• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani u pritën në takim nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken

July 27, 2022 by s p

Washington, 26 korrik 2022

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu u pritën në takim nga Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken.

Sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës dhe i falënderoi liderët për mbështetjen e tyre të fuqishme në çështje me rëndësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai shprehu mirënjohje për pranimin e afganëve në Kosovë, mbështetjen për Ukrainën që nga ditët e para të fillimit të agresionin rus atje, si dhe punën e përbashkët në aspekte tjera.

Duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e ShBA-së, në takim u vlerësua lart partneriteti dhe aleanca ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës. U theksuan raportet bilaterale shtetërore të shkëlqyeshme dhe mundësitë për avancimin e tyre, veçanërisht në rrafshin ekonomik, me shtim të investimeve dhe me rritje të shkëmbimeve tregtare.

Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës është rrëfim suksesi i dyfishtë, i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit dhe ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë, dhe së dyti, është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik.

U bisedua për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në takim u diskutua për demokratizimin e rajonit si dhe fuqizimin e aleancave vlerore e politike për t’u ballafaquar me ndikimet dhe rreziqet që i kanosen rajonit të Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi i Kosovës në Programin Partneriteti për Paqe të NATO-s, si dhe ngritja e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë së Kosovës, u tha se do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë të mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë me ShBA-në në NATO, u theksua se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin. Synojmë që siguria e Kosovës të ketë për partner edhe të padiskutueshëm por edhe gjithnjë më të fuqishëm ShBA-në, tha Kryeministri Kurti.

U diskutua për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër , në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.

Në takim u ritheksua që Republika e Kosovës deri më tani është angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut, dhe se është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Filed Under: Opinion

Kosova e lirë të mbetet borxh, Adem Demaçi

July 26, 2022 by s p

Dr. Lulzim Nika/

(Në kujtim të Adem Demaçit, simboli i lirisë së Kosovës)

Partitë politike, një pjesë e tyre, pa një strukturë të mirëfilltë kombëtare, duke u sunduar nga njerëz të fuqishëm e që nuk ishin në shërbim të Kosovës, por në sundimin e lirisë se saj, nuk denjuan, nuk deshën a nuk patën guxim, një Zot e di, që ta propozonin e lëre më ta zgjidhnin president të Kosovës, simbolin tonë të rezistencës, Adem Demaçin.

Liria i verboi dhe për më keq i bëri të harrojnë edhe të kaluarën, duke vrapuar pas përfitimeve personale dhe duke krijuar rrethe servilësh, që iu thurnin lëvdata se ju jeni vetë historia e Kosovës.

President u zgjodh askushi e gjithkushi, por jo veprimtari më i pathyeshëm i lirisë së Kosovës. Shumica e krerëve te partive politike nuk e kishin përjetuar as edhe një ditë burg të pushtuesit serb, por kjo nuk ishte arsyeja se pse nuk e donin Adem Demaçin president, ju pengonte qëndrueshmëria e bindjeve të tij dhe e idealit të tij, për Kosovën sovrane!

Vazhdimësia dhe qëndrueshmëria politike e Adem Demaçit, ishte farkuar me kohë dhe e gjejmë të ndërlidhur me idealin e shqiptarizmës, që qysh pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur udhëheqësit e Organizatës Nacionale Demokratikë Shqiptare, filluan aktivitetin politik për liri e Kosovës, u vranë, u ekzekutuan, e u burgosën dhe u ndoqën nga Kosova, shumë anëtarë të saj do të vazhdojnë aktivitetin politik e patriotik në organizata të tjera. Edhe pse parimet politike, strategjike dhe organizative të ONDSH-së nuk do të kenë ndikim të madh në organizatat e mëvonshme ilegale në Kosovë, megjithatë idetë dhe qëllimet politike do të mbesin të njëjta; çlirimi i tokave të robëruara shqiptare dhe bashkimi i tyre në një shtet shqiptar.

Baza e riorganizimit të veprimtarisë ilegale në Kosovë ishin vendosur në vitet 1956-1963. Në këtë periudhë veprojnë dy udhëheqësit më të shquar të lëvizjes ilegale në Kosovë, Adem Demaçi dhe Metush Krasniqi. Që të dy, pavarësisht nga trysnitë ideologjike, aktivitetin e lëvizjes kombëtare ilegale e mbështesin në platformën kombëtare, duke krijuar një strategji të re për një luftë a rezistencë më afatgjate të popullit shqiptar të robëruar, duke mbajtur gjallë idenë e lirisë, gatishmëria e flijimit për të dhe besimin e pathyeshëm në çlirimin e pjesës së ndarë të popullit shqiptar.

Kështu, Adem Demaçi, u shndërrua në simbol, në shpirt dhe në shpresë të lëvizjeve ilegale. Përkundër dhunës dhe burgosjeve ndaj anëtarëve të lëvizjeve ilegale e patriotike të kohës, veprimtaria e tyre ishte e pandalshme drejt lirisë.

Askujt më mirë se sa Adem Demaçit dhe veprimtarisë së tij, nuk i rri, ky përshkrim i Presidentit Regan, që në nderim të Ditës s Përkujtimit të ushtarëve të rënë amerikanë, më 1988, tha: “Për të mbajtur besimin me të vdekurit tanë të shenjtë, le të jemi të sigurt dhe shumë të sigurt, sot dhe çdo ditë të jetës sonë, se ne e ruajmë kauzën e tyre, shpresën e tyre, lutjen e tyre, përgjithmonë të vendit tonë.”

LAVDI VEPRËS SË ADEM DEMAÇIT!

Filed Under: Opinion Tagged With: Lulzim Nika

PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË SHKËLQESIA E TIJ Z.BAJRAM BEGAJ I DREJTOHET POPULLIT SHQIPTAR

July 25, 2022 by s p

FJALA NË CEREMONINË E MARRJES SË DETYRËS :

I nderuar Zoti Meta,

E nderuar Zonja. Kryetare e Kuvendit,

I nderuar Zoti Kryeministër,

E nderuar Kryetare e Gjykatës Kushtetuese,

E nderuar Presidente Osmani,

Shkëlqesi Ambasadorë dhe Autoritete të Larta Shtetërore Të nderuar Miq e të Ftuar,

Të dashur qytetarë dhe bashkëkombës!

Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen.

Dëshiroj të falënderoj Presidentin Meta, për përmbushjen e detyrës, komunikimin institucional e personal që patëm gjatë kohës që unë, ushtrova detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura si dhe gjatë periudhës së transferimit të detyrës.

Për mua sot është një ditë e veçantë, padyshim dita më e rëndësishme e jetës sime.

Jam përpara jush dhe ju drejtohem me nderin dhe privilegjin më të madh të një individi, të zgjedhur në postin më të lartë të shtetit, atë të Presidentit të Republikës.

Ky besim, më ngarkon me përgjegjësinë më të madhe ndaj qytetarëve të kombit tim, ndaj historisë së shtetit tonë, ndaj partnerëve të Shqipërisë, por edhe ndaj miqve dhe familjes time.

Sot u betova për besnikëri ndaj Kushtetutës e ligjeve të vendit, për të respektuar të drejtat dhe liritë e shtetasve, për të mbrojtur Pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar.

Do të jem shërbëtor i popullit tim, përfaqësues i unitetit tonë kombëtar, mbështetës i palëkundur i rrugëtimit euro-atlantik për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, e kudo që ata jetojnë e punojnë.

Do të jem kontribues dhe përkrahës i komunikimit e bashkëpunimit, i nismave dhe ideve që zhvillojnë e çojnë përpara shoqërinë tonë.

Dialogu dhe bashkëpunimi, midis forcave politike, shoqërisë civile, komuniteteve fetare, të pakicave kombëtare, dëgjimi i vëmendshëm i zërit të medias së lirë, transparente dhe të vërtetë, respektimi dhe pranimi i debatit mundëson që forca e tij të mishërohet në mirëqenie, zhvillim e progres për qytetarët dhe vendin.E ardhmja e vendit është përgjegjësi e të gjithëve.

Interesi ynë i përbashkët mbetet konsolidimi i institucioneve, të cilat kanë përgjegjësinë, për të garantuar sigurinë e vendit; për të forcuar liritë e të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës, për të mbrojtur dhe promovuar interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen, për të ruajtur identitetin kombëtar, për të sotmen dhe brezat e ardhshëm.

Sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunim i klasave politike.

Vetëm një bashkërendim i tillë do të na mundësojë të arrijmë objektivat tona kombëtare.

Unë do të inkurajoj dhe mbështes çdo veprim, për të arritur marrëdhënie të shëndosha ndërmjet institucioneve kushtetuese.

Të garantosh zbatimin e Kushtetutës nënkupton zbatimin e ligjit edhe për të ndëshkuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Të vijojmë në rrugën e reformës në drejtësi, jo thjesht sepse ky është një kusht thelbësor në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por edhe sepse ndërtimi i një sistemi gjyqësor të pavarur, dhe me integritet, garanton luftë pa kompromis kundër korrupsionit e krimit të organizuar, të cilat gërryejnë shoqërinë, thellojnë pabarazinë e padrejtësinë sociale, si dhe cenojnë rëndë sigurinë kombëtare.

Reforma në Drejtësi me ndihmën e aleatëve tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Bashkimin Europian, po jep frytet e saj.

Përfitoj këtu nga rasti të shpreh mirënjohjen për ndihmën e pakursyer të partnerëve tanë euroatlantike.

E po ashtu e gjej të udhës të ritheksoj se tek Shqipëria dhe shqiptarët, miqtë tanë do të gjejnë kurdoherë partnerin e tyre të besuar.

Unë kam privilegjin, që të marrë detyrën në një nga momentet më të rëndësishme të shtetit shqiptar në raport me aspiratën, vlerat dhe ëndrrën tonë europiane.

Mbajtja e Konferencës së pare Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, është një arritje e madhe, mëse e merituar nga Shqipëria dhe shqiptarët, falë reformave të ndërmarra.

Pas një rrugëtimi të gjatë, me shumë përpjekje, sfida dhe detyrime, kjo ngjarje shënon vetëm fillimin e një kapitulli të ri, në të cilin do duhet të jemi të gjithë bashkë, krah për krah.Shqipëria megjithëse e vogël, dëshmon me krenari se edhe popujt e vegjël prodhojnë siguri dhe kontribuojnë në sigurinë rajonale dhe globale.

Ky fakt provohet nga angazhimi ynë në arenën ndërkombëtare – angazhimi diplomatik në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe angazhimi i Shtetit Shqiptar, për të dënuar agresionin rus ndaj integritetit territorial të një vendi sovran si Ukraina.

Njëzëshmëria e klasës politike shqiptare për të mbështetur kauzën e popullit ukrainas, por edhe gjestet individuale të qytetarëve tanë, në mbështetje dhe ndihmë të popullit ukrainas, tregojnë gjithashtu se ne dimë të jemi së bashku për kauza të mëdha.

Qenia jonë në NATO, rreshtimi ynë në këtë aleancë moderne, angazhimi me përkushtim i Forcave tona të Armatosura, e bën Shqipërinë më të fortë, më të qetë dhe më të sigurte.

Por lufta në Ukrainë tregon se siguria dhe paqja e qëndrueshme nuk dhurohen, ato fitohen. Ndaj një nga detyrat më të rëndësishme të një vendi është të garantojë sigurinë e tij.

Ne jemi të vetëdijshëm që faktorët e rrezikut kanë ndryshuar.Në ushtrimin e mandatit tim, vëmendja ndaj çështjes së sigurisë kombëtare do të jetë gjithmonë e madhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët që janë të ngarkuar nga ligji.

Të rishikojmë Strategjinë tonë të Sigurisë Kombëtare, për të pasur një reagim të menjëhershëm.

Të sigurojmë jo thjesht mbrojtjen nga kërcënimi, por të punojnë për parandalimin e elementëve që kërcënojnë sigurinë e vendit tonë.

Është përgjegjësi për të gjithëve ne, të mendojmë për adresimin e situatave me të cilat përballemi.

E gjithë shoqëria duhet të angazhohet, të diskutojë hapur dhe me kurajo, të përfshihet në mënyrë aktive për të forcuar dhe zgjeruar themelet e demokracisë.

Themele ku Edukimi dhe Arsimimi, përbëjnë pa dyshim dy nga shtyllat kryesore me një ndikim vendimtar në emancipimin dhe progresin e shoqërisë.

Edukimi është ushqimi i shpirtit, arsimimi është pasqyra ku ne shohim përparimin tonë dhe çelësi i suksesit.

Shqiptarët kanë ditur ti përdorin këto dy elementë për të mirën e tyre, për një familje dhe shoqëri të shëndetshme.

Vendi ka nevojë për politika e nisma të guximshme dhe efektive. Politika që rrisin besimin në drejtësi, ekonomi, shëndetësi, edukim dhe arsim, për një të ardhme siç e meritojnë qytetarët, siç e dëshiron rinia me energjinë, meritat dhe talentin e saj, dhe si e ëndërrojnë fëmijët me çiltërsinë e tyre.

Ndaj ne, populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë: me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit, të punojmë të gjithë së bashku për atdheun tonë, Shqipërinë.

Zoti bekoftë Shqipërinë dhe Shqiptarët!

Filed Under: Opinion

NË GRACKËN E INTERNETIT, TË MITURIT DHE ADOLESHENTËT NË RREZIK

July 23, 2022 by s p

Eva Marku/

Vetëm 15 vjeçe! E përndjekur nga një 32 vjeçar i martuar, që kishte arritur ta mashtronte, e më pas të abuzonte me të. Videot intime me adoleshenten i kishte shpërndarë te katër persona të tjerë. Ky ishte fillimi i makthit për 15 vjeçaren.

Kërcënime e shantazhe ndaj saj për të kryer marrëdhënie seksuale, ndaj të cilave u dorëzua. Marrëdhëniet seksuale të përsëritura e kishin shkatërruar psikologjikisht adoleshenten, që më në fund kërkoi ndihmë. Të pestë personat e përfshirë në këtë skandal, u vunë në pranga. Por makthet e vajzës nga Mirdita nuk kanë për t’u larguar kurrë. Ashtu si edhe rastet e tilla, në një botë që ka ndryshuar kryekëput, që kur interneti u bë pjesë e pandalshme e jetës së fëmijëve dhe adoleshentëve.

Bota virtuale nga dita në ditë bëhet më e pasigurt. Për këtë mjafton vetëm një kërkim në Google për të parë rastet e shumta që kanë bërë xhiron në mediat online dhe rrjetet sociale, që lidhen me abuzimin dhe shantazhin ndaj të miturve, veçanërisht ndaj vajzave minorene, të cilat bien pre e rreziqeve të shpeshta që teknologjia moderne iu ofron atyre.

Raporti i Policisë së Shtetit

Krimet kibernetike pothuajse janë trefishuar në dy vitet e fundit dhe po targetojnë një numër në rritje të miturish në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit.

Numri i krimeve në internet u rrit nga 166 raste të raportuara në vitin 2019 në 440 raste në vitin 2021, ndërsa gati 3 për qind e të dëmtuarve janë fëmijë.

Ekspertët e lidhin lulëzimin e krimeve kibernetike me pandeminë e COVID-19, e cila shtoi numrin e të miturve me akses në internet. Ata thonë gjithashtu se shifrat zyrtare janë vetëm “maja e ajsbergut”.

“Rastet e ngacmimeve dhe abuzimeve online me të miturit nga viti në vit kanë një rritje të frikshme” paralajmëron eksperti i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj.

“Një nder problemet kryesore në Shqipëri është padija e prindërve mbi teknologjinë dhe rreziqet që ajo sjell. Gjithashtu një pjesë e madhe e viktimave nuk bëjnë denoncim dhe kjo pamundëson organet kompetente në ndjekjen e këtyre rasteve,” shtoi ai, ku ndër të tjera këshillon si zgjidhje të këtij problemi ndërhyrjen e shtetit edhe në sektorin e arsimit për edukimin e të rinjve në parandalimin e shtimit të viktimave të krimit kibernetik.

“Shteti duhet me patjetër të bëjë pjesë të kurrikulave shkollore mbrojtjen online dhe çdo shkollë të japë seminare me detyrim për prindërit ku të diskutohen të gjitha tipologjitë e këtij krimi bashkë me rrisqet që paraqet për çdo te mitur”- përfundon Semanaj.

Nga fronti tjetër, psikologët dhe punonjësit socialë që përballen në përditshmërinë e tyre në ambientet e shkollës, me të tilla raste, pohojnë se janë ngritur instanca të posaçme, grupe pune për t’u ofruar mbështetje dhe seanca këshillimi të fëmijëve dhe adoleshentëve në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnaz për rreziqet e internetit. Pjesë e kësaj nisme, të ndërmarrë nga Ministria e Arsimit, janë përfshirë edhe prindërit, që sipas psikologes Enerisa Guberaj, në shkollën 9-vjeçare “28 Nëntori”, kanë rol kyç në parandalimin e të tilla rreziqeve.

“Në fillim prindërit e kanë të vështirë ta besojnë një incident që i ka ndodhur fëmijës së tyre. Duke e lidhur dhe me një situatë që më ka ndodhur para disa vitesh dhe kanë qenë të dyzuar midis asaj që duhej ta besonin siç është versioni real që na ka thënë vajza apo ajo që na kanë thënë të tjerët. Por unë jam gjithmonë dakord me versionin që prindërit duhet të besojnë fëmijën e tyre dhe t’i krijojnë siguri e mirëkuptim që mos të kenë frikë të shprehen. Sepse nëse nuk e tregojnë të vërtetën kjo ndodh për shkak të tyre, prej presionit të madh që i krijojnë duke i bërë të kenë frikë të tregojnë e kërkojnë mbrojtje. Prindërit duan më të mirën për fëmijën e tyre dhe kur unë ua kam treguar gjendjen se si po ndihet fëmija në ato momente ata e kanë përkrahur 100%. Nëse në fillim kanë qenë 20%, më pas kanë reflektuar”- tregon ajo, duke theksuar se nga viti në vit, nxënësit e kanë humbur interesin për të komunikuar, për të mësuar pasi janë të përqendruar në rrjetet sociale.

Të njëjtin vlerësim të situatës jep edhe kolegia e saj, punonjësja sociale, Erminda Meshini, e cila thekson se fëmijët me prindër të divorcuar, janë më të rrezikuar.

“Përpos pjesës së divorcit janë dhe problemet e sjelljes së fëmijëve pasi janë të pakontrolluara. Mungesa e autoritetit tjetër, kryesisht të babait, pasi kryesisht fëmijët qëndrojnë me nënën sipas ligjit deri nën 18 vjeç. Nëna është e detyruar të punojë për një kohë të gjatë dhe fëmija e humb kontrollin, është i ekspozuar ndaj teknologjisë, rrjeteve sociale, rreziqeve të tjera që vijnë nga interneti ku ata navigojnë. Ne, si institucion, shkollë, bëjmë pjesën tonë, që është e rëndësishme gjithashtu, por kujtojmë që prindërit kanë një rol shumë më vendimtar në mirërritjen e fëmijës”, tregon zonja Meshini.

Ndërsa instancat arsimore presin më shumë nga përkujdesja e prindërve ndaj fëmijëve të tyre, nga ana tjetër këta të fundit shpresojnë pikërisht te këto institucione. Besa, është njëra nga mamatë, që punon me turne, së bashku me bashkëshortin e saj, i cili gjithashtu e ka të vështirë që t’i qëndrojë “mbi kokë” vajzës së vogël, 13-vjeçare, që çdo ditë i duhen para për në shkollë, sepse përndryshe bullizohet nga shoqëria. Ashtu sikurse edhe psikologia na tregoi në një intervistë të gjatë, se bullizmi është çështja më problematike te fëmijët.

“Është shumë e vështirë të kontrollosh në ditët e sotme, një fëmijë në moshën e adoleshencës, pasi punojmë me turne dhe më shumë fokusohemi te shkollimi dhe mirëqenia e tyre; duke u kujdesur për t’i siguruar një jetë komode me aq mundësi sa kemi. Ndonjëherë e kemi edhe të vështirë që të ulemi dhe të flasim me to për çështjen e adoleshencës sepse nuk jemi në një brez të tillë. Çdo gjë është ndryshe, por fatmirësisht mundohem ta kuptoj dhe ta këshilloj si një nënë, duke e ditur edhe ndryshimin e sjelljes në këtë moshë”, – tregon zonja Besa.

Raporti i CRCA-së

Fatkeqësisht faktet na pohojnë një të vërtetë të dhimbshme, që rastet nga viti në vit veçse sa shtohen, në vend që të ulen apo parandalohen. Edhe pse janë ngritur struktura të posaçme në ndihmë të çdolloj personi që ndihet i kërcënuar apo bullizuar në jetën e tij, siç është edhe Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA).

Në raportet e tri viteve të fundit, që kjo organizatë ka bërë, vihet re që ka rritje nga viti 2019-të në 2020-ën, ku janë 104 incidente të raportuara, 111 faqe të denoncuara në të parin dhe 193 raste, 6273 faqe në të dytin (2020-ën). Ndërkohë në 2020-ën, në platformën online ISIGURT.AL (të CRCA-së), janë denoncuar 93 raste, përfshirë 2885 faqe me përmbajtje të papërshtatshme për të miturit.

55% e rasteve janë raportuar përmes rrjetit social “Instagram”, 20% nga “Facebok” dhe pjesa tjetër nga Youtube, Tik-Tok, Snap Chat, Telegram dhe aplikacione të tjera.

Ankesat përkundrejt platformave apo faqeve të tjera janë më të ulëta, edhe pse disa prej tyre janë të lidhura me pornografi të fëmijëve, nuditetit apo gjuhën e urrejtjes ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve. 25% e rasteve janë pikërisht viktimë e gjuhës së urrejtjes, ndjekur pas nga vjedhja e adresave apo postimi i fotove të tyre të papërshtatshme në rrjetet sociale. Në 2020-ën janë 8 fishuar rastet e pornografisë me të mitur, krahasuar me 2019-ën. Gjithashtu edhe në 2021-in, 97% e faqeve të denoncuara kanë përmbajtje pornografike.

Mosha më e prekur është ajo 15-17 vjeç, ku vitin e kaluar 64% e denoncuesve kanë qenë djem, 32% vajza, por sikurse raporton edhe CRCA, tipologjia e ankesave është më e rëndë nga ana e të rejave, të cilat bien viktimë e shantazheve, vjedhjes së fotove, ngacmimeve seksuale, kërcënimeve dhe përndjekjes.

Tirana është qyteti që kryeson në të tilla raste, ndjekur nga Elbasani, Peqini, Vlora, e të tjera qytete.

Rastet abuzive

Shqipëria është tronditur nga krimet seksuale të ndryshme ndaj minorenëve. Një prej tyre është rasti i Abaz Dokut, 64 vjeçarit që abuzoi me nxënësen 15 vjeçare, të shkollës ku ai punonte si roje në Babrru.

Në 5 shkurt të këtij viti, katër djem të rritur, mbi 19 vjeç, kanë shantazhuar një 17 vjeçare përgjatë një muaji dhe i kanë marrë shuma të ndryshme parash në shumën 200 mijë lekë të vjetra deri në 8 mijë euro.

Apo rastin e tmerrshëm të Kavajës, ku një e mitur u përdhunua në grup nga moshatarët e saj, nxënës po në të njëjtën shkollë dhe klasë ku ajo ishte. E shumë të tjerë, që nuk mungojnë të pasqyruar ndoshta edhe në formën më të patetike në mediat sociale.

Të tilla raste kanë shokuar shoqërinë shqiptare, por rritja e numrit të rasteve tregon që duhet bërë më shumë. Në të kundërt, media shqiptare do të vazhdojë që të raportojë për abuzimet e monstrave!

Filed Under: Opinion Tagged With: eva marku

Kuvendi i Kosovës mbajti seancë të veçantë për nder të presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta

July 22, 2022 by s p

Nën udhëheqjen e kryetarit Glauk Konjufca, Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot në seancë të veçantë për nder të presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po qëndron në Kosovë, në vizitën e tij të fundit në cilësi të presidentit. Seanca filloi me intonimin e dy himneve, himnit kombëtar dhe himnit shtetëror të Republikës së Kosovës.

Duke i uruar presidentit Meta mirëseardhje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryetari Konjufca e falënderoi atë për gatishmërinë dhe e ftoi për t’iu drejtuar deputetëve me një fjalë rasti.

Në adresimin para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, presidenti Ilir Meta tha se kthimi në parlament pas pesë vitesh e gjen Kosovën me zhvillime madhore, si në ndërtimin e institucioneve demokratike, ashtu edhe në arritje të konsiderueshme në rrafshin ndërkombëtar.

Presidenti Meta tha se shteti i ri i Kosovës në shumë drejtime është shembull edhe për vendet e tjera të rajonit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

“Gjithçka e lidhë Shqipërinë me Kosovën. Tërësia identitare, historia, gjuha, besimi, kultura, tradita, zakonet, interesat dhe perspektiva euroatlantike. Kjo lidhje e pandashme Shqipëri- Kosovë i ka rrënjët tek gjaku i derdhur dhe sakrificat sublime të etërve të kombit dhe heronjve tanë më të lavdishëm, nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, tek Adem Jashari, nga Ismail Qemali tek Ibrahim Rugova”, tha presidenti Meta.

Kreu i shtetit shqiptar theksoi po ashtu se Kosova është një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon, duke hedhur themele të forta dhe të qëndrueshme të shtetndërtimit, duke përqafuar kështu vlerat dhe parimet më të larta demokratike, përkushtimin në funksionimin e demokracisë parlamentare, balancën e pushteteve dhe sundimin e ligjit.

Për më tepër, Meta tha se Shqipëria e mbështet fuqimisht çdo përpjeke të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare, por që ka hapësirë të kontribuojë akoma më shumë.

“Shqipëria i ka mundësitë dhe duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim. Si vend anëtar i NATO-s, anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit, si vend që sapo nisi negociatat e anëtarësimit në BE, Shqipëria ka një hapësirë veprimi ende të pashfrytëzuar sa duhet në dobi të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare”, theksoi presidenti shqiptar.

Meta tha se të dyja vendet tona duhet të mendojnë dhe bashkëpunojnë edhe në mënyrë më strategjike se deri tani, duke shtuar se përparimi drejt Bashkimit Evropian duhet të jetë mision parësor dhe i palëkundur.

Tutje, presidenti Meta potencoi se Kosovës duhet t’i hiqet sa më parë regjimi i vizave, duke thënë se shtetet që nuk e kanë njohur ende atë duhet të binden për ta bërë një gjë të tillë, pasi Kosova është rast sui generis.

Ai foli edhe për rëndësinë dhe pastërtinë e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Të krenohemi për lirinë dhe pavarësinë, por të qëndrojmë më vigjilentë ndaj rreziqeve të reja që na kanosen. Historia na e jep çdo të drejtë të krenohemi me luftën çlirimtare të UÇK-së, por të kujdesemi që kjo luftë të vazhdojë të mbetet e panjollosur siç e meriton. Të mbështesim kauzën heroike të luftëtarëve për tu mbrojtur dhe çliruar nga gjenocidi. Pafajësia e udhëheqësve që sot gjenden padrejtësisht në Hagë do triumfojë mbi çdo tentativë të pashpresë që synon t’i kthejë agresorët në viktima dhe viktimat në agresorë. Kosova është jo vetëm faktor paqeje, sigurie, stabiliteti por edhe demokratizimi dhe evropianizimi në rajon”, deklaroi presidenti Ilir Meta. ​

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 207
  • 208
  • 209
  • 210
  • 211
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT