• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letërsia si dëshmi e së vërtetës…

January 16, 2026 by s p

Një bisedë me Iris Halilin rreth librit “Eleganca e Lotëve” dhe kujtesës shqiptare për komunizmin!

Intervistoi: Sokol Paja

Kur historia rrëfehet nga brenda familjes, ajo pushon së qeni thjesht kujtim dhe shndërrohet në dëshmi. Eleganca e Lotëve është një vepër ku dhimbja nuk kërkon mëshirë dhe ndjeshmëria nuk pranon të stigmatizohet. Përmes kujtesës së gjyshes, përvojës familjare dhe një gjuhe të përmbajtur letrare, Iris Halili sjell një rrëfim ku lotët nuk janë shenjë dobësie, por akt dinjiteti, dhe ku letërsia mbetet një formë rezistence ndaj harresës.

Çfarë ju shtyu të shkruani “Eleganca e Lotëve”?


Gjyshja ime gjithmonë më thoshte se ngjarjet në jetën e saj janë të denja për një roman. Ajo nuk reshti kurrë së më rrëfyeri historinë e gjyshit apo të familjes sonë. Me kalimin e viteve kuptova se historia e familjes sime ishte historia e vetë shqiptarëve në shekullin XX. E shkrova këtë libër që gjyshja ime të prehet e qetë dhe plotësova kështu një amanet. Pra, libri lindi si histori personale, por gjatë shkrimit u shndërrua natyrshëm në histori të një brezi, madje të disa brezave, që jetuan nën regjimin komunist. Një kritik i njohur shqiptar, pasi shkroi një ese për librin, më rekomandoi ta ktheja në roman, por unë nuk dua që libri të konsiderohet roman, por dua që ai të lexohet si dëshmi reale, me dëshmitarë realë, me emra, ngjarje, data dhe vende konkrete. Vetëm kështu historia që sjell do të perceptohet plotësisht si e vërtetë.

Sa autobiografik është libri?


Libri sjell në formë letrare, shpesh si tregime dhe shpesh si ese, shumë kujtime për gjyshen time, familjen time, fëmijërinë dhe rininë time të hershme. Ka shumë pak, të mos them aspak, momente fiksionale. Unë mendoj se ky libër duhet konsideruar si histori familjare dhe kombëtare e shkruar letrarisht, ku kohët dhe zërat ndërthuren. Kritika ka vënë re se zëri i fëmijës (dmth zëri im fëmij) nuk tradhtohet kurrë në cilësinë dhe natyrshmërinë e tij, dhe kjo është vlerësuar si një nga gjetjet më të arrira artistike të librit.

Si arrihet balanca mes personales dhe universales?


Nën komunizën mijëra familje shqiptare vuajtën. Gjyshja ime mbeti 27 vjeç pa bashkëshortin, i cili u arratis pasi ishte kundër komunizmit që përpara Mukjes ku kishte qenë pjesëmarrës, dhe deri në ditën e fundit të jetës. Mamaja ime u etiketua gjithë jetën “vajza e armikut të popullit”. Daja im vuajti burgun vetëm se ishte djali i babait. Motrës sime iu mohua e drejta e studimit për vite. Lufta e klasave hyri herët në familjen tonë dhe nuk doli deri sa ra diktatura.

Unë u rrita mes dy botëve: asaj jashtë shtëpisë ku i thurnin himne diktaturës dhe asaj brenda mureve ku ajo mallkohej. Që e vogël besoj se gjithmonë dija ti dalloja mirë këto dy botë dhe kjo është paraqitur në libër mes rrëfimeve që janë nga më të ndryshmet dhe që shëtisin bashkë me mua burg më burg kur vizitonim dajen, apo në jetën time si fëmijë në Tepelenë ku jetoja me gjyshen dhe dajen, të cilin e kishin transferuar atje, apo edhe vitet e tjera të fëmijërisë dhe rinisë , tek qyteti im i zemrës, atje ku jam lindur dhe rritur, Tiranën. Unë mendoj se kur historia personale e rrëfyer i mbetet besnike të vërtetës, ajo kthehet natyrshëm në universale. Pasi asgjë nuk ka më të jashtëzakonshme se madhështia e të qenit i vërtetë, si në jetë, politike apo edhe në art apo letërsi.

Pse “Eleganca e Lotëve” si titull?


Lotët janë gjuha më e thellë e shpirtit. Ato nuk janë shenjë dobësie, por porta përmes së cilës e pandërgjegjshmja hyn në vetëdijen tone. Lotët janë shprehje e arketipit femëror, që nuk shërohet duke mohuar dhimbjen, por duke e ndjerë atë plotësisht.

Lotët e gjyshes sime, teksa pozonte për një tablo përpara se jeta e saj të përmbysej nga komunizmi, ishin lot parathënieje për atë që do ti vinte. Bashkimi i dy fjalëve në titullt, që duket sikur përjashtojnë njëra-tjetrën, në fakt e fuqizon mesazhin e librit: në këtë jetë më mirë të qash me dinjitet sesa të jesh stoik dhe të përkëmbesh veten në hipokrizi. Loti nuk është dobësi. Loti është çiltërsi, ndjeshmëri dhe, si të thuash, është forma më e përkryer e arketipit femëror, që asnjëherë nuk ka pasur komplekse të derdhë lot dhimbjeje apo gëzimi qoftë edhe përballë turmave më të mëdha.

Gjuha e librit është e përmbajtur dhe poetike. Ishte zgjedhje e vetëdijshme?


Letërsia e vërtetë nuk është e vetëdijshme. Ajo nuk përcakton asgjë, as vetë autori nuk e di si do të dalë shkrimi letrar apo ku do të përfundojë ai. Kjo pasi letërsia e mirëfilltë është spontane e vetvetishme. Është si rrjedhë mendimesh nga brenda jashtë, pa llogari stilistike. Këtu flas për letërsinë e vërtetë dhe jo atë të porositur, që më kujton realizmin socialist, ku shkrimtarët shkruanin si u kërkohej nga Partia dhe jo si ta ndjenin apo shihnin realitetin.

Si trajtohet figura e gruas në libër?


Nëpërmjet figurës së gjyshes sime, nënës, motrës, kushërinjve apo komshinjve, besoj se në libër kanë dalë shumë portrete grash: nga ato që vuajtën në një formë apo tjetër në diktaturë, nga ato që iu përshtatën dhe i shërbyen diktaturës, por edhe nga ato që nuk dinin apo nuk kuptonin çfarë po u bënte diktatura. Sigurisht, heroinat e librit mbeten gratë që përballuan dhimbjen e diktaturës komuniste pa humbur dinjitetin. Ato për mua mbeten heroinat më të mëdha të kombit tonë, pasi edhe pse ja u pushkatuan bashkëshortët apo vëllezërit, edhe pse ja u burgosën djemtë apo i çuan në internime bashkë me to, ato gra me lot në sy, por me zemër të fortë, mbajtën të bashkuar familjet dhe rrëfyen moralin më të lartë njerëzor. Ky libër është një himn për to dhe një akt përkuljeje ndaj tyre.

A ngushëllon apo trazon libri yt?


Nuk ngushëllon, sepse për krimet e komunizmit nuk ka ngushëllim. Por trazon, sepse në libër del qartë se pasi ra komunizmi, të persekutuarit e vërtetë nuk ishin vetëm ata që u persekutuan, por edhe ata që nuk e kuptuan regjimin ku jetonin, që u përdorën, u gënjyen dhe u deformuan në karakter prej tij. Libri dëshmon. Personazhet e tij janë dëshmitarë realë. Sikur dihet, histori pa dëshmitarë nuk ka. Po kështu, nuk ka letërsi të madhe pa të vërtetë të madhe, pavarësisht se si vjen ajo letrarish.

Sipas mendimit tuaj, cila formë e persekutimit komunist ka lënë plagët më të thella në shoqërinë shqiptare?


Unë mendoj se në Shqipërinë komuniste, lufta e klasave ishte shumë e ashpër. Ajo në vetvete ishte një luftë e ftohtë civile. Ishte lufta ku vëllai spiunonte vëllain, gruaja – burrin, miku – mikun. Dhe çdo ditë e më tepër bindem se lufta e klasave ende vazhdon në një formë apo tjetër, më e rafinuar, por gjithmonë prezente. Sidomos me lindjen dhe avancimin e rrjeteve sociale, lufta e klasave është ashpërsuar edhe më shumë. Ajo ka marrë formë virtuale. Kjo duket nga nostalgjia për të risjellë në mediat sociale simbolet komuniste, kujtuar apo nderuar heronjtë komunistë kriminelë, përkujtuar datat komuniste dhe shumë të tjera të ngjashme. Kjo është trashëgimia më e rrezikshme e traumës komuniste në një shoqëri që nuk u nda kurrë realisht nga e shkuara. Vihet re fare lehtë një mungesë e dukshme empatie nga në pjesë e shoqërisë shqiptare për gjysmën tjetër që vuajti burgjeve, internimeve, debimeve, torturave etj. Dhe kështu trauma e luftës së klasave vazhdon edhe në demokraci. 

A është libri një thirrje për institucionet?


Sikurse theksova pak më parë, një krim i paemërtuar relativizohet dhe është gjithmonë gati të përsëritet. E keqja nuk vjen gjithmonë si monstër, por shpesh si histori të sheqerosura dhe të deformuara për komunizmin. Unë besoj se glorifikimi i komunizmit dhe krimeve të tij duhet të jetë i ndaluar me ligj. Kjo do të ndalojë botime, postime, intervista, idealizime apo art dhe letërsi që vlerëson atë kohë kriminale. Më mirë vonë se kurrë, duhet vendosur një përgjegjësi morale. Nga ana tjetër, brezi i ri duhet të njihet me krimet komuniste dhe për këtë duhet të ketë politika shtetërore.Të mos harrojmë që  nazizmi dhe komunizmi janë krahë të të njëjtit patkua. Ndryshon vetëm arsyeja që i çoi në vrasje. Nazizmi vrau hebrenjtë, romët dhe antikapet; komunizmi vrau popullin e tij. Por ne e dimë sesa të mirëinformuar janë brezat e rinj për krimet naziste të ndodhura 80 vite më parë, ndërkohë që këta breza nuk dinë asgjë për krimet komuniste të ndodhura jo më shumë se 35 vite më parë. Dhe kjo heshtje vjen së pari nga institucionet, qofshin ato politike, kulturore apo sociale. Ka ardhur koha që të bëhemi të fortë dhe të pranojmë të shkuarën, pasi sikur thotë Simone de Beauvoir, forca nuk lind nga shmangia e përvojës, por nga përballja me të — edhe kur ajo është e dhimbshme, edhe kur është e pakthyeshme. 

Çfarë mesazhi u përcillni brezave të rinj?


Kujtesa historike nuk është hakmarrje, por detyrim moral. Falja për krimet nuk është amnisti, është përballje me krimin, pasi pranimi i tij do të jetë hapja e një faqeje tjetër të historisë, që unë besoj do t’i japë fund tranzicionit.

A ka ende arti fuqinë të shërojë?


Më shumë se çdo formë tjetër, sepse arti të bën të ndjesh përpara se të kuptosh. Arti edukon empatinë, jep informacion, ngjall kureshtjen dhe hap debatin. Ndaj edhe librat, filmat apo dokumentarët artistikë që rrëfejnë krimet e komunizmit ngjizen më shumë se çdo libër historie. 

Libri botuar nga shtëpia botuese e mirënjohur Onufri  ka vetëm dy muaj jetë. Cilat kanë qenë përshtypjet më të shpeshta nga lexuesi i thjeshtë?


Lexuesit më thonë shpesh se, pavarësisht ngarkesës së fortë emocionale, ajo që i mban faqet gjallë është dashuria familjare, njerëzore, dashuria që mbijeton edhe në rrethana çnjerëzore. Libri “ecën” dhe rrëfimi rrjedh natyrshëm, duke krijuar një lloj kureshtjeje të brendshme për ta ndjekur deri në fund. Një tjetër përshtypje, e thënë shumë herë, është se personazhet në libër dhe përshkrimi i ngjarjeve janë aq të gjalla, sa lexuesi ndjen sikur ka qenë vetë aty. Shumë më kanë thënë: më dukej sikur edhe unë isha në ato rrugë që të çonin në burgjet komuniste, sikur i kisha përjetuar vetë ato skena. Kjo ndjesi pranie, kjo afërsi me përvojën, është ndoshta reagimi më domethënës që kam marrë.

Po kritika e ka thënë fjalën e saj?


Libri ka patur një jehonë të gjerë që në ditët e para të panairit 2025 dhe deri më tani. Janë rreth 20 shkrime nga kritikë të shquar dhe të gjithë vijnë me një përfundim që mua më kënaq ambicien për të mos rreshtur së shkruari. 

Ju shkruani në shqip, pse?


Së pari, sepse unë mendoj në shqip, shoh ëndrrat në shqip, flas në shqip me çdo shqiptar në SHBA. Refuzoj të shkruaj apo flas anglisht kur jam në mjedis shqiptarësh. Në këto kushte është hipokrizi apo naivitet të pranosh se dikush që ka jetuar më shumë se gjysmën e jetës në Shqipëri di të shkruajë më mirë në një gjuhë të dytë sesa në gjuhën e nënës, dhe aq e vërtetë është kjo edhe sikur të ketë bërë shkollën më të lartë arsimore në vend të huaj, siç është rasti im.

Së dyti, unë shkruaj së pari duke pasur në mendje lexuesin shqiptar, ndaj këtë libër si edhe dy librat e mëparshëm i kam botuar fillimisht në gjuhën shqipe dhe ja kam paraqitur të parëve lexuesve shqiptar. Unë e konsideroj lexuesin shqiptar si lexues elitar dhe mendoj se ai duhet të jetë përparësia numër një e çdo shkrimtari shqiptar, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Unë dëshiroj që vlerësimin, apo siç thonë, çertifikimin e parë për librin tim, ta japë ky lexues. Sidomos kur shkruajmë për eksperienca shqiptare, kjo nuk është vetëm një zhgjedhje, ky është dhe mbetet një detyrim moral.

Ju jeni edhe kryetare e Vatra Miami si dhe keni krijuar  klubin patriotik “Flas shqip”, ku i mësoni vullnetarisht fëmijëve me prejardhje shqiptare gjuhën shqipe. Sipas jush, çfarë e bën një shqiptar të respektuar në emigracion?


Çdo arritje personale në emigracion kthehet vetvetiu në një krenari kombëtare. Por kur ky sukses personal vihet në shërbim edhe të bashkëkombasve të tu,  apo të vendit tënd , atëherë kjo të bën edhe më të suksesshëm. Respekti ndaj rrënjëve tregon karakter, dhe historia e njerëzimit ka treguar se ato kombe që i kanë ruajtur lidhjet me rrënjët janë edhe kombet që nuk janë zhdukur kurrë, dhe kanë fituar njohjen dhe respektin më të madh ndërkombëtarisht.

Dhe së fundi, një pyetje klishe që i bëhet çdo shkrimtari, por edhe duke pasur parasysh që ju jeni edhe kolumniste e rregullt e gazetës Dielli: Pse shkruani?


Unë shkruaj sepse kjo më bën të ndihem mirë shpirtërisht. Vetëm kur shkruaj arrij të njoh më mirë veten dhe botën që më rrethon. Domethënë, shkruaj së pari për nevojë të brëndshme dhe jo për t’u njohur. Nëse kjo e dyta ndodh, aq më mirë. 

Dhe për ta mbyllur me një urim. Cili është ai ? 

Urimin  e kam për gazetën Dielli. Uroj që ajo të vazhdojë të jetë diell ndriçues informimi për çdo shqiptar, të jetë hapësirë e vërtetë për çdo kënd që di si dhe çfarë të shkruajë në të mirë të atdheut dhe të vazhdojë të shekullohet pasi mban firmën e dy prej shqiptarëve më të mrekull të vendit tonë në emigracion – Fan Noli dhe Faik Konica.

Filed Under: Opinion Tagged With: Iris Halili, Sokol Paja

Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026

January 15, 2026 by s p

Akademi Përkujtimore – Athanas Gegaj – shembull i patriotizmit, shkencës dhe publicistikës.

Fondi Humanitar “Trieshi” në Nju Jork, organizon një aktivitet të veçantë për të nderuar veprimtarinë dhe kontributin e Athanas Gegajt në fushën e shkencës, gazetarisë, fesë e kulturës shqiptare. Kjo akademi përkujtimore do t’i kushtohet pikërisht Athanas Gegajt, birit të Trieshit, një prej personaliteteve më të rëndësishme jo vetëm të Malësisë, por edhe të mbarë botës shqiptare. Gjatë aktivitetit do të trajtohet në mënyrë të plotë veprimtaria e Athanas Gegajt, duke trajtuar dy veprat e tij të rëndësishme shkencore, rolin e tij si editor i gazetës Dielli dhe bashkëpunëtor i ngushtë i revistës Hylli i Dritës; angazhimin e tij politik në mërgim dhe bashkëpunimin me figura të njohura shqiptare, si dhe kontributin e tij fetar si frat françeskan dhe krijimtarinë e gjerë publicistike. Eventi do të mbahet në ambientet e sallës së Restaurant “Tesoro d’Italia” në datën 25 janar 2026 në orën 2:00PM.

Programi:

Prezantimi: Kolë Cacaj

Hapja e aktivitetit: Gjon Gjokaj

Folës:

Gjekë Gjonlekaj – Biografia e Athanas Gegajt

Virgjil Kule – Vepra e Gegajt mbi Skënderbeun

Sokol Paja – Gegaj, editor i gazetës “Dielli” dhe bashkëpunëtor i lartë i Federatës Pan-shqiptare “Vatra”

Paulin Marku – Athanas Gegaj në optikën e dokumenteve arkivore të “Vatrës” (1963-1971)

Zef Ujkaj – Broshura “Albania” e Athanas Gegajt dhe Rexhep Krasniqit

Lulash Palushaj – Veprimtaria patriotike e shkencore e Athanas Gegajt.

Filed Under: Opinion

ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)

January 15, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Duke kujtuar gjeniun e letrave shqipe të viteve 30′ në 51 vjetorin e vdekjes, me një nga poezitë e tij plot mall për qytetin e lindjes të cilin nuk e pa për 30 vjet deri në vdekjen e tij…

“Shkodra në mëngjese”

Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,

kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:

mbi Maranaj qet vetllen kureshtare

agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë

të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,

e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare

Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija

udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,

tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë

në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë

kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.

Shkrimtar, përkthyes, mësues, ministër i arsimit dhe patriot i madh që luajti një rol vendimtar në formësimin e prozës dhe arsimit modern shqip.

Pse u anatemua i madhi Koliqi?

“Krimi” i tij ishte misioni për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni, Luginë të Presheves dhe Mal të Zi ne vitet 1941-1942 kur ishte Ministër i Arsimit në Shqipëri.

Në vitin shkollor 1941 – 1942, u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941, u hap Shkolla Normale në Prishtinë.

Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Në mesin e këtyre mësuesve kishte edhe mjaft të rinj nga Kosova që ishin shkolluar në Shqipëri, por që nuk kishin mundur të ktheheshin më parë në Kosovë.

Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin shkollor 1943 – 1944, ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës. Këto shkolla u bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë.

Koliqi me inisiativen e tij zgjoi ndergjegjen shqiptare ne trojet shqiptare jashte Shqiperise “londineze”.

Nuk do kishte pavarsi te Kosoves pa shkollat shqip te hapura me inisiativen e shkodranit te madh Ernest Koliqi.

Gjate viteve romane shpesh here Ali Bej Kelcyra e provokonte Koliqin duke e pyetur perse bashkepunoi me italianet.

Koliqi nuk pergjigjej..

Nje dite iu pergjigj me nje thes me letra te derguara nga nxenesit kosovare qe kishin mesuar shqipen fale inisiatives se tij, ku ata i shkruanin me dashuri dhe mirenjohje.

Ali Bej Kelcyra heshti dhe nuk e provokoi me…

Poliedriku i madh i kultures shqiptare vdiq më 15 janar 1975, në shtëpinë e tij romane, në Balduina, i nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare ne mërgim, por i mohuar nga vendi i tij.

Ende eshtrat e tij nuk prehen ne vendin e tij te dashur per te cilin ai sakrifikoi “reputacionin e tij”…

Ai mbetet një figurë e nderuar për arsimin dhe letërsinë, edhe pse roli i tij politik e ka bërë përkujtimin e tij kompleks ne aspektin politik dhe historik…

Pas viteve 90’ Koliqi është përkujtuar përmes veprave, ekspozitave dhe aktiviteteve akademike, por nuk ka asnje monument në Shqiperi dhe Kosovë.

Nuk ka asnje rruge apo shesh me emerin e tij. Ka vetem nje shkolle private parauniversitare qe mban emrin e tij… kur kemi emertuar ne shtremberim dhe ne injorim te historise sone kombetare rruge, shkolla, sheshe, institucione kulturore, shkencore me emra te paperfillshem dhe per me teper ne shume raste edhe turpërues.

Kur do të kemi guximin për të ngritur një monument per te madhin Ernest Koliqi ne Tirane, Prishtine, Shkoder apo Prizren?

Një monument i tillë nderon dhe emancipon Shqiperinë, Kosovën dhe kombin shqiptar…

Do të jetë një monument bronxi formal…

Monumenti shpirtëror Ernest Koliqi ka triumfuar me kohë…

Nuk mund të ndjehesh fitimtar përballë këtij kolosi intelektual…

SHPATA gjithmone është dorëzuar përpara DIJES…

Filed Under: Opinion

Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”

January 14, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. Prof. Kosturi, urimet më të përzemërta për fitimin e Çmimit të Madh “Grand Prix” në Saint-Saëns International Music Competition. Si ndjeheni pas këtij vlerësimi dhe kujt ia dedikoni këtë sukses?

Ju falenderoj për urimin si dhe mundësinë e kësaj interviste. Kënaqësi dhe vlerësim i lartë të nderohesh në një konkurs prestigjioz me Çmimin e madh dhe të rankohesh e para në gjithë kategoritë e katër sezoneve të vitit 2025. Në konkurset e kompozicionit bashkë me emrat e jurisë njihesh dhe me veprat e fituesve të tjerë. E kur shikon se ato interpretohen me orkestra të tilla si Orkestra Simfonike e Budapestit, Rumanisë, Madridit e të tjera kupton nivelin dhe ndjehesh e lumtur për vlerësimin. Ndjesinë e kësaj fitoreje do ta krahasoja me emocionin e interpretimit të një prej kryeveprave e muzikës violinistike, Rondo Capriçiose të Camille Saint – Saëns, emrin e të cilit mban e nderon ky konkurs në Angli. Ky sukses erdhi pas “rrëmbimit “të disa çmimeve të tjera në konkurse ndërkombëtare si krijuese dhe interpretuese. Paraqitja si krijuese dhe interpretuese ngjan me një proces kompleks ku interpreton si violiniste, pra je pranë skenës e njëkohësisht në atë skenë gjendesh dhe si artiste në dimension të gjerë. Pra, muzikën mund ta rrëfesh si shkrimtare, ta ngjyrosësh si piktore, ta vallëzosh si koreografe. Ti japësh mundësi violinës të përmbledhë nëpërmjet tingullit e teknikës gjithë fantazinë tënde.

2. Vepra fituese “Koncert për Violinë dhe Orkestër”, cilat janë vlerat artistike të kësaj vepre? Çfarë e bën të veçantë?

Koncerti për violinë dhe orkestër u shkrua natyrshëm. Kur koha e dytë kish mbaruar, kuptova se kompozimi do ish një vepër e madhe prej tre kohësh, si një koncert tradicional me kadencë. Melodia si element i rëndësishëm përfshin tre kohët e veprës edhe pse të ndryshme nga njëra -tjetra në kohëzgjatjen prej gati 28 minutash. Muzika rrjedh natyrshëm ndërsa nga personalitete të artit, muzikantë të huaj e shqiptarë, koncerti u cilësua si mjaft interesant e violinistik që në momentin kur e mbarova së shkruari në kompjuter. Në kontekstin e krijmtarisë muzikore shqiptare kjo vepër erdhi si krijimi i parë pas një mungese 30 vjeçare të koncertit për violinë. Teknika e lartë violinistike, pasazhet, këndueshmëria dhe ekspresiviteti ngatërrohen me ngjyrat e kohës së sotme. Pikërisht në këtë shkrirje të formës tradicionale të veprës, gjuhës së guximshme, ekspretivitetit, qëndron melodia, që si një iso i vishet violinës soliste dhe orkestrës, duke ruajtur në brendi elementin shqiptar.

3. Cili gjykoni se do jetë ndikimi i këtij çmimi ndërkombëtar në zhvillimin e karrierës suaj artistike e akademike dhe në promovimin e muzikës shqiptare ndërkombëtarisht?

Ky konkurs fokusohej në tre elementë të rëndësishëm: interpretimin, krijmtarinë dhe kërkimin akademik. Promovimi i muzikës shqiptare ka qënë një nga prioritetet e mia dhe ka nisur vite më parë si violiniste me interpretimin premierë të veprave të vjetra, të panjohura në skenën shqiptare. Mund të përmend pjesët e Thoma Nasit, Sonatën për violinë të Fan Nolit, krijimet e Kostandin Papajorgjit apo Lec Kurtit. Partet e vjetra shqiptare kanë ardhur nga Bostoni si një bekim e më vonë krijimet për violinë do më bënin shqiptaren e parë pjesëmarrëse si krijuese dhe interpretuese në “Women Composers Festival of Hartford” Connecticut USA në 2024 me “7 Capriçio” për violinë solo, të cilat gjithashtu do ishin pjesë e programit të koncertit të studentëve në studion e violinistes dhe pedagoges së shquar Ida Bieler në University of North Carolina ( UNSCA). Do botoja si e para shqiptare me shtëpinë e famshme muzikore vjeneze” Universal Edition” Vjenë e promovohesha në katalogun e tyre Winter Catalogue 2024-2025. Në shtator 2025 do interpretoja sërish si e para shqiptare performer- composer në Mozarthaus Vjenë. Janë konkurset që hapin këto dyer të rëndësishme, çmimet e fituara në Slloveni, Maltë , Zvicër, Vjenë. Shpresoj që ky konkurs të hapë dyert e orkestrave simfonike në Tiranë dhe këtë koncert të botuar e vlerësuar me çmimeve ndërkombëtare të mund ta interpretoj në vendin tim. Me misionin e promovimit të muzikës shqiptare organizoj festivalin Violinistic Festival Marathon Albania (Violinistic Greetings) në 13 edicione duke bashkëpunuar me artistë nga mbarë bota e promovuar muzikën shqiptare të vjetër e të sotme, duke pasuruar repertorin violinistik me vepra premierë të dedikuara për çdo edicion.

4. Si pedagoge e violinës në Universitetin e Arteve, si e sheh të ardhmen e muzikantëve të rinj shqiptarë? A ka talente Shqipëria? Çfarë brezi po rritet në Universitetet shqiptare?

Shqipëria ka dhe ka patur gjithmonë talente. Koha që jetojmë nuk është koha e artë e muzikës klasike, e megjithatë ky profesion është zgjedhje nga pasioni për instrumentin, muzikën. Misioni si institucion, si muzikantë, artistë e pedagogë është inkurajimi, përgatitja për skenën si dhe mbështetja në këtë rrugë të gjatë të artit. Sot është koha e bashkëpunimeve, e mundësive të shkëmbimit të eksperiencave, të organizimit të masterclasseve, koncerteve, festivaleve që mendoj se duhet të jenë prioritete në ndihmë të përparimit të artistëve të rinj. “To be the best” titullohet aktiviteti që realizoj çdo vit me studentët e klasës së violinës që drejtoj në UA, ky është misioni për të mbështetur, motivuar, për të qënë më pranë skenës , për të guxuar dhe kërkuar përmirësimin e vazhdueshëm të pandërprerë të nivelit në udhën e vështirë të artit e muzikës.

5. Si fituese e Çmimit të Madh në konkurset ËOMCO, cili është mesazhi juaj për artistët shqiptarë që synojnë skenat dhe karrierën ndërkombëtare?

Rruga e artit është sa e bukur aq dhe e vështirë, kërkon përkushtim e sakrifica. Krahas aftësive profesionale nevojitet besim, këmbëngulje, si dhe përgatitje psikologjike për të arritur suksesin. Duhet studiuar shumë, guxuar shumë dhe menduar se bota e artit është e pafundme me krijmtarinë dhe interpretimin e kolosëve të muzikës, dhe është privilegj të jesh dhe ti pjesë e saj. Për artistët shqiptarë do përmendja shprehjen e dikurshme të Thoma Nasit “Përkrahni muzikën e fjeshtë shqiptare “që sot do tingëllonte “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë “.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë

January 13, 2026 by s p

Julika Prifti/

34 vjet më parë si sot letra për Profesorin Arshi Pipa nga Peter Prifti hedh dritë në një miqësi të rrallë midis tyre pavarësisht dallimeve në perceptimet filozofike të çështjes gjuhësore dhe mospajtimeve të tjera. Të dy ishin intelektualë shqiptarë, të edukuar në perëndim, të cilët jetonin dhe jepnin kontributin e tyre në vendin e adoptuar. Mënyra e komunikimit qytetar imponon respekt dhe bën kontrast të fortë me normat e ulëta të debatit në të gjitha nivelet e administratës dhe jetës publike në Shqipëri si edhe prej disa shqiptarëve jashtë saj.

Letërkëmbimi Arshi Pipa-Peter Prifti ka filluar qysh në vitet 1970, kohë e cila përkon me thuajse 20 vite korrespondencë dhe bashkëpunimi midis tyre.

Të dy korresponduesit kanë ndërruar jetë vite më parë por letrat e tyre flasin vetë për miqësinë dhe respektin e ndërsjelltë gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, në kohën e ndryshimeve politike në vendin tonë si edhe në ish-Jugosllavi, përkatësisht në Kosovë. I bindur në idetë e tij, me maturi por edhe pa frikën e humbjes së miqësisë së çmuar me një mik, intelektual e bashkëpunëtor të vjetër, Peter rendit argumentet e tij pa asnjë hije fyerje, ironie, sarkazmi apo vetëkënaqësie. Ai beson në forcën e fakteve, të debatimit të lirë të mendimit dy studiuesve me të drejta të barabarta për të shkëmbyer idetë dhe qëndrimet e tyre në të mirë të shkencës së gjuhësisë dhe më tej.

Letra e datës 13 janar 1992 vjen pas një festimi zyrtar në Vatër në Bronx, nën kryesinë e Profesorit Arshi Pipa, ku Peter shkon si përkthyes shtetëror i delegacionit të sindikatave të pavarura nga Shqipëria. Kjo vajtje merr ‘nuanca politike’. Pasi jep sqarimin e nevojshëm, Peter shkruan “ti dhe unë kemi pikëpamje të ndryshme, të kundërta për disa çështje me rëndësi,” si gjuha e njësuar, disa “pika me rëndësi në lidhje me Kosovën” si “edhe për vlerësimin tënd të punës dhe personit të Ismail Kadaresë.”

Por, vazhdon ai “Intelektuali e ka për detyrë t’i qëndrojë besnik së vërtetës, ashtu siç e kupton ai, dhe të verë në dukje pikëpamjet e veta. (Por kjo nuk duhet të ndalojë çdo formë bashkëpunimi midis dy vetave). Në fund të letrës Peter shkruan se “Pavarësisht nga këto mosmarrëveshje, unë nga ana ime do të përpiqem ta ruaj miqësinë tonë si diçka të shtrenjtë dhe të rrallë.”

Kjo letër është pjesë e letërkëmbimit 25 vjeçar midis Peter Priftit dhe Profesorit Arshi Pipa, ruajtur në arkivin e familjes Prifti. Epistolari do jetë në botim së shpejti.

San Diego, Cal.

Më 13 janar, 1992

I dashur Arshi!

Të falemnderit për karturimin që më dërgove, gjë që shpreh edhe njëherë kujdesin dhe miqësinë që ke për mua. Megjithatë, më duket se ndodhja ime në darkën e Vatrës në Bronx në Nëntorin e kaluar, ka krijuar një përshtypje të gabuar, dhe si e tillë kërkon shpjegim.

Unë erdha atje për shkak të delegacionit të sindikatave të pavarura nga Shqipëria, që e shoqërova në Amerikë si përkthyes. E quajta, pra, për detyrë ta shoqëroja delegacionin edhe në festimin që organizoi Vatra. Duke qenë atje, u përshëndosha edhe me ty, por vetëm si shok dhe mik i vjetër; dmth, për hatërin e miqësisë sonë. Ai takim nuk kish kuptim apo nuanca “politike”; pra , nuk do të thotë se unë jam dakort me Vatrën.

Në përgjithësi, Vatra sot pasqyron tezat e tua për çështet kombëtare, dhe kjo kuptohet, si kryetari i saj që je.

Mirëpo, sikur e di edhe vetë, ti dhe unë kemi pikëpamje të ndryshme, të kundërta për disa çështje me rëndësi.

Nuk pajtohemi për çështjen e gjuhës se njësuar shqipe. Kemi mosmarrëveshje mbi disa pika me rëndësi në lidhje me Kosovën. Edhe për vlerësimin tënd të punës dhe personit të Ismail Kadaresë, nuk jemi të një mendje. Këtë të fundit nuk ta kam thënë më parë, se mendoja se ndofta do të të shqetësoja, duke e hapur edhe më shumë hendekun e mospajtimi të pikëpamjeve tona, ndërsa tash nuk e shoh të arsyeshme ta mbaj si me thanë “sekret”. Unë e di se ti nuk i druhesh kritikës, mbasi ti vetë e ke ushtruar atë si profesion për 4-5 dekada. Në mos gabohem ti jo vetëm që nuk ruhesh nga kritikat, por më ke thënë njëherë se i mirëpret ato, dhe fton vërejtje të tilla nga të tjerët. Ky është me të vërtetë qëndrim i denjë, qëndrim i intelektualit të pjekur, demokrat dhe humanist.

Megjithatë, me vjen keq të pohoj këto konflikte pikëpamjesh midis nesh. Do te doja që ne të dy të kishim pikëpamje të njëjta dhe të bashkëpunonim ngushtë, si në të shkuarën. Mirëpo kohët kanë ndryshuar dhe, siç e di edhe vetë, intelektuali e ka për detyrë t’i qëndrojë besnik se vërtetës, ashtu siç e kupton ai, dhe të verë në dukje pikëpamjet e veta. (Por kjo nuk duhet te ndalojë çdo formë bashkëpunimi midis dy vetave). Pavarësisht nga këto mosmarrëveshje, unë nga ana ime do të përpiqem ta ruaj miqësinë tonë si diçka të shtrenjtë dhe të rrallë, duke menduar se ajo ka vlerën dhe vendin e saj në marrëdhëniet shoqërore dhe tonat.

Të uroj shëndet të mirë.

Përqafime, Peter R. Prifti.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë
  • Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër
  • Vatra Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” ju ftojnë në festën e Pavarësisë së Kosovës më 15 shkurt 2026
  • Azem Shkreli, më i zëshmi zë i këndimit të kushtrimshëm të fjalës së shpirtshme
  • LIN DELIJA, ART, BESIM DHE IDENTITET NË MËRGIM
  • LIRIA KISHTE EMËR? PO HAGA E DREJTËSISË PSE S’ËSHTË ME DREJTËSINË?
  • Udhëtimi i një gabimi: Një rrëfim ndryshe
  • VATRA KËRKON DREJTËSI NË HAGË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT