• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Identiteti evropian i shqiptarëve

August 11, 2020 by dgreca

Nga Ismail KADARE*- Është folur shpesh për atë pjesë të Shqipërisë që, ndonëse s’guxon të dalë haptas, është kundër Evropës. Është folur për mafien dhe krimin e organizuar, që, duke mos njohur komb e atdhe, s’kanë si të çajnë kryet për to. Është folur për politikanë të korruptuar, që, ashtu si mafia, tmerrohen nga ligjet e demokracisë e nga standardet e Ballkanit evropian. Është folur për fjalimet antiamerikane në parlamentin shqiptar më 1997-ën, që kanë shkaktuar, me siguri, lot nostalgjikë në sytë e stalinistëve shqiptarë. Janë të njohura udhëtimet gjysmë të fshehta të politikanëve shqiptarë të të dy krahëve në vende disa herë të cilësuara si terroriste, me qeveri të dyshimta, që s’i duan as popujt e vet e me të cilat s’na lidh asgjë. Të gjitha këto dihen. E keqja është se kujtesa e politikës shqiptare është e shkurtër dhe, veç kësaj, disa nga politikanët tanë dinakërinë e tyre e kujtojnë për zgjuarsi. Është e kuptueshme që dhe haxhiqamilizmi, dhe komunizmi shqiptar do të linin pas vetes një frymë të sëmurë kundërevropiane. Është e kuptueshme që shumë njerëz do të ndihen keq në familjen e sotme të popujve. Problemi i mirëkuptimit ose moskuptimit shqiptar me kontinentin, është në thelb mirëkuptimi ose moskuptimi me vetveten. Raportet me Evropën s’mund të jenë veçse të qarta e pa dy- fytyrësi. Mesazhi i Evropës më 1997-ën dhe 1999-ën, ishte i qartë. Ajo na quante të vetët, ashtu siç ishim, me atë identitet që kishim. E vetmja kërkesë e saj ishte ajo që iu bë gjithë popujve të tjerë të ish-Lindjes komuniste: emancipimi, demokracia. Trillet, nazet dhe dyshimet nuk janë pa një burim. Një pjesë vijnë nga keqkuptimet tona të vjetra, një pjesë nga dredhitë e sotme. Ende disa vite më parë ishin të kuptueshme. Por në pranverë të këtij viti, ato janë të tepërta. Pengesat që s’na lënë, ose na duket se s’na lënë t’i afrohemi Evropës, përpara se t’i kërkojmë jashtë, duhet t’i kërkojmë brenda nesh. Nuk është pengesë asnjëra nga fetë e, sidomos, nuk është myslimanizmi ndaj të cilit dyshimi ngjan më i lehtë. Është thënë me të drejtë se të tri besimet janë të barasligjshëm në Shqipëri. Duke mos qenë pengesë asnjëri, po aq mund të thuhet se asnjëri s’është lokomotivë që na tërheq drejt Evropës. Në pengojnë, ata pengojnë të tre bashkë e, në tërheqin, këtë e bëjnë të tre njëlloj. Një shqiptar mysliman, është po aq i natyrshëm si shqiptar dhe si evropian, sa një katolik e po aq, sa një ortodoks. Në acarimet e shpesh në përpjekjet me turqit osmanë, shqiptarët myslimanë ishin në vijën e parë. Feja e njejtë me pushtuesin nuk ua mjegulloi idenë e lirisë. Bilbilenjtë, ata që në mënyrë aq të padenjë u përgojuan në Kuvendin shqiptar më 2006-ën, ishin një nga familjet martire, 13 djem oficerë të së cilës u varën brenda ditës nga pushtuesi me të njëjtën fé. E njëjta gjë ka ndodhur me shqiptarët ortodoksë. Martirët e vijës së parë kundër trysnisë mizore të shovinizmit fqinj, ishin pikërisht ata. Papa Kristo Negovani, At Stath Melani, Petro Nini Luarasi, janë vetëm disa nga emrat e mëdhenj që feja e njëjtë me kundërshtarin nuk ua zbehu për asnjë çast idenë e lirisë. Rexhep Qosja ka të drejtë kur thotë se nëse shqiptarët do të kishin ruajtur besimin fillestar, rikthimi i tyre në Evropë do të kishte qenë më i lehtë. Por kjo keqardhje e tij, nëse mund ta quanim kështu, bie ndesh me këmbënguljen se gjysma jonë i përket ndërkaq qytetërimit lindor. Me këtë pranohet ngadhënjimi i vonuar i shtetit osman. Me këtë pranohet se në gjithë gadishullin ballkanik i vetmi popull që u thye, qoftë edhe përgjysmë, ishim ne. Në qoftë se kjo do të ishte e vërtetë, ne do të ishim të detyruar ta pranonim. Por kjo, për fat, nuk është kurrsesi ashtu. Siç u tha më lart, kombet nuk ndryshohen as nga pushtimet e as nga konvertimet. Nostalgjia e tërthortë që po shfaqet sot tek ne për otomanizmin nuk është vetëm e habitshme. Ajo është në radhë të parë poshtëruese. E po ashtu fantazma e Haxhi Qamilit, që përherë e më shpesh shfaqet në trojet shqiptare. Shtatorja që iu ngrit në qendër të Tiranës, më 2001, një shefi otoman, i shpallur si kinse themeluesi i qytetit, ka qenë fyerja më e madhe për kryeqytetin e shtetit, për historinë dhe ndërgjegjen shqiptare. Vetëm një popull që nuk e meriton lirinë mund t’i ngrejë shtatore pushtuesit të vet. Bashkia e Tiranës, e drejtuar në atë kohë “nga haxhi qamilët”, siç i cilësoi me të drejtë arkitekti Maks Velo, e ngriti atë shtatore natën dhe pa lajmëruar askënd, si keqbërësit. Banorët e pallateve rreth sheshit, ku ajo ende ngrihet sot, e mbajnë mend njeriun që printe vallen rrotull shtatores atë natë. Ky njeri mban një nga postet më të rëndësishme në qeverinë e sotme. Kjo shtatore është mishërimi i korrupsionit politik dhe moral të shkallës më të errët. Historianët e kanë shpallur të rremë këtë gjoja themelues. Emri i Tiranës si vend vendbanimi, është shumë më i vjetër se koha e këtij pashai. Klisheja krejtësisht e gabuar e përftimit të Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytetërim as ashtu, as kështu, thënë ndryshe një “vend i as-as-it”, s’na bën kurrfarë nderi. Së pari, sepse nuk është e vërtetë, së dyti, sepse, të lakmosh një cilësim të tillë, është njëlloj si të vetëshpallesh “gjysmak”, që në shqip midis të tjerash do të thotë “tarrallak”. Ideja e përhapur andej-këndej dhe fatkeqësisht e përkrahur nga Qosja, se “fati ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit”, të kujton një nga njollat e historisë shqiptare, kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit. Ide të tilla delirante, ato me të cilat Shqipëria, për një kohë të gjatë, u bë gazi i botës, u kanë ardhur në majë të hundës shqiptarëve. Por jo politikanëve tanë. Me sa duket, reflekset e vjetra të zyrave të Enver dhe Nexhmije Hoxhës, u vijnë në mendjet e tyre prej mitomanësh. Janë këto, me sa duket, që shkaktojnë çoroditjen kryesore në politikën shqiptare. Një pjesë e madhe e politikanëve flasin gjithë ditën për Evropën dhe Perëndimin, por mendjen, me sa duket, e kanë nga Lindja. Nga Lindja në të gjithë gamën që ajo ngërthen: Lindja e Mesme, ish-lindja sovjetike, e po të mos mjaftojë kjo, edhe ajo kineze maoiste. Janë këto reflekse, që i shtyjnë këta politikanë, që, në vend që të përqëndrohen në çështjet e ngutshme madhore përpara të cilave ndodhet kombi shqiptar: mirëqenia, hyrja në Evropë dhe statusi i Kosovës, fillojnë e joshen nga fantazira pa kuptim, për të cilat nuk kanë as mundësi, as shtat e as tagër moral nga populli i vet. Të brengosesh se si do të pajtohet Perëndimi me Lindjen, të kinse ndërhysh, për shembull, në kinse rolin e ndërmjetësit, në mosmarrëveshjet SHBA – Iran, për energjinë bërthamore, kjo, në rastin më të thjeshtë quhet ëndërr në diell, kurse në rastin më të keq, e ka emrin korrupsion politik. Misioni i shqiptarëve në këtë planet, fati apo e thënia e

    tyre, është një dhe i pandryshueshëm: mbrojtja e interesave të vendit të tyre, që quhet Shqipëri dhe i popullit të tyre, që mban emrin shqiptar.

Mua më duket se problemet janë tepër të qarta dhe gjithçka është  në krah të kombit, akuzat që ngrihen janë marrëzi, ndërsa komentet kundërshtuese më duket se nuk kanë bazë.

Fragment: Marrë nga Sprova” Identiteti evropian i shqiptarëve”

Filed Under: Opinion Tagged With: i shqiptareve, Identiteti evropian, Ismail Kadare

TË RIKTHEJMË NË VATËR FRYMËN E SHENJTË VATRANE

August 10, 2020 by dgreca

Nga Dalip Greca*- Vatranët i bashkon fryma e shenjtë e Vatrës, fryma e bashkimit, e dashurisë për Vatrën, për Kombin, për njeri-tjetrin, frymë që e plazmuan krijuesit e saj. Në editorialin përcjellës të Kryetarit-Ikonë të Vatrës, të ndjerit Agim Karagjozi, lider i dy dekadave në krye të Federatës, pata trajtuar frymën e shenjtë të Vatrës. Editoriali është publikuar në numrin special, kushtuar përcjelljes të kryetarit Karagjozi, Dielli i prillit 2018.

Po citoj veten:” Agim Karagjozi dha për Vatrën gjithçka kishte, por mbi të gjitha shpirtin e tij e njësoi me shpirtin dhe frymën e Vatrës. Po po, Vatra është  Frymë, është shpirt.Është frymë Kombëtare, është shpirt atdhetar, ai që nuk e ndjen këtë nuk mund të bëhet vatran i përkushtuar. ..”

    Nuk ka qenë e lehtë për vatranët, mbajtja e Vatrës bashkë, me të gjitha degët, por me sakrifica, është arritur. Tendencat përçarse janë tejkaluar dhe Vatra pas sprovash të vështira, edhe kur është plasaritur nga përçarjet, zilitë, tendencat individualiste, familjare, krahinore, fetare, karrieriste, ka arritur të ngrihet mbi to dhe ka rikthyer frymën e shenjtë të bashkimit.

   Në dekadat e para përçarjen e nxiste edhe propaganda greke, por Vatra duke pasë në krye burra të ftilluar e të ditur, arriti që të fitojë mbi grekërit dhe ta mbajë bashkë frymën e  bashkimit. Fryma e bashkimit u rrezikua seriozisht në vitin 1917, kur Partia Politike e ish kryetarit K. Dako shkëputi një pjesë të konsiderushme të anëtarësisë, por Vatra sërish gjeti veten dhe përmes një aksioni Kombëtar siç ishte Fushata për shpëtimin e Shqipërisë, 3 qershor 1917, arriti të shpëtojë jo vetëm veten e vet, por edhe Pavarësinë e rrezikuar të Shqipërisë. Pikërisht në ato vite Vatra bëri punë të mëdha për Kombin.

     Një rrezik tjetër i madh iu turr Vatrës më 1936, kur mosmarrveshjet brenda vetes krijuan një të çarë të madhe në trupin e saj. U duk fillimisht se anija e Vatrës kishte pësuar dëme të mëdha nga dallgët e zemrimit. Çarja ishte e pariparushme për momentin. Ndarja nuk u shmang. U krijuan dy Vatra, njëra,- Vatra mëmë mbeti në Boston,- tjetra-bijëza në Michigan. U krijuan dy gazeta Dielli, për dy vatrat respektive. U nda e u përça Vatra, por në të dy pjesët e ndara, egzistonte në anëtarësi fryma e shenjtë e bashkimit. Pushtimi fashist i Shqipërisë i tronditi të dy Vatrat dhe sërish u bashkuan, bijëza u kthye tek Mëma.

Por me kaq nuk u sosën hallet e Vatrës së moçme.Një tjetër ndarje ndodhi në vitet e turbullta të Luftës së Dytë Botërore, me 28 Dhjetor 1941, Kostë Çekrezi, patriot, demokrat, antimonarkist, shkrimtar, gazetar, që kishte miq me influencë në administratën Amerikane, i shkëputi një pjesë të konsiderushme Vatrës dhe mori shumë emigrantë në radhët e Organizatës oponente që krijoi përballë Vatrës dhe që e emërtoi “Shqipëria e Lirë”. Shqipëria e Lirë dhe Vatra ishin ballëpërballë në një rrugëtim të gjatë, ashtu siç ishin në përballje dhe dy gazeta”Dielli” e “Shqipëria e Lirë”. E para u shfrytëzua nga qeveria komuniste e Tiranës dhe u bë instrument i saj. Çekrezi e nuhati shpejt dhe bëri divorcin me krijesën e vet. Gjithësesi Vatra e vuajti hemoragjinë që krijoi Shqipëria e Lirë dhe iu drejtua për ndihmë Mbretit Zog, që në atë kohë ishte në Kanë të Francës.Mbreti iu përgjigj pozitivisht kërkesës së vatranëve për të anëtarësuar në Vatër legalistët. Kështu që në vitin 1959 Vatra rinisi rimbushjen e radhëve duke pranuar si vatranë jo vetëm legalistët, por  nga të gjitha kategoritë e nacionalsitëve që kishin lënë Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore.

          Tash ka nisur një goditje tjetër, e pesta sipas radhës, që edhe pse është në minorancë, nuk i bën mirë frymës së shenjtë të bashkimit.

Po, kush e cënon sot frymën vatrane dhe kush po përçanë Vatrën? Është një grupim fare i vogël që me deklarata e komunikata të pa pamatura, dhe së fundi me një aventurë të rrezikshme për Federatën, krijimin e degës, ka kaluar në eksterm, pa i llogaritur dëmet që po i bën me ndërgjegje Vatrës. Nuk dua të besoj se pas kësaj aventure fshihen interesa që kanë të bëjnë me VATRA FOUNDATION INC., Presidenti i të cilit, ka kohë që në mënyrë arbitrare ka shpallë pavarësinë nga Vatra dhe prej vitesh nuk pranon të informojë strukturat e Vatrës për veprimtarinë financiare!!. Përveç presidentit Kaliqi, kush ka interes ta mbajë larg Vatrës këtë fondacion? Çfarë veprimtarie ka kryer ai deri me sot? Pa zgjidhur këtë enigmë nuk mund të kuptohen motivet e vërteta të arkitetktëve të përçarjes së Vatrës me vatër paralele. Si mund të krijohen degë të Vatrës pa patur autorizim me shkrim nga qendra? Pretendohet për mosrespektim të institucioneve nga qendra, dhe shkelen symbyllurazi institucionet e Federatës, prej këtyre që pretendojnë të vendosin në vend drejtësinë e munguar!

Vendimet e rëndësishme, historikisht Vatra i ka marrë në Kuvende. Edhe në Kuvendin e fundit, të 19 Janarit të 2020-ës, Vatra nuk e njohu të vetshpallurin”Komision të 5 tetorit”-, por edhe i panjohur, ky komision paska nisë krijimin e degëve! Por natyrisht nuk është e lehtë që të gjenden vatranë të vërtetë, nga ata me frymën e shenjtë vatrane,(përjashtojmë nga ky gjykim të mashtruarit) që  vullnetarisht të ndërmarrin aventurën e përçarjes së Vatrës duke u anëtarësuar në një vatër të paligjshme? Kur Federata paralajmëroi krijimin e degëve të reja, këta vrapuan dhe sajuan një degëz në Staten Island-NY, me 8 apo 10 veta. Në fakt në fotografitë e publikuar duken 10 persona, por Dielli kontaktoi me njerin prej anëtarëve të Këshillit të Federatës, i pranishëm në fotografi, i cili ishte i ftuar në atë “themelim illegal”, pa e ditur fare qëllimin. Ai pohoi se nuk ka pranuar të bëhet pjesë e asaj dege, sepse siç tha ”Nuk jam për përçarje”… Vazhdoj të jem anëtar i Federatës dhe i Këshillit të saj, ndërsa një tjetër prej dhjetshes, nuk ia vlen t’ia përmendim emrin sepse ka vite që  ai e  qëllon me gurë Vatrën dhe nuk besojmë se do të ketë dashuri të madhe për të ashtuquajturin “Komision i 5 Ttetorit”.

         Krijues i degës me 8 veta qenka Uk Gjonbalaj, i cili iu bashkëngjit “Komisionit 5 Tetorit 2019”, ndërkohë që jo shumë kohë më parë(Dhjetor 2018) shkroi në statusin e tij në fb me rastin e nderimit me Mirënjohje nga Kryetari Dritan Mishto:” Se Vatra është në rrugë të drejtë dhe po bën atë që duhej të bënte shteti shqiptar! Faleminderit Vatrës! Faleminderit Kryesisë!…Faleminderit Kryetarit!”…

  Ku shkuan gjithë këto falenderime për qendrën? Çudi e madhe, kur u prish Uka me qendrën?…Gjithësesi Federata nuk e ndjen fare largimin e Ukës sepse më shumë se dhjetë Gjonbalaj janë anëtarësuar në VATËR, pas ikjes së tij tek Komisioni i paligjshëm!

         Të gjitha këto përpjekje, përfshi dhe paralelizmin në facebook, në ndonjë portal të rëndomtë, apo të ndonjë gazete, që bëhet strehë e paligjshmërisë së këtij grupimi, janë të destinuara të dështojnë, siç kanë dështuar në 108 vite të gjitha tentaivat përçarse.

         Qendra e Vatrës ka ruajtë gjakftohtësinë dhe nuk ka ndërmarrë veprime publike, nuk ka përmendur emra, por ajo do të veprojë sipas Kushtetutës së vet dhe ligjeve të shtetit ku jetojmë.

   Veprimet e pamenduara që kanë ndërmarrë disa persona për të dëmtuar Vatrën, për të krijuar Vatër të dytë, vetëm frymë vatrane nuk mund të kenë. Le të presim dhe të shikojmë se deri ku do të shkojnë veprimet e tyre; historia do t’i gjykojë….

  Tash është koha që sejcili të gjykojë veprimet e veta. Është koha që të kthejmë frymën e shenjtë vatrane, përçarjet nuk bëjnë gjë tjetër veçse baltosin individët dhe vënë në pikëpyetje motivet e punës së tyre të deritanishme në Vatër.

 Vatra duhet të nxjerrë mësime nga krijimi i këtij fraksioni dhe të punojë më shumë për të kultivuar frymën bashkuse. Edhe veprime që duken të parëndësishme; ato që nuk i shohim, por i ndjejmë, telefonatat, email-et që zgjojnë zili,ky tha kështu për ty, ai tha ashtu,… por ai të do, ky s’të do… thashethemet, mund ta vrasin frymën e bashkimit. KUJDES!

I ndjeri Karagjozi na e la Vatrën e bashkuar, le ta rikthejmë sërish frymën e Tij sepse është vlerë për Vatrën e sotme dhe duhet t’i shërbejë vatranëve si model përkushtimi. Që ta rikthejmë këtë frymë duhet ta çlirojmë shpirtin nga qejfmbetjet, grindjet,dukja, xhelozirat profesioanle por dhe sociale, shpirti karrierist, dhe të vendosim mbi gjithçka frymën kombëtare, e cila qëndron në themelet e Federatës. Vatra do punë, jo fjalë!

* EDITORIAL I DIELLIT- PRINT- KORRIK 2020

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Fryma e Shenjte, Vatra

AT GJERGJ FISHTA : KUJTOHET E NUK HARROHET PER JETE!

August 7, 2020 by dgreca

Me rastin e 80 vjetorit të vdekje së At Gjergj Fishtës–

Shkruan : Prof.Sami Repishti–

Ridgefield, CT. Gjashtëdhjetë vjet ma parë, me 30 kallnduer 1940, në qytetin e Shkodrës hija e zezë e vdekjes u perhap menjiherë posa erdhi lajmi se At Gjergj Fishta, poeti i jonë kombëtar, kishte ndrrue jetë. Atë vit, unë ishe student i Liceut “At Gjergj Fishta”, dhe bashkë me shokët e mi të klasës, e të shkollës, shpejtuem me marrë pjesë në fillimin e ceremonive që ishin planifikue për këte figurë të madhe të Kombit tonë. 

   Edhe ashtu ngjau! Grupe studentish u grumulluen para Kishës Franceskane ku mijëra të tjerë kishin shkue para nesh. Atmosfera ishte solemne. Ma vonë, trupi i mbështjellun në arkivolin që në fillim mbahej në supe vullnetarësh filloi parakalimin në rrugët e qytetit në mes të nji turme përtej mase të madhe dhe plotësisht të heshtun. Disa hiqnin kapelën nga koka si respekt, të tjerë gjunjëzoheshin para arkivolit, e të tjerë, shumë të tjerë, lotojshin në heshtje para kufomës së Atit të madh shpirtënor. Ishe i magjepsun para nji pamje të ktille e thellësisht i emocionuem!

    Fishten –ashtu e quejshim na e që të gjithë e njihshin vetëm nga mbiemni,- e kam njohë që në klasët fillore, në shkrimet e tia epike, tragjike, lirike dhe satirike: ishte figurë familjare për të gjithë. Unë kishe edhe nji arsye tjetër personale: në votimet e vitit 1923, Fishta u zgjodh deputet i Shkodrës në Asamblenë Kushetuese, ma vonë Parlamenti, bashkë me nji grup qytetarësh të respektuem, por kundërshtarë të qeveritarëve me tendenca monarkiste. Në këte grup, u zgjodh edhe baba i im, i ndjeri Hafiz Ibrahim Repishti, deputet i Shkodrës. Në mes të dy klerikëve lindi dhe u zhvillue nji miqësi që zgjati deri në fund, 1940 për Fishten dhe 1943 për baben tim. U fikën të dy, dhe fatmirësisht nuk përjetuen katastrofën komuniste në Shqipëri.

   Me 30 dhetor 1965, me rastin e 25 vjetorit të vdekjes, gazeta DIELLI e Vatrës botoi nji seri shkrimesh kushtue At Gjergjit. Unë shkrova “Kujtime të nji nxanësi”, mendime që po i ripërsëris këtu:

“….At Gjergj Fishta, poeti i epikës madhështore –dhe frymëzuese- të popullit tonë, liriku i shquem, dramaturgu i fuqishëm, dhe pa dyshim autori i satirës ma të përsosun të letërsisë shqipe., At Gjergj Fishta, frati i kushtuem mësimeve dhe shembullit të Shën Franceskut, zemra e dhanun pa kushte dashunisë për Shqipni, mendja që synoi pa pushim zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, vdiq në nji kohë ndoshta kur ma shumë se kurrë zjarri i fjalës dhe penda e tij i duhej nji populli të mashtruem në nji atdhe të robnuem…..

    “Ka vdekë Patër Gjergji!” Ndoshta kjo ishte forma ma familjare që në Shkodër e kishim zakon me thanë kur shqiptojshim emnin e Poetit. Ndoshta edhe vetë ky familjaritet i ndiem dhe i përgjithëshëm tregon ma shumë se çdo shprehje tjetër sa afër nesh jetonte Fishta, sa ngushtë me mendimin tonë, dëshirat e shpresat tona jetonte Poeti që përjetësoi epopenë vigane të nji populli që nuk deshti me jetue në skllavëri.

   E kam pa Fishten për të parën herë në vitin 1937, kur nji qytet i tanë, Shkodra tradicionale, përcolli në banesën mortore të re trupin ba skelet i këputun të Hasan Riza Pashs. mbrojtësi i madh i qytetit Shkodër nga sulmet serbp-malazeze. Në nji pod të ngritun me nxitim pikërisht mbi trollin ku kishte ra gjaku i të vramit me tradhëti folësit hypën e zdrypen pa muejtë me shkëputë turmën nga Pasha që ceremonia e permortëshme kishte randue mbi to. U desht Fishta atëherë me thanë fjalen e tij. Aty kam pa fëtyrat, me mijëra, drejtue kah ai që i tërhiqte pa muejtë me u shkëputë, sikur fjalët e shqiptueme nga Fishta përmbajshin nji mshehtësi të paditun ma parë. Asnji herë ma vonë për mue, figura kryesore e qendresës së Shkodrës, nuk ashtë paraqitë ma  e qartë.

    Rradhën tjetër kur e pashë, Fishta shtrihej, pa lëvizje, pa za, ndehej pa shpirt mbi podin mortor të vendsoun në mesin e Kishës Franceskane, banesa e tij për shumë vite të gjata, banesa që tri ditë ma vonë i ofroi vendin e qetë për pushimin e përjetëshëm.

   Të rreshtuem dy nga dy parakalonte turma në heshtje dhe respekt të thellë. Silleshin rrotull arkës mortore, në nji procesion dhimbje dhe nderimi. Mështjellë në zhgunin e murrmë në të kuq , me të bardhin litar ngjeshë që tre premtimet e bame të Lumit të kujton, fëtyren bardhë si bora, duertë bashkue në nji kryq druni të zi, Fishta që për ne nxanësit zente nji vend në Olimpin me të pavdekëshmit nuk mund të ishte ajo kufomë që nuk flet, që nuk punon. Cila ishte ndjesia që na mbushte zemrat tona rinore në ato ditë nuk mund ta them me siguri. Ishte diçka si nji perziemje e habitjes që shkaktonte pamja e kufomës pa lëvizje me dyshimin e nji të riut: a vdesin njerëzit e mëdhaj? 

    Ata që na frymëzojnë, na japin jetë, na ushqejnë me mendime, na ngjalin ndjesitë fisnike, na nxisin për veprim, na bajnë, menjifjal, me  qenë diçka ma shumë se nji frymor që lëvizë pa synim, nji qenie me ide e vullnet, ata pa dyshim e vejnë veten e tyne në nji piedestal ma të naltë, ma të plotë, ma të sigurtë, nji pod që për ne, njerëzit e thjesht, paraqitet simboli i pamërrijtëshëm: nji seli që i takon të pavdekëshmve.

    Por Fishta kishte mbyllë sytë për jetë! Dy ditë ma vonë, nji qytet që mbar percolli veshun në zi, njeriun që ma  shumë se asnji tjetër ndoshta- në mes të atyne që jetojshin- kishte unjisue emnin e vet me kryenaltsin e nji turme që kurr nuk deshti me njohë peruljen……

Filed Under: Opinion Tagged With: 80 vjetori i vdekjes, At Gjergj Fishta, Sami repishti

LEKË GOJÇAJ NDËRROI JETË

August 4, 2020 by dgreca

NDËRROI JETË ATDHETARI LEKË GOJÇAJ, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN-Me hidhërim të thellë njoftohet Komuniteti se të Martën me 4 Gusht 2020 ka pushuar së rrahuri zemra e Lekë Gojçaj, njeriut të dashur, atdhetarit të shquar, që është identifikuar me Shënjtëreshën Nënë Tereza. Ai së bashku me vëlla Pashkun (i ndjerë) sponsorizuan dhe vendosën  Shtatoret e  Shenjtëreshës me gjak Shqiptar NËNË TEREZA, që nga Amerika(New York-Michigan) e deri në Trojet Etnike, si Tuz, Prishtinë, Mitrovicë, Strugë etj.

     Lek Gojçaj u lind në Sukruq të Malësisë me 7 Shkurt 1939, u nda nga jeta në moshën 81 vjeçare.

Njoftohet komuniteti se shërbimet funerale do të kryhen ditën e Enjte, 6 Gusht 2020, nga Ora 2 PM- 9 P.M. në Shtëpinë Mortore YORKTOWN FUNERAL HOME, që ndodhet në adresën:

945 EAST MAIN STREET, YORKOWN, NY 10588.

Mesha e DRITËS dhe Salikimet e fundit do të kremtohen ditën e  Premte, me 7 Gusht 2020 ,duke filluar nga Ora 11. A.M. në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale,NY. Pas Meshës arkmorti me trupin e të ndjerit do të përcillet për në varrezat “GATE OF HEVEN”, që ndodhen në adresën:

10 West Stevens Ave, Hawthorne, NY.

     Në Shtëpinë Mortore duhen respektuar rregullat që dikton Pandemia e COVID-19. Është e detyrueshme përdorimi i maskave dhe respektimi i distancës sociale.

  • Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës z. Elmi Berisha në emër të Kryesisë dhe Këshillit të Vatrës i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Gojçaj për humbjen e njeriut të tyre të dashur, mikut të Vatrës, një patriot i devotshëm që punoi pa u lodhur për çështjen Kombëtare. Pushoftë në Paqë shpirti i Tij!

Filed Under: Opinion Tagged With: LEKË GOJÇAJ NDËRROI JETË

HOW WE HONOR REGIS PHILBIN

August 3, 2020 by dgreca

By Rafaela Prifti-

“Regis Philbin was class act who brought warmth, humor and wit to audiences for decades, and was a fine representation of both The Bronx residents and the Albanian community.” Bronx Borough President Ruben Diaz Jr. for DIELLI.

Regis Philbin, American TV personality and icon passed away from natural causes at 88. Quickly after, the family made the announcement, a spokesperson expressed gratitude for the outpouring of love they have received and invited people to make donations to help the needy in his beloved New York.

In paying tribute to him, it behooves our community to honor the Albanian ancestry of Regis Philbin, as the son of Filomena Boscia, and grandson of Nicolamaria Boscia going all the way back to Francesco Boscia born in 1761 in Greci, Avellino, Campania, Italy.

In this article, I have reproduced his mother’s side of the family tree.  

Born on August 25, 1931, in the Bronx, Regis Francis Xavier Philbin, attended local schools and graduated from Cardinal Hayes High School. After receiving a sociology major from Notre Dame, Philbin joined the US Navy. In the 50s, Regis started working at local TV stations in California first as a stagehand then a news writer and years later a news anchor in San Diego, before gaining national exposure as a TV host. He moved to New York as a star of local morning television. In 1988 Regis teamed up with co-host Kathy Lee to have a national broadcast of the show. In 2001, Kelly Ripa was announced as the official replacement and went on to co-host the high-ranking program for another decade. Ripa paid tribute to her mentor Regis Philbin on the show by remembering Joy, his wife of 50 years and daughters J.J. and Joanna. His former wife Catherine Faylen, daughter Amy and son Daniel, who died in 2014. The crew also honored Regis as a “national treasure”. As a TV personality, Regis lived a good amount of his life in front of the camera. He was endowed with a gift of a charming storyteller. Philbin shared so much of his experiences, encounters and family stories with worldwide audiences. Most of his guests and people in his circle were aware of his Irish father roots. In fact, he was named after his father’s alma mater, Manhattan’s Regis High School.

Though Philbin had mentioned his Albanian ancestry from his mother’s side, and even pronounced a few Albanian words he learned from her as a child, he brought a complete family genealogy on the set of the show in 2010. His mother, Filomena was born in Manhattan whereas his grandmother Nicolamaria came from Greci, Italy and died in the Bronx in 1934. Holding a family tree poster on the set, an exited Regis Philbin, revealed that his mother’s side were forced to leave the home country, Albania, centuries ago and cross the Adriatic to settle in Italy in a small village called Greci. Through numerous records going back hundreds of years, it has been established that Greci was one of the settlements of the Arberesh community, early Albanian population that was forced out of Albania beginning in the last century of the Ottoman Empire. It is believed that a considerable number of the Arberesh community who have crossed the ocean and numerous families who live in the New York area originate from the same village. One documented example is the family of the former Congressman Joe DioGuardi. In fact, Philbin acknowledged the relation when he presented the genealogy diagram to his guest on the show, Kara DioGuardi, daughter of JoeDioguardi, whom he referred to as “distant cousin”. I was able to reproduce the family origins of Regis Philbin for the readers. *

Regis Philbin had a long and successful careers for decades leaving an indelieable imprint on American culture. He reached the hearts and minds of millions of Americans as host of Morning Shows and “Who Wants to Be a Millionaire”. He has been honored with Emmy awards and acknowledged by his peers, and received his Hall of Fame induction in 2006. 

It is upon us to honor Regis Philbin and his Albanian ancestry.

Regis Philbin – Walk of Fame in the Home Borough of the Bronx

The Bronx Borough President, Ruben Diaz Jr., who has hosted Albania Independence Day last November and has persistently honored the Albanian-American community as well as our historical and cultural personalities at varous events, frequently refers to the Bronx native, Regis Philbin.

“Regis Philbin was not only one the most recognizable media personalities of our time, but he never forgot his roots and was in the first class of inductees honored on the Bronx Walk of Fame in 1997,” said Bronx Borough President Ruben Diaz Jr. for DIELLI. “Regis Philbin was class act who brought warmth, humor and wit to audiences for decades, and was a fine representation of both The Bronx residents and the Albanian community.”

Regis Philbin Walk of Fame sign is located on the corner of 153st and Grand Concourse, right by his alma mater Cardinal Hayes High School in his home borough of the Bronx.

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti, REGIS PHILBI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 315
  • 316
  • 317
  • 318
  • 319
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT