• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjithkush ka lindur lider, por jo çdo kush mund të jetë një lider i mirë!

September 18, 2020 by dgreca

Shkruan: Iris Halili-USA *-

Shpesh tek mendojmë për një lider na vjen imazhi i një  mbreti, politikani , gjenerali apo CEO. Në fakt  ata janë lider për nga profesioni,  por kjo nuk do të thotë se vetëm ata drejtojnë. Githkush nga në çdo ditë drejton, këtë e bën pa kuptuar e më së shumti në formë rituale. Çdo individ për aq kohë sa jeton edhe drejton!

Një nënë tek ngrihet çdo mëngjes dhe fillon të vendosë rregullat e ditës si të ushqej, shëtisë apo mjekojë fëmijët e saj, ajo pa kuptuar drejton; ajo udhëheq veprimtarinë e fëmijëve të saj të vegjël çdo minutë të ditës së tyre dhe natyrshëm ajo drejton fëmininë e tyre duke krijuar çdo çast  personalitetin e tyre.  Drejtuesja e parë e njerëzimit  ka qenë nëna me profesionin e saj të mëmësisë, ajo është një lider që çdo ditë prodhon në fakt bërthamën e karakterit familjar, shoqëror e botëror!

Lidershipi është instikt i lindur i genit njerëzor, pak rëndësi ka seksi apo profesioni, mosha apo kombësia. Tek kërkojmë shërbimin e një kafeje në bar apo të një taksie ne as që na shkon në mendje se edhe kamarieri apo shoferi i taksisë janë në pozicion lideri. Por në fakt ata janë. Le të përfytyrojmë këtë situatë. Nëse kamarieri ka marrë dy porosi në të njëtën kohë dhe njëra është ajo e një grupi vajzash të reja dhe tjetra e një grupi të moshuarish, një kamarier që ka normat e lidershipit etik do i shërbejë së pari grupit të të moshuarve.

Një shofer taksie duket sikur ka detyrë vetëm të drejtojë mirë makinën, të njohë të gjitha rrugët por edhe të flasë pak dhe me etikë . Deri këtu saktë. Por ne gjithmonë harrojmë se një shofer taksie para së gjithash është ai që na sjell apo risjell thjeshtësisht prezantimin e qytetit ku ne sapo kemi zbritur së pari apo që ne e njohim prej vitesh. Ai padashur kthehet në lider tek na rrëfen rrugën më të bukur që ne duhet të vizitojmë si turist të sapo hyrë në qytet, apo një muze apo lulishte të re  në qytetin ku ne jetojmë prej vitesh.

Tani le të kthehemi në fillim të rasteve të sjella dhe të mendojmë se çdo të ndodhte nëse shoferi i taksisë do të na sillte rrotull nëpër qytet pa na çuar në kohë në destinacionin e duhur,  apo do na referonte të vizitonim një pjesë të qytetit fare pa interes? Apo çdo të ndodhte nëse kamarieri në bar së pari do u shërbente vajzave të reja, do bënte edhe një bisedë të gjatë  me to dhe do të shpërfillte shërbimin në kohë të grupit të të moshuarve ? Thjesht kuptojmë se për të njëjtën situatë, të njëtin profesion dhe ndaj të njëjtit grup shoqëror veprime të ndryshme, përcaktojnë akte lidershipi të ndryshme. Në të dyja rastet e kundërta do të kemi ushtrim të lidershipit, diferenca vjen si e ushtrojnë atë.

Kjo na çon në përfundimin se gjithkush ka lindur një lider por jo gjithkush është një lider i mirë; Gjithkush në të njëtën kohë mund të bëhet një lider i mirë kur bën zgjedhje të mira. Zgjedhjet e veprimeve të çdo individi  janë rezualtat i karakterit të tij.  Lidershipi nga ana tjetër është pjesë e karakterit të njeriut, pasi është karakeri  ai që formëson lidershipin personal.  Karakteri është ajo çka ne përsërisim çdo ditë. Dhe ajo çka ne përsërisim çdo ditë është më së shumti ajo me të cilën ne jemi në kontakt çdo ditë dhe që bëhet pjesë e jona fare natyrshëm, krejt pa kuptuar dhe në formën më të përsosur të imitimit. Vajza synon të rrisë fëmijën e saj me modelin që ka parë nga nëna, mashkulli e trajton partneren sipas modelit që i jati ka trajtuar të jëmën; kamarieri në bar shërben sipas asaj që ka parë t’i shërbehet ndër vite apo sipas modelit që i është mësuar apo me të cilin ndeshet çdo ditë ;  Shoferi i taksisë po ashtu.  Të gjithë imitojmë në masivitet çdo gjë rreth asaj me të cilën jemi në kontakt . Kjo është absolute! Çështja ngrihet çfarë modeli na ofrohet, kë zgjedhim të imitojmë, dhe çfarë bëjmë seicili nga ne të përsosim modelin apo modelet dhe më së shumti veten ? Lidershipi i mirë prodhohet kur imitohen modelet e mira, dhe modelet e mira i prodhojnë  shoqëritë e shëndosha, ndërkohë që shoqëritë më të shëndosha janë ato që mbështeten tek normat morale dhe shkalla e lartë e edukimit dhe vetëpërsosmërisë të çdo individi. 

*Iris Halili ka përfunduar studimet në USA për Master në Lidership si dhe programin  e Doktoratës për Lidership dhe Zhvillim Organizatash. Në Shqipëri ka punuar Pedagoge e Letërsisë së Huaj në Departamentin e Letërsisë pranë Fakultetit Histori -Filologji , UT si dhe Shefe Kabineti e Presdentit të Republikës  (2002 në 2005).  Prej viit 2009 jeton dhe punon në Florida , USA. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Iris Halili, Lideri i lindur, Lideri i mire

Arti dhe Lidershipi!

September 17, 2020 by dgreca

Shkruan Iris HALILI*-

A ka ngjashmeri midis liderit dhe artistit?

Kjo eshte pyetja.

Ka shume pika qe e bashkojne artin me lidershipin. Arti dhe lidershipi forcen e ekzistences e gjejne tek frymezimi i njerezve dhe magjepsja e tyre. Artit te vertete edhe lidershipit te vertete vleresimin ja jep koha, autenticiteti dhe sherbimi ne misionin human.

Kush me mire se artisti di te komunikoje e zgjedh gjuhen e duhur, ne kohen e duhur e t’i jape fjales magjine e vertete? Lideret e arrire jane mjeshter te komunikimit.

Arti i vertete lind vetvetishem, por edhe lidershipi i vertete shfaqet vetvetishem dhe eshte gati te veproje ne cdo cast qe koha e therret.

Arti i madh eshte i bazuar ne forcen e pasionit dhe energjise se artisit, nderkohe qe edhe lidershipi as qe mund te mendohet pa keto cilesi. Cilit lider apatik do t’i shkonin ndjekes nga pas?

Arti eshte krijuar te cliroje ndjenjat e artistit, t’i sublimoje ato duke kryer ne kete menyre edhe sublimimin e ndjenjave te adhuruesve te ketij arti; lidershipi eshte krijuar  t’i transmetoje ndjenjat e ndjekesve e t’i vere ato ne veprim.

Ndjekesit e liderit apo adhuruesit e artistit ndihen personalisht te realizuar ne fuqi permes veprave te liderit ,dhe ne art permes artit te artistit. Ka nje kalim natyral te ketyre ndjenjave. Jo gjithkush eshte i zoti te beje art, por gjithkush eshte pak a shume ne gjendje te shijoje art; jo gjithkush eshte ne gjendje te ushtroje fuqine e tij, por gjithkush dhuron fuqine personale tek lideri duke i thene natyrshem: “Tani me drejto”!  Ne nje menyre fare natyrale njerezit zgjedhin liderin apo artistin per te ushtruar dhe sublimuar ndjenjat e tyre te fuqise apo ato artistike.

Lideri  nuk mund te ekzistoje pa ndjekes; po keshtu dhe artisti pa adhurues; ne nje maredhenie te vecante lideri eshte i lidhur me ndjekesit  po aq sa eshte artisti i lidhur me adhuruesit e tij.

Si para nje vepre arti qe sygjestionon, para fjaleve apo akteve te nje lideri ndjekesit po ashtu magjepsen e sygjestionohen. Vepra e artit behet model imitimi per fansat; sjellja e liderit behet model imitimi gjithashtu per ndjekesit. Modelet e artit kthehen ne shkolla artistike qe frymezojne dhe iluminojne brezat; modelet e lidershipit behen modele dhe iluminojne gjithashtu brezat.

Historia e marredhenieve njerezore na meson se vetem dy tipa figurash publike kane forcen te behen modele imitimi dhe keta jane artistet apo lideret; Ata behen te rendesishem  pikerisht per kete lidhje te pazgjidhshme me adhuruesit e tyre dhe ndikimin e pamate qe kane ne to.

Artistet njihen per fleksibilitet; kete tipar duhet te kene edhe lideret. Artistet njihen per ndershmeri, natyralitet dhe nje lidhje gati te pazgjidhshme me progresiven; Po keshtu duhet te jene dhe lideret. Artistet njihen per ndjeshmeri te larte, po keshtu duhet te jete edhe lideri i vertete; Artistet njihen per mos tradheti te kauzes artistike dhe tipare avant -garde; po keshtu duhet te jene edhe lideret. Berja art eshte vetesakrifice per artistin; po keshtu edhe lidershipi i vertete eshte vetmohim ne sherbim te ndjekesve.

Artisti mbetet i tille pikerisht se ka besim tek talenti personal. Nga ana tjeter eshte besimi qe lideri ka dhe duhet te kete ne vetvete qe e ben ate te afte te drejtoje e fitoje bindjen e ndjekesve.

Artistet i besojne intuites se tyre, nuk i tremben ndryshimeve, kane disipline ne pune dhe mbajne gjithmone nje tis humori. Lideret qe kane keto cilesi jane vertet efektive.

Artistet njihen per kurajo dhe guxim gati mbinjerezor per ta thene te verteten dhe mbrojtur ate me cdo kusht; te tille jane dhe lideret efektive.  Artistet jane te sinqerte dhe te ndershem ne cdo hap pasi arti i tyre duhet te jete i paster si vete ndjenjat e tyre. Asnje lider nuk mund te frymezoje me shume se ai i sinqerti dhe i ndershmi, se ai qe mban premtimin me cdo kusht e ne cdo rrethane.

Arti real nuk njeh kompromis, po keshtu dhe lidershipi i vertete nuk njeh kompromise qe do te rrezikonin kauzen e ndjekesve.  Artisti prodhon art dhe shfaq personalitetin  dhe frymezimin e tij jo bazuar ne direktiva apo instruksione, po keshtu edhe lideri i suksesshem  drejton vetvetishem ne misionin e sherbimit ndaj ndjekesve dhe jo i drejtuar nga forca dytesore e interesa jashte raportit lider- ndjekes.

Ne kete analize sintetike nje gje eshte e qarte: Arti i vertete eshte hapesira e madhe nga buron dija dhe lidershipi i cdo sfere ka se cfare te mesoje nga artistet ndersa keta te fundit mbeten dhenesit e perjetshem. 

Mund te shkruanim shume  e te rreshtonim nje liste te gjate  se ne sa shume pika ngjajne arti me lidershipin, per nese themi lidershpi eshte art apo duhet te jete art, pothuaj i kemi thene te gjitha!

*Iris Halili ka perfunduar studimet ne USA per Master ne Lidership si dhe programin  e Doktorates per Lidership dhe Zhvillim Organizatash. Ne Shqiperi ka punuar Pedagoge e Letersise se Huaj ne Departamentin e Letersise prane Fakultetit Histori -Filologji , UT si dhe Shefe Kabineti e Presdentit te Republikes  (2002 ne 2005).  Prej viit 2009 jeton dhe punon ne Florida , USA. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Arti dhe Lidershipi, Iris Halili

SFIDAT E SHQIPËRISË PËRBALLË PANDEMISË GLOBALE COVID-19

September 16, 2020 by dgreca

Profesor i Asociuar Doktor i Shkencave Mjeksore Tritan Kalo, rrëfen Shqipërinë në përballje me pandeminë globale Covid-19. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, Profesor Kalo analizon gjithçka po ndodh në Spitalet Covid, ecurinë e infektimeve, trendin e shifrave, shpjegon me detaje përdorimin e  plazmës hiperimune nga individë që tashmë e kanë kaluar infeksionin nga Sars-Cov2/Covid-19 dhe apelin ndaj qytetarëve sidomos me rastin e fillimit të vitit shkollor. Me Doktor Kalon bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SI ËSHTË SITUATA E INFEKSIONIT SARS-COV2/COVID-19 NË SHQIPËRI?

U bënë mbi 6 muaj që prej deklarimit më 8-9 Mars 2020, të rasteve të para të infektimit me Sars-Cov2/Covid-19 në Shqipëri. Në 26 javët e para të Epidemisë janë konfirmuar pozitivë 10406 raste, prej të cilëve janë shëruar 6186 individë si dhe 319 individë e kanë humbur sfidën me infeksionin Sars-Cov2/Covid-19. Grup-moshat më të prekura kohët e fundit janë ato midis 35-55 vjeç, por edhe grup-mosha 65-85 vjeç po ashtu është shumë e prekur. Fillimisht më të prekur ishin vetëm ata që kishin disa sëmundje bashkëshoqëruese si: Diabeti mellitus, Hipertonia, Pamjaftueshmëria kronike e zemrës, e veshkave, e mushkërive, Sëmundje malinje hematopoetike, etj, por me kalimin e kohës u vu re tendenca e prekjes edhe e individëve pa sëmundje kronike si dhe ulja e pragut të moshës së të prekurve. 

Kuarantinimi i imponuar në fillim të kësaj epidemije, një dukuri e përbotëshme për të kursyer jetë njerëzish, si dhe për t’u dhënë kohë strukturave shëndetsore për mirëpërgatitjen dhe mirëmenaxhimin prej tyre të rastve të të infektuarve rezultoj positive, por në aspektin ekonomik ky kuarantinim i zgajtur tej kufijve të gjashtë javëve sa edhe zakonisht parashihet në të tilla raste, ishte një frenim jo i neglizhueshëm i tij. 

SI PARASHIKOHET E ARDHMJA E TIJ?

Vështirë të flitet me siguri për ecurinë e kësaj Pandemije, por nisur edhe nga Pandemi të tjera si p.sh. Gripi spanjoll i viteve 1918-1920, Sars-Cov1, etj, një dukuri e tillë epidemiologjike zgjat nga gjashtë deri nëtetëmbëdhjetë apo njëzet e katër muaj. Ajo që duhet të kemi të qartëështë fakti se flitet për “profile” të ndryshme kohore të një ngjarje të tillë, për nivele jo të njëjta të përgatitjes së strukturave diagnostike, për struktura të ndjekjes dhe trajtimit të të sëmurëve që evoluojnë pozitivisht me kalimin e kohës, duke mos nënvlerësuar edhe faktorë të tjerë qëndërkohë ndërhynë në ecurinë e kësaj Pandemije. 

ENDE nuk kemi një medikament specifik ndaj Sars-Cov2/Covid-19 për mjekimin më të mirë të të sëmurëve, si dhe ende nuk kemi një Vaksinë të efektëshme për parandalimin e këtij infeksioni. Përgatitja e një vaksine të besueshme dhe të mirë-efektëshme kërkon kohën e saj që varion nga 12-18 muaj. Precipitimi për të hedhur në treg sa më parë një vaksinë të tillë, e ul besueshmërinë në mirë-funksionimin e saj. Interesat komerciale jo të neglishueshme në të tilla raste, nuk duhet të prevalojnë mbi sigurinë e përgatitjes dhe të efektshmërisë së një vaksine të tillë, si e vetmja mënyrë për të këputur përfundimisht zinxhirin e transmetimit të infeksionit Sars-Cov2/Covid-19. 

ÇPO NDODH ME SHIFRAT E INFEKTIMIT APO TË HUMBJES SË JETËVE?

Me deklarimin e Pandemisë së Sars-Cov2/Covid-19 u krijua përshtypja se do të ishte e mundur “kufizimi” i saj, mundësija e mos prekjes së vëndeve me klimë shumë të ngrohtë e të lagësht dhe ndoshta e prezervimit të shumë vëndeve nga prekja prej këtij virusi sëmundje-shkaktues dhe jetë-marrës. Përshtypjet e para rezultuan të ishin të gabuara, por edhe menaxhimi i kësaj Pandemije jo ai i duhuri prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH/ËHO). Ndërhyrja e pavend e politikës në shumë vende nuk bëri gjë tjetër veçse e “lëndoj” mundësinë e mirë-menaxhimit të kësaj Pandemije. Shifrat e infektimit nga Sars-Cov2/Covid-19 ishin shumë optimiste dhe mjaft domethënëse në raport të drejtë me masat e mara edhe në vendin tonë. Rihapja pas kuarantinimit jo si dhe sa duhet në përputhje me planin katër-fazash të hartuar nga Komiteti i Ekspertëve të ngritur nga MShMS me vendimin e saj të 31 Janarit 2020, ku edhe unë jap kontributin tim, si dhe mos respektimi i duhur i masave higjeno-sanitare nga popullata, detyrimisht do të bënte që si shifrat e të infektuarve edhe numuri i jetëve të humbura të rriteshin. 

Po ashtu në vatrën më të nxehtë të infeksionit, në Tiranë, higjena dhe dezinfektimi i mjediseve publike, i mjeteve të qarkullimit në transportin publik, dhe tani me fillimin e vitit tëri shkollor ku sasia dhe cilësija e nyjeve sanitare në mjediset shkollore le shumë për të dëshiruar, detyrimisht që do të ndikojnë në rritjen e numurit të të infektuarve. Vjeshta sjedh në qarkullim edhe shumë viroza të tjera stinore, përfshirë edhe Gripin stinor çka do të rrisë më tej kurbën e të infektuarve jo vetëm nga Sars-Cov2/Covid-19. Është një dukuri që vërehet sot kudo në Botë. Në shifrat e raportuara edhe mundet të ndërhyhet, POR në realitetin e numurit të të shtruarve, të atyre që ndodhen në terapi intensive apo jetëve të humbura nga ky infektim nuk mundet të ndërhyhet. 

Të bërit shumë Politikë në këtë “Kohë kovidiane”, në mendimin tim nuk sjedh asnjë dobi përkundrazi. Intensifikimi dhe zgjerimi i skemës së vaksinimit ndaj Gripit stinor në vendin tonë, shpresoj dhe uroj të ndikojë për mirë në zbutjen e shifrave të të infektuarve në Shqipëri. 

A ËSHTË E MUNDUR NDJEKJA E DUHUR E TË SËMURËVE SI NË SPITALE EDHE AMBULATORISHT?

Në Shqipëri janë ngritur dhe pajisur tashmë katër struktura spitalore me një kapacitet prej 500 shtretërish, për të ndjekur dhe trajtuar të prekurit nga infeksioni Sars-Cov2/Covid-19. Për momentin janë në funksionalitet vetëm dy struktura: Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT “Nënë Tereza” ose sikundër ai njihet si Covid-1, dhe që ka përballuar deri më tash ngarkesën kryesore në ndjekjen dhe mjekimin e të sëmurëve nga Sars-Cov2/Covid-19, si dhe SUSM “Shefqet Ndroqi” ose sikndër ai tashmë njihet si Covid-2. Këto dy struktura kanë respektivisht 120 dhe 190 shtetër të destinuara për ndjekjen dhe mjekimin e të sëmurëve, si dhe jo më pak se 45 shtretër për trajtimin intensiv të të sëmurëve në këto 310 shtretër.

Mjekët e familjes janë tashmë të përfshirë mjaft mirënë ndjekjen dhe trajtimin e të sëmurëve të prekur nga Sars-Cov2/Covid-19. Eksperienca botërore ka treguar se mbi 70-80 % e të prekurve mundet mjaft mirë të ndiqen dhe trajtohen ambulatorisht. Ka protokolle të mirë-përcaktuara për këtë ndjekje si dhe një mirëkuptim dhe mirëkoordinim me këta mjekë, për të ndjekur si duhet të prekurit nga Sars-Cov2/Covid-19, si dhe vënien në funksionim të Urgjencës Kombëtare ose 127 sikundër ajo njihet nga popullata, kur nevojitet ndihma e tyre në rastet e rëndimit të të sëmurëve dhe adresimin e tyre në mjediset spitalore. 

Në rast përkeqësimi të situatës është parashikuar edhe vënia në dispozicion të Pandemisë i strukturave të Spitaleve Rajonalë si dhe atyre Bashkiakë. 

KURIMI ME PLAZËM A KA FILLUAR NË SHQIPËRI DHE CILAT JANË REZULTATET E TIJA TË DERITANISHME?

Përdorimi I plazmës hiperimune nga individë që tashmë e kanë kaluar infeksionin nga Sars-Cov2/Covid-19, është një mjet I vënë në dispozicionin tonë këto kohët e fundit. Janë donatorët vullnetarë të gjakut ata të cilët testohen nëse kanë krijuar imunitet pas kalimit të sëmundjes, që pas një seleksionimi paraprak mbi bazën e një protokolli të mirë-përcaktuar, shërbejnë si bazë në prodhimin e kësaj plazme. Deri më tash janë mbi 20 të sëmurë, që kanë përftuar nga kjo terapi edhe pse jo pak e diskutueshme në efiçiencën e saj. Publikisht u është bërë thirrje që të gjitha ata të cilët e kanë kaluar sëmundjen dhe kanë krijuar imunitet ndaj saj, të dhurojnë gjak dhe ai të përdoret për nxjerjen më pas të plazmës hiperimune. Mbi 80 ish të sëmurë i janë përgjigjur deri më tash kësaj thirrje. Jetë që shërben për të shpëtuar jetë të tjera.

APELI I JUAJ PËR QYTETARËT SIDOMOS TANI ME RIFILLIMIN E VITIT SHKOLLOR?

Përkujdesi ndaj vetes dhe kujdesi ndaj të gjithë atyre që gjallojnë rreth jush është çelësi i artë në mirë-menaxhimin e kësaj Pandemije. Higjena vetjake dhe kolektive, distancimi fizik dhe mbajtja e maskave në mjediset e mbyllura apo aty ku ka prani të shumë individëve, përbëjnë tre hallka shumë të efektëshme në këtë kohë kovidiane. Nuk mjafton Puna, Profesionalizmi dhe Përkushtimi ynë, që të përballemi me sukses në këtë sfidë ndaj infeksionit Sars-Cov2/Covid-19. Duhet në çdo moment edhe Vetëndërgjegjësimi qytetar, që së bashku me Mantelbardhët të mundet me sukses të ia dalim mbanë kësaj “beteje” të gjatë,  me një armik të padukshëm por shumë të rrezikshëm sikundër është edhe infeksioni nga Sars-Cov2/Covid-19. 

Filed Under: Opinion Tagged With: COVID-19, Doktor i Shkencave Mjeksore, Profesor i Asociuar, Sokol Paja, Tritan Kalo

SI I SHEH EUROPA ZGJEDHJET NË SHBA

September 15, 2020 by dgreca

VOTA NË SHTETET E BASHKUARA DHE AMERIKA QË I DUHET EVROPËS–

Nga Angelo Panebianco*-

 E përktheu nga “Corriere della Sera” Eugjen Merlika* –   

Në zgjedhjet, përfundimi i të cilave do të ndikojë fatet e botës për shumë vite që vijnë, asgjë nuk duket më e paparashikueshme dora dorës që shkon përpara fushata zgjedhore. Kandidati demokrat Joe Biden është ende më përpara (duke qëndruar tek hulumtimet) por presidenti në fuqi Donald Trump është duke marrë veten. Ndoshta, së paku pjesërisht, sepse kryengritjet qytetare të këtyre muajve kanë tmerruar shumë njerëz. Për të patur të qartë se cila është rëndësia e dukurisë duhen mbajtur parasysh dy parakushte. I pari është që një evropian, i vënë përballë votimeve amerkane, duhej vetëm të pyeste se cili do t’ishte për ne evropianët, përfundimi më i mirë. Nuk e kuptojnë në Kontinentin e Vjetër, as ata që përkrahin Trump-in sepse ndjehen ideologjikish afër tij, as ata që parapëlqejnë Biden-in për të njëjtën arsye. Parakushti i dytë është që ai që vlerëson rendin liberal (demokracinë përfaqësuese, ekonominë e tregut, liritë qytetare) që është i pranishëm në botën perëndimore që nga fundi i luftës së Dytë botërore, duhet të dijë se ai rend mund të vazhdojë vetëm nëse mbeten disa kushte kulturorë, shoqërorë, ekonomikë.  Por edhe gjeopolitike: vendimet e ardhëshme të Shteteve të Bashkuara do të ndikojnë fatet e rendit liberal perëndimor, do t’i japin ndihmesën e tyre vazhdimit apo shkërmoqjes së tij. Dikush thotë me të drejtë  se, në kundërshtim me atë që shumë pohojnë, politika e jashtëme e Trump-it (e vetmja me të cilën merrem) nuk është në tërësi një shumë gabimesh. Ka fusha në të cilat Trump-i ka ndrequr gabimet e para-ardhësit të tij Barak Obama. Për shëmbull, ballafaqimi i ashpër i Trump-it me një Kinë që për shumë kohë ka luajtur në shfrytëzimin (e vazhdon të luajë ende sot) e dobësive të botës perëndimore, nuk meriton të trajtohet me mospërfillje: në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Kinës ka një problem të vërtetë e Trump-i ka meritën t’a ketë ngritur e të ketë vepruar rrjedhimisht. Gjithënjë në meritë të Trump-it mund të përmëndet kthesa në Lindjen e Mesme mbi një krifë tejet të brishtë: pozicionimi i ri i Shteteve të Bashkuara (në të vërtetë një kthim në të hershmin) sa i përket ndarjes mes myslimanëve sunitë e shiitë. Dy para-ardhësit e tij – Bushi me luftën në Irak që shliroi shumicën shiite nga tirania e një pakice sunite, e Obama me traktatin bërthamor me Iranin – kishin zgjedhur të bisedonin me shiitët në dëm të aleancës më të hershme e tradicionale me botën sunite. E vlerësuar në distancë, kjo përmbysje aleancash nuk duket se ka pjellë të mirat që priteshin, nuk ka shërbyer për t’i dhënë më shumë qëndrueshmëri rajonit dhe as për të nxjerrë përfundimisht jashtë loje xhihadizmin sunit. As nuk ka pakësuar kërcënimet kundrejt qënies së Izraelit. Ndërsa, politika e Trump-it duket se ka dhënë disa frute të rëndësishme: më i rëndësishmi ka të bëjë me ndihmesën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Izraelit dhe Emirateve arabe (të cilave tani u është shtuar edhe Bahrejni), një ndodhi që mund t’i prijë afrimeve të mëtejshme ndërmjet Izraelit dhe fuqive sunite (me përjashtim të Turqisë). As njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga ana e Trump-it, që shkandulloi aq shumë në kohën e vet evropianët, ka penguar këtë shtjelli dobiprurëse.

Nëse duam t’i japim Trump-it atë që është e Trump-it duhet të pranojmë se këto vështrime të politikës së tij meslindore – njësoj sikurse politika e tij kundrejt Kinës – janë ndjellamira e nuk meritojnë përçmimin që u kushtojnë atyre shumë prej kundërshtarëve të tij. Duhet shpresuar që një Administratë e mundëshme Biden të mos kushtëzohet nga humoret kundër-izraeliane të krahut më të majtë të Partisë demokratike e të mos punojë  për të ndaluar ato zhvillime. Gjithënjë në lidhje me zhvillimet në Lindjet e Afërta e të Mesme, mbasi thuhet se politika e Trump-it nuk ka shkëlqyer – madje ka dështuar: të mbahet parasysh egërsia me të cilën i ka kthyerkurrizin kurdëve – në Siri, ashtu si dhe Libisë, duhet t’i njohim faktorët lehtësues: Trump-i nuk arriti të ndreqë gabimet e rënda të kryera, në lidhje me Sirinë e Libinë nga para-arshësi Obama. Mbas kësaj duhet të shtojmë se meritat dhe lehtësimet mbarojnë këtu. Mbrapa fillon lista e gjatë e veprimeve të padenja (nga pikpamja e interesit perëndimor). Trump-i, me një stil të ndryshëm nga Obama, por në thelb të njëjtë me Obamën, nuk ka reshtur t’i bëjë të njohur botës se Amerika është zotuar t’a zvogëlojë rolin e saj ndërkombëtar. Kjo gjë ka hapur orekset e fuqive të tjera të mëdha (Rusia, Kina) e të fuqive rajonale (si Turqia e Erdoganit). Me që ra fjala, shpejt a vonë, SHBA duhet të vendosin se çfarë do të bëjnë me Turqinë, njëherësh antare të NATO-s e tashmë armike të botës perëndimore. A do t’i a lenë vetëm Francës të përballojë synimet perandorake të Erdoganit?

Duke vazhduar padinë e listës së vështrimeve negative, duhet kujtuar se kanë mbetur të errëta (pra të rrezikëshme) marrëdhëniet ndërmjet Trump-it dhe Rusisë së Putinit. Si për Lindjen e Afërt apo të Mesme apo marrëdhëniet me Rusinë, flitet për gjëra që prekin interesat e ne evropianëve. Ashtu sikurse na përket, duke na destabilizuar, kombëtarizmi trampian, me pasojat e tij rrënuese: ndeshja me Gjermaninë, armiqësia kundrejt Bashkimit evropian, polemikat mbi rolin e NATO-s, më në përgjithësi sulmi kundrejt institucioneve shumëkahëshe të krijuara nga Shtetet e Bashkuara mbas vitit 1945.

Të hamendësojmë se faktikisht politika e jashtëme e Trump-it është vërtetimi më i pakundërshtueshëm se koha e mbisundimit ndërkombëtar të Amerikës të ketë mbaruar, cilido t’i fitojë zgjedhjet e ardhëshme presidenciale, që rënia (relative) e Shteteve të Bashkuara tashmë është e pakthyeshme. Është shumë e mundur. Por pyetja atëherë shtrohet: rënia amerikane, vjetrimi i NATO-s, e të tjera mund të vijnë pa prekur rendin liberal tek ne n’Evropë?

Me të vërtetë ka ndonjë që beson se Bashkimi evropian do të mundë në kohë të shkurtëra, të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara, të bëhet një digë e fuqishme dhe e pavarur e atij rendi liberal të mbështetur deri pak kohë më parë nga fuqia amerikane? Ndoshta një Biden në Shtëpinë e Bardhë nuk do t’ishte i aftë rë riqepë marrëdhëniet me evropianët, t’i rijapë fuqi e vrull rendit liberal perëndimor. Është e mundur. Por ajo që me Biden-in është një mundësi, kthehet në një siguri në rastin e rizgjedhjes së Trump-it. Nuk është e vështirë për t’u kuptuar se çfarë u leverdis evropianëve.

*“Corriere della Sera”, 13 shtator 2020      E përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Opinion Tagged With: ANGELO PANEBIANCO, Eugjen Merlika, Zgjedhjet ne SHBA

Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare në shkollat shqipe të Diasporës

September 13, 2020 by dgreca

Seminari i III-të i organizuar nga AADLC-

Më 12 shtator 2020, në orën 10:00 am u zhvillua online seminari i tretë shkencor mbi arsimin dygjuhësor (bilingual): “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare në shkollat shqipe të Diasporës”, organizuar nga Association of Albanian-American Dual Language & Culture – AADLC (Organizata Shqiptaro-Amerikane e Dy Gjuhëve e Kulturave Paralele). 

Fjalën e hapjes e mbajti znj. Drita Gjongecaj, kryetare e AADLC-së dhe moderator e seminarit, e cila, ndër të tjera, shprehu falenderimet për pjesëmarrësit që iu bashkuan këtij aktiviteti dhe uroi mbarëvajtjen e këtij takimi mes studiuesve, specialistëve, mësuesve dhe dashamirësve të shkollave shqipe në Diasporë.

E përshëndetën seminarin  të ftuarit e nderit, që ishin z. Mal Berisha, studiues, historian dhe ish-ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar si dhe z. Frank Shkreli, ish-drejtor i Zërit të Amerikës për Euro-Azinë si dhe ish-drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC). 

Seminari vijoi me tri seancat që ishin ideuar nga organizatorët: 

  1. Tematika dhe faktorë që rrisin efektivitetin e shkollave shqipe. 

Në këtë seancë referuan: Dr. Azeta Kola Zhabjaku me shkrimin: “Sugjerime rreth integrimit të historisë e kulturës sonë në mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e Diasporës”;  znj. Enela Shehu Markja  nga shkolla shqipe në Bavari me shkrimin: “Relievi shqiptar: vende dhe emra si pjesë e identitetit dhe lidhjeve me gjuhën dhe kulturën shqiptare”;    Doktorante Arjeta Ferlushkaj me shkrimin: “Efekti kulturor në nxënien e gjuhës”; znj. Marjana Zeneli Bulku me shkrimin: “Rrjetëzimi i shkollave shqipe – mjet për intensifikimin e të mësuarit të gjuhës, traditave dhe kulturës shqiptare në Diasporë”.                       

  1. Metoda efektive në mësimdhënien e gjuhës shqipe.

Në këtë seancë referuan: Holta Ahmataj, M.Ed. me shkrimin: “Përparësitë dhe disavantazhet e mësimit në distancë”; Arjana Kurti, M.Ed. me shkrimin: “Risi të programit të shkollës shqipe “Children of the Eagle”. Në këtë seancë pati dy referime në gjuhën angleze nga dy mësues shqiptaro-amerikanë: Mirjana Lukic, M.Ed. me shkrimin “Comprehensible Input for Language Learners” (Si ta bëjmë shpjegimin të kuptueshëm për nxënien e gjuhës) si dhe Alban Biba, M.Ed. me shkrimin: “Technology Aiding in Assessment and Instruction” (Mësimdhënia dhe vlerësimi i nxënësve përmes teknologjisë).

  1. Të njihemi dhe të mësojmë nga aktiviteti i shkollave dhe i Qendrave Kulturore.

Në këtë seance rëferuan: kryetari i shoqatës “Shqiptarët e Ukrainës” z. Aleksandër Dermentli me shkrimin: “Shkolla shqipe e arbëreshëve në Ukrainë”; presidenti i shkollës dhe i Qendrës Kulturore “Vatra” në Bruksel z. Ahmet Gjanaj dhe drejtoresha e shkollës znj. Vaile Shkodra, prezantuan para seminaristëve punën e bërë nga qendra dhe shkolla “Vatra” që ata drejtojnë si dhe perspektivat e së ardhmes; ish-drejtori i shkollës “Vatra” në Bruksel z. Ibrahim Dizdari solli për të pranishmit ide e sugjerime mjaft serioze për mësuesit që veprojnë në Diasporë se si mësimi i shqipes të bëhet sa më profesional dhe që të ketë vazhdimësi, pa u rrezikuar nga ndërprerja; kryetari i LAPSH në Bavari (Gjermani) z. Milazim Ukaj foli rreth veprimtarisë së shkollës shqipe në Bavari dhe nevojës për bashkëpunim mes shkollave shqipe në Diasporën shqiptare, kudo ku ato ndodhen; kryetari i shoqatës “Bijtë e shqipes” në Philadelphia  z. Bujar Gjoka foli rreth historikut të shkollës “Gjuha Jonë” dhe aktiviteteve social-kulturore që zhvillohen me nxënësit; znj. Rudina Bani, drejtuese në Departamentin e Edukimit, tani edhe mësuese në shkollën “Gjuha Jonë” në Philadelphia solli per diskutim programin mësimor që ndiqet dhe organizmi i kësaj shkolle në kushtet e mësimit online; Rodlind Purrini, anëtar bordi dhe prind, foli për shkollën shqipe në Bronx në kuadrin e një prindi dhe solli problematika konkrete për shqyrtim nga ana e mësueve dhe e specialistëve të fushës.  

Pjesë e kësaj seance ishte edhe prof.dr. Bexhet Asani me kumtesën me titull “Arritjet, vështirësitë dhe sfidat përballë asimilimit në shkollën shqipe të Nju Xhersit” si dhe drejtuesi i shkollës shqipe “Kuq e Zi” në Queens (NY) Kristaq Papa me shkrimin “Shkolla shqipe ‘Kuq e Zi’ në Queens”. 

 “Eksperienca ime si mësuese me fëmijët në Diasporë” ishte tema më të cilën u prezantua mësuesja Lindita Shahinaj; Valdete Cenalia u prezantua me “Larmia e aktiviteteve mësimore e trashëgimia kulturore artistike në Shkollën shqipe/Qendrën Kulturore të NJ”.  

  1. Pyetje, komente, propozime/ide për projekte tëpërbashkëta. 

Në këtë seance të fundit, edhe pse seminari i kishte kaluar kufinjtë kohorë të përcaktuar, u vu re angazhimi i pjesëmarrësve që të ndanin pyetje e sidomos sugjerime për njëri-tjetrin në mënyrë që të rriteshin sa më shumë profesionalisht në detyrën që ata kanë marrë përsipër: mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë.

Me interes u ndoq te kjo seancë shkëmbimi i informacioneve rreth websiteve apo projekteve që ishin në realizim e sipër nga insitucione apo organizata sa i takon teksteve apo metodave të mësimdhënies. 

Seminari i III-të që organizoi AADLC ishte vërtet një sukses, qoftë për seriozitetin dhe profesionalizmin e seminaristëve por sidomos për hapësirën e gjerë gjeografike që përfshiu, duke kaluar kufinjtë e Diasporës në Amerikë. Ky seminar dhe mbarëvajtja e tij është rezultat i bashkëpunimit korrekt dhe të vazhdueshëm që organizata AADLC dhe shkolla shqipe “Children of the Eagle” me në krye znj. Drita Gjongecaj ka ruajtur me mbështetësit dhe dashamirësit e programeve të dygjuhësisë dhe të kulturave paralele.

Në fjalën e saj të mbylljes, znj. Gjongecaj përgëzoi pjesëmarrësit dhe i falenderoi për angazhimin serioz duke i ftuar ata që të bëhen pjesë e bashkëpunimeve të tjera në të ardhmen. 

Për gazetën “Dielli”

Arjeta Ferlushkaj

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjeta Ferlushkaj, Mesimdhenia e Gjuhes shqipe, Seminar III

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 310
  • 311
  • 312
  • 313
  • 314
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT