• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut

April 7, 2026 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

“Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut dhe shprehin mbështetjen e plotë për kërkesat legjitime të studentëve shqiptarë për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Kjo nuk është thjesht një çështje teknike apo administrative është një test i drejtpërdrejtë i shtetit të së drejtës, i barazisë para ligjit dhe i respektimit të të drejtave themelore të një komuniteti shtetformues.

Për këtë arsye, bëjmë apel të fortë dhe të qartë për zbatim të menjëhershëm dhe të drejtë të ligjit, në mënyrë që të shmangen tensionet e panevojshme dhe të ruhet stabiliteti institucional në vend.

Studentët shqiptarë kanë dëshmuar qytetari të lartë duke marshuar në mënyrë paqësore drejt Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar zgjidhje konkrete dhe urgjente nga ministri Igor Fillkov.

Heshtja apo zvarritja përballë një kërkese të drejtë vetëm sa e përkeqëson situatën.

Partite politike Shqiptare ne Maqedoni tashme te diskretituara prej shume vitesh kane shitur interesat kombetare dhe jane kthyer ne vegla sherbetore te Serbise dhe Maqedonise.

Sigurisht qe baza e tyre e mbeshtetjes eshte politika anti-shqiptare e Rilindjes ne Tirane e cila vazhdon mbeshtetjen e interesave serbe ne rajon.

Edhe kryeministri Kurti duhet te kishte mbajtur qendrim tjeter ne lidhje me perfshirjen e tij ne politiken e partive shqiptare, duke mos lejuar percarjen e tyre. Tashme gjate muajve ne vijim do ta ndjekim me afer qasjen e tij ne kete drejtim, me qellim qe te kuptojne me mire objektivat e tij politike ne Maqedoni.

Diaspora Shqiptaro-Amerikane mbështet fuqimisht të drejtën e tyre për arsim të barabartë, për përdorimin e gjuhës shqipe dhe për respektimin pa kompromis të ligjit.

Në këtë kontekst, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve kushtetuese: Presidentit, Kryetarit të Parlamentit, Kryeministrit, Gjykatës Kushtetuese si dhe të gjitha forcave politike, shqiptare dhe maqedonase, që të veprojnë pa hezitim, me përgjegjësi të plotë shtetërore dhe me vizion, për të realizuar kërkesat e studentëve në mënyrë të drejtë dhe urgjente.

Çdo vonesë është e pajustifikueshme. Çdo shmangie është e rrezikshme.

Në një kohë kur situata gjeopolitike ndërkombëtare është më e tensionuar se kurrë, ruajtja e stabilitetit të brendshëm dhe e harmonisë ndëretnike është interes jetik kombëtar.

Ka ardhur momenti që institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të tregojnë vendosmëri reale dhe përgjegjësi shtetërore për drejtësi, për barazi dhe për të ardhmen e përbashkët të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

Filed Under: Opinion

E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

April 6, 2026 by s p

Isuf B.Bajrami/

“Barazia për të drejtën e gjuhës amtare nuk është luks, por një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme që lidhet drejtpërdrejt me identitetin, dinjitetin dhe mundësitë e barabarta në shoqëri.”

E drejta për përdorimin e gjuhës amtare është një komponent themelor i të drejtave të njeriut dhe i barazisë substanciale. Në arsimin e lartë, kjo e drejtë garanton pjesëmarrje të barabartë në procesin akademik dhe mundësi reale për avancim profesional.

Në Shkup, studentët shqiptarë përballen me pengesa të vazhdueshme në ushtrimin e së drejtës për të dhënë provime në gjuhën shqipe, pavarësisht që kjo e drejtë është e garantuar kushtetueshëm dhe ligjërisht¹. Ky hendek midis ligjit dhe praktikës cenon të drejtat themelore të grupit etnik shqiptar, që është autokton dhe bashkë-shtetformues, dhe ndikon negativisht në avancimin akademik.

Konteksti historik dhe politik

Para Marrëveshjes së Ohrit (2001), shqiptarët autoktonë përballeshin me diskriminim sistematik në administratë dhe arsim, dhe përdorimi i gjuhës shqipe ishte i kufizuar ose i ndaluar në institucionet shtetërore². Pas Marrëveshjes së Ohrit, u vendosën bazat ligjore për njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në nivel lokal dhe administrativ, duke përfshirë arsimin³. Megjithatë, implementimi në arsimin e lartë mbetet i fragmentuar, sidomos për provimet në jurisprudencë dhe lëndët praktike⁴.

Konteksti ligjor dhe kushtetues

Kushtetuta e vendit

• Nenet 7 dhe 9 të Kushtetutës garantojnë barazi dhe ndalojnë diskriminim mbi baza gjuhësore dhe etnike⁵.

• Institucionet publike, përfshirë universitetet, kanë detyrim të sigurojnë të drejta gjuhësore për të gjithë qytetarët⁵.

Ligji për arsimin e lartë

• Universitetet duhet të ofrojnë vlerësim të drejtë dhe jodiskriminues, duke përfshirë përdorimin e gjuhës amtare⁶.

• Çdo pengesë administrative që ndalon përdorimin e gjuhës shqipe konsiderohet shkelje ligjore⁶.

Ligji për përdorimin e gjuhëve

• Ligji për përdorimin e gjuhëve (2018) shton detyrimin për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe arsimin publik⁷.

• Pengesat sistematike në provime përbëjnë shkelje të qartë ligjore dhe kushtetuese⁷.

Standardet ndërkombëtare

Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR)

Nenet 26–27 të Pactit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike garantojnë barazi dhe ndalojnë diskriminimin mbi baza gjuhësore¹¹. Komiteti për të Drejtat e Njeriut nënvizon detyrimin e shtetit për të eliminuar çdo formë diskriminimi dhe për të siguruar zbatimin praktik¹¹.

Këshilli i Evropës

Framework Convention for the Protection of National Minorities kërkon promovimin e identitetit gjuhësor dhe akses të barabartë në arsim¹². Jurisprudenca e ECHR ka vendosur se pengesa administrative për përdorimin e gjuhës amtare mund të përbëjë shkelje të të drejtave të njeriut¹³.

Bashkimi Evropian

Kriteret e Kopenhagës kërkojnë respektimin e të drejtave të grupeve etnike autoktone dhe sundimin e ligjit¹⁴. Moszbatimi praktik i këtyre të drejtave përbën pengesë për integrimin evropian¹⁴.

Të dhëna dhe statistika

• Rreth 40% e studentëve në Universitetin “Nënë Tereza” janë shqiptarë¹⁵.

• Vetëm 30% e provimeve mund të jepen në gjuhën shqipe, kryesisht për lëndët teorike¹⁵.

• Mungesa e materialeve akademike dhe stafit të kualifikuar rrit pengesat administrative dhe akademike¹⁶.

Shembuj konkretë:

• Studentët shqiptarë shpesh detyrohen të japin provime në maqedonisht, pavarësisht se ligji u lejon të zgjedhin gjuhën amtare¹⁶.

• Stafi i fakultetit shpesh nuk ofron konsultime në gjuhën shqipe, duke penguar përgatitjen për provime dhe avancimin akademik¹⁶.

Problemet kryesore

1. Moszbatim sistematik i provimeve në gjuhën shqipe.

2. Diskriminim indirekt ndaj studentëve shqiptarë në avancim akademik.

3. Kontradiktë midis deklaratave ndërkombëtare dhe praktikës lokale.

4. Mungesë mekanizmash monitorimi dhe auditimi për zbatimin e ligjit.

Dimensioni politik dhe ndërkombëtar: Takimi në SHBA

• SHBA shpesh promovon të drejtat e grupeve etnike autoktone dhe përdorimin e gjuhës shqipe në forume ndërkombëtare¹³.

• Realiteti në vend tregon një hendek të qartë midis deklaratave dhe praktikës: institucionet nuk mundësojnë provime në gjuhën shqipe në mënyrë sistematike¹³.

• Ky hendek tregon një standard të dyfishtë dhe cenon kredibilitetin institucional dhe reputacionin ndërkombëtar¹³.

Përfundime dhe rekomandime

Përfundime:

• E drejta për përdorimin e gjuhës shqipe është e garantuar ligjërisht dhe kushtetueshëm.

• Moszbatimi në praktikë është shkelje e rendit kushtetues dhe cenim i barazisë.

• Dualizmi midis deklaratave ndërkombëtare dhe praktikës dobëson kredibilitetin institucional.

Rekomandime:

1. Sigurimi i provimeve në gjuhën shqipe në mënyrë sistematike.

2. Krijimi i mekanizmave mbikëqyrës për zbatimin e ligjit.

3. Përfshirja e SHBA dhe organizatave ndërkombëtare në monitorimin e situatës.

4. Harmonizimi i praktikës me standardet e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

5. Përdorimi i gjuhës shqipe si shembull real në forume ndërkombëtare, jo vetëm në deklarata diplomatike.

Filed Under: Opinion

VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT

April 5, 2026 by s p

Të dashur bashkombas të besimit Katolikë

Më lejoni që në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, të familjes sime dhe në emrin tim personal t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar dhe Përshumëvjet Pashkët.

Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë me ju e familjet tuaja.

Ngjallja e Krishtit, festa më e madhe në besimin e Krishterë, na mbush me gëzim, me forcë, me besim, me shpresë, me fuqi dhe dashuri.

Ngjallja e Krishtit është festë e jetës, festë e së mirës, festë e dritës, festë e dashurisë, festë e së vërtetës hyjnore.

Pashka e vitit 2026 le të përcjellë për të gjithë ne më shumë optimizëm, shpresë, prosperitet, paqe dhe dashuri për çdo shqiptar anëkënd botës.

Zoti i shpërbleftë zemrat e shpirtrat e atyre që falin, japin e luten.

Kjo festë e madhe, qoftë për secilin prej nesh një moment hyjnor paqeje, ripërtëritjeje e reflektimi shpirtëror.

Zoti ju bekoftë të gjithëve.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Dr. Elmi BERISHA

Filed Under: Opinion

Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën

April 4, 2026 by s p

Albert Vataj/

Prezenca e Heroit Tonë Kombëtar, nëpër monumente të kujtesës dhe dëshmimeve historike, ardhur nga mesjeta, nuk është befasi, por mbetet sërish lajm dhe arsye për të ridimensionuar figurën e Skënderbeut në të tjera përmasa.

Ka monumente që nuk janë thjesht gurë të skalitur që stolisin hyrjen e një kështjelle, por fjalë të gjëmimshme të historisë, të ngulitura në fasadat e qytetërimeve. Një i tillë është basorelievi i Skënderbeut në kështjellën e Corigliano d’Otranto-s, ku figura e tij nuk qëndron thjeshtë si një element dekorativ i izoluar, si pjesë e ansamblit të statujave dhe basorelieveve, por si pjesë e një dialogu të madh kulturor europian. Në këtë fasadë, ku guri bëhet kujtesë dhe arti bëhet dëshmi, Skënderbeu hyn në një panteon figurash që kanë formësuar mendimin dhe historinë e Perëndimit.

Ky lloj portretizimi, basorelievi, është një formë arti që u zhvillua dhe u përsos në Evropë gjatë periudhave të Rilindjes Evropiane dhe Neoklasicizmit, kur ndërtesat nuk ishin vetëm funksionale, por bartëse të një identiteti ideor. Fasadat e pallateve dhe institucioneve shndërroheshin në “biblioteka të hapura”, ku figura të zgjedhura përfaqësonin vlera, ide dhe modele qytetërimi. Në këtë kuptim, çdo bust i vendosur aty është një deklaratë.

Basorelievi i Skënderbeut në këtë kështjellë ndjek ikonografinë klasike europiane, kapela me ndikim venecian, mjekra e gjatë, tiparet e forta që ndërthurin autoritetin ushtarak me një fisnikëri të mendimit. Ai nuk paraqitet thjesht si një komandant lufte, por si një princ humanist, një figurë që i përket të njëjtit univers simbolik ku vendosen edhe Aristoteli, Sokrati, Platoni, Plutarku, Perikliu, Aleksandri i Madh dhe Jul Çezari.

Vetë Castello de Monti përfaqëson një histori transformimi. E ndërtuar fillimisht në shekullin XV si një fortifikatë mbrojtëse kundër kërcënimit osman, ajo mbart në themelet e saj ankthin e një Evrope të rrezikuar. Por në shekullin XVII, nën ndikimin e familjes Monti, ajo u transformua në një rezidencë fisnike, duke përthithur estetikën e Baroku dhe duke u pasuruar me dekorime skulpturore që i japin asaj një karakter përfaqësues dhe simbolik. Kështu, nga një hapësirë mbrojtjeje fizike, ajo u bë një hapësirë përfaqësimi kulturor.

Në këtë kontekst lind pyetja thelbësore: pse Skënderbeu mes këtyre figurave?

Së pari, është dimensioni historik i pranisë shqiptare në jug të Italisë. Pas vdekjes së tij në vitin 1468, një valë e madhe emigrimi shqiptar krijoi komunitetet arbëreshe në rajone si Pulia dhe Kalabria. Këto komunitete nuk ishin thjesht refugjatë, por bartës të një kujtese të gjallë kulturore. Për ta, Skënderbeu nuk ishte vetëm një figurë historike, por një simbol identitar, një figurë themeluese e vetëdijes së tyre kolektive.

Së dyti, është dimensioni europian i figurës së tij. Në vetëdijen e Europës së asaj kohe, Skënderbeu shihej si një mbrojtës i krishterimit dhe një figurë rezistence ndaj Perandoria Osmane. Ai nuk ishte vetëm një hero lokal, por një protagonist i një përplasjeje të madhe civilizuese. Për këtë arsye, përfshirja e tij në një galeri figurash që përfaqësojnë themelet e mendimit dhe pushtetit europian nuk është rastësi, por një akt njohjeje dhe vlerësimi.

Së treti, është dimensioni estetik dhe konceptual i vetë fasadës. Ajo është konceptuar si një panteon figurash që përfaqësojnë virtyte të ndryshme, urtësinë, fuqinë, strategjinë, lidershipin. Në këtë sistem simbolik, Skënderbeu përfaqëson strategun, luftëtarin e drejtë, figurën që ndërthur armën me mendimin, aksionin me vizionin.

Kështu, vendosja e bustit të tij nuk është një akt dekorativ, por një akt kuratorial, një përzgjedhje që e vendos atë në një hierarki vlerash universale.

Basorelievi i Skënderbeut në Corigliano d’Otranto nuk është vetëm një kujtim i një figure historike, por një dëshmi e mënyrës se si historia përthithet në art dhe si arti e përjetëson historinë. Ai është një pikë takimi mes Shqipërisë dhe Italisë, mes kujtesës dhe identitetit, mes luftës dhe mendimit.

Në gurin e kësaj fasade, Skënderbeu nuk qëndron vetëm si hero i një kombi, por si pjesë e një ndërgjegjeje më të gjerë europiane. Dhe pikërisht aty, mes filozofëve dhe perandorëve, ai dëshmon se madhështia nuk matet vetëm me territore të pushtuara, por me idetë që mbijetojnë dhe me respektin që fiton në kujtesën e qytetërimeve.

Filed Under: Opinion

GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË

April 3, 2026 by s p

Zef Pergega/

Gazeta më e vjetër e shtypit shqiptar në Amerikë është padyshim gazeta “Dielli”, botim i Vatrës së Konicës e Nolit dhe personaliteteve të tjera, që ishin të shkolluar jashtë në Perëndim dhe në Amerikë. Më e vjetër, për nga historia dhe më e re për nga përmbajtja e saj, për problemet që ka trajtuar e trajton në shërbim të fjalës së lirë dhe çështjeve që preokupojnë komunitetin, po ashtu në shërbim të çështjes kombëtare.

Ajo nuk ka mbijetesën se dikush, që as për krenari dhe as për humanizëm, e si shumë kush këtu e zgjidh kuletën për t’u dukur vetëm disa sekonda e për t’u harruar për çka ka dhënë përgjithmonë, po në saj të shpirtit elitar, profesional dhe mendimit të saj të kthjellët se ky botim i duhet kombit shqiptar në thyerjen e tij me vetëdije drejt zhdukjes së tij në transportierin gjigant të Amerikës ku shuhen kombe e kombësi.

Andaj them se ky botim është edhe një syri i dritës së pashuar në jetën e këtij komuniteti, që i kalon një milion. Shkrimet që botohen këtu janë gjithëpërfshirëse, për shumë çështje dhe dallohen nga parcelizimi shterues, për t’u dukur në shumë botime periodike.

Gazeta “Dielli” është i vetmi botim që përfaqëson një organizatë panshqiptare më e vjetra dhe më e reja në shqiptarët e Amerikës, siç është “Vatra”. Unë nuk jam anëtar i saj dhe nuk kam asnjë leverdi të rendis këtu opinionin tim. Por e vërteta është e vërtetë. Ne duhet të mësohemi të themi se kjo është e drejtë, kur është e drejtë dhe po ashtu të themi se kjo nuk është mirë që ta korrigjojmë. Gjëja më e vështirë ndër mendjet tona shpesh të sëmura dhe ashtu me sëmundjen tonë mundohemi t’i japim mend të tjerëve, është të pranohet kritika.

Nëse bën një kritikë të mirë, ngrihet banda e xhaketave blu me astar të kuq dhe pasi ka pirë e ngrënë ushqimet mbas dasmave, leqit edhe në ditën e Larit, me porosi të gospodarit.

Fryma e lirë e gazetës “Dielli” duhet të frymojë te gjithë për ta parë veten në pasqyrë se kush ishim, çfarë bëmë e ku po shkojmë?!

Qëndrimi i gazetës “Dielli” ndaj karrieristëve dhe infiltruesve më duket i drejtë dhe kjo është edhe një nga pikat e forta të mbijetesës së saj. Ajo që më duket mua si e nevojshme është sigurimi i një rrjeti bashkëpunëtorësh në të gjitha Amerikën, për të çelur një rubrikë të veçantë diskutimi dhe për të mbajtur qëndrime.

Më e hapur, siç ka qenë dhe është ndaj mendimit ndryshe. E keni vënë re se mediat e Tiranës kanë zgjedhur bandën e tyre mediatike nga Amerika që japin informacione të rreme islamofobe dhe të qëllimshme në favor të vendeve të Lindjes. Hanë bukën e Amerikës dhe atje në Lindje e lëpijnë rrasën e kripës.

Urime Diellit, stafit dhe bashkëpunëtorëve. Unë jam për një kongres mbarëkombëtar të të gjitha shoqatave të diasporës së Amerikës.

Gazetat dhe revistat që dolën në SHBA në vitet 1906-1941

1. Kombi, 1906-1909, Boston

2. Dielli, 1909, Boston

3. Flamuri, 1910, Boston

4. Koha, 1911-1920, Jamestown

5. Trumpeta e Krujës, 1911, St. Louis

6. Zër’ i Popullit, 1912-1913, New York

7. Adriatiku, 1914, Framingham

8. The Albanian Era, 1915-1916, Denver, Col.

9. Vullnetari, 1916-1917, Natick

10. Illyria, 1916, Boston

11. Përparimi, 1916-1920, New York

12. Viosa, 1916, New York

13. Mbrojtja Shqiptare, 1916, St. Louis

14. Luftëtari i Drejtësisë, 1917, Boston

15. Yll’ i Mëngjezit, 1917-1920, Boston

16. Sazani, 1917-1918, Worcester

17. Përlindja, 1917, Framingham

18. Albania, 1918-1920, Chicago

19. Shqipëria, 1918, Waterbury

20. The Adriatic Review, 1918-1919

21. Indipendenca Shqiptare, 1918

22. Studenti, 1920, Springfield

23. Drejtësia, 1920, Watertown

24. E Vërteta, 1920-1923, St. Louis, Mo.

25. Independenca, 1920-1921, New York

26. Studenti, 1921, Boston

27. Shkëndija, 1921-1922, Watertown

28. The Albanian Journal, 1921-1923, Chicago

29. Fari, 1922, Worcester

30. Dëshira Kombëtare, 1922-1923, Canton, Ohio

31. Mbrojtja e Vatrës, 1922, New Bedford

32. Afërimi, 1922-1925, New York

33. Bota e Re, 1922-1923, Boston

34. Purteka, 1923, Boston

35. Kombi në Rrezik, 1923, Boston

36. Kandil’ i Kuq, 1924-1925, Watertown

37. Immigranti, 1925-1926, Worcester

38. Idealisti, 1926-1927, Boston

39. Republika Shqiptare, 1926, Watertown

40. Revista Letrare, 1927, Watertown

41. Albania, 1921-1931-1933-1940, New York

42. Lajmet Shoqërore të Shqiptarëve në Amerikë, 1929-1930, Worcester

43. Melesini, 1930, Worcester

44. Drejtësia, 1930-1931, Worcester

45. Republika, 1930-1933, Boston

46. Lajmëtari Shqiptar, 1934-1936, Worcester

47. Liberatori, 1934, Boston

48. Bota, 1936-1939, Boston

49. Buletin, 1938, Boston

50. Demokratia, 1938, Boston

51. Drita, 1940, Worcester

52. Liria Shqiptare, 1940, Boston

53. Liria, 1941, Boston

54. Buletini Katolik, Gjon Sinishtaj, 1966-1986, San Francisko

55. Kolonia Shqiptare, Zef Mirakaj, 1980, New York

56. Ashi Pipa, revista “Albanica”, 1990

57. Gazeta “Illyria”, New York

58. “Shqipja”, Ajaz Emini, Ohio

DISA TË DHËNA PËR SHTYPIN NË DETROIT

Gazeta “Lajmetari” nga Gjok Martini

Revista “Ora” nga Gjon Kelmendi

Gazeta “Arbëri” nga Mark Prela Gjokaj

Revista “Ora Shqiptare” Zef Camaj

Gazeta “Dita” Kisha e Shën Palit

Revista “Rreze Shëlbuese” Kisha “Zoja Pajtore”

Revista “Kuvendi” Pjetër Jaku

Buletini “Shqiptari” Zef Pergega

Përveç “Diellit”, “Illyria”, revista “Dituria” e Akademisë së Shkencave New York dhe “Kuvendit”, periodikisht nuk botohet asnjë prej tyre.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT