• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar

April 9, 2026 by s p

Dr. Elmi Berisha/

Në kalendarin e historisë sonë kombëtare, ka data që nuk janë thjesht përkujtimore, por janë gurë themeli mbi të cilët ndërtohet vetëdija jonë kolektive dhe identiteti ynë si komb. Njëra ndër këto data të shenjta është edhe përvjetori i Betejës së Koshares, një nga betejat më të lavdishme, më heroike dhe më përcaktuese të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Sot, në 27-vjetorin e kësaj beteje madhështore, përulemi me nderimin më të thellë para kujtimit të dëshmorëve dhe luftëtarëve të saj, të cilët me gjakun e tyre shkruan një nga faqet më të ndritura të historisë sonë të re. Lavdi e përjetshme për bijtë dhe bijat më të denja të kombit, që u bënë themel i lirisë sonë!

Beteja e Koshares nuk ishte thjesht një përballje ushtarake. Ajo ishte një akt i lartë historik, një moment kthesë që simbolizoi thyerjen e kufirit padrejtësisht të vendosur ndërmjet shqiptarëve. Për herë të parë pas dekadash ndarjeje, kufiri shqiptaro-shqiptar u shemb me pushkë në dorë dhe me idealin e bashkimit në zemër. Ky akt nuk ishte vetëm strategjik, por thellësisht simbolik – ishte shpallje e vullnetit të një populli për të jetuar i lirë dhe i bashkuar në tokën e vet.

Në këtë betejë, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga bij të kombit nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora, dëshmuan se liria nuk është dhuratë, por sakrificë sublime. Ata përballuan një makineri të fuqishme ushtarake me guxim të pashoq, me vendosmëri të hekurt dhe me një besim të palëkundur në drejtësinë e kauzës së tyre. Emrat e tyre janë sot të gdhendur në përjetësi, në ndërgjegjen kombëtare dhe në historinë e lavdisë sonë.

Kjo betejë heroike ishte një dëshmi e fuqishme se kur kombi bashkohet rreth një ideali të drejtë, asnjë pengesë nuk është e pakapërcyeshme. Koshara u bë simbol i unitetit mbarëkombëtar, ku u bashkuan shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe diaspora, duke dëshmuar se ndarja politike nuk mund të shuajë kurrë ndjenjën e përbashkët kombëtare.

Për ne, si përfaqësues të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, kjo datë ka një domethënie të veçantë. VATRA, që nga themelimi i saj, ka qenë gjithmonë në shërbim të çështjes kombëtare, duke mbështetur aspiratat për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar. Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara ka qenë një zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës, dhe Beteja e Koshares përfaqëson kulmin e sakrificës që kjo kauzë kërkoi.

Në këtë përvjetor, ne jo vetëm që kujtojmë dhe nderojmë, por edhe reflektojmë. Sakrifica e dëshmorëve të Koshares na obligon të ndërtojmë një shtet të drejtë, demokratik dhe të zhvilluar. Liria për të cilën ata dhanë jetën nuk është një arritje e përfunduar, por një përgjegjësi e përhershme për brezat që vijnë.

Kosharja është më shumë se histori, ajo është frymëzim. Ajo na kujton se liria fitohet me sakrificë, mbrohet me përkushtim dhe forcohet me unitet. Ajo është një thirrje për të mos harruar kurrë rrugën që kemi kaluar dhe çmimin që kemi paguar për të qenë të lirë.

Në një kohë kur bota përballet me sfida të reja dhe kur historia shpesh vihet në provë, ne duhet të qëndrojmë të palëkundur në vlerat për të cilat u luftua në Koshare: liri, dinjitet dhe bashkim kombëtar. Këto janë vlera universale që i japin kuptim sakrificës dhe që e bëjnë atë të pavdekshme.

Sot, ndërsa përkujtojmë këtë përvjetor të shenjtë, le të përsërisim me krenari dhe përulësi: Lavdi dëshmorëve të Betejës së Koshares! Lavdi luftëtarëve të lirisë! Lavdi popullit që nuk u dorëzua kurrë!

Kujtimi i Koshares do të jetojë përherë në zemrat tona, si një dritë që ndriçon rrugën e së ardhmes sonë dhe si një amanet që na obligon të jemi të denjë për sakrificën e atyre që ranë për liri.

Lavdi e përjetshme!

Filed Under: Opinion

Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës

April 8, 2026 by s p

Plot 89 vite më parë, erdhi në jetë “Lahuta e Malcís” një prej kryeveprave letrare më autentike të përkatësisë sonë kombëtare, epika më e lavdishme në vargje, vetë “Iliada” shqiptare. Në zemrën e Shkodër, në shtypshkronjën e përvujtë e njëherazi madhështore të Shtypshkronja Françeskane, doli në dritë e plotë një vepër që nuk ishte thjesht libër, ishte një kumt, një betim, një kambanë që binte për ndërgjegjen e një kombi. “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishta. Ajo nuk u botua atë ditë si një ngjarje letrare e zakonshme, ajo u shfaq si një akt themelimi, si një ngrehinë shpirtërore ku fjala shqipe merrte trajtën e një monumenti.

Më 8 prill, kur kalendari i letrave shqipe shënon përvjetorin e botimit të plotë të “Lahutës së Malcís” (1937), ne nuk përkujtojmë thjesht një libër, por lartësimin e një monumenti që u gdhend për tridhjetë vite me radhë në Shtypshkronjën Françeskane të Shkodrës. At Gjergj Fishta nuk hodhi në letër thjesht 15.613 vargje, ai thuri aty korracën mbrojtëse të qenies sonë, duke e kthyer dialektin gegë në një gjuhë hyjnore që i bën ballë harresës dhe tjetërsimit. Ky përvjetor na fton në një reflektim të thellë mbi atë që mund ta quajmë “Bibla Kombëtare” e shqiptarëve.

“Lahuta e Malcís” lindi nga një shqetësim i madh, pothuajse metafizik. Fishta e ndjeu në “pejëzit e shpirtit” rrezikun që i kanosej trojeve arbnore teksa muzgu i gjatë osman po jepte shpirt. Në atë horizont të mjegullt, ku shfaqeshin hijet e huaja që kërkonin të copëtonin Hotin, Grudën dhe Plavën, Fishta thirri në ndihmë muzat e maleve. Vepra nuk është thjesht një kronikë luftash; është një akti i mbijetesës së genit. Ajo dokumenton Lidhjen e Prizrenit, rrebeshet e Kongresit të Berlinit dhe dridhjet e Pavarësisë, duke i shndërruar ngjarjet historike në një arkivë poetike ku arti dhe historia bëhen një.

Siç vëren me mprehtësi studiuesi Behar Gjoka, kjo vepër është akti më i lartë i përfaqësimit të trinomit: Gjuhë, Fe, Atdhe. Për dekada me radhë, ideologjitë e mbrapshta tentuan t’i gjymtonin këtë trinom, duke dashur t’i “humbnin” gjuhën dhe ta linin vetëm si një binom të cunguar. Por gjuha e “Lahutës” është e pamposhtur. Ajo është “pallati më i lartë” i shqipes, një ndërtesë epike ku çdo varg i tetërrokësh tingëllon si goditje çekani mbi kudhën e historisë. Fishta nuk shpiku një botë, ai e mori lëndën nga eposi popullor dhe e ngriti atë në shkallën e një letërsie botërore, duke u bërë, siç thotë Prof. Xhevat Lloshi, arkitekti i një “ndërtese epike letrare” që i bën nder familjes së poemat homerike.

Historia e pritjes së kësaj vepre është po aq dramatike sa vetë poema. Ka një dhimbje të thkshme në mënyrën se si “Lahuta” u trajtua pas Luftës së Dytë Botërore:

Ata që e lexuan: E çmuan si “Vade Mekum” (udhërrëfyes) të çdo atdhetari dhe si një “monument klasik të rodit trako-ilir”. Ata që e mohuan: E etiketuan si reaksionare ose e hodhën si “leckurinë” pa vlerë, shpesh pa e lexuar fare, vetëm sepse arti i Fishtës ishte një pengesë e pakapërcyeshme për doktrinat internacionaliste që kërkonin të fshinin kufijtë e identitetit kombëtar.

“Kryevepra e tij, ‘Lahuta e Malcís’, është çmuar si Bibël kombëtare dhe është quajtur, përmendore kombëtare, monument klasik i rodit trako-ilir; udhëndriçues për ata që dëshprohen…”, Rexhep Qosja. Sot, kur pluhuri i ideologjive ka rënë, “Lahuta e Malcís” na shfaqet e pastër, si një klithmë lajmërimi që vjen nga thellësitë e shekujve. Ajo mbetet udhëndriçuesi ynë në kohë rreziku, dëshmia e gjallë se gjuha shqipe është streha e fundit dhe më e sigurt e një kombi. Rileximi i Fishtës në këtë 8 prill nuk është thjesht një akt ceremonial, por një ribashkim me veten. Është pranimi i një trashëgimie që na kujton se, përderisa të ketë frymë shqiptare që shqipton vargjet e tij, “Lahuta” do të vazhdojë të kumbojë si shpirti i pavdekshëm i Arbërit.

Në këtë përvjetor të botimit të saj të plotë, “Lahuta e Malcis” nuk lexohet vetëm si një relike e së kaluarës. Ajo vjen si një zë që ende flet, si një lahutë që ende kumbon në ndërgjegjen tonë. Sepse sa herë që një komb rrezikon të harrojë vetveten, janë këto vepra që e rikujtojnë se kush është, nga vjen dhe për çfarë duhet të qëndrojë. E në këtë përmasë, vepra e Fishtës mbetet jo vetëm një monument i letërsisë shqiptare, por një testament i pavdekshëm i shpirtit arbnor.

Albert Vataj

Filed Under: Opinion

“Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut

April 7, 2026 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

“Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut dhe shprehin mbështetjen e plotë për kërkesat legjitime të studentëve shqiptarë për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Kjo nuk është thjesht një çështje teknike apo administrative është një test i drejtpërdrejtë i shtetit të së drejtës, i barazisë para ligjit dhe i respektimit të të drejtave themelore të një komuniteti shtetformues.

Për këtë arsye, bëjmë apel të fortë dhe të qartë për zbatim të menjëhershëm dhe të drejtë të ligjit, në mënyrë që të shmangen tensionet e panevojshme dhe të ruhet stabiliteti institucional në vend.

Studentët shqiptarë kanë dëshmuar qytetari të lartë duke marshuar në mënyrë paqësore drejt Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar zgjidhje konkrete dhe urgjente nga ministri Igor Fillkov.

Heshtja apo zvarritja përballë një kërkese të drejtë vetëm sa e përkeqëson situatën.

Partite politike Shqiptare ne Maqedoni tashme te diskretituara prej shume vitesh kane shitur interesat kombetare dhe jane kthyer ne vegla sherbetore te Serbise dhe Maqedonise.

Sigurisht qe baza e tyre e mbeshtetjes eshte politika anti-shqiptare e Rilindjes ne Tirane e cila vazhdon mbeshtetjen e interesave serbe ne rajon.

Edhe kryeministri Kurti duhet te kishte mbajtur qendrim tjeter ne lidhje me perfshirjen e tij ne politiken e partive shqiptare, duke mos lejuar percarjen e tyre. Tashme gjate muajve ne vijim do ta ndjekim me afer qasjen e tij ne kete drejtim, me qellim qe te kuptojne me mire objektivat e tij politike ne Maqedoni.

Diaspora Shqiptaro-Amerikane mbështet fuqimisht të drejtën e tyre për arsim të barabartë, për përdorimin e gjuhës shqipe dhe për respektimin pa kompromis të ligjit.

Në këtë kontekst, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve kushtetuese: Presidentit, Kryetarit të Parlamentit, Kryeministrit, Gjykatës Kushtetuese si dhe të gjitha forcave politike, shqiptare dhe maqedonase, që të veprojnë pa hezitim, me përgjegjësi të plotë shtetërore dhe me vizion, për të realizuar kërkesat e studentëve në mënyrë të drejtë dhe urgjente.

Çdo vonesë është e pajustifikueshme. Çdo shmangie është e rrezikshme.

Në një kohë kur situata gjeopolitike ndërkombëtare është më e tensionuar se kurrë, ruajtja e stabilitetit të brendshëm dhe e harmonisë ndëretnike është interes jetik kombëtar.

Ka ardhur momenti që institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të tregojnë vendosmëri reale dhe përgjegjësi shtetërore për drejtësi, për barazi dhe për të ardhmen e përbashkët të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

Filed Under: Opinion

E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

April 6, 2026 by s p

Isuf B.Bajrami/

“Barazia për të drejtën e gjuhës amtare nuk është luks, por një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme që lidhet drejtpërdrejt me identitetin, dinjitetin dhe mundësitë e barabarta në shoqëri.”

E drejta për përdorimin e gjuhës amtare është një komponent themelor i të drejtave të njeriut dhe i barazisë substanciale. Në arsimin e lartë, kjo e drejtë garanton pjesëmarrje të barabartë në procesin akademik dhe mundësi reale për avancim profesional.

Në Shkup, studentët shqiptarë përballen me pengesa të vazhdueshme në ushtrimin e së drejtës për të dhënë provime në gjuhën shqipe, pavarësisht që kjo e drejtë është e garantuar kushtetueshëm dhe ligjërisht¹. Ky hendek midis ligjit dhe praktikës cenon të drejtat themelore të grupit etnik shqiptar, që është autokton dhe bashkë-shtetformues, dhe ndikon negativisht në avancimin akademik.

Konteksti historik dhe politik

Para Marrëveshjes së Ohrit (2001), shqiptarët autoktonë përballeshin me diskriminim sistematik në administratë dhe arsim, dhe përdorimi i gjuhës shqipe ishte i kufizuar ose i ndaluar në institucionet shtetërore². Pas Marrëveshjes së Ohrit, u vendosën bazat ligjore për njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në nivel lokal dhe administrativ, duke përfshirë arsimin³. Megjithatë, implementimi në arsimin e lartë mbetet i fragmentuar, sidomos për provimet në jurisprudencë dhe lëndët praktike⁴.

Konteksti ligjor dhe kushtetues

Kushtetuta e vendit

• Nenet 7 dhe 9 të Kushtetutës garantojnë barazi dhe ndalojnë diskriminim mbi baza gjuhësore dhe etnike⁵.

• Institucionet publike, përfshirë universitetet, kanë detyrim të sigurojnë të drejta gjuhësore për të gjithë qytetarët⁵.

Ligji për arsimin e lartë

• Universitetet duhet të ofrojnë vlerësim të drejtë dhe jodiskriminues, duke përfshirë përdorimin e gjuhës amtare⁶.

• Çdo pengesë administrative që ndalon përdorimin e gjuhës shqipe konsiderohet shkelje ligjore⁶.

Ligji për përdorimin e gjuhëve

• Ligji për përdorimin e gjuhëve (2018) shton detyrimin për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe arsimin publik⁷.

• Pengesat sistematike në provime përbëjnë shkelje të qartë ligjore dhe kushtetuese⁷.

Standardet ndërkombëtare

Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR)

Nenet 26–27 të Pactit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike garantojnë barazi dhe ndalojnë diskriminimin mbi baza gjuhësore¹¹. Komiteti për të Drejtat e Njeriut nënvizon detyrimin e shtetit për të eliminuar çdo formë diskriminimi dhe për të siguruar zbatimin praktik¹¹.

Këshilli i Evropës

Framework Convention for the Protection of National Minorities kërkon promovimin e identitetit gjuhësor dhe akses të barabartë në arsim¹². Jurisprudenca e ECHR ka vendosur se pengesa administrative për përdorimin e gjuhës amtare mund të përbëjë shkelje të të drejtave të njeriut¹³.

Bashkimi Evropian

Kriteret e Kopenhagës kërkojnë respektimin e të drejtave të grupeve etnike autoktone dhe sundimin e ligjit¹⁴. Moszbatimi praktik i këtyre të drejtave përbën pengesë për integrimin evropian¹⁴.

Të dhëna dhe statistika

• Rreth 40% e studentëve në Universitetin “Nënë Tereza” janë shqiptarë¹⁵.

• Vetëm 30% e provimeve mund të jepen në gjuhën shqipe, kryesisht për lëndët teorike¹⁵.

• Mungesa e materialeve akademike dhe stafit të kualifikuar rrit pengesat administrative dhe akademike¹⁶.

Shembuj konkretë:

• Studentët shqiptarë shpesh detyrohen të japin provime në maqedonisht, pavarësisht se ligji u lejon të zgjedhin gjuhën amtare¹⁶.

• Stafi i fakultetit shpesh nuk ofron konsultime në gjuhën shqipe, duke penguar përgatitjen për provime dhe avancimin akademik¹⁶.

Problemet kryesore

1. Moszbatim sistematik i provimeve në gjuhën shqipe.

2. Diskriminim indirekt ndaj studentëve shqiptarë në avancim akademik.

3. Kontradiktë midis deklaratave ndërkombëtare dhe praktikës lokale.

4. Mungesë mekanizmash monitorimi dhe auditimi për zbatimin e ligjit.

Dimensioni politik dhe ndërkombëtar: Takimi në SHBA

• SHBA shpesh promovon të drejtat e grupeve etnike autoktone dhe përdorimin e gjuhës shqipe në forume ndërkombëtare¹³.

• Realiteti në vend tregon një hendek të qartë midis deklaratave dhe praktikës: institucionet nuk mundësojnë provime në gjuhën shqipe në mënyrë sistematike¹³.

• Ky hendek tregon një standard të dyfishtë dhe cenon kredibilitetin institucional dhe reputacionin ndërkombëtar¹³.

Përfundime dhe rekomandime

Përfundime:

• E drejta për përdorimin e gjuhës shqipe është e garantuar ligjërisht dhe kushtetueshëm.

• Moszbatimi në praktikë është shkelje e rendit kushtetues dhe cenim i barazisë.

• Dualizmi midis deklaratave ndërkombëtare dhe praktikës dobëson kredibilitetin institucional.

Rekomandime:

1. Sigurimi i provimeve në gjuhën shqipe në mënyrë sistematike.

2. Krijimi i mekanizmave mbikëqyrës për zbatimin e ligjit.

3. Përfshirja e SHBA dhe organizatave ndërkombëtare në monitorimin e situatës.

4. Harmonizimi i praktikës me standardet e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

5. Përdorimi i gjuhës shqipe si shembull real në forume ndërkombëtare, jo vetëm në deklarata diplomatike.

Filed Under: Opinion

VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT

April 5, 2026 by s p

Të dashur bashkombas të besimit Katolikë

Më lejoni që në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, të familjes sime dhe në emrin tim personal t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar dhe Përshumëvjet Pashkët.

Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë me ju e familjet tuaja.

Ngjallja e Krishtit, festa më e madhe në besimin e Krishterë, na mbush me gëzim, me forcë, me besim, me shpresë, me fuqi dhe dashuri.

Ngjallja e Krishtit është festë e jetës, festë e së mirës, festë e dritës, festë e dashurisë, festë e së vërtetës hyjnore.

Pashka e vitit 2026 le të përcjellë për të gjithë ne më shumë optimizëm, shpresë, prosperitet, paqe dhe dashuri për çdo shqiptar anëkënd botës.

Zoti i shpërbleftë zemrat e shpirtrat e atyre që falin, japin e luten.

Kjo festë e madhe, qoftë për secilin prej nesh një moment hyjnor paqeje, ripërtëritjeje e reflektimi shpirtëror.

Zoti ju bekoftë të gjithëve.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Dr. Elmi BERISHA

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Paradoksi i Samitit të Diasporës së Shqipërisë
  • ZËRI QË NUK SHUHET: NË KUJTIM TË LAHUTARIT TË MADH TË MALËSISË SË MADHE, JONUZ DELAJ
  • Po Itaka ime sa larg është?
  • Samiti dhe koha e diasporës si aktor e faktor jo vetëm si dekor…
  • Nga “city upon a hill” tek “America First”: reflektime mbi një kthesë që po trondit botën
  • KOL TROMARA – DREJTUES I FEDERATËS “VATRA”, VEPRIMTAR I DIASPORËS SHQIPTARE DHE FIGURË E RËNDËSISHME E LËVIZJES KOMBËTARE
  • Letërsia si dëshmitare e kohës dhe pafuqisë për ta ndryshuar atë…
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton
  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT