gjerësia e trajtimit, ashtu edhe nga kriteret shkencore të ndërtimit e të vështrimit të procesit historik; është gjithashtu bashkautor dhe bashkëredaktor i botimit të ri të “Historisë së Shqipërisë” (vëll. II, 1984), bashkautor i “Historisë së popullit shqiptar”, vëll, II, 2002. Ka dhënë ndihmesë të çmuar në udhëheqjen shkencore të “Fjalorit enciklopedik shqiptar”; botimin “Dokumente për Historinë e Shqipërisë të shek. XV”; “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit”; “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore dhe të mesme në shekullin XVII”; “Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë”; “Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit : 1878-1881”; “Kuvendi i studimeve ilire”; “Rrethimi i Shkodrës”; “Gjergj Kastrioti Skënderbeu : bibliografi” etj. Në këtë ekspozitë një vend të rëndësishëm zë edhe kontributi i tij si redaktor.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ruan në fondin e saj bibliotekën personale prej rreth 9.000 librash të akademikut Aleks Buda, dhuruar BKSh-së nga familja në vitin 2008.

Aleks Buda ka marrë “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë, është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” të kl. I dhe me “Urdhrin e Flamurit të Punës” të kl. I. Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar me “Medaljen e Madhe të Artë” (1990).

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore.

#AleksBuda

#BKSh

#ekspozita

Filed Under: Opinion

NDARJA E KOSOVËS, OPSION STRATEGJIK I SERBISË

July 14, 2023 by s p

NIKË GASHAJ/

Ndarja e Kosovës është opsion i politikës strategjike serbe të cilin Beogradi e mban në tryezë më shumë se tri decenie. Për ndarjen e Kosovës i pari ka folur Dobrica Qosiq, i cili ndër të tjerat ka thënë: “Zgjidhja e antagonizmit shekullor ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë mund të gjindet në kompromis në bazë të së drejtës historike dhe etnike. Një kompromis i tillë nënkupton të drejtën e shqiptarëve në Kosovë për t’u bashkuar me Shqipëri, me territore në të cilat janë shumicë. Ndërsa, Serbisë do t’i bashkoheshin territoret me shumicë serbe në Kosovë.

Po përkujtojmë se Dobrica Qosiq, më 2005. e ka publikuar librin në të cilin është përpjekur për shpjegimin e ndarjes së Kosovës. Libri i tij është promovuar pothuajse, në të gjitha qytetet e Sebisë. Kryetari aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dhe të gjithë të tjerët para tij, një ide të tillë politike mbi Kosovën e kanë miratuar si strategji shtetërore. Andaj, Vuçiqi në vitet 2017 dhe 2018, haptasi ka folur për përcaktimin e Kufijve Kosovë -Serbi, respektivisht për ndarjen e Kosovës.

Për ndarjen e Kosovës, udhheqësia politike e Serbisë për një kohë gjatë ka bë përpjekje për kyçjen e Shqipërisë, por pa sukses. Më në fund, sipas fjalëve të Sonja Biserko, kryetares së Komitetit të Helsinkit të Serbisë, Beogradi në Tiranë e ka gjetur bashkëbiseduesin për realizimin e një strategjie të tillë-për ndarjen e Kosovës, në një udhheqës të lartë të shtetit shqiptar i cili në bashkëpunim me Aleksadër vuçiqin dhe Hashim Thaçin kanë përgatitur planin për ndarjen e Kosovës. Për autorët e politikës të ndarjes së Kosovës ka folur dhe ish – Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Në lidhje për një plan të tillë, në një intervistë, Vuçiqi është shprehur: gjithëçka ka qenë e dakorduar ndërmjet përfaqësuesëve politikë serbë dhe shqiptar, por një shtet i fuqishëm evropian e ka ndaluar një marrëveshje të tillë. Sipas tëra gjasave, ai shtet ka qenë Gjermania, në krye me Kancelaren Angela Merker.

Ballkani i Hapur, dështim politik

Më 23. 12. 2019, në Novi Sad u miratua iniciativa Mini Shengeni ballkanik. Në takimin e parë morën pjesë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev. Përfaqësuesit e kësaj Nismë kanë deklaruar se ajo do të ketë në “rëndësi të madhe” për Ballkanin Perëndimor.

Me 29 korrik 2021, funkëcionarët e lartpermendur e mbajtën mbledhjen e dytë në Shkup dhe e riemertuan iniciativën “Mini Shengen” në “Ballkanin e Hapur”. Mirëpo, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk i janë bashkuar nismës në fjalë. Për Nismës “Mini Shengen”, respektivisht “Ballkanin e Hapur” kam shkrua në mënyrë kritike në shumë mediume shqiptare, por dhe në ato sllave. Pra, kam qenë kundra një iniciative të tillë, duke e vlerësuar atë si projekt të rrezikshëm politik për Kosovën dhe tërë rajonin ballkanik, meqenëse nismëtari kryesor i saj, Aleksandër Vuçiq, në prapaskenën politike, ka pasur ambicie dhe qëllim të realizmit të projektit nacionalist, të ashtuquajtur “Bota Serbe”, apo “Serbia e Madhe” i cili do të destabilizonte tëra vendet e rajonit ballkanik, por dhe më gjerë.

Ndër të tjera kam thënë se çështje qëndrore për stabilizimin e rajonit ballkanik është vendosja e normalizimit të plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, respektivist të njohjes së tyre reciproke shtetërore, sepse pa stabilizim politik në rajon, nuk ka as bashkëpunim të suksesshëm ekonomik. Përkundrazi, gjithë çka tjetër paraqet gënjim apo mashtim politik për qëllime të politikës hegjemoniste të Serbisë.

Ajo që paraqiti befasi, çudi dhe shqetësim ishte fakti se Shqipëria e pranoi këtë nismë të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq pa marrëveshje me Kosovën, u rreshtua dhe u bë partner i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, edhe pse një iniciativë e tillë kishte një prapavijë të dëmshme politike për Kosovën, respektivisht, gjoja e normalizimit të marrëdhënieve nëpërmjet të tegtisë së lirë, pa njohje shtetërore të Kosovës, por si në kohën e ish-Jugosllavisë, si krahinë e Serbisë. Me fjalë të tjera, Serbia kishte për qëllim të bënte manovra për legjitimin e një gjëndje të tillë politike dhe për shtyrjen e njohjes së Kosovës. Ata është dashtë për ta ditur shteti shqiptar, por dhe partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut që kanë qenë në koalicion me ish kryeministrin, Zoran Zaev. Në anën tjetër, rajoni nuk ka pas nevojë për iniciativë të tillë rajonale, kur dihet se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të përfshira në procesin e Berlinit.

Procesi i Berlinit është emri i procedurave të kombinuara të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Brukselit, e nisur nga dëshira e Angela Merkelit, ish- Kancelares të Gjermanisë, në vitin 2014., që Bashkësia Evropiane t’i kushtojë vëmendjen më të madhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor: Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi.

Kryeministri i Shqipëris, Edi Rama, nëpërmjet mjeteve të informimit, më 1. Korrik 2023, deklaroi se Iniciativa rajonale “Ballkani i Hapur” ka përfunduar, dhe se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhen t’i përkushtohen Procesit të Berlinit.

Sipas nënshkruesëve të Inicijativës rajonale “Ballkani i Hapur”, Vuçiq, Rama dhe Zaev, ajo duhej të mundësonte një qarkullim më të shpejt të mallrave, kapitali, njerëzve dhe shërbimëve në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, nuk u realizua. Iniciativa në fjalë nuk pati asnjë arritje, por shkaktoi vetëm dëme në marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe i shërbeu Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë më herët se nisma “Ballkani i hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa në nisme për treg të përbashkët rajonal.

Në kuadër të “Ballkanit të Hapur” Vuçiqi donte që Serbia të diktonte shumë gjëra dhe këtë do ta arrinte me hyrjen e BeH dhe Malit të Zi, në këtë iniciativë, të cilat ai i kupton si shtete serbe, që do të thotë “botë serbe” dhe Serbia do ta keqpërdorte atë inicijativë rajonale si një vend më i madh në mesin e antarëve të saj.

Mud të supozohet se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka marr një sinjal nga Brukseli për të hequr dorë nga iniciativa “Ballkani i Hapur”. Po ashtu, situata e tensionuar në Mitovicën Veriore të Kosovës mes serbëve dhe organeve shtetërore të Kosovës dhe KFOR-it, ishte një arsye e mirë që Rama të shpallte se Ballkani i Hapur ka përfunduar, meqënse e kishte përmbushur misionin e tij dhe se po vazhdonte t’i përkushtohej procesit të Belinit. Më tutje, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në disa raste ka thënë se ka rezerva për Ballkanin e Hapur. Prandaj, mud të konstatohet se iniciativa rajonale e Ballkanit të Hapur ka dështua.

Përfundim: politika e “Ballkanit të Hapur” është dëshmi e amatorizmit të pakuptueshëm të Ramës, Vuçiqit, Zaevit( dhe Pendarovskit) nga Shkupi, të cilët një iniciativë të tillë rajonale, e kanë mbrojtur për katër vitet e fundit pa asnjë projekt studimor për kushtet e saj ekonomike dhe politike. Andaj, dështimi i politikës të “Ballkanit të Hapur”, por dhe një sërie të politikave të tjera të gabuara në vendet rajonale ballkanike në politikën e brendëshme dhe të jashtme, në rend të parë, janë pasojë e krizës së politikës kuadrovike. Me fjalë të tjera, sot në shekullin 21, në epokën e revolucionit shkencor dhe teknologjik, kur nga Perëndimi deri në Lindje ka rreth 100 disciplina të shkencave politike, ndëra në anën tjetër, me keqardhje mund të konstatohet se në vendet rajonale ballkanike, me politikë kryesisht merren kuadrat pa asnjë arsimim politik, dmth. kudra politikisht jokompetente, si në kohën parahistorike. Kjo mos të ishte fatkeqësi do të ishte komedi.

Pikërisht për këtë arsye, si dhe për shkak të kulturës së pazhvilluar politike demokratike, vendet rajonale ballkanike kanë një rrugë aspak të lehtë për në Bashkimin Evropian.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë deklarative janë përcaktuar për integrime europiane. Por në BE nuk hyhet nëpër rrugë shkurtore, sikurse mendojnë disa politikanë të ballkanit. Por u duhet të përmbushin kriteriet e përcaktuara përkatëse europiane. E gjitha ajo kërkon ekspertë të dëshmuar në fusha të ndryshme të sistemit ekonomik dhe politik, etj. për reformat thelbësore në pajtim me standardet ndërkombëtare.

Njohjet politike tregojnë se nuk është tejkalua ideologjia politike e viteve të 90-ta në Sërbi. Fjala është për ide të njëjta dhe për gjëndjen shpirtërore mitologjike, por në një kohë dhe rrethana plotësisht të ndryshme gjeopolitike. Pra ka të bëj me një mitologji politike dhe ideologji, e cila jithëherë ka qenë e rrezikshme për paq dhe stabilitet rajonal. Andaj, është i nevojshëm diferencimi i plitikës mitologjike dhe i asaj reale.

Ideja e Serbisë së Madhe sikurse një sëmundje epidemike ekziston dhe mbijeton tashmë disa shekuj dhe se gjithmon shfaqet në kohën kur për atë arrihen kushtet e volitshme. Ajo mund të kapërcej dhe gjenerata, periudha të tëra, por kurr në të vërtet nuk shuhet apo vdesë.

Një konkluzë të tillë më së miri e vërteton dhe historiania e njohur serbe, Llatinka Peroviq, e cila ndër të tjerat thotë: “Serbia është e lodhur nga luftërat për pushtimin e e terrotereve të huaja. Brenda 125 vjetësh ajo ka luftuar për çdo 14 vjet… Sot, kur një orientim i tillë do të duhej të jetë i zbrazur, bëhet e qartë se është e nevojshme të ndryshoj ajo që quhet mentalitet. Mirëpo, parashtrohet pyetja: a mund të ndryshoj fare mentaliteti serb? Unë e pranoj se vetë po përmballe gjithnjë e më tepër me këtë pyetje, por akoma nuk kam përgjigje?!

( Autori është antar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Diokles )

Filed Under: Opinion

Papa Françesku, priti në një Audiencë private, grupin e punës së përgatitjes së librit” Historia e jezuitëve në Shqipëri ( 1841-1946), të autores Ines Murzaku

July 13, 2023 by s p

www.vaticannews.va/

Me datën 10.07.2023, Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, priti në një Audiencë private, grupin e punës së përgatitjes së librit” Historia e jezuitëve në Shqipëri ( 1841-1946), të autores Ines Murzaku, profesore e religjionit dhe drejtoreshë e studimeve katolike në Seton Hall University në New Jersey.

Libri i përkthyer nga origjinali anglisht, në shqip nga Anna Shkreli, recensuar nga Dr. Markus, W.E. Peters, Prof. Asoc. Dr. Erenestina Gjergji (Halili), si dhe lekturuar nga Dasareta Mitro u botua nën kujdesin e Át Zef Bisha S.J, epror i Urdhërit të Jezuitëve në Shqipëri, i cili kryesoi grupin, në këtë Audiencë.

Ati i Shenjtë u interesua mbi aspekte konkrete të këtij studimi, duke theksuar se” Shqipëria ishte vendi i parë i vizituar në Evropë, prej zgjedhjes së Tij, Papë”, duke nënvijëzuar kështu rëndësinë dhe vëmendjen e Tij ndaj vendit e popullit shqiptar.

Studimi i prezantohet publikut në një vit të rëndësishëm historik, në 10-vjetorin e zgjedhjes te Atit të Shenjtë, Papa Françeskut në selinë e Shën Pjetrit.

Në letrën drejtuar eprorit të Urdhërit të Jezuitëve në Shqipëri, e cila është publikuar në botim, vetë Papa Françesku shkruan se “Jam i lumtur për publikimin e librit të historisë së jezuitëve në Shqipëri,” ndërsa Át Roberto del Riccio S.J, Epror Provincial i provincës Euro Mesdhetare (EUM) komenton, se “Misioni jezuit në Shqipëri u kurorëzua me një trashëgimi shkencore, arsimore dhe misionare, e cila pasohet nga brezi i ri i jezuitëve, si edhe me martirizimin, ku shenjtëruan me gjakun e tyre dashurinë për Zotin Jezus dhe për tokën e popullin shqiptar.”

Libri, si pasqyrë e kontributit të jashtëzakonshëm të jezuitëve në Shqipëri, do të jetë një vlerë e shtuar njohëse, si dhe divulgative për lexuesin e interesuar, si dhe për një publik të gjerë.

Takimi me Papa Françeskun, ishte tejet emocionues e i paharrueshëm, si dhe përkujtues i “ një populli të guximshëm e të fortë, që nuk u përkul para dhimbjes”- siç do të shprehej vite më parë, në vizitën e Tij në Shqipëri, në 21 shtator 2014.

Marrë me shkurtime nga Vatikannews.

Shkrimi i plotë:

https://www.vaticannews.va/…/at-zef-bisha-sj-papa-e…

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 145
  • 146
  • 147
  • 148
  • 149
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT