• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndahet nga jeta akademiku dhe shkrimtari Moikom Zeqo

June 15, 2020 by dgreca

Shkruan:Almarina Gegvataj*/

TIRANE, 15 qershor- Akademiku, studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo është ndarë sot nga jeta në moshën 71-vjeçare pas sëmundje të rëndë.

Komisioni i përhershëm i arteve dhe trashëgimisë kulturore i Akademisë së Shkencave mësoi me dhimbje të thellë lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, historianit, publicistit, studiuesit të njohur të trashëgimisë shpirtërore dhe materiale të popullit shqiptar, njeriut erudit dhe veprimtarit politik, Moikom Zeqo. “Ky lajm i trishtuar ka lënë në pikëllim familjen e tij; bashkësinë e studiuesve shqiptarë të arkeologjisë, qytetërimeve, letërsisë, besimeve dhe të shumë fushave të tjera; lexuesit e tij të shumtë në Shqipëri e në gjithë hapësirën historike kombëtare; të cilëve Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e veta.

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Pasi mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi, do të niste punën si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”.

Në vitet 1979-1987, Zeqo punoi pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit, e më tej si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë.

Më 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 u zgjodh deputet i PS dhe shërbeu deri më 1996. Më pas, do të shkëputej nga politika dhe do të zgjidhej drejtor në Muzeun Historik Kombëtar.

Moikom Zeqo ka lënë pas rreth 100 tituj librash në poezi, prozë, eseistikë, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe një numër skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor.

Veprimtaria krijuese e Moikom Zeqos u zhvillua para së gjithash në fushën e poezisë. Njihet si një prej përfaqësuesve më të shenjuar të brezit letrar pas-Kadare. Hyri në jetën letrare dhe kulturore të vendit si poet me figuracion të guximshëm, me ndikime nga De Rada e Migjeni, me një frymëzim të dukshëm qytetar dhe intelektual. E njohur si poezi e mendimit dhe e refleksionit të brendshëm, në tri dekadat e fundme ajo u shfaq me një figurshmëri edhe më moderne, duke u bërë e njohur si poezi e mendjes, zemrës dhe shpirtit, por para së gjithash si poezi ezoterike. Poezia e Moikom Zeqos më së shumti është poezi e kërkimit dhe e enciklopedizmit se e frymëzimit rastësor. Kjo është arsyeja që poezia e shoqëroi atë gjatë gjithë jetës, prej viteve të rinisë deri në çastet e fundme të jetës.

Moikom Zeqo shkroi shumë vepra studimore për autorët më të rëndësishëm të saj prej fillimeve deri në kohët moderne. Në mënyrë të veçantë në vëmendjen e tij qenë shekujt e humanizmit europian në Shqipëri, me Barletin, Buzukun e Bogdanin; letërsia arbëreshe me De Radën; letërsia midis dy luftërave me Migjenin dhe letërsia popullore shqiptare. Moikom Zeqo shkroi gjithashtu artikuj e studime me karakter njohës e interpretues edhe për ritet dhe mitet e popullit shqiptar, dukuritë specifike etnografike të tij, folklorin, kujtesën gojore në përgjithësi. Për një kohë të gjatë ai ndoqi për së afërmi procesin krijues në tërësinë e vet me syrin e kritikut dhe të gazetarit: letërsinë, artet figurative, jetën e skenës dhe të kinemasë shqiptare.

Me gjithë karakterin shumëpërmasësh të veprimtarisë së tij poetike dhe kërkimore, Moikom Zeqo gradën shkencore “doktor” e mbrojti në fushën e arkeologjisë, që përbën drejtimin e dytë shumë të rëndësishëm të ndihmesave të tij. Më shumë se kërkues i terrenit, Moikom Zeqo shkroi për shumë çështje të lashtësisë së qytetërimit iliro-shqiptar dhe për vazhdimësinë midis tyre mbështetur në një bibliotekë shumë të pasur dhe në njohuritë e tij të gjera për qytetërimet antike, sidomos për qytetërimin grek dhe romak. Në mënyrë të veçantë interesim shkencor në këtë fushë pati për praninë e romanitetit në trashëgiminë shqiptare.

Publicistika, me shkrimet kritike për zhvillimet bashkëkohore dhe me karakterin e saj polemik, është një tjetër bashkudhëtare krijuese e Moikom Zeqos. Bashkë me ushtrimin e suksesshëm të detyrave të larta shtetërore dhe përfaqësuese, si ministër dhe deputet, publicistika përbën një prej formave të pjesëmarrjes së tij qytetare në jetën publike si mendimtar e nismëtar. Në dekadën e fundme të shekullit XX ai ishte një prej bashkëpunëtorëve më të vendosur të shtypit të lëvizjes çlirimtare të Kosovës dhe për këtë kontribut ai është nderuar me dekoratën e lartë të Urdhrit të Pavarësisë.

Akademia e Shkencave shprehet se “ndarja nga jeta e Mojkom Zeqos është një humbje e madhe për kulturën dhe botën e letrave shqipe, Ai do të mbetet një zë i veçantë dhe me vlera në fondin, identitetin dhe trashëgiminë e kulturës shqiptare”.

Veprat e tij janë përkthyer më disa gjuhë të huaja, anglisht, esperanto, gjermanisht etj.

Historiani Zeqo është vlerësuar me Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

*Kortezi:Agjensia Telegrafike Shqiptare

Filed Under: Opinion Tagged With: Moikom Zeqo, Ndahet nga jeta

NDËRROI JETË NË DETROIT RAMADAN SMAJA

June 11, 2020 by dgreca

[Gallery not found]

VATRA MGUSHËLLON FAMILJET SMAJA DHE GRISHAJ/

Redaksia e Gazetës “DIELLI” ka marrë këtë njoftim familjar: Me hidhërim të thellë , Familja Smaja lajmëron të afërmit dhe miqtë se, sot me datën 11 Qershor 2020, kaloi në jetën e përtejme , bashkëshorti dhe babai ynë, Ramadan Maliq Smaja. Lindur në Shkodër me, 5 Gusht 1946 . Ramadani ishte , bashkëshorti i Minire Smaja (Pateriku) , babai i Mirela Grishaj(Smaja), Erin Smaja.Vëllau i Dervish dhe Ruzhdi Smaja, Naxhije Bala(Smaja).
Vjehrri i Alfons Grishaj. Gjyshi i Almit , Gerhardi, Aurora dhe Kevin Grishaj.

Lajmërojmë se, pritja bëhet në Funeralin Wujek Calcaterra , me datën 13 nga ora 9 deri në 12 .
Adressa 54880 Van Dyke Avenue,Shelby Tvp,Mi 48316.
Më pas trupi i të ndjerit do përcillet për në banesën e fundit.
Adresa “Guardian Angel Cemetery” 4701 Rochester Road Mi 48307.
Shpirti i tij pushoftë në paqe!

Z. Elmi Berisha, në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”, në emër të kryesisë, Këshillit, degëve dhe në emër të gjithë vatrannëve  përcjell ngushëllimet më të thella për familjet Smaja dhe Grishaj. I pushoftë shpirti në Paqë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Mirela Grishaj, Ramadan Smaja

FUNDI I NJË TRAGJEDIE – KUJTIME NGA BAZA USHTARAKE FORT DIX – NEW JERSEY – ShBA

June 11, 2020 by dgreca

–Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Hyrjes së NATO – s në Kosovë/

Shkruan:MAL BERISHA/

Më datën 24 Mars 1999, forcat ajrore të NATO-s filluan bombardimet mbi caqet ushtarake të Sllobodan Milosheviçit. Avionët u nisën nga baza ushtarake e Avianos dhe skuqën qiellin e mugët të asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia. Menjëherë, si reaksion kundër bombardimeve të NATO-s në tokën e Kosovës u intensifikuan veprimet e kriminelëve serbë të Milosheviçit në formën më agresive të parë ndonjëherë të cilat u shoqëruan me:

Deportime masive, shfarosje të popullsisë, djegie të banesave dhe pasurive, përdhunime dhe keqtrajtime, të cilat shkaktuan një shqetësim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Të parët që reaguan ishin amerikanët, të cilët caktuan bazën ushtararke Fort Dix, në shtetin e New Jersy-it si një vend ku do të strehoheshin mijëra shqiptarë të Kosovës, të transportuar me mjete ajrore dhe prej aty do të shpërndaheshin nëpër gjithë Amerikën.

5 maj 1999 – Grupi i parë e shqiptarëve të Kosovës të katapultuar në Fort Dix – New Jersey ShBA

I përfshirë në grupin e punonjësve humanitarë amerikanë dhe të imigracionit, pata rastin që të pres grupin e parë të shqiptarëve të Kosovës që zbritën në aeroportin ushtarak Fort Dix në jug të shtetit të New Jiersey. Ishte data 5 maj 1999 kur u mblodhëm në atë bazë. Shumica ishin ushtarakë amerikanë, punonjës të agjensisë së Imigracionit, agjensi ndihmash humanitare, shërbime të tjera, si dhe disa shqiptaro-amerikanë me qëndrim të ligjshëm në ShBA. Unë përfaqësoja Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane që e drejtonte ish Kongresmeni Joe DioGuardi.

          Aeroplani i parë ushtarak Boeing 747 që kishte plot 453 shqiptar të Kosovës u ul rëndë – rëndë dhe mua më dukej sikur ai mbart’te me vete tërë peshën e atij dheu që banohet prej shqiptarësh. Vërtetë ai ishte shume i madh por ngjyra e tij kaki-ushtarake, ngarkesa që kishte me vete dhe padurimi ynë për t’i parë, takuar, ndihmuar ata njerëz për të cilët vetëm aty, e bënte atë të dukej shumë më i rëndë se pesha e tij e vërtetë fizike.

 Aty prisnin mbi 100 kamera të qendrave më të mëdha televizive të botës, ndër to CNN dhe BBC.

          Nuk vonoi dhe nga dera e avionit zbritën udhëtarët e parë. Ideja që na shkonte ndër mend ishte: Vallë a do të zbresin dot nga shkallët? A janë ata aq të qëndrueshëm sa të arrijnë deri tek qilimi i kuq i shtruar nga autortetet shtetërore të New Jersy-it, të cilët kishin vënë gjithçka në dispozicion të tyre?

          Ata po zbrisnin dhe unë ndjeja se si çdo shkallë e mëposhtme që ata shkelnin ishte një gong i ri që bënte zbritjen regresive të popullsisë së Kosovës. Një, dy, tre, katër, dhjetë, njëqind, katërqind e pesëdhjetë e tre vetë i shkelën ato shkallë me hapin e tyre të rëndë, të lodhur e të dërrmuar…Katërqind e pesëdhjetë e tre shqiptarë më pak në dheun e tyre, vetëm në këtë aeroplan….Po edhe sa mijëra të tjerë kishin ikur në drejtime të tjera nëpër gjithë botën, deri në Australi dhe në Zelandën e Re?

          Autobuzët e kompanisë më të madhe amerikane të transportit toksor të udhëtarëve “Academy” ishin rrjeshtuar fare pranë pistës. “Musafirët”, siç i quajtën amerikanët, u ngjitën në autobusa të cilët kishin ulur krikët e shasisë deri në një nivel me tokën për tua lehtësuar atyre sadopak sforcon fizike të të ngjiturit në shkallët e autobusit. Karvani i autobuzave i transportoi ata njerëz, fytyrat e të cilëve ngjanin më shumë me portrete filmash me legjenda dhe personazhe, se sa me njerëz realë. Dikush e kishte quajtur udhëtimin e tyre “biblik”. Dhe i tillë ishte. As në Bibël, dhuna nuk i ka stërpikur njerëzit kaq larg!

          Në sallën e madhe të gjimnastikës së bazës ushtarake ishin instaluar lloj lloj shërbimesh si ato sanitare, shëndetësore, ushqimore, infermjerë, mjekë, punonjës socialë, kryqi i kuq, vullnetarë, punonjës imigracioni, përkthyes të gjuhës shqipe, civilë, ushtararakë, agjentë të FBI e plot e plot të tjerë, të njohur dhe të panjohur. Musafirëve iu ofruan pije freskuese pa fund, kafe, dekafe, çaj, fruta të çdo lloji, sanduiç pa mish derri. Secili prej nesh mbante një kartë identiteti në qafë dhe çdokush në mënyrën më njerëzore përkujdesej për diçka. Ndër ta, një të tillë e mbaja edhe unë me tim bir, Erionin. E gjitha kjo e përkushtuar për ata njerëz.

          Salla u mbush. Njerëzit zunë vende nëpër shkallët e gjimnaziumit ushtarak. Ishin tejet të lodhur, të nxirë nga dielli, të drobitur nga rruga e gjatë dhe kushtet e tmerrshme në të cilat kishin kaluar ditët dhe javët e fundit të jetës së tyre të deriatyshme.

          Një pjesë e atyre të cilët nuk rezistonin më, u shtruan në fushën e basketbollit nëpër barrela ushtarake dhe filluan të merrnin serume. Nga altoporlanti dëgjoheshin thirrje të pandëprera të punonjësve socialë:

          “Ju lutemi shumë, merrni sa më shumë lëngje, pini lëngje sepse trupat tuaj janë dehidruar!”

          Një përkujdesje aq njerzore as që do ta kishin imagjinuar. Merrej me mend se çfarë kontrasti i jashtëzakonshëm ishte për ata njerëz ky kalim sublimues nga ajo gjendje që kishin lënë prapa me këtë që kishin gjetur këtu.

Hillary Clinton, zonja e Parë Amerikane i pret “Musafirët Kosovarë”.

Filluan procedurat e para. Tani secili kishte zënë një vend. Në sallë dhanë ballë Zonja e Parë e Amerikës, Hillari Klinton, Guvernatorja e Shtetit të New Jersy-it, zonja Christine Todd Whitman, Sekretarja e Shtetit për Shëndetësinë dhe Punën Sociale, senatorë, kongresmenë, si dhe autoritete lokale të Fort Dix -it.

          Salla shpërtheu në duartrokitje. Ato dukeshin si të buta, pak të shurdhëta, si një daulle pak e shfryrë, si një def i panxehur; në to më dukej se dëgjoja diçka që nuk dëgjohet, më dukej se ndjeja atë që nuk ndjehet; të rrahurat e atyre duartrokitjeve kishin pak zë, por tingëllonin shumë. Dukej sikur ishin të akorduara në frekuenca të tilla që nuk dëgjohen afër. Dukej që secili donte ta bënte zhurmën e tij jo për vete, jo për atë që shihej, jo për atë që ndihej aty. Dukej se ata donin që ato duartrokitje të dërgoheshin matanë atyre mureve, matanë atij pylli rrethues, tutje, tutje diku ku ajo të dëgjohej jo më për ata vetë, por për ata që kishin lënë prapa; duhej të tërhiqnin vëmendjen për ata që ishin në male, të mbetur rrugëve, pa ushqim e veshmbathje; për ata që ishin në mëshirë të fatit.

Ai ngazëllim i venitur i atyre njerëzve që nuk dinin as të gëzoheshin dhe as të hidhëroheshin më, ishte tashmë i hedhur në atë sallë si një vello, ngjyrën e së cilës askush nuk di ta përcaktojë, e bardhë, e zezë, blu apo…ndoshta më së miri mund të quhet flu, e paqartë, e pa ndritshme, e shlyer.

          Mbaroi edhe ceremonia. U tha se ju jeni njerëzit më të fortë në botë, se keni në krahë Amerikën që kurrë nuk do t’u lerë në baltë, se do të bëhet çdo gjë për ju dhe bashkëkombasit tuaj e plot e plotë të tjera… Tani do të fillonte procedura e parë elementare, marrja e identitetit të këtyre njerëzve, shumica e të cilëve nuk kishin asnjë lloj dokumenti për shkaqe të ndryshme ndër të cilat kryesorja ishte se ato ua kishin grisur autoritetet policore serbe për t’i dëbuar, madje edhe pa emrat e tyre, ose në ikje e sipër as që ju kishte vajtur mendja tek një gjë e tillë.

Të shohësh jo thjesht një shfaje tragjike, por vetë tragjedinë e luajtur nga tragjikët

Në rastet kur mungonte çdo dëshmi e identitetit, atëherë çështja kalonte nëpër një seancë marrjesh në pyetje. Ajo ishte një procedurë e thjeshtë, por më e vlefshmja për të kuptuar gjithë atë që kishte ngjarë në Kosovë. Këtu njeriu mësonte aq shumë për thellësinë e tragjedisë dhe vuajtjes njerëzore. Këtu mësohej se si fëmija kishte parë prindërit tek i vriteshin, se si prindi e kishte parë fëmijën po kështu, se njeriu nuk ndihmonte dot njeriun e tij në çastet më të vështira të jetës, sepse as këtë nuk ia lejonin… Këtu dukej se sa e vyer është jeta kur e jeton në një vend të sigurtë ashtu sikundër mësoje se sa e pavlefshme bëhet ajo në çaste të caktuara. Këtu mësoje se si njeriu është gati t’i japë fund jetës në çdo çast, ndërkohë që lufton për ta mbrojtur atë me këmbë e me dhëmbë. Këtu njeriu sheh jo figura të krijuara skenike që interpretojnë tragjedinë njerëzore por vetë tragjedinë, vetë atë që dikush mundohet ta rikrijojë duke sjellë tek njerëzit mesazhe të forta nëpërmjet emocionesh shokuese. Jo, në këtë vend nuk ke nevojë për aq shumë mundim aktorësh. Këtu secili është aktori origjinal i një tragjedie njerëzore të shkaktuar mbi të thjesht për fajin se rasti ka bërë që ai të lindë i një feje, besimi dhe kombi të caktuar.

Në intervistat për gjetjen e identitetit, kalonin njëri pas tjetrit burra, gra, të rinj, të moshuar.

Tjetri, kush është tjetri në radhë? – thërrisnin oficerët e imigracionit.

Nga ajo datë deri më 10 qershor 1999, baza ushtarake e shtetit të New Jersy-it, Fort Dix priti 6.500 shqiptarë të Kosovës.

Sot ata janë shtetas amerikanë. Shumë prej tyre kanë bërë emër në atë shtet të madh në fusha të ndryshme, shkencë, art, kulturë, mjeksi, biznes.

Nderim të përjetshëm atij vendi të madh!

Fort Dix, Maj – Qershor 1999 – 2020

FORT DIX, UNITED STATES: Kosovar refugees cheer as they are addressed by US First Lady Hillary Clinton 05 May, 1999 at Fort Dix, New Jersey, upon their arrival earlier from Macedonia. The refugees chanted “USA” and “Free Kosovo” as the First Lady left the room. The more than 450 Kosovar refugees will be processed and housed for several weeks at Fort Dix until they move in with American families or relatives. The refugees are the first wave of the 20,000 Kosovars that the United States pledged to take in. All 20,000 will be accorded refugee status and will be eligible to stay in the United States as long as they choose. (ELECTRONIC IMAGE) AFP PHOTO Don EMMERT (Photo credit should read DON EMMERT/AFP via Getty Images)

Filed Under: Opinion Tagged With: Fort Dix, Fundi i nje tragjedie, Mal Berisha

Dy ngjarje dhe një histori

June 10, 2020 by dgreca

Shkruan: Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani/

Thirrja patriotike e Lidhjes së Prizrenit e para 142 vjetësh është sërish thirrje dhe ftesë për rizgjim kombëtar.
“Ne, Shqiptarët, nuk jemi imigrantë, por banorët e hershëm të këtij vendi; ne kemi qenë të lirë e të pavarur disa shekuj më parë dhe ne mund të pretendojmë me plot fjalën të drejtën për të krijuar një Shtet”.
Sot, shqiptarët kanë dy shtete që lëngojnë. Projektet shtetërore të rrezikuara riaktualizojnë kërkesat e Lidhjes për mobilizim për shtetin e kombin.
Kërkesat e Lidhjes riaktualizojnë nevojën për kohezion shoqëror dhe unitet kundrejt zhvillimeve me të cilat përballet shteti i Kosovës. Në një kohë kur rreziku i copëtimit të territorit është evident, vetëm qëndrimi unik e bën Kosovën të pacenueshme. Ndaj, na duhet një Lidhje e re për shtetin e Kosovës, në mënyrë që nesër ky vend të jetë strehë e sigurt ku jetojnë dinjitetshëm të gjithë qytetarët pa dallim.
21 vjet më parë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javijer Solana, urdhëroi ndaljen e bombardimive mbi caqet e ushtrisë jugosllave e policisë serbe pas kapitullimit të Millosheviqit, kurse Këshilli i Sigurimit i OKB-së, po në të njëjtën ditë, miratoi dërgimin e ushtarëve të KFOR-it nga 36 shtete. Sot Kosova është e lirë falë ndihmës së shteteve që i qëndruan në krah dhe sakrificës së popullit të saj. Një pjesë e këtyre ushtarëve të NATO-s sot ende janë garant i sigurisë për vendin tonë. Falënderojmë pafundësisht secilin prej tyre për kontributin që vendi ynë të jetë i lirë.
21 vjet më pas ëndrra për lirinë ka marrë kuptim, por ëndrra për shtetin ku sundon e drejta vazhdon. Ndaj sot, nevoja për forcimin e shtetit nëpërmjet rendit e ligjit është domosdoshmëri!
Liria është koncept universal, teksa nevoja për Lidhjen për shtetin urgjencë kombëtare!

***

Osmani: Platforma politike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit frymëzim për forcimin e shtetit të Kosovës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani në 142 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka marrë pjesë në Ekspozitën “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

Ajo ka vendosur lule në kompleksin e figurave të kësaj ngjarjeje historike dhe ka thënë se Platforma politike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit duhet të shërbejë si frymëzim për forcimin e shtetit të Kosovës, unitetin e faktorit politik mbi bazën e parimit të paprekshmërisë së kufijve aktualë të Kosovës, paprekshmërisë së sovranitetit të vendit si dhe të rendit kushtetues.

 “Lidhja e Prizrenit e vulosi orientimin tonë properëndimor. Na duhet një Lidhje e re për shtetin e Kosovës, në mënyrë që nesër ky vend të jetë strehë e sigurt ku jetojnë dinjitetshëm të gjithë qytetarët pa dallim”, është shprehur zonja Osmani.​

ReplyForward

Filed Under: Opinion Tagged With: Dy ngjarje, nje histori, Vjosa Osmani

EUROPA E PROFESORËVE…

June 8, 2020 by dgreca

Nga Visar Zhiti/ Dy profesorë në Itali, para jo shumë ditësh, gjatë mbylljes globale nga shkaku i pandemisë së CoronaVirusit, mes atyre shqetësimeve dhe alarmit, krizës shëndetësore botërore, ku Italia e pati mjaft të rëndë dhe jo vetëm, kur dukej se po shpërthenin dhe nacionalizmat, mbylljet e kufijve dhe po jepeshin shenjtat e frikshme të një mënjanimi dhe ndarjeje dhe atavizmat e një rreziku të totalitarizmit, sidomos në Shqipërinë e gatëshme për çdo përkeqësim, dërguan një letër plot urtësi dhe dinjitet… dhe kujt? Europës, qytetarë të së cilës ata dhe janë.

          Guximi intelektual, bukuria e kësaj letre, apeli që ata bënin, kushtrimi – thënë me shqipen e hershme, pati dhe përgjigje po aq të bukur, diplomatike ndërkaq, nga vetë Europa. 

          Profesorët që dërguan letrën janë  Matteo Mandalá, nga Katedra e Albanalogjisë në Universitetin e Palermos në Siçili dhe Francesco Altimari nga Katedra e Albanalogjisë në Universitetin e Kozencës në Kalabri, të dy akademikë të njohur për punën e tyre shkencore dhe humane, për arritjet e shkëlqyera në fushën e studimeve dhe të botimeve, në gjuhësi, letërsi, traditë, në medernitetin antropologjik të tyre, po kështu dhe veprimtarë të palodhur të kulturës, rilindas modernë, që sensibilizuan kolegë dhe intelektualë, por dhe vetë Europën në qendrën e saj drejtuese, në Bruksel, se letra i drejtohej Komisionit Europian dhe ishte në vëmendje të zonjës Ursula von der Leyen, prej së cilës, të ngarkuarit nga ajo, dhanë dhe përgjigje, që ashtu si vetë letra, duhet të gëzojë dhe të vërë në mendime çdo shqiptar. Aq më tepër që përmbajtet e tyre lidhen me vendin tonë tani, madje ai është thelbi i tyre, i letrës dhe përgjigjes, por nisma e profesorëve është shembull qëndrimi,  është nxitje e qytetarisë europiane, kumti është udhërrëfyes dhe gjithëpërfshirës.

Profesorët akademikë Mandalá dhe Altimari i drejtohen Europës së Popujve, “E dashur Europë”, – i thonë me aq shumë fisnikëri dhe familjaritet. Kemi marrë shkas, shkruajnë qysh në krye të letrës, nga Shqipëria, “me rastin e nisjes së task-forcës shëndetësore shqiptare në ndihmë të zonave të Italisë më të goditura nga CoronaVirusi”, nga fjalimi kryeministror i Edi Ramës, duke i kërkuar Europës të vazhdojë këtë rrugë “bashkimi e dashurie”.

S’ka si të mos kujtohesh, i nxitur nga kjo letër, që Shqipëria së pari duhet të marrë shembull dhe prej vetes, të njohë virytet e saj dhe të dijë të bashkohet dhe të dojë veten, Europën e Bashkuar, familjen e saj të natyrshme, SHBA-në, aleatin jetik të kombit shqiptar, të mbijetesës, që nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë dhe luftoi për Republikën e Kosoves, mbështetësit vendimtarë të demokracisë dhe të prosperitetit në të dy atdhenjtë tanë.

Qeveritë shqiptare dalin nga shqiptarët dhe janë për shqiptarët dhe të punojnë së bashku për vendin me përkushtim , s’e kam fjalën thjesht për qeveritë në Tiranë e në Prishtinë, por dhe qeveritë që pasojë njëra-tjetrën, ato që vijnë me ato që ikin e që do të vijnë, të njohin arritjet, magësitë e gabimet dhe të dinë të progresojnë, dua të them pozita me opozitën, të dyja janë qeveri, e para në pushtet, që qeveris aktualisht dhe e dyta është pushteti moral.

Ngutem të them, me statusin sublim të qytetarit, që qeveritë tona, që zakonisht marrin karakterin dhe huqet e shefave të tyre, të mos shtiren duke u kujdesur se si do të duken jashtë, ndërsa brenda, ku mungon, jo vetëm mirëkuptimi, se për bashkëpunim vështirë se mund të besosh, por bëjnë prepotentin, kritizerin deri në absurd banal, arrijnë të bëjnë dhe mashtruesin e zgjedhur me votat tona, madje dhe grabitësin, duke mos ndërtuar Shqipërinë, por oligarkinë e saj të pa mëshirshme.

Dhe kështu qeveria që pason, përsërit gabimet e së mëparshmes, kur përsëritja është dhe më e keqe, dora dotës shtohet urrejtja si një luftë klase në kushte të tjera, prapaskenat e interesave të dyshimta, pengesat që i bëjnë njëra tjetrës, kthehen në pengesa për jetën e qytetarëve, pra vetvetes, që quhet Shqipëri.      Se opozitat tona, në kohërat e tyre të ndërsjellta, kur Shqipëria bëhej gati të niste negociatat me Këshillin e Europës për pranim, kanë arritur deri aty sa të kërkojnë ndërprerjen, pra mospranimin nëpërmjet një diplomacie trashanike, gjë që ka shkatuar humbjen e kohës së Shqipërisë dhe të besimit dhe kur kanë marrë pushtetin, në rotacion opozitat kanë kërkuar dhe bërë të kundërtën, pra në të dy rastet kanë qenë jo vetëm me taktika të ndryshme, por dhe strategji të ndryshme nga ato, kur binin në opozitë me atë kur ngriheshin në pozitë. Dhe kundërshtitë e tyre dukej se kanë konsistuar në këtë: ik ti, ta bëj unë atë që do të bësh ti, pra mjaft, më lërë radhën të përfitoj unë tani. Në këtë rëndomtësi të dëmshëm duket se është katandisur gjendja, duke krijuar zhgënjime gjenerale, indiferentizëm të përgjithshme, inteligjencë të flashkët dhe rritje të varfërisë, pasigurisë dhe ikjeve, që na kujtojnë eksodet e mëdha, ato të ca dekadave më parë, kur diktatura po binte dhe ndërroi sistemi dhe u përftua një diasporë e re që kërkon të pjesëmarrë në jetën e vendit, kërkon të votojë dhe s’mundet, apo ikjet e ca shekujve më parë, kur vendi pushtohej nga perandoria otomane dhe u përftua mrekullia arbëreshe.

 Dhe pikërisht arbëreshë janë dy profesorët, Francesco Altimari dhe Matteo Mandalá që i bënë letrën shëmbullore “Europës së dashur”, që i kërkojnë dhe kujdesin për Shqipërinë amë, përfshirjen në gjirin e saj duke nëpërmendur Manifestin e Ventotenes për një Europë të lirë dhe të njësishme dhe hartuesit e tij që gjatë Luftës së Dytë Botërore në internim, federalistët Ernesto Rossi dhe Alfiero Spinelli. Dhe s’ka si të mos më kujtohet mua miku i tyre shqiptar, Zai Fundo, filozofi antifashist, kundështar dhe i Stalinit, me diplomime në Sorbonë dhe në Moskë. i vlerësuar lart nga ideatorët e Europës së Bashkuar, me të cilin konsultoheshin, siç dëshmon diku tjetër  Spinelli, Pra ne paskemi dhe një shqiptar në vegimet e Europës së Bashkuar, që pasi ikën nga internimi në Ventotene, Zai kthehet të vazhdojë luftën në Shqipëri, por me urdhër drejtpërsëdrejti nga Enver Hoxha e vrasin partizanët, kur arrin në Kukës, por duhej t’i thyenin kockat më parë, sipas pusullës së Enverit, që s’u bë dot kurrë profesor.

Shqipëria diktatoriale e vrau Europën e shqiptarëve. Meqënëse jemi në fushën e letrave, kujtoj prapë një letër tjëtër të Enverit, 5 ditë pas pushkatimit pa gjyq të një grupi intelektualësh, mes tyre dhe një grua profesore, shkencëtare, Sabiha Kasimati, nga shkaku i asaj që quhet “Bomba në ambasadën sovjetike në Tiranë”, kur ishte vetëm ca dinamit në një gazetë, shpërthimi i së cilës, s’bëri asnjë dëm, vetëm theu ca qelqe dhe Enveri, çudia më e madhe, e pa besueshme, i kërkon falje në atë letër, jo familjeve të të vrarëve pa faj nga ai shkak, prindërve, bashkëshorteve, fëmijëve, shqiptarëve të gjithë, por Stalinit. I betohet atij që partia do të jetë e pamëshirshme për atë akt terrorist dhe “akti terrorist”, sipas Enverit, nuk janë pushkatimet e tij masive, por shpërthimi incognito në ambasadë të asaj që as bombë nuk ishte, që mbase Sigurimi mund ta kishe shkaktuar vetë.    

          Enveri është një përjashtim dhe shëmbulli më zi dhe i letërkëmbimit me Europën, kur Shqipëria ka një kancelari të shkëlqyer  që në mesjetën e saj, letrat e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, “mbrojtësit të paepur të qytetërimit Perëndimor”, siç cilësohet, me aleatët e tij europianë janë modele, ku shpaloset atdhedashuria dhe diplomacia e sinqertë, madje dhe letra e tij dërguar armikut, Sulltan Mehmetit në vitin1461. Një kryevepër!

          Po kështu dhe letrat e Ali Pashë Tepelenës për Napoleon Bonopartin apo Rusisë cariste, që duhen studiuar nëper shkolla. Letra të Abdyl Frashërit, Ismail Qemalit, Ahmet Zogut, etj. Mund të bëhet një dosje e kancelarisë së Burrave të Shtetit Shqiptar.

          Ndërkaq shkëlqejnë letrat e intelektualëve tanë, akademikë e profesorë, dërguar liderëve botërorë, presidentëve në Europë e SHBA, atyreve që kishin në dorë fate dhe histori të popujve, në mbrojtje të çështjes shqiptare, letra brilante të një antologjie guximi dhe zgjuarsie, ndërkaq dhe me njëri-tjetrin, Naim Frashëri dhe De Rada, Faik Konica e Imzot Fan Noli, At Gjergj Fishta, Mustafa Kruja, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Mit’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Musine Kokalari, etj, e deri më sot, letrat e shkrimtarit Ismail Kadare presidentëve, në Francë, SHBA, Havelit, po kështu dhe të Presidentëve Rugova dhe Berisha e deri te kryeministri Edi Rama e të intelektualëve Mitrush Kuteli, apo sot Aurel Plasari, Maks Velo, që na la para ca ditësh, artikujt e tyre dhe të të tjerëve si letra të hapura si ato ambasadorëve të SHBA-së, të Bashkimit Europian, etj, e dri tea to të poetes Elida Buçapaj kacelares gjermane Merkel, etj.

          Letra e re e intelektualëve Matteo Mandalá-së dhe Francesco Altimari-t dhe përgjigjia që ata kënë marrë, na bind se ka një “Europë të profesorëve”. Në atë letër përmenden dhe etërit themelues të Europës së Bashkuar De Gasperi, Schuman, Adenauer, Monnet, Spak, kujtoj që Monnet ka thenë pak a shumë kështu se, nëse do të duhej ta rithemelonim edhe një herë Europën e Bashkuar, do ta fillonim jo nga ekonomia, por nga kultura. Se “Evropa nuk është vetëm treg i përbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët.” – thotë shkrimatri nobelist, hebreo-hungarez Imre Kertesz dhe pastaj thekson: “Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin”. – Ai I mbijetoi Aushvicit.

          Shqipëria nuk mund të shkojë në Europë pa kujtesën e saj, duke harruar kampet e Tepelenës, burgun e Burrelit, të Spaçit e të Qafë Barit, etj dhe krimet e diktaturës komuniste, pa bërë reformat në drejtësi, pa ndëshkuar të keqen, pa sistemin e duhur zgjedhor, etj, ku vazhdimisht na mbin një parlament “parlatorësh” pa bukë. Dhe që nga aty na dalin president te Republikës, gjithnjë e më befasues, më të çuditshëm, jo vetëm për botën, por dhe për ne, nga ku dalin.

          Është e pakuptueshme, e dëmshme, vrastare kur ata që vijnë në pushtet vetëm shajnë dhe rrënojnë punën e arritjet e pararendësve, ndërsa ata që ikin nga pushteti si opozitë vetëm shajnë dhe pengojnë ato që po bëjnë pasuesit e tyre, edhe nëse po vazhdojnë ato që nisën ata.

Nuk bëhet shtet me të shara e gogolizime, por me punë e mençuri e bashkëpunim, me pjesëmarrjen e të gjithëve, duke vlerësuar ato që u bënë e duke kritikuar për më mirë. Klima e sharjeve është bërë një epidemi tjetër e rrezikshme. Berisha si President dhe dy herë si kryeministër duhet parë si përvojë me rëndësi e shtetit demoktatik shqiptar, e reformave të duhura dhe të dhimbëshme, i atyre që s’u bënë a që duheshin bërë ndryshe, e Shqipërisë në NATO, e të djathtës së tij që ishte dhe e majtë, etj, po kështu dhe e ndërsjellta,  si  dhe  e majta e Edi Ramës tani që shfaqte dukuri të së djathtës e që ka rënë dhe në enverizëm, ndërkaq nuk ta kap truri se si një ish president si Bujar Nishani shan si ordiner atë kryeministër dhe qeveri që dekretoi vetë, që punoi me ta, kur ishte pjesa siperane e superstructures së saj, kurse sherri i pa ndërprerë i presidentit aktual Ilir Meta me kryeministrin aktual Edi Rama është vazhdim i asaj marrëzie të nishantë. Rama propozoi Metën, pra urdhëroi zgjedhjen e tij president, Meta e dekretoi atë si kryeminsitër dhe qeverinë tij. Mbyllën pazare kështu apo u prishën pazare, thonë njerëzit mes tyre.

          Çështjeve të tilla nuk u japin përgjigjen e duhur gazetat, edhe kur investigojnë dhe sensibilizojnë me të drejtë, as klanet televizive, që aq sa në shërbim janë vënë, veç disinformojnë me profesionalizëm e propagandojnë keq, as politika, por drejtësia e re, vetingu, Spak-u, etj, nëse janë të vërteta, zgjedhet nëse do të jenë të lira dhe paraprakisht me një reformë zgjedhore të duhur, gjithpërfshirëse, nëse do ia dalin.

Ndërsa populli, intelektualët e tij, profesorët kanë të drejtë të plotë të protestojnë dhe ta shkundin vendin për shumë arsye dhe halle, për varfërinë stabile dhe korrupsionin galopant, për nomenklaturën e dikurshme të kudogjendur, urbanizimin çoroditës, shpesh pa identitet, për Teatrin Kombëtar që shëmbet natën si në një aksion ilegal guerilasish, megjithëse teatri i ri është i domosdoshëm dhe tejet I vonuar, për dhunën deri edhe te gazetari i njohu Alfred Lela,  përdhunimet, pedofilinë, duke tromaksur 15 vjeçaret, stresuar gjeneratën e re, për pedofilinë politike, deri te nëpërkëmbjet për të përndjekurit, kujtesën, shpifjet shtetërore, etj, etj, për Europën që na mungon, për aleancën me SHBA-në, për të qenë në lartësitë që meriton. Etj, etj.

 Ja, si dialogon Europa e profesorëve, letrat në fjalë i përktheu për një artikull të tij studiuesi Pëllumb Xhufi, duke e vlerësuar intelektualisht këtë dialog dhe duke ia kundërvenë kahut tjetër jo të tij, ndërkaq dukuria është e përbashkët dhe ajo që na duhet më shumë, ja, si u përgjigjet Europa intelektualëve Matteo Mandalá dhe Francesco Altimari: “Të nderuar Profesorë, – ju falenderojmë… për thirrjen tuaj plot ndjenjë dhe solidarite, – pra nuk bëhet pa ndjenja dhe bashkëpunim, pa i nderuar profesorët e jo duke i harruar. Vazhdojmë me letrën: Shëmbulli i Shqipërisë, të cilit ju i referoheni, tregon edhe një here rëndësinë e lidhjes strategjike mes bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Angazhimi i Bashkimit Europian për Shqipërinë është konkret… dhe tregohen shëmbuj dhe shumat e eurove të caktuara, milionëshe për të përballuar tërmetet, krizat shëndetësore, deri dhe koferencat “Together for Albania”, etj. – E ardhmja e Ballkanit Perëndimor, pra dhe e Shqipërisë, është në Bashkimin e Europian… – lidershipi shqiptar dhe politika ka për detyrë ta përshpejtojë ardhjen e kësaj të ardhmeje, pjesë e trazicionit të lodhshëm postdiktatorial. Që Ballkani Perëndimor t:e quhet seriozisht Europa Jug-lindore. – Komisioni Europian do të vijojë dialogun e tij me Shqipërinë… për të mirën e shtetsave të Shqipërisë.”

Kjo është e rëndësishme. Shpresa ka. Ndërkaq duhet të ndërgjegjësohemi dhe Shqipëria duhet ta kuptojë, që mes të tjerash, sa shumë e ka rrënuar kulturën  e bisedës me veten dhe me të tjerët, institucionin e vlerave, prandaj dhe duhet të bëjë përpjekje të mëdha edukuese të ngrihen, patjetër, politika shqiptare dihet të mësojë nga Europa e profesorëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Europa e Profesoreve, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 325
  • 326
  • 327
  • 328
  • 329
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT