• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani priti në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

October 15, 2025 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të tyre dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian në këtë proces. Tani që Kuvendi është konstituuar, Presidentja shprehi pritjet e saj që miratimi i Planit të Rritjes të jetë ndër vendimet e para të Kuvendit.

Presidentja Osmani theksoi se reformat e suksesshme dhe përparimi i vazhdueshëm i Kosovës në indekset ndërkombëtare të demokracisë dhe sundimit të ligjit janë dëshmi e qartë e përkushtimit të vendit tonë ndaj integrimit evropian. Në këtë kontekst, ajo ritheksoi rëndësinë që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke gjetur mënyra për thyerjen e bllokadës aktuale që ekziston në BE.

Në takim, Presidentja Osmani po ashtu theksoi domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta ndaj Kosovës, duke rikujtuar se edhe vetë Komisioni Evropian ka konfirmuar se këto masa duhet të hiqen, që nga propozimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në qershor 2024.

Duke folur për përpjekjet e Kosovës drejt përafrimit me Bashkimin Evropian, Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e Komisionit Evropian në këtë proces mbetet thelbësore. Ajo ritheksoi përkushtimin e popullit të Kosovës, popullit më pro-evropian në botë, për të ardhmen evropiane të vendit tonë.

Përveç kësaj, Presidentja ngriti gjithashtu çështjen e rritjes së bashkëpunimit me BE-në për të mbështetur sektorin e shëndetësisë në Kosovë, si një domosdoshmëri për zhvillimin e vendit dhe ngritjen e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Përgjatë takimit u diskutua për procesin e formimit të qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, si dhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, një ushtrim i rëndësishëm demokratik që edhe një herë dëshmoi profesionalizmin e institucioneve tona dhe përkushtimin e qytetarëve ndaj demokracisë. Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin për ndërhyrjet e vazhdueshme dhe të paligjshme të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë, janë veprime destabilizuese që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Filed Under: Opinion

Prof. Dr. Gjergj Pekmezi – Urtësia e dijes shqiptare dhe drita e kombit në Europë

October 14, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj /

Në historinë e kulturës dhe arsimit shqiptar, pak emra kanë shkëlqimin, peshën dhe thellësinë e Prof. Dr. Gjergj Pekmezit, figurës që i dha zë gjuhës shqipe në auditorët e Europës dhe që përmes dijes, përulësisë dhe punës së heshtur, ngriti krenarinë e një kombi të tërë në sytë e botës së qytetëruar.
Lindi më 23 prill 1872, në Tushemisht të Pogradecit, në një kohë kur Shqipëria ishte ende nën zgjedhën e Perandorisë Osmane, por në shpirtin e popullit të saj flinte gjallë një ndjenjë e thellë për liri, arsim e kulturë. Familja e Pekmezit ishte e ndershme, me rrënjë të forta shqiptare, që e mësoi qysh fëmijë se dija është arma më e fortë e kombit. Nëna e tij e urtë dhe babai me shpirt patriotik e nxitën të kërkonte diturinë si mjet për çlirimin shpirtëror e kulturor të shqiptarëve.

Që në moshë të re, Gjergji u dallua për zgjuarsi të rrallë dhe dashuri të pakufishme ndaj librit. Pas mësimeve të para në Ohër dhe Manastir, ku u njoh me kulturën e pasur të qyteteve të Ballkanit, ai kuptoi se rruga e tij ishte e lidhur ngushtë me gjuhën dhe kombin. Me një përkushtim të rrallë, u nis drejt Beogradit për të ndjekur studimet e larta në filozofi, histori e filologji, duke u njohur me dijetarët më të njohur të kohës në fushën e gjuhësisë dhe të shkencave humane.
Por horizonti i tij i vërtetë u hap në Vjenë, në zemër të Europës Perëndimore, ku nën drejtimin e mjeshtrave të njohur Franz Miklosich dhe Gustav Meyer, ai u formua si një ndër dijetarët më të kulturuar të brezit të vet. Në vitin 1898, mbrojti doktoraturën në Universitetin e Vjenës me një disertacion që i kushtohej historisë dhe strukturës së gjuhës shqipe – duke u bërë kështu ndër të parët shqiptarë që mori gradën doktor i filozofisë në fushën e gjuhësisë.

Në kryeqytetin e dijes, Vjenë, ku për dekada kishte lulëzuar shkolla e albanologjisë me studiues si Hahn, Meyer e Pedersen, zëri i Pekmezit u bë zëri i një kombi që kërkonte njohje dhe respekt. Ai u emërua lektor i gjuhës shqipe në Universitetin Oriental të Vjenës, duke hapur për herë të parë në histori një kurs universitar të shqipes për studentët e huaj. Në duart e tij, gjuha e lashtë shqipe u shndërrua në një objekt krenarie shkencore, dhe shumë të rinj europianë e njohën kombin tonë përmes fjalëve që dilnin nga buzët e tij.

Nëpërmjet punës së tij të palodhur, ai përgatiti gramatikën e parë shkencore të gjuhës shqipe për përdorim universitar, botoi studime në gjermanisht e shqip mbi morfologjinë dhe fonetikën e gjuhës sonë, si dhe artikuj të shumtë që përhapën emrin e Shqipërisë në qarqet akademike të Europës Qendrore. Arkivat e Vjenës ruajnë ende letra të tij drejtuar ministrive austriake, ku mbronte interesat arsimore të shqiptarëve dhe kërkonte mbështetje për dërgimin e studentëve shqiptarë me bursa në Austri.

Por kontributi i Pekmezit nuk kufizohej vetëm në shkencë. Ai ishte një atdhetar me shpirt rilindasi, që e kuptonte se dija pa komb nuk ka rrënjë. Në fillim të shekullit XX, ai u bë një ndër mbështetësit kryesorë të lëvizjes kombëtare në diasporë, duke ndihmuar shoqatat atdhetare shqiptare që vepronin në Austri, Zvicër e Itali. Ai u lidh ngushtë me Faik Konicën, Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën e shumë të tjerë, duke qenë një shtyllë e padukshme e urtësisë dhe këshillës për brezin e rilindasve të vonë.

Në revistën “Albania” të Faik Konicës, ai botoi artikuj të rëndësishëm filologjikë dhe shkrime gjuhësore që ndihmuan në përhapjen e një shqipeje të njësuar e të pastër. Faik Konica e përmendte shpesh me nderim, duke e quajtur “profesorin që ia mësoi botës kulturën e fjalës shqipe”. Me Fan Nolin, lidhja e tij ishte e natyrës shpirtërore dhe gjuhësore njëkohësisht. Noli e falënderon në disa letra që sot ruhen në arkivat shqiptare për ndihmën që i kishte dhënë në përkthimet e tij, sidomos në përpjekjen për të pastruar gjuhën nga huazimet e tepërta. Pekmezi ishte njeriu që i jepte formë mendimit të lirë nëpërmjet gjuhës, që e dinte se për të pasur një komb të bashkuar duhej një gjuhë e përbashkët.

Në vitin 1916, në kohën e Luftës së Parë Botërore, ai mori pjesë në Komisionin Letrare të Shkodrës, ku bashkë me figurat më të ndritura të kombit si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Midhat Frashëri dhe të tjerë, vendosën themelet e drejtshkrimit të shqipes dhe hodhën bazat e unifikimit të saj. Ishte kjo vepër madhështore që i dha gjuhës shqipe dinjitetin dhe standardin e parë kombëtar. Kontributi i Pekmezit në këtë proces është i pakontestueshëm: ai ishte ura ndërmjet traditës veriore dhe asaj jugore, ndërmjet gegnishtes e toskërishtes, duke kërkuar harmoninë dhe jo ndarjen.

Pas Pavarësisë së Shqipërisë në 1912, Pekmezi shërbeu si këshilltar arsimor dhe diplomat në Vjenë, duke ndihmuar qeverinë e sapokrijuar të Ismail Qemalit në kontaktet me qarqet europiane. Ai hartoi memorandume për organizimin e arsimit shqiptar sipas modelit perëndimor, dhe ishte ndër të parët që propozoi hapjen e Institutit të Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Ai besonte se zhvillimi i kombit duhej të ndërtohej mbi tri shtylla: arsim, gjuhë dhe kulturë, të cilat përbënin për të themelet e pavarësisë së qëndrueshme.

Në dekadat që pasuan, Pekmezi vazhdoi punën e tij shkencore në Vjenë, duke përfaqësuar gjithmonë me dinjitet figurën e shqiptarit të ditur, të urtë dhe të qytetëruar. Ai u njoh e vlerësua nga dijetarë të huaj si Norbert Jokl, Eqrem Çabej, Maximilian Lambertz e Holger Pedersen, të cilët e përmendnin me respekt si një ndër themeluesit e albanologjisë moderne. Kontributi i tij i drejtpërdrejtë në përgatitjen e brezit të parë të studiuesve shqiptarë është i paçmueshëm, pasi përmes tij u formuan shumë intelektualë që më vonë u kthyen në atdhe për të ndërtuar themelet e kulturës sonë shkencore.

Në arkivat e Austrisë dhe Shqipërisë ruhen sot dhjetëra letra, dorëshkrime dhe dokumente që dëshmojnë për veprimtarinë e tij të dendur dhe për ndikimin e gjerë që ai pati në formimin e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Vepra e tij “Gramatika e Gjuhës Shqipe” dhe studimet “Über die albanische Sprache” mbeten edhe sot themel për çdo studim gjuhësor të mëvonshëm.

Prof. Dr. Gjergj Pekmezi u nda nga jeta më 24 shkurt 1938, në Vjenë, por emri i tij mbeti i gdhendur në historinë e arsimit dhe dijes shqiptare. Ai u largua fizikisht nga jeta, por jo nga kujtesa e kombit që i detyrohet aq shumë. Në nder të tij, Katedra e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Vjenës ruan me krenari trashëgiminë e profesorit që e bëri shqipen një gjuhë të respektuar në auditorët europianë, ndërsa Akademia e Shkencave e Shqipërisë e ka cilësuar si një nga themeluesit e studimeve gjuhësore dhe kulturore kombëtare.

Figura e tij është shembull i rrallë i bashkimit midis shkencës dhe patriotizmit, midis dijes dhe diplomacisë. Ai i dha kombit një model të përkryer të shqiptarit të kulturuar, që i shërben kombit me mendje dhe me zemër. Përmes tij, bota e njohu Shqipërinë jo vetëm për trimat dhe malet, por për urtësinë, kulturën dhe dritën që buron nga mendja e saj.

Sot, kur bota shqiptare kërkon rrënjët e dijes dhe udhën e identitetit, emri i Gjergj Pekmezit ndriçon si një yll që nuk shuhet. Ai mbetet simbol i fisnikërisë, i përkushtimit dhe i dashurisë së pakushtëzuar për gjuhën amtare, për arsimimin e popullit dhe për Shqipërinë që ëndërroi të jetë pjesë e ndritur e qytetërimit europian.

Prof. Dr. Gjergj Pekmezi nuk ishte vetëm një njeri i librave — ai ishte një arkitekt i shpirtit kombëtar, një ambasador i dijes shqiptare, dhe një pishtar që i dha dritë historisë sonë.

Filed Under: Opinion

VENDI I FRANÇESKO ALTIMARIT (FRANCESCO ALTIMARI) NË HISTORINË E ALBANOLOGJISË

October 13, 2025 by s p

Prof.Begzad Baliu/

Profesor Françesko Altimari është njëri prej studiuesve më të mëdhenj të gjuhësisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili vjen nga provinienca arbëreshe e Italisë. Ai shquhet për kërkimet e tij në disa fusha dhe metodologjinë bashkëkohore të studimit:

a. Për krijimin e institucioneve akademike e të qendrave kërkimore-shkencore të studimeve shkencore, përfshirë këtu edhe kolanave për botimin e trashëgimisë arbëreshe, drejtimin e tyre në studimin e gjuhës shqipe, për institucionalizimin dhe përdorimin e arbërishtes shekullore në institucionet publike të vendbanimet arbëreshe, për ridimensionimin e kulturës arbëreshe me theks të veçantë Pararilindjen Kombëtare në Itali dhe vendin e saj në kulturën shqiptare, si dhe për metodologjinë bashkëkohore në trajtimin e temave të mëdha historiko-gjuhësore;

b. Për hulumtimin, mbledhjen dhe regjistrimin integral të fondit të gjallë të gjuhës arbëreshe, për studimin e brendshëm të zhvillimit historiko-gjuhësor të arbërishtes së shkruar (kryesisht strukturën gramatikore), elementet e toponimisë, aspektet sociolinguistike të arbërishtes në hapësirat arbëreshe, frazeologjinë e arbërishtes, aspektet krahasimtare të tyre në raport me italishten, si dhe për mbrojtjen e shqipes standarde, në vitet e fundit kur ajo u diskutua në raport me zhvillimet dhe ndryshimet politike e ideologjike të kohës sonë;

c. Për botimin integral të autorëve dhe veprave të letërsisë arbëreshe, studimin themeltar e të organizuar të autorëve dhe veprave të trashëgimisë arbëreshe: Jul Varibobën, Zef Seremben, Jeronim De Radën etj., si dhe për metodologjinë bashkëkohore të studimit të veprës letrare të Naim Frashërit.

Filed Under: Opinion

“Albanian BookFest, një ëndërr që do të kthehet në traditë”

October 12, 2025 by s p

Intervistë e Dr. Pashko Camaj dhënë për gazetën“ExLibris” e përjavshme letrare-kulturore, Tiranë, 11 tetor 2025.

Për herë të parë në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, në Shtetet e Bashkuara do të zhvillohet një panair libri shqiptar, Albanian BookFest, nën kujdesin e Federtatës Pan Shqipëtare e Amerikës -Vatra. Një ngjarje kulturore që synon të bashkojë autorë, botues, lexues dhe dashamirës të librit në një festë të madhe të kulturës shqiptare. Për këtë nismë të veçantë, biseduam me Dr. Pashko R. Camaj, Sekretar i Vatrës, i cili është ideatori dhe nismëtari i këtij projekti.

1-Z. Camaj, javën e shkuar, gazeta jonë përcolli një lajm të gëzueshëm për librin shqip: Albanian BookFest. Është hera e parë që në ShBA organizohet një panair i librit shqip, ndaj na tregoni si ju lini kjo ide?

Ky aktivitet organizohet nga “Vatra”, dhe natyrshëm, menjëherë më vijnë në mendje dy figura të ndritura që themeluan këtë organizatë – Fan Noli dhe Faik Konica. Që nga krijimi i saj, “Vatra” ka qenë në shërbim të vlerave, kulturës, arsimit dhe letërsisë shqiptare. Duke reflektuar mbi këtë mision të përhershëm, ndjeva se ekzistonte një boshllëk që duhej plotësuar: mungesa e një hapësire në SHBA ku libri shqiptar të ishte i pranishëm për lexuesin shqiptar. Kështu lindi ideja e Albanian BookFest – një mendim që u përqafua menjëherë nga “Vatra” dhe udhëheqja e saj. Jam i lumtur që kjo ide po merr jetë dhe shpresoj që të kthehet në një ngjarje të përvitshme, madje edhe të shtrihet në qytete të tjera amerikane ku komunitetet shqiptaro-amerikan po rriten dhe lulëzojnë.

2-Përveç “Vatrës”, shumë organizata dhe organizata studentore pran universiteve Amerikane po marrin pjesë në këtë aktivitet. Si e shihni këtë bashkëpunim?

Ky bashkëpunim është një dëshmi e bukur e unitetit të komunitetit shqiptar në diasporë. “Vatra” ne thelbin e sajë ka misionin e shenjtë që të jetë ajo që në bashkon si Shqipëtare e si Amerikan. Ajo ka qenë gjithmonë një urë lidhëse midis brezave dhe institucioneve shqiptaro-amerikane, dhe ky projekt e forcon më shumë këtë rol. Në këtë nismë po bashkojmë organizata studentore shqiptare, universitete, shoqata kulturore dhe autorë shqiptarë që jetojnë në SHBA, duke krijuar një platformë të përbashkët për librin dhe kulturën tonë kombëtare. Është frymëzuese të shohësh se sa shumë individë dhe institucione duan të kontribuojnë për një qëllim të përbashkët: promovimin e kulturës dhe gjuhës shqipe.

3-Në SHBA vepron edhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. A do të jenë ata pjesë e këtij panairi?

Po, padyshim. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është një partnere e rëndësishme dhe ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në “Albanian BookFest”. Ata do të marrin pjesë me librat e tyre dhe me autorë të spikatur të diasporës, të cilët do të kenë mundësinë të prezantojnë krijimtarinë e tyre dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me lexuesit. Kjo është një mundësi unike për të forcuar lidhjen midis autorëve shqiptarë që jetojnë në Amerikë dhe komunitetit lexues, adhuruesëve te librit.

4-Shtëpitë botuese nga Shqipëria e Kosova kanë treguar interes për këtë nismë. A do të jenë të pranishme personalisht, apo do të dërgojnë librat e tyre?

Ka një interes të madh nga shtëpitë botuese në Shqipëri, Kosovë dhe në trojet shqiptare. Disa prej tyre do të marrin pjesë personalisht në panair, ndërsa të tjerat do të dërgojnë librat e tyre që të jenë të pranishëm në stenda. Deri tani kemi konfirmuar keto shtepi botuese: Onufri, Toena, Gjergj Fishta…etj. Qëllimi ynë është që lexuesit shqiptarë në SHBA të kenë akses të drejtpërdrejtë në letërsinë më të mirë shqiptare, pa qenë nevoja të udhëtojnë në Shqipëri apo Kosovë për të gjetur një libër në gjuhën amtare.

5-A do të ketë takime me autorë të njohur dhe lexuesit e tyre gjatë panairit?

Po, një nga pjesët më të bukura të “Albanian BookFest” do të jetë pikërisht takimi i drejtpërdrejtë i autorëve me lexuesit. Në program janë përfshirë takime dhe diskutime me shkrimtarë të njohur si Besnik Mustafaj, Ledia Xhonga dhe të tjerë. Këto aktivitete do të krijojnë një atmosferë të gjallë debati e dialogu, ku dashamirësit e librit do të mund të dëgjojnë, të diskutojnë dhe të frymëzohen nga autorët tanë.

6-Mendoni se ky panair do të shndërrohet në një traditë të re? Si e shihni të ardhmen e tij?

Unë besoj se Albanian BookFest do të shënojë fillimin e një tradite të re dhe të vlefshme për komunitetin shqiptaro-amerikan. Synimi ynë është që kjo nismë të kthehet në një aktivitet vjetor që do të vazhdojë të rritet dhe të forcohet vit pas viti. Sigurisht, për ta mbajtur gjallë e për ta zhvilluar më tej, do të kërkojmë bashkëpunim dhe mbështetje nga partnerë në SHBA, nga komunitetet shqiptare këtu, por edhe nga institucionet shtetërore shqiptare, të cilat duhet të shohin në këtë nismë një urë të fortë që lidh kulturën shqiptare me botën. Jam i bindur se nëse Noli dhe Konica do të ishin mes nesh sot, do të ndiheshin krenarë që “Vatra” vazhdon, pas më shumë se një shekulli, të jetë avangardë e vlerave shqiptare dhe shqiptaro-amerikane. “Albanian BookFest” do te jete një festë e librit, gjuhës dhe shpirtit shqiptar në Amerikë! Një hapësirë ku shqiptarët e çdo brezi mund të takohen përmes fjalës së shkruar dhe dashurisë për kulturën tonë të përbashkët.

Filed Under: Opinion

Sfidat e Tiranës në vitin 2025…

October 11, 2025 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/

Sfida e Tiranës në vitin 2025 është shndërrimi në një qytet të lirë te qytetarëve sovrane, të çliruar nga regjimentet politike, nga survejimi organizativ imponues elektoral, nga kontrollet e interesave të grupeve të pasuruara rishtazi e në mënyrë të beftë.

Tirana, që reflekton dhe hedh orientim politikëbërës mbi të gjithë Shqipërinë, duhet të ecë drejt një zhvillimi të drejtë e të ekuilibruar, duke zbutur kontrastet shoqërore, duke kaluar kontrollin nga pak duar e mendje të ngarkuara me emocionet e fshatrave me të mbjella fitimprurese, tek qytetarët dhe klasa e mesme e dijes dhe e profesioneve, duke eliminuar varfërinë e periferive, duke njohur e respektuar pronësinë e vjetër private dhe rivendosur ligjin, arsyen e ndershmërinë në qeverisjen e punëve vendore.

Është koha të ndalen shkatërrimet e mëtejshme në qendrën historike të qytetit dhe të rivendoset respekti për kujtesën urbane, për traditat lokale, për banorët e saj të hershëm dhe te drejten tradicionale pronësore e komunitare. Tirana duhet t’u rikthehet qytetarëve të vet, para së gjithash, duke u udhëhequr nga kodi moral i themelimit, nga ndjenja e nderimit ndaj historisë së përbashkët, përmes ndërprerjes së kontrastit fatal, humnerës që shohim çdo ditë dhe nuk e ndalim, midis një shtrese parazitare të pasuruar me paligjshmëri e me shpejtësi marramendëse, që e vështron qytetin nga kodrat juglindore, dhe qytetarëve, klasës së mesme, që mbetet e pengmarrun në smogun e një qyteti të pashendetshem/pajetueshem.

Mbi të gjitha rinia, emergjenca e nxjerrjes së saj nga bjerrja e kohës, duke analizuar e imituar ‘modelet’ që nuk mund të jenë shembuj në një shoqëri të shëndoshë: A mendon dikush se duhet gjetur një metodë për ta zhvendosur në mënyrë masive dhe të qëndrueshme brezin e ri nga kafenetë drejt Librit dhe Terreneve Sportive?

Se fundi, kuvendi qytetar: Në këto ditë duhet hedhur hapi vendimtar që Këshilli i ardhshëm Bashkiak të jetë një institucion qytetar, jo politik, që të përfaqësojë një cilësi të re profesionale e etike në qeverisjen e përditshme të qytetit.

Per ata që e shohin Tiranën nga nalt, ky është përjetimi njerëzve që e prekin kryeqytetin çdo ditë dhe e përshkojnë ate në këmbë, cep me cep.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT