• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Asimilim i individit

November 21, 2018 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/1 astrit LULUSHI

Individi është pakica më e vogël. Kur nuk i përfillen të drejtat, ai shtyhet me forcë në rrugën e përshtatjes apo asimilimit ose në udhën e kundërshtimit a protestës. Dhe pas kësaj nuk mund të pretendohet se të drejtat e tij janë të mbrojtura nga qeveria ose nga shtypja e shumicës. Një shoqëri e tillë sikur është dënuar të jetojë në një epokë të cilës i mungon arsyeja. Vendi i ngjan një klubi bilardoje, ku lejohet të luajnë, dhe të merren me politikë, vetëm njerëz të ardhur nga prindër të frikshëm, dhe nga ata që kishin frikë të shkruanin, të flisnin, të bashkoheshin dhe të kundërshtonin shkaqet që për momentin ishin të papëlqyeshme, të padurueshme, të pa imagjinueshme madje edhe për çdo vend tjetër komunist.

Nga kjo pikëpamje, është vështirë të parashikohet një demokraci e vërtetë, e pastër, që është pritur për afër 30 vjet. Për shumë vetë, shpresa të tilla po fiken, ndërsa shohin se shoqëria përfaqësohet nga një grup njerëzish me mendje të çimentuara me dije të errëta të trashëguara. Çdo 4 vjet prej tyre del një elitë, e cila krijon qeverinë dhe nuk pranon asnjë kurë për ligësitë e së kaluarës. Një ditë, nuk dihet se kur, një pasion ose interes i përbashkët ndoshta do të ndihet, një lloj komunikimi do të krijohet mes njerëzve për të grumbulluar pakënaqësitë e kundërshtimet, për të sakrifikuar një parti, ose një të padurueshëm. Historia ka treguar se “demokraci” të tilla janë bërë jo rrallë shkaqe të trazirave dhe grindjeve, pasi janë të papërputhshme me sigurinë e individit, ose me të drejtat e pronës. Përgjithësisht ato kanë patur jetë të shkurtër, ndonjëherë me fund të dhunëshëm. Politikanët teorikë, të cilët patronizojnë këtë lloj të qeverisje – shkruante James Madison* – mendojnë se duke ulur njerëzimin në një barazi të përsosur në të drejtat e tyre politike, njerëzit do të bëheshin njëkohësisht të barazvlefshëm dhe të asimiluar.
—
*James Madison (1751-1836), një nga etërit e Kushtetutës amerikane, hartuesi i Billit të të Drejtave, Presidenti i katërt i SHBA-së, dhe kundërshtar i ashpër i pushtetit të centralizuar. Ashtu si Uashingtoni e Jeffersoni, edhe James Madisoni e la presidencën, më i varfër sesa kur u zgjodh.

Sent from

Filed Under: Opinion Tagged With: Asimilim i individit, Astrit Lulushi

SHQIPTARËT TË BASHKUAR PËRSËRI NË VATIKAN RRETH GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBE

November 19, 2018 by dgreca

1-Franku

Nga Frank Shkreli /

2 papa13 Papa

Çfarë ndryshimi sjellin 50-vjetë. Ndryshim për më mirë!  Ishte viti 1968 kur Kombi shqiptar shënoi 500-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeut.  Shqiptarët e larguar nga Atdheu prej regjimit komunist të Enver Hoxhës, kishin organizuar me ndihmën e Vatikanit dhe të Papa Palit VI, të Arbëreshëve dhe të komunitetit shqiptar të Romës në atë kohë, të kryesuar nga Profesor Ernest Koliqi, shqiptarët mërgimtarë nga të gjitha trojet shqiptare, me Arbëreshët e Italisë, ceremoni në kujtim të Heroit Kombëtar.  Aty, pa dallim feje as krahine, të gjithë të bashkuar në Romë dhe në Vatikan (me përjashtim të regjimit komunist të Enver Hoxhës) – i treguan botës dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e tyre për Fatosin e Madh të Kombit, të cilin Papa Pali i VI, me atë rast e cilësoi si, “Të Përgjithëmonshmin e Fisit Shqiptar”.

Ndryshimi me situatën e vitit 1968, kur ceremonitë për shënimin e atij përvjetori atëherë në Vatikan, u organizuan nga diaspora shqiptare me ndihmën e Vatikanit dhe të Arbëreshve – sivjet në vitin e shpallur nga Tirana dhe Prishtina zyrtare si Viti Mbarë-Kombëtar i Gjergj Kastriotit Skenderbe – organizimi i ceremonive për të shënuar 550-vjetorin e Gjergj Kastriotit është bërë nga vet ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit.  Veprimtaria në Vatikan është organizuar nga Shefja e Misionit Diplomatik të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Zonja Majlinda Dodaj, në bashkpunim me Vatikanin.  Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe artistë shqiptarë me famë botërore, të cilët në mbrëmje dhanë një shfaqje në Teatrin prestigjoz “Argjentina”, në qendër të Romës, përfshirë yjet e muzikës Dua Lipa, Ermal Meta, Olen Cesari, Inva Mula, Kledi Kadiu, Genc Tukiçi, Rame Lahaj, Elhaida Dani, Lorik Cana, Eno Peci dhe Erza Muqolli, të cilët morën pjesë në koncertin, “Të Bashkuar në Muzikën dhe Kujtimin e Skënderbeut”, të cilin e hapi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin.  Përveç  pjesëmarrjes së tyre, njoftimet zyrtare bëjnë të ditur se të hënën, një delegacion shqiptar, përfaqsues të të gjitha feve si dhe një grup autoritetesh të larta kishtare dhe politike nga Shqipëria, Kosova dhe nga trevat e tjera ku jetojnë shqiptarët, përfshirë Arbëreshët e Italisë, u takuan me Papa Françeskun, në Vatikan, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në Vitin Mbarëkombëtar kushtuar Heroit të Madh të luftës kundër otomanëve. Takimi u mbajt në “Sala Clementina” të Pallatit Apostolik, ku thuhet se ndër zyrtarët e lartë shqiptarë ishin të pranishëm, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi me grupin e përfaqësuesve të parlamentit, Ministri i Diasporës Pandeli Majko, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e të tjerë.  Lajmet bëjnë të ditur se ndër përfaqësuesit e Shqipërisë, i pranishëm ishte edhe Kardinali Ernest Simoni, i vetmi klerik katolik shqiptar ende i gjallë, i persekutuar nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës.

Imzot Xhorxh Frendo, udhëheqsi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë i tha radio Vatikanit se takimi i Papës me shqiptarët në këtë vit kushtuar Gjergj Kastriotit – Skenderbe tregon, “Jo vetëm solidaritetin tonë me Papën por edhe solidaritetin e Papës me ne, i cili në këtë mënyrë ka dashur të ndajë gëzimin e tij me ne, me rastin e përvjetorit të Heroit Kombëtar Skenderbeut”.  Të gjithë e dimë, shtoi Imzot Xhorxh Frendo, kreu i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, se “Papa Françesku ka një afërsi shumë të veçantë me popullin shqiptar”.  Ai përmendi faktin se Shqipëria ishte vendi i parë evropian që kishte vizituar Papa Françesku katër vjet më parë, ndërsa theksoi se të njëjtën gjë mund të themi edhe për Papa Gjon Palin e dytë, përsa i përket afërsisë së tij me shqiptarët, i cili gjithashtu tregonte një interesim dhe dashuri të veçantë për shqiptarët, tha udhëheqsi i Kishës Katolike të Shqipërisë në një intervistë me Radio Vatikanin.

Në intervistën e tij, një ditë para takimit të shqiptarëve me Papën, Imzot Frendo e cilësoi vizitën e shqiptarëve në Vatikan dhe takimin e tyre me Papën, me këtë rast, si të një rëndësie të madhe, “sepse në këtë mënyrë është Shqipëria ajo që po shkon në Vatikan, pasi para katër vitesh ishte Vatikani që erdhi në Shqipëri”, kur në Tiranë u gjënd Papa Françesku, e që ishte vizita e tij e parë në një vend evropian, si udhëheqës i Kishës Katolike.Në takimin me delegacioni shqiptar në Pallatin Apostolik, Papa Françesku priti shqiptarët e ardhur nga Shqipëria, Kosova dhe vise të tjera, përfshirë diasporën me këtë përshëndetje:

 “Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin”.

Në kuadër të shënimit të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Papa Françesku tha se Atdheu i Skenderbeut, “Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore, dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj.  Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”.  Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht”, është shprehur udhëheqsi shpirtëror i Kishës Katolike.

Sa kënaqësi dhe mallëngjim për të qenë dëshmitar, megjithse nga larg, i këtij takimi mbarë shqiptar në Vatikan, për të shënuar përmbylljen e Vitit të shpallur Mbarë Kombëtar të Shqiptarëve.  Pikërisht aty në Vatikan, ku 50-vjet më parë u shënua 500-vjetori i Gjergj Kastriotit- Skenderbeut me pjesëmarrjen e Papës së atëhershëm Palit të VI dhe shumë shiqptarëve nga të gjitha trojet, por të përhapur anë e mbanë botës, përfshirë Arberëshët e Italisë. Por Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës, për arsye që dihen, nuk mori pjesë atëherë.  Kur bën njeriu një krahasim në histori, është me të vërtetë mallëngjim e ngushëllim për të parë sot pjesëmarrjen e një delegacioni zyrtar të Shqipërisë në një pritje të tillë në Vatikan, e për më tepër që merr pjesë në një ceremoni të tillë, organizuar kryesisht nga Ambasada e Tiranës në Selinë e Kishës Katolike dhe Shefja e saj, Zonja Majlinda Dodaj.  Bashkimi i Shqiptarëve është i mundur, siç u shpreh edhe Papa Françesku para delegacionit të shqiptarëve dje në Vatikan, nepërmjet Gjergj Kastriot –Skenderbeut, “Simbolit të padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar” të shqiptarëve!

Festimet kulminuan me një koncert muzikor me titullin përkatës të rastit: “Të Bashkuar në Muzikën dhe Kujtimin e Skënderbeut”, ku morën pjesë disa nga muzikantët më të njohur shqiptarë – koncert ky i organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, në teatrin e njohur, “Argentina”, në Romë,

 

 

 

Fjalimi i plotë i Papa Françeskut mbajtur para delegacionit Mbarë-Shqiptar, në vizitë në Vatikan për të shënuar 550-vjetorin e vdekjes së Skendërbeut — të pranishëm atje në përmbyllje të ceremonive të Vitit 2108, kushtuar nga Shqipëria dhe Kosova, Kujtimit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve – Gjergj Kastriotit -Skenderbeu.

 

“Të dashur vëllezër ipeshkvij e meshtarë, vëllezër e motra,

me kënaqësi të veçantë, ju uroj mirëseardhjen juve, që keni ardhur këtu me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tuaj Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.  Përshëndes me mirënjohje të pranishmit dhe, me mendje, edhe gjithë shqiptarët, në atdhe e në vende të tjera të botës, të cilët, në emër të lidhjeve të lashta të miqësisë e të marrëdhënieve të vazhdueshme, e shohin gjithnjë me dashuri Selinë e Shën Pjetrit.  Në këtë kuadër, më pëlqen të kujtoj se 50 vjet më parë, Shën Pali VI priti   një përfaqësi të shqiptarëve.

 

Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj.  Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”.  Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm i lidhjeje dhe bashkimit kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht.

 

 

Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfodin e kuq, bërë sipas stemës së heroit.  Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë.

 

Pas vdekjes së heroit dhe pas pushtimit të Shqipërisë, shumë shqiptarë preferuan të emigrojnë dhe shumë prej tyre u vendosën në Itali, në qendër të gadishullit e në jug, sidomos në Kalabri e Sicili, duke u dhënë jetë Rretheve kishtare shqiptare të Ungrës, të Horës së Arbëreshëve dhe të Grotaferratës.

 

Prania, në takimin e sotëm, të një grupi arbëreshësh, pra, italo-shqiptarësh, me traditat dhe shprehjet e tyre gjuhësore përçuar prej shekujsh, na bën të imagjinojmë atmosferën e Shqipërisë së Skënderbeut dhe na konfirmon se Heroi Kombëtar mbetet urë e vlefshme për ruajtjen e lidhjeve të frytshme të arbëreshëve me tokën e tyre të origjinës.

 

Për arsye të rëndësisë së veçantë të figurës dhe të veprës së gjithanshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kuptohet më së miri pse Shqipëria ka dashur ta shpallë këtë vit, “Vit mbarëkombëtar të Skënderbeut”.

 

Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin, duke e dobësuar vendin nga forcat dhe aftësitë e domosdoshme për zhvillimin e tij njerëzor e civil.

 

Puna e përbashkët e të gjithëve drejt këtij objektivi do të bëhet mënyra më e mirë për të mishëruar në kohën e tanishme, dashurinë për atdheun, që frymëzoi Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në kohën e vet. Ai, duke interpretuar sa më mirë karakterin dhe traditat e popullit tuaj, shprehu vlefshëm shqiptarinë, term i përdorur nga shkrimtari i shekullit XIX, Pashko Vasa, për të treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte të gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Në Shqipëri, kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë në bashkëpunim e vëllazërim.

 

Siç pata rastin të pohoj, me rastin e vizitës sime në Shqipëri, “klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin” (Takimi me autoritetet, 21 shtator 2014: Insegnamenti II, 2 [2014], 271). Ajo tregon se bashkëjetesa paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkasin feve të ndryshme, është rrugë, e cila mund të përshkohet konkretisht, sjell harmoni dhe çliron forcat më të mira e krijimtarinë e mbarë popullit, duke e shndërruar bashkëjetesën e thjeshtë, në bashkëpunim e vëllazërim të vërtetë.  Gatishmëria për t’i konsideruar ndryshimet si rast për dialog, vlerësim e njohje të ndërsjelltë, favorizon gjithashtu, zhvillimin e udhëve shpirtërore të vërteta e bëhet shembull i vlefshëm, për t’u parë me interes të madh në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme, themeluar mbi respektimin e dinjitetit të njeriut.

 

Duke përkujtuar me mirënjohje shenjtorët martirë, që e dëshmuan fenë me çmimin e jetës, si edhe Shën Terezën e Kalkutës, me kënaqësi, i jap Bekimin Apostolik secilit prej jush, këtu të pranishëm, familjarëve tuaj dhe gjithë popullit shqiptar.  Një favor, mos harroni të luteni për mua. Faleminderit.”

Burimi: Radio Vatikani në gjuhën shqip

 

 

Papa Franesku i drejtohet delegacionit të Shqiptarëve

 

 

Imzot Xhorxh Frendo Shefi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë me Papa Françeskun

 

Filed Under: Opinion Tagged With: bashkohen, Frank shkreli, në Vatikan, shqiptaret

KODI MORAL I FJALIMIT TË FUNDIT TË GJERGJ KASTRIOTIT- SKËNDERBEUT

November 17, 2018 by dgreca

asllani-56

NGA ASLLAN BUSHATI/

14 skenderbeu

Përvjetori i 106-të i pavarsisë së Shqipërisë( 1912-2018), përkon me vitin jubilar të 550 vjetorit të largimit nga kjo jetë të Heroit tone Kombëtar  Gjergj Kastriotit – Skënderbeut  (17 janar 1468). Duke qenë se ai  është ideatori dhe  formuesi  i  shtetit të parë shqiptar dhe në një farë mënyre “Ati i Kombit tonë”, ja vlen të shikojmë disa element kryesorë të fjalimit tij të fundit, marrë nga libri i Stephan Zannovich me titull:”Le  Grand Castriotto d’Albanie, Histori”. Libër ky i botuar në vitin 1779 nga shtëpia   botuese J.J.Kesler në Frankfurt të Gjermanisë. Fjalimin e fundit të  Skënderbeut,  Princi i Matit dhe Mbreti i gjithë  shqiptarve e gjejmë në faqet 70 – 89 të shkruar në gjuhën frëngjisht.  Sipas autorit, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu , në prag të largimit nga kjo jetë,  i pushtuar nga ethet e malarjes, është shprehur në vatrën e tij para princave, ambasadorëve, gjeneralëve dhe drejtuesve kryesor të vendit me një fjalim i cili ka përmasa fondamentale për udhëheqësit shqiptar të të gjitha kohrave. Boshti i fjalimit përshohet si  të  thuash  nga një këndshikimi  udhërrëfyes  ku vihen në dukje  se: trimëria, virtyti, vizioni,  drejtësi,  bujaria, merita, guximi,  vigjilenca e durueshmëria  janë  “kodi moral” i domosdoshëm  për një udhëheqës. Për ilustrim dhe konkretizim po nënvizoj me poshtë disa citime  e mendime nga ky fjalim:

« Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që  e bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të”.

Nga ky citim del se Skënderbeu na  ka lënë si “amanet” të vënë në plan të parë  “trimrinë”. Sepse ai e ka ditur më mirë se kushdo tjetër se  pa trimrinë as që mund të mendohen elememtët e tjerë moral, psikologjik e  profesional të një udhëheqësi dhe të një  luftëtari për mbrojtjen e vendit .Parë nga ky këndshikimi, lypset që  trimria para së gjithash të bëhet  pjesë  e  shpirtit dhe e  qenies së udhëheqësit dhe  luftëtarit. Por, në të njejtën kohë  ajo si një gjë themelore e  jetës shpirtrore të  njeriut ,duhet përsoset e forcohet në vijimsi në raport me kohën e hapsirën.

 E dyta në radhë është vënë virtytëshmëria e cila në konceptimin e përgjithshëm të asaj kohe (por edhe të të sotmes), është mbartësja e nje force te pastërt  shpirtrore, edukative dhe intelektuale që con drejt sjelljeve te mira njerëzore, morale, intelektuale, profesionale, politike dhe fetare. Ajo gjithashtu bart me vehte  virtytin e dashurise per atëdhe, per liri, per unitet, për bashkim të trojeve, për drejtësi, për respekt ndaj atyre që japin kontributin e vet kombetarë e profesional. Posedon virtyte humane e sociale dhe  është i gatshëm tu dalë në ndihmë të  tjerëve që kanë nevojë për ndihmë. Ështe i gatshëm edhe të sakrifikoi për të tjerët dhe për interersa kombëtare. Interesat e veta personale, i  virtytëshmi nuk i realizon  në dëm të ineresave të të  tjerve apo në dëm të interesave kombëtare. Prandaj i madhi Skënderbe që në krye të fjalimit ka thënë:”ju duhet të bëheni trima dhe të virtytshëm”.

Një aspekt tjetër fondamental i këtij citimi të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, është : vizioni për liderët shqiptar të asaj kohe ( për  cdo fushe)   kur nënvizon se:. “Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që e bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të”.E thënë me fjalë të tjera,trimria dhe virtytëshmëria janë domosdoshmëri, por ato  lypset të shoqërohen me doemos me “vizionin e qartë” të atij që udhëheq.

Që një udhëheqës të jetë i suksesshëm, -sipas Skënderbeut- duhet të krijojë mjedisin e duhur për “drejtësi”  për të cilën  sygjeron:” Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqt apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë  dhe të domosdoshërisë.…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtytëve. Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe lluksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje. Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga minisitrat tuaj…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni  besim atij për t’ju ndihmuar të korigjoni abuzimet dhe fatkeqsitë e shtetit.”

Bujaria si element themelor i karakteri të drejtuesit në fjalimin e fundit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut nënvizohet si më poshtë:” Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysëm veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjitha shtresat popullore. Për arsye të postit (gradës), që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…”

Artizani, blektori,ndërtuesi, ushtari etj, kanë meritën  se  bëjnë gjera  të rëndësishme e të dobishme  për jetën e tyre dhe të tjerëve. “Mbrojeni meritën  dhe shpërndajeni atë kudo që ajo ndodhet. Merita është mirësi që duhet të shoqërohet me një zemër bujare se njeriu ndëron tempuj, ngre altar për Zotin në saje të mirësisë e meritës së tij”-thotë në fjalimin e tij Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Dhe shton më tej për “guximin” duke theksuar:” Armatosuni me guximin dhe vendosmërinë në mjerim dhe me maturinë në mirqenie. Mos u zhytni në përtaci se ajo është nëna e të gjitha veseve”.

Duke patur një përvojë të madhe  e të jashzakonëshme  në marrdhëniet  me armiqt e jashtëm e të brendëshëm,- Skënderbeu i porosiste prijësit e gjeneralët  e tij si më poshtë: “Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…” dhe më poshtë”

Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhëtojnë. Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar, që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëheqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar…. Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti (i vogli) bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh.

Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë.. E gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë  shkatërruese, e cila bën më shumë pushtime sesa armët e tyre.”

Megjithse kanë kaluar pesë shekuj e gjysëm nga mbajtja e këtij fjalimi, mesazhi që Heroi Ynë Kombëtar dhe Ati i Kombit Shqiptar, përciellë është aktual edhe sot. Do të dëshiroja që këtë fjalim ta studionin e ri studionin  dhe ta përvetësonin udhëheqësit e sotëm shqiptar të cdo niveli.  Kjo do t’ju shërbente shumë atyre  për të kuptuar se cfar është: trimëri, virtyti, vizioni, drejtësia, bujaria, merita , guximi, vigjilenca, durueshmëria (maturia). Do të kuptonin se të qenit në një post  a funksion  të cfaredoshëm është detyrë e përgjegjësi e madhe si shërbëtor para  popullit dhe jo si tiran i tij. Shpresoj dhe dëshiroj që edhe  gjeneratat e reja do ta pëvetësojnë e bëjnë pjesë të  qenies tyre  “kodin moral” të fjalimit të fundit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

Filed Under: Opinion Tagged With: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, asllan Bushati, Kodi Moral

ZGJEDHJET NE SH.B.A. : NJË FITORE E DEMOKRACISE AMERIKANE

November 14, 2018 by dgreca

48 Repishti

Shkruan: Sami Repishti, Ph.D./Dielli

Ridgefield, CT: Me datën 6 nandor, u mbajtën zgjedhjet e zakonshme dy-vjetore për anëtarët e Kongresit Amerikan: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Anëtarët e Dhomës zgjidhen çdo dy vjet; ndërsa anëtarët e Senatit zgjidhen çdo 6 vjet.; por zgjedhjet e senatorëve bahen për një të tretën (33 anëtarë të Senatit) çdo dy vjet, për rigjenerim të pjesëtarëve. Ma shumë se 113 miljonë votues shkuen në qendrat e votimit. Në vitin 2014 votuen 83 miljonë.  Kjo tregon interesimin e  madh të popullsisë për këto votime. Ka të gjitha arsyet me besue se në këto zgjedhje me një diversitet të madh breznia e re ka qenë vendimtare, dhe një fenomen që nuk ashtë vrejtë për shumë vjet, simbas shenimeve të ekspertëve. Ky zhvillim ashtë inkurajues! Zgjedhjet u zhvilluen pa incidente dhe në një atmosferë të qetë.

Populli voton kur ashtë i bindun se vota e tyne llogaritet dhe ngren peshë. Ka edhe një faktor tjetër: kësaj rradhe votuesët kishin në mend një njeri, Presidentin Donald Trump. Votimet e gjysëm-termit (jo presidenciale) janë një referendum për presidentin; ata gjykojnë punën e tij dyvjeçare.

Megjithëse ekonomia amerikane ashtë e shëndoshë, papunësia shumë e vogël, rritja ekonomike mjaft e madhe mbas zbritjes së taksava prej 1.5 triljonë dollarësh që ngriti konsumin, ajo nuk dha rezultatet e duhuna për arsye të entuziasmit demokratik e sidomos për popullaritetin e ulët të Presidentit Trump. Republikanët humben votat në distrikte ku papunësia ashtë e ulët, ku marrëdhanjet industriale kanë rritë punësimin, distriktet ku u ulën taksat, dhe në zonat e pasuna që përfituen nga taksat; menjëfjalë në distriktet ku republikanët kishin shpresat ma të mëdha.

“Me Trumpin në qendër të vemendjes para kutisë së votimeve, unë mendoj se votuesët ishin të nxitun nga të dy anët, pro dhe kunder” deklaroi Prof. Mia Costa (U. Dartmouth). “Demokracia shpëtoi këte demokraci- një demokraci për të cilën shumë nga ne kanë dhanë djersë e gjak, edhe jetën. Na jemi para dy viteve të vështira. Unë lutem për të gjithë ne, në këte vend të bukur, e të thyem, që unë dashunoj kaq shumë, dhe shpresoj,” shkruente një lexues në rubriken e The New York Times (8 nandor)

Dhoma e Përfaqësuesve zgjodhi 435 anëtarë të ri, me shumicë “demokratë” dhe me elementë të ndryshëm që përfaqsojnë ndryshimet e elektoratit amerikan, dhe janë tregues e zhvillimeve politike të mavonëshme, sidomos të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Nga të rinjtë nën moshën 24 vjeçare, rreth 64 përqind votuen për kandidatët “liberalë”, që kërkojnë arsim falas, punë për të gjithë, dhe sherbim mjeksor të siguruem nga shteti….!

E papritun: 26 kandidatë janë nën moshën 40 vjeçare. Janë 28 anëtare gra, 12 afro-amerikane, dhe 6 anëtarë veteranë ma shumë se në Dhomen e kalueme. Dy gra myslimane afro-amerikane janë zgjedhë për herën e parë në historinë e vendit. Dy indiane origjinale, gjithashtu. Nga shuma e përgjithëshme, 222 janë konfirmue demokratë, dhe 196 kandidatë republikane (17 të papërcaktuemë) . Ma shumë se 100 janë gra nga të dy partitë.

Kështu demokratët marrin shumicën e Dhomës, Kryesinë, dhe drejtimin e 11 komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve. Kryetar i Komisionit për Marrëdhanjet Ndërkombëtare do të zgjidhet kongresisti, mik i shqiptarëve-sidomos i Kosovës,- i nderuemi Elliot Engel, i New York-ut. Kryetari i Komisionit për Çeshtje Judiciare, do të jetë kongresisti Jared Nadler, i New York-ut, mirënjohës i aktit fisnik shqiptar në mbrojtjen e hebrejve gjatë L2B, dhe përkrahës i Kosovës.

Nga zgjedhjet për “Governatorë” të shteteve amerikane, demokratët fituen 7 nga 9 “shtete” ish-republikane. (23 D; 26 R; 1 i papërcaktuem). Governatorët po tregohen ma të aktivizuem politikisht se ma parë!

Republikanët fituen shumicën e Senatit (51 R, 46 D., 3 akoma të papërcaktuemë); ata mbajnë Kryesinë e të gjitha komisioneve senatoriale, si ma parë. Edhe Gjykata Supreme ashtë  me shumicë elementë “republikanë”….! Natyrisht edhe Presidenti.

Figura kryesore ka qenë “personaliteti” i Presidentit Trump. Partia Republikane ka humbë “personalitetin” dhe “identitetin” e saj me nënshtrim  autoritarianizmit të Presidentit. Republikanët deri tashti kanë kryesue të dy dhomat. Me një kontroll të këtill të plotë, partia republikane nën Presidentin Trump, ka dominue skenën politike dhe ka kalue legjislacion që nuk përkrahet nga shumica e popullit amerikan.

Presidenti akuzohet për paaftësi në udhëheqje dhe për krijimin e atmosferës së frikës (globalizmi, emigracioni, terrorizmi islamik etj) e mashtrimit (racizmi, ksenofobia, misogjinia, racizmi etj.), dy aleatët e “fashizmit”. Akoma ma e randësishme, ai akuzohet se ka pranue mbështetjen ruse me damtue kandidaten demokratike Hillary Clinton me mjete të propagandës ruse “fake news” dhe me ndërhymje në proceset e votimit, një subjekt shumë serioz në arenën politike amerikane, që po shqyrtohet nga i ngarkuemi special, gjykatësi Robert S. Mueller III, një nga figurat ma të njohuna në Amerikë për aftësi dhe ndershmëni.

Mbas një hetimi afër dy vjetor, pritet që Z. Mueller të paraqesë Raportin e tij përfundimtar mbi këte problem, i cili i dorëzohet “Speaker”it të Dhomës së Përfaqsuesve për veprim. Kjo “shpatë e Damokleut” ka qendrue vazhdimisht mbi kokën e Presidentit Trump, dhe ka helmue atmosferën politike të vendit për dy vite të gjata. Ka mundësi që “zbulimet” e Raportit të kërkojnë “impeachment” (dënimin) për Presidentin, i cili ka mohue të gjitha akuzat.

Fitorja e demokratëve në zgjedhjet e nandorit ka qenë “… një fitore e mirë për demokratët, por jo një fitore të përshëndetet me fishek-zjarre!” komenton eksperti Tim Storey. Megjithate, zgjedhjet e 6 nandorit 2018 mbyllin “…një episod të errët të epokës sonë të errët” komentonte The New York Times në Editorialin e saj te 30 tetorit.. Që nga viti 2016 dhe deri sot, SHBA drejtohej me sistemin njëpartiak: presidenti, dy dhomat dhe shumica e Gjykatës së Naltë  ishin të gjithë “republikanë”.       Me fitoren e Dhomës së Përfaqsuesve, thyhet sistemi njëpartiak dhe Dhoma fillon kontrollin dhe balancimin e akteve presidenciale dhe kongresiste, simbas Kushtetutës. Ky ashtë edhe aspekti kryesor i fitores së demokratëve në këto zgjedhje. Megjithate, mbetet dyshimi se me dinamiken e re të një qeverisje të ndame do të jetë shumë vështirë me kalue legjislacione mbi problemet kryesore të vendit, dhe të nevojshme për të gjithë.

Atmosfera e helmueme nga grindjet politike krijohet, por nuk sherohet, shpejt.

*****

Cila do të jetë pozita e Partisë  Demokratike në qeverisjen e vendit?

Ekspertët, tue pasë parasyshë perspektivat e një Kongresi të ndamë, na kujtojnë se çdo kongresist sherben interesat e zonës së tij elektorale. Dhoma e Përfaqësuesve, ashtu si edhe Senati ka përgjegjsinë e përgatitjes së legjislacionit për aprovim, ligjët dhe amendamentet; çdo anëtar sherben si pjesëtar i një ose ma shumë komisioneve parlamentare. Dhoma ka autoritetin me fillue aktin e “impeachment” kundër qeveritarëve, dhe sidomos përgjegjsinë me paraqitë ligje për shpenzimet (“the power of the purse”) Ajo gëzon pushtet të madh mbi shpenzimet, një autoritet që mund të shkurtojë-ose refuzojë- çdo ligj që kërkon fonde. Dhoma autorizon deklarimin e gjendjes së luftës me një anmik, dhe arritjen e paqës mbas luftës.

Me shumicën demoktratike, Dhoma do të ketë mundësinë me paraqitë projekt-ligje që detyrojnë senatorët ma marrë vendime që nuk janë popullore tek ata. “Ashtë shumë tërheqse për Demokratët tashti me qenë të aftë me vue në tryezë projekt-ligje që kanë përkrahje popullore; dhe, ma vonë me i dergue ata në Senat, i cili i refuzon”, spjegon Prof. Ross Baker, (Rutgers U.). Demokratët kanë autoritetin e taksimit dhe shpenzimit. Gjithashtu, Kryetari (the Speaker) i Dhomës ashtë i dyti në trashëgimin e Presidencës në rast emergjence,…. mbas N/Presidentit.

Fitorja elektorale e Demokratëve pritej nga shumica e votuesve amerikanë. Ashtë një fakt i konfirmuem nga shumë sondazhe se popullariteti i Presidentit Trump ka ra shumë, dhe se një humbje e këtill paralajmëron humbjen në zgjedhjet e ardhme presidenciale, 2020. Fitorja e nandorit ka qenë hapi i parë.

Mosaprovimi popullor i agresivitetit të Administratës Trump ashtë rritë shumë sidomos me qendrimin jo-parimor të Presidentit, ku urrejtja për kundërshtarin dhe atmosfera e frikës së krijueme qellimisht me mashtrime kanë shkue shumë larg. Një atmosferë e këtill ka ngjallë reagim të fortë, dhe sot, votuesët anti-Trump e quejnë veten “mbrojtës të demokracisë”. Për Presidentin, këto kundërshtarë janë “trathëtarë” dhe “armiq të popullit”…. Edhe “republikanët konservatorë”, kritikë të Presidentit kanë vetëm një shpresë: disfaten e tij, me qellim që të çlirohet Partia Republikane (PR) nga dominimi i tij i plotë. Sot flitet për një “Trump Party” e jo për një “Republican Party”. Një situatë e këtillë ashtë ba e mundun nga qendrimi i disa senatorëve “republikanë” që frikësohen nga “inati” i Presidentit. Në shtypin amerikan lexohen komente ku thuhet se “…shumica e kongresistëve nuk meritojnë postin që okupojnë sepse nuk respektojnë betimin e bamë me mbrojtë Kushtetutën e ligjët e vendit”.

Edhe editori i “Conservative Magazine” shkruen:” Që nga fillimi i Republikës (1776) Kongresi ka veprue si një frenim për çdo president. Por historia do të gjykojë Kongresin e tanishëm për mbrojtje agresive të Presidentit Trump…Kjo që kemi sot ashtë sundimi i një partie politike….”. “ Në se kemi mësue diçka, shkruen Prof. Delbano (Columbia U.), në vitet e Trumpit ashtë se të drejtat mund të rindertohen ose të harrohen. ‘E drejta’ e qartë se çdo qenie njerëzore meriton jetën, lirinë dhe ndjekjen e lumtunisë, do të marrë kohë me zanë vend në mendjet amerikane. Po kthehet me zemrim pyetja e madhe: Kush ashtë një qenie njerëzore? Ne, nuk do të kemi një pergjigje deri ditën kur çdo za ndigjohet para kutisë së votimit!”.

“Demokracia amerikane, simboli shekullor i lirisë dhe zhvillimit të lire, nën Presidentin Trump funksjonon me tone tragjike! Modeli pluralist i këtij vendi ka nevojë për një “ringjallje” dhe për marrjen e masave që tani janë në qendër të vemendjes”, shkruente revista The New Yorker e 30 tetorit. Me mohue se “retorika luftë-nxitëse e Trumpit këto dy vitet e fundit nuk ka nxitë dhunën politike të ditëve të fundit” ashtu si deklaroi N/Presidenti Pence ”ashtë me u bashkue me legjendat agresive të Presidentit Trump, dhe nivelin e tij të mashtrimit”.

Ngjarjet e fundit kanë konfirmue se SHBA që ashtë një komb i madh, ashtë njëkohësisht edhe i zanun rob nga e kaluemja e tij….Vazhdimisht ka dështue me i adaptue institucionet e veta dhe ligjët…veçanërisht “armët” dhe “fjalimet helmuese” në epoken e një egërsie të prueme nga një teknologji e pamend.

Askush në Amerikë nuk e priste një president të këtill si Donald J.Trump….!

“Shkenca dhe historia na mësojnë se njerëzit do të ushqehen dhe do të veprojnë mbi paragjykimet e tyne në formën ma të keqe, kur këto persona janë nen presion të fortë nga shoqënia, ose kur marrin leje nga një autoritet ma i naltë” shkruen Dr. S, Fisko i U. Princeton. (Akoma sot, “kam zbatuar urdhërin pikë për pikë” deklarojnë kriminelët e ish Sigurimit të Shtetit, në Shqipëri, ashtu si nazistët e Hitlerit, një fenomen negativ që na shqiptarët e kemi pësue për 45 vjet me rradhë nën diktaturën e kuqe)

Nga një herë, tragjedia trampiste zbret në nivele komike: afër 5.000 refugjatë, të vorfën që ikin të frikësuem nga zonat e Amerikës latine, shfrytëzohen për propagandë pa princip: ata  paraqiten sikur janë të rrezikshëm për Amerikën (336 miljonë), fuqia ushtarake  dhe ekonomike ma e fortë në botë. Rreziku ashtë i madh thuhet…dhe 15.000 ushtarakë dergohen në kufi (sic!). Presidenti krenohet, popullsia shijon momentin komik….,megjithëse nuk bahet pjesë e komedisë dhe  rrjedhimeve të saja….! E gjithë kjo “histori mjerane” ashtë kurdisë nga Trumpi, e propagandohet, si e përgatitun nga PD-ja…. një shaka që mund të damtojë Amerikën…!

Pyetje si: ”Ç’bahet kështu me vendin tonë? A mund të jetojmë pa frikë në shtëpitë tona, në shkollat tona, në faltoret tona të shenjta?” bahen vazhdimisht mbas masakrës së tetorit në Pittsburg, PA., ku një kriminel “supremacist” i bardhë, simpatizues i Presidentit Trump masakroi 11 hebrej në Sinagogen e qytetit dhe plagosi 6 të tjerë. “Këta hebrej duhet të vdesin” thirri krimineli. Pse? “Sepse ndihmojnë refugjatët në mjerim”. E pabesueshme! “Në se nuk e shuejmë këte flakë në djep, kam frikë se do të pësojmë edhe ma keq” deklaroi rabini Marvin Heir.

Helmimi i atmosferës inkurajon  krimet monstruoze. Çdo lajm i pakandshëm ashtë “fake news”, çdo “fake news” prodhohet nga mediat që quhet nga Trump-i “armik i popullit”. Në një intervistë me stacionin CBS, Presidenti deklaroi:” Unë flas kështu me diskreditue ju (mediat) të gjithëve dhe me ju denoncue të gjithëve, kështu kur shkrueni artikuj negativë për mue, asnjeri nuk ju beson!” “Frikë e mashtrim” si strategji elektorale me metoda fashiste! Trumpi ashtë politikë, dhe politika ashtë ai vetë! Prof. Steve Poll (Columbia U.) mendon se “Ai (Trump) ka pasë sukses me krijue një narrativë ditore, ku ai vetë  ashtë një figurë ditore”.

Jemi para një faze kritike ku forcat e rigjenerimit demokratik janë të vendosuna me përballue valën e autoritarianizmit anti-iluminist të Presidentit. Jo fashizmit ne këte kështjellë të lirisë dhe demokracisë. Ashtë populli amerikan përballë një kundërshtari narsicist që ka nda Amerikën në dy kampe kundërshtare me rrjedhime të paparashikueshme. Kjo nuk mund të pranohet! Fashizmi nuk do të kalojë! Për këte do të luftoj edhe unë së bashku me qindëra miljonë qytetarë amerikanë! Sepse:

“ Vetë karakteri i këtij vendi ashtë në balancë!” deklaronte pakë ditë ma parë ish-Presidenti Barack Obama.

=================================================================

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: E DEMOKRACISE AMERIKANE, Ph.D, Sami repishti, ZGJEDHJET NE SH.B.A. : NJË FITORE

Pas Shqiponjës ju garantoj radhën e ka Skënderbeu

November 13, 2018 by dgreca

6 Ilir-Levonja-300x298

Nga Ilir Levonja/

Në nëntorin e vitit 2012, plot 100 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria osmane, një filantrop tetovar me emrin Lazim Destani, i bën dhuratë Tiranës një shqiponjë monumentale. Plot 6 ton çelik…, një vepër që u inagurua me pjesëmarrje të gjerë politike. Kam parasysh këtu Kosovën, Malin e Zi dhe padyshim faktorin shqiptar në Maqedoni. Qe një përvjetor historik megjithëse pati dhe firot e veta, me luftën me shkumë torte etj. Por edhe një rit sa fisnik aq edhe befasues, rrugëtimin e shqiptarëve të Kosovës, të të ashtuquajturit delegatë, me kuaj, drejt Vlorës. Gjestit fisnik të një filantropi, i cili midis të tjerave tha se, falënderonte Zotin që i dha mundësinë të ofronte veprën e shqiponjës, simbolin e vetëm, ai që përkundër rrjedhës së kohës, personifikon unifikimin e shqiptarëve të ndarë në pesë shtete. Pikërisht kjo vepër, një pinjolli të diktaturës së proletariatit, i duket vulgare. Kjo edhe në vazhdën e asaj politike të mbrapshtë në raport me paraardhësin. Një kulturë vrastare tashmë e rrënjosur keqas në vendin tonë, e cila po lulëzon rishtas. Për më tepër me këtë revolucionarin me atlete addidas. E mirë dhe e bukur është ajo që bëj unë dhe askush tjetër. Se ta dini, sado përfitim t’i jepte Tiranës, trafikut, një a dy korsi më shumë, rrugës hyrëse për në kryeqytetin e shqiptarëve, prapë nuk justifikonte atë aktin sublim të një filantropi duke i dhënë Tiranës më shumë nga çfarë i takon. Kam parasysh këtu, dhunën, persekutimin, a shumëzimin me zero të çështjes kombëtare nga qeveritë e saja, sidomos asaj të komunistëve. Dhe pa asnjë diskutim që cilësimi dhe cenimi i këtij simboli, është një nga ato brutalizmat histerike të etërve të diktaturës kur shëmbnin kishat dhe xhamiat më 1967-ën, kur ia hiqnin të drejtën e pronësisë çdo trashëgimtari duke e transformuar atë në një pronë shtetërore. Ndaj me të drejtë shumë njerëz sot pyesin se, po monumenti i Skënderbeut, kur e ka radhën. Dhe nuk është çudi që edhe këtë vepër, ”mëndjendrituri” ynë ta quaj po aq vulgare sa shqiponjën. Megjithatë përpos tekave janë edhe ato kostot aq dërrmuese për xhepat e qytetarëve. Po kjo është edhe kosto shpirti, frymë kombëtare. Dhe nuk e di se ndihen sot në rrugët e Tetovës, Prishtinës, Podgoricës, se në Tiranë kanë hallin e një dekreti ministri dhe nacionalistëve grekë, kur kryeministri i vendit e quan vulgare atë që shekujt ia kanë konsideruar shqiptarisë, si një kancer?! Dhe nuk e di se si pajtohen shqiptarët, a opozita që mjaftohen me ca statute FB. Aq më tepër kur ky konflikt ndodh paralelisht me protestat disa ditore të qytetarëve po në rrugën hyrëse të kryeqetit, Po u marrin shtëpitë me dhunë…, pa asnjë paralajmërim me atë pretekstin e ndërtimeve pa leje. Kur dihet që informaliteti ka kapluar thuasje 99% të urbanistikës së Kandaharit shqiptar, Tiranës së smogut dhe kaosit. Dhe nga ana tjetër për ca vota të qelbura janë lëshuar lejet me fushata gju më gju me popullin, duke i parë disa me syrin e nënës dhe disa të tjerë me syrin e njerkës ligjore.

Jam i bindur se, sikur 3 a 4 projektues të ishin mbledhur, me siguri që e do ishte gjetur një zgjidhje. Dhe ndofta është gjetur. Po, problemi nuk është zgjidhja, është mendësia e rrafshimit. E mendjeve të mbushura pavarësisht vlerës monetare dhe morale që nxjerr një komb. Pavarsisht atyre shpirtrave bujarë prej filantropi, idesë së unifikimit… dështakëve u është mbushur mëndja se historia e Romës fillon dhe mbaron me ta. Kësisoj mos u çudisni kur ndonjë mëngjes të gjeni përtokë edhe monumentin e Skënderbeut.

Filed Under: Opinion Tagged With: e ka Skënderbeu, Ilir Levonja, Pas Shqiponjës ju garantoj radhën

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 402
  • 403
  • 404
  • 405
  • 406
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT