• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA SHPREH NGUSHËLLIME PËR LARGIMIN NË AMSHIM TË PAPA FRANÇESKUT

April 21, 2025 by s p

New York, 21 Prill 2025 – Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra i shpreh ngushëllimet më të dhimbshme Selisë së Shenjtë, Kishës Katolike të Shqipërisë dhe çdo besimtari katolik për ndarjen nga jeta tokësore të Atit të Shenjtë Papa Françeskut, mikut të madh të kombit shqiptar e Federatës Vatra. Bota humbi një frymëzues të madh, kisha prijësin e saj shpirtëror e shoqëria humbi modelin e thjeshtësisë, përulësisë, dashurisë e përshpirtshmërisë.

Falenderues përjetë i jemi Atit të Shenjtë për pritjen e Vatrës në Vatikan më 25 Tetor 2023, për vizitën e tij Apostolike që zhvilloi në Shqipëri më 21 shtator 2014 dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Kishës Katolike Shqiptare e kombit shqiptar gjithë këto vite.

Papa Françesku deri në frymën e fundit bekoi dhe apeloi për paqe e dashuri duke dënuar luftën, armatimet dhe kërcënimet. Papati i tij luftoi fort për paqe në botë, për familjen si të shenjtë, për drejtësi sociale, për besimtarët e thjeshtë, për njerëzit në nevojë, të varfërit, emigrantët, të sëmurët, të braktisurit e nevojtarët.

Ishte shumë emocionuese dhe nuk do ta harroj kurrë përjetë bekimin dhe pritjen që Papa Françesku na rezervoi në Vatikan si vatranë e shqiptaro-amerikanë teksa i dhurova një bust në miniaturë të Shenjtores shqiptare Shën Nënë Tereza.

Papa Françesku ishte reformator e vizionar, mbajti kishën të bashkuar, zhvilloi dialogun ndërfetar dhe ngriti fort zërin për çështje që shqetësojnë e kërcënojnë mbarë njerëzimin.

Pusho në paqe Atë i Shenjtë

Gjithë njerëzimi do të kujtojë për testamentin e jashtëzakonshëm që trashëgoi prej Shenjtërisë suaj.

Me dhimbje të thellë e pikëllim në zemër

Përjetë mirënjohës

Kryetari i Vatrës

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Opinion

Antologjia “Pena e Gruas”, projekti letrar që bashkoi shkrimtaret shqiptare në Amerikë e Kanada

April 19, 2025 by s p

Intervistë me Dr. Yllka Filipi – Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Intervistoi: Sokol Paja

1. Si lindi ideja për botimin “Pena e Gruas”, kushtuar grave në diasporën amerikane?

Duke qenë se radhët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë janë pasuruar këto vitet e fundit me një numër të konsiderueshëm krijuesesh gra, Presidenti z. Adnan Memeti hodhi idenë për të caktuar një ditë kalendarike si një festë libri, në shenjë nderimi dhe respekti për angazhimin e tyre letrar. Menjëherë Kryesia jonë filloi punën për mbledhjen dhe redaktimin e krijimeve të dërguara nga poeteshat shqiptare që jetojnë në Kontinentin Amerikan me synimin e largpamësinë, që me forcën e fjalës artiastike të dërgojmë në kontinentin e zhurmshëm, zërin e atdheut “ Një fjalë, pas një fjale, pas një fjale është Fuqia!- shprehet Margaret Atwood’.

2. Çfarë risie sjell ky botim në letërsinë e diasporës?

Ky angazhim letrar vlerësohet si përpjekja për të bashkuar të gjitha krijueset shqiptare në një lidhje të përbashket për të promovuar, mbajtur gjallë e zhvilluar letërsinë shqipe në një tjetër dimension. Me daljen në dritë të Antologjise Poetike “Pena e Gruas”, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, reflekton respektin më të madh për përkushtimin dhe pasionin ndaj letërsisë kombëtare si edhe mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe për t’ua lënë trashëgimi të vyer brezave që do të vijnë. Do të jetë ura lidhëse që na mban shpirtërisht afër atdheut dhe botës.

3. “Pena e Gruas”, a do jetë një botim i përvitshëm? Çfarë synohet me këtë antologji poetike në të ardhmen?

Një arritje e tillë letrare sigurisht që do të ketë edhe botime të tjera të radhës, por kjo do të varet nga shumë faktorë të cilët do të bëjnë të mundur daljen në dritë të simotrave. Nuk do të jetë një botim i përvitshëm, sigurisht, por kur kushtet të piqen për botimin tjetër të radhës, do të ketë të gjithë seriozitetin dhe përkushtimin maksimal nga ana jonë me synim pasurimin e arkivës, Historikut të Diaspores Shqiptare, trashëgimisë sonë me sa më shumë vepra letrare të shkruara në gjuhën shqipe.

4. Si e vlerësoni kontributin e krijueseve e shkrimtareve gra të diasporës në letërsinë shqipe?

Nëse do t’i përmbaheshim Pablo Coelho” Lotët jane fjalët që kanë nevojë të shkruhen”, me plot bindje do të thoshim se Hyjneshat e Bardha të Diasporës Shqiptare e kanë kthyer dhimbjen në shpresë dhe lotët në buzëqeshje, duke pasuruar kështu fondin e artë të trashëgimisë kulturore të kombit tonë. Në oqeanin e thellë multikulturor të kontinentit amerikan, zëri i sirenave shqiptare do të jetë jehona që do të dëgjohet larg, përtej brigjeve, në pakohësi.

5. Çfarë urash bashkëpunimi po ndërtoni me krijueset gra nga diaspora e Europës dhe kjo nismë a do shtrihet dhe në kontinente të tjera?

Një ndër ëndrrat tona më të mëdha është edhe shtrirja e bashkëpunimit me diasporën evropiane, e cila e them me plot bindje se shumë shpejt do të bëhet realitet, duke krijuar kështu mundësinë për ta pasuruar historikun letrar të të gjithë krijuesve emigrantë në botën e madhe. Ka shkrimtarw dhe poetë me profile thellësisht të konsoliduara artistike në disporën evropiane, të cilët do të ishin nderi ynë të hynin në një antologji të përmasave ndërkontinentale. Nëpërmjet forcës semiotike të fjalës, zëri i poeteshave të diasporës do ta shkruajë historinë me vargjet e dritës. Brezat që do të vijnë do të kenë në duar këto thesarë të çmuara kombëtare. “Ne shkruajmë për ta shijuar jetën dy herë, në të tashmen dhe në retrospektivë, (Anaïs Nin)

Filed Under: Opinion

“Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” u shpall pjesë e regjistrit të kujtesës botërore UNESCO

April 19, 2025 by s p

#AShSh

#MuzeuKombëtariFotografisëMarubi

#UNESCO

Një nga thesaret më të çmuara të kujtesës sonë kombëtare “Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” u bë pjesë e regjistrit të kujtesës së botës, UNESCO.

Ky muze aktualisht është i vetmi institucion kombëtar për fotografinë në Shqipëri. Arkivi i tij përmban më shumë se gjysmë milioni negativë filmash në xham, rrotulla dhe plan, si dhe objekte dhe dokumente të pesëmbëdhjetë fotografëve, si dhe fotografi me tematika të ndryshme që i përkasin kulturës shqiptare, urbanistikës, veshjeve kombëtare shqiptare, përfaqësive të huaja diplomatike, personaliteteve dhe zyrtarëve të lartë, ngjarjeve të ndryshme në vend.

Nominimi për përfshirjen në UNESCO është i lidhur me koleksionet e fotografëve të parë të arkivit Marubi, pikërisht Pietro Marubbi (1832-1903), Mati Marubi (1862-1881) Kel Marubi (1869-1940).

Që nga viti 1865, kur u hap studioja e parë e fotografisë në Shkodrën otomane nga italiani Pietro Marubbi, deri në vitet 1940. Koleksioni i tyre dëshmon për lindjen e fotografisë në Shqipëri, pothuajse njëkohësisht me Europën. Arkivi i Muzeut Kombëtar “Marubi” është një dëshmi unike dhe e pazëvendësueshme e aspekteve historike, sociologjike, kulturore, antropologjike dhe artistike.

Lexo linkun:

https://www.unesco.org/en/memory-world/register2025

www.akad.gov.al

Filed Under: Opinion

Branko Merxhani, nga figurat më të shquara të mendimit shqiptar të gjysmës së parë të shekullit të XX-të

April 18, 2025 by s p

Arian Gladini/

Branko Merxhani është një nga figurat më të shquara të mendimit shqiptar të gjysmës së parë të shekullit të XX-të. Filozof, publicist dhe eseist i spikatur, ai mbetet një prej zërave më të ndritur që ka kontribuar në zhvillimin e shqiptarizmit si një projekt intelektual dhe kombëtar. Përmes artikujve të tij në shtypin e kohës, veçanërisht në revistën “Përpjekja Shqiptare”, dhe përmes konceptit të tij novator të Neo-shqiptarizmit, Merxhani krijoi një platformë filozofike dhe ideologjike që ka mbetur aktuale edhe sot.
Në thelb të mendimit të tij qëndronte ideja e shqiptarizmit si një përpjekje për të harmonizuar shpirtin kombëtar me modernitetin. Merxhani e shihte shqiptarizmin si një mision të ndërtimit të një kombi që nuk do të ishte thjesht mbijetesë kulturore apo politike, por një komb që kontribuon në zhvillimin e qytetërimit europian.
Në një nga artikujt e tij të famshëm, Merxhani shkruan:

“Shqiptarizmi nuk është as etje për lavdi dhe as përkatësi e verbër ndaj një race; ai është një filozofi, një përpjekje për të gjetur identitetin tonë në mesin e popujve të përparuar të Europës.” Kjo qasje e thellë e ndan atë nga nacionalizmi romantik dhe e lidh me një patriotizëm të bazuar në arsim, kulturë dhe zhvillim ekonomik.
Koncepti i Neo-shqiptarizmit, i propozuar nga Merxhani, është një ndër idetë më origjinale në mendimin politik dhe kulturor shqiptar. Për Merxhanin, Neoshqiptarizmi përfaqësonte një përpjekje për të rindërtuar shpirtin kombëtar përmes një qasjeje të re filozofike dhe praktike. Në shkrimet e tij, ai e shihte Neoshqiptarizmin si një alternativë ndaj dy ekstremeve të dëmshme: konservatorizmit të ngurtë që refuzonte modernizimin dhe revolucionarizmit që shkatërronte traditat.

Në shkrimin e tij të famshëm “Neoshqiptarizmi”, Merxhani thekson:
“Ne nuk mund të jemi as imitues të verbër të Perëndimit dhe as robër të së kaluarës sonë. Rruga jonë është e mesme: ta marrim më të mirën nga të dy botët dhe ta ndërtojmë identitetin tonë mbi këtë harmoni.” Kjo ide, e përmbledhur në moton e tij të njohur “Nacionalizëm konstruktiv”, pasqyronte vizionin e tij për një Shqipëri që përparon duke ruajtur shpirtin e saj unik kombëtar.
Një nga temat më të rëndësishme në mendimin e Merxhanit është roli i intelektualit si arkitekt i kombit. Ai besonte fuqimisht se kombet nuk ndërtohen thjesht nga forcat politike, por nga elitat intelektuale që i udhëheqin popujt drejt përparimit.
Në një nga esetë e tij, Merxhani shkruan:

“Një komb që nuk ushtron mendimin, është një komb që mbetet rob i fatit dhe i të huajve.” Ai ftonte të rinjtë shqiptarë të bëheshin pjesë e një “elite të ndritur”, që do të vendoste arsimimin, kulturën dhe drejtësinë në qendër të përpjekjeve të tyre. Edhe pse shkrimet e Merxhanit paraprijnë periudhën komuniste, mendimi i tij ofron një kritikë të qartë dhe të fuqishme ndaj ideologjive totalitare dhe përpjekjeve për të krijuar një “Njeri të Ri” të shkëputur nga rrënjët kombëtare dhe shpirtërore. Për Merxhanin, çdo përpjekje për të imponuar një ideologji homogjene mbi shoqërinë është në vetvete një shkatërrim i shpirtit njerëzor dhe kolektiv.

Në këtë drejtim, Neo-shqiptarizmi i tij ofron një alternativë të shëndetshme për një komb të lirë, të ndërgjegjshëm dhe të aftë për të mbrojtur identitetin e tij nga deformimet ideologjike.
Mendimi i Merxhanit ka një rezonancë të thellë me filozofët dhe mendimtarët konservatorë ndërkombëtarë. Në shumë mënyra, idetë e tij janë të krahasueshme me ato të Edmund Burke, i cili theksonte ruajtjen e traditës dhe institucioneve si baza të një shoqërie të shëndetshme. Një tjetër paralele mund të gjendet në mendimin e Michael Oakeshott, i cili mbrojti idenë e evolucionit të natyrshëm të shoqërisë në vend të revolucionit shkatërrues.
Neo-shqiptarizmi i Merxhanit mund të konsiderohet gjithashtu si një pararendës i ideve të Roger Scruton, veçanërisht në mbrojtjen e identitetit kulturor dhe ruajtjen e vlerave kombëtare përballë presioneve të globalizimit.

Branko Merxhani nuk ishte thjesht një publicist apo mendimtar i kohës së tij; ai ishte një vizionar që e shihte kombin shqiptar si një pjesë të pandarë të qytetërimit europian. Përmes idesë së Neo-shqiptarizmit, ai na la një udhërrëfyes për të ardhmen, një doktrinë që mbetet aktuale edhe sot, veçanërisht në përballjen me sfidat e globalizimit, polarizimit politik dhe krizës së identitetit.
Në një nga shkrimet e tij, ai thotë: “Ne jemi të thirrur për ta bërë Shqipërinë jo vetëm një vend të lirë, por një shembull të qytetërimit dhe përparimit për të gjitha kombet e tjera.”
Ky vizion mbetet një thirrje për brezat e sotëm dhe të ardhshëm për të ndjekur rrugën e ndritur që ai përvijoi. Branko Merxhani mbetet një nga mendimtarët më të rëndësi shëm shqiptarë, dhe trashëgimia e tij është një thesar i paçmuar për çdo përpjekje për ta ripërtërirë shpirtin kombëtar. Neo shqiptarizmi i tij ofron jo vetëm një kritikë të thellë ndaj të kaluarës, por edhe një vizion të qartë për të ardhmen. Në një kohë kur Shqipëria përballet me sfida të shumta, mendimi i Merxhanit na kujton rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe përpjekjen për të ndërtuar një komb të lirë, të drejtë dhe të ndritur. Në këtë kontekst, Neo-shqiptarizmi mbetet jo vetëm një koncept, por një mision për të ardhmen.

Filed Under: Opinion

SHKOLLA E GJUHËS SHQIPE NË GLINDE, GJUHË SHQIPE DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË GJERMANI

April 17, 2025 by s p

Adelina Marku mësuese e gjuhës shqipe në shkollën shqipe në Glinde – Gjermani rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Glinde – Gjermani, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko- kulturore. Me mësuesen e gjuhës shqipe në shkollën shqipe në Glinde – Gjermani Adelina Marku, bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË GLINDE

Shkolla e Gjuhës Shqipe në Glinde është e hapur në 01.12.2022 ndërsa shkolla e Gjuhës Shqipe Ahrensburg është e hapur me datë 06.02.2023 në mbështetje të Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë Z. Kolë Gjoka. Mësimi zhvillohet çdo ditë të shtunë, me fëmijë nga grupmosha të ndryshme, ku përfshihen njohuritë bazë të gjuhës shqipe si: të lexuarit, të shkruarit, të folurit dhe të degjuarit. Përveç shkollës shqipe Glinde dhe Ahrensburg janë edhe shumë shkolla të tjera shqipe në Veriun e Gjermanisë. Ky projekt financohet nga Ministria e Arsimit Schlesëig-Holstein, ndërsa programet mësimore bazohen në tekstet e miratuara nga autoritetet arsimore shqiptare që përshtaten sipas niveli të të nxënit. Mësimi i Gjuhës Shqipe është shtylla kryesore e identitetit kombëtar. Ajo mban brenda saj historinë, kulturën dhe gjuhën tonë shqipe. Gjuha është ura që na lidh me historinë, traditën, dhe kulturën shqiptare. Për fëmijët e diasporës mësimi i Gjuhës Shqipe është mënyra e natyrshme për të ruajtur lidhjen me origjinën dhe për të mos e humbur ndjenjën e përkatësisë. Për mua kjo është një detyre shpirtërore por dhe një përgjegjësi ndaj brezave të rinj.

KURRIKULA MËSIMORE DHE NËVOJA E MBËSHTETJES NGA PRINDËRIT

Kurrikula mësimore që përdorim për mësimin e Gjuhës Shqipe është e miratura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërise dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës. Në kurrikulën e mësimit të Gjuhës Shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë përfshijmë tekstin mësimore, fletore pune, fjalor me figura, poezi etj. Mësimi organizohet në mënyrë të tillë që të jetë interaktiv, me perdorim të teksteve mësimore, ushtrimeve praktike, këngëve, lojërave gjuhësore dhe aktiviteteve kulturore. Bashkëpunimi me prinderit  është një nga shtyllat më të rëndësishme për suksesin në mësim të gjuhës shqipe në diasporë. Një mësues nuk mund të mbajë gjallë gjuhën amtare vetëm, është shumë thelbesore që prindërit të jenë të përfshirë të bashkëpunojnë ngushtë me ne mësuesit dhe të punojnë vazhdimisht me fëmijët në shtëpi. Prindërve u bëj thirrje që të flasin shqip me fëmijët e tyre në përditshmëri, tu lexojnë libra shqip, ti inkurajojnë fëmijët që të mësojnë gjuhën shqipe duke marrë pjesë në shkollat shqipe si dhe veprimtari  kulturore. Vetëm në këtë mënyrë gjuha jonë amtare mund të ruhet dhe të përcillet me dashuri tek brezat që rriten larg atdheut.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË GJERMANI

Gjuha është një nga elementet më të rëndësishëm të identitetit kombëtar. Për shqiptarët që jetojnë në Gjermani, mësimi i Gjuhës Shqipe është jo vetëm një mundësi arsimore por dhe një mjet i fuqishëm për të ruajtur lidhjen me rrënjët, historinë dhe kulturën tonë.  Ruajtja e gjuhës amtare është mënyra më e drejtpërdrejtë për të mos humbur përkatësinë kombëtare. Unë si mësuese e Gjuhës Shqipe për fëmijët e diasporës përpiqem jo vetëm tu mësoj gjuhën shqipe por edhe të ushqejë krenarinë për prejardhjen përmes këngëve, poezive, historisë, kulturën dhe zakoneve shqiptare. Orët mësimore shërbejnë si urë që lidhin fëmijët me kulturën e tyre, duke ndikuar që identiteti i tyre të jetë i plotë dhe i qëndrueshëm.

MËSIMI SHQIP PRITET POZITIVISHT NË GJERMANI

                                                                                                                                                                                              Shoqëria gjermane, në përgjithësi, tregon mirëkuptim dhe mbështetje ndaj nismave për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës amtare. Mësimi i gjuhës shqipe pritet pozitivisht, sidomos kur organizohet në mënyrë bashkëpunuese. Institucionet gjermane ofrojnë hapësira publike, si shkolla ku zhvillohet mësimi i gjuhës shqipe. Komuniteti shqiptar në Gjermani ka dhënë një kontribut të madh për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe duke organizuar vetë mësimin në shumë qytete të Gjermanisë sidomos në Kiel, Elmshorn, Bremen etj. Ky bashkëpunim i vazhdueshëm është themelor për vazhdimësinë dhe cilësinë e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Përdorimi i teknologjisë në mësimdhënien e Gjuhës Shqipe ka sjellë lehtësi dhe mundësi të reja. Aplikacionet arsimore, materialet mësimore u jep mundësi fëmijëve të mësojnë Gjuhën Shqipe në mënyrë tërheqëse për të përshtatur me stilin e tyre të të nxënit. Përdorimi i vidiove edukative në shqip, këngë për fëmijë, apo si dhe lojëra gjuhësore ndihmojnë shumë fëmijët në zhvillimin e të dëgjuarit dhe të folurit.  Megjithatë, një nga sfidat më të mëdha është puna jonë si mësues me fëmijët me dy gjuhësi të cilët flasin me shumë gjuhën gjermane sesa gjuhën shqipe. Gjuhën Shqipe e degjojnë vetëm në familje dhe në klasën apo ambientin ku mësohet shqip. Prandaj është e domosdoshme bashkëpunimi i ngushtë me prindërit dhe përdorimi i Gjuhës Shqipe në jetën e përditshme, që mësimi të jetë i suksesshëm dhe gjuha të ruhet me dashuri.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Mësimi i Gjuhës Shqipe ka pasur një ndikim të ndjeshëm dhe pozitiv në rritjen e ndjenjës patriotike te fëmijët shqiptarë që jetojnë në diasporë, veçanërisht në Gjermani. Përmes gjuhës, ata lidhen më fort me rrënjët, kulturën dhe historinë e tyre. Fëmijët që mësojnë shqip fillojnë të ndihen krenarë për origjinën e tyre, të kuptojnë vlerat e trashëgimisë kombëtare dhe të shfaqin interes për simbolet kombëtare, figurat historike dhe traditat shqiptare. Përfshirja në aktivitete kulturore si festat kombëtare, këngët, vallet apo recitimet në shqip, forcon ndjenjën e përkatësisë dhe i bën të ndihen pjesë e një komuniteti që e ruan dhe e nderon identitetin shqiptar. Mësimi i gjuhës nuk është vetëm proces edukimi, por një mënyrë për të krijuar lidhje emocionale me atdheun. Ky formim gjuhësor dhe kulturor ndihmon që fëmijët të mos ndihen të shkëputur, por krenarë për atë që janë.

KUSH ËSHTË MËSUESE ADELINA MARKU?

Unë jam Adelina, një mësuese me pasion të thellë për arsimin dhe zhvillimin e brezave të rinj. Që në fëmijërinë time, kam ndjerë një thirrje të veçantë për të ndihmuar të tjerët të mësojnë dhe të rriten, gjë që më çoi natyrshëm drejt profesionit të mësuesit. Kam përfunduar studimet e larta Bachelor dhe Master, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Pas përfundimit të studimeve të mia të larta kam bërë dhe një praktikë mësimore në shkollën Ismali Qemali Tiranë. Përmes përvojës sime, kam mësuar se çdo nxënës është UNIK. Mësuesia nuk është një punë apo profesion për mua, por një MISION.  Të jesh mësues do të thotë të mbjellësh fara diturie dhe shprese në mendjet dhe zemrat e të rinjëve, duke besuar se një ditë ato do të lulezojnë. Realizimi i hapjes së shkollave shqipe në Gjermani është një ndër arritjet më të çmuara që na mbush me krenari dhe shpresë për të ardhmen e brezave të rinj. Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e fortë, vëmendjen e vazhdueshme dhe përkushtimin e veçantë të Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë Z. Kolë Gjoka në veriun e Gjermanisë, i cili me vizionin dhe përkujdesjen e tij, ka qenë një bashkëpunëtor dhe një mbështetje e madhe në çdo hap të këtij procesi. Në këtë rrugëtim të rëndësishëm, edhe unë kam dhënë kontributin tim me zemër e përkushtim të plotë, duke e ndjerë këtë detyrë jo vetëm si një përgjegjësi profesionale, por si një thirrje shpirtërore për të ruajtur e përcjellë gjuhën dhe identitetin tonë tek fëmijët shqiptarë që rriten larg atdheut.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT