




Intervistë me Dr. Yllka Filipi – Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Intervistoi: Sokol Paja
1. Si lindi ideja për botimin “Pena e Gruas”, kushtuar grave në diasporën amerikane?
Duke qenë se radhët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë janë pasuruar këto vitet e fundit me një numër të konsiderueshëm krijuesesh gra, Presidenti z. Adnan Memeti hodhi idenë për të caktuar një ditë kalendarike si një festë libri, në shenjë nderimi dhe respekti për angazhimin e tyre letrar. Menjëherë Kryesia jonë filloi punën për mbledhjen dhe redaktimin e krijimeve të dërguara nga poeteshat shqiptare që jetojnë në Kontinentin Amerikan me synimin e largpamësinë, që me forcën e fjalës artiastike të dërgojmë në kontinentin e zhurmshëm, zërin e atdheut “ Një fjalë, pas një fjale, pas një fjale është Fuqia!- shprehet Margaret Atwood’.
2. Çfarë risie sjell ky botim në letërsinë e diasporës?
Ky angazhim letrar vlerësohet si përpjekja për të bashkuar të gjitha krijueset shqiptare në një lidhje të përbashket për të promovuar, mbajtur gjallë e zhvilluar letërsinë shqipe në një tjetër dimension. Me daljen në dritë të Antologjise Poetike “Pena e Gruas”, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, reflekton respektin më të madh për përkushtimin dhe pasionin ndaj letërsisë kombëtare si edhe mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe për t’ua lënë trashëgimi të vyer brezave që do të vijnë. Do të jetë ura lidhëse që na mban shpirtërisht afër atdheut dhe botës.
3. “Pena e Gruas”, a do jetë një botim i përvitshëm? Çfarë synohet me këtë antologji poetike në të ardhmen?
Një arritje e tillë letrare sigurisht që do të ketë edhe botime të tjera të radhës, por kjo do të varet nga shumë faktorë të cilët do të bëjnë të mundur daljen në dritë të simotrave. Nuk do të jetë një botim i përvitshëm, sigurisht, por kur kushtet të piqen për botimin tjetër të radhës, do të ketë të gjithë seriozitetin dhe përkushtimin maksimal nga ana jonë me synim pasurimin e arkivës, Historikut të Diaspores Shqiptare, trashëgimisë sonë me sa më shumë vepra letrare të shkruara në gjuhën shqipe.
4. Si e vlerësoni kontributin e krijueseve e shkrimtareve gra të diasporës në letërsinë shqipe?
Nëse do t’i përmbaheshim Pablo Coelho” Lotët jane fjalët që kanë nevojë të shkruhen”, me plot bindje do të thoshim se Hyjneshat e Bardha të Diasporës Shqiptare e kanë kthyer dhimbjen në shpresë dhe lotët në buzëqeshje, duke pasuruar kështu fondin e artë të trashëgimisë kulturore të kombit tonë. Në oqeanin e thellë multikulturor të kontinentit amerikan, zëri i sirenave shqiptare do të jetë jehona që do të dëgjohet larg, përtej brigjeve, në pakohësi.
5. Çfarë urash bashkëpunimi po ndërtoni me krijueset gra nga diaspora e Europës dhe kjo nismë a do shtrihet dhe në kontinente të tjera?
Një ndër ëndrrat tona më të mëdha është edhe shtrirja e bashkëpunimit me diasporën evropiane, e cila e them me plot bindje se shumë shpejt do të bëhet realitet, duke krijuar kështu mundësinë për ta pasuruar historikun letrar të të gjithë krijuesve emigrantë në botën e madhe. Ka shkrimtarw dhe poetë me profile thellësisht të konsoliduara artistike në disporën evropiane, të cilët do të ishin nderi ynë të hynin në një antologji të përmasave ndërkontinentale. Nëpërmjet forcës semiotike të fjalës, zëri i poeteshave të diasporës do ta shkruajë historinë me vargjet e dritës. Brezat që do të vijnë do të kenë në duar këto thesarë të çmuara kombëtare. “Ne shkruajmë për ta shijuar jetën dy herë, në të tashmen dhe në retrospektivë, (Anaïs Nin)