• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në kohën moderne

May 4, 2022 by s p

Anila Nicklos, M.Ed., CDP

Këshilltare për Organizatat Partnere në Kabinetin e Kryetarit të Vatrës/

Ngjarjet e fundit botërore dhe sidomos lufta në Ukraine tregojne qartë se si situatat ndryshojnë menjëherë dhe sa delikate është jeta jo vetëm e një individi por edhe fati i një kombi. Për më tepër këto ngjarje botërore shërbejnë si mësim për mbarë njerëzimin. Por në qoftë se do të mbeshtetësha vetëm tek lufta në Ukrainë do të krijohej ndjesia se konfliktet e tjera nuk kanë rëndësi apo janë më pak të dhimbshme gjë që nuk do qëndronte mirë. Besoj që një individ në dhimbje apo një komb në dhimbje pa marrë parasysh gjeografine e tyre ka te drejtat e veta per menyren se si e perjeton dhimbjen (kualifikimin e dhimbjes sipas shkalles – e ulet, e larte, shume e larte) si edhe deshires (sa ndihme kerkon, pak apo shume) per tu ndihmuar. 

Sot dua te theksoj rendesine qe kane konfliktet boterore, ndikimin e tyre ne vendimet qe marrim ne te gjitha sferat e jetes, dhe sidomos kur bejme krahasimin me historine e popullit tone e njerezve tane ne pergjithesi pa marr parasysh ku jetojme dhe kontribojme.  Si vlere krahasimi ne kete moment eshte Ukraina per faktin e thjeshte se President Volodymyr Oleksandrovych Zelenskyy po fiton respekt mbare boteror per udheheqjen e kombit te tij dhe per menyren e re te udheheqjes qe ai po shpalos.  Shume miq me te cilet flas dhe diskutoj per situaten ne Ukraine flasin per shume aspekte te konfliktit por ne kete shkrim dua te cek dy ose tre aspekte. 

Para se te ndaj me ju mendimet e mia e diskutimet me miq do t’ju lutesha te mendonit per President Zelenskyy(n) …Cfare mendoni per te kur dikush permend emrin e tij ose kur i shikoni imazhin ne media? Ne syte e disa miqve ne rrethin tim, President Zelenskyy perfaqeson nje udheheqes te nje fryme te re e moderne, mbushur me trimeri, dashuri per kombin, dhe vetmohim, nje udheheqes qe komunikon ne nje nivel stelar mesazhin e tij ne arenen kombetare edhe nderkombetare.  

Per shqiptaret qe jetojne ne Amerike kuptohet qarte forca e nje udheheqesi te nje kombi per t’ju drejtuar Kongresit Amerikan ne te cilin ai i pergjerohet Amerikes per te ndihmuar Ukrainen.  Fjalimi i tij dhe videoja qe shoqeroi transmetimin virtual kishin nje kualiteti teper te larte.  Mesazhi ishte krijuar me vizionin e kultures amerikane dhe si perceptohen komunikimet ketu ne Amerike.  Nderkohe qe shkruaj kete artikull President Zelenskyy po i drejtohet Parlamentit Shqiptar (3 Maj, 2022).  Mesazhi pershtatet per Shqiperine dhe shqiptaret duke permendur edhe Shenjtoren Nene Tereza si edhe falenderimin per Shqiperine per mbeshtetjen per Ukrainen dhe per perkujdesjen e Ukrainasve ne Shqiperi.  Ne te dyja rastet respektivisht Kryetarja e Dhomes se Perfaqesuesve te Amerikes, Nancy Pelosi si edhe Kryetarja e Parlamentit Shqiptar, Lindita Nikolla perfundojne viziten virtuale me Presidentin Zelensky duke pershendetur “Slava Ukraini”.

Presidenti Zelenskyy mund te kish zgjedhur nje rruge te lehte dhe te largohej nga Ukraina qe ne fillimin e luftes.  Biles mund te permendet kuota e tij tashme e famshme e cila nuk eshte konfirmuar plotesisht, “Lufta eshte ketu; Une kam nevoje per municion, jo per nje udhetim”.  Ne fakt, jo vetem qe nuk u largua por me stilin e udheheqjes frymezoi popullin e tij dhe boten mbare.  Qendresa heroike, vizioni i lirise, komunikimi i shkelqyer tranformoj perspektiven e lidereve boterore dhe fokusoj vemendjen te Ukraina.   Analistet supozuan qe Ukraina do te dorezohej shume shpejt.  Por jo…  Aktualisht, lideret boterore vizitojne Presidentin Zelenskyy e gjithashtu ecin bashke rrugeve duke takuar njerez me te cilet shkembejne fjale prosperiteti dhe ne fund konkludojne me Slava Ukraini edhe ne muajin e trete pas fillimit te luftes. 

Kur flasim per Ukrainen flasim per nje shtet shume te madh, me nje popullsi prej 44.000.000 banore, nje shtet me nje ushtri te forte, nje nga eksportueset me te medhenj te dritherave ne bote.  Dhe pse nje vend me kete numer popullsije dhe me vitalitet te larte perseri fati i ketij kombi mberriti te vendosej me lufte. 

Shqiptaret kudo neper bote kane shprehur solidaritetin e tyre me Ukrainen dhe Ukrainasit.  Edhe nipi im nepermjet kompanise se tij ka derguar ndihma mjekesore direkt ne Ukraine.  Kush me shume e kush me pak po ndihmon.  Por barra e luftes rendon nga ata vete Ukrainasit.  Pikerisht ky fakt se te kush rendon lufta me ben prezent per historine e kombit tone.  Sot me shume se kurre shqiptaret duhen te mendojne per njeri-tjetrin me shume dashuri dhe te bejne te pamunduren qe te veprojne e te bashkepunojne me njeri-tjetrin.  Per shekuj kombe te tjera jane munduar te na percajne.  Ky fakt i vetem thekson me teper se sa shume pune kemi bere por edhe qe duhet te vazhdojme te bejme per te qene te bashkuar pa dallim feje, krahine e besimi politik.  Historia ka treguar se popujt qe kane perjetuar shkalle te larta tragjedije kane mesuar se ne ditet e veshtira i kane dale per zot vetes duke dashur me shume njeri-tjetrin e duke vendosur besimin tek njeri-tjetri.  Le te bejme te pamunduren per njeri-tjetrin.  

Gjithashtu, po duke u mbeshtetur te konflikti ne Ukraine… sic e permenda me lart, te jesh i pranishem ne Dhomen e Perfaqesuesve te Amerikes eshte fakt shume domethenes.  Eshte pjese e lidhjeve te forta te Diaspores Ukrainase ne Amerike, pjese e perpjekjeve te tyre dhe kontributit te tyre ne emer te bashkekombasve ne Ukraine.  Ndihma kolosale per Ukrainen permbyll nje cikel procesesh brenda dhe jashte Ukraines te cilat kur ekzekutohen ne menyre te shkelqyer e me mencuri prodhojne rezultate te tilla. 

Jam teper krenare per shqiptaret kudo qe jane.  Deshira dhe vizioni im personal per te gjithe ne eshte vazhdimi i perpjekjeve tona me qellim te qarte e te percaktuar, dashuria per njeri tjetrin, komunimikimi preciz, forcimi ekonomik, rritja e kultures tone, ndertimi i nje vendi te bukur jo vetem nga ana shpirterore por edhe vizuale.  Shqiptaret po arrijne maja te larta ne bote e kemi per borxh te kthejme sadopak te ketij potenciali drejt tokes meme dhe drejt njeri-tjetrit.  Ne karrieren time kam takuar njerez nga gjithe bota.  Kombet qe ecin perpara ndjekin parimin kryesor te dashurise per njeri-tjetrin.  Mos harroni do shume kohe te tejkalojme situatat dhe inskenimet e komshinjve.  Le te jemi te ndergjegjshem per to dhe te perqendrohemi e te mbeshtesim njeri tjetrin.  

Kur dikush mendon vetem per nje moment mund te minoj te ardhmen, por kur mendon per te ardhmen e kupton qe duhet te perqendrohesh te nje seri momentesh.  Le te ngreme ndergjegjen e shqiptarit dhe te kuptojme se e ardhmja jemi ne me nje seri momentesh….qofshin keto politike, ekonomike, edukuese, shpirterore, fetare, shendetesore si brenda ashtu edhe jashte tokes Ame.  Respekt per njeri-tjetrin.

Filed Under: Opinion Tagged With: ANILA NIKLOS

Letër nga Joseph J. DioGuardi: Shpëtoni Butrintin

May 1, 2022 by s p

URGJENT

Dr. Lazare Eloundou Assomo

Director

UNESCO World Heritage Center
7, Place de Fontenoy
75352 Paris CEDEX 07
France
Tel.: +33 (0)1 45 68 11 04

Email to: L.Duwyn-Estrade@unesco.org

8 prill 2022

Ref:  Rrezikimi i mundshëm i statusit të Butrintit si Vend i Trashëgimisë Botërore në Shqipëri

I nderuar Dr. Eloundou Asomo,

Unë jam një ish-anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara nga  Nju Jorku,  1985-1989, dhe jam gjithashtu President i të Vërtetës në Qeverisje, një organizatë publike monitoruese e përkushtuar ndaj përgjegjësisë fiskale në qeverisje.  Përveç kësaj, unë jam edhe themelues dhe President Lidhjes Qytetare Shqiptare Amerikane si dhe i Fondacionit Shqiptar Amerikan, dy organizata që nxisin angazhimin e zhdërvjellët të bashkësisë dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Si një person privat dhe i shqetësuar, në mbështetje të nenit 11(4) të Konventës Botërore të vitit 1972 po ju tërheq vëmendjen për disa kërcënime të mundshme, që janë, “serioze dhe të posaçme”, të cilat rrezikojnë Vendin e Trashëgimisë Botërore të Butrintit.  Unë po tërheq vëmendjen tuaj tek një reportazh i kohëve të fundit nga Zëri i Amerikës, i datës 6 prill 2022 rreth situatës në Vendin e Trashëgimisë Botërore në Butrint të titulluar: “Qeveria shqiptare vendos që Butrinti të menaxhohet nga një fondacion”, tek https://www.zeriamerikes.com/a/6517829.html

Me sa kam dijeni, qeveria e Shqipërisë, nën ndikimin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, një entitet me bazë në SH.B.A., ka ndryshuar Ligjin për Trashëgiminë Kulturore për t’i mundësuar një fondacioni privat që të menaxhojë Parkun Kombëtar të Butrintit. Më tej, unë kam mësuar nga reportazhi në Zërin e Amerikës se Qeveria e Shqipërisë ka pakësuar një hapësirë të konsiderueshme të mbrojtur në masën prej rreth 800 hektarësh brenda Parkut Kombëtar të Butrintit, “duke hapur rrugën për zhvillimin e turizmit”. 

Sikurse e dini, në vitin 1992 Butrinti u regjistrua në Listën e Vendeve të Trashëgimisë UNESCO. Në vitin 2000 u themelua zyrtarisht Parku Kombëtar i Butrintit, duke siguruar një menaxhim dhe mbrojtje efektive të tij përmes një larmie instrumentesh juridike të brendshme dhe ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Parisit dhe Konventën e Ramsarit. Unë jam besimplotë se autoritetet vendase në Shqipëri i kanë kapacitetet për ta administruar dhe menaxhuar vetë Butrintin, në pajtueshmëri të plotë me Konventën e vitit 1972l. Në fakt, si rrjedhojë e punës dhe përkushtimit të burimeve dhe kapaciteteve të brendshme njerëzore shqiptare, Butrinti në vitin 2005 u hoq nga lista e Vendeve të Rrezikuara të UNESCO-s dhe u ngjit në statusin që gëzon tani. 

Megjithatë, ndryshimet e fundit në legjislacionin përkatës shqiptare kanë çelur shtegun për ndryshimin e strukturës së menaxhimit të Butrinit përtej modelit të mirënjohur të Konventës së Parisit, ku Shtetet Palë kanë ekskluzivitetin e menaxhimit, duke aplikuar një menaxhim të ri, eksperimental, privat, i cili do të udhëhiqet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit. 

Unë e kam ngritur këtë problem me kanalet e duhura në qeverinë amerikane për shkak të dukshmërisë së theksuar të konfliktit të interesit në këtë çështje. Me të vërtetë, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit: 

  1. ka paguar për ekspertizën juridike të Projektligjit për Trashëgiminë Kulturore;
  2. ka lobuar për miratimin e tij në Kuvendin e Shqipërisë; dhe
  3. si “investitor strategjik” do të marrë de facto në dorë menaxhimin dhe kontrollin e Vendit të Trashëgimisë Botërore të Butrintit, në kundërshtim me modelin dhe parimet e Konventës së UNSECO-s, si dhe me praktikat më të mira të zbatuara në mbarë botën.

Në këtë drejtim, është politikë e vendosur dhe e qëndrueshme e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që Parqet Kombëtare, përfshirë Vendet e Trashëgimisë Botërore, menaxhohen vetëm dhe ekskluzivisht nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve (National Park Service), një agjenci e Departamentit të Brendshëm të Shteteve të Bashkuara.  

Prandaj është e pakuptueshme që një organizëm i bazuar në Shtetet e Bashkuara, siç është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, devijon nga kjo politikë e mirëpërcaktuar e Qeverisë së SH.B.A.-së, duke u përpjekur kësisoj që të krijojë një model të ri, “hibrid” në Shqipëri, ku menaxhimi transferohet nga duart e një qeverie sovrane tek një fondacion i kontrolluar nga jashtë.  

Duke iu referuar modelit “hibrid” që i është imponuar Shqipërisë, z. Michael D. Granoff, Kryetari i Bordit të  Drejtuesve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, në një aktivitet promocional për Butrintin vitin e kaluar, arriti deri atje sa të deklarojë sa më poshtë:  “Ne duhet të krijonim një model për të ardhmen, jo vetëm që të zbatohej për Butrintin, por që mundësisht të zbatohej në vendet e trashëgimisë historike jo vetëm në gjithë Shqipërinë, por  që mund të ishte një model për botën…” [theksimi i shtuar]. Me fjalë të tjera, çka ai dëshiron të thotë në të vërtetë është që le të rishpikim rrotën, harrojeni Konventën e vitit 1972, dhe le ta hedhim tutje modelin e mirëpërcaktuar të UNESCO-s. 

Më duhet të shtoj se një ekspert me famë botërore nga Izraeli, Prof. Giora Solar, duke përshkruar punën e tij të gjatë vitit 2012 në Butrint të komisionuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, deklaroi se “klienti im amerikan [d.m.th. Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit] nuk ishte fare profesional”. Ai shtoi më tej se, edhe pse Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit do të krijonte në instrument juridik të posaçëm për të menaxhuar Butrintin, kjo do të krijonte një konflikt interesi të hapur – duke shtuar se “ideja dhe sistemi janë të korruptuara”. [Gazeta Dita, 16 shtator 2020, tek https://tinyurl.com/c2jfkzhf]. 

Prandaj unë kërkoj që UNESCO dhe organizmat e veta të nisin sa më parë një hetim të thelluar ndaj këtyre shkeljeve të mundshme të Konventës së vitit1972, si dhe të parimeve dhe praktikave të UNESCO-s, të cilat rrezikojnë seriozisht statusin e Butrintit si Vend i Trashëgimisë Botërore.  

Lutem më kontaktoni lirisht nëse do të keni nevojë për informacione të mëtejshme. 

Sinqerisht,

Joseph J. DioGuardi

Filed Under: Opinion

GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU SIPAS GIOVAN BATTISTA (GIAMBATTISTA) MARINOS NGA VITI 1620

May 1, 2022 by s p

Frontespici i botimit te librit te G. B. Marinit, La Galeria…, nga viti 1620, Venedik
Frontespici i botimit te librit te G. B. Marinit, La Galeria…, nga viti 1635
Frontespici i botimit te librit te G. B. Marinit, La Galeria…, nga viti 1675
Frontespici i botimit te librit te G. B. Marinit, La Galeria…, nga viti 1620, Milano
Frontespici i botimit te librit te G. B. Marinit, La Galeria…, nga viti 1636
Poezia per Gj. K. Skenderbeun nga – Marino, La Galeria, f. 106
Portreti i G. M. Marinos

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Centar for Albanian Studies – Budpaest/

Literaturën burimore për Gjergj Kastriotin Skënderbeun janë përpjekur ta përmbledhin në botime të veçanta të specializuara bibliografike emra të njohur të historisë dhe bibliografisë jo vetëm shqiptare. Në këtë fushë, shquhet botimi i fundit “Bibliografi 1454-1835 – Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Tiranë, 1997,” në të cilin gjejmë botimet më kryesore për heroin kombëtar, por jo gjithçka çfarë është shkruar gjatë shekujve për të.

Gjatë punës kërkimore-hulumtuese nëpër biblioteka e arkiva të ndryshme të botës kemi hasur një numër jo të vogël veprash e autorësh të cilët nuk janë përfshirë në këtë bibliografi, por që kanë shkruar për Skënderbeun në veprat e tyre. 

Kësaj radhe do të flasim për poetin mjaft të njohur italian nga Napoli, Gian Battista Marino, i cili në veprën e tij “La Galeria del Cavalier Marino. Distinta in Pitture & Sculture” të shkruar në vitin 1619 dhe botuar po këtë vit, i kushton një poezi heroit tonë kombëtar. Meqenëse botimi i parë ishte me shumë gabime, autori, menjëherë në vitin vijues, pra më 1620, e riboton këtë vepër, dhe madje dy herë, fillimisht në Milano e pastaj në Venedik (Si ilustrim po sjellim frontespice e të dyja këtyre botimeve). Në botimin e Milanos, poezia për Gjergj Kastriotin Skënderbeun është në faqen 93, ndërsa në botimin e Venedikut në faqen 98. Ksombla e parë ruhet në Torino ndërsa e dyta në Paris. 

Meqenëse vepra u prit jashtëzakonisht mirë, ajo u ribotua disa herë në qytete të ndryshme dhe në periudha kohe të ndryshme, gjithnjë duke pasur në faqet e saj edhe poezinë për Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Ekzistojnë edhe disa botime të tjera të cilat i kemi konsultuar dhe frontespicet e tyre po i sjellim si ilustrim. 

Këto botime që njohim janë ai nga viti 1635 e shtypur në Venedik, ndërkohë që sot ksombla ruhet në Zagreb; ai i vitit 1636, shtypur po në Venedik, ksombla ruhet në Madrid si dhe botimi i vitit 1675, shtypur po në Venedik, ksombla ruhet në Miçigam. 

Nuk është vetëm vepra e përmendur më lartë e autorit italian Giovanni Batistta Marino, që ka informacione dhe të dhëna për shqiptarët dhe luftërat e tyre kundër turqve. Edhe në veprën tjetër të tij: “Dicerie Sacre del Cavalier Marino. Vicenza: Apresso Roberto Meietti. Con licenza de’ Superiori, & Priuilegio, 1622. [Pjesa e tretë me titull: “Il Cielo, Diceria terza, Sopra la Relegione de’Santi Mavritio, et Lazaro. Al Serenixximo prencipe di Piamonte.Vicenza: Nella Stamparia di Dominico Amadio, Per il Meietti, 1622, f. 236r-290r” (e cila ruhet në bibliotekën e “University of Michigam” në sig. 858 M-34-1622]; në f. 285v e vijim, ka të dhëna për luftërat e shqiptarëve kundër turqve si bashkëpunimi i tyre me J. Hunyadin, etj. Pra, Marino në veprat e tija i ka kushtuar mjaft rëndësi si shqiptarëve ashtu edhe Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Mbetet të verifikohen veprat tjera të tij, në ka edhe në ato shënime dhe informacione për shqiptarët dhe Skënderbeun.

Në të gjitha veprat që kemi konsultuar ne, poezia për Skënderbeun është pa asnjë ndryshim dhe ruan të njëjtën renditje. (Ne nuk kemi arritur të konsultojmë botimin e parë të vitit 1619). Natyrisht, ka ndërruar numri i faqeve të botimeve. Ka arsye të ndryshme pse ka ndodhur një gjë e tillë. Një nga shkaqet është hyrja më e gjatë, përkushtimet, pastaj tekstet e imprimatur-it, madhësia fizike e ksomblës etj. 

Portretet e njerëzve, princërve, kapitenëve dhe heronjve (Ritratti, Huomini, Prencipi, Capitani, et Heroi) fillojnë në faqen 82, dhe në këtë kategori bëjnë pjesë disa nga figurat më të famshme të historisë dhe mitologjisë botërore. Kjo kategori fillon me heronjtë biblikë Moisiun, Davidin, Solomonin, Joshouan, Sansonin, për të vazhduar pastaj në faqen 84 me heronjtë e Greqisë së Lashtë si Akilin, Hektorin, Diomedën, Paridin, dhe Enean. Në faqen 86 deri në faqen 88 jepen portretet e Aleksandrit të Madh dhe të heronjve e betejave të tij si Epaminoda, biri i Kresos, etj. Legjenda e krijimit të Romës pasqyrohet nëpërmjet portretit të Romulit, dhe menjëherë në faqen 89 fillojnë portretet e perandorëve romakë: Çezari, M. Bruto, C. Cassio, Pompeo i Madh, Katoni, Mark Antonio. Në radhë vijojnë personalitete të rëndësishme si C. Mecenata, Titi, Hanibali, Skipion Afrikani, Horaci, M. Skevola, Kurti, M. Marcelli, Fabricio, Cinciani, Atili, Pompili, Ptolemeo Filadulfo, Eunuku Narset, Belisario, Justiniani, Constantini, Arti, Karli i Madh, Orlandi, Godfrid Bulioni, Tankredi, dhe pas këtij të fundit vjen Skënderbeu. Ai pasohet nga perandori Karli V, nga Francesko Brimo, mbreti i Francës, nga dy mbretërit e Spanjës: Filip Sanudi, dhe Filip Xorxa, Gjoni dhe Karli i Austrisë, Sebastiani, mbreti i Portugalisë, Amadeo IV dhe Emanuel Filiberto dukë të Savojës, Kristofor Kolombo, Ferdinand Korteze, duka i Albës, markezi i Santa-Kroces, etj.

Në një dorëshkrim të pabotuar që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, dhe i takon familjes së Engjëllorëve të Drishtit, përmendet emri i Marinos. Sipas të gjitha gjasëve, kanë qenë fisnikët nga Drishti ata të cilët e kanë informuar Marinon për hollësia, rreth jetës dhe bëmave të Skëndërbeut. Nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë njohur edhe veprat e botuara në Venedik (e gjetiu në Itali, psh. Romë) për Skenderbeun.

Sikurse të gjithë krijimtarinë e tij, edhe këtu Marino, luan në mënyrë mjeshtërore me figurat. Është mjaft interesante se Skënderbeu flet në vetën e parë gjatë gjithë tekstit. Mjaft domethënës është fakti se për të “krenohet Epiri” pra, autori Gian Battista Marino, është i informuar deri në hollësi jo vetëm për personalitetin e Gj. K. Skëndërbeut, luftërave dhe sfidave të tij me turqit, por ai njeh edhe gjeografinë e Epirit. 

Poezia për Gjergj Kastriotin Skënderbeun përbëhet prej 8 vargjeve (përkatësisht 51 fjalve). Në vijim e sjellim të transliteruar dhe të përkthyer në shqip, ndërsa i bashkëngjisim edhe faksimilen e origjinalit.

Ritratti / Portrete

Giorgio Scanderbeg Castriota / Gjergj Skanderbeu Kastrioti


Per virtù sol di mie robuste bracciaD’altro Alessandro insuperbisce Epiro,In battaglia il guerrier, la fera in cacciaProdigioso il mio valore sentiroDal’terror sol del nome, e de la facciaIntimoriti i Barbari ruggiro;e senza trattan spada, ò vibrar dardospetso più che la man, n’vccise il guardo.

Për hir vetëm të krahëve të mi të fortëPër tjetrin Aleksandër krenohet Epiri Në betejë luftëtar, hekur në gjuetiDëgjova bëmat e mia të jashtëzakonshme Nga tmerri vetëm i emrit dhe i fytyrësTë tmerruar dëgjoj barbarët që klithinDhe pa përdorur shpatë apo shigjetëShkatërron më shumë sesa dora që vret. 

Shënimet për veprat e botuara të Giovan Battista (Giambattista) Marino për të cilat folëm më sipër janë:

  1. La Galeria del Cavalier Marino. Distinta in Pitture & Sculture. In Milano, Appresse Gio. Battista Bidelli. Con licenza de’ Superiori, 1620, f. 93; [ruhet në Torino, sig. 21.741;
  2. La Galeria del Cavalier Marino. Distinta in Pittvre & Sculture. Seedd: Impressione corecta dall’Autore. Con liceza, & Privil. In Venetia, Dal Ciotti, 1620, f. 98;
  3. La Galeria del Cavalier Marino. Distinta in Pittvre & Sculture. In questa quarta impressione ricorretta. Con Licenza de’ Superiori, e Priuilegio. In Venetia, Peri l Ciotti, 1635, f. 121; [Ruhet në Bibliotekën Kombëtare dhe Univerzitare të Zagrebit, sig. BZ, 352];
  4. La Galeria del Cavalier Marino. Distinta in Pittvre & Sculture Terza Impressione Ricorretta. Con liceza, & Priuil. In Venetia, Dal Ciotti, 1636, f. 1213; [Ruhet në Madrid, në: bibliotekën e “L’Università Complutense di Madrid” në sig. 85 M. 33 /I; (sig. e vjetër 29.037);
  5. La Galeria del Cav. Marino. Distinta in Pitture, e Sculture. In Venetia: Presso Gio: Pietro Brigonci. Con Licenza de’Superiori, 1675, f. 106; [Ruhent në bibliotekën e: “University of Michigam” në sig. 868 M 34g 1675 (sig. e vjetër A-415.751;

pra ne kemi dhënë titullin e plotë të secilës vepër, vitin e botimit, vendin e botimit, botuesin, numrin e faqes ku gjendet poezia për Gjergj Kastriotin Skënderbeun si dhe signaturën e saktë ksomblës përkatëse duke shënuar qytetin dhe emrin e bibliotekës.

Kush është Giovan Battista (Giambattista) Marino

Giovan Battista (Giambattista) Marino ka lindur më 14 tetor të vitit 1569 në Napoli dhe ka vdekur më 25 mars të vitit 1625 po në Napoli. Llogaritet si njëri ndër themeluesit e marinizimit, e njëherit edhe njëri ndër poetët më të mëdhenj italian të stilit barok. Ka shkruar disa mijëra poezi lirike. Duke qenë me origjinë nga shtresat e mesme, edhe pse fillon të studioj drejtësi, ai që në rini të hershme duke dëshiruar afirmim dhe rrethet e shoqërisë së lartë, fillon të shkruaj poezi dhe largohet nga studimet. Në rini e gjemë si poet të oborrit mbretëror, ku në këtë kohë njoftohet edhe me T. Tason. Pasi ishte burgosur dy herë, në vitin 1600, ia arrin të ikën nga burgu i Napolit dhe gjen strehim në Romë, ku arrin të futet në shërbim të personaliteteve të shquara të kohës. Në mes të vitit 1601, ai nga Roma vendoset në Venedik, ku po këtë cit (1601) boton veprën e tij “Rime.” Në vitin 1604 arrin të futet në shërbim të kardinalit Pietro Aldobrandini. Ndësa në vitin 1610 e gjemë si sekretar në familjen e famshe  torineze të dukës së Savojës. Pas disa mosmarrëveshjeve me fisnikun torinez Murtola, burgoset për 11 muaj. Pasi lirohet nga burgu, udhëton për në Francë te djali i torinezes Maria Mediçi, Luigji i XIII, mbreti i Francës. Pas një qëndrimi mjaft të suksesshëm në Francë, në vitin 1621 kthehet në Napoli, ku edhe vdes në vitin 1625. Në vitin 1614 boton librin e tij në prozë “Dicerie sacre,” dhe “Della lira,” ndërsa më 1616 boton librin me poezi “Epitalami.” Në Venedik në vitin 1617 boton poemën fetare “La sferza” ndërsa në vitin 1619, po në Venedik boton veprën e tij të njohur “La Galeria” e cila doli me shume gabime dhe e ribotoi me 1620 po në Venedik (shih ilustrimin nr. 1). Në Paris boton më 1620 veprën “Sampagna,” dhe më 1621-1623 epin shumë të njohur “Adone.” Pas vdekjes botohen edhe disa nga veprat e tija dhe të tjerat shohin dritën e shumë ribotimeve radhazi. “ La Galeria ” është një vepër lirike e cila trajton raportet figurative në mes artit dhe poezisë. Këtu dominon qëllimi i Gianbatistos që përmes poezisë mund të përshkruaj veprat artistike (në mënyrë figurative). Kjo ide e tij, nuk mund të veçohet nga dhuntitë e tij për artin dhe veçanërisht dëshira e madhe prej koleksionisti të veprave artistike. Shquhej për një koleksion të jashtëzakonshëm të këtyre veprave, që nga koha kur qëndroi në Torino. Pas kësaj kohe, ai shpenzon të gjithë pasurinë e tij për të blerë vepra artistike të gjinive të ndryshme, por më së shumti ishte i dhënë pas grafikës. Ëndërronte të hapte një muze (galeri) në Napoli. Edhe pse vepra e tij u botua pa ilustrime artistike, ai në të shumtën e rasteve luan në mënyrë të mrekullueshme me tematikën e veprës artistike. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Musa Ahmeti

“MARTESA E MBRETIT ZOG ME MBRETËRESHËN GERALDINA APPONY, PASQYRIMI NË FAQET E GAZETËS DIELLI 1938”

April 30, 2022 by s p

Sokol Paja/

Lajmi i martesës së Mbretit Shqiptar Ahmet Zogu me hungarezen Geraldina Appony ishte një lajm që për muaj të tërë mbizotëroi shtypin e shkruar shqiptar në Shqipëri dhe mediat e huaja ndërkombëtare. Jehona e kësaj ngjarje mbërriti deri në SHBA te gazeta Dielli- Organ Zyrtar i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Këtë ngjarje madhështore për Mbretërinë Shqiptare e popullin shqiptar u pasqyrua me detaje dhe me entuziazëm të plotë në gazetën Dielli. Gazeta i kushton në muajin Mars, Prill, Maj dhe Qershor të vitit 1938, hapsirën kryesore të faqes së parë më të rëndësishme, të editorialit të gazetës dhe shkrime e kabllograme që pasqyrojnë detaje nga ceremonia, urime, përshkrime të ndryshme të atmosferës festive, jetëshkrime të Mbretit dhe Mretëreshës dhe ndjesi e përceptime rreth ngjarjes së jashtëzakonshme për Mbretërinë Shqiptare. Gazeta Dielli në shkrimet Editoriale, Mbretëreshën Geraldinë e përshkruan teksa fitoi menjëherë zemrën e popullit shqiptar dhe e cilëson si : “Perëndeshë të dërguar prej qiellit”. Gazeta përshkruan me detaje ardhjen e Mretëreshës Geraldinë në Shqipëri teksa raportohet: “Posa shkeli në tokën shqiptare, Madhështia e saj Mbretëresha Geraldinë u interesua më parë për të varfërit e vendit edhe për ngritjen e një Strehe për pleq”. Gazeta Dielli përshkruan e përpiqet të skicojë edhe personalitetin fizik e shpirtëror të Mbretëreshës teksa kujdeset për detajet: “Veç bukurive të dhurua prej natyrës, Madhështia e saj Mbretëresha Geraldinë ka edhe bukuritë e mëndjes, të karakterit, të virtyteve të larta, dhe është shumë zemërbardhë dhe shpirtmirë”. Gazeta Dielli e quan bashkimin në martesë të Mretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë si fatbardhësi për Shqipërinë e shqiptarët. Është fat, shkruan gazeta Dielli, që Shqipëria drejtohet nga “Dy Sovranë të mençur edhe shumë shpirtmirë që e vështrojnë popullin e tyre me syrin e zemrës dhe jemi më shumë se të sigurtë që kombi shqiptar do të vejë mbarë nën udhëheqjen e Madhështive të tyre” thuhet në editorialin e gazetës Dielli të muajit Maj 1938. Në shkrimin Editorial të Majit, gazeta Dielli përshkruan me detaje kronologjike punën e madhe dhe transformimin që Mreti Zog i kishte bërë Shqipërisë dhe se gëzimi i madh i Mbretit ishte edhe gëzim i popullit. Mbreti Zog thuhet në gazetën Dielli: Ngriti në këmbë një shtet të shkatërruar, zhduku anarkinë, bashkoi popullin e ndarë nga propaganda dhe interest e shteteve të huaja, shpëtoi Shqipërinë nga aventurierët që punonin kundër interesit të Shqipërisë e shqiptarëve, i dhuroi shtetit fuqi, liri kombëtare, përparim e qytetërim. Gazeta Dielli bën një paralele historike të miqësisë që Shqipëria kishte me Hungarinë që në kohë të Skënderbeut dhe kjo martesë e Mbretit e forconte miqësinë dhe nderonte shtetin shqiptar. Kontesha Geraldine Apponyi sipas shkrimit të Gazetës Dielli i lumturonte shumë shqiptarët pasi “ka cilësira të bukura, ka kulturë të gjërë, është tepër fisnike, është zemërbardhë dhe shpirtmadhe. Nga bukuria e saj e rallë, nga virtytet e saj të mira, Kontesha Geraldine Apponyi ka fituar emrin e bukur: Trendafile e Bardhë e Hungarisë. Urojmë me gjithë zemër që kjo Trendafile e Bardhë të lulëzojë në kopshtin e bukur të Shqipërisë, dhe të jetë krahu i djathtë i Mbretit t’onë të Math për mirëvajtjen e Kombit shqipëtar” thuhet në gazetën Dielli të muajit Prill 1938.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mbreti Zog, Sokol Paja

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS “VATRA” ORGANIZON KONFERENCË SHKENCORE NDËRKOMBËTARE

April 28, 2022 by s p

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS “VATRA” ORGANIZON KONFERENCË SHKENCORE

Me temë:

“VATRA”- 110 VJET NË SHËRBIM TË ATDHEUT DHE KOMUNITETIT SHQIPTAR NË AMERIKË

E Dielë, 12 Qershor 2022

Ora 1: 00 PM

Vendi: “Illyria Community and Wellness Center at Jacobi Hospital -1400 Pelham Parkway South, Rotunda (Next to Building 4), Bronx, NY 10461,”  (Salla e Amfiteatrit).  

KONFERENCA ORGANIZOHET ME RASTIN E 110 VJETORIT TE FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA”.  

QËLLIMI I KONFERENCËS:

Qëllimi i kësaj konference shkencore është që të hedhë dritë dhe të trajtoje çështje të rëndësishme historike të jetës dhe veprimtarisë së “Vatrës”. Aktiviteti ka si qellim të bashkojë, studiues, profesorë e intelektualë profesionistë të fushës, të cilët do të sjellin kontributet e tyre nëpërmjet hulumtimeve të ndryshme në dokumentet arkivore, qofshin vendase apo te huaja, si dhe duke shfrytëzuar botime te ndryshme, qofshin monografi studimore, artikuj shkencore, apo edhe kujtime, ditare dhe shtypit periodik te kohës, me synimin që të sjellin prurje të reja shkencore për pasqyrimin e etapave të ndryshme të historisë së “Vatrës”. 

Gjuha e konferencës në shqip dhe në anglisht.

PREZANTIMI I PUNIMIT DHE PJESËMARRJA NË KONFERENCE 

Konferenca do te zhvillohet ne një dite te vetme, 12 Qershor 2022. Leximi i kumtesës deri në 10 minuta. Kumtesa në version të plotë do të botohet në Aktet e Konferencës Shkencore “Vatra”- 110 vjet në shërbim të atdheut dhe komunitetit shqiptar në Amerikë, mundësuar nga Vatra. 

Boshti kryesor i konferencës do të përfshijë tematikat si më poshtë vijon por edhe tema të tjera me interes shkencor: 

  • Themelimi i Federatës Panshqiptare “Vatra”.
  • Qëndrimi i Vatrës gjatë periudhës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ndaj Luftërave Ballkanike dhe gjatë Luftës së Parë Botërore.  
  • Kontributi i “Vatrës” në themelimin e shtetit shqiptar dhe konsolidimin në arenën ndërkombëtare.
  • Raportet e “Vatrës” me shtetin shqiptar gjatë viteve 1920-1924.
  • Marrëdhëniet e “Vatrës” me Shqipërinë  gjatë periudhës së Ahmet Zogut 1925-1939.
  • Vatra në mbrojtje të atdheut gjatë Luftës së Dyte Botërore.
  • Qëndrimi  i Vatrës ndaj padrejtësive në dem të tokave shqiptare.
  • Lobimi i Federatës Vatra në Shtetet e Bashkuara te Amerikës në mbështetje të Shqipërisë dhe të Kosovës. 
  • Raportet e “Vatrës” me regjimin komunist në Shqipëri.
  • Kontributi i intelektualëve shqiptare, si Fan Noli, Faik Konica, etj… personalitete, të cilët kanë luajtur rol të spikatur me veprimtarinë e tyre në Federatën “Vatra”, në gazetën “Dielli” dhe në diasporën shqiptare  gjatë shekullit XX.
  • Marrëdhëniet e “Vatrës” me Kishën Ortodokse Shqiptare dhe me institucionet e tjera fetare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
  • Kontributi i Federatës “Vatra” për zhvillimin e arsimit, kulturës, shkencës, letërsisë shqipe, etj në SHBA dhe në Shqipëri. 
  • Ndihmat ekonomike të emigrantëve shqiptarë të Amerikës me profil humanitar e bamirës për shqiptarët dhe në shërbim të Çështjes Kombëtare.

SHËNIM: ABSTRAKTI DHE FORMATI I PUNIMIT 

Autoret që janë të interesuar për të marre pjesë duhet të dërgojnë me e-mail titullin e punimit dhe një përmbledhje te shkurtër brenda afatit kohore të përcaktuar në këtë thirrje. 

Adresa e email-it:  vatra110vjet@gmail.com  ; emër – mbiemër të autorit ose të autorëve në rast bashkautorësie ; abstraktin e punimit maksimalisht 250 fjale; 5- 7 fjale kyçe; formati i punimit A4; Fonti Times New Roman 12.

DATA TË RËNDËSISHME 

12 Maj 2022, afati i fundit për të dërguar abstraktin. 

18 Maj 2022, kthim përgjigje për pranimin ose refuzimin e Abstraktit. 

12 Qershor 2022, dita e konferencës.

Bordi organizues i konferencës shkencore:

  • Dr. Paulin Marku  (kryetar) 
  • Dr. Iris Halili         (anëtare) 
  • Dr. Elton Mara (anëtar)
  • Dr. Pashko Camaj (anëtar)
  • Msc. Marjana Zeneli Bulku (anëtare)
  • Dr. Sokol Paja (anëtar)

Filed Under: Opinion Tagged With: VATRA KONFERENCE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 215
  • 216
  • 217
  • 218
  • 219
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT