• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE (NUK) U FTUA KOSOVA NË SAMITIN E DEMOKRACIVE TË PRESIDENTIT BIDEN

November 15, 2021 by s p

-Demokracia e vërtetë amerikane dhe padrejtësitë “demokratike”evropiane

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ

 FTESA E AMERIKËS PËR SAMITIN E DEMOKRACISË

          Fajsimi i qeverisjes Osmani-Kurti për mosmarrjen e ftesës për “Takimin e lartë të Demokracive” që organizohet nga presidenti Biden në fillim të Dhjetorit, nga një pjesë e opozitës jokonstruktive dhe disa analistëve të paaftë dhe të shitur, është pa kurrëfarë baze. Zgjedhjet nacionale dhe ato lokale ishin të nivelit më të lartë, më të mirat në Ballkan dhe mund të krahasohen me zgjedhjet e vendeve demokratike evropjane. Luftimi i korrupsionit dhe zhvillimi i demokracisë në Kosovë janë në rrugë të drejtë. Ato nuk bëhen për 8 muaj qeverisje, këtë duhet ta dijëçdokush.

         Qëndrimi i ish-ambasadorit jodiplomatik proserb Grenell dhe tjerëve se projekti i gazit ka ndikuar në këtë vendim të Presidentit Biden është paragjykues. Projekti i gazit është vendim ekonomik, jo politik. Njësoj është edhe renditja e dialogut me kriminelët serb aty ku e meriton, në vendin e katërt nga ana e Kryeministrit Kurti. Asnjëra nuk kanë gjë të përbashkët me zhvillimin e demokracisë.

         Më shumë mundësi kjo ka të bëjë me sjelljet destabilizuese, të shtetit fashist serb, krijimin dhe mbajtjen e hapur të konfliktit me Bosnjën dhe Kosovën. Pra, si gjithmonë, Kosova ia ka parë sherrin Serbisë. Me korrupsionin e lartë, nivelin e ulët të zhvillimit demokratik dhe sjelljen konfliktuale, Serbia dhe Bosnja nuk e meritojnë të jenë pjesë e “Samitit për demokraci”.

Edhepse Kosova e meriton ftesën, Komisioni i Administratës Biden për klasifikim dhe dërgim të thirrjeve nuk ka mundur të sjell vendim për ta lënë jashtë vetëm Serbinë dhe Bosnjën për të mos e irrituar Evropën dhe dëshirën e saj për ta tërhequr Serbinë nga Rusia dhe Kina me përkdhelje të pafundnë dëm të Kosovës.

         Në të vërtetë, ky është edhe problemi kryesor për dështimin e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra nga emisarët evropian. Serbia si ish-Jugosllavia me kriminelin Vuçiq në krye si ish-diktatori Tito, me mashtrime dhe veprime nga më të ndryshimet, mundohet të luan rol të dyfishtë, bashkëpunim vëllazëror me Rusinë dhe mjelje të Evropës. Është e çuditshme sa e hanë “me vullnet” këtë mashtrim shumica e përfaqësuesve evropian.

         Nuk ka dyshim se Presidenti Biden e di mirë problemin e Kosovës me Serbinë dhe ka qëndrim të drejtë në trajtimin e çështjes së saj. Por ai është shumë i zënë me punë tjera më të mëdha dhe më të rëndësishme për popullin dhe shtetin amerikan. Lidhjet e dyshimta të Sekretarit të Shtetit Blinken me Sorosin dhe ndikimi i kuadrove të mbetura nga administrata e mëparshme e bëjnë politikën e Administratës Biden në Ballkan ende të paqartë dhe të pasigurtë, gjë që mund të ketë ndikuar në vendimin për mosftuarjen e Kosovës në samit.

         Por demokracia e vërtetë dhe drejtësia amerikane funksionojnë në mënyrë të pashembullt. Lobizmi është pjesë legale e kësaj demokracie. Menjëherë, sapo u publikua lajmi për mosmarrjen e ftesës, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane më në krye me ish Kongresmenin Joe DioGuardi dhe Këshilltaren për çështje ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi u vu në veprim. Filluan kontaktet me gojë dhe shkrim me kabinetin e Kryetarit të Komitetit të Senatit për Punët e Jashtme, senatorit Bob Menendez,të cilat vazhduan edhe gjatë vikendit të javës së kaluar.

         Në cilësinë e personit numër një të Senatit amerikan me ndikim të madh në politikën e jashtme amerikane, Senatori Menendez bashkë me 7 kolegë të tij, ditën e Hënë me 8 Nëntor i dërguan letër presidentit Biden, me të cilën i kërkojnë atij transparencë dhe qartësi në lidhje me kriteret e përdorura për të vendosur se cilat vende duhet të ftohen në samitin për demokraci. Edhe pse Kosova në këtë letër nuk përmendet me emër, nuk ka dyshim se kjo letër ku numrohen çështje shumë të rëndësishme për demokracinë amerikane, është inicuar për shkak të Kosovës dhe në prapavijëështë biseduar për te.

         Si rezultat, ditën e Enjte u bë e ditur se Kosova do të ftohet në samit por nuk u la anësh as Serbia për arsyet e përmendura më parë. Kësaj radhe shteti jo civilizues serb  ia pau hajrin  Kosovës dhe Lobit Shqiptaro-Amerikan. Por, mos të gëzohet shumë sepse Joe, Shirley dhe Lobi shqiptar do ia mbyllin rrugët në Amerikë edhe Vuçiqit, njësoj si Milosheviqit.

         Kontributi i të tjerëve në arritjen e këtij suksesi ishte i mirëseardhur por angazhimi i Senatorit Menendez dhe senatorëve tjerë të njohur në këtëçështje shumë të rëndësishme ishte vendimtar. Meritë e veçantë dhe falënderim i posaçëm i takon pikërisht Zonjës Shirley Cloyes DioGuardi për angazhimin e saj maksimal me profesionalizëm dhe përkushtim.

Është e nevojshme të theksohet se parakusht për të ndodhur gjërat e rëndësishme për Kosovën janë demokracia, respektimi i të drejtave të minoriteteve, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik, forcimi i shtetit dhe ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti me ekipet e tyre kanë aftësi, mençuri dhe guxim për ta bërë këtë. Ata mund të krahasohen lirisht me liderët më të mirë dhe më të fortë të shteteve demokratike.

         Rëndësi dhe përgjegjësi të veçantë kanë ministrat shumë të aftë të mbrojtjes dhe punëve të brëndëshme, z. Armend Mehaj dhe z. Xhelal Sveçla. Aty ku është Armendi, nipi i Isa Boletinit, nuk shkelë dot këmba e ushtarit serb.

PADREJTËSIA EVROPIANE NDAJ KOMBIT SHQIPTAR

UnioniEvropianështë i përbërë nga shtete demokratike, më pak demokratike dhe shumë pak demokratike të cilat kanë bërë edhe padrejtësi ndaj kombit shqiptar gjatë gjithë historisë. Shumë prej tyre i konsiderojnë ato gjëra “normale” dhe “demokratike”.Evropa nuk pushon së predikuari diversitet, përfshirje dhe tolerancë ndëretnike. Në të njëjtën kohë nga Republika e Kosovës kërkon shtet multietnik dhe krijimin e bashkësisë së pastër etnike serbe. Këto nuk shkojnë hiç së bashku. Kjo kërkesë nuk siguron barazi por përçarje, është formulë për shkatërrimin e shtetit dhe si e tillë krejtësisht e padrejtë dhe e papranueshme.

         Këto gjëra e tregojnë hipokrizinë dhe padrejtësinë “demokratike”të një pjesë të madhe të shteteve evropiane të cilat nuk dëshirojnë të forcohet shteti i Kosovës. Të helmuar nga propaganda shoviniste serbe, kanë qëndrime paragjykuese dhe nënçmuese ndaj kombit shqiptar në baza nacionale dhe fetare. Kësaj duhet shtuar edhe ndikimin e madh rus dhe interesat ekonomike të shumë shteteve evropiane për gazin e Rusisë.

         Veprimet e drejta, të mençura, të kontolluara dhe të domosdoshme të Qeverisë Kurti në veri të shtetit të Kosovës kishin efekte të shumta pozitive për Republikën e Kosovës. Ato e nxitën Serbinë dhe Rusinë ta tregojnë haptas agresivitetin e tyre, sjelljet e tyre shkatërruese dhe ambicjet hegjemoniste për dominim në Ballkan dhe dalje në detin Adriatik. Përfaqësuesve të Evropës Borrell dhe Lajçak ju ranë maskat të kinse ndërmjetësuesve të paanshëm. Kërkesa e tyre për ndalim të veprimeve shtetërore kundër banditëve të të gjitha nacionaliteteve dhe për dialog me ta, ishin të padrejta, absurde dhe të turpshme.

PËRFUNDIMISHT

          Qëndrimet jokonstruktive të disa shteteve të Evropës, sjelljet nënshtruese të ish qeveritarëve të korruptuar të Kosovës të cilët sëpari e rrjepën pastaj e qitën në shitje token e saj, pallavrat me qëllime anti-shqiptare për “Ballkan të hapur” të shërbëtorit serb Edi Rama dhe angazhimi i pamjaftueshëm i Amerikës, e ndihmojnë Serbinë fashiste të vazhdojë me sjellje destruktive dhe destabilizim të Evropës Juglindore. Këto e bëjnë të pamundur njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Bisedimet duhet të vazhdohen por ato janë të kota si dhe deri më tash.

         Ky problem mund të zgjidhet vetëm me angazhimin e plotë dhe të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dëshiroj ta përsëris se:

“Ka ardhur koha që Presidenti Biden,për interesa strategjike, në mbrojtje dhe përmbyllje me sukses të investimit amerikan në Kosovë, njësoj si Presidenti Bush në Qershor të vitit 2007, të thotë “Enough is enough”. Ta anëtarësojë në NATO shtetin më pro-Amerikan në botë dhe ta bind Evropën për liberalizim të vizave dhe fillim të procesit afatgjatë të hyrjes së Kosovës në Unionin Evropian. Serbia dhe Rusia nuk mund ta ndalojnë këtë gjë në asnjë mënyrë.”

         LIRIA. INTEGRITETI TERRITORIAL DHE SOVRANITETI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS NUK MUND TË NEGOCIOHET NGA ASKUSH DHE ME ASKEND. POPULLI I LAVDISHËM I DARDANISË E KA PAGUAR ATË ME GJAK DHE SAKRIFICË TË PAFUND.

Filed Under: Opinion Tagged With: Agim Alickaj

SHKOLLA SHQIPE “SCANDERBEG” NË PARMA TË ITALISË

November 14, 2021 by s p

Sokol  PAJA/

Erlinda Pjeci, drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma të Italisë dhe mësuese pranë kësaj shkolle, rrëfen për “Diellin” e Vatrës në New York historinë e themelimit të shkollës, organizimin e mësimit shqip në Parma, bashkëpunimin prindër-nxënës, ndikimin e pandemisë në mësimin shqip, dhe sfidën për të ruajtur gjuhën, traditën dhe kulturën kombëtare shqiptare në Itali. “Themelimi i Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma erdhi si një dëshirë e madhe që kishin shqiptarët për t’i mësuar gjuhën amë fëmijëve të tyre, ndërsa shkolla fillimet e saj i ka që në vitin 2009” shpjegon për “Diellin” Erlinda Pjeci, drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg”. “Mësimi në shkollën tonë zhvillohet të shtunën në orën 15:00. Mes shumë viteve sakrificë stafi i mësuesve në shkollën tonë vazhdon të japë kontributin vullnetar në shërbim të komunitetit shqiptar” saktëson drejtuesja Pjeci. Mësuesit e angazhuar pranë shkollës shqipe “Scanderbeg” në Parma të Italisë janë: Durim Lika në lëndën Histori- Gjeografi, Elvira Lashi- Muzikë, Traditë, Mimoza Cerri- Letërsi, Sabrije Kulla- Gjuhë Shqipe, Zamira Shkurti- Abetare, Nertila Celmeta- Abetare, Erlinda Pjeci- Abetare, Elona Marika- Mësuesja e artit. Në këtë shkollë kanë kontribuar edhe mësues të tjerë ndër vite të cilët edhe pse nuk janë më pjesë e stafit të shkollës kanë dhënë një kontribut në zhvillimin dhe ruajtjen e gjuhës amtare. “Për të njohur kulturën, historinë dhe vlerat e Shqipërisë duhet t’ia përcjellim gjuhën amtare të trashëguar brez pas brezi, fëmijëve tanë. Gjuha ,është ajo  e cila i bashkon ata me gjakun e tyre” shpjegon për “Diellin” e Vatrës në New York, Erlinda Pjeci, drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg”.  Sipas drejtueses Pjeci bashkëpunimi prind- nxënës është padyshim çelësi i arritjes së suksesit në objektivin e gjuhës shqipe. Prindi ka rolin më të rëndësishëm në këtë proçes. Është ai i cili duhet t’ia ushqejë fëmijës dashurinë për rrënjët nga vijnë, t’i flasë në shqip, t’i japë kohë fëmijës që të dëgjojë, të mësojë dhe të flasë shqip kur ata janë gati. Pra, mbill sot, korr mot. Vetëm atëherë nxënësi është i përgjegjshëm dhe ka dëshirë të mësojë më tepër gjuhën shqipe, arsyeton drejtuesja e shkollës Pjeci. “Në fillimet e pandemisë padyshim ne si shkollë hasëm vështirësi. Mësimi në prezencë ishte e pamundur. Për këtë sfida më e madhe ishte mësimi online. Duke parë vështirësitë që hasën edhe mësuesit e sistemit shkollor italian,  na frikësoi jo pak. Por me ndihmën e kolegut tonë Durim Lika, i cili ofroi seminare për të na mësuar platformat e Google Meet, Power point, si edhe ambientet e punës së tij për të qenë pranë nesh për ndonjë vështirësi teknike, e kaluam shumë shpejt. Sfidë tjetër ishte ajo, se si ne mund t’i bënim nxënësit të merrnin pjesë me dëshirë në mësimin online. Për këtë përveç librave në dispozicion gjetëm teknika, metoda duke i gërshetuar së bashku. Pjesëmarrja e lartë e nxënësve na lumturonte. Kjo tregonte që ne kishim gjetur rrugën e duhur. Suksesi që ne patëm vjet, si edhe numri i madh i  nxënësve të regjistruar që banojnë jashtë Parmës, na dha shtysë edhe për këtë vit shkollor që mësimin ta bënim online” kujton vështirësitë e mësimit shqip në kohë pandemie drejtuesja Erlinda Pjeci. Më tej ajo shton se: “Vështirësitë e fëmijëve dy gjuhësh janë: Shqiptimi i tingujve të shkronjave shqipe që ata nuk i dëgjojnë në gjuhën italiane. Tingujt që janë të ngjashëm midis dy gjuhëve por që shkruhen ndryshe” sqaron për “Diellin” e Vatrës drejtuesja e shkollës Erlinda Pjeci. Zonja Pjeci ka mbaruar  studimet e larta në Universitetin e Elbasanit dega Cikël i Ulët. Pas studimeve ajo u vendos në qytetin e Parmës ku shumë shpejt filloi të japë kontributin e saj vullnetar në mësimdhënie pranë shkollës shqipe “Scanderbeg”. Duke pasur një dashuri shumë të madhe për fëmijët dhe formimin e lartë profesional, profesionin e ushtron me shumë përgjegjshmëri, përkushtim dhe shumë pasion. Në përfundim të bisedës drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma të Italisë, Erlinda Pjeci uroi Festën e Pavarësisë për të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë dhe në mbarë trojet shqipfolëse.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

DR. AIDA MARAJ, NJË KRENARI SHQIPTARE NË UNIVERSITETIN E MICHIGANIT

November 12, 2021 by s p

Dr. Aida Maraj, Pedagoge e Matematikës në Universitetin e Michiganit rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, eksperiencën e saj në mësimdhënie, projektin me përmasa ndërkombëtare ku Dr. Aida është bashkë-iniciatore e shkollës ndërkombëtare verore për metodat matematike në analizen e të dhënave që do të mbahet më 18-29 Korrik 2022 në Universitetin e Tiranës, analizon sistemin arsimor dhe kërkimin shkencor në Shqipëri dhe shprehet se eksperienca ndërkombëtare është një domosdoshmëri. Me Dr. Aida Maraj bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.

KËRKIMI SHKENCOR NË STATISTIKË ALGJEBRIKE

Puna ime është në statistikë algjebrike. Kjo është një fushë e algjebres që ndërthur disiplina të ndryshme e frymëzuar nga nevoja për metoda të reja efikase në statistikë kur ato klasiket nuk funksionojnë. Një gjë e tille ndodh shpesh kur modeli statistikor është mjaftueshëm i komplikuar apo kur modeli është me një numër të lartë të panjohurash (ndryshoresh). Ekspertiza ime është në të dyten, ku me anë të algjebres, kërkoj rregullin në modelet me dimensione të pafundme. Përqendrohem në zbulimin e veçorive algjebrike dhe gjeometrike të modeleve hierarkike dhe ato të Gausit.

NDARJA E NJOHURIVE ME BREZAT E RINJ

Pjesë e rëndësishme e jetës akademike është ndarja e njohurive me brezat e rinj, gjë që e bëj me kënaqësi. Eksperienca e parë vjen me studentë shqiptarë në Universitetin e Vlorës. Në Kentucky, dedikimi im ndaj studentit u njoh dhe vlerësua me një çmim nga universiteti. Hapat e ardhshëm janë që të udhëheq studentë masteri e doktorature. Uroj që mes tyre të kem studentë shqiptarë.

SHKOLLA VERORE “METODA MATEMATIKE NË ANALIZË TË DHËNASH” NË SHQIPËRI

Së bashku me dy matematiciene nga diaspora, Prof. Fioralba Cakoni dhe Dr. Mirjeta Pasha, morëm iniciativen për shkollën verore “Metoda Matematike në Analizë të Dhënash” që do të ndodhë me 18-29 Korrik, 2022 në Tiranë. Projekti është me përmasa ndërkombëtare. Lektorët janë profesorë të njohur në fushat respektive. Tema lëviz nga aplikime të algjebres e kombinatorikes, tek modelet në sistemet dinamike, problemet e anasjellta, dhe tomografi me rreze X, këto të shoqëruara me programim. Shkolla mbështetet nga shoqata e mirënjohur franceze CIMPA (Centre International de Mathématiques Pures et Appliquées). Sponsorët lokal janë Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, me këtë të fundit si institucion mikpritës. Gjej rastin ti bëj thirrje të fortë studentëve të matematikës, informatikës, dhe të inxhinierisë në universitetet shqiptare te regjistrohen nëpërmjet faqes sonë zyrtare: https://sites.google.com/vieë/mathschoolinalbania/home. Shkolla është falas. Ne po ju mirepresim! Qëllimi kryesor i këtij projekti është që studenti nga Shqipëria të dijë që mundësitë janë një aplikim larg. Bazuar nga eksperienca personale, kjo, aq e thjeshtë duket, aq e vështirë është kur të mungojnë burimet dhe shembujt. Shkolla është një hap serioz që takon studentët dhe profesorët me këto mundësi në një mjedis miqësor.

NEVOJA E REFORMIMIT TË SISTEMIT ARSIMOR SHQIPTAR DHE PËRSHTATJA ME MODELET E PERËNDIMIT

Ndihem e pasigurtë të jap përgjigje të gjata rreth sistemit arsimor në Shqipëri. Këshilla që do të jepja për sistemin universitar dhe atë pasuniversitar, kjo në shkallën institucionale dhe individuale, është mos izolimi. Eksperienca ndërkombëtare është kritike për avancimin e shkencës duke filluar nga impakti që ka në punime shkencore deri tek njohja dhe këshillimi i studentëve për një karrierë të suksesshme. Kjo është një pikë ku lidhjet me diasporen bëhen shumë të dobishme.

NJË KËSHILLË: SHEMBUJT KANË GJITHMONË RËNDESI

Praktika e zbulimit të teoremave në matematikë është me anë të shembujve. Në moment kur llogaritjet ecin, ne e lejojmë shembullin të na drejtojë në zgjidhjen e përgjithshme. E njëjta praktikë vlen më gjërë. Në vit të fundit të masterit në Shqipëri mësova për herë të parë për arritjet e Prof. Cakonit në USA dhe më gjërë. Kjo mjaftoi të ëndërroja nëse unë mund të vazhdoja studimet jashtë shtetit. E kuptova rëndësinë e shembujve dhe mundohem të jem një shembull i mirë. Të dy institucionet ku kam punuar tanimë kanë studentë shumë të mirë doktorature nga Shqipëria: Edison Mucllari në Universitetin e Kentucky-it, dhe Elima Shehu në Institutin Max Planck për Matematikë në Shkenca.

NË PRITJE TË STUDENTËVE SHQIPTARË

Pres me padurim të takoj studentët shqiptarë këtë verë dhe ti njoh të ftuarit në shkollën tonë në Shqipërinë mikpritëse. Jam e lumtur që në këtë projekt që do të takoj dhe punoj me profesorët e mi dhe me matematicien të rinj të talentuar në Shqipëri. Shpresoj që shkolla ti forcoi këto lidhje. Në fund dëshiroj të përmend prindërit Hajdine dhe Agim. Si prindër të shumë bashkëmoshatarëve të mi në Shqipëri, ata kanë edukim 8-vjeçar. Megjithatë të dy e dinë vlerën e librave dhe shkollës, dhe unë i dedikoj plotësisht dashurinë për dijen nënës sime.

KUSH ËSHTË DR. AIDA MARAJ

Dr. Aida Maraj ka lindur në fshatin Lavdan të Mallakastres,ndërsa sot punon si pedagoge matematike në Universitetin e Michigan-it, ndan me krenari se është një produkt i Universitetit të Tiranës ku zhvilloi studimet e larta (2009-2012) dhe master shkencor në matematikë (2012-2014). Dr. Maraj punoi një vit si pedagoge e brendshme në Universitetin e Vlorës. Ne Gusht të 2015-es, me inkurajimin e profesorit të saj të algjebres Prof. Elton Paskut dhe mbështetje me letra rekomandimi nga Prof. Artur Baxhaku dhe Prof. Ligor Nikolla, ajo filloi doktoraturen në Universitetin e Kentucky-it, në të cilin njëkohësisht punoi si asistente mësimdhënëse. Pas doktoratures Dr. Maraj u bë pjesë e institutit të njohur gjerman Max Planck për Matematikë në Shkenca si kërkuese shkencore në algjeber. Në Universitetin e Michiganit ajo vazhdon kërkimin shkencor dhe jep mësim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Aida Maraj, Sokol Paja

NJËQIND VJET HISTORI

November 11, 2021 by s p

– Ditë e shënuar për kishën shqiptare ortodokse “Shën Trinia” në Boston-

Nga Fuat Memelli


Prej disa ditësh bordi i kishës kishte filluar përgatitjet për festimin e kësaj ngjarje të shënuar në historinë e saj: përkujtimin e 100 vjetorit të kishës Shën Trinia. Siç dihet në Boston sot ka dy kisha shqiptare, ajo e Shën Gjergjit ose kisha e Nolit siç quhet ndryshe dhe Kisha e Shën Trinisë. (Ishin tre por njëra prej tyre u dogj para disa vjetësh.) Shumica e besimtarëve të saj, janë nga qarku i Korçës, pasi ky komunitet ka qënë ndër të parët që erdhi në Amerikë, por sigurisht që ka besimtarë ortodoksë edhe nga rrethe të tjera. Para se të ndalemi te veprimtaria që u organizua me këtë rast, le t’i hedhim një sy rrugës 100 vjeçare të kësaj kishe.
VËSHTRIM I SHKURTËR HISTORIK
Mitropolit Ilia Ketri, me origjina nga Sinica e Devollit, që është lindur e rritur në Amerikë e që e flet bukur gjuhën shqipe, na jep disa të dhëna për rrugën e kësaj kishe. Dekada e dytë e shekullit të njëzetë, ishte tepër problematike për kishën shqiptare në Amerikë. Mosmarrëveshje midis krerëve qofshin këta klerikë apo laikë, shqetësime sociale, vështirësi ekonomike, paqendrueshmëri politike në Shqipëri dhe varfëria e përgjithshme e komunitetit të emigrantëve, krijoi një gjendje krize kishtare. Këto rrethana e çuan kishën drejt një situate antikanonike, domethënë jo në bazë të kanuneve të Sinodheve dhe Etërve të shenjtë. Pikërisht në këtë periudhë, prifti shqiptar, i përndershmi At Nikola Kristofori, nga Katundi i Kolonjës, dorëzuar në 1917 nga kisha ruse në New York, mblodhi shumë besimtarë nga fshatrat e Vakëfeve të Korçës dhe hapën kishën “Shën Trinia” në South Boston. Forca e madhe e besimit të këtyre njerëzve, përforcoi stabilizimin e kishës.Një eveniment i rëndësishëm në historinë e kësaj kishe, ishte lidhja me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në vitin 1938, famullia e “Shën Trinisë” kërkoi emërimin e të përndershmit Saqelar At Anastas Sotiri nga Fortlumturia e tij Imzot Kristofor Kissi, Kryepeshkop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Me bekimin e tij, At Anastas emigroi në Boston dhe shërbeu në këtë kishë deri në vitin 1951. Në të njëjtin vit anëtarët e kishës pranuan si episkop Hirësinë e tij Imzot Mark Lipa me prejardhe nga Korça, i emëruar nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës. Shërbimi i tij deri në 1982 kur ndrroi jetë, dha një shkëlqim shpirtëror, përparim shoqëror dhe organizim shumë të mirë. Jeta fetare u kurorëzua me dashuri, harmoni dhe bashkëpunim. Po në vitin 1982, u emërua veqil episkop ( zëvëndës peshkop) At Ilia Ketri. Në vitin 2002, ai u dorëzua Peshkop i shqiptarëve të Amerikës, ndërsa në vitin 2019, mori titullin Mitropolit nga Patriakana e Stambollit.
MBRESA NGA FESTA
Të shtunën që kaloi, Qendra Kulturore për Pensionistë “Vatra” , me pronarë Agron Gjerasin dhe bashkëshorten e tij, Edlirën, ishte mbushur nga 100 besimtarë të moshave të ndryshme. Kërkesa për pjesëmarje ishte edhe më e madhe, por për arsye të situatës së Covid-19, kaq u lejuan për të respektuar masat e sigurisë. Të gjithë pjesëmarrësit ishin të vaksinuar. Qendra ishte zbukuruar si për ditë feste. Organizatorët e kishës “Shën Trinia” si Brunilda Shosho, Jonela e Endri Dhami, Gjergji e Ksenia Dako, Mandila Andrea, Elena e Tomi Kero, atë ditë kishin shkuar para të gjithëve për të përgatitur e zbukuruar ambientin, si dhe për të shtruar tavolinat. Takimin përkujtimor e hapi Jonela Dhami, presidente e këshillit të kishës. Duke vlerësuar punën e madhe të paraardhësve ajo theksoi:” Ata besimtarë nuk kishin atëherë GPS, për t’u treguar si të shkonin në kishë, por shkonin aty vazhdimisht dhe mësonin fjalën e Perëndisë. Sot kanë ndryshuar kushtet dhe ne kemi mundësi shumë më të mëdha.” Më pas ajo vijoi:” Mes jush shoh sot shumë fytyra të reja. Këto fytyra do të vazhdojnë traditën e bukur të kësaj kishe dhe do t’ja përcjellin niprave e mbesave.” Më pas foli prifti në detyrë i kësaj kishe, At Paul Zuniga, i cili prej një viti shërben në këtë kishë. Midis të tjerash ai theksoi se Kisha “Shën Trinia” e themeluar në vitin 1921 nga emigrantë shqiptarë të zonës së Korçës, me qendër në Bostonin e jugut, ka një histori të pasur që i ka rrënjët në pasurinë shpirtërore dhe kulturore, tradita të cilat ne duhet t’i ruajmë në të ardhmen. Për kontributin 26 vjeçar në kishën “Shën Trinia” si besimtar i devotshëm, si psalt dhe së fundmi si epitrop i kësaj kishe, Aleko Dhimës iu dorëzua një dhuratë mirënjohje në emër të kishës nga sekretarja e kësaj kishe, Elena Kero. Një përshëndetje të veçantë përcolli edhe Mitropoliti Ilia Ketri, i cili ka shërbyer në këtë kishë qysh në moshë fare të re. Pasi bëri një përmbledhje të rrugëtimit të kësaj kishe gjatë 100 viteve, ai theksoi vizionin e tij për të ardhmen, ku ndër të tjera theksoi : ”Njeriu sot kërkon stabilitet, komunitet, mardhënie me Perëndinë, të dashurojë e të dashurohet. Të ndjejë që vlerësohet nga tjetri me respekt dhe meritë personale. Këto i gjen në besimin tek Zoti, duke i shërbyer atij me shpresë dhe dashuri. Vizioni im është që kisha të mbushet me besimtarë çdo të djelë. Prindërit dhe të moshuarit, fëmijët me mësimet fetare, kori me meloditë e tij të bukura, të gjithë antarët duhet të japin kontributin e tyre me gëzim e dashuri.”Në fund të fjalës së tij Hirësi Ilia i dorëzoi Qendrës Kulturore të Pensionistëve “Vatra”, një fotografi të madhe të Faik Konicës.Më pas u shtrua një darkë ku pjesëmarrësit uruan njëri-tjetrin dhe bënë foto të shumta. Atmosfera u bë edhe më e bukur nga këngëtarët Brunilda Sota dhe Rik Hoxha. Shumë besimtarë kënduan e kërcyen. Ishte një gëzim që u kishte munguar për arsye të kovitit. Me një foto kolektive si dhe me këngë patriotike e korçare, u mbyll ngjarja e shënuar e 100 vjetorit të kishës shqiptare Shën Trinia në Boston, e cila është një vatër e ngrohtë shpitrërore e besimtarëve orthodoksë. Siç ka thënë Volteri “Nëse Perëndia nuk do ekzistonte, do ishte e nevojshme ta shpiknim”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fuat Memelli

MBI OQEAN ME ‘DORËSHKRIMET E FSHEHTA TË BURGUT’ TË VISAR ZHITIT

November 3, 2021 by s p

  • E marrë në tërësi kolana e veprave të shkrimtarit Visar Zhiti është një sinjal që na paralajmëron se së shpejti Shqipëria do ta ketë Nobelistin e saj në Letërsi./

Nga Dalip Greca/

Edhe pse qëndrimi im këtë herë në Shqipëri ishte i limituar dhe i kushtëzuar, edhe pse bileta e udhëtimit ishte pa bagazh, siç iket në raste dhimbjesh,- vetëm me çantën e kompjuterit dhe valixhen e dorës, nuk hoqa dorë nga zakoni i vjetër i blerjes së librave të rinj për të pasuruar bibliotekën familjare në Nju Jork. Një ndër librat që bleva në aeroport ishte libri i Visar Zhitit’ Dorëshkrimet e fshehta të burgut’, botuar nga ‘ONUFRI’-Tiranë 2021.Në bibliotekën time qëndrojnë disa prej librave të Visarit si: Kujtesa e Ajrit(1993), Kohë e krisur- 1993; Hedh një kafkë në këmbët tuaja-1994, Si shkohet në Kosovë-2000; Shekulli Tjetër- 2008, Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e Dënuar(2010), Rrugët e Ferrit-ribotimi i vitit  2012, Kartela e Realizmit të Dënuar- 2020, dhe ‘Dorëshkrimet e Fshehta të Burgut’ 2021.

        Libri Dorëshkrimet e Fshehta m’u bë shoqërues i ngrohtë në atë udhëtim rreth  8 orë mbi oqean, nga Zyrihu në New York. Edhe pse një pjesë të poezive i kisha të njohura nga publikimet e mëparshme, i rilexova dhe i ndjeva brenda vetes. Herë pas here kthehesha pas dhe rilexoja dëshmitë e bashkëvuajtësve, që përcillnin dëshmi se si ato poezi u ruajtën në memorie, si u shkruan(madje edhe në hetuesi), si u nxorën nga burgu, si i mori fshehurazi familja në shojet e opingave të Visarit dhe si u ruajtën në kushtet e terrorit dhe si erdhën ato poezi në ditët e sotme për të sjellë shpirtin poetik të autorit të tyre, guximin e tij për të krijuar poezi të ruajtura në kujtesë edhe gjatë hetuesisë apo gjatë viteve të burgut në Qafë Bari dhe Spaç. 

Andreas Dushi me plot të drejtë në përcjelljen hapse të librit,i quan këto poezi-Martire; bashkëshortja e Visarit, Eda Agaj Zhiti, të emocionon me rrëfimin e saj”Dorëshkrimi i Visarit…Ç’guxim! Sa bukur!…”, Hasan Bajo, shoku i studimeve dhe bashkëvuajtësi i Visarit-autor i romanit”Lulet e Pjeshkës’- edhe pse e kisha lexuar më parë rrëfimin e tij në  Dielli- më dukej se e lexoja për të parën herë duke e rilexuar mbi oqean-, Lek Mirakaj na e kishte rrëfyer përjetimin e tij edhe në Vatër- në mendje më patën mbetë fjalët e tij: ne duhej t’i fshihnim me kujdes në torbat tona të ushqimit ose brenda kashtës së dyshekëve….nëse ato poezi binin në dorën e komandës, Jo vetëm Visari, por dhe ne lexuesit(dhe ruajtësit), do të viheshim para situatash të paparashikuara.

Dëshminë e Dine Dines, “Si i fshihnim ne të burgosurit poezitë e Visar Zhitit në Spaç e Qafë Bari” e kisha lexuar më shumë se një herë kur e kisha publikuar në gazetën Dielli, por edhe atë m’u desh ta rilexoja sa herë që u rikthehesha poezive të ç’burgosura. 

Rrëfimet -dëshmi të bashkëvuajtësve Astrit Xhaferri, Kaso Hoxha, Skënder Tufa, Valer Dyrzi, Maks Rakipaj, Ilir Malindi, apo rërfimi prekës i motrës së Visarit Arbëresha se si u ç’burgosën fletoret me poezi të fshehura brenda opingave apo në çantat bosh të ushqimeve, si i ‘burgosën’ përkohësisht poezitë nën tokë për t’i liruar në kohë lirie,- ia shtojnë vlerat botimit.

   Libri me 607 faqe mbyllet ne analizën e plotë dhe profesionale të Shkrimtarit dhe studiuesit Dr. Luan Topçiu me titull” Poezia e Burgut -Frymë që këputi Prangat”- përcjell një vlerë më vete në funksion të vlerave tërësore të këtij botimi ”sui generis”.

E marrë në tërësi kolana e veprave të shkrimtarit Visar Zhiti është një sinjal se së shpejti Shqipëria do at ketë Nobelistin e saj në Letërsi. 

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 250
  • 251
  • 252
  • 253
  • 254
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT