• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët dhe hebrenjtë-miqësi që sfidon kohët

December 21, 2019 by dgreca

Nga Akri ÇIPA/

Elie Wiesel shkruante se miqësia nuk është gjë tjetër përveçse të ndash me tjetrin si me vetveten. Miqtë ndajnë momentet e lumtuara, por, më e rëndësishme është të ndajnë momentet e dhimbshme. Në castet tragjike të Shqipërisë së këtyre tri javëve të fundit, lidhja e miqësisë me Izraelin dhe popullin hebre u vu përsëri në dukje.

Nuk kishte vend për festime në Shqipëri, nëntorin që shkoi. Teksa vendi ballkanik po përgatitej për 28-29 nëntorin, një tërmet shkatërrues nuk la vend për momente gëzimi. Flamuri që duhej të valëvitej lart në qiell, ndaloi në gjysëm-shtizë.

Në 26 nëntor, Shqipëria u godit nga një tërmet me magnitudë 6.4 – më i forti në vend në dyzet vitet e fundit. Me 51 viktima, kjo katastrofë ishte eventi më tragjik në kujtesën e rishtë. Ndërsa epiqendra e tërmetit ishte shumë afër zonave më të populluara të vendit, shifrat zyrtare të qeverisë pasqyrojnë më shumë se 13 mijë banorë u prekën në mënyrë të drejtpërdrejtë nga tërmeti.

Megjithëse situata ishte kritike, kumtet e miqësisë ndaj shqiptarëve ishin prekëse. Përveç mbështetjes vëllazërore nga Kosova, vendet fqinje dhe miqtë nga Europa dhe bota erdhën menjëherë në ndihmë. Italia, Greqia, Franca, Rumania, Turqia, Gjermania dhe shumë vende të tjera sollën menjëherë ekipe shpëtimi në Shqipëri dhe premtuan ndihmë financiare. Ndërmjet miqve të shumtë tek të cilët mund të mbështetej Shqipëria në këtë kohë të vështirë ishte dhe Izraeli, i cili shprehu menjëherë solidaritetin duke dërguar një ekip shpëtimi për të dhënë mbështetje logjistike dhe për të ndihmuar për rindërtimin.

Sipas disa vlerësimeve, më shumë se 1,500 familje shqiptare mundën të kthehen në shtëpitë e tyre pas sigurimit të apartamenteve nga ekipi izraelit, por edhe të spitaleve dhe shkollave të goditura nga tërmeti.

Videoja e kryeministrit Edi Rama teksa falenderonte ekipin izraelit për mbështetjen në emergjencën post-tërmet, u shpërnda nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ritheksoi mbështetjen e Izraelit për Shqipërinë në këtë kohë të vështirë.

Kryeministri Rama u shpreh në videon e tij se Shqipëria ishte “krenarisht i vetmi vend në Europë me më shumë hebrenj pas se sa para Luftës së Dytë Botërore”. Në fakt, marrëdhënia ndërmjet shqiptarëve dhe popullit hebre u forcua në ato orë të errëta për Europën dhe për botën. Jo vetëm që shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë refuzuan të dorëzonin anëtarët e komuniteteve hebraike vendase, por ata strehuan dhe ushqyen shumë refugjatë që vinin nga Europa qendrore dhe jugore.

Një përshëndetje e bukur ishte ajo e Forcave Mbrojtëse të Izraelit, në të cilën u përmendën disa nga historitë e panumërta të shqiptarëve që shpëtuan hebrenj nga nazistët gjatë Holokaustit. Në faqen zyrtare të ushtrisë izraelite, i mëshohej faktit se ekipi i shpëtimit në Shqipëri “kishte një kuptim shumë më të madh për izraelitët nga sa mund të dukej në pamje të parë”.

Shqipëria dhe Izraeli kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe mbështetja gjatë tragjedisë së fundit e vuri në pah përsëri këtë miqësi të vërtetë.

Solidariteti pas tërmetit nuk është një rast i izoluar. Në fakt, historia është e pasur me shembuj të tillë ndërmjet shqiptarëve dhe popullit hebre. Shqiptarët e mbajnë mend mirë kur Izraeli mirëpriti shumë refugjatë që u larguan nga Kosova në vitin 1999, teksa Serbia kishte nisur fushatën e saj të gjenocidit ndaj shqiptarëve. Fushata e NATO-s e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara u mbështet dhe u përshëndet nga komunitetet hebraike në botë, veçanërisht nga komuniteti hebreo-amerikan.

Ndjenja e ndërsjelltë e respektit dhe miqësisë ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, e përforcuar në një tjetër kohë të vështirë si tërmeti i fundit, është vlerësuar nga të gjithë shqiptarët në Ballkan dhe përtej. Një ndjenjë e thellë vlerësimi dhe mirënjohjeje u shpreh jo vetëm nga liderët në Shqipëri, por edhe nga diaspora shqiptare, sikurse mund të vërehet dhe te fjalët e Mark Gjonaj, anëtar i këshillit bashkiak në qytetin e Nju Jorkut dhe përfaqësues i komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai nënvijëzoi faktin se bota ka nevojë për më shumë histori të tilla.

Miqësia ndërmjet shqiptarëve dhe popullit hebre tregoi se ka kaluar nëpër kohëra dhe sfida të mëdha. Teksa Shqipëria po ndërmerr rrugën e gjatë dhe të vështirë të rindërtimit, është mirë të dish që ke miq të vërtetë tek të cilët mund të mbështetesh.  

Shkrimi është botuar fillimisht në gazetën prestigjioze izraelite “The Jerusalem Post”

https://www.jpost.com/Opinion/Albanians-and-the-Jewish-people-bonds-of-friendship-that-transcend-time-611492

Filed Under: Opinion Tagged With: Akri Çipa, Shqiptaret e Hebrenjte

RIKTHIM TEK ATJONI DHE KUMTET E TIJ

December 19, 2019 by dgreca

(In Memoriam nw pesëvjetorin e parë të ngjitjes në qiell)/

NGA EUGJEN MERLIKA/

            “Kur fati na ka hequr një shok, nuk ka ilaç më të mirë se sa mundësia për të shijuar kujtesën e tij e për të rizbuluar atë që është thënë mprehtësisht, apo trajtuar urtësisht prej tij.”

                        Niccolò Macchiavelli (1469 – 1527) Shkrimtar politik e mendimtar italian

            Kanë kaluar pesë vjet nga ajo ditë tragjike e 20 dhjetorit 2014, kur lajmi i zi i një aksidenti me motorr u përhap me shpejtësinë e vetëtimës në botën shqiptare, duke lënë në të një dhimbje të thellë. Ajo dhimbje, largimi nga jeta i Atjon V. Zhitit, vazhdon të jetë e gjallë në kujtesën shqiptare, edhe se koha me shpejtësinë marramendëse të fluturimit të saj, mundohet të na verë melhemin e saj në plagët tona.

            Sot, në këtë pesëvjetor të parë, mendimi nuk kufizohet vetëm në dhimbjen që lëndohet, por shkon edhe më tej, në përfytyrimin e asaj që do të kishte qënë jeta e Tij, personaliteti i Tij, ndihmesa e Tij në jetën tonë.

            Atjon Zhiti ndërroi jetë shumë shpejt, në një moshë që vetëm ndonjë gjeni i parakohshëm mund të lerë vulën e tij në jetën e shoqërisë apo të Vendit ku jeton. Studenti i filozofisë në Universitetin Katolik të Milanos e kishte nisur atë rrugë dhe, nëpërmjet dy shkrimeve të botuara në të përditëshmen MAPO në shkurt dhe maj 2014, e të një të treti, të vënë në internet nga Balkan Web në ditët e fundit, kishte ravijëzuar portretin e tij në fushën e publiçistikës. Ai ka patur edhe shkrime të tjera, të botuara më vonë nga prindërit fisnikë, por për mendimin tim modest, edhe  këta tre shkrime mjaftonin për të dhënë profilin e një publiçisti filozof, që kishte pak ose aspak të ngjajshëm në gazetarinë shqiptare.

            Vlerat e vërteta në fushën sociologjike apo letrare, nuk maten detyrimisht vetëm me vëllimin e prodhimit. Kritika botërore është e një mëndjeje në vlerësimin e poetit Edgar Allan Poe që, simbas saj, do të kishte patur vendin e tij në letërsinë e madhe, edhe sikur të kishte shkruar vetëm poezitë “Korbi” dhe “Annabel Lee”. Tre shkrimet e Atjon Zhitit, përkatësisht : “A jemi gati për atë që duam?”, “Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë, varet nga drejtësia dhe Shteti…..”, “Kur u shpik 1+1, mizoria që lulëzon nga dobësia”, janë artikuj që do të kishin nderuar edhe publiçistë të shquar, madje edhe me dhjetra vjet veprimtari. Janë modele të mendimit bashkëkohor mbi filozofinë e politikës dhe kanë një kostante që i përshkon e mbetet përherë e pranishme : është shqetësimi për realitetin shqiptar, për anët e tij t’errta, për sëmundjet e tij kronike, për rrugën në të cilën ecën shoqëria dhe institucionet e saj. Analiza e Djaloshit filozof ishte sa e thellë aq edhe e gjërë. Ajo merrte jetë nga një vëzhgim i mprehtë dhe i imtë i së vërtetës jetësore, mbi të cilën përsiatja vepron katërcipërisht me thikën e kirurgut, duke operuar mbi një trup që kishte të meta të lindjes, por më shumë të edukimit, të cilat Autori i ri  i vendoste mirë në kohë e që përkonin me 70 vitet e fundit të historisë shqiptare.

            Shkrimi i parë ishte tfillimi i një pyetjeje që djaloshi i drejtonte së pari vetes e, më pas, edhe mjedisit të ngushtë e më pak të ngushtë të bashkatdhetarëve të tij : “ A është vërtetë vendi i im i gatshëm për atë çka aspiron dhe, a e ka kokën midis shpatullave të veta, të cilat duhet të mbajnë peshën e përgjegjësisë së ambicjes dhe të veprimit të duhur, apo e ka zhytur mes reve në një qiell ëndrrash?”. Pyetja vinte si  përfundim i një arsyetimi 360° mbi Shqipërinë dhe botën në të cilën ajo hidhte hapat e saj. Autori kishte lindur më 1995, në periudhën e pas komunizmit, ishte përfaqësues i një brezi që nuk njihte “mëkatin origjinal”, i cili vazhdonte të ndikonte dukshëm atë shoqëri, të cilën Ai e kërkonte më të zhdërvjelltë, më të urtë, më të moralshme, më të shëndoshë. Komunizmin Ai e njihte si dukuri shoqërore më shumë nga librat e çmuara të babait të tij se sa nga “kujtimet e veteranëvet”, apo nga “veprat” e historishkruesve të tij. Ai nuk merrej me të si dukuri historike apo shoqërore, e quante të kaluar, e hidhte mbas krahëve e shikonte përpara. Por perspektiva e një Vendi, që ecte si kërmilli në një botë që vraponte, e bënte të kthehej mbrapa në kujtesën historike, në rrënjët, në kohë të lashta kur, në këtë truall lulëzonte një kulturë e ardhur nëpërmjet fuqisë së armëve dhe fatalitetit historik, por që kishte rezultatet e saj në mësimet që jepte në rrugën e qytetërimit. Qytetërimi nuk është vetëm luftë për lirinë, është edhe përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar një bashkësi njerëzish që të mos jetë “pré e depredimeve të barbarëve, pré e nepotizmit, pré e korrupsionit, pré e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, pré e një demokracie fiktive, shpesh të munguar.” Kjo ishte tablloja e shoqërisë shqiptare sot, në sytë e një të riu të ndritur, që kishte ruajtur virgjërinë intelektuale, si rrallë kush ndër moshatarët e tij, një i ri që ishte i vetëdijshëm për gjëndjen e atdheut, “një rrethinë e errët” në “mega-qytetin” e dukurisë  së globalizimit. Filozofi i ri e shikonte me dhimbje këtë tabllo e arrinte në përcaktimin e diagnozës së një gjendjeje, të cilën mendonte t’a ndryshonte duke vënë gishtin mbi plagën më të majisur të saj, korrupsionin.

Me dhimbje vinte ré se mungonte “kujtesa kolektive”, që duhej të na bënte të nxirrnim mësimet e duhura nga e shkuara jonë, për të mos i përsëritur gabimet e saj sot e, aq më tepër nesër. Shqetësimi për këtë gjëndje merrte përmasa sarkastike, kur Autori, në kontekstin e një bote ku nuk mungojnë shembujt e luftës kundër korrupsionit, vërente se në Vendin e tij “mëkatarët gjithashtu janë tepër naivë për të ditur se ç’bënin e ç’bëjnë e jo më për të pranuar fajet e tyre.”. Më shumë idhtar i filozofisë klasike e i parimeve tolstojane për ndryshimin e shoqërisë, se sa i “gijotinës”, Atjon Zhiti arrinte në përfundimin se “Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale të vazhdimtë.” Ishte  shprehje e një strategjie të qartë, në të cilën tejdukej roli i drejtuesit në një rrugë që ishte pothuaj e pashkelur, në përvojën tonë si komb. A do të kishte patur fuqinë dhe përkrahjen për t’i a dalë në krye me sukses ? Mosbesimi bëhet i detyruar….

            Shkrimi i dytë ishte një traktat i shkurtër mbi koncepte të njohura si ligji dhe e drejta, si shteti, origjina dhe institucionet e tij, shoqëria dhe politika që prodhon ajo, raportet në format e ndryshme të organizimit e të mbarështimit të marrёdhënieve shoqërore e të mënyrave të ndryshme të qeverimit. Duke anashkaluar pjesën teorike të shpalosjes së koncepteve, hasim edhe në këtë shkrim konstatime, që nuk janë gjetje të fshehtash misterioze, por fotografime të përpikta të një realiteti prej një idealisti që ruante me ngulm opinionet e tij, duke mos pranuar asnjë kompromis për hir të rrethanave apo “llogarive” të s’ardhmes. Për Të Shqipëria politike, një Vend ku “ligji e ligjshmëria në këtë tokë paradoksesh….. janë të kundërt e përplasen”, “ku të gjithë ne kemi mundësi të barabarta të përshtatim ligjin sipas njohjeve e mundësive tona” , ku qytetari, edhe kalimtar, mbetet i “vrerosur ndaj mahnitjes karshi shëmtisë, shëmtisë jo vetëm konkrete”, me standartet e saj anadollake e komuniste, mbetej e papranueshme, duke paraqitur simptoma të rrezikëshme që kërkonin një ndërhyrje të shpejtë.

            “Pa dyshim një Shtet i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet”. Nuk kursente askënd Djaloshi filozof e, para një palëvizshmërie alarmuese të shoqërisë, që ishte gangrenizuar në format e projektet fillestare të ndryshimit të regjimit, në krijimin e një polarizimi pasuror ku pushteti ishte kthyer në një oligarki, ku pasuria e paligjëshme kishte pushtuar institucionet dhe rrezikonte demokracinë, duke vënë në pikëpyetje moralin dhe vlerat e trashëguara, Ai thërriste në ndihmë “revolucionin jo të dhunshëm” të Sokratit të lashtë, por përfundonte duke nxjerrë në pah një fragment të Faik Konicës, mbas një gjykimi tepër lartësues e subjektiv për të. Fragmenti ishte një seri pyetjesh në lidhje me rolin e të rinjve në ndryshimet shoqërore të Shqipërisë. Mbetej problemi i përjetshëm, ai i shpresës tek të rinjtë, tek vrulli i tyre, tek pastërtia e idealeve, tek gatishmëria për të luftuar në sendërtimin e tyre, tek horizonti i hapur dhe mos pajtimi me “kënetën”, ujin e palëvizshëm. Autori ishte i bindur se duhet të ishte brezi i tij që duhej të kërkonte me forcë ndryshimet, larg demagogjisë e premtimeve të pambajtura të baballarëve të tyre, “studentëve të dhjetorit”, që çdo vit përkujtonin, pa patur kurajën asnjëherë të bënin “mea culpa”, për gjëndjen e cila revoltonte Atjonin, e për të cilën kishin dhe ata një pjesë përgjegjësie….

            Shkrimi i tretë “Kur u shpik 1+1, mizoria që lulëzon nga dobësia” me shumë dhimbje mund të quhej “testamenti” i Djaloshit Zhiti. Ishte një “lectio magistralis” mbi gjëndjen e Shqipërisë e plagët më të thella të shoqërisë së saj, që kishin në qendër të tyre një term që përdorej, pa kursim, edhe në shkrimet e tjera : korrupsioni. Ishte kjo sëmundja që kërcënonte t’ardhmen e Shqipërisë, që e mbante atë jashtë proçeseve përbashkuese të kontinentit, që çorodiste funksionimin e institucioneve, duke filluar nga ata të Drejtësisë, që krijonte mosbesim në Shtetin, brënda e jashtë tij, që mbillte pasiguri e mosbesim tek ata, si Atjoni, që e shihnin t’ardhmen e tyre të lidhur me atë të Atdheut. Pyetjet vazhdonin edhe në këtë shkrim, ishte një bashkëbisedim i hapur e i sinqertë i Djaloshit me Vendin e tij, në të cilin Ai i vinte një pasqyrë para syve Atdheut. Autori sulej me tërbim kundër një rendi gjërash, në të cilin “seleksionohen të korruptuarit dhe diskriminohen të ndershmit”, ku rrezikohej kataklizma e shoqërisë, mbasi “Kur politika nuk  dallohet më nga rruga, pasoja e menjëherëshme dhe e pashmangëshme është një mynxyrë”. Për të shmangur këtë rrezik “Urgjentisht duhet katalizatori i një reforme intelektuale e morale”. Ai shihte në një prirje përtrirëse të klasës politike, që duhej të kishte burrërinë të njihte mangësitë e gabimet e saj “një rreze drite që na lejon të dalim nga terri i shpellës së injorancës tonë”. Djaloshi iluminist, që kalonte në sitën e parimeve të gjithë spektrin e njohur të shoqërisë, vërente me keqardhje se “populli” ose “shoqëria” i qëndron larg, si kundrejt një murtaje politikanit vizionar dhe ideologut idealist”. Shkrimi në mbyllje pasqyronte këtë zhgënjim, sepse ai shihte se ata që mbanin ”monopolin” e së vërtetës, që drejtonin politikën ishin bartës e propagandues të “pseudo të vërtetave e pseudo vlerave” dhe shtonte : “Shëmbujt i kemi vazhdimisht përpara, prej shtatëdhjetë vitesh. Fasada është e bukur, plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat….”

            Këta ishin disa nga kumtet që na linte Djaloshi filozof, Atjon Zhiti, që dëshmojnë përmasat e personalitetit, të karakterit e të intelektit të tij, ai i një pararendësi të iluminizmit shqiptar, nëse do të vijë ndonjëherë…..

            20 dhjetori 2014 qe një ditë e zezë jo vetëm për familjen Zhiti, së cilës i shoi dritën e syrit, por edhe për Shqipërinë, që pësoi humbjen e njërit prej bijve të saj më të vlefshëm, një pionieri të palodhshëm të përparimit, një shprese, një rreze drite, që ndoshta do të kishte qënë një nga pishtarët ndriçues të s’ardhmes së saj. “Vdes i ri ai që për qiellin është i shtrenjtë” shkruante 2200 vjet më parë Menandri, athinasi i madh i komedise.

            I përjetshëm qoftë kujtimi i ëmbël i Atjon Zhitit, së bashku me idetë që lëvrinin në mëndjen e Tij e që i shërbenin gjithmonë të njëjtit synim : lartësimit shpirtëror, kulturor dhe moral të shqiptarëve e të Shtetit të tyre e institucioneve të tij, të një bote të vogël, me të cilën Ai ishte i lidhur në një dashuri të sinqertë që ushqente për të.

Filed Under: Opinion Tagged With: Atjon Zhiti, Eugjen Merlika, Kumtet

Liria vetjake dhe të drejtat e individit-gjurmë e një tradite të lashtë

December 17, 2019 by dgreca

“Liria e secilit ndalet aty ku fillon liria e tjetrit.”- Karta e të Drejtave të Njeriut/

            Nga Anton Çefa/

Liria është atribut i patjetërsueshhëm që lind me njeriun dhe është pajë e qenësishme shpirtërore e tij, i takon atij dhe nuk ka të drejtë kush t’ia mohojë, t’ia grabisë, t’ia dhunojë.

Kuptimësinë e lirisë vetjake, kultura jonë e pati përkufizuar që heret, në kohën e Rilindjes Kombëtare. Konica na e pati sqaruar: “Liria është të mundet njeriu të besojë ç’i do zembëra, të thotë ç’i do zembëra, të shkrojë ç’i do zembëra, të bëjë ç’i do zembëra, veç ato që janë kundra lirisë tjetër njeriu.” Me këtë stil të shkruari kaq të hijshëm, ai ka vënë qartë në dukje lirinë e besimit, të fjalës, të shtypit dhe të veprimit si dhe kahun etik të vënies në jetë të tyre. 

Konceptimi i lirive individuale siç e kuptojmë sot është i kohëve të vona. Vetëm mendimi filozofik i fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, ka dhënë një trajtim të plotë të tijin, duke shpallur individin si realitet primar dhe si vlerë e vërtetë shpirtërore. Në hullinë e realizimit politik, elemente të tij janë ligjësuar dhe kanë filluar të vihen në jetë në SHBA që me Deklaratën e Pavarësisë, në vitin 1776, dhe kanë ardhur duke u plotësuar dhe përsosur me kalimin e kohës. Kështu shumë më vonë janë vënë në jetë të drejtat e zezakëve dhe të grave.

Liria individuale përfshin lirinë e mendimit, të fjalës, të shtypit, të besimit, të mbledhjes, të manifestimit publik. Për t’u realizuar liria në gjithë hapësirën e saj konceptuale duhet pa tjetër të burojë dhe të mbështetet në një bazë të shëndoshë morale, çka nënkupton përgjegjësinë e individit përballë të tjerëve. Vetëm kështu mund të realizohet plotësisht qenësia e njeriut. Në Kartën e të Drejtave të Njeriut thuhet: “Liria e secilit ndalet aty ku fillon liria e tjetrit.”

Termat liritë dhe të drejtat individuale të njeriut, ose thjesht, të drejtat e njeriut, përdoren në rrafsh sinonimik, por duhet bërë dallimi i tyre me të drejtat civile (e drejta e pronës, e votës, etj.), të cilat nuk janë të patjetërsueshme, por sigurohen nga qeveritë. Është fjala këtu për qeveritë që kanë të drejtën morale të qeverisin. 

*   *   *

Ne shqiptarët, si popull i lashtë me një të drejtë zakonore të hershme, trashëgojmë një traditë të vyer në lëmin e lirisë, të barazisë dhe të të drejtave të individit në organizimin shoqëror. Pavarësisht primtivizmit, në të cilin kanë jetuar malësorët tanë të zonave kanunore, ata kanë qenë të lirë dhe të barabartë mes tyre. 1). Të lexojmë çfarë shkruan Koliqi për këtë problem: “E páshprehme e pothue gadi e lânun pá nji emën të vet (si kuptim fare paranik) mbet ndjesija e liris personale në shkallë të ndryshme (grueja, djali, burri i martuem, i zoti i shtëpís) . . . I vorfën o i pasun, sherbtuer, shegert, barí, puntuer, zot shtëpije, çdo shqipëtár âsht pikë mâ së pari nieri i lirshëm si çdo shqiptár tjetër.” 2)  Në ndryshim me shoqërinë fisnore shqiptare në shoqërinë romake ekzistonte skllavëria.

Rrjedhim i kësaj lirie dhe barazie vjen trajtimi i individit, i të drejtave të tij, respektimi i dinjitetit të tij, që kanë qenë atribute të siguruara me një mori ligjesh kanunore. 3). Natyrisht brenda suazës së shoqërisë patriarkale, në të cilën të drejtat individuale i gëzon vetëm burri, nuk mund të ketë një barazi absolute.

Gjithsesi, kjo mungesë barazie absolute nuk pengon a mohon barazinë ndërmjet njëri-tjetrit: “Në Kanun të Lekë Dukagjinit, djali me djalë, burri me burrë, çika me çikë e grueja me grue njihen barabar ndër vedi si të jenë të nji shpije a të nji fisi, si të jenë fisesh të ndryshme.” 4).

Burrat e dheut, siç janë quajtur të zotët e shtëpive që kanë pasur të drejtë dhe detyrë të marrin pjesë në kuvend, kanë gëzuar të drejta të barabarta para ligjit, pa kurrfarë dallimi të shtresës shoqërore, të pronës e të pasurisë, të pozitës shoqërore, të fisnikërisë, të paraqitjes fizike, etj.5).

Fisnikëria shpirtërore e kanunësisë së maleve, në trajtimin e barabartë të individit mashkull dhe lidhur me të drejtat e tij në rrafshin psikologjik, dëshmohet në çështjet më të ndryshme, në shumë raste, në marrëdhëniet mes njërri-tjetrit, në marrëdhëniet e zotërisë me rogtarin, etj.6). Valentini ka shkruar: “edhe sherbëtorët . . . kur janë jashta kohës në të cilën kanë detyrimin e punës, e mbajnë veten të barabartë me zotninë.” 7).

*   *   *

Është shprehur mendimi se shkak i emigrimit të shqiptarëve jashtë trojeve amtare ka qenë natyra e tij individualiste, “koncepti individualist për lirinë”. Me fjalë tjera, shqiptari në emër të lirisë individuale, ka braktisur vendin, d. m. th. lirinë kolektive. Mjerisht duhet thënë se në periudhën e sundimit osman nuk mund të bëhëj fjalë për liri, po kështu, në periudhën e diktaturës kur liria individuale qe mohuar plotësisht dhe liria kolektive qe falso. Këtë gjë e dëshmoi edhe emigrimi në masë i popullit tonë fill mbas përmbysjes së diktaturës.

Përdhunimin e të drejtave të individit, çka është karakteristikë e regjimeve totalitare, diktatura në vendin tonë e çoi deri në skajet më ekstreme. Nuk mund të bëhej fjalë fare as për të drejtën e fjalës së gojës, jo më për të drejtën e fjalës së shtypur, dhe për të drejtat e tjera. Si në çdo shtet totalitar, në vendin tonë u mohua individi si entitet shoqëror dhe u nëpërkëmb dinjiteti i tij, dukuri që e ka shprehur aq mirë sociologu italian Mario Tesini: “Gabimi i fundit që ka sjellur degjenerimin më ekstrem të totalitarizmit ka qenë në analizë të fundit ekzaltimi i entiteteve kolektive të rreme – racës, klasave, kombit, partisë së vetme – në dëm të realitetit të vetëm, që është në të vërtetë depozituesi i çdo vlere dhe i një dinjiteti të pamposhtshëm: individit.”8).

Ndërsa, mendësia popullore e ka vlerësuar në shkallët më të larta njeriun, individin, karakterin e tij të pamposhtshëm, qëndresën me durim dhe gjakftohtësi para fatkeqësivë, sprovave e vështirësive të jetës. Në një varg të gjatë fjalësh të urta është gdhendur kjo psikologji stoike. Ja disa prej tyre: “Ia dha pemës, u tha; ia dha gurit, plasi; ia dha njeriut, duroi” , “I ra gurit e u ça, i ra robit e duroi”, “Burri ma i fortë se guri”,”Pëlset guri, s’pëlset burri”, “Ç’kusur që të ketë njeriu, do ta heqë”.  Të bën përshtypje të veçantë fjala e urtë: “Armikun mos e duaj, por nderin ia ruaj!”, që dëshmon respektin për personalitetin dhe një ndjenjë humane të fisme për njeriun, edhe kur e ke armik e nuk e don.

Në vitet pas rënies së diktaturës, ishin të gjitha kushtet për realizimin e të drejtave të njeriut, por mjerisht për shkak të korupcionit të skajshëm, të ushqyer dhe të praktikuar nga klasa politike dhe nga vetë sistemi i drejtësisë, shoqëria shqiptare është zhytur në një batak të tillë moral, që përbën pengesën kryesore për realizimin e tyre. Ai segment i shoqërisë që vuan më shumë janë gratë. Dhuna në familje dhe diskriminimi janë dukuri të shpeshta shoqërore.

Referenca dhe sqarime

1). Në pjesën e parë të librit të kujtimeve, At Zef Pllumi, në emër të fratit filozof At Gjon Shllaku, ndër të tjera shkruan për banorët e fshatit Lekbibaj, në vitin 1945: “Vetëm këtu asht i saktë koncepti i njeriut të lirë. Kjo asht madhështia e këtyne: që janë të gjithë të barabartë si njerëz të lirë.” (“Rrno vetëm për me tregue” Pjesa e parë 1944-45, botues “Hylli i Dritës”, v. 1995, f. 61).

2). Ernest Koliqi, “E Drejta e Kanunit tonë dhe e Drejta Romake”, cituar simbas “albanova online.com”.

3). “Kanuni i Maleve të Shqypnis nuk e veçon nierin prej nierit. ‘Shpirt per shpirt, se duken e falë Zoti.” (neni 593, f. 129). “I miri e i keqi kan nji çmim: Kanuni i mban per burra: ‘Del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit’. ‘Në kandar të vet sicilli peshon katerqind derhem.” (neni 594, f. 129). “Në kanu të Maleve të Shqypnis gjithsa djelm të lejnë, njehen të mirë e nuk veçohen njani prej tjetrit”, (neni 886, f.169). “Çmimi i jetës së nierit asht nji, si per të mirin si edhe per të keqin”, (neni 887, f. 169). “Sejcilli mbahet i mirë edhe i thotë vedit: ‘Jam burrë’ e i thonë: ‘A je burrë!’, (neni 888, f. 169). (Referencat janë marrë nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit- The Code of Lekë Dukagjini”, Gjonlekaj Publishing Company, N. Y. 1989.

4). Xhemal Meçi, “Kanuni i Lekë Dukagjinit, Varianti i Pukës, Shtëpia botuese “Çabej MÇM, Tiranë, 1997, f. 72, & 162.

5).Një element i tillë i barazisë, që dëshmon jo vetëm frymën demokratike, por edhe fisnikërinë shpirtërore, mungon në disa kanune të lashta dokësore dhe jodokësore. Në ligjët e Hamurabit, në nenet 196, 197, 198, bëhen dallime në përcaktimin e dënimeve, duke u nisur nga shtresa shoqërore, së cilës i përket fajtori. Kështu, atje thuhet: “Nëse ndonjëri i nxjerr syrin ose i thyen një gjymtyrë një patrici (kështu po emërtojmë pjesëtarin e shtresës më të lartë të shoqërisë babilonase të atëhershme), atij, përkatësisht, do t’i nxiret syri ose do t’i thyhet gjymtyra; por në qoftë se ndonjëri i nxjerr syrin ose i then dorën një plebeu, ai dënohet vetëm me gjobë. (Sipas: “Perry, Peden, Von Laue “Sources of the Western Tradition”, Fourth edition, Copyright, 1999, by Houghton Mmifflin Company, p. 10, (“Burime të traditës perëndimore”. Përkthimi im, A. Ç.).

6). Tek nenet e marrëdhënieve mes zotërisë dhe rrogtarit pasqyrohet qartë barazia humane mes tyre: “Po s’i eci mbas andes së zotnis rrogtari, mund ta dajë, porse me vu gojë keqas mbë te e me vu dorë nuk mundet.” (Kanuni i Lekë Dukagjinit-The Code of Lekë Dukagjini, f. 57, & 128). “Me sha keqas a me rrafë rrogtarin zotnija, e per n’u daftë ky para vadjet, per të rrafme e per të shame do t’i ligjohet.” (I njëjti botim, f. 57, & 129).

7). Cituar sipas, Willy Kamsi-t, “Elementa të traditës në veprën e At Zef Valentinit”, në “Seminnari i Katërt Ndërkombëtar ‘Shkodra në Shekuj”,  Vëllimi I, Shkodër, 2002”, f. 128

8). Mario Tesini, “L’ Albania post-totalitaria e le incertezze della democrazia”, në revistën “Hylli i Dritës”, viti 1993, nr. 4, f. 61. (Përkthimi im).

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa-Liria Vetiake- Te drejtata e individit

HISTORIA – MOLLË SHËRRI. DERI KUR?

December 16, 2019 by dgreca

“Detyra e vërtetë e historisë është të paraqesë ngjarjet, së bashku me idetë, e t’i lerë vërejtjet përkatëse dhe përfundimet lirisë dhe së drejtës së gjykimit të secilit”- FRANCIS BACON (1560 – 1626), filozof, letrar e burrë Shteti anglez/

Shkruan: Eugjen Merlika/ DIELLI/

            Ditët e fundit të nëndorit qenë dramatike, pjesërisht tragjike, për shqiptarët, në një betejë të pabarabartë me një tërmet të fuqishëm që shkaktoi viktima njerëzore e dëme të mëdha në banesat e qytetarëve. Në këtë atmosferë të trishtuar, një lajm i papritur tërhoqi vëmëndjen e jetës kulturore: prof. Agron Tufa, kryetar i Institutit për studimet e krimeve dhe të pasojave të komunizmit, dha dorëheqjen nga detyra e, së bashku me familjen, u largua nga Shqipëria për të kërkuar strehim politik në Zvicër. Kishte tridhjetë vite që nga akti i largimit të shkrimtarit më të njohur të gjysmë shekullit të fundit, Ismail Kadaresë, në prag të tjetërsimit të sistemit, që Shqipëria nuk ballafaqohej me një dukuri të tillë, e cila nuk duhej të përbënte ndonjë lajm, mbasi në këto vite qindra mijra nënshtetas të saj e kishin braktisur në kërkim të një mënyre të re jetese në Vende të tjera, afër e larg saj.

            E veçanta e dukurisë Tufa ka të bëjë me motivin shtytës të veprimit që është kushtëzuar, jo nga ndonjë prirje e shkrimtarit për të kërkuar një jetë më të këndëshme në Zvicrën e ëndërruar prej dhjetëvjeçarësh nga bashkatdhetarët e tij, por nga një domosdoshmëri për të siguruar jetën e tij dhe të familjes nga trysnitë, kërcënimet e rreziku që i kanosej. “Për shkak të pranisë së madhe në institucionet qëndrore të shtetit të ish oficerëve operativë të sigurimit të shtetit, un pra kalova në një konfrontim të hapur publik i cili pastaj, për fat të keq, mori natyrën e përqëndruar të një kryqëzate sulmesh kundër meje personalisht, duke u shoqëruar me shpifje, shantazhe, kërcënime, deri tek kërcënimet me vdekje. Këto lloj formash të presionit e frikësimit mbërritën deri në një moment kur u dendësuan dhe un ndjeva një rrezik për jetën time dhe të familjes, deri sa u bë e papërballueshme dhe e padurueshme pasi kisha bërë më parë përpjekje për të gjetur drejtësi në institucionet ligj-zbatuese, në gjyqet që pata hapur ndaj këtyre personave me të kaluar tërësisht të përzishëm në diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. Këto qenë arsyet përse ika.”

            Kjo është tablloja shpjeguese e arsyeve që shtynë një qytetar të elitës shqiptare të braktisë atdheun, e shpjeguar në një intervistë të marrë nga Zëri i Amerikës prej publiçistit e studjuesit të mirënjohur Ilir Ikonomi. Është një tabllo e errët që vazhdon të shërbejë si sfond i jetës shqiptare, në të cilën lëvizin si fantazma të patrazuara hijet e së shkuarës diktatoriale, njerëzit e pjesës më besnike të regjimit, ata të ish Sigurimit të Shtetit. Në këtë kontekst, kundërshtia e hapur ndërmjet drejtuesit të një institucioni kulturor dhe disa përfaqësuesve të jetës politike, bëhet e mprehtë e gjen shkas të shpërthejë në lëmin e ndërpretimit të historisë të së shkuarës, veçanërisht asaj të luftës së Dytë botërore. Çuditërisht kjo periudhë vazhdon të mbetet tabu e paprekëshme, llogorja e fundit ku ngujohen politika dhe studimi historik, e kyçur si një vazo Pandore e mbyllur hermetikisht me bindje të parafabrikuara e të përjetëshme.

            Pak kohë më parë, në Kuvendin e Shqipërisë, u paraqit për miratim një projekt-ligj, i firmosur nga dhjetë deputetë të P.S., që synonte të kufizonte rrezen e studimit të Institutit për krimet e komunizmit në periudhën 1945 – 1991. Ky projekt-ligj është ende në pritje të miratimit dhe ideatori i tij, Spartak Braho, vërsulet kundër kryeministrit, duke u shprehur kështu: “Rama ka pesë muaj që ka bllokuar Kuvendin për ndryshimin e ligjit të Institutit që kam propozuar un e disa deputetë të tjerë që e ndalon Institutin e Tufës të merret me periudhën e luftës 39-44. Kulmi!””

            Inkuizitori bashkëkohor Spartak Braho i jep të drejtë vetes të vendosë se çfarë duhet të studjojë e të nxjerrë në dritë një institut që është ngritur e mbahet nga Shteti, për t’i zbuluar opinionit publik shqiptar historinë e atyre viteve të luftës, të bazuar në dokumenta të vërtetë. “Në relacionin që e shoqëron projekt-ligjin, socialistët argumentojnë se Partia komuniste është krijuar më 8 nëndor 1941 dhe në programin e saj nuk ka pasur elementë diktatorialë, ndaj harku kohor i L.A.N.Ç.-it nuk mund të jetë pjesë e studimit të ISK, sepse instalimi i diktaturës u bë pasi komunistët morën në dorë qeverisjen e Vendit.”  

            Arsyetimi foshnjarak në mbrojtjen e kësaj teze fut ujë në të gjitha anët. Nuk mban parasysh se si u themelua Partia nga të dërguarit e Komitetit qëndror të P.K.J., cila qe organigrama e saj që la jashtë drejtimit komunistët më të vjetër, fillimin e veprimeve luftarake në vjeshtën e 1942, kur Shqipëria ishte pushtuar që në prill 1939, lidhjen e këtyre veprimeve me sulmin e Gjermanisë hitleriane mbi B.S., zëvendësimin e frymës së bashkëpunimit mes të gjitha forcave antifashiste të Pezës e të Mukjes me mbizotërimin dhe njëanshmërinë e partisë komuniste, të futur nën sqetullat jugosllave, mospërfilljen e theksuar kundrejt problemit kombëtar të bashkimit të trojeve më 1941, që arriti deri në dorëzimin e Kosovës Jugosllavisë nëpërmjet ndërhyrjes së brigadave partizane shqiptare, frymën e terrorit në luftën civile për të dalë si të vetmit fitues e pushtetarë etj. Simbas tezës së sipërpërmendur kjo maqinë lufte, e përkrahur edhe nga misionet angleze dhe amerikane që, deri atëherë, “shtronte çështjen e çlirimit të Vendit, rivendosjen e pavarësisë kombëtare dhe ndërtimin e një rendi demokratik në Shqipëri”, sa hap e mbyll sytë, më 30 nëndor 1944, “mori në dorë qeverisjen e Vendit duke vendosur detyra, ndërmjet të cilave: eliminimi i kundështarëve politikë, qeverisja e re, hartimi i kushtetutës, reforma ekonomike”, duke shfaqur në gjithë veprimtarinë e saj katërcipërisht tiparet e një diktature, ndër më gjakataret e Lindjes evropiane. Vetëm një logjikë e mangët, në të gjithë përbërësit e saj, mund t’a ndajë me thikë një periudhë historike me të gjitha bëmat e saj e të vendosë veton mbi studimin e një pjese të saj.

            Prandaj çdo sulm ndaj studjuesve që nuk njëjtësohen me njëanshmërinë e historiografisë zyrtare komuniste e paskomuniste, aq më tepër siç është rasti i detyrës zyrtare që kishte shkrimtari Tufa, është një shkelje flagrante dhe e papranueshme e fjalës së lirë dhe e së drejtës së shqiptarëve për të mësuar historinë e vërtetë të gjyshërve të tyre. Nuk ka periudha “të blinduara” në asnjë lloj historie. Prandaj dhe aktet më të fshehta të praktikave qeveritare, kudo në botën demokratike, kanë një kohë të përcaktuar, me mbarimin e së cilës arkivat hapen, duke u bërë objekt studimi për këdo që i kushtohet kërkimit shkencor në dobi të njohjes publike. Çdo orvajtje për të ecur kudër këtij parimi të rëndësishëm të fushës studimore është i prirur për të dështuar me turp, pavarësisht ligjeve të veçanta që diktaturat, kudo në botë, mund të miratojnë me qëllime të caktuara.. Shqiptarët që e kanë kaluar gjysmën e shekullit e mbajnë mënd mirë dekretin shtetëror komunist për “mbrojtjen e monumenteve” më 1990. Si duket të përmalluarit e tij duan t’a shtrijnë atë në studimet historike ende sot, mbas tre dhjetëvjeçarëve.

            Por ajo që duhet të jetë krejtësisht e dënueshme, jo vetëm nga vetëdija demokratike e kombit tonë, por edhe nga vëmëndja e detyrueshme e organeve shtetërore ligj-zbatuese, është fakti i përdorimit të metodave mafioze të fshehta e të hapura për të denigruar e frikësuar profesor Tufën, me qëllim që ai të mos kryejë detyrën e tij qytetare e zyrtare, botimin e dokumentave të veprimtarisë terroriste të komunistëve, gjatë luftës, kur ata janë të vërteta. Në të kundërt secili studjues mund të paditet për mashtrim e t’i nënshtrohet ligjit, krejt ndryshe nga praktika gjysëmshekullore e tjetërsimit dhe shtrembërimit të historisë që ka qënë një kostante e njohur e kohës së regjimit. Dijnë diçka n’atë drejtim mjeshtrat e retushimeve të fotografive në kohë të ndryshme, për të mos folur për futjen e armëve tek kisha e Fretërve në Shkodër e dhjetra e qindra episodesh të sajuara për të përndjekur gjithë atë pjesë të popullsisë që quhej kundështare e regjimit.

            N’atë hulli të trashëguar, sot Spartak Braho shprehet: “Unë i pari, por edhe të tjerë, mendoj se do të bëjnë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet dhe do t’a denoncojmë zyrtarisht si një hajdut dhe me vese tejet të rrezikshme shoqërore.”. Madje një ish ministër, Osman Murati, në postimin e tij në facebook e shton dozën duke shkruajtur: “Nëse bajga Tufa do të proçedohej për krimin e akuzës që i u ka bërë heronjve dhe dëshmorëve të luftës Nacional – Çlirimtare dhe gjykata do t’a dënonte me vdekje, un do të propozoja që të bëhesha autori që t’i jepja plumbin kokës.”. Ish ministri mjeran që, gjatë viteve tetëdhjetë, zbuloi ujin e ngrohtë duke i këshilluar shqiptarët të pinin kafe elbi, ashtu sikurse kryetari i tij, Alia, për të ngrënë bar, mbase nuk e di se në Evropën demokratike dënimi me vdekje ka dhjetëvjeçarë që është hequr. Besoj se fjalët e tyre, ashtu si dhe të tjerëve që bashkëndajnë mendimin me ta, nuk do të kenë asnjë vazhdim në dëm të shkrimtarit dhe familjes së tij, veçse në fantazitë e tyre të sëmura nga urrejtja, por vetë prania e tyre në shtypin e shkruar ose on-line, aq më keq në sallat e institucioneve, përfaqëson reliket e dëmshme të një mendësie të vjetër, të ushqyer me gjakun e vuajtjet e dhjetra mijra viktimave të pafajshme të sistemit të tyre.  

            Largimi i Agron Tufës, të cilit si bashkatdhetar i uroj mbarësi në jetën e re, është një ngjarje e trishtuar që errëson përfytyresën e Shqipërisë, që nuk mund e nuk duhet të jetë ajo e “despotizmave të rinj”, por e një Vendi me standarte të larta në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të parimeve liberale të qytetërimit perëndimor. Heshtja e institucioneve, madje dhe e ambasadave të Vendeve perëndimore është një dukuri tejet shqetësuese, mbasi le përshtypjen se shkaqet që shkaktuan atë largim duhen quajtur rutinë e zakonshme e mund të kenë të drejtë qytetarie në këtë Shqipëri.

            Dhjetor 2019                                                                 

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika-Historia-Molle sherri

PARANOJA

December 14, 2019 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/ DIELLI/

            Të gjithë ata që kanë mbajtur kanarina dhe gardalina në kafaz kanë vënë re një gjë shumë domethënëse, që,  kur njerëzit në grup kanë  bisedime të nxehta, ato cicërojnë më tepër se kurrë. Kjo për arsye se zogjtë  nuk e durojnë dot zhurmën e kuvenduesve në ekstazë se u duket kakafoni e tmerrshme. Zogjtë sikur u thonë: “O njerëz, jeni të shëmtuar, mizorë e grindavecë! Kokëbosh…! Nuk mund t’ ju dëgjojmë fare!” Dhe kur “njeriu” është moskokëçarës ndaj sjelljes së tyre, sjelljen e çuditëshme e kthejnë në një protestë vetëvrasëse, egërsohen deri në atë shkallë sa vetshkulin puplat, fillojnë “grevë urie”  deri në akt sublim. 

            Kujdestarët e mirë të shpendëve e kuptojnë menjëherë protestën dhe e korigjojnë pakujdesinë me një rregull shembullor për të mos u përsëritur më. Kurse paranojakët, përpiqen për t’i vënë në gjumë shpendët duke i mbuluar me vello të errët, biles dhe duke i kërcënuar për t’i nxjerrë jashtë: “Pushoni! sh…!, ose ju flaka jashtë të ngordhni në akull!”

            I tillë është njeriu paranojak, padron deklamativ i tokës dhe i ajrit, që nuk dëgjon cicërimat e pastra. Ai nuk kuptohet dot gjatë fazës prodromale. Nuk kontrollohet dot as me rezonanca magnetike. Po dallohet në fazën aktive, nëpërmjet sjelljes së përditshme,  pozicionit që i beson, bisedave, skripteve etj. Mentaliteti i sëmurë ia verbon panoramën reale në sensin deobjektiv.   

            Si  për shembull: 

            Një bujk në fushë e quan veten  arkitekt  në  ndërtim. 

            Një peshkatar e quan veten gjuetar pylli. 

            Një këngëtar melodioz mendon se zëri është dije dhe jo dhuratë, duke e ngatërruar dhuratën argëtuese si filozofi, dhe pa e kuptuar se midis akustikës së zërit dhe mendimit të thellë, ka një oqean në mes. 

            Një doktor patolog paraqet studimin: “Zhvendosja e pllakave tektonike në shëmbjen e ndërtesave shekullore.”

            Sipas shembujve të shkurtër që përmenda më lart, paranoja është treguesi që i jep mundësinë peshkatarit të gjuajë me kallam në pyllë, bujkut të krekoset si arkitekt i ndërtesave postmoderne, këngëtarit të shfaqet si filozof në avullin e ahengut…, doktorit patolog,  të paraqitet si gjeni në sizmologji.

            Në këtë këndvështrim, shpendëve u mbeten dy detyra , e para , t’ua lëshojnë  vendin shqiponjave për të ndërgjegjësuar paranojën . E dyta  ,  të shijojnë ozonin duke kundruar nga lart sfumimin e “arkitekturës postmoderne” të bujkut, transformimit e zërit të këngëtarit në “filozofi progresive”,  peshkatarin  si “gjuajtës i lëmyshkut në pyll”, dhe… doktorit,  vorraxhi modern! 

Filed Under: Opinion Tagged With: Alfons Grishaj-Paranoja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 351
  • 352
  • 353
  • 354
  • 355
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT