


Adelina Marku mësuese e gjuhës shqipe në shkollën shqipe në Glinde – Gjermani rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Glinde – Gjermani, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko- kulturore. Me mësuesen e gjuhës shqipe në shkollën shqipe në Glinde – Gjermani Adelina Marku, bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË GLINDE
Shkolla e Gjuhës Shqipe në Glinde është e hapur në 01.12.2022 ndërsa shkolla e Gjuhës Shqipe Ahrensburg është e hapur me datë 06.02.2023 në mbështetje të Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë Z. Kolë Gjoka. Mësimi zhvillohet çdo ditë të shtunë, me fëmijë nga grupmosha të ndryshme, ku përfshihen njohuritë bazë të gjuhës shqipe si: të lexuarit, të shkruarit, të folurit dhe të degjuarit. Përveç shkollës shqipe Glinde dhe Ahrensburg janë edhe shumë shkolla të tjera shqipe në Veriun e Gjermanisë. Ky projekt financohet nga Ministria e Arsimit Schlesëig-Holstein, ndërsa programet mësimore bazohen në tekstet e miratuara nga autoritetet arsimore shqiptare që përshtaten sipas niveli të të nxënit. Mësimi i Gjuhës Shqipe është shtylla kryesore e identitetit kombëtar. Ajo mban brenda saj historinë, kulturën dhe gjuhën tonë shqipe. Gjuha është ura që na lidh me historinë, traditën, dhe kulturën shqiptare. Për fëmijët e diasporës mësimi i Gjuhës Shqipe është mënyra e natyrshme për të ruajtur lidhjen me origjinën dhe për të mos e humbur ndjenjën e përkatësisë. Për mua kjo është një detyre shpirtërore por dhe një përgjegjësi ndaj brezave të rinj.
KURRIKULA MËSIMORE DHE NËVOJA E MBËSHTETJES NGA PRINDËRIT
Kurrikula mësimore që përdorim për mësimin e Gjuhës Shqipe është e miratura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërise dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës. Në kurrikulën e mësimit të Gjuhës Shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë përfshijmë tekstin mësimore, fletore pune, fjalor me figura, poezi etj. Mësimi organizohet në mënyrë të tillë që të jetë interaktiv, me perdorim të teksteve mësimore, ushtrimeve praktike, këngëve, lojërave gjuhësore dhe aktiviteteve kulturore. Bashkëpunimi me prinderit është një nga shtyllat më të rëndësishme për suksesin në mësim të gjuhës shqipe në diasporë. Një mësues nuk mund të mbajë gjallë gjuhën amtare vetëm, është shumë thelbesore që prindërit të jenë të përfshirë të bashkëpunojnë ngushtë me ne mësuesit dhe të punojnë vazhdimisht me fëmijët në shtëpi. Prindërve u bëj thirrje që të flasin shqip me fëmijët e tyre në përditshmëri, tu lexojnë libra shqip, ti inkurajojnë fëmijët që të mësojnë gjuhën shqipe duke marrë pjesë në shkollat shqipe si dhe veprimtari kulturore. Vetëm në këtë mënyrë gjuha jonë amtare mund të ruhet dhe të përcillet me dashuri tek brezat që rriten larg atdheut.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË GJERMANI
Gjuha është një nga elementet më të rëndësishëm të identitetit kombëtar. Për shqiptarët që jetojnë në Gjermani, mësimi i Gjuhës Shqipe është jo vetëm një mundësi arsimore por dhe një mjet i fuqishëm për të ruajtur lidhjen me rrënjët, historinë dhe kulturën tonë. Ruajtja e gjuhës amtare është mënyra më e drejtpërdrejtë për të mos humbur përkatësinë kombëtare. Unë si mësuese e Gjuhës Shqipe për fëmijët e diasporës përpiqem jo vetëm tu mësoj gjuhën shqipe por edhe të ushqejë krenarinë për prejardhjen përmes këngëve, poezive, historisë, kulturën dhe zakoneve shqiptare. Orët mësimore shërbejnë si urë që lidhin fëmijët me kulturën e tyre, duke ndikuar që identiteti i tyre të jetë i plotë dhe i qëndrueshëm.
MËSIMI SHQIP PRITET POZITIVISHT NË GJERMANI
Shoqëria gjermane, në përgjithësi, tregon mirëkuptim dhe mbështetje ndaj nismave për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës amtare. Mësimi i gjuhës shqipe pritet pozitivisht, sidomos kur organizohet në mënyrë bashkëpunuese. Institucionet gjermane ofrojnë hapësira publike, si shkolla ku zhvillohet mësimi i gjuhës shqipe. Komuniteti shqiptar në Gjermani ka dhënë një kontribut të madh për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe duke organizuar vetë mësimin në shumë qytete të Gjermanisë sidomos në Kiel, Elmshorn, Bremen etj. Ky bashkëpunim i vazhdueshëm është themelor për vazhdimësinë dhe cilësinë e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.
MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI
Përdorimi i teknologjisë në mësimdhënien e Gjuhës Shqipe ka sjellë lehtësi dhe mundësi të reja. Aplikacionet arsimore, materialet mësimore u jep mundësi fëmijëve të mësojnë Gjuhën Shqipe në mënyrë tërheqëse për të përshtatur me stilin e tyre të të nxënit. Përdorimi i vidiove edukative në shqip, këngë për fëmijë, apo si dhe lojëra gjuhësore ndihmojnë shumë fëmijët në zhvillimin e të dëgjuarit dhe të folurit. Megjithatë, një nga sfidat më të mëdha është puna jonë si mësues me fëmijët me dy gjuhësi të cilët flasin me shumë gjuhën gjermane sesa gjuhën shqipe. Gjuhën Shqipe e degjojnë vetëm në familje dhe në klasën apo ambientin ku mësohet shqip. Prandaj është e domosdoshme bashkëpunimi i ngushtë me prindërit dhe përdorimi i Gjuhës Shqipe në jetën e përditshme, që mësimi të jetë i suksesshëm dhe gjuha të ruhet me dashuri.
EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE
Mësimi i Gjuhës Shqipe ka pasur një ndikim të ndjeshëm dhe pozitiv në rritjen e ndjenjës patriotike te fëmijët shqiptarë që jetojnë në diasporë, veçanërisht në Gjermani. Përmes gjuhës, ata lidhen më fort me rrënjët, kulturën dhe historinë e tyre. Fëmijët që mësojnë shqip fillojnë të ndihen krenarë për origjinën e tyre, të kuptojnë vlerat e trashëgimisë kombëtare dhe të shfaqin interes për simbolet kombëtare, figurat historike dhe traditat shqiptare. Përfshirja në aktivitete kulturore si festat kombëtare, këngët, vallet apo recitimet në shqip, forcon ndjenjën e përkatësisë dhe i bën të ndihen pjesë e një komuniteti që e ruan dhe e nderon identitetin shqiptar. Mësimi i gjuhës nuk është vetëm proces edukimi, por një mënyrë për të krijuar lidhje emocionale me atdheun. Ky formim gjuhësor dhe kulturor ndihmon që fëmijët të mos ndihen të shkëputur, por krenarë për atë që janë.
KUSH ËSHTË MËSUESE ADELINA MARKU?
Unë jam Adelina, një mësuese me pasion të thellë për arsimin dhe zhvillimin e brezave të rinj. Që në fëmijërinë time, kam ndjerë një thirrje të veçantë për të ndihmuar të tjerët të mësojnë dhe të rriten, gjë që më çoi natyrshëm drejt profesionit të mësuesit. Kam përfunduar studimet e larta Bachelor dhe Master, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Pas përfundimit të studimeve të mia të larta kam bërë dhe një praktikë mësimore në shkollën Ismali Qemali Tiranë. Përmes përvojës sime, kam mësuar se çdo nxënës është UNIK. Mësuesia nuk është një punë apo profesion për mua, por një MISION. Të jesh mësues do të thotë të mbjellësh fara diturie dhe shprese në mendjet dhe zemrat e të rinjëve, duke besuar se një ditë ato do të lulezojnë. Realizimi i hapjes së shkollave shqipe në Gjermani është një ndër arritjet më të çmuara që na mbush me krenari dhe shpresë për të ardhmen e brezave të rinj. Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e fortë, vëmendjen e vazhdueshme dhe përkushtimin e veçantë të Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë Z. Kolë Gjoka në veriun e Gjermanisë, i cili me vizionin dhe përkujdesjen e tij, ka qenë një bashkëpunëtor dhe një mbështetje e madhe në çdo hap të këtij procesi. Në këtë rrugëtim të rëndësishëm, edhe unë kam dhënë kontributin tim me zemër e përkushtim të plotë, duke e ndjerë këtë detyrë jo vetëm si një përgjegjësi profesionale, por si një thirrje shpirtërore për të ruajtur e përcjellë gjuhën dhe identitetin tonë tek fëmijët shqiptarë që rriten larg atdheut.